Monday, 23 June 2025

 IKJA E PERËNDIVE DHE VETMIA E NJERIUT

 

Nga Timo Mërkuri

E themi qysh në krye se poezia “Perënditë ikën” e Odise Kotes nuk është një metaforë për ndonjë evident historik siç është prishja e kishave dhe xhamive në Shqipërinë e vitit 1967, madje as që i qaset asaj. Ju siguroj se një lexim i tillë do të kufizonte, reduktonte dhe do ishte jashtë natyrës së thellë filozofike të poezisë.

Nëse ajo ngjarje historike ka qenë një shkatërrim i qëllimshëm dhe i jashtëm i simboleve fetare në emër të ateizmit shtetëror, ikja e perëndive në këtë poezi është shumë më e thellë dhe më e brendshme. Këtu nuk ka revolucion, as urdhra partie, as dhunë ideologjike. Ka vetëm një mungesë hyjnore që ndodh nga brenda, si një lodhje metafizike, një dorëzim i perëndive vetë:

“Nuk dihet pse perënditë u trishtuan

dhe krijuan Njeriun.”

Kjo është një ikje e qetë, e mistershme, dhe e pazhurmshme, jo një dëbim, por një tërheqje. Poeti nuk është kronist i një epoke ateiste, por një dëshmitar i një mungese universale ku zoti nuk dëbohet, por nuk përgjigjet më.

Po ta lidhnim me filozofinë perëndimore, më afër do ishte ideja e Heideggerit për fundin e epokës së Zotit, apo e Nietzsche-s për "vdekjen e Zotit", ku hyjnorja nuk ikën si objekt shtetëror, por zhduket si përjetim, si kuptim, si referencë ekzistenciale.

Ndaj, themi se kjo poezi flet për përjetimin tragjik të vetmisë njerëzore në një botë pa qendër, për krizën e kuptimit, për zbrazëtinë pas ikjes së gjithçkaje që quhej shenjtëri — dhe e bën këtë pa zhurmë, vetëm me një pëshpëritje:

“Perënditë ikën…”

1.Poeti Odise Kote, me pak vargje dhe pa asnjë ngrehinë zbukurimi, na e dorëzon botën si një skenë të boshatisur nga perënditë. “Perënditë ikën…” — një fjali e thjeshtë, por me peshën e një fundi epokal. Ky nuk ështl një konstatim mitologjik, por një pikë ku heshtja e kozmogonisë dhe vetmia e njeriut bashkohen në një udhëkryq ekzistencial.

2. “Nuk dihet pse perënditë u trishtuan

dhe krijuan Njeriun.”

Krijimi i njeriut, në këtë vizion, nuk buron nga një dashuri hyjnore apo projekt madhështor, por nga trishtimi i perëndive. Këtu, Odise Kote shndërron mitin në filozofi: në vend që të jetë një akt i lavdisë, krijimi është një akt dëshpërimi, një përpjekje e perëndive për të kapërcyer vetminë e tyre, që pastaj shndërrohet në një tjetër formë e mungesës.

Ky mendim i kujton lexuesit Nietzsche-n, për të cilin perënditë janë projeksione të dobësisë njerëzore, ndërsa këtu ndodh e kundërta: njeriu është produkti i dobësisë hyjnore.

3. “U ligështuan keqas përsëri,

dhe shpikën dashurinë.”

Në këtë rresht, dashuria nuk është një ndjenjë sublime apo themeli i qenies, por një shpikje, një artific, një iluzion për të zbutur dështimin e parë. Njeriu, si duket, nuk e mbushi boshllëkun e perëndive — ndoshta sepse edhe ai vetë ishte i mangët. Të krijohet përshtypja se perënditë, si fëmijë tekanjoze e thellojnë zullumin pas krijimit të njeriut, "na tani dhe dashurinë".

Në fakt kjo i jep poezisë një ton tragjik filozofik: çdo krijim vjen nga një mungesë, por edhe vetë dashuria, shpikja më e madhe e hyjnores, është vetëm një përpjekje e dytë për të justifikuar ekzistencën.

4. “Mërzia pas kësaj, u tha:

E keqja tani mori fund,

dhe perënditë ikën.”

Kjo është një fjali ironike. “E keqja tani mori fund” – por në të vërtetë, ajo fillon pikërisht kur perënditë ikin. Poeti luan me paradoksin: ikja e perëndive nuk është fundi i së keqes, por fillimi i boshllëkut.

Njeriu mbeti fillikat

mbështetur pemës së vetme

në mes të fushës,

teksa vetëtimat fshikullonin tokën.”

Kjo është ikona e vetmisë metafizike: njeriu nuk është më nën hijen e perëndive, por i zhveshur, përballë natyrës që e godet me dhunën e saj të verbër. Pema e vetme në mes të fushës është simboli biblik i njohjes dhe vetmisë, por tani pa Zotin.

5. “Ajo që shihnin natën

duke depërtuar muret,

sigurisht nuk ishte ajo

që shfaqej ditën …”

Këtu poeti prek një nga temat më të thella të filozofisë ekzistenciale dhe ontologjisë: ndarja mes realitetit të dukshëm dhe atij të padukshëm. Nata – e errët, e ndjeshme, e thellë – shfaq një të vërtetë që drita e ditës nuk e pranon. E vërteta nuk ndodhet në ndriçimin racional, por në errësirën intime të qenies.

6.“Perënditë ikën…”

Njeriu është lënë vetëm. Është kjo tragjedi apo çlirim? Poezia nuk jep përgjigje të prerë. Por trishtimi që e përshkon nuk është dëshpërimi i një fundi, por një melankoli metafizike: tani njeriu duhet të mbajë vetë peshën e ekzistencës, pa mbështetje hyjnore, pa justifikime.

Si te Heideggeri, është i hedhur në botë. Si te Camus, përballet me absurditetin. Si te Kote, qëndron “fillikat… mbështetur pemës së vetme.”

Si përfundim poezia “Perënditë ikën” synon më shumë se të na tregojë, ajo na lë të ndjejmë mungesën — të kuptimit, të Zotit, të një strehe metafizike.

Por ndoshta, në këtë boshllëk, njeriu fillon për herë të parë të jetë vërtetë. Ai mbetet vetëm, por edhe i lirë të kuptojë, të shpikë dashurinë e vet, perënditë e veta, dhe ndoshta… të kthejë sytë nga nata, jo për t’u trembur, por për ta përqafuar të fshehtën.

Mos mendoni se Odise Kote u bë ateist, ai krijon mbi një shtrat filozofik, që i jep një vizion më të gjerë poezisë së tij.

 

Sarandë, më qershor 2025

 

Perënditë ikën …

 

Nuk dihet pse perënditë u trishtuan

dhe krijuan Njeriun.

U ligështuan keqas përsëri,

dhe shpikën dashurinë.

 

Mërzia pas kësaj, u tha:

E keqja tani mori fund,

dhe perënditë ikën.

 

Eshtë më e lehtë të ikësh

apo jo?

Njeriu mbeti fillikat

mbështetur pemës së vetme

në mes të fushës,

teksa vetëtimat fshikullonin tokën.

 

Ajo që shihnin natën

duke depërtuar muret,

sigurisht nuk ishte ajo

që shfaqej ditën …

 

Perënditë ikën...

1 comment:

  1. Pasi isha në një lidhje me burrin tim për shtatë vjet, ai u nda nga unë. U përpoqa me gjithçka që munda ta ktheja, por gjithçka ishte kot. E doja shumë për shkak të dashurisë që kam për të dhe iu luta për gjithçka, i bëra premtime, por ai refuzoi. Kontaktova një magjistar të quajtur Doktor Gideon i cili mund të më ndihmonte të hidhja një magji për ta rikthyer, por unë jam nga ata që nuk besojnë kurrë në magji. Nuk kisha zgjidhje tjetër veçse të provoja. Doktor Gideon më tha se nuk kam problem që gjithçka të jetë mirë brenda dy ditësh, se ish-i im do të kthehej tek unë brenda tre ditësh. Ai bëri magjinë dhe çuditërisht ndodhi ditën e dytë. Ish-i im më telefonoi dhe i zgjidhëm mosmarrëveshjet tona dhe tani jemi të lumtur së bashku. Kushdo mund të ketë nevojë për ndihmën e Doktor Gideon dhe mund të dërgojë një email në: drgideon611@gmail.com ose ta telefonojë/dërgojë mesazh nëpërmjet WhatsApp në: +2347042191323.

    ReplyDelete