NJË GJUHË, SHUMË ZEMRA- UDHËTIM PËRMES “ANTOLOGJISË SË LIRIKËS SHQIPE TË DASHURISË”
Nga Timo Mërkuri
Sa herë që dikush merr guximin të nxjerrë një antologji, menjëherë nis një kor kundërshtish: përjashtime, harresa, ndarje që s’bindin, prani që nuk përfaqësojnë. Dhe ka të drejtë ky kor: sepse një antologji nuk mund të jetë kurrë një pasqyrë e plotë, por gjithnjë mbetet një shikim i një syri të vetëm, një sy që ka lexuar, dashuruar, përzgje-dhur, por edhe lënë jashtë. Kur një antologji lind, dhemb gjithmonë diçka, si në çdo lindje.
Të hartosh një antologji poetike është si të ndërtosh një tempull të vogël prej kujtimesh e zërash që nuk janë të tuat, t’i marrësh ato, t’i shndërrosh në gurë për të ndërtuar. Por nuk mjafton me kaq, duhet të zgjedhësh cilin gur të vendosësh në themel, cilën dritare të hapësh, cilin emër të thërrasësh. Është një akt që kërkon maturi dhe mëshirë, njohje dhe intuitë, durim dhe zjarr.
Gjithsesi “Antologjia e lirikës shqipe të dashurisë” e Agim Vincës e tejkalon këtë sfidë me një elegancë të rrallë. Nuk ndjehet e zhurmshme as e vetëmburrur, por ngrihet qetësisht si një urë që e njeh ujin që rrjedh nën vete. Në thelb, kjo nuk është vetëm një përzgjedhje tekstesh, është një udhëtim poetik përmes shekujve; nga një zë anonim që flet me gjuhë zjarri në këngën popullore, deri te poetët e larmishëm të kohës sonë, që shkruajnë me ndjeshmëri urbane, shpesh në mjedisin postmodernist mes dëshirës dhe ankthit. Kjo antologji nuk i ofron lexuesit vetëm poezi: i ofron gjurmën e shpirtit shqiptar në ndjenjë, të qëndisur në një tapet të gjerë kohor dhe stilistik.
I – Kjo antologji është si një kopsht me shumë stinë dhe shumë zëra, ku çdo poet vjen si një lule që lëshon aromën e vet të veçantë. Në një cep, ndrisin qerpikët e Tanushës, larë në lot dashurie të pamundur. Më tej, në një qoshe ku bari rritet pa zhurmë, valëzon butësisht ndjenja naive e një vajze fshatare, që dashuron pa i ditur ende të gjitha fjalët. Pastaj vjen Lasgushi, me psherëtimat e tij të thella si liqenet e qeta nën hënë, ku çdo fjalë është një yll që s’të lë të flesh. Në të njëjtin kopsht, Migjeni shfaqet si një mollë e egër në degë, herë e thartë, herë e verbtë nga etja për një dashuri më të madhe se vetja. Agolli kalon i qetë, me qëndrimin e tij të ndritur që nuk kërkon vetëm ndjenjën, por edhe dinjitetin e saj. Pipa digjet pa masë, siç digjet një zjarr që nuk do të shuhet, ndërsa Dritëroi shëtit me lirikën e vet elegante, si një zot shtëpie që e di si ta thërresë dashurinë pa zhurmë.
Befas, degët përkulen nga një erë tjetër: poetet moderne hyjnë me hap të zhurmshëm në këtë kopsht, jo si mysafire të turpshme, por si pronare të ndjenjës. Ato nuk e lypin dashurinë, e shpallin, e drejtojnë, madje e përmbysin kur duhet. Dashuria e tyre nuk ka më vetëm fytyrën e engjëllit, por edhe të vajzës që qan në rrugë, të gruas që ikën në heshtje, të trupit që s’turpërohet të flasë. Ky kapitull është mbase më i çmuari, sepse aty ndodh bashkëjetesa e ndjenjave të hershme me tonet e reja, pa zhurmë, por me kuptim të thellë.
Brenda kësaj përzgjedhjeje ndjen se autori nuk ka ndjekur famën, por zjarrin e brendshëm të poezisë. Ai ka kërkuar jo thjesht emra, por zëra. Dhe ka dëgjuar me veshin e poetit dhe me kujdesin e një njeriu që e di se ndjenja nuk është për t’u kataloguar, por për t’u ruajtur. Pikërisht për këtë, antologjia nuk të jep ndjesinë e një renditjeje të ftohtë, por të një fryme të ngrohtë që kalon nëpër faqe, e cila të fton jo vetëm të lexosh, por edhe të ndalesh e të ndjesh.
II – Ajo që e dallon këtë antologji nga shumë të tjera është ekuilibri që mban: ndërmjet dijes dhe ndjesisë, ndërmjet përvojës letrare dhe frymës njerëzore, ndërmjet pasionit të fjalës dhe përgjegjësisë kulturore. Në një kohë ku mund të biesh lehtë në gabimin e zgjedhjeve miqësore ose rastësore, Vinca e ka ndërtuar këtë përzgjedhje si një urë të ndershme që bashkon brezat, zërat dhe lexuesit në një gjuhë të vetme; atë të dashurisë në shqip. Sigurisht, në këtë urë nuk ka statuja të ngrira, por hije poetësh që ecin pranë njëri-tjetrit: të vjetër e të rinj, burra e gra, anonimë e të njohur, popullorë e akademikë, të gjithë flasin njësoj me gjuhën e ndjenjës.
Kjo antologji nuk është thjesht një libër për t’u lexuar. Është një dritare që hapet mbi shpirtin e ndjenjës shqiptare, një përpjekje për të mbledhur copat e dashurisë që gjuha jonë i ka ruajtur me besnikëri ndër shekuj. Dhe pikërisht sepse nuk kërkon të jetë e përkryer, por e ndjerë, kjo vepër i mbijeton kohës, si një këngë e brendshme që mund të pëshpëritet gjithnjë nga fillimi.
III- Ka raste kur një vepër nuk vlen vetëm për përzgjedhjen e saj, por për heshtjet që thyen, për mungesat që shëron, për të drejtën që ia rikthen një gjuhe dhe një kulture të mohuar padrejtësisht. “Antologjia e lirikës shqipe të dashurisë” është e para e këtij lloji në gjuhën tonë dhe kjo nuk është vetëm arritje letrare, por një akt i rëndësishëm kulturor. Deri sot, asnjë studiues tjetër nuk kishte ndërmarrë një përpjekje të tillë për të ndërtuar një hartë të plotë të ndjenjës shqiptare në poezi përmes temës së dashurisë, ndoshta ndjenjës më njerëzore dhe më universale që njeh arti.
Ndërkohë që në studimet dhe antologjitë e vendeve fqinje, lirika shqiptare e dashurisë ose përmendet rrallë, ose anashkalohet tërësisht, kjo antologji vjen si një përgjigje e heshtur dhe e fuqishme: fjala e dashurisë në Ballkan është folur edhe në shqip, madje, ndoshta pikërisht në shqip, më herët se në çdo gjuhë tjetër. Kur Halil Sokoli e portretizoi Tanushën në një epokë parahomerike, ai nuk shkroi thjesht një poezi dashurie, ai në fakt hodhi një dritë të ngrohtë mbi trupin e ndjenjës shqiptare, në kohë kur ajo (ndjenja) ishte fshehur pas jelekëve të qëndisur, pas heshtjes së gruas, pas fjalës së rrallë që thoshte shumë me pak. Kjo antologji e risjell Tanushën si zërin e parë poetik të dashurisë shqiptare, një figurë që duhet të njihet, të vlerësohet dhe të përfshihet në historinë ballkanike të ndjenjës, jo të fshihet nga të tjerët, as të harrohet nga ne. Ky dimension shpërthen kufijtë e letërsisë dhe hyn në sferën e kujtesës kombëtare. Sepse nuk është pak të thuash: “ja, kjo është fjala jonë e dashurisë ; e para, e heshtur, e guximshme, e përjetshme”. Dhe nëse të tjerët nuk e pranojnë, ne duhet ta dëgjojmë edhe më fort zërin e saj ndër ne. Antologjia e Vincës, në këtë kontekst, nuk është thjesht një përmbledhje poetike, është një akt i rikthimit të dinjitetit shpirtëror të një gjuhe që e ka kënduar dashurinë me dhembje, me turp, me mall, me flakë, por gjithmonë me bukuri.
IV- “Antologjia e lirikës shqipe të dashurisë” e Agim Vincës nuk është thjesht një përzgjedhje poetike. Ajo është një takim i brendshëm mes një zëri të vetmuar dhe një korri të gjerë poetësh që vijnë nga shekujt, nga malet, nga brigjet, nga heshtja. Vepra e Vincës është një ndërthurje mjeshtërore midis shijes së poetit që njeh rrënjën e fjalës , dhe rigorozitetit të studiuesit që e ndien përgjegjësinë e përzgjedhjes. Në këtë përpjekje nuk ka vetëm dëshirë për të renditur emra apo për të përmbushur një mungesë: ka dritë që kërkon të ndriçojë një dhomë të madhe dhe shpesh të harruar të letërsisë shqipe, atë të dashurisë. Vepra qëndron jo vetëm për përmbajtjen, por për mënyrën si është përbërë: e kujdesshme, e thelluar, e hapur ndaj kohës dhe zemrës.
Në parathënie, autori ka shpalosur me ndershmëri kriteret që e kanë udhëhequr në përzgjedhje. Por ne, në këtë shkrim, nuk do të qëndrojmë mbi to. Ato i përkasin një leximi të vëmendshëm, të drejtpërdrejtë. Ne duam të shikojmë përtej asaj që është thënë, të zbulojmë ato risí që e bëjnë këtë antologji të rrijë më lart, më gjerë dhe më afër se të tjerat. Dhe pa dyshim, e para ndër to është kjo:
1. Në shumicën e antologjive të mëparshme, kufiri ka qenë i padukshëm, por i prani-shëm: Shqipëri, Kosovë, dhe ndonjë emër simbolik nga më tej. Por Vinca ka zgjedhur të mos shikojë përmes hartës politike apo institucioneve letrare, ai ka dëgjuar zërin e poezisë kudo ku ai flet shqip. Kështu, poetët nga të gjitha trojet shqiptare, nga Shkodra në Prizren, nga Tirana në Tetovë, nga Gjirokastra në Ulqin; janë vendosur jo si qytetarë shtetesh, por si zëra të një gjuhe. Dhe kjo gjuhë, në këtë antologji, nuk është thjesht mjet komunikimi, por tempull i dashurisë së përbashkët. Aty gjejmë Zef Seremben, që flet me mallin e një shpirti të mërguar, Serembe i arbëreshëve, që e thërret dashurinë si të ishte kthim në atdhe, gjejmë Zef Skiroin e Vorea Ujkon. Azem Shkrelin e takojmë tek e shikon ndjenjën me një ndjeshmëri që rri pezull mes dheut dhe qiellit. Gjejmë poetet e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, që sjellin një zë të ri, të drejtpërdrejtë, të çliruar nga droja e dikurshme. Antologjia i sheh këta poetë jo si përfaqësues gjeografikë, por si gurë të një guri themeli të përbashkët: dashurisë në gjuhën shqipe. Dhe kjo përfshirje nuk është thjesht një zgjedhje zemërgjerë, por një akt vetëdijeje kulturore, që i jep kësaj vepre një përmasë kombëtare dhe shpirtërore që mungon në përmbledhjet e tjera. Dhe më e bukura është se ky bashkim i zërave nuk është i zhurmshëm. Është si një rrjedhë lumi që mbledh ujin e burimeve nga shumë male: ndjeshmëritë ndryshojnë, por uji është një. Dashuria, edhe kur ndryshon mënyrën e shprehjes, mbetet po ajo uri dhe etje për t’u thënë, për t’u ndjerë, për të ekzistuar në fjalë.
Në këtë mënyrë, kjo antologji nuk është vetëm një përmbledhje poetike, por një hartë ndjesore e botës shqiptare, ku secila fjalë është një gur i vendosur me dashuri në mozaikun e një kujtese të përbashkët. Kjo është, ndoshta, risia më e heshtur dhe më e thellë që sjell kjo vepër.
2. Përfshirja e gjithë arealit shqipfolës në antologji nuk është vetëm zgjerim hartash, nuk është as bilanc ndarjesh territoriale mes poetëve. Është një ribashkim i një trupi që për shumë kohë është ndarë me thikë e me harresë. Në këtë përzgjedhje, gjuha bëhet atdhe i vetes, një truall pa kufij ku poetët nga Shkupi flasin me të njëjtën mallëngjim si ata nga Shkodra, ku zëri i një gruaje në Prishtinë përqafon heshtjen e një dashurie të pathënë në Gjirokastër, ku një varg i lindur në kolonitë arbëreshe të Italisë lidhet me një tjetër që ka marrë frymë në fshatrat e Dibrës. Nuk është vetëm ndjesia që i bashkon, por vetë gjuha si mishërim i kujtesës dhe i zemrës.
Në thelb, kjo nuk është përfshirje është rrëfim i një uniteti të brendshëm, që vetëm poezia mund ta bëjë të dukshëm. Kjo e bën antologjinë e Vincës jo vetëm një libër për t’u lexuar, por një udhë të heshtur drejt rrënjës. Sepse në këtë përzgjedhje nuk ka vetëm autorë, ka dhe rrënjë, ka gjethe që janë shkëputur e që tashmë rikthehen të njomen nga shiu i gjuhës amtare. Ka edhe zëra të humbur, që nuk janë thirrur për shumë kohë, por që këtu flasin me dinjitet, sikur asgjë të mos ketë ndodhur.
Kjo antologji, pra, nuk ka për qëllim të jetë gjithëpërfshirëse me çdo kusht, por të jetë e drejtë në heshtje, e ndershme në frymë, dhe e kujdesshme në dëgjim. Sepse dashuria në gjuhën shqipe është thënë shumë herë, në shumë forma, dhe nga shumë zemra të ndara në hapësirë. Vinca i dëgjon këto zemra jo si koleksionist, por si dëgjues i vërtetë,si një njeri që e di se nëse nuk i bashkojmë këto zëra në një këngë të përbashkët, ato humbasin, përndryshe rrojnë. Kjo është, ndoshta, vlera më e thellë e kësaj antologjie: ajo nuk sjell thjesht poezi të dashurisë, por dashurinë për poezinë në shqip, kudo që ajo është thënë, qoftë edhe me një fjalë të vetme në skajin më të largët të gjuhës.
3. Ka një çast në çdo histori letrare kur gjuha fillon të lëvizë, të rrëzojë muret që vetë ajo kishte ngritur më parë. Çast kur poezia nuk këndohet më vetëm për të qenë e bukur, por për të qenë e vërtetë, e çuditshme, e turbullt, e zhbiruar. Dhe kjo frymë e re, shpesh e pakëndshme për tradicionalistët, është pikërisht ajo që e mban letërsinë gjallë.
Në “Antologjinë e lirikës shqipe të dashurisë” të Agim Vincës, një nga risitë më të vyera është pikërisht prania e këtyre zërave të rinj postmodernë, të guximshëm, që nuk kanë ardhur për të përsëritur, por për të çarë. Në këtë përzgjedhje, ata nuk janë futur si stoli për të zbukuruar një vepër bashkëkohore, por si hallkë të pandashme të evolucionit natyror të ndjenjës në vargun shqip. Vinca ka përfshirë emra të poetëve bashkëkohorë dhe postmodernë, që rrallë janë përfshirë në antologji të mëparshme: Ag Apolloni, Alket Çani, Lulzim Tafa, Ervin Hatibi, Gjekë Marinaj, Kolec Traboini, Petrit Ruka, Adem Gashi, Abdulla Tafa, etj. Këta autorë sjellin një lirikë më të guximshme, më eksperimentale, shpesh të ironizuar, me ndjeshmëri urbane dhe gjuhe të lëvizshme. Ajo që bashkon këta poetë nuk është stili, por guximi për të thënë ndjenjën pa grimin e zakonshëm, pa e veshur me rrobën e përhershme të ndrojtjes. Kjo është një dashuri që s’ka më nevojë për leje të hyjë në poezi: ajo hyn vetë, herë me zë të lartë, herë duke qeshur lehtazi , por asnjëherë duke u justifikuar. Pikërisht kjo e bën praninë e tyre në antologjinë e Vincës të domosdoshme, pse një antologji që do të tregojë fytyrën e plotë të ndjenjës, nuk mund të ndalet vetëm te dashuria e pastër, por duhet të përqafojë edhe dashurinë që digjet, që zhgënjen, që largohet, që mallkon. Këta poetë, me vargjet e tyre të çuditshme, të ndërlikuara, të drejtpërdrejta e herë-herë të pakëndshme për syrin tradicional, i japin kësaj vepre atë që pak antologji kanë pasur guximin të pranojnë: se dashuria nuk është vetëm ndjenjë, por edhe mendim, edhe revoltë, edhe eksperiment. Dhe kjo është risia e dytë e madhe e kësaj antologjie: ajo nuk është një shportë me lule të një stine të kaluar, por një lëndinë ku rriten edhe pemë të egra, të përdredhura, që japin fryt tjetër, por që janë pjesë e natyrës.
4. Për shumë kohë, në letërsinë shqipe, dashuria ka qenë një fjalë e thënë nga burri dhe e përjetuar në heshtje nga gruaja. Poezia e dashurisë ka qenë një rrëfim i njëanshëm, një monolog i zjarrtë që nuk e dëgjonte plotësisht përgjigjen. Gruaja ka qenë pranë, por jo gjithmonë me zë. Ka qenë subjekt i dëshirës, por rrallë autorja e saj. Por pas viteve ’90, kjo ndarje e vjetër filloi të shembet. Në “Antologjinë e lirikës shqipe të dashurisë”, Agim Vinca i ka hapur dritaret për një zë që kishte qëndruar gjatë pas xhamit: zërin e gruas që flet për ndjenjën me gjuhën e vet. Jo për të imituar burrin, jo për të ripërsëritur mitin e dashurisë klasike, por për të krijuar një ndjesi të re, më të sinqertë, më tokësore dhe më të lirë.
Poetet: Natasha Lako, Mimoza Ahmeti, Rita Petro, Ledia Dushi, Luljeta Lleshanaku, Lindita Arapi, Donika Dabishevci, Vjollcë Berisha, Besa Myftiu, Rudina Çupi, Nurie Emrullai nuk janë zëra të veçantë që shtojnë një ngjyrë të re në përbërjen e antologjisë. Ato janë shkundje e vetë ndjenjës nga pluhuri i idealizimit dhe ndrojtjes. Në vargjet e tyre, dashuria nuk është më e paprekshme, por trupore; nuk është më vetëm mall, por edhe gjak; nuk është më vetëm dhuratë, por edhe zgjedhje.
Ky është një ndryshim i madh në krahasim me shumë antologji të mëparshme, ku poetesha ndonjëherë përmendej si shënim, si prani e rrallë, si ndonjë rast për të vënë barazi. Tek Vinca, përkundrazi, zëri i gruas ka dinjitetin e një bashkëbisedueseje të barabartë. Ai nuk është më zë që rri në cep të vargut; është zë që ndërton vargun, e që nganjëherë e thyen atë. Në këtë mënyrë, kjo antologji nuk është thjesht një pasqyrë e ndjenjës, por një shkallë e re e vetëdijes poetike, ku dashuria nuk është më vetëm ndjesi mashkullore, por një bashkëtingëllim i shumë trupave, shumë frymëmarrjeve, shumë kohëve. Kjo është, në vetvete, një prej arritjeve më të bukura të veprës: ajo nuk e njeh më ndjenjën si një emër të vetëm, por si një bashkëfjalë midis burrit dhe gruas, ku më në fund, edhe gruaja flet me zërin e vet dhe sidimos me një fjalë që është poezi.
5.Një nga befasitë më fisnike të Antologjisë së lirikës shqipe të dashurisë është pranimi i qartë, shpesh i heshtur, se poezia nuk jeton vetëm në tempujt e saj të përjetshëm, por shpërthen nganjëherë në gjoksin e një poeti që nuk e kemi pritur atje, në ndonjë shkrimtar të disiplinuar nga epika, në një zë të sertë të retorikës kolektive, apo në një figurë që zakonisht flet në emër të shoqërisë, jo të zemrës. Agim Vinca, çel portën për zëra që zakonisht nuk hyjnë në këtë odë të qetë të lirikës së dashurisë. Është ky një akt emancipues, por edhe një akt dashurie ndaj vetë letërsisë , ajo që ndodhet në ndalesa anësore, larg bulevardit të kritikës dhe historisë letrare.
Kështu janë përfshirë në Antologji : Llazar Siliqi që për shumë vite u njoh si zë i retorikës së socrealizmit, befas zbutet në këtë antologji si një burrë që heq çizmet e retorikës për të kaluar në heshtje nëpër dhomën e kujtimeve. Në poezitë e përfshira ai nuk kërkon të bindë, por të ndjejë. Kjo lëvizje poetike nga tribuna në dhomën intime është e rrallë dhe e vyer.
Te Azem Shkreli, figura e gruas është një gravitet shpirtëror, që tërheq fjalën drejt përulësisë. Poezitë e tij nuk thërrasin, ato shpërthejnë si një rrjedhë e brendshme dhe e heshtur, në të cilën dashuria është afërmendsh e lidhur me humbjen, me ekzistencën që vuan ndarjen e pashmangshme.
Qerim Ujkani nuk dashuron me ethe, por me ndërgjegje. Poezia e tij e dashurisë është e ngjashme me një rrëfim që ndalon rrugës për të parë veten në pasqyrë, një reflektim filozofik që e sheh gruan si bashkudhëtare në një udhëtim të brendshëm. Teksti i tij nuk ëndërron, por kujton dhe zhbiron, duke e ndërtuar marrëdhënien si një marrëveshje e heshtur mes dy vetmive që duan të preken.
Në thelb, përfshirja e këtyre poetëve në antologji nuk është vetëm një “zbulim” i thjeshtë emrash; është një rikonfigurim i ndjeshmërisë poetike në letërsinë shqipe. Ajo çfarë quhej dikur “zë i dytësor” del të jetë një burim i parë i thellësisë në trajtimin e një ndjenje sa njerëzore, aq edhe metafizike. Ky veprim i Vincës, në thelb, është një akt dashurie ndaj dashurisë vetë — sepse, për të qenë e plotë, ajo duhet të flasë me shumë zëra, edhe me ata që heshtën gjatë. Në fund të fundit: Dashuria s’është pronë e emrave të mëdhenj. Ajo banon në vargjet ku zemra është e vërtetë.
6. Një nga risitë më domethënëse të kësaj antologjie është zgjedhja për të vendosur në krye të saj poezinë gojore popullore, atë që për shekuj me radhë ka qëndruar në hijen e librave, por kurrë në hijen e ndjenjës. Kjo nuk është një zgjedhje formale, është një kthim i qëllimshëm në burim, një përulje përpara asaj ndjenje të papërpunuar që, megjithatë, ka një pastërti të frikshme.
Për shumë kohë, letërsia jonë e ka parë poezinë popullore me një sy etnografik më shumë sesa me sy estetik. Ajo është vlerësuar si dokument kulture, por rrallëherë si akt i lartë poetik. Pikërisht këtë paragjykim e përmbys kjo antologji, duke e njohur dashurinë popullore jo si një paraardhëse naive të poezisë së shkruar, por si një fuqi poetike të plotë, që jeton me ritmin e shpirtit dhe jo me rregullin e vargut akademik.
Në këtë pjesë të antologjisë, ndjesia shfaqet e zhveshur nga çdo konvencion letrar, por e mbushur me dritën e përjetshme të një dashurie që nuk kërkon emër, lavdi a çmim, por vetëm një gojë që e thotë dhe një zemër që e dëgjon. Poezitë e popullit janë të pathyeshme në thellësinë që mbartin, sepse ato nuk janë ndërtuar për të bërë përshtypje, por për të shpëtuar ndjenjën, për ta ruajtur të gjallë edhe përtej dhimbjes, mungesës, ndarjes.
Aty ku letërsia e kultivuar kërkon mjeshtëri, poezia popullore mbështetet vetëm te e vërteta. Dhe kjo e vërtetë, e mbajtur gjallë në kujtesën kolektive përmes brezave, është pikërisht ajo që i jep kësaj poezie fuqinë për të qenë themel, jo vetëm në historinë e dashurisë shqipe, por në vetë fizionominë poetike të kombit.
Duke e vendosur këtë lirikë në krye të një antologjie të tillë, Agim Vinca rikthen në vend nderin e një poezie që përfaqëson dashurinë në formën e saj më të pastër dhe më universale. Kjo është një poezi që nuk i përket askujt, por flet për të gjithë. Dhe pikërisht për këtë, ajo meriton të flasë e para.
7. Një nga gjestet më të heshtura, por më domethënës të kësaj antologjie është këputja e drynit ideologjik që për dekada ka rënduar mbi krijimtarinë e periudhës së realizmit socialist. Këtu, poezia e dashurisë e poetëve si Dritëro Agolli, Llazar Siliqi, Fatos Arapi apo Ismail Kadare nuk shikohet si nënprodukt i një periudhe diktature, por si një zë njerëzor që arrin të dalë përtej hekurave të kohës. Në këtë antologji, ato lexohen siç duhej të ishin lexuar që në fillim: si frymëmarrje të një shpirti që kërkonte të dashuronte edhe kur ishte i ndaluar të ëndërronte. Nuk është më fjala për qytetin, klasën, apo marshimin e ndjenjës nën flamur. Është fjala për njeriun që pëlqen një tjetër, që kujton, që e ndjen mbrëmjen si mungesë, trupin si etje, dhe fjalën si prekje. Nën hijen e socrealizmit, ka qëndruar e fshehur një poezi intime, që kjo antologji e zhvesh nga uniforma. Ajo çka më parë dukej si “lirizëm i lejuar”, në fakt është lirikë e përmbajtur me forcë. Një fjali e thjeshtë dashurie, e shkruar në vitet e dogmës, është ndonjëherë më e guximshme se një parrullë politike. Dashuria e përmbajtur bëhet akt rebelimi poetik, një mënyrë për të shpëtuar brendinë, kur liria e jashtme mungonte.
Në këtë kontekst, figura si Dritëro Agolli, i njohur për baladat e tokës dhe të përpjekjes vjen si një zë i çiltër që flet për ndjesinë, jo për direktivën. Llazar Siliqi befas shfaqet si një burrë që hesht para syve të një gruaje, jo si një përkthyes i angazhuar i kohës së vet. Arapi, i përhershëm i detit dhe heshtjes, shfaqet këtu si një poet që ka ditur të dashurojë më thellë sesa e lejonte koha. Dhe Kadareja, gjithmonë i mbështjellë me enigmë, lë të depërtojë në vargun e tij një dhimbje që s'ka sigël, por vetëm kujtim. Ky këndvështrim i ri nuk është thjesht lexim ndryshe, është shpëtim i një pjese të poezisë që ka jetuar në errësirë. Të përfshira këtu, poezitë e dashurisë nga kjo periudhë rikthehen si zëra të lirë, të pastër, të pavarur nga koha që i ngjeshte, dhe flasin për ne, pa ideologji, pa kravatë, vetëm me ndjenjë. Sepse dashuria, sado ta fshehësh, sado ta formësosh, ka përherë forcën të shpërthejë, qoftë edhe në një varg të thjeshtë që s’ka nevojë të shpallë, por vetëm të rrëfejë.
8. Në peizazhin letrar, shpesh janë majat që tërheqin vëmendjen: emrat e mëdhenj, figurat monumentale, zërat që kanë zënë vend në historinë zyrtare të letërsisë. Por nën ato maja, ka gjithmonë luginat që mbajnë ujin dhe Agim Vinca, me një sy të ndjeshëm e zemër të lirë, ka ditur të shikojë edhe aty ku të tjerët kanë kaluar pa ndalur.
Një nga risitë më të vyera të kësaj antologjie është përfshirja e poezive të çmuara të autorëve që zakonisht janë konsideruar “dytësorë” jo për mungesë vlere estetike, por sepse nuk iu dha kurrë vendi që meritonin në panteonin e përzgjedhjeve institucionale.
Në këtë përzgjedhje, vargu është më i rëndësishëm se fama, dhe kjo frymë çel një dritare të re: për të parë se poezia e vërtetë nuk kërkon lavdi, por ndjenjë që mbijeton në fjalë. Për shembull, në këtë antologji vjen me një dritë të veçantë Jorgo Bllaci, një zë i heshtur në letërsi, i njohur më shumë për kontributin shkencor, por që sjell vargje me një pastërti lirikale dhe fisnikëri ndjenje që të qëndrojnë gjatë në kujtesë. Teki Dervishi, me poezinë e tij të thjeshtë në formë por të ngarkuar me metaforë të thellë, rikthehet si një zë dashurie që është rritur në skaj të rrugës së madhe, por që kurrë nuk u shkri në zhurmën e saj. Po ashtu, Fatos Arapi, që ndonëse njihet në letrat shqipe, është shpesh lexuar vetëm në rrafshet e erotizmit të pastër, në këtë përzgjedhje fiton një dimension të heshtur, ku vargjet e tij kanë një liri që nuk sfidon, por përqafon. Eqrem Basha, Murat Isaku, , Resul Shabani, Ali Podrimja me vargje më të panjohura në këtë tematikë — janë të gjithë pjesë e kësaj galerie, ku emri nuk është më peshë, por ajo që mbetet pas fjalës: ndjenja, ritmi, kujtesa. Sigurisht që emrin e Ali Asllanit e Vehbi Skënderit e kërkon çdo lexues më së pari. Ka këtu edhe poetë më pak të përmendur publikisht si Llazër Shanto, Nexhat Hakiu, Adem Gajtani, Mihal Hanxhari etj. që sjellin copëza dashurie të rralla, të buta, të heshtura, por me thellësi të vërtetë.
Kjo qasje e Vincës, për të përfshirë edhe ata që nuk kanë patur “zë të fortë” është jo vetëm akt drejtësie poetike, por edhe akt kritik ndaj historive të mbyllura letrare. Ai na kujton se hierarkitë shpesh e shtypin ndjeshmërinë, dhe se vargu i bukur nuk e njeh rangun, por kërkon vetëm një sy që ta shohë dhe një zemër që ta njohë. Në këtë mënyrë, antologjia nuk është vetëm një përzgjedhje, është një ftesë për të dëgjuar edhe ata që kanë folur me zë të ulët, një gjest dashurie për letërsinë në tërësinë e saj, jo vetëm për majat, por edhe për ujin që ushqen rrënjët. Në këtë shtesë shfaqet qartë një frymë e lirë e leximit letrar, që është risi thelbësore në raport me përzgjedhjet tradicio-naliste e të mbyllura të antologjive të mëparshme.
Në këtë antologji, edhe hija flet, edhe fjala e harruar drithëron, edhe zëri i vogël lëshon tingullin më të kthjellët. Dhe kjo është ndër risitë më të rralla dhe më të çmuara që Vinca ka sjellë në peizazhin tonë letrar.
Në fund të leximit kthejmë dhe njëherë shikimin mbi titullin e kësaj antologjie e cila na shfaqet si një tempull i ndjenjës në gjuhën shqipe, një tempull i ndërtuar me gurë të ndjenjës, ku çdo zë është dëgjuar me kujdes dhe çdo ndjesi është ruajtur me përulësi. Ajo nuk ka lindur për të shpallur një rend, por për të krijuar një harmoni. Nuk ka ardhur për të imponuar një kanon, por për të çelur një dritare. Nuk ka synuar të jetë përfundi-mtare, por e ndjeshme.
Në një kohë kur letërsia shpesh e humb intimitetin në zhurmën e listave dhe renditjeve, kjo antologji e rikthen poezinë te rrënja e saj: ndjenja. Dhe ndjenja, kur i jepet fjala, bëhet kujtim, bëhet dritë, bëhet histori. Në këtë vepër, dashuria nuk është e një autori, e një kohe, apo e një shkolle letrare; ajo është shqiptare, e përbashkët, e mbijetuar.Dhe mbase kjo është fjala më e saktë që mund t’i thuhet kësaj vepre: ajo mbijeton. Në heshtje, në zë, në kujtesë. Ashtu si vetë dashuria.
Sarandë, më Qershor 2025
No comments:
Post a Comment