Tuesday, 11 November 2025

 

Trinia njerëzore e hyjnores në poemën “Qielli im”

 

Nga Timo Mërkuri

Në kohën tonë, kur ritmi i jetës është përshpejtuar dhe poezia shpesh është kthyer në një frymëmarrje të çastit, poema është bërë pothuajse specie e rrallë. Koha kërkon fjalë të shpejta dhe përjetim të menjëhershwm. Nuk kërkon ndërtimin e atij universi poetik që lyp durim, përqendrim dhe frymë të gjatë. Poezia e shkurtër i përshtatet nxitimit të ditës, por jo gjithmonë thellësisë së shpirtit.

Në këtë sfond, poema “Qielli im” e Ilirian Zhupës (1997–2015) shfaqet si një dukuri e veçantë në poetikën shqipe bashkëkohore. Kohëzgjatja e krijimit tregon meditimin, përkushtimin dhe durimin e poetit. Ai shndërron shkrimin në një udhëtim shpirtëror, ku fjala gatuan vetveten ‘në një magje të rrallë dritë, terr e rrufe’.” Në poemë Zhupa ndërton një univers të plotë poetik që përfshin Atin, Birin e Shpirtin, duke i përfytyruar si përmasa të jetës njerëzore, e jo vetëm si figura hyjnore. Kjo mënyrë e prurjes së tyre është një risi e thellë poetike: poeti nuk i vështron si qenie të paarritshme, por si prani që jetojnë në njeriun, në dashurinë, në frymën dhe në kujtesën e përditshme.

 “Qielli im” bashkon besimin dhe dyshimin, shpirtin dhe materien, kohën e përjetësinë. Ajo ngrihet si një urë midis teologjisë dhe përditshmërisë, duke e bërë qiellin një hapësirë njerëzore dhe njeriun një qenie qiellore.  Kjo poemë është krijim i rëndësishëm në poetikën shqipe për nga përmasat e mendimit filozofik, gjuha e pasur me simbole dhe metafora të papërsëritshme, si dhe ndërtimi i saj në tri shtylla: Ati, Biri dhe Shpirti që përbëjnë një trini poetike e njerëzore të rrallë. Ajo është një testament i frymës krijuese që kërkon të kapë të pamundurën me fjalë, duke e kthyer meditimin në poezi dhe poezinë në formë të lartë të jetës shpirtërore.

I-Prurjet e reja të kësaj poeme në poetikën shqipe

Poema ‘Qielli im’ e Ilirian Zhupës hapet me një përfytyrim të ri të qiellit. Ai nuk është më vetëm një hapësirë kozmike, por një dimension shpirtëror dhe personal, që poeti e zbret në vetvete, duke e bërë pjesë të qenies. Kështu ai përmbys konceptin klasik të ndarjes mes qiellit hyjnor dhe tokës njerëzore: në universin e tij, qielli është frymëmarrje, është vetë ekzistenca që gjen kuptim në brendësi të njeriut.

Kjo zhvendosje poetike është një akt i ri krijimi, që rikthen njeriun në qendër të kozmosit, si një mikrokozmos që përmban të plotin. Risi e tillë poetike i jep “qiellit” përmasën e shpirtit, dhe poezisë – përmasën e meditimt. Poema “Qielli im” e Zhupës është një risi e thellë në poezinë shqipe, një risi që nuk matet me forma të jashtme, por me mënyrën si poeti përthyen të zakonshmen, për ta shenjtëruar jetën njerëzore. Ajo nuk është thjesht një himn për qiellin, por një rikrijim poetik i Trinisë së Shenjtë, ku Ati, Biri dhe Shpirti nuk janë më figura të largëta biblike, por përmasa të qenies njerëzore që jeton, dashuron dhe përpiqet për dritë. Në këtë kuptim, “Qielli im” është një udhëtim drejt vetvetes, ku dashuria është frymë, dhe fryma është dritë.

1. Zhupa e ndërton poemën mbi tri shtylla – Atin, Birin dhe Shpirtin – që në doktrinën e krishterë përfaqësojnë Trininë e Shenjtë. Këtu ai krijon një risi teologjiko-poetike: Trinia nuk qëndron më në qiell, por zbret në tokë dhe merr trajta njerëzore.

 Në pjesën e parë, “Në emër të Atit”, poeti kërkon Atin që “e kërkoj dhe s’e shoh asgjëkund / po thonë se banon diku në qiejt e lartë, të pafund”. Ati, Strofa 1: Ky varg zbulon dyshimin modern të njeriut bashkëkohor, që kërkon Zotin jo në qiell, por në brendësinë e vet. Në poemë, Ati nuk është vetëm Hyu biblik, por edhe ati biologjik, kujtesa e brezit, rrënja njerëzore dhe pikërisht kjo është një risi në poetikën shqipe. Kjo është një risi në vetë mënyrën se si poezia shqipe e sheh aktin e krijimit: jo si një përshkrim të jashtëm, por si lindje të brendshme të fjalës. Drita bëhet fjala, dhe fjala bëhet jetë. Zhupa e përmbys konceptin e zakonshëm të krijimit biblik duke e sjellë Atin në brendësi të njeriut, jo në qiellin e paarritshëm.

Në pjesën e dytë, “Në emër të Birit”, poeti e sheh birin si “shëmbëllimi i përtejmë edhe i imi” Biri, Strofa 1 duke e shndruar Krishtin në simbol të vetvetes, të çdo njeriu që kryqëzohet në fat, në dhimbje e në dashuri. Në këtë varg, Zoti zbret në tokë përmes njeriut, një përmbysje e butë, por e thellë, në raportin midis tokësores dhe hyjnores. Këtu qëndron risia e madhe: Trinia e Shenjtë përthyhet në përmasë njerëzore,.

 Në pjesën e tretë, dashuria shfaqet si kulmi i gjithçkaje, si vetë fryma e shenjtë që lidh Atin me Birin, njeriun me hyjnoren. Në strofën e dytë, poeti shkruan:

Të gjitha kanë frymë dhe shpirt, janë bashkëudhëtaret e mia

Por unë kam një të fshehtë të magjishme që është dashuria” (“Shpirti”, strofa 9-10)

Ky varg është thelbi i gjithë poemës: dashuria nuk është ndjenjë, por substancë shpirtërore, dritë që i jep kuptim ekzistencës. Këtu poeti përmbys hierarkinë tradicionale të shenjtërisë: shpirti nuk zbret vetëm nga qielli, por rritet nga njeriu, nga dashuria, nga fryma, nga përvoja. Ndaj themi se kjo është poetika e shenjtërimit të përditshmërisë, një mënyrë për ta rikthyer hyjnoren në jetën njerëzore.

2. Kjo poezi bart një veçanti të ndjeshme, ndërsa flitet për Atin, Birin dhe Shpirtin në vargje përzien qiellorët më tokësorët. P.sh. në një kohë kur marrëdhëniet familjare moderne po ndahen nga modeli tradicional, Zhupa i rikthen ato në shenjtëri. Në vargjet:

“Në malet e Çorrajt kam fjetur në shtëpinë e atit të nënës dhe atit të atit,

Nën qiejt e hapur, në një shtrat të sajuar me trungje, fije sanë...” Ati, Strofa 9

poeti ngre një tempull kujtese për gjyshërit, për fëmijërinë, për lidhjen gjenealogjike, ku edhe mëkati i Jezu Krishtit merr trajta njerëzore:

“Por nuk e dinte se do të kryqëzohesha dhe unë dikur si Jezuja,

Në vise të tjera dhe nën një qiell tjetër.” Ati, Strofa 9

Në këtë mënyrë, kryqëzimi bëhet metaforë e trashëgimisë, një mënyrë për të treguar se çdo brez e përjeton sakrificën në mënyrën e vet. Këtu poeti shenjtëron marrëdhëniet njerëzore përmes gjuhës së fesë, duke përmbysur raportin mes hyjnores dhe tokësores, një kthesë poetike e rrallë në poezinë bashkëkohore.

 3. Zhupa krijon një kozmogoni poetike, ku qielli është “mitra e butë delikate / që i mban brenda të gjitha, të gjallë dhe të vdekur”Ati, Strofa 6, ku , poeti e sheh gjithësinë si një organizëm të gjallë, ku çdo element- toka, uji, ajri, drita- është pjesë e trupit të njeriut.

“Qielli që më gatuan mua, duke përzier pak ujë dhe baltë,

Dhe bën të mpiksem në trajtën që kam me errësirë dhe dritë...”Ati, strofa 10

Kjo ndërthurje mes trupit dhe kozmosit e afron Zhupën me poetikën simboliste dhe moderniste të frymës ekzistenciale, ku gjithësia nuk qëndron jashtë njeriut, por gjallon brenda tij. Në këtë kuptim, qielli nuk është më hapësira e Zotit, por pasqyra e shpirtit njerëzor.

4. Një tjetër veçanti qëndron në përdorimin modern të leksikut biblik. Zhupa nuk e trajton terminologjinë fetare si predikim, por si materie poetike, si substancë që merr frymë në varg.. Në vargje si:

“Në shtyllën e trupit tënd u kryqëzova unë,

Në shtyllën e trupit tim u kryqëzove ti...” Biri. Strofa 7

kryqëzimi nuk është akt ndëshkimi, por bashkim dashurie njerëzore, ndërlidhje e fatit dhe trupit. Në këtë mënyrë, poeti e trasformon fjalën e shenjtë në gjuhë dashurie, në një liturgji poetike që flet për njeriun bashkëkohor.

5. Fakti që poezia është shkruar ndër vite, nga prilli 1997 deri në gusht 2015, përbën vetvetiu një veçanti poetike. Kjo kohëzgjatje pasqyron rrugëtimin shpirtëror të poetit – nga kërkimi i Atit, te gjetja e Birit, e më në fund te qetësia e Shpirtit. Në thelb, “Qielli im” është rruga e shpirtrimit të poetit vetë. Çdo pjesë është një fazë e jetës, një stacion i brendshëm në udhëtimin e gjatë drejt kuptimit. ‘Qielli im’ i Ilirian Zhupës është një nga kulmet e poezisë shqipe bashkëkohore, sepse arrin të ndërthurë mitin biblik me përvojën njerëzore, të shenjtërojë marrëdhëniet familjare, të bashkojë tokën me qiellin, dhe të rikthejë poezinë në një akt meditimi shpirtëror. Në këtë poemë, njeriu bëhet qendër e gjithësisë, ndërsa qielli -dikur simbol i largët i Zotit shndrohet  në pasqyrë të shpirtit njerëzor, siç përmblidhet në vargjet e fundit:

“Shpirti im,

Që e ndiej po s’e shoh e s’e prek kurrsesi,

Fillim dhe fund e fillim përsëri.

Mosha jote... është dhe do të mbetet një moshë dashurie.” Shpirti .Strofa 33

Në këto vargje, poeti gjen qetësinë e shpirtrimit, por njëkohësisht lë të hapur një pyetje të madhe mbi kufirin mes hyjnores dhe njerëzores. Kjo pyetje është thelbi nga ku nis edhe udhëtimi i dytë i leximit të poemës; ai i domethënieve dhe risive të saj.

6. Poema ‘Qielli im’ ka 33 këngë, aq sa vite jetoi Krishti në tokë. Kjo nuk është rastësi, por një shenjtërim poetik i kohës njerëzore. Kjo është një nga risitë më të fshehta dhe më të bukura të poemës: jeta e Krishtit kthehet në një matës poetik të jetës njerëzore. Sigurisht që Zhupa, me këtë zgjedhje, nuk kërkon të ndërtojë një paralelizëm fetar, por një strukturë të sakrificës dhe ngjalljes, një udhëtim shpirtëror që njeriu ndjek përmes fjalës, ashtu si Krishti e ndjek përmes kryqit. Çdo këngë është një hap drejt dritës, ësshtë një vit shpirtëror që njeriu jeton për të gjetur kuptimin e vet.

a. Numri 33 e kthen kohën e zakonshme në kohë të shenjtë. Në vend që ta masë jetën me vite kalendarike, poeti e mat me këngë me frymëmarrje të shpirtit. Kështu, jeta e Krishtit, që në traditën fetare përfaqëson udhëtimin nga lindja në flijim e deri në ngjallje, bëhet model poetik i jetës njerëzore, ku çdo këngë është një përjetim, një ndalesë e brendshme. Në këtë kuptim, struktura e poemës është si një Ungjill poetik, jo për të predikuar fenë, por për ta bërë njeriun të ndiejë praninë e hyjnores në jetën e tij të përditshme.

b.Duke e ndërtuar veprën mbi numrin 33, Zhupa krijon figurën e Krishtit poetik: njeriut që lind përmes fjalës, vuan përmes fjalës dhe shpëton përmes dritës së saj. Jo më kot në pjesën “Biri”, në strofën e dytë, poeti shkruan: “Një jetë të tërë jam endur mes botës që u bë dhe u zhbë/I veshur me avujt e frymës tënde”. Ky varg bart në vetvete frymën e mishërimit, një metaforë e poetit që ndien peshën e jetës dhe kërkon shpengimin përmes krijimit, ashtu si Krishti përmes vuajtjes.

c. Së fundi numri 33 shndërrohet në një rrugëtim të plotësisë njerëzore, nga krijimi (Ati), te përjetimi (Biri), dhe deri te dritëzimi (Shpirti). Kur në strofën e katërt te “Shpirti” , poeti thotë:

“Në netët sterrë të zeza, u ënjta dhe u mpaka,

Fustanin tënd të zi e kishte veshur nata.

Në thellësi të syve, imazhi yt përbrenda,

Fytyrë prej parafine, në qiell shfaqet hëna.”

 vargu tregon shfaqjen e plotësisë së shpirtit, simbolikisht pas një rrugëtimi të gjatë dhe të thellë, dhe përputhet me temën e numrit 33 si metaforë e përjetimeve dhe ngjalljes së brendshme.

7.Një nga prurjet më të veçanta të poezisë moderne shqipe është pikërisht poema “Qielli im” e Zhupës, vepër që shtrihet në kufijtë e ekspresionizmit, ekzistencializmit poetik, simbolizmit dhe spiritualizmit modernist, mbart një veçanti të rrallë: ajo ndërtohet mbi thjeshtësinë. Në një kohë kur shumë poetë të rinj kërkojnë modernitetin përmes fjalorit hermetik e figurave të ndërlikuara, Zhupa ndjek një rrugë tjetër, ai e arrin modernitetin përmes kthjelltësisë. Thjeshtësia e tij nuk është varfëri gjuhësore, por thellësi e ndjeshme dhe përvojë shpirtërore. Kjo përbën një risi estetike e filozofike në poezinë tonë bashkëkohore.

a.Në “Qielli im”, Ilirian Zhupa zgjedh një gjuhë të përditshme, që flet si njeriu kur përpiqet të kuptojë veten dhe botën. Nuk ka zbukurime të tepërta, as figura të lodhura nga retorika; çdo fjalë është e ndriçuar nga brendia. Në pjesën “Ati”, strofa e katërt, poeti thotë:“Bëhu tejqyrë të shoh larg dhe jashtë / Mos më verbo me dritën tënde...” Në këto dy vargje të thjeshta, ai përmbledh fillimin e gjithësisë, lindjen e fjalës dhe të vetë vetëdijes njerëzore. Thjeshtësia këtu bëhet mënyrë për të hyrë në thellësi: aty ku mungesa e emrit dhe prania e dritës mbajnë të gjallë misterin e ekzistencës. Kështu, poeti e gjen modernitetin jo në errësirën e kuptimeve, por në kthjelltësinë e dritës.

b.Moderniteti i Zhupës nuk qëndron vetëm në gjuhë; ai qëndron në mënyrën se si poeti rikthen të shenjtën te njeriu. Në pjesën “Biri”, strofa e pestë, ai shkruan: “Unë jam një skulpturë me ajër, ujë dhe baltë...” Në këtë varg të qetë dhe të përkorë, fshihet një ide e madhe: bashkimi i materies dhe shpirtit, i tokës dhe dritës, i njeriut dhe hyjnores. Zhupa nuk përdor retorikë as dogmë; fjala e tij rrjedh si fryma e jetës, me thjeshtësi që ngroh dhe me qetësi që ndriçon. Kështu, poeti e sheh njeriun si qenie që mishëron dritën, që e mbart shenjtërinë në përditshmëri — një modernitet që lind nga natyrshmëria.

c.Në pjesën e fundit, “Shpirti”, poeti mbërrin në qetësinë e dritës së brendshme. Ai nuk përpiqet më ta përkufizojë dashurinë, por e jeton atë si frymë, si ndriçim që vjen nga vetë njeriu: “Dashuria ime / Që vishet e mbulohet përditë / Për të mu shfaqur veç natën e lakuriqtë...” (Shpirti, kënga 10)Këtu, dashuria shfaqet si substanca e shpirtit, si dritë që ringjallet në errësirën njerëzore. Fjala është pastruar nga çdo peshë, mbetur e kthjellët si ajri, si vetë fryma. Kështu, Zhupa e mbyll poemën në një hapësirë të qetë dhe të ndritur, ku fjala e pastër bëhet shenjë e pjekurisë së shpirtit, një minimalizëm shpirtëror që e ngre përditshmërinë në shkallën e shenjtërisë.

II- Në këtë hapësirë poetike, qielli nuk është më vend i perëndive, por i shpirtit njerëzor që kërkon dritë. Zhupa e përfytyron njeriun si një qiell që përfshin gjithçka – dhimbjen, dashurinë, vetminë, dritën. Kështu, poeti i afrohet filozofisë së një panteizmi poetik, ku hyjnorja dhe njerëzorja shkrijnë kufijtë.Ai e sheh Zotin jo si prani të lartë, por si frymë të brendshme që ngjizet në vetëdijen njerëzore. Qielli është “unë”, “ti”, “ne”, është përbashkësia që lind nga vetmia. Poema kështu merr një ton meditiv dhe introspektiv, ku çdo varg është një hap më pranë njohjes së vetvetes. Risitë e Zhupës te kjo poemë qëndrojnë në humanizimin e hyjnorës, ndërthurjen e gjendjes shpirtërore të njeriut me konceptet fetare, dhe përcjelljen e filozofisë së ekzistencës në trajta të prekshme dhe të ndieshme.

1. Në pjesën “Ati”, Zhupa e ngre pyetjen e përjetshme të njeriut ndaj Krijuesit, por e vesh me ndjenjën njerëzore të kërkimit, mungesës dhe dyshimit. Poeti e nis me një formulë të shenjtë “Në emër të Atit” por menjëherë pas saj e shpërbën me një ton që vjen nga përvoja e njeriut:“Që e kërkoj dhe s’e shoh asgjëkund,/Po thonë se banon diku në qiejt e lartë...” (Ati. Strofa 1)Ati qiellor shfaqet si prania që mungon, një dritë që “shfaqet një çast e prapë fshihet”. Zhupa nuk e mohon Zotin, por e ndien si energji shpirtërore që përzihet me jetën  sipër nesh, brenda nesh, përbrenda” (Ati. Strofa 1).Ky “At” nuk është Zot dogmatik, por forca krijuese që përzien dritë, terr, dashuri dhe urrejtje. Ai është i njëjtë me natyrën, me ankthin, me frymën njerëzore që kërkon kuptim.

Në anën tjetër, ati tokësor shfaqet si kujtim, si rrënjë e brendshme, si qenie e dashur që ndien dhe lutet. Te strofa 9, poeti rikthehet në fëmijëri, në malet e Çorrajt, te “shtëpia e atit të nënës dhe atit të atit”, ku shfaqet figura e gjyshes që lutet për të:

“Nëna e atit, Maria, i lutej Zotit çdo mbrëmje për mua,

birin e birit të saj të vetëm.” (Ati. Strofa 9)

Këtu ndodh bashkimi poetik i dy Etërve: “Ati” qiellor që ruan njeriun “në enën e qiellit të qelqtë” dhe ati tokësor që përmes dashurisë e mbron e e mëson jetën. Në këtë mënyrë Zhupa e shndërron konceptin teologjik të Atit në një sintezë ekzistenciale, ku Zoti dhe njeriu janë dy anë të së njëjtës dritë që e përshkon universin. Ai e sheh Atin jo në qiellin e largët, por në çdo gjurmë jete, në tokë, në dashuri, në krijim.

2. Në pjesën “Biri”, poeti e vazhdon udhëtimin nga qielli në tokë, nga drita në baltë dhe na shfaq “Biri”-n e “Ati”-t qiellor dhe biri i atit tokësor.

“Në emër të Birit,

Që thonë se është shëmbëllimi i përtejmë

Edhe i imi.”   (Biri. Strofa 1)

Këtu është bashkimi i hyjnores me njerëzoren. Biri biblik, Jezusi, zbret “në tokë fshehtas”, por Zhupa e risjell këtë zbritje në mënyrë njerëzore, si lindje, si dashuri, si pasion dhe si kryqëzim jetësor.

Në vargjet: “Kryqëzuar siç kryqëzohemi të gjithë

                        Me gozhdët e ndryshkura të fatit”, (Biri. Strofa 1)

ai e zhvesh figurën e Krishtit nga mitologjia fetare dhe e vesh me tragjedinë e përditshme të njeriut që kryqëzohet nga vetë jeta, nga koha, nga fati. Ndërsa biri i atit tokësor është njeriu që kërkon qiellin, që e do, por s’mundet ta arrijë plotësisht. Ai i drejtohet qiellit si një dashurie të paarritshme:

“Një jetë të tërë më ke tërhequr lart...

Po asnjëherë s’më dhe krahë dhe pendë.” (Biri.Strofa 5)

Ky është biri njerëzor, që nuk fluturon si engjëjt, por ëndërron fluturimin, që ngrihet “majë gishtave drejt kupolës blu” (Biri.Strofa 5), duke jetuar mes dritës dhe errësirës. Në këtë kontrast midis birit qiellor që ngjallet dhe birit tokësor që mbetet i gozhduar, Zhupa shpall barazi-në e vuajtjes si formë shpëtimi. Të dy janë kryqëzuar, por në mënyra të ndryshme: njëri për njerëzimin, tjetri në vetvete, nga vetë jeta. Kështu, ai krijon një mit të ri poetik ku hyjnorja dhe njerëzorja nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por ndërthuren si dritë dhe baltë.

3. Në pjesën e tretë  “Shpirti”, Zhupa e sjell misterin e frymës që bashkon të dy botët.

“Në emër të Shpirtit,

Që është ajër i lehtë, dritë dhe frymë,

I zbritur në mënyrë të mistertë

Te trupi dhe gjaku ynë.” (Shpirti. Strofa 1)

Këtu shpirti hyjnor nuk qëndron lart në qiell, por zbret brenda njeriut, në frymën dhe në pasionet e tij. Ai bëhet “fëshfërimë gjethi”, “mërmërimë që s’bëhet dot fjalë”, “dashuri dhe passion I njomë” (Shpirti. Strofa 1). Pra, shpirti hyjnor është një frymëmarrje e heshtur që rron në çdo njeri, që e shtyn drejt së bukurës, por edhe drejt gabimit. Ndërsa shpirti njerëzor, në trajtën e shpendit, vuan, lodhet dhe digjet:

“Shpesh më të mpakur se një shami e nderë,

Nga pesha e qiejve që mbajnë sipër tyre.” (Shpirti. Strofa 2)

Këtu poeti prek një dhimbje bashkëkohore: zhurmën e qytetërimit që ka trembur shpirtrat. Ai pyet me ankth:

“Mos vallë shpirti struket poshtë guvave e honeve

I trembur nga zhurma e avionëve?”(Shpirti. Strofa 2)

Në këtë përballje mes frymës së dritës dhe shpirtit të turbulluar nga koha moderne, Zhupa vendos një vijë të hollë ndarëse, dashurinë: “Po unë kam një të fshehtë të magjishme që është dashuria.”(Shpirti. Strofa 9) Dashuria, për poetin, është forma më e pastër e shenjtërisë, ku shpirti njerëzor përqafon hyjnoren. Ajo është ura që lidh krijesën me Krijuesin, frymën me materien, tokën me qiellin.

4. Ilirian Zhupa, me poemën “Qielli im”, sjell një ritual poetik të ri, një liturgji moderne ku përfundojnë bashkë: poezia, filozofia dhe përsiatja shpirtërore. Risia e tij qëndron në:

a.Demokratizimin e së shenjtës: Zoti, Biri dhe Shpirti nuk janë figura të largëta, por forca që jetojnë brenda njeriut, në çdo gjest dashurie, në çdo ankth, në çdo varg.

b.Thjeshtëzimi njerëzor i mitit biblik; Zhupa e kthen kryqëzimin, lindjen dhe ngjalljen në metafora të përditshme të jetës njerëzore.

c.Lirizmin filozofik, çdo varg është një pyetje për ekzistencën, por e shprehur me gjuhën e ndjenjës dhe imazhit.

ç.Rrënjët shqiptare të shpirtërores, në vargje si ato për malet e Çorrajt, për gjyshen që lutet, për “shtëpinë e atit të nënës”, poeti i lidh qiellin me truallin shqiptar, duke krijuar një mit poetik kombëtar brenda një vizioni universal.

Zhupa nuk shkruan për Zotin që sundon nga lart, por për Zotin që “gatuan në magjen e rrallë dritë, terr e rrufe”; jo për birin që shpëton, por për birin që vuan; jo për shpirtin që ikën, por për shpirtin që digjet në dashuri. Në këtë mënyrë, poezia e tij kthehet në një ungjill poetik të njerëzimit, ku qielli nuk është më i paarritshëm , është “rroba e vjetër” që s’mund ta heqim dot.

Në fund, Zhupa e mbyll me një dritë të butë, pothuaj të përjetshme:

“Shpirti im,

Që e ndiej po s’e shoh e s’e prek kurrsesi,

Fillim dhe fund e fillim përsëri...

Mosha jote... është dhe do të mbetet një moshë dashurie.” (Shpirti.Strofa 11)

Kështu përfundon ky triptik poetik; Ati, Biri dhe Shpirti, jo me terma fetare, por me dashurinë si kuptim i fundit i jetës. Në këtë qëndron e veçanta më e madhe  e Zhupës në poetikën shqipe: ai e ringjall hyjnoren përmes njerëzores, dhe njerëzoren përmes dashurisë.

III- Lexim estetik e filozofik i pjesës “Ati” në poemën “Qielli im”

Në hyrje të poemës “Qielli im”, pjesa “Ati” vjen si një fillim i ri i krijimit, si një zë që ngrihet nga heshtja për të pyetur dhe për t’u përulur njëkohësisht. Poeti e nis udhëtimin e tij me një formulë liturgjike, të njohur për çdo shpirt që ka kërkuar dritën: “Në emër të Atit.” Por te Zhupa kjo nuk është thirrje fetare, ajo është një përsiatje njerëzore, një kërkim i ndjeshëm për ekzistencën e forcës së padukshme që mban gjithçka gjallë. “Ati” nuk është më Zoti i doktrinës, por një prani që kërkohet përmes ndjenjës, dyshimit, përmes frymës që endet mes njeriut dhe universit.

1.Qysh në strofat e para, Ati shfaqet si një enigmë e ndritshme, që poeti e kërkon e nuk e gjen:

“Që e kërkoj dhe s’e shoh asgjëkund,

Po thonë se banon diku në qiejt e lartë.” (Ati. strofa 1)

Ky është Zoti i kërkimit, jo i shpalljes. Drita e Tij shfaqet e fshihet, ashtu si kuptimi i vetë ekzistencës. Në këtë lëvizje të përhershme mes pranisë dhe mungesës, mes shfaqjes dhe zhdukjes, qëndron thelbi filozofik i poezisë: Zoti nuk është për t’u parë, por për t’u ndjerë. Kështu, udhëtimi poetik bëhet një metaforë e përhershme e kërkimit të njeriut për kuptim, për dritë, për prekje shpirtërore. Në plan estetik, kjo krijon një poezi të dritës dhe të errësirës, ku metaforat ndizen e shuhen dhe përvoja mistike shndërrohet në përvojë estetike, Ati ndjehet më shumë sesa kuptohet.

2.Në vargjet: “…gatuan në magjen e rrallë/Dritë, terr e rrufe.” (Ati. Strofa 1) Zhupa sjell një risi të dukshme në poezinë shqipe: Zoti si krijues i përzierjeve, jo vetëm i dritës, por edhe i errësirës. Folja “gatuan” e zbret hyjnoren në gjuhën e jetës së përditshme, në magjen e bukës. Kështu, hyjnia nuk qëndron më në fronin e qiellit, por në shtëpinë e thjeshtë. Zhupa e zhvendos Atin nga tempulli në kuzhinë, nga lartësia në intimitetin e krijesës. Kjo metaforë tokësore e bën krijimin një proces njerëzor, një akt dashurie, një përzierje dritë-terri, ku hyjnia dhe njeriu ndajnë të njëjtin frymëmarrje.

Zhupa e jep përkufizimin më të bukur e më filozofik të Atit: është “sipër nesh, brenda nesh, përbrenda.”(Ati.Strofa 1)  Ky varg është thelbi i një vizioni panteist dhe modern: Ati nuk është jashtë njeriut, por i shkrirë me qenien. Poeti nuk e pranon ndarjen mes qiellit dhe trupit, mes shpirtit dhe materies; përkundrazi, i sheh si dy anë të së njëjtës ekzistencë. Në këtë mënyrë, poezia fiton një dimension filozofik të qartë: Ati është vetë energjia e jetës, prania e dritës në çdo frymë, në çdo qelizë, në çdo dashuri. Ky përfytyrim nuk është i zakonshëm në poezinë shqiptare, ku Zoti shpesh është i lartë, ndëshkues apo i paarritshëm. Zhupa, përkundrazi, e bën Atin shpirt të përbashkët, dhe ky është një nga risitë më të bukura që sjell në poetikën tonë bashko-hore.

3.Në vargjet që pasojnë, poeti e prek Atin përmes kujtesës dhe përmes dashurisë së nënës:

“Nëna e atit, Maria, i lutej Zotit çdo mbrëmje për mua,

birin e birit të saj të vetëm.

Por nuk e dinte se do të kryqëzohesha dhe unë dikur si jezuja,

në vise të tjera dhe nën një qiell tjetër.” (Strofa 9)

Këtu poezia merr frymë njerëzore, bëhet lutje dhe vaj njëkohësisht. Maria, figura e mëmës së shenjtë shndrohet në çdo nënë që lutet në heshtje për djalin e saj. Ajo është simbol i dashurisë që nuk kërkon shpjegim, i besimit që lind nga frika dhe dhimbja. Lutja e saj është dritë që ngrihet në qiell, por edhe heshtje që mbetet në prag. Në atë dritë të qetë mbrëmjeje, Maria nuk e di se për çfarë lutet vërtet: ajo kërkon mbrojtje për të birin , por fjala e saj përhapet si një parandjenjë e kryqëzimit të ardhshëm.

Në këtë ndërthurje të dy pamjeve; lutjes dhe kryqëzimit Zhupa krijon një tension të thellë poetik: përmes dashurisë që bekon, fshihet dhimbja që pret. Nëna lutet për shpëtimin, por poeti e di se fjala e saj nuk ndalon fatin. Kështu, poezia bëhet një dialog mes nënës që beson dhe birit që e di se duhet të vuajë. Dhe ky bir nuk është më vetëm Jezu Krishti, por çdo njeri që bart mbi supe peshën e vet të kryqëzimit, peshën e jetës, të dhimbjes, të përpjekjes për të mbetur njeri në një botë që shpesh e gozhdon dashurinë në kryq. “Viset e tjera” dhe “qielli tjetër” ku do të kryqëzohet poeti nuk janë vetëm vende gjeografike; ato janë metafora të kohëve moderne, të botës ku sakrificat ndodhin në heshtje, pa dëshmi, pa shenjë të shenjtë. Zhupa e risjell kryqëzimin në përditshmëri, e zhvesh nga aureola biblike dhe e vesh me veshjen e njeriut të zakonshëm. Në çdo bir që vuan padrejtësinë, në çdo njeri që përballet me heshtjen e Zotit, ai sheh pasqyrimin e Krishtit dhe ndoshta të vetvetes.

E parë në këtë mënyrë  vargjet e lutjes së Marisë dhe të kryqëzimit krijojnë një nyje shpirtërore në poemë: dashuria që lutet dhe dhimbja që s’parandalohet. Ato përbëjnë thelbin e marrëdhënies mes hyjnores dhe njerëzores, një dashuri që nuk shpëton nga dhimbja, por e ngre atë në dritë. Në këtë përthyerje, poeti gjen përmasën më të vërtetë të Atit: jo Zotin që shpëton, por Aotin që rri pranë, që ndan lotin me njeriun.

4. Poeti ecën përtej kufijve të besimit tradicional. Ai e sheh njeriun si pikën e takimit mes dritës dhe baltës, mes frymës hyjnore dhe lëndës së tokës:

“Qielli që më gatuan mua, duke përzier pak ujë dhe baltë,

Dhe bën të mpiksem në trajtën që kam me errësirë dhe dritë.” (strofa 10, Ati)

Ky varg është një figurë madhështore poetike: krijimi i njeriut përfytyrohet si një gatim i butë, ku Zoti përzien baltën me ujin, dritën me hijen, për të bërë një qenie që është njëkohësisht trup dhe frymë, terr dhe ndriçim. Në këtë mënyrë, Zhupa e zhduk ndarjen mes shpirtërores dhe materiales, duke e parë njeriun si mishërim të përjetësisë në kohë. Në këtë akt krijimi, poeti dhe Zoti janë bashkëpunëtorë të heshtur në artin e qenies, një poezi që gatuan dritën në baltë.

5. Në disa vargje, poeti nënvizon se rruga drejt dritës kalon nën dhe, përmes vdekjes, mungesës, përuljes:

“Qielli që më thotë se rruga për tek ai kalon përherë nën dhé,

Me një varkëz sa trupi, ndërtuar nga drurët e pyllit.” (strofa 10, Ati)

Këtu filozofia poetike e Zhupës merr trajtë ekzistenciale: jeta nuk është ndarje nga vdekja, por udhëtim përmes saj; qielli nuk arrihet duke u ngritur, por duke u përulur. Thelbi i poetikës së tij qëndron në këtë përmbysje: drita fitohet përmes errësirës. Hyjnia, përmes përulësisë, vjen në ne. Kështu, qielli nuk është lartësi, por thellësi; është vendi ku shpirti përkulet për të parë veten në pasqyrën e baltës Poezia kthehet kështu në një udhëtim brenda qenies njerëzore, ku çdo dhimbje është një përpjekje për të njohur vetveten.

6. Në strofat e fundit të pjesës “Ati”, poeti kthehet sërish te ideja e pasqyrimit:

“Gjithë jetën,

Si një barrë të rëndë,

Qiellin e mbajmë mbi shpinë,

Po nuk e dimë.” (strofa 10, Ati)

Kjo është një nga figurat më njerëzore dhe më të përjetshme të poemës., pse Zhupa e sheh njeriun si Atlasin mitik, që mban mbi supe qiellin, por pa vetëdije.Në plan filozofik, kjo është metafora e përgjegjësisë njerëzore për ekzistencën: secili nga ne mban pjesën e tij të qiellit, domethënë të shpirtit, të dashurisë, të kujtesës. Në këtë figurë, qielli dhe njeriu bëhen një trup i vetëm: pesha e përjetësisë qëndron mbi supe njerëzore.

Në fund, njeriu, Biri, është vetë qielli që ecën mbi tokë: “Natën të shoh, ditën s’të njoh.” (strofa 11, Ati) një varg që ngërthen tërë filozofinë e jetës njerëzore, kërkimi i dritës në errësirë, përpjekja për ta njohur Zotin në fytyrën e vetvetes. Dhe ndoshta ky është sekreti i dritës: ajo nuk zbret nga lart, por lind nga brenda njeriut që e kërkon Atin në vetvete.

Në këtë mënyrë, pjesa “Ati” bëhet jo vetëm një poezi mbi Zotin, por një meditim mbi qenien, mbi marrëdhënien e njeriut me përjetësinë, mbi dashurinë që lidh tokën me qiellin. Zhupa e shndërron fjalën biblike në imazh njerëzor, hyjnoren në ndjenjë, dhe lutjen në dialog. Ai nuk kërkon shpëtim, por kuptim; dhe ky është thelbi i poetikës së tij , një poezi e ndjesës dhe ndërgjegjes, ku drita dhe terri, qielli dhe balta, janë një trup i vetëm: vetë njeriu.

Në fund, duket se poeti e barazon Atin qiellor me atin njerëzor: të dy janë burim drite dhe dhembjeje, të dy janë prani që ndan dashurinë, por edhe heshtjen. Në këtë bashkim, Zhupa e shndërron Zotin në një pasqyrë të njeriut dhe njeriun në frymë të Zotit, një akt i rrallë poetik, ku qielli zbret në zemrën e baltës.

IV- Lexim poetik i pjesës “Biri” nga poema “Qielli im” e Ilirian Zhupës

Në pjesën “Biri” Zhupa ngre një urë të fortë midis njeriut dhe kozmosit. Në këtë poezi, Zoti nuk qëndron lart, por është i përfshirë në jetën tokësore, në mishin dhe frymën e njeriut. Kjo pjesë është meditim poetik për origjinën, për bashkimin e hyjnores me njerëzoren dhe për fatin e shpirtit. Në këtë kuptim  Zhupa sjell këtu një risí të thellë në poezinë bashkëkohore shqipe: një metafizikë poetike të trupëzuar, ku qiellori e tokësori janë një trup i vetëm.

1. Zhupa e nis këtë pjesë pikërisht me zbritja e së shenjtës në tokë nëpërmjet vargjeve:

Në emër të Birit,

 që thonë se është shëmbëllimi i përtejmë

 edhe i imi,

 dhe i Atit që ndiejmë.” (strofa 1)

Në këtë hapje,  që i qaset formulës kishtare Biri nuk është thjesht figura e Krishtit, por njeriu vetë si shëmbëllim i hyjnores. Poeti e sheh zbritjen e Birit si një akt të fshehtë, “andej nga zbresin dita dhe nata”, pra, në vendin ku takohen ndriçimi dhe terri, jeta dhe vdekja. Këtu qëndron një nga risitë e para të poezisë: shenjtëria nuk ngjitet, por zbret. Hyjnorja nuk qëndron më përtej botës, por hyn në të përmes trupit dhe frymës.

Te vargjet:  “Gatuar me mish e me gjak

                       e mbarsur, e mpiksur me frymë.” (Strofa 1)

Zhupa vendos themelin e poetikës së vet: unitetin e materies dhe shpirtit, një qasje që e dallon nga çdo trajtim tradicional fetar.

2. Qielli te Zhupa shfaqet si pasqyrë e kujtesës dhe ëndrrës  e shprehur kjo te vargjet:

“Pasqyrë ku shikohen të gjitha dhe s’mbetet asgjë,

 Qielli im, fanepsje kujtese dhe ëndrre.” (strofa 2)

Këtu qielli nuk shfaqet si një hapësirë e largët hyjnore, por një pasqyrë që ruan kujtesën njerëzore. Në të “përkunden” të gjallët dhe të vdekurit, deti, shpendët e bari, pra të gjitha pjesët e botës që qarkullojnë në një ambient të përbashkët. E veçanta e Zhupës këtu është panteizmi poetik, një përqafim i gjithësisë si trup i njëjtë, ku njeriu është vetëm një valë brenda oqeanit të jetës.

3. Te vargjet:  “Qysh kur linda kam dashur të të shoh, të të prek,

                          të të mbart mbi shpinë si udhëtari bohçen e vet.” (strofa 3)

 duke shfaqur te njeriu formën e një dashurie mistike ndaj qiellit, kultivuar qysh në

fëmini . Ai ëndërron të vishet “me retë, me borën e shiun”, të bëhet pjesë e vetë

krijimit, por ndërkohë kërkon edhe çlirimin nga morali njerëzor:

“Të më veshësh siç di ti, jo si morali dhe nëna,

 të lakuriqtë nga jashtë,

 të mbrojtur nga brenda.”(Strofa 3.)

Ky është një varg që të shkakton një buzëqeshje të pafajshme, por ndërkohë ai mbart një peshë risie për poezinë shqipe, një kërkesë për të qenë të zhveshur nga hipokrizia morale, por të mbrojtur me dritën e brendshme. Interesant se Zhupa e vendos moralin dhe shenjtërinë në anë të kundërta të të njëjtit dimension njerëzor.

4. Cikli i ringjalljes  është aspect kozmik I jetëss dhe Zhupa e shpreh bukur te vargjet:

Çdo pranverë pemët lidhin fruta,

çdo natë qielli lidh yje.” (strofa 4)

duke shfaqur një harmoni të plotë mes qiellit dhe tokës. Nëpërmjet këtij paralelizmi, poeti fshin kufirin midis biologjisë dhe kozmosit.Risia që sjell Zhupa është interesantë pasi është ndjesia se Zoti është ritmi i jetës vetë, jo një figurë jashtë saj. Kështu që, në çdo frut që piqet dhe çdo yll që lind, ringjallet përjetësia.

5. Njeriu rezulton në poezi si krijesë e mungesës së diçkaje që ti mundësonte ngjitjen në qiell, ose mos rrëzimin, duke u shfaqur si fatkeq :

“Po asnjëherë s’më dhe krahë dhe pendë, që të nis fluturimet... /

S’më dhe as rrënjë që të mbahem diku.

Më le një përzierje midis prushit që digjet dhe bimëve, që

mund të të prekë vetëm me tymrat e mi të mendimeve.” (strofa 5)

Sipas poezisë së Zhupës njëriu është “skulpturë me ajër, ujë dhe baltë”, pra një krijesë e brishtë, që digjet për dritën dhe jeton me mendimin.Kjo ndjesi midis prushit dhe bimësisë është metafora e ekzistencës moderne, një gjendje që nuk gjen më as tokën, as qiellin si strehë. E veçanta që sjell Zhupa këtu qëndron në përshkrimin e njeriut si qenie e ndërmjetm, digjet dhe ndriçon njëkohësisht, një figurë moderne që pasuron poezinë tonë me përmasë ekzistenciale.

6. Një përmbysje e konceptit të dritës  vjen me vargjet:

“Në errësirë m’i tregon të gjitha të fshehtat me dritë, /

 si puthja e etshme kur mbyllim sytë.” (strofa 6)

Realisht këtu Zhupa përmbys nocionin klasik të dritës, sepse sipas tij: nuk është drita që zbulon, por errësira që ndriçon. Në fakt kjo është një risi estetike që e afron poetin me mistikët europianë: njohja e së shenjtës vjen përmes mbylljes së syve, përmes ndjenjës, jo shikimit, pse drita konsiderohet e brendshme, jo qiellore.

7. Është interesant koncepti i Kryqëzimit si bashkim dhe përqafim  shprehur te vargjet:

“Në shtyllën e trupit tënd u kryqëzova unë,

në shtyllën e trupit tim u kryqëzove ti.” (strofa 7)

Në këtë varg, poeti përmbys traditën biblike të kryqëzimit, pasi te Zhupa Kryqëzimi nuk është më akt i dhimbjes, por akt i bashkimit, i njeriut me njeriun, i krijesës me krijuesin.

“U bëmë Ati dhe Nëna... dhe Ponc Pilati.”(strofa 7)

Kjo përfshirje e shumë roleve në një vetmi njerëzore është një risi e jashtëzakonshme poetike: Zhupa shpall se brenda çdo njeriu jeton Zoti dhe tradhtari edhe gjykatësi. Në këtë mënyrë poezia shndërrohet në një drame shpirtërore universale.

8. Është një prurje e re dhe e veçantë iluzioni i ngjitjes dhe humbja e rrënjës që shfaqet te vargjet:

I kemi çuar të gjitha në qiell për mos i humbur në tokë?

 Pasi ndihemi kalimtarë në këto dhera dhe ujëra.” (strofa 8)

Poeti na tregon një ndjenjë të thellë njerëzore: gjërat që duam i çojmë në qiell jo për t’i shpëtuar fizikisht, por për t’i ruajtur përjetësisht, si kujtim dhe shenjë dashurie. Ai ndjen përkohshmërinë tonë në tokë, ndërsa qielli bëhet çerdhe e gjërave të shtrenjta, vend ku ato jetojnë më gjatë se ne vetë. Kjo është një nga risitë e poemës: për herë të parë qielli shihet si arkiv i humbjeve njerëzore, jo si shpëtim.

9. Edhe Krishti shihet si udhëtar midis botëve  te kjo poezi, pasi te vargjet thuhet:

“I pari vizitor që u nis nga toka për të arritur në qiell,

            thonë ishte jezuja.

Që shkon dhe kthen si korrier midis nesh dhe Atit të madh,

me shumë plagë në trup...” (strofa 9)

Figura e Krishtit këtu është simbol i ndërlidhjes së pafund midis qiellit dhe tokës, midis dhimbjes dhe dritës. Poeti nuk e sheh si shpëtimtar që ngjitet, por si udhëtar që kthehet për të na mësuar se plagët janë ura drejt përjetësisë. Ndërsa vargu“Qysh kur kuptuam këtë braktisje të shenjtë, deshëm të shkojmë dhe ne.” është një nga kulmet e reflektimit njerëzor: malli për përtejmen lind nga vetmia e njeriut.

10. Fryma  është udhëtimi i fundit i njeriut, varg që ka qasje me shprehjet tradicionale mortore shprehur si thënie:

Atje ku s’shkon syri, shkon mendja,

 atje ku s’shkon mendja, shkon fryma.” (strofa 11)

dhe poeti arrin në përfundimin se fryma është udhëtimi i fundit i njeriut. Pra,nëse qielli

është kufiri i syrit, dhe mendja kufiri i njohjes, fryma është përtej të dyjave. Kjo vjen si risi e tonit të poezisë së Zhupës, një kthim në spiritualitet pa dogmë, ku hyjnorja jeton brenda njeriut, jo përmbi të.

Ndaj themi se në pjesën “Biri” të poemës “Qielli im”, Zhupa ndërton një poezi thellësisht njerëzore, ku qielli është pasqyrë e shpirtit dhe drita lind nga errësira. Poeti nuk kërkon Zotin në lartësi, por në “gozhdët e ndryshkura të fatit”, në çdo plagë dhe në çdo dashuri që ringjall jetën. Në këtë kuptim, Zhupa është poet i bashkimit, i tokësores me kozmosin, i trupit me frymën, i dhimbjes me dritën. E parë në tërësi pjesa “Biri” e kësaj poeme mbetet një nga faqet më të thella të poetikës moderne shqipe, një poezi ku njeriu e qielli janë një frymëmarrje e vetme.

V- SHPIRTI

(Lexim estetik dhe filozofik)

Në pjesën e tretë të poemës “Qielli im”, Ilirian Zhupa arrin kulmin e triptikut poetik. Pas dialogut me Atin dhe Birin, ai shkon drejt një qendre më të thellë; Shpirtit, si frymë që lidh qiellin me njeriun, përjetësinë me të përkohshmen. Kjo pjesë është më intime, më përflakur dhe më përshpirtshme, sepse këtu poeti nuk i flet më Zotit nga jashtë, por bashkëjeton me frymën hyjnore brenda vetes. Ai e ndien thelbin e ekzistencës si frymë që kalon përmes dashurisë. Në këtë pjesë, Zhupa sjell një risi të fuqishme në poetikën shqipe: ai nuk flet për shpirtin si nocion fetar apo abstrakt, por si një energji krijuese, njerëzore e universale, që ndien, dashuron, përvëlohet e ringjallet. Kështu, fryma hyjnore zbret në trupin e njeriut, dhe njeriu ngrihet në shenjtëri ,  jo përmes dogmës, por përmes dashurisë që është vetë frymë.

1. Në strofën e parë, poeti hap një dritare për të parën herë drejt frymës:

“Në emër të Shpirtit,

Që është ajër i lehtë, dritë dhe frymë,

I zbritur në mënyrë të mistertë

Te trupi dhe gjaku ynë.” (strofa 1)

Këtu kemi një bashkim mistik të dritës me trupin. Shpirti nuk qëndron më lart, si diçka e paarritshme, por ka zbritur në gjak, në frymëmarrje. Poeti e sheh si një “shpend”  që rri pezull mes tokës e qiellit, që ushqehet “nga buka dhe ëndrra”, pra nga materia dhe nga ideali. Këtu, shpirti shfaqet si një qenie e dridhshme, një fëshfërimë që i përket njëkohësisht tokës dhe dritës.Kështu, fryma bëhet urë e padukshme mes qiellit dhe mishit, një kujtim dritash që endet nëpër trup si këngë e harruar e amshimit.

2.Në strofat 2–3, poeti i sheh shpirtrat si “shpendë të vegjël që fluturojnë nëpër erë”, shpesh “më të mpakur se një shami e nderë”.

“Mos vallë shpirti struket poshtë guvave e honeve

I trembur nga zhurma e avionëve?” (strofa 2)

Kjo pyetje nuk është vetëm ankth modern, por thirrje për kthim te vetvetja, një kujtesë se shpirti nuk humbet, vetëm hesht në stuhitë e kohës. Ky është një nga momentet më të fuqishme filozofike të pjesës: poeti pyet me ankth nëse njeriu modern e ka humbur kontaktin me shpirtin, nëse ai ende ekziston mes teknologjisë, zhurmave dhe mekanizmit të kohës. Zhupa këtu prek dramën e njeriut bashkëkohor , shpirtin e humbur mes civilizimit. Në këtë pyetje poetike fshihet një filozofi ekzistenciale: njeriu i sotëm, në përpjekje për të zotëruar botën, ka humbur veten, frymën që e lidhte me përjetësinë. Kështu, poeti e fut shpirtin në udhën e ankthit modern — mes zhurmës së qyteteve dhe heshtjes së vetmisë.

 3. Në strofat 3, 4 dhe 9, dashuria shfaqet si energji që mban shpirtin gjallë, si frymë e shenjtë dhe si urë mes botëve. Ajo nuk është ndjesi sentimentale, por thelb i ekziste-ncës:

“Dashuria,

Kurdiset përditë nga pak,

Si ora.

Dhe shpirti.” (strofa 3)

Këtu dashuria bëhet akt krijues, forca që e rrotullon universin dhe e bën çdo frymë një rit të shenjtë të përjetësisë. Kjo është një nga figurat më origjinale të poezisë: dashuria është kohëmatëse e shpirtit, ritëm që e bën atë të rrahë, të frymojë. Në vargjet e mëvonshme dashuria merr trajta konkrete, njerëzore, me “fustanin e zi të natës”, me “sy që presin”, me “trup të gdhe-ndur si brilant magjish” (strofa 4).Kështu, dashuria shndërrohet në manifestim të frymës hyjnore në trupin e njeriut. Përmes saj, poeti arrin të ndërthurë lëndën dhe dritën, mishin dhe shpirtin, duke e bërë ndjesinë një formë të shenjtërisë. Madje në strofën 9, ai e pohon këtë në mënyrë të qartë:

“Të gjitha kanë frymë dhe shpirt, janë bashkudhëtaret e mia,

Po unë kam një të fshehtë të magjishme që është dashuria.” (strofa 9)

Ky varg është një nga kulmet poetike të të gjithë poemës: dashuria është ajo që e veçon njeriun nga çdo gjallese tjetër, ajo është shpirti i shpirtit, forca që e ngre në dritë dhe e bashkon me hyjnoren.

4. Në strofat 5–8, Zhupa përpiqet ta përfshijë shpirtin në hapësirën kozmike. Ai kërkon “një çelës prej shpirti që nuk thyhet më” për të hapur “dyert e trupit dhe të kozmosit pa masë” (strofa 5). Ky imazh është thellësisht filozofik: trupi dhe universi janë dy forma të njëjtës shtëpie. Poeti e sheh njeriun si mik të gjithësisë, si qenie që mban brenda një pjesë qielli. Po të lexojmë strofën 8, kjo ndjesi arrin përmasën e një miti të ri të krijimit:

“Në botën që zgjohej

U rritën bashkë të tria

Fryma, shpirti dhe pastaj dashuria.” (strofa 8)

Poeti përmend “frymën, shpirtin dhe pastaj dashurinë” si tri faza të lindjes së jetës, duke kryer një riformulim poetik të aktit të Krijimit, ku dashuria është faza përfundimtare dhe më e lartë, mrekullia që bashkon hyjnoren me njerëzoren.

5. Në vargjet përmbyllëse, poeti i drejtohet shpirtit me një përulësi të ndjerë:

“Shpirti im,

Që e ndiej po s’e shoh e s’e prek kurrsesi,

Fillim dhe fund e fillim përsëri.” (strofa 11)

Kjo ndjenjë ciklike e shpirtit është filozofia e jetës së përjetshme, një frymë që lind, shuhet dhe ringjallet në dashuri. Poeti e përcakton përfundimisht natyrën e saj me vargun që është një përmbyllje madhështore e poemës:

“Mosha jote,

Në këtë pafundësi gjithësie,

Është dhe do të mbetet një moshë dashurie.” (strofa 11)

Në fund të udhës, Ati mbetet dritë që nuk shuhet, Biri-frymë që s’pushon së kërkuari, dhe Shpirti- frymëmarrja që i bashkon. Në këtë trekëndësh poetik, njeriu gjen shenjtërinë e vet të përditshme. Sepse shenjtëria, për Zhupën, nuk është privilegj qiellor, por mënyra si njeriu përballon errësirën me dritën që ka brenda vetes. Një krijesë që digjet për të ndriçuar, që vuajtjen e kthen në fjalë dhe fjalën në dashuri.

Kështu, triptiku i Zhupës nuk mbyllet, por rrotullohet, si një dritë që lind përherë nga e njëjta errësirë.

 

Sarandë, Qershor- Tetor 2025

 

No comments:

Post a Comment