Tuesday, 19 August 2014

Tjetërsimi i thelbit të një problemi…te ritet e vajtimit



Tjetërsimi i thelbit të një problemi…te ritet e vajtimit

Nga Timo Mërkuri

2-E qara me “botë”  dhe vajtimi me ligje,  pjesë e ritualit mortor dhe gjenezë e këngës sonë popullore.
Te libri i tij “Tjetërsimi i Polifonisë Shqiptare” studiuesi F. Çaushi analizon  “gjëmën”, të qarët me “botë” dhe e përjashton atë kategorikisht si gjenezë apo element ndikues në origjinën e këngës sonë popullore iso-polifonike. Këtë e bën duke u bazuar pikërisht te disa karakteristika  anësore të saj, gjëmës, si klithmat, ulërimat me llahtar të vajtoreve në të qarët me “botë”, duke u bazuar në gjestikulacionet arkaike të shkuljes së flokëve, çjerrjes së faqeve të vajtoreve. Madje për këtë i referohet edhe G.V.Hahnit i cili ka asistuar në një gjëmë në Zhapës e Labovë, i cili klithmat e vajtoreve në gjëmë i krahason me ulërimat e ujqërve (sic). Për këtë sjell edhe dëshmitë e Lukianit…fillon kuja dhe të qarat e grave, vajtimet e të rahurat e kraharorit, shkulja e flokëve dhe çjerrja e faqeve… ose citon vargjet dramatike të Eskilit… Godas me grushte fytyrën fortë/shkul flokët, faqet grij me thonj… dhe argumenton se …në asnjërën prej tyre  nuk kemi polifoni, sepse polifonia është krijimtari e ndërgjegjëshme, jo ulërima dhe klithma instiktive…
 Unë mendoj se në lidhje me këtë problem duhen sqaruar disa elementë dhe konkretisht:
                 2.1-E qara me “botë”,  “gjëma” është pjesë e pandarë e ritualit mortor dhe që nuk i përket vetëm historisë antike, por edhe kohëve më moderne. Duke e shkëputur atë, të qarët me botë, gjëmën nga ritualet mortore, nga ceremonitë mortore dhe duke e trajtuar më vete, si një degë të këputur nga një pemë, mund të konkludojmë vetëm që…kjo degë na qënka një shufër me të cilën vetëm sa mund të godasim dikë…
              a-E qara me botë nuk është një ulërimë zëçjerrëse e ngjashme me ulërimën e ujqërve.Ky krahasim mund ti lejohet Hahnit, si i huaj që ishte dhe që nuk i dinte regullat dhe ligjësitë tona zakonore. Ai skishte si ta dinte që e qara me botë, në kohën e konstatimit prej tij, ishte një segment i rituali mortor, madje jo vetëm fillimi i ritualit mortor, ai fillim i natyrshëm  kur provokohet dhimbja me ardhjen e lajmit të mortit apo ardhjen e trupit të viktimës, ardhjen e të afërmve të të ndjerit. Por  ne që i kemi përjetuar edhe në familjet tona apo të afërmit tanë, ne që kemi parë nënat e gjyshet tona të shkulin flokët e të çjerin faqet, të godasin kokën  në muret e shtëpive, ne nuk kemi shumë nevojë për dëshmitë e tipit…shënime udhëtimi… të Hahnit. Ne flasim për dëshmi jete.
Ajo që unë dua të theksoj këtu, është fakti se edhe këto të qara më botë, me ulërima e të çjera faqesh nuk kanë qënë gjeste e veprime individuale. Ka patur një “regullshmëri” kolektiviteti  edhe në  shkuljen e flokëve , çjerrjen e faqeve gjatë të qarit me botë. Ka patur një rregullshmëri edhe  në vajtjen e shtëpisë së mortit të të afërmve e të ndjerit, të cilët e zinin gjëmën, minimalisht 50-100 metra larg shtëpisë së viktimës.
                    b-Unë ju ftoj të lexoni Barletin (dhe “Skënderbeun” e S.Godos) kur shkruan mbi vajtimin e Lekë Dukagjinit në Lezhë. Nuk vajtoi vetëm Lekë Dukagjini, por vajtoi me gjëmë gjithë ushtria shqiptare. Të gjithë  i binin gjoksit, çirnin faqet, klithin vajtimin. Askush nuk guxon të thotë, sipas Hahnit, se …ata klithnin si ujqër…
Ata vajtonin shqiptarisht, me gjëmë, me botë. Dhe hapat që hidhnin drejt shtëpisë ku dergjej trupi i pajetë i kryeprijësit shqiptar, ishin hapa  të rregullt, gati ushtarakë…një hap para, pastaj  përulje e trupit dhe goditje e tokës me pëllëmbë të dorrës, gati me inat. Unë e kam parë vetë një ritual të tillë,  në kohët e sotme.
Unë kam parë burrat e Pilurit kur shkojnë në shtëpinë e viktimës me gjëmë në buzë dhe gratë duke shkulur flokët apo çjerur faqet. Pasi hyjnë në shtëpinë e të ndjerit me sokëllima e ulërima vajtimtare, vetëm pasi mbarojnë vajtimin me gjëmë, përshëndeten me të pranishmit për të vijuar më pas vajtimin me ligje.
                  c-Në internet është hedhur një fotografi e Marubit (nqse nuk gaboj)  e cila tregon një grup burrash malsorë duke bërë gjëmën. Ata janë një grup, të vendosur gati në vijë të drejtë, me gjunjë gjysëm të përkulur duke “klithur“ në të njëjtën kohë. Pozicioni i tyre, gati i njëjtëpërulur dëshmon se edhe “klithma” e tyre është e njëtrajtëshme, si  në korr.
Pra gjëma, e qara me botë, ka qënë një akt kolektiv dhe jo individual. Është tjetër gjë pse një nga pjestarët e grupit e ngrinte zërin një oktavë më lart se të tjerët, gjithmon ose në një moment të caktuar. Kjo nuk e përjashton atë nga kolektiviteti i të qarit më botë.
Edhe Plutarku, te legjenda e Butrintit dëshmon se…vajtimi i nimfave…, kur morën vesh vdekjen e Panit, ishte një akt mortor kolektiv dhe jo individual..
                   2.2-a-E qara me botë nuk ka qënë vetëm …klithmë e ulërimë rënqethëse. Vajtoret shqiptare kanë krijuar perla të ralla  artistike edhe në momentet e të qarrit me botë, mbi trupin e të ndjerit, vetkuptohet kur ata qenë njerëz me vlera të larta individuale dhe shoqërore. Vajtimet e famëshme…Qaj moj Çikë me Gjinikë/ se drëri juaj ka ikë/që  i shtij hasmitë frikë….ose…Qeparoi majë shkëmbi/pataksem si s’lot nga vëndi/iku Sokrat Lekë drëri/ kapedan i këtij vëndi… apo vajtimi mbi trupin e Zerbin Çakallit në Pilur…Ç’u çkul oxhaku në grikë/o Zerbin sofërjeshiltë/po kush do ti presë miqtë/Abdylin dhe Frashërllinjtë…janë dëshmi e pakundërshtueshme të faktit se gjëma, e qara me botë nuk ka qënë thjeshtë …ulërimë me llahtar.
Dikush do më thotë që këto janë të qarë me ligje…
Ndoshta, por nëpër vite  kanë ardhur dëshmitë se këto vaje janë mbajtur mbi trupin e të ndjerëve. Të qarët me botë është bërë kryesisht mbi ose pranë  trupin të të ndjerit, në shtëpinë e tij ose në varreza, në momentin e përcjelljes.. Edhe këto  vargje të sipërpërmëndura janë vajtuar, jo me ëmbëlsi por me forcë e me dhimbje, mbi trupin e të ndjerit.
Afërsia e këtyre vargjeve gjëmë me vajet e ligjeve  do të thotë se…të qarët me botë, me gjëmë ka evoluar në  vajtimin me ligje. Kjo do të thotë se të qarët me botë, me gjëmë ka qënë fillesa e ritualit mortor nëpër kohra, ka qënë  “trungu” i këtij rituali.
                b-E qara me botë dhe e qara me ligje kanë  ndryshim tonaliteti “muzikor”, por  ne nuk flasim se kush do fitojë çmimin në festival. Patjetër që do ketë ndryshim sepse e qara me botë është më e vjetër, më arkaike në krahasim me vajtimin me ligje.
Por ajo që ka rëndësi është fakti se është i njëjti fenomen…vajtim. Ka të njëjtën origjinë, ritet mortore, i kanë aplikuar  i njëjti popull. Fakti që  shpesh në ritualin mortor përzien të qarët me botë dhe vajtimin me ligje tregon lidhjen mes tyre, vazhdimësinë e njëratjetrës dhe nuk flet për ndonjë përjashtim të njera tjetrës.
                c-A ndodhen elementë arkaikë të  të qarit me botë, me gjëmë në këngën tonë popullore?
Po, ndodhen. Hedhësi i këngës himarjote( por edhe pilurjote), ai që me zërin e tij “klithmë”  të mban frymën pezull e të rrënqeth trupin, nuk është gjë tjetër veçse ai “gjëmëtari” që klith në të qarën me botë, në gjëmë.
Dikush mund të thotë se dhe ky zë është marë nga  klithma e të afërmve në vajtimet me ligje. Por duhet të pranojmë se te vajtimet me ligje, kjo klithmë ka ardhur si “atavizmë” e gjëmës, e të qarit me botë. Edhe ky fakt është dëshmi e vijueshmërisë së gjëmës, të qarit më botë dhe vajtimit me ligje.
Neço Muko Himarioti kur krijoi “avazin himarjot”, jo më kot i dha një rol dhe funksion të ri  hedhësit, zërit më arkaik dhe  më jetëgjatë të këngës popullore. Ky zë që kishte jetuar nëpër shekuj kishte forcën vitale ta çonte këngën tonë popullore në kohërat e ardhëshme.
                ç-Pse ka rëndësi pranimi dhe mbrojtja e kësaj teorie të origjinës së këngës sonë popullore, duke patur si fillesë gjëmën, të qarët me botë dhe vijueshmëri të saj, të qarët me ligje.
Jo vetëm që ka rëndësi por është dhe gurthemeli i identitetit shqiptar të këngës iso-polifonike. Kënga jonë popullore, në origjinën e saj, nuk ka lindur si …krijimtari artistike e ndërgjegjëshme…(sic).
Po të pranonim këtë tezë, atëherë duhet të pranonim se kënga jonë është prodhim artistik modern, i ndërgjegjshëm, i kohëve të vonëshme, i kohëve moderne, krahasuar kjo me kohën e lindjes reale të saj. Sepse  veprat artistike të ndërgjegjëshme kanë lindur shumë kohë më von nga koha kur nënat, motrat e  baballarët vajtonin bijtë e vëllezërit e tyre.
                     d-Tragjeditë e Eskilit dhe të autorëve të famshëm antikë grekë janë shkruar shumë më von se të gjëmonin gjëmat dhe ligjërimet e nënave tona. Por Eskili (dhe të tjerët) si artist i madh që ishte, nuk mund të kalonte indifferent para këtyre perlave popullore. Ai i mori ato nga populli im dhe i vuri artistikisht në tragjeditë e tij, duke i bërë ato, tragjeditë, jo vetëm më njerëzore por edhe më jetëgjata. Kori dhe korifeu, vërtet nuk na kanë lënë  muzikën të shkruar në pentagram, por as vajtimet e herëshme të nënave tona nuk janë në pentagram. Ajo që kanë të përbashkët është fakti se kori dhe korifeu janë identikë me grupet e këngëve tona popullore, si nga përbërja ashtu dhe nga funksioni.
Mos vallë duhet të kujotojmë se  shekuj më von, një tjetër kolos i letrave, Shekspiri, do vinte në qëndër të një kryevepre botrore, Hamleti, një legjendë skoceze. Ndërsa Eskili  vuri në skenë artistikisht, jo një legjendë, por një aktualitet të kohës së tij.
Tragjeditë e Eskilit janë …vepra artistike të ndërgjegjëshme.
Gjëma, të qarët me botë dhe vajtimet me ligje janë veprime instiktive njerëzore.
Pse populli im gjëmën, vajtimin me ligje e shndroi në një vepër arti , kjo ështëë meritë e tij . Evidentimi i kësaj vlere, lartësimi i saj bashkë me zbulimin e procesit laboratorik të këtij shndrimi është detyrë e forcave intelektuale të vendit.
Pra, tragjedianët e mëdhenj antikë e kanë marë nga populli ritin mortor dhe ceremonialin e vajtimit me ligje dhe e kanë vënë në veprat e tyre. Nuk ka ndodhur e kundërta.
                 e-Po kështu edhe hymnografia kishtare e ka marë iso-n dhe kolektivitetin e këngës iso-polifonike dhe e ka vendosur në ceremonitë fetare, duke i bërë ato më sublime, më hijerëndë, më imponuese. Jan Kukuzeli i famshëm, autori i hymneve fetare dhe studiuesi i disa metodave të mbajtjes së iso-s  në këto hymne, studim dhe realizim i cili i dha apelativin “shënjt”, e ka patur shumë më të lehtë se studiues të tjerë kishtarë aritjen e suksesit. Si shqiptar që qe, ai njihte këngën tonë popullore, si studiues që ishte ai dinte origjinën e këngës sonë nga vajtimi, si artist që qe ai njihte vlerat artistike të iso-s. Atëherë e përshtati iso-n  shqiptare në hymnet kishtare dhe suksesi ishte i padiskutueshëm. Por ama, ishte ai që e mori iso-n nga kënga popullore dhe nuk e mori populli iso-n nga hymnografia kishtare për ta vendosur në këngë.
                  ë-Nga gjithë këto që thamë më sipër, në asnjë rast  nuk  kemi  identifikuar ritet mortore me këngën popullore, por kemi theksuar përparësinë e  riteve mortore në kohë dhe origjinën e këngës sonë popullore pikërisht nga këto rite mortore. Në qoftë se lidhje e këngës popullore me gjëmën, me të qarët me botë është më pak e dukëshme, por jo e paprezentë,( shiko rastin e hedhësit të këngës himarjote), lidhja e këngës sonë popullore me  vajtimin me ligje është tepër e prekëshme. Gati shumica e vajtimeve me ligje, madje edhe në kohën  e sotme, pasi kanë kaluar nëpër “filtrin e logatjes”, më tejë janë shndruar në këngë popullore, ndërsa nuk njihet ndonjë rast që ndonjë këngë të jetë shndruar në vajtim.
                     f-Por prania e elementëve të gjëmës, të të qarit me botë te ritet mortore, te vajtime me ligje dëshmojnë për lidhjen organike ndërmjet tyre, vazhdimësinë e njëra-tjetrës si gjymtyrë të një trupi. Nqse në mënyrë figurative do pranonim se gjëma është rrënja e pemës së riteve mortore, vajtimi me ligje është trungu i këtyre riteve dhe frutat  janë këngët popullore, unë ju them se frutat e pemës e kanë marë ushqimin nga rrënjët. Por gabimi i mbrojtësve të tezës së përjashtimit të gjëmës, të të qarit me botë nga gjeneza e këngës, ndërsa pranojnë origjinën e këngës nga vajtimi me ligje, është se ata nuk shohin lidhjen organike midis tyre si dy  pjesë organike funksionale të të njëtit rit mortor. Kjo është akoma më e çuditëshme kur ata vetë sjellin fakte të prezencës së të dy pjesëve organike të këtij riti, atë të gjëmës dhe të vajtimit me ligje në të njëjtin rast mortor, në të njëjtën shtëpi, në të njëjtën ditë. Dhe i referohen pikërisht Hahnit, i cili dëshmon… vajtimi ndryshon, tani bëhet me vjersha të cilat i këndon (vajton Shënimi im) një grua ndërsa i përcjell kori i grave të tjera 
                g-Pra janë ato gra,… ulërima e të cilave krahasohej me  ulërimin e ujqërve… , por tani janë shndruar në …poete të vërteta që thurin  ligjërime. Po të kishte patur kohë Hahni, në ndonjë dasëm në atë fshat, do të shikonte se, po ato vajtore, që në fillim lëshonin ulërima …si ujqit…, pastaj vajtonin me vargje brilante , në dasëm do këndonin , në grup apo në valle po ato vargje që vajtuan te shtëpia e mortit. Por Hahni skishte kohë. Nxitonte se ishte i huaj, udhëtar. Por  ne që jemi në vendin tonë, që kemi asistuar nëpër morte, që kemi dëgjuar të qarët më botë, me gjëmë, që kemi dëgjuar vajtimin me ligje, ne i kemi dëgjuar ato vajtime, në një kohë jo shumë të vonëshme, të kënduara nëpër  festa fshati apo familjare. Kujtoni vetëm vitin e trishtë 1997, i cili risolli në  jetën shqiptare gjëmën, të qarët me botë, pastaj të qarët  me ligje dhe brenda një periudhe dy-tre vjeçare këto gjëma, këto vaje i riktheu pranë nesh në  formën e këngëve.
                     Vijon


Monday, 18 August 2014

Tjetërsimi i thelbit të një problemi.



Tjetërsimi i thelbit të një problemi.

Nga Timo Mërkuri

Ka ca kohë që në shtyp është rindezur debati  “polifoni apo iso-polifoni”, origjina e saj nga vajtimi dhe roli i një akademiku në shpalljen e kësaj kënge si kryevepër e njerëzimit, marrë në mbrojtje nga UNESCO. Debati mori një shtrat më të gjërë nga botimi i librit  “Tjetërsimi i polifonisë shqiptare” i   studiuesit Fitim Çaushi, i cili në mënyrë kategorike kundërshton emërtimin iso-polifoni, origjinën e këngës nga  “gjëma”, “e qara me botë”, ndërsa pranon origjinën e saj nga vajtimi dhe  ritet mortore, si dhe anatemon në 140 faqet e librit  akademikun  prof. Vaso Tole  si “ prurës i të keqes” në folkloristikën shqiptare.
Duke qënë se mendimin e mësipërm për   këngën tonë popullore e mbajnë edhe shumë  persona të tjerë, emrat e të cilëve i përmënd në faqet e librit të mësipërm edhe autori, duke qënë se disa herë kam çfaqur mendimin tim në mbrojtje të  emërtimit  iso-polifoni të kësaj kënge, në lidhje me origjinën e saj nga vajtimi dhe ritet mortore, duke vlerësuar si faktor dytësor emrin dhe rolin e akademikut të nderuar prof. Vaso Tole në njohjen e këngës sonë si kryevepër e njerëzimit dhe marjen e saj në mbrojtje nga UNESCO, e quaj më se normale që në debatin e lindur të ndaj me debatuesit mendimin tim, duke i ftuar  me mirësjellje në mirëkuptim. Kjo edhe për faktin se në  anën e mbështetësve të tezave  të pasqyryuara në librin e z Fitim Çaushi bëjnë pjesë edhe personalitete të artit dhe kulturës sonë, të cilët gëzojnë respektin tim.
Dhe mendimin tim do ta përqëndroj pikërisht në  tre probleme dhe konkretisht:
1-Çfarë është kënga jonë popullore( shumëzërëshi), këngë polifonike apo iso-polifonike, për të mbritur më pas te emërtimi i saj si këngë polifonike apo iso-polifonike.. Mendoj se kështu duhet të shtrohet problemi dhe jo të përqëndrohet debate …pse e quajti iso-polifonike prof. Vaso Tole.
Për të aritur në një konkluzion të drejtë le ti referohemi historisë të emrit.
               a-Nëpër shekuj, të parët tanë e kanë quajtur këngën popullore shumëzërëshe me emërtimin popullor…të kënduar vën(d)çe..në kuptimin e këngës së vendit. Deri në ditët tona mund të dëgjosh nëpër fshatra të thella të labërisë shprehjet …hajt tja marrim një vënçe, dhe pas kësaj shprehjen kuptimplote…mbamani djemoo, duke nënkuptuar  mbajtjen e isos nga të pranishmit. Pleqtë e moçëm  të këtyre fshatrave nuk e kanë njohur dhe as e kanë përdorur  emërtimin “polifoni”, por fjalën “iso” e kishin  në majë të buzëve.
                 b-Emërtimi “polifoni” nuk është një emërtim popullor por ështe një emërtim  i vendosur nga intelektualët dhe studiuesit e huaj dhe  shqiptarë rreth viteve 40-50. Mund të gabohem në datën, por sidoqoftë ky emërtim është shumë i ri përballë moshës së këngës sonë popullore. Kënga jonë popullore ka jetuar shekuj me emrin e saj “kënga vën(d)çe” dhe vetëm 70-80 vjet me emrin e pagëzuar “polifoni”.. Pranimi masiv i këtij emri në kohën e “pagëzimit” ka disa arsye, ndër të cilat mund të përmëndim respektin që gëzonin intelektualët në popull, mbështetja institucionale e shtetit monist me organizimin efestivaleve lokale e kombëtare, fakti që ky emër kishte një përdorim ndërkombëtar, fakti që ishte një emër kuptimplote dhe “elegant” për tipin e këngës sonë popullore etj etj. Por ama ky emërtim nuk e zhduku emërtimin popullor…vën(d)çe… dhe ca më pak të kishte ndonjë ndikim te emri “iso”..
                c-Por nuk duhet të harojmë se fjala “polifoni” është një fjalë e huaj dhe kuptimi i saj nuk kufizohet vetëm te kënga  jonë popullore, por ka një shtrirje e përdorim më të gjërë. Fjala “poli-foni” do të thotë  …shumë-zëra duke nënkuptuar  zëra njerëzish  apo zëra muzikore. Pikërisht këtu lind edhe problemi i këtij emërtimi.

       -Duke qënë një emër i huaj, nuk i ri komod si emër këngës sonë popullore, pavarësisht se përkthimi në shqip i saj mbush gjithë konturet e emërtimit në shqip të tipit të këngës sonë popullore, si këngë shumëzërëshe.
       -Me këngë shumëzërëshe, polifonike, janë edhe disa tipe këngësh që s’kanë asgjë të përbashkët me këngën tonë popullore, veç faktit që këndohen nga shumë zëra njerëzore dhe muzikore si ..hymnet, marshet etj..
  Pra, “polifonia”, në kuptimin e shumë zërave të këngës apo të të kënduarit, nuk është karakteristikë vetëm e këngës  popullore. Këtë karakteristikë e paskan edhe  këngët- marsh apo këngët- hymn.
       -Dhe duhet të pranojmë se këtë karakteristikë e kanë këngët-marsh apo këngët-hymn edhe të popujve të tjerë. Mjafton të dëgjoni hymnet kombëtare të shteteve të tjera për tu bindur për këtë fakt.
      -Duke ndjekur  emissionet televizive të tipit “Vende dhe popuj” na ka rastisur të shohim   pjestarëve të  fiseve zezake, të këndojnë së bashku  në gjuhën e tyre, duke vallzuar në formë rrethore.. Kënga e tyre është shumëzërëshe, në kuptimin se këndohej nga shumë  zëra njerëzish me shumë zëra muzikore, pra ajo ishte një këngë “poli-fonike”.
-Edhe fshatarët e rrethinave të Ulan Batorit në këtë formë “polifonike” këndojnë.
     -Në qoftë se do ndjekim grupet folklorike të vendeve të ballkanit, do të konstatojmë edhe te këto grupe praninë e “poli-fonisë”, pra të kënduarit në grup, me shumë zëra  muzikorë.
     -Të sqarojmë  se, në të gjithë shëmbujt e mësipërm të këngëve “polifonike” të popujve të ndryshëm, dallohen nga kënga jonë popullore edhe nga fakti se tek shumëzërëshi nuk funksion sit e kënga jonë popullore , në   rolin e  marësit, hedhësit, pritësit e prerësit, por edhe tek ato këngë janë funksionalë rolet e shumëzërave muzikorë, të ndryshëm nga roli dhe funksionet e zërave të këngës sonë. Por ama, ato zëra egzistojnë dhe janë funksionalë në këngët e atyre popujve. Pra ato këngë janë …poli-fonike
     -Në qoftë se do  mbeteshim detyrimisht te emërtimi “polifoni” për këngën shqiptare, atëherë do ishim të detyruar të shtonim cilësorin kombëtar “shqiptare”, duke e quajtur “polifoni shqiptare”. Jemi plotësisht dakort të quhet edhe kështu, por duhet të jemi të ndërgjegjshëm se problemi vijon të mbetët. Cila është e veçanta e këngës sonë “polifonike shqiptare”, ajo që dëshmon lashtësinë e kësaj kënge, ai “diamant” që i shton  vlerën kurorës mbretërore të këngës sonë popullore dhe që ka detyruar  popuj, kombe, personalitete të kohësve të kthejnë kokën nga ajo. Ajo që së fundi tërhoqi vëmëndjen e UNESCO, e cila zgjati dorën e saj për ta marë në mbrojtje  këngën.
Nuk ma mer mëndja se ndonjeri do thotë që … kjo e veçantë…është marësi, hedhësi, pritësi apo zëri brilant i këngëtarëve të grupit. Bota ka këngëtarë me zë më kumbues e melodioz se këngëtarët e grupeve tona popullore, por ja që kënga jonë popullore u muar në mbrojtje nga UNESCO. Dhe jo rastësisht.
          ç-  Tek  këngët e popujve të tjerë mungon ajo që është e “veçanta shqiptare”, elementi bazë dhe i pazvëndësueshëm dhe  i gjithmon ndodhur në këngët tona popullore, iso-ja.
       -Karakteristika e këngës sonë popullore është “iso-ja” e papërsëritëshme dhe e patjetërsueshme, ai rënkim popullor i ardhur nga vajtimi, që në hershmëri quhej “yso” dhe që është pikërisht “qielli” ku fluturon zogu i këngës,  deti ku ecën ania e këngës sonë.

      -Është më i plotë emërtimi ‘’Këngë me iso’’ose ‘’Këngë iso-polifonike’’ sesa ‘’këngë polifonike’’.Po ç’farë është në vetvete kjo “iso” e famëshme.
      Iso-ja në vetvete është si shtrati ku shkon lumi, herë  i ngushtë e herë i gjërë, herë i pjerët e herë i sheshtë. Iso-ja është e pranishme vetëm te këto lloj këngësh (iso-polifonike) dhe nuk tjetërsohet kurrsesi. As nuk mund të hiqet.
     -Iso-ja është pashaporta  e identitetit kombëtar të këngës sonë popullore. Ajo është vetë shpirti i këngës, prandaj ajo asnjëherë nuk i ndahet këngës popullore. Të mendosh një këngë popullore pa iso, është si të  mendosh një trup të gjallë pa shpirt.
    -Nuk ka këngë pa iso  në asnjë rast, ndërsa ka iso pa këngë.
     Psh logatja, më shumë se tekst, është një iso rrënkuese, pas së cilës fluturojnë si  trumba zogjsh rrokjet e fjalëve, gati të padukëshme e të pakuptueshme.
      -Shpesh herë kur kemi një grup të mirë mbajtësisht të isos, hedhesish  dhe pritësish, roli i marësist  bëhet vetiu sekondar, i dorës së dytë, aqë sa  ai e shpreh vargun në mënyrë recitative e jo duke e kënduar.. Ama një gjë e tillë nuk ndodh te mbajtësit e isos. Kurfarë recitativi nuk ka në mbajtjen e isos. Përkundrazi, marësi dhe zërat e tjerë bëhën sy e veshë për të mbajtur sa më mirë  e për të  shijuar ison.
   -Dikur jam përpjekur të  argumentoj  se edhe kënga e famëshme e Tanës, nuk është gjë tjetër veçse …një tekst i mëvonshëm, hedhur si mantel mbi trupin e një iso-je vajtimtare, të  mëherëshme. Madje, kjo iso ka qënë shumë e herëshmë, ende  pa u shkëputur nga vajtimi.
    -Iso-ja është më e vjetër se  kënga. Ajo është fara, nga e cila mbiu lisi i këngës.
 Duke i hequr emërtimit të këngës fjalën “iso” është si ti  presësh lisit rrënjët.
  Dhe unë ju them se lisit po i preve rrënjët, ai nuk është më lis, por brenda një vere quhet ...dru zjarri…
      -Iso-ja dëshmon vjetërsinë (lashtësinë) karakteristike të këngës sonë popullore dhe indirekt  edhe stërlashtësinë e kombit tonë. Duke e mënjanuar këtë element, biem padashur në tezën  se….kënga jonë popullore është “e re” në moshë dhe për pasojë, mund të mos jetë e jona, por …shqiptarët “hajdutë”, kur kanë ardhur në këto troje, do e kenë vjedhur edhe këngën  nga popujt e tjerë, ashtu siç kanë të “vjedhur” edhe Heroin Kombëtar, madje dhe flamurin.
      -Duke e mënjanuar iso-n, çfarë  gjëje shqiptare i mbetet këngës sonë popullore në emërtim? Duke dëgjuar  emërtimin “polifonike”, natyrshëm hamëndëson një lidhje llogjike me diçka greke. Por asgjë jo shqiptare nuk të ndjell emri  shqiptar i stërlashtë “iso”. Përkundrazi, hamendëson për diçka të stërlashtë shqiptare, pellazgjike. Akuza që i bëhet Vaso Toles si progrek sepse e ka quajtur këngën tonë popullore me emrin shqiptar “iso”, unë e quaj një lapsus dhe i ftoj autorët në një korigjim teksti. Të flasësh e të shkruash shqip, të emërtosh shqip vlerat e kombit tënd, të evidentosh  në nivele botrore vlerat shpirtërore të kombit tënd dhe tu “imponosh” institucioneve botërore njohjen e këtyre vlerave të kombit shqiptar, të emërtuara me emër shqiptar, kjo do të thotë që të jesh një shqiptar i madh.
      -Iso-ja është vetëm shqiptare dhe asnjë  komb tjetër nuk e këndon dot si ne.
 Janë bërë përpjekje nga këngëtarë të vendeve fqinje për të krijuar grupe folklorike të vendeve të tyre, për të kënduar këngët tona iso-polifonike. Kanë marrë  nëpër ato grupe edhe  këngëtarë emigrantë nga  vendi ynë, i kanë përkthyer mjeshtërisht tekstet e këngëve në gjuhën e tyre, por kanë dështuar pikërisht te “përkthimi” i iso-s dhe te  të kënduarit të iso-s.
         -Iso-ja  shpesh herë  ka  një funksion më të gjërë edhe në vetë familjen e këngëve “iso-polifonike”. Psh, “iso-ja” e këngës himarjote, shpesh herë luan edhe rolin e refrenit (veç rolit të saj). Kjo duket më së miri të kënga “Vajzë’ e valeve”,”Kush është lule vilajeti”,”Nëntëqint e dhjetë viti” etj, këngë të cilat nuk kanë vargje  që të kryejnë rolin e  refrenit. Këtë rol e kryen vetë iso-ja, duke dëshmuar në këtë mënyrë edhe vjetërsinë e saj dhe të këngës sonë popullore.
        -Iso nuk është e kushtëzuar nga marrësi. Marësi  është sinjali i nisjes së…anies nga porti, por iso-ja është deti nëpër të cilin lundron flota e këngës. Ania mund të nisë lundrimin edhe …jashtë portit, por gjithsesi nëpër det do të lundrojë.
            -Po të shohim këngët e vjetra himarjote, marësi vetëm sa këndonte ( ose recitonte) gjysëm vargu, e shumta një varg të tërë. Gjithçka e mbulonte  iso-ja, nëpër të cilën ecnin marësi dhe pritësi, hedhësi e prerësi.  Vajz e valëve….këndon marësi dhe vetëm kaq. Këtu mbaron “mbretërimi” i tij. Më tejë,  kudo është mbretëria e iso-s. Dhe bukuria e këngës nuk është te teksti, as te zëri brilant i marësit. Bukuria e këngës është te iso-ja.
          Ne që jemi ritur me këto këngë ju  themi se tekstet e tyre edhe i harojmë, por asnjëherë iso-n e këngëve himarjote.
          Është iso-ja ajo që i  ka bashkuar bashkë në një grup marësin e hedhësin, pritësin e prerësin dhe nuk ka ndodhur e kundërta.
        -Atëherë pyesim: në qoftë se këngës sonë  i heqim “iso-n”, ç’farë mbetet nga kënga popullore shqiptare. Nuk është teksti apo “polifonia” (shumëzërrëshi) magjia dhe pavdekshmëria e këngës sonë popullore, por është pikërisht ajo, me e lashta, më e pavdekëshmia, nëna e këngës, “iso-ja”. “Iso-ja” është lumi i lotëve që buroi nga sytë e nënave dhe krijoi detin e këngës.
          -Prandaj kënga jonë popullore (shumëzërëshe) është në radhë të parë këngë me iso, sepse është këngë  thjeshtë dhe vetëm shqiptare, sepse është këngë e lashtë shqiptare, sepse ka lindur vetëm nga ritet mortore të vajtimit, duke patur si fillesë iso-n, sepse nuk është prodhim i shkollave apo laboratorëve intelektualë, sepse ajo iso-ja, i mblodhi bashkë të gjithë  zërat e tjerë të këngës, ashtu si nëna që mbledh në prehërin e saj fëmijët. Kënga jonë popullore është së pari këngë me iso dhe pastaj është polifonike.
            -Prandaj  dhe  kënga jonë popullore detyrimisht duhet të ketë në emërtimin e saj, emrin  dhe karakteristikën e origjinës.  Atë të “iso-s”.