Sunday, 8 June 2025

 

TREGIMI QË FLET ME GJUHËN E REALIZMIT MAGJIK

 

Nga Timo Merkuri

Kush e përcakton se sa rreshta, faqe apo kapituj duhet të ketë një tregim, novelë apo roman? Askush. Këtë sekret e di vetëm autori. Historia e letërsisë sjell shembuj e modele të ndryshme. Unë preferoj ta quaj tregim. Odise Kote na sjell në tregimin  “Mishi” një satirë therëse që, në pak paragrafë, na hedh në një botë të vogël shqiptare, duke i rënë nga Franca. Në këtë botë barinjsh grotesku i përditshëm fërkohet me absurditetin e përditshëm politik, e ku çdo veprim i vogël ka një jehonë të madhe simbolike e qasje reale. Lexuesi gjendet në terrenin e panjohur të realizmit magjik, ku e folura nuk është ajo që dëgjon e lexon, por mistika e saj. Në këtë tablo të përqendruar si miniaturë e pikturuar me brisk, Xhaxho Jalemi, kryebariu i Rrufinjës, ngrihet jo thjesht si personazh, por si figurë arketipale: një burrë që i druhet kohës moderne siç druhet dhia nga ujku. Miniatura e pikturuar me brisk flet në fakt më tepër se dhjetra analiza e profilizime të bëra në shkrime empirike e studio vegjetuese.

Përmendëm realizmin magjik më sipër, por na duhet të shtojmë se realizmi magjik është ajo mënyrë shkrimi ku magjikja bëhet pjesë e përditshmërisë, përshkruhet me qetësi, pa ndonjë habi të dukshme, thua se është e natyrëshme si p.sh. çelja e një luleje. Pra nuk kemi shkëputje nga realiteti, por një shtresë tjetër e realitetit; me një fjalë bëhet “një lojë mashtruese” ku na serviren gjërat jo si përrallë, por me tonin e natyrshëm të fjalës së zakonshme.

1-Abdurdi i pëllëmbës dhe tronditja patriarkale.

Tregimi nis me një lajm që, për shumicën do të tingëllonte si kuriozitet i pavlerë: Brigitte Macron i ka dhënë një pëllëmbë burrit të saj, presidentit francez. (Mos duhet t'ju kujtoj se edhe Hilari Klinton ja dha një pëllëmbë Klintonit? Apo atë do t'a justifikojnë me fjalët: kishte hake e varfëra, ç’kërkonte ai me atë çupkën Leëinski kur kishte Hilari- Afërditën në krahë). Por nejse, për Jalemin, ky është një alarm, një rrëzim simbolik i hierarkisë mashkullore që ai njeh dhe mbron. Nuk është thjesht një grua që godet burrin në publik, është vetë autoriteti i burrit që pëson një goditje dhe mosveprimi u shndrua në një çarje. Në kokën e Jalemit, pëllëmba nuk është akt, por shenjë; një ogur që i përmbys botën.

Reagimi i tij është absurd dhe tragjikomik, por tipik i burrave të zakonit shqiptar: therr një milore. Si për të kompensuar për “çnjerëzoren” që sapo ka ndodhur në Paris, ai kryen një rit të njohur, një flijim që nuk i shërben as Zotit, as urisë, por vetë autoritetit të tij të brishtë. Pëllëmba është fyerje imagjinare; therrja; reagim real. Një balancë groteske.

2- Mishi si një mekanizëm autoriteti dhe kontrolli.

Lexuesve mund t'ju kujtohet koha kur me një mish dhuruar "atij që duhej" mund të merje shtëpi, bursë shkolle, punë të mirë, madje edhe të shpëtoje apo të ulje një dënim gjykate. Në këtë tregim mishi i milores bëhet qendra gravitacionale e tregimit. Nuk është më thjesht ushqim, është valutë pushteti, instrument për të mbajtur në këmbë një rend të vjetër. Jalemi nuk ka nevojë për fjalime, për statura zyrtare; ai kontrollon përmes mishit që u jep të tjerëve, copë-copë, si të ishin pjesë të një organizmi, që vetëm ai mund ta mbajë gjallë.

Pjesët e milores i caktohen kujdesshëm personave kyç: mësuesit, infermierit, elektricistit; atyre që i përkasin “shtyllave” të jetës komunitare, por që i nënshtrohen Jalemit për një palë brinjë a kofshë. Ai i njeh, e di se janë “të pa maskuar si vetvetja”, pra të tejdukshëm në lakminë e tyre.

Në këtë ritual mishndarje, nuk ka ndarje të së drejtës, por ndarje të të mirave në funksion të mëkatit, dhe mëkati apo fatkeqësia e vërtetë është të mos jesh pjesë e kësaj tryeze. Këtu, tregimi flet qartë për një strukturë pushteti që nuk ndërtohet mbi ligj, por mbi lidhje personale dhe interesa të vogla; një model klientelist që jeton e lulëzon në shumë hapësira të shoqërisë shqiptare edhe në ditët e sotme. Në fakt sot mishi zëvendësohet me tendera, por kjo është jashtë kontekstit të tregimit.

3- Pëllëmba dhe mishi, dy skaje të së njëjtës metaforë.

Në dukje, pëllëmba dhe mishi s’kanë asnjë lidhje mes tyre, por në mënyrën se si ndërthuren në tregim, ato krijojnë një kontrast të fuqishëm simbolik:

a- Pëllëmba është një akt femëror, i publikuar, që sfidon autoritetin e burrit në një nivel ndërkombëtar, por që e përndjek Jalemin në imagjinatë, gjer në Shqipëri si një kërcënim ndaj autoritetit të tij (burrëror) të përhershëm.

b- Mishi, përkundrazi, është akt burrëror, (antiligjor, korruptiv ) brutal, i njohur, që synon të rindërtojë këtë rend të përmbysur, përmes një gjesti primitive, por efektiv.

Pra, përballë një bote që lëkundet, Jalemi mbrohet jo me ide, jo me fjalë, por me mish, gjuhën e vjetër të autoritetit që ai e kupton më mirë se çdo kushtetutë.

4- Jetimi, syri i pafajshëm.

Në këtë lojë pushteti dhe simbolike, jetimi është i vetmi personazh i pastër. Ai s’kupton gjë nga alarmi për Brigitte Macronin, (as ja ka dëgjuar emrin dhe as di se çfarë është ajo apo çfarë ka bërë,) as nga domethënia e sakrificës së milores. Ai është aty për të mbajtur koshin, për të lidhur këmbët e kafshës, për të ndihmuar. Nëpërmjet tij, rrëfimi na jep një pasqyrë naive, por të vërtetë të popullit që e përjeton pushtetin si fat dhe jo si zgjedhje. Jetimi është metafora e atij që s’ka pjesë në mish, por që mbart gjithë peshën e tij.

Pra, tregimi “Mishi” i Kotes na del se është edhe një mikronovelë plot tension simbolik, një satirë që godet pa zhurmë, por me saktësi. Në pak rreshta, ai na vendos përballë një bote që ka frikë nga ndryshimi dhe strehohet te rituali, (te mishi), te zakoni. Jalemi nuk është vetëm një personazh, por një frymëmarrje patriarkale që reagon kur ndien aromën e ndryshimit në erë dhe përgjigjja e tij është instinktive, primitive, e përgjakur, por efektive.

5.Realizmi magjik i tregimit.

Më sipër thamë se ky është një tregim i realizmit magjik dhe në fakt kjo gjuhë magjike hapet qysh në momentin e parë të tregimit: “Ai u trondit nga pëllëmba që Brigitte Macron i dha burrit të saj…” Ky lajm nuk vlerësohet si titull lajmi i zakonshëm, ai shihet si simbol i një çarje botërore, i një goditjeje që bie në brigjet e Rrufinjës si një rrufe mbi mendjen e kryebariut Jalemi. Pastaj vjen aktualizimi i magjikës: “E troisi… i preu fytin. Tani xhishe… Mishi ka fuqi jetim”. Kjo therje e milores nuk trajtohet si akt kriminal, por si pikë kthese: një flijim që bëhet ritualisht, jo për Zotin, por për të forcuar një rrjet nënshtrimesh me servilë dhe pushtetarë. Është magji, sepse mishin e ndan si magjistari shpërndan bekime.

Personazhet si Jalemi dhe jetimi  shihen nga ky përfytyrim i çuditshëm që pranohet si i zakonshëm: Jalemi nuk pyet pse, ai vepron; jetimi nuk kupton, por devotshmërisht ndjek urdhrat. Kjo heshtje e pakritikuar ndaj absurdit sjell një realitet paralel, aty ku magjikja qetësohet në heshtje.

Është një tablo, jo vetëm lokale, e mbushur me hijen e pushtetit që funksionon përmes “mishit”, aty ku magjikja është jo e dukshme, por e ndjerë, si energji që rrjedh nën sipërfaqe. Tregimi na bart me qetësi mistike një rrëfim të përzier ku çuditshmëria bëhet heshtje, dhe heshtja – pushtet.

Në fund, ky është një tregim që, nën petkun e një satire lokale, çan kufijtë e kohës dhe vendit, bëhet një metaforë universale, në fund të fundit është letërsi që kapërcen kufijtë kombëtarë, letërsi europiane, në botën që has vështirësi të kuptojë se ç’po ndodh me atë.

Sarandë, më 8 Qershor 2025

 

Odise Kote

MISHI

Pëllëmba që Brixhit i dha Macron, e tronditi dhe zemëroi ligsht Xhaxho Jalemin, kryebariun e Rrufinjës. "Të paktën ta kish qëlluar dhjetë vjetê më parë. Tani ai është rritur ca - mërmëriste gjithë kohës pezm e vrer. Hata e madhe!"

- Ma sill atë - drejtoi gishtin, dhe çiraku i vogël jetim i ofroi gurëzmerilin. E troisi shpejt e shpejt bixhakun e brezit dhe fluturimthi iu hodh milores sipër. I preu fytin.

- Tani xhishe - iu drejtua jetimit. Kokën lëre mënjanë për mësuesin, paçanê për kokoroçin e pyjores, zorrët për infermierin e plëncat për elekriçistin.

Jetimi rripte shpejtësi prenë, ndërsa Xhaxho Jalemi i morri njê nga një miqtē në telefon tê ngjiteshin lart në stanin e tij.

- Do vijnë a mos kanë punë Xhaxho - pyeti jetimi në merak teksa po e ujdiste mishin gati për hell.

- Do vijnë, do vijnē se duan të hanë mish. Kujton ti se janë të maskuar si vetvetja? Mishi ka fuqi magjike, jetim, - zgërdhiu dhëmbët Xhaxo Jalemi. Do t'i lënë punët e do të vijnë këtu. Ndonjëherë njeriu e takon fatin pikërisht nê rrugën qê merr për ta shmangur atë.

Ehë, epo mirë, tundi kokën jetimi, pa kuptuar asgjë nga fjalët e tij.

- Po ajo puna e pëllëmbës që flisje në gjumë gjithë natën, ç'qe?

- Atë punë do e çitim për të mirën e popullit, do e çitim, po jepu duarve ...

No comments:

Post a Comment