Tuesday, 1 July 2025

 AEROPLANI I DINO ÇIÇOS DHE ORA ZVICERIANE

 

Nga Tim o Mërkuri

Ky tregim i Odise Kotes, në dukje i thjeshtë, i lehtë, i ngjeshur, bart në vetvete një dritë të hirtë satire, një frymë groteske e herë pas here fabulash gjirokastrite që i qasen realizmit magjik shqiptar, të filtruar përmes ironisë historike dhe një tipari të veçantë ballkanik: shpikja në kushtet e mungesës.

1.Tregimi qëndron midis legjendës dhe realitetit, midis ëndrrës për të fluturuar dhe përroit ku përfundon aeroplani. Ky nuk është thjesht një tregim për një njeri që shpik një aeroplan, por së pari është një balladë e tipit Odise Kote për një ambicie provinciale që kërkon të shndrohet në mit. Duhet t'a lexosh mes rreshtave Odise Koten më shumë se nëpër rreshta për t'a kuptuar se çfarë do të thotë me ato që thotë. Ka një stil të shkruari si një të folur me bende , tjetër gjë të thotë e tjetër gjë nënkupton. Por le të kthehemi te tregimi; aty ku racionaliteti gjerman përplaset me mendësinë ballkanike të “promovimit me fabulë”, lind një e vërtetë më e thellë sesa ajo që duket: nëse nuk mund ta shesësh shpikjen, shite fabulën rreth saj. Dhe ky është thelbi që e afron tregimin me realizmin magjik shqiptar, jo në kuptimin e shfaqjeve të pamundura, por të atyre të pabesueshme që prapëseprapë pranohen si të vërteta nga një logjikë e tradicionale kulturore.

2. Artistikisht Dino Çiço është një lloj Don Kishotit i Gjirokastrës. Në vend të mullinjve të erës, ai ka zgjedhur të sfidojë peshën e gravitetit me kurdisje dore dhe krenari krahinore. Dhe si çdo Don Kishot, ka Sançot e vet, ironinë e teknikëve, mosbesimin e botës së madhe dhe përqeshjen e realitetit që nuk fal ëndrrat.

Megjithatë, ai guxon. Ndoshta është i kohës kur shokët i shkruan mbi varrin e Çelo Picarit me plumb të shkrirë vargjet: Bota i përket guximtarëvee. Dino Çiço ka një orë zvicerane në dorë si vulë legjitimiteti të shpikjes së tij, një orë që rreh në mënyrë të përkryer por që s’mund ta ngrejë dot në ajër as idenë më të lehtë.

Aeroplani që bie vetëm 10 metra më tej është një metaforë për shumë ëndrra shqiptare që janë ngritur nga toka vetëm sa për të parë si e sa është qielli dhe janë përplasur menjëherë në realitetin e përroit. Megjithatë, ajo që mbetet, ajo që i mbijeton dështimit, është.... djathi. Produkti. Krenaria. Marka. Një tufë me dele në cep të kalasë që qarkullon më larg se çdo fluturim. Kjo është ironi dhe triumf në të njëjtën kohë.

Sigurisht që tregimi i qaset realizmit magjik të tipit shqiptar, por jo si stil i pastër si ai i Márquez-it apo Borges-it. Kjo është një magji e thyer, që zë vend në truallin gjirokastrit ku ironia dhe krenaria janë dy fytyrat e të njëjtës monedhë.

Ky tregim ndërthur: a-Satirën sociale, që përqesh bindjen se çdo dështim mund të kthehet në sukses nëse i vesh një fabul për shitje. b-Groteskun poetik, që rrjedh nga vetë kontrasti mes një shpikjeje me kurdisje dhe teknikëve të Hamburgut.c-Metaforën kombëtare, ku shiten mite për të blerë realitet.(djathë)

3. Dino Çiço është një poet i pazakontë i mekanikës; një mjeshtër i fabulës që kërkon të shpikë një të vërtetë përmes trillimit, e njëkohësisht një metaforë për shqiptarët që shpesh detyrohen të jenë shpikës të historive sepse nuk kanë mjetet për të shpikur realisht.

4. Por ky tregim ka edhe një aspekt tjetër, ai i kopracisë, që siç del në tregimin e Kotës, nuk është thjesht një tipar anekdotik i karakterit lokal, por një ngjizje e thellë kulturore e gjirokastritit të mençur, që e shet fjalën me peshën e arit dhe shikon përtej asaj që sheh tjetri. Kjo “kopraci” nuk është shtrëngesë xhepi, por mençuri në admini-strim. Ka më shumë të bëjë me zotësinë për të mbuluar mangësitë me shkëlqimin e gjërave të vogla dhe të sakta. Me një orë zvicerane në dorë dhe një fabul të kurdisur mirë, Dino Çiço i shet gjermanëve jo aeroplanin që nuk fluturon, por mendësinë që ngrihet lart edhe kur s’ka krahë.

Të kuptojmë një gjë, gjesti i tij nuk është rrjedhojë e varfërisë, por një elegancë e vjetër e mendimit gjirokastrite: të mos japësh më shumë se ç’mund të marrësh. Edhe kur ke pak, e shpalos me madhështi: orë zvicerane, djathë me dele në reliev dhe një aeroplan që nuk fluturon, por që rreh krahët në legjendë. Si për të thënë: “Po nuk munde të fluturosh vetë, bëji të tjerët të fluturojnë me mendje.” Është një tregim ku “kopracia” vishet me krenari, si një shall i hollë mbi supe: nuk jep gjë kot, por kur jep, e shet si rrëfim trashëgimie me vlerë të shtuar. Nuk është rastësi që Dino u tregon orën, objekt i saktësisë së lartë, për të shpjeguar një shpikje që është thellësisht e pasaktë. Për të, mjafton që ora të ecë për të justifikuar se edhe aeroplani do ecë… me vetëkurdisje. Ky është humori i hollë i mendjes që tallet me veten për të mundur botën.

Këtu Odise Kote fut në lojë një trashëgimi të gjatë të gjirokastritit si figurë kulturore: të shesësh një send të zakonshëm si mit dhe të krijosh një treg për një mall që nuk ekziston, vetëm ngaqë e di si ta tregosh. Kur tregimi flet për “promovimin me fabulë”, ai e nënkupton edhe këtë: kopracia si ekonomi e fjalës, kursim i të vërtetës dhe shitje e mitit në vend të mallit. Dhe mos harrojmë: ajo orë zvicerane që kurdiset një herë dhe ecën 24 orë, është metafora e një mendjeje që prodhon për një ditë të tërë, edhe nëse duart janë bosh. Në Gjirokastër, edhe orët kanë krenarinë e tyre. E kur mbaron kurdisja, fillon vetëkurdisja, një shpikje mendësie, më shumë sesa mekanike. Pra, Dino Çiço nuk është vetëm shpikësi i një aeroplani; ai është zdrukthëtari i fabulës, i vërtetës së kursyer, mjeshtri i një kopracie që nuk është ngushtësi, por art i lartë i mbijetesës krenare.

Sepse në fund, kush nuk di të shesë fabulën, mbetet me djathin në dorë. Po Dino e shiti edhe atë, me dele, me kala dhe me gjermanë që ikën duke qeshur. Dhe ai qeshi i fundit. Sepse “kopracia”, kur përzihet me fabulën, shndërrohet në aftësi për të shitur edhe ajrin, vetëm po të dish si t’ia vësh çmimin.

 

Sarandë, më qershsor 2025

No comments:

Post a Comment