POETIKA KOZMIKE E EDONA ALITIT
Ose: dashuria si energji universale
Nga Timo Mërkuri
Në poezinë “Ty që ke trokitur në
pritjen time”, Edona Aliti shfaqet si një zë që sjell një frymë të re në
poetikën shqipe, duke e tejkaluar kufirin midis ndjenjës dhe mendimit, midis
shpirtit dhe materies. Ajo është ndër ato poete që e sheh dashurinë jo vetëm si
ndjesi, por si energji universale, si ligj i brendshëm që lëviz gjithçka ;njeriun,
natyrën, yjet. Në këtë mënyrë, poezia e saj bëhet një përpjekje për të shkrirë
botën e brendshme me atë të jashtme, ndjenjën me shkencën, frymën me materien,
duke sjellë një bashkë-jetesë të re poetike, që deri më sot nuk është parë me
këtë forcë në poezinë shqipe, përfshirë edhe atë të Kosovës.
I- Risitë që sjell Edona Aliti
janë të shumta dhe për nga natyra e tyre, të paprecedenta në poezinë shqipe.
Ajo arrin të futë me një lehtësi të rrallë dhe me një ndjeshmëri të brendshme
elemente të shkencave ekzakte brenda lirikës, duke i kthyer konceptet e fizikës
- “energji”, “puls”, “infinit”, “oksigjen”
- në materie poetike. Këto terma, që në botën e shkencës lidhen me rregulla të
ftohta e ligje të pandryshueshme, në vargun e saj marrin frymë njerëzore dhe
bëhen gjuhë e shpirtit, metafora të dritës dhe të lëvizjes. Përmes tyre, Aliti
ndërton një gjuhë të re të dashurisë, ku ndjenja përjetohet si valë drite, si
ritëm kozmik, si një fuqi që i përfshin të gjitha – trupin, frymën dhe
universin.
Në këtë mënyrë, ajo është ndoshta
e vetmja poete e brezit të saj që bashkon dimensionin shpirtëror me atë kozmik,
duke e ngritur dashurinë në një shkallë përjetësie, ku “koha e bekon rilindjen tonë.” Kjo nuk është vetëm metaforë, por një
mënyrë për ta parë jetën e ndjenjës si qarkullim energjie, si ligj universal që
ruan e ringjall ekzistencën.
Në këtë bashkëbisedim mes
shpirtit dhe universit, Aliti sjell edhe një modernitet estetik, ku figurat
poetike nuk janë vetëm zbukurime, por mjete për të krijuar imazhe të ndritshme,
të përbëra nga dritë, tinguj, aromë e lëvizje. Poezia e saj është si një
univers në miniaturë, ku çdo element frymon dhe çdo frymë kthehet në poezi.
Në thelb, krijimtaria e saj është
një akt rilindjeje poetike të ndjenjës, një përpjekje për ta parë dashurinë si
përmasën më të lartë të jetës dhe të artit. Ajo nuk e përshkruan dashurinë, por
e shndërron në dritë që ndriçon përtej kohës dhe trupit, në një energji që rreh
në dejt e universit. Prandaj poezia e Edona Alitit është një përvojë e veçantë
e poezisë bashkëkohore shqipe- një hap i guximshëm drejt një poetike që flet me
gjuhën e shpirtit, por mendon me gjuhën e universit, duke i dhënë dashurisë
formën e një filozofie të re të ekzistencës.
1.Në poezinë e Edona Alitit ndodh
një përthyerje poetike e rrallë në letërsinë shqipe: dashuria përjetohet përmes
gjuhës së shkencës. Është ndoshta rasti i parë në poetikën shqipe ku në një
poezi dashurie futen elemente të shkencave ekzakte, duke u kthyer në përbërës
të vetë ndjenjës, jo thjesht si zbukurime, por si strukturë përjetimi. Kjo
përbën një risi poetike të jashtëzakonshme, sepse Aliti shkrin dy botë që
tradicionalisht janë parë si të ndara — botën e ftohtë të ligjeve fizike dhe
atë të ngrohtë të ndjenjës njerëzore — për t’i bërë një të vetme, me qendër
dashurinë. Në vargun:
“Krejt çka mund të të dhuroj
është një puls
që zotohet të rrah në dej infinitesh,”
dashuria merr trajtë energjie, e
cila, si çdo puls fizik, ka dridhje, ritëm dhe vazhdimësi. Ajo nuk është më një
ndjesi e thjeshtë zemre, por një valë që përshkon hapësirën dhe kohën. Termat
“puls” dhe “infinit” janë fjalë të fizikës, por poetja u jep shpirt, i kthen në
përfytyrime ndjesore, duke i bërë simbol të përjetësisë së ndjenjës.
Në një tjetër varg“Oksigjenin ma ke mbushur me aromën tënde,” ajo
ndërthur procesin biologjik të frymëmarrjes me përvojën shpirtërore të
dashurisë. Oksigjeni, burim jetese, bëhet metaforë e frymës së tjetrit që
gjallon brenda saj. Kështu, dashuria nuk është vetëm emocionale, por fizikisht
e pranueshme, e përfshirë në strukturën e trupit dhe jetës. Nëpërmjet kësaj gjuhe të re poetike, Edona Aliti krijon një bashkësi
mes materies dhe shpirtit, mes energjisë dhe ndjenjës, duke e parë dashurinë si
një ligj universal që qeveris gjithësinë, ashtu si graviteti apo drita. Ajo na
e shfaq ndjenjën jo si iluzion, por si forcë reale që lëviz botën.
Kjo mënyrë e të shkruarit është
një prurje e veçantë në poezinë shqipe, sepse Aliti e ngre ndjenjën në një
nivel filozofik e kozmik, duke e ndriçuar përmes fjalëve “energji”, “puls”, “infinit”, “oksigjen” — terma që, në vargun e
saj, shkëputen nga përkufizimi shkencor dhe marrin dritën e metaforës. Në
vargun e saj, konceptet e ftohta të fizikës bëhen gjuhë e shpirtit, ritëm i
jetës, frymë që mban gjallë universin e dashurisë. Madje, në fund të poezisë,
kjo energji poetike merr trajtë njerëzore, shpirtërore, dhe kthehet në një amanet
të fjalës, siç e shpreh poetja:“Jam
amanet vargu që është nisur kah ti.”
Në këtë varg, vetë poezia
shndërrohet në energji që udhëton përtej trupit e kohës, për t’u bërë dëshmi e
përjetësisë së dashurisë- një frymë që as nuk shuhet, as nuk ndalet, por vazhdon
të rrahë në dejt e universit.
Në këtë mënyrë, Edona Aliti jo
vetëm që sjell një temë dashurie, por rikrijon mënyrën si mund të flitet për
dashurinë. Ajo na kujton se edhe ndjenja më njerëzore mund të shpjegohet me
gjuhën e yjeve, dritës dhe pulsit, duke dëshmuar se poezia, si vetë energjia,
nuk humbet kurrë - vetëm shndërrohet.
2. Aliti ndërton një lidhje të re
mes dashurisë dhe artit. Nuk e sheh ndjenjën si frymëzim për artin, por artin
si pasojë të dashurisë, çka e shpreh te vargjet:
“Simfonisë së 9-të të Bethovenit
i ra zbehje
që kur trokite në pritjen time.”
Kjo është një përmbysje poetike:
arti më i madh botëror “Simfonia e 9 e
Bethovenit” “zbehet” përballë
ndjenjës së lindur. Dashuria bëhet burim i krijimit estetik, pra, art më i
lartë se vetë arti. Në një tjetër varg,
“Çdo shkronjë mi pikturon buzët
e tua
më magjishëm e më fuqishëm se
vetë Pikaso,”
ajo krijon një ndërthurje poetike
mes penelit dhe fjalës, ku piktura dhe poezia bashkohen në aktin e dashurisë.
Kjo shkrirje midis arteve- muzike, pikture, poezie është një tjetër risi që e
ngre Alitin në planin e poeteve moderne evropiane.
3. Përkundër përjetimit të
menjëhershëm dhe të natyrshëm, që hasim në poezinë tradi-cionale dhe klasike të
dashurisë, Aliti e sheh ndjenjën si proces ndërtimi të brendshëm.
“Arkeologjisë së kësaj rruge në
kraharor
kam filluar të ndërtoj ditë pas dite imazhin tënd.”
Këtu dashuria është arkeologji e
shpirtit, kërkim i ngadalshëm, zbulesë e përditshme. Ajo nuk vjen si shpërthim,
por si kërkim dhe ndërtim. Kjo mënyrë e të përfytyruarit është risi
konceptuale, sepse poezia shqiptare rrallë e ka trajtuar ndjenjën me këtë
thellësi procesuale; si një gdhendje që formon shpirtin ditë pas dite.
4. Aliti përdor një teknikë të
rafinuar estetike- sinestezinë - duke bashkuar erën, dritën, tingullin dhe
frymën në një përvojë të vetme poetike. Vargu: “Oksigjenin ma ke mbushur me aromën tënde,” është një shembull i
qartë ku frymëmarrja (akt fizik) përzihet me aromën (shqisë së nuhatjes), dhe
të dyja bëhen shprehje e dashurisë. Kjo
përzierje e shqisave është një prurje estetike moderne, që i jep vargut një
teksturë të pasur shqisore dhe ndjeshmëri të lartë poetike, duke e bërë ndjenjën
të prekshme në mënyrë të shumë-fishtë.
5. Në poezinë e Edoina Alitit,
gruaja nuk është më e ndjeshme dhe e përvuajtur, por qenie që krijon, që bekon,
që shpëton.“Ruaje si një shkëndijë që ka
mposhtur errësirën.” shkruan poetja, ku kjo “shkëndijë” është forca e gruas
që ndriçon universin e vet. Kështu, Aliti sjell në poezinë shqipe një zë
femëror të fuqishëm e të pjekur, që nuk kërkon dashuri për të ekzistuar, por
ekziston për të krijuar dashuri. Ky
qëndrim përbën risi kulturore dhe poetike, sepse për herë të parë dashuria vjen
nga vetëdija e gruas si burim dritëdhënës, jo si kërkim për plotësim të qënies
apo portretit të saj.
6. Për Alitin, dashuria është e
pavdekshme jo pse jeton në kujtesë, por sepse bëhet fjalë, pra bëhet poezi.
“Ata që hynë në poezi s’vdesin
kurrë, thonë,
jam amanet vargu që është nisur kah ti.”
Këtu, dashuria shndërrohet në
amanet poetik që sfidon kohën. Fjala është forma më e lartë e mbijetesës. Madje
në fund, poetja e bekon përjetësisht këtë ndjenjë: “Koha po e bekon rilindjen tonë.” Kështu, dashuria bëhet risi
poetike dhe rit i rilindjes universale, që koha nuk e shuan, por e shenjtëron.
7. Përtej çdo hamendësimi në
poezinë “Ty që ke trokitur në pritjen time” të Edona Alitit ndihen shkëndija të
realizmit magjik, megjithëse ato nuk janë të pranishme në mënyrë të
drejtpërdrejtë, si në prozën e kësaj rryme, psh
si te romani “Gjin Bardhela I Arbëresh”.
Te Aliti, magjikja shfaqet përmes metafizikës së ndjenjës, përmes mënyrës si
ajo e tejkalon realen, duke e shndërruar përditshmërinë e dashurisë në një
hapësirë ku njeriu, drita, koha dhe fryma bashkëjetojnë në një realitet poetik
të shndërruar. Në thelb, magjikja tek ajo nuk vjen si trill apo fantazi, por si
rilindje e realitetit përmes energjisë së dashurisë. Në vargun: “Oksigjenin ma ke mbushur me aromën tënde,”
nuk kemi një ndjenjë tokësore, por një përjetim që tejkalon trupin. Oksigjeni.
elementi jetësor më i zakonshëm - shndërrohet në aromë dashurie. Kjo është
pikërisht fryma e realizmit magjik: kur
realiteti më i thjeshtë merr dritë nga e jashtëzakonshmja, kur ajri vetë bëhet
i dashuruar.
Një tjetër shembull i kësaj
përthyerjeje të reales në përmasë magjike vjen në vargjet:
“Violinat e mallit që dikur i
kisha të preferuara
mi ke heshtur, se u ke dhënë tingull gjitha melodive.”
ku dashuria bëhet forca që
ndryshon ligjësinë e tingullit, një fuqi që hesht instrumentet njerëzore dhe i
jep muzikë gjithësisë. Është një moment tipik i magjikes poetike, ku ndjenja
njerëzore fiton fuqi krijuese, e aftë të ndryshojë botën material; tingujt,
dritën, frymën.
Por kulmi i kësaj fryme magjike
është te vargjet:
“Krejt çka mund të të dhuroj
është një puls
që zotohet të rrah në dej
infinitesh,
ruaje si një shkëndijë që ka
mposhtur errësirën
veç për të fjetur një herë qepallës sate.”
Në këtë pasazh, dashuria
shndërrohet në një fuqi kozmike, një puls që rreh në “dej infinitesh” dhe një shkëndijë që mposht errësirën. Kjo nuk
është metaforë dashurie, por është mitologji moderne, një mënyrë poetike për të
dhënë magjinë si energji reale, të prekshme. Pikërisht këtu, poezia kalon nga
modernizmi në një realizëm magjik poetik, ku ndjenja dhe universi bëhen një.
Në fund, edhe koha; një përmasë
tokësore e matshme bëhet qenie e gjallë, e aftë të bekojë: “Koha po e bekon rilindjen tonë.” Ky
është një varg ku koha merr vetitë e njeriut, ajo “bekon”, pra vepron. Dhe kjo është thelbi i realizmit magjik,
animizimi i botës, gjallërimi i çdo gjëje që në dukje është e pajetë.Prandaj,
edhe pse poezia e Alitit rrënjoset në modernitetin e ndjenjës, ajo mban brenda
vetes një magji poetike të përmbajtur, që lind nga mënyra si ajo e sheh
dashurinë; jo si ndjenjë, por si fuqi që krijon botë. Kjo është magjia e saj: e
qetë, e dritshme dhe thellësisht njerëzore.
II- Edona Aliti hyn me këtë poezi
në një dialog të qetë dhe të thellë me poezinë europiane të ndriçimit të
brendshëm – traditën ku dashuria shihet si energji që përfshin gjithësinë. Nuk
është një imitacion, por një bashkëbisedim shpirtëror, ku përvoja e ndjenjës
bëhet përvojë filozofike. Kjo frymë e afron poeten me universin poetik të
Rainer Maria Rilke-s, i cili e sheh dashurinë si rrugë për njohjen e vetvetes
dhe të qenies, por edhe me Paul Éluard-in, poetin e dashurisë që e përjetëson
ndjenjën përmes dritës dhe hapësirës së shpirtit.Qysh në strofën e tretë, ajo
shprehet:
“kam filluar të ndërtoj ditë pas
dite imazhin tënd
me copëza ajri që i mbledh polenëve,”
duke shndruar dashurinë në proces
krijimi, në art dhe përkushtim. Këtu poezia bëhet një tempull i shpirtit, ku
çdo “copëz ajri” është përkushtim dhe
çdo “polen” kujtesë ndjenje. Ndërtimi
i imazhit të tjetrit përmes elementeve të natyrës është një prurje e veçantë,
që ndërthur spiritualen me fiziken, ndjesinë me materien, një metaforë që flet
si shpirtit shqiptar, ashtu edhe lexuesit europian.
Poetja e sheh dashurinë si formë
njohjeje dhe mënyrë për ta kuptuar botën, jo përmes logjikës, por përmes
ndjesisë. Ajo ndërton komunikimin jo me fjalë, por me frymë, me puls, me dritë.
Te vargjet:
“oksigjenin ma ke mbushur me
aromën tënde
dhe violinat e mallit që dikur i
kisha të preferuara
mi ke heshtur,”
dashuria bëhet një gjuhë e re e
qenies, që flet përmes aromës, heshtjes dhe tingullit të brendshëm. Kjo
ndjeshmëri e kujton poezinë europiane të shpirtit dhe ndjesisë, ku fjala nuk
shpjegon, por ndriçon — ashtu si tek Ungaretti dhe Elitis, ku ndjenja
shndërrohet në instrument njohjeje dhe drita bëhet simbol i ekzistencës.
Një tjetër pikë takimi me poezinë
europiane është simbolika e dritës dhe ajrit. Në poezinë europiane të shekullit
XX, drita është metaforë e shpirtit, ajri është hapësira e përbashkët e
frymëmarrjes njerëzore. Edhe te Aliti, dashuria ndodh “në ajër”, në një hapësirë të tejdukshme ku trupat bëhen dritë dhe
frymë:
“Me copëza ajri që i mbledh
polenëve
të ndërtoj imazhin tënd.”
Kjo e afron poeten me traditën e
Rilkes, Éluard-it, Ungaretit dhe Elitis-it, ku ndjenja bëhet materie e hollë,
gati e padukshme, që bashkon natyrën me shpirtin. Por te Aliti, kjo ndjeshmëri
merr një dimension më tokësor dhe më njerëzor; ajo rrjedh nga përvoja reale e dashurisë
dhe nga afërsia me tjetrin, duke i dhënë poezisë një identitet të veçantë
shqiptar.
Në fund duhet theksuar se Aliti, si
një zë i veçantë i poezisë bashkëkohore shqiptare nuk ecën pas poezisë
europiane, por bashkëecën me të, duke sjellë një frymë më të ngrohtë, më
njerëzore dhe më të dritshme. Poezia e saj mban aromën e tokës dhe dritën e
shpirtit, ku dashuria nuk është vetëm ndjenjë, por energji që rilind kohën: “teksa vet koha po e bekon rilindjen tonë.”
Në këtë mënyrë, poezia “Ty që ke
trokitur në pritjen time” bëhet pjesë e një kori të gjerë europian, ku ndihen
jehonat e Rilke-s dhe Eltis-it, por ruan melodinë e vet shqiptare – atë të
shpirtit që kërkon universin brenda dashurisë dhe e gjen në frymë, në dritë, në
ndjesi.. Ndërthurja e dritës, pulsit dhe kohës krijon një harmoni poetike që i
përket si dashurisë njerëzore, ashtu edhe asaj kozmike, ku poezia nuk
përshkruan dashurinë, por e krijon atë sit e vargjet: “ruaje si një shkëndijë që ka mposhtur errësirën.” ajo shndërron
dashurinë në një akt të përjetësisë. Kështu, poezia e Edona Alitit bëhet pjesë
e një kori të gjerë europian, por ruan melodinë e vet shqiptare, atë të
shpirtit që e kërkon universin brenda dashurisë dhe e gjen atë në frymë, në
dritë, në ndjesi. Në këtë dritë, poezia e saj bëhet akt rilindjeje, një
shndërrim i ndjenjës në art dhe i artit në jetë.
Sarandë, më nëntor 2025
EDONA HALITI
TY QË KE TROKITUR NË
PRITJEN TIME
Simofonisë
së 9-të të Bethovenit i ra zbehje
që kur
trokite në pritjen time
u bëre
sinonim i gjitha lutjeve që i bëra heshtas,
oksigjenin
ma ke mbushur me aromën tënde
dhe violinat
e mallit që dikur i kisha të preferuara
mi ke
heshtur,
se u ke
dhënë tingull gjitha melodive
rrugë u dhe
stacioneve ku prisnin çastet
mi shporre
mungesat qofshin aty edhe qe një mijë vjet!
Falmi yjet
dypolare,
netëve që të
të mbështjell me ëndërrat e fildishta
se ajo qka
mbështillet me zemër s'ndjen të ftohët
dhe ata që
hynë në poezi s'vdesin kurrë thonë
jam amanet
vargu që është nisur kah ti
bekoje!...
Arkeoligjisë
së kësaj rruge në krahëror
kam filluar
të ndërtoj ditë pas dite imazhin tënd
me copëza
ajri që i mbledh polenëve
syve të tu u
kam hedhur të puthura ndjenjash
se çdo
shkronjë mi pikturon buzët e tua
më magjishëm
e më fuqishëm se vet Pikaso!
E di ti
diellin e zakonshëm që e dashurojnë ditët?
Atë për të
cilin vjeshtat kanë mijëra vjet që vuajnë...
epo atë nuk
e krahasoj me ty,
dhe meteorët
që kam numëruar e vetme gjithmonë
i kam
shporrur nga qielli,
më mjafton
një eter i paskaj hapsirës sime
galaktikë
mbushur ujvara dashurish vet TI!
Ty që ke
trokitur në pritjen time
krejt qka
mund të të dhuroj është një puls
që zotohet
të rrah në dej infinitesh
ruaje si një
shkëndijë që ka mposhtur errësirën
veç për të
fjetur një herë qepallës sate!
Do të doja
që edhe Romeo e Zhulieta të na lakmonin
e Hamleti të
jepte urata për shpirtrat tanë
që ngjizur
për jetëra në njëri tjetrin do të mbesin
teksa vet
koha po e bekon rilindjen tonë!
Krejt çka
kërkoj prej teje është që ta duash pa hile
qoftë edhe
shiun që herë pas here mund të përqafoj tonin qiell
se do të vi
një ditë ku Biblotekave të reja të Aleksandrisë
dhe muret si
himn do na kujtojnë
e librave do
lexohemi përherë!
No comments:
Post a Comment