Monday, 1 July 2013

Ky det qe nis nga zemra



Timo Mërkuri, ky det që nis te zemra …

Thanas Dino:-Intervistë me poetin dhe studiuesin Timo Mërkuri

Pyetje:-Kisha menduar për titull të intervistës disa variante si psh; Timo Mërkuri në …libra me vjersha, në…. përmbledhje me këngë popullore dhe në ...libra me studime, por ja që më pëlqen ky varg i yti dhe e zgjodha  per ta vënë  në titull. Besoj se mund të bisedojmë për çfarë të duam, apo jo?
Përgjigje;-Faleminderit që e nise bisedën me një varg timin. Kjo është mënyra më e mirë për ta ‘’robëruar’’, për ta bërë për vete një poet. Dhe me që unë u bëra ‘’robi yt’’  tashmë,  do t’u ‘’bindem’’ kërkesave tuaja,  gjer në momentin që do ‘’revoltohem’’ dhe do ‘’ngre krye’’. Por gjer sa të vijë ai moment, do derdhë shumë ujë në det lumi i Bistricës. Pastaj, bisedat me ty, janë vërtet një kënaqësi për këdo, e jo më për mua,  që i kam provuar.
Pyetje; -Edhe pse ju njohim, po ju pyesim; Kush jini ju?
Përgjigje;-Unë jam Timo Mërkuri… dhe prapa… s’më vjen historia. Jam unë ai që vrapoj pas historisë dhe historive, (si bleta pas luleve), për të vjelur prej tyre ‘’nektarin’’ e për të prodhuar mjaltin e poezisë. Dhe këtë mjaltë  prodhuar viteve, e kam derdhur në  katër vëllime poetike (pa përfshirë  këtu një vëllim të përkthyer në greqisht), tre vëllime me sprova e studime për iso-polifoninë, novelën “Thomai që mbolli kripë”, librin me  esse “Epoka që verbon poetët”.
Kam hulumtuar, mbledhur e botuar, shoqëruar me shënimet përkatëse nja katër vëllime me këngë,vaje e bejte pilurjote etj, etj.
Tani më thuaj ti, a të ka pëlqyer ‘’mjalti’’im, apo si gazetar pëlqen vetëm ‘’të thartat’’.
Kam lindur në Sarandë dhe këtë e konsideroj një fat të madh. Jam diplomuar për financë dhe kam punuar dhe punoj në sektorin e financës.
Pyetje:-Ç’kanë të përbashkët financa me poezinë?
Përgjigje:-Për ju, asgjë. Për mua financa është një poezi më vete, që të  habit me konçizitetin e saj. Në ato  pak faqe bilanci, në ato shifra renditur me skrupulozitet, unë lexoj  rezultatin e një pune periodike (mujore, tremujore apo vjetore) të  një grupi njerëzish. Te kjo poezi nuk ka fjalë, aty ka shifra që flasin. Por edhe te pentagrami,  janë notat që flasin, teksti është komentues....
Pyetje;-Ç’do të thotë të jeshë nga Piluri?
Përgjigje;- Kur isha i vogël, dëgjoja shpesh të thoshnin ‘’hajdut nga Piluri’’ ose ndonjë tipi ngatërestar,  plakat e lagjes t’i thoshnin;-Ti more djalë do keshë në bark ,ose shejtanin ose ndonjë “pilurak”. Unë nuk i kuptoja çdomethënie kishin, aqë më tepër që  unë kam lindur në Sarandë dhe vizitat e mia në Pilur kanë qënë të pakta, kjo e kushtëzuar  nga problemet ekonomike familjare, në fëmini e rini dhe nga largësia e punësimit, më pas. Por për fat të mirë, në s’vajta unë në Pilur, Piluri  erdhi ai tek unë me gjithë madhështinë dhe humanizmin, legjendat  dhe përrallat, trimërinë e zgjuarsinë e tij. Erdhi e më mbuloi të tërrin.  Në fëmini,  atë ma solli në Sarandë gjyshja dhe nëna, me këngët e përrallat, të cilat edhe sot nuk i kam haruar dhe i kam cituar  nëpër librat e mi.  Pastaj, çuditërisht, gjeta Pilurin  e këngëve dhe rapsodëve dhe atëherë ndjeva, më shumë se sa e kuptova, se unë gjithnjë kam qënë në Pilur, ndonëse jo fizikisht.
Të mësosh se edhe Zeusi  flet me fëshfërimën e  lisave  të Pilurit, të mësosh e të ndjesh se je pasardhës i një fisi të lashtë, tejet të lashtë, aqë sa të të ketë mbetur  edhe emërtimi ‘’bir i këmbëcjapit’’, duke nënkuptuar në këtë Panin e Madh, kjo  ndjenjë  të vë para një  përgjegjësie morale. Është si të jeshë duke mbartur  një thesar në shpinë, të cilën do ta shpiesh  të pacënuar diku larg, nëpër kohëra. Qoftë edhe duke ecur përmes  njerëzve  që të ngacmojnë.
Të jesh pilurjot është  edhe si të mbash një amanet të shënjtë, jo thjeshte si trastë në shpinë, por si pjesë organike, pikërisht në gjakun tënd.
Më pas, duke njohur historinë e Pilurit, fshatit të djegur tre herë vetëm pse nuk pranoi të   ndëronte fenë,  fshatin  e aqë trimave, kapedanëve e kuvendarëve, vetkuptohet që të ritet ndjenja e krenarisë së origjinës.
Duke shkruar për Pilurin, në një poezi them;
Në këtë majë mali  u ka hije/Të  bëjn’ kuvend a të këndojnë/Vetëm poetët dhe …perënditë/ Këtu i kemi ne shtëpitë.
Vetëm katër vargje, por s’besoj se duhen më.
Pyetje;-Po të jesh poet nga Piluri?
Përgjigje;-Më kupto, të lutem. Në Pilur, vetëm në shekullin që lamë pas, kanë krijuar   mbi tetëdhjetë rapsodë, të nivelit të lartë, që u kanë rezistuar kohërave..Ose që të jem më i saktë, nga hulumtimet e mia, që u përkasin vetëm kohëve të vona, kam ‘’takuar’’ kaqë rapsodë  dhe krijimet e tyre. Poezia është pjesë e jetës në Pilur.Të folurit e të ngacmuarit me bejte, vajtimet e famëshme të grave e plakave pilurjote, të vlerësuara  kudo,  janë si tempuj të shënjtë . Nuk është e lehtë të hysh e të pranohesh si poet në mjediset poetike të tilla, gati gati aristokratike. Po të sqaroj diçka  për ta kuptuar, duke marë shëmbullin  nga ceremoniali i vajtimit me ligje. Në qoftë se në një mort, një vajtore nis e  ligjëron dhe e ngre, e vlerëson më shumë nga sa duhet të ndjerin, vajtoret e tjera, me vajtimin e tyre të mëpasëm e korigjojnë menjëherë lartësimin e pamerituar të vajtores së mëparëshme dhe këtë korigjim janë gati ta mbrojnë edhe me sherr, edhe brenda shtëpisë së mortit.
Kur kushte të tilla të vështira u vihen, ose më saktë u vetëvihen rapsodëve, bejtexhinjve apo vajtoreve, duhet të kuptosh që poetëve u kërkohet shumë më shumë.
Pyetje:-Po në Sarandë, si është klima  letrare?
Përgjigje:-Në Sarandë klima është e ngrohtë. Nuk e kam fjalën për këtë pragsezon plazhi, por për klimën letrare…
Pyetje:- Më fal që të ndërpres, por dua të sqaroj diçka që kam dëgjuar. Thuhet se në Sarandë jeni mbi 80 poetë që…
Përgjigje:-Boll me këto statistika bufatorike, që të kujtojnë …rendimentet në parcelat e misrit të N.B.Vrinës, dikur. Pse ç’janë poetët, misër që mbillen në parcela eksperimentale, me kubikë e pa kubikë. Më kujtohet me këtë rast Basho, i cili diku ka thënë se një komb është fatlum, në qoftëse në një shekull nxjer një poet të madh.…Një qytet  duhet të ndjehet i nderuar në rast se një poeti, bir apo bijë e tij, i kujtohen pas disa vitesh katër apo pesë poezi të tij. Madje  ka detyrimin moral t’ja kthejë borxhin e ..nderit.
Pyetje:-…mbi këtë shifër mund të shtoj edhe mbi 200 libra të botuar…
Përgjigje:-Nuk po miremi vesh, më duket. Unë të flas për poetë dhe poezinë, ti më flet për libra të botuar dhe vargje të shkruara…Më kupto miku im. Çdo gjimnazist i ka bërë një poezi dashurie shoqes së bangës ose shoqes tjetër, dhe çdo gjimnaziste i ka derdhur në vargje emocionet e pritjes,takimit, puthjes dhe zhgënjimit të parë, por ata nuk qenë dhe nuk u bënë poetë dhe ato vjershëza nuk janë poezi. Të gjithë pensionistët shkruajnë kujtime dhe bëjnë bejte, madje dhe i botojnë me kushtime dhe amanete, por nuk janë  as shkrimtarë dhe as poetë.
Le të ta sqaroj pak më ndryshe. Të gjithe ne vemi në kishë, në pashkë e krishlindje, ndezim qirinj, lutemi, marim naforën e bëjmë kryqin dhe këndojmë hymne e lavdërime fetare... Por ne jemi thjeshtë besimtarë, ndonëse jemi gati njëmiliardë njerëz. Ne nuk jemi as shënjtorë dhe  as profetë  dhe askush nuk pretendon që është Jezusi. Ai është një dhe i vetëm, madje edhe në shkrimet e shënjta  ai  quhet “I vetëmlinduri”. Kështu dhe poeti, në mes të një mase të madhe  lexuesish, recitueshish, shkruesish (shpesh grafomanë) është një i vetëm. Shpesh herë është ai, i heshturi, i drojturi.
Mund të keshë shkruar …tetëdhjetë libra poetikë…dhe të mos jesh poet, ashtu si shpesh mjafton vetëm një vëllim poetik, që të tronditë botën letrare dhe ti ndryshojë orbitën globit…poetik.
Pyetje: Po ti, ku je?
Përgjigje:-Unë? Unë kam ca  vite që kam marë rrugën për të shkuar te Tempulli i Poezisë. Për të bërë një lutje a për të bërë një …fli. Për P(oezi)erëndinë. Ky tempull qënka në majëmali dhe shtegu qënka i ngushte e i  thiktë. Shumë kanë mbritur para meje. I dëgjoj  këngët (himne dhe lutje)  dhe e ndjej  aromën e “flive” të tyre, siç ndjehet në oborin e kishës, aroma e qirinjve të ndezur. Unë  ngjitem. Nuk e di  në do arij dot te obori i këtij tempulli, por dhe në mbritsha, do trokas te porta e tij, të cilën, nuk e di në se do ma hapë ndokush, ndonjëherë.
Këtë doje të dëgjoje? Dakort, është dhe kjo një pjesë e të vërtetës, madje finalja. Por në fakt ka dhe një anë tjetër, më njerëzore. Poezia, në veçanti dhe shkrimtaria në përgjithësi është  shndruar në një farë oksigjeni për mua. Unë nuk shkruaj, që të më shohin të tjerët që shkruaj e të më vlerësojnë. Unë shkruaj, sepse nuk mund të ri pa shkruar. Ashtu si çdo njeri, që s’mund të rojë pa thithur oksigjen.
(Më duhet që  t’ju them se shprehja në korsiv, nuk është e imja, por e një poeteje, dhe unë e citova motamo, në respekt të  shënjtërisë  që ajo përmban dhe të faktit që është  shprehja më konçize e të  vërtetës sime.)
Pyetje;-Ç’mesazhe përçojnë librat e tua me poezi?
Përgjigje;-Më  kanë thënë se poezitë e mia kanë shumë  dhimbje, shumë trishtim, ka shumë lot nëpër to. Po a s’më thoni, si mund të mos derdhë lotë poeti në trazirën e ’97, kur më shumë shihnim makinën e  varrimit të ecte rrugëve  të qyteteve se sa taksitë. Kush do këndonte këngë gazmore ndërsa numëroheshin ditë për ditë viktima njerëzore.
Pastaj unë kam një mendim tjetër për poezinë. Poezia e vërtetë është poezia e dhimbjes, jo poezia entusiazte. Edhe simboli i dashurisë është një zemër e çpuar nga shigjeta. Mendoj se dhëmb edhe gishti kur çpohet me një gjemb e jo më një zemër e çpuar nga shigjeta. …Një dashuri që ska lotë, nuk është dashuri…thotë një fjalë arabe.
‘’Dhimbja  është banore e qytetit tim’’  është vargu i parë i librit tim të parë.
Duke kënduar për të, unë ftoj gëzimin njerëzor të vijë  e të bëjë si zog, folenë te pema e dhimbjes. Duhet ta njohësh dhimbjen që të kërkosh lumturinë.Për vete e për të tjerët.
Pyetje;-Si do e karakterizoje  poezinë tënde?
Përgjigje;-Unë mendoj se poezia ime është aktuale. Por ju  dhe lexuesi duhet ta dini më mirë. Unë e shkruaj, ju e vlerësoni. Unë ua jap ‘’mjaltin’’ e lotëve të mia, mos ju duket shumë i kripur? Se i sheqerosur e di që nuk është.
Pyetje;-Ç’lidhje ka poezia jote me artin popullor,( iso-polifoninë) dhe si rri me të  e ndaj tij?
Përgjigje;- Ç’lidhje ka drita me lumin, që buron rrëmbyeshëm teposhtë, hyn nëpër turbine e përsëri del e përfundon në det? Në pamje të parë  s’ka lidhje fare.
Në pamje të parë poezia ime s’ka asnjë lidhje me artin popullor, me krijimtarinë popullore, qoftë ajo edhe në prozë. Unë kam vjersha të shkurtëra, populli ka  rapsodi të gjata.Unë i kam në varg të lirë, populli i ka në vargje të rimuara.
Por ka një gjë që harohet. Dhe më kryesori. Njeriu dhe shpirti i tij. Unë jam Brgedetas, jam pilurjot dhe në vargje derdh shpirtin tim bregdetas, pilurjot. Pavarësisht në se i derdh në vargje të rimuara apo  vargje të lira. Unë jam aty , në mes të librave, në mes të vargjeve, me brengën, hallet e dertet e mia. Që nuk janë thjeshtë të miat, personale.
Janë hallet e dertet e  kohës dhe të kohrave, të kombit e të kombeve.
Le të bëjmë një  largim nga unë dhe ti bëjmë një vizitë Fatos Arapit, psh. Fatos Arapi është një poet modern, që i përket të ardhmes, pavarësisht se shkruan sot. Vargjet e tija të lira s’kanë asnjë lidhje me vargun tradicional të poezisë popullore. Por po  të lexosh me vëmëndje poezitë e tij, sidomos ciklin kushtuar vëllait të tij, Vllas Arapit, për mënyrën se si shprehet e trasmetohet dhimbja njerëzore, të krijohet ndjenja se je duke lexuar(dëgjuar apo vajtuar) vajet e nënave labe dhe bregdetase. Vetëm një “sistemim” mund t’u  bëhet vargjeve të tij dhe të çfaqet para teje një vajtim. E pra, në shtratin e lashtë (të artit popullor) rrjedh rrëmbyeshëm lumi ( i fryrë )  i poezisë moderne të tij. Diku shtrati është më i “gjërë” apo më i “ngushtë”, diku në brigje kanë mbirrë rrepe apo shelgje lotues, diku koha  ka ndërtuar “kaskada”, por gjithësesi, lumi rrjedh teposhte e derdhet në det, i pastër e i kthjelltë, pa baltovina nëpër të. Prandaj është kaqë e bukur poezia e tij.
Shiko miku im, poezinë e Ali Podrimes. Në dukje, një poezi e largët, me vargje të “çuditëshme”.  Por ajo, poezia e tij, nuk është gjë tjetër, veçse shpirti  i poetit (dhe i popullit të tij) që reh me ritëm të shpeshtë, të mbytur nga gulçet e dënesat e fshehura mes vargjeve. Po ta lexosh me vëmëndje, të duket se në çdo varg, ai ka vënë një copëz zemre, të zemrës së tij të coptuar nga fatkeqsia (personale dhe kombëtare).
Dhe këto copëza zemrë nëpër vargje, ende janë të lidhura me njera tjetrën me nerva e damarë dhe rahin si një e tërë në gjithë krijimtarinë e tij.
E pra, të thuash se ç’lidhje ka poezia e këtyre dy viganëve modernë me artin popullor, është si të pyesësh se çfarë lidhjeje kanë mes tyre vera me vreshtin, vetëm e vetëm se e para është e amballazhuar mirë e bukur në shishe dhe tregëtohet nëpër restorante moderne, ndërsa vreshti është aty, në një shpat mali, në shi e në borë, me baltë e barishte nëpër rënjë dhe shpesh herë, edhe me insekte besdisëse nëpër gjethe.
Pyetje;-Pse u hodhe në studime të isopolifonisë, bile pa kaluar nga proza?
Përgjigje;-Këtë nuk e di as vetë saktësisht. Vlerësimi i iso-polifonisë si kryevepër e njerëzimit dhe marja e saj në mbrojtje nga UNESCO më gëzoi pa masë. Mendo dhe vetë;U shtua  edhe një kryevepër e njerëzimit që populli ynë i jep botës, krahas Butrintit, Beratit e Gjirokastrës. Pra, brenda një sipërfaqeje  afro dhjetëmijë kilometra katrore, populli ynë ka  katër kryevepra të njerëzimit, të njohura e të çertifikuara. Nuk di ndonjë  vend tjetër me një dëndësi të tillë gjeografike kryeveprash. Çertifikimi i iso-polifonisë  është vërtet një vlerësim për popullin tim. Po kur dëgjova se disa studiues, fatkeqësisht shqiptarë, filluan ta sulmojnë me argumente jo serioze si psh, jo po pse u quajt iso-polifoni kur ne e kishim mirë polifoni, jo po pse nuk na pyetën edhe ne etj etj, atëherë, pa  ju futur studimeve teorike, fillova të hedh në letër mendimet e mia, duke i argumentuar me shëmbuj konkretë të jetuar, kryesisht të marë nga bregdeti dhe  veçanërisht nga  Piluri. Kjo më diktoi  që këto shënime ti trajtoja në formën e sprovës dhe jo në formën e studimit akademik. Mandje në librin “Vesa mbi këngë”, këto tema i trajtoja më shumë në formën e një tregimi, gjë që solli dhe leximin dhe përthithjen massive të tyre, ndryshe nga çmund të ndodhte po të qenë studime të tipit akademik, ku lexuesi do qe një numër i kufizuar.
Pastaj, kureshtja është sëmundja  më e njohur e poetëve dhe studiuesve. Kureshtja se si  ka ardhur kënga nga vajtimi,  apo si fluturon shqiponja e këngës në qiellin e isos, si ka shtegëtuar kënga nëpër shekuj, si është krijuar vallja, e gjer edhe te zakonet e kanunet, këto janë shpella që duhen ekploruar nga studiuesit e folklorit dhe duhen  ditur e përthithur nga shkrimtarët e poetët.
Pastaj, arti popullor është një shkollë e pazvëndësueshme e shprehjes dhe konçizitetit të shprehjes artistike. Le të shohim, psh vargjet e një këngë, për një nuse të re, ardhur në vizitën e parë pasmartesore në shtëpinë e të jatit. Dikush e pa, ashtu të stolisur me  unaza e  zinxhirë floriri dhe këndoi… Ky zinxhir i hollë larë më flori/as na fol një fjalë si në vajzëri… Dy vargje janë, por sa dramë, dhimbje e brengë mbajnë nëpër gërmat e tyre. Do duheshin vëllime të tëra për ti shpjeguar teorikisht. Pra,shih sa qartë,shkurt dhe artistikisht flet populli.Kemi ç’të mësojmë, apo jo.
Të kaluarit nga proza për te studimet ska të bëjë fare. Për tu larë në det mund të hidhesh nga ndonjë gur, nga një varkë, mund të futesh me këmbë etj etj.
Pyetje;-Sa e kanë pikturuar poetët e Sarandës Jonin dhe sa është dhënë në përgjithësi në artet tona Mesdheu?
Përgjigje;-Të kuptohemi, s’ka rëndësi sa e kanë pikturuar poetët  sarandiotë Jonin e Mesdheun. Ata ditë për ditë shkruajnë e  flasin për Sarandën, Jonin e Mesdheun, por ka rëndësi si shkruajnë  për Jonin e Mesdheun, si e pikturojnë atë. Ajo që ka rëndësi është fakti se sa  u ka hyrë në shpirt, në jetën e tyre, në botën e tyre Joni dhe Mesdheu. Sa jonianë dhe mesdhetarë janë ata, sepse kur thua Joni dhe Mesdheu ke thënë Europa, kultura,dija, përparimi, civilizimi etj etj. Mund të banosh pranë Jonit dhe të jesh banor i prapamaleve. Mund të vish pranë Jonit dhe Mesdheut me kanun, koncepte e botë  të ngushtë provinciali, të jetosh e të vdesësh pranë Jonit e të mos marësh vesh se ke humbur një botë të ndritur e të madhe.
Mund të vish edhe si  shtetar i plotfuqishëm, psh në Sarandë dhe të kapardisesh e të thuash psh ; -Do ta bëj Sarandën të këndojë me çifteli, apo të këndojë  vetëm labçe.
Këta mjeranë nuk e kuptojnë se e kanë humbur që në fillim Sarandën, Jonin e Mesdheun. Nuk bëhesh dot qytetar pse  shite dhëntë e dhitë dhe bleve një “kullaro” e një kostum.
Ky është problemi more mik.A bëhemi dot jonianë e mesdhetarë, europianë. Për veten tonë, jo për botën. Pastaj vetkuptohet që do shkruajmë si jonianë për Jonin e si mesdhetarë për Mesdheun dhe sidomos do shkruajme, do mendojmë , do jetojmë e do punojmë si europianë për Shqipërinë Europiane. Dhe duke i dhënë shpirtin tonë jonian artit tonë, fjalës sonë, vargut tonë poetik..
Këtë objektiv ka edhe Klubi i Krijuesve të Artit Jonian, Ky është në thelb ajo që ne e quajmë Arti Jonian. Jo Arti Jonik i antikitetit, por Arti Jonian i kohës  dhe jetës sonë moderne, me ritme e vizione.
Unë do tju ftoja ta mirni poezinë e miqve të mi, psh Agim Matos, Andrea Zarballa,Niko Kacalidha, Adriana Dhrami etj, dhe nëpërmjet vargjeve të tyre të shihnit botën. Ju siguroj që do shikoni një  botë magjike, që as në ëndra nuk e kini parë. Një botë  (moderne)që të magjeps e të mrekullon. Dhe të fton të bëhesh pjesë active e saj.
Pyetje;-Ç’krijimtari ka dhënë tema e kurbetit?
Përgjigje;-Kurbeti, kjo plagë  shekullore e popullit tim, u gëric përsëri e filloi të kullojë gjak, dhimbje, e …këngë. Populli ynë gjithnjë, edhe dhimbjet i ka përjetësuar nëpër këngë, qofshin këto dhimbje të ëmbëla dashurie, qofshin edhe dhimbje të rënda morti. Është një bibliotekë e tërë me këngët, apo më mirë me këngëvajet e kurbetit, e cila  fatkeqësisht dhe fatmirësisht,  ritet ditë për ditë. Them fatkeqësisht, sepse ajo tregon se vazhdon vuajtja e popullit tim në kalvarin e kurbetit dhe them fatmirësisht, se edhe sot në kohët moderne, bota shpirtërore e njeriut shqiptar, ka trokitur te laboratori krijues i këngëve të vjetra të kurbetit, për të  artikuluar artistikisht brengat, hallet e dertet e jetës së tij të përditëshme, duke riaktivizuar këtë laborator, i cili në të kaluarën ka dhënë perla të poezisë dhe këngës popullore dhe sot në kohët moderne, rezikohej të amortizohet nga mospërdorimi.
Pyetje;-Si do ta shihje dramën e një plaku të mbetur vetëm?
Përgjigje;-Vetëm këtë dramë s’dua të shoh më te asnjë njeri. Do dëshiroja të mos e shihja tek asnjë njeri mbi këtë dhe, pavarësisht nga  kombësia e tij. Kam shkruar për plakat  që ua bren ditët ndryshku i vetmisë, kam shkruar për pleqtë që vdesin duke pritur, pleqtë tanë të mbetur vetëm, dhe të them të drejtën, e kam përjetuar dhimbjen rëndshëm. Por ta përjetosh artistikisht dhe ta jetosh realisht, është një det me lotë në mes, dhe unë s’dua të lundroj  nëpër të.
As me anie luksoze.
Pyetje;-Sa njihet dhe sa jeton në kulturën e përgjithëshme të vendit krijimtaria dhe kultura jonë lokale ose rajonale?Ç’mund të bëjmë më mirë?
Përgjigje;-Nuk ka kulturë lokale, nuk ka kulturë rajonale. Ka kulturë, ka art, ka stil të shkruari, të pikturuari, të vallzuari, të kënduari etj etj. Po ju donit të thoshnit, plot dashamirësi, për krijuesit që  jetojnë e krijojnë në ‘’rajone apo lokale’’, qytete  provicialë  e ca më shumë nëpër fshatra, ku hapërsirat e shikimit artistik janë më të kufizuara. Ky është problem i vogël që zgjidhet  lehtësisht. Problemi është se sa këta shkrimtarë, poetë, piktorë në përgjithësi artistë, krijojnë vepra që, për nivelin artistik dhe mesazhin që  emetojnë i kalojnë hapërsirat gjeografike të vendbanimit të tyre. Sa vend zënë këta artistë dhe vepra e tyre në jetën artistike të vendit.
Ismail Kadareja lindi në Gjirokastër, por ai tashmë nuk është më i Gjirokastrës. Ai është i gjithë Shqipërisë, për mos me thënë që është i gjithë Europës e më tejë
Por ajo që ka rëndësi,në këtë  këndvështrim, është fakti se  ajo që quhet zakonisht ‘’krijimtari lokale’’, kënga popullore, po bastardohet  nga përpunimet dhe përpunuesit e këngës popullore, duke i shndruar shpesh edhe perlat e vërteta të  artit të popullit në ‘’xhingla arixhiu’’ pa vlerë e pa shije, thjeshtë për komercializëm. Këta janë barbarët e kohëve moderne, këta janë barbarët e artit.
Pyetje;-Sa jetojmë si krijues?
Përgjigje;-Po u fute në det, do lagesh i tëri. S’mund ta pyesësh  tjetrin që është në mes të detit në se e ka lagur këmbën e djathtë apo dorën e majtë.
Po u fute në detin e krijimit do ‘’lagesh’’ i tëri dhe do jesh i lagur sa kohë që do jesh në atë ‘’det’’. Shpesh herë poezia nis duke bërë një vjershë dashurie.Në këtë rast je një djalë fatkeq ose fatlum i dashuruar, por nuk je poet. Të jesh poet do të thotë të jetosh çdo moment të jetës poetikisht, të gjesh poezinë dhe artin edhe aty ku të tjerët shohin banalitetin. Dhe një debat ose konflikt  të rëndomtë, ta shohish si një fenomen artistik aktual apo në prespektivë. Është njësoj si dashuria. S’mund të thuash që do dashuroj të hënën e të martën dhe do bëj pushim të mërkurën dhe të ënjtën. Po të zuri dashuria e krijimtaria, të zuri të tërin dhe për gjithë kohën. Është si sëmundje. Mund të të dhëmbë vetëm koka, por këmbët s’bëjnë çap më tutje.
E pra, shërimi është që të sëmuresh i tëri e përgjithnjë.
Ilaçet nuk më bëjnë gjë… thotë një këngë popullore.
Pyetje;-Kur shkruan dhe si?
Përgjigje; Puna e zyrës bëhet me tetëorarsh, jo arti. Arti bëhet gjithnjë. Për tu shkruar, mos u habit po më pe ndonjëherë që të kem ndalur makinën në anë të autostradës dhe të jem përkulur mbi bllok.
Pyetje;Cilin poet mba për idhull, po prozator.
Përgjigje; Unë i dua dhe i respektoj të gjithë krijuesit dhe lexoj sa më shumë të mundem. Jo vetëm kaqë, por kam nisur edhe ti rilexoj shumë autorë dhe gjithnjë bëj zbulime që dikur më kanë shpëtuar. Nuk kam idhuj. Nuk i vë krijuesit në peshë për të parë kush është më i rëndë a më i majmë. Secili ka  portretin e tij, ka botën e tij, ka artin e tij. Floriri është flori pavarësisht se ku  hidhet nga ai që sja di vlerën. 
Pyetje;-Ç’ke në shtyp dhe mbi se po punon?
Përgjigje:- Akoma do për ….mua.
Zakonisht unë flas pasi e kam mbaruar punën.Tani porsa mbarova këtë intervistë, për të cilën ju falnderoj së tepërmi, juve  dhe lexuesit e nderuar që do kenë rastin të njihen me të.
Ju faleminderit.

Tuesday, 4 June 2013

E lënë në mes



Nga Fatmir Terziu

E LËNË NË MES
Bisedë me Timo Mërkurin

Pritet të zihet Hëna
nga palmat që u thanë me dy derte:
që nuk i panë lodrat,
dhe që nuk shohin më dete...
Shkarpë majë mendimit
kështu paralajmëruan Yjet.
“Shenjtëria e Isos” ende bën alarmin
mbiu “Anatomia e Lotit”
motiv pa qiell,
as bimë, as qumësht, as zogj
hije pa diell,
yje me neon.
Koha që flet për brezat
shtrihet si vello e grisur mbi Jon.
Hëna e trembur pyet:
‘Kush do ti rikthejë yjet’?

Monday, 3 June 2013

Ndoshta vjen të hënën…



NDOSHTA VJEN TË HËNËN…


Një emër

Kur dëgjoj këtë emër vajze, dridhem
e  kam frikë.

Më duket se do të tradhëtohem sërish.


Ndoshta vjen të hënën…


Si erdhi kjo e shtunë që nuk është e shtunë?
E heshtur.
Dhe heshtja është hymn i vetmisë.

Akrepat e orës
ngjajnë si kërcuj shkurresh, të djegura në shpat mali.
Luhaten nga era.Po prapë mbeten në vend.

Duhet patjetër të kaloj të dielën,
si një djerrinë të përcëlluar
                                       plot thëngjij e afsh shkrumbi,
e të mbrij tek e hëna,
ku më prêt buzëqeshja e një trëndafili të porsaçelur
që valëvitet si flamur në kiçin e tragetit.

Dhe s’dua të mendoj
                                 që e hëna mund të vijë dhe vetëm.
Po qe kështu, lere, të mos vijë.


Sy vajze në trotuar

Qerpikët lyer me rimel e zgjatur si qipariza
u bëjnë hie ëndrave të vdekura
                                              varosur në parcelat e syve.


Sa shumë varre,
sa shumë kryqe
 paska brenda tyre.                

Monday, 20 May 2013

Vrasja e Kostandos dhe myslimanizimi i fshatit N.

Vrasja e Kostandos dhe myslimanizimi i fshatit N. 

Fletë të shtuara në defterin e gjashtë


 Nga novela “Thomai që mbolli kripë”





Fshati N. është një fshat malor që ron vetëm me blegtori dhe me trimëri.

Tokë buke, s’ka fare, po të përjashtojmë këtu bahçet reth shtëpive ku mbillnin pak zarzavate e shumë pemë. Për këtë arsye bukën e siguronin ose duke tregëtuar bulmetërat që prodhonin  vetë ose me kusarira në fshatrat e fushës.

Bënin si bënin  dhe e shkonin motin.

Po ja që në fshat banonte edhe  Stefan Gjoni, i cili kishte një tufë kalamaj për të ritur dhe një sëmundje,  që se linte të vraponte a së paku , të ecte shpejt që të siguronte ushqimin për familjen.

Po ti shtosh këtyre edhe dy pleqtë që kishin zënë krevatin, atëherë e kupton vetë se dhe beharin e kishte dimër, i ziu burrë.

Jip e mir e s’po gjënte dot zgjidhje për hallin që kish. Se taksat qenë seç qenë për të.

Kur jip ato, sikur jipte shpirtin.

Një javë nuk çohej nga krevati.

Po ja që një ditë, kur vate në Tepelenë, takoi një të njohurin e tij dhe i qau hallin  e fukarallëkut që i kishte zënë çatinë e shtëpisë.

Ky e dëgjoi sa e dëgjoi, atje në shtëpinë e tij ku e priti mikun dhe më pas i tha që të priste pak sa të thëriste vëllanë e tij më të vogël e ta kuvendonin më gjërë këtë punë.

U pataks kur pa që hyri në odë një hoxhë.

Nuk e besoi kur i thanë se qënkish vëllai i mikut të tij, të cilit  i kishte zënë shtëpinë.

Atëherë u kujtua që miku thirej me një emër mysliman, a Meleq a Maliq, s’e mori vesh mire, se ai e thiri Milo, me emërin e parë.

Hoxha ja nisi urtë e butë muhabetit.

Dhe zgjati shumë ai muhabet.

Të nesërmen i vajti vëllait të mikut, domethënë hoxhës në xhami.

Tre orë muhabet edhe atje.

Kur iku, mori me vete nga hoxha një kartë defteri me ca shënja që quheshin gërma dhe që po të dije t’i lexoje, do mësoje se ai, Stefan Gjoni nuk ishte i krishterë po qe bërë mysliman dhe quhej Sabri Gjoni.

Por ajo që i duhej më shumë Stefan apo Sabri Gjonit dhe që hoxha ja kish treguar me gisht, qenë ca shkaravina që,  po të lexoheshin,  kuptoje se thoshnin që të mos i mireshin këtij Sabriu apo Stefani  kjo dhe ajo taksë që paguheshin nga kaurrët.

Ama, kjo pjesë e kartës së defterit  qe vërtet e bekuar dhe s’ka rëndësi në se qe bekuar nga Muhameti apo nga Krishti.

Një të vajtur në fshat dhe mblodhi familjen,domethënë babanë, nënën,gruan e fëmijët dhe u tha se ai qe bërë mysliman, pra dhe ata qenë bërë myslimanë.

Gruaja ja dha ulërimës.

-Dëftomi ku janë ato  gjashtë vromat e vërtomat që do i marësh gra. Pa në i lënça unë të futenë në shtëpi. Me mashan të skuqur do t’ua djeg atë përposh. Vromat e Anadollit.-ulërinte e zeza grua e vër lotët.

Për punën e synetit nuk e pyeti fare.Do e verifikonte vetë këtë gjë.

Mjerë i ziu burrë  po të kishte mungesa.

I jati u ngre në këmbë dhe duke thënë si me vete –s’ka vënd për mua këtu-ju drejtua plakës  me reptësi;

-Çohu e mer rraqet e tua dhe të shkojmë te Kosta  përposh.

Kosta qe djali tjetër, i cili kishte ndërtuar shtëpi në lagjen e poshtëme.

Ja tani, djali i madh, tek ai që kishte varurë tërë shpresat, i bën proçkën e padëgjuar, i thotë se e ka prerë atë, domethënë është bërë synet, pra dhe është bërë mysliman.

Epo ai burrë plak nuk e tradhëtonte Krishtin tani në pleqëri.

Kështu, nga ulërimat e gruas dhe nga ikja e pleqve, ndodhi që lajmi u muar vesh  që atë natë.

Asnjëri në fshat  nuk vuri gjumë në sy.

Të nesërmen, prifti i fshatit u ra këmbanave si për gjëmë dhe që nga hieroria e kishës shpalli shkishërimin  e atij që kishte braktisur Krishtin.

-Të gjithë ne  bijt e kishës dhe besnikët e zotit tonë Jezu Krisht jemi këtu.

Vetëm një dele mungon.

Delja që e braktisi vetë  rrugën e zotit,-shpalli prifti solemnisht- shpejt do jetë në dhëmbët e ujkut.

Shkoi një muaj dhe  asnjë nga fshati nuk trokiti te shtëpia besimshkelëse krishtmohuese. Fëmijët e fqinjëve shkonin anës gardhit, hidhnin ndonjë gurr në oborin e shtëpisë dhe iknin me vrap.

Por ja që një nga këto ditë ja behu në fshat taksidari me një tufë zaptijesh turq.

Filloi ceremonia e pagimit të taksave te ai shesh i fshatit që quhej Sheshi i Taksave.  Zhurmë e shamata njerëzish e blegërima bagëtish, vënie njerëzish në radhë, nën zërin monoton të taksidarit.

Të gjithë emrat u thirën.

Bile, edhe emri i Koço Balit i cili kishte vdekur para pesë ditëve.

Kryeplaku  i fshatit kishte qënë  i sëmurë nga të ftohtit, kishte zënë shtrojat dhe nuk kishte bërë fshirjet  e duhura dhe familja e të ndjerit nuk pati kohë të njoftonte në Tepelenë, që t’i hiqej emri  nga defteri i të gjallëve.

Dy sahat u morën me këtë punë.

Doli gjithë fshati shahit që Koçua kishte vdekur dhe pesë më pleqtë e fshatit vurën gishtin me mellan në një fletë defteri që kishte  qëndisur taksidari.

U hoq emri i Koços dhe u vu në vënd të tij emri i të birit, i cili dhe ai u hoq nga një fletë defteri  tjetër.

Taksat u paguan një për një.

Në rëmujën e përgjithëshme, askush nuk i kushtoi rëndësi faktit që taksidari thiri emrin e Stefan Gjonit. Sipas regullit, i thiruri në emër, do vinte bashkë me taksën, domethënë me bagëtinë, mishnin,djathin, leshin, vezët, pulat etj etj.

Taksidari hapi sytë kur pa Stefanin që shkonte serbez serbez mes zaptijeve, duke nxjerë në ecje e sipër një defter të palosur nga xhepi të cilën ja zgjati taksidarit.

Ky, e lexoi një herë atë kartë dhe nga që nuk e besonte atë që lexonte, nisi ta lexojë përsëri.

Lexo një fjalë e ngri sytë e vështro Stefanin. Lexo fjalën tjetër e vështro përsëri Stefanin.

Zaptijet qenë afruar dhe të habitur vështronin herë Stefanin e herë taksidarin.

Ky fshat u kishte nxjerrë gjithmon telashe turqve, ç’ne tani u nxirte karta defteri.

Fshatarët vetëm atëherë u kujtuan që Stefani nuk qe Stefan po qe Sabri.

Taksidari, pasi mbaroi së lexuari kartën , e palosi një herë më dysh e pastaj përsëri më dysh dhe ja zgjati fshatarit që ja dha. Pastaj, vuri dorën në zemër dhe ndërsa e çonte në ballë, bëri një përulje nga Sabriu dhe diçka i tha turqisht.

Me siguri e përshëndeti.

Se ç’përshëndetje qe, nuk u muar vesh, po të gjithë panë  Stefan Gjonin të largohej qetësisht nga sheshi i taksave.

Pa paguar asnjë kokër vezë, pa le më pulë apo gjel që jo e jo nuk dha.

Vërtet u largua qetë qetë, po thellë ne sy  i kishte mbirë, si një qiparis në vareza, pikëllimi.

Qe i vetmi që nuk paguante taksë.

Qe i vetëm në fshat.

Atë mbrëmje në shtëpinë e Sabriut trokitën fqinjët e tij. Më von erdhën edhe disa të tjerë e ja nisën bisedës nga e para.

Biseda zgjati gjer më të gdhirë dhe të dielën në kishë munguan edhe pesë familje.

Prifti, përsëri i shkishëroi si të pafe, si feshkelës etj etj.

Kur erdhën vitin tjetër zaptijet me taksidarin, kryefamiljarët e lagjes së sipërme nxorën të tërë nga xhepat kartat e mara  në Tepelenë.

Taksidari u ngrit nga vendi në heshtje dhe u nis bashkë me zaptijet për në lagjen e poshtëme.

Kështu ndodhi që lagjia e sipërme u myslimanizua në fshatin N. dhe kishën e fshatit që ishte në atë lagje e bënë xhami.

Si e qysh?

Kollaj fare.

I lyenë me gëlqere muret, ku qenë pikturuar shënjtorët. Këmbanoren e ndryshuan pakëz, duke hequr këmbanën dhe duke e bërë minare. Një djalë  i lagjes mësoi ca muaj në Tepelenë dhe kur erdhi në fshat, hipi në majë të minaresë dhe ja dha një sokëllime që, hajde e dëgjoje. Apo s’qe dhe në turçe apo arabçe, hajde kuptoje seç thoshte.

Me një fjalë, ky na u bë muezini i fshatit.

Apo i xhamisë, quaje si të duash.

Po lagjia e poshtëme vijonte të mbante  ortodoksinë me kokëfortësi. Bile prifti i kishës së lagjes së sipërme, nisi ti bëjë shërbesat intensivisht në lagjen e poshtëme, dhe kathe ditë, kur i binte këmbanës në mbrëmje, zinte e mallëkonte xhaminë në lagjen e sipërme.

I bënte thirje Jezu Krishtit që të vinte sa më shpejt, që të rimirte kishën e kthyer në xhami dhe bagëtinë e tij që po ja hante ujku mysliman.

Ama, sa për mallëkime, muezini i lagjes së sipërme nuk mbetej pas.

Pasi tallej me shënjtorët dhe sidomos me  shënjtoret,  që mbeteshin me barrë me aromen e trëndafilit,  pasi tallte dhe tri a katër  librat e tyre të shënjtë, që kaurrët i quanin bibla dhe ngrinte lart të vetmin libër të shënjtë në botë që quhej kuran, pasi shante Jezusin dhe mburte Isën, i bëntë paçet,dmth i jipte munxët lagjes së poshtëme, duke e nëmur të tërë.

Belaja në këtë punë qe se shumë familje kishin  shtëpinë e njërit vëlla në lagjen e sipërme dhe shtëpinë e vëllait tjetër në lagjen e poshtëme.

Stefani i lagjes së sipërme që  u bë Sabri dhe që që falej në xhami, siç ju thashë më sipër, kishte për vëlla Kostën e lagjes së poshtëme, i cili falej në kishë.

Mbiemrin e kishin të njëjtë,Sabri Gjoni e Kostë Gjoni.

Të njëjtë e kishin dhe babanë edhe nënën.

Ama fëmijët e tyre dolën më të fituar nga kjo gjullurdi fetare në fshat.

Mba vesh vetë;-Bëheshin pashkët e skuqeshin vezët në lagjen e poshtëme.

Suleshin fëmijët e Sabriut te shtëpia e Kostës dhe ha e çukit  vezë, kush të thyente më shumë.    Vrap edhe te prifti tu fuste në gojë atë bukën e bekuar që quhet naforë.

Vinte bajrami, ngopeshin me hallvë fëmijet e Kostës te shtëpia e Sabriut.

Vrap edhe në xhami,  kur shpërndaheshin mish falas për të varfërit apo hashure.

Ama, duhet të themi se nëna e Kostës dhe e Sabriut, u sëmur e zuri shtratin dhe pas një jave vdiq te shtëpia e Sabriut në lagjen e sipërme, ku kishte shkuar të shikonte nipërit e mbesat.

Kur po i dilte xhani, e la me amanet që të varosej me prift dhe vëllezërit të ruanin vëllazërinë dhe jo kishën e xhaminë.

Ndryshe nga sa mund të mendohej, nuk bëri  ndonjë përshtypje  vajtja e priftit në lagjen e sipërme te shtëpia e Sabriut, për shërbesat e fundit të së ndjerës, të cilën e varosën te lagjia e poshtëme.

Ai prift aty qe ritur e aty do vdiste.

Që do vdiste prifti , kjo dihej se ishte i shkuar në moshë.

Po që do vdiste nga shpata e një djali të lagjes së sipërme, kjo nuk pritej.

Kjo ndodhi atë mot, që ushtria turke sulmoi lagjen e poshtëme të fshatit N.

Qe behar ajo ditë që lagjia e poshtëme u gdhi me ushtarë turq.

As me shi e as me borë, por me zabitë turq në çdo derë shtëpie.

Nga tri e nga katër.

Duke u dhënë urdhërin e prerë që të mblidheshin te sheshi i kishës.

Me burra e gra, me pleq e fëmijë.

Edhe me foshnjat e djepit.

Te sheshi i kishës, i priti koka e priftit e ngulur në një hu  gardhi.

Trupi me raso qe shtrirë pak më tejë.

Von u muar vesh se këtë  e kishte bërë, Meleqi, djali i Petros, ose më saktë djali i Muharemit të tanishëm, nga lagjia e sipërme.

E kishte bërë për të fituar  simpatinë e spahiut , duke shpresuar se do ti jipte shpërblim e do e ngrinte në gradë.

Boll mbeti dyfekçi i vogël.

-Erdhi koha të të njohim-i kishte  thënë spahiu rrugës.

U mblodh lagjia e poshtëme, e gjitha.

E rethuar nga zaptijet nga të tëra anët.

Pastaj  spahiu,  duke dalur në mes të sheshit, i ftoi të tërë banorët që të ndiqnin shëmbullin e vëllezërve të tyre të lagjes së sipërme dhe të ndëronin fenë.

Do kishin plot favore, bile edhe më shumë se ata të sipërmit.

Në heshtjen e përgjithëshme, dëgjoheshin hapat e banorëve të lagjes së sipërme, që nxitonin të vinin e të shihnin se ç’kish bërë vaki në lagjen e poshtëme. Ç’qe ajo ushtri e pse qenë mbëledhur te sheshi i kishës së vogël. As e kremte qe dhe as ndonjë festë tjetër. Pastajë, ç’ne turqit në festat ortodokse të vëllezërve të tyre.

S’binte erë e mirë kjo punë, jo.

-Ti-tha spahiu dhe zgjati dorën drejt një vajze të re që e kish përpara-ti, moj si e ke emrin.

E bija e Panajotit, Kostandua, të cilës ju drejtua spahiu, uli kokën e nuk foli.

E kush nuk e dinte emrin e Kostandos flokëverdhë në të shtatë fshatrat e malësisë së Tepelenës. Pas saj kishin rënë në sevda të tërë djemtë, aqë sa i kishin ngritur edhe këngë.

Kostando leshëraverdhë

U’  për ti do prish Qabenë

Do t’a vras dhe Muhamenë

këndonin djemtë myslimanë të lagjes së sipërme për Kostandon  e krishterë.

E vërteta është se këtë këngë, e ngriti dhe e këndoi i pari Hamzai, djali i Nashos që qe kthyer në Novruz, por këngën e pëlqeu gjithë djalëria.

Mbi të gjitha, këngën e pëlqeu vetë e zonja e punës, domethënë Kostandua.

Kështu, nga kënga u mësua dhe fakti, që dy të rinjtë qenë  takuar  e kishin biseduar bashkë gjërë e gjatë   te përroi i Gorricës,  një ditë vjeshte.

Atëherë u sqarua edhe fakti se kënga bënte fjalë, jo për profetin, po  për Muhametin  e Shefqetit, një djalë  çapkën  i lagjes së sipërme, që i kishte rëmbyer një ditë shaminë e kokës Kostandos,  për të shpallur kështu sevdanë  e tij.

Por Kostandua , në vënd të premtimeve, i vërviti gurrët  dhe i ziu djalë iku në shtëpi më dy xhunga pas koke.

Nuk fliste shumë Kostandua.

Flisnin sytë për të.

Dhe tani, ja ku po heshtte para spahiut, siç heshtëtë gjithmon.

-Mirë bën që e ke haruar emrin e parë-vazhdoi spahiu majë kalit-tani e tutje do quhesh Aishe. Përsërite emrin e ri, tani, këtu para meje.

Kostandua qe mësuar që djemtë ti  bënin  lajka e ti flisnin me përkëdheli, ca nga bukuria e saj  dhe ca se qe e bija e kapedan Panajotit me famë. Kjo ndoshta qe arsyeja që nuk e llogariti shumë spahiun, ndonëse një frikë e fshehtë i përshkoi palcën e kurizit, si një mornicë.

Dhe me hakë.

Nuk e kishte aty në shesh të kishës babanë.

Po pavarësisht nga kjo, në mes të gjithë atyre fshatarëve, s’ja pati dhe shumë frikën këtij spahiu kapadai e mustaqelli.

Koka e prerë e priftit qe haruar .

Do bënte mirë ta kishte patur parasysh, kur krenare ju përgjegj spahiut;

-Unë jam Kostandua. Atë Aishen tënde nuk e njoh.

Një shënjë dha spahiu dhe tri zaptije me shpatë në dorë, u hodhën e vranë në vënd nënën e Kostandos, e cila  doli para vajzës. Mes ulërimave të grave, rrëmbyen Kostandon dhe e gjunjëzuan para spahiut.

U dëgjuan ca fjalë turçe dhe u pa një kalorës që u afrua.

Zaptijet  nxorën një litar dhe njërën anë e  lidhën   te shala e kalit dhe anën tjetër, o perëndi, e lidhën  te  gërsheti i Kostandos dhe pas një shënje të spahiut, kalorësi u nis me revan.

Në mes të ulërimave të përgjithëshme, askush nuk e dëgjoi ulërimën e kapedan Panajotit, që qe i fshehur pas murit të varezave e ndiqte zemërdridhur ngjarjen, duke pritur çastin e përshtatshëm për të dhënë kushtrimin.

Po në vend të atij çasti, erdhi lemeria për të bijën.

Me dy jataganë në dorë u sul mbi zaptijet turq dhe nuk shikonte kë vriste e kë priste.

Ulërinte, i ziu baba, mes turqve që vriste e që e ndiqnin, dhe vraponte të arinte kalin që tërhiqte zvarë të bijën.

Ashtu ra i goditur nga dy plumba në shpinë, me jataganët drejtuar nga kali që ikte e ikte me revan, duke e copëtuar gurrëve të bijën.

Burrat e tjerë dhe gratë, kishin nxjerë thikat e fshehura në rroba dhe me to kishin nisur të qëllonin mbi turqit.

Qenë malësorë, lebër, luftëtarë dhe hajdutë, ndajë dinin të qëllonin mirë me thikë.

Mirnin armët e turqve të vrarë dhe binin dhe vetë të grirë nën jataganët turq.

Djemtë e lagjes së sipërme, që qenë afruar pas  rethimit turk, posa panë rjedhën që mori ngjarja, e haruan fare Muhametin dhe Krishtin, kishën e xhaminë dhe kujtuan vetëm që atje poshtë, qenë vëllezërit e tyre që po thereshin nga turqit.

Ndajë, pa pritur urdhër e komandë, rrëmbyen jataganët e dyfeqet dhe u vërvitën mbi turqit e ja nisën labçe, ashtu siç dinin vetë, pre e gri mbi ata turq.

Dhe binin  edhe vete të vrarë.

Hamzai i këngës së Kostandos u vra me plumb në kokë te sheshi i kishës.

Pak më tejë qe shtrirë dhe Muhameti i prerë me jataganë.

Djemtë  e të dy lagjeve, myslimanë  e të krishterë, luftonin e binin përkrah njeri tjetrit.

Po dëmi qe shumë herë më i madh se të vrarët e të plagosurit.

Meleqi, jo vetëm që kishte vrarë me dorë të tij priftin dhe i kish vënë zjarrin kishëzës së vogël të ndërtuar me dru lisi, kish grirë e kish prerë burra e gra, por ajo që ka më shumë rëndësi, me këtë sulm kishte vrarë besimin e  fshatarëve ortodoksë të lagjes së poshtëme, për bashkjetesë paqësore me vëllezërit e tyre  myslimanë të lagjes së sipërme.

Sepse, ndonëse i panë  vetë djemtë e lagjes së sipërme tek vërviteshin mbi turqit, të vrarët e tyre dukeshin më shumë e më mire atje tek qenë, të mbuluar te vareza  e vogël e kishës së djegur.

Ndajë u ngrenë dhe ikën fare nga fshati, duke zbritur në fshatrat ortodokse.

Ata që mbetën në N.,sidomos ata të lagjes së sipërme, qenë bërë  si me hije.

Ecë rrugës e kthe kokën prapa, se  mos i zinte ndokush.

Flitej se natën endej në të dy lagjet kali i murmë, që tërhiqte zvarë Kostandon e bukur, të lidhur te gërsheti i saj i gjatë e i verdhë.

Te ai gërshet, që do preferonin të varnin veten djemtë  e fshatit sevda humbur.

Lagjia e poshtëme, e boshatisur, me shtëpitë gërmadha dukej si një var i hapur që gatitej ti përpinte të tërë. Fëmijët trëmbeshin të shkonin e të loznin aty, gratë padashje bënin kryqinin e haruar e të braktisur, sa herë që shikonin  në atë drejtim.

Plakat logatnin vajtime duke ecur rrugës dhe djemtë u thinjën para kohe.

Filluan të mos venin në xhami, duke përfituar nga fakti , që edhe hoxha qe larguar nga fshati. Po dhe një  inat e kishin me xhaminë dhe me  hoxhën për gjakun që u derdh te lagjia e poshtëme.

E pranuanë  ndërimin e fesë që të shpëtonin nga taksat, por jo të shpëtonin nga taksat duke vrarë vëllezërit. Pastaj hoxha u kishte thënë që nuk do derdhet gjak në fshat, as ndër myslimanë as ndër kaurrë. Kështu thotë feja e re. Këtë e mbanin mënd mirë fshatarët.

Tani na del që  hoxha i kish gënjyer,  pra duhej sikterisur  nga fshati hoxha dhe xhamia bashkë. Domethënë duhej   të ktheheshin në kaurrë prapë. Por edhe që të ktheheshin në kaurrë, s’kishin as kishë dhe as prift që t’u hiqte mallëkimin që mbartnin  mbi vete si Krishtmohues.

Vërtet, që njerëzit s’dinin ç’të bënin.S’dinin  ku të venin për t’u lutur e për t’u falur.

S’dinin dhe kujt ti faleshin dhe si të faleshin, duke u përulur në gjunjë apo duke bërë kryqin në këmbë.

Në këtë boshllëk fetar, dikush hodhi fjalën që,  të ngriheshin e të  venin si fshat në atë kasabanë larg, në Berat, atje ku qenë ca priftërinj të ditur, dhe të faleshin e të kungoheshin  prapë, për tu ribërë  apo për tu rikthyerë në kaurrë. Tamam si ajo delja e humbur që kthehet vetë  darkave në vathë. Ashtu të ktheheshin dhe ata në fshat,  të ripagëzuar e të falur nga mëkati.

Atyre që s’do tu njihej falja, të venin larg e më larg fshatit.

Dhe kjo do qe bërë, sikur në  këto ditë debati  e mëdyshjeje,  të mos vinte në fshat një dervish i varfër dhe i leckosur, i cili kërkoi bukë e strehim.

Pas një muaji e ca, kisha,  e kthyer njëherë në xhami u shndërua në teqe  dervishësh.




Thursday, 9 May 2013

BORXHI I PASHLYER

Borxhi i pashlyer

  Përsiatje rreth poezisë “Borxh ajrit” të Fatmir Terziut


 1-Leximi i poezisë “Borxh ajrit” të F.Terziut të botuar në datën 21.04.2013, kushtuar poetit Ali Podrimja, më  gjeti në rileximin për të disatën herë të vëllimit poetik “Lum Lumi”.  Do ta kisha kaluar në heshtje edhe këtë poezi, të cilës, si shumë të tjera, as  koment nuk i bëra në portalin e botuar, sikur vëmëndja të mos më rikthehej te vargu…Qënka e thënë të iki borxhli…, varg  i cili më tendosi trupin e tensionoi nervat, si nën një fshikullimë kamzhiku. Dhe jo më kot. Arsyeja është se poetët kanë një raport specifik   mardhënieje me Atdheun dhe popullin e tyre , krahasuar psh,  me mardhëniet debi-kredi që kanë  biznesmenët apo me mardhëniet hierarqike që kanë ushtarakët dhe politikanët. Biznesmenët e kanë Atdheun e tyre, aty ku është fitimi më i madh dhe mardhëniet me të i shohin thjeshtë  si mardhënie interesi (Atdheu i bankierëve është  Banka, për mos të thënë se është vetëm llogaria e quajtur “Fitime”), ushtarakët Atdheun e kanë  te lavdia e fitoreve nëpër sheshbeteja ( këto prova bërthamore në Korenë e Veriut i nxitin gjeneralët pleq e të matufepsur të Phenianit, ëndra më e madhe e të cilëve është një “sulm mbi imperializmin amerikan”), politikanët e kanë Atdheun te parlamenti, kryeministria apo ministria, vëndi prej nga japin urdhërat dhe ku presin … lavdinë.
2-Vetëm poetët e kanë Atdheun në zemër dhe  e ritin me dashurinë e tyre.
3-Dhe ndjehen borxhli përjetësisht ndaj Atdheut, që nuk i dhanë më shumë dashuri e vargje, që nuk ja shëruan plagët e ‘13 …Poetët e duan Atdheun pikërisht sepse i japin dashuri dhe shpresojnë që, pikërisht  tek Atdheu, të riten e lulëzojnë dashuritë e tyre. Ashtu si fshatari e do tokën që të ritet gruri e misri në të. Vetëm se poetët nuk dalin me drapër në dorë, të korrin dashuritë e tyre kur riten e piqen. Ja lënë Atdheut, si pjesë  organike, lindur e rritur prej tij . Dhe ndjehen borxhlinj që nuk i dhanë më shumë…
4-Por unë, ndërsa e lexova këtë poezi të F.Terziut gjatë rileximit të vëllimit “Lum Lumi”, nuk di pse më shkrepi në mëndje pyetja …Po Ali Podrimes, kur do t’ja  shlyejmë borxhin vallë?
-Pyetja është e pa konceptuar qartë, e pa konturuar drejt. Madje unë do të  thoshja se në ndërgjegjen time, kjo pyetje u ngrit si një shtjellë ajri, që ngrihet duke marë me vete drejt lartësive, copra letrash e gjethesh, gjetur në rrugë, duke ecur me përdredhje, s’dihet për ku. Pak a shumë, si një mini-tornado, pa formë e pa përmasa të matëshme . Ecja dhe ritja e saj, varet nga shkalla e njohjes së jetës dhe veprës së Ali Podrimes, ashtu si edhe rritja e shtjellave të ajrit, por dhe e tornados, varet nga  rryma e ngrohtë e ajrit që vjen në teritorin e lindjes dhe rrugën e ecjes së saj. Sa më shumë ta njohësh veprën e poetit dhe jetën e tij, sa më nga afër të kesh njohur poetin, aqë më e vrullëshme është rritja dhe ecja e kësaj pyetje-shtjellë-ajri. Vërtet që, në këtë rritje dhe ecje,  nuk ka dëme materiale, por assesi nuk ikën pa lënë gjurmë, pa thyer disa korniza dritaresh apo  pa shkallmuar disa gardhe, gjerdhe  e porta në hapësirën shpirtërore.
5-Unë nuk do ta shtroj as pyetjet se;- A ka patur Ali Podrimja borxhe ndaj Kosovës dhe Shqipërisë dhe a i ka shlyer ato. Unë vërtet nuk do ta bëj këtë pyetje, ndonëse  në kujtesën time vezulloi vargu lapidar i Xh.Spahiut….Gurin e varrit do ta shes/ e borxhet do ti laj…si një kredo e çdo poeti në raport me Atdheun, Kombin dhe familjen e tij. Sepse, në këtë konteks, poeti Ali Podrimja e ka njohur borxhin e tij dhe ka punuar gjithë jetën për ta shlyer atë. Dhe ka punuar si ai. Pa patur të dytë. Do mjaftonte vetëm vargu…Miq, Kosova asht gjaku im që nuk falet…për t’ju ngritur në këmbë poetit edhe në shëtitjen e zakonëshme qytetare  në bulevard. E në rast se do recitonim vargun famoz …Ju s’keni plumba sa jemi ne…, në “Marshin e UÇK”, pritja me duartrokitje do ishte më e pakta që do  ti rezervonim, duke dëshmuar kështu se, jo poeti, por Atdheu… edhe ne… jemi  tashmë borxhli ndaj tij.
6-Sepse Ali Podrimes i jemi  borxh, jo vetëm Kosova e Shqipëria por edhe ne, shokët e miqtë e tij krijues.
Jo aqë për atë mrekulli poetike që ai shkroi, por në radhë të parë për kushtet në të cilat punoi dhe në mënyrën se si e  shkroi.
7- “Kam dëshiruar ta “shpirtëroj” fjalën dhe ta mbaj gjallë kujtimin për Lumin”… rilexova te “Lum Lumi” dhe u drodha i tëri. Dhe kuptova se arsyeja pse me dridheshin duart, sa herë mirja të lexoja këtë libër, ishte se mirja në duar jo një libër, por një shpirt. Një shpirt që përpëlitej pranë  një krevati, ku po lëngonte  i biri…Ti po vdes me kryet në jastëk/ Turp, vogëlushi im/ Ke mundur të ngjeshësh armët e Asimit/ e të shkosh në Bejrut/ të vdesësh për Palestinën.
8-Të duket se nuk po lexon poezi, të duket se po dëgjon një bashkëbisedim babë e bir, ku, mbi ftohtësinë e  qortimeve   të  atit, dashuria  e prindit lëshon valë  të ngrohta dhimshurie. Ashtu si dielli lëshon valë drite e ngrohtësie mbi tokën e  mbuluar nga dëbora.  Valë që gjithsesi stimulojnë jetën.
…“Lum Lumi” është  vërtet një bashkëbisedim i poetit me të birin. Bashkëbisedim, ku fjalët dhe vargjet u ngjajnë trungjeve  në pyllin e ëndrave dhe dëshirave, prerë nga sëpata e vdekjes Veçse këto trungje nuk janë hedhur dhe lënë dosido shpateve. Me to janë ndërtuar shtëpizat e vogëla të poezive, tek të cilat  hyn me ndroje fillimisht, por më pas  dëshiron të qëndrosh sa më gjatë apo  të rikthehesh  sa më shpesh. Sepse brenda tyre, ndjen një ngrohtësi njerëzore. Aty, dhe era që fryn nëpër hapësirat mes trungjeve, të duket se fryn si një melodi, e cila gjithsesi të bën të lotosh në heshtje….Ike/ nga dëshira/ me jetue/Por/të gjallët/si lë ende të qetë/Trimat nuk vajtohen/Dritë paç në mbretërinë tënde/të humbur…(o bir!)
9-Poetit i rëndonte pesha e dhimbjes e të birit dhe popullit të tij ( e pra, ai ishte një ndër qindramijra prindër të lënduar) dhe nga shpirti i tij, nën trysninë e dhimbjes, buruan vargje poetike të diamantëta, për nga vlera. …Unë mbyllem në dhimbje?E klith në ëndër?Dëgjon vogëlush?
...Ka qënë e madhe pesha e dhimbjes mbi shpirtin e poetit që prodhoi këto mrekulli poetike,. …Unë nuk qaj/shi bie vogëlushi im/shkundet plepi I shtëpisë/….Unë nuk luaj vendit/muret lëvizin sendet vogëlushi im/vjeshtë e keqe mori/…Re e zezë shtëpinë tonë mbështoll…
…Po miq, ka qënë vërtet e madhe pesha e dhimbjes mbi shpirtin e poetit, pesha e të cilës   krijoi këto poezi, ashtu si pesha e madhe e tokës, krijon diamantët.
…Nga udhëtimi i tmershëm/Ktheve i ditë syzgurdulluar/ Në poezinë e babit hyre pa trokitur/Je më i sigurtë aty Lumi/Për besë nuk të gjen/Një e zezë…
10-Mbi tavolinë/fletë e bardhë.Aty do shkruar/Lum Podrimja vdiq më 29 shtator 1982/ Por unë nuk mund ta nënshkruaj vdekjen tënde…
Sepse vërtet, cili prind do ta nënshkruante  vdekjen e të birit? Në vënd të këtij nënshkrimi, poeti mori dhimbjen e tij dhe gdhëndi në të portretin e jetës. Ishte një punë titanësh, më e vështirë se të gdhëndje në male portrete presidentësh. Dhe vështirësia qëndronte në faktin se, ky mal dhimbjeje e kishte zënë poetin ndënë vehte. Ja kishte mpirë duar e këmbë, shqisa e ndjenja. E megjithatë ai vijonte  çdo moment të gdhendtte jetën. Rokullishte shkëmbinj të panevojshëm kujtimesh të djeshme e shpresash të kota, të cilat gjithsesi i binin mbi trup e shpirt, gdhëndtte e latonte  shkëmbinjt e stralltë të fjalës dhe… …Mbi plagën timë çel ëndra… dhe rritet poezia. Faleminderit Lumi/Desh më turpëroi/Hija e vdekjes.
11-Lotët nuk i fshehu dot  poeti, pa ç’ka se të birit i thoshte që…binte shi.
Por ato lot nuk riguan të vetëm, mbi një tokë të tharë nga vapa, për tu përpirë menjëherë prej saj. Lotët e prindit u bashkuan me lotët e kombit të tij dhe më tejë, me lotë kombesh në vuajtje a robëri, duke u shndruar në një det plot tallaze. Mbi këtë det lotësh u çfaq Ali Podrimja. Dhe ashtu si Krishti që,  për tu hequr frikën dishepujve të tmeruar nga furtuna dhe dallgët, zbriti nga varka  dhe eci mbi det, duke fashitur tallazet, ashtu dhe Ali Podrimja eci mbi këtë det lotësh, pash më pash, duke mbajtur lart, jo ungjillin, por Lum Lumin. Dhe ku kalonte ai, tallazet fashiteshin, sepse ai ishte shndruar ndërkohë në një profet, jo vetëm poetik. Pas tij, eci nën një shteg të sigurtë një armatë poetësh shqiptarë. Sepse tallazet i kishte fashitur Ali Podrimja, sepse malin e dhimbjes (edhe kur të zë ndënë vete), e kishte gdhendur në  monument të jetës së pari Ali Podrimja.
12-Prandaj poetëve të kalibrit të Ali Podrimes, ndonëse ata vetë ikin me ndjenjën e një borxhi, qoftë edhe  ndaj ajrit , ndjenjë kjo e destinuar vetëm për shpirtërat e mëdhenj e fisnikë, në fakt është Atdheu dhe Kombi që ka mbetur borxh tek ata. Ky është fati i viganëve. Atdheu dhe Kombi do mburen gjithmon me atë, sepse Ai e dha çdo gjë për Atdheun dhe Kombin, madje e dha  bukur. Biles edhe ulërimën e dhimbjes së tij, ai e dha  në formën e një simfonie jete. Ai u ngrit mbi malin e dhimbjes që e kishte zënë ndënë vete dhe u shndrua vetë në një nga dy majat më të larta të poezisë moderne shqiptare, bashkë me Fatos Arapin. E kush tjetër ka dhënë sa e si ai.
Tani e ka rradhën Atdheu dhe Kombi ti “shlyejë borxhin” Ali Podrimes, atë borxh, që ai, në fakt as që e ka menduar ndonjëherë dhe që nuk do pranonte ta njihte.
13-As unë nuk ja kam shlyer borxhin Ali Podrimes. Nuk ja shleva dot në takimin tonë të parë në Tetovë, në 2007, as në Sarandë, në 2012. Dhe nuk pretendoj se me këtë shkrim shlyej qoftë edhe një pjesë të vogël të  këtij borxhi.
Me këtë shkrim, unë vetëm sa deklaroj që e njoh borxhin tim ndaj Ali Podrimes.