Friday, 15 August 2014

"Madheria e saj: Kenga iso-polifonike"



“Madhëria e saj: kënga iso-polifonike”

“Asnjë atdhe nuk mund të
ekzistojë pa poezinë e popullit.
Poezia nuk është asgjë më tepër
se   kristali në të cilin mund të
pasqyrojë  veten një komb, ajo
është   burimi që nxjer në
sipërfaqe  origjinalitetin e vërtetë
në shpirtin e   popullit”
J.Lunqvist Gelser.

Nga Fitim Çaushi

Sentenca e Fredeik Shlegelit se “sa më të vjetra e më të pastra të jenë  rrënjët, aq më të pastra janë  doket e zakonet e tij dhe sa më të vjetra  zakonet  e doket, aq më të mëdha janë rrënjët në to, aq më i madh është kombi”, duket se e ka nxitur  poetin Timo Mërkuri të meret me traditën  kulturore  të popullit,  tradita të cilat shtrirë  në një hapërsirë gjeografike  mbarëbotërore, janë quajtur  thesare të krejt qytetërimit njerëzor.
Pas hulumtimit  të suksesshëm shumvjeçar nëpër nektarin e shpirtit popullor,  në fshatin e lindjes,    botuar në tre vëllime të veçanta, Timo Mërkuri  si për të na bindur se ka mbetur një cop stëralli i vëndlindjes së tij boton librin “Madhëria e saj Kënga – isopolifonike” . Nëpër faqet e librit  ndjehet se autori është i rrobëruar  prej këngës polifonike  dhe në shënjë nderimi të thellë për të dhe ata krijues  popullorë, që i shpëtuan anonimatit, ai ngre për ta një përmendore artistike.
Nisur nga dukuri, ngjarje reale e gojdhana, autori thekson solemintetin e këngës popullore, autoritetin e madh që ka patur ajo në jetën e shqiptarit si mjeti magjik, që ka vendosur ekuilibrin shpirtëror të shqiptarit nëpër historinë e tij të ngarkuar me tension, sakrificë dhe qëndresë. Ky solemitet i kthyer në traditë shumëshekullore, e ka origjinën e vet në rrugëtimin historik  të vet këngës, fjala poetike e së cilës me kohë mori një rol magjik, sepse poezia orale ka një substancë të vetën, e cila përbën origjinalitetin  historik të popullit  sikundër e ka gatuar shpirti estetik i tij.
Një mirënjohje të thellë autori ndjen për bartësit e kësaj kënge, veçanërisht për bilbilin e këngës himarjote Neço Mukën, i cili jo vetëm  ka meritën, së  bashku me Xhevat Avdalloin, të na  lerë të regjistruara të parat  këngë polifonike, por falë talentit të tij edhe evoluimin e mëtejshëm artistik të zërit të tretë,  hedhësit, në strukturën muzikore të polifonisë.
Këngët zakonore që krijohen dhe interpretohen  brënda familjes, të quajtura edhe biblioteka e oralitetit, në letërsinë gojore shqiptare kanë qënë jo vetëm të shumta, por edhe plot figuracion artistik. Ndonse jo i kësaj fushe, autori guxon të hedhë teza  dhe të parashtrojë ide e koncepte të panjohura  më parë në literaturën folkloristike, sikundër janë  formimi i elementeve strukturorë  të shumzërëshit polifonik, pikërisht nga këto këngë, pra nga ceremoniali i këngëve mortore, si njëri nga ritet më të lashta të njerëzimit.
Autori  pohon  se  kjo srukturë  është rezultatante e atyre fenomeneve muzikore  dyzërëshe, të lindura qysh në periudhat e herëshme të heterofonisë duke vepruar në kristalizimin e zërit të tretë, -hedhësit-individualiteti i të cilit çfaqet pikërisht me tërë madhaqshtine e tij në këngën himarjote. Ai duket se është i sigurt në tezën e tij, duke  e thelluar abstragimin   edhe për vallen e burrave  si produkt i po këtij ceremoniali mortor. Përqasja që i bën autori këtij procesi disa shekullor edhe me  rite e doke nga pjesa veriore e vëndit, është jo vetëm shkallë serjoziteti i kësaj eseje, por dhe një element i unitetit shpirtëror  dhe etnokulturor mbarëkombëtar. Duke u çliruar nga refrenet dhe elementet e tjera elegjiakë, sikundër kanë theksuar studjues të ndryshëm, këngët e vajtimit janë kthyer në këngë elegjiake, e mandej në këngë të epikës historike. Ndonse wshtw e pabesueshme por nga kjo magmë artistike kanë dale edhe  këngë dasme dhe këngë lirike, për vet funksionin e tyre artistik.
Një meritë tjetër e veçantë,  e autorit të librit, Timo Mërkurit,  është se për herë të parë  ai na bën të njohur  rapsodin e këngëve për Kryetarin e parë të Qeverisë Shqiptare, Plakun e Vlorës Ismail Qemalin. Duke e përshëndetur këtë hulumtim serjoz, çka do të ishte një zbulim edhe për etnofolkloristikën shqiptare, ne shprehim rezervën se jo të gjitha këngët e prezantuara prej aurotit janë të rapsodit Kostë Gërdhuqi nga Piluri. Mundet që ndonjë prej tyre të jetë prej rapsodëve të tjerë që kanë mbetur anonim. Gjithsesi  ky pretendim i autorit ka nevojë për hulumtime më të thelluara duke përdorur metodën krahasuese me fondin e këngëve të kënduara edhe nga fshatra të tjera.
Ështe jo vetëm e diskutueshme, por edhe e dyshimtë autorësia e këngës “Shqipe katër Vilajete”,  pasi kënga i përket periudhës së Lidhjes së Prizerenit të vitit 1878, kur shtetet fqinje, pas traktatit të Shën Stefanit, u bindën se e ”sëmura e Bosforit”, perandoria otomane, kishte marrë tatëpjetën dhe u vërsulën pranë fuqive të mëdha për ta coptuar Shqipërinë. Në këtë kohë nuk kishte linduar akoma  rapsodi në fjalë. Nuk mjafton vetëm pathosi patriotik, por duhen hulumtime serjoze, pasi qarkullimi i dëndur folklorik që ka patur kjo kategori këngësh, pikërisht për përmasat kombëtare të tyre, ato kane fituar me kohë  anonimatin  dhe është shumë e vështirë t’u gjendet autorësia.
Mendojmë se mbetet e diskutueshme  edhe teza tjetër e autorit për gjenezën e valleve lirike dhe humoristike   prej valles së rëndë të burrave. Ne mendojmë se edhe këto valle e kanë origjinën e tyre po prej asaj magme artistike, sikundër ishte ceremoniali i vajtimit, brënda të cilit poetika popullore dhe shpirti estetik i këtij populli,  krijonte  një larmi të pafundme formash dhe brendish artistike me lëvizje arkaike. Theksojmë se këtë tezë mund ta vërtetojnë  shkencërisht vetëm etnokoreologët dhe etnomuzikologët. Por me tezat e tij autori e bën edhe më interesat librin, e bën atë tërheqës dhe një objekt ku nxitet debati shkencor.
Preokupimi i poetit Timo Mërkuri  për këngën popullore dhe veçanërisht për etnogjenezën e saj, pas vlerësimit  prej UNESKO-s, është një shqetësim qytetar,  shqetësim i  një intelektuali të kompletuar, që nuk mund të hesht para firove që po bën tradita jonë folklorike në kushtet e reja ekonomkiko-shoqërore. Me librin e tij studimor ai bën apel që kjo traditë të vlerësohet, sikundër e kanë vlerësuar organizmat ndërkombëtare, si “Vlerë e Trashëgimisë Shpirtërore, që bën pjesë në KRYEVEPRAT e Trashëgimisë Orale të Njerëzimit”, përkrah  Sambos në Brazil, Teatrit  “Kaoboki” Japoni, etj.
Në studimin “Madhëria e saj Kënga-isopolifonike”, Timo Mërkuri na sjell jo vetëm një informacion  interesant për etnokulturën tonë, por na dhuron edhe një kënaqësi estetike. Libri përshkohet nga një ndjenjë poetike plot frymëzim, si dhe një stil i veçantë plot elemente humori.

Wednesday, 6 August 2014

Pershendetje ne promovimin e librit "Thesari" te Vasil Gjivoglit



Përshëndetje në promovimin e librit “Thesari” të Vasil Gjivoglit

Nga Timo Mërkuri

Leximi i librit “Thesari” i Vasil Gjivoglit, një libër me rrëfenja plot humor e urtësi nga vendlindja e tij , Piqerasi, i ngjan gërmimeve arkeologjike mbi rrënojat e  një qytetërimi antik. Të duket se diku zbulohet një  fragment kështjelle, pak më tejë një  statujë burrështeti a ushtaraku, ja një bazoreliev nimfash e pak më tejë një mozaik pelikanësh, dëshmi këto të një qytetërimi të avancuar, në raport me vendbaniet e tjera. Të duket se, duke çfletuar faqet e librit, po heq  prej tyre dheun  e haresës hedhur  nga koha e modernitetit.
Dhe duke menduar mbi këto rrëfenja, me atë buzëqeshjen  që të çel në fytyrë gjatë leximit, shikon se nuk ke “gërmuar” diku në periferi të  “qytetit”, por bash mu në qëndër të tij. Aty te rrapi i fshatit, ku ishte ngritur “Akademia” , aty ku të rinjtë  mbrujteshin me dijet e kohës, për tu paraprirë  furtunave të jetës me dije e urtësi.
Aty, te rrapi i fshatit, ku mblidheshin burrat e pleqtë e bisedonin për probleme të përditëshme, që nga rradha e vijës së ujit e deri te radha e “punëve të perëndisë”.
Aty qe akademia e edukimit të brezave të tërrë. Aty të rinjtë njiheshin me dijet e përvojës jetësore, me rrugëzgjidhjet e konflikteve dhe kurtheve që jeta  u sillte përpara. Aty edukoheshin me  finesën e fjalës, të mendimit dhe të veprimit.
Aty mësohej që humori ishte ura e ngritur mbi  lumin e provokimeve, ishte shkalla që të lartësonte nëpër bedenat e kalave, ishte kali që të çonte me galop tek e nesërmia.
Fakti që shumë situata provokuese zgjidheshin me humor e jo me kobure apo shpata, tregon shkallën e lartë të  qytetarisë dhe  civilizimit të debatuesve. Pa çka se autorët dhe aktorët qenë fshatarë të thjeshtë, barinj e bujq që rropateshin gjithë ditën për të nxjerrë bukën e gojës. Dhe “profesorët” po barinj e bujq ishin, por vetëm se kishin shumë…thinja e rrudha  në kokë e në ballë.
Fshatrat tona kishin më shumë qytetari se çkanë sot disa …qytetarë. Kishin më shumë diplomaci se disa dipllomatë të sotëm. Dhe qysh dje shikonin më larg se e sotmja jonë, shikonin tek e nesërmja që do vijë dhe për ne.
Fakti që ky humor vjen i gjallë dhe sot tek ne dhe madje na bën të buzëqeshim e të mendojmë mbi të, dëshmon vitalitetin  e tij, vlerën e tij të patjetërsueshme, më të çmuar se çdo pasuri. Sepse përvoja jetësore, mënçuria dhe humori popullor, mësuar në “akademinë e popullit” janë në vetvete një thesar, zbulimi dhe përdorimi me “nikoqirllëk” i tij do bëjë të “pasur” çdo  brez njerëzor, çdo vend e komb.
Këtë  thesar ka zbuluar  Vasil Gjivogli  në Piqeras, thesar të cilin ai nuk e fsheh nëpër sënduqet e shtëpisë së tij, por  na e vë  në dispozicion, qëndisur nëpër faqet e librit “Thesari”.


Sarandë, më 26.7.2014

"Vesa mbi kenge" qe bulezon nga Joni arfolklor



“Vesa mbi këngë” që bulëzon nga Joni artfolklor
Fatmir Terziu


 Në një sprovë të hershme të Timo Mërkurit fjalia që të bie në sy është e thjeshtë, por shumë kuptimplote: “në shtëpinë tonë, ku shumë gjëra mungonin, vetëm kënga s’ka munguar ndonjëherë...”. Kjo fjali ndodhet edhe në kopertinën e pasme të librit rreth dyqind faqe “Vesa mbi këngë” (sprovë) (2009). Kjo fjali të shpie larg në vite dhe udhëtimi kapërcen gjeografitë. Duke trajtuar motive me karakter të përgjithshëm, siç janë dashuria midis burrit dhe gruas, motrës dhe vëllait, zakoni i vajtimit etj., natyrisht rrethi i kapjes dorë pas dore, me nënën në krye tërheq fëmijët në këngë e valle kur ‘buka në sofër sikur shtohej para e pas këngëve e valleve’ dhe kjo për autorin është një enigmë ‘nuk e di pse këtë metodë të shtimit të bukës e ka shpikur e para nëna ime’. Autori e nis me një meditim. Meditimi fluturon nga kujtesa ‘si një zog i trembur që brof nga një kaçube’ kjo është melodi për të. dhe sakaq sjell ndërmend këngën, fëmijërinë, arsyen, logjikën, perceptimin, kohën, hapësirën dhe vendin. E gjitha të tërheq ndjeshëm dhe përhumbesh teksa sheh se folklori dhe folkloristika shqiptare ende janë dyer hapur dhe dritare çelur. Këtë e di mirë Timo Mërkuri, autori i mirrënjohur i mjaft sprovave, studimeve, poezive dhe krijimeve të ndryshme. Dhe në arsyen e tij vjen ngadalë përqasja dhe ambienti, ulja dhe ngritja e gjërave që sfumohen tek ‘karrigja’ të cilën e mësoi në shkollë, në kohën kur duhej të ftillohej më tej tek melodia e jetës.
Kjo memorje melodike e sjell formën rrethore, unitetin shqiptar të trashëgimisë, në formën e tij më të mirë folkloristike. Është pikërisht “Më zu vesa në lëndinë”,  melodia e së cilës e transferon në formë rrethi lidhjen e saj idiomatike, tipologjike të Jonit dhe trevës së tij. Gjithnjë në formë rrethi, citon autori, duke mos harruar të shtjellojë ndjeshëm edhe rrethnajën e qytetit dhe fshatit, ku trëndelina dhe trëndafilat e karafilat kanë dhe një arsye tjetër, përtej “bandillit” dhe vajzat kryesojnë memorjen tej ku trëndafilin e këput Sofika, apo Bajamja, të gjitha rrethime të vogla memorjesh që shtjelloheshin edhe tek ‘gjynah e shkreta’ apo dhe me ‘kabull’, ‘trëndafili i mirë është’ dhe natyrisht me shumë shpoti kur ‘do the Muçua kafe!”. Dhe kjo këngë nuk ishte ‘këngë e fitoreve të socializmit dhe të Partisë’, ishte këngë shekullore. Aq e vjetër ndoshta sa dhe arti dhe arsyeja e kërkimeve folklorike, që nisën hershëm e u ndjenë nga të parët tanë, Arbëreshët. Ata kontribuan shumë me memorjet e tyre, me botimet e tyre folklorike arbëreshe.
Pas botimeve folklorike arbëreshe, të cilat nuk mund të luanin rolin e domosdoshëm në territorin shqiptar, emri i Thimo Mitkos (1820-1890) arriti të bëhej më efikas me rreth 490 proverbat, 80 gjëzat, 359 këngët, 942 fjalët që përbënin thelbin e “Bleta Shqiptare” (1878). Ai është ndër të parët që përpiqet t’u japë materialeve një paraqitje shkencore, të grumbulluara sipas gjinisë, tematikës, kronologjisë së fakteve historike etj.  Kështu 136 vjet më parë kërkimet folklorike të Mitkos, që u bënë edhe në Shqipëri, po aq edhe pjesa e materialeve që mblodhi në emigracion, në kolonitë shqiptare të Egjyptit, sollën merita të dyfishta, duke qenë së pari zbuluese të vetive dhe vyrtyteve të popullit shqiptar, dhe duke dhënë apriori dashurinë për popullin  e tij. Revistat e ndryshme “Flamuri i Arbërit” (1883-1887); “Albania” (1897-1909); “Shpënesa e Shqipnisë” (1906-1908); “Pellazgu” (1907); “Diturija” (1909) si dhe botimet “Valët e detit” (1908) i Spiro Dines dhe “Këngë popullore gegënishte” (1911) më pas kërkimet folklorike në vitet 1913-1939, mbledhja e folklorit shqiptar nga të huajt, ku spikasin ato këngë të mbledhura në rethin e Pejës, në vitin 1830 nga folkloristi i shquar Vuk Stafanoviç Karaxhiç të cilat i botoi më vonë në vitin 1921 linguisti Norbert Jokl (Vuks albanische Liedersammlung), ato të mjekut C.H.Th. Reinhold që mblodhi dhe botoi në vitin 1855 këngë e distikë nga arvanitët e Greqisë të ishujve Hidra, Specia etj., në vëllimin “Net pelazgjike”, ato përralla e këngë të mbledhura nga krahina e Përmetit të konsullit francez Ogust Dozo tek “Manual i gjuhës shqipe” (1879), ato anekdota të grumbulluara nga Shkodra të Jan Urban Jarniku (1883), janë 12 përrallat e mbledhura në Mursi të Sarandës dhe të botuara në “Tekste shqipe me fjalor” (1895) nga gjuhëtari danez H.P. Pedersen (Albanesische Texte mit Glosar) të cilin e ka ndihmuar gjerësisht Panajot Meksi nga Labova (Gjirokastër) e deri tek albanalogu gjerman G. Mejer që botoi në vitet 1896-1897 në vëllimin V dhe VI të “Studimeve shqiptare” këngë të epikës historike, proverba të mbledhura në Mirditë dhe në krahina të tjera të Veriut, si dhe disa anekdota, po më shumë fabula ezopike në të folme të arvanitëve të Greqisë. Mos të harrojmë se me interes janë edhe 2 këngë e 6 përralla që botoi nga Krushova e Përlepit folkloristi bullgar K.A. Shapkarev (1892) (Spornik ot bëllgarski narodni umotvorenia Cast ftora, 1892). Të tjerë si G. Pitre, Cartelli, P. Furiqis, M. Lambertz, F. Pouqueville, P.A.de Guys, Ibrahim Mansur etj., kanë kontributin  etyre, ndërsa Pukëvilli flet për vallen “Hajduce” duke na përshkruar pak a shumë qartë mënyrën e ekzekutimit, Bajroni në vitin 1809 flet për vallen në fjalë dhe për këngën polifonike. Ibrahim Mansur Efendi na thotë se shqiptarët bëjnë një vegël popullore kordeofone me kasetë prej kungulli me një, dy a tri tela, që ka të bëjë ndoshta me lahutën, çiftelinë, bakllamanë apo buzukun (1783: 21-23).
Këto janë vetëm të dhëna pa ndalesë studimore, duke mos harruar Gjon Kujxhinë me “Valle Kombëtare” (1943); Pjetër Dungun me “Lyra shqiptare” (1940) dhe punën e madhe në vitet 1949-1975 të Institutit të Folklorit që pasuroi arkivin dhe që shfrytëzoi edhe punën e madhe të papaguar të bashkëpunëtorëve të jashtëm duke sjellë vëllime dhe botime të shumta që u pasuruan dhe me botimet në Kosovë rreth viteve 1950-të.
Timo Mërkuri është larg kësaj periudhe, por e afron dhe e fut atë në rrethin e memorjes kulturore, duke na ritakuar me rrethin e tij të valles e këngës, pra në atë rreth ku nëna sillej mes arsyes dhe logjikës, ku teknika e të kënduarit në valle vajzash, natyrisht për syrin e nje djaloshi, do të sillej si jo thjesht dëshmi vjetërsie. Ose më saktë siç thotë vetë autori ‘ndoshta është krijuar shumë më herët sesa koha kur Tatjana e ndrojtur i shkruante Onjeginit: “Po marr guximin që t’ju shkruaj,/ç’do dehsët më veç shpirtit tim...” Mjafton të lexosh këtë roman në vargje të njohësh pse e sjell Timoja, madhështinë e Pushkinit dhe pse ‘për Tatianën ai që në fillim e ka frenuar entuziasmin, se si i duket kjo Tatianë e famshme e kënduar, e vallëzuar, e filmuar nëpër skenat e famshme Europiane, para asaj vajzës së vogël shqiptare, që me krenari i shpall botës dashurinë e saj dhe nuk tutet të mbledhë lule për bandillin e t’ia çojë atij aty ku është, në stan a në arë.  Kjo flet qartë se nëse janë 12 përrallat e mbledhura në Mursi të Sarandës dhe të botuara në “Tekste shqipe me fjalor” (1895) nga gjuhëtari danez H.P. Pedersen (Albanesische Texte mit Glosar) të cilin e ka ndihmuar gjerësisht Panajot Meksi nga Labova (Gjirokastër), sot në këtë sprovë të Timo Mërkurit shohim arsyen më të gjerë të një libri që mund të ndihmojë të gjithë, shkencëtarë, studiues, pedagogë, studentë dhe të interesuar.
Vesa mbi këngë” (sprovë) (2009) e Timo Mërkurit nuk është thjesht vesë, por një kujtesë dhe një memorje kulturore që sjellin “I ziu Shaqo Bolenë”-n; “Vasillua”-n; “Pilua shau Enverin”; “Ç’pate ti?; “Pas intervistës”; “Hajdutët e Pilurit”; “Në bedena të vajtimit”; “Dhe një herë për vajtoret”; “Neço Muko dhe sopranot”; “Mbeçë more shokë, mbeçë te...isoja”; “Edhe unë e zura... një mike suliote”; “Fyelli i Tanës”dhe “Refreni”. Pra nuk është vesë, por ka vesë të freskët joniane të ushqyer nga Bregu e nga Piluri, ka melosin e bukur të trajtuar e të tejçuar ne aspekte tërheqëse e pozitive. Identiteti kulturor i mbrusur nga memorja kulturore na sjellin këtë vesë mbi këngë dhe me një arsye më shumë në këndin trashëgimtar shqiptar. Kjo është “Vesa mbi këngë” që bulëzon mbi kënde diamanti të kristalizuara e të ushqyera nga shekujt e kujtesës, memorjes kulturore dhe artit popullor të mbrujtur në sepeta të sedefta të cilat kanë fatin që janë lindur, ushqyer e rritur në pavdekësi nga Joni artfolklor i Jugut shqiptar. Dhe melodia ashtu si në rethin e valles e të këngës së ushqyer nga nëna e Mërkurit, vazhdon të jehojë e të bëhet vazhdimisht Mërkuri i çmuar edhe këtë radhë, po aq sa edhe tek “Shenjtëria e Isos”...

Thursday, 10 July 2014

Refleksione shpirtërore



Refleksione shpirtërore

Shënime  momenti gjatë leximit të librit
 “Refleksione lirike” të Zejnepe A. Rexhepi

Nga Timo Mërkuri

1-Duke  çfletuar faqet e librit “Refleksione lirike” të Zejnepe A Rexhepi, ndjej që  prej shkrimeve  buron një fllad i ngrohtë  aromë shumë, që  të bën  të mos  largohesh nga libri, pavarësisht nga ora e vonët e natës. Mendimi i çastit se, ky është thjeshtë një iluzion, që do të  largohet e do fashitet si mjegulla në dritën e diellit, në faqen tjetër a në shkrimin tjetër, rezulton se është thjeshtë një …iluzion.
Më shumë ngrohtësi  gjen përpara, më  shumë dashamirësi.
2-Thua se po hyn në një trëndafilishte ku  petalet të ftojnë me  buzëqeshjen e tyre për të të …dehur me aromë.
Dhe aty, nuk mendon  për të këputur një trëndafil, për ta marë me vete që tja dhurosh dikujt, duke shprehur e shpresuar ëndrën më fisnike të jetës.
Çuditërisht, këputja e një trëndafili në  trëndafilishte ,  akt i dëshirueshëm dhe i mirëkuptuar kudo e nga kushdo, këtu të duket sakrilegj. Në trëndafilishte nuk këputet  trëndafili, aty admirohet, shijohet dhe jetohet bota e trëndafiltë. Aty jetohet si zot. Dhë në rast se këmbngul të “rikthehesh”  në tokë,  më e shumta që mund të bësh është që të krahasosh se cili trëndafil i ka petalet më të bukura , më të gjëra  apo më aromëshumë.
3-Një trëndafilishte më duket  ky libër i Zejnepe A Rexhepi, pavarësisht nga stili akademik i të shkruarit. Kapitujt e emërtuar akademikisht më duken thjeshtë …gjëmba trëndafili..që assesi nuk e pengojnë aromën e këndëshme dhe të ngrohtë. Referencat dhe citatet janë thjeshtë…gjethe trëndafili. Po ti shmangësh pakëz, sheh petalet e gonxhet e porsaçelura, që të mehin frymën e të ndalin hapin. Dhe të lind dëshira ti shohësh e ti njohësh të  gjith(ë)a, ti  përkëdhelësh me dhimshuri.
4-Te ky libër të lind dëshira ti njohësh të gjithë autorët për të cilët  shkruan studiuesja, ti lexosh gjithë krijimet e tyrë, se me siguri do jenë aqë të  bukur(a) sa ç’i përshkruan  Zejnepe A Rexhepi. Me siguri të tërë do kenë … pranverë…në krijimet e tyre. Të tërë do reflektojnë ngrohtësi e dashuri, së paku, si në shkrimet e studiueses Zejnepe A Rexhepi për ata dhe veprat e tyre, përmbledhur te libri që mbaj në duar.
5-Pikërisht në këtë moment mu kujtua një koment i poetes Albina Idrizi për një rast analog, ku shkruante…Kam menduar se ishte dhunti e disa njerëzve të shihnin, të nxirnin e të vinin në pah më të mirën tek tjetri. Më von u binda se mrekullia, se e mira qëndronte tek ata vetë dhe ishte gjuha e saj që fliste nga brendia e tyre dhe ajo vetëm sa përshkruan reflektimin e vetë aty ku gjen ngjashmërinë…
6-Pikërisht në këtë moment kuptova se…kjo trëndafilishte ishte në shpirtin e Zejnepe A Rexhepit, dhe nëpërmjet saj ajo sheh dhe flet për gjithë autorët e tjerë. Ngrohtësinë e saj shpirtërore, ajo e shpërndan te të gjithë autorët për të cilët flet, duke pranveruar  profilin e tyre krijues dhe të veprës së tyre, në sytë e lexuesit të saj.
Ende pa i lexuar librat e tyre, unë po krijoj në vetëdijen time një portret për secilin, të parë me sytë e  autores, portret i cili më ngjall një “zili”, se qënkan vërtet të bukur.

Tuesday, 24 June 2014

Pranvera poetike e Drita Lushit



Pranvera poetike e Drita Lushit….
Përsiatje  mbi vëllimin poetik “Flirt” të Drita Lushit

Nga Timo Mërkuri

1-Pranvera nuk është stinë/…Është frymë dhe shpirt/..Është dashuri dhe drithërimë/ /…Mirëuputhshim në pranverë… shkruan poetja në poezinë “Pranverë” duke i dhënë një dimension të ri kësaj stine. Duke  poetizuar  edhe thelbin e dëshirimit njerëzor në këtë stine me vargun aqë të bukur…Mirëuputhshim në pranverë…, një urimvarg  që mbart në vetvete një pranverë të përjetëshme, për nga ëndërimet që zgjon e rrit te çdo lexues. Dhe sikur të mos mjaftonte ky varg, te poezia  “Afër” poetja të  tregon se…Në do të më prekësh/veç dorën zgjat/ Afër/Një puthje larg teje jam/…Pas urimit të ri “mirëuputhshim”, ja ku na vjen edhe një njësi e re matëse “puthja”, një puthje, dy puthje, a thua se   tregon një metër, dy metra. Dhe buzëqesh duke lexuar këto vargje, buzëqeshje që    lodron në fytyrë gjatë gjithë leximit të librit.
Poetja e  e konkretizon këtë  adresë (një puthje larg) me vargjet…Adresat e mia janë të pakta, gjënden lehtë/aqë sa, dhe symbyllur mund të vish drejt meje, mund të më gjesh…
për të vazhduar te  poezia “Prill” ku poetja  shpërthen në trillet e stinësdashurisë…Më puthin dhjetra ylberë/rrjedh në qindra ujvara/e në mijra burime veç lumturi pi/yjet në qiell më llastojnë/ e dielli më përkund/ në djepin e tij…
E ne s’na ngelet gjë tjetër veçse ti themi me ëmbëlsi e zili…lum si ti…
2-Poetja na rrëfen me ciltësi se, ka disa çaste që…poetët kanë nevojë të rrëfehen /…Ndërtojnë bukur ca vargje/ E lindin ca poezi/Që duken ndonjëherë si mëkate…
Këto  çaste mëkatare, këto “mëkate” a trille poetike, a më saktë shpërthime pranverore janë në çdo faqe të vëllimit poetik “Flirt” si tituj poezie a vargje nëpër poezi.
Aty edhe dita ka 24 (trëndafil)orë…,( me siguri do jenë nja dy-tri puthje larg) dhe …deti kërkonte të më vishte me blu dallgësh /Marsi të më zbukuronte me frymë lulesh e fjalësh Aty nata prodhon tinguj të rrallë/ e hëna dirigjonte me fytyrë gruaje… E ne, nga lumturia do duhemi dhe më shumë/do duhemi dhe më fort…
Pranvera në shpirt çel lule vargjesh të mrekullueshëm si…S’di në të mban dot zemra ime…/E madhe sa një kometë në qiell/e vogël, sa një grusht pranvere me petale/ Një det i trëndafiltë puthja jote/mbi mua dallgë ngre,sa kjo tokë/ kur larg ti je, karafilë malli mbijnë në botë… duke qënë nga të rrallët poetë që metaforizon aqë bukur puthjen, madje edhe tejë  metaforizimit esenian.
3-Kjo e ka një arsye të thjeshtë: Autorja nuk i  stis vargjet, nuk filozofin për e mbi vargje
Ajo i mer vargjet nga jeta, shpesh e përditëshme. Ajo  zhvendos ngarjet e përditëshme dhe të zakonëshme, siç mund të lëvizësh nga vendi e të zhvendosësh një gur dhe të shohësh se poshtë tij, e strukur, e  ndoshta, e përthyer a gati e zverdhur, ishte filizi i njomë i një dashurie , i një ëndëre. Duhet lëvizur ky gur që të drejtohet e të ritet ai filiz, që të shohësh se është filizi i një luleje shumë të bukur që ke mote që e kërkon. E pse jo, edhe filizi i ndonjë lisdashurie të ëndëruar nëpër vite. Le ta lëvizim një gurgrindjeje çifti, gati të përditëshme… ne/shpinëkthyer/ngujuar në pole... Fjalët na largohen në dimërim/ ..për të parë se…pareshtur mendoj kur stë kam pranë/…të desha dhe prapë të dua…Përditë, përnatë pa ndalur asnjë cast/vetëm ty, ty do të dua prapë… sepse…s’u lodha kurrë nga dashuria jote…

Do mjaftonte vetëm ky varg që të kthente nga rruga e zemërimit çdo burrë inatçi dhe më pas , kur të dëgjonte vargjet… /…E në më zëntë gjumi nga dashuria/me burimin e puthjeve freskomë përsëri…do kursente e sdo harxhonte asnjë minutë të jetës së tij larg dashurisë. Dhë në qofsh larg…nxito në rrugën e ylbertë, e rrend drejt saj, sepse ajo nuk mund të ëcij nëpër heshtje…sepse vetëm ti…me buzëqeshjen e kadifejtë/vesh ditët e saj. Sepse…Të ka gdhëndur fortë/brenda vetes, i dashur/..në zemër/në shpirt/ në çdo ind e qelizë. Dhë skërkon shumë…Tri fjalë/dy sy/një pqrqafim..
Kaq pak pëshpëritje/i duhet një dite/të ndizet/ qysh në lindje…
4-Sa pak (sinqeritet) i duhet poezisë për të qënë e bukur. Si sinqeriteti i Drita Lushit
N’ag/ti/diellin lind/në syrin tim. Në mbrëmje/unë/hënë të bëhem/në ëndër.
100 herë /jemi sharë/s’kemi folur/jemi grinder/ e shpinëkthyer/ikur kemi në pole të kundërt /për të mos u parë/Veç dashuria/ gjeti 100 shtigje/të shkrinte/ male mërish/ e të na vinte sërish përballë… dhe …se ëndrat na deshën na puthën lumturisht/…sit ë ishim të vetmit përmbi dhe…
Me këtë sinqeritet në vargje edhe janari është  muaj pranvere, ku dhe fjalët janë ar.
5-Duhet guxim, edhe guxim poetik që të shkruash këto vargje të sinqerta, të bukura, gati si  të qelqta, që mund të të thyhen në duar. Të pakta janë poetet që guxojnë  të gdhendin vargje të tilla. Të pakta janë poetet që kanë kaqë vërtetësi në poezi.Që guxojnë të thonë se…një grua frymon me zemër/një grua pakëz fëmi… Prandaj dhe poezia e Drita Lushit lexohet me ëndje dhe madje rilexohet  atëherë kur kërkohet një ndihmë për një problem që nuk e  thua dot. Prandaj të bëhen të dashura vargjet e poetes, sepse të ndrijnë si yll i largët në një natë pa hënë. Sepse të pëshpërisin në vesh…duaj,duaj…përsëri..
6- Duhet një dashuri e madhe njerëzore që përtej grindjeve të përditëshme të shohësh dashurinë dhe falë talentit, të ngreshë  urravargjesh  në dy brigjet e  zemërimit, mbi të cilën të kalojë e sigurtë dashuria. …Jemi zënë kaqë shumë të martave ti dhe unë…ose…E premtja ime/ka ngjyrën e buzëve të mallit…
Duhet vërtet një zemër e madhe plot dashsuri për njeriun që të shkruajë vargjet hymn…Një njeri/është një vend një komb/…është paqja mbi glob…
7-Drita Lushi, poetja e vargjeve brilante, e ëndërvargjeve pranverore, poetja e metaforave të guximëshme ka nevojë dhe për një redaktor.