Timo
Mërkuri
Epoka
që verbon
poetët
Esse, analiza, opinione
PJESA E PARË
Kur qanin kuajt e Akilit
Përsiatje rreth librit
“Pse qanë kuajt e Akilit”
të Vaso Toles
1- Sa
bukur qanë dhe …kuajt e Akilit!.
E kuptoj një farë hutimi të
lexuesit, qysh te nëntitulli i këtij shkrimi, ku, jo vetëm që qëndrojnë pranë e
pranë cilësori “bukur” me foljen “qanë”, por ca më tepër ky cilësor, që kudo e
kurdo flet për shije, estetikë dhe finesë, këtë herë dëshmon për bukurinë e
vajtimit, të këtij fenomeni, që qysh në emër, të kujton zinë dhe zezonën.
Përkundër hamendjes së
përgjithshme për vajtimin, unë ju them se ka dhe ai bukurinë e tij, finesën dhe
elegancën.
Të kuptohemi, nuk e kam
fjalën këtu për shprehjet e zakonshme nëpër morte:
- Sa bukur e qau, sa mirë e
vajtoi ...filania të ndjerin. As për
vargjet porositëse të vajtimit (më shumë debatuese ndërmjet vajtoreve), kur një
vajtore porosit tjetrën me vargjet: -Qaje mirë (bukur) moj gushëbardhë/ Thuaja
gjitha me radhë…
Ca më pak dua të flas, për
bukurinë e pamohueshme të veprës madhore dhe …dokumentare të Homerit, aty ku
ende dëgjohet …edhe vajtimi i kuajve të Akilit.
Unë dua të flas vërtet për
bukurinë e vajtimit, si fillesa e këngës
iso-polifonike dhe e valles, si dhe për thellësinë e analizës që i ka bërë atij (vajtimit) Vaso Tole, te libri i tij “Pse qanë kuajt e Akilit”.
Ndonëse kuajt e Akilit, qanë
vërtet mbi trupin e pajetë të Patroklit.
Qanë aq bukur, sa që u mallëngjye
gjithë ajo ushtri vrastare, të cilën asnjë lloj vdekjeje nuk e prekte, sepse
ajo ishte ushtri në luftë dhe kishte vetëm një mision, të mbillte vdekje kudo.
Edhe kali i Skënderbeut
qau mbi varrin e Kryezotit të Arbërit,
duke parathënë zezonën që po i vinte kombit. Por ama dhe ky kal kryeheroi, qau derisa
ngordhi dhe më pas asgjë nuk mbeti prej tij.
Krejt ndryshe është puna me
nënat tona, që kanë qarë gjithë jetën, herë për burrat e herë për bijtë. Kanë
qarë me lotë e me ligje, duke lënë…monumente nëpër ksodhe e nëpër kohë.
Kanë qarë e kanë mbetur të
bukura edhe ashtu me lotët, që u rridhnin nëpër faqet e çjerrura dhe të gërricura
deri në përgjakje.
Jemi mësuar të vëmë re, se si
shtrembërohet e “shëmtohet” fytyra e çdo
njeriu, kur qan nga dhimbja e një plage, e një sëmundjeje, apo e një padrejtësie.
E pra, kjo nuk ndodh me nënat
tona, vajtoret nëpër ksodhe. Ato, dhe ashtu të përlotura e të përgjakura
nga çjerrjet në fytyrë, kanë mbetur
gjithsesi të bukura, ikona të dhemshurisë njerëzore. Ikona të shpresës së
jetës; të shërimit të dhimbjeve e plagëve. Ndaj dhe në dhimbje klithim: - Oh
moj nënë!
Kaq thellë ka hyrë në jetën
tonë vajtimi me ligje i nënave tona vajtore, ai rënkim vaji i pambarim nëpër
ksodhe, që identifikohet me gërmën “ë”, sa që jemi ndoshta i vetmi komb në botë,
që e kemi mbartur këtë rënkim edhe te alfabeti. Vini re shqiptimin e gërmave të
alfabetit të shqipes, p.sh bashkëtingëlloret b(ë)…c(ë)… t(ë),…m(ë),..n(ë) etj,
të cilat përfundojnë me atë gërmën “ë”
rënkuese të vajtoreve. E pra,
popujt e tjerë kanë në shqiptim të alfabetit, zanore më “optimiste”( e-t,..
e-m,… e-n) dhe kjo ndoshta, është një dëshmi e moshës më të re të këtyre
kombeve, në raport me kombin tonë. Por me këtë problem, le të merren specialistët
përkatës.
Ne do të merremi me vajtimin.
2- Loti i
shndërruar në …verë.
Të gjithë e kanë lexuar
historinë e Krishtit, që e shndërroi ujin në verë në një dasëm. Me këtë, ai
dëshmoi së pari, origjinën e tij si bir Perëndie, por serviri gjithashtu edhe
verën si…magji jete.
Por nënat tona, të thjeshtat
nënat tona, shndërruan në verë…lotin e derdhur nëpër morte.., atë lot, me të
cilin lanë trupat e pajetë të të dashurve, bij e bija, prindër, bashkëshortë e
të afërm. Sepse shqiptari, trupin e të ndjerit e respekton, si të ishte një
altar perëndie dhe rreth tij e për të, ngre himne vajesh, të cilat shumë shpejt,
shndërrohen në këngë.
Dëshmon Lukiani, të cilin e
citon edhe autori, se trupin e të vdekurve….greku
e djeg, persiani e kall në dhe, indiani e mbulon me një tis të tejdukshëm,
skiti e ha dhe egjiptiani e than.
Vetëm nënat shqiptare e shenjtërojnë
trupin e të vdekurit, duke e mbuluar me vaje, ligjërime dhe gjestilacione, prej
të cilave mbijnë këngët e vallet, që e përjetësojnë emrin dhe veprën e të
vdekurit, më shumë dhe më bukur se çdo arkitekturë varrezash.
Dhe jo vetëm kaq, por këto
vaje e ligjërime na dhanë një art, të cilin shumëkush na e ka zili, por që ne
ende nuk ia dimë vlerën e vërtetë.
Dhe duke mos ia ditur këtë
vlerë, duke e quajtur të “zakonshme e të përditëshme, mbeturinë e kohëve të
shkuara” etj, në vend që të merremi me studime serioze dhe të evidentojmë
vlerat reale të saj, e citojmë si me “turp”.
E pra, është njësoj si të
kesh një diamant në dorë, të cilit duke mos ia ditur vlerën, aq më tepër që
është edhe i përlyer me baltë, në vend që ta çosh te specialistët e duhur, ia
jep fëmijës, i cili e përdor pafajësisht si gur llastiku për të vrarë zogj.
Dhe Vaso Tole na vërteton
shkencërisht, se vajtimi me ligje është pikërisht ky diamant, nuk është thjesht
një e qarë plakash dhe aq.
a- Vajtimi ose e qara me
botë, me ligje, nuk është vetëm një shfrim ndjenjash, një autoterapi, një nxjerrje jashtë
trupit dhe sopirti, të vajtores e dhimbjes për ikjen e një njeriu të dashur nga jeta.
b- Vajtimi me ligje, nuk
është vetëm një prezantim i vlerave dhe meritave të të ndjerit para pjesmarësve
në ksodh dhe as një rikujtim për ata, se tani që ai, mbartësi i këtyre meritave
ka vdekur, të pranishmit do të vuajnë
mungesën e tij dhe të aftësive të tij për zgjidhjen e problemeve të
jetës, së paku deri sa të dalë një
tjetër më i zoti se i ndjeri, ose së paku sa ai. E thënë sipas një vaji: “…sa
të rritet djali e të bëhet burrë”.
c- Vajtimi me ligje, është
një atelie monumentesh, sepse aty, nëpër vargjet e vajit, gdhendet figura e të
ndjerit me një realizëm të pagabueshëm. Ky monument, na paraqet jo vetëm figurën reale fizike të
të ndjerit, shpesh edhe hollësitë e mezidukshme fizike, shtatin, flokët, ngjyrat
e syve dhe të flokëve etj, por paraqet edhe
botën e tij shpirtërore, ëndrrat e shpresat etj.
Prej kësaj udhëton për te
kënga, ky portret i gatshëm i heronjve e mendëtareve.
ç- Vajtimi me ligje, është
një Akademi e Artit.
Vajtimi me ligje, ka vajtoren kryesore, që
mund ta quajmë “marrëse” me termin iso-polifonik, për vetë faktin, se është
kryesorja që ligjëron tekstin e vajtimit. Roli i saj është primar, të gjitha
janë të detyruara t’a respektojnë radhën dhe fjalëvargun e saj. Jo vetëm kaq,
por prania e tyre është në shërbim të këtij vargvajtimi, duke e shoqëruar atë
me një rënkim, gjë që krijon shtratin e “iso-s”. Grupi i vajtoreve, ka edhe
“hedhësen” e “kthyesen”, dhe sidomos
grupin e mbajtëseve të “iso-s”, ato gra që rënkojnë me zë, që ia bëjnë “ë ë ë”.
Këto “role” janë provizore,
për arsye se, në vajtimin tjetër del një tjetër vajtore në rolin e “marrëses”,
apo “hedhëses” e “kthyeses”.
Dikush me siguri, duke lexuar
këto radhë, do të kujtojë se unë u ngatërrova dhe nisa të flas për grupin
iso-polifonik. Po ju sqaroj se, e kam fjalën për grupin e vajtoreve. Është tjetër gjë pse grupi i
vajtoreve të djeshme u shndërrua në një grup iso-polifonik sot. Por, sa të
vinte te skenat e festivaleve folklorike të sotme, ai qëndroi me dinjitet te
kori i teatrove antike, duke dhënë në këtë mënyrë, perlat artistike të
antikitetit.
Lexoni me kujdes tragjeditë e
antikitetit, strofat dhe apostrofat e korit dhe të korifeut, e unë ju siguroj,
se do të kujtoni se ndodheni në një
ksodh, diku në Labëri apo Bregdet.
Dhe në qoftë se, ndonjë
regjisori do t’i shkonte ndërmend, që tragjeditë antike t’i shoqëronte me
muzikë, asgjë më mirë se kori i vajtoreve shqiptare, nuk do t’i shkonte asaj
skene. Ose së paku, logatja e labërisë. Mos u përpiqni t’i shoqëroni me tjetër
lloj muzike, se do të dështoni pa dyshim.
ç/1- A e keni parë vallen e nuseve, ku nusia në
krye të vargut të vajzave tund shaminë e bardhë, në një tundje lamtumire. Ajo i
jep lamtumirën vajzërisë, sepse është nisur në një ikje pa kthim te kjo kohë e
pafajësisë vajzërore. Sepse sido që të kthehet e kurdo që të kthehet, do të vijë
si grua e jo si vajzë. E trishtueshme është ikja e vajzave nuse, shoqëruar
gjithmonë me lotë. Dhe me atë shami të bardhë,
që tundet pa pushim në kujtesën tonë.
Por Vaso Tole, na thotë se
ajo shami, para se të tundej në atë dasëm në shesh të fshatit, është tundur mbi
kryet e një të porsavdekuri, në një mort, duke i dhënë lamtumirën shpirtit të
tij, që po ikën në pakthim. Se sa për këngën që shoqëron atë ikje nusesh nëpër
valle dhe që të provokon vetëm lotë e dënesa, ju siguroj unë që është “mot a’
mot” si vaji i ligjëruar dikur, diku, në një ksodh. Me shumë pak ndryshime….
ç/2- Vaso Tole na flet për vallen e famshme pirike,
që ka marrë emrin nga Piro Neptolemi, biri i Akilit. Unë nuk e di, nëse Piro
Neptolemi e hoqi këtë valle rreth trupit të Akilit, sigurisht si akt ceremonial
mortor, por unë ju them me siguri praktike, se vallja e rëndë e burrave, ajo
valle që kërcehet sup më sup, e shoqëruar me këngën e fortë të valltarëve, nuk
është gje tjetër, veçse “imitimi” i vajtimit të burrave në mortet e djeshme.
Sepse, edhe burrat vajtonin me gjëmë e rrahje të gjoksit e madje dhe shkulje të
flokëve.
ç/3- Zakonisht, vajtoret i
japin porosi të ndjerit për njerëzit e
paravdekur dhe shpesh interpretojnë dhe dialog me të, ose me të vdekurit e
mëparshëm, duke u bërë kështu, pararoja e tragjedive të lashta.
d- Vajtoret janë
edhe “redaktore të rrepta” në vajet e njëra-tjetrës, pikërisht
në momentin e përjetësimit të vlerave të njeriut që vajtohet. Në vajtim, asnjë
nuk mund të mbivlerësojë meritat e të ndjerit, sado të afërm t’a ketë vajtorja,
sepse vajtorja tjetër menjëherë e korrigjon, duke e “ulur” lavdinë e
pamerituar. Dhe kjo bëhet shpesh edhe me sherr. “Hilet” e vlerësimit të njeriut,
bëhen në gjallje të tij, por në mort i jipet vetëm haka reale. Kështu shpjegohet fakti, që ndërsa kemi vajtime për
rënie trimash në beteja, kemi edhe vajtime për ..rënie …hajdutësh në vjedhje e
sipër.
Kështu, nëpër këto debate
vajtoresh, ne gjejmë fillesat e dialogëve tragjikë të teatrove antikë.
e- Ligjërimet janë krijime të
vërteta, shpesh në një nivel të paarritshëm artistik. Në këtë mënyrë, ato kanë
shërbyer si fidanishte të artit tonë poetik, qoftë për nga tematika e këtij
arti, qoftë edhe për faktin, se lëvruesit e parë të artit popullor në formën e
bejteve dhe këngëve heroike, kanë qenë pikërisht vajtoret dhe vajtorët.
e/1- E parë në këtë
këndvështrim, ligjërimet janë edhe
mburoja e gjuhës tonë kombëtare, sepse, në tërësinë e trysnive gjuhësore
ardhur tek ne nëpër shekuj, në jetën tonë të përditëshme, kanë hyrë edhe fjalë
të huaja. Por hyrja e këtyre fjalëve në ligjërime, ka qenë gati e pamundur. Kjo
është arsyeja, që nëpër vajtime gjen shpesh fjalë të vjetra dhe gati të harruara,
por që çuditërisht, tingëllojnë bukur dhe plot jetë në ato momente vajtimi.
f- Vajtimi është edhe
një “kala e patjetërsueshme” e
identitetit tonë, sepse pavarësisht nga kultura që kemi, gjuhët që dimë, vendit
ku banojmë etj, vajtimi bëhet vetëm në gjuhën shqipe, në gjuhën e nënës.
Përgjithësisht, dhimbja dhe
zemërimi mund të shprehen vetëm në gjuhën e nënës. Prandaj, kushdo që vajtohet
shqip nga nëna dhe motra e tij, është thjesht shqiptar. Të tjerat, janë gjëra të dorës së dytë.
g- Vajtimet janë arkiva dhe
kujtesa e kombit, historia e tij e pashkruar, për shkak të mungesës së shkrimit
apo shkaqe të tjera, por gjithsesi e
vajtuar dhe më pas e kënduar, duke dëshmuar kështu, për kalendarin historik dhe
gjeografinë e veprimit të njeriut shqiptar. Çuditërisht nëpër vajtime, gjen shpesh
edhe ditën dhe orën e vdekjes së të ndjerit, ashtu siç gjen edhe fshatrat, shtetet
dhe shesh betejat, ku ai ka gjezdisur në gjallje të tij.
3- Eh sa e vjetër dhe sa e fortë qenka kjo…verë, e prodhuar nga lotët
e nënave shqiptare.
E ç’popull qenka ky populli
ynë, që zinë e zbardh, vajin e kthen në këngë dhe ecjen e kortezhit, e shndërron
në një valle plot finesë nusesh të
brishta, apo në valle të rëndë burrash të zemëruar.
Sa i lashtë qenka mbi këtë
dhe!
Sa i ri dhe i bukur qenka!
Ruaje o Zot, mos e marrin më
sysh!
4- Libri i Vaso Toles, është një libër i shumëpritur nga lexuesit,
njohësit, studiuesit dhe këngëtarët e iso-polifonisë. Këtë libër sa herë t’a
lexosh, aq më shumë hyn në labirinthet plot stalagmite e stalagtite vajesh e
lotësh, të shndërruara në këngë e valle të
kujtesës së kombit tonë. Në vezullimin e tyre të qelibartë, mund të
shikosh plotësisht bukurinë e asaj magjie iso-polifonike, rritur pika - pika
lotësh nëpër shekuj..
Aty mund të shikosh dhe të admirosh,
tërësinë e monumenteve të kombit tonë.
E pra, ky libër i Vaso Toles
është … një monument për… këto monumente.
Dhe unë, dua vërtet, që mbi
kapakun e tij të vendos këto shënime momenti, si një lule.
Si në çdo monument.
04.09.2011
Jan Kukuzeli nuk
ka kënduar… labçe
Ka ca kohë, që në sferat e studiuesve të
iso-polifonisë në veçanti dhe të këngës popullore në tërësi, studiues vendas
dhe të huaj, kryesisht fqinjë tanë, po qarkullon një tezë, e bukur dhe mikluese
në dukje, por që për mendimin tim, jo vetëm që nuk qëndron, por është thjesht
shtrembërim i së vërtetës, dhe si pasojë, është e dëmshme.
Teza është më se e pafajshme në dukje: -Jan
Kukuzeli nga Durrësi, korifeu i madh i muzikologjisë kishtare ortodokse, shenjt
i kësaj kishe, ka luajtur një rol të madh në lindjen dhe zhvillimin e
iso-polifonisë shqiptare, sepse e zhvilloi atë edhe në ceremonitë kishtare
ortodokse, si dhe bëri studime për këtë iso, siç është studimi i tij me temën:
- MBAJTJA ISO (SHOQËRIMI ME ISO): Mbajtje iso në 8 tinguj, ku disa kanë edhe emërtime
karakteristike ( Shih Wikipedia, Enciklopedia e lirë)
Unë nuk e kam lexuar këtë
studim dhe nuk mund të flas për të, por para se të vijoj më tej, mendoj të bëj
një prezantim të thjeshtë të figurës së Jan Kukuzelit me disa lexues, që mund
të mos kenë informacionin e duhur dhe këto të dhëna do t’i marr nga Wikipedia,
si burim i saktë dhe ku kushdo mund t’i
këshillojë..
“Shën Jan Kukuzeli ose Joan, ishte një murg ortodoks shqiptar nga Durrësi.
Shenjtor, himnograf, mjeshtër dhe teoricien i muzikës kishtare bizantine.
Kisha Orthodhokse në mbarë botën, e nderon këtë figurë si
shenjtor të saj dhe kujtimin e tij, e feston çdo 1 tetor.
Janë ngritur mjaft kore kishtare, që mbajnë emrin e tij.
Edhe qytetarët durrsakë janë krenarë për këtë figurë, duke e kujtuar kontributin
e madh e të çmuar, duke i dhënë edhe emrin e tij, “Jan Kukuzeli”, Shkollës së
Mesme Artistike së qytetit të Durrësit
Joani, lindi në Durrës,, në shek. XII
(sipas disa studiuesve) ose në fund shek. XIII (rreth 1270, sipas disa
studiuesve të tjerë). I ati i vdiq kur ishte shumë i vogël.. Ai u dallua për
një zgjuarsi të rrallë, për zërin engjëllor dhe për aftësitë e mëdha muzikore.
Duket, që
për shkak të atij zëri, e dërguan në Konstandinopojë, për të studiuar dhe
kënduar në oborrin perandorak. Duke parë talentin e tij të madh dhe përparimin
e habitshëm në muzikë, e emëruan drejtues të veprimtarive muzikore të
kryeqytetit, duke i dhënë titullin Mjeshtër. "Në shkollën imperiale të
muzikës, ai u bë menjëherë studenti më i dalluar, por veçmas në korin e oborrit
perandorak, ku ai u shpall - mjeshtri - i saj", thuhet në "vitën” e
tij. Muzika luante një rol të veçantë në Konstandinopojë, kështu që Joani u bë
një anëtar i oborrit perandorak dhe favorit i vetë perandorit. Për zërin e tij
të mahnitshëm, e quajtën “zë engjëllor”.
Kur ai
këndonte atje, në kishën e Shën Sofisë, mblidheshin të gjithë për ta dëgjuar
dhe të prekur nga ai zë, fillonin të qanin me ngashërim.
Mbreti,
ngaqë e donte shumë, donte që t’a martonte me një vajzë të një fisniku.
Djaloshi i ri vendosi të largohej fshehurazi. Kështu, i veshur si një bari i
varfër, u largua dhe shkoi në Manastirin e Lavrës së Madhe në Malin Athos
(Ágjion Óros ose Malin e Shenjtë). Atje kërkoi të pranohej në jetën murgjërore.
Një ditë, kur kulloste dhitë në një vend të shkretë, duke
menduar se ishte vetëm, filloi të këndonte një himn kushtuar Hyjlindëses Mari,
me zë më të lartë se zakonisht. Por një asket (murg që banon në vetmi), që
banonte aty pranë e dëgjoi, dhe i mahnitur nga bukuria e këndimit dhe e
melodisë, madje duke parë edhe kafshët që nuk kullotnin, por shijonin të
magjepsura, shkoi tek igumeni i Lavrës së Madhe, i cili e thirri bariun dhe e detyroi të thonte të
vërtetën. Joani iu lut që të rrinte në manastir e të mos ta dorëzonte tek
perandori, sepse donte më shumë jetën murgjërore, sesa jetën e oborrit.
Igumeni e urdhëroi që ta linte punën e bariut dhe të
merrte drejtimin e korit të kishës qëndrore të manastirit. Joani u bind. Igumeni u nis për në Konstandinopojë për të
takuar monarkun, që t’i kërkonte falje për Joanin. Monarku e urdhëroi igumenin
që Joani të lihej i lirë dhe të vendoste vetë se çfarë do të bënte.
Igumeni u kthye në manastir dhe i dha
lajmin e gëzuar Joanit. .
Ai vazhdoi jetën e tij asketike (të ushtrimit shpirtëror)
më shumë se më parë. U vendos në një shtëpi dedikuar Kryeengjëjve të Shenjtë,
pranë manastirit, duke praktikuar agjërimin, pendimin dhe lutjen e pandërprerë.
Pjesën tjetër të jetës, e kaloi duke i kënduar këngë e lavde Zotit dhe
Hyjlindëses Mari, si edhe duke kompozuar shumë pjesë muzikore kishtare, që kanë
lënë gjurmë të thella në traditën e krishterë orthodhokse.
Tepër e njohur, është mrekullia kur iu shfaq Shën Maria
Hyjlindëse, duke e shpërblyer me një monedhë floriri për himnet e tij të
mrekullueshme, ku edhe sot në kishëzën për nder të tij, ndodhet edhe ikona
“Shën Maria e Kukuzelit” (Kukuzélisa). E mësoi ditën e vdekjes, shumë kohë më
parë, prandaj kur iu afrua, Joani mblodhi të gjithë vëllezërit, iu kërkoi
ndjesë dhe i porositi, që ta varrosnin në shtëpinë e Kryeengjëjve të Shenjtë,
aty ku rrinte.
Ndërroi jetë më 1
tetor.
Joan Kukuzeli konsiderohet “burimi i dytë” i Muzikës
Kishtare Bizantine, pas Joan Damaskinit.
Jemi në kohën kur, kompozitori himnograf është
zëvendësuar nga kompozitori që është njëkohësisht psalt (këndues). Është epoka
e mjeshtërve të mëdhenj, përfaqësuesi më i shquar i të cilëve është vetë
Kukuzeli. Në këtë periudhë, kjo muzikë arrin kulmin e artit të madh. Në të
njëjtën kohë krijohen kompozimet e lira, me iso.
Për kontributin e tij të veçantë, pse jo të
jashtëzakonshëm në fushën e artit muzikor, të kishës ortodokse bizantine,
Kukuzeli është shpallur nga kjo e fundit "Agjios" – “I Shenjtë” dhe
gjithmonë sipas rregullave klerikale të Kishës Ortodokse, për çdo "të
shenjtëruar", përpilohet biografia apo "vita" siç thirret, e
cila përmbledh në vargje tërë jetën dhe të dhënat biografike të njeriut të
shenjtëruar.
"Vita" më e hershme, që është gjendur për këtë gjeni, është ajo që ruhet në Kodikun 46, të Manastirit të Vatapodhit-Halqidhiqi, Selanik, e cila është shkruar në vitin 1550.
U zgjata, jo pa qëllim në
biografinë e Jan Kukuezelit, e cila në fakt, është një biografi që na nderon të
gjithë shqiptarëve, kudo që jemi. Dhe krenohemi, kur faktin e origjinës së tij
shqiptare, e gjejmë të shkruar dhe në Enciklopedinë e Madhe Angleze.
Por ama, pikërisht leximi i
këtij jetëshkrimi të Jan Kukuzelit,, të shtyn në disa mendime dhe konkretisht:
1-
Jan Kukuzeli, fëmininë e kaloi në Durrës, por ama Durrësi
është pak larg trevave ku këndohej …labçe. Jo vetëm kaq, por Durrësi ishte një
qytet aristokratik dhe europian dhe nuk kishte si “shtyllë” kulture
iso-polifoninë. Atëherë, ku e mësoi në Durrës iso-polifoninë Jan Kukuzeli, që
më pas t’a ngrinte në nivele të larta shkencore?
Se të thuash që e mësoi iso-polifoninë në Kostandinopojë, ku hante kuku-zele, prej
nga rrjedh dhe mbiemri i tij, i ngjitur nga shokët dhe i mbajtur prej tij (siç
na dëshmohet te “vita”, jeta e shenjtorit Jan Kukuzeli në Malin e Shenjtë), pra
ta ketë mësuar iso-polifoninë në Kostandinopojë, premisat janë shumë të pakta,
për të mos thënë aspak.
E pra, iso-polifonia, ose
mësohet në fëmini, ose s’mësohet dot më.
2-
Gjatë kohës së qëndrimit në shkollë, apo më Malin Atos,
përsëri nuk mund të mësonte iso-polifoninë dhe ca më tepër ta praktikonte atë,
për arsyen e thjeshtë, se në të dy këto vende ishte i rrethuar në mjedise
fetare, ku kënga e vetme që lejohej, ishte himni ose liturgjia fetare.
Jam plotësisht dakort, që
talenti i tij do të shpërthente, aq sa ta shenjtëronte këtë liturgji apo himn fetar,
por ama brenda kornizës fetare të himnit apo liturgjisë ortodokse.
3-
Po ç’janë atëherë, ato studime për ison dhe tetë mënyrat
e mbajtjes së iso-s që ka studiuar ai?
Unë ju thashë, që
personalisht nuk kam mundur t’i studioj për shumë arsye, por përsëri tërheq
vëmendjen e lexuesit tek liturgjia ortodokse (të cilën e kam dëgjuar dhe e
dëgjoj në kisha të ndryshme), ku zëri i psaltit është një zë i trashë, si i
shoqëruar me iso, ku dhe vërtet mbajnë një tip iso-je edhe shoqëruesit e tij.
Mendoj se këtë lloj iso-je shoqëruese ka studiuar Kukuzeli dhe i ka hedhur në
“pentagramin” kukuzelian. Sepse edhe në shërbesat fetare, zëri i psaltit dhe i
shoqëruesve të tij, është i ndryshëm nëpër ceremoni të ndryshme. Ndryshe
është psaltja në ceremoni të ndryshme si
lindje, pagëzim, martesë, vdekje, pashkë e madhe apo ringjallje dhe po ndryshe është dhe
interpretimi i shoqëruesve të psaltit.
Por studimi i këtyre zërave, sado
me mjeshtëri të jetë bërë, nuk ka as më të voglin ndikim te iso-ja e
iso-polifonisë, sepse është e ndryshme shërbesa fetare, liturgjitë e himnet
fetare, dhe krejt tjetër është të kënduarit iso-polifonik.
4-
Himnografia dhe liturgjia ortodokse është shumë më e hershme,
se shekulli kur jetoi Jam Kukuzeli. Ai i gjeti ato, fillimisht në kishat e
Durrësit dhe më pas në Kostandinopojë. Talenti dhe besimi tek Zoti i tij, i
ngriti në maja, i shenjtëroi. Ai gjeti një liturgji të ashpër dhe e bëri fine,
zërat shoqërues të psaltit, iso-n, e përshtati sipas llojit të ceremonisë, duke
e zhveshur nga ashpërsia e shekujve. Kjo është arsyeja, që ai u shenjtërua. Edhe sot në kishat tona, një
zë melodioz i psaltit, të mallëngjen.
Jan Kukuzeli kishte një zë të
ëmbël, që po të jetonte sot, do të pushtonte skenat e botës me zërin e tij
melodioz. Por ja, që ai jetoi në shekullin e XIII dhe pushtoi …kishën e Shën
Sofisë dhe zemrat e besimtarëve ortodoksë.
Se mos e çoi e ëma në Romë
apo Paris, dhe kishim për të parë se ç’tenor me famë do të bëhej…!.
5-
Jan Kukuzeli
jetoi në shekullin e XIII…
Eh, po atëherë
iso-polifonia…ishte formuar. Duke mbajtur teorinë e origjinës së iso-polifonisë
nga ceremonitë mortore, iso-n e këngëve nuk e shpiku Jan Kukuzeli dhe as e
zhvilloi më tej ai, atë. Iso-ja kishte shekuj e shekuj që kishte lindur, rritej
e “zbukurohej” nga një shekull në tjetrin dhe nga një krahinë në tjetrën. Jan
Kukuzeli u mor me atë, që e quajmë iso
te psalmet dhe liturgjitë, por jo te kënga.
6-
Dhe ajo që ka më shumë rëndësi, është fakti se kënga iso-polifonike, nuk është këngë e “mjediseve të mbyllura” si kishat dhe
manastiret. Madje, besimi ortodoks nuk lejon që të këndohet …labçe (me iso) pranë
këtyre institucioneve, aq më tepër, që pranë tyre janë dhe varrezat e
komuniteteve ose varre të vetmuara.
Kënga iso-poilifonike, do një
mjedis të hapur, si pranë rrapit të fshatit, dhe një mjedis të gëzueshëm, si p.sh.
dasmat, dhe jo zymtësinë e priftërinjve dhe të mureve të kishave, plot me blozë
nga tymi i thimjamit dhe qiririt.
7-
Pra konkludojmë, siç e kemi theksuar dhe në studimet tona
të mëparshme, se iso-ja ka lindur para
se të lindte krishtërimi. Qenë priftërinjtë ata që e morën iso-n nga vaji dhe
nga kënga, dhe e vendosën tek liturgjia, duke shfrytëzuar botën emocionale të
saj, për të rritur devotshmërinë ndaj …Zotit, dhe jo e kundërta.
Pra, Jan Kukuzeli, gjeni i
kombit tim, shenjtor i ortodoksisë, emër që i bën nder vendit tim me gjeninë e
tij…nuk ka kënduar …labçe.
Duke nënkuptuar me këtë, se
nuk është ai autori i iso-polifonisë, nuk është ai zhvillues i saj dhe as mbështetës
i saj.
Ai është gjeni në …liturgjinë
dhe në himnografinë kishtare, por jo në
iso-polifoni.
Arsyeja që më detyroi të merresha
me këtë temë, është fakti se, duke ia veshur Jan Kukuzelit meritën e lindjes, zhvillimit dhe përparimit të
iso-polifonisë, bëhen disa shtrembërime të së vërtetës, që të çojnë në
konkluzione të gabuara, dhe të dëmshme dhe më konkretisht:
a-
Duke ia veshur Jan Kukuzelit që jetoi në shekullin e XIII
këtë autorësi, pa dashje zvogëlojmë “moshën” e iso-polifonisë. Nga një vepër
artistike e krijuar qysh në mugëtirën e shekujve, si një “degë e pemës së
vajtimit” e lindur natyrshëm, e afrojmë datëlindjen e saj në shekujt e
mesjetës, si një prodhim artificial, dhe pse jo, edhe i përkohshëm.
b-
E quajmë iso-polifoninë, vepër dhe kontribut individual
ose së paku, vepër e një grupi priftërinjsh, në një kohë, që ajo është vepër e
gjithë kombit.
c-
E quajmë iso-polifoninë vepër dhe kontribut, vetëm i
ortodoksëve, kur edhe në krahina të
myslimanizuara të vendit tonë, iso-polifonia ka qenë dhe është…pjesë e “genit”
tonë të identitetit kombëtar.
ç- E quajmë iso-polifoninë
vepër e popujve ortodoksë, por ortodoksë nuk janë vetëm shqiptarët, pra humbet
kështu karakteri kombëtar i kësaj vlere
të madhe.
Dhe për këtë, përdoret
kontributi artistiko-fetar i një bashkëkombasi tonë, emri dhe lavdia e të
cilit, për kontributin e dhënë në ortodoksi,
i ka kaluar që në gjallje të tij kufijtë e mirënjohjes së thjeshtë
ballkanase, duke u shndërruar në një shenjtor të besimit ortodoks.
E megjithatë, unë ju them se ai…
Jan Kukuzeli, nuk ka
kënduar…labçe.
19.10.2011
Në Himarë, ku dhe Zoti
vjen i ftuar…
Përsiatje rreth librit “ Guri i rëndë në vend të vet”,
të Kristo Çipës dhe grupit himarjot të drejtuar prej tij.
1-
Ndërsa lexoja
librin poetik të Kristo Çipës, “Guri i
rëndë në vend të vet”, pikërisht në momentin kur shfletoja faqen 14, gjatë
leximit të vjershës “Jam nga Piluri mbi dete”,
te vargjet …Atje te lisat me hije/ Ku ka selinë perëndia…, pikërisht aty
e gjeta vehten në pozicionin më të çuditshëm që mund ta mendojë çdo lexues. Në
vend që të lexoja qetësisht vargjet, unë i këndoja ato. I këndoja sipas
melodisë të njohur të grupit të Kiço
Çipës, grup i cili njihet si Grupi i Himarës.
Unë po e këndoja librin varg pas vargu e vjershë pas vjershe. Herë duke e vënë
vehten në rolin e marrësit dhe here, duke marrë rolin e hedhësit me atë…hajde
deee… magjike. Dhe më së shumti, duke i logatur vargjet vetmevete.
Ishte hera e parë që më ndodhte kjo, ndaj mornica
më shkuan nëpër trup. Se të nisësh të lexosh e të përfundosh duke kënduar ato që lexon… edhe aq e
zakonshme nuk është. S’di pse m’u kujtua fakti, se libri i leximit në shkollat
fillore quhet libër këndimi, pavarësisht se s’ka të bëjë fare me nota muzikore
dhe me këngë. Por ama, ato zëra fëmijësh, tek lexojnë në kor fjalët dhe
fjalitë, veç me cicërima zogjsh të ngjasojnë. E këngë më të bukur se ajo e zogjve
në pranverë, ju siguroj unë që nuk është dëgjuar ndonjëherë. Edhe kjo
mund të ketë qenë një arsye, që Naim Frashëri dhe rilindasit e tjerë, abetaret
që hartonin, i quanin thjesht: “Këndonjëtorja
e…çunave”. Gjithsesi, libra për t’u kënduar. Zëvëndësimi i
foljes “lexoj” me foljen “këndoj”, ose edhe barazvlefshmëria midis tyre,
s’di pse të krijon një ndjenjë kënaqësie dhe
mburrjeje për diapazonin harmonik
të konceptimeve në gjuhën tonë.
Pse jo, edhe si një dëshmi e lashtësisë së kësaj
gjuhe.
Dhe mua, vetëtimthi më erdhi si një ndihmë edhe kujtimi i asaj fjalës së famshme të Zhan Zhak Russoit, se gjuhët në lashtësi të thellë, kanë qenë
këngë para se të shndërroheshin në biseda të folura. Pak a shumë kështu është shprehur
filozofi i madh francez. Por unë ju them, se kur nisa të lexoj librin e
Kristos, as që e kisha mendjen te ky filozof. Ky i fundit, m’u kujtua vetëm kur
e kapa veten “gafil” në këngë e sipër, në vend që të isha në lexim e sipër.
Pa e tjerrur muhabetin gjatë e gjatë, unë ju them
se nuk kam bërë faj e as gabim. Dhe në rast se ka këtu ndonjë faj apo gabim,
këtë e ka vetëm Kristo Çipa dhe vjershat e tij.
2 - Sepse këto vjersha, nuk të shijojnë kur i
lexon. As i ulur në tavolinë të punës dhe as i shtrirë në divan. Sepse këto, më
shumë se sa vjersha apo poezi, janë tekste këngësh, që vetëm mund të këndohen
nga një grup iso-polifonik. Si ai grupi i Himarës, që e drejton vetë Kristo Çipa.
Ashtu po.Vetëm kur e këndon, e shijon poezinë e tij. Njësoj si rakinë e Pilurit
mor mik, kur e sheh në shishe a në gotë, s’të thotë gjë. Por ama kur e
rrëkëllen një dopio me eks, atëherë…Eh po atëherë, i tund njëherë supet, si
shqiponja kur rreh krahët majë shkëmbit, para fluturimit dhe… Dhe bota është e
jotja. Dhe i shpall kësaj bote krenarisht:- Jam nga Piluri me derte/ Supe lart
me krenari/ Trimërinë e kam me vete/ Zgjuarsinë e mbaj në sy. Në Himarë, vetëm
si himarjot mund të jetosh dhe vetëm himarjotshe mund të këndosh sepse: Këtu në
vëndet e mia/Ku dhe zoti vjen i ftuar/…/ Mbretëron vetëm liria/ Flamur tjetër s’ka
pranuar/Jo mor jo s’pranon/ Mos e prekni zemrën tonë/Lulen që ka çel zambaku/
Për flamurin me shqiponjë/Kemi derdhur një
lumë gjaku.
Më pas, me sytë e mendjes
shoh se si, me atë tundje të lehtë të supeve, të gjithë pjestarët e grupit,
afruar njëri me tjetrin, me një zë, i shpallin botës krenarinë himarjote
me vargjet:- “Kjo është Himara që
thonë/Dielli përmbi shqiponjë”.
Dhe pas kësaj, opo pas kësaj,
në heshtjen e pas stuhishme të këngës, të duken se nisin të ecin malet e
Vetëtimës dhe detyrimisht ti hap rrugën. Se të duket se Kristua të paralajmëron,
me vargun aq të bukur të këngës së Damianit: - “Hapu vetëtimë se shkova”.
Sepse, kur kalojnë himarjotët, edhe
vetëtimat ndërrojnë rrugë. Po s’më besoni mua, pyesni Sulltan Bajazitin, që
desh la kokën nën shpatën e Damian Himarjotit, kur i sokëlliu pranë çadrës
perandorake: - “Ku je Sulltan i oborit/…Ktheu prapa prej Anadolli”.
Po të keni lexuar histori, do
t’ju kujtohet se edhe vetë Qesari i Madh, u kërkoi leje himarjotëve që të
kalonte nëpër shtigjet, që do t’a lejonin e do t’ja caktonin ata, në ndjekje të
Pompeut.
Apo ndoshta do t’ju kujtohet
Homeri i lashtë, kur te Odiseja dëshmon
se:- “…Përballë është Himara me burrat e saj trima e të papërkulur”. Sa për muhabet, jashtë teme, thotë gjë Homeri
për fshatin apo qytetin tuaj? E pra ne:- Këtu kemi qënë,(që në kohët homerike)
e do jemi këtu -deklaron bardi i
Himarës, Kristua ynë.
Jo më kot Gjon Kastrioti
zbarkoi në Himarë, jo më kot populli e quajti atë Princi Himarjot, ndonëse: - “Erdhe/Po
s’kish ardhur moti/Të nxitoi historia/Djali ynë Gjon Kastrioti / Princ i vendeve
të mia”.
3 - Të lexosh (këndosh)
vargjet e Kristo Çipës, aq më tepër kur i dëgjon të kënduara nga grupi i
famshëm himarjot që ai vetë e drejton, ju siguroj unë se është si të jetosh në
një prill të pambarim (O zot i vërtetë/Mos e mbaro prillin/Dua vajzërinë…), është
si të jetosh një dashuri të furtunshme, ashtu siç janë dallgët e detit që
përplasen brigjeve. Përplasen e thërmohen nëpër shkëmbenj e përsëri kthehen me vrull e stërkala. Kristoja na thotë, se
janë dufet e shpirtit të Vajzës së valëve. Por, po të shikosh më me hollësi,
tekstin e këngëve, apo edhe melodinë e tyre, konstaton një gjë:- Këngët (po i
quaj këngë edhe këto vjersha të Kristos, sepse këngë vërtet janë) himarjote,
kanë më shumë hapërsirë në strukturën dhe
melodinë e tyre, më shumë gjerësi (mu bë zëmra sa shtatë dete -shkruan një
tjetër bard pilurjot), më shumë kaltërsi, në raport me
këngët e trevave të ndryshme, p.sh. të Labërisë, të cilat karakterizohen më tepër nga kulmet, nga majat. E thënë me
fjalë më të thjeshta, himarjotët i këndojnë më shumë dashurisë, sesa heroizmave
e trimërive. Më të ëmbla dhe më njerëzore janë këngët që i këndohen një vajze
të dashuruar, sepse te kjo dashuri e ka fillesën e saj edhe ajo trimëria e
nesërme.
Ky është pasqyrim real i
botës shpirtërore të himarjotit, me shumë gjerësi e thellësi kaltëroshe, me
stërkala të stërpikura si yjet në jetën dhe botëkuptimin e tyre. Çdo gjë është
e lidhur me kaltërsinë e detit, madje dhe zemërimi e dufi i shpirtit kur
shfaqet, shfaqet si një dallgë e stërmadhe që mbulon çdo gjë, e vë përpara çdo
pengesë. Dhe pasi fashitet brigjeve,
buis prilli me lule e këngë zogjsh. Apo këngë himarjotësh…, është e
njëjta gjë. Këngë që i këndojnë dy syve të dashuruar: - “Rinë/Që kur bota s’ta
pa synë/ Dielli e hëna mërdhinë… Sepse ata dy sy: - “Sytë e mi kobure/ Qëllonin
mbi djemtë…” Dhe sikur do të shpallë devizën e kësaj jete himarjote, thotë: -“Në
këtë botë s’rrimë/O miq më besoni/Sa të mbyllim sytë/Puthni, dashuroni”.
Dhe, po qe se doni të dini
kush është vajza, bardi e e skicon në vargje, për ta pikturuar të plotë në
melodi, kur thotë: - “Moj e vogëla lanete/E bukur si hëna sefte/Si flokë bore
në ecje/Me një tundje perëndeshe/Me ato naze bëre bujë/Mos ma bëj mendjen
rrëmujë”.
Krejt ndryshe nga shumë
krijime poetike të kohës së sotme, ku vajza e dashuruar pikturohet si një
statujë, e bukur, por e ngrirë në pozën e bukurisë, gjer në atë fazë, sa që
dyshon se e gjitha kjo është thjesht një pjellë fantazie, Kristo Çipa në
veçanti dhe kënga himarjote në tërësi, portretin e vajzës së dashuruar e
japin në
lëvizje, në ecje, duke ardhur apo duke ikur, kjo është tjetër gjë. Dhe
shpesh herë kjo lëvizje e vajzës, veshur me të kaltërtën e detit, është dhe në
zgrip të shtegut a të jetës: - “Mos mu çfaq si dallgë Joni/ Labovite xhinde
honi/Në kohën kur qesh limoni/Për avazet që dëgjoni/Shpirtinë mos e
trazoni/Mjegullën mos e kërkoni/Se zemrën time lëndoni/Dhe në vdeksha mos
besoni/ Labovite xhinde honi”.
Ky portret dashurie në ecje,
shpesh me vrap e rrallë me çap, ka ndikuar edhe ritmin e melodisë së këngës.
Dhe meqënëse dolëm te ky shteg, unë shpesh kam pyetur veten, nëse te kënga
himarjote e grupit të Kristo Çipës, ka lindur e para melodia e më pas teksti,
apo kanë lindur të dyja njëkohësisht? Se që të ketë lindur fillimisht teksti, e
më pas melodia, këtë unë e përjashtoj kategorikisht. Edhe në rast, se edhe vetë
Kristoja do të më thotë se ka lindur teksti në fillim, unë do t’i kujtoja, se
ai vetë këtë tekst e ka krijuar duke kënduar. Dhe unë do t’i kujtoj atij,
se vargjet: - “Më mbeti syri më mbeti/Te
shkalla në anë të detit/U bë gur ky durim shkreti/Po dhe gur durimi treti…”. Pra
këto vargje, vetëm këndohen kur krijohen dhe pastaj kur të kesh nge, ulesh dhe
i shkruan.
Kristoja e di këtë, e dinë
dhe shokët e tij të grupit, por ju që i lexoni këto radhë, dijeni se perlat e
këngës himarjote kështu kanë lindur, nëpër shpërgej kënge, e më pas janë
shkruar. Kështu ka lindur kënga “Moj Katina nina nina”, “Kush është lule
vilajeti” e Nase Benit , kënga “ Nëntëqind e dhjetë viti” dhe shumë e shumë të
tjera.
Ky është procesi i zakonshëm
në laboratorin krijues të bardëve himarjotë.
Doni ta konkretizojmë edhe
njëherë këtë tezë? Le të marrim këngën “Saranda”
me vargjet magjike: - “Si shpirti/ Në ëndërr/Si qelqi/Me hire/Vetë nëna/Të
deshi/ Saranda …Vetë Zoti/Kish zbritur/Mbi valë/Kur ty /Të krijoi/Sarandë’.
Stili i këtyre vargjeve, të
kujton stilin e tekstit të Neço Mukos, pikërisht te kënga kushtuar Sarandës.
Por më brilante, më elegante. Sepse, sa për melodinë…unë mendoj se atë melodi e
ka krijuar vetë Zoti, aq e magjishme është. Kristoja dhe shokët e tij, vetëm sa
e kanë kënduar. Dëgjojeni miqtë e mi dhe ju siguroj që do të më jepni të
drejtë. Sepse, po dëgjuat këngën “Pikë
loti moj Fotinë”, ju siguroj që do të dridheni, siç dridhem unë sa herë që e
dëgjoj. Dhe sidomos kur dëgjoj vargjet: - “Yjet u gremisën/ Dhe fatet u
nxinë/Unazë e kurorës/E treti Florinë…Lisat na u thanë/U tret Nase Labi/Bie një
këmbanë/Çiftin prêt altari”.
Mornica të kalojnë nëpër trup,
kur këndohet vargu: -“Bijë o Fotinoooooooo…..”, me një zë që ngjitet
shigjetë në qiell, sikur do të godasë
atë fat të zi, ardhur nga …qielli, ndoshta, të çiftit të fejuar Nase Labit dhe
Fotinë Spires, çift që i priti më kot altari, sepse “…vellon moj Fotinë / E
bëre pisqollë”.
Dhe pastaj, të duket se një tokmak të godet
fort në kokë e të plandos në shesh, tek vargjet: - “Lugë e verës mori vrer/Pse
e mbyllët atë derë”.
4 - Unë kam shkruar shpesh herë për grupin e Neço
Muko Himarjotit dhe të Lefter Çipës, mandje edhe me një farë mburrjeje. Një
farë mburrjeje, jo për ata, por për veten time, që kollosë të tillë janë nga
viset e mia. Dhe jo shumë larg, pas shtatë maleve, por njëri nip nga Piluri (Neço
Muko) dhe tjetri, bashkëfshatar i imi. Unë mburrem me ata, por që të jem i
sinqertë me vehten dhe me ju, unë kam shumë “borxhe” për të larë, qoftë me iso-polifoninë himarjote, qoftë me kollosët e
tjerë të këngës himarjote. Akoma s’ju kam thënë gjë për Koço Çakallin e Pano
Kokaveshin, bashkëpunëtorë të Neço Mukos. Por, në rast se Neço Muko dhe grupi i
tij, kanë meritën e madhe të krijimit të “avazit” himarjot, një kollos tjetër
erdhi mote më pas, për t’i dhënë elegancën, finesën dhe burrërinë kësaj kënge.
Të dëgjosh këngën “ Vajzë e valeve”, të kënduar nga Dhimitër Varfi dhe grupi i tij himarjot, thua
me vete: - “O Zot! Ta dëgjoj edhe njëherë, pa le të vdes!” Të duket se dëgjon
korin e engjëjve, ose së paku, mua kjo ndjenjë më pushton, sa herë e dëgjoj.
Sepse Dhimitër Varfi,
çuditërisht dhe padrejtësisht mbetur në hije, është pikërisht “skulptori që e
lëmoi monumentin himarjot “, duke bërë të duken më bukur në dritën e diellit
finesa e linjave, ngjyra e tingujve dhe në përgjithësi, madhështia e
monumentit.
Pastaj erdhi Lefter Çipa me
“Asamblin Pilurjot”, i cili i ngjit në majë dhe s’ka ndërmend të zbresë ndonjëherë
prej aty.
Por erdhi një kohë tjetër,
ikën këngëtarët kurbeteve, duke mbartur në trastat e shpirtit, këngët e viseve
të mia. Duket se vendi mbeti shkretë, pa zogj e pa këngë.
Por ja, nga Piluri zbriti në
Himarë një djalë i ri, (për librin e të cilit ju fola më sipër), duke
fërshëllyer një melodi. E dëgjoi një shok i tij, ish -pjesmarës i grupit të
Pilurit dhe ju afrua duke fërshëllyer. E po e ka thënë dhe perëndia vetë, që dy
pilurjotë bëjnë një grup iso-polifonik. Njëri marrës dhe tjetri kthyes, Kristoja
dhe Vasil Mërkuri.
Por ja që këtij grupi, ju
shtuan dhe dy gra, Eleni Mërkuri, ish -hedhësja e grupit të Pilurit dhe Eleni
Joshi, ish -pjestarja e grupit të Himarës. Dhimitraq Bala, një nga kthyesit më
të mirë të iso-polifonisë shqiptare, nuk vonoi të vinte. Harilla Dhimojani, Qëndro
Zeneli dhe Foto Leka, erdhën duke mbajtur iso, ashtu siç kishin mbajtur vite me
radhë në grupin e Himarës, Kuçit dhe të Kudhësit. Vendim Kapaj, pasi shëtiti në
skenat e mbi 40 vendeve të botës me
fyellin e tij, erdhi natyrshëm te ky grup. Thua se janë mbledhur yjet në
një kostelacion të vetëm. Por nuk përpiqen këta yje të shkëlqejnë veç e veç.
Shkëlqimin e tyre ja japin këngës, asaj kënge himarjote për të cilën është
folur shumë pak, ndonëse grupi ka marë shumë çmime. E pra, unë mund t’ju them,
se në rast se grupin e Neço Mukos, të Dhimitër Varfit dhe të Lefter Çipës do ti
vlerësonim si floriri i kurorës himarjote, grupi i Kristo Çipës, është pa
dyshimin më të vogël, margaritari i kësaj kurore.
Dëgjojani këngët dhe do të më
jepni të drejtë.
16.09.2011
Gjenerali i këngës
labe
1-
Këtë gradë ia
ka dekretuar…populli.
Nuk dihet data e këtij dekreti, se për numër,
firmë e vulë, vetëkuptohet që s’ka. Dhe as që
i intereson njeriu kjo mungesë. Ai është gjeneral dhe nderohet si
gjeneral. Kudo e kurdoherë që ai del,
pas fjalës së tij, të gjithë çohen në këmbë. Dhe shpërthejnë në brohoritje. Dhe
kërkojnë me ngulm ta përsëritë edhe njëherë… fjalën. Është i vetmi gjeneral në
botë që nuk komandon, por komandohet nga populli.
Është i vetmi gjeneral që
komandon në …këngë.
Është nga të paktët artistë
popullorë, që pritet në skenë si një gjeneral dhe po si një gjeneral…komandon.
Ai nuk komandon ushtri, se s’ka ndërmend të sulmojë dikë.
Ai i pushton të gjitha zemrat
e njerëzve që e dëgjojnë, u kall zjarr e flakë shpirtërave të tyre dhe
sigurisht, lë mbrapa jo hi e shkrumb, por lule e melodi.
Këto lule melodish, djemtë ua
çojnë vajzave në takime, nënat ua nanurisin fëmijëve mbi djepe dhe gjyshet
zbukurojnë kujtimet e tyre.
Është Golik Jaupi, Gjenerali
i Këngës Labe.
I lindur në Bënçë, një fshat
i vogël, ose më saktë, një fshat sa një
lagje …fshati, por që talenti i Golik Jaupit, ia rriti famën sa …shtatë
vilajete.
I rritur në Bënçë, por i brohoritur në Greqi, Maqedoni, Mali i
Zi, Itali, Gjermani, Spanjë, Hollandë, Çeki, Izrael dhe Liban. Mos kam harruar
ndonjë vend? Epo, edhe Aleksandri i Madh nuk i mbante mend gjithë vendet që
kishte zotëruar. Ai numëronte vetëm mijërat e robërve dhe të të vrarëve, por
kush do t’i numëronte vallë qindra mijërat e zemrave të ndezura nga kënga e
Golik Jaupit, kudo ku ka shkuar. Mund t’ju them, sa për ilustrim, se para dy
vjetësh, në Çeki, brenda një dite e kthyen dhe e rikthyen shtatë herë në skenë.
Interpretues i mbi treqind
këngëve popullore, ku secila prej tyre ndrit si një dekoratë në gjoksin e
iso-polifonisë shqiptare. (Dini ju ndonjë gjeneral tjetër, që të ketë kaq dekorata?).
Autor i qindra tekste këngësh popullore, ku secila gjëmon si një fushë beteje.
(Cili gjeneral ka bërë kaq shumë beteja?)
Nga të paktët artistë që i
kthen me dinjitet borxhin ardheut të tij, duke prezantuar nëpër botë pranverën
magjike të shpirtit të popullit. Dhe qetësisht vazhdon të jetojë në Bënçë, duke
kullotur një tufë bagëtish, kur mijëra
të tjerë, që e kanë hijen e mëngjesit pak më të …vogël se një gërmë e emrit të
tij, jetojnë luksin e vilave.
Të harruar, gjithsesi,
ndërkohë që gjeneralin e kërkojnë çdo ditë e në çdo vend.
2-…Dhe kudo e presin me këngë
…. si grupi “Jonianët” e Sarandës, që i
këndoi me vargjet …Goliku si Këndrevica/Brenda këngës ka qoshenë.
Të të lënë qoshenë, pranë
vatrës, në një shtëpi ku të mirëpresin, është nderi më i madh që mund të të
bëjë i zoti i shtëpisë. Ai është vendi i
nderit, piedestali i monumentit zakonor, presidiumi i sotëm modern. Aty, jo
vetëm që je në qendër të vëmendjes së të pranishmëve, por edhe ke të drejtën
dhe detyrën të drejtosh “anijen” e bisedës, andej nga e sheh ti të nevojshme.
Kjo ndodh në një shtëpi zakoni, kudo në trojet shqiptare. Mendo tani të të lënë
“qoshenë” e këngës.
Është si të të japin Zotat pavdekësinë,
plot nderim dhe përkushtim.
Këtë i ka dhënë populli
Golikut, duke pranuar në këtë mënyrë, autoritetin e tij të padiskutueshëm dhe
rolin e tij si prijës i këngës, si gjeneral.
Sepse Golikut, i ka lezet
fjala dhe kënga. Ai nuk e këndon këngën, ai e jeton atë.
Ai e jeton qoftë tekstin,
qoftë melodinë. Ai e asimilon tekstin në mënyrë të përsosur, dhe e bën atë
pjesë organike dhe të pandashme të melodisë. Melodia i del nga shpirti, prandaj
aq lehtë prek shpirtin e dëgjuesit.
Ai e do këngën që këndon,
prandaj çdo varg të saj e përcjell tek njerëzit, jo vetëm me melodinë, por edhe
me lëvizjet e dorës dhe me atë buzeqeshjen e plotë, që kurrë nuk iu hoq nga
fytyra gjatë këngës. Duket sikur të hipnotizon. Dhe të duash të largohesh, në
kohën që këndon ai, nuk të lëvizin këmbët. Nuk i heq dot sytë nga buzët e tij,
prej nga, drita e vargjeve shtrihet si ylber gjer te zemra e dëgjuesit. Bashkë
me këngën, ai përcjell tek dëgjuesit edhe dashurinë për të, përcjell dashurinë
për vendin e për njerëzit “Ta duash këngën labe, do të thotë të duash
Atdheun, të duash jetën” – thotë Goliku,
duke publikuar një nga sekretet e këngës
labe, sa të njohura aq dhe të vështira për t’u përthithur.
Sepse të këndosh këngët
iso-polifonike, më shumë se zë i bukur, duhet një zemër e madhe e mbushur plot
dhembsuri.
3-…Dhe kudo e presin për
këngë.
Ka ca kohë, që Golik Jaupi
është anëtar i grupit “Jonianët” të qytetit tim, Sarandës. Ka ca kohë, që ky
grup po shkëlqen nëpër skenat e vendit dhe të Europës, duke përcjellë me
dinjitet, artin e bukur të iso-polifonisë tek dëgjuesit shqiptarë dhe të huaj.
Ka ca kohë, që studiuesit gjermanë të iso-polifonisë shqiptare, e kanë kthyer
vëmëndjen e tyre te ky grup, jo vetëm duke ardhur në Sarandë për t’a studiuar
konkretisht laboratorin krijues të
këngës iso-polifonike, por edhe duke e ftuar këtë grup në disa vende të
Europës, si në Gjermani, Austri, Hollandë etj. Skenat e Evropës, të mësuara me
zërat e tenorëve e baritonëve të arieve
dhe operave moderne, befas janë mbushur me magjinë e iso-polifonisë shqiptare
dhe mes brohoritjeve e thirrjeve “bravo, bravo”, kanë admiruar interpretimin
virtuoz të Golik Jaupit, duke pranuar
botërisht edhe në rrugë mediatike, suprizën shqiptare.
“Të këndosh me Golikun është
privilegj, - thekson Rina Kulo, marrëse në grupin ”Jonianët” – sepse ai mban
peshën e gjithë grupit. Ai dirigjon secilin në rolin e tij. Ai është një siguri
për partnerin e këngës dhe e ndjek dhe e drejton atë në çdo varg e tingull. Goliku
është njeriu, nga i cili, kanë ç’të mësojnë brezat.”
Të dëgjosh këto fjalë nga
Rina, është si të shohësh tek e nesërmja, një monument.
Të gjithë e kanë pranuar
rolin e Golikut, të gjithë e pranojnë këshillën “urdhër” të gjeneralit, sepse
tej kësaj këshille, tej këtij urdhëri, shohin suksesin e këngës dhe të tyre si këngëtarë. “ Ai është
një mësues i dashur për këdo që e do këngën, por edhe një ndëshkues i rreptë,
për ata që e “shkelin” këngën labe”- rithekson Rina, duke plotësuar kështu
indirekt portretin e tij, si një general i drejtë dhe i rreptë.
Rina Kulo është marrëse në
grupin Jonianët, dhe partnere kënge me Golik Jaupin, ose si me thënë, është
Paro Zylfaj e Sarandës. Duke qenë dhe autore tekstesh të këngëve dhe bashkëautore
e vijës melodike me Golik Jaupin, e thjeshtë dhe modeste për talentin e saj të
spikatur, me respekt ia përcjell gjithë meritat Golikut dhe shokëve të grupit.
Por unë, duke prezantuar këtë grup, do t’ju thoshja se “gjenerali është në një
shtab me gjeneralë”, sepse dhe ata që gjeti në grup si “ushtarë”, i mësoi, i
stërviti dhe i bëri gjeneralë”.
Kështu ndodhi që pranë këtij
grupi, ushtari i vetëm jam unë, që shkruaj këto rradhë.
4- Ka ca kohë, që duke
menduar për këngën e Bënçës, në kuadër të studimeve të mia mbi iso-polifoninë,
kam konstatuar një ngjashmëri dhe afëri të kësaj kënge, me këngën pilurjote të
grupit të Lefter Çipës.
- Të dyja janë këngë të forta, që kërkojnë mbështetje
të fuqishme me iso dhe një marrës zëfortë.
- Të dyja alternojnë rolin e marrësit, ndonëse kënga e Bënçës bën
pjesë në këngët e “tipit të ri”, po të shpreheshim me këto fjalë, për këngët ku
marrësi këndon dy dhe më shumë vargje, madje një strofë të tërë, në raport me
këngët e “tipit të vjetër”, ku marrësi këndon një varg a më pak. (P.sh. këngët
e tipit të vjetër janë Vajz’ e valeve, Tundu bejkë e bardhë, tundu etj, ku marrësi
këndon një varg apo gjysmën e tij).
- Të dyja këngët lidhen me
emra të përveçëm, kënga pilurjote me Lefter Çipën dhe kënga e Bënçës me Golik
Jaupin, por me ndryshimin se Goliku Jaupi është një “gjeneral” në vijë të parë,
ku u prin gjithë këngëtarëve drejt…suksesit, ndërsa Lefter Çipa rri si një
princ, gati i padallueshëm në grupin e iso-s.
Të dyja këto tipe kënge, janë
dy majat më të larta malesh, në vargmalin e iso-polifonisë shqiptare, që shohin
njera - tjetrën përmbi re.
Por ne, le të ridëgjojmë dhe në këtë gazetë këngën “Gjithë burrat me
palcë guri”, me tekst të Maliq Lilës, me marrës Golik Jaupin e Katerina Kulon.
Sepse, veçse me këngët e tij,
mund t’a mbyllim këtë shkrim për “Gjeneralin e këngës Labe”.
Dëgjojeni, lexojeni, dhe ju siguroj se do t’ju
dridhet shtati…nga ..Urdhëri i Gjeneralit.
14.10.2011
Vazhdimi i një
bisede të lënë në mes…
ose: Një letër për Fatmir Terziun.
Dy herë na u ndërpre biseda
në Sarandë dhe s’gjetëm dot rast që t’a vazhdonim. Madje edhe kur hipe në
traget, në fakt ai mjet i shpejtë lundrimi quhet “Delfin” dhe më e saktë është
të themi, që u fute në barkun e …Delfinit (jo të balenës, ruajna Zot), pra edhe
kur u nise me Delfinin drejt Korfuzit, unë nisa t’i trajtoja vetmëvete temat e
bisedave të lëna përgjysëm, aq sa, nja dy kalimtarë kthyen kokën e më panë me keqardhje.
Më e mira do të ishte, që ti
harroja fare ato biseda të lëna në mes, por me që temat janë të rëndësishme, që
të shpëtoj edhe unë nga keqkuptimet, në vend që të pres sa të takohemi përsëri,
po t’i dërgoj me e-mail mendimet, argumentat, faktet dhe dëshmitë, që unë kam
grumbulluar për to. Ti po deshe, botoji te “Fjala e Lirë” që ta mësojë bota të
vërtetën e kodit të mikpritjes dhe mikpërcjelljes, këtej nga anët tona.
…dhe, që t’a kisha fjalën, se fjala nxjerr fjalën
dhe kjo botë u ndreq e u prish nga fjala,
krushqit pilurjotë, me këngë
në gojë hynë në oborrin e shtëpisë ku do merrnin nusen. Sipas zakonit, po me
këngë e valle, u pritën e u shoqëruan në odën e burrave nga krushqit pritës.
E vërteta është, se në
shtëpinë e vajzës, dasma kishte filluar qysh të enjten dhe deri të shtunën që
erdhën krushqit, rakia u derdh me bucjela dhe u pi me opinga. Vetëkuptohet, që
edhe babai i vajzës, i kishte bërë nja dy herë lavazh rakie stomakut, ndryshe
s’kishte si të kuptohej ajo dreqo këngë që këndoi, e që desh i vuri zjarrin
fshatit. Se, që ta këndonte, s’kishte arsye. Krushqinë e kishte bërë vetë,
ditën e dasmës e preu vetë, pajën po ia dha vetë të bijës, madje edhe djalin dhëndër sikur e zgjodhi vetë me dorë.
Tre deshë t’i vije mbi supe, për një orë e kaptonte Tepelenën. Tamam hajdut
hesapi.
Por dihet, që po të pish nja
tre-katër opinga plot me raki, ato tri-katër deshë të duken si tri-katër miza. Me
siguri, që të zotit të dasmës edhe shikimin ia kishte mjegulluar avulli i
rakisë, se përndryshe do t’a kishte parë
mirë, që pranë krushkut pilurjot,
qenë ulur nja tre a katër male, domethënë pilurjotë të rinj e
shpatullgjërë, që ndonëse dyfeqet i varën në gozhdët e murit të odës, bixhaqet
si bajoneta, i kishin në dorë e me to prisnin mishin që hanin.
Ndaj s’kishte pse, duke u
lëkundur pak, t’i drejtohej mikut pilurjot me
vargjet:
- O krushk të të puth në faqe
Po s’më lë ato mustaqe
Po t’i qethësh me gërshërë
Një fanellë ke për të bërë.
Heshtja që ra në odën e
burrave, ishte e rëndë. Ishte kaq e rëndë, sa që ua uli kokën dasmorëve, që me
gjithë rakinë që kishin pirë, u bënë menjëherë esëll. Mbi ballin dhe shikimin e
tyre ra nata, dhe natës nuk i zihet besë more mik. Sidomos, kur ke lundruar tre
ditë nëpër një det rakie dasme.
Këtë, ndoshta kishte patur
parasysh dhe ai djali pilurjot, që u ngrit vrik në këmbë në mes të odës dhe me
një shikim si pjerrtas, nisi të lëmonte me pëllëmbën e dorës tehun e biçakut të
tij, të gjatë sa një jatagan.
Ishte shkelur zakoni i
mikpritjes dhe gjëmë më të madhe, as që imagjinonin këta krushq çobanë, të
sertë e krenarë, që as mizën s’e duronin dot mbi supe dhe as lepurin nuk e
linin t’u shkelte hijen. E jo më, të linin krushkun, këtë dreq krushku, që ku
na u poftis, pra t’a linin t’u shante mustaqet. Ato deli mustaqe të dredhura
tre herë dhe me majë të ngritur përpjetë. Ato goxha mustaqe që i krehnin me
merak tre herë në ditë. Ato mustaqe more xhan, që kur fërkoheshin tek gjinjtë e
grave, ishte si të fërkohej stralli me eshkën. Zjarr nxirrte e zjarr ndizeshin
trupat e grave. Dhe ua shau këto mustaqe, këto deli mustaqe miku-krushk, dora
vetë dhe ca më tepër në shtëpinë e tij, e sidomos në dasmën e bijës së tij. U-bubu
ç’qe kjo hata? O shën Spiridhon, ruajna mendtë e kokës, se nderin dhe mustaqet
i ruajmë vetë.
-Që në Pilur do të kthehemi
pasi të djegim shtëpinë e krushkut dhe
gjysmën e këtij dreq fshati, kjo po dihet, po vallë a duhet t’a marrim nusen me
vete, apo t’a lëmë në mes të hirit? Ky është problemi ynë.
Këto mendonte trashë e trashë,
ai djali i ri, i ngritur si lis në mes të odës dhe që fërkonte me pëllëmbë të dorës tehun e biçakut
të tij.
Se, që të t’a sqaroj këtë punë
more xhan, miku është i shenjtë në viset tona, por kjo shenjtëri e tij ka
edhe disa kufij, të cilat, as miku dhe as mikpritësi, nuk mund t’i kapërcejnë.
P.sh është shkruar në kanunin e labërisë, që miku ulet te qoshja e vatrës. Kjo
për t’a nderuar dhe për t’a patur në qendër të vëmëndjes i zoti i shtëpisë etj.
Por ama, kjo nuk i jep të
drejtë mikut, që të trazojë prushin e vatrës, edhe sikur zjarri të jetë duke u
fikur. Por gjithashtu, nuk i jep të drejtë as të zotit të shtëpisë, t’i thotë
mikut: - “Hidhi ca dru zjarrit se po shuhet, apo ca më tepër t’i lejojë vehtes e t’i thotë:- “Dil në
oborr e na pre ca dru për zjarrin, se po fiket..”
- Mikut i vihet përpara thela
më e mirë e mishit, por ama nuk i kërkohet që më përpara të dalë e të pjekë
dashin në hell, meqënëse do të hajë dhe ai, apo larg qoftë, t’i kërkohet që të
lajë edhe pjatat, ku hëngëri darkën e mikpritjes. Ju siguroj unë, që kjo do të ishte
darka e fundit e të zotit të shtëpisë.
- Mikut i shtrohen çarçafët
më të mirë, por nuk i kërkohet që t’i lajë ato, as para fjetjes dhe as para
ikjes së tij.
Këto kode nënkuptojnë dhe
lejojnë, që në qoftë se, i zoti i shtëpisë, përpiqet të përfitojë diçka nga
miku, pa dëshirën e tij, apo e ofendon në shtëpinë e tij, miku ka të drejtë të
përdorë të gjitha mënyrat për t’u mbrojtur nga agresiviteti dhe ofendimi i
mikpritësit. Madje ka të drejtë, të rrëmbejë edhe armën, atë armë që ia dorëzoi
të zotit të shtëpisë, në shenjë besimi dhe respekti, por që i zoti i shtëpisë
e interpretoi si një dorëzimi pa kushte.
Por ne, e kishim fjalën te dasma,
ku krushqit pilurjotë u shanë nga mustaqet dhe ai djali i ri, rrinte në këmbë
në mes të odës,si një qiparis në portën e varrezave. Me biçak në dorë. Ai rrinte
e priste komandën e më plakut, para se të bënte plojë mbi vendasit. Por ja, që
më plaku ndër krushqit pilurjotë, ai de, mustaqet e të cilit shau i zoti i
shtëpisë, nuk nxitohej të lëshonte sokëllimën. Madje madje, o Zot ç’është
kështu, ia nisi edhe këngës shtruar e shtruar, duke iu drejtuar atij djalit që rrinte
qiparis në mes të odës.
Zgjati dorën drejt djalit
pilurjot, sikur do t’ja vinte mbi supe kur këndoi: “Uluuuu”.
Pastaj, duke e ngritur kokën
kapardisur dhe duke e tundur në mënyrë që i ftonte të vetët t’i mbanin iso,
rifilloi:
Ulu
Niko yliveri/ Uluuuu
Ku di
derri ç’është nderi. /Uluuuu
Pilurjotët nisën të këndonin
të qeshur dhe atë Uluuuu, që më shumë
se refren e këndonin si iso të zgjatur ëmbël ëmbël e jo si urdhër zakoni, e
dridhnin që e dridhnin, sikur donin të thoshin të kundërtën, domethënë …mos u
ul. Nikoja, ai djali që rrinte me biçakun-jatagan në mes të odës, i bukur si ylberi apo yliveri
dhe nën këtë ylber, rrinte një derr që s’dinte se ç’është nderi. E po, haka u
muarr, bile më mirë se me gjak. U muarr me këngë. I zoti i shtëpisë u quajt
derr, që nuk di të vlerësojë nderin që ju bë, duke i ardhur miq në shtëpi ata
burra pilurjotë. Shtoi kësaj edhe faktin, që s’qenë thjesht miq që i pruri
rruga aty, por qenë krushq që do t’i merrnin nuse të bijën. Nga çdo anë që ta
zësh, fjala “derr” nuk dukej e tepërt, pavarësisht se i zoti i shtëpisë ishte
mysliman. Madje kjo sikur e shtonte dozën e hakmarrjes.
Sikur të bënin garë edhe për
numrin e vargjeve, më shumë se sa për të saktësuar “derrllëkun” e të zotit të
shtëpisë, plaku pilurjot, gjithnjë duke iu drejtuar Nikos, vazhdoi:
Ulu djalë e lere thikën/Uluuuu
Vështro plakun ku vë pikën/Uluuuu
Derri njeh vetëm koritën/Lëreeee
Pilurjotët qeshnin
triumfatorë. Madje, nisën të pinin raki nën shikimin e zymtë të krushqve vendas. Krushqia dhe miqësia ishte
në buzë të greminës, furtuna qe në prag. Ja të hapej dera dhe …do të bëhej
hataja…
…Dera u hap me tërsëllimë dhe
në prag të saj, u duk e zonja e shtëpisë flokëlëshuar. Ashtu, duke u lëkundur e
duke çjerrë faqet, me një zë në prag të ulërimës, iu drejtua pilurjotit :
-E zeza unë, ç’më gjeti more
krushk, ç’më gjeti! E pse nuk vdiqa tërvit që më zu dhe gripi, po më la të
shikoja këtë turp. Dhe kur, sot në ditën e evlatit tim. Ububu, e varfëra!
Nëmani litarin more, nëmani litarin, që të varem tek mëni.
-Dale moj krushkë, - e
ndërpreu pilurjoti,- pa thuajna njëherë ç’ka bërë vaki, se mbase ia gjejmë
melhemin me gjethe mëllage.
-Me rrasë varri të thuash më
mirë, more krushk, me rrasë varri, nga të malit të Çikës.
E ç’të të mollois më parë,
unë e varfëra. Vete macja e më rrëzoi e m’i theu butet e rakisë, që kisha
taksur për t’jua dhënë me vete. E të tjerë s’kam, se ka një javë që pi e pi ky
i mavrisuri burrë. Ndaj më është bërë si një kacek.
Plaku pilurjot nënqeshi me
zgjuarsinë e gruas dhe me tentativën e saj për të shmangur sherrin, atë sherr
që askush nuk e donte, por dhe që s’mund ta anashkalonin pas atij ofendimi.
Faktikisht, sinjalet e tentativës për mirëkuptim, qenë shkëmbyer midis plakut pilurjot dhe të
zonjës së shtëpisë. Ata, në këto hidh e prit fjalësh, vijonin t’a quanin njeri-tjetrin
krushk e krushkë. Domethënë, krushqia qëndron. Të tjerat, janë bejte dasme e
romuze burrash të dehur. Prandaj plaku pilurjot, si më me përvojë, mes habisë
së përgjithshme, vijoi lojën e nisur nga e zonja e shtëpisë.
-Moj, po lëre rakinë ti, se
ne në Pilur i lajmë edhe këmbët me raki, se s’ja dalim dot me të shitur e me të
pirë. Por, mos ka pësuar gjë nusja e ti m’a sjell muhabetin rrotull me mace e maçokë. Mos ka gërvishur a ndrydhur
këmbën e nuk është e zonja as për vallen e dasmës së saj? Dëftona të vërtetën,
krushkë!
-Vajzën time quan ti
këmbëndrydhur e këmbërrjepur, që i marsh të keqen, - bëri të zemëruarën
krushka. -Pa mos e kam si sorkadhe, aj i marsh të ligat, sorkadhe që shkel e
nuk lë gjurmë, as në bar e as në gur.
-Mo ma mburr mo ma lëvdo, po
thuaji të nisë vallen që ta shohëmë të tërë. Ngrehuni të vemi e të shomë nusen
në valle, se mjaft hëngrëm e pimë,- dha komandën për të vetët plaku pilurjot,
komandë të cilës iu bindën të habitur dhe të lehtësuar edhe krushqit vendas.
Si u këndua e sa u vallëzua, nuk e mban mend njeri.
Por këngët e replikës, asnjë nuk i ka harruar.
14.07.2012
PJESA E DYTË
Sa e bukur është
gjuha jonë!
Duke lexuar librin poetik
“Hojëza fryme” të Zimo Krutaj
Që gjuha shqipe është një
ndër gjuhët më të vjetra të botës, për t’u bindur, mjafton të klikoni në Google,
në andresën “World languages tree”, ku do t’ju shfaqet menjëherë e
ashtuquajtura “Pema e gjuhëve”. Për të gjetur gjuhën shqipe, ju siguroj se nuk
do të lodheni fare. Është një degë e vetme, ku gjelbërojnë dy gjethe, fare
pranë rrënjëve indoevropiane të kësaj peme. Mbi të, kulpërohen plot degë e
degëzime, shumica e tyre plot filiza në rritje e plot gjethe, që bëjnë hije me
kurorën e tyre mbi të shkretën degë, me vetëm dy gjethe dialektesh të shqipes.
Ama duke e parë aty, degë e parë, shumë afër rrënjëve në raport me të tjerat,
befas kuptova se kjo “degë dygjethëshe”, shërben për t’u ngjitur lart, në kurorën
e gjelbër dhe për të parë si janë “frutat e pemës” dhe si janë “foletë e
zogjve” në këtë pemë.
Mendoj se këtë kanë bërë e po
bëjnë, një numër albanologësh, për të kuptuar shumë “mistere” të djeshme.
Që gjuha jonë si vepër e
shkruar nuk e ka datëlindjen në shekullin e XV dhe XVI te formula e famshme e
pagëzimit, por shumë shekuj më parë, miku im studiues, Daniel Gazuli në
shkrimin e tij “Vështrim mbi shqipen dhe…shkollën” të datës 10.04.2011 te
“Fjala e lirë”, na sjell një citat të Plinit Plak (23-79 pas Krishtit), të vëllimit të VII të veprës së tij 37
vëllimëshe, ku thuhet se: - “Ilirët kanë krijuar të parin alfabet dhe romakët
shkrimin e tyre (latin shën. im T.M.), e
morën nga ilirët. Pra alfabeti latin, është krijuar nga ilirët. Këtë e thotë
një romak, e jo një ilir.
Po ashtu citon edhe Guiliem Ade, ku më 1332 shkruan se
“Shqiptarët kanë një gjuhë krejt tjetër…
megjithatë kanë alfabetin latin në përdorim në librat e tyre.”
Miku im, na flet edhe për
disa shkolla shqipe në vitet 1632-1639 në zonën e Kurbinit, Pllan, Troshan,
Velë e Blinisht.
Unë këto nuk i di shumë
saktë, por di që në vitin 1694, në Dhërmi të Himarës, kleriku Nilo Katalano,
hapi shkollën shqipe me 80 “çupa e djem” nxënës, ku mësohej shqip, dokrina e
krishterë. Ky klerik i dërguar nga Propoganda Fide, në fshatin tim në Pilur, atëherë
me 500 banorë, bënte meshën shqip te kisha e Shën Thanasit.
Eh, edhe kjo mesha shqip, ishte një shkak që
fshati im të digjej e të shkretohej, dhe jo njëherë, por prapë shqip se shqip u
bënë meshat nëpër vite, shqip se shqip u ngritën këngët e u bënë vajtimet.
Se është e bukur kjo shqipja
ime, është e bukur. Për atë Zot.
Ja , dëgjoni Naimin sa bukur
flet.
Të vjen t’a puthësh në buzë
këtë gjuhë shqipe, si të ishte një vajzë
në lule të moshës.
Dëgjoni Çajupin e më thoni, a
nuk ju rrëmbushen sytë edhe juve, kur ai
vajton te “Vaje”. Se unë për vehten time, e vajtoj si vaj e nuk e lexoj
si vjershë.
Unë e di, se kur të lexoni
“Kroi i fshatit tonë” të Lasgushit, për te ai krua do t’a lini vrapin. Pritmëni pak edhe mua, se po vij me
ju.
Prisni pak, se këto ditë më
ra në dorë, libri i një tjetër poeti, i Zimo Krutaj dhe titullohet “Hojëza fryme”. A nuk ju ëmbëlson kjo fjalëz
e bukur e shqipes, hojëza dhe në këto hojëza ka frymë .
Shqiptari, vetëkuptohet.
Edhe fryma qenka e ëmbël si
mjalta, more mik!
Dhe të mendosh se disa,
gjasme profesorë apo doktorë, duan t’ia “operojnë” asaj degës së shqipes te ajo
pema e gjuhëve, njërën nga gjethet, me pretendimin se “ajo gjethe i paska marrë ushqimin gjethes tjetër dhe se që të rrojë
kjo e dyta, duhet operuar e para”, e ku ta di unë. Tamam si doktor Adhamudhi: -“Të
dhëmb një sy? Kërreje, të shpëtoç tjetrin!”
A nuk të vjen të marrësh
ndonjë thupër të njomë nga kjo pema e gjuhëve dhe t’u hysh vënçe këtyre
profesorëve, ku të dhemb e ku s’të dhemb.
Por edhe të presësh një degë te
kjo pemë, për të rrahur ndonjë, edhe kjo
s’ia vlen.
Se kjo thupër more mik, është
o një gjuhë o një dialekt.
Tani si thoni ju, të prishim
një gjuhë a makar një dialekt, për të rrahur një njeri, qoftë ky dhe profesor?
Jo more jo, nuk ia vlen barra qeranë.
Më mirë hajdeni me mua të
lexojmë poezitë e Zimo Krutaj. Hajde ulemi këtu në jug.
Diku në jug, një fletë dere
Qan mbi një sofa të gurtë.
…………………………….
Është ora e nanuritjes…
…………………….Ajo
nënëris me bijtë e ikur.
…………………………
Nëna palos vistra verdhane
Fletësh në futën e zezë. Janë
Letrat e mia të stinës
miturake
Zverdhur pa sosur në kujtesë.
Diku në jug një frymë ere
Shtrohet si iso mbi buzë. Juga
E vakët më sjell mblatë zemre
Me mirëz malli në muzg.
Shikoni ju lutem, se sa
fjalëza me mirëz malli e mblatë zemre ka në këtë poezi, ose më saktë vetëm te
strofa e fundit, sa fjalëza të ëmbëla, që mban brenda si hojet mjaltin,
dashurinë nënësore, dhembsurinë e nënës. Dhe me sa ëmbëlsi që janë thënë këto.
Humbon hapi im në zall/
përhënet e dridhet si urë.. ose më tejë
Gjuhët e gjeshtrës gjerbin/ kokra të kaltra kulumbrish.
E kisha harruar fjalën
“gjerb”, ose më saktë e kisha parë si një ‘katundare’, që e solli rasti në
qytetin tim. E pra, unë i veshur me kostum të kohës së fundit, si mund të ri e
të bëj muhabet me këtë ‘fshatare’?!
E kisha haruar vërtet këtë
fjalë, por tani që më doli përpara, hapa sytë me çudi.
-Po kjo qenka një zonjushë
elegante!, -gati sa s’thirra. Sa e bukur qenka! Prit kur t’i vijnë rrotull
djemtë e lagjes sime.
…Ora e sillës;druvari njom
latën/ në pellg e mëllërin ngjyen/ në gjakun e gjelbër të ullinjve.
…fryma jote vesit/mollët e
fjetura në gjirin e mëkatit.
Vallja e hijeve të mugëta
ormis/viset e vskut veshtullor në zgjim…
..ujera e kuqe në sy/kalb
kuisje këlyshësh/sokëllima barinjsh/dhe vërrimën e fundit/të ftujës me një
bri/që bënte laradashë/mbi barin e ngrirë.
Fjalë që cicërijnë nëpër
vargje, si një trumbë fëmijësh të gëzuar dhe e shndërrojnë gjithë poezinë, në
një lëndinë, ku loz pafajshëm fëmijëria
ime dhe juaja.
Fjalë që më vijnë në kujtesë
nga fëminia dhe që i kisha harruar, derisa i lexova tani në poezi, sa të bukura
janë. Është si të të vijnë gjithë shokët e shoqet e fëminisë, ashtu me rrobat
plot arna, por gjithsesi plot gaz. Të të vijnë gjyshet , të mirat gjyshe, plot
përralla në buzë e karamele apo llokume nëpër xhepa, që i kanë ruajtur vetëm
për ty.
Babi hijerëndë, që të sheh në
dritë të syrit, qëndron aty, ulur mbi ato fjalë.
Ti mendon, se kur të sheh në
dritë të syrit, ai do të zbulojë
prapësitë që ke bërë gjatë ditës, ndërsa ai në fakt kërkon të shohë burrin, që
po rritet te ty fëmija.
Dhe mbi të gjitha, nëna, më e
mira në botë. Ç’ne më e mira? Ajo është vetë bota.
Ja më thuaj ti, ka botë pa
nënë?
Pa nënë, nuk ka as Zot e as Perëndi,
e jo më fëmijë e fëmijëri.
Sa botë e bukur që është kjo
botë kujtimesh fëminore, kur mëkoheshe më gjirin e nënës dhe mjaltin e shqipes!
Akoma e kemi në buzë shijen e ëmbël të këtij mjalti, ndonëse kemi ngrënë shumë “turshi” në këtë jetë. Dhe ja, nga ca
hojëza fryme, kullon mjalti i vargjeve
poetike, shqip e shqiptarisht tek ne.
Autori e
di, se shqipja është gjuha me të cilën kanë folur perënditë: “Ajka e baltës ka
fytyrën time/…/por fryma në hojëza është jotja, Zot.
Autori e
di, që veç shqip mund të vajtohen edhe ..perënditë: “…Kush i ka ftuar vajtoret
në qiell/Cili Zot paska vdekur kaq i ri?!”
E pra, unë
ju them se në asnjë gjuhë tjetër s’të rrënqethet trupi nga vajtimet nëpër varreza: “…Hë. Hapi sytë/T’i
puthë drita/..O dritë syri/Të flihet prapë/Fli se vij nesër/Të zgjoj me natë/
Pa ikur hëna/Vjen vetë/…Thikëvëna”.
Por po
ashtu, në asnjë gjuhë tjetër s’mund të thuhet më bukur se sa në shqip: “…Vajza
e qëndismave/harlis leskra ngjyrash/me gjilpërë/…/Sa i ëmbël/sëmbimi i
gjinjve/nën ylberin e krahëve/ Si dhimbje flatrash/pas fluturimit/të parë”.
Dhe të
vjen të përsëritësh: “Sa i ëmbël, sëmbimi i gjinjve…!”
Sa e ëmbël
gjuha ime, që shpreh gjithë ëmbëlsinë e sopirti! Sa e ëmbël që është!
Për ta
kuptuar këtë, unë ju lutem të mos lexoni Gazetën Zyrtare, të mbuluar me dëborë
e me stalagmite akujsh nëpër rreshta.
As atë
lemeri gjuhësore, që quhet shtypi i përditshëm.
Po nuk
doni t’i harxhoni lekët për të blerë ilaçe, për të shpëtuar nga dhimbja e
kokës, lerini mënjanë tekstet universitare. Besomëni mua, që e kam provuar.
Se desh
harrova, fikeni televizorin sa pa ju rënë të fikët, nga ajo batërdi e barbari
tinguj, fjalësh që gjëmojnë si daulle ramazani.
Rrini me
mua miqtë e mi, që të shijojmë …edhe
“hojëza fryme” plot ëmbëlsi Shqipërie.
Shenjtërimi i
shtëpive tona…
…dhe Niko Kacalidha.
-Ishte
rastësi fakti, që ai lindi në Leshnicën e Sipërme, aty ku koha ndau kufijtë e
dy shteteve. Por ndoshta kjo rastësi ishte edhe fati i tij, për të hedhur shikimin
dhe mendimin tej klonit, aty ku dhe
zogjtë kishin ndrojë të vejevinin. Poshtë këmbëve të tij, një lumë i rrëmbyer
gërryente shpatmalin, duke i bërë më të largëta brigjet dhe pemët nëpër to.
E bashkë
me to edhe zogjtë këngëtarë.
E hidhte
shikimin tek bregu i përtejmë, ku zbardhnin e skuqnin lule të shumta, por
s’mund të shkonte bashkë me të, t’u merrte erë a t’u këpuste një gonxhe a një
petale së paku. Shpesh, tendoste krahun e tij fëminor dhe hidhte gurë drejt bregut tjetër, si për të
parë a qenë afruar ndopak brigjet dhe a qe rritur ndopak ai vetë. Ndoshta, edhe
për të tentuar të kalonte me not atë lumë të rrëmbyer. Por dhe gurët i
binin në lumë, si për t’i treguar pamundësinë e mbërritjes “atje tej”.
E po, në
qoftë se nuk kishte forcë fizike të hidhte as gurin e llastikut në bregun
tjetër, askush nuk e pengonte mendimin e tij të shëtiste lule më lule e pemë më
pemë, në dherat e bregut tjetër. Sepse aroma e atyre luleve e pemëve, vinte
bashkë me përrallat e gjyshes, me këngët e nënës. Ja sillte nëpër këshilla edhe
ai burri me mjekër të thinjur, që i ulur pranë oxhakut, me një libër në
dorë, lexonte (apo shkruante) Iliadën dhe Odisenë? Ishte Homeri
apo babai i tij ky plak i ditur, që e
njohu qysh në fëmijëri, bashkë me
Hektorin dhe Akilin, të cilët i admiroi. (Thellë në shpirt ai u magjeps, bashkë
me Odisenë, nga bukuria e Naustikës dhe sigurisht, ra në dashuri me të. Por i ati
vonë, shumë vonë e mori vesh këtë dashuri të të birit. Epo, helbete,
baballarët, të fundit i mësojnë dashuritë e fëmijëve).
-Ishte rastësi që ai lindi në
atë breglumi, ku ndaheshin dy shtete, dy kohë, dy stinë.
-Ishte rastësi që ai e kishte
shtëpinë diku, në një cep të legjendës, ku rrugën për aty na e dëfton vetë, te
poezia “Shtëpia ime në shpat të ferrit”, ku
shkruan :
Shpella që të nxjerr në ferr, bodrumi/ i klithmave dhe
ulërimave të mia/. Plasi damari i ferrit dhe u quajt Skotini/ strukur nën
eshtrën e brinjës së shtëpisë sime”.
…dhe te pragu i asaj shtëpie,
ai dilte e priste ..vjeshtën, thjesht,
siç del i zoti i shtëpisë të presë mikun që bujt nëpër natë. Se po nuk dola unë nëpër rugë, kush ka/ për
ta pritur vjeshtën? Dhe vjeshta vinte,
herë me Elitis e herë me Kostas Mondis e Jorgo Moleskies, Taqis
Varviciotis a Jorgji Aleksiu, Sofokli Lazaru e Rula Ioanidhu-Stavru. Pinin kafen e mikpritjes te shtëpia e Nikos
dhe më pas, shoqëruar nga ai, vinin drejt nesh, për të na folur për një poezi,
që aq pranë e kishim dhe aq pak e njihnim. Dhe kur ktheheshin në vendin e tyre,
merrnin me vete, jo vetëm librat greqisht të Niko Kacalidhës, por edhe
përkthimet e tij të krijimeve të Kadaresë, Agollit, Arapit, Zeqo, Bllaci, Londo,
Papleka etj etj, duke u treguar miqve të përtejlumit, se sa bukur këndohet në
shtëpitë tona. Dhe mbi ato brigje, ku frigohej dhe era të kalonte, ai ndërtonte
një urë kalimi për poezinë e dy popujve. Përrenjtë e rrëmbyeshëm të
socrealizmit dhe ato të një nacionalizmi të sëmurë, dallgët e moskuptimit të
artit modern, të ngritur nga era e një meskinitetit mjeran, përplaseshin mbi
harqet e kësaj ure. Dridheshin harqet e
urës dhe rrëzohej me rropamë e gjithë ngrehina. Ishte e rëndë pesha e
artit, për t’u mbajtur nga ato harqe ure, të cilat goditeshin çdo çast nga
dallgë gjithnjë në rritje. “Perënditë”
me siguri kërkonin flijim. Dhe si në legjendën e urës së Artës, te harku
kryesor, ai murosi zemrën e tij. Prandaj kanë atë dridhje të lehtë, si kordat e
zemrës, përkthimet e tij. Qoftë përkthimet e autorëve grekë në shqip, qoftë dhe
përkthimet e autorëve shqiptarë në greqisht. Qoftë edhe vetë krijimet e këtij autori
dygjuhësh. Ne shkruajmë në një gjuhë dhe kemi
bekimin e popullit tonë, dhe e ndiejmë peshën e përgjegjësisë për këtë
bekim. Po ti more Niko Kacalidha, që shkruan në dy gjuhë, i bekuar dy herë, nga
dy popuj sa të lashtë aq edhe të rinj, si e mban në atë trup të imët, atë peshë
kaq të madhe? Unë, vërtet, ta kam dhe s’ta kam zilinë.
…dhe në dritaret e asaj shtëpie, ai dilte e përgjonte
erërat
…ndoshta, nga ajo dritare, ku
stërgjyshi i tij fliste me yjet…Stërgjyshi
që fliste me yjet dhe merte pjesë/ këmbëkryq në koncilet e yjeve….që shoqëroi/
Odisenë në Dodonë dhe u preu një degë nga druri
/profetik argonautëve për shtegëtime…
…në boduarin e asaj shtëpie
ku …fle mbretëresha e urtësisë/…Fle fatthëna e Dodonës/ Fle orakulli i thinjur i
Delfit/ Dhe druri profetik shkund gjethet e fatthënave/…mos i zgjohen
shënjtorët/ që flenë të pafajshëm në prehërin e saj të Shën Mërisë… se ajo
është gjyshja ime.
-Dhe, me që e pruri rasti, unë
ju them, se nuk është e rastësishme, që në atë breg të jetës e të botës së tij,
ai e shndërroi atë shtëpi në një …kishë
të vogël, (apo shtëpitë tona kanë qenë kishëza kahmoti) në hieroren e të cilës,
ndrin konizma e Shën Mërisë. Dhe në qoftë se kjo Shën Mëri ju ngjan me gjyshen
e poetit, nuk jeni dhe aq gabim. Se gjyshja e tij është ajo që …shkruajti
ungjillin e …poetit. ….Krishti u kryqëzua
në Leshnicë/…dhe në Leshnicë do ringjallet së vdekuri/ sipas ungjillit të gjyshes sime.. Sepse Gjyshja ime, ishte vetë Shën Mëria e borzilokut dhe e dhimbjes së përgjakur/që vuri kujen në shpellat e mia të
shpirtit/ dhe u bë ikonë e shtëpive
tona. Kaq shumë shenjtëri, kaq shumë dhembsuri ka në atë portret gjysheje,
sa që lehtësisht e saktësisht, mund të identifikohet me portretin e Shën Mërisë. E pra, miqtë e mi,
dijeni nga unë: nënat dhe gjyshet minoritare, janë personifikimi më i saktë i
Shën Mërisë mbi dhe, për nga përvujtmëria dhe humanizmi, si dhe besimi që
shpërndajnë. Nën ato veshje të zeza
tradicionale, është një zemër e madhe e bardhë, ku ka vetëm lule e këngë e… bukë për të gjithë. Dhe një burim urimesh
e bekimesh, plot ëmbëlsi, që t’a bëjnë udhën dritë e të heq çdo dhimbje e lodhje të kësaj jete.
Lum kush i merr ato bekime!
Prandaj ka kaq shumë ungjillizim në poezinë e
Nikos. Jo vetëm te Ungjillizimi i zogjve, jo vetëm te Ungjillizimi i pemëve. Edhe
ëndrrat kanë Ungjillin e tyre, shkruar nga … vetë Zoti që del nga tempulli, Poeti. Zotat që dalin nga tempulli…duke treguar
me gisht botën, janë poetët.
Dhe Nikoja, vë përpara kopenë e tij të dallgëve, a kopenë e tij
të yjeve dhe të ëndrrave, që i shtegëton nëpër motive, stinë e vise e vjen
drejt nesh. Dhe përsëri, kur lodhen nga rruga e gjatë, ose merr ndonjë degë
peme plot lule e zogj nga Leshnica, që t’ju bëjë hije, ose i kthen në vendlindje, sepse për të, qendra e
botës është Leshnica e tij. Vetëm Leshnica, ka gurë që të dehin me eliksirin e
tyre, vetëm në Leshnicë këndojnë zogj …të pagëzuar, vetëm në Leshnicë mund të
dëgjosh Profecinë e drurëve dhe vetëm nga Leshnica mund të shohësh Orfeun duke
qarë, në dafinat e Butrintit.
…Vetëm nga Leshnica e tij,
mund të nisesh në viset e panjohura të
poezisë si Argonaut. Argonaut u qepa në anie…/dhe ovullat e thata
të vetmisë/ i prisha dhe ato, i treta.
…Ishte vërtet rastësi që ai lindi aty, në atë breglumi.
Por ishte dhe fatlum që lindi
në atë breglumi. Aty, ku dhe shikimi kishte frikë të kapërcente lumin, aty
buisnin mitet e legjendat, shpërthente jargavani e zogjtë kungoheshin ‘’në emër të atit, të birit e të zogut të
shenjtë”. Aty shkruhej “Testamenti i pestë i barit” me vargjet profetike “Mbinte në gjenezë dinastia e barit/ Drapëri
i hënës i priste kërthizën” Aty në Leshnicë, jo vetëm u kryqëzua Krishti,
por dhe gjeneza atje nisi: “…Dhe lidhja
duhej bërë në gjenezë,me një fije gjineshtre nga Leshnica”. Dhe në atë gjenezë ku shkruhej se …E para ishte puthja. Kështu e nis .. Shën
Poeti, ungjillin e tij .
Që nga Leshnica ai konkludoi
se: “.. Paridi nuk e kishte puthur
Helenën/Se po ta kishte puthur do zbuteshin dhe detet.
Ndoshta gabohem, por mendoj
se poeti, më mirë e më bukur mund të shkruajë vetëm për vendlindjen e tij, ose
në rastin e shtegëtimit, për vendin ku kaloi fëmininë.. Atje fillon
realisht…bota poetike e poetit. Në vendlindje, në fëmijëri mbrujten në
vetëdijen tonë motivet e figurat, në fëmijëri dhe në vendlindjen tonë, mbillet
fara e frymëzimeve, e ngjyrave dhe këngëve, e poezive dhe poemave të nesërme.
Kur dhe ku do t’i çelin gjethet e lulet, kur do t’i lidhin frytet këto motive,
kjo është çështje kohe, “çështje stine të ngrohtë”
Ai erdhi
nga Leshnica në vjeshtë, çuditërisht si një pemë plot gjethe e zogj nëpër to. Në vjeshtë mua më mbijnë gjethe….Unë nuk e
duroj gjetherënien. Ai erdhi mes nesh si
një mjeshtër i madh i poezisë,
që i merrte zogjtë nga qielli dhe
i ulte nëpër vargje. Mandje dhe vargjet e tij hekzametrikë, të pangjashëm me
asnjë poet tjetër në Shqipëri, pa rimë, me një ritëm të brendshëm, të
kuptueshëm vetëm nga një sy e vesh “delikat”, dëshmojnë për një poet të madh,
që lëron “arat” e letërsisë shqipe dhe greke njëkohësisht, me një varg, që të
lë pa mend për nga dëndësia e pasurive
artistike.
Vargje që
të ngjallin emocione madhore, plot jetë, gjelbërim e këngë zogjsh. Mandje, edhe
guri të duket sikur këndon nën penën-daltë të gdhendësit të pranverës, Niko
Kacalidha.
Prandaj ai
erdhi mes nesh, ose më saktë, solli mes nesh një përzierje shpërthyese ngjyrash
e zërash pranverorë, që i kishte
mbrujtur e shenjtëruar te ajo kishëza e vogël shtëpi, aty në Leshnicë.. Një kor magjik zogjsh, që zgjatin sqepin nga
rrethoret e zanoreve, si bilbilat mes luleve të mollës e të çmendin me këngën e
tyre, sa që të vjen të pyesësh, a je në ëndërr apo në legjendë? Metaforat nëpër
vargje, u ngjajnë foleve të thëllëzave,
mba vesh e dëgjo këngën e tyre. Dhe
s’të garantoj dot, a do çmendesh a do magjepsesh. Por gjithsesi mos u tremb, sirenat
janë larg, te kapitulli tjetër. Këtu
është pranvera…në emër të atit, të gurit
e të drurit. Dhe të zogjve, sigurisht.
Si e solle këtë pranverë poetike në
këtë dimër të stërgjatur tranzicioni, more Niko? Kaq shumë lule e kaq shumë
zogj ka Leshnica jote, kaq shumë ungjillizim kanë zogjtë e drurët e gurët në
Leshnicë? Kaq shumë dritë e hije bashkë, të ngjashme me botën e Elitit dhe herë
herë, të Kavafis.
..Ishte
rastësi që ai lindi në atë breglumi. Por në atë breglumi, ai dëshiron të
prehet. Varrin e dua në Leshnicë./Atje të
prehem gjerë e gjatë në gurin e vetmisë.
Dhe si të
gjithë poetët, ka ca kushte në marrëveshjen me vdekjen: “Në vdeksha në vjeshtë, e di që do më mbulojë borina e gjethit/prerë nga
pikëllimi i zogjve për letaninë time/Mos vdeksha në vjeshtë, se në mos
gjethe/do bëhem zog për profecitë e drurëve / për të alarmuar pyjet…..Mos
vdeksha në prill, se do më marin me flatrat e tyre zogjtë somnabulë drejt
qiejve…… Është mëkat të vdesësh në prill, të lesh jetimë / zogjtë dhe foletë e
zogjve… Mos vdeksha në dimër, se do më lërë borsi/pa kallur nga punët e
stinës….Mos vdeksha në verë/se kori i zogjve do çmendë botën/duke i bërë
njëmijë lutje zotit në agullim/për ringjalljen time. Se qenkam unë, pagëzori i
tyre…”
Dhe të
vjen të thuash pas kësaj, natyrshëm e zëplotë; Mos vdeksh kurrë o Niko
Kacalidha, se s’duroj dot të mbajë zi
mullizeza/ në krye të kortezhit të përmortshëm të zogjve. Vërtet Niko,
s’duroj dot të çmenden zogjtë e lulet.
Prandaj ulu e shkruaj akoma dhe lere vdekjen të presë te gardhi i poezisë. Të
presë sa të thinjet. Me siguri do të mërzitet dhe do ikij për fare. Udhë e
mbarë i qoftë!
Se ne kemi
shumë Fjalë të thëna në pranverë për
të shkruar.
Për Njëqint trëndafilat dhe Njëmijë guacka deti.
Apo mos do
të flasim për Lotin e ciklaminit në Bashin e yjeve? Me siguri, aty në Leshnicë.
15.03.2012
Xhelal Tosku ecën
nëpër …tym
Rreth vëllimit poetik “Tani për tani’’
Të takohesh me Xhelal Toskun
dhe të mos ‘’grindesh’’ me të, është diçka e vështirë për të ndodhur. Por
absolutisht e pamundur është, që pasi je grindur me të, të ndahesh me
qejfmbetje prej tij. Dhe nga kjo njohje zhurmëmadhe, të krijohet përshtypja e
parë, se ke të bësh me ndonjë tip poeti zhurmëmadh, me vargje kilometrike të
gjata e me botime vëllimesh gati të
përmuajshme, që s’di dhe vetë se ç’thotë me to. Prandaj befasia është e
shumfishtë, kur merr në duar vëllimet poetike të këtij poeti me emër të madh e
botime të pakta.
1-
Vërtet që botimet
e tij numërohen me gishtat e dorës: a- Në stacionin e parë (1987), b- Trishtimi i verbër (1996), c - Qipariz në
rrugë (2000) dhe d- ‘’Tani për tani’’,
por në këtë numër të kufizuar botimesh, ka aq shumë poezi, sa do ta kishin zili
jo vetëm poetë shumëbotimesh, por edhe grupe apo grupime të tëra poetësh, që
aspirojnë të gjejnë poezinë e vërtetë.
2-
Xhelal Tosku e dashuron poezinë e tij, e përkëdhel çdo fjalë e çdo varg. I heq shenjat e
pikësimit (si Lui Aragoni), për ta bërë më të lëmuar e më të rrëshqitshme drejt
shpirtit njerëzor, atë, poezinë. Dhe
duket se kësaj ia arrin lehtësisht (se me sa vështirësi arrihet kjo
‘’lehtësisht’’, vetëm ai e di. Ne vetëm sa e admirojmë). Në qoftë se, më sipër
thamë, se njohja me të është e zhurmëshme, çuditërisht në poezi ai nuk është i
huaj për lexuesin. Ai i ngjan një të njohuri të vjetër, të shumëdëshiruar, të
butë e të sjellshëm, të mirëpritur nga kushdo e kudo, i cili po kthehet nga një
udhëtim, s’di se nga. Dhe ato që na thotë, duket sikur na kanë ndodhur neve
vetë.
3-
Xhelal Tosku
flet pak. Flet pak e jeton shumë. Dhe jeton mes muzikës së poezisë, asaj muzike,
që vetëm poetët dinë dhe kanë vesh ta dëgjojnë: “O zambaku i bardhë i Prizerenit/ kush është ajo/që po
të mba në dorë”, pyet a deklaron poeti te poezia ‘’Tingull’’. Pyet lulen për një
lule dhe ajo që ka rëndësi është se pyetja bëhet me ngjyrat e petaleve të
lules.
…qysh kur dogja/letrat e
dashurisë/ kësaj bote/ endem/kot më kot/si tymi. Kaq. Vetëm kaq pak vargje. Kaq
pak vargje për kaq shumë dhimbje. Ç’dreqin bën
more Xhelal?
Le të digjje gjithë
fotografitë e tua, në daç ato me shall pioneri a në daç ato me shall
aksionisti. More, po edhe ato të zboreve apo ato të plazheve, por jo letrat e
dashurisë. Ato duhet t’i vije si piketa, në rrugën ku do ecje. Ec tani nëpër
tym: “në këtë vend/ që nuk u ndreq e nuk u ndreq. A të kujtohet si i thoshje: “për
sinjal tonin/ne zgjodhëm vetëtimat/ nëpër qiell”. Jo ajo, por ti e harrove.
4-
Xhelal Tosku ka hyrë në letërsi me një stil të vetin, të
paimitueshëm nga askush dhe pa ndjekur nga pas askënd. Xhelal Tosku ka hyrë në
letërsi thjesht, si Xhelal Tosku, poet i një poezie elegante dhe fine, të
admiruar nga të gjithë. Poezia e tij, u ngjan atyre femrave të bukura, për të
cilat nuk ka rregulla askund. Rregullat i vendosin ato. Ato, begenisin të të
lejojnë ti admirosh, dhe as mos guxo të mendosh t’u diktosh ndonjë gjë, p.sh.
ku është atdheu: rrotulloj/ e rrotulloj/ globin/për të gjetur Shqipërinë/
atdheun tim të shtrenjtë/mësuesit e mi të dashur/më paskeni/gënjyer.
Dhe në këtë vend ku të
gënjejnë dhe mësuesit: “ç’të bësh më këtu/po shkoj dhe unë thotë poeti qetë - qetë,
si një personazh real i dramave të mëdha. Nga vjen e ku shkon vallë Xhelal
Tosku: “dola prej pavionit të çmendurisë/veç këshillave të tjera mjeku më
porositi/ të duartrokisja prapë…thotë i qetë te poezia ‘’ikja prej pavionit’’.
Dhe ikën nëpër mjegull: “ti
nuk më thirre/dhe unë/humba rrugën”.
Poezi me dy rreshta, poezi me
tre vargje, poezi me një strofë, si djem e vajza të reja me trup atleti, që
nxitojnë të ikin, s’e dinë as vetë se ku. Vetëm ikin, jetojnë jetën.
5-
Poezia e Xhelal Toskut të vjen si fllad, të trullos
mendime në kokë e ndjenjat në shpirt dhe të lë ashtu, gati të ngurtësuar mbi
vargje. Unë do të thosha më saktë, të lë të kryqëzuar, ashtu siç u kryqëzua
vetë Xhelali në kryqin e Krishtit nga …vetë Krishti, për të mos u ringjallur më
si njeri, por për të ngelur i pavdekshëm si poezi. Ç’fat të lumë i përgatite
vetes, more Xhelal Tosku?!
Nga vetë natyra poetike,
Xhelali është një poet lirik, elegant e
rebel, i papajtueshëm me çdo gjë që është ‘’e djeshme’’. Asgjëkundi nuk ka në
poezinë e tij, fjalë të mëdha, asgjëkundi nuk ka tema ‘’të mëdha’’. Madje-
madje poezitë e tij, herë të duken si një monolog i brendshëm i autorit, që nuk
di pse i ka hedhur në letër, herë duken si vazhdim i një dialogu të nisur
kaherë midis poetit dhe lexuesit. Një dialog, që s’dimë në do të mbarojë, por
gjithsesi dialog me fjalë zemre. Dhe fjalët e zemrës, janë gjithmonë të
thjeshta. Si tek poezitë e Xhelal Toskut, që ‘’të lënë me kokën mbrapa/si
dashuria e parë’’. Fjalë e vargje zemre, që të vijnë si valë deti. Qetë- qetë,
por gjithsesi vijnë e të ‘’lagin’’ shpirtin. Dhe ti, ke dëshirë që t’ia
recitosh ato dikujt. Sa më shpejt të jetë e mundur. Ke dëshirë që t’a ndash me
dikë, kënaqësinë e të lexuarit të një poeti të qytetëruar në ndjenjë, në shpirt
e në varg. Pavarësisht se Xhelali është i pikëlluar, sepse ‘’margaritat që
erëmojnë në ngjyrën e kuqëremtë, nuk ka kujt ia dhuron’’.
Po ç’pret nga një poet që
djeg letrat e dashurisë dhe endet nëpër tym?!
Prit kur të fillojë të flasë nëpër tym.
Të flasësh për betimin e rremë
Rreth
librit ‘’Betimi i Rremë’’
i
shkrimtarit Odise Kote
Të diskutosh e të flasësh për librat dhe letërsinë
në Gjirokastër, apo për krijuesit gjirokastritë, përfaqësues i suksesshëm i të
cilëve është dhe shkrimtari Odise Kote, vetvetiu vihesh në
një pozicion serioz, i cili të dikton
një përqëndrim vëmëndjeje dhe përgatitje intensive.
Të duket sikur libri artistik shqiptar, edhe pse
nuk lindi këtu në Gjirokastër, këtu ai arriti majat më të larta të vlerësimit
të tij.
Këtu në Gjirokastër të krijohet ajo ndjesi, sikur
respekti për librin dhe për autorët e tyre është pjesë përbërëse, jo vetëm e
strukturës dhe e konfiguracionit të gurtë të qytetit, por edhe e
ajrit që thith në të ..
Se pjesë përbërëse e jetës qytetare, është bërë pa
dyshim.
Të diskutosh e të flasësh, veçanërisht për krijimtarinë e Odise Kotes, dhe sidomos
në Gjirokastër, është si të marrësh
pjesë aktive në një banket të madh, të
shtruar nëpër sokakët e kalldrëmta të këtij qyteti.
Se Odise Kote është shkrimtar e poet, gazetar dhe
estetm me përvojë jetësore e krijuese. Pas suksesit të vëllimit me tregime e
novella ‘’Vejusha’’ (botim i TOENA 2009), i cili me të drejtë u shpall një ndër
10 librat më të sukseshëm të Ballkaniadës 2009, ai na vjen me romanin ‘’Betimi
i Rremë’’, roman me shumë pretendime.
Duhet të theksojmë se Odise Kotja është
gjirokastrit, edhe kur shkruan për fshatrat e labërisë apo të minoritetit, edhe
kur shkruan për Beratin dhe kodikët e tij famozë.
Edhe kur shkruan për plakat që vajtojnë fshatrave,
për të burgosurit apo emigrantët, edhe kur shkruan për peshkopët e ditur dhe
atdhetarë, edhe kur flet për macen e komshiut, edhe kur flet për litarin e varrimit,
është përsëri këndvështrimi i
gjirokastritit, që na servir thelbin e fenomenit apo të idesë, nën një shikim
skrupuloz studiuesi dhe krijuesi artist.
Ato fjali të shkurtëra të romanit “Betimi i Rremë”
(Botimi i TOENA 2010), si pemë me degë të prera, si hardhitë e krasitura, unë
ju them se mbartin në vetvete një
gjelbërim idesh, të cilin e sheh gjithnjë e më shumë, pas çdo faqeje që shfleton,
ashtu siç e sheh te hardhia, pas largimit të ditëve të ftohta të dimrit dhe
ardhjes së pranverës.
Dhe s’kishte nevojë pse të fliste shumë, nëpër
librat e tij, Odiseja.
Pas turbullirës që ndjen në faqet e para të këtij
libri, syri dhe mendja të mësohen me stilin e tij të kursyer, dhe nxiton të
ecësh nëpër libër, si nëpër një pyll, i
bindur se je ti ai që do të gjesh Kodikët e purpurtë, të fshehur pas një peme a
pas një guri.
Dhe ti do t’i marrësh ata, jo për t’ua dorëzuar
ndonjë koloneli pushtues, shkatërrues e denigrues të vendit tënd, por për t’i
fshehur ato më mirë e më me siguri, për t’ia dorëzuar të nesërmes së atdheut
tënd.
Dhe je gati, që për t’i mbrojtur ato, të japësh
edhe jetën, duke bërë apo duke mos qenë nevoja për të bërë ndonjë lloj betimi.
Të rremë apo të njëmëndtë.
Dhe këtij populli, nuk i kanë munguar asnjëherë
bijtë e tij, të gatshëm të japin jetën për të mbrojtur edhe librat, skulpturat,
dhe në përgjithësi, veprat e artit, të djeshme dhe të sotme.
Sepse mbrojtja e lirisë pa mbrojtjen e historisë,
është si të mbrosh nje zog, i cili s’ka ku të ulet e të ndërtojë fole.
E pra, ne s’jemi zogj të ardhur, s’dihet se nga,
por jemi bij të kësaj toke, me historinë
e kulturën tonë, të djeshme dhe të sotme, të cilën dimë edhe t’a mbrojmë nga
ata, që duan ta përvetësojnë apo ta shkatërrojnë.
Dhe dimë t’a bëjmë këtë, pavarësisht nga besimi apo
pozicioni shoqëror që kemi.
Para se gjithash, ne jemi shqiptarë dhe dimë t’a bëjmë
detyrën tonë.
Këtë ka dashur të na thotë Odiseja, këtë ka thënë
artistikisht në këtë libër.
Dhe unë ju them, se e ka thënë shumë bukur.
E ka thënë aq bukur dhe me finesë artistike
gjirokastriti, sa që unë, duke përfituar dhe nga dashamirësia juaj të nderuar
lexues, ndërsa shpall dhe admiroj vlerat e këtij libri, i uroj autorit dhe
mikut tim Odise Kote, suksese të mëtejshme
në rrugën e tij, të shtruar tashmë me kalldrëm të krijimtarisë së tij
artistike.
Poezia e një
romani
Përsiatje rreth romanit ‘’Çudia e
ujqërve’’
të Kostandin Voglit
Romanin e Kostandin Voglit
‘’Çudia e ujqërve’’, e lexova ‘’me nje frymë’’, i nisur fillimisht nga
kërshëria dhe pastaj… nuk dilja dot prej tij. E mbarova së lexuari, dhe si kushdo
lexues, ndërsa po sodisja kopertinën, më shkuan sytë te emërtimi në fund të
saj, ku me gërma korsive, shkruhej…Roman. Nuk di pse më ngelën sytë aty, ndërsa
me mendje po rishëtisja viset e motet e përshkruara në libër, jetën dhe
personazhet, që më mbajtën frymën pezull faqe pas faqeje, aq sa edhe gjatë
lëximit …harrova se po lexoja libër. Ndaj më dukej pakëz i çuditshëm, ai
emërtim tejet prozaik i këtij libri të quajtur … ‘’Roman’’. “Po kjo është poemë,
- gati sa nuk klitha me zë - kjo është poemë, more. Pse e quan roman autori?”.
Për modesti, apo për faktin se nuk është
e shkruar në vargje. Por aq poezi sa ka në faqet e këtij libri, nuk e gjen dot
në vëllime të tëra poetike, botuara vitet e fundit. Dhe ca më tepër, botuar nga
autorë plot pretendime për çmime, plot intervista e …zhurmë.
Kostandin Vogli e shkroi
librin, e quajti roman, na e dha ne për ta lexuar e gjykuar, dhe … iku më tutje, duke na lënë ne të flasim
për të. Ai hesht e pret.. “Autori e mban gojën mbyllur, kur flet vepra e tij”,
ka thënë Niçe.
2-
E thashë që më krye, që unë personalisht e quaj këtë
libër, jo roman, por një poemë. Dhe kjo për disa arsye:
a-
Kostandin Vogli te kjo poemë, (roman, sipas tij)
përshkruan jetën e përditëshme të një fshati bregdetar e këtë jetë të varfër e
të stërmundimshme, çuditërisht autori e ka ngritur në piedestalin e artit. Dhe
aty, në piedestal, ne e shohim tashmë pak me habi dhe themi me vete: “Vërtet
kaq e bukur dhe me kaq lirizëm ka qenë ajo jetë e mjeruar që kemi jetuar?” Unë
nuk do habitesha, në qoftë se autori do t’a quante këtë, një libër biografik të
tijin, por unë këmbëngul, që ky libër është biografia e secilës nga familjet
tona bregdetase. Masakrimi nga nazistët, burgosje, internime, vrasje e
rënie në luftë, tatime e taksa,
grumbullime drithi e spiunime, dashuri e tradhëti, dasma e vdekje, e mbi të
gjitha varfëri dhe… varfëri e tejskajshme, deri në mjerim. Dhe në faqet e këtij
libri, kapardisen si fitimtarë herë nazistët e herë komunistët, sekretarë
partie e spiunë të degës. Por çuditërisht, një personazh fëmijë, që po rritet
ditë për ditë, Andrea, s’di pse më kujton
poezinë e Brehtit ‘’Kënga e një nëne gjermane’’, e cila thotë se luftën
nuk e fitoi as Stalini dhe as Çurçilli, por e fitoi ajo nënë e varfër, që nën
tmerret e asaj lufte, plot mungesa e në skamje, arriti të rrisë fëmijët e saj. Prandaj
unë them, që ky libër është një poemë madhore, në rradhë të parë për nënat tona
bregdetase, që na rritën ‘’me thërrime’’. Por ama, na rritën e na bënë burra, ato trupvogëlat e kurajomëdhatë,
shamizezat e zemërbardhat, nënat tona….
Prandaj unë ju them, se ky libër është një poemë originale, e cila aq
shumë i ka munguar letërsisë tonë.
“Vepra artistike vjen nga
shpirti dhe egziston për shpirtin”, ka thënë diku Hegeli. Shkrimtari në
përgjithësi, ndërton botë të shumta nga asgjëja, i zbukuron, i popullon ato
sipas dëshirës së tij etj etj. Por në
këtë rast, autori Kostandin Vogli riprodhon të kaluarën, njerëzit e ngjarjet,
duke tejkaluar kështu konceptin e kohës sonë, sikur të ketë kaluar vetë kohën
në skaner. Ai na ka dhënë të bukurën, aty ku është shëmtia dhe mizerabiliteti,
evidenton madhështoren në mes të vogëlsirave. Ai gjen dhe na jep edhe shpresën
e jetës dhe dashurinë për të, në mes të
vdekjes. Kështu, duke bërë skanerin e të shkuarës, autori projekton
artistikisht të ardhmen. Ne vuajmë me vuajtjet e personazheve, trishtohemi me
brengat e hallet e tyre, por çuditërisht nxitojmë të lexojmë, të bindur se
diku, te kjo faqe apo te tjetra, ai Nuçi dhe nuçërit, do të marrin atë që u
takon dhe ne nuk do takohemi më me pesimizmin e vështirësitë e jetës. S’di pse
m’u kujtua Borgesi dhe fjala e tij
se…libri ka fuqinë e shpirtit. Dhe në këtë libër, ka shumë shpirt
njerëzor, ka shumë dashuri.
Ky libër, është një prurje e
re nga autori dhe duhet të theksojmë, se
prurjet e reja dhe cilësore, nuk janë të shpeshta, as për një komb dhe aq me
pak për një autor. Autori Kostandin Vogli duhej të kalonte nëpër disa botime,
që të vinte sot te kjo poemë (roman) befasuese, jo aq për nga tema, se sa për
artin me të cilën është shkruar. Kemi një libër të shkruar me elegancë artistike,
ku ndihet fëshfërima e gjetheve të ullinjve dhe zvarritja e gjarpërit mbi barin
e njomë, ndihet ulërima e ujqërve dhe shushurima e përroit, valët e detit dhe
hapat e spiunit… Unë ju them se këtu, ndihet thjesht bregdeti ynë.
Ky libër nuk ka një fabul të
vetme, si rëndom librat e quajtura ..romane apo novela.
Ky libër, në vend të
fabulave… përshkruan një jetë në ecje.
b-
Kapitujt dhe nënkapitujt e këtij libri, u ngjajnë pakëz rruazave
të një gjerdani. Secila rruazë ka vlerën
dhe çmimin e saj, por bukurinë dhe vlerën e çmimin real, e kanë të tëra
së bashku. Dhe ca më tepër, edhe emërtimin gjerdan. Kapitujt janë përshkrime të jetës së përditëshme, dhe ato
të dhëna me kursim dhe elegancë, diku edhe në mënyrë fragmentare, duke e lënë
lexuesin që të mendojë mbi ato, që porsa lexoi dhe t’a fantazojë vijimin. Por
kjo është letërsia e vërtetë. “Letërsia është fragmenti i fragmenteve, është
shkruar më e pakta nga gjithë sa ndodh e flitet…” ka thënë Gëte.
c-…dhe ajo e pakta që është
shkruar, është shkruar me një lirizëm poetik. Vetëm në fshatrat e bregdetit, e
folmja e përditëshme është një e folur artistike, gati- gati si një këngëzim.
Dhe nuk janë të pakta rastet që, kur takohesh me nënat e burrat e bregdetit,
përshëndetjes tënde të zakonshme, të përgjigjen me një këngë a me një bejte...
Këtë lirizëm ka sjellur në këtë libër autori Kostandin Vogli, deri në atë
shkallë, sa na bën të besojmë që nga
degët e ullinve bien …yjet. Le të citojmë disa …vargje nga kjo poemë (roman): “Më vonë,
(dimri) u ul si mik i paftuar në qoshe dhe dukej sikur nuk do të shkulej andej,
gjer sa të vdiste pranvera…por hodhi edhe shkorsën e bardhë …Dimri i 1948-1949
ishte si një kuçedër, që nuk nxirrte zjarr, por akull dhe erë drithëruese. (fq
196-197). Nga kush të mbrohemi më parë? Nga trishtimi që po na gërryen apo nga
frika që do të na bluajë. Fq 168. Ai (Gjeli) ..qeshte kur duhej të qante, dhe
qahej edhe kur bënte të tjerët për të qarë. Fq 160. U fut në një grup tjetër,
që të ndizte të tjerët dhe të shuhej për vete. Atij…mendja i udhëtonte në
distancë shumë të vogël. Ajo laraska, që ma ka surratin si të parë në bodile
(shishe)….Dërgomë qumësht me ujë dhe jo ujë me qumësht që të mos mbajë më. Fq
91. Kreshtat e molepsura të kokës tënde, kullojnë helm në tru…fq 82 Atë darkë e
kishte zvëndësuar diellin, se ai u duk
sikur u mbyt në det, të shpëlante ngjyrat…fq 27 Dielli në perëndim, kishte
hedhur një sy brenda nga një kamare…fq 291.
Këto janë disa rreshta të
shkëputura nxitimthi për ilustrim, por nuk mund të sjellim si shembull te ky
shkrim, lirizmin e kapitujve e nënkapitujve të tërë, të cilët lexohen e
rilexohen me kënaqësi. Të shkruash me lirizëm për një jetë të stërmundimshme,
duhet të kesh një zemër të madhe dhe një talent të spikatur. Të shkruash një
poemë (roman) është e vështirë, jo për faktin se shkruan poemën (romanin) me katërqind faqe, por sepse shkruan
artistikisht.
d- …sepse shkruan
artistikisht dhe do të thoja se në shumë raste, pikturon peisazhe në lëvizje,
duke na dhënë me dy tre ravijëzime një portret të plotë personazhi (ty ta kanë
trohisur gjuhën djajtë, në mokrën e mullirit), ose (nga punët u ishin
ashpërsuar duart, aq sa edhe po të të ledhatonin, të gërisnin faqet), ose (e ka
surratin si të parë në bodile), një situatë të tensionuar sociale (ai po nxjerr
brirët e mprehtë, ndërsa ju ia ledhatoni të rriten), një gjendje shpirtërore
(theu hutimin si të thyente një dru ullishteje), e plot situata të tjera.
Dhe këto piktura lëvizëse, më
përforcojnë më tepër bindjen time, se kjo vepër është një… poemë …dhe jo një roman.
e- Është (romani) poema
e zhgënjimit të një populli, të një brezi tek idealet e socializmit e të
komunizmit, i cili u kishte premtuar lugën e florinjtë, por u merrte dhe
tenxheret e tepsitë e kusitë për tatimet. “…stomaku ka zënë myk nga të pangrënët dhe shpirti
ishte mbështjellë me një rrjetë merimange që hidhte helme” .
U ishte premtuar liria dhe
demokracia, por çuditërisht erdhi…demodajaku…në vend të tij. “Këtu na mbyllën
gjermanët para se të na internonin e masakronin, këtu na mbyllën tani edhe
komunistët”, thotë një personazh. Politizimi i çdo gjëje, solli distancimin dhe indiferentizmin e popullit,
ndaj parullave e sloganeve komuniste.
“Ne na e vranë edhe fitoren,
që të mos e gëzojmë as atë”, thotë një ish -partizan në një moment.
3- Atë që dua t’a quaj sukses,
është fakti se ky libër, ndonëse përshkruan një kohë tejet të politizuar,
çuditërisht vetë qëndron jashtë dhe mbi
këtë politizim, duke qëndruar kështu jashtë formateve të njohura me heronj
pozitivë e sekretarë partie, dje tepër pozitive dhe sot kriminelë e të
paskrupullt. Aty janë dhe sekretarët e partisë dhe kryetarët e pushtetit dhe
çuditërisht, ndoshta për herë të parë, ata qëndrojnë aty ku kanë qëndruar
realisht… larg dëshirës sonë për praninë e tyre. Ndonëse ata kanë drejtuar rrjedhën
e lumit të jetës sonë, ata kanë qëndruar në brigje, kanë qenë mbi ura, pra jo
te lumi ynë. Dhe ajo që është më e rëndësishme, është pohimi i një funksionari,
se…njerëzve të tillë edhe unë s’kam se çfarë t’u bëj… duke pohuar, se
faktikisht ata ishin thjesht …vegla në duart e dikujt dhe jo zotat…mbi kokat
tona.
4- E theksova pak më sipër se
ky ështe një libër i shkruar vetëm me
…dashuri.
Me dashuri për bregdetin si
vend, për njerzit, ngjarjet dhe historinë e bukur dhe lavdiplote të tij. Por
ama, duhet të theksojmë, se ky libër nuk është thjesht një...kronikë e ditëve bregdetase. Ky libër,
është një vepër artistike e realizuar
mrekullisht, që lexohet me kënaqësi dhe përjetohet shpirtërisht, si të pakta
libra që zotërojnë botën e lexuesit dhe e ndrijnë atë me artin e tyre, siç
ndrijnë yjet qiejt e verës.
Me këtë libër, si një kalorës
që hyn madhërishëm në një sheshbetejë, Kostandin Vogli, hyn dinjitoz në
letërsinë shqipe.
Drenusha që lëpin
plagët
1. E dashuruar në
diell
Kur më 20 Tetor 2010, në kalanë e
Gjirokastrës, në kuadër të Manifestimit Poetik Ballkanik ‘’Gjirokastër
2010’’, poetja nga Gjilani, Albina Idrizi lexoi krijimin e saj
‘’Unë putha armikun tim’’, ndërsa e duartrokitëm nxehtësisht për diapazonin e
madh shpirtëror të shpalosur te kjo poezi, më lindi dëshira për të lexuar diçka më shumë nga kjo
autore, e cila vinte nga viset e nxehta kosovare.
Kështu, ndërsa lexoja
vëllimin e saj ‘’Dashuruar në diell’’ ( Botim
Faik Konica, Prishtinë, 2010), para meje shfaqej një portret tejet
njerëzor, me dhimbje për plagët e saj
dhe të njerëzve, të shkaktuara nga jeta e nga njerëzit. Një portret i plotë
njerëzor.
Vajzë, grua, nënë e para së gjithash,
njeri. Njeri që sheh gjithmon përpara, për të jetuar jetën, për të shpëtuar
jetën dhe gjithë thesarin e saj njerëzor. Dhe jo vetëm për veten:
Shpëto ç’të mundësh
nga vetvetja.
Është kohë stuhish…
Dhe si për të argumentuar
këtë devizë, na jep të lexojmë te poezia ‘’Jam nënë’’
Biri im
Jam nënë
më qeshet kur gëzohesh ti
më dhemb atje ku lëndohesh ti….
Jam nënë
dhe mund
të fal atë
që
nuk falet… Se jam nënë
vetëm se
jam nënë.
Dhe
kur mendon se këto vargje, oqeanike për nga dashuria që mbartin, vijnë nga
Gjilani, një qytet i vogël i Kosovës së porsadalë
nga ferri (i luftës dhe i shtypjes),
gjëja e parë që konstaton, është zemra e madhe e autores, një zemër vërtet e
madhe si oqeani, ku ka vend të lundrojnë transoqeanikët modernë e jahtet luksoze, por edhe anijet e
vogla të peshkatarëve të varfër. Vetëkuptohet
që ka vend në të, edhe për sanallët e vegjël të të dashuruarve, ashtu siç ka
vend në thellësitë e saj, për gjithfarë skeletesh anijesh të mbytura. Dhe autorja nuk rri të stisë
filozofime për shkaqe e pasoja, për fajtorë apo idhuj. Ajo vuan siç vuan njeriu,
ca më tepër, siç vuan një grua, siç vuan një nënë, siç vuan një popull i
robëruar në një prag revolte:
E
lodhur jam
si
drenushë e plagosur
plagën
e thellë duke lëpi
njësoj
si imi popull.
Të duket se lexon devizën aq
të njohur, më mirë viktimë se sa xhelat.
Por në qoftë se nuk ishte
zgjedhja e saj pozicioni i viktimës, është meritë e saj madhështia e botës
shpirtërore, që na shpaloset nga një horizont te tjetri, deri në pakufi.
Poetja nuk di të bëjë retorikë,
nuk përpiqet të tërheqë vëmendjen me deklamime, por nuk mund të ndjehesh i qetë
dhe komod në mendime, ndërsa lexon vargjet e saj për lirinë e munguar në jetë: “Asnjëherë
nuk u afruam/skaj më skaj jeta na ndau”.
Poezitë e një autori, sado në
stile, mënyra e kohë të ndryshme të
shkruhen, sado në vëllime e organe të ndryshme të botohen, përsëri ngjajnë me njera- tjetrën, mandje plotësojnë
njera –tjetrën, duke na dhënë kështu, një portret shpirtëror të plotë të
autorit. Ndoshta edhe atë portret, që as vetë autori nuk e ka parë ende.
Nuk gjeta në këtë vëllim
krisma armësh, të zakonshme der në bezdi në letërsinë tonë, madje s’ka fare
armë, kurrkund nuk dëgjova thirrje hakmarrëse, as brohorima fitoresh mbi kufoma
armiqsh. Por e dëgjova dhe e ridëgjova urdhërin sublim të jetës, atë urdhër
që ç’do burrë i bindet, pavarësisht nga rrethanat
ku ndodhet. Dëgjova thirjen e gruas së dashuruar.
Një legjendë e viseve të mia,
tregon për një grua, që i çon lajm
burrit të saj komit dhe i thotë pak a
shumë: “Të dielën të pres të vish, patjetër që do vish, se ke shumë kohë pa
ardhur tek unë. Mos eja nga filan shteg, se aty të kanë zënë pritë, as nga
filan luginë mos eja. Dhe aty të kanë zënë pritën e duan të të vrasin. Ti duhet
të vish patjetër të dielën. Unë s’e di nga do të vish, por ti mos lejo të të
vrasin pa ardhur tek unë”.
Jam i bindur që autorja, si
dhe dhe shumë lexues të këtij shkrimi, nuk e kanë lexuar dhe as e kanë dëgjuar
këtë legjendë, por ne le të dëgjojmë ‘’urdhërin’’ e saj të shprehur me një
fjalë: ‘’Eja’.’
Kurdo që të kthehesh
ngado që të vish
ti eja
dhe në timen jetë
Nëse nuk mundesh dot
…në rreze përvidhju
ditëve me diell…
Apo në pikë shiu shndërrohu
ditëve me shi.
Më thoni ju lutem, a ka ndonjë njeri, që të mos i bindet këtij
urdhëri jete … të dhënë kaq poetikisht?
Jo vetëm kaq.
Me fjalë shumë të thjeshta
prej gruaje e nëne, emeton besim e shpresë jete edhe atje, ku gjithkush sheh
vetëm rrënoja:
Kur kullat e shpresës
të shembën
dhe e nesërmja duket larg…
më shtrëngo dorën.
Edhe atëherë kur pandeh
se çdo gjë ka marrë fund
dhe fuqi s’kam për të thirrur
vazhdo
të më shtrëgnosh dorën
… duke shpallur devizën e saj
dhe te gjithë nënave e motrave me dy fjalë shumë të thjeshta: “..me sy fëmije
jetën thërras/me dashuri gruaje e mbaj zgjuar”.
Ajo që e bën të veçantë dhe njëherazi shumë të afërt e të
pranueshme edhe për lexuesin masiv të viseve jugore të Shqipërisë këtë poete,
është fakti se Albina është e sinqertë me vargun, duke qenë në këtë mënyrë e
sinqertë edhe me lexuesin, edhe me vetvehten,
duke qenë kështu e pranueshme dhe e admirueshme në krijimtari.
Atë ç’ka për të thënë, Albina
Idrizi e thotë thjesht dhe në mënyrë të lexueshme, duke shmangur paraqitjen
misterioze të fshehjes së idesë e ndjenjave, pas një figuracioni të rënduar,
zbërthimi i të cilit të largon vëmendjen
nga ajo që do të thotë autorja në të vërtetë, për të pretenduar për
madhështi të nesërmen, sepse: “Vjen një kohë/e turpërohemi me/atë që jemi mburrur
dje”.
Ajo flet thjesht dhe qartë,
me butësi e dashuri gruaje, edhe atëherë kur qorton, apo kur ‘’të vret me
pambuk’’… Atë ditë/kur më gjuajte mua/vetvehten vrave.
Ajo flet thjesht, me dashuri
nëne...Mos/mos ik bir/kjo shtëpi/e mangët/do jetë pa ty. Ajo flet thjesht dhe
bukur…Në ëndërr jemi njohur…(Unë ju them për këtë varg e për këtë fakt: Lum ju
të njohurit …edhe në ëndërr).
Në qoftë se do të citojmë më
pas edhe poezinë tjetër: Ëndrrat nuk vdesin kurrë”, atëherë do të na duhej t’a
shtonim këtë fakt në ilustrimin e mendimit,
se poezitë e saj janë si vazhdim i njëra- tjetrës, ose më mirë të themi,
se bota shpirtërore e autores e shprehur në vargje, kuptohet e ndihet kur lexohen poezitë, jo të
shkëputura nga njera -tjetra.
Dhe, si nënë e si grua,
Albina flet më shumë me lotin e dhimbjen e saj, duke folur me lexuesin si shpirti
me sopirti: “Shpeshherë/Qaj dhe unë me lotin tënd”.
Nuk dua të them që, si grua
dhe nënë ka dëshirë të flasë, në disa raste, me disa vargje më shumë, me
pretendimin për t’a ‘’sqaruar më tej idenë’’, me mendimin se: “harroi edhe
diçka pa thënë, harroi dhe një këshillë pa dhënë”.
Poezia është si
diamanti, e ngjeshur në fjalë dhe ide,
në mënyrë që ajo, veç vlerës së madhe, të ketë edhe forcën të depërtojë nëpër
shpirtëra njerëzorë dhe jo t’a copëtojnë
e t’a harrojnë atë gjatë e pas
leximit.
Në qoftë se do të kërkojmë ta
shohim këtë mendim te poezia
‘’Poeti i tokës sime’’, do të thosha se mjaftojnë tre vargje për të dhënë idenë bukur e shkurt të poezisë dhe
pikërisht: “Poetin e tokës sime/gjer në kockë/gërryen lapsi i zi/me dhimbjen
për të pagjeturit’’. Vargjet e tjera, s’besoj të keni kohë t’i lexoni. Po ani,
nuk humbët shumë.
Ose le të shohim poezinë aq shumë njerëzore dhe të bukur: ‘’Ti
po rritesh’’, kushtuar të bijës.
Sa fjalë të bukura, plot
ndjenjë, thënë një bije që po rritet.
Por pikërisht këtu qëndron
problemi, tek fakti që e bija po rritet
dhe s’ka kohë të dëgjojë këshilla e qortime nënash plot merak e dhembsuri.
Këshillat e një nëne janë bijë përvoje, por për të rinjtë adoloshentë, të cilët
kërkojnë të krijojnë, me të drejtë, vetë përvojën e tyre, këshillat prindërore
më së shumti janë thjesht ‘’bezdi’’ dhe dëgjohen ‘’me pahir’’.
Këtu duhet të tërhiqet
nëna, dhe t’i lerë vend ndonjë djali të
ri, t’i thotë së bijës (dhe bijave tona), fjalë të tilla të bukura. Ose nëna
poete, le të flasë me heshtjen e djalit të dashuruar dhe unë ju siguroj se e
bija, do t’a përjetojë më se magjishëm, mrekullinë e çastit .
Të fjalëve, apo dhe të
heshtjes.
Sepse dashuria dhe dashuritë,
s’kanë nevojë për shumë fjalë.
Dhe poezitë e bukura, s’kanë
nevojë për shumë vargje.
Kanë nevojë për shumë ndjenjë
e dashuri.
Dhe Albina Idrizi i ka këto,
të pastra dhe me shumicë.
Dhe të shprehura aq
mrekullisht dhe sinqerisht.
Aq poetikisht.
Sarandë, më 24 Dhjetor 2010
2. Nën hijen e
kullave…luftohet ndryshe
E them që në krye të radhës, se romanin
‘’Hijet e kullave’’ të Albina Idrizit, nisa t’a lexoj me kureshtje të zakonshme,
vijova leximin me kërshëri, jo për subjektin,
se sa për artin me të cilin ishte shkruar, dhe përfundova së lexuari dhe
menduari për të, jo vetëm në tërësi, si një vepër e arrirë letrare, por për të,
si një vepër e arrirë …ndryshe. Dhe u rreshtova me kënaqësi dhe bindje në
radhën e madhe të admiruesve të kësaj vepre dhe skicova këtu disa mendime të
miat, që po jua jap t’i lexoni.
a-Zhvendosja e ngjarjeve në
kampin ‘’armik’’, ose e thënë ndryshe, shikimi i luftës nga këndvështrimi i
kundërshtarit tënd dhe popullit tënd, është një gjetje e goditur e autores.
Kjo gjetje, ky këndvështrim e
ka ndihmuar atë, që të shmangë klishetë
e rëndomta të letërsisë ‘’me luftë’’, ku
heronjtë e brumosur me ide dhe ideale, muskujmëdhenj e gjokszbuluar nëpër
furtuna… luftojnë e fitojnë dhe … çudi ku ishin deri dje, që të na shpëtonin më
parë.
Paraqitja e luftëtarëve nga bashkëkombasi, është pak a
shumë i njëjtë në gjithë botën. Ky luftëtar, veçse luftëtar, është dhe bir apo
bijë, vëlla a motër, prind a i afërm, bashkëfshatar, bashkëqytetar dhe sidomos
bashkëkombas i atij që shkruan për të, dhe në këtë rast subjektivizmi është
gjithsesi i pranishëm dhe i pranueshëm.
Por si duket ky luftëtar i
parë me sytë e kundërshtarit, si duket e
si vlerësohet kjo luftë e parë me sytë e atij që e nisi? Si duket fushëbeteja
dhe fushëkrimi nga frëngjitë e bunkerit armik? Po ky luftëndezës a është njeri
me gjak e kocka, familje e fis, a ka ëndrra dhe dëshira, dhe shumë pyetje të
tilla, që …vetëm një shkrimtari i vijnë ndër mend.
Ky këndvështrim nuk është i
ri.
Tek Iliada, Homeri del e hyn
sa në një kamp te kampi tjetër, dhe ajo që është më kryesorja është fakti, se
ndjehet komod, si në pallat të Priamit, ashtu dhe tek çadra e Agamnemonit. Te
‘’Kështjella’’, Kadareja rri në gjithë hapërsirën pushtuese, dhe kështjellës i
afrohet vetëm kur …sulmojnë turqit.
Në këtë koncept, Albina nuk
ka bërë ndonjë zbulim të ri.
Por duhet të themi e të pranojmë, se ka ditur të hapë
dritaren e duhur, e madje dykanatësh, për të parë luftën …nga ana tjetër. Ato
krime, për të cilat mungojnë dëshmitarët, ajo na i paraqet deri në detaje. Dhe
ajo që është më e rëndësishmja, është se
duke i paraqitur nga …shikimi tjetër, i paraqet siç i shohin ata, serbët. Si i
shohin dhe si ndjehen shpirtërisht gjatë dhe pas kryerjes së tyre.
Rrënqethesh kur konstaton se
ata i shohin, jo si krime, por si zbavitje. ‘’Ato nuk ishin rrëfime betejash e
luftërash… Jo. Ishin rrëfime sulmesh, plaçkitjesh, dhunimesh, vrasjesh të
civilëve nëpër rrugë’’ (fq 35).
Mjafton të kujtojmë
‘’vizitën’’ e kolonelit Zoran Petroviqi, figura qëndrore e romanit, ditën e
parë të mbërritjes së tij në Kosovë, dhe pikërisht te ‘’vendi i relaksimit’’
ose shtëpia burg, ku mbaheshin robinja vajzat kosovare. Po ashtu edhe sulmi i
ushtarëve serbë dhe ‘’trimëritë ‘’ e tyre tek të tre fshatrat kosovare, është i
denjë për kronika pushtuesish ‘’fitimtarë’’.
Me siguri që në krye të
këtyre kronikave, madje në një vend nderi, do jetë ai, ushtari serb, që mban në
dorë kokën e prerë të asaj gruas së re.
Dhe me një dekoratë heroi në
gjoks.
b- Ajo që na bën përshtypje
në letërsinë e shkrimtarëve nga Kosova, është fakti se pak, për të mos thënë
shumë pak, evidentojnë krimet dhe masakrat e paramilitarëve serbë, të kryera
gjatë kohës së luftës, ose dhe kur i pasqyrojnë, flasin për to në mënyrë të
përgjithshme. Thua se u vjen turp, të përmendin skenat e masakrimit, grabitjes
e përdhunimit, thua se këto janë tabu vetëm në luftën e Kosovës dhe se po të
përmendin ato, diçka do të humbasin nga trimëria, burrëria dhe dinjiteti i
tyre.
Dhe rrinë vetëm në Drenicë, te kulla e Jasharëve.
Por Kosova, ka qindra Drenica
në hapërsirën e saj heroike, dhe mijëra
Adem Jasharë.
Dhe pikërisht, midis këtyre
Drenicave, me frikën e Adem Jasharëve në shpirt, paramilitarët serbë, realisht
kryen krimet e masakrat e përdhunimet më të përbindshme, të denja për hordhitë
e Çinxhiz Khanit. Skena e përdhunimit
kolektiv të femrave shqiptare nga paramilitarët, ku vargun e përdhunuesve e
mbyll një ushtar rom, si për të rritur masën e turpërimit, të rrënqeth shtatin e
të bën të mos harrosh kurrë këtë pushtues, këtë luftë.
Thënia se: “Stalini bëri dy
gabime gjatë luftës së Dytë Botërore: -e
para, se i tregoi botës muzhikun - dhe e dyta, se i tregoi muzhikut botën, na
ndihmon në argumentimin e faktit, se bota akoma nuk e njeh paramilitarin serb.
Politika dhe diplomacia
serbe, tepër aktive për këtë problem, ka hedhur në treg një version tjetër të ndodhive në Kosovë. Sipas tyre, ngjarja ka
ndodhur, ose duhet të ketë ndodhur kështu:- Femrat kosovare, ndoshta të
eksituara nga narkotikët e shumtë që përdornin, rrëmbenin paramilitarët serbë
dhe me ta e mbi ta, bënin orgji të papërmbajtshme. Ç’faj kishin të shkretët
paramilitarë, të cilët kishin dalë të mblidhnin lule lëndinave, kur burrat e UÇK-së dhe banorët e fshatrave, ju
hidheshin mbi bajoneta, duke kryer kështu vetëvrasje. Apo nuk e kanë të
zhvilluar edhe maninë e vetëvrasjes këta
‘’shiftarët’’.
Po kur i kapnin paramilitarët
e shkretë dhe u merrnin organet për trasplante!!!
Ç’kanë hequr të shkretët
paramilitarë, vetëm Del Ponte e Dik Martin e dinë.
Ndaj duhet të dënohen njëri
pas tetri, komandantët e UÇK-së nga Tribunali i Hagës.
Sado marrëzi që të duket, kjo
marrëzi po zë vend dalëngadalë në botë.
Dhe për këtë, japin një
ndihmesë indirekte edhe shkrimtarët
kosovarë me heshtjen e tyre.
Heshtin për një gjë, që duhet
vënë ulërima, deri sa të bindet dreqi e i biri.
Përdhunimi është një nga
armët psikologjike të luftës së çdo kundërshtari dhe qëllimi është i ditur. Por
si duhet reaguar ndaj tij?
Është e famshme fjala e grave
gjermane, të përdhunuara nga ushtarët rusë në
Luftën e Dytë Botërore, kur duke lënë nënkuptimin e krahasimit midis
përdhunimit të ushtarëve rusë dhe vdekjes nën bombardimin e aviacionit amerikan
thanë:- “Më mirë një rus në bark, se sa një amerikan (pilot në avion amerikan) mbi kokë”.
Por ca më tepër edhe në
Shqipëri, gjatë trazirave të ’97, bandat rivale, në luftë me njëra-tjetrën,
përdorën edhe këtë armë për të poshtëruar dhe demoralizuar kundërshtarin, apo
për të kërcënuar prindërit dhe vëllezërit, për mosrezistencë gjatë grabitjeve.
Turpi, asnjëherë nuk është i
viktimës.
Turpi dhe krimi është i
agresorit.
Prandaj dhe këto skena, janë
dëshmi krimesh.
A nuk e keni vënë re:- “Edhe
tani, kryeministra të ish- shteteve pushtuese, publikisht u kërkojnë ndjesë popujve të pushtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore,
ose edhe më herët, ndër të tjera, edhe për krimin e përdhunimit, të kryer nga
ushtria e vendit të tyre mbi popullsinë e pushtuar.
Kur do të kërkojë ndjesë
Serbia edhe për këtë krim?
Diku kam lexuar se: -“Ndjesa
është hapi i parë drejt civilizimit të një populli, kombi, komuniteti apo
shoqërie”.
Ndjesë kërkon ai që e ndjen
fajin, dhe jo ai që bërtet nëpër botë për pafajësinë e tij dhe fajësinë e viktimave.
Por për të kërkuar ndjesë,
duhet që vetë kosovarët t’ia bëjnë me dije botës, egzistencën e krimit dhe
kriminelit t’i ripohojnë mos harrimin e tyre.
Dhe jo vetëm përdhunimet.
Masakra e Korenicës pranë
Gjakovës, është pak e njohur në botë.
E pra aty, Kosova duhet të
ngrejë një përmendore të lartë, ku të gdhënden emrat e të 600 vetëve të
masakruar atë ditë Qershori, dhe të
shkruhet me gërma të mëdha, (ndoshta) epitafi: -“Këtu u masakrua edhe Zoti vetë”.
E them këtë, duke patur
parasysh se serbët u bien ca si shumë këmbanave fetare, por ama banorët e
Korenicës janë katolikë dhe serbët janë ortodoksë, pra kristianë të dyja palët.
Atëherë Dik Martinët e Del
Pontet, do të mendohen mirë, përpara se të sajojnë histori me ‘’pushtues
viktima’’.
Në këtë kontekst, skenat e
dhëna nga Albina Idrizi, janë nga ato dëshmi artistike, që bëjnë epokë.
Dhe për këtë, duhet
përshëndetur nxehtësisht.
Por, a do e lini vetëm këtë
çikë kosove, në këtë shesh mejdan, ju shkrimtarë e poetë të Kosovës?
Kam dëshirë të besoj se jo.
(Mos dola gjë nga tema?
‘’Fajin’’ e ka Albina dhe libri i saj, që hap shumë tema).
c-Në lidhje me personazhet, e quajmë të realizuar figurën e
ushtarit Marko, biles do të thosha tepër të realizuar artistikisht, sa që
çuditesh si na qenka vetëm një ‘’ushtar’’ i thjeshtë, ai që drejton në realitet
gjithë kompaninë në operacione ndëshkimore, duke lënë jo vetëm mbrapa apo në
hije vetë komandantin, por edhe duke e lidhur atë në fund, (rrjedhim logjik ky
i veprimit dhe i marrëdhënieve në kompani).
Edhe rrjedhim logjik i
veprimeve anarkiste, në një ushtri të degraduar.
Por në lidhje me figurën e
kolonelit Zoran Petroviqi, lindin disa pyetje.
Si shumë njerëzor dhe human,
na paraqitet shpirtërisht ky oficer i karrierës në ushtrinë serbe, oficer që i
kishte mbaruar shkëlqyeshëm të gjitha shkollat ushtarake, dhe i kishte mbetur
vetëm ajo e fundit, fushëbeteja e Kosovës.
Do të ishte i justifikueshëm ky qëndrim, në rast se
do të ishte një oficer i mobilizuar nga sferat civile, ku jeta e përditëshme,
leximet e poezive, muzika, takimet me intelektualë shqiptarë, do të kishin zënë
vend në subkoshiencën e tij dhe kjo, subkoshienca do t’u mbyllte portën teorive
të urrejtjes.
Unë e kam quajtur të
realizuar figurën e gjeneralit tek ‘’Gjenerali i ushtrisë së vdekur’’, edhe për
faktin se ky gjeneral, ndërsa kishte ardhur me një mision human, mbledhja dhe
dërgimi në atdhe i eshtrave të ushtarëve të vrarë në luftë, nuk harronte që të
skiconte plane operacionale lufte, ndërsa punëtorët gërrmonin varret.
E parë në këtë kontekst, edhe
Zorani, në qoftë se do të çmendej, do të çmendej në fund të fundit, nga krimet
që kishte bërë ai vetë ose vartësit e tij me urdhërin e tij dhe në prani të tij,
dhe jo nga krimet që kishin bërë vartësit e tij, në kundërshtim me dëshirën e
tij.
Aq dije e kulturë e kishte,
sa të dinte të ndante përgjegjësitë.
Lexonte poezi të Nerudës…
Por edhe oficerët nazistë, lexonin
poezi të Gëtes, i binin pianos dhe shijonin Moxartin, por ama, nuk hezitonin
aspak të jepnin urdhëra për shfarosje masive.
ç-Por unë dua të flas tani
për një tjetër personazh, për një personazh që nuk flet dot vetë, por që flet
nëpërmjet ditarit.
Unë dua të flas për shurdhmemecen me zemër të
madhe dhe me fat të keq.
Unë te ky personazh, shoh vetë Kosovën.
Kosovën me zemrën plot këngë e sytë plot lotë.
Autorja bën një pazash gjatë leximit të ditarit të
saj nga koloneli, i cili përlotet. Unë nuk besoj tek përlotja e këtij ushtaraku,
që gjithsesi nuk ka qenë dhe aq spektator në këtë masakër, por ka shkuar në
shtëpi me duar të përgjakura, ku gruaja e tij, nën ‘’kujdesin’’ e eprorit të
tij, kishte ndryshuar edhe modelin e
flokëve.
Por unë e lexova dhe vërtet u preka nga madhështia
shpirtërore e kësaj gruaje.
Dhe admirova artin e
portretizimit të saj nga autorja.
E mrekullueshme, vërtet e
mrekullueshme.
Thua se ishte shkruar me
ngjyrat e ylberit.
Ne shqiptarët, u kemi një
borxh të madh nënave, grave dhe motrave tona, një borxh që kurrë nuk do ta
shlyejmë dot. Egzistenca e jonë si komb, pavarësisht ndarjeve nëpër shtete të ndryshme, më shumë
se meritë e ‘’trimave shpatëzhveshur, gjokszbërthyer e bajonetëmbërthyer’’,
është meritë absolute e nënave tona, e femrës shqiptare, që edhe në kushtet e
një terrori ekstrem, ditën të ruajnë gjakun tonë ‘’të pashprishur’’.
Dhe në këtë kontekst, të vjen t’u ulërish në fytyrë atyre, që e lanë
këtë grua shurdhmemece të masakrohej barbarisht në ‘’shtëpinë e torturave të
grave shtatëzëna’’ dhe t’u thuash publikisht: -“Edhe ju jeni fajtorë”.
d-Erdhi momenti dhe …Dritani…
u kap rob.
Kishim harruar fare, se në
këtë botë ishte dhe ky Dritani, ish - shoku i kolonelit. Vetëm kur u kap rob, morëm vesh se ishte me UÇK-në.
S’ka
rëndësi se sa shumë kishte luftuar, a kishte luftuar si trim, apo jo. Këto
lihen të kuptohen.. në një skenë, aspak sipas stilit të Albina Idrizit.
Koloneli e fton të qëndrojë me të, jo të tradhëtojë, por të qëndrojë sa… të
pushkatohen shokët e tij dhe pastaj do t’a lirojë, me forcën e dyshimtë të
autoritetit të tij. Por ky, Dritani pra, pasi i hedh një shikim përbuzës
kolonelit, zbërthen këmishën dhe u del përpara plumbave dhe …ky quhet heroizëm.
Po pse duhej ky hero dhe ky
heroizëm, në një vepër deheroizmi.
Pse duhej të bëhej ky kthim
mbrapa, si me thënë .. te klishetë e
realizmit socialist, kur autorja s’ka asgjë të përbashkët me të. Jo vetëm
kaq, por ajo me artin dhe talentin e saj, e ka kapërcyer me kohë këtë stil të
shkruari. Nuk di pse, më është mbushur mendja, se kjo skenë ‘’heroike’’ gjasme, i është sugjeruar
autores, nuk është produkt i subkoshiencës së saj.
Ç’farë të re sjell ky
heroizëm ?
(Faktin se a duhej të
‘’zgjidhte’’ pikërisht pushkatimin
Dritani te oferta që iu bë, apo jo, është një temë që del jashtë kuadrit
të këtij shkrimi. Për të mund të flasim tjetër herë).
Asgjë të re nuk sjell ky lloj
heroizmi, asnjë emocion nuk ngjall.
Le që këtë Dritanin, nuk e
kemi njohur fare, ‘’vetëm në fotografi e kemi parë’’.
E si mund ta njihnim, kur edhe
ne ishim bashkë me autoren, nga ana tjetër e …luftës.
e-E megjithatë, duhet t’i
rikthehemi fjalës së fillimit, pavarësisht shëtitjeve letrare nëpër rradhët e
këtij shkrimi, shëtitje e ‘’imponuar’’
nga autorja.
Ky është një roman, me gjithë
kuptimin e fjalës ‘’i madh’’, nga të rrallët romanë të vërtetë, që botohen
sot në gjuhën shqipe dhe që i bën nder,
çdo biblioteke krijuesi.
Dhe autorja Albina Idrizi
është një shkrimtare, talenti dhe vepra e të cilës, duhet përshëndetur
publikisht.
Duhet përshëndetur maja ku arriti,
por dhe duke i kujtuar për të ardhmen, se: - “alpinistëve që mbërrijnë majëmalet, nuk u ka hije që më
pas, të ‘’lozin nëpër kodrina’’.
Sado pranverore qofshin ato.
Sarandë, më 05.01.2011
3. Shenjtëria e
Fjalës
Shënime rreth
librit “Pergamenë e gjallë”
…E para ishte Fjala!
a-Është ky rreshti i parë i
“Ungjillit sipas Gjonit”, të cilin, sa herë e kam marrë në dorë, jam mrekulluar
pas kësaj fraze. Ndoshta kjo s’duhet të quhet thjesht “frazë”, por ashtu siç
është quajtur në Bibël, zanafilla. Zanafilla e jetës. Sepse, pikërisht tek
fjala filloi, nëpër fjalë rrodhi dhe tek fjala përfundoi vetë jeta. Pa ç’ka nëse
qe fjalë Perëndie apo njeriu.
Dhe unë, sa herë mar në dorë
Biblën, e filloj leximin e saj pikërisht nga “Ungjilli sipas Gjonit”, ndonëse
ky është i katërti në rradhë. Dhe jo
vetëm për mrekullitë e birit të Perëndisë, se sa për mrekullinë e kësaj fraze
magjike, që të thith të tërin në
botën e saj. Dhe rresht pas rreshti,
duke lexuar, nuk po shoh gërma nëpër faqe libri, por shoh zemra të renditura në
radhë, të renditura qyshkur, që çuditërisht rrahin e frymojnë nëpër fjalë. Prandaj
edhe fjalët janë të gjalla, dhe unë nuk i shikoj apo lexoj, por thjesht i
dëgjoj tingujt e tyre. Ata tinguj, që s’janë gjë tjetër, veçse rrahje zemre,
qoftë kjo zemër profeti apo njeriu të thjeshtë. Prandaj dhe fjalët janë të
shenjta, sepse janë shenjtëruar duke mbartur frymën e jetës, nëpër hojet e
tyre.
Këto mendime më shkrepëtinë
në nënvetëdijen time, ndërsa nisa të shfletoj librin “Pergamenë e gjallë”, të
Albina Idrizit, libër, i cili çuditërisht, fillon me frazën lapidar…E para ishte fjala. Befasia ishte më se
e plotë, por tërësisht e këndshme qysh në hyrje, një hyrje, të cilën s’di si t’a
quaj, një himn për Fjalën, apo një manifestim i bukur i Fjalëve, para tribunës
së syve të lexuesit, si nëpër manifestimet e 1 Majit. A ju kujtohen këto
manifestime? Nxënësit, të veshur me uniformat e pastra, të larë e të krehur, të
qeshur (më shumë që do bënin një ditë pushimi, se sa do të festonin nje ditë
feste, që gjithsesi s’e kuptonin se pse ishte festë). Por ata parakalonin, duke
tundur buqetat me lule që mbanin në
duar, duke e mbushur ajrin me cicërimat e zërave të tyre dhe aromën e luleve.
E pra, aty kalonte vetë Zoti,
i mishëruar në fëmijëri.
Dhe autorja e quan fjalën,
ashtu siç është në realitet: “Perëndeshë e
një universi të tërë, që gëlonte përbrenda qënies njeri”.
Prandaj ajo e respekton aq
shumë fjalën, e shoqëron plot përkujdesje për te lexuesi, thua se i përgjërohet
që t’a falë, që ajo guxon t’a vendosë nëpër faqe libri dhe t’a shndërrojë këtë
libër në altarin e saj.
Në atë altar, ku kushdo
falet.
Sepse aty është e mishëruar
shenjtërisht ajo, Fjala.
Ajo që…mund të rrafshonte male të
thepisura, apo të qetësonte oqeane të trazuara. Mund të ecte mbi plagë e të mos
lëndonte.
Mund të rrëmbentë
shpirtëra, e vdekje të mos shkaktonte…
E bukura, e shenjta,
Fjala.
b-S’di pse, gjithnjë kam qenë
i bindur, se librat u ngjajnë atyre kishave të vogla nëpër fshatra të thellë
malore, ku jo vetëm banorët e fshatit, por edhe udhëtarët, shkojnë e ndezin një qiri. Jo aq për shpirtin
e shenjtit, emrin e të cilit mban kisha, se sa për ndihmën që ata i kërkojnë
atij.
Kjo ndjenjë më forcohet, sa
më shumë eci nëpër faqet e librit “Pergamenë e gjallë”.
Dhe s’kam nevojë të shikoj
shumë, të dëgjoj shumë zhurma të jetës, të cilat të trazojnë mendimet e t’i
lëkundin, porsi deti varkën e vogël të
peshkatarit.
Mjafton të ndjek pas
“Poetin pelegrin”, për të kuptuar
sakrificat e njeriut, për të arrirë te maja e synuar…atyre u hiqeshin një nga një
aftësitë shqisore a gjymtyrët, si të parët, në mënyrë që ata të shihnin atë që
s’shihej me sy…
S’di pse mu kujtua ajo thënia
e vjetër, që edhe Homeri u vetëverbua, që të shihte me sytë e mende, atë që
s’shihet me sytë e ballit.
…E pra, Gjon Poeti ishte
nisur… Dhe unë s’di pse u ngatërrova te ky rresht, të cilin e lexova.. .E pra,
Shën Gjoni ishte nisur…
Me siguri për të shkruar Ungjillin, do të shtoja
unë.
Dhe në qoftë se dikush do ma quajë lajthitje
paralelizmin e mësipërm, unë do t’a ftoja t’a lexonim bashkë këtë tregim,
dhe do t’i dëshmoja rresht pas rreshti
ëmbëlsinë e Fjalës, thua se ishte marrë mot a’ mot, nga “Ungjilli sipas Gjonit”. Apo mos doni të lexojmë historinë “Shoqja e klasës”, ku
dhe zemërimi, dhe refuzimi, jepen me ca
fjalë, nëpër gërmat e të cilave, nxjerr krye një ëmbëlsi e një dhembsuri që të
mallëngjen. Ashtu si një lule mes gurëve të malit. Sepse ne jetojmë një jetë
njeriu, në një botë plot njerëz, larg të qënit …kukulla dhe …botë… e jetë
…kukulle. Pavarësisht, kukull plastike apo prej leckash. Kjo s’ka rëndësi.
Sepse ne jetojmë një jetë, në të cilën duhet të ndihemi mbretër të jetës sonë,
dhe të mos kemi nevojë për të jetuar një jetë …me përalla me mbret.
c-Por unë do tju ftoja të lexoni edhe tregimin
“Amnezia”, jo për të parë subjektin e saj, por për të parë ëmbëlsinë jetëdhënëse të Fjalës, të asaj
Fjale të thënë mote më parë dhe që endet
zemër më zemër, kudo kur ka një stinë shqiptarie.
Dhe në qoftë se jemi të ndërgjegjshëm, që vargje
të tilla si “Fjalët e qiririt”, mund t’i shkruajë vetëm një poet i madh, mënyra
e shtrimit të këtyre vargjeve me subjektin e tregimit, na dëshmon për një
talent të madh të autores, e cila ka kohë që ka tërhequr vemëndjen e lexuesve. Dhe jo më kot.
Por unë do të thosha se edhe
mënyra e zgjedhjes së Fjalëve dhe e latimit të shprehjeve e fjalive është e
tillë, që të krijon një ndjenjë estetike në lexim. Ke dëshirë të vraposh rresht
pas rreshti, jo aq për të parë se ç’do të tregojë autorja, se sa për të
përjetuar mënyrën fine dhe plot ëmbëlsi, me të cilën e tregon atë që thotë.
Kemi patur rastin të lexojmë
volume të tëra me subjekte intriguese, por që na ka lodhur e torturuar mënyra e
të shkruarit e autorit. Ndërsa te ky libër, subjekti që tregon autorja bëhet
interesant, kryesisht falë mënyrës plot ëmbëlsi të të treguarit.
Më falni, të të shkruarit
artistik të autores.
Dhe ky është një art, të cilin
jo kushdo që shkruan, e zotëron.
Por, ndoshta duhet edhe të
themi, se jo kushdo që e lexon, e shijon.
ç-Le ta lëmë pas “Hijen e
pritjes”, le të vrapojmë e të ikim bashkë me personazhin nga “Parisi tjetër”,
dhe le të rrimë e të dëgjojmë “Bimi-n”, me pyetjen e tij ndërgjegjiebrerëse:- “A
do t’a doje ti?..për të arritur te përgjigja penduese e dhënë po prej tij:- “Gabim
zotëri, gabim! Duhet ta kishit dashur”.
Mbajeni mend këtë përgjigje ju
lutem, se do t’ju vlejë shumë kur të lexoni “Vajza e mësuesit” (që mua s’di pse
më kujtoi Vajzën e valëve), dhe të arrini kulmin te “Udhëtimi zyrtar”. Mbajeni
mend, dhe ca më tepër, mos harroni t’a thoni, sa nuk është vonë. Dhe ajo që ka
më shumë rëndësi, është që t’ua thoni atyre grave dhe vajzave, realisht motrave
dhe grave tuaja, të dhunuara nga pushtuesi sërb, gjatë atij episodi të turpshëm
të luftës së fundit.
Përgjithësisht nga krijuesit
kosovarë, çuditërisht heshtet për këto
episode. Heshtet, duke u përpjekur për të “fshehur turpin”, ndërsa
s’bëjnë gjë tjetër, veçse fshehin krimin. Dhe fshehësi i primi, është vetë një
tip krimineli.
Imagjinoni pak ju lutem,
luftën e brendshme shpirtërore të atyre grave e vajzave të dhunuara, jo rrallë
herë në sytë e bashkëshortëve të tyre. Ishte si të vlonte magma e një vullkani,
gati në shpërthim. Korja e tokës dhe shpirti i tyre e mban, aq sa mund t’a
mbajë shpërthimin e vullkanit. Por në
qoftë se krateri i vullkanit është në fund të një oqeani ( apo indiference e
përbuzjeje bashkëshortore), atëherë dhe llava e parë do të ngurtësohet, duke e
zënë grykën e kraterit dhe duke e bërë më të lemerishëm, shpërthimin e
mëpasshëm. Ato gra dhe vajza, që heshtin nën indiferencën dhe shpërfilljen e të
dashurve të tyre, janë këto vullkane me kratere të ngurtësuara. E nesërmja
sjell gjëmën. Por unë do t’i pyesja këta “trima” indiferentë: -Ku ishit dhe
çfarë bëtë ju, kur ato u shndërruan dhunshëm në viktima? Apo mos shkëmbenit
mesazhe në facebook? A e dini ju “trima të facebook-ut”, se ajo dhunë e ushtruar
mbi ato, ishte “restoja” e qëndrimit tuaj.
Dhe tashmë, ju shkokeni me dashnore për
“udhëtimet tuaja zyrtare”. S’më mbetet të them gjë tjetër, veçse të perifrazoj
ironikisht atë shprehjen e famshme kinematografike në versionin: -Na paska zënë
dashnore dhe Sandër Mafishja dhe shkoka në shërbim bashkë me të!
-Shumë seriozisht e more këtë cikël tregimesh,- do
thotë dikush.
Vërtet, harrova që ishin veçse tregime të botuara
në një libër. Më ngushëllon pakëz ky fakt, por mënyra artistike e të shkruarit
të tyre, m’i solli si të gjalla para syve.
Dhe unë u revoltova me personazhet, ndonëse ajo që
vë re, është fakti se autorja edhe portretet e tyre, i jep të gjalla, me
ngjyrën e hirtë të një trishtimi gjithëpërfshirës, duke dëshmuar kështu
dhimbjen e saj edhe për këta “trima facebook-u”, që jeta u dha një goditje, që
nuk e meritonin dhe që nuk e mbajtën dot. Të vjen keq edhe për “Bimin” dhe për
“Bimët” e tjerë, pavarësisht se e pranuan
apo jo më në fund, që ato gra e vajza “duheshin dashur”.
d-Fjalët e pakta të tregimeve të Albinës, flasin
shumë. Mjafton që ato të jenë fjalët e duhura, të vendosura në mënyrën e duhur,
në frazat e duhura. Sa pak flet te “Lamtumira e Ali Kurbetit”. Gati- gati, si
në një skicë. Por që në fillim, me mbiemrin e gjetur të personazhit, ose më
saktë me epitetin e shndërruar në mbiemër, duke na e dhënë afër dhe larg
personazhin Ali Kurbeti, autorja ka bërë
gjetjen e duhur, sa për dhjetëra faqe biografie. Por nuk mjaftohet me kaq. Surprizat vijojnë, e të bukura madje.
…ishte zakon, që vajzat të cilat martoheshin,
zgjoheshin me të gdhirë mëngjesi, vishnin rrobat e nusëris , hidhnin një shami
në kokë, duke mbuluar me të fytyrën, dhe dilnin të shoqëruara nga një shoqe e
zgjedhur, për të vizituar me rradhë shtëpitë e familjarëve të afërt, duke qarë
me zë e duke vajtuar, që nga babi e nëna, nga më i madhi e te më i vogli e deri
te shoqet me rradhë….
Unë nuk e di sa e ndërgjegjshme është autorja për
këtë gjetje, apo prurje madhore të një zakoni kaq të bukur, mjerisht të harruar.
Gjithmonë kam pyetur veten, për shkakun e vajtimit
të nuseve ditën e dasmës, sidomos në momentin e nisjes për tek shtëpia e
burrit. Shpjegimi i dhënë diku, nga dikush, se ky vajtim është një atavizëm i
zakonit të hershëm të rrëmbimit të vajzave për nuse, nuk m’a ka mbushur mendjen
asnjëherë. Duke studiuar folklorin e krahinës sime, çuditërisht bie dakort me konkluzionin e autores nga
Gjilani i Kosovës, se ky vajtim…ishte një lamtumirë e tërë viteve fëminore,
ëndrrave, lojrave dhe bredhjeve të pa brenga. Lamtumirë e një jete, që kurrë më
s’do të kthehej…
e-Autorja e do dhe e
respekton Fjalën, sepse e di që ajo është e shenjtë.
Dhe libri, është altari i
saj.
Dhe të gjithë shenjtorët, të
pakët kanë qenë nga shtati. Të pakët e
të dobët.
Gati asketikë.
Por gjithsesi, të shenjtë.
Dhe emri i tyre përmendet me
nderim, jo vetëm te kishat me emrin e tyre, dhe jo vetëm gjatë shërbesave fetare. Gjatë atyre shërbesave ku lexohet
Ungjilli.
Ai Ungjill, që fillimisht
ishte shkruar në pergamenë.
Në pergamenë doja t’i
shkruaja dhe unë këto shënime, mbajtur gjatë leximit të librit “Pergamenë e
gjallë” të Albina Idrizit.
Bohem i …dashurisë
Mbi vëllimin ‘’Bohem’’ të poetit Millianov Kallupi
Nuk e di pse, i ndodhur nën
ortekun e botimeve të njëpasnjëshme të mbi njëzetë librave me ‘’hajku’’, të
poetit Millianov Kallupi, më ishte krijuar ndjesia, se “Vate dhe ky,
harroi të shkruajë shqip”.
‘’Harbimi i kuajve’’ të tij,
jo vetëm që nuk m’a dobësoi këtë përshtypje, por përkundrazi, m’a përforcoi më
tej, kur mendova: -“S’i mjaftuan ‘’hajku’’ këtij Millianovit, që tani na lëshoi
‘’tankat’’ e harbuara të kuajve, ardhur andej larg nga Janonia?” Dhe hordhive
të Çengiz Khanit mund t’u bënim ballë, por jo ortekëve millaniovianë. Dhe ca
pëllumba të bardhë, si për të përforcuar mendimin e mësipërm, vajti dhe na i
dërgoi nga Stambolli, thua se s’kishte pëllumba Elbasani.
Shkurt muhabeti, më qe
mbushur mendja, që Millianovi ‘’e ka harruar shqipen’’. .Madje, besoja se dhe
për të folur, kishte nisur të bëlbëlzonte .... japonisht
Prandaj, kur më ra në dorë
vëllimi i tij me lirika ‘’Bohem’’ ( Botimet Vllamasi’’ 2010, fillova ta shoh
me vëmëndje mbarë e prapë, thua se ishte
gabim emri në ballinën e librit. As fotografia e tij në anën e pasme të
kopertinës, nuk m’a mbushi mendjen. Le që atje kishte dalë tepër serioz,
ndryshe nga sa e njoh unë. Por poezia e tij ‘’Porosi’,’ poshtë fotografisë me
devizën villanoviane: -Si deng hidhmëni/në zbrazëtirën e varrit/ nëse s’jam
përgjëruar/dhe për fijen e barit…, - dukej sikur më thoshte: - “Tungjatjeta mik!
Unë jam”.
Se Millianovin, gjithmonë e
kam parafytyruar si një djalosh ‘’dendi’’, i rrethuar nga një tufë vajzash të
bukura, tip gjimnaziste gazmore, të cilave u shpaloste bukurinë e shpirtit të
tij dhe u përgjërohej që t’a besonin. Ndoshta edhe për këtë përfytyrim timin, e
kanë fajin librat e tij me ‘’hajku-n’’ e
largët.
Kështu fillova t’a lexoj me
vëmendje librin e tij me lirika , ‘’Bohem’’.
Ndërsa po lexoja, s’di pse m’u
kujtua një fjalë e Prof. Nasho Jorgaqit,
që thotë: -Në arealin e çdo letërsie, lirika përbën shkallën më të lartë të
ndjeshmërisë poetike. Ajo është poezia e poezisë, rinia e saj e përjetëshme.
Duke e lexuar, krijoja
përshtypjen se vërtet Millianovi vjen këtu i rrethuar nga një trumbë vajzash,
në kulm të rinisë e të bukurisë, plot hire e hare, veshur e stolisur me tunikat
antike, minifundet e dekoltetë europiane, apo maksifundet aziatike të kohëve
moderne.
Në qoftë se dikush, do të më
kërkonte të përkufizoja me një fjalë
librin ‘’Bohem’’ të Millianov Kallupit, unë do t’a përkufizoja me vargun
e Rene Shar: - ‘’Aty bredh dashuria’’.
Në të gjithë lirikat e
shtrira në 150 faqe libri, ka vetëm dashuri. Ka dhimbje, por edhe ajo është
dhimbja më e bukur në botë, dhimbja e dashurisë.
Mos u përpiqni të gjeni vetmi
apo dëshpërim. Millianovi nuk banon në këtë lagje. Dhe unë ia kam ‘’zilinë’’.
Unë nuk e di nëse Millianovi
beson tek Zoti, falet në kishë apo xhami, por te ky libër, unë shoh se Millianovi beson te
Poezia dhe i falet asaj, i rrëfehet dhe i ndez qirinj si besimtar i devotshëm,
i beson asaj sekretet më të mëdha të shpirtit të tij, ëndrrat, dashuritë,
dështimet e shpresat. Dhe për atë e poezinë e tij, mund të citojmë si aksiomë
thënien: -Vërtet që shpresa vdes e fundit, por poeti dhe poezia, nuk vdesin
kurrë.
E ndarë në katër cikle, libri
ka vetëm dialogje për dashurinë.
Që nga antikiteti thërret
Dionisin për dashurinë: -Të pimë, të dehemi tapë/të vdesim, të ngjallemi
prapë., filozofon për kohën e Laokontit: - Kohë, pse dënon ti kaq rëndë/ kur
themi një ditë të vërtetën… për të arritur te deviza: - sepse mbrojtja s’të bën
mëkatar.
Te vargjet e tij qahet
Jasoni: “Zeuz, baba,ç’faj bëra/që më dogje, kur më re me rrufe/ dashuria në arë
me Demetrën/më e mjalta,më e mira mbi dhe…”
E gjen kohën edhe Herakliu të
tregojë dymbëdhjetë trimëritë e tij, apo Eris të gjitha letrat e dashurisë i
gris/ dhe dhimbja i sëmbon thellë në shpirt, apo Mikena ku s’ka heshtje varri.
Po ç’kërkon poeti në Akropol të Athinës dhe ç’thotë vallë: -Nuk ka hark triumfi
në këtë brinjë/as dhe përmendore, jo nuk ka/pranë më kalon një gjeraqinë…
…apo kur flet për ninfa: - Ç’duhen
nimfat e ujit e ç’duhen/Në u dashtë të mbytesh diku/më mirë të mbytesh në sytë
e vajzave/që ecin shpenguar rrugëve këtu..
Ndërsa shpall se: “në
shtëpinë e shpirtit/çdokush e ka një Itakë… shpërthen te Uliksi
Det. Det. U mbytsha në det/Dhe i vdekur do të vij, se ti më pret”
Prisni dhe ju vajza, cilës
prej jush do t’ja hedhë poeti mollën e dashurisë, duke u bërë një farë Paridi,
por pa sjellë djegie Trojash të reja. Mjafton djegia e zemrave djaloshare.
Pse udhëtoi poeti deri në
antikitet vallë? Dikur më pati thënë, privatisht: -Unë udhëtoj shumë. Dhe nga
ky udhëtim nëpër shekuj, ndonëse shaloi kuajt e erës, poeti harroi të na sillte
trima e trimëri. Mbarti në vargje për ne e për kohën tonë, vetëm dashuri.
Poeti gjen kudo dashuri: “Vetëm
ne të dy ngjisim dhjetra male/ dhe zbresim në liqenin e çdo fjale.,gjen dashuri
kurdoherë: “Nga ky spital do shkoj një ditë/ti në Stamboll do humbësh krejt/Po
pas do marr një Afërditë/me shpirt të kaltër porsi det…dhe shpall devizën e tij
të përjetshme: -Mos më ler të vdes/Në më do, ta dish/do të dal nga varri/ do
ngjallem sërish.
Ky shpirt lirik sheh të
bukurën kudo: “E ç’mu desh që rashë/E ç’mu desh që fjeta/ Hëna lart
shpërndante/lakrorin me peta” Ose.. “Një çajkë diellin/e mban në sqep/..Një
puthje e lehtë/mbi valë zbret/tërbon një zemër/trazon një det”
Lirikat e Millianov Kallupit,
u ngjajnë sorkadheve të një pylli të dendur, befasisht të dalin përpara dhe po
befasisht të largohen nga shikimi, sepse cepi i syrit befasisht kapi një hije tjetër
sorkadheje që po afrohej, me vrap e plot hir. Duhet të kthehesh përsëri te këto
sorkadhe që ikin turravrap nëpër pyll, për të kuptuar e shijuar bukurinë e
lirikës. Dhe të duket se ato sorkadhe
janë të tuat, e do t’i rrëmbesh. Millianovi le të mbajë tankat.
Citimet për poezinë e Millianov Kallupit mund të
jenë të shumta, madje mund të themi, se gati gjithë poezitë e vëllimit janë të
citueshme në një shkrim analize, po qe se hapërsira e publikimit do jetë e madhe,
por duhet të citoj diçka që më feksi në mendje, ndërsa lexoja këtë libër.
Kohët e fundit, kemi një numër të madh botimesh me ‘’vargëzime’’ me
vargje të rregullta, me rimë e kadencë ritmike, me pretendimin se vargje të
tilla janë automatikisht …poezi.
Në tërësinë e këtyre botimeve, cilësisht problemore,
ku ka çdo gjë veç jo poezi, shpesh herë vargëzime adoloshentësh apo
pensionistësh, të krijohet ndjenja e gabuar, se me vargje të tilla, nuk mund të
shkruhet poezi serioze dhe cilësore. Kjo ka çuar në atë, që shumë autorë,
gabimisht dhe fatkeqësisht, të distancohen nga këto vargje, në një kohë që
…këtu e kanë shtëpinë…
Te vargjet e lira, shpesh ata ndodhen
..jashtë…poezisë, ndonëse kanë talent dhe shije.
Kjo ‘’aradhë’’ shkruesish e sipërcituar, këto
‘’male’’ librash të kësaj ‘’aradhe’’, kanë bërë vetëm një gjë:
-T’ia zverdhin lexuesit, poezinë e shkruar në vargje të rregullta, duke e parë
dhe trajtuar atë, si diçka të së kaluarës, si një mausoleum i poetëve të
Rilindjes, vërtet me vlera, por gjithsesi
i një kohe të shkuar.
Se sa e gabuar është kjo,
mjafton të shohim e të lexojmë vargjet mjeshtërore të Millianov Kallupit, këtij
bohemi të dashurisë.
Atëherë do të kuptojmë, se
poezia nuk e ka vlerën te lloji i vargut, por te shpirti i poetit.
Por dhe shpirti i poetit
është i trazuar. Ja, shikoni Millianovin.
Gjithë vëmendjen e ka
drejtuar te ‘’hajku’’ dhe ‘’tankat’’ e famshme. Jo më kot është dhe Drejtor i
Klub-Hajkut Shqiptar.
Por unë i kujtoj, se ky është
meraku i zakonshëm i çdo prindi. Çdo prind fle e gdhihet, me mendjen te vajza e
tij e …rritur, por ama djemtë e lagjes i vijnë rotull vajzës së tij të vogël,
të bukur e të freskët.
Kështu është jeta.
Dhe poezia.
Qytetaria e një
poezie
Përsiatje rreth poezisë së Beatriçe
Balliçit,
përmbledhur në vëllimin “… ajo melodi e
ne të dyve’’
Emri i Beatriçe Balliçit, është
një emër tipik përfaqësues i një gjenerate krijuesesh, të një epoke ‘’bumi
poetik’’, ku në qiellin e poezisë shqipe,
yllësuan një mori emrash, duke krijuar një kostelacion poeteshash, me dritë e
ndriçim të veçantë, por gjithsesi të bukur. Shuarja e disave prej tyre në një
rënie meteorike, nuk e uli vlerën e këtij yllësimi, që ndriçoi botën
shpirtërore të një brezi të tërë krijuesish dhe admiruesish të artit poetik.
Dhe ca më tepër, vijimi i yllësimit të disave prej tyre, ëmbëlsisht por dhe tepër
këmbëngulës, në një qiell të mbuluar nga retë e vjeshtës apo të dimrit të
kohës, të bën të kthesh kokën me admirim drejt tyre dhe ti kesh si piketa orientuese,
në lundrimin nëpër oqeanin krijues. Kjo është dhe arsyeja, që takimi me
Beatriçe Balliçin edhe nëpërmjet vëllimit ‘’Ajo melodi e ne të dyve’’ ka një
bardhësi, gati qiellore. Ti rri e mendon, ndoshta, nga se ndodh kjo, por në
vetvete ndjen, se po takohesh dhe bisedon…qytetarisht me një poete …qytetare.
Qytetare, jo për nga origjina shoqërore apo vendbanimi, por qytetare për nga
kultura dhe …misioni.
1-
Të tentosh t’i afrohesh poezisë së Beatriçe Balliçit,
është si të ndjekësh pas në boulevard, një vajzë elegante, të veshur sportive,
çuditërisht me këpucë me taka, që nxiton s’di se për ku. Dhe duhet të jesh shumë i kujdesshëm kur t’i flasësh ( ta
lexosh). Një fjalë pa takt, si një lexim i pavëmendshëm dhe të humbet nga sytë,
ajo buzëqeshje e krahasimeve në fytyrën e poezisë. Trokitja e metaforave, si
trokitja e takave në boulevard, largohet nxitimthi dhe ti, mbetesh me hutimin
tënd plot trishtim.
2-
Dhe të ndalosh e të bisedosh me poezinë e Beatriçe
Balliçit, duhet të mirëkuptosh atë nxitim qytetar të vargjeve, për të shkuar
aty për ku janë nisur. Poetja është shumë e stresuar nga ato që ka për të na
thënë, dhe është e ngarkuar plot merak, nëse ne do të jemi në gjendje ta
kuptojmë atë. Sepse ajo është një poete që ka në qendër të vëmendjes, arsyen e logjikën
për fjalën, jetën e fenomenet. S’di pse, duke lexuar poezinë e saj më
kujtohen poezitë e Brehtit, elegante, me
veshje tip sportive, pa kozmetikë të tepërt, me një ecje gjithmonë të shpejtë,
gati- gati vrapuese.
Sepse, ndërsa e lexon,
konstaton se poezia e Beatriçes mbart shqetësimin qytetar të asaj periudhe të
trazuar, kur me ëndrrat e jetët tona, bëheshin eksperimentet më absurde që mund
të imagjinojë një mendje e sëmurë. Prandaj dhe biseda me poezinë e Beatriçes,
mund të bëhet, jo i ulur në bordurat e poezisë, por në ecje, në vorbullën e
jetës. Unë ju them se biseda me poeten
është e papranueshme, nëse tenton t’i bësh disa koplimenta të rëndomta, gjasme
tregohesh i kulturuar.
3-
‘’Brishtësia, eleganca, butësia e ndjenjave, janë tiparet
më të qënësishme të poezisë së Beatriçe Balliçit’’ – thekson me plot të drejtë
në parathënien e librit, Perikli Jorgoni. Dhe më pas shton: ‘’Vargu im këtyre
poezive, nuk i nënshtrohet disiplinës së hekurt të metrikës klasike’’. Më
shkurt dhe më qartë, nuk mund t’a përcaktonte profesori i njohur dhe i nderuar.
Por ajo që nuk e ka thënë profesori, është fakti se ajo karakterizohet nga
ndjeshmëria e lartë qytetare, për misionin e poezisë.
Beatriçia e di, që libri
është i shenjtë dhe duke shkruar poezi në të, është si të vendosë zemrën e saj
në një altar të Zotit. Libri poetik është si Bibla. Ndoshta, duke njohur fuqinë
e fjalës poetike, edhe Bibla vetë, është quajtur ‘’kënga e këngëve’’.
4-
Poezia është arti i fjalës së figurshme. Kam lexuar diku
te Frajli, se funksioni i poetit është funksioni i orakullit të frymëzuar.
Ndoshta për këtë arsye, në antikitet, orakujt nuk flisnin asnjëherë
drejtpërdrejt, por gjithmonë në mënyrë të figurshme. Por ajo që ka rëndësi,
është fakti se poeti flet me fjalë shpirti. Poezia është ushqimi i shpirtit, që
poeti ua fal njerëzve ashtu si Zoti u fali hebrejve ‘’manën’’ e famshme në
shkretëtirë. Këtë ushqim na ka dhënë dhe Beatriçia në poezitë e saj: “Ka tri
ditë/Fryjnë erëra/I ndjen? Janë drithërimat e mia….Kur të më duash ,eja”.
Shkruan thjesht e qartë kjo Safo e kohëve moderne, te poezia ‘’Ka tri ditë’’, “Mos
e ler ti vjeshtën të të kullojë në shpirt/Dhe të krijojë mes harmonisë
pellgje’’, flet si orakull poetja. Për të vijuar te një tjetër poezi: “Te ky
qiell është rrezja/Te dielli është lulja që do çelë nesër/Tek unë është ajo që
do të them patjetër”.
Por poetja është e thjeshtë deri
në vetëmohim qytetar, si një orakull i vërtetë, s’do asgjë për vete, vetëm
qartësohuni ju: “Një thinjë…./Prej meje t’u shtua më shumë/ Sepse poeti ti
ishe/Veç vargjet i shkruajta unë. Sepse…Më shqetëson kjo fytyrë burri/e zeshkët
si koha. …të cilit… I shpërthejnë ca të qeshura/ që ngjajnë me të qara.…I cili
iku…I tradhëtuar nga ëndrra…. sepse…Marsi u çmend/Dhe poetët vdesin dashurie.
Po vallë: - “E kupton që e shkruaj për ty këtë vjershë?”
Dhe në fakt, kjo është brenga
e poetëve. A më kuptojnë vallë çfarë iu
them?
5-
Thamë më
sipër, që poezia është ushqim i shpirtit. Në fakt duhet saktësuar, që poezia
është ushqim i shpirtrave të qytetëruar nga kultura. Sepse poezia u çon
njerëzve, masave dhe jo turmave, ndjenja dhe mendime, që poeti ka kurajon t’i
shprehë dhe t’i shkruajë e t’i botojë edhe atëherë, kur kushdo përpiqet t’i
fshehë. Beatriçe Balliçi, pati kurajon t’i shprehë dhe t’i publikojë mendimet
dhe ndjenjat e saj artistikisht dhe poetikisht, me një mënyrë që edhe të kujton Pol Elyar apo Zhak Prever,
duke u ngritur kështu, mbi bashkëmoshataret e brezit të saj dhe duke u bërë
pikë referimi e qytetarisë së femrës shqiptare. Koha nuk e ka harruar, aq më
tepër, që ajo nuk u kufizua asnjëherë me atë që ka arritur, por çdo ditë i
shton diçka tabllos së saj të qëndisur poetike. Komuniteti letrar e ka
përshëndetur dhe e përshëndet ditë për ditë krijimtarinë e saj. E pra, nuk janë
të shumta femrat që i qëndruan besnike Biblës Poetike. Arsyet janë të ndryshme,
personale dhe shoqërore….
6-
Për poezinë
mund dhe duhet të dialogojmë. (Meditimet janë pronë private e poetit)
Por dialogu për poezinë në kohën tone, është
strukur i trembur s’dimë se ku, sepse i ka dalë përpara një përbindësh që quhet…politikë. Nëqoftëse
Platoni donte t’i largonte poetët nga territori i shtetit të tij ideal, si
prishës të moralit, duke pranuar në këtë mënyrë indirect, ndikimin e madh të
tyre, kryesisht tek brezi i ri, këtë e realizon më së miri ‘’koha jonë
moderne’’.
Në vendin tone, çdo ditë shohim degradime morale,
dhe të pretendohet për një vlerësim të poezisë, është një privilegj, që nuk e
kërkon askush. Por ama, duhet të theksojmë se në këtë kohë, kur edhe
pushtetarët e lartë flasin e mendojnë për… tendera, vetëm poetët vijojnë të
kryejnë misionin e tyre dhe flasin për …art.
Por edhe kësaj i është gjetur ‘’ilaçi’’. Një ‘’turmë’’
të vetëquajtur ‘’poetë’’, e përbërë nga adoloshentë, që letrën e parë të
dashurisë për shoqen e bangës e shkruajnë në vargje dhe ia vendosin fshehtas në
mes të fletoreve, ose pensionistë, që rikujtojnë bejtet e rinisë dhe i
rindërtojnë duke u aktualizuar nja dy tre vargje, kjo ‘’turmë’’ pra, ka
vërshuar bulevardeve të artit dhe pretendon për monopolin e …poezisë. Ngado
nëpër qytete mbijnë shoqata ‘’poetësh’’, që vetëm nga poezia s’marrin vesh, por
ama kuptojnë shumë mirë si ndan fondet e
kulturës bashkia, dhe aty e kanë ngritur ‘’shtëpinë’’. Kështu shkatërrohet
poezia, propagandimi i poezisë së vërtetë, kështu përdhoset altari i poezisë
dhe denigrohet figura e nderuar e poetit, duke u barazuar me atë të një …mejhanexhiu.
Kështu ushqehet një popull me …bejte, në vend të poezisë. Por problemi është,
se ashtu si një fëmijë i ushqyer me ushqim jo vitaminoz, dihet që anemik do të rritet,
ashtu dhe një komb i ushqyer me bejte, gjysëm analfabet do të bëhet. Prandaj
është edhe detyra e vetë poetëve, që t’a shkruajnë poezinë e vërtetë dhe t’a
propagandojnë atë, sepse dhe një “trëndafil i rritur në fundëri’’, trëndafil
është.
Le më kur ka çelur në mes të
Elbasanit, si Beatriçe Balliçi.
Dionis Kola dhe
dilemma midis prozës dhe poezisë
Përshëndetje për librin “Një dolli për
xhindët’’
E lexova me një frymë, librin më të ri të
Dionis Kolës me esse, tregime dhe poezi, “Një dolli për xhindët’’, botim i
MILOSAO, 2010 Sarandë, dhe vendosa t’a përshëndes publikisht autorin për disa
arsye, të cilat po i rendis më poshtë:
- Së pari do ta përshëndes si
bregdetas, jo aq nga origjina fisnore, se sa për faktin se në veprën e tij
gëlon bregdeti me hapërsirën e tij shpirtërore, të kaltër si qielli e deti,
gëlon që nga vargjet e figurat nëpër to, fjalët e urta dhe paravolitë e
sistemuara nëpër vargje e nëpër rreshta, duke lënë midis tyre disa hapërsira të
gjelbërta, si ullinjtë shekullorë, shpateve e brinjave të kodrave e maleve
bregdetare.
Bregdeti ka bukurinë, ka
lavdinë, ka humanizmin dhe botën europiane të përparuar, të njeriut bregdetas.
Në Bregdet, të jesh poet apo
shkrimtar, rapsod, piktor apo aktor, është një gjë më se e zakonshme. E
pamundur këtu, është të mos jesh artist.
Dhe duke
perifrazuar një poezi të autorit, unë do të thosha:…Thashethemet venë e vijnë /
Ka poetë nën ullinj”.
- Së dyti,
do ta përshëndes për kurajon e vullnetin e tij për të shkruar edhe aty ku
është, në Nivicë Bubar, në atë hapërsirë gjithsesi të ngushtë dhe plot mungesa,
me paragjykime e konvencione provinciale, dhe mbi të gjitha për të prodhuar
perla artistike si këto që na paraqiten te
libri ‘’Një dolli për xhindet’’.
E
përshëndes, sepse poeti dhe shkrimtari, ka gjithmonë nevojë për hapërsirë dhe
kontakte intelektuale, për kontakte me librat e njerëzit e librave, për veprat
e reja të krijuesve vendas, apo të përkthyera nga autorë të huaj.
E pra, në
Nivicë Bubar nuk i gjen dot këto hapërsira intelektuale, por edhe mundësinë
financiare për të shëtitur dhe për t’i siguruar nga burime të tjera nuk ka qenë
aq shpresëdhënëse për autorin. Me një pagë mësuesi, mjerisht sot sigurohet
vetëm mbijetesa modeste e një familjeje.
Dhe Dionis
Kola, këtë situatë kontradiktore midis dëshirës dhe pasionit të tij nga njëra
anë, dhe mundësisë reale nga ana tjetër, e kapërcen nëpërmjet ‘’ylberit të
artit’’.
Si te
vjersha ‘’Fantazia’’, ku shkruan: Një natë pa drita, me një qiri/Kryq e tërthor
Las Vegasit i vij.
Në qoftë
se, ndonjëri do të thotë se do të duhet edhe një varg i tretë te kjo poezi, unë
do t’i thosha, se nuk i shtohet vlera floririt, pse i shtohet pesha me kallaj.
Së treti,
do t’a përshëndesja Dionisin për qëndrimin e tij modest, si në jetë ashtu dhe
në krijimtari, pa pretendime, pa bujë e pa pujë, “’shkruan dhe shuan’’ dhe
modestisht na ka dhënë vepra të mirëfillta letrare, qoftë si libri i mëparshëm
e tij ‘’Në kufijtë e skandalit’’, qoftë si libri ‘’Një dolli për xhindet’’.
Dionisi e
sheh suksesin te puna dhe jo te reklama e xhurma, ndaj edhe filozofon
poetikisht: “Shoh statujat e gurta e më thonë/Njeriu mijëra vjet mund të rrojë”.
Sepse ai e
ndjen që yjet ndriçojnë vetë, pa qenë nevoja për t’u bërë reklamë, veprat e
mira shkojnë tek lexuesi vetë, pa qenë nevoja t’i shpiesh ti.
Së
katërti, do t’u kërkoj leje edhe bashkëfshatarëve të tij, që ta përshëndes edhe
për artikulimin artistik të gjuhës së përditëshme niviciote, humorit dhe
ironisë aq të zakonshme në të folur, por aq shumë filozofike në të konceptuarit
dhe pasqyrimin e realitetit dhe fenomenit. Gati 70% e veprës së Dionisit, tek
të dy librat e tij, është pjesë organike e këtij vargmali filozofik. Nuk kam
ndërmend të flas gjerë e gjatë, as për ‘’pelat austriake, që ecin trotuarit, as
për ‘’xhindet e xhindosura, vetullnakatosura që na xhindosin’’, as për ato që u
‘’thanë te rrapi i fshatit’’, apo që ‘’u shkruajtën në gazetë’’, ose që u futën
në ‘’guidën me fjalën trastë’’.
Nuk do të flas
as për mitingjet me ‘’99.99%’’, apo të ‘’lexoj faqe nga ditari’’, dhe ca më pak
të vij‘’ në han me Sanço Pançën’’.
Këto të
gjitha, mund t’i lexoni te librat e Dionis Kolës dhe të shijoni qysh në burim
artin e fjalës së tij, por unë do t’ju kujtoj, se përpjekja e tij për të
ngritur në art të folmen e përditëshme niviciote, për t’a përjetësuar atë
artistikisht, është vërtet një punë e lavdërueshme. T’u thuhet turistëve që venë
e vijnë/Si pun’ e grekëve me Lakoninë/..Shkoni në Nivicë../Të shijoni humorin
dhe ironinë.
Këtu e
gjen shpjegimin fakti, se në të dy librat e Dionisit ka shumë krijime poetike,
apo në prozë të shkurtëra, tepër të shkurtëra, që më shumë u ngjajnë sentencave
filozofike, se sa krijimeve artistike.
Por këtu,
unë do të sugjeroja grupimin dhe botimin në libra më vete të poezive, të
skicave, esseve apo tregimeve. Grupimi i tyre në një libër, metodë që po bëhet
modë tek disa botues, sado mjeshtërisht që të jenë shkruar e renditur në botim, përsëri stonon.
Ullinjtë mbillen në ullishte, hardhitë mbillen në vreshta. Ç’kërkon një fik në
mes të pjeshkëve?
Dionisi shkruan
në dy gjini të shkurtëra:
a- Në
poezi. Dionisi shfaqet si poet i poezive të shkurtra, sentencore, apo poetizim
i shprehjeve filozofike popullore. Sado mjeshtërisht që i shkruan këto, përsëri
duhet thënë se te ky autor shfaqet në një nivel më të lartë, ajo që është më e
vështira.
b- Në
prozë. Proza e Dionis Kolës, ka në vetvete filozofinë popullore dhe moderne, të
shkruar me një humor të hollë, duke të mbetur në kujtesë për një kohë të gjatë.
Unë mendoj se pikërisht proza e tij, ka më shumë poezi se disa nga poezitë e paraqitura
në të dy librat e tij. Kjo për mua, përbën një sukses të shkrimtarit Dionis
Kola, sepse treegon se ai e ka kaluar fazën e “provës’’. Ai ende vazhdon të
jetë rob i të dy gjinive, i poezisë dhe i prozës. Por, po të shohim ecurinë e
autorit nga poezitë e librit të parë, në poezitë e librit të dytë dhe
gjithashtu ecurinë e prozës, nga libri i parë në të dytin, ndërsa konstatojmë
një rritje të zakonshme të poezisë nga vëllimi i parë te i dyti, admirojmë rritjen
cilësore të prozës, nga një libër te tjetri.
Dhe unë do t’i thosha mikut tim
Dionisit: -Dionis, ti je martuar me prozën, ç’ke që loz me poezinë? Kjo s’ka
asgjë të keqe, do të thoni ju. Kjo s’është
tradhëti.
Duke perifrazuar Oskar Uajlldin, do të
thoshim se: -Tradhëtar nuk është ai burrë që loz me gra të tjera. Tradhëtar
është ai, që nuk kthehet mbrëmjeve në shtëpi.
Luaj more Dionis, luaj me vargjet, por
mos harro të kthehesh mbrëmjeve te proza, në shtëpi.
Trëndafila dashurie mbi akull
Përsiatje rreth
vëllimit poetik
“Fryjnë erëra” të
Have Halitaj-Elezaj
Mjafton vetëm të mendosh
fjalën “kallkan” dhe menjëherë
parafytyron, ose diçka të ngrirë nga të ftohtit, ose së paku, një fushë
të mbuluar nga një dëborë e ngrirë, mbi të cilën fërshëllen era me një ulërimë
ngjethëse. Thua se ulërijnë njëqind djaj.
Mjafton ta përmendësh këtë
fjalë veç një herë, dhe nëpër trup të të kalojnë mornica e vetvetiu, të
kryqëzosh krahët e të mbledhësh trupin, si për t’u mbrojtur nga një frushullimë e një ere të ftohtë. Çdo gjë mund
të parafytyrosh pas kësaj fjale, por çdo gjë që parafytyron është ose e vdekur,
ose në vdekje.
Ndaj të duken tepër të
zakonshme dhe të goditura, vargjet e poezisë “errësirë kallkan”: “Era qan me klithma të egra/ errësirë kallkan”.
Dhe më pas sikur do t’a
plotësojë formatin e akullsisë, vijon me vargjet ngjethëse: “Ulërijnë në vesh ogurzezat/…Flakëzjarrtat
vetëtima/ spërndritin errësirën kallkan/….e digjen yjet në shuarje nga të
ftohtit kallkan”.
Të duket se po ecën nëpër
akull…
Duke qenë se më parë patëm
lexuar poezinë e çeljes së vëllimit “Shfryjnë erëra”, e cila na prezantoi një
stinë plot erëra çmendurake, duke qenë
se mardhëm ne dhe mendimet tona te “errësirë kallkan”, dhe ca më tepër poezia
tjetër “mallkim”, na jep një panoramë të ferrit dantesk, të krijohet përshtypja
e parë, se leximi i këtij libri do të jetë
si një shëtitje në varreza, një ditë dimri, plot ngricë dhe erë të ftohtë.
Dhe parafytyron lexim epitafësh, ose më e shumta, një kushtim post-mortem.
Sepse, kurrsesi në këtë akullnajë, nuk shpreson që
të ketë mbetur gjallë ndonjë filiz jete. Prandaj befasohesh dhe nxiton të ngrohesh pak te “sytakim”, aty
ku: “sydritë e syzjarr u takuan”.
Shikoni pak miq, nuk u takua as “sorkadhja me
luanin”, as thëllëza me fajkoin, as lumi me detin. U takuan sytë e zjarrtë dhe
sytë e ndritur. S’di pse më kujtohet një fjalë që thotë: “Dashuria fillon nga
sytë, dhe fatkeqësisht….. te sytë mbaron”.
Tash digjen bashkë/dritëezjarreflakë.
Me këtë gjetje kaq befasuese,
autorja të përgatit për supriza të reja, duke të përmbysur komplet
parafytyrimin fillestar, të zymtë e të ftohtë, të trishtë si një varrezë.
Ndonëse: “Vetullarënë natyra turfullon/
ftohti hekurt kallkan/mbretëron”.
Dhe mbi këtë të ftohtë,
ngrihet autorja dhe declamo:
Malet flakë le të digjen/…Ti mos u largo.
Sepse:..Digjem në zjarrin tënd/në ëndrrat e tua lodroj.
Çuditërisht peisazhi ndryshoi
si me magji, u zhdukën akulli dhe të ftohtit dhe era sjell aromë trëndafili. Të
duket, se je në një trëndafilishte.
Kalon sa në një trëndafil te
tjetri dhe s’di tek cili të qëndrosh.
Sepse te këta trëndafila, nga
sytë e hënës së dashuruar pikojnë yje.
Dhe këta trëndafila, kanë të
shkruar në petale disa emra të dashur për autoren nga Peja, disa emra që më
shumë se pjesë e familjes dhe e biografisë së saj, janë rrënjët dhe lulet e
pemës së jetës së saj. Të asaj peme, që i qëndroi përballë dhe i rezistoi, si
furtunave dimërore të një jete nën pushtim, ashtu dhe kallkanit të një genocidi
primitiv.
Dhe jo vetëm që i rezistoi si
gjallim, por ajo që ka më shumë rëndësi, është fakti se i rezistoi me dinjitet
dhe personalitet.
Shfaqje e këtij personaliteti
është dhe ky vëllim poetik, ardhur në Sarandë nga Shtutgarti, dhe të cilin,
miku im Timo Mërkuri, insistoi që t’a lexoj.
Unë e lexova vërtet me vëmendje
dhe kënaqësi, gjithnjë e në rritje.
Dhe në rast se, ndokush do të
më kërkonte që me pak fjalë të thosha diçka portretizuese për këtë poete, unë
do t’u thoshja miqve të mi poetë, që të presin dhe të mirëpresin surpriza të
reja nga kjo simotër e tyre kosovare. Gjithsesi, surpriza të këndëshme.
Por le t’u marrim erë trëndafilave
poetikë të këtij vëllimi:
Hidhmë njatë shikim/me njata
sy/thëngjij zjarri… Përqafomë/nga afër ta ndjej vetëm një çast/ në kraharor vullkanin….dhe mos fol asgjë.
Gjysma ime/ në brendinë tënde përvëluese/ ndonjëherë edhe
tulatur rri.
E kush mund të largohet nga
një trëndafilishte e tillë vallë? Dhe po deshe të largohesh: -Mos u buzëqesh luleve/ e valës së lumit mos
ia pëshpërit hallet/….po deshe të më harrosh/ harroi pra perënditë.
E pra miq, të gjithë e dimë,
të harrosh dashurinë është si të harrosh perëndinë. Aq e pamundur është. Sepse
vetë dashuria, është një dhuratë perëndie. Sepse tjetër gjë është të largohesh
dhe tjetër gjë është të harrosh.
Largimi është i shpejtë, harrimi
është i pamundur.
Dhe këtë e thotë një vajzë,
që rinia e saj …u përshkua furtunshëm. Prandaj nuk është një deklaratë, por
është një konkluzion.
Thashë më sipër se, vëllimi
nis me akullnajë dhe kallkan. Dhe të kuptojmë se më shumë se sa akull dhe errë
e ftohtë shtigjeve e brinjave, është fjala për akullin e kallkanin shpirtëror,
që na imponohet. A nuk të shkakton mornica në trup edhe një shikim i shtrembër
i një njeriu që do, dhe nga i cili pret dashuri? Kallkani i një shikimi qenka i
tmerrshëm. Por një klithmë e tipit “alt”, a nuk e ngrin jetën në vend, si
shikimi i Meduzës? Nëpër këto klithma ka rendur autorja dhe jo vetëm
poetikisht, por ajo që mësojmë nëpër vargje, është fakti i një rendjeje reale.
Një rendje, jo vetëm për të shpëtuar jetën, por dhe një rendje për të shpëtuar,
dhe mbi të gjitha, për të rritur një dashuri. Të njoha rininë rebele/ të pashtruar veç dashurisë, pëshpërit ëmbëlsisht autorja, te poezia aq
njerëzore që nis me fjalët e gjithë vajzave të botës, me fjalët: “Trimi im”. Po mërgimi a nuk është një
mardhje e shpirtit dhe e shpresave, a nuk rrinë ëndrrat të tulatura, si gruri
nën dëborë, në pritje të pranverës së kthimit? Dhe ëndrrat arratisen e vijnë në
vendlindje, ashtu siç shtegëtojnë zogjtë, viseve të ngrohta. Dhe bën shumë
ftohtë në Shtutgart të Gjermanisë për këtë çikë Kosove.
Ndaj ajo mbajti e rriti në
zemër, si nëpër sera moderne, trëndafilat e ëndrrave të saj, të cilat i mblodhi
në një tufë (në vëllimin e saj të parë poetik), dhe na i dërgoi ne.
Dhe unë, duke marrë aromën e
tyre me vehte, po i rikthej në shenjë mirënjohjeje dhe urimi bashkë, kësaj
poeteje të re, si një karafil, nëpërmjet jush dhe Fjalës së Lirë, këto shënime
çasti.
Ç’faj bëmë
Për këtë mallkim
Tretur vendit tonë si jetimë.
Një grusht dhe të kishim…
……………………………..
T’u tregojmë fëmijëve
Se është diku një parajsë
Që i thonë vendlindje.
Lexova këto vargje të poezisë
“Mallkimi” dhe s’di pse, ndërsa shpirti
më angushtohej, m’u kujtua poezia e Çajupit…Dërgomë një grusht me baltë/Ta puth
e të kërej mallë/… Dërgomë një gur dërgomë/Ta vë jastëk nënë kokë…
Dhe në fund të fundit, si një
pyetje drejtuar Zotit a fatit, rilexova dhe njëherë vargun e parë, por këtë
herë duke e ndryshuar pakëz në…Por ç’dreq faji kemi bërë/për këtë mallkim. Pse
jemi shndërruar të gjithë në Moisi që ecim e ecim nëpër botë, e s’mbërrijmë
kurrë kur duhet, në parajsën tonë që i
thonë vendlindje?
Po të lexojmë ciklin e
këngëve popullore të kurbetit, i cili zë vëllime të tëra, që nga këngët stërshekullore “O Stamboll të rëntë zjarri”
ose “O vapor, o dhogë e thatë” dhe deri tek libri i fundit që kemi në duar i Have Halitaj-Elezaj, të
duket se ecën nëpër një kohë me …lotë. Me lotë e me mall. Me një mall të
pashuar, i cili në fakt është i vetmi diell që ngroh … jetën e mërgimtarit
shqiptar.
Do të vij
…………
Aty ku shpirti më qetohet
Dhe hithrat e tu të harlisur
Më bëhen dafina.
Mos vallë ju kujtohen vargjet
e Çajupit “Ku më duket balta/Më e ëmbël se mjalta/Në Shqipëri”.
S’e keni gabim. Edhe mua këto
vargje m’u rimuan në mendje, duke specifikuar një sintezë atdhedashurie të të
gjithë brezave mërgimtarë të kombit tonë.
Breza mërgimtarësh, që kurrë
nuk harruan se: ..përtej maleve, përtej deteve, është vendi i tyre.
Kaptova male e fusha e dete
E koka pas më mbet
Gjysma ime atje
E tjetra këtej.
Dhe si për ta plotësuar
portretin shpirtëror, vijon prekshëm në vargjet e tjera:
Flija me kukuvajka
E zgjohesha me zogj
E zëri i nënës më vinte
jehonë.
Duke na dhënë me këto
penelata të holla, një botë të tërë malli e dhimbjeje.
Sado larg të jem
Me ty jam e me mua je
Kosovë…
gjëmon si një simfoni
bethoviane, ideja e mosndarjes dhe e mos’harrimit.
Dhe mërgimi larg atdheut, rrit
dhe forcon edhe ndjenjën e bukur të dashurisë dhe solidaritetit familjar, si
shtegu i vetëm i të ardhmes së dëshiruar:
Dua dhimbjet të t’i largoj
…………………………
Me ty
Akordoj ritmin e frymëmarrjes
Përgjithnjë.
Dhe do kisha dëshirë t’ju
citoja një poezi, që s’di pse më pëlqeu më shumë te ky libër, duke ndarë me ju
kënaqësinë e provuar në të:
Dua të më flasësh
Siç u flitet luleve në
kopësht
Kur u bie rrezja pas shiut
Të më shikosh
Në dritën e syrit
Me dritë në çastin e mendimit
Dua në të njëjtin qiell
Ëndrrat e mosëndrrat tona të
takohen
E të ngrohen nga po ai diell
Ne, ti përkasim të njëjtës
botë.
Dhe më lini t’ju kujtoj, këto
vargje plot dashuri e dritë Shqipërie, janë shkruar nga një vajzë Kosove në
…mërgim, në Gjermani.
Dhe unë ju paraqita vetëm një
aspekt të kësaj krijimtarie, mërgimin, duke ju lënë ju të admironi botën e saj
të pasur, shpalosur te ky vëllim poetik, nëpër konture lotësh e dhimbjeje
njerëzore.
Epoka që verbon
poetët
Përsiatje mbi një cikël poetik të Sabit
Idrizit.
Ftesës sime, për të ardhur si
mik i Artit Jonian, poeti Sabit Idrizi që nga Mitrovica iu përgjigj me një
cikël poetik, leximi i të cilit, varg pas vargu e poezi pas poezie, më tronditi
dhe m’i arratisi fjalët. Ashtu në heshtje, ia nisa ciklin me e-mail poetit Agim
Mato, me një shënim të shkurtër:- Lexoje
vetë dhe nise për publikim. Menjëherë!
Poeti Agim Mato, të nesërmen,
pas publikimit të ciklit te blogu Arti Jonain, më merr e më thotë në telefon,
me një zë të tjetërsuar:
-Ende jam i tronditur nga
cikli i Sabitit, jam tepër i prekur nga fati i tij. Po pse vallë, poetët do t’i
heqin gjithë hallet e brengat e kësaj bote. I bëra një koment të vogël, se më
tej nuk shkruaja dot.
Ndjenjat që ia trandën
shpirtin nga ky lexim, e dëshmonte më së miri komenti i tij me fjalët: - Dhimbja
nuk komentohet, vetëm ndjehet, o vëlla i largët e i afërt, dhe e ndjeva boll
për të qenë vëlla dhimbjesh.
A.Mato
Këtu Agimi ishte më se i
sinqertë, kur thoshte se e ndjeu dhimbjen. E kush më mirë se një poet, do ta
ndjente dhimbjen e një poeti? E kush më shumë se një sivëlla poet, do t’i bëhej edhe vëlla
dhimbjesh një poeti tjetër? Unë do t’ju ftoja dhe juve t’a lexonit këtë cikël
te blogu Arti Jonian i portalit Fjala e Lirë, ndërtuar e drejtuar nga miku ynë
Fatmir Terziu, si vend ku lirshëm mund dhe duhet të shkëmbejmë fjalë zemre. E fjalët e zemrës, më
së pari burojnë nga zemrat e plagosura, si zemra e mikut tim nga Mitrovica,
Sabit Idrizi.
A thua nuk mjaftuan për Sabit
Idrizin, dhimbja e Kosovës së martirizuar e sakatuar, që t’i shtohej edhe një
tjetër, e cila tentoi t’ia shkurtonte rrugën e jetës e ta rrëzonte për tokë.
Se rruga e jetës, bëhet me
bashkëudhëtaren që e ke zgjedhur e të ka zgjedhur.
Vetmia të vret.
A nuk mjaftoi për Sabit
Idrizin, dhimbja e plagës së pambyllur të Mitrovicës, që vazhdon ende e rrjedh
qelb, e jo ujë, te ura e Ibrit. E pse i duhej Zotit dhe një plagë e tij, që t’i
kullonte prej zemrës së çarë katër copash, gjak e lot e vargje?
Pash Zotin Sabit Idrizi, me
gjak a me lot i ke shkruar ato poezi, që ka dy ditë e s’po më lenë të fle
gjumë?
E kujt ia the ato fjalë “dorëzimi”,
si një klithmë dëshpërimi, si një amanet?
Ndonjëherë kur të
kesh kohë me bollëk
Ktheji sytë edhe kah
fëmijët e mi
E shihi si vdesin nga
dash (uria)
Të lutem shumë atdhe
M’u hëngër mëlçia
Nuk jam më
Promethe...
E po unë të them se këtu
gabohesh miku im, gabohesh rëndë! Ndaj mos e fol atë fjalë! Ti, dhe gjithë
poetët si ti, që “ju hëngër mëlçia” e zemra bashkë, janë më shumë se një
Promethe i gozhduar në shkëmb. Sepse,
shqiponjat e zotave dhe të “palo zotave”, që na copëtuan shpirtin, nuk
na e vranë dot vargun dhe shpresën, që ai mbart mbi shpinë. Shpresën për sot e
për nesër. Për ne e për fëmijët tanë.
Zeuzi “vdiq” e s’i dihet as
varri, por Eskili që shkroi për Prometheun, mësohet fjalë për fjalë. Dhe sa për
atdheun, eh miku im, ne kemi një atdhe që gjithmonë kërkon nga ne, se nuk e lenë
hallet dhe dertet të na japë gjë tjetër, përpos krenarisë. Por gjithsesi ne e
duam, kështu të dobët e të pakët nga shtati. E duam të jemi me të, në jetë dhe
në vdekje të jemi në të. Të jemi pjesë e tij. Ti Sabit, kurrë më s’ke për t’u
larguar nga Mitrovica, si do që të vijë puna. Se dhe të duash të ikësh, do të
të pengojë dora e Hajries, që zgjatet që përtej asaj bote e të ndal hapin. Dhe fëmijët e tu, do të venë e do
të vijnë ku t’i kërkojë jeta, e do të mblidhen t’i sjellin lule nënës së tyre,
te vendprehja e saj. Jeta juaj, do endet si anijet nëpër oqeane, por Mitrovica
do të jetë limani juaj i shumëkërkuar.
Po përsa i përket vargjeve të
tua, nuk e di si e mendove ti, kur m’i nise. Ndoshta mendove se po i merr
për dore si fëmijët, për t’i çuar në përvjetor te vendprehja e nënës së tyre, për të vënë një tufë lulesh. Por mua më duket se të marrin
ato për krahu, siç mbajnë fëmijët e burrëruar, atin e tyre të drobitur nga
mosha e brengat, që të mos rrëzohesh në
rrugë. Që të mos i falesh dhimbjes. Se janë rritur vargjet e tua Sabit, dhe
fëmijët po të rriten çdo ditë. E t’i kanë zili bota, edhe vargjet, edhe
fëmijët. Krenohu me ta, miku im. E mos e lejo dhimbjen të të mbulojë, siç mbulon ujët anijen e porsambytur.
E mos rri në heshtjen
shurdhuese të vetmisë e të mënjanimit. Dhe po je rrëzuar në humnerën e
trishtimit, ndërto një shkallë me vargje e ngjitu deri tek ne. Shkallë me
vargje të tilla brilante. Më të forta se litarët. Më të forta se kavot e çelikta
detare.
E përsa i përket asaj anijes
me ëndrra, që thua se qetësisht po
fundosej, unë po të them që pash më pash ti biesh detit të dhimbjes e të dalësh
në breg, ku të pret e nesërmja.
Eh, miku im.. Më ler t’i citoj dhe njëherë fjalët që i the
Hajries, tek ajo bisedë e fundit, se e di që ty s’të lënë lotët dhe ngashërimet
t’i përsëritësh.
Kësmet
Posa t’ia japë syri i
pranverës (më tha)
Do t’ia nisim
shtëpisë
Po (ia ktheva) do ta
ndërtojmë një shtëpi të re
Ndoshta deri atëherë
(vazhdoi ajo me gjysmë zëri)
Do të punësohet bile
njëri djalë
Po (ia ktheva, i
bindur se po e gënjeja) do të punësohet njëri
Posa ta ndërtojmë
shtëpinë (i shkëlqyen sytë nga gëzimi)
Do t’i marrim dy nuse
të mira
Po (ia ktheva) do t’i
martojmë të dytë përnjëherë: Ramadanin dhe Liridonin
Do të na mbushet
shtëpia plot me nipa e mbesa (u fundos ajo krejtësisht në pellgun e ëndrrave të
veta)
Ani kur të na vijnë
edhe ata të Linditës, të Albanës...
Po (ia ktheva) do
të... (dhe dola jashtë e ia plasa vajit)
Kur u ktheva sërish
në dhomë
....
Po fundosej qetësisht
një anije me ëndrra...
Ti, miku im i largët, me
siguri që do ta ndërtosh shtëpinë që i premtove, do t’i punësosh fëmijët, e
dasmat do t’ua bësh të bukura. Dhe mos mendo se ato ditë dasme, Hajria nuk do
jetë aty. Ajo do të jetë, me siguri që do të jetë aty. Pranë teje, e shndërruar
në një këngë të bukur dasme, do vërtitet si flutur në vallet e çikave. Unë të
siguroj, se buzëqeshja që do të kenë fëmijët e tu atë ditë, do jetë dhuratë
dasme nga nëna e tyre.
...dhe, s’ke pse del jashtë
për t’ia plasur të qarit.
Lotët e dhimbjes së shpirtit
nuk janë turp, ato janë fisnikëri.
E dhimbja jote, është më e
madhe se e njerëzve të zakonshëm, sepse është dhimbje poeti. Dhe poetët, vuajnë
shumë në vendin tonë, për njerëzit dhe për vendin tonë.
Pak kush e kupton shpirtin e
poetit me atë oqean ëndrrash e shpresash të trazuara brenda tij. Ndoshta,
ndoshta sepse poetët janë si profetët. Njerëzit e vegjël, preferojnë “Barabanë”
hajdut e vrasës në vend të Krishtit profet. Prandaj e kryqëzuan në Golgota. Më
pas e besuan dhe e kërkuan, por gjëma ishte bërë. Kam ca kohë që mendoj, se
edhe Homerin, me siguri, ndonjë mbret do t’a ketë verbuar. Nga zilia për artin
e tij, se ndonjë qese floriri për t’ia vjedhur, mos mendo se ka patur bardi i
verbër. Ashtu si Sokratin e lashtë, që e dënuan të vetëhelmohej, vetëm se qe më
i dituri i Athinës.
Por cili fat i zi t’a verboi
dhe ty gëzimin, duke të bërë shok fati me të pavdekshmit?
Ashtu siç e thua ti, te
poezia Kusht:
Po m’a gjetët një
epokë që s’u përpoq t’i verbojë poetët
Do t’jua jap sytë e
tyre që të shihni në përtejkohë
Po ma gjetët një të
tillë që s’u mundua t’i vrasë ata
Do t’jua jap jetët e
tyre të gurëzuara nëpër kështjella metaforash
Që edhe ju ta merrni
guximin
E t’ia tregoni
bërrylin vdekjes
Është e vërtetë miku im, që
çdo epokë ziliqare përpiqet të verbojë poetët, që ata të mos e shohin zezonën
njerëzore. Por harrojnë se poetët, edhe ashtu, të verbër, janë homerikë, që
shohin dhe ato që s’i shohin as ...perënditë.
Ne miku im, vdesim ditë për
ditë e ringjallemi nëpër vargje.
Prandaj jemi të pavdekshëm,
sa na e kanë zilinë dhe zotat. Ne s’kemi nevojë të gjejmë laboratorin
“shpresa”.
Ne shpresën e kemi me vete
dhe e shpërndajmë kudo nëpër botë.
Ne vetë jemi shpresa , jo
vetëm e vetvetes, jo vetëm e fëmijëve dhe familjeve tona, por ne jemi shpresa e
gjithë kombit.
Pas këtyre që thashë, miku
im, po të ripërsërit edhe njëherë e-mail-in që të dërgova si përshëndetje, kur
iu përgjigje ftesës sime, për të ardhur si mik te Arti Jonian:
-Patsh këmbën e mbarë, miku im, se
zemrën e di që e ke të bardhë dhe penën të artë.
Historia që s’duam
t’a lexojmë
Përsiatje rreth librit
“Intervista me vajza të mira”
të Daniel Gazullit
Kur në vitin 2008, te vëllimi
im poetik “Anatomia e lotit” botova poezinë “Vajza i punon në Milano” me vargjet ….dhe ai në qytet ndërtoi/ një
shtëpi të re. Të bukur/Vetëm dritaret i bëri pak të vogla/ Si sy të ulur nga
turpi”, dëshirova me gjithë shpirt, që kjo poezia e imja, të mbetej e vetme në
llojin e saj. Të lexohej dhe të harrohej, ose edhe të mos lexohej fare. Të
shteronte ose më saktë, të mos egzistonte më kjo temë.
Dhe vetë, bëra çdo përpjekje
për të mos e kujtuar dhe propaganduar, madje nuk e lexova në asnjë manifestim
poetik, thua se nga moskujtimi im, ajo nuk do të egzistonte.
Dhe kujtova se ia arrita
këtij qëllimi.
1-Por u desh të më binte këto
ditë në dorë libri i mikut tim Daniel Gazulli, me titull “Intervista me vajza
të mira”, që brenda meje të pësoja një tronditje, thua një tërmet shtatë
ballësh, që të rrëzonte bedenat e iluzioneve dhe të më servirte rresht pas
rreshti e faqe pas faqeje, shëmtinë e vilave shumëkatëshe të ngritura kudo nëpër
Shqipëri dhe zezonën e Benz-ave, që rrëshqasin nëpër rrugë, si gjarpërinj.
Dhe sikur t’a kishte shkruar
këtë libër enkas për mua, për të më shembur iluzionet, që unë doja të
ngrija brenda vetes sime, intervistat i
fillon pikërisht me …vajzat që punojnë në Milano:
-Vetëm familja jonë vazhdonte të jetonte ( në fshat) në një kasolle të
gjatë, në një pjesë të së cilës mbanim lopën…
…Sot e kësaj dite, vazhdoj të bëjë atë “punë”. Nuk di të
bëj punë tjetër. Tashmë jam mësuar,nuk më bën më përshtypje….
….E shikon se ç’vilë
të bukur kemi tani!
Tronditëse. Është si të pish
një kupë me helm dhe të të dridhet trupi
nën efektin e tij.
E pra, ju vëllezër e
baballarë, nëna e motra, që keni vajzat që …punojnë nëpër “Milanot” e Europës,
pijeni deri në fund këtë kupë helmi, dhe mësoni se si e filluan këtë “punë”,
bijat dhe motrat tuaja…
…Atëherë në shtëpi ia behën “miqtë” e Fisnikut (të shoqit) dhe e
…përdhunuan dy ditë e dy netë me rradhë.
…Nuk patëm kohë as të ngriheshim nga krevati ku flinim të
dyja bashkë, pse të tre djemtë na u hodhën sipër dhe … na përdhunuan. Kështu
për tri ditë e tri net me radhë, një herë njëri e një herë tjetri.
…Punoja natën e pushoja ditën.
…Ke
gjithnjë të njëjtin “boss”? Jo, më kanë “shitur” dy herë, por njoh dhe vajza që
janë shitur 4 apo 5 herë.
…Ka qenë
im kunat, ai që më detyroi të rinisja këtë punë…
…Më çuan
në postën kufitare. Më kanë përdhunuar për katër netë e tre ditë. Rrezikoja
edhe të vdisja, aq të dhunshëm ishin e nuk donin t’ia dinin fare që shpesh më
binte të fikët…
2- Këto janë dëshmitë e vetë vajzave të
intervistuara, këto janë dëshmitë tronditëse, që i kemi dëgjuar dhe s’kemi
dashur t’i besojmë.
Këto janë, në fakt, gurët e themelit të atyre
vilave shumëkatëshe kudo nëpër Shqipëri, në Jug e në Veri, në fshat e në qytet.
Vila të ngritura me paratë e
…vajzave, që punojnë …prostituta. Mos më
thoni që prindërit, vëllezërit dhe
motrat nuk dinë gjë. Heshtin dhe s’bëjnë gjë, këtë po, e pranoj.
A ndoshta edhe faktin se
s’mund të bëjnë gjë, në gjendjen në të cilën janë, apo edhe faktin se ka patur
edhe raste, që vetë familja i ka …nisur në …këtë punë. ( Një ditë u zemërova aq
shumë, sa që iu drejtova me zë të lartë: -A do që të punoj si ato? A do? Ajo
(nëna) e qetë, ma ktheu: -Ç’ka pret?).
Çdo gjë e pranoj dhe e justifikoj, por jo se
familjarët s’dinë, se nga dhe se si
vijnë ato para..
3-
Doni të dëgjojmë pjesë nga intervistat me këto vajza, për
t’u bindur për sa ju thashë më sipër?
Dëgjoni miqtë e mi…
…ai që më mori i pari në telefon, ishte
babai. Në fillim edhe tinëz nënës…Tash kishte edhe para, që të mund të më telefononte. E të bleu shtëpi në fushë, bleu tokë, bile edhe veturë. Tre vitet e fundit shkoj dy herë në vit në Shqipëri. Më
presin e më përcjellin si… mbretëreshë.
Se unë,…”punoj”.
….E ëma kishte
dyshuar për këtë ndryshim të vajzës….Ja ku solli edhe paratë, që të paguante
borxhet. Por Marjanës nuk i tha gjë. Bënte
sikur e besonte.
…Dëgjohemi…sidomos kur
ngelet ngushtë për para (babai)….
Ato “punojnë” dhe ne e dimë
se ç’punë bëjnë. Prostituimi quhet punë.
Unë nuk e di nëse kemi të
bëjmë me përdhosje të punës, apo me shenjtërim të prostituimit. Sepse tingëllon
pakëz si ironi, emërtimi “punë” i …asaj pune. Por ama, kur sheh të ardhurat e
siguruara nga “ajo punë”, vetvetiu të shkon mendja, se kjo është puna më e
leverdishme dhe më fitimprurëse. ..Vajzat ushqehen e vishen, u dërgojnë para
familjeve, sekserët sigurojnë fitime marramen-dëse, tepër marramendëse. Danieli
flet për dhjetëra firma, hotele e motele, karburante e makina, etj. Flet edhe
për nje kandidat për deputet, i cili fitoi zgjedhjet dhe u bë vërtet deputet. Ndoshta edhe më lart. Unë nuk
e di se kush është ai, sepse Danieli në libër nuk na e thotë emrin. Mos vallë
është ai që mbajti atë fjalimin e bujshëm në
parlament, për mbrojtjen e grave dhe vajzave nga trafikimi? Mos vallë me
atë frali, kërkonte monopolin e trafikut?
Më nxore punë pa punë more
Daniel, se që nga ajo ditë që lexova këtë libër, më ndryshe dhe më me këmbëngulje
i shoh deputetët, për të gjetur se cili është ai deputeti i trafikut të femrave
që shkruan ti. Dhe fjalimet e tyre, më ndryshe i interpretoj. Sidomos kur
flasim për luftë kundër korrupsionit, kundër prostitucionit, etj etj. Domosdo,
që në këto fjalime qëndron edhe sekreti i tyre, po hajde gjeje se...
Nuk e di pse m’u mbush mendja,
se kandidatët për deputetë të kësaj kategorie, kur dalin nëpër elektorat, dalin
të shikojnë për…vajza të bukura, të cilat i ndihmojnë të …punësohen …në Milano.
Dhe çuditërisht, gjithnjë në
prag fushatash, punësohen shumë…Ka një bum ofertash nëpër trotuarët dhe
bordellot e Evropës, dhe vetëkuptohet, që çmimi është në ulje në këtë …sezon.
4-
Kjo është e vërteta përvëluese, që të djeg si mashë e
skuqur kur e prek. Bëjmë çmos, për mos e prekur këtë mashë me damkën e turpit,
të gdhendur e të skuqur në majë.
Por nga shenja e saj, nuk
shpëtojmë dot si komb, vetëm e vetëm se nuk e prekim ne.
Na ka prekur ajo në ballin e emrit tonë dhe ngado që vemi,
na dallohet.
Na ka prekur pikërisht
aty, ku…dy gisht nder për midis
ballit/na i ka fal i madhi zot.
Lexova para ca kohësh në
gazetat tona, se mediat e huaja kishin shpërndarë njoftimin, se nëpër shtëpitë
publike në botë …“punonin” 30 mijë vajza shqiptare. Gazetat tona protestonin se,
…në fakt numri duhej të ishte… nja pesë a gjashtë mijë… më pak, thua se qeveria
jonë ka evidence të sakta … për bordellot e botës.
Ndoshta dikush do të qeshë,
por në fakt, të gjithë po qajmë me lotë shpirti.
Ky krim, nuk zhduket duke e harruar.
Asnjë plagë që ka mbledhur qelb, nuk shërohet duke
e fërkuar. Duhet marrë bisturia në dorë dhe i duhet rënë mes përmes këtij
çibani, dhe me forcë bile.
5-
Ato tmere që
kanë hequr këto vajza e gra të reja, të shndërruara nga njerëz me ndjenja, në
makina të thjeshta seksi paraprurës për sekserët…fatkeqësisht bashkëkombas të
tyre, në mos edhe të afërm në jo pak raste, ato lemeri që kanë përjetuar janë
të tilla, që s’ka penë në botë që i shkruan. Ne vetëm le t’i lexojmë si i ka
përvijuar Daniel Gazulli në intervistat e tij të shkurtëra, ose më saktë, në
ato copëza intervistash, ku vetëm emri i femrës ndryshon, se përjetimi është
pothuaj i njëjtë.
Dhe përpiqemi të
ngremë nga harresa, legjendat tona të mjegullta për kinse, nderin e
papërlyer të femrës shqiptare.
Përralla me mbret.
Mjafton të kujtojmë maskaçjerrësin Migjen, mjafton
të lexojmë “Intervista me vajza të mira” që e kemi në dorë, për të parë varrin e legjendës dhe për të
kuptuar shkakun e vdekjes së …moralit.
6-…Kush thotë se “është më mirë me vdekë, se sa me shitë
nderin”- thotë një rrenë të madhe…
…Unë nuk
kam shkollë, por një gjë e di mire: -kush nuk ka bukë me hangër të paktën një
herë në ditë, nuk është më njeri, por një vemje e shkretë, që mund t’a shkelin
të gjithë…
Njeriu shqiptar, ai, krenari i legjendave,
luftëtari, mikpritësi e bujari…nuk është njeri, por një vemje që mund t’a
shkelin të gjithë… Dhe kjo, vetëm e vetëm se s’ka një copë bukë të hajë, qoftë dhe njëherë në ditë.
Edhe në Kosovë, flitet për një numër të madh grash
dhe vajzash të përdhunuara nga ushtria serbe, por aty aktin mizor e kreu
armiku. Dhe për këtë, s’ka pse t’u vijë turp kosovarëve, të cilët vetëm për
këtë krim heshtin e nuk flasin. Turpërimi është një armë lufte dhe është
përdorur nga të gjitha ushtritë pushtuese, për të mposhtur moralisht
rezistencën.
Por si t’ia bëjmë ne, që asnjë pushtues nuk na
sulmoi. Na sulmoi vetëm …varfëria. Ajo,
e padukshmja, ajo kafshata që s’kapërdihet.
Uria mposht edhe luanin, dhe ujkun e kthen në një
“qengj të urtë”, për sa kohë që është në kthetrat e saj.
E ç’mund të themi pas deklaratës së mësipërme të
një prindi, që jetën dhe mbijetesën e tij dhe të familjes e bazon, te …”puna e së bijës në…Milano”. Cili
nga këta prindër dëgjon televizorin, që gjëmon për përparimin e vendit etj etj.
Ai nuk e
di, se me sa përqind u rrit ekonomia e vendit, sepse në fshatin e tij, ai e
sheh që askush nuk i punon tokat.
Ai nuk di asnjë nga këto. Dhe
në fakt, nuk i interesojnë fare.
Ai numëron minutat e ditës
dhe llogarit, se sa …klientë mban e bija,
atje larg.
Dhe trembet se mos vdes nga
…”puna “ e shumtë. Trembet se, sidoqoftë e ka fëmijën e tij, dhe çdo lot i së
bijës, është një plumb për zemrën e tij të drobitur. Por ai e ka zemrën të
fortë, edhe sepse, ka dhe disa …fëmijë të tjerë, që duhet t’i ushqejë e ai s’ka me se.
Sa herë është lutur të vdesë,
sa herë. Por edhe vdekja qenka e padrejtë. Nuk merr atë, prindin që s’ka të
ushqejë fëmijët, por vete merr ata, që gjezdisin me benca nëpër botë.
As jeta, por dhe as vdekja, s’qenka e drejtë në
këtë vend.
E ai pret datën e caktuar, kur lotët e së bijës,
të konvertuar tashmë në euro, i vijnë në bankë. Ajo ditë është shpëtimi i pritur. Së paku për fëmijët
e tjerë, se ai ka kohë që ka vdekur shpirtërisht. Pret vetëm, ditën e varrimit
të trupit.
7- Por ne të tjerët nuk i dimë këto. Ne i shohim
kur vijnë ndonjëherë me pushime, pas asaj stërlodhjeje fizike e shpirtërore dhe
fjala e parë që themi me zë ose me vehte, është fjala “prostitutë”, ose edhe më
shqip.
Por Daniel Gazulli, nuk është
dakort me ne.
Ai i quan ato thjesht dhe
qartë…vajza të mira…
Po Daniel Gazulli, ato janë
vajza të mira.
Ato janë vajza të mira, sepse
sakrifikuan rininë, lumturinë dhe jetën e tyre, që vëllezërit dhe motrat më të
vogla, apo edhe prindërit e pamundur fizikisht, të mund të jetonin në këtë
vend, që ne e quajmë atdheu ynë, por që nuk u bë kurrë edhe atdheu i tyre.
Ky vend që ngeli përherë
njerkdheu, apo edhe thjeshtërdheu për këto vajza fatkeqe, të cilat sakrifikuan
gjithçka ka në botën shpirtërore të njeriut. Dhe përse vallë?
Të kishin vëllezërit e motrat
një çati mbi krye, të kishin bukë dhe diçka më shumë se buka në sofër, të
blenin libra dhe të shkonin nëpër shkolla. Të mësonin motrat dhe vëllezërit më
të vegjël, për ti dalë zot jetës. (Ti do vazhdosh shkollën,kurrë nuk do bësh
këtë që bëj unë, i thotë njëra prej këtyre vajzave të mira, motrës së saj më të
vogël , të cilën e mori me vehte në Itali.)
E pra, ato sakrifikuan vehten
për familjet e tyre.
Për të jetuar pjesëtarët e
familjes si njerëz në këtë jetë, që ato e jetuan si…kafshë seksi.
Ato e sakrifikuan jetën e
tyre, ndonëse me përdhunë në nisje.
Ato u martirizuan për
familjet e tyre.
8- Dhe si çdo martir, edhe
ato kanë të drejtën e një vend përkujtimi.
Sikur ne, more miku im Daniel
Gazulli, të shkojmë vilë më vilë, tek vilat e ngritura me paratë e
dërguara prej tyre, të fituara
prej…”punës” së tyre dhe të marim… vetëm nga një tullë, ose nga një bllok
betoni te secila, e këto t’i hedhim në atë vend përkujtimi, unë të siguroj se
do të ishte ngritur një muranë, shumë herë më e lartë se monumenti “Nënë Shqipëri”.
(Them muranë, sepse jemi ende
shumë larg të pranuarit, të ngritjes së një monumenti për këto vajza, diku në
breg të detit, prej nga niseshin skafet si varkat e Karontit.)
Dhe kjo muranë, të siguroj unë se do të ishte
vend pelegrinazhi pendimi, për të gjithë shqiptarët.
Ajo nuk do të na turpëronte
si komb, të siguroj unë. Ajo do të na nderonte.
Por së pari, le t’a ngremë
këtë muranë në zemrat tona.
Këtej le të fillojmë.
PJESA E TRETË
SI T’A VRAS VËLLAIN?
Letër mikut tim Daniel Gazulli në Lezhë
I nderuar mik!
Po të qaj hallin si miku-mikut,
si burri-burrit (jo si vëllai-vëllait) e po të them se, kurrë më ngushtë se sot
nuk kam qenë.
Zoti dëshmitar, vetëm ndihma
jote më shpëton.
S’po të kërkoj pare, se s’kam hall për to. S’po të
kërkoj mall e gjë, se e di që edhe ti s’ke për vehte, por edhe mua s’ma
zgjidhin hallin.
Veç një fjalë po të kërkoj, nga ato fjalë që
vlejnë më shumë se floriri. Një këshillë more mik, nga ajo urtia shekullore e
popullit tim, që ti e ke qëmtuar nëpër shekuj dhe e ke grumbulluar nëpër fletë
letre, dhe e mban aty në Lezhë. Nga ato qindra e mijëra fletë që ke grumbulluar,
të lutem, shkëpute një për mua e ma dërgo një këshillë a së paku, një fjalë.
Edhe një fjalë e vetme, bën punë more mik, se edhe dielli një është, por e
mbushi tokën me jetë.
Po që të mos m’a dërgosh fjalën tjetër për tjetër,
po të kallëzoj hallin që kam, e mandej, te ai thesari i madh që ke grumbulluar
dhe po e mban te shtëpia jote, e s’e din kush, zgjidhe atë fjalën a këshillën e
duhur e ma dërgo. Dhe po s’ta shpërbleva dot ndonjëherë, bëje të mirën e hidhe
në det, po s’ta diti i zoti, t’a din Zoti vetë.
Kështu e thoni ju andej nga Lezha këtë fjalë të mençme,
apo jo?
Halli që kam unë, mos e pastë kush tjetër në këtë
botë e po ta kallëzoj si e qysh.
Ka ca mote e baba na la. Jo
nga tjetër gjë, veç nga pleqëria. Kishte punuar gjithë jetën, për të na rritur
mua e tim vëlla. Një copë tokë qe e gjithë pasuria e tij, me atë na rriti dhe
atë na la trashëgim, bashkë me amanti, që të ruanim vëllazërinë e të mos e
ndanim as tokën. Me lot në sy, iu betuam se do t’ia mbanim amanti, e po me lotë
në sy shkuam tek toka arë, unë e im vëlla, direkt pasi e përcollëm babën për te
Zoti.
- Tokë e mirë dhe e bekuar, -
e mori fjalën im vëlla. Këtë vit do t’a
mbjellim me misër. Kanali po sjell ujë, misri po do rritet një bojë njeriu. Do hamë ne, do
hajë edhe bagëtia. Do bëjmë bukë koromane misri të ngrohtë e do e hamë me
djathë. Si do Zoti do jemi e do jemi! Pastë dheun të lehtë baba, që na la këtë
goxha pasuri!
- Dale more vëlla,- ndërhyra
unë- mos u nxito! Le ta pleqërojmë mirë punën. Unë them, që ta mbjellim me
grurë. Grurin po do e bëjmë miell, miellin po do e bëjmë petulla, petullat po
do i ngjyejme në mjaltë. Po ka lezet kështu more vëlla, ka lezet të hash
petulla me mjaltë. Dhe babai do kënaqet, kur të na shohë që nga lart nga
parajsa…
Ç’ta zgjat o mik më tej!
Valoi muhabeti; jo misër jo grurë, jo petulla e jo koromane kallamboqi, e siç
kuptohet vetiu, pas muhabetit valoi dajaku. Rrëmbyem nga një hu gardhi dhe ia
nisëm mbi njëri tjetrin; unë bam, ai babam.
Pasi u lodhëm me bamebumet,
me hu në dorë, u ngulëm në dy anët e parcelës, duke iu hakërruar njëri-tjetrit
me: -Po t’a mbajti hajde, dhe mbille arën me atë që thua ti, pa të shikosh se ç’do
të të punoj.
Tani ti do thuash, pse të mos
e mbillnim arën një vit me misër dhe një vit me grurë. Kështu edhe bëhej
qarkullimi bujqësor edhe prodhimi rritej.
Mirë e ke ti more mik, po
problemi është se, ne shqiptarët, nuk e kemi zakon t’i hapim rrugë njëri -tjetrit.
Se mos erdhi ndonjë …eskimez, psh, që të na thoshte që ta mbillnim tokën
me…foka deti dhe ne s’i dhamë hak.
Po t’i hap rrugë vëllait tim?
Pse ore, më i ditur se unë është ai? Ai, i tilli dhe i këtilli.
Po për inat të atij, unë nuk
e lë të mbillet toka me misër…
Se ne shqiptarët, e kemi të
madh inatin me vëllain. Me hasmin edhe pajtohemi, ndonjëherë edhe në mes të
luftës, po me vëllanë s’ka pajtim, pa i nxjerrë themelet e shtëpisë.
Po se mos vetëm vëllai me
vëllanë! Keq e mban inatin edhe motra me vëllanë. E ke vënë re zotrote, i thotë
vëllai i merakosur motrës, që ka bërë një zgjedhje të gabuar, nisur vetëm nga
bukuiria e jashtme: -Moj motër, ai djalë që shoqërohesh nuk është për ty. Ti
mund të zgjedhësh një tjetër më të mirë etj etj.
I përgjigjet motra flakë për
flakë: -M’a ke zili të dashurin, prandaj flet kështu.
Nuk mbushet muaji dhe ia mer
këngës: - Xhan o zjarr e shpirt o burrë, vëllai i madh më hëngërt m..në.
Vazhdimin e kësaj meseleje e dimë të tërë.
Nejse. Të kthehemi tek unë
dhe im vëlla, tek rrimë me hu në dorë në të dy anët e parcelës. Iku viti i parë
dhe erdhi i dyti. Pasi e mendova mirë e mirë punën, me pamjen e një hovardai të
madh, i drejtohem vëllait: - I dashur vëlla! Po të hap rrugë dhe këtë vit, ara do të mbillet me misër siç thoshe ti.
Prishur mos qoftë!
Mirë i fola unë i varfëri, po:
- Jo, jo! Ara do të mbillet me grurë siç doje ti. Unë jam më i madhi dhe unë po
të hap rrugë. Mos e harro këtë!
Mua më hipën kacabujtë. Sikur
nuk e njihja se ç’plaçkë qe im vëlla, që më hiqej tani si i mirë. Dhe kujt?
Mua. Mua që jam i pikuar nga qielli. Mua që më ka “zografisur” vetë Zoti me
dorë, kaq i mirë dhe i bukur jam.
- Dëgjo këtu, - i them hazërxhevap tim vëllai, -
do mbillet me misër dhe pikë.
- Pikat i vë unë, se unë jam
më i madhi.
Ç’të të them më tutje! Pikë
ai e presje unë, shkoi dhe një vit me arën djerrë.
Po pas të dytit shkoi dhe i
treti, i katërti e i pesti. Ferrat e mbira në arën tonë, u mbushën me
gjarpërinj që lemerisnin dynjanë.
Tek rrija me duart në kokë,
duke parë këtë batërdi, s’di si më shkrepi mendimi më i zi që mund t’i shkrepë
njeriut në kokë: -Do e vras vëllanë, të shpëtoj njëherë e mirë nga kjo mesele.
Kur më shkrepi ky mendim, mu’
duk sikur lindi dielli dhe trembi natën, e cila vrapoi prapa malit.
Kështu dhe unë vrapova te një
miku im që shiste kobure, nga ato të ’97.
Vërr paratë unë, njëzetë
kobure nxorri ai mbi tavolinë.
- Përse e do?- më tha.
- Dua të vras vëllanë,- i
thashë- se më ka nxirrë jetën.
- Dale, dale, - më tha miku-
për të vrarë vëllanë duhet një kobure e madhe, që e bën vrimën si grykë topi
dhe e lë top në vend. Dhe duhen shumë fishekë…
- Atë nëmë – i thashë.
Pasi e bleva koburen, sa u
bëra gati të iki, miku i kobureve më pyet:
- Po thikën e ke gjetur?
- Ç’thikë, -i them - dhe ç’e dua?
- Po ti nuk e di, që pasi
vritet vëllai me kobure, duhet të therret dhe me thikë. Që të mos ngjallet
lugat.
Unë bëra kryqin tre herë.
-Jo, - i thashë - nuk e di. S’kam vrarë ndonjëherë vëlla.
- Si ore nuk e di? Pa e ditur
si vritet, do t’a vrasësh ti vëllanë? Dëgjo
këtu, dëgjo!
Vëllai qëllohet me kobure në fillim, pastaj therret
me thikë.
U pa puna, bleva dhe një thikë si ato të Rambos te
filmi Rambo 3, dhe u nisa të vras vëllanë. Tek ecja rrugës i armatosur kësisoj,
si ata komitët qëmoti, më del
përpara një burrë i mençur dhe i mire, që më pyet se për ku nxitoj kështu, me
armë sheshit.
- Do vras vëllanë, - i them kapardisur - do e
qëlloj me kobure në kokë, pastaj do e therr me thikë.
- Ç’thua more djalë-më thotë plaku. -Nuk vritet
kështu vëllai. Dëgjomë këtu more djalë, se je i ri në këto punë. Punët bëhen me
sira, me radhë. Në fillim, vëllai therret me thikë. Domosdo që thika do t’i
ngulet në zemër. Dhe gjer në mill, në dorezë, jo më pak. Pastaj, do qëllohet me
kobure në kokë. Pastaj do e pështysh në surrat, do t’i nxjerrësh sytë dhe do e
hedhësh në ndonjë palo gropë. Do e mbulosh më ç’të gjesh, gurë e drurë e baltë
e pleh. Sipër do t’i vësh një gur të madh, që të mos i lëvizë shpirti. Pastaj
do t’a pështysh prapë, e do ikësh pa kthyer kokën. Se po e ktheve kokën, të vjen
nga mbrapa hija e tij.
Unë fillova të kruaj kokën.
Qenka zanat më vete dhe të vrasësh vëllanë, mendova!
Por plaku i ditur, vazhdoi
urtë e butë:
- Tani more djalë, këtë punën
e rëndë të të pështyrit, mund t’a bëjë edhe ndonjë tjetër. Por të qëlluarit me kobure dhe të therrurit me
thikë, domosdo që do e bësh ti vetë.
Iku plaku i urtë në rrugën e
perëndisë (apo të shejtanit), dhe unë ngela vetëm me mendimet e trazuara si
ferrat.
- Si t’a vras vëllanë xhanëm,
si t’a vras? T’ia shkrep me kobure kokës në fillim, apo t’i ngul thikën në
zemër? Se për t’a pështyrë, kollaj kjo punë! Kam gjithë këta fqinjë, që ma duan
të mirën. Do e bëjnë kaq pako gjë për mua.
Ky është halli im, more miku Daniel!
Ti që ke shfletuar male me libra, të shkruara
nëpër shekuj, e ke qëmtuar nëpër radhët e tyre, si në damarët e malit për të
gjetur mineralin e floririt, më jep edhe mua një gramë nga ai flori i shumtë që
ke gjetur.
Një gramë, vetëm një gramë.
Një fjalë, vetëm një fjalë.
Si t’a vras vëllain, more
mik?
P.S.
Lexuesi, me siguri që ka disa pyetje për të bërë pasi t’a
lexojë këtë letër, dhe unë jam i nderuar t’i jap përgjigje.
Pyetja e parë domosdo që është: -Kush është Daniel Gazuli,
që i drejtohet letra?
Daniel Gazulli, pinjoll i fisit të famshëm të Gazullëve,
aktualisht është një pensionist i thjeshtë në Lezhë, por që në fakt, është një
enciklopedi e gjallë diturie dhe urtësie.
Si pensionist që është, nuk ka lekë t’i botojë nëpër
libra, por herë- herë i hedh nëpër revista në internet, ku lexuesit sulen mbi
to si bletët mbi lule.
Pyetjes se pse u degdisa deri në Lezhë per të marë një
këshillë, kur Piluri dhe Himara kanë plot burra të mençur, i përgjigjem se
sipas zakoneve, mikun zëre larg dhe bezdise rrallë, se mikun e afërt e ka bërë
ose e bën mik edhe …vëllai yt.
Daniel Gazulli, urgjentisht më dërgoi këtë letër:
SHIKO LISAT, MIKU IM!
Përgjigje Timo Mërkurit
Më ngjethe mishtë, miku im. Më rrëmove shekuj plagësh.
Më thua se kërkon një fjalë të urtë prej meje. Një fjalë që t’i vërë
fre mendjes së ndërsyer me prroje vreri, që zbresin rrëmbyeshëm e bëjnë gjëmën.
Po ku t’a gjej urtësinë miku im, unë që u rrita e u mplaka ja, në mes këtyre
përrenjve vreri, që sa herë kaluan rrënimtar edhe mbi mua? Ç’libri t’i kërkoj
këshillë? Thua se kam mbledhur urtì nga ato të lashtat fare, kur nuk ishim të
prishur me gjithçka. Po ja, një nga anët tona, që as plak nuk ishte kur i vrau
vëllai vëllanë, na pat lënë një porosi:
Ndalnju! Ku veni burra? …
Pash Zotin, lëshoni hutat!
Pse tepër gjak asht derdhë,
Pse tepër mbajtë kem’ futat :
Prej vajit na asht marrë zani …
Medet, o qiell, medet!
E harruam porosinë e tij pa u tharë boja në letër. Se ai porositë i linte me letër,
ishte i kënduar. Gjergj Fishta e quanin, do t’ia keni dëgjuar zërin edhe ju
andej, pa çka se herë bie mjegulla mbi të, herë del diell.
Liksht e paske hallin, miku im. Po
ç’të të them. Të tregoj ç’rite do të duhej të ndiqje për të vrarë vëllanë, po
të ishe nga anët tona? Më mirë të mos i dijsh, se edhe ti je pak i kënduar, e
të kënduarve u dridhet dora më lehtë.
Unë po përpiqem të të nxjerr nga sikleti simbas mendjes sime, sepse
në urtësitë e të parëve tanë, që jam përpjekë t’i qëmtoj si bleta nektarin, nuk
gjejmë derman. Nga t’a merrnin me mend ata të gjorët, se do të kërkonim edhe
mbas kaq shekujsh koburet e tyre, për të vrarë vëllanë, pa do të na kishin lënë
pa kobure. Mendonin se do t’i përdornim vetëm për të huaj, ndaj na i lanë
koburet. Bile na i veshën edhe me serm. Po edhe kobure të mos kishim, ti më
thua se do të kishim thikat. Nuk ke nga i ikën tundimit për të vrarë vëllanë.
Po ty, e shoh, të dridhet dora, ndaj më shkrove letër.
Do t’a kesh kënduar atë rrëfimin tim “Shëmtimi i Blinishtit”, ku dy
familje, Sallakë e Zhubë, vriten e priten gati deri në shuarje. Desh Zoti e
dikur i thirren mendjes e për t’u pajtuar një herë e mirë, lidhen krushqi, ndërruan
vajza, e tani rrjedh në detejt e tyre gjak edhe nga ai i hasmit të dikurshëm.
Po ti nuk lidh dot krushqi me vëllanë që të paqëtoni gjakrat, mos e
thëntë Zoti.
Merr mundimin, miku im, e ngjitu edhe një herë në Pilur. E di që
rruga është e theptë, e lodhëshme; kam qenë në ato vise kur isha i ri. Nuk
kisha ardhë të kërkoja thesare, edhe pse ka, si nuk ka thesare atje?! Po të
vijë e të rrëmojë kush, do të gjejë thesare të paçmuara. Kam kënduar diçka edhe
për thesaret që ke gjetë ti, po më thonë se nuk të ka zili njeri për këte.
Po ti ngjitu deri në Pilur. Jo për
të parë nëse vijnë “dëname hasmi” nga deti, jo. Ajo kohë ka përenduar. Ngjitu
të shohish, se si lisat e vetmuar, rrahur nga furtunat e kohëve, janë hepuar e
pak gjë do të duhej të binin ashtu rëndë mbi dhè. Shiko edhe ato lisat e
lashtë, pranë e pranë njëri tjetrit, që rrinë hijerëndë drejt për nga qielli.
Ç’mund t’i bëjnë furtunat pyllit me lisa ?! Në t’u mbushtë mendja të rrish edhe
ti në mes atyre lisave sup më sup, mbushja mendjen të vijë edhe vëllai një ditë
e t’i shohë.
Pa puna e arës, grurë apo misër,
pastaj do të zgjidhet më lehtë.
Miku yt Daniel
Gàzulli
Maj 2011
Ortodoksët
shqiptarë janë …shqiptarë
Në vend të një replike
Te Gazeta Vlora, më tërhoqi vëmendjen shkrimi
i z.Gj. N. me titull: “Ortodoksia, si
strategji e perandorisë osmane” dhe nisa t’a lexoj me shumë vëmendje.
Nisa t’a lexoj, por që në
fillim u zhgënjeva, ose më saktë, s’po besoja atë që po lexoja. Dhe jo më kot.
Një i diplomuar për shkencat politike në Universitetet e Parisit, më së pari do
të reflektonte një analizë të fenomenit dhe në fund, do të nxirrte konkluzione
të drejta.
Dhe ajo që prisja, ishte një
analizë e bazuar në fakte e dokumenta.
Por që në fillim, ky shkrim
disa faqesh ka një pararojë fyerjesh për shqiptarët e besimit ortodoks, fyerje
që unë nuk arrij t’u gjej burimin. Për
këtë arsye, por edhe për faktin, se shpesh herë ngatërrohet feja me kombësinë,
shpërthejnë fyerje për shkak të besimit (si te ky shkrim), mendova se do
ishte gjëja më e mirë, që t’a ftoja
autorin në një bashkëbisedim miqësor, duke tërhequr edhe mendimin e lexuesve të
tjerë. Ndoshta ia vlen t’a dijë se, unë nuk jam ndonjë specialist i çështjeve
fetare dhe as ndonjë besimtar i “thekur”. Unë jam thjesht një shqiptar i
besimit ortodoks, që nuk më vjen mirë kur dikush, qoftë dhe nga padija, le më
nga pasioni, më mohon identitetin tim shqiptar, vetëm e vetëm se unë mbaj të
varur në qafë kryqin, simbol i besimit
tim.
Dhe këtë bashkëbisedim, le t’a
fillojmë duke cituar autorin:
- “Vihet
re, se tek shqiptarët ortodoksë dhe tek shqiptarët pa identitet, që
shtiren si ortodoks, të ketë shenja superioiteti dhe vetëkënaqësie boshe.
Këtë "zotësi" e patën një pjesë e shqiptarëve, që s'e ndërruan fenë
në kohë lufte.
Këtë "zotësi e patën grekët", që s’e ndërruan fenë. Këtë "zotësi" vazhdojnë t;a tregojnë shqiptarët, që ju bëhet lavazh truri apo shpëlarje truri nga propaganda greke dhe nga "mirë-qënia e modelit grek”.
Këtë "zotësi e patën grekët", që s’e ndërruan fenë. Këtë "zotësi" vazhdojnë t;a tregojnë shqiptarët, që ju bëhet lavazh truri apo shpëlarje truri nga propaganda greke dhe nga "mirë-qënia e modelit grek”.
Tani po pyes qetësisht: - Çfarë kupton autori me emërtimin “shqiptarë
pa identitet, që shtiren si ortodoksë”?
Po qe se the shqiptar, i ke cituar të gjithë elementët thelbësorë të identitetit dhe nuk ka vend për
diskutime. Aq më tepër, kur flet për
shqiptarë autoktonë në trojet e tyre dhe që origjinën e tyre e përmendin qysh
nga …koha e Homerit.
Të tillë janë p.sh, shqiptarët e besimit ortodoks me banim në bregdetin
himarjot, prej nga e kam edhe unë origjinën.
Unë jam shqiptar dhe jam i besimit ortodoks, e do apo nuk do dikush, identiteti im është
shqiptar. Besimi im fetar, është një element i dorës së dytë i identitetit tim.
Identiteti im shqiptar, nuk do të pësonte asnjë ndryshim edhe po të isha mysliman, katolik, bektashian,
budist etj etj. Ashtu siç unë nuk ndryshoj fare, nëse vesh kostum ngjyrë gri,
apo ngjyrë kafe.
Identiteti nuk përcaktohet nga besimi, aq më tepër që në Shqipëri, si
besimi kristian së pari, dhe ai mysliman së dyti, janë të ardhur shumë vonë.
Kur erdhën në vendin tonë këto besime, identiteti i kombit tonë kishte epoka
që ishte formuar. Ishim dhe jemi
shqiptarë dhe më pas u bëmë shqiptarë
kristianë e shqiptarë myslimanë.
Sepse dihet, që janë shqiptarë edhe shqiptarët myslimanë, katolikë, po aq
sa janë edhe shqiptarët ortodoksë.
Bile mund të ndodhë, që të kesh identitetin shqiptar edhe pa patur
shtetësinë shqiptare dhe pa banuar brenda kufijve shtetërorë të Shqipërisë.
Diku, autori përmend edhe tolerancën fetare që egziston në Shqipëri. Por
në këtë pikë, unë jam dakort me z Artan Fuga, i cili thotë se, në Shqipëri janë
besimtarët e tre feve që jetojnë në harmoni me njëri- tjetrin dhe jo fetë e tyre. Fetë, në vetvete,
nuk janë tolerante ndaj njëra-tjetrës. Historia e besimeve e ka vërtetuar këtë. Por në Shqipëri,
shqiptarët, duke qenë në thelb paganë, kanë pranuar besime të ndryshme, pa u
bërë asnjëherë “fetarë të thekur” të ndonjë besimi. Në këtë kontekst, edhe këtu
duhet kërkuar dhe gjetur burimi i formulës atdhetare, “Feja e shqiptarit, është
shqiptaria”.
Sigurisht, bashkë me burimin e
atdhedashurisë.
Ç’do të thotë: -“që shtiren si
ortodoksë”? Ortodoksia është një degë (në qoftë se mund të shprehemi
kështu) e një feje, e cila së bashku me katolicizmin, protestanizmin etj,
përbëjnë fenë kristiane dhe njerëzit që i kryejnë ritet fetare sipas normave të ortodoksisë, quhen besimtarë ortodoksë. Se sa thellë është
rrënjosur në ndërgjegjen e njerëzve që
ushtrojnë besimin ortodoks vetë feja ortodokse, kjo varet nga shumë faktorë.
Por gjithsesi, duke patur një vjetërsi të madhe jetese në trojet tona, në
raport me fenë myslimane, p.sh, duhet të pranojmë se është rrënjosur te
besimtarët e saj, pak më shumë se feja tjetër e ardhur në Shqipëri me
pushtuesin, te besimtarët e saj .
Fakti tjetër që krishtërimi erdhi si një fe e shtresave të shtypura, duke
inspiruar shpresën për një jetë më të mirë në atë botë etj etj, në raport me
faktin që feja tjetër ishte thjesht një fe e pushtuesit, mos kujtoni se nuk
është parë nga populli.
Çfarë nënkupton autori me fjalët : “shqiptarë
që iu bëhet lavazh truri”?
Unë dëshiroj që kjo shprehje të jetë një lapsus. Thjesht një lapsus,
sepse nuk mund të shprehesh me një
fyerje të tillë për një pjesë të popullit tonë, vetëm e vetëm se në vend që të
shkojë të falet në xhami, vazhdon të falet në kishë?
Ashtu siç është falur shekuj e shekuj më parë, ashtu siç janë lutur e
falur edhe paraardhësit e artikull-shkruesit, para se ata të ndërronin rrugën e
vendlutjes apo të vendfaljes. Dhe askush nuk i akuzoi ata, për “tradhëti
perëndie”.
Por le të vazhdojmë të lexojmë më
tej:
- Shqiptarëve, që mendojnë se janë më të zotë
nga fakti i të qenit ortodoks, duhet t'iu kujtojmë:
“Se zotësia për ruajtjen e ortodoksisë, i takon Turqisë dhe strategjisë së saj për të patur aleatë, për të ndarë më mirë territoret e Bizantit.”
“Se zotësia për ruajtjen e ortodoksisë, i takon Turqisë dhe strategjisë së saj për të patur aleatë, për të ndarë më mirë territoret e Bizantit.”
Epo tani duhet të ndalojmë pak dhe të bisedojmë shtruar me autorin, dhe t’i
themi se:
- Ortodoksët nuk mburren se janë më të zotë, pse janë ortodoksë, por ata
krenohen që të parët e tyre nuk e braktisën krishtërimin. U vranë e u prenë me
pushtuesin, por as u dorëzuan
dhe as fenë e ndërruan. Jetuan të varfër, por të lirë në vendet e tyre, besuan
te Zoti i tyre, por më shumë besuan te shpata e tyre. Një këngë e viseve të mia
thotë: “Ndihmona papë ndihmona/se kemi
vetë ikona.” E pra, kaq “fetarë” të mëdhenj ishin, sa që edhe Papës së
Romës, i kërkonin armë dhe jo …ikona.
Po kjo është temë më vete.
Të kuptojmë një gjë. Kur lindi dhe u përhap, feja kristiane ishte një fe
unike, një e vetme, e pa ndarë në sekte ortodokse e katolike, unite apo
protestante. Populli ynë është ndër të parët popuj të botës, që e pranoi
krishtërimin. ”Kemi 2000 vjet krishtërim”, - dokumenton Moikom Zeqo.
Ndarja e kristianizmit në katolikë dhe ortodoksë, nuk është as meritë dhe
as faj i popullit tonë. Kjo ndarje erdhi, si pasojë e shizmës (ndarjes)
kristiane në vitin 1050. Dhe kjo ndarje vazhdoi disa shekuj, mos mendoni se u
bë brenda një dite dhe brenda një ore.
Pse kjo “vijë ndarëse” kaloi mespërmes Shqipërisë, nuk është faj i kombit
tonë.
Prelatët shqiptarë, u përpoqën për bashkimin e dy rrymave fetare, por kjo
ishte jashtë fuqive të tyre. Ndoshta është vendi, që të citojmë se, edhe Heroi
ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, i përkiste sektit unit të kristianizmit, por ja
që edhe ai, ndonëse bashkoi popullin tonë në luftë kundër osmanëve, ishte i
pafuqishëm për të ndikuar në unifikimin e krishtërimit.
(Ashtu siç ishte paravendosur fati lindor i Shqipërisë në Jaltë nga
Stalini e Çurçilli dhe jo nga “dyfeqet me gjalmë” të partizanëve.)
Zotësia për ruajtjen e ortodoksisë,
nuk është e Turqisë, por është e popujve në tërësi dhe e popullit shqiptar në
veçanti.
Turqia mund t’i sundonte më mirë popujt e pushtuar, po t’i kishte edhe
brenda kuadrit fetar të saj. Ku ishte leverdia e Turqisë p.sh në Himarë, kur
Himara nuk i paguante taksa dhe as i dërgonte djemtë e saj ushtarë me Turqinë. Përkundrazi,
radhët e armikut të Turqisë, Venedikut, ishin të mbushura me djemtë e Himarës.
Po të qe për Turqinë, do të ishte
e lumtur që çdo kishë të bregdetit, t’a bënte xhami. Për këtë erdhi vetë
Sulltani, por desh la lëkurën nën shpatën e Damian Himarjotit. Ndaj u detyrua
të njihte venomet e Himarës, qysh në vitin
1492.
Ku është merita e Turqisë dhe çfarë strategjie pati për të lënë disa
krahina si Himara, Mirdita, pellgu i Korçës etj etj, me besimin kristian, në
një kohë që myslimanizoi gati gjithë
Shqipërinë. T’a kemi të qartë miku im, nuk i la turku, por nuk ua ktheu dot
besimin. Po të duash e vazhdojmë këtë debat me argumenta historikë dhe do të bindesh se turku e pësoi me
këto krahina, ashtu si dhelpëra me rrushin. Si mposhti dot dhe nuk i ngau më tej.
Por le të vazhdojmë më tej, me citime nga artikulli:
- Një numer jo i
vogël manastiresh, janë ndëtuar gjatë periudhës turke. Shumë kisha katolike,
janë shndërruar në kisha ortodokse, kjo nën bekimin turk. Duke vrarë dhe
djegur së gjalli priftërinjtë katolikë, një pjesë e popullsië u kthyen në
ortodoksë, nga mungesa e priftërinjëve katolik. Shuarja e fesë
katolike kryesisht tek shqiptarët, kishte si qëllim humbjen e identitetit të
tyre, zhdukjen e gjurmëve të së kaluarës, shuarjen e e kujtesës se gjallë.
Unë do t’i lexoja me vëmendje këto që shkruan autori, po qe se do të shoqëroheshin me dokumenta.
Psh: Kur, ku u vranë dhe u dogjën të gjallë nga ortodoksët priftërinjtë
katolikë, se unë për vehte, as e kam dëgjuar dhe as e kam lexuar gjëkundi?
Cila kishë katolike në Shqipëri, u shndërrua në kishë ortodokse?
Shuarja e fesë
katolike …kishte si qëllim humbjen e identitetit të tyre…etj etj.(sic)
Më sqaro më mirë, se nuk e kuptoj. Ortodoksët shqiptarë me identitet
shqiptar, të cilët luftuan dhe u prenë e u vranë me turkun, për ruajtjen e
këtij identiteti, paskan vrarë e prerë shqiptarët katolikë me identitet
shqiptar, me qëllim që të shuanin identitetin shqiptar? Dhe këtë identitet
shqiptar, e ruajtkan vetëm shqiptarët e besimit mysliman dhe jo ata të besimit
ortodoks. Kështu? E po, kjo është një
gjë pa kuptim miku im. Unë mund të të citoj një numër të madh heronjsh të
popullit tonë, të besimit ortodoks, të cilët luftuan dhe u vranë, krahë për
krahë me shqiptarët katolikë e shqiptarët e besimit mysliman, në viset e
banuara nga shqiptarë të besimit katolik.
“Dërgon Gjoleka
xhevap/ Vaso Kolagji bajrak/…Na kërkon Shkodra imdat(ndihmë)/ Të luftojmë me
Karadak/ Se ia kanë bërë çark…,. thotë një
këngë e fshatit tim, për një hero të fshatit tim Pilur i Himarës, me besimin
ortodoks, i cili bashkë me Zenel Gjolekën me besimin mysliman, shkuan dhe u
vranë në zonën katolike të Shkodrës, krahë për krahë me trimat e Malësisë së
Shkodrës, për ruajtjen e vatanit dhe jo
të …ortodoksisë, nën hien e flamurit të kuq. E pra, tek e kuqja e këtij flamuri
është edhe gjaku i heronjve shqiptarë me
besimin ortodoks.
Unë, me një ndjenjë krenarie do të rrija
e do të citoja armatën e madhe të atdhetarëve, dijetarëve, luftëtarëve e
heronjve shqiptarë me besim ortodoks, të cilët kanë luftuar, punuar e rënë për atdhe, krahë për
krahë me vëllezërit e tyre shqiptarë të besimit katolik e mysliman.
Për tjetrën, më duket se të thashë se, .. feja nuk është identike me
identitetin e kombit tonë. Kjo e para.
E dyta, ndarja e “zonave të influencës “ kristiane në ortodokse dhe
katolike, u përcaktua nga shizma dhe jo nga…priftërinjtë ortodoksë dhe ca më
pak, nga pushtuesi turk. Çfarë merite i
njeh autori këtij pushtuesi turk, për ruajtjen e …ortodoksisë shqiptare?
Thelbi
qëndron pak më larg. Autori ngatërron
ortodoksinë me… Greqinë.
Ortodoksia nuk është Greqia miku im.Nuk është as Rusia apo Sërbia. Të
thuash këtë, do të thotë t’u bësh një nder këtyre shteteve. E pra, një
nder të tillë nuk duhet t’ia njohim as Greqisë, as Rusisë dhe as Sërbisë. Sepse
realisht, nuk u takon.
Vendi ynë
është nga të parët, që përqafoi krishtërimin dhe që me gjithë furtunat ku kaloi,
apo që kaluan përmbi të, nuk e braktisi tërësisht, por e ruajti atë pavarësisht
se një pjesë e popullit, për arsye pragmatiste…apo dhe të tjera, përqafoi
myslimanizmin.
Nuk duhet
t’jua njohim këtë nder, pavarësisht nga simpatia apo antipatia që ka autori për
këto shtete. Pavarësisht nga marrëdhëniet, që këto shtete kanë patur dhe
vazhdojnë të kenë me vendin tonë.
Besimi
ortodoks p.sh në zonën e bregdetit, është
mbajtur edhe para vitit 1822, kur
u krijua shteti grek.
Ortodoksinë
në Shqipëri, nuk ia njohim për meritë Greqisë apo Sërbisë që citon autori.
Autori citon edhe numrin e vezirëve shqiptarë në shërbim të perandorisë osmane,
madje edhe me njëfarë mburrjeje, si me thanë, shihni sa të zotët kemi qenë ne
shqiptarët nën Turqinë. Ja si shprehet autori:
- Postet shqiptarët dhe
kryesisht Qyprillinjtë, i morën kur u vunë në konkurrencë me sllavët.
Qyprillinjtë fituan luftën me Poloninë dhe arritën të vendosin rregullin në një
perandori që po ishin shqiptarë. Shqiptarët filluan të provonin të mernin pjesë
në pushtet, atëherë kur të tjerët po degjeneronte. Pushtetin shqiptarët e
fituan me forcë dhe nuk iua falën. Kështu 27 vezirë do të
ishin shqiptarë. Shqiptarët filluan të provonin të mernin pjesë në pushtet, atëherë
kur të tjerët po dështonin.
Le t’u
referohemi dokumentave! Një nga pashallarët e parë të Turqisë, biles nga më
trimat, ishte dhe ish-jeniçeri me
origjinë shqiptare nga Baderi, Ballaban Pasha.
Ishte ky
ish-jeniçer, i cili i pari u ngjit në muret e Kostandinopojës me jatagan në dorë, dhe nën shikimin e sulltanit, nguli
në bedenat e kësaj kalaje europiane dhe kristiane, flamurin e osmanllisë.
Sulltani e shpërbleu, duke i vënë tujet e pashait mbi supe.
Atëherë unë pyes: -Kush nga lexuesit ndjehet krenar me këtë emër pashai?
Ai realisht ishte trim, ai triumfoi aty ku humbën të tjerët, dhe s’dihet
se sa “triumfe” të kobshme do të arrinte në jetën e tij, sikur mos t’a shtrinte
të vdekur nën muret e Krujës së rrethuar edhe prej tij, pushka e trimit Gjergj Aleksi.
Shqipëria ka patur shumë pashallarë në shërbim të Turqisë. Shqiptar ishte
edhe ai Pashai që rrethoi Vjenën, shqiptar ishte dhe ai pashai që shtypi
kryengritjet popullore në një vend, dhe
ai pasha që preu, dhe ai pasha që vrau, që dogji e shkatërroi popuj e vende. Po
i deshe, janë të shkruar me emër e mbiemër dhe origjinë, te Libri i Eleni
Kocaqit “Albanët e famshëm nëpër mijëvjeçarë”. Po deshe, mos fillo të këndosh
këngën e Ali Pashë Tepelenës, sepse sa herë e dëgjoj, më vjen të …marr rrugën
për Janinë.. dhe të shkoj e të hedh një trëndafil te vendi ku mbyti Frosinën,
apo të nisem drejt Mesollongjit, te shkëmbi nga u hodhën gratë e vajzat e
Sulit. Jemi që jemi, hajde vemi bashkë në Hormovë, atje ku…i biri i Hanko
kapesë/Jua bëri me të pabesë/ Vrau gjashtëqind e pesë.
Miku im, këta vezirë e pashallarë, u ngritën aty ku u ngritën, duke shkelur
e hipur mbi male me kufoma të popujve të ndryshëm. Koston e kësaj karriere, do
t’a paguante një ditë Shqipëria. (S’di pse, ndërsa shkruaja këto radhë, befas
më shkrepi në mendje mendimi se mos vallë ’13 e ndëshkoi Shqipërinë me copëtim,
edhe për “trimëritë” e pashallarëve të shumtë të Turqisë me origjinë shqiptare.
(Ky është një mendim i beftë i imi dhe jo një argument. Ky vetë ka nevojë për argumentim, por unë shpresoj
në mirëkuptimin tuaj për këtë citim).
E pra, tujet e këtyre pashallarëve le të rrinë mbi supet e tyre, e jo të
kornizojmë flamurin me fijet e mëndafshta të tyre. Ndotet gjaku nga këto tuje,
miku im.
Te ngjyra e kuqe e këtij flamuri miku im, është edhe gjaku i ortodoksëve
shqiptarë, që kanë luftuar me armë në dorë, përkrah vëllezërve të tyre të
besimit mysliman. Dhe unë të siguroj, që ata nuk e kanë parë njëri-tjetrin, as
nga kambanorja e kishës dhe as nga minareja e xhamisë. Ata e kanë parë njëri-tjetrin
vëllazërisht, drejt e në sy.
Drejt e në sy të ftoj edhe unë të më shikosh në këtë bashkëbisedim, ku ti
përpiqesh të më imponosh njëfarë ndjenje “turpi”, nga të qënit tim i besimit
ortodoks, thua se kërkon të më ftosh të ndërroj fenë.
Shqipëria miku im, ka patur aristokracinë e saj, fisnikët e saj, kontë, dukë,
viskontë, kalorës, dhe jo bejlerë, agallarë e pashallarë.
Unë nuk po të citoj Faik Konicën e famshëm, që thoshte: “Unë jam i vetmi
bej i krishterë” dhe i thoshte Mithat beut, që edhe ai të ndërronte fenë e të
kthehej i krishterë,si të parët e tij.
- S’do më kuptojnë shqiptarët, - i gjegjej Mithat Frashëri zemërvrarë.
Mua nuk më vjen turp nga besimi im, përkundrazi. Mos m’a merr për mburrje,
por unë jam shqiptar dhe pastaj ortodoks, që nuk e kam ndërruar besimin tim
kristian.
Në qoftë se ti, ke argumenta të më
bindësh se pse mua duhet të më vijë turp nga besimi im ortodoks, m’i paraqit
dhe pasi të më bindësh, unë do të vij me ty në xhami.
Por ndërkohë, unë po të pres tek porta e kishës dhe po i lutem Zotit tim
edhe për ty.
Si e ka emrin
Ministri?
Në një nga këto ditë, ndërsa
po notoja nëepër detin e internetit, vetëtimthi më shkuan sytë te një shkrim,
që diçka thoshte për një ministër turk, i cili paska bërë një vizitë në Kosovë
dhe që i paska kërkuar ministrit kosovar që ata, kosovarët pra, të ndryshonin
tekstin e historisë që mësohej nëpër
shkolla, sepse në atë libër historie, “vëllezërit turq” quheshin “armiku turk”.
Unë, si gjithë himarjotët,
kam një indiferencë gati skandaloze, për çdo gjë që ka prapashtesën apo
“mbiemrin” turk, qoftë ky mall apo ide e prodhuar dhe e nxjerrë për shitje.
- “Ti qenke Turqi hesapi, ç’pret
më…”, themi ne, kur duam të tregojmë përbuzjen tonë, për dikë që nuk ha pykë
evrope. Kjo është arsyeja, që nuk i kushtova shumë rëndësi edhe këtij lajmi të
lexuar kalimthi, madje edhe me njëfarë bezdisjeje. Madje, as emrave të
ministrave. Si nëpër mjegull lexova se, ministri kosovar kishte një emër …
diçka si rrëmujë, apo si i thonë në turqisht: “Gjullurdi hesap”. Ndaj nuk i
kushtova rëndësi edhe emrit të tij. Se për emrin e turkut, as që morra mundimin
t’i hidhja sytë.
Gabim, do të thuash ti. Gabim bëra, them dhe unë.
Se ja, tani që më duhet, s’më kujtohet fare emri i Ministrit të Kosovës. Kam një javë që e
kërkoj e s’po e gjej. Prandaj e botoj dhe këtë shkrim, në rast se ndonjë lexues
ia di emrin, të m’a dërgojë me e-mail.
Kështu pra, ndërsa bëhesha
gati të klikoja me mausin kapërcimin e faqes, fotografia e ministrit turk, dalë
në konferencë shtypi me ministrin kosovar, më shtangu në vend.
- Por unë e njoh këtë turk, - më vetëtiu në mendje. Unë
këtë diku e kam parë.
Që diku e kam parë, kjo as që
diskutohet fare. Ja ai shikim gati arrogant, komandues, gjysëmpjerrtas. Ja ato
buzë të shtrënguara, urdhëruese.
- Ku e kam parë, ku e kam
parë? - po vrisja mendjen, kur befas më
vetëtiu në kujtesë Torviolli.
- Hë - thashë me vete, - e
gjeta! Po ky është Ali Pasha i Torviollit more. Ju betohem që ai është. Ja, ai
shikim e ato buzë urdhër-nxjerrëse. Mungon vetëm mjekra e mustaqet, dhe çallma
domosdo. Dhe pasi u mendova pak, pranova
me vetvehten kompromisin që:
- Ose është Ali Pasha i 1444-ës,
që ia mbathi nga Torviolli, duke marrë edhe haremin e tij, ose do të jetë
ndonjë nip a stërnip i tij.
Shpjegim tjetër, as ka dhe as do të gjeni dot.
Do thuash ti, ku e mbaj mend unë Ali Pashanë e
Torviollit, kur atë as që e kam parë ndonjëherë, as të gjallë e as të vdekur?
Biles, as varrin s’ia di ku e ka, dhe as në ka apo jo një të tillë.
A, këtu ndaloni pak dhe më dëgjoni mua. Po me vëmendje ama. Nuk ka himarjot që të mos e njohë Ali
Pashanë, jo thjesht si bojë njeriu, por edhe me rrudhat e ballit, apo me atë
cenin e të puliturit të syve. Tëpkë si ky nipstërnipi i tij, që erdhi në
Kosovë.
Në kujtesën e Himarës, është gdhendur me të
gjitha linjat ky pasha Turqie. Dhe sebep
për këtë, është bërë ajo ditë e largët e 29 qershorit të vitit 1444 në Torvioll,
dhe Anton Linjërosa, kapedani që u printe himarjoteve në këtë betejë. Që t’a
dini dhe ju, ja si ka ndodhur kjo punë:
- Në datën 28 Qershor 1444, një ditë para betejës,
në orët e prag mbrëmjes, Ali Pasha dërgoi një delegacion te Skënderbeu.
Skënderbeu s’kishte ngenë e tyre, megjithatë i
priti jashtë çadrës, bashkë me disa kapedanë të ushtrisë së tij. Në mes tyre u
ndodh edhe prijësi himarjot, i cili që nga Lidhja e Lezhës, nuk i qe ndarë
asnjë ditë Skënderbeut.
Kryetari i dërgatës turke, mori fjalën dhe i
kërkoi Skënderbeut të ulte armët, sepse Padishahu do t’a falte dhe si shpërblim,
do t’a emëronte pasha në ndonjë guvernë të tij.
Pa do t’i jepte tituj e grada, rroba e rrogë, si
dhe disa skllave të kolme si pela shale, që t’i shalonte përmbi shalë kur t’i
ndizej gjaku. Biles Ali Pasha, nga haremi i tij i kishte sjellë nja pesë a
gjashtë pela të tilla shalëgjata, shalëjashta, si dhuratë a si shkëmbim për
shpatën dhe për flamurin që do të dorëzonte.
Skënderbeu u zemërua dhe desh e zuri me shqelma
bythëve të dërguarin e Ali Pashës, i cili shpëtoi vetëm se ia mbathi me vrap.
Por kur ktheu kokën më pas, Skënderbeu
pa i habitur Anton Linjërosën, i cili mbante barkun me dorë dhe i përulur mbi
gjunjë, ishte bërë flakë i kuq nga shtrëngimi i dhëmbëve .
- Ç’ke more?- e pyeti gjithë merak Skënderbeu,
sepse kujtoi se mos e kishte zënë barku. Dhe kjo i duhej, t’i sëmureshin
kapedanët në prag të betejës!
Antoni bëri t’i përgjigjej, por sa hapi gojën,
shpërtheu në një të qeshur që s’pushonte e s’pushonte dot. Skënderbeu u qetësua
dhe buzëqeshi lehtas. E po, s’qenka gjë e keqe mendoi me vete dhe ia përsëriti
pyetjen Antonit, por më butësisht.
- Po ja, – trokëllitën disa
guriçka fjalësh, mes gurgullimës së lumit të të qeshurit - si tha ai? Ato
pelat…
Unë ju them se të qeshurit
është sëmundje ngjitëse, që të zë menjëherë. Këtë e vërteton edhe fakti se,
Skënderbeu dhe kapedanët e tjerë rreth tij, u sëmurën menjëherë pas këtyre
fjalëve. Por duket që u shëruan shpejt, sepse u futën në çadër dhe vazhduan
punën. Ndërsa i shkreti Anton, mori rrugën për te shokët e tij, duke qeshur. Ec
e qesh, ec e ndalo dhe u gjend mes shokëve, si ura e ndezur në mes turrës së
druve të thata. Flaka e të qeshurit shpërtheu në qiell dhe s’dihet si do vente
puna, po të mos kishte ardhur urdhëri i Skënderbeut që ushtria të flinte, se të
nesërmen kishin betejën.
Të nesërmen, atë ditë
zulmëmadhe të 29 qershorit të 1444, atë ditë që “luanët komandonin luanë” (siç
do shkruante Barleti mote më vonë), shqiptarët nuk pritën të mbaronte rreshtimi
tradicional i ushtrive, por sa panë
çallmat turke, harruan që mund të përdoreshin dhe harqet e shigjetat, u
sulën me shpata zhveshur. Thua se
kishin mote që e prisnin atë çast dhe kishin frikë mos e humbisnin. 8 mijë
kalorës e 7 mijë këmbësorë kishte Skënderbeu, përballë 25 mijë ushtarëve të Ali
Pashës. Biles ky raport bëhej më i thellë, po të shtosh faktin se nga 8 mijë
kalorësit që kishte, 3 mijë i kishte lënë nën komandën e Hamza Kastriotit,
fshehur në kodrat e pyjet pas shpinës së Ali Pashait.
Por trimat s’kishin kohë t’i numëronin, se në
Torvioll s’kishin shkuar të mësonin arithmetikë. Kishin shkuar të …shkruanin historinë. Atë histori, që mote e mote
më vonë, do kërkonin t’a ndryshonin nja dy ministra, që unë s’ua di as emrin.
I pari sulmoi Stresi me krutanët dhe bashkë me
të himarjotët, të prirë nga Anton
Linjërosa, që ishin në krahun e majtë të tyre. Djem të rinj, që mund të mbanin malin
mbi supe e jo më të mos vinin përpara turqit, që nuk e prisnin këtë furi sulmi.
Djem të rinj, që me një të goditur shpate, çanin
më dysh kalin e kalorësin bashkë.
- Me dorë more, me dorë! – sokëlliu në mes të
betejës Antoni, duke çarë mes turqve me dy shpata nëpër duar. Thirrja
himarjote: “Me dorë”, ka kuptimin kape armikun nga fyti, jepi nja dy pëllëmba
para se t’a ndash më dysh me shpatë. Të dëgjosh këtë thirrje nga kapedani yt, i
cili sokëllin në mes të armiqve, tek vret e pret me dy shpata në duar, edhe më
i dobëti të jesh, a i plagosur, a i sëmurë, do sulesh trimërisht me shpatë në
dorë dhe vetëm hasmin do kërkosh. Të tjerat i di Zoti vetë.
Po ja, që në mes të luftëtarëve himarjotë ishte edhe
një djalë i ri, i cili s’kishte marrë pjesë në asnjë luftë. Djalë i porsa fejuar.
Hokatar si gjithë himarjotët, por që s’e dinte se në luftë, vetëm shakatë s’kanë
vend. Nga që s’e dinte, dhe nga që i kish
mbetur ndër mend ajo puna e të dërguarit të Ali Pashait te Skënderbeu dhe
oferta e tij, (epo djalë i porsa fejuar, de) ia ktheu kapedanit të tij me një shaka djaloshare, me
zë të lartë, që të dëgjohej mirë:
- Pse me dorë more kapedan? Dëftona ku i ka
ato…pelat Ali Pashai, se e dimë vetë më pas…
Ata
himarjotë që e dëgjuan qeshën, por të qeshurit në luftë, është si gjumi
në dëborë. Të mpak e të dobëson dhe të ul edhe vigjilencën. Këtë moment e shfrytëzuan
veteranët turq, që nisëin të sulmonin pikërisht luftëtarët që qeshnin. Dhe nisën
të bien njëri pas tjetrit himarjotët, kush i shpuar ne gjoks me heshtë e kush i
prerë në brinjë me shpatë. Kapedani vuri sokëllimën, kur pa se i binin trimat
si gjethet në vjeshtë. Mblodhi veteranët e tij në ballë të një fronti dhe, ndonëse u gjend i rrethuar,
sulmoi mbi turqit siç dinte vetë.
S’dihej si do të kishte shkuar fati i himarjotëve, po të mos sulmonte në atë
kohë Hamza Kastrioti në shpinë të turqve. Turqit u mutua, se nga rrethues që
ishin, gjendeshin të rrethuar. Por përvoja i kishte mësuar, se një ikje me rrëmujë
do të thotë vdekje. Ndaj nisën të bëjnë rezistencë.
- Merrni hak! - u dëgjua
sokëllima e kapedan Antonit, merrni hak. Një me njëqind t’a merrni hakun.
Kjo ishte fjala e fundit që
dëgjuan himarjotët nga kapedani i tyre. Se më pas e gjetën me dy heshta të
ngulura në trup e me dy shpata në duar, në mes të një grumbulli kufomash turke.
Bashkë me dhjetë himarjotë të tjerë. Vrarë
e prerë dhe ata. Pranë njëri-tjetrit. Gati sup më sup.
Kur u mblodhën të vrarët, u
pa se pas krutanëve të Kastriotit, himarjotët kishin humbjet më të mëdha. Rreth
13% e forcave, kishin rënë në luftë. Shumica te ajo kodra e vogël, ku bëri
shakanë ai djali i ri. Atë shakanë për ato pelat shalëgjata e shalëjashta të
Ali Pashait. Për pelat e haremit, të cilat mbetën në fushën e luftës, se Aliu
s’pa nga iku për vete.
Të nesërmen, pasi u përcollën me nderime për në pavdekësi trimat
e rënë, filloi festa e fitores. Këngë e valle, siç i dinë dhe siç i duan
luftëtarët fitimtarë. Skënderbeu priste e përcillte me urime e përgëzime,
kapedanët e luftëtarët e dalluar, kur një grup himarjotësh u ngritën në valle, për qejf të tyre. Apo për
nder të kapedanit të tyre, të rënë në atë luftë. U bënë dy rreshta me nga
shtatë veta, të kapur sup më sup. Si dy vargmale pranë e praën. I pari tundi
shaminë, sikur i bënte shenjë Zotit që të shikonte e të dëgjonte dhe ia mori
këngës:
“Demave o demave.
O ho hoooo..”, ndërhyri i
dyti me një zë më të fortë
“De o demave, o të
Shqipërisë”
Nuk lëvizi mali i Korabit.
Lëvizi grupi i valltarëve të rreshtit të parë, e një hap më pas edhe rreshti i
dytë. Lëvizën me një hap të ngritur, gati gjysëm metri nga toka. Lëvizën duke
kënduar:
Demave të Shqipërisë
S’u shpëton lop’ e Turqisë
Shumë himarjotë që rrinin e
dëgjonin, pas vargut të dytë të këngës, duke e kuptuar instiktivisht se ku do të
dilte këngëtari te vargjet e tjera, dhe duke kujtuar të qeshurin e kapedan
Anton Linjërosës, atë natë para betejës, u ngritën në këmbë dhe formuan grupe
të tjera valltarësh. Pa nisën t’a
ngrinin një oktavë më lart zërin te vargjet:
Ali Pasha, lopa plakë
Po t’u kruajt, eja prapë.
Në fakt, vargun e fundit,
edhe Barleti, edhe Noli, e kanë ndryshuar në: - “Po t’a mbajti, eja prapë”, por
unë që jam kundër korrigjimeve dhe retushimeve, po e jap në variantin origjinal,
atë himarjot. Ju, jeni të lirë të zgjidhni kë të doni.
Kjo është e vërteta e betejës
së Torviollit dhe e rënies së himarjotëve. Por në projekt, tekstin e historisë
që ai nipstërnipi i Ali Pashës së Torviollit i solli atij ministrit kosovar,
kjo betejë ishte shkruar kështu:
- Qafiri Skënderbe, pasi
tradhëtoi Padishahun atje në Nish, erdhi dhe krijoi shtetin e tij. Ministria e
Turizmit filloi të bëjë ftesa majtas e djathtas, që turistët turq të vizitonin
Arnautistanin, se me demek, paskësh vende klimaterike dhe që u bënte mirë për
shëndet pensionistëve turq. Le që edhe çmimet ishin të lira. Badiava fare..
Kështu shpjegohet, që një grup turistësh turq, hiç mos gjë, vetëm nja 25 mijë
veta, të pasur e të bukur, me saze e gërneta, me aparate fotografie e kamera, u
nisën për në atë vënd të nëmur nga Allahu. Skënderbeu doli dhe i priti te ajo
fusha e Torviollit, dhe pasi pinë kafen e sabahut ia nisi lojës së tavllës me
Ali Pashanë. Si hileqar që ishte, ia fitoi të gjitha lirat Ali Pashës të urtë
dhe të drejtë, si vetë Allahu.. Por ja, që më pas Skënderbeut, i vajtën sytë te
mikja e zemrës së Aliut dhe paturpësisht
ia kërkoi për një natë. Aliut i ra të fikët nga turpi dhe e nisën me
urgjencë për në Stamboll. Vetë Padishahu, që u informua nga lajmet e
televizionit, dergoi helikopterin e tij personal.
Arnautët, shumica e të cilëve
ishin fshehur pas gurëve e drurëve, të armatosur me kallashë të rrëmbyer nga
depot e ushtrisë, u sulën mbi turistët turq dhe pasi i masakruan me breshëri,
nisën t’u merrnin dhe rrobat e trupit. Pa nisën edhe të vriteshin me njëri-tjetrin
më pas, kur zunë rob ca turiste turke, ezmerka të njoma. Qafiri Skënderbe, i
donte të gjitha për në haremin e tij, por ja që për një esmerkë topolake, e
kundërshtoi direktori i Hotel Turizmit të Himarës. I varfëri direktor, për
sevdanë që pati, se e pagoi me jetë nën shpatën gjakatare të bukëshkalit Skënderbe… etj etj.
E pas kësaj, ne s’na ngelet
gjë tjetër, veçse kokëulur të psherëtijmë: “Lum a mjerë ne, për këtë Hero
Kombëtar!”
Të kuptojmë një gjë bashkë,
unë s’e kam problem edhe sikur të japin një variant historie të tipit të
mandarionëve kinezë si: “Ali Pashai shoqëronte për pushime në Liqenin e
Pogradecit, gruan e njëqindekatërmbëdhjetë të Padishahut, e cila ra në dashuri
me mjekrën e bardhë të Pashait… etj etj.” Vardha historitë rozë.
Mua personalisht, nuk më shqetëson
fare si është projekt-historia, që nipstërnipi i Ali Pashës i solli ministrit
kosovar me atë emrin e ngatërruar dhe të harruar, diçka si rrëmujë, apo si i
thonë turqish:-“Gjullurdi hesap”. Po i pëlqeu ministrit, le t’a marrë.
Unë nuk e pengoj në rrëmujën
apo gjullurdinë e tij.
Sepse ministri vetëm sa do t’a
lexojë historinë, edhe atë, në rast se di të lexojë.
Ministri nuk bën dot histori.
As ministri kosovar dhe as ministri
turk.
Historinë
e bëjnë ata, që dinë të bëjnë histori..
Si Anton Linjërosa me shokë,
në Torvioll.
Të tjerët…le t’i fryjnë
curubabes.
Por mua më duhet emri i
ministrit kosovar patjetër, se dua t’i nis një e-mail.
Jo more jo, s’kam ndërmend t’a
pyes nëse dhe atij i solli peshqesh ndonjë pelë shale, shalëgjatë e
shalëjashtë. Po i solli, le t’ua shohë
hajrin (a sherrin) vetë.
Unë dua t’a pyes ministrin,
se mos vallë te ai palo projekt-ndryshim historie, ka ndërmend që të ndryshojë
gjë edhe ndonjë varg të këngës himarjote, kënduar në fushën e Torviollit.
Se atëherë ka punë me mua!
Ballëpërballë.
Në Torvioll.
24.09.2011
Aty ku
s’jam…dërgoj zemrën time
Një koment mbi një shkrimin
tim të botuar në një gazetë, i bërë nga poeti Sabit Rustemi dhe i lexuar me
vonesë, më vuri në dijeni për disa mesazhe të nisura drejt meje, fatkeqësisht
me një adresë të gabuar e-maili. Mesazhet nuk mbërritën kurrë tek unë, por përmbajtjen
e tyre e dija dhe e prisja. Ishte konkretizimi i një premtimi dhe i një dëshire
për një vizitë në Gjilan, në kuadrin e një aktiviteti letrar. Kjo ftesë më gëzoi, sepse më dëshmoi që nuk kam gabuar në zgjedhjen e miqve të mi.
Dhe një telefonatë e Bardhi Maliqit atë moment, m’a përforcoi më tepër
këtë konkluzion. Por nuk di pse, ndërsa
mbyllja telefonin, m’u kujtua dhe një ngjarje që më ka ndodhur para disa vitesh
dhe që unë po jua tregoj.
…Pas botimit të një vëllimi
poetik, në televizionin lokal dhashë një intervistë, e cila u ritransmetua disa
herë, duke rritur në këtë mënyrë shikueshmërinë. Shpresoj të mos e ketë rritur
shumë bezdinë që sjell gjithmonë ritrasmentimi dhe sidomos, i një interviste
poetike. Nejse, nja një javë pas ritransmetimit, në pallatin tim, ndërsa po
shkoja drejt ashensorit, shoh se në pritje të
tij, ishte dhe një zonjë e re me një fëmijë rreth tetë ose nëntë vjeç.
Fëmija, porsa më pa mua, ndaloi të lëvizurit me vend e pa vend nëpër korridor
dhe më nguli sytë, duke shoqëruar ecjen time, me një habi që nuk e fshihte dot.
Pastaj iu afrua nënës së tij dhe duke e tërhequr nga mënga, pa kurrfarë takti e
pyeti: - O ma’! Ky xhaxhi, mos është ai poeti?
Unë i vrenjta vetullat kur dëgjova cilësimin
“xhaxhi”, pasi dihet që për vehten time kam një tjetër konsideratë, më
djaloshare. Kjo ishte arsyeja që nuk i përshëndeta fare, por e ëma e fëmijës
(fatmirësisht), duket që nuk e dëgjoi
këtë fjalë. Porsa ktheu kokën, më përshëndeti si një triumfatore, pasi
sipas mendimit të saj dhe unë po bëhesha dëshmitar, që i biri na qënkësh një
gjeni. Domosdo që gjeni do të ishte, përderisa mbante mend që unë qënkësha një poet në qytetin tonë …të vogël. I biri me siguri do të bëhej ose
Ajnshtajn, ose Moxart. Për Shekspir apo Pushkin, as të mos e mendoja fare.
Dihet që çdo nënë, te fëmija
i saj sheh një gjeni të ardhshëm. Çdo fjalë që bëlbëzon, do të ketë ndonjë
kuptim të madh, do të jetë ose ndonjë formulë shpëtimtare, ose ndonjë sentencë
filozofike. Madje edhe atëherë, kur përmes lotëve, i thotë troç edhe shkoqur: “Mami,
i laga bebelinot.”
Kjo është arsyeja që kjo
zonjë, mysafire te një komshie e imja, ndërsa më shihte mua me bisht të syrit
triumfalisht, iu drejtua të birit: - Po more bir, ky është ai poeti që shkruan
për…Për kë shkruan ti? – m’u drejtua mua, pastaj pa pritur përgjigjen time
vijoi ligjëratën drejt të birit…. -Ë ë ë, po, ë, shkruan për Skënderbeun, për
malet, për detin….
Unë nuk e ndërpreva që t’a
kundërshtoja dhe as u habita për morinë e temave që më faturoheshin,
pavarësisht se mua, as që më kishte vajtur mendja ndonjëherë për to. Dihet që gratë e bukura,
kanë gjithmonë të drejtë dhe isha kaq i mënçur, sa që të mos e kundërshtoja.
Por ja që fëmija i saj nuk ishte
mjaftueshëm i mençur, pasi pa takt ia ndërpreu fjalën:
- O ma’! Po unë di që poetët
kanë vdekur. Pse ky është i gjallë?
E ëma u hutua për një moment,
pastaj pasi e kapi të birin nga veshi, më kërkoi ndjesë për fjalët pa takt të
tij, të cilat me siguri, ndonjë shok i lig ia kishte mësuar aty në shkollë,
sepse familja e saj kishte shumë respekt për poetët dhe se në shtëpinë e saj, i
kishin të gjitha librat e mia dhe i lexonin familjarisht….
…dhe siç e kishte zënë, do
thoshte se poezitë e mia i lexonin bashkë me Ungjillin ose me Kura’nin, por
veshi i zgjatur i fëmijës, po më dhimbte mua më shumë se atij vetë, ndaj
ndërhyra:
- Zonjë, lëshoja veshin
fëmijës, se ai s’ka faj. Është shoqëria jonë, që i respekton dhe i vlerëson
poetët vetëm …pasi vdesin….
Kjo histori m’u kujtua,
ndërsa mbyllja telefonin celular, i ulur para kompjuterit dhe një trishtim më
kaploi të tërin. Trishtim për faktin se, kisha hyrë në një pyll të dendur
problemesh administrative dhe shkurret nëpër to, më pengonin në ecjen drejt
ftesës së shumëpritur dhe të dëshiruar. Trishtim edhe për faktin se, nuk do t’i thosha dot Gjilanit se sa të
madhërishëm qenë bijtë e tij. Ata, të thjeshtët, miqtë e mi.
Doja të shkoja dhe t’i dëshmoja Gjilanit,
shpirtin vullkanik të Sabit Rustemit, përherë në aktivitet. Me një llavë
vargjesh, që s’ka të reshtur. Shpesh herë, poezitë e tij më ngjajnë si ca
shpërthime vullkanike të befta, me ca
metafora që të bien nga lart si shkëmbinj të zjarrtë vullkani në shpërthim. Nuk ke frikë mos të
shtypin, sepse të zjarrtë siç janë, të shkrijnë të tërin e të bëjnë pjesë
organike të llavës së tyre.
Doja t’i flisja për shkrimet
kritike të Nexhat Rexhës, të shkurtëra, si hardhi të krasitura në këtë prag
dimri. Do të vijë pranvera dhe do gjelbërojnë këto hardhi, ku do të piqen ditët,
si vile rrushi. Dhe pranë tyre, do bëhen dasmat e do pihet verë, do jeshilojnë
vargjet e rreshtat. Kemi vërtet
nevojë për këto krasitje, në këtë harbim krijimesh.
Duhet të mburret Gjilani me Albina Idrizin, me
oqeanin e saj shpirtëror human. Unë nuk di të ketë Gjilani det, por te Albina
Idrizi, unë shoh vërtet një oqean. Vargje të tilla si:…unë jam nënë, ndaj fal
dhe atë që s’falet…, të trondisin me dimensionin e tyre të pakufi. Vargje të
tilla ndalin edhe kohën. Dhe s’di pse, më kujtohet ajo fjala e
urtë e viseve të mia…trimi të fal…
E kam të vështirë të flas për
Miradije Ramiqin, për kufirin që ndan poezinë me pikturën te ajo. Po kush ka
thënë vallë, se kufiri mes oqeaneve matet me metra. Edhe miljet detare, janë pak për to.
Nuk e kam parë kurrë Gjilanin, por me siguri do të
jetë i bukur. Do të jetë i bukur, përderisa ka të bukur bijtë e tij.
Unë nuk e di sa i vlerëson ky qytet poetët e tij,
por unë do t’i thosha se, poetët janë lavdia e një kombi. Monumentet e tyre,
kombit ia dedikojnë. Dhe këta poetë e duan Gjilanin dhe m’a prezantuan edhe mua,
të bukur e të dashur. Aq sa të më vijë keq e të trishtohem me pamundësinë time
për të shkuar aty.
Por edhe në qoftë se nuk shkoj unë, po dërgoj
zemrën time, si një pulëbardhë krahëlagur nga stërkalat e Jonit dhe po ju them:
- Unë mburrem me miqtë e mi
gjilanas. Krenohu dhe ti Gjilan me bijtë e tu!
11.10.2011
Kadaresë: Një urim
për ditëlindjen…
nga Gjirokastra*
- Poetët dhe profetët, kanë
shpesh herë një fat të ngjashëm. Ndërsa pranohen dhe përshëndeten nga e gjithë
bota, rëndom ndodh, që të mohohen nga vendlindja e tyre. Arsyet për këtë
janë të shumta dhe të ndryshme, por
gjithmonë larg predikimeve të profetëve dhe krijimeve të poetëve.
- Kështu i ndodhi Jezu Krishtit.
Ndërsa gjithë njerëzimi e përshëndeti dokrinën e
tij kristiane, duke e pritur në mënyrë festive në çdo predikim dhe duke
përqafuar masivisht fenë e tij, çuditërisht vetëm fshati i tij i origjinës,
Nazareti, nuk e priti, nuk e pranoi dhe nuk e mbështeti.
Jo vetëm kaq, por kur fshatrat e tjera fqinje u
kthyen në fenë kristiane, nazaretasit refuzuan totalisht përqafimin e kësaj
feje.
Gjysma e botës u bë
kristiane, por jo Nazareti.
- Kështu i ndodhi
përafërsisht edhe Ismail Kadaresë.
Ndërsa gjithë bota e
qytetëruar e pranon gjenialitetin e tij, e bën anëtar të Akademive më famoze në
botë, e propozon për çmimin Nobel, i jep çmimet më prestigjioze në letërsi,
çuditërisht nga atdheu i tij, nga bashkëkombasit e tij, artikulohen kundër tij
sulmet më monstruoze. Nga njerëz të dështuar të letrave, nga shtetarë pa
dinjitet, nga smirëzinj e gjithfarësoj të këtij kallëpi.
Madje edhe nga qyteti i tij i
lindjes.
Vërtet që këta janë pak, por
gjithsesi janë.
- Por duhet të pranojmë se
Ismail Kadareja, është më me fat se Jezu Krishti.
Sepse qyteti i tij i lindjes, edhe nëpërmjet
këtij aktiviteti, shpall botërisht se e do dhe e nderon birin e tij. Ky
aktivitet i sotëm, është edhe një deklaratë publike e qytetit të Gjirokastrës,
se ai po vendoset në pozicionin e mbrojtjes së birit të tij.
- Dhe mua, në emër të Klubit
të ‘’Krijuesve Jonianë’’ të qytetit të Sarandës, s’më ngelet gjë tjetër, veçse,
duke i uruar Kadaresë: -Edhe njëqind vjet të tjera!- ju drejtohem juve me përgëzimin:
- Të lumtë moj Gjirokastër!
*- I ftuar nga Shoqata ‘’Miqësia’’, Qendra e Medias
‘’Obelisk’’, me partner Shkollën e Mesme të Përgjithshme ‘’Asim Zeneli’’
Gjirokastër, të cilët organizuan në mjediset e
Hotel ‘’Çajupi’’, veprimtarinë–kokteil: -“Një urim për ditëlindjen’’, në
kuadrin e 75 vjetorit të gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare, në emër
të shoqatës ‘’Krijuesit Jonianë’’ të qytetit të Sarandës,
përshëndeta veprimtarinë me fjalën e mësipërme.
PËRMBAJTJA
PJESA E PARË
|
|
Kur qanin kuajt e Akilit
|
|
Jan Kukuzeli nuk ka kënduar… labçe
|
|
Në
Himarë, ku dhe Zoti vjen i ftuar…
|
|
Gjenerali i këngës labe
|
|
Vazhdimi i një bisede të lënë në mes…
|
|
PJESA E DYTË
|
|
Sa e bukur është gjuha jonë!
|
|
Shenjtërimi i shtëpive tona…
|
|
Xhelal Tosku ecën nëpër …tym
|
|
Të
flasësh për betimin e rremë
|
|
Poezia e një romani Drenusha që lëpin plagët
|
|
1. E dashuruar
në diell
|
|
2. Nën hijen e
kullave…luftohet ndryshe
|
|
3. Shenjtëria e
Fjalës
|
|
Bohem i …dashurisë
|
|
Qytetaria e një poezie
|
|
Dionis Kola dhe dilemma midis prozës dhe poezisë
|
|
Trëndafila dashurie mbi akull
|
|
Epoka që verbon poetët
|
|
Historia që s’duam t’a lexojmë
|
|
PJESA E TRETË
|
|
Si t’a vras vëllain?
|
|
Ortodoksët shqiptarë
janë …shqiptarë
|
|
Si e ka emrin Ministri?
|
|
Aty ku s’jam…dërgoj zemrën time
|
|
Kadaresë: Një urim për ditëlindjen…
|
Am Afrodita nga TIRANA, i dashuri im më la për një arsye që nuk ma bëri kurrë të njohur, më bllokoi në çdo rrjet social që mund të përdorja për të kontaktuar me të. e cila më solli trishtim, u përpoqa ta kthej, por u mashtrova dy herë, derisa takova një mikun tim shumë të mirë i cili më tha se si u ndihmua nga një magjistar i mrekullueshëm i quajtur Dr Dr, pastaj i shkrova atij në WhatsApp, ai më premtoi se do të më ndihmojë dhe gjithçka do të jetë mirë në 3 ditë pasi ai bëri një magji dashurie, dhe unë bëra gjithçka që ai më udhëzoi, për ta shkurtuar historinë, për habinë time më të madhe, ish i dashuri im të kthehej tek unë pas 3 ditësh dhe duke qarë duke më kërkuar ta fal që nuk e kishte parë atë që i ndodhi, ai më premtoi se nuk do të më linte kurrë për asnjë arsye, dhe tani ne jemi të përkryer së bashku me gëzimin dhe lumturinë, të gjitha falë Dr White, kontaktoni me të për çdo lloj magji, më besoni ai do t'ju ndihmojë të zgjidhni çdo problem që po kaloni për momentin,
ReplyDeleteEmail: wightmagicmaster@gmail.com
WhatsApp+17168691327
Nuk mund ta besoja se do të ribashkohesha ndonjëherë me ish të dashurin tim, isha aq i traumatizuar duke qëndruar vetëm pa një trup që të më qëndronte pranë dhe të ishte me mua, por isha aq me fat që një ditë takova këtë magjistar të Dr. Ediomo, pasi i tregova per gjendjen time ai beri cdo gje qe ishte e mundur qe te shihte te dashurin tim te kthehej tek une, ne fakt pasi beri magji ish i dashuri im u kthye tek une me pak se 48 ore, ish i dashuri im u kthye duke me lutur qe nuk do te rikthehej kurre. me ler perseri, 3 muaj me pas u fejuam dhe u martuam, nese edhe ti ke te njejten situate. Ai është shumë i fuqishëm në punët e tij;
ReplyDelete* magji dashurie
* magjitë e tërheqjes
* nëse doni që ish-i juaj të kthehet
* Ndaloni divorcin
*thyej obsesionet
* shëron goditjet në tru dhe të gjitha sëmundjet
* magji mbrojtëse
*infertiliteti dhe problemet e shtatzënisë
* magji llotarie
* magji me fat
Kontaktoni Dr Ediomo në emailin e tij: drediomo77@gmail.com
faleminderit shume zoteri qe ma ktheve ish te dashurin tim emailin e tij: drediomo77@gmail.com ose telefono/whatsapp:+2349132180420
+2348155926512
DR DAWN ËSHTË NJË SHPËTUES I JETËS DHE MUND TË JU SIGUROJ.
ReplyDeleteEmri im është loana conga dhe jam këtu për t'u bashkuar me shumë njerëz këtu për të falënderuar Dr DAWN për ndihmën dhe gjestet e tij të mira ndaj meje. Kam pasur një përvojë të tmerrshme të thyerjes së zemrës me burrin tim. Ai më la dhe unë isha i shkatërruar dhe nuk gjeta asnjë ndihmë për ta kthyer atë. Në një moment isha në depresion derisa hasa në faqe ku njerëzit dëshmonin se si i ndihmoi Dr. DAWN. E kontaktova dhe ai nuk hezitoi asnjë moment të më ndihmonte edhe mua. Jo vetëm që e ktheva burrin tim pas 48 orësh, por dashuria dhe lumturia janë rikuperuar më mirë se kurrë. dr. Agimi është një personalitet i mrekullueshëm dhe nuk mund ta falënderoj sa duhet për shërbimin e tij vetëmohues ndaj njerëzimit. kontaktoni atë tani me email: dawnacuna314@gmail.com
Whatsapp: +2349046229159
*Për magji dashurie.
*Për të ndaluar abortin.
*Për të mbetur shtatzënë.
*Për të kuruar të gjitha llojet e sëmundjeve.
*Për të rivendosur paqen dhe lumturinë në martesën ose marrëdhënien tuaj.
*Për të fituar biletën e lotarisë.
Dhe të tjerët.
Emri im është Joana Berankis dhe jam këtu për të falënderuar DR DAWN për ndihmën e tij në shpëtimin e marrëdhënies sime. I dashuri më la sepse isha i matur dhe e kam luftuar disa herë për shkak të pasigurisë, duke mos e parë kurrë pranë asnjë zonje tjetër. Nuk mund të gjeja një mënyrë më të mirë për ta bërë atë të kthehej tek unë dhe DR DAWN erdhi në shpëtimin tim. Kur e kontaktova, ai më tha gjithçka që duhej të dija se si do të rikthehet dashuria dhe lidhja mes meje dhe burrit tim. Unë u binda dhe ai e bëri punën pa hezitim dhe menjëherë pas 48 orësh më thirri i dashuri. Jam e lumtur dhe plot jetë për shkak të mirësisë së DR DAWN. I bëj thirrje kujtdo që ka probleme të kontaktojë me të tani dhe ai me siguri do t'ju ndihmojë.
ReplyDeletedawnacuna314@gmail.com
Whatsapp: +2349046229159