Timo MËRKURI
MODERNITETI
I POEZISË SË SABIT RRUSTEMIT
( Për vëllimin e III-të të veprës në
katër vëllime, HYJNORJA IME JE TI, të Sabit Rrustemit, edituar nga Shtëpia
botuese “Faik Konica”, Prishtinë, 2023 )
I-
Sa
herë që kemi folur për poezinë e Sabit Rrustemit, sidomos për poezinë e tij të
dashurisë jemi shprehur se ajo është një poezi moderne, madje kemi cekur disa
elementë që shfaqin këtë tipar të saj, por pa u thelluar më tej te elementët që
e përcaktojnë atë. Duhet të theksojmë se moderniteti i poezisë nuk lidhet me
periudhën kohore të krijimit të poezisë, siç nënkuptohet në disa raste çdo
krijim I kohëve modern (të sotme), pasi jo çdo poezi e shkruar në kohën tonë
automatikisht është poezi moderne, pasi letërsia ka dëshmuar se dhe në kohën
tonë vijojnë të shkruhen poezi tradicionale me tema, ide dhe stile që s’kanë
asnjë qasje me modernitetin. Moderniteti
nuk ka të bëjë me sfondin modern (industrial etj) poetik, pasi sfondi është jashtë saj, sepse poezia moderne ka
primare ndjenjat e njeriut të shprehura me art.
Poezia
moderne përdor stilin
metaforik, simbolik, imazhit për t'i shprehur ndjenjat e njeriut sa më
artistikisht, madje dhe në rastet kur kemi të bëjmë me poezi realiste, përsëri
ndjenjat dhe arti poetik janë në qendër të poezisë dhe këto të shprehura me një
stil modern, me vargje metaforike, simbolike apo imazhiste
sepse poezia moderne konkuron me art poetik ndjesor dhe jo me rregulla të ngurta
vargjesh me rimë e ritëm, pasi këto (rima dhe ritmi) janë elementë që
shfrytëzohen nga poezia moderne, por ato nuk janë as baza dhe as thelbi i saj.
Të
cilësosh moderne poezinë e dashurisë të Rrustemit është jo e lehtë në dukje, për arsyen se kjo poezi
sfondin poetik të dashurisë e ka në malin e Çepurit, pranë lëndinave, pemëve
dhe burimeve, “truall” që i “përket”poezisë tradicionale: me vasha që shkojnë
shtegut e trima që u zënë pritë te burimet për të nisur idilin e tyre romantik.
T’i shtojmë kësaj faktin se tema e dashurisë është lëvruar për një periudhë të
gjatë kohore në artet gojore, në letërsinë e Rilindjes dhe në poezinë e
soc-realizmit ku kanë krijuar traditën dhe klishetë e tyre, të krijohet
përshtypja se s’ka vend për poezi dashurie që të jetë pjesë e modernitetit.
Megjithatë,
ne themi se poezia e dashurisë e Rrustemit është një poezi moderne dhe provojmë se autori është shkëputur nga
poezia tradicionale, madje mund të themi se si poet, ai s’ka patur të bënte me
atë në fushën e krijimtarisë. Ajo ka qënë një “lëndinë” ku ai kaloi
shpengueshëm me lexime para se të niste ngjitjen shtigjeve të poezisë moderne.
Shkëputja
e Rrustemit nga poezia tradicionale, është e dukshme dhe e ndjeshme dhe në rastet
kur për efekte stili ai ka patur një qasje pranë saj, të cilën nuk kemi munguar
ta vemë në dukje në aspektin pozitiv të frymarrjes së thellë artistike të
poezisë. Shkëputja e tij nga tradicionalja është e dukshme sidomos në vargun e tij poetik, larg vargjeve
tradicionalë 9-11 rrokësh dhe poezive të gjata. Vargjet e Rrustemit te poezitë
e dashurisë janë vargje të shkurtëra, gjë që i jep poezisë një pamje
fotografike të një lisi të lartë, si djemtë dhe vajzat kosovare shtat’hollë e
të gjatë. Ato janë plot hapësira dhe me zanore që mbajnë ekulibrin poetik nëpër
vargje.
Po
i ilustrojmë këto përfundime tonat me krijimet e tij përfshirë në vëllimin e
III të “Hyjnorja ime je ti” botim i Faik Konicës 2023, dhe elementët poetike që shfaqin modernitetin e poezisë së
tij:
II-
Poeti Rrustemi i
përdor elementet e natyrës (livadhe,
kullota, pyje, burime etj) si një sfond i pasur dhe simbolik për të
shprehur emocionet dhe ndjenjat e tij të dashurisë, pse ato i japin poezisë një atmosferë të gjallë e
plot ngjyra, thellësinë dhe pastërtinë e ndjenjave të dashurisë dhe jetës në
tërësi, i japin poezisë një frymarrje të gjerë. Në këtë aspekt Rrustemi çfaq
një novatorizëm poetik pasi për të
krijuar poezinë e tij modern ai shfrytëzon sfondin tradicional plot ngjyra,
imazhe e simbole, pa qenë nevoja ta zëvendësojë me një sfond modern qyteti apo
sfond industrial si i soc-realizmit, me të cilin ai s’pati asnjë qasje. Kjo
duket psh. te poezia” "Mbi barin e
thinjur", ku vargjet, "Nën
kupolën e Plisit të Kaltër enden retë/ përmes një valsi të përzier", përdorin
elementë (tradicionalë) të natyrës si retë dhe plisi i kaltër, por me ato ai krijon
një poezi moderne që simbolizon natyrën dhe emocionet e njeriut. Përdorimi i
sfondit poetik tradicional për të
ndërtuar poezi moderne, është një vlerë e madhe stili në poezinë e Sabit
Rrustemit, stil që krijon një urë midis kohës së sotme dhe pasurisë së thellë
kulturore shqiptare, duke sjellë në poezinë shqipe një perspektivë të re e të
pasur, ku tregon aftësinë e tij për të eksploruar dhe modernizuar traditën poetike
shqiptare me një qasje të freskët dhe origjinale. Le ta shohim këtë arritje të
tij konkretisht te disa vargje poetike të këtij libri ku disa vargje poetike
shfaqin modernizimin e simboleve tradicionale në poezi:
Nga poezia
"Pushtim i ëndërrt”, në vargjet:
"Ti hyre tërësisht në mua
duke kaluar pragun e portës
pa një fjalë të vetme
Theve dhe drynat e ndryshkur
dhomave të shpirtit pa çelës më le
Çdo gjë timen të dëshirtë
të
ëndërrt e pushtove"
autori
përdor simbolin e pragut dhe çelësit për të përshkruar pushtimin e ëndrrave, ku
simbolet e përdorura janë tradicionale, por mënyra se si ato janë përdorur dhe
harmonizuar për të përshkruar një ngjarje të brendshme është karakteristikë e poezisë
moderne.
Të poezia
"Vjeshta nëpër trupin tënd”, në vargjet:
"Vjeshta nëpër trupin tënd
mbjell lule ngjyrë ndezura
Petaleve të tyre afroji buzët
lë pak aromë
se ua vodhi era
Mos harro që dikë e ke diku
dikush
ngrohet në zjarrin që fsheh ti"
përdor
simbolin e vjeshtës nëpër trupin e një personi për të përshkruar proceset e
ndryshimeve dhe kalimit të kohës. Vjeshta është një simbol tradicional që është
modernizuar për të shprehur ndjenjat dhe mendimet e autorit. Po ashtu te poezia
"Ditët që s’vinin as iknin pa ne” në vargjet:
"Kam harruar në cilën stinë e
pashë
atë Ëndërr Jete
Di vetëm se u kapëm përmes një
buzëqeshjeje
ngjyrës jeshile që të shpon edhe në
pikë nate
përmes një pamjeje të zënë mbi një
Urë
diku
Grykës"
ai përdor simbolin e ëndrrës për të përshkruar
një moment të rëndësishëm në jetën e tij. Ëndrra është një simbol tradicional,
por që këtu shfaqet në një mënyrë të re dhe moderne. Këto vargje tregojnë se si
Rrustemi modernizon mjeshtërisht simbolet tradicionale duke i përdorur ato për
të shprehur ndjenja dhe ide të reja, duke krijuar kështu poezi moderne dhe të
pasur me thellësi emocionale. Me këtë rast theksojmë se një arritje e veçantë e poetit është modernizimi i simboleve dhe
përdorimit i tyre për të shprehur ndjenjat dhe mendimet e tij të bashkëkohshme. Ai i ngarkon ato me një lloj
abstraktësie dhe metaforash që i
japin një dimension të ri, duke i dhënë poezisë së tij një ndjenjë të freskët
dhe të kohës.
Siç
e pamë, poeti përdor simbole tradicionale
për të shprehur ndjenja e mendime të thella që janë karakteristika të poezisë moderne,
nëpërmjet fjalës artistike dhe jo stilit deklarativ, dhe nëpërmjet përdorimit
të këtyre simboleve tradicionale të kombësisë shqiptare, ai e lidh lexuesin e
sotëm me pasurinë dhe trashëgiminë e
tyre kulturore. Ai përdor këto simbole për të bërë poezinë e tij relevante edhe
për kohën moderne.
III-
Në
vështrimin e modernitetit poetik, poezitë
e Rrustemit ndjekin një strukturë të lirë,
ato nuk janë të krijuara me rregullat tradicionale të poezisë, ato nuk ndjekin një model të rregullt të rimave ose strofave,
duke shfaqur një ndryshim të qartë nga poezia klasike e periudhës së Rilindjes,
e cila ka përdorur shpesh struktura të rregullta dhe rima të thjeshta. Psh,
vargjet e poezisë "Mbi barin e thinjur”: "Nën kupolën e Plisit të Kaltër enden retë / përmes një valsi të përzier
/ Hapat e mi lënë gjurmë / mbi barin e thinjur nga bryma" tregon një
shembull të qartë të strukturës së lirë, ku fjalia është e ndërlikuar dhe
imazhet janë të ndara lirshëm, duke krijuar një përshtypje moderne dhe
abstrakte.
Poezia
e tij është e mbushur me imazhe të
ngjashme me ëndrrat dhe simbole të shumta, stil ky i të
shkruarit shumë abstrakt dhe modern,
ndryshe nga poezia klasike e periudhës së Rilindjes që shpesh përdorin simbole
dhe metafora të kuptueshme lehtësisht apo të huazuara nga poezi të tjera. Kështu
te poezia "Ditëve që s’vinin as iknin pa ne”, te vargjet:"Stina që vjen zgjat ëndrrën / rrugën
time kah ajo hyjni / që banon brenda asaj zemre prej luleje / që nuk e
shoh" përdorimi i fjalëve të tilla si "hyjni," "prej luleje", shpërfaq një gjuhë të pasur
dhe një kreativitet të lartë letrar, duke i vendosur në një sfond me imazh të ëndërrt.
Poezia
e Rrustemit nuk është e influencuar nga
ideologjia politike, e cila ishte një element kryesor në poezinë e
soc-realizmit, ai nuk shkruan për vajzat montatore të lartësive industriale apo
bujkesha të rendimenteve të larta. Në
vend të tyre, poezia e tij përqëndrohet në ndjenjat personale, emocionet, tema universale e dashurisë, mungesës, dhe
vetërefleksionit etj.
Rrustemi
përdor një gjuhë të lirë dhe ekspresive,
pa u kujdesur për rregullat e rrepta të gjuhës ose rimave të rregullta. Ky lloj
i përdorimit të gjuhës është shumë modern dhe shpesh bën përdorim të fjalëve
dhe shprehjeve që nuk janë tipike për poezinë tradicionale. Psh: te vargjet e
poezisë "Vjeshta nëpër
trupin tënd”: "Petaleve të tyre
afroji buzët / lë pak aromë / se ua vodhi era", shfaq lirinë e ekspresionit,
duke përdorur një imazh të fuqishëm për të përshkruar ndryshimin e aromës së
luleve. Ky imazh është abstrakt dhe i ngjashëm me ëndrrat, duke e bërë atë të
përshtatshme për një poezi moderne. Po ashtu vargjet nga poezia "Trupi yt
mbi sipërfaqen time”: "Nuk po
rrotullohet toka / rreth bushtit / sall trupi yt mbi sipërfaqen time",
shfrytëzon një gjuhë të lirë dhe përdor fjali të shkurtra për të shprehur një
mendim ose ndjenjë të thellë. Ky lloj i shprehjes është karakteristikë e
poezisë moderne dhe lejon poetin të përdorë fjalët në mënyrë kreative për të
ndikuar tek lexuesi.
Moderniteti
në poezinë e tij Rrustemit shfaqet dukshëm në përdorimin e fjalëve dhe gjuhës, ku poeti përdor një gjuhë të pastër dhe të
lirë, të pasur me imazhe dhe metafora të fuqishme. Poezitë e tij karakterizohen
nga një gjuhë emocionale dhe personale,
ai përdor fjalë e shprehje që shfaqin ndjenjat dhe emocionet e tij personale,
duke krijuar një lidhje të thellë me lexuesin. "Gjuha emocionale dhe
personale" në kontekstin e poezisë përcakton përdorimin e një gjuhe të
ngrohtë, që shpreh ndjenjat dhe emocionet e autorit në një mënyrë të
drejtpërdrejtë dhe intime. Kjo shprehje tregon se poeti shfaq ndjenjat,
mendimet, dhe emocionet e tij personale në poezi, dhe krijoj një lidhje të ngushtë
me lexuesin duke i bërë atij të ndjehet tërhequr drejt poezisë së tij.
Përdorimi
i gjuhës emocionale dhe personale në poezi do të thotë që autorin e ndjekim me
thjeshtësinë dhe ndjeshmërinë e gjuhës së tij, kjo bën që poezia të reflektojë
më mirë thellësinë e ndjenjave dhe përvojave personale të autorit, dhe në të
njëjtën kohë, e bën poezinë më të qasshme për lexuesin, duke e lejuar atë të
lidhet me emocionet dhe mendimet e autorit.
Në
shembujt e poezive të Sabit Rrustemit, gjuha emocionale dhe personale shfaqet
përmes përdorimit të fjalëve dhe imazheve që ndihmojnë në shprehjen e ndjenjave
të thella dhe ndjenjave personale të poetit. Kjo bën që lexuesi të ndihet më
afër dhe të lidhet më mirë me poezinë dhe mesazhin që ajo përcjell. Psh vargje:
"Vjeshta nëpër trupin tend / mbjell
lule ngjyrë ndezura" nga poezia "Vjeshta nëpër trupin tënd” ku përdorimi i fjalëve si "mbjell," "lule," dhe
"ngjyrë ndezura" krijon
imazhe të forta dhe të ngjashme me ëndrrat, modernitet i gjuhës ky që ndihmon
lexuesin të krijojë imazhe mentale të pasura dhe të ndjeshme, të cilat
përforcojnë thellësinë e poezisë.
Po
ashtu te poezia "Aty ku dashuria la emër” vargjet: "Bjeshkët e Nemuna ma fshehin pas shpine / atë
rriskë dielli / që kuqëlon ato copëza qielli pa re", përdorin fjalë të
fuqishme dhe imazhe të ngjashme me ëndrrat për të përshkruar natyrën dhe
kuptimin e dashurisë. Gjuha e lirë dhe moderne e përdorur këtu krijon një ndjenjë
të pasurisë së poezisë.
Poezia
e Sabit Rrustemi nuk idealizon hiret e
vashës si në poezinë tradicionale, por i kushton rëndësi ndjenjave shpirtërore
të saj. Psh. te poezia "Vjeshta nëpër trupin tënd" kemi vargjet:"Petaleve të tyre afroji buzët / lë pak
aromë / se ua vodhi era" vargje që përcjellin një imazh të ndryshuar
të vajzës, pse ajo nuk është e përshkruar si një ideal i përkryer, por si një
individ me aromat e saj, të cilat ndikohen nga mungesa e të dashurit. Kjo sepse
vajza që dashuron Rrustemi nuk është ideali i ndonjë vajze naive tradicionale që
kullot qingjat e kecat në lëndinë, ajo është një vajzë bashkëkohore, me një vizion
kulturor e jetësor bashkëkohor ndaj poeti i drejtohet asaj me fjalë të
zgjedhura dhe ajo që ka rëndësi është se kuptimi i tyre është metaforik,
simbolik ose imazhist, të cilat vajza i kupton dhe i ndjen, gjë që tregon se
ajo është një vajzë e arsimuar. Këtu duhet të theksojmë se stili i folur në
poezinë e Rrustemit është i ngjashëm me një bisedë personale, duke e bërë atë të lidhet më ngushtë me lexuesin,
ku përdorimi i fjalisë së drejtpërdrejtë dhe të thjeshtë ndihmon të shpërndahet
thellësia e poezisë në mënyrë të qartë.
Te poezia "Ditëve që s’vinin as iknin pa
ne", vargjet: "Puthjen e saj e
kam pritur / si atë pikë shiu n’Saharë" ku, puthja e vashës nuk është
e përshkruar si një triumf, por si një pritje e gjatë për një moment të
dashurisë. Përmbajtja e këtyre
vargjeve tregon një përqasje më të ndryshme ndaj rolit tradicional të vashës në
poezi. Rrustemi tregon një vashë me ndjenja
dhe emocione të saj të veçanta, duke i dhënë një thellësi dhe kompleksitet
që nuk është e zakonshme në poezinë tradicionale ku vasha është shpesh ideale
dhe symbol bukurie më shumë se njeri me ndjenja. Kjo shkëputje është një
manifestim i modernizmit në poezinë e Rrustemit dhe thellon përshkrimin e
ndjenjave njerëzore më shumë se idealizmi tradicional i vashës. Po kështu
vargjet e poezisë “ Duke vrojtuar yjet”: "Duke vrojtuar yjet / pas asaj Ëndrre të Fshehur / më mashtron
gjumi" tregojnë një ndjenjë të thellë të emocioneve dhe përqendron
vëmendjen tek mungesa e ëndrrës. Emocioni
është një element domethënës i poezisë së Rrustemit.
Krahas
universalitetit, poezitë e dashurisë të Rrustemit shfaqin dhe tipare të karakterit shqiptar, si besnikëria dhe dhimbshuria për femrën, ku
disa prej këtyre elementëve janë të dukshëm në poezitë e tij:
Rrustemi
shpreh një besnikëri ndaj dashurisë dhe vajzës që ai dashuron, ai përdor imazhe
për të treguar se dashuria e tij është e pandryshueshme dhe e përhershme, kjo
besnikëri në dashuri është një tipar i rëndësishëm i karakterit shqiptar.
Kështu psh. në poezinë "I trandur prapë nga e njëjta ëndërr” ai shpreh dëshirën
për të qëndruar besnik ndaj dashurisë së tij, edhe pse mund të ketë
ndjenja trishtimi dhe pritjeje. Vargjet
tregojnë përkushtimin e tij ndaj femrës së dashur: "i trandur prapë nga e njëjta Ëndërr/askënd tjetër si Ty s’e desha Zemër".
Në poezinë "Ditëve që s’vinin as iknin pa ne," ai përdor vargje që
shprehin ndjenjën e thellë të përkushtimit që ka për të. Ai ndjehet i hutuar në
dashurinë e saj, dhe shfaq një besnikëri të palëkundur ndaj saj kur
shkruan:"Puthjen e saj e kam
pritur/si atë pikë shiu n’Saharë".
Në
poezitë e tij ndeshemi me elemente të dhimbshurisë e të ndjeshmërisë ndaj
femrës, ku poeti përshkruan emocionet e veta ndaj saj si një fuqi e përjetshme dhe e mrekullueshme. Kjo ndjenjë dhimbshurie
për femrën është tepër e zakonshme në
artet gojore dhe në poezinë shqipe, ajo reflekton një tipar të rëndësishëm të
karakterit shqiptar, ku respekti dhe ndjeshmëria ndaj femrës kanë një vend të
veçantë. Kështu psh në poezinë "Aty ku dashuria la emër," ai shpreh
ndjenjat e vlerësimit për vajzën e dashur dhe dashurinë e tij ndaj saj. Vargjet
e tij zbulojnë një përkushtim të fortë; "Aty ku dashuria lë emër/kurrë s’më shihni të zbrazur", botë
shpirtërore e poetit që gjendet në gjithë krijimtarinë e tij poetike.
Poeti
përdor me finesë kombinimin e elementeve
të ndryshme, psh vargjet e poezisë “Rigoj prajshëm trupin tënd”: "Rigoj prajshëm trupit tend / sipërfaqes së
lagur / prehje kërkoj" kombinon elemente të natyrës ("Rigoj prajshëm,",
"sipërfaqes së lagur") me ndjenja dhe kërkesa personale ("prehje kërkoj"), kombinim i
elementeve të ndryshme që është një tjetër karakteristikë
e poezisë moderne..
Sabit
Rrustemi vazhdon të eksplorojë ndjenjat, mendimet dhe emocionet në një mënyrë
moderne dhe të personalizuar. Stili i tij tërheq lexuesit duke e bërë
atë të ndjehet dhe të reflektojë mbi thellësinë e poezisë së tij modern, e cila është një kontribut i
rëndësishëm në letërsinë shqipe dhe shpreh një mënyrë të ndryshme të të
shkruarit e poezisë në epokën moderne. "Nëpër çdo pore / hyr e dil pa frikë" shkruan poeti te “Trupi
yt mbi sipërfaqen time” duke dhënë një pamje vizuale “çdo pore” dhe “hyr e dil pa frikë”
që të mbetet në mendje edhe për kontrastin fin midis fjalës dhe
heshtjes, kontrast që është një element modern në poezinë e Rrustemit dhe ku përdorimi
i imazheve të tilla si "çdo pore"
dhe "hyr e dil pa frikë"
krijon një përjetim vizual të
fuqishëm që ndikon në lexuesin dhe e bën poezinë më të shpërndarë.
Temat e poezisë së Sabit
Rrustemit janë universale,
duke përfshirë dashurinë, shpresën dhe jetën, tema që shfaqen më gjerë në
poezinë moderne dhe ndihmo-jnë lexuesin të identifikohet me poezinë. Kështu psh
vargjet "Hajt gëzuar dashuria ime / për
shpresën që rron edhe pas vdekjes" shpreh një universalitet në hapësirë
dhe kohë. "Aty ku dashuria lë emër / kurrë s’më shihni
të zbrazur / e pa një mal ëndrrash të reja" shkruan ai te “Duke vështruar
yjet”, varg që shpreh se dashuria i jep një identitet dhe një qëllim poetit,
duke e përmbushur atë në mënyrë thelbësore, pse dashuria është premtuar si një
fuqi që i jep kuptim jetës dhe sjell të ardhme të lumtur.
Duhet
të qartësojmë se: ndërsa temat e poezive të Rrustemit janë universale, stili poetik është tipik i tij, stil që ndikon
te poeti që universalen ta plotësojë me të përvetshmen, të përhershmen e mbush
mjeshtërisht me përditshmëri.
Siç
e shohim, moderniteti poetik i Rrustemit është një kostelacion elementësh që e
dritësojnë poezinë dhe ta drithërojnë shpirtin gjatë leximit të saj në çdo varg
dhe në secilin krijim. Poezia e tij është një kontribut i rëndësishëm në
letërsinë shqipe dhe shërben si shembull i poezisë moderne që eksploron
thellësinë e shpirtit dhe emocionet njerëzore në një mënyrë tjetet kreative dhe
shprehëse. Poezia e tij flet me art poetik modern ashtu si trëndafili flet me
bukurinë dhe aromën e tij.
IV-
Opusi
poetik i Sabit Rrustemit ka tituj të
pasur me konotacione simbolike, metaforike, imazhiste dhe realiste, duke
filluar qysh me titullin e opusit dhe duke vazhduar me titujt e poezive të
veçanta të tij, disa prej tyre janë shumë simbolike dhe metaforike, ndërsa disa
të tjerë janë më realiste. Te titulli "Hyjnorja ime je ti" Rrustemi përdor një gamë të gjerë mjetesh
artistike për të krijuar një atmosferë të thellë dhe të pasur, ku ne mund të
identifikojmë disa tipare të rëndësishme: Ai është një titull i kompozuar artistikisht dhe ka një strukturë eufonike që bën
përshtatje të këndshme. Përdorimi i fjalës "Hyjnorja" i jep një dimension të lartë dhe mistik, ndërsa "ime je ti" krijon një lidhje
personale dhe emocionale që përcjell thellësinë e ndjenjave të autorit.
Përdorimi
i fjalës "Hyjnorja"
sugjeron një dimension mistik e shpirtëror, ku ky titull mund të interpretohet
si një kërkesë për të zbuluar thellësinë e shpirtit dhe lidhjen me një fuqi më
të madhe ose të paqartë.
Titulli
është i pasur me metafora e simbole që mund të interpretohen në mënyra të
ndryshme, ku "Hyjnorja ime"
mund të jetë një simbol i dashurisë së madhe, ndërsa "ti" mund të jetë personi i dashur, vajza që ai dashuron apo
dhe ëndërron.
Ky
titull ka një ndikim psikologjik që
e lidh lexuesin me ndjenjat e thella të autorit, pasi pas kësaj ai mund të
shfaqë një kërkim për identitetin, dashurinë, dhe kuptimin e jetës.
Dukshëm
titulli krijon efektin e shtimit të
kuriozitetit dhe interesit të lexuesit, pasi ai
është i veçantë, misterioz, dhe ka një ndjenjë të thellësisë së mendimit. Përdorimi i një gjuhe poetike
dhe fjalëve të forta, si "Hyjnorja"
dhe "ti," nxitin lexuesin
të pyesë se çfarë mund të kujtojë ky titull dhe të kërkojë më tej për kuptimin
e tij në kontekstin e librit ose poezisë. Ky efekt i shtimit të kuriozitetit është një element i rëndësishëm i krijimit
letrar, pasi e bën librin ose poezinë më tërheqëse për lexuesin. Lexuesit
shpesh janë tërhequr nga titujt që janë të ngjashëm me një enigmë ose që
ngjallin ndjenjën e një pasurie të fshehur thellë në tekstin që do të lexojnë. Për
autorët dhe poetët, përdorimi i titujve të tillë të ngjashëm me "Hyjnorja ime je ti" është një mjet
efektiv për të ndikuar në interesin e publikut dhe për të përcjellë thellësinë
dhe misterin e veprës së tyre. Ky titull është një thirrje për lexim dhe për të zbuluar më shumë për botën dhe
mendimet e autorit në poezinë e tij.
Sigurisht
që edhe titujt e poezive të këtij
opusi kanë të njëjtën natyrë p.sh. titulli i poezisë "Ato faqe stinësh që
blerojnë" përdor mjetet artistike për të krijuar një imazh të pasur dhe
misterioz që nxit kuresthjen e lexuesit, ku disa nga mjetet artistike të
përdorura në këtë titull janë:
Ky
titull përdor metaforën e "faqe
stinësh" për të përshkruar diçka që "bleron" ose sjell një përvojë të caktuar. Kjo metaforë tregon
se titulli nuk është rastësor, por ka një kuptim më të thellë dhe simbolikë që
do të zbulohen në përmbajtjen e poezisë.
Përdorimi
i metaforës, "faqe stinësh"
krijon një imazh poetik që e lidh poezinë me natyrën dhe stinët, duke sjellur
një atmosferë të veçantë dhe krijon pritshmëri për të lexuar mbi temën e
poezisë.
Përdor
mjeshtërisht elementin e misterit dhe kuriozitetit për të tërhequr lexuesin te
"Ato faqe stinësh që blerojnë"
nxit shpërbërjen e misterit dhe dëshirën e lexuesit për të kuptuar më shumë. Titulli
ka një mbingarkesë semantike, pasi përfshin koncepte të ndryshme, duke e bërë
atë më intrigues dhe thellë.
Po
kështu titulli "Mbi barin e thinjur" i një poezie tjetër përdor
mjetet artistike për të krijuar një imazh të fuqishëm dhe simbolik që përcjell
thellësinë e poezisë ku:
Përdorimi
i metaforës së "barit të thinjur"
për të shfaqur diçka që është në një gjendje të pashpërthyeshme, të plakur ose
të pashpresë, duke nxitur kureshtjen e lexuesit dhe e udhëzon atë drejtë një
teme të rëndësishme dhe simbolike që do të trajtohet në poezi.
Vetë
shprehja "barin e thinjur" krijon një imazh poetik që tregon për një
gjendje të vështirë dhe sfiduese. Ky imazh vë në dukje një pamje të “plakur” dhe thellësinë e situatës që do
të shpaloset në poezi.
Titulli
përdor një simbolizëm të qartë që e lidh me temën më të gjerë të poezisë. Bari i thinjur mund të interpretohet si
simbol i vështirësive të jetës, sfidave,
momenteve të vështira në jetën e njeriut. “U thinja brenda një ore” thotë një shprehje popullore. Së fundi ky
titull nxit lexuesin të lexojë më tej për të zbuluar se çfarë ndodh në poezi
dhe për të kuptuar thellësinë e kësaj gjendjeje të barit të thinjur. Përdorimi
i këtyre mjeteve artistike në titull ndihmon në krijimin e një atmosfere
zhbiruese në përcjelljen e një teme të rëndësishme dhe simbolike..
Si përfundim, titujt
e përdorur nga Rrustemi si në libra ashtu dhe në poezi, janë tituj me
konotacione simbolike, metaforike, imazhiste dhe realiste, janë një paraqitje
artistike e “portës” hyrëse në poezinë e tij, duke qenë njëkohësisht dhe një
ftesë e fuqishme për të lexuar poezinë dhe për të eksploruar temat, imazhet,
dhe ndjenjat që do të shpalosen. Autori krijon një atmosferë misterioze dhe
sugjeron se poezia do të shkojë përtej realitetit dhe do të hedhë dritë mbi një
dimension tjetër të jetës ose eksistencës. Ky tipar i titujve poetikë te
Rrustemi shfaqet si një element tipik i modernitetit të poezisë së tij.
V-
Poezia
e Sabit Rrustemit shfaq tipare psikologjike
dhe filozofike që theksojnë ndjenjat dhe mendimet e thella të autorit duke
e shpalosur modernitetin e poezisë së tij në mënyrë të ndjeshme. Realisht tema
e dashurisë ka një ndikim të thellë psikologjik
në poezitë e tij, ku ai eksploron ndjenjat, emocionet dhe misterin e dashurisë
në një nivel personal dhe emocional.
Në
vargjet e tij, poeti shpreh një ndjenjë të thellë nostalgjie për kohët e
kaluara dhe dashurinë e humbur, aspekt
psikologjik ky që përcillet nëpërmjet
imazheve poetike. Nostalgjia e tij shfaqet në vargjet që përforcojnë mungesën
dhe dëshirën për të kaluarën e ëndrruar: "Kam harruar në cilën stinë e pashë / atë Ëndërr Jete"
Rrustemi
shpreh një ndjenjë të vetmisë dhe
ndarjes në poezitë e tij, kur trajton dashurinë si një përvojë e thellë dhe
ngjarje që ndryshon shpirtin. Ky aspekt psikologjik
përcillet nëpërmjet vargjeve që përforcojnë ndjenjën e vetmisë, psh.: "Për kokën e më të shenjtit / as që mund të
dëboj më".
Në
aspektin filozofik poeti shfaq vetë refleksionin dhe kërkimin e thellë
të kuptimit të jetës dhe dashurisë në poezitë e tij, duke përdorur vargje
filozofike që shprehin pyetje mbi kuptimin e jetës dhe dashurisë, psh te
vargjet "Aty ku dashuria lë emër / kurrë s’më shihni të zbrazur".
Poeti
përdor një lloj ekzistencializmi (një
lloj filozofie që thekson rëndësinë e ekzistencës së individit dhe të lirive të
tij, dhe shprehet nëpërmjet qëndrimit
individual, absurditetit,
lirisë individuale, rebelimit etj) e që shpreh ndjenjën e jetës si një rrugëtim
i panjohur dhe një kërkim për kuptimin e saj. Aspekti filozofik përcillet
nëpërmjet imazheve e simboleve të tij, psh vargjet: "Shtrëngojnë shpirtin tënd / e shpirtin tim".
Në
poezinë e Rrustemit gjen ndjenjën e
kohës dhe eksistencës që flet për perceptimin e kohës dhe ndikimin e saj në
ndjenjat dhe perspektivën tonë të eksistencës, psh. vargje të tilla si "Ditëve që s’vinin as iknin pa ne"
përcjellin këtë ndjenjë të pazakontë të kohës.
Aty
përballesh dendur në vargje me lidhjen dhe ndikimin
nëpërmjet natyrës drejt zemrës, me një ndikim të thellë filozofik mbi
marrëdhënien midis njeriut dhe mjedisit të tij.
Poezia
e tij paraqet një qasje mistike ndaj
frymës dhe jetës, duke eksploruar misterin dhe thellësinë e qenies së
njeriut. Meqenëse kjo qasje shfaq interes për t’u trajtuar më gjerësisht
sqarojmë se në poezitë e Rrustemit shfaqen tipare të konceptit dhe mendimit
mistik për jetën, ku poeti eksploron thellësinë, misterin e ekzistencës dhe
frymën njerëzore. Le ta shohim më konkretisht në disa vargje poetike këtë
element mistik, në kontekstin e modernitetit të poezisë së tij:
Në
poezi të tilla si "Duke vrojtuar yjet “poeti paraqet ekzistencën si diçka të pazakontë dhe misterioze, duke e krahasuar
me yjet që janë vëzhgues të jetës së tij dhe qenies së tij, psh. vargu: "Duke vrojtuar yjet / pas asaj Ëndrre të
Fshehur / më mashtron gjumi" i cili paraqet misterin e ekzistencës dhe
perceptimin e tij si një ëndërr e fshehur që i mbulon sytë dhe mendjen.
Poezitë
e tij shpesh përdorin imazhe nga natyra
për të përshkruar misterin dhe lidhjen midis njeriut, natyrës dhe frymës së tij,
psh. vargjet: "Nën hijen e fluturimit të saj / përgjumet mali / deri në agun e
ri" nga poezia "Duke vrojtuar yjet” ku natyra dhe fluturimi shfaqen
si simbole të frymës së njeriut dhe lidhjes së tij me natyrën dhe misterin.
Në
poezi të tilla si "Ditët që s’vinin as iknin pa ne” nëpërmjet vargjeve : "Kam harruar në cilën stinë e pashë / atë
Ëndërr Jete" poeti shpreh refleksionin
mbi ngjarjet e jetës dhe humbjen e kohës apo ngjarjeve të rëndësishme, duke
kërkuar kuptim dhe mënyra për t'i interpretuar ato në një nivel më të thellë.
Poezitë
e tij shpesh ndërthurin misterin dhe
transcendentalizmit, e cila është një lloj filozofie dhe lëvizje letrare e
zhvilluar në shek. XIX në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lëvizje që ka
theksuar rëndësinë e ndjenjës së misterit dhe të "transcendentalit" (
tejkalimin e të zakonëshmes, përtej asaj që është e dukshme apo materiale).
Transcendentalistët besonin se njerëzit kishin aftësinë për të arritur nivelin
më të lartë të vërtetësisë ose dijes përmes mendimit dhe reflektimit thellësor,
duke sugjeruar një marrëdhënie të veçantë midis qenies njerëzore dhe një bote
më të madhe ose më të lartë. Vargjet:
"Stina që vjen zgjat ëndërrën /
rrugën time kah ajo hyjni / që banon brenda asaj zemre prej luleje / që nuk e
shoh" (nga poezia "Duke Vrojtuar Yjete") paraqet një ndjenjë
të misterit dhe lidhjen me diçka më të lartë ose transcendentale.
Këto
elemente paraqesin një qasje mistike ndaj jetës dhe ekzistencës në poezitë e Rrustemit, duke e bërë atë një poet të veçantë
që eksploron mendime të thella dhe koncepte mistike në poezinë moderne të tij.
Është
interesante se edhe titujt e poezive të Rrustemit shfaqin tipare filozofike dhe psikologjike, psh:
Titulli
"Ditët që s’vinin as iknin pa ne" shpreh ndjenjën e kohës si diçka e
padefinueshme dhe ndikimin e saj në eksistencën tonë.
"Pushtimi
i ëndërrt " paraqet dashurinë si një pushtim misterioz, të ëndërrt.
"Trupi
yt mbi sipërfaqen time " shpreh mendimin filozofik të lidhjes midis trupit
dhe ekzistencës, dhe ndikimin e kohës në jetën tonë.
Titulli
"Duke vrojtuat yjet " flet për vëmendjen ndaj natyrës dhe frymës,
duke reflektuar mbi misterin e jetës dhe ekzistencës së njeriut, etj.
Këto
tituj, ndërsa tregojnë se poezitë e Sabit Rrustemit trajtojnë temat filozofike
dhe psikologjike në mënyrë thellë e reflektuese, shfaqin pasurinë e mendimeve dhe ndjenjave të thella psikologjike dhe
filozofike, duke shpërndarë mesazhe të thella për jetën, dashurinë, kohën dhe
ekzistencën, dhe shfaqin refleksione të thella mbi të vërtetat dhe misteret e
qenies njerëzore, duke plotësuar portretin e tyre modern.
VI-
Një
aspekt i modernitetit poetik të Sabit Rrustemit shfaqet te krijimi i poezive simbolike, metaforike, dhe
imazhiste, ku shprehet simbolilikisht,
metaforikisht dhe imazhisht për ndjenjat dhe mendimet e tij, duke krijuar një
lloj lirshmërie artistike dhe interpretimi të thellë për lexuesin. Poezitë nuk
janë të orientuara drejt një realiteti të thjeshtë, por shfaqin një ndjenjë më
të thellë dhe ndjeshmëri emocionale nëpërmjet një niveli të epërm artistik. Në
krijimtarinë poetike të tij përgjithësisht dhe te opusi“Hyjnorja ime je ti” në
veçanti do të gjeni:
Shumë
prej poezive të tij janë simbolike
pasi ai përdor simbole që përfaqësojnë ndjenjat e thella dhe ide të
përgjithshme, psh.poezitë: "Male të panumërta dogja, “Oxhakun e shpirtit
nxiva", "Kështjella e dridhur mbi kodra të thata” etj. Vargjet "Në qelinë e zemrës time, ti je kurorë e shtrenjtë." (Poezia:
"Dashuria ime"),"Toka
lehtësohet nën hapat e tu, si një shteg i shpërbërur në dritën e mëngjesit."
(Poezia: "Dashuria ime") etj shfaqin tiparin simbolik të poezisë të
cilës i përkasin.
Sabit
Rrustemi ka krijuar poezi metaforike
duke përdorur metafora të pasura për të përshkruar ndjenjat dhe emocionet, psh.
"mali i shpirtit" është një
metaforë që tregon për gjendjen shpirtërore dhe thellësinë e shpirtit, sidomos
përmes vargjeve, "Male të panumërta dogja / oxhakun e shpirtit
nxiva “, të cilat dëshmojnë forcën metaforike të poezisë.
Poezitë
e tij imazhiste dhe vizuale
ndihmojnë lexuesin të krijojë pamje momenti të thella, psh vargjet: "Vjeshta nëpër trupin tënd / mbjell lule ngjyrë ndezura."
(Poezia: "Lulet e vjeshtës ), Poezia
"Rigoj prajshëm’" përdor imazhe të prirura drejt natyrës për të
përshkruar gjendjen emocionale të autorit, si vargjet "Rigoj prajshëm trupit tënd","prajshëm rigoj në natën që hesht"
. Po kështu te poezia "Dejve që zjarrmojnë dashuri" përdor një imazh
të udhës dhe mbylljes së dyerve dhe dritareve për të përshkruar udhëtimin e dashurisë
dhe mbylljen e ndjenjavete vargjet: "Kot thyej udhën të mos ndeshem me ty"
dhe "aromë shpirti dejve që
zjarrmojnë dashni" dhe shumë të tjera. Duhet të kuptojmë se metaforat,
simbolet dhe imazhet nuk janë shartesa në trungun poetik , ato janë degët ku
çelin lulet dhe lidhen frutat.
Përtej
simboleve dhe metaforave, disa prej poezive të tij përmbajnë elemente realiste,
por ato gjithmonë ndërtohen në një kontekst poetik që nuk është tërësisht realist dhe me vargje plot metafora, simbole
dhe imazhe. Ky kombinim i stileve të ndryshme në poezinë e Sabit Rrustemit, e bën atë një poet modern që eksploron
emocionet dhe mendimet në mënyra të thella dhe të pasura dhe sjell një risi
poetike në letërsinë shqipe.
VII
Duke
analizuar figurat artistike në poezinë e Sabit Rrustemit vërejmë se ato janë më
shumë të pranishme në sferën e natyrës,
emocioneve, dhe ndjenjave të poetit dhe për faktin se këto shpesh shfaqin
emocionet, dashurinë, reflektimin dhe lidhjen me natyrën në një mënyrë të
veçantë e të pasur artistike. Ambienti që përdoret për të paraqitur këto figura
artistike është më së shumti ambienti natyror dhe ai i ndjenjave të thella të
individit. Jo vetëm Rrustemi por gjithë poetët e kësaj kategorie kanë tendencën
të shfrytëzojnë natyrën, emocionet, dhe mendjet e tyre për të shprehur idetë
dhe ndjenjat e tyre, gjë që është pothuajse gjithmonë e pranishme në poezi.
Theksojmë
se tipike për poezinë e Rrustemit është
fakti që, figurat artistike të tija janë shpesh të shoqëruara me një qasje më të përgjithshme dhe filozofike
ndaj jetës, dashurisë, dhe eksistencës, duke përdorur imazhe dhe metafora për
të paraqitur ide dhe mendime të thella mbi këto tema. Kjo i jep poezive të tij
një karakter të veçantë dhe të thellë artistik. Psh poezia "Vjeshta nëpër trupin tënd“ përdor
figurën e vjeshtës në trupin e vajzës për të paraqitur ide mbi ndryshimet, kohën,
dhe shpërndarjen e frymës, duke shprehur në këtë mënyrë një qasje filozofike
ndaj jetës dhe ngjarjeve, dhe përdor metafora të pasura për të paraqitur
mendime dhe emocione të thella mbi eksistencën dhe ndjenjat. Po kështu disa
vargje nga poezia "Dashni jete” e shoqërojnë me qasjen filozofike ndaj
dashurisë dhe jetës: "Shka me i ba le t’ kënaqet
qysh ka dashtë/ dashnia kapet edhe për nji fije kashtë/Mjegull nuk ra as qiella
nuk u vrejt/kurdo dhimta mue me m’ mejtë/u shfaq si dritë e shejtë" duke treguar se dashuria
është një ndjenjë që mund të kapet në momente të papritura dhe se ajo mund të
shfaqet si diçka e shenjtë dhe e pazakontë në jetën tonë. Poeti përdor imazhet
e natyrës për të përshkruar ndjenjat e thella dhe të pasura që shoqërojnë
dashurinë dhe eksistencën.
IX
Të
flasësh për elementët e modernitetin e poezisë shqipe është si të bësh një shëtitje
nëpër yllësi, të ndalesh e të flasësh për modernitetin e poezisë së dashuris të
Sabit Rrustemit është si të flasësh për një nga yjet e kësaj yllësie. Mendimin
se duke studiuar modernitetin e poezisë së Rrustemit po studion tërësisht këtë
dukuri është një iluzion, ndonëse i bukur, sepse sa mbaron me një yll, sheh i
mahnitur se yllësia shtrihet më tutje, me forma, ngjyra e madhësi të ndryshme.
Sigurisht që njohja e yllësisë nis me eksplorimin e njërit prej yjeve, ndaj shpesh mjafton drita e një ylli
për ta thyer errësirën e xhamtë të natës, por përsëri mbetet për të studiuar
spektrin e dritës së tij, ndaj themi se: do flasim shumë për poezinë e Sabit
Rrustemit.
Sarandë, më Tetor 2023
No comments:
Post a Comment