Të lexosh një
poezi….
Përsiatje mbi poezinë “Iso-ja e
detit” e Fatmir Terziut
Nga Timo Merkuri
Të lexosh një poezi, nuk mjafton që të dish shkrim e
këndim. Nuk mjafton të shëtisësh nëpër vargje si në parqet e qytetit duke admiruar së jashtmi
bukurinë e shatërvantë të metaforave apo
bronxin statujor të krahasimeve.
Nuk mjafton të mësosh përmendësh disa vargje e ti
recitosh ato.
- Kjo është si të bësh disa poza fotografie gjatë një
shëtitjeje turistike, duke pretenduar që po mer me vehte bukurinë e vendit apo
historinë e objektit që fotografon. Në fakt, ti vetëm sa fikson vetveten në celuloid apo memorikart
pranë një vendi, që gjithsesi mbetet aty
ku ka qënë edhe më parë. Je ti ai që
ikën prej tyre.
-Kjo është si të
kalosh pranë një floriri (poezie) dhe të mos e shohësh atë. Nuk humbet vlerën
floriri pse nuk e pe dhe nuk e more ti. Do gjëndet dikush që ta shohë dhe ta
marë, dikush që do fitojë.
Të lexosh një
poezi do të thotë të jetosh poezinë.
Të jetosh poezinë do të thotë që bëhesh banor i “qytetit
poetik” që ka ndërtuar poeti. Do të thotë që të shkrish veten në botën e poetit, si lumi që shkrin e mohon vehten kur derdhet në det. Dhe të të
mehet fryma në vargjet….dritaren e mbaj
hapur/për të dëgjuar zhurmën e valëve/pëshpëritjen tënde të shpirtit/..ison e
fjetur bunacë…
Të lexosh e të jetosh te këto vargje një
deklaratë dashurie.
Dhe të mendosh se
kjo pëshpërimë e shpirtit që poeti e
dëgjon në Londër është zhaurima e valëve të Jonit, më e pakta që mund të bësh
është të admirosh këtë dashuri të madhe tejëkontinentale.
Të lexosh këtë
poezi do të thotë të jetosh këtë poezi të ardhur si
një kontribut në debatin e rindezur me temën …Polifoni apo iso-polifoni dhe
origjinën e këngës sonë popullore nga ritet mortore të vajtimit. Sepse, jo
rastësisht, rrymat kryesore të idesë së
poetit janë ato të këngës sonë iso-polifonike. Dhe këto të para me syrin
jonian…
…Jon, a e
dëgjon/Deri këtu në Londër ndjehet isoja jote
…a të kujtohet kur
lanim lotët bashkë/…është isoja jote në këtë guackë/është kënga që erdhi nga
dashuria e pastër e Afërditës…
…e ndjej pulsin
tënd ku përlotet planeti/..një shpërthim nga de(r)ti
Të lexosh këtë poezi joniane të Fatmir Terziut do të
thotë, jo vetëm të dëgjosh ison
e valëve që era ta sjell pranë me tramudanë, nga
Joni në Londër, por në radhë të pare, të jetosh këtë iso, që
vetiu të përlot, jo aqë nga shija e
athët e kripës së detit (apo e lotit), se sa nga fakti se vetë kjo iso është shpërthim
i një shpirti , nga derti e
nga dhimbja. Dhe deti Jon vetiu të
kujton dhimbjen dhe lotët, qysh nga vdekja e Jonit në hershmëri, nga kënga vaj
e sirenave, nga dhimbja e Vajzës së Valëve për të klithur më pas te kënga “O
pampor o dhog e thatë”. Instiktivisht poeti dëshmon një të vërtetë të
madhe shkencore, të vërtetën e
pakundërshtueshme që kënga jonë iso-polifonike e ka origjinën nga
vajtimi me ligje. Këtë poeti e
thotë me finesë… a të kujtohet kur lanim
lotët bashkë. Këtë të vërtetë të cilën disa pseudo studiues e anatemojnë, si
diçka arkaike, jo shumë e “bukur”, pa kuptuar se anatemojnë pikërisht identitetin shqiptar të këngës popullore. Të
asaj kënge që u njoh nga UNESCO si
kryevepër e njerëzimit
Instiktivisht poeti thotë…Deri këtu në Londër ndjehet isoja jote/ lindin bashkë me të poezitë e reja…
Duket si një varg i bukur që admirohet menjëherë, por unë
do ju ftoja të ndalojmë pak këtu, para se të kalojmë te vargjet vijuese, po aqë
të bukura.
Unë ju ftoj të ndalojmë këtu, për dy arsye. E para se ky
varg…deri në Londër ndjehet isoja jote…nuk
është thjeshtë dhe vetëm dashuria e poetit për Jonin apo ison. Kjo më më shumë
dëshmon shtrirjen dhe jetëgjatësinë e
isos, në distancë gjeografike dhe kohore. . Nuk e thëret poeti ison, e gjeti
isoja poetin në Londër.
Ajo që në kohët e
sotme u ndje nga poeti deri në Londër,
duke kaluar lirshëm nëpër “kakofoninë”
muzikore moderne nëpër distancën
Sarandë-Londër, ajo shumë lirshëm ka lëvizur nëpër shekuj në trevat e saj. Jo vetëm ka
lëvizur, por edhe është ritur, burëruar e fisnikëruar.
Vargu fin…lindin
bashkë me të poezitë e reja…, menjëherë i dashuruar prej meje, është
paraqitja më elegante e faktit shkencor
të gjenezës së këngës sonë popullore nga vajtimi. Populli ynë, i cili nga
rrënkimin vajtimtar (isoja) nxori kryeveprën e njerëzimit, këngën
iso-polifonike, nuk e ndërpreu procesin krijues në laboratorin e tij.
Prej këtij
rrënkimi vajtimtar (iso) ai tashmë prodhon …poezi.
Është e bukur
isoja jonë.
Unë dua të mendoj se edhe Afërdita këngën tonë me iso ka
kënduar në tempullin e saj në Onhezmin e antikitetit, Sarandën e sotme. Por në
qoftë se nuk e dëshmoj dot këtë
hipotezë, deri tek ne sot, kanë ardhur dëshmitë që Isadora Dunkan, kur u
vendos në Sarandë, bashkonte zërin e saj me gratë e vajzat e Sarandës në këngën
iso-polifonike, duke lehtësuar kështu edhe dhimbjen e sëmundjes së saj.
Është e bukur
iso-ja jonë. Madje është
jetëdhënësia e këngës. Po të shuhet isoja, automatikisht shuhet edhe kënga. … Duhet të dishë se një deti i vjen
vdekja/…kur i shuhet isoja…Më poetikisht nuk mund të thuhet një e vërtetë
shkencore.
…E ndjej pulsin
tënd ku përlotet planeti….
A mos vallë duhet të kujtojmë faktin se populli ynë u ka
kushtuar këngë të mrekullueshme edhe popujve të vendeve të largëta, kur ata
kanë qënë në situate problematike (boerët
zun e luftojnë). S’është nevoja të sjell
unë shëmbuj, e ka thënë shumë bukur Fatmir
Terziu te vargu i mësipërm. Ne na mbetet vetëm ta admirojmë.
Të lexosh një poezi nuk mjafton të dishë shkrim e këndim,
apo të keshë një diplomë.
Të lexosh një
poezi do të thotë të jetosh në poezi. Si te kjo poezi e bukur joniane e Fatmir Terziut, të cilën unë ju ftoj ta rilexoni përsëri:
Isoja e detit
Nga Fatmir Terziu
Edhe pse jam larg në Londër,
dritaren e dhomës së gjumit e mbaj hapur,
jo vetëm për të ndjerë freskinë e gushtit,
më shumë për të dëgjuar zhurmën e valëve,
pëshpëritjen tënde të shpirtit
penën që rrëshket mbi dallgë
ison e fjetur bunacë.
Sepse e njoh këngën tënde
është përzgjedhur në armatën e madhe të kulturave
pranë jetës, pranë puthjeve, pranë dashurive
herë ndjen frymën e shpirtrave të lodhur,
herë frymën tënde të jodëzuar,
Jon, a e dëgjon?
Deri këtu në Londër ndjehet isoja jote,
lindin bashkë me të poezitë e reja.
Je përzgjedhur nga të gjithë
e duhet t’ua kthesh me shpirt,
natë e ditë në vrullin tënd si Leukotea.
Mund të biesh në bunacë
e trupi yt mund të të dhëmbi
po në shënimet e mia duhet të flesh mbi fjalë,
ashtu i madhërishëm përsëri,
a të kujtohet kur lanim lotët bashkë?
A e dëgjon?
Këtu zëri yt vjen i radhë
është isoja jote në këtë guackë
është kënga që erdhi nga dashuria e pastër e Afërditës
duhet ta dish
se një Deti i vjen vdekja
kur i bie në trup e në zë urrejtja
kur i shuhet isoja.
Edhe pse jam larg në Londër,
e ndjej pulsin tënd ku përlotet planeti
një atribut i njohur i perëndeshës së këngës
një shpërthim nga de(r)ti.
Pak fjalë desha të ti them.
Në këtë kohë secili duhet ta dijë çmimin tënd
e ta thotë me gojë, me fakte apo me penë.