Wednesday, 9 July 2025

 

TRADHËTIA E VARUR NË DEGËT E DY PEMËVE

 

Nga Timo Mërkuri

Në rrëfimet biblike, Absalomi ishte biri i tretë i mbretit David, një princ me bukuri mbresëlënëse dhe flokë të gjatë që kujtohen si simbol i hijeshisë, por edhe i krenarisë së tij fatale. Historia e tij është një përzierje e rebelimit, manipulimit dhe dashurisë së ndaluar. Ai vrau vëllanë e tij Amonin për përdhunimin e motrës së tyre, Tamar, më pas u arratis për tre vjet, u kthye dhe nisi një rebelim të hapur kundër të atit, duke u përpjekur të marrë fronin. Fati i tij tragjik kulmoi kur gjatë një beteje u kap prej flokëve në degët e një peme dhe u vra nga ushtarët e Davidit, ndonëse mbreti kishte ndaluar vrasjen e tij. Vdekja e tij mbetet një simbol i humbjes nga vetvetja, e një bukurie që nuk mbart as drejtësi e as përmbajtje.

I-Ka në rrëfimet e shenjta dy pemë ku përfunduan dy tradhti; njëra nëpërmjet një litari, tjetra nëpërmjet flokëve të ngatërruar në degë. Juda dhe Absalomi, ndonëse me rrugë të ndryshme, patën një përfundim të përbashkët: në çdo epokë, dukja pa thelb dhe pa drejtësi i sjellin njeriut të keqen e vetvetes. Të hyftë vetja në qejf thotë populli ynë kur “uron” ironikisht fundin e dikujt që kapardiset shumë. Robert Martiko na jep një poezi: “Absalomi”,në të cilën nuk thur elegji për figurën të lashtë, por shpalos një meditim mbi rënien që vjen jo nga dënimi, por nga zbrazëtia e brendshme. Në katër ndalesat që vijojnë, poezia lexon historinë jo si një kujtim biblik, por si paralajmërim të heshtur për kohët modern, sepse pema, siç thotë poeti, “nuk është legjendë”. Ajo është ende aty, në hijen e çdo emri që “tundet”, si për ti kujtuar se ka vërtet një pemë diku, në  degët e së cilës vlen apo meriton të tundesh.

1.Absalomi nuk donte të ishte i drejtë, por e bukura pa drejtësi është verbim.

Nuk kërkoi të ishte i drejtë.

Mjaftonte të ishte i pashëm, i dukshëm, i dëgjuar.”

Poezia hapet me një mohueshmëri të brendshme: Absalomi nuk kërkoi të ishte i drejtë. Robert Martiko këtu nuk rrëfen vetëm një personazh të shkuar, por një arketip të përhershëm të bukurisë së zbrazët, të dukjes që e zëvendëson qenien. Në këtë vështrim filozofik, drejtësia nuk është më vlerë morale, por mungesa e saj bëhet dëshmi e fuqisë së sipërfaqes. Flokët e shumtë, fjala e pakët, dhe zëri “vetëm aq sa duhej” krijojnë një figurë karizmatike, por boshe në thelb.

2. Dashuria e verbër lind nga mungesa e pyetjeve ndaj atij që i kushtohet kjo dashuri.

“Ata që e panë, e deshën.

Ata që e ndoqën, harruan të pyesnin për drejtimin.”

Kjo ndalesë filozofike godet vetëdijen kolektive që mrekullohet nga aparenca dhe nuk kërkon përmbajtjen. Kulti i bukurisë, i zërit të ëmbël, e jo i mendimit të thellë, krijon një ndjekje të verbër. Martiko paralajmëron për rrezikun e të jetuarit në sipërfaqe, në një botë ku rruga ndjeket pa pyetur për drejtimin. Poeti shpall një të vërtetë të ashpër: dashuria për dukjen mund të jetë tradhtare dhe rrënuese.

3. Vdekja si vazhdim i jetës, varja në dukje është metaforë e përhershme

“Vdiq siç jetoi: i varur në dukje.

Me flokë të bukur në degët e një peme,

i lidhur pas vetvetes —”

Në këtë pikë, vdekja e Absalomit nuk është thjesht një fat tragjik, por një epilog i merituar për një jetë të jetuar në funksion të imazhit. “I varur në dukje” bëhet një metaforë e fuqishme për njerëzit që bien pre e vetëpamjes (dukjes) së tyre, por tejë metaforës kjo është një klithmë e heshtur filozofike, një përfundim që përthyhet në kuptim, jo që etikohet në mënyrë teknike. Absalomi nuk vdes nga duart e të tjerëve, por nga pasioni i vet për veten. Pema që e pret nuk është më mit biblik, por realitet që qëndron i njëjtë ndër shekuj — një simbol i hakmarrjes së brendshme, një gjykatë natyrore që s’ka nevojë për drejtësi njerëzore.

4. Historia përsëritet, emrat që tunden më shumë sesa peshojnë nuk mungojnë.

“Por pema e varjes nuk është legjendë.

Është ende aty, në shekuj,

gati për çdo emër që fryn më shumë se peshon.”

Poezia mbyllet me një urti të hidhur: historia e Absalomit nuk ka mbaruar. Ajo është ciklike dhe moderne. Në kohët tona, “zëra të lehtë, fjalë të ëmbla” e “adhurim që lind më shpejt se kujtesa” janë simptoma të së njëjtës sëmundje shpirtërore — një shoqëri që kërkon dritë vetëm për të verbuar, jo për të ndriçuar. Martiko i rikthen lexuesit te pema e vjetër si një thirrje për vetëdije: çdo epokë ka Absalomët e saj, por jo gjithmonë ka Davida që qajnë për ta.

Në mbyllje mund të themi se flokët e bukur nuk janë kurorë drejtësie. Këtë e di Robert Martiko, ndaj në poezinë e tij nuk rrëfen thjesht historinë e një personazhi biblik, por e shndërron atë në një reflektim të thellë për kohën tonë. Absalomi nuk është vetëm një figurë e së kaluarës, por një pasqyrë për sot: ai që zë vend në zemrat e njerëzve përmes pamjes, jo përmes së vërtetës. Poema e nxit lexuesin të kërkojë peshën në vend të fryrjes, thelbin përtej pamjes, drejtësinë përtej zërit të ëmbël. Dhe, nëse nuk e bën këtë, pema është gjithmonë aty — e padukshme, por gati.

II-zgjedhja e figurës së Absalomit nga Martiko nuk është thjesht përpunimi poetik i një arketipi biblik, por një kritikë e rafinuar, me domethënie të dyfishtë; estetike dhe politike  e cila godet një realitet konkret të historisë shqiptare nën diktaturë. Në mënyrë të tërthortë, Martiko e përdor Absalomin si metaforë të diktatorit shqiptar, i cili ndërtoi një kult personaliteti të bazuar jo vetëm mbi frikën dhe kontrollin, por edhe mbi imazhin: bukurinë fizike, qëndrimin, paraqitjen nëpër dokumentarë dhe fotografi, montazhi i kujdesshëm i pamjes si simbol i epërsisë. Poeti, që vinte nga një familje e persekutuar dhe që jetonte i ndërgjegjshëm për rrezikun që sjell fjala, përzgjodhi një figurë biblike si mburojë dhe njëkohësisht si pasqyrë të një realiteti të heshtur me dhunë. Kjo është mënyra moderne për të thënë shumë pa thënë drejtpërdrejt.

Le ta shohim këtë nënvlerësim në disa vargje, si:“Nuk kërkoi të ishte i drejtë./Mjaftonte të ishte i pashëm, i dukshëm, i dëgjuar.” Këtu ngrihet një kritikë e qartë ndaj një lideri që s’e mbështet legjitimitetin e vet mbi drejtësinë, por mbi pamjen dhe përfaqësimin. Është e pamundur të mos e ndjesh këtu thumbimin ndaj diktatorit që vendoste rregullin e tij përmes dukjes së përkryer, që manipulonte masat me zë të butë dhe fjalë të ëmbla, ndërsa përndiqte gjithçka që i kundërvihej thelbit të tij të zbrazët.

Vdiq siç jetoi: i varur në dukje.” Ky varg tingëllon si  mallkim poetik ndaj të gjithë atyre që ndërtojnë lavdinë mbi fasadën, dhe që në fund bien nga ajo që kanë ngritur vetë. Në kontekstin shqiptar, është një aludim i qartë: fundi i Absalomit është edhe paralajmërimi për fundin e çdo udhëheqësi që ka ndërtuar veten vetëm mbi dukje dhe frikëDhe më tej, si një mësim që s’ka mbaruar ende: “Pema e varjes nuk është legjendë./Është ende aty, në shekuj,/gati për çdo emër që fryn më shumë se peshon.”

Ky fund është një pohim filozofik universal, por edhe një aludim politik konkret: kushdo që rritet mbi kotësinë e lavdisë personale, mbi zbukurimin e jashtëm dhe verbimin e turmave, është i dënuar të përfundojë si Absalomi, i varur në vetveten. Nuk është e nevojshme ta quajmë me emër, sepse historia shqiptare e njeh, por dhe të tjerët në botë që patën të njëjtin përfundim, nuk njanë harruar.

Në thelb, poezia e Martikos është më shumë se një trajtim i bukurisë pa përmbajtje; është një akt kujtese dhe denoncimi, që në mungesë të lirisë së drejtpërdrejtë, flet përmes mitit dhe simbolit, por që kush ka sy për të parë, e sheh qartë se për kë e ka fjalën.

III-Poezia “Absalomi” e Martikos sjell një sërë risish poetike që e dallojnë në mënyrë të dukshme në peizazhin e letërsisë shqipe bashkëkohore. Këto risi nuk janë vetëm formale, por edhe semantike, filozofike dhe të mbushura me nënkuptime historiko-politike. Ja një përmbledhje e risive kryesore poetike:

1. Risi e parë është metoda e maskimit përmes mitit. Martiko nuk e përmend asnjëherë drejtpërdrejt diktaturën apo figurat e saj, por zgjedh Absalomin biblik si një figurë arketipale për të folur për liderë që mbështeten mbi dukjen dhe jo mbi drejtësinë. Kjo është një mënyrë moderne e të shkruarit, nën censurë ose për të ruajtur një finesë artistike që nuk ngatërrohet me pamfletin politik.

2. Në vend të himnizimit të bukurisë, Martiko përdor një ton ironik e kritik për të demaskuar rrezikun që sjell pamja e jashtme kur ajo nuk mbështetet në përmbajtje. Vargu:“Vdiq siç jetoi: i varur në dukje” është një nga risitë më të forta poetike dhe filozofike, sepse përmbys arketipin tradicional të bukurisë si virtyt. Kjo përmbysje poetike është një veprim modernist dhe një distancim nga estetika klasike e lavdërimit të formës.

3. Poezia nuk ndjek një narrativë lineare, por është ndërtuar në tablo të ngjeshura reflektimi, ku çdo strofë ngre një pikë filozofike, një mësim, një paralajmërim. Kjo strukturë e artikuluar si meditim me pauza e afron Martikon me poezinë moderne europiane, veçanërisht me atë që ndërton figurën për të shpërthyer një ide, jo për të treguar një histori.

4. Metafora e “pemës së varjes” ëshstë një simbol universal e historik: “Pema e varjes nuk është legjendë./Është ende aty, në shekuj...”Kjo metaforë është shumëplanëshe: ajo është një element biblik, por njëkohësisht shndërrohet në simbol të një drejtësie që mungon, të historisë që përsëritet dhe shoqërisë që dënon kotësinë. Është një poetikë e universalizimit të dënimit moral, që Martiko e shfaq përmes një imazhi të përjetshëm e të mbijetesës. Por unë sdi pse më kujton pemën ku u var Juda Iskarioti pasi tradhëtoi Krishtin.

5. Poeti heq dorë nga zbukurimet lirike dhe fjalitë e tepërta. Në vend të tyre, përdor një gjuhë të shtrënguar, ku çdo fjalë peshohet, çdo varg përmban një mendim. Vargje si: “Zëra të lehtë, fjalë të ëmbla,/adhurim që lind më shpejt se kujtesa” kanë muzikalitet të brendshëm, por mbi të gjitha forcë konceptuale. Ky minimalizëm me mendim të thellë është një tipar dallues i poezisë moderne që shkon përtej estetikës së formës.

6. Një risi moderne dhe e guximshme është kritika ndaj manipulimit masiv përmes bukurisë dhe karizmës së jashtme. Martiko i jep lexuesit një pasqyrë të populizmit dhe adhurueseve të verbër, që në vend të pyesin për drejtimin, për idetë, për programet ekonomike e sociale ndjekin hijet dhe zërat e ëmbël. Kjo është një filozofi morale dhe politike, jo vetëm një poezi estetike.

Kështu pra, “Absalomi” është një poezi që flet me zë të ulët, por kuptim të thellë, një art i mendimit që e gjen bukurinë jo në formë, por në të vërtetën që përmban. E parë në këtë këndvështrim edhe ne na duket më i bukur ky Absalom, por si poezi.

IV- Në kujtesën biblike, dy figura bien veçmas por me  ngjashmëri të thellë: Juda Iskarioti, që tradhtoi Krishtin dhe u vetëvar në një pemë nga brerja e ndërgjegjes, dhe Absalomi, biri i mbretit David, që ngriti dorë kundër të atit dhe u mbërthye në degët e një peme nga flokët e tij, duke gjetur atje fundin. Të dy humbën jetën të vetëvarur, njëri në mënyrë të drejtpërdrejtë, tjetri tragjikisht indirektedhe të dy e përfunduan jetën jo thjesht nga fati apo ndëshkimi, por nga një zgjedhje e tyre: nga braktisja e dashurisë njerëzore .

Poezia “Absalomi” e  Martikos ngre figurën biblike si simbol të pamjes pa përmbajtje, të fjalës që ndjell por nuk ndriçon, të njerëzve që tunden (kapardisen) më shumë sesa peshojnë (vlejnë). Në këtë kontekst, lexuesi nuk mund të mos ndiejë se pema ku u kap Absalomi nuk është larg nga pema ku varet Juda: sepse të dy; secili në mënyrën e vet, kanë tradhtuar një dashuri të dhënë pa kushte.

1. Absalomi, siç e përshkruan Martiko, nuk qe i udhëhequr nga ideali i drejtësisë apo ndonjë mision shpëtimtar. Ai zgjodhi pamjen, hijeshinë, dukjen e zëshme e të ndritshme. Bukuria, për të, ishte një pushtet në vetvete. Në poezinë e Martikos thuhet: “Nuk kërkoi të ishte i drejtë./Mjaftonte të ishte i pashëm, i dukshëm, i dëgjuar.” Në një epokë ku dukja ka më shumë vlerë se thelbi, kjo zgjedhje nuk është vetëm shenjë karakteri, por së pari është shenjë e tradhtisë ndaj së vërtetës. Absalomi nuk e përfilli nevojën për drejtësi, sepse i mjaftonte të duket i bukur dhe të dëgjohej aq sa të rriste numërin e ndjekësve e vet. Si pasojë e kësaj, ai tradhton figurën e birit dhe prijësit të mençur, të atij që ruan dinjitetin dhe mëson nga urtësia e atit.

Kështu, me vetëdije ose jo, ai tradhëton besimin e njerëzve, tradhton vizionin e qëllimit. Brenda kësaj zgjedhjeje, pema që do ta ndalë më pas, nuk është dënim i jashtëm, por pasojë e pashmangshme e një fryrjeje që nuk e mban pesha e shpirtit.

2. Një nga pasazhet më goditëse të poezisë është kur flitet për ata që e ndoqën:“Ata që e panë, e deshën./Ata që e ndoqën, harruan të pyesnin për drejtimin.”

Këtu poeti nuk kritikon vetëm Absalomin, por edhe turmën që adhuron pa menduar për vizionin politiko-ekonomik të personit që adhuron. Kjo është një verbëri kolektive, ku dashuria lind jo nga njohja, por nga pamja; jo nga përvoja, por nga ndjesia e menjëhershme. Kjo është një atmosferë që i jep jetë lavdisë së zbrazët dhe e ushqen atë. Mos dëshironi të bëjmë ndonjë qasje bashkëkohore, qoftë  vetëm me vendin dhe popullin tonë, apo sigurisht që e bëni vetë paralelizmin?

Nëse Juda tradhtoi Krishtin për tridhjetë aspra, Absalomi tradhtoi popullin që e ndoqi me sy të mbyllur sepse i udhëhoqi jo drejt dritës, por drejt vetes. Dhe drejt vetes do të thotë, drejt boshllëkut.

3. Vargjet që përshkruajnë fundin e Absalomit janë ndër më të fuqishmet në gjithë poezinë: “Vdiq siç jetoi: i varur në dukje./Me flokë të bukur në degët e një peme,/i lidhur pas vetvetes —” Ky fund nuk është thjesht një ndëshkim fizik, është simbol i përmbysjes morale. Absalomi nuk vritet nga shigjeta, por i mbërthehen flokët e veta  (ajo çka atë e identifikonte dhe e ngrinte në sy të të tjerëve) në degët e një peme. Pra, nuk është ndëshkim i jashtëm, por kapje nga vetvetja.

Martiko e thotë qartë: ai vdiq siç jetoi, i varur në dukje. Në këtë pikë, ngjashmëria me Judën bëhet e thellë. Juda, pas tradhtisë, nuk mundi të përballonte brerjen e ndërgjegjes, dhe kërkoi një pemë për tu varur. Absalomi nuk kishte ndjesinë e pendesës, por edhe ai nuk mundi të shpëtojë nga vetja e vet e rreme. Në këtë mënyrë, varja e Absalomit nuk ndodh drejt për drejt, por është po aq tragjike. Ai nuk e tradhtoi një mësues hyjnor, por e tradhtoi dashurinë tokësore të babait dhe të popullit që i besointe.

IV. Shikoni me vemëndje, në strofat e fundit të poezisë,  Martiko i largohet figurës së Absalomit si një personazh i vetëm dhe e shndërron atë në një figurë të përsëritshme në shoqëri. Ai vendos përballë lexuesit një përgjithësim, ku përfshihen të gjithë ata individë që ngjiten në vëmendjen publike pa merita të thella, që marrin përmasat e një figure të ndritur vetëm përmes shfaqjes dhe ndikimit të menjëhershëm ndjesor. Kjo ndodh në shoqëritë ku pamja dhe fjala  vlerësohen më shumë se thelbi dhe mendimi kritik. Autori e thotë qartë: “Dhe sot, nga moda e çastit/ose nga mallëngjimi për djeshmen,/vijnë sërish të tillë:/zëra të lehtë, fjalë të ëmbla,/adhurim që lind më shpejt se kujtesa.”

Në këtë fragment, Martiko vë në qendër një realitet të përhershëm: shfaqja si rrezik i përhershëm moral, si tundim që shpesh kalon pa ndëshkim në jetën e përditshme, por që mbart në vetvete një dënim të natyrshëm. Këtu hyn në lojë simboli i pemës. Poeti e rikthekson atë në mënyrë të prerë:“Pema e varjes nuk është legjendë./Është ende aty, në shekuj,/gati për çdo emër që fryn më shumë se peshon”.

Sigurisht që ju nuk do nisni ta kërkoni këtë pemë diku, pranë institucioneve. Pema e poezisë është metaforike, ajo nuk është më pema e Absalomit biblik dhe as ajo e Judës. Kjo pemë eshtë  bërë simbol i  ekuilibri të brendshëm të munguar tek individët e rritur mbi dukjen dhe jo mbi përmbajtje. Megjithatë, ajo qetësisht "pret"  rastet e ndonjë  fryrjeje pa bazë, sepse jeta e jetuar vetëm në dukje është e prirur të përplaset me realitetin dhe kjo përplasje nuk fal.

Por ka dhe një dallim tjetër mes këtyre dy varjeve; nëse Juda Iskarioti në filim u shfaq si  dishepull i Krishtit, më pas e tradhtoi me vetëdije, por pasi nuk përballoi pasojat e traadhëtisë së tij,  kërkoi fundin në një pemë, Absalomi e pati ndryshe tradhtinë e tij, por jo më të vogël. Ai tradhëtoi një dashuri tokësore, njerëzore dhe të pakushtëzuar: atë të babait të tij, mbretit David. Tradhëtia e tij  lidhet edhe  me aktin e drejtpërdrejtë të organizimit të sulmit për marrjen e pushtetit, por Martiko e shpërfill këtë si një veprim jashtë idesë së tij poetike e filozofike. Ndërsa në lidhje me pemën , për Martikon, ajo nuk është  metaforë biblike e rrallë, as imazh mitik i një kohe të shkuar, ajo është një figurë etike që përfaqëson dënimin e heshtur  e të pashmangshëm, që rrjedh natyrshëm nga mospërputhja midis asaj që njeriu duket dhe asaj që është. Dhe në fund, poeti  jo më kot na kujton me qartësi të pamëshirshme: “Gati për çdo emër që fryn më shumë se peshon.” Ky varg ndoshta duhet të shkruhet para disa institucioneve qendrore apo lokale të vendit tonë jo pse dëshirojmë , por ta dinë se pema është vërtet aty. Dhe kjo është pema që nuk pyet për emra, por mat zemrën. Dhe ku ajo është bosh, pema është aty , jo si legjendë, por si përfundim.

 

Sarandë, më korrik 2025

 

 

ABSALOMI

Nuk kërkoi të ishte i drejtë.

Mjaftonte të ishte i pashëm, i dukshëm, i dëgjuar.

Fjalët i kishte pak, flokët shumë,

dhe zëri i tij — vetëm aq sa duhej për të ndjellë njerëzit.

 

Ata që e panë, e deshën.

Ata që e ndoqën, harruan të pyesnin për drejtimin.

Sepse bukuria, kur nuk ka thelb,

është si drita që verbon në vend që të ndriçojë.

 

Vdiq siç jetoi: i varur në dukje.

Me flokë të bukur në degët e një peme,

i lidhur pas vetvetes —

dhe i harruar nga ajo që quhet drejtësi.

 

Dhe sot, nga moda e çastit

ose nga mallëngjimi për djeshmen,

vijnë sërish të tillë:

zëra të lehtë, fjalë të ëmbla,

adhurim që lind më shpejt se kujtesa.

 

Por pema e varjes nuk është legjendë.

Është ende aty, në shekuj,

gati për çdo emër që fryn më shumë se peshon.

No comments:

Post a Comment