ZBRITJA E PROMETHEUT NGA SHKËMBI
Nga Timo Mërkuri
Nuk ka thirrje entusiazte, as hossanara në zbritjen e
Prometeut nga shkëmbi te poezia interesante e Roberti Martikos.As flakë që të
ndriçojnë, as lavdi që të thërrasë turma në emrin e tij.
Një heshtje është ulur mbi plagët e tij,
një heshtje “që nuk
shërohet me lavdi.”
Poezia e Robert Martikos nuk e rindërton mitin për ta madhëruar
e hymnizuar sërish heroin,por për ta çliruar nga barra e përjetshme e
sakrificës dhe e lavdisë.Prometeu i kësaj poezie nuk është më zjarri që digjet
për të tjerët,por hiri që mbart përbrenda një qetësi të re- jo dorëzim, por
liri e kthjellët.
“E ç’të bëjë me zjarrin? E dhanë për tym.
S’e deshën për dritë që ndriçon kuptime,
por për natë që
përvëlon.”
Një këndvështrim krejt origjinal në çmitizimin e mitit,ku
zjarri- dhurata hyjnore e njohjes -shndërrohet në tym enë mjegull që nuk
ndihmon për të parë,por për të humbur rrugën.Poeti shfaq një botë, një shoqëri
njerëzore që nuk e do dritën,jo sepse nuk e kupton, por sepse i trembet
kuptimshmërive që ajo sjell. Kjo është një kritikë e heshtur por therëse:njerëzit
shpesh nuk kërkojnë shpëtim,por një çast ngushëllimi të lehtë si ai skllavi që
nuk kërkon liri por një pjatë më tepër ushqim. Ky mund të jetë e të quhet me
emrin e tij "mjerimi njerëzor", por që sot ajo pjatë gjellë shpesh
quhet arritje, përparim, meritë e qeverive etj.
“Njerëzit duan shpëtimtarë për çaste,
jo shoqërues të
mendimit të gjatë.”
Kjo është zemra filozofike e poezisë:ajo çka Prometeu solli,
bota nuk e pranoi. Jo sepse nuk mundi, por sepse nuk deshi, nuk guxoi të ecte
gjatë me atë.Kur etja për liri mbetet sipërfaqësore,edhe prurësi i saj s’ka më
ç’të japë. Nuk ka më nevojë për mision. Prometeu nuk largohet me hidhërim, por
me një lloj keqardhje, dhimbje që vjen nga kuptimi i thellë i natyrës
njerëzore.
Ai zgjedh të qëndrojë “mes
gurëve që s’presin lavdi,” larg britmave, larg altarit të heroit.
“Dhe aty, ku nuk i duhej më të mbante barrën
e botës,
u bë i qetë- jo i dorëzuar, por i lirë nga
etja për të shpëtuar
të eturit për liri të lehta.”
Ky varg i fundit është kthesa e madhe e poezisë. Aty Prometeu
bëhet njeri, jo titan. Qetësia nuk është mposhtje, por një formë më e thellë e
lirisë: ajo që vjen kur ndalon së luftuari për ata që s’e duan shpëtimin.Është
refuzimi i lavdisë për një të vërtetë më të qetë.Prometeu nuk pushon së
ekzistuari , ai vetëm ndalon së flakëruari për të tjerët.
Poezia e Martikos nuk është thjesht një rikrijim i një miti
të vjetër,por një reflektim mbi njeriun e sotëm,në një kohë kur flakët janë
kthyer në tym dhe shpëtimtarët, në kujtime të padëshiruara.
Kjo është qetësia pas zjarrit. Jo harresë. Jo humbje, por
çlirimi nga iluzioni.
Por mjerë shoqëria njerëzore që i mohon heronj të tillë.
Urime Robert Martiko për këtë prurje sa interesante aq dhe
filozofike e poetike postmoderniste dhe ekzistencialiste sëbashku.
Sarandë, më qershor
2025
PROMETEU, PAS ZJARRIT
Nuk zbret më
si flakë nga shkëmbi,
as nuk
kërkon brohorima.
Nga plagët
mbeti jo vetëm mishi,
por një
heshtje që nuk shërohet me lavdi.
E ç’të bëjë
me zjarrin? E dhanë për tym.
S’e deshën
për dritë që ndriçon kuptime,
por për natë
që përvëlon.
Titani u
kthye, jo për hakmarrje,
por për të
ndjerë tokën — siç është.
S’pritej më
të merrte fjalën.
Ai vetë nuk
donte më të fliste.
Njerëzit
duan shpëtimtarë për çaste,
jo shoqërues
të mendimit të gjatë.
Ai zgjodhi
një jetë më të qetë,
mes gurëve
që s’presin lavdi.
Dhe aty, ku
nuk i duhej më të mbante barrën e botës,
u bë i qetë
— jo i dorëzuar,
por i lirë
nga etja për të shpëtuar
të eturit
për liri mendjelehta.
No comments:
Post a Comment