Tjetërsimi i thelbit të një
problemi…te ritet e vajtimit
Nga Timo Mërkuri
2-E qara me “botë”
dhe vajtimi me ligje, pjesë e
ritualit mortor dhe gjenezë e këngës sonë popullore.
Te libri i tij “Tjetërsimi i Polifonisë Shqiptare”
studiuesi F. Çaushi analizon “gjëmën”,
të qarët me “botë” dhe e përjashton atë kategorikisht si gjenezë apo element
ndikues në origjinën e këngës sonë popullore iso-polifonike. Këtë e bën duke u
bazuar pikërisht te disa karakteristika
anësore të saj, gjëmës, si klithmat, ulërimat me llahtar të vajtoreve në
të qarët me “botë”, duke u bazuar në gjestikulacionet arkaike të shkuljes së
flokëve, çjerrjes së faqeve të vajtoreve. Madje për këtë i referohet edhe
G.V.Hahnit i cili ka asistuar në një gjëmë në Zhapës e Labovë, i cili klithmat
e vajtoreve në gjëmë i krahason me ulërimat
e ujqërve (sic). Për këtë sjell edhe dëshmitë e Lukianit…fillon kuja dhe të qarat e grave, vajtimet e
të rahurat e kraharorit, shkulja e flokëve dhe çjerrja e faqeve… ose citon
vargjet dramatike të Eskilit… Godas me
grushte fytyrën fortë/shkul flokët, faqet grij me thonj… dhe argumenton se
…në asnjërën prej tyre nuk kemi polifoni, sepse polifonia është
krijimtari e ndërgjegjëshme, jo ulërima dhe klithma instiktive…
Unë mendoj se në
lidhje me këtë problem duhen sqaruar disa elementë dhe konkretisht:
2.1-E qara me “botë”, “gjëma”
është pjesë e pandarë e ritualit mortor dhe që nuk i përket vetëm historisë
antike, por edhe kohëve më moderne. Duke e shkëputur atë, të qarët me botë,
gjëmën nga ritualet mortore, nga ceremonitë mortore dhe duke e trajtuar më
vete, si një degë të këputur nga një pemë, mund të konkludojmë vetëm që…kjo degë na qënka një shufër me të cilën
vetëm sa mund të godasim dikë…
a-E
qara me botë nuk është një ulërimë
zëçjerrëse e ngjashme me ulërimën e ujqërve.Ky krahasim mund ti lejohet
Hahnit, si i huaj që ishte dhe që nuk i dinte regullat dhe ligjësitë tona
zakonore. Ai skishte si ta dinte që e qara me botë, në kohën e konstatimit prej
tij, ishte një segment i rituali mortor, madje jo vetëm fillimi i ritualit
mortor, ai fillim i natyrshëm kur
provokohet dhimbja me ardhjen e lajmit të mortit apo ardhjen e trupit të
viktimës, ardhjen e të afërmve të të ndjerit. Por ne që i kemi përjetuar edhe në familjet tona
apo të afërmit tanë, ne që kemi parë nënat e gjyshet tona të shkulin flokët e
të çjerin faqet, të godasin kokën në
muret e shtëpive, ne nuk kemi shumë nevojë për dëshmitë e tipit…shënime
udhëtimi… të Hahnit. Ne flasim për dëshmi jete.
Ajo që unë dua të theksoj këtu, është fakti se edhe këto
të qara më botë, me ulërima e të çjera faqesh nuk kanë qënë gjeste e veprime
individuale. Ka patur një “regullshmëri” kolektiviteti edhe në
shkuljen e flokëve , çjerrjen e faqeve gjatë të qarit me botë. Ka patur
një rregullshmëri edhe në vajtjen e
shtëpisë së mortit të të afërmve e të ndjerit, të cilët e zinin gjëmën,
minimalisht 50-100 metra larg shtëpisë së viktimës.
b-Unë ju ftoj të lexoni Barletin (dhe “Skënderbeun” e S.Godos) kur
shkruan mbi vajtimin e Lekë Dukagjinit në Lezhë. Nuk vajtoi vetëm Lekë
Dukagjini, por vajtoi me gjëmë gjithë ushtria shqiptare. Të gjithë i binin gjoksit, çirnin faqet, klithin
vajtimin. Askush nuk guxon të thotë, sipas Hahnit, se …ata klithnin si ujqër…
Ata vajtonin shqiptarisht, me gjëmë, me botë. Dhe hapat
që hidhnin drejt shtëpisë ku dergjej trupi i pajetë i kryeprijësit shqiptar,
ishin hapa të rregullt, gati
ushtarakë…një hap para, pastaj përulje e
trupit dhe goditje e tokës me pëllëmbë të dorrës, gati me inat. Unë e kam parë
vetë një ritual të tillë, në kohët e
sotme.
Unë kam parë burrat e Pilurit kur shkojnë në shtëpinë e
viktimës me gjëmë në buzë dhe gratë duke shkulur flokët apo çjerur faqet. Pasi
hyjnë në shtëpinë e të ndjerit me sokëllima e ulërima vajtimtare, vetëm pasi
mbarojnë vajtimin me gjëmë, përshëndeten me të pranishmit për të vijuar më pas
vajtimin me ligje.
c-Në internet është hedhur një fotografi e Marubit (nqse nuk gaboj) e cila tregon një grup burrash malsorë duke
bërë gjëmën. Ata janë një grup, të vendosur gati në vijë të drejtë, me gjunjë
gjysëm të përkulur duke “klithur“ në të njëjtën kohë. Pozicioni i tyre, gati i
njëjtëpërulur dëshmon se edhe “klithma” e tyre është e njëtrajtëshme, si në korr.
Pra gjëma, e qara me botë, ka qënë një akt kolektiv dhe
jo individual. Është tjetër gjë pse një nga pjestarët e grupit e ngrinte zërin
një oktavë më lart se të tjerët, gjithmon ose në një moment të caktuar. Kjo nuk
e përjashton atë nga kolektiviteti i të qarit më botë.
Edhe Plutarku, te legjenda e Butrintit dëshmon se…vajtimi
i nimfave…, kur morën vesh vdekjen e Panit, ishte një akt mortor kolektiv dhe
jo individual..
2.2-a-E qara me botë nuk ka qënë vetëm …klithmë e ulërimë rënqethëse. Vajtoret shqiptare kanë krijuar perla
të ralla artistike edhe në momentet e të
qarrit me botë, mbi trupin e të ndjerit, vetkuptohet kur ata qenë njerëz me
vlera të larta individuale dhe shoqërore. Vajtimet e famëshme…Qaj moj Çikë me Gjinikë/ se drëri juaj ka
ikë/që i shtij hasmitë frikë….ose…Qeparoi majë shkëmbi/pataksem si s’lot nga
vëndi/iku Sokrat Lekë drëri/ kapedan i këtij vëndi… apo vajtimi mbi trupin
e Zerbin Çakallit në Pilur…Ç’u çkul
oxhaku në grikë/o Zerbin sofërjeshiltë/po kush do ti presë miqtë/Abdylin dhe
Frashërllinjtë…janë dëshmi e pakundërshtueshme të faktit se gjëma, e qara
me botë nuk ka qënë thjeshtë …ulërimë me llahtar.
Dikush do më thotë që këto janë të qarë me ligje…
Ndoshta, por nëpër vite
kanë ardhur dëshmitë se këto vaje janë mbajtur mbi trupin e të ndjerëve.
Të qarët me botë është bërë kryesisht mbi ose pranë trupin të të ndjerit, në shtëpinë e tij ose
në varreza, në momentin e përcjelljes.. Edhe këto vargje të sipërpërmëndura janë vajtuar, jo me
ëmbëlsi por me forcë e me dhimbje, mbi trupin e të ndjerit.
Afërsia e këtyre vargjeve gjëmë me vajet e ligjeve do të thotë se…të qarët me botë, me gjëmë ka
evoluar në vajtimin me ligje. Kjo do të
thotë se të qarët me botë, me gjëmë ka qënë fillesa e ritualit mortor nëpër
kohra, ka qënë “trungu” i këtij rituali.
b-E
qara me botë dhe e qara me ligje kanë
ndryshim tonaliteti “muzikor”, por
ne nuk flasim se kush do fitojë çmimin në festival. Patjetër që do ketë
ndryshim sepse e qara me botë është më e vjetër, më arkaike në krahasim me
vajtimin me ligje.
Por ajo që ka rëndësi është fakti se është i njëjti
fenomen…vajtim. Ka të njëjtën origjinë, ritet mortore, i kanë aplikuar i njëjti popull. Fakti që shpesh në ritualin mortor përzien të qarët me
botë dhe vajtimin me ligje tregon lidhjen mes tyre, vazhdimësinë e njëratjetrës
dhe nuk flet për ndonjë përjashtim të njera tjetrës.
c-A
ndodhen elementë arkaikë të të qarit me
botë, me gjëmë në këngën tonë popullore?
Po, ndodhen. Hedhësi i këngës himarjote( por edhe
pilurjote), ai që me zërin e tij “klithmë”
të mban frymën pezull e të rrënqeth trupin, nuk është gjë tjetër veçse
ai “gjëmëtari” që klith në të qarën me botë, në gjëmë.
Dikush mund të thotë se dhe ky zë është marë nga klithma e të afërmve në vajtimet me ligje.
Por duhet të pranojmë se te vajtimet me ligje, kjo klithmë ka ardhur si
“atavizmë” e gjëmës, e të qarit me botë. Edhe ky fakt është dëshmi e
vijueshmërisë së gjëmës, të qarit më botë dhe vajtimit me ligje.
Neço Muko Himarioti kur krijoi “avazin himarjot”, jo më
kot i dha një rol dhe funksion të ri
hedhësit, zërit më arkaik dhe më
jetëgjatë të këngës popullore. Ky zë që kishte jetuar nëpër shekuj kishte
forcën vitale ta çonte këngën tonë popullore në kohërat e ardhëshme.
ç-Pse ka rëndësi pranimi dhe mbrojtja e kësaj teorie të origjinës së
këngës sonë popullore, duke patur si fillesë gjëmën, të qarët me botë dhe
vijueshmëri të saj, të qarët me ligje.
Jo vetëm që ka rëndësi por është dhe gurthemeli i
identitetit shqiptar të këngës iso-polifonike. Kënga jonë popullore, në
origjinën e saj, nuk ka lindur si …krijimtari
artistike e ndërgjegjëshme…(sic).
Po të pranonim këtë tezë, atëherë duhet të pranonim se
kënga jonë është prodhim artistik modern, i ndërgjegjshëm, i kohëve të
vonëshme, i kohëve moderne, krahasuar kjo me kohën e lindjes reale të saj.
Sepse veprat artistike të ndërgjegjëshme
kanë lindur shumë kohë më von nga koha kur nënat, motrat e baballarët vajtonin bijtë e vëllezërit e
tyre.
d-Tragjeditë e Eskilit dhe të autorëve të famshëm antikë grekë janë
shkruar shumë më von se të gjëmonin gjëmat dhe ligjërimet e nënave tona. Por
Eskili (dhe të tjerët) si artist i madh që ishte, nuk mund të kalonte
indifferent para këtyre perlave popullore. Ai i mori ato nga populli im dhe i
vuri artistikisht në tragjeditë e tij, duke i bërë ato, tragjeditë, jo vetëm më
njerëzore por edhe më jetëgjata. Kori dhe korifeu, vërtet nuk na kanë lënë muzikën të shkruar në pentagram, por as
vajtimet e herëshme të nënave tona nuk janë në pentagram. Ajo që kanë të
përbashkët është fakti se kori dhe korifeu janë identikë me grupet e këngëve
tona popullore, si nga përbërja ashtu dhe nga funksioni.
Mos vallë duhet të kujotojmë se shekuj më von, një tjetër kolos i letrave,
Shekspiri, do vinte në qëndër të një kryevepre botrore, Hamleti, një legjendë
skoceze. Ndërsa Eskili vuri në skenë
artistikisht, jo një legjendë, por një aktualitet të kohës së tij.
Tragjeditë e Eskilit janë …vepra artistike të
ndërgjegjëshme.
Gjëma, të qarët me botë dhe vajtimet me ligje janë
veprime instiktive njerëzore.
Pse populli im gjëmën, vajtimin me ligje e shndroi në një
vepër arti , kjo ështëë meritë e tij . Evidentimi i kësaj vlere, lartësimi i
saj bashkë me zbulimin e procesit laboratorik të këtij shndrimi është detyrë e
forcave intelektuale të vendit.
Pra, tragjedianët e mëdhenj antikë e kanë marë nga
populli ritin mortor dhe ceremonialin e vajtimit me ligje dhe e kanë vënë në
veprat e tyre. Nuk ka ndodhur e kundërta.
e-Po kështu edhe hymnografia kishtare e ka marë iso-n dhe kolektivitetin
e këngës iso-polifonike dhe e ka vendosur në ceremonitë fetare, duke i bërë ato
më sublime, më hijerëndë, më imponuese. Jan Kukuzeli i famshëm, autori i
hymneve fetare dhe studiuesi i disa metodave të mbajtjes së iso-s në këto hymne, studim dhe realizim i cili i
dha apelativin “shënjt”, e ka patur shumë më të lehtë se studiues të tjerë
kishtarë aritjen e suksesit. Si shqiptar që qe, ai njihte këngën tonë
popullore, si studiues që ishte ai dinte origjinën e këngës sonë nga vajtimi,
si artist që qe ai njihte vlerat artistike të iso-s. Atëherë e përshtati
iso-n shqiptare në hymnet kishtare dhe
suksesi ishte i padiskutueshëm. Por ama, ishte ai që e mori iso-n nga kënga
popullore dhe nuk e mori populli iso-n nga hymnografia kishtare për ta vendosur
në këngë.
ë-Nga gjithë këto që thamë më sipër, në asnjë rast nuk
kemi identifikuar ritet mortore
me këngën popullore, por kemi theksuar përparësinë e riteve mortore në kohë dhe origjinën e këngës
sonë popullore pikërisht nga këto rite mortore. Në qoftë se lidhje e këngës
popullore me gjëmën, me të qarët me botë është më pak e dukëshme, por jo e
paprezentë,( shiko rastin e hedhësit të këngës himarjote), lidhja e këngës sonë
popullore me vajtimin me ligje është
tepër e prekëshme. Gati shumica e vajtimeve me ligje, madje edhe në kohën e sotme, pasi kanë kaluar nëpër “filtrin e
logatjes”, më tejë janë shndruar në këngë popullore, ndërsa nuk njihet ndonjë
rast që ndonjë këngë të jetë shndruar në vajtim.
f-Por prania e elementëve të
gjëmës, të të qarit me botë te ritet mortore, te vajtime me ligje dëshmojnë për
lidhjen organike ndërmjet tyre, vazhdimësinë e njëra-tjetrës si gjymtyrë të një
trupi. Nqse në mënyrë figurative do pranonim se gjëma është rrënja e pemës së
riteve mortore, vajtimi me ligje është trungu i këtyre riteve dhe frutat janë këngët popullore, unë ju them se frutat
e pemës e kanë marë ushqimin nga rrënjët. Por gabimi i mbrojtësve të tezës së
përjashtimit të gjëmës, të të qarit me botë nga gjeneza e këngës, ndërsa
pranojnë origjinën e këngës nga vajtimi me ligje, është se ata nuk shohin
lidhjen organike midis tyre si dy pjesë
organike funksionale të të njëtit rit mortor. Kjo është akoma më e çuditëshme
kur ata vetë sjellin fakte të prezencës së të dy pjesëve organike të këtij
riti, atë të gjëmës dhe të vajtimit me ligje në të njëjtin rast mortor, në të
njëjtën shtëpi, në të njëjtën ditë. Dhe i referohen pikërisht Hahnit, i cili
dëshmon… vajtimi ndryshon, tani bëhet me
vjersha të cilat i këndon (vajton Shënimi im) një grua ndërsa i përcjell kori i grave të tjera…
g-Pra janë ato gra,… ulërima e të cilave krahasohej me ulërimin e ujqërve… , por tani janë shndruar
në …poete të vërteta që thurin
ligjërime. Po të kishte patur kohë Hahni, në ndonjë dasëm në atë fshat,
do të shikonte se, po ato vajtore, që në fillim lëshonin ulërima …si ujqit…,
pastaj vajtonin me vargje brilante , në dasëm do këndonin , në grup apo në
valle po ato vargje që vajtuan te shtëpia e mortit. Por Hahni skishte kohë.
Nxitonte se ishte i huaj, udhëtar. Por
ne që jemi në vendin tonë, që kemi asistuar nëpër morte, që kemi dëgjuar
të qarët më botë, me gjëmë, që kemi dëgjuar vajtimin me ligje, ne i kemi dëgjuar
ato vajtime, në një kohë jo shumë të vonëshme, të kënduara nëpër festa fshati apo familjare. Kujtoni vetëm
vitin e trishtë 1997, i cili risolli në
jetën shqiptare gjëmën, të qarët me botë, pastaj të qarët me ligje dhe brenda një periudhe dy-tre
vjeçare këto gjëma, këto vaje i riktheu pranë nesh në formën e këngëve.
Vijon
No comments:
Post a Comment