Monday, 1 June 2020

Kur jehona e librave të parë të Sabit Rrustemit kumbon te lexuesi i sotshëm


Kur jehona e librave të parë të Sabit Rrustemit kumbon te lexuesi i sotshëm
Nga Fatmir Minguli
(Një refleksion mbi dy librat e parë të poetit Sabit Rustemi “Ku i la lisat era” -1990 dhe ” Besoj në një diell” -1992 )
“Mos u merrni me vetëveten…qe këtu e keni Kosovën. Përditë,
nga një punë të vogël, bëjeni për të dhe, pa zhurmë…se, Ajo e di”!
                                                               Ibrahim Rugova

Nuk do të merrja përsipër këtë refleksion mbi dy librat e parë të poetit Sabit Rustemi, nëse nuk do të lexoja përsiatjet analitike të studjuesit Timo Mërkuri, pikërisht për këto dy libra. Ai me një përkushtim të sinqertë merr guximin dhe inisiativën për të vëzhguar tutje, thellë në vitet ’70- ’80 poezinë e një poeti të ri nga Kosova, Sabit Rustemi.
Shumë është shkruar për këtë poet të Kosovës, nga shumë analistë dhe kritikë letrarë, por për të parë në “mundus subterraneus” ¹ të poezisë së tij të fillimeve, ishte pikërisht Timo Mërkuri.
E përse sjell në ditët tona Timo Mërkuri trajtesat e tij mbi librin e hershëm të Sabit Rustemit? Duke mos qenë as hobi e as trill analitik, shkrimet dy pjesëshe që ai publikoi ditët e fundit të këtij maji, janë thjeshtë gjetja e tharmit që ngjizi poezinë e një djali të ri me emrin Sabit Rustemi.
Por më lejoni të them se ato vite në Shqipëri, flas për vitet ’80, ne lexonim në gazetën e madhe “Drita” dhe në revistën magjike “Nëntori” poezi të poetëve kosovarë dhe habiteshim me bukurinë e tyre, me stilin e tyre lakonik, një stil gati të panjohur, apo pak të njohur në botimet e autorëve për këtej kufirit me Kosovën.
Ndoshta është edhe ky detaj që na shtyn të shohim skenat e asaj kohe në qytetet e Kosovës e për më tepër në Prishtinë.
Poeti Sabit Rustemi që herët dorëzoi për botim dy vëllime njeri pas tjetrit, atë poetik të titulluar “Korza e lirë” dhe atë me tregime ” Më fliste një zë” të dyja rreth viteve ’80. S’kam ndërmend të përsëris ato peripeci të çuditshme që ka kaluar ky poet, sepse i ka analizuar me hollësi Timo Mërkuri, por dua të theksoj se vitet ’80 kanë qenë vitet e tronditjes për liri dhe pavarësi e në këtë frymë u krijuan skena të një teatri poetik nga shumë “dramaturgë” shqiptarë të Kosovës.
Dëshiroj të sjell disa refleksione të miat për dy librat e parë të poetit Sabit Rustemi.
Njё refleksion është se në këto dy libra, veç stilit të afirmuar dallohen alegoritë për ngjarjet e kohës duke nënkuptuar pushtim serb si dhe metaforat e guximshme si ushqyese të fuqishme të mendimit poetik. Eshtë alegoria që e sjell Kosovën pranë Shqipërisë, pranë historisë së shqiptarëve duke luftuar poetikisht, pse jo dhe duke rrezikuar lirinë e tij ( burgosje ). Ai nëpërmjet poezive të tij të filluara që në vitet 1978 deri në 1991, shpreh shumë alternativa kundër obskurantizmit serb ushtruar mbi kulturën shqiptare. Ai dënon anashkalimin serb që i kanë bërë kulturës shqiptare jo vetëm në Kosovë por në gjitha trojet shqiptare deri në jug të gadishullit ballkanik, në Çamërinë e dashur.
Por edhe sot vazhdon kjo histori anashkalimi në studimet e akademisë serbe të sotme. Ja një fragment marrë nga një studim i viteve 2015 mbi këtë anashkalim:
“Këngët heroike greke veçse janë pak më të shkurtra nga këngët serbe dhe rumune( siç shkruhet herët nga Vuk Stefanovic Karaxhiç) janë tematikisht të ndryshme, duke qenë konceptualisht të ndryshme tejet konçize dhe gjithëpërmbjatëse.”²
Nuk është thjeshtë një konstatim por një përcaktim që është në vazhdën e krijuar nga famëkeqi Vuk Karaxhiç. Sabit Rustemi e ka filluar me kohë rrymën e kundërt ndaj kësaj vazhde.
Si mund të ishte ndryshe! Ishte i mbrujtur me poezinë e poetëve të mëdhej të Kosovës që e kishin filluar poezinë herët, shumë herët. Por ata poetë që influencuan me artin e tyre dhe që e ndihmuan në botime të poezive në shtypin e kohës kishin botuar që në vitin 1966, e më herët. Në shkrimet e Timo Mërkurit përmenden veç shumё shkrimtarёve edhe emrat e poetëve Azem Shkreli, Ali Podrimja, Din Mehmeti, Beqir Musliu, poetë që janë përfshirë në një antologji të poetëve shqiptarë³ dhe që me poezitë e tyre kishin krijuar një fizionomi të qartë e domethënese për kohën.
Me të drejtë në analizat e tij Timo Mërkuri shkruan:” Poetët shqiptarë të Kosovës për të shpëtuar nga “ rrufetë zeusiane” përsosën deri nё kufinjtë e skajshëm artin poetik”.
Një vazhdues i denjë, “Sabit Rustemi me poezinë e tij është pjesë e kësaj fryme opozitare aktive me mision kundërshtimin e shkombëtarizimit të popullit dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.”
Por ai ka tjetër mënyrë shprehjeje, ai ka gjetur pikërisht subjektet e mitologjisë për të tërhequr vëmendjen dhe për t’iu larguar letërsisë propaganduese serbe që mënjanon hapësirën e madhe shqiptare, atë të Kosovës dhe Shqipërisë duke mos harruar botën çame deri nё kufinjtë me Thesalinë. Ata këtë hapësirë gjeografike dhe kulture e ndërpresin dhe lidhin dy brigje që nuk mund të lidhen dot, Serbinë me Greqinë.
Eshte kjo merita dhe intuita e çmuar e Sabit Rustemit që merret me një Zeus të plakur, një Zeus që i ka ditët e numurara e që ashtu doli me të vërtetë për serbët. Por dhe ndrimi i titullit të librit të parë nga Ali Podrimja dhe qe ai e çoi nё botën e De Radës, nё hapësirёn tjetër shqiptare të anashkaluar nga analistët serbë. Titulli “Ku i la lisat era” shkon drejt e nё botёn e arbёreshёve, vendi tjetёr i madh i shqiptarёve, i anashkaluar nga ata qё studjojnё poezinё shqipe qё nga lashtёsia por nuk e pёrmendin.
Dhe si për çudi, nё librin e dytë të Sabit Rustemit “Besoj nё një diell” ndeshen shumë poezi që sjellin tema jashtë historisë sё serbëve por metaforat dhe alegoritë mbizotërojnë nё poezitë ku futet Troja, Kartagjena, hija e Olimpit dhe dialogimi me mesjetën ballkanike ku :
Kaq shekuj kaluan e mesjeta s’ra.
Mesjeta e zezë pas kaq shekujsh
Hije bën mbi Kosovë.
E më pastaj nё poezinë “I bukuri i ëndrrës” ai shkruan:
Po ai diell mos qoftë diell
Po nuk e gjeti një shteg për Kosovë.
Po nuk mund të shkruante ndryshe, ishte apologje i paganizmit iliro-pelazg. Të gjitha këto mbështetje të paganizmit janë të kryqëzuara nё të dy librat e Sabitit. Ai është dhe ndjekës i poezisë sё Naim Frashërit. Nё kapitullin e parë të librit “Besoj nё një diell”, që titullohet “ Diku më pret një lule” veç konstatimit të një metafore tejet të kuptueshme, lexuesi ndjen aromën e “Luleve të verës” të Naim Frashërit. Duket sikur poezitë mbi lulen -Kosovë vinë si vazhdim i poezisë epilog që është një monolog i vjershës që kërkonte dritë….dhe qё është parathënie e këtij libri.
Dhe poeti i këndon lules:
Moj lule që po pret
Diku nё një vend të botës.
Por rruga për të gjetur lulen:
Udha e mbyllur është
Deri sa nuk e ecim.
Eshtë ky libër ku mpleksen shumë objektiva që ka poeti, siç janë pamjet qytetare ku orët e qytetit nё mënyrë metaforike projektohen nga poeti nё të gjashtë pamjet e mundëshme: para, mbrapa, lart, poshtë, anash majtas dhe anash djathtas, pamje që të lejojnë për të kuptuar turbullirat e kohës. Po kështu edhe poezitë për Skënderbeun janë udhë kalime për të eleminuar urat e kulturës serbo-greke.
Duke mos dashur të dal jashtë kontekstit të kësaj analizë që po shkruaj për dy librat e parë  të poetit Sabit Rustemi, por mund të jap edhe një konkluzion tjetër të rëndësishëm që rrjedh  pa dyshim nga poezitë e hershme të këtij poeti të veçantë për gjithë letërsinë shqiptare.
Duke referuar vetëm një pjesë nga dy studjuesit serbë  në shkrimin tim e që flet për konstatimin e Vuk Stefanoviç Karaxhiç mbi strukturën e këngëve shqiptare  si të shkurtra dhe që ata e marrin si të vërtetë dhe e përsërisin edhe në vitin 2015 në kuadër të studimeve të akademisë së shkencave serbe. Por studjuesi nga Prishtina, Anton Nikë Berisha na sqaron mbi këtë konstatim, e për hir të së vërtetës po sjell këtu tekstin e një pjese të letrës që Vuk Stepanoviç Karaxhiç i ka dërguar Jernej Bartoleme Kopitari, filolog dhe rilindas i shquar sloven:" Mirpo duhet të dini, te shqiptarët nuk ka këngë trimërie të gjata si te ne, por me gjasë të gjitha këngët i kanë si këngët në greqishten e re.
Natyrisht që ky sqarim lind pikërisht nga idetë e shafqura atje nё atë Shqipëri si alegori dhe hiperbola në poezitë e para të Sabit Rustemit, se ndryshe është shkruar pasi Kosova e  fitoi  lirinë e shumëpritur.
Sabit Rustemi si një zog që kërkon lirinë brenda kafazëve të propagandës serbe dinte të shpërthente dhe sytë e tij, mendja e tij shkonin shumë larg, atje nё Shqipërinë e largët dhe aq shumë të afërt ku këngët heroike, këngët e kreshnikëve shqiptarë nuk ishin të shkurtra por më shumë se të gjata, si epope do të thoja, si epope të trimërisë shqiptare dhe as serbe e as greke, këtyre dy anëve të morsës që donin të mbanin të shtrënguar botën reale dhe botën shpirtërore shqiptare.
Një lexues i vëmendshëm e për aq më tepër një analist i mirëfilltë do të zbulojë shkëndijën intuitive të poezive të Sabit Rustemit që i këndon historive të lashta të shqiptarëve që ai alegorikisht i përcjell me pjesë të mitologjisë greke por duke e ditur fare mirë se brenda aty bëmave  ishin personazhe shqiptarë.
Duhet theksuar edhe një rrjedhim  që vjen nga shfaqja e këtyre poezive të viteve të para poetike të Sabit Rustemit. Eshtë fjala për emërtimin me fjalën “grek” të çdo lloj arti  që zhvillohej nё trevën e Ballkanit të jugut. Këngët shqiptare që studjues të ndryshëm duke filluar nga serbët e më tej edhe nga studjues të tjerë që u mbështetën apriori tek ta, u quajtën këngë greke. Kjo ka ndodhur edhe për pikturat e atyre kohëve, edhe për tentativat e përvehtësimit nga sllavët të durrsakut  Jan Kukuzeli, e më tej për varitetet e rrushit të rritur nё tokat ilire etj, etj.
Pikërisht né artikullin e përmendur më lart, dy autorët serbë citojnë mjaft tekste këngësh heroike që ata i quajnë greke ku Parga, Arta, Suli, Bocarët, Kollokotroni etj, janë themeli i këngëve heroike greke, sipas tyre. Ata harrojnë që nё eksodin biblik të popullit shqiptar nga Parga e gjithë  kultura europiane iu përkushtua me poezi, me piktura e me artikuj të shumtë tragjedisë sё popullit shqiptar që jetonte nё trojet e veta.
Por ata nuk mjaftohen me këto anashkalime, por ndërhynë edhe më tej. Ata shkruajnë nё artikullin e tyre se “Ndryshe  nga këngët heroike serbe të cilat janë plot me elementë fantastikë, hiperbola dhe alegori, ato greke përmbajnë më pak elementë të natyrës romantike dhe të stolisjes, (Stojanoviç 1984,180)
E cfarë duhet të them  më tepër? Ishte Sabit Rustemi që me poezitë e tij na hapi këto mundësi udhëtimi virtual nëbotën e shtrembërimeve serbe. Por né fund të fundit kjo është dhe dëshira e poetit vizionar, të hedhë rreze ndricimi né errësirat e shekujve e të tregojë shtigje të reja. Me poezitë e dy librave të tij të parë ai sikur na thotë: Po këngët epike të Jugut të Shqipërisë a i keni parasysh? Ato ballada, kengë trimërie e dashurie të Labërisë, Bergdetit, Camërisë edhe të arbëreshëve!
 Por le t’ia lemë poetëve, dëshirës sé tyre që ashtu si Sabit  Rustemi projektojnë. Sabitit i takon shprehja e Benedeto kroces që thotë: “Poezia e lartë lëviz e këviz brenda nesh masa të mëdha kujtimesh, eksperiencash,  mendimesh , ndjenja të shumëfishta por edhe shkallëzime dhe ngjyrime të reja.”
  Poeti Sabit Rustemi nё kujtimet e tij, tashmё tё shpalosura prej disa analizave qё po bёhen kёto kohё nga Timo Mёrkuri dhe nga ana ime, pёr librat e parё tё tij thotё:
“Duke lexuar me kujdes “refleksionin” rreth dy librave të parë të mi që u botuan para nja 30 vitesh ( plus dhe me një pritje prej gati 10 vjetësh), ёshtё vërejtur saktë dhe ёshtё thënë shumë qartë se Timo-ja shprushi nëpër pikat e mia më të ndjeshme poetike, siç janë librat e parë, që duket se t’i paska përcjellur ai dhe, ka bërë mirë. Te “refleksioni”, vёrej mё kureshtje problemin e titullit tё librit tim tё parё. Ishte poeti Ali Podrimja qё e ndryshoi me të drejtë titullin bazë “Korzo e lirё”, ashtu siç ёshtё trajtuar nё “refleksionin “ , dhe e mori për titull. Ishte titulli i ciklit të parë “A la lisa era” të cilin e kisha vendosur unë, sepse edhe poezitë lidhen pikërisht me këtë titull po, lidhur kjo edhe me një lojë në formë pyetje që neve si fëmijë, na e bënin më të vjetrit në shtëpi: ” a la lis era… a s’la lis era”?
Natyrisht që ne përgjigjeshim: La lis era … se na vinte inat të na i mirrte era, lisat…
Ndёrsa pёr poezinë “Diku më pret një lule”, një cikël poetik i botuar për herë të parë në revistën “Fjala”, më 1979, them se në dukje të parë kjo poezi duket të jetë një poezi dashurie. Po, vasha e asaj poezie, apo “lulja”, tek ne atë kohë e simbolizonte Shqipërinë. Madje edhe nën titull, ishte një shkronjë e vetme: “Sh”….. edhe kjo si mbulesë, natyrisht karshi pushtetit të kohës. Se, ne ashtu e ndjenim edhe Shqipërinë e asaj kohe, siç e ndjejmë sot por ma shlirshëm, këtë Shqipëri që është. Adresime ndaj Shqipërisë, ka edhe te libri i parë, “Ku i la lisat era”, veçanërisht poezitë: “Zoti ynë i përgjumur”, “Porta pa çelës”, “Balada e një rrjedhe”, dhe “Sytë”.”
Ja, pra se si paralelizohen objektet e poezisё sё njё poeti tё zot. Poezitё e tij emetojnё rrezatime qё vetё Sabit Rustemi i quan adresime. Ai vendi “diku” ёshtё edhe Shqipёria, edhe Naim Frashёri, edhe koha e rilindjes sё madhe tё shqiptarёve edhe shpresa pёr njё Kosovё tё lirё.
Të mos harrojmë se poezitë e të dy këtyre librave janë shkruar nё harkun kohor 1978-1991, kur dielli nuk ndriçonte mbi Kosovë.
Duke parё me kujdes kёta dy libra, jehona e të cilave po kumbon edhe te lexuesi ynë i sotshëm ( e veçmas këtu në Shqipëri ) poezia e Sabit Rustemit bёhet akoma mё e afёrt dhe librat e mёvoshёm tё tij janё legjitimё nё origjinalitetin e tyre. Janё poezi tё Sabit Rustemit. Ai vazhdon tё bёjё poezi!
—————————
1. mundus subterraneus (lat) – bota e nëndheshme.
2.Formulat epike në perspektivën e Ballkanit- botim i akademisë së shkencave të Beogradit, 2015 në artikullin ” Disa tipe të formulave në epikën e kleftikës greke ( heroike)” nga Predrag Mutavzhiç & Sasha Xhorxheviç, f. 139.
3.Poezia e re shqiptare. Jedinstvo- Prishtinë. 1966.
4. Timo Mërkuri. Zeusi i plakur…ose historia e një libri poetik, nё vend të të prezantimi. Pjesa II-të. Rajonipress, 19 maj 2020
5.Po aty.
 6,Anton Nikë Berisha, "Hyrje në historinë e letërsisë gojore shqipe" Faik Konica, Prishtinë, 2017, f.302
7.Formulat epike në perspektivën e Ballkanit- botim i akademisë së shkencave të Beogradit, 2015 në artikullin ” Disa tipe të formulave në epikën e kleftikës greke ( heroike)” nga Predrag Mutavzhiç & Sasha Xhorxheviç, f. 142.
8.Benedetto Croce. “Poesia popolare e poesia d’arte”, Bari, 1933, f.324

Tuesday, 5 May 2020

BARDI I MALIT TË ÇEPURIT


BARDI I MALIT TË ÇEPURIT
..dhe  mali i dashuruar...

Nga Timo Mërkuri.

“Bardët janë këngëtarë dhe poetë keltë” na prezanton Straboni[1], gjeografi i madh i antikitetit duke shtuar se janë një ndër tre grupet e njerëzve që nderohen më shumë në shoqërinë kelte  krahas me Vatët dhe Druidët  ndërsa përshkrimin e parë të tyre e ka dhënë Poseidonius[2] qysh në shekullin e I p.e.s. ku shkruan se: “Keltët kishin disa njerëz që i quanin bardë (bardoi) të cilët bënin muzikë. Ata ishin poetë që i shprehnin lëvdatat e tyre me këngë” dhe ishin një trashëgim indoeuropian i keltëve. Fjala “bard” perkthehet apo nënkupton “thurës i lavdeve” duke dëshmuar në këtë mënyrë se “lavdia” ishte ajo pjesë e jetës njerëzore, që siguronte pavdekshmë-rinë e njeriut  nëpërmjet mbartjes së tij në epikën heroike të popullit.
“Bardët “ krijonin këngë “lëvduese” heroike për bëmat e trimëritë e fisnikëve keltë dhe këto këngë i këndonin në kështjellat e tyre, në të cilat banonin edhe vetë si bujtës, sepse ata  nuk lejoheshin të mirnin ndonjë titull fisnikërie a të ndërtonin shtëpi të larta në asnjë rast. Kështjellat e heshtura në majë të maleve shkëmborë mirnin frymë  nëpërmjet këngëve të bardëve kur ktheheshin nga luftërat ku fisnikët e kalorësit  shihnin nëpër ‘to betejat që kishin bërë, fitoret që kishin korur…
       Ndodhi që nëpër këngët epike të bardëve, krahas vringëllimave të shpatave nisën të dëgjohen dhe psherëtimat e vashave që rrinin pa gjumë netëve nga meraku për fatin e  luftëtarëve. Si të ndrojtura dëgjoheshin fillimisht këto psherëtima, të fshehura në ndonjë qoshe vargu, por tingulli i tyre bënte të dridheshin zemra që nuk dridheshin as përpara shpatës. Dhe sigurisht edhe malet ndjenin një si drithërimë, ca si mornica që u përshkonin gjithë qënien e tyre nëpër damarët e gurtë dhe përcollën erërrat nëpër melodi. Ndihmuar nga erërat e malit u ngrit një oktavë më lart tonaliteti i psherëtimave duke  u shtrirë e zgjatur në melodi dhe duke spostuar pak nga pak bëmat e trimëritë e luftëtarëve…
    Kohët ndryshuan, ndryshuan dhe bardët bashkë me këngët e tyre dhe tashmë lavde e hymne i këndohen dhe dashurisë. Madje një nga këta “bardë” aty në malin e Çepurit ngre këngë e hymne  për dashurinë sikur do të na dëshmojë se “vetëm dashuria është ajo pjesë e jetës njerëzore që siguron lumturinë dhe të hap  portat e pavdekësisë”. Madje dhe vajzën e dashuruar e ngre në rangun e perëndive duke e quajtur “Hyjneshë” e “Hyjnore” dhe shkruan për ‘të se dhe rrathët e ferrit se bëjnë ta harojë: “Nëntë rrathë harese ma mbështollën vargun/Nëntëdhjetëenëntë herë mëndja më vajti/E më mbeti tek ty”[3]. Dhe ndërsa i thotë vajzës …”Çepurit si ky hap i imi qepesh”  befas  sheh se “Çepuri mbet pa fjetur” dhe se “I pafjetur Çepur zhvesh rrobat/gjoksin vë përballë” sepse”…”një Çepur të tërë shprushe/për tu nisur pas teje”.
    Këngët e këtij bardi janë si lulet në pranverë, të shumëllojëshme e shumëngjyrëshme por edhe te lulet e pranverës, trëndafili është ai që dallohet më së tepërmi qoftë për ngjyrën qoftë dhe për aromën. Madje unë do aludoja se në qoftë se për ti thënë diçka një vajze nëprmjet luleve do duhet një tufë sado e vogël, mjafton ti dhuroni  asaj vajze një trëndafil dhe ja ke thënë gjithçka në formën, ngjyrat dhe aromën më të bukur. Prandaj dhe poezitë e dashurisë së tij të përmbledhura te dy vëllimet “Hyjnorja ime je ti” njasojnë me një trëndafilishte që mbush me aromën e tyre gjithë stinët e jetës.
    Spaska ndroje ky bard të flaës për dashurinë, madje dhe vetë zotit i qëndron përballë…”Nëse asht mëkat/me dashtë/mos më fal o zot/Kam me e dashtë përditë/nga çasti në çast/Vullnetarisht e pranova/këtë fat” madje dhe në mot te hidhët…”një shi si ky moti e kam ëndërue/dhe ty dhe ty moj/tek ai shteg Çepuri/degët tuj mi shkundullue” dhe…”Një pamje luleje/me aromë Çepuri/përfiton syve me pranverë” praandaj I thotë vashës …”Laj sytë me një puhi mali/a gurrë Çepuri/dhe nisu” sepse…”Vetëm unë/si një pikë e fundme uji/tek ajo rrënjë luleje kam ngelur/dhe Çepuri”.
    Është i çuditshëm ky bard i malit të Çepurit sepse  këndon vetëm në këtë mal, si bilbili që këndon vetëm në një korie për çdo vit. Ndërsa bardët e tjerë i kanë malet për të kënduar hymne trimërie  për fitoret e për gjakun e heronjve, ky dhe lotët i derdh…”se nuk fluturon para syve të mi ajo grishë e Çepurit/dhe fundit të kësaj dite” dhe se…”Këtu rrëzë Çepurit/ka mbetur vetëm hija e etur/në një pritje të pasosur” sepse….”Vetëm Çepuri ma ruen hijen’, por gjithsesi..”Nëpër bishtat e syve të tu do gjej pak vend/korrin e zogjve të Çepurit/ të dëgjoj”.                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                              
      Është e magjishme kënga  e këtij bardi që i bën edhe lisat të përqafohen si djelmosha të posa takuar pas një kohe të gjatë. Por kjo magji e kësaj kënge e kalon edhe kufijtë më ekstrem të imagjinatës njerëzore sepse i bën dhe malet të dashurojnë e të rendin pas dashurisë si djelmosha që lypin puthjen e parë… “Mali zemërndezur me shpirtin zjarr/nuk la shteg pa ecur/as Lis pa pyetur/kah shkoi ku mbet”[4].
       Malet kudo e kurdoherë kanë qënë prezente në jetën e njeriut shqiptar sepse në shpatet e tij, me gurët e tij ai ndërtonte shtëpinë,  në shtigjet e tij nisej e kërkonte lirinë, nga pas malit vinte drita e diellit në mëngjes apo era e ngrohtë e pranverës dhe si mali qëndronte para rebesheve  armike. Por mali nuk ishte vetëm një simbol  rezistence, ai ishte më shumë se aq, ishte pjesmarës në jetën e shqiptarit me hijen apo praninë e tij aktive... O ju male me dëborë/Pse s’qani hallet e mia…rrënkon njeriu shqiptar nga pesha e rrëndë e jetës dhe vajzës së dashur i thotë  me butësi e ngrohtësi…Duro vajzë të durojmë/Si duron mali dëborën. Ftohtësia e kësaj dëborë çuditërisht nuk e ftoh ngrohtësinë e fjalëve të djalit, sepse janë fjalë që mbartin shpresën e besimin. Me siguri që pas këtyre vargjeve ka lindur edhe ajo kënga e bukur…Ç’u mbush mali plot me dushk/Thotë vajza janë krushq…varg që u jep jetë dhe i vë në lëvizje ëndrat vajzërore drejt ditës më të bukur të jetës…për të mbritur më pas te kënga e bukur…Kur shkoje rrëzës së malit/Duke mbajtur frerët kalit/Duke dhënë sisë djalit/Hajde hajde moj Mine/Sa e bukura që je…Filluam të këndojmë ë? E po ç’ti bësh,  kur flet për male domosdo do ja nisësh edhe këngës.
     Malet kanë qënë aktive në jetën e shqiptarit sidomos në kohë lufte, kohë që i shtrëngonte dhe ato në gjoks sa që rënkonin nga shtrëngesa e dhimbjes…Zunë malet e rënkojnë/Kurveleshi  po luftojnë .. nis një këngë, apo mbanin zi  për trimat e rënë…Mali i Çikës kullon serë[5]/Mba zi për Ymer Xhaferë…pasi kishte vajtuar më parë me gjëmë e ligjërime..Qaj moj Çikë me Gjinikë/Se drëri juaj ka ikë/që i shtij hasmitë frikë/Dhe nuk ju qasej e ligë…E imagjinoni dot të vajtojnë malet me gjëmë suferinash e orteqe dëbore? Më mirë mos ta dini se do ju ikij mëndja fare. Unë do t’ju thoshja të mos e dëgjoni as  vajtimin e asaj vajzës së re që lotonte…Do të dal moj nënë/Do të dal nga malet/Ti thëras bandillit/Vallë mos më ngjallet…
     Nëpër shpat mali kanë lindur edhe legjendat  si ajo e Kostandinit, balta e varit të të cilit ju bë kal për të rendur te e motra Doruntina. Ka dhe male me histori dashurie si te përralla për një djalë që quhej Akro i  dashuruar me vajzën Qerana të cilët në një moment  përqafimi, një shtrigë e keqe u bëri magji dhe i ngriu në vend, sepse kishte zili pse djali nuk dashuronte vajzën e saj Kënetën. Kështu u krijuan vargmalet Akroqerane ku bëjnë pjesë mali i Çikës.
     Pyetja që lind me këtë rast për vargun e Sabit Rustemit “Mali zemërndezur me shpirtin zjarr/nuk la shteg pa ecur” dhe për disa vargje të tjerë është se : a lëvizin malet?  Në poezinë popullore malet janë në lëvizje të natyrëshme dhe këtë e hasim  te vargjet Kam  një lëmsh në zemër/S’di kujt t’i rrëkohem/T’u rrënkohem maleve/Malet më largohen[6]
      Por male në moment dashurie vetëm Sabit Rustemi na ka dhënë dhe ky mal çapkën na qënka Çepuri i tij i cili… trazoi shkëmb e gurë/flatrave të shqiponjës sa kepin kaptoi/si furtunë u lëshua luginave/e u ngrit përmes reve shkreptiu/moteve nëpër stuhi… mandej… Mali kaplohet prej dhimbjeve/zjarrmive të pamatshme digjet flake/e shpirti nuk i del/pa e strukur në gjirin e tij atë Vashë…dhe se… Moteve që kohojnë në këto dhera/nga dashuria për Vashën/thonë të jetë djegur deri në hi/e të jetë ringjallur në Shpend…
      Qasja e malit me dashurinë te poeti e ka shpjegimin e vetë llogjik. Malet tona sipas besimit pellazg ishin qënie me shpirt, ndjenin, kuptonin, zemëroheshin në dimër, mendonin dhe bashkbisedonin me njerëzit. “Përse mendohen këto male të lartë” është vargu i parë i një poeme bashkëkohore të njohur. Me malin poeti bashkëbisedon ( dhe jo vetëm në vargje por dhe në subkoshiencën e tij), qan hallet e dertet e tij, atij i rrëfen të fshehtat e zemrrës, pra përgjithësisht e trajton si një shok. Ky shok i poetit është në moshë të re, sepse dihet që malet tona kanë moshë të re (gjeologjike) dhe pikërisht në moshën e “dashurisë”. Si mal-djalosh i ri që është atij i gufon zemra nga vrullet e moshës, madje ka patur dhe shpërtime e shfrime “rinore të shpirtit” në formën e gejzerave duke “çepuar” ujin përpjetë. Pikërisht nga këto shpërthime e ka marë emrin “Çepur” që do të thotë (në shqipen poetike) “shpërthyesi”. Po jua them ta dini se bash te ky vend çepuri ndodhet edhe “Kroi i ilaçit”, uji i të cilit  ndihmon gratë për të lindur fëmijë.  Prandaj ju them se Sabit Rustemi ka bërë një gjetje brilante me këtë dashuri mali.
     Në pamje të parë duket një poezi entusiazte me temën e dashurisë,  e ndërtuar me ritmin e këngëve (epike) të bardëve, ndonëse jo me vargun njëmbëdhjetëroksh të epeve. Vetëm gjatë leximit kupton dhe më së shumti ndjen se kjo është fillesa e një legjende që përzien botën e baladave dhe përallave (ringjallja në formën e shpendit pas djegies  apo lindjen e burimeve nga plagët) me jetën e zakonëshme njerëzore, një legjendë që metaforizon  forcës së dashurisë gjer në skajet e gjykimit njerëzor, por aq të njohura dhe të pranuara  në botën shqiptare dhe sidomos të “jetuara“ në botën e artit tonë gojor popullor. Poeti  e ka “mare” nga legjendat, siç mund të miret nje trëndafil i porsaçelur nga një kopësht a trëndafilishte  dhe na e ka sjellur  ne, për të na thënë diçka … por a e dini miqt e mi, më mirë lexojeni vetë ju këtë poezi të bukur të Sabit Rustemit për të cilën unë çfletova epokat Dhe sidomos afroni veshët te petalet për të dëgjuar çfarë thotë nëpërmjet fëshfërimës së tyre.

Sarandë, më 04.05.2020

VASHA E ERËS III
Një puhi e lehtë e ëmbël
fletëzave të një mëngjesi
ia shprushi atë floknajë motesh
që i vareshin mbi fytyrë
ëndrrës së panxënshme të Malit.
Prej puhisë u tremb Vasha
nga droja se po rrëmbehej prej Erës
poreve të dashurisë u fsheh
Mali zemërndezur me shpirtin zjarr
nuk la shteg pa ecur
as Lis pa pyetur
kah shkoi ku mbet
Vashën e përpiu papritur toka
honeve të pafundme të shpirtit
e nuk u pa më
Mali trazoi shkëmb e gurë
flatrave të shqiponjës sa kepin kaptoi
si furtunë u lëshua luginave
e u ngrit përmes reve shkreptiu
moteve nëpër stuhi
Mijëvejtshave të shkuara
Bjeshka u shkrumbua prej vetëtimash
zjarresh e vërshimesh
derisa u zhvesh e tëra
asht e lëkurë mbeti
pa një kokërr dhé
Përfundi saj
një fushë e re gjerë e gjatë iu krijua
sa për t’ia zgjatur jetën
e për t’ia ruajtur shpresën
po Vasha nuk u shfaq kund
e Mali s’pushoi të rend pas Saj
Ag e terr përditë Asaj Ane të Nemur
ndrydh e shtrydh veten deri në palcë
sa dhe zemra e gurit nis e pikon
Diku bunoi një krua
një përroskë pastaj lindi
e nuk mungoi as lumi
Thellësive të padukshme
ku depërton sall uji
thonë dhe liqene u krijuan
ku në qetësinë e plotë të Natës
lahet Vasha e shkreh flokët
dhe ëndrra të reja përpush
e zhduket prapë
përmes krahëve të erës
poreve të fshehta të Bjeshkës
Mali kaplohet prej dhimbjeve
zjarrmive të pamatshme digjet flakë
e shpirti nuk i del
pa e strukur në gjirin e tij atë Vashë
Moteve që kohojnë në këto dhera
nga dashuria për Vashën
thonë të jetë djegur deri në hi
e të jetë ringjallur në Shpend
Sa herë dalldia e erërave
shkund Bjeshkën
Ai Shpend
përmes flatrash rrahë furtunat
mes dredhash të papara zhytet
atë Vashë
për ta nxjerrë prej kthetrave
që nuk e lë për të vdekur
as edhe njëherë
(2 maj 2020)





























[1] Strabone Geographia, IV, 2, 4.
[2] Poseidonius (135-51 p.e.s)
[3] Sabit Rustemi “Hyjnorja ime je ti” 2 “Faik Konica” Prishtinë  2019 fq 8 e në vijim poezitë e  cituara   janë nga ky vëllim poetik
[4] Poezia  shoqëruese “Vasha e erës”
[5] Serë, këtu ka kuptimin kullon zi.
[6]  Mora si shëmbuj këngë e vaje të viseve të mia se për viset e Kosovës ka folur Sabit Rustemi.