Thursday, 31 July 2025

 

NË HESHTJEN KU FLET DASHURIA E MOHUAR

 

Nga Timo Mërkuri

Ka poezi që nuk vijnë për të folur me zë të lartë, as për të thënë fjalën e fundit, por  zgjedhin të mbeten në heshtjen që pulson mes dy rrahjeve të zemrës, si një frymë që nuk shuhet, por rri pezull mbi kujtesë. E tillë është edhe “S’kam asnjë punë me ty...” e Ilirian Zhupës një poezi që ecën mbi fijet e holla të mohimit, duke dëshmuar thellë, me përmbajtje dhe drithërimë, një dashuri që nuk ka pushuar së jetuari edhe pse është zhveshur nga emri “dashuri”. Nuk ka përqafime në këtë poezi, as fjalë të mëdha që ta shqiptojnë ndjenjën. Ka shmangie që fshehin dëshirën, kthime të brendshme që çojnë gjithnjë në të njëjtin kujtim, dhe një zemër që rreh në heshtje, e mbështjellë me një petk fjalësh të përmbajtura. Ndjenja nuk shpallet, por rri e pranishme në çdo refuzim; nuk pohon, por zbulohet në shikimin që ndjek siluetën e tjetrit në ajrin e ngarkuar me aromën e së shkuarës.

Në këtë përmbysje të poetikës së zakonshme, e cila zakonisht kërkon deklarim ndjesie të plotë, qëndron edhe risia e butë, por tronditëse e kësaj poezie, ajo që i jep gjuhë heshtjes dhe trup i jep mungesës. Sepse ka dashuri që nuk kërkojnë të thuhen. Ato thjesht ndodhin, dhe mbesin. Në shpirt. Në ajër. Në varg.

I- Pikërisht aty ku fjala hesht dhe ndjenja fshihet pas një mohimi të lehtë, fillon të ravijëzohet thellësia psikologjike e kësaj poezie. Sepse ka ndjenja që nuk shuhen, edhe kur fjalët thonë të kundërtën. Ka prani që mungojnë, por mbeten të ngulitura thellë, si hije të pashlyeshme në kujtesën shqisore. Poezia “S’kam asnjë punë me ty...” e Zhupës nuk flet për ndarje, por për atë vorbull të brendshme që ndodh pas saj, një ndarje që nuk ka mbaruar kurrë, një dorë që nuk është lëshuar asnjëherë nga brenda. Dhe unë nuk ju them sa bukur di të shkruaj për poezinë, unë ju them shiheni se sa e bukur dhe e thellë është kjo poezi e Ilirian Zhupës. Unë ju shfaq terrenin ku poezia shndërrohet në një hartë të ndërlikuar ndjesish, ku çdo shmangie është një afrim i padukshëm dhe çdo mohimi një pohim i fshehur pas një “maske”. Ajo çka duket si tërheqje, është në të vërtetë përpjekje për të mbrojtur një plagë që ende pulson; një kthim i pavetëdijshëm në pikën ku shpirti ende nuk ka ditur të ndahet.

Në këtë poezi, psikologjia e ndarjes nuk është dramatike, por përthithëse; ajo nuk klith, por përpihet në heshtje, duke lënë gjurmë në shtresat më të imëta të ndërgjegjes. Poeti nuk rrëfen, por e përjeton ndjenjën në heshtje, në atë kufi të paqartë mes kujtimit dhe mallëngjimit, mes humbjes dhe pranisë që nuk resht së qeni. Dhe është pikërisht ky përjetim i brendshëm, i pashpjeguar deri në fund, që e bën këtë poezi një akt të thellë psiko-emocional – një dashuri që nuk shfaqet për të jetuar, por për të mos vdekur kurrë.

1. Ndarja është vetëm në fjalë, ndërsa brenda vetes gjithçka është e pranishme. Në dukje, poeti shpall një largim: “S’kam asnjë punë me ty…”, por ky pohim që përsëritet me ngulm në çdo strofë është në vetvete një kundërshti, një thirrje që s’e pranon zbrazëtinë. Nën shtresën e mohimit, fshihet një prani e fortë, një kujtim që s’ka pushuar së lëvizuri në mendje e në ndjesi. Është vetë mekanizmi psikologjik i mohimit që flet – sa më shumë thua s’e do, aq më shumë e përjeton mungesën. Kujtimi mbetet i skalitur në trup:

“Ndjek profilin tënd transparent, për të fiksuar linjat,

Ato ku dikur dihasnin trupat tanë si flakët...”

Vështrimi nuk është më i shkujdesur, ai ndjek, ndalon, fiksuar si një ritual pas ndarjes, që s’është veçse një vazhdim i dashurisë në një formë të dhimbshme. Ky është vetë paradoksi i ndjenjës: sa më shumë kërkon ta mohosh, aq më thellë ajo rrënjoset. Poezia zbërthen në mënyrë të nënkuptuar një mekanizëm mbrojtës të shpirtit, mohimin, që nuk e shuan ndjenjën, por e shndërron atë në një lloj të ri pranie, më të heshtur, por më këmbëngulëse.

2. Trupi reagon përpara arsyes, dhe kjo është më e vërteta e ndjenjës, pse ndarja nuk ndodh vetëm në mendje, trupi është dëshmitar i gjithçkaje që ka ndodhur dhe gjithçkaje që vazhdon të pulsojë brenda. Kumbimi i hapave bëhet një sinjal i brendshëm, një rrahje e tensionuar që ngjan me ankthin e rigjetjes së pashmangshme. Poeti ndjen që moti brenda vetes po prishet:

“M’i ngre veshët pipëz, thua moti im po prishet,

Dhe do të fillojë së brendshmi ai shi që ra së jashtmi…”

Ky “shi i brendshëm” është melankolia që nuk njeh logjikë, është ankthi që lëviz papritur, pa paralajmërim, nga një kujtim i papërfunduar që është bërë pjesë e trupit dhe ndjeshmërisë. Kjo është një nga ato forma ku pavetëdija e merr fjalën përmes trupit ; përmes veshëve që ndjejnë hapat, përmes zemrës që paralajmëron stuhinë përpara se mendja ta kuptojë. Poezia kështu e zhvendos dashurinë nga një ndjenjë mendore në një realitet fizik, të përjetuar si ankth, si tension, si dridhje.

3. Kujtesa shqisore është më e gjallë se kujtesa logjike pse ajri, aroma, janë ndjesi që nuk kontrollohen, ato vijnë dhe e pushtojnë njeriun si një valë që nuk pyet për kohën. Poeti përjeton një prani të pashmangshme përmes shqisave, dhe kjo është forma më e thellë e kujtesës psikologjike – ajo që vjen përmes nuhatjes, shijes, prekjes.

“Aroma që ti përhap përreth si një tymnajë flijimesh,

Më bën të kthehem te ditët me shpresë…”

Nuk është vetëm malli, por është kthimi i pavetëdijshëm në një kohë kur gjithçka dukej e mundur. Aroma është shkas për të rikthyer shpresën e dikurshme, për të përjetuar sërish ëndrrat që janë rrënuar, por jo harruar.

4. Zemra është  fusha ku arsyeja humbet, dhe ndarja s’ka vend për shpjegime shkencore dhe ndjenja nuk shpjegohet me fjalë. Ajo që ndodh brenda zemrës është e pamatshme dhe e pashpjegueshme:

“Është thjesht çështje zemre,

Që shkenca s’ia gjen dot kurimin, s’ia dallon dot shkakun…”

Ky pasazh është thelbi i gjithë përjetimit psikologjik në poezi – njeriu nuk është vetëm një qenie logjike, por një shpërthim ndjenjash që nuk gjejnë gjithnjë rrugë për të shuar veten. Rrahjet përpëlitëse janë një metaforë e ankthit të mbajtur pezull, që në fund kërcënojnë me një shembje të brendshme, të heshtur, deri në “mosrrahje”. Kjo zemër që "përpëlitet", që rreh deri në “mosrrahje”, është simboli i një tensioni që nuk arrin të shkarkohet përmes fjalës. Fjala është e paaftë për të mbajtur thellësinë e asaj që ndodh brenda; prandaj poezia vetë bëhet një simptomë, një derë e hapur nga e pavetëdijshmja drejt vetëdijes, nga mungesa drejt një forme të re ekzistence të ndjenjës.

Poezia e Zhupës nuk rrëfen vetëm ndarjen mes dy njerëzve, por thur portretin e ndarjes brenda vetes – midis asaj që do të harrojë dhe asaj që është e dënuar të kujtojë. E gjithë struktura poetike mbështetet mbi këtë tension psikologjik të njeriut që, edhe kur përpiqet të largohet, nuk bën gjë tjetër veçse rrotullohet në orbitën e mungesës. Dhe ndoshta, pikërisht aty, në këtë lëvizje të heshtur rreth plagës, qëndron bukuria dhe trishtimi më i thellë i kësaj poezie.

II-Në fillimet e një mohim të butë, kuptimi fillon të lëvizë. Në hijen e një fjale që mohon  “S’kam asnjë punë me ty” nuk qëndron largimi nga një person tjetër, por një përpjekje e brendshme për të shpëtuar veten nga gjithçka që kujtimi mbart: trishtim, mall, zhytje. Kjo poezi nuk flet me tonin e një zëri që kërkon përgjigje, por me jehonën e një mendimi që përthithet në ndjesi, aty ku ndarja nuk ndodh vetëm midis dy trupash, por në thellësitë e një vetmie që shtyn shpirtin të pyesë: “Kush jam unë pas teje?”

Në këtë rrugëtim të brendshëm, ku çdo mohim është edhe pohim i dhimbjes, poezia ndjek gjurmët e një filozofie të heshtur, asaj që nuk kërkon të bindë, por të kuptojë. Është një poezi që mund të lexohet me sytë e Kierkegaardit, aty ku dashuria është një provë ekzistenciale, një thirrje drejt thellësisë së vetvetes. Ose me trishtimin e heshtur të Camus-it, ku absurditeti i ndarjes nuk kërkon zgjidhje, por një qëndresë dinjitoze ndaj pakuptimësisë. E ndoshta edhe me reflektimin e Sartre-it, ku tjetri nuk zhduket kurrë, por mbetet i ngulitur në vetëdije si një prani që na formëson edhe në mungesë.

“S’kam asnjë punë me ty” nuk është vetëm një fjali, është një kthesë e brendshme, ku individi përpiqet të shpëtojë nga dhimbja duke u zhytur edhe më shumë në të. Kështu, ndarja nuk është fundi i dashurisë, por fillimi i një udhëtimi drejt vetëkuptimit. Një pyetje që nuk merr përgjigje, por që digjet ngadalë, si një qiri i braktisur në një dhomë të zbrazët.

1. Nëpërmjet mohimit, poeti pohon vazhdimësinë e ndjenjës, pse  kur një dashuri nuk përmendet, kur përjashtohet me fjalë të ftohta, ajo sërish rri pezull mbi çdo varg duke shfaqur kështi risinë e mohimit si formë pohimi e ndjenjës. Poezia, në pamje të parë, ndërton një qëndrim mohues – “S’kam asnjë punë me ty” – por ky është thjesht një sipërfaqe. Në thellësi, qëndron dëshira për ta fshehur dhimbjen, për ta ruajtur ndjenjën në heshtje, larg konsumit të fjalëve të zakonshme. Kjo është një nga risitë më të ndjeshme të kësaj poezie: e shpreh dashurinë përmes mungesës së gjuhës dashurore, duke e zhveshur nga ornamentet sentimentale dhe duke e kthyer në një ndjenjë që shpërthen përmes përmbajtjes. Kjo përpjekje për ta mbajtur ndjenjën në heshtje, përmes mohimit të drejtpërdrejtë, është një akt ekzistencial në vetvete, një mënyrë për t’i shpëtuar dritës së zhveshur të ndjenjës, duke e ruajtur atë në një hapësirë intime, ku dhimbja dhe prania e tjetrit bashkëjetojnë në fshehtësi.

..As të shoh, as të dëgjoj, as të ndjej, as të kujtoj…..,

s’kam asnjë punë me ty.”

Kjo katërshësi mohimesh është pikërisht një mbrojtje, një mur i ngritur për të ruajtur diçka që nuk shuhet.

2.Poeti ndërton një formulë refuzimi që ngjan si një mantra e heshtur, e cila, ndonëse përsëritet disa herë – “S’kam asnjë punë me ty” – nuk e fik ndjenjën, por e përvijon më thellë në nëntekst. Ky përsëritje nuk është mohim i ftohtë, por një përpjekje për vetëpërmbajtje, një mënyrë për të mbrojtur brendinë nga shpërthimi. Tjetri nuk përjashtohet: përkundrazi, bëhet gjithnjë më i pranishëm përmes gjurmës që lë tek ajri, hapat, vështrimi. Vargu: “S’kam asnjë punë me ty, por vetëm kumbimi i hapave” nuk është vetëm një dëshmi e pranisë së padukshme, por një kujtesë e ndjeshme, që ngjall një gjendje metafizike të lidhjes. Refuzimi është vetëm një sipërfaqe, ajo që ndodh poshtë saj është vijimësia e ndjenjës, që rri pezull, nuk shprehet, por nuk shuhet. Në këtë mënyrë, dashuria zhvendoset nga realiteti i jashtëm në vetëdijen intime, ku nuk ka më nevojë për emra, për sytë apo për frymën: mjafton jehona që mbetet. Dashuria më e thellë është ajo që nuk kërkon të quhet e tillë.

3. Poezia është ndryshe nga poezitë klasike të dashurisë në letrën shqipe. Në vend të ndjenjës së deklaruar, në vend të metaforave të dritës, syve dhe bukurisë së zakonshme, kemi këtu një përpjekje për të çliruar veten nga pasioni përmes një mohimi që në fakt është tjetërsoje e ndjenjës. Poezia është e zhveshur nga klishetë dhe e zhytur në një formë moderne të përjetimit, një prurje e re kjo në poetikën shqipe. Në këtë mënyrë, dashuria nuk shfaqet si ndjenjë e plotësimit, por si një boshllëk i ndriçuar nga mungesa, një boshllëk që e vendos subjektin përballë pyetjeve të mëdha të ekzistencës: çfarë mbetet prej nesh kur tjetri largohet? Si vazhdojmë përpara në një botë ku ndjenja ekziston, por nuk gjen më vend për t’u shprehur? Kjo është një risi në poetikën shqipe: të mos thuash “të dua” dhe sërish lexuesi ta ndiejë këtë si një ndjenjë të plotë dashurie, por të transformuar në heshtje, vetmi dhe pohim të dhimbshëm.

4. Në poetikën shqipe kjo poezi është një hap drejt një lirizmi ekzistencial dhe modern  duke shfaqur dhe risinë e një qasjeje ekzistenciale dhe introspektive ndaj dashurisë. Siç do të pohonte Heideggeri, njeriu është i hedhur në botë dhe detyrohet të përballet me pasigurinë dhe ankthin e ekzistencës së tij; në këtë poezi, dashuria e mohuar është shprehje e kësaj përpjekjeje për të gjetur kuptim në vetmi dhe përbrendësi. Duke mos u ndalur te bukuria sipërfaqësore e ndjenjës, por duke e zhytur dashurinë në përvojën e brendshme, poezia hap një dritare të re në letërsinë shqipe, duke e afruar atë me përsiatjet moderne të poezisë evropiane, ku ndjenja nuk është më objekt i jashtëm, por një përqendrim shpirtëror. Kjo formë e përbrendshme, e mbështetur mbi gjuhë të thjeshtë dhe ritëm të matur, përfaqëson një ndryshim thelbësor nga modelet poetike sentimentale.

“S’kam asnjë punë me ty” e thotë poeti, por kjo fjali ngjan më shumë si një lutje për të harruar, se sa një akt i vërtetë largimi. Në këtë përballje mes ndjenjës dhe përpjekjes për ta mohuar, lind një poezi që i përket jo vetëm një ndjenje, por një epoke të re poetike – më introspektive, më përvuajtëse, më e heshtur në fjalë, por më e zëshme në jehonën që lë pas.

III-Ka poezi që nuk kërkojnë që të kuptohen në mënyrë shkollore, por të ndihen si prani intime, të përhumbura e të qeta ashtu siç e përfytyronte Rainer Maria Rilke poezinë, jo si akt komunikimi, por si një thirrje e heshtur që vjen nga thellësitë e qenies. Për Rilken, “ajo që është e vërtetë është gjithmonë intime”. Kjo poezi është e tillë, e vërtetë në heshtje.

 “S’kam asnjë punë me ty” e Ilirian Zhupës është një nga ato poezi që nuk i drejtohen vetëm mendjes, por  përshkojnë damarët e ndjesisë njerëzore. Ajo nuk bërtet, nuk predikon, nuk ndjek rrëfim lineare, por lëviz nën sipërfaqe si nën lëkurë, aty ku rrymat moderniste i kanë zhvendosur kufijtë e letërsisë nga rendi në përjetim, nga deklarata në heshtje, nga fjala në mungesë.

1. Kjo poezi bart gjurmë të ekzistencializmit poetik pse në çdo kthesë të poezisë ndihet ajo gjendje përballjeje me boshllëkun e pasdashurisë, me vetminë që nuk ka më nevojë të ndreqet, por thjesht të jetohet. Subjekti lirik nuk gjykon, nuk mallkon, nuk kërkon asnjë dritare – ai pranon, në heshtje dhe në mungesë. Kjo ndjesi pranie të zbrazëtës dhe të padukshmes e vendos poezinë në krah të frymës ekzistencialiste, ku njeriu përballet me të vërtetën e zhveshur të qenies, siç e formulon Heideggeri, ku njeriu është i “hedhur në botë” dhe duhet të përballet me boshësinë si realitet themelor të ekzistencës. Edhe këtu, subjekti lirik është i zhveshur nga iluzionet, dhe pranon ndarjen si pjesë të natyrshme të qenies.

 "S’kam asnjë punë me ty." Kjo fjali e prerë, e heshtur, por jo e ftohtë, bart në vetvete dramën që nuk bëhet tragjedi, por përjetohet si një gjendje. Dashuria nuk është më dramë për t’u rrëfyer, por për të heshtur me të.

2. Në këtë poezi, shihet qartë një shmangie nga retorika klasike dhe një qasje drejt thjeshtësisë së thellë. Ajo përmban një gjuhë pa zbukurime klasike. Nuk gjejmë vargje të ndërlikuara, as figura të stërholluara. Fjalët janë të thjeshta, madje të përditshme, por përçojnë një tension të brendshëm që s’ka nevojë për rregull metrik, sepse muzikaliteti buron nga heshtja mes fjalëve.

S’kam asnjë punë me ty, por vetëm ajri,”  thotë poeti me një fjalor të thjeshtë, por me një ndjeshmëri të thellë që endet midis pranisë dhe mungesës. Kjo mënyrë e të ndërtuarit të vargut dhe mendimit poetik i qaset minimalizmit, jo si mungesë, por si përmbajtje e përmbajtur. Është një art i mënjanimit, që përçon më shumë me më pak, një estetikë që na kujton filozofinë e Ëittgenstein-it: “Për atë që nuk mund të flitet, duhet heshtur.” Në këtë poezi, heshtja është përmbajtje, jo boshllëk, ajo është vendi ku qëndron i pazëshëm gjithçka që s’mund të thuhet.

3. Prania e absurdit të heshtur dhe e nëntekstit të lënë bosh shihet në strukturën e brendshme të poezisë, ku përballë është një njeri me të cilin “s’ke më punë”, por që vazhdon të jetojë brenda teje në forma të papërcaktuara. Vetë vargu: “Ndjek profilin tënd transparent, për të fiksuar linjat” nuk është thjesht përshkrim i një kujtimi vizual , por është akt i pavetëdijshëm ruajtjeje, dëshmi e një lidhjeje që, edhe pse mohohet, refuzon të shuhet.

Ky kontrast mes mohimit dhe pranisë, mes largimit dhe vështrimit që vazhdon, krijon një atmosferë absurdi të butë, si ajo e përshkruar nga Albert Camus, ku absurdi nuk është një ngjarje dramatike, por një boshllëk që rri pezull në ekzistencën e përditshme dhe s’ka as shpjegim, as zgjidhje.

Kjo poezi nuk bërtet dhe nuk shpërthen, por përfton një dramaturgji të heshtjes, ku vetmia s’ka më asgjë për të thënë, dhe dashuria është thjesht një mungesë që nuk kërkon më as emër. Është ky boshllëk që e bën poezinë moderne: jo nga temat që trajton, por nga mënyra si i hesht ato.

4. Ndikime të imazhizmit modern: udhëtimi i brendshëm përmes detajit të padukshëm. Poezia e Zhupës bart në vetvete një lloj imazhizmi të heshtur, ku fjalët nuk synojnë të përshkruajnë botën siç është, por ta ndiejnë atë siç vibron brenda nesh. Në vargun: “Dhe do të fillojë së brendshmi ai shi që ra së jashtmi,” lëvizja nuk ndodh në peizazhin fizik, por në klimën e shpirtit. Shiu nuk është thjesht një mot i keq apo një kujtim i lagësht; është një pasqyrim i gjendjes së brendshme, një metaforë e asaj që përmbyt zemrën pas ndarjes. Pikërisht ky përputhje midis së jashtmes dhe së brendshmes është një element që e afron poezinë me modernizmin evropian, ku ndjenja dhe realiteti nuk janë më të ndarë, por e përkthyer njëri në gjuhën e tjetrit.

Imazhi nuk është panoramik, por i ngjeshur në një përjetim të ngushtë, të heshtur, të thellë. Ai shi është lëvizje, por jo drejt një destinacioni; është një udhëtim që nis në trup e përfundon në shpirt, pa pasur nevojë të arrijë askund. Në këtë poezi, udhëtimi nuk ka itinerar, por gravitet që tërheq drejt kujtimit, drejt dhimbjes, drejt asaj që nuk thuhet.

Kjo mënyrë për ta ndërtuar botën përmes një detaji të thjeshtë që bart një ngarkesë të madhe emocionale është në frymën e poezisë moderniste që nga Ezra Pound te Ëallace Stevens. Te Zhupa, imazhi nuk përshkruan, por dridhet. Ai shi që bie jashtë, por që përmbyt brenda, është pikërisht portreti më i qartë i asaj që nuk mund të thuhet ndryshe veçse përmes vargut poetik.

Kësisoj poezia “S’kam asnjë punë me ty” është një krijim që i përket shekullit tonë jo vetëm nga gjuha, por nga shpirti. Ajo rri në rrjedhën e poezisë moderne e postmoderne europiane, ku më shumë rëndësi merr heshtja se fjala, ku emocionet nuk shpërthejnë, por rrjedhin ngadalë si dritë që s’ka më burim. Ilirian Zhupa na dhuron një poezi të brendshme, të paprishur nga ornamentet, Ajo i përket atij lloj poetike që Jean-Paul Sartre do ta quante “mjet për të ekzistuar përmes shprehjes”, ku fjala nuk është veprim, por dëshmi. Dhe pikërisht për këtë arsye, është poezi modern, sepse është e vërtetë përbrenda, sepse mbetet njerëzore deri në palcë.

IV-Ka poezi që flasin për një dashuri; dhe ka poezi që flasin për dashurinë vetë, atë ndjenjë që rri pezull në zemrën njerëzore si një hije që ndriçon. Në poezinë “S’kam asnjë punë me ty”, fjala nuk shënjon një person, por një përjetim të përbashkët. Nuk ka emër, nuk ka kohë, nuk ka vend, ka vetëm një ndjesi që të gjithë e kemi provuar dhe s’e dimë si ta themi. Kjo është fuqia e saj filozofike: të mbajë në heshtje një të vërtetë që nuk plaket dhe që s’ka nevojë të përmendet për të qenë gjithmonë e pranishme. Siç shprehej filozofi francez Paul Ricoeur: “Në çdo përjetim personal fshihet një përvojë kolektive që kërkon gjuhë për të folur.”

1.Dashuria si një përjetim njerëzor tejkalon kohën, vendin dhe historinë personale dhe poezia e Ilirian Zhupës nuk është vetëm për një grua të caktuar, as për një ndarje të vetme, ajo është për të gjithë ata që kanë dashur njëherë dhe janë ndarë, por nuk kanë mundur të çlirohen plotësisht nga ajo ndjenjë. Mohimi poetik, që përsëritet me tingull ritualistik “S’kam asnjë punë me ty…”, është jehona e përbashkët e çdo kujt që ka dashur me thellësi dhe është përpjekur të harrojë me vështirësi. Siç thoshte Roland Barthes: “Edhe mohimi është një mënyrë e të dashuruarit.”

“S’kam asnjë punë me ty, por vetëm ajri,

Aroma që ti përhap përreth si një tymnajë flijimesh…”

Ky ajër, kjo aromë, kjo mungesë që është ende pranë – janë përjetime universale të një shpirti që nuk arrin të dalë nga graviteti i kujtimit. Siç e përshkruan poeti gjerman Rainer Maria Rilke: “Dashuria është ajo që na prek përtej ndjenjës, ajo që mbetet kur gjithçka tjetër është zhdukur.”

2.Poeti flet me zërin e atyre që kanë jetuar ndarjen si një vazhdimësi të dashurisë dhe çdo lexues që është ndarë njëherë, por është ndjerë më shumë i lidhur pas ndarjes se sa gjatë lidhjes vetë, e gjen veten në këtë poezi. Universi emocional i saj nuk njeh kufij gjeografikë apo kulturorë – është përvojë e qenies njerëzore. Vargu që thotë: “Do të fillojë së brendshmi ai shi që ra së jashtmi…” shpreh përputhjen mes motit të jashtëm dhe gjendjes së brendshme. Kjo harmoni e trishtimit është ndjesia që bashkon shumë zemra në të njëjtin ritëm melankolie, kudo në botë, në çdo kohë. “Njeriu është i dënuar të ndiejë” shkruante Albert Camus, “dhe çdo ndjesi është një pikë takimi mes tij dhe përjetësisë.”

3. E bukura e universalitetit është se ai nuk ka nevojë për emër, datë apo vendngjarje. Poezia nuk e përmend asnjë herë se kush është tjetri, as si ka nisur kjo dashuri, as pse ka mbaruar. Dhe pikërisht aty qëndron forca e saj: ajo nuk ka emër, sepse është për të gjithë. Kur poeti thotë: “Të ëndërroja gjithë ëndrrat, t’i synoja gjithë qëllimet,” nuk flet vetëm për një çift, por për njeriun në përgjithësi, për të gjitha ëndrrat që ndërtohen mbi një tjetër dhe shemben bashkë me të. Ëndrrat, qëllimet, janë pjesë e një strukture universale të jetës njerëzore, që përmes dashurisë përpiqet të gjejë kuptim dhe orientim. Siç thoshte Friedrich Nietzsche: “Dashuria është dëshira për të ndërtuar një botë me tjetrin.”

4.Ndjenja e papërcaktueshme në fund e bën poezinë të flasë në emër të njeriut si qenie ndijore. Kur poeti thotë:“Është thjesht çështje zemre,/Që shkenca s’ia gjen dot kurimin, s’ia dallon dot shkakun…” ai flet në një nivel e për një ndjenjë që s’e kap dot asnjë metodë shkencore, asnjë përpjekje për ta racionalizuar. Është këtu ku poezia bëhet përfaqësuese e përbashkët e natyrës njerëzore, që shpesh s’e kupton veten dhe rri pezull mes përjetimit dhe pamundësisë për t’i dhënë kuptim atij përjetimi. “Zemra ka arsyet e veta që arsyeja nuk i njeh”  thoshte Blaise Pascal. Kjo ndjenjë pa emër, pa shpjegim, është e përbashkëta më e thellë që kanë njerëzit, pa dallim epoke a gjuhe.

Poezia “S’kam asnjë punë me ty” nuk është një histori personale, por një pasqyrë e ndjeshmërisë njerëzore në tërësi. Ajo flet me gjuhën e zemrës së përbashkët, të plagosur, të përmalluar dhe të pambrojtur. Universi i saj është ai i përjetimit të ndarjes si një formë e zgjatur e pranisë. Sepse në fund, në dashuri, ajo që s’thuhet është më e vërtetë se ajo që thuhet, dhe ajo që mohohet është shpesh ajo që jeton më gjatë. Siç shkruante Italo Calvino: “Në dashuri, ajo që heshtim është më e rëndësishme se ajo që themi”. Prandaj, kjo poezi i përket të gjithëve që kanë dashur, kanë humbur, por nuk kanë reshtur së ndjeri.

V- Në këtë poezi, fjala nuk është thjesht mjet, por frymëmarrje e shpirtit. Sepse kur dhimbja nuk mund të thuhet drejtpërdrejt, ajo merr formën e figurës artistike, që si një shenjë drite në errësirë, i fton ndjenjat të dalin nga strehimi i tyre i heshtur. Ato krijojnë një peizazh të brendshëm, ku ndjenja endet si një hije e ngrohtë mes përjetimeve që s’kanë emër. Ka vargje që nuk lexohen vetëm me mendje, por me zemër. Ndaj, le të ndalemi në katër figura që e ndërtojnë këtë udhë të butë dhe të ndërlikuar poetike: simboli, metafora, personifikimi dhe imazhi.

1. Simboli ose e pathëna që flet më shumë se fjala:

a. Te vargu: “Ajri, aroma që ti përhap përreth si një tymnajë flijimesh…” ajri dhe aroma këtu janë simbole të pranisë së padukshme. Gruaja nuk është më aty, por ndjesia e saj qëndron pezull në hapësirë, në ajër. Ky simbol i tymnajës së flijimeve, i huazuar nga aroma e parfumit, nuk është veç një gjurmë fizike. Këtu simboli është një kujtim, ska trup por mbetet si ndjesi dhe shërben si urë midis asaj që është larguar dhe asaj që ende digjet brenda, duke e ndërlidhur ndjenjën me sakralitetin e mungesës.

b. Te vargu: “Dhe do të fillojë së brendshmi ai shi që ra së jashtmi” shiu është simbol i trishtimit, por edhe i larjes, i shuarjes së zjarrit të brendshëm. Shiu që bie brenda nesh është si një heshtje që pikon mbi kujtimin, duke e kthyer trishtimin në një mënyrë të re për të mbijetuar ndjenjën. Ai bëhet figurë e dualitetit mes së jashtmes dhe së brendshmes, një pasqyrim i shpirtit në peizazhin përreth. Në frymën moderniste, simboli i shiut thellon përjetimin: nuk është vetëm natyrë, është pasqyrë e ndërgjegjes.

2. Metafora ose fjala që shndërrohen në ndjesi.

a.Metafora krahasuese:“Ato ku dikur dihasnin trupat tanë si flakët / Që djegin për së brendshmi dhe digjen” është një përkthim sensual i intimitetit të dikurshëm, por edhe i dhimbjes që djeg ende. Flaka është pasion dhe vuajtje njëkohësisht, një ndjenjë që nuk konsumon veç jashtë, por përbrenda, aty ku nuk shuhet lehtë.

b. Metafora:“Aroma që ti përhap përreth si një tymnajë flijimesh” bart një tension të brendshëm mes ëmbëlsisë së kujtimit dhe rëndesës së dhimbjes që nuk largohet. “Tymnaja” është përçues i padukshëm i së shkuarës që ngjall gjithçka, pa pasur më asgjë. Ajo që mbetet nuk është vetëm kujtimi i një trupi të dashur, por prania e një ndjenje që kërkon të mos shuhet – si një flijim që nuk kërkon shpërblim, por thjesht të kujtohet.

3. Personifikimi  ose  ndjenja që bëhet trup

a. Te personifikimi: “M’i ngre veshët pipëz, thua moti im po prishet” moti nuk është më thjesht gjendje atmosferike, por një shenjë e shpirtit, një përkthim i trazimit të brendshëm që vjen nga jashtë, një formë moderne e ndërlidhjes së botës së jashtme me ndërgjegjen.

b.Te personifikimi:“Rrahjeve përpëlitëse që më bëjnë të shembem, / Gjer në mosrrahje” zemra nuk është më thjesht organ biologjik, por qenie poetike që përpëlitet, lufton, dhe rrezikon shembjen. Një ndjenjë që e ka tejkaluar trupin, është kthyer në peshë ekzistenciale. Sepse kur ndjenja nuk gjen më vend në fjalë, ajo kërkon strehë në trup, në lëvizje, në tensionin që zemra mban pezull midis rrahjes dhe heshtjes.

4. Imazhi ose piktura që flet me ngjyrat e zemrës.

a. Imazhi visual:“Ndjek profilin tënd transparent, për të fiksuar linjat…”  është një imazh vizual i brishtë, “profili transparent” është figura e kujtimit, jo e trupit fizik. Aty dashuria është bërë siluetë, është kthyer në formë të përjetësuar mendore që kërkon të mbahet gjallë.

b. Imazhi: “Të ëndërroja gjithë ëndrrat, t’i synoja gjithë qëllimet.” është imazhi i përbashkët i idealizimit, i gjithë horizonti jetësor projektohet mbi një tjetër. Ëndrrat bëhen gurët e themelit të një jete që më nuk është. Por edhe kur ajo jetë ka humbur trajtën konkrete, imazhi mbetet si një dritare e hapur në kujtesë, ku njeriu vazhdon të sodisë një të kaluar që nuk kthehet, por që as nuk largohet plotësisht. Është si një fotografi e vendosur në thellësi të shpirtit, që nuk zbehet nga koha, por ndriçon nga mungesa.

5. Figura artistike ose mënyra si heshtja flet.

Në këtë poezi, figurat artistike nuk qëndrojnë të ndara, ato shkrihen në një strukturë të brendshme që flet për njeriun si qenie e dashurisë dhe e mungesës. Metaforat krijojnë rrugë, simbolet mbartin thelbin, personifikimi i jep ndjenjës trup, dhe imazhi e bën të gjithë këtë përvojë të shfaqet si peizazh shpirtëror.

Qasja filozofike qëndron në të kuptuarit e dashurisë si diçka që nuk mbaron me ndarjen, por zgjatet në trajta të padukshme: “Është thjesht çështje zemre,/Që shkenca s’ia gjen dot kurimin, s’ia dallon dot shkakun…”Kjo është filozofia e pashpjegueshmërisë, e misterit njerëzor që as arsyeja s’e zbulon dot. Poezia nuk kërkon të analizojë, por të ndiejë. Dhe përmes këtij përjetimi, ajo na bën të gjithëve pjesë të një universi ku çdo plagë flet me gjuhën e heshtjes. Sepse në fund, është heshtja ajo që mbush më shumë se fjala. Dhe figura artistike, në këtë poezi, janë vetë mënyra si heshtja flet.

VI- Ka poetë që shkruajnë për botën, dhe poetë që e mbartin botën brenda vetes dhe e derdhin në varg. Ilirian Zhupa në këtë poezi nuk e kërkon ndjeshmërinë me gjeste të mëdha, por e fton lexuesin në një përkulje të brendshme, në një ndalim të butë përpara asaj që nuk thuhet dot me fjalë të zakonshme. Ai flet pak, por thotë shumë. Po aq sa me fjalën, po aq edhe me heshtjen.

Poezia e tij sjell në poetikën shqipe një frymë të re: një gjuhë të thjeshtë që bart thellësi, një heshtje që flet më shumë se fjala, një ndjenjë që nuk shfaqet me britma, por që qëndron pezull në ajër, si aroma e një kujtimi që nuk tretesh. Çdo varg është i zhveshur nga zbukurimet e panevojshme, por i mbushur me një dritë të pastër të ndjesisë, si një dritare ku përtej sheh shpirtin njerëzor, jo figurën poetike. Në këtë poezi, dashuria nuk dramatizohet, nuk kërkon të jetë kryefjalë e tragjedisë, por zgjatet si një mungesë që nuk mbaron, si një prani e padukshme që endet në ajër dhe nuk njeh harresë. Mohimi nuk është një refuzim i vërtetë – është një mënyrë e ndjeshme për të ruajtur tjetrin brenda vetes, për ta mbajtur të gjallë pa e shqiptuar me emër. Figurat poetike; simboli i ajrit dhe shiut, metafora e flakës që digjet përbrenda, imazhi i profilit transparent,nuk janë zbukurime, por mënyra për të përshkruar gjendje që s’mund të shprehen ndryshe. Ato nuk rrëfejnë një histori, por krijojnë një atmosferë, një gjendje shpirtërore ku lexuesi nuk është thjesht dëgjues, por bashkëpërjetues. Këto risi ne i shfaqëm gjatë analizës sonë, por këtu duam të shtojmë se:

Pikërisht këto rryma të ndjeshmërisë moderne, kjo ndarje nga sentimentalizmi klasik dhe përqafimi i një lirizmi më të heshtur, më introspektiv, e afrojnë poezinë e Ilirian Zhupës me atë të poetëve evropianë që kanë ditur ta shndërrojnë brendësinë në letërsi, si Rilke apo Tranströmer. Zhupa nuk vjen me rrëfim, por me gjendje. Nuk ngre zërin për të thënë një të vërtetë, por të fton të ndjesh atë që nuk thuhet.

Në këtë poezi, Ilirian Zhupa është një poet i ndjeshmërisë së përmbajtur, i heshtjes që frymon dhe i një dashurie që nuk shfaqet, por vazhdon të rrojë në formën më të thellë: mungesën. Ai na kujton se poezia nuk ka nevojë të shpjegohet, mjafton të përjetohet.

Dhe ndoshta ky është kontributi më i vyer që kjo poezi i sjell letërsisë sonë: rikujtimi se poezia nuk ka nevojë të bërtasë për të qenë e vërtetë. Mjafton të marrë frymë qetësisht dhe të bëhet vend i brendshëm ku njeriu gjen strehë. Me një ritëm që nuk ngutet dhe një dritë që nuk verbohet nga ndjenja, Ilirian Zhupa nuk na jep thjesht një poezi, na jep një përvojë njerëzore që nuk harrohet.

Sarandë, më mars 2024- korrik 2025

S’KAM ASNJË PUNË ME TY...

 S’kam asnjë punë me ty, por vetëm vështrimi

 Ndjek profilin tënd transparent, për të fiksuar linjat,

 Ato ku dikur dihasnin trupat tanë si flakët

 Që djegin për së brendshmi dhe digjen.

 S’kam asnjë punë me ty, por vetëm kumbimi i hapave

 M’i ngre veshët pipëz, thua moti im po prishet,

 Dhe do të fillojë së brendshmi ai shi që ra së jashtmi,

Mbi lakuriqësinë e pafajësisë sonë që përmbytej.

 S’kam asnjë punë me ty, por vetëm ajri,

 Aroma që ti përhap përreth si një tymnajë flijimesh,

 Më bën të kthehem te ditët me shpresë, kur mundja

 Të ëndërroja gjithë ëndrrat, t’i synoja gjithë qëllimet.

 S’kam asnjë punë me ty, është thjesht çështje zemre,

 Që shkenca s’ia gjen dot kurimin, s’ia dallon dot shkakun

 E rrahjeve përpëlitëse që më bëjnë të shembem,

 Gjer në mosrrahje. f.34

1 comment:

  1. Dëshmi

    Isha ​​plotësisht e shkatërruar kur marrëdhënia ime mbaroi. Besoja vërtet se kisha humbur dashurinë e jetës sime përgjithmonë. Pastaj gjeta Dr. Dawn dhe gjithçka ndryshoi.
    Me mirësi, mençuri dhe udhëzim të fuqishëm, ajo më solli përsëri dashurinë që mendoja se ishte zhdukur. Sot, jemi më të lumtur se kurrë!
    Dr. Dawn vërtet i shndërroi lotët e mi në gëzim.

    Dr. Dawn Mund t'ju Ndihmojë me:

    ✅ Magji Dashurie
    ✅ Magji Shtatzënie
    ✅ Rivendosjen e Martesës / Marrëdhënies
    ✅ Kura Bimore për HIV, Sëmundje të Veshkave, Probleme me Zemrën, Infeksione dhe më shumë

    📧 Email: dawnacuna314@gmail.com
    Telefon/WhatsApp: +2349046229159

    Mos vuani në heshtje. Dr. Dawn mund t'ju sjellë lumturinë përsëri në jetën tuaj!

    ReplyDelete