Friday, 17 August 2018

Faruk Myrtaj per librin "Identiteti iso-polifonik"



Faruk Myrtaj për librin  “Identiteti iso-polifonik”

Edhe sikur vetem te kqyresh tryezen e lendes, joshesh ta ndjekesh se lexuari:
Kur flasim për iso-polifoninë...Në bedenat e iso-polifonisë, Një shkrim i dëshpëruar...Lisat e këngës...Lisi me rrënjë të thella... Të flasësh për Lefter Çipën...Të dua moj...qëne...Fyelli i Tanës Kostandini nuk hyri në ajodhimë...Akademia e humorit Pergameni i Artë... Unë qaj me lot fëmije...Atdheu i mbartur në këngë... ose Atdheu i shpëtuar...Mbi tezën homerike...Po vjen lumi turbull-o... Të lexosh një poezi...
Por, mes tere kesaj kureshtje per Polifonine shqiptare apo Iso-Polifonine, nis nderbeteja mes vete shqiptareve. Kur s'kane me ke leftojne, ia nisin mes tyre?!!!


Vendimi i 25 Nëntorit 2005 i UNESCO-s për të shpallur këngën iso-polifonike si kryevepër të trashëgimisë kulturore të njerëzimit dhe për ta marrë atë nën mbrojtje, xhelozoi jo pak vende fqinj dhe më tej.
Mendoni pak, vetëm në Shqipërinë e Jugut, janë katër kryevepra të njerëzimit të mbrojtura nga UNESCO. Dhe konkretisht Butrinti, Gjirokastra, Berati dhe si qershia mbi tortë erdhi dhe Iso-polifonia. Një dëndësi të tillë kryeveprash të njerëzimit, të marra në mbrojtje nga UNESCO, rrallë kombe të tjera e kanë
Ne te vertete, nuk eshte aq e lehte te marresh vesh: perse grinden, valle?!
Pse ka rëndësi pranimi dhe mbrojtja e kësaj teorie të origjinës së këngës sonë popullore, duke patur si fillesë gjëmën, të qarët me botë dhe vijueshmëri të saj, të qarët me ligje?
Timo Merkuri hyn mes sheshit ku grindet djemuria, sado qe edhe aq te rinj nuk jane, dhe kerkon te mendohet perpara se te flitet:
Jo vetëm që ka rëndësi por është dhe gurthemeli i identitetit shqiptar të këngës iso-polifonike. Kënga jonë popullore, në origjinën e saj, nuk ka lindur si “krijimtari artistike e ndërgjegjëshme”.

         
Iso nuk është e kushtëzuar nga marrësi. Marrësi është sinjali i nisjes së anijes nga porti, por iso-ja është deti nëpër të cilin lundron flota e këngës. Anija mund të nisë lundrimin edhe jashtë portit, por gjithsesi nëpër det do të lundrojë.
Metafora nis, por edhe vazhdon te jet bindese, e bukur, sa kenga, por hakerrima nuk ka vesh te degjoje:
Iso-ja dëshmon vjetërsinë (lashtësinë) karakteristike të këngës sonë popullore dhe indirekt edhe stërlashtësinë e kombit tonë. Duke e mënjanuar këtë element, biem padashur në tezën se kënga jonë popullore është “e re” në moshë dhe për pasojë, mund të mos jetë e jona, por shqiptarët “hajdutë”, kur kanë ardhur në këto troje, do e kenë vjedhur edhe këngën nga popujt e tjerë, ashtu siç kanë të “vjedhur” edhe Heroin Kombëtar, madje dhe flamurin.
Timo, pasi sheh qe me permendjen e simboleve nuk i bind dot, genjen veten tek beson se mbase ua prish mendjen duke folur per zotat dhe te deleguarit e tyre!

      
Ne jemi njohur me mrekullinë e shndrimit të ujit në verë nga Jezu Krishti. Le të admirojmë edhe mrekullinë e kombit tonë që shndroi vajtimin në këngë. Dhe të krenohemi që jemi bij të tij.

      
Pra, tragjedianët e mëdhenj antikë e kanë marrë nga populli ritin mortor dhe ceremonialin e vajtimit me ligje dhe e kanë vënë në veprat e tyre. Nuk ka ndodhur e kundërta.

Por a mund te ndodh edhe e kunderta, o Timo? Them se mund te kerkohet edhe ne kete kahje, pa e cenuar objektin e ketij studimi dhe vertetesine e tij.

         
Timo, ngaqe e kupton se Faruku nuk se ka njohuri te plota per keto gjera, vazhdon logjiken: në mënyrë figurative do pranonim se gjëma është rrënja e pemës së riteve mortore, vajtimi me ligje është trungu i këtyre riteve dhe frutat janë këngët popullore, unë ju them se frutat e pemës e kanë marrë ushqimin nga rrënjët.

          
Por ritet mortore të vajtimit, veç elementit të të qarit më botë, me gjëmë, veç elementit të vajtimit me ligje, kanë edhe një element të tretë, i cili është “logatja”.
Po, mire ben qe ma shpjegon kete fjale, e ndesha me siper dhe s;e dija. Mbase ju qe keni te beni me grekun e dini, por une jo. Tani qe kam ardhur kendej nga Poli i Veriut po ushtrohem me indiancen e vjeter...!
Logatja është një akt kryesisht individual, në të cilin “imitohen” elementët e kolektivitetit. Individi që logat, qoftë grua apo burrë, me zërin e tij “imiton” intonacionet e një grupi pjesmarrësish vajtimtarësh (ose këngëtarësh), “imiton” një vajtim me ligje. Fjala “imiton” nuk është plotësisht e saktë, sepse ai realisht nuk imiton ndonjë person tjetër, por ekzekuton vetëm, individualisht, një vajtim të një grupi. Me zërin e tij ai “imiton” vajtoren kryesore, shoqëruesen (hedhësin), rënkueset (mbajtëset e isos) etj.
Por logatja nuk është plotësisht vajtim... Ajo qëndron në mes të vajtimit dhe këngës. Ajo është ura, nëpër të cilën logatësi kalon nga bregu i vajtimit në bregun e këngës.
Në bregun e vajtimit ajo konsiderohet këngë dhe në bregun e këngës ajo konsiderohet vajtim.
Eh, vete pershkrimi prej Timo Merkurit eshte iso e begate...Mrekullia e fjales i qaset asaj te zerit...
Është normale që në mes të urës-logatje ai të kthehet mbrapsht në bregun e vajtimit ku të rishpërthejë në vajtimin me ligje, ashtu siç është normale që të vijojë rrugën dhe të dalë në bregun e këngës, dhe vajin që logatëte ta këndojë si këngë. Vetëm për veten e tij, por meqënëse këngët nuk këndohen vetëm për vete, ai e këndon në rastin më të parë, në një dasëm a festë fetare, në klub me shokë duke pirë një gotë raki a në çfardo vendi e rasti tjetër.
Pas kësaj, kënga nis lundrimin, por gjithsesi duke lundruar në oqeanin e vajtimit, me njelmësinë e kripës së lotëve, si vesë, në çdo pjesë të saj.


Prapavija reale e debatit
Pa ma trego, o Timo, pse grinden keta Caushet me Vason e embel?! Po une e kam njohur vete Vason, si mund te behet Vasua spiun?! O Zot, ku do jete sebepi qe kerkojne keta "kundrat"!?
...“është e nevojëshme që të nënshkruhet një memorandum drejtuar kësaj Ministrie (të Kulturës dhe Turizmit) dhe UNESCO-s që...të korigjohet emri iso-polifoni dhe ajo të mbajë emrin e vërtetë “Polifonia shqiptare”.
             Emërtimi “polifoni” nuk ka qenë një emërtim zyrtar dhe shkencor. Theksuam më sipër se i pari që e përdori këtë emër ka qenë R.Sokoli, por edhe ai e quajti “kënga polifonike me iso”.
Kur e paske edhe Ramdan Sokolin me vete, ç’te duhen argumente te tjere, o Timo?

   Në rast se shtetet e tjera kishin guslën, buzukun apo mandolinën, dajren apo violinën, kënga shqip- tare kishte dhe ka iso-n. Në morinë e polifonive botërore, kënga popullore shqiptare dallohet për vetë faktin, se shtylla e saj veterbrore është iso-ja. Nuk është as zëri i rastësishëm i këngëtarëve dhe as veglat muzikore që shoqërojnë këngën.
...
Ah, qasja ndryshe ndaj kenges se cameve, qe shembelleka me tuajen, bregase, me vjen mire edhe mua, mbase ngaqe nuk jam lab safi. Jam Vlonjat, por nga Topalltia, Trevllazeri, na kane mbajtur per leber gjysem opinge! Pra ç'te besh, per te shpetuar nga kryehunda labe e Lumit te Vlores, na qenka dashur te behemi pak laluce!!!

Krahina e Çamërisë, për disa arsye gjeografiko-historike u konvertua në një myslimanizëm më të ashpër se bektashizmi tolerant që u instalua në Labëri. Sipas llogjikës empirike duhej që këngët çame të kishin më shumë turqizime dhe gjakësime.
Por ja që realisht nuk ka ndodhur kështu. Këngët çame janë plot finesë dhe elegancë, me një nivel të lartë artistik, sa që çuditërisht kanë afërsi me këngët himarjote dhe jo me këngët labe..:

Nuk kam ndjere kompliment me te bukur per kengen came, se keto te Timo Merkurit... Perla!
Por me kaq bukuri sa erdhi te ne, na bën të mendojmë se ka qënë shumë më fine dhe më elgante, shumë më shumë aristokratike në periudhën paraturke. I ranë shumë stoli rrugës pesëshekullore, i ranë diku “florinjtë e gushës” e diku “florinjtë e ballit”, por te ne mbriti me dritën verbuese të syve të saj, që reflektonin “florinjtë e shpirtit”. Dhe duhet të themi se me aq sa mbërriti te ne, ishte tepër e bukur.

Me tej vijne dallimet brenda bregut, interesante! Tjeter Piluri me grate e lira prej opinionit , te tjere Himariotet qe jepeshin me qira ne Venetik!
...
Burrat pilurjotë, sado të ashpër nga natyra, ruanin gjithnjë një dhimshuri të dukëshme për gratë dhe vajzat e tyre. Kjo dhimshuri ishte një portë e hapur për femrat drejt një lirie më të madhe nga femrat e fshatrave dhe krahinave fqinjë.

Thotë një këngë pilurjote...
Leskovik vajta njëherë/
vajta për të blerë verë/
gjezdisa derë më derë
me para s’gjeçë të blejë/

Duke qënë se pilurjotët kishin gratë dhe fëmijët me vete në shtegëtime, thithja e kësaj kulture perëndimore bëhej më e shpejtë dhe kultivohej menjëherë në jetën e tyre. 

Është e vërtetë që dhe himarjotët emigronin, kryesisht në Venedik. Por ky ishte kryesisht emigracion ushtarak. Himarjotët shkonin ushtarë në ushtrinë e Venedikut, luftonin e fitonin pasuri e grada, por kultura që mirnin ishte kryesisht ushtarake. Kjo kulturë ushtarake i shërbente forcimit të autonomisë së Himarës por jo civilizimit dhe përparimit kulturor të saj. Pra, ky emigracion ushtarak nuk i hapi ndonjë portë civilizimit të femrës himarjote dhe aktivizimit të saj në jetën kulturore.

Shenimet per studimin e Anton Nike Berishes per kenget e kreshnikeve, si dhe ato per De Raden, ishin vertete po aq te ndjera sa ndjesia qe percjelle autori ne tere dukjet e tij, deri ne fund te sinqerta...Me rastin e shkrimit per Ag Maton, kembeva ca mesazhe te shkelqyera me Antonin dhe vertete i ka hak keto fjale qe thua per te...
Gjyshja e Petrit Rukes (…) ...
Aq plakë qe,
sa që vetëm përrallat që kishin ndodhur para mijra vjetësh i kujtoheshin....

Kjo eshte si ato sentencat e pavdekshme te 100 vjet vetmi te Markezit, se ajo eshte Vetmi...
dhe...a ka kompliment me te praueshem se te shkruash: une rrija i mbërthyer pas buzëve të saj, si tani, pas rreshtave të librit të Petrit Rukës:
“ ...Kur hyn kali në avlli / Derdhet orizi si shi / Bie nga qielli si dëborë / Mos e hedh zoti me dorë /...Mbi patkoin hënëprerë / Thyeje qelqen me verë... ”

Ja keshtu e lexova essene tende, dhe keto vrejtje kesha per te te bere, o Timo Zhiva!


Toronto 20 Korrik 2018

Saturday, 11 August 2018

Për Gjin Bardhelën...


KY ROMAN ËSHTË NJË POEZI NË LËVIZJE, NË ARDHJE DREJT NESH

Përsiatje mbi librin “Gjin Bardhela i arbëresh…” i Anton Nikë Berishës


Timo Mërkuri


E themi që në krye të radhës se “Gjin Bardhela i arbëresh& Etja e gurëzuar” është një nga të paktat libra, gjatë leximit të të cilit ndjehesh shumë i vogël para tij. Kjo ndjenjë të krijohet nga drita që buron prej tij, një dritë e kaltër në të bardhë, e ëmbël dhe plot shkëlqim të ngrohtë që ndriçon çdo skutë të ekzistencës tënde. I hutuar nga ky dritësim qysh në faqet e para, ecën me të e nëpër të dhe vetëm duke iu afruar fundit të librit ndjen që rritesh e rritesh në këtë dritësi, madje edhe më i lartë se shtati që ke realisht. Dhe duke medituar mbi librin e porsa lexuar, kupton se kjo rritje vjen për vetë faktin se ky libër flet për ty. Është historia jote, është historia jonë lindur në kufijtë e legjendave…Ose më saktë, legjendat nuk janë gjë tjetër veçse thelpinj të thelbit të historisë sonë, të hidhura, si bërthama e frytit të mollës. Dhe të gjitha këto vijnë drejt teje kapitull pas kapitulli si fasha drite, ku mbizotëron e kaltra bashkë me të bardhën e ëmbël...

1-Të zbërthesh romanin është si të zbërthesh dritën, sepse nuk është udhëtimi i Odisesë për kthim te Penelopa (sic), nuk është Gjin Bardhela në udhëtim, janë epokat që vijnë tek ai. Janë epokat që sjellin para nesh … dritat e tyre, bashkimi i të cilave na krijon një ylber ndjenjash. Ky është roman i ndjenjës dhe jo i ngjarjes. Dhe ca më tepër, është një roman i shkruar poetikisht nga një mjeshtër i vargut dhe fjalës. Ky roman është një poezi në lëvizje, në ecje, në ardhje drejt nesh si një vashëze, e bukur tek  zoti, që ecën zbathur nëpër kumin e bregdetit. Nuk mjafton vetëm ta admirosh, por duhet të jesh i zoti ta bësh tënden, për të qenë i lumtur;  ajo është kaq e bukur, sa ti mendon se nuk është reale dhe druhesh t’i afrohesh e t’i flasësh. E kujton ëndërr dhe nuk do të zgjohesh, nga frika se e humbet kënaqësinë e soditjes…

2-Romani “Gjin Bardhela…” ka një subjekt të ndërtuar me momentet më kulmore të historisë, si kështjellat e vjetra të vendit tim, ndërtuara me gurë pellazgjikë. Te muret e këtyre kështjellave s’ka vend për guralecë nivelues apo për shtresa llaçi lidhës. Pesha e gurëve bën vetvetiu lidhjen e mureve në atë mënyrë që, as tehu i thikës nuk depërton dot mes tyre dhe as tërmeti nuk i ndan dot nga njeri tjetri. Dhe pavarësisht gjakut të derdhur në muret e tyre ndër shekuj luftërash, pavarësisht shiut të rënë mbi to e gjyleve që shpërthenin mbi bedena, ato emetojnë drejt kohëve të ardhme një dritë të bardhlemtë, sepse janë të bardha kështjellat tona, janë Ak Hisar, siç e quanin turqit kështjellën e Krujës, “Kështjella e Bardhë”.

Se kështjellat tona e kanë marrë bardhësinë nga mosha e bardhë e nuses së re, murosur nga tre vëllëzërit në themelet e kalasë, e kanë marrë  nga ngjyra e  qumështit të  gjirit të saj,  lënë jashtë mureve, për të ushqyer fëmijën e vogël, por edhe ne, më von. Me siguri janë zbardhur më tejë edhe me ëndërat e  shtatë virgjëreshave  krutane që, për të mos rënë robinja të turkut, të veshura me të bardha, atë ditë të zezë  pushtimi hidheshin nga shkëmbi me thirjen ... I falem nderit tim dhe nderit të dheut tim...( f. 147)
Dhe  nderi ka vetëm  ngjyrën e bardhë.

3- Romani është i mbushur me ngjyrën e kaltër. Madje me një të kaltër të ëmbël me nuanca të së bardhës. Është e kaltërta e detit shtruar si qilim, mbi të cilin ecin personazhet e ngjarjet. Një e kaltër e zbutur me të bardhën e mallit dhe të shpresës të shpirtit arbëresh…
 Në këtë kaltërsi deti e bardhësi malli e shprese përzier nis e përfundon romani . … Hodhi shikimin te dritësorja. Një ndriçim i vogël drite, nëpërmjet bebëzave, iu fut në shpirt dhe ia përpiu mendimet si një qenie e përtej kohës…Pastaj hetoi se ata dy lot u shtuan aq shumë sa e përmbytën gjithë dhomën. (f. 12) Duhet t’i bijmë detit e t’i hamë valët…Valët i japin shpirt, e bëjnë dejtin dejt. Pa ato ai do ishte si qielli pa yje…(f. 14).
Deti ishte rruga e ardhjes në vendin e ri. Deti sillte me zhurmën e valëve jehona këngësh, nga të cilat pikonte dhimbja si stërkalat, kur dallgët e detit përplasen në shkëmb: …Atjeee kaaam/ të mbuluar/ nënë dheee… duke u kujtuar çdo ditë setë huaj jemi në këtë dhé.
Deti ishte nyja lidhëse me atdheun amë, me shpresën, me të ardhmen. Kështu e kaltërta e detit zbutur me të bardhën e shpresës u bë pjesë e jetës por edhe e vetë qenies së tyre, madje dhe e filozofisë së tyre. Kjo ishte arsyeja që jo vetëm kur lindnin duhej të shihnin përtej detit, ku zbardhnin malet e atdheut, por domosdo dhe kur të vdisnin, do vdisnin pranë detit, me sytë nga lindja, ndryshe…do të mbesin sytë çelur…(f. 12)... Sepse edhe dejti...ëndëron, ëndëron. Nga ëndërimet e tij të pafund secili mund të marrë diçka. Sepse dhe ai ..mer  nga ëndërimet tona... (f. 173)

3.1- Si një reflektim drite mbi të kaltërten përzier me të bardhën vjen nga epoka e fëmijërisë fëmija me flatërza në krahë dhe roja e shtëpisë, të cilët, si çdo reflektim drite, kanë një shkëlqim të artë, si për të na zgjuar kujtesën për ardhjen e më passhme të Rrezartës së bardhë në një sfond rozë, nën një qiell e nën një ëndërr rozë e për të na kujtuar … ato këmbime të ngjyrës së fytyrës dhe dridhjet e lehta, që i përngjanin valëzave të liqenit përrallor, pastaj ngjyra e kuqe në çarçafin e bardhë borë ...(f. 20).
Është ndoshta i vetmi personazh në letërsinë shqipe që vjen në pak rreshta e mbetet në kujtesën e lexuesit si një buzëqeshje e pambarim, e bardhë; buzëqeshjet e dashurisë janë vetëm të bardha, ashtu siç i ka pikturuar Anton Nikë Berisha. Në fakt do ishte më e saktë po qe se në vend të fjalës “pikturuar” do shkruanim fjalën “notizuar”.
Duke i soditur nga një largësi që lejon meditimi dallon lehtësisht se portretet e vashave janë një melodi e shkruar (jo në pentagram)…(Rrezarta)… Ishte e veshur me të bardha ndërsa në kokë mbante kezën e nusërisë. Nga trupi që lëvizte me një gjallëri e dalldisje të pazakontë, i derdhej një bukuri e paparë (f. 20). Disa ngulmonin se Lena ishte gruaja e vetme me sy prej shiu. Të tjerët ngulmonin se është grua me yje në sy: nga ata sy buronte një dritë e tillë, thua se drita e yjeve është bashkuar…kur sytë e saj i vështron nën cytjen e flakës së epshit, të shëmbëllejnë me një yllësi mahnitëse (f. 30). Këto janë më të bukura se ndriçimi i diellit dhe i yjeve së bashku (f. 145)etj.
I përpirë nga leximi, harron se shëtit në faqet e një romani dhe të krijohet ndjesia se je duke kënduar …O po un’ Tanushën vet e kam pa… Duhet të pranojmë faktin që romani “Gjin Bardhela…” ka shumë melodi nëpër rreshta, ka jashtëzakonisht shumë muzikalitet në fjalë e në shprehje. Madje në shumë raste dialogët të duken si dialogë muzikorë të një opere, sa heroike aq edhe lirike. Pra, kanë kaq shumë dritësim rozë përmbi dialogë e nën muzikë. E po s’kemi ç’të bëjmë, ...arbërit vetëm në dashuri janë të tërë dhe të njëmendët…dhe kur puthin… japin puthje të zjarrta sa përflaken dhe valët e Lumit të Madh (f. 66).

Dhe dashuria është motër binjake me këngën. Dhe me vallen.

Atë valle ku na shpie Anton Nikë Berisha të shohim, një valle të paparë gjer më sot, vallen e librave të poetit, më të bukur se një valle zanash... Valles i printe libri i rapsodive…, ngjitas me to ishin Këngët e Milosaut…., në vijim ishin kapur dora dorës Serafina Topia, Skënderbeu i pafan…, Antologjia Shqipe, Rrëfimet e Arbërit. Nëpër to kalëronte Skenderbeu me trimat…Shkëlqimi u jepte një bukuri të përsosur...Pastaj ai vallëzim u rrit e u shtua, u përhap gjithandej (f. 55).
O Zot sa e bukur! Një valle të tillë, s’ka parë njeriu as në ëndërr. Ndaj lutemi me gjithë shpirt: - Shtoju o Zot vallen…librave të popullit tim, që nëpër shekuj ia kanë ndalur librat. Dhe autori, Anton Nikë Berisha, shtoi dëshirën për të shkruar. Se me sa ka shkruar gjer tani, ka dëshmuar se është një mjeshtër i madh i fjalës dhe i vargut, një njohës i artit dhe historisë, një krijues i kompletuar, nga i cili mësojmë se si duhet shkruar letërsi. Dhe ca më tepër, si duhet dashuruar Atdheu.

4-Po dheu, çfarë ngjyre e ka dritën vallë? Dheu i mbjellë në vend të huaj, dheu i Arbërit mbjellë e rimbjellë në vend të huaj për t’ua hedhur grusht e nga një grusht mbi varr, arbëreshëve në ikjen e përtejbotshme. Dheu i mbjellë...Të duket një metaforë e fuqishme, e arrirë artistikisht, që të emocionon. …
Po unë nuk e shikoj si të tillë. Se mua ky episod më kujton princeshën e Kaninës, Rugjina, që iku drejt Korfuzit me sëndukët e mbushur jo me flori e veshje princërore, por me dheun e vendit të saj. I mbajti mbyllur sëndukët për vite me radhë, duke shtuar hamendsimet për thesarin që mbartej në to, gjersa në prag të vdekjes dha urdhër që t’i hapnin, duke porositur që të mbulohej në varr me dheun e tyre, prurë nga atdheu.
Më kujton vargjet e Çajupit… Dërgomë një grusht me baltë /Ta puth e të kërrej mallë… dhe t’ju siguroj se këto nuk janë vargje poezie por janë rënkime shpirti; dheu i Arbërit është i mbrujtur me gjak e lot, siç thotë kënga e fshatit tim…Nga kjo balt’ e kësaj toke / Mer një grusht e shtrydhe fortë / Pika gjaku do kullojë / Luftën e madhe tregon… Kemi derdhur gjak me okë / Ndaj lulëzon këjo tokë…dhe ju them se, në qoftë se Zoti e krijoi njeriun duke përzier baltën me pështymën e tij, Atdheu ynë u krijua nga përzierja e kësaj balte me gjakun, djersën e lotët e kombit, ndër shekuj lufte për ekzistencë. Vetëm kombi ynë ka lot “të nxehtë”, ka vajtime “me dyzetë palë lot”, kaq të rënda i ka pasur gjëmat. Vetëm kombi ynë ka më shumë gjëmëtarë e vajtore se sa këngëtarë (f. 70), prandaj është i shenjtë dheu ynë.
Ndaj kjo metaforë, ju them që e ka ngjyrën dhe drita e dhimbjes së beftë në zemër, përzier me lotin e fshehur nën qepallë. Dhe një …ahqë të gufon nga shpirti, si një shfrim vullkani, përmbi të.
Dheu … ka ngjyrën dhe dritat e Atdheut. Dhe lulet e shpirtit të shkrimtarit të madh, të Shqiptarit të Madh Anton Nikë Berisha, që edhe dheun e varreve e ka mbrujtur me dashuri e art, duke e bërë të rrezatojë dritë.

5- Dhe varret lëshojnë dritë……… Shkulme pejzash të stërhollë drite u futën në dhé Kostandini u kacavar nëpër ndriçimin e tyre dhe doli përmbi (f. 77). Kështu ka ardhur nga legjenda, i bardhë plot dritë, me një tis pluhur dheu të lagësht mbi supe e flokë dhe sidomos, mos harroni, me Doruntinën në vithe të kalit të tij të bardhë, duke rendur me revan nëpër re, ndjekur nga kënga e zogjve…shkon i vdekuri me të gjallë.
Anton Nikë Berisha si një tragjedian i kalibrit eskilian na e jep Kostandinin e Besës pikturuar me ngjyra drite, përkundër errësirës së varrit dhe harrimit. Dhe na thotë shkurt se nuk është në ajodhimë, ku e kërkonim gjer më sot, nisur nga vargjet (e shtuara) të këngës së tij…Un po shkoj në ajodhimë/ se aty e kam shtëpinë … Madje na lë të kuptojmë se nuk ka qenë ndonjëherë aty, se ajodhima që pretendohet, është ndërtuar shumë më vonë dhe se varri i tij ndodhej …pranë një shkëmbi të madh (f. 76),ku bëhet roje nga të vdekurit, veshur me tesha të reja, si për dasmë në mbrojtje të varrit të Kostandinit… Këtu bëj roje e kur dikush bën roje në këtë vend, duhet t’i veshë rrobat e reja… Te ky gur është varri i Kostandinit…Më tepër e tundën fjalët që i tha nëna…Besa jote nënë dhé...(f. 77).
Anton Nik Berisha vetëm sa hap pakëz perden e dritares që ne të shohim brenda odës së legjendës se …Zonja mëmë (që e tundi nga varri) autoritare cilëson periudhën e matriarkatit si periudhë lindje të legjendës, ashtu si vdekja e saj cilëson fundin e kësaj epoke. Aty shohim se si Kostandini ringjallet pas tre vjetësh pa tretur dhe ne nuk bëjmë ndonjë krahasim me ringjalljen e Krishtit pas tre ditësh apo të Lazarit ditën e katërt, për arsye se Krishti dhe Lazari u ringjallën shumë shekuj më vonë se Kostandini. Ne vetëm meditojmë motivin e ringjalljes…besa jote nënë dhé… dhe mesazhi që mbart kjo ringjallje…
Shpirtërat e të vdekurve bëjnë roje te varri i Kostandinit të Besës që mos ta dëmtojnë ata, që Kostandinin e Vogëlth e regjistruan në Spanjë me emër të një feje tjetër, ata që në certifikatën e Kostandinit të Besës shënuan si ditë ringjallje ditën e Pashkës së Madhe, që ishte njëdizaj, sepse kishin frikë nga hershmëria e legjendës…
Me finesë, shkrimtari na fton të shohim varrin, ku Gjin Bardhela… pa Kostandinin që u përkul dhe preku me dorë gurin e varrit, pastaj vargoin shkëlqyes. I përkëdheli dashurisht … Pëshpëriste diçka. Ndoshta Kostandini thotë uratën e fshehtësisë së ringjalljes... (f. 81).
Befasia është shtangëse. Gjer më sot kemi kujtuar se Kostandini u rikthye në varr pasi çoi motrën te nëna, duke përmbushur në këtë mënyrë besën e dhënë. Po ja që ai nuk është rikthyer në varr. Arsyeja është një dhe vetëm një: ai nuk e ka mbaruar ende misionin e tij. Ai nuk synonte të ishte një …djalë me besë. Tani kuptojmë se Kostandini synonte …besën (si institucion, si kushtetutë) për kombin e tij, ose e thënë ndryshe…një komb me besë...Pra, ai rend me kalin e tij të bardhë, me Doruntinën në vithe të kalit, e si një fashë drite e bardhë që ndrin çdo skaj të botës e jetës sonë, vjen mes nesh për besë, besnikëri e besëlidhje…

6-Gjithë përfytyrimi iu zhbë Gjinit kur i ati i foli diçka frymës që erdhi ta ndërronte në roje (f. 83).

Në çastet e fundit të jetës Gjin Bardhela nis e bisedon me… të vdekurit e tij. Shpirti i tij takohet me shpirtrat e tyre, merr porositë e fundit, kujton ngjarjet e përjetuar me ta, dashuritë e lulëzuara dhe ëndrrat e zverdhura, legjendat me të cilat u rrit…Dialogon të djeshmen në një mënyrë të tillë që dialogu shndërrohet në një projektim për të ardhmen…
Është një roman me personazhe shpirtra njerëzorë, përpjekjet, vuajtja dhe shpresa e të cilëve përbëjnë shpirtin e Arbërit. Për këtë shpirt të Arbërit është shkruar ky libër –hymn, ose më saktë kjo poemë heroike-lirike. Kjo këngë, që duke pasqyruar dhimbjen e jetës, peshën e mallit dhe dritën e shpresës përmbi to, i ngre hymn jetës arbërore deri në atë shkallë, sa të thuash se…sa e bukur paskësh qenë. Në mos gabohem, këtë realizoi dhe Naim Frashëri me “Bagëti e Bujqësi”.
Personazhet (shpirtra njerëzor), që në gjallje kanë shkruar historinë e Arbërit, tani pas vdekjes, s’kanë zbritur në parajsë apo ferr, por kanë mbetur në kujtesën e kombit, për t’u përcjellë brezave të ardhshëm arbër dritën e bëmave të tyre, të shndërruara në legjenda. Dhe këtu bashkohen shpesh shpirtrat e arbërve të të dy brigjeve të detit, me qëllim që drita dhe ngjyrat të jenë sa më të qarta; legjendat janë të njëjta në të dy anët e detit, veçse në dheun amë ka shumë pluhur lufte përmbi to, pluhur që e ka zbehur ngjyrën e teshave origjinale…
Ndaj themi se drita që buron prej këtij libri është drita e shpirtit të arbrit, e atij shpirti që përballoi çdo sakrificë për të ruajtur identitetin e tij.
Është dhe drita e talentit të Anton Nikë Berishës që ndrin për ne portretin e bukur të Gjin Bardhelës…

7-…Ky ylber dritësimi, mbështur te legjendat dhe historia e përditëshme e Arbërit, nga faqia e parë gjer te e fundit e librit,  diçka do të na thotë. Le të shohim kapitullin “E bukura e dejtit” i shkruar i tëri me ngjyra e drita… Nga ai ndriçim u qartësua vashaNdriçimi ishte Vajza që e kishte njohur shumë vite më parë buzë dejtit…(f.163)…kush heq dorë prej bukurisë, heq dorë prej jetës…( f.165)...

 Sipas rradhës, ky kapitull paraqet momentet e fundit të jetës së Gjin Bardhelës, përçartjet e përpëlitjet në prag të ikjes së përtejbotëshme. Por çuditërisht, asgjëkundi nuk duket zezona e pragvdekjes e përfaqsuar nga errësira e dhomës apo nga  shamitë e zeza të plakave, që bëjnë roje te shtrati i atij që po ikën. Nuk dëgjojmë rrënkime dhimbjeje apo ndjese të atij që po ikën, nuk dëgjohen as pëshpërima- porosi dhënë Gjin Bardhelës për ata që do takojë në atë botë. Dhe lotë nuk po shohim gjëkundi.

Përkundrazi, në një sfond të kaltër,  subjekti të grish për jetë,  dialogët janë një duet 
dashurie, i shkruar me nota muzike dhe dashuria është përshkruar si një lojë ëngjëjsh, që tregojnë  rinisjen e një jete të re. Buzët e vajzës janë si varkë mbi të cilën hypën dhe lundron dashuria. Qielli dhe deti mbushur plot yje, të kujtojnë natën e udhëtimit të Kostandinit me Doruntinën në vithe të kalit dhe zhurma e valëve u ngjan këngës së zogjve…kini parë a s’kini parë/ shkon një zogëz bishtëbardhë…A nuk e ndjeni dhe ju, yjet u ngjajnë  llambadhave  të ndezura pasmesnate, pas ringjalljes së Krishtit, Ditën e Pashkës së Madhe…

Dhe varka që çante përpara, si një etje dashurie…(f. 171) ecën drejt jetës…

Ndaj unë ju them se me këtë dritësi e me këtë dashuri, me këtë jetë që gjallon në çdo gërmë e fjalë, nga faqia e parë tek e fundit, Anton Nik Berisha nuk na flet për praninë e vdekjes, por për diçka më të madhe se vdekja.

Na flet për një ditë të bardhë që vjen për kombin tim.

Për ditën e ringjalljes së Arbërit.




Sarandë, korrik - gusht 2018