KANUNI
– DËSHMI E QENËSISHME E LIGJËSIVE TË LASHTA TË JETESËS SË NJERIUT TONË
Anton Nikë
Berisha botoi studimin “Kanuni – dëshmi e qenësishme e ligjësive të lashta të
jetesës së njeriut tonë” me botues Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e
Kulturore të Shqiptarëve – Shkup 2023, shoqëruar me tekstin e parathënies së
Fishtës dhe me punimet e atë Pashk Bardhit dhe të Faik Konicës të botimit të pare – 1933.
Le t’i shënojmë
disa përfundime të rëndësishme të këtij studimi të Berishës:
I- Në këtë studim, autori ndriçon lashtësinë e Kanunit të Lekë Dukagjinit
dhe lidhjen e tij me traditat zakonore të lashta shqiptare, analizë që i jep lexuesit një pamje të thellë të
zakoneve dhe vlerave të shoqërisë përkatëse të kohëve të lashta[1]. Gjatë
leximit të krijohet përshtypja se autori, në vend që të bëjë një autopsi të
kanunit ka depërtuar në brendësi të tij dhe na jeo një anatomi të plotë, madje
në një gjëndje funksionale. Kjo arsye të nxit që këtë studim të mos e lexojmë
si një kuriozitet historik, por si një dëshmi që duhet njohur në thellësi të
tij.
Në studimin e tij Berisha na njeh me faktin shumë të rëndësishëm se Kanuni
i Lekë Dukagjinit është shtesë e vonshme e Kanunit të maleve, fillesa e të
cilit nuk mund të përcaktohet; janë dhe variante të tjera bashkëkohore si
Kanuni i Skanderbeut, Kanuni i Bendës etj., ose disa dhe më të veçantë –
Kanuni (sulli) i tëbanave (i kullotave) në bjeshkë[2] etj.
duke e shpurrë në thellësi kohore historikun e hartimit të kanuneve zakonore. Më
së paku kjo është dëshmi e një tradite qytetërimi të shoqërisë të kohës së mesjetës
së parë. Këto kanune dëshmojnë doke zakonore të ndryshme të krahinave në kohë
të ndryshme, që rregullonin marrëdhëniet në shoqërinë, të mbledhura dhe
përpunuara e vënë në zbatim si një “kod ligjor”, si synim e përpjekje për
rregullshmëri të jetës më shumë se për një “sistem juridik”.
Në studim theksohet se Kodi zakonor është një pjesë thelbësore e kulturës
shqiptare dhe një pasqyrë e etikës dhe vlerave të popullit[3]; përmes
tij mund të shohim idealet (edhe ato estetike) të stërgjyshërve të popullit
shqiptar dhe të ruajnë virtytet e besës, të bujarisë, të burrërisë dhe të
mikpritjes. Berisha e vë në dukje që shoqëria shqiptare është e lashtë dhe
autoktone, dhe ka ruajtur shumë prej veçantive të shoqërive matriarkale e
parapatriarkale dhe indoevropiane. Kjo lashtësi është shprehur edhe në
rregullat dhe normat zakonore të Kanunit, si në mënyrën e formulimit ashtu dhe
në atë të domethënies[4].
Duke lexuar këtë studim bindesh se kombi ynë nuk ishte një turmë pa
rregulla dhe norma jete e mardhëniesh, madje analizuar me kohën rregullat e tij
ishin tepër civilizuese ndonëse në dukje të ashpra. Psh kanuni e lejonte
vrasjen (për shkak të hakmarjes) por kishte vënë rregulla dhe për vrasjen, me
synim që të mos bëhej vrasja një epidemi e gjerë. Ndërsa e lejonte vrasjen ai e
kushtëzonte kryerjen e saj jo në mënyrë makabre dhe sidomos ndalonte dhunimin e
trupit të të vrarit, madje kushtëzonte kthimin e trupit në drejtim të qiellit
dhe vendosjen e armës së tij në gjoks, si dhe në disa raste kërkonte dhe
pjesmarjen e vrasësit në drekën e mortit për t'u parë se ai ishte burrë zakoni
dhe jo ndonjë vrasës i rëndomtë.
Kjo është arsyeja që me studimin dhe vlerësimin e kanunit janë marrë
mendjet më të ndritura shqiptare e botërore
dhe jo dokush do.
Studimi bën krahasime interesante me shoqëritë e tjera dhe kodet zakonore
të tyre, në veçanti, autori bën një paralelizëm midis shoqërisë homerike dhe
shoqërisë shqiptare, duke treguar se shumë përbërës themelorë të shoqërisë dhe
të vlerave etike janë të ngjashme.
Ky studimi është një ndërthurje e pasur mes kodit
zakonor dhe
etnografisë. Ai përdor një qasje multidisiplinare duke integruar aspekte të
të drejtës zakonore dhe të antropologjisë kulturore për të bërë një analizë sa
më të plotë të traditave dhe zakoneve arbërore - shqiptare.
Autori përdor burime të ndryshme dhe citon shkencëtarë kombëtarë e të huaj
për të mbështetur dhe përforcuar argumentet e tij, tipar ky që ia rrit vlerën studimit dhe e vendos atë në
një kontekst të gjerë shkencor. Po ashtu, ofron një ndriçim të rëndësishëm mbi
historinë dhe trashëgiminë kulturore të shqiptarëve, duke rikthyer një
këndvështrim të vlefshëm mbi këtë temë.
Studimi i Berishës
shërben edhe si burim i rëndësishëm për shkencëtarët , etnologët dhe
studiuesit, vendas e të huaj, të cilët interesohen për kulturën dhe të kaluarën
shqiptare, ndihmon në rivlerësimin e trashëgimisë kulturore të kombit tonë dhe
në përcaktimin e vlerave themelore të shoqërisë nga se përmban një gamë të
gjerë informacioni dhe reflekton një përkushtim të vërtetë ndaj njohjese dhe studimit
të thellë të këtyre dukurive të rëndësishme.
II-Studimi i Anton Nikë Berishës mbi Kanunin e Lekë Dukagjinit, në bazë të
një analize të thelluar e kodit zakonor shqiptar, sjell disa përfundime
studimore të veçanta dhe të rëndësishme: ai ka qenë më shumë se një kod i
thjeshtë zakonor nga se është një thesar i pasur i vlerave etnike, kulturore
dhe shpirtërore që ka ndikuar në forcimin e identitetit dhe zakonet e
shqiptarëve përgjatë shekujve; dëshmon për vlera thelbësore etnike dhe
kulturore që përcaktohen në Kanun si: mikpritja, besa, nderi, burrëria e të
tjera, të cilat janë përcaktuese në marrëdhëniet shoqërore di si të tilla dhe
përfaqësojnë trashëgiminë e qenësishme kulturore dhe shpirtërore të
shqiptarëve.
Në studim ndriçohet fakti se Kanuni ka qenë në fuqi dhe është praktikuar edhe nën sundimin otoman në
Arbëri – Shqipëri, tregues i rëndësisë dhe qëndrueshmërisë së tij. Kjo tregon
se ai ka pasur një autoritet të lartë juridik dhe shoqëror në jetën e
shqiptarëve, ka drejtuar jetën e tyre për ta shpëtuar nga
ndikimet e huaja dhe asimilimi. Fakti që Kanuni ka qënë në fuqi dhe është
praktikuar në mënyrë të njejtë në treva të ndryshme të zonës veriore,
shfaq indirekt një argument mbi mundësinë
që ai të ketë qënë i shkruar në shumë kopje dhe i shpërndarë nëpër këto zona, ç’ka
na shtyn së paku të mendojmë mbi
shkrimin dhe botimet e para shqipe. Fakti që ky kanun gjendet i përshtatur në trevat jugore të vendit tonë
i njohur me emrin “Shartet e Papa Zhulit” dhe “Kanuni i Labërisë” është dëshmi
e kulturës juridike të shoqërisë shqiptare në tërësi.
Berisha thekson veçantinë e mikpritjes dhe të nderimit të mikut në kulturën
shqiptare, e cila konsiderohet si një vlerë e madhe; në të ka rregulla të
veçanta për trajtimin e mysafirëve. Ky aspekt është një shembull i mënyrës se
si Kanuni ndikoi në sjelljet dhe marrëdhëniet shoqërore të shqiptarëve.
Po ashtu theksohet se Kanuni është një tekst kompleks dhe i ndërthurur që
përfshin vlera, rregulla dhe tradita të ndryshme. Për këtë arsye ai ka zgjuar
interesin e vijueshëm të studiuesve të disiplinave të ndryshme: juristët,
etnologët, sociologët, gjuhëtarët, studiuesit e letërsisë etj.
Autori ka vënë
në dukje se dukuritë që vështrohen në Kanunin e Lekë Dukagjinit kanë lidhje dhe
rrënjë të përbashkëta me kulturat dhe popujt e tjerë indoevropianë. Ky faktor e
vendos kulturën dhe historinë shqiptare në një kontekst më të gjerë kulturor
dhe historik.
III- Kanuni ka një gjuhë dhe stil të veçantë të shprehjes, që është
karakteristik për letërsinë dhe gjuhën shqipe tradicionale. Gjatë kohëve, kjo
vepër është studiuar edhe nga gjuhëtarë dhe studiuesi të letërsisë për të
kuptuar lashtësinë e kësaj gjuhe dhe rëndësinë e saj në të kaluarën. Vetë mbijetimi
i këtij kanuni për një periudhë të gjatë kohore, siç dëshmohet nga gjuha e tij
dhe përhapja e gjerë e tij në trevat veriore në tekst të njëjtë, hap një dritare të re për kërkimin e fillimit të të shkruarit të gjuhës
shqipe.
Për shkak të ndryshimeve sociale, politike e kulturore, sot përdorimi i Kanunit është bërë
i rrallë, por vlerat dhe traditat që ai përfaqëson ende kanë një rëndësi të
madhe në ndërgjegjen kolektive të shqiptarëve.
Berisha u bën
një analizë të hollësishme disa rregullave dhe parimeve të Kanunit dhe shpjegon
se si ato janë zbatuar në jetën e përditshme të shqiptarëve; përmes disa shembujve
ai ilustron si dispozitat përkatëse janë përdorur për të rregulluar konfliktet,
marrëdhëniet familjare dhe të tjera aspekte të jetës së përditshme në zonat
rurale. Përmes interpretimit të disa dukurive që përmban Kanuni është e mundur
të shohim si janë zhvilluar dhe ndryshuar marrëdhëniet shoqërore dhe kultura në
Arbëri – Shqipëri përgjatë shekujve. Psh, pas leximit të këtij studimi
personalisht krijova bindjen se kodet e
fejesave qysh në djep apo me vullnet të
njëanshëm të prindërve të vajzave të mitura ka qënë një mënyrë e ruajtjes së
identitetit kombëtar dhe jo një formë e shtypjes dhe e shfrytëzimit të elementit
femër pasi ato femra që fejohedhin qysh në djep apo në moshë të mitur ishin
bijat e tyre dhe kishin vend në shpirtin e zemrën e prindërve, të cilët
nuk kishin objektiv shtimin e vuajtjeve
të fëmijëve në një martesë të vështirë,
por synonin trashëgiminë e gjakut arbëror te pasardhësit, ruajtjen e
identitetit kombëtar në atë periudhë dhune pushtuesi turk.
IV- Gjuha e Kanunit përfshin formula të qëndrueshme të cilat janë shprehje
të njohura dhe të përdorura përsëri e përsëri në tekst. Këto formulat janë të
rëndësishme për kuptimin e rregullave dhe normave të Kanunit, megjithëse
ndonjëherë mund të jenë të vështira për t’u interpretuar. Kjo ngjet nga se disa
fusha të jetës janë të veçanta dhe kërkojnë terminologjinë përkatëse të stilit
juridik, duke përdorur konstrukte absolute me rasën emërore dhe infinitive të
shumta për të paraqitur kushtet dhe veprimet.
Në përshkrimet e riteve popullore si martesa, zakonet e vdekjes, dhe pritja
e mikut, gjuha e Kanunit ndjek një stil të thjeshtë, po të fuqishëm, që përkon
me gjuhën e prozës gojore. Kjo gjuhë ka fuqi shprehjeje dhe është e kuptueshme
për përdoruesit e zakonshëm. Përdoren fjalë dhe shprehje të vjetra, disa prej
të cilave janë trashëguar prej shqipes së lashtë. Aty ka dhe terma të
rëndësishëm të kulturës kombëtare dhe të krishtërimit. Kjo dëshmon se
shqiptarët janë trashëgimtarë të krishtërimit dhe kulturës së tyre dhe kanë
përdorur gjuhën shqipe për t’i shprehur këto koncepte.
Në përgjithësi,
gjuha e Kanunit të Lekë Dukagjinit është një mjet që hap dritën mbi traditën
dhe historinë e shqiptarëve dhe ndihmon në kuptimin e rrënjëve dhe vlerave të
tyre kulturore.
V- Studimi
identifikon përdorimin e formulave të qëndrueshme në Kanun, të cilat janë
thelbësore për kuptimin dhe interpretimin e rregullave që janë përdorur nëpër
kohë. Kjo tregon për ekzistencën e një tradite të lashtë e të pasur gojore, e
cila u ruajt nëpërmjet këtyre formulave. Kanuni ka qenë një mjet i rëndësishëm dhe
për ruajtjen dhe transmetimin e traditave dhe të zakoneve të shqiptarëve.
VI-Duhet thënë se Kanuni i Lekë Dukagjinit ka pasur një ndikim të
rëndësishëm në krijimin e Shtetit shqiptar të ri. Pas pavarësisë së Shqipërisë
në vitin 1912 dhe formimit të një qeverie të pavarur, kërkimi për një sistem
juridik modern dhe të drejtat e njeriut filluan të marrin formë. Në këtë
kontekst, Kanuni u studiua dhe u shqyrtua për të parë nëse mund të përdorej si
një burim i vlerësueshëm për të krijuar një sistem të ri juridik dhe të drejtat
e njeriut në vendin e ri të pavarur. Në thelb Kanuni ishte një kod juridik i
bazuar në traditën dhe zakonet e lashta të maleve shqiptare, ndërsa një shtet
modern duhej të ishte i përshtatshëm me normat dhe standardet ndërkombëtare të
drejtësisë. Kështu, përvoja shqiptare me krijimin e një shteti modern dhe
kodifikimin e ligjeve u ndodh në një tension midis vlerave të vjetra të
trashëguara nga Kanuni dhe nevojave të një shoqërie të përshtatshme me
shekullin e 20-të. Në rrjedhë të kohëve Shqipëria ndryshoi dhe modernizoi
ligjet e saj, duke përfshirë përdorimin e Kodit Civil, të Kodit Penal dhe të
ligjeve të tjera të reja që bazoheshin në modele të huaja. Ky ndryshim gradual
i sistemeve juridike do të thotë se Kanuni i Lekë Dukagjinit humbi ndikimin e
tij si një burim i drejtsisë të përdorur në mënyrë të përhershme. Megjithatë,
Kanuni mbeti një përbërës i rëndësishëm i identitetit kulturor të shqiptarëve
dhe një burim i rëndësishëm i studimit të historisë së tyre. Edhe sot që ndryshimet
e shoqërisë dhe modernizimi kanë lënë pas të kaluarën, Kanuni vazhdon të
ndikojë në ndjenjën e identitetit të shqiptarëve dhe në studimet e kulturës së
tyre.
“Kanuni i Lekë
Dukagjinit” është një dokument shumë i rëndësishëm dhe i vjetër në kontekstin e
Shqipërisë dhe mund të konsiderohet si
legjislacioni i parë ose kushtetutë e hershme në historinë e popullit
tonë e të paraardhësve të tyre.
VI-Për
respektimin e një legjislacioni që synon krijimin e një shoqërie civile “Kanuni
i Lekë Dukagjinit” ka disa elementë të rëndësishëm. Për shembull, ai përmban
rregulla të përcaktuara për menaxhimin e konflikteve, menaxhimin e fejesës, dhe
marrëdhëniet mes individëve dhe familjeve. Ai promovon edhe idenë e respektit
ndaj natyrës dhe traditave të vjetra si dhe ndihmën ndaj të tjerëve, siç është
rasti me kujdesin ndaj mikut.
Ka vlerë të
veçantë për studiuesit dhe historianët, sepse ofron një dritë mbi jetën dhe
zakonet e një periudhe të hershme të historisë shqiptare. Në një kontekst
modern, “Kanuni i Lekë Dukagjinit” është shpallur trashëgimi kulturore të
UNESCO-s dhe është studiuar për të kuptuar më mirë historinë dhe
kulturën e Shqipërisë.
Parë në këtë këndvështrim studimi i Anton Nikë Berishës përbën një pasuri
të ndriçimit dhe të interpretimit të trashëgimisë sonë kulturore dhe një burim
reference për studiues të historisë dhe etnokulturës shqiptare dhe marrëdhëniet
e kombit tonë me kombet e tjera. I prirë nga një stil elegant ky studim lexohet
e rilexohet me interes dhe ta bën të afërt dhe të vlerësueshme përmbajtjen e Kanunit,
madje të krijon edhe një ndjenjë admirimi për hartuesin e tij.
Vlerën studimit
ia shtojnë edhe tri punimet që janë vënë në shtojcë: Parathënia e Atë Gjergj
Fishtës e botimit të parë (1933 në Shkodër) dhe punimet e Atë Pashk Bardhit dhe
të Faik Konicës për Atë Shtjefën Gjeçovin dhe punën e tij madhore në mbledhjen
e kodeve të Kanunit të Lekë Dukagjinit si dhe botimin e tyre.
Sarandë, tetor 2023
[1] Në studimin e Anton Nikë Berishës thuhet: “Kur vështrohet Kanuni i Lekë
Dukagjinit duhet kujtuar se asgjë s’ka lindur rastësisht dhe se dukuritë janë
të lidhura mes tyre më shumë sesa mendojmë ne”; “Nga çasti kur njeriu u bë i
vetëdijshëm për veten dhe për veprimin e vet dhe meqenëse jetoi në bashkësi
vëllazërore ose fisnore, krahas këngës dhe rrëfimit, ai synoi t’i përcaktojë
edhe rregullat e sjelljes, në të cilat do të mbështetej jeta e të lehtësohej
mënyra e veprimit të përditshëm”. Shih f. 15.
[2] Atë Bernardin Palaj, Mitologji, doke e zakone shqiptare. Zgjodhi, shtjelloi dhe përgatiti për shtyp Anton Nikë Berisha. Shpresa,
Prishtinë 2000, f. 56. Vepër e cituar f. 18.
[3]Anton Nikë Berisha: “Kurdo dhe në çfarëdo mënyre të flitet për trashëgiminë
kulturore shpirtërore të një populli ose të popujve të ndryshëm, bartur
gojarisht nëpër kohë, duhet të kihen parasysh tri dukuri të rëndësishme: koha
ose kohët e gjallimit (ekzistimit) të dukurive, koha e njohjes – e shënimit të
tyre në formën e shkruar dhe fakti se ato nuk studiohen që të bëhen sot pjesë
të jetës së përditshme, pa marrë parasysh rëndësinë e tyre, por që të njihen si
pjesë e trashëgimisë që përligjin qenësinë dhe pasurinë kulturore dhe
shpirtërore të popullit që i ka përdorur, aftësinë e individëve që i kanë
përftuar ose i kanë bartur prej një brezi tek tjetri, duke i përshtatur sipas
rrethanave dhe kushteve të jetesës”. Po aty, f. 13
[4] Durhan: Ligjet e pashkruara të maleve janë trashëguar që nga kohët më të
lashta dhe janë përmbledhja më e vjetër e ligjeve në Evropë. Vepër e cituar f.
22.
No comments:
Post a Comment