Saturday, 5 March 2022

 

Timo Mërkuri

 

QASJE ME ARTIN GOJOR E POEZISË SË PJETËR BUDIT 

Përsiatje rreth një aspekti të veçantë të studimit “Pjetër Budi poet dhe prozator” të Anton Nikë Berishës

 

Interesimi im për t’u njohur më gjerësisht me jetën dhe me veprën e Pjetër Budit[1] mori shtysë nga çasti kur u njoha me të dhënat se në shkollën e Dhërmiut, të hapur në vitin 1927 nga murgu Neofilo Rodino[2] dhe më pas në shkollën e Himarës e të Nivicës, përdoreshin si tekste mësimore librat e Pjetër Budit “Doktrina e Kërshtenë[3]“ e botuar në vitin 1618, “Pasqyra e të rrëfyemit” dhe “Rituali roman” të botuara në 1621 dhe me faktin se: […] “Nxënësi i Rodinos Papa Dhimitri, një shqiptar nga Dhërmiu, përktheu në një shqipe elegante katekizmin për t’u përdorur në shkollat dhe në kishat në krahinën e Himarës, mirëpo Vatikani nuk ia botoi sepse ishte përkthyer e botuar “Doktrina e kërshtenë” (në vitin 1618) nga Pjetër Budit që (duhej të) shërbente si tekst mësimor në shkollat e bregdetit dhe në kisha[4].[…].Nga kjo kuptojmë që libri i Pjetër Budit pati përhapje të gjerë përdorimi, si nëpër shkolla shqipe ashtu edhe në kishat katolike dhe ortodokse, duke bërë që të shtypej e rishtypej nga Kongregata e Selisë së Shenjtë Propaganda Fide në Romë[5]. 

I-Përmes librave “Pjetër Budi poet dhe prozator[6]” dhe “Proza e Pjetër Budit[7]“ të Anton Nikë Berishës, më njohen me gjerësinë dhe thellësinë e veprës së Pjetër Budit dhe më shtuan interesimin mbi zhbirimet studimore të vetë autorit në këndvështrime të reja, jo vetëm të kësaj vepre, por për gjithë krijimtarinë letrare të klerit katolik në periudhën e Mesjetës.

Libri “Doktrina e Kërshtenë” i Pjetër Budit është një përkthim në gjuhën shqipe i katekizmit (nga Roberto Bellarmino), i botuar në Romë më 1618 dhe shpërndarë në Shqipërinë e Veriut, të Jugut dhe në vise të banuara nga shqiptarë jashtë vendit. Ajo që tërheq vëmendjen është fakti se: veç tekstit të përkthyer, libri ka një shtojcë prej pesëdhjetë e tri faqe me poezi shpirtërore apo fetare në shqip, me rreth 3200 vargje, të cilat realisht, pas psalmeve të Gjon Bdek Buzukut të botuara në “Mesharin” (1555)[8] janë poezitë shqipe më të hershme në dialektin gegë.

Në tri veprat e përkthyera, Budi 23 poezi me rreth 3200 vargje, pra një vepër të “plotë” poetike, veç parathënies dhe pasthënies që janë prozë me vlera letrare më vete. Natyrshëm që lind pyetja: Ku e “gjeti” shkrimin shqip Pjetër Budi në vitin 1618 për të shkruar këto poezi dhe mbi cilën traditë poetike u mbështet ai për krijimin e poezive?

Në parathënien e “Doktrinës së Kërshtenë” Budi shkruan: ”Më parë hodha (d.m.th. kopjova) në gjuhën tonë dy kapituj e “Ditës së Gjyqit të fundit[9]“ shkruar nga shumë i përndershmi e i devotshmi prifti Pal i Hasit”.[…], duke na prezantuar në këtë mënyrë me një tjetër poet, bashkëkohës ose para ardhës i tij, i cili duket që ka ndikuar te Budi me krijimet e veta gjer aty, sa që ai përfshin te libri “Doktrina e Kërshtenë” dy poezi të tij. Interesant është edhe fakti që poezia parë e Palit prej Hasi fillon me fjalën shqipe “mëni” në vargun “Ajo ditë me mënii [10]“. Mirëpo, veç atyre që shkruan Pjetër Budi për Palin prej Hasi nuk kemi të dhëna të tjera biografike, por edhe po të ishte një poet i njohur në kohën e tij dhe ka ndikuar së tepërmi te Pjetër Budi, përsëri pyetjet e mësipërme nuk marrin përgjigje, veçse i shtohet edhe emri i tij emrit të Pjetër Budit te pyetjet e parashtruara më sipër.

Anton Nikë Berisha në studimin e tij, me një stil të qartë dhe tërheqës, zhbirues dhe bindës gjer në imtësi, shoqëruar me një dendësi informacionesh ndriçuese na udhëheq drejt zbërthimit të “mistereve” të krijimtarisë së klerikëve katolikë në Mesjetë. 

II- Tradita e letërsisë gojore shqiptare 

Populli ynë gjatë historisë së tij ka krijuar dhe përcjellë te brezat e më pasmë një art gojor të pasur në llojshmëri dhe me vlera artistike të larta. Ky art gojor, fillesat e tij i ka në stadin foshnjor[11] të pjekurisë dhe për pasojë, tematika e krijimeve i përket një bote mitike, ku njeriu bashkëbisedonte me hënën e diellin, me zanat e me orët, ringjalleshin njerëzit apo bashkëbisedohej me kafshët e zogjtë etj. Sigurisht që të përcjella nëpër shekuj shumë krijime gojore u harruan, disa të tjera u shndërruan dhe u përsosën duke jetuar më gjatë, të përcjella nëpër brezat pasardhës nga këngëtarët apo tregimtarët popullorë, por rëndësi ka që ka ekzistuar një traditë e artit gojor shqiptar.

Ekzistenca e një tradite të hershme e arti gojor dëshmohet edhe nga trashëgimia e saj gjer në ditët tona nëpërmjet këngëve të vjetra të traditës rituale, përrallave e miteve, baladave, këngëve epike etj.

Dy kanë qenë faktorët që kushtëzuan jetëgjatësinë e këtij arti; fakti që “artistët” popullorë krijuan një art gojor që ishte pjesë e jetës dhe besimeve të kohës, dhe për pasojë ky art “ecte në kohë” bashkë me rrjedhën e jetës, duke u bërë pjesë e identitetit kombëtar si dhe niveli i lartë artistik i këtij arti që i qëndroi kohës.

Autori qysh në krye argumenton se “Letërsia gojore shqipe me llojet e shumta të saj ishte bazë e letërsisë sonë të shkruar […] këto dy shtresa të artit të fjalës: letërsia gojore dhe letërsia e shkruar bashkëjetuan dhe ndikuan ndërsjellas në njëra tjetrën[12]“.[…]. ”Edhe vetë Budi në veprën “Rituali roman” (1621), faqe 152-155 sjell dëshmi të drejtpërdrejta për “vaj gjama vajtimi e të gërvishtunitë e të rāmitë n grusht[13]“.

Te llojet e letërsisë gojore në fillimet e saj u mbështet letërsia jonë e shkruar, pasi ky art “ishte toka” mbi të cilin mbinin e rriteshin pemë e lule e gjithfarë lloje bimësh. Këtu duhet të shtojmë se te arti gojor e ka origjinën edhe kënga, vallja apo piktura e shumë gjini të tjera.

Fakti që arti ynë gojor kishte mbërritur një pjekuri artistike solli për rrjedhojë që edhe arti poetik i shkruar të kishte një nisje me një nivel të lartë artistik, që ishte faktikisht niveli i arritur i artit gojor. Për këtë arsye s’kemi pse habitemi me nivelin e lartë artistik të krijimtarisë së Gjon Buzukut, Pjetër Budit dhe të pasardhësve të tyre në fushën e poezisë. Po ashtu, larmia tematike e artit gojor, stilet dhe format e shumta, janë një pasuri e rrallë që trashëgoi dhe shfrytëzoi letërsia e shkruar, qoftë si burim frymëzimi apo si tematikë.

Falë vitalitetit të tij, arti gojor vazhdon të ekzistojë në vlera të larta edhe në kohën tonë, kohë kur arti i shkruar është masiv, cilësor dhe me shumëllojshmëri formash e llojesh shprehëse poetike. Sot arti ynë gojor ekziston si trashëgimi e vazhdimësi e krijimtarisë së hershme në kushtet e reja, por ajo që ka rëndësi është fakti se ai ekziston edhe si krijimtari aktuale: në forma dhe përmbajtje, duke qenë në nivele të arrira artistike. Madje duke qenë në thelb art gojor, ai paraqitet edhe në formën e artit të shkruar ose notizuar, të botuar në libra, forma këto të artit të kultivuar.

Kështu shpjegohet fakti që poetët dhe shkrimtarët tanë të mesjetës e shfrytëzuan mirëfilli traditën dhe pasurinë e artit gojor si gjuhën poetike, mjetet shprehëse poetike, stilin, ritmin e vargut etj. dhe u paraqitën me një nivel të lartë (për kohën) me botimet e tyre. Duhet të kemi parasysh se arti gojor shqiptar ishte me orientin perëndimor si vetë orientimi i kombit tonë dhe natyrshëm që edhe arti ynë i shkruar u orientua gjithashtu nga Perëndimi. 

III-Qasja e poezisë së Budit me poezinë tonë gojore 

Po të studiohet gjuha dhe stili i veprave të këtyre autorëve shohim se ato ishin elemente të “kultivuar” (për kohën) dhe pikërisht ky fakt na shtyn drejt mendimit se gjuha shqipe e shkruar nuk fillon me këta autorë. Duke parë artin gojor dhe në veçanti këngën shohim se ”Kënga […] nuk ndikoi vetëm në zhvillimin dhe në pasurimin e traditës, por u shpreh edhe në krijimin dhe në zhvillimin e letërsisë sonë të shkruar[14]“.

Le t’i vështrojmë faktet në këtë drejtim: ”Kënga ishte dhe është nevojë shpirtërore e njeriut, prandaj e tillë është edhe te Budi[15]“. Mirëpo, Budi në vend që të këndonte, duke qenë krijues, u ul e shkroi “këngë” me vargun tradicional tetërrokësh, duke u bërë kështu krijuesi i poezisë dhe vargut të shkruar. Këtu ndoshta mund të ketë ndikuar fakti që, duke qenë prift, ai shihte që psalmet në kishë “këndoheshin” duke qenë njëkohësisht edhe të shkruara. Nuk e dimë nëse këtu ishte burimi i mendimit për të shkruar këngët. Pa u shkëputur nga arti gojor, Budi nisi paralelisht krijimin letrar artistik, madje bëri përpjekje që ndryshimi midis dy formave të artit të fjalës në gjuhën shqipe, përkatësisht artit gojor dhe artit të shkruar “[…] të vërehet sa më pak, ose, të them më drejt, ta ndihmonin dhe ta pasuronin njëra- tjetrën në mënyrë të ndërsjellë[16]. Ishte fakt: poezitë që Budi i shkroi bënin jetën e poezive të artit gojor, sepse ato recitoheshin në kishë ose tubime të ndryshme festash fetare për arsye se ishin krijime me frymë fetare dhe stil gojor. Ndaj themi se për nga struktura poetike, stili, fraza, nga rima e metrika, poezia e Budit ka lidhje organike me poezinë gojore. Jemi në fazën që të dy format e artit ushqejnë dhe mbajnë njëra tjetrën, madje Budi shkroi me vetëdije poezitë sipas strukturës së vargut gojor.

Kjo dëshmohet te ngjasimet e shumta të vargut gojor dhe vargut të Budit, të vargut “tetërrokësh”, me të cilin  varg janë kënduar këngët gojore nëpër shekuj. Mendojmë se Budi nuk donte vetë që të largohej nga tradita e vargut shqip, jo se nuk kishte njohuri apo mundësi.

Përbërës i marrë nga poezia gojore është edhe “përsëritja” e fjalëve, frazave, vargjeve deri edhe të strofave që ndodhin brenda vargut, brenda strofës, brenda një poezie të veçantë, ose edhe te poezitë e ndryshme, ndërkohë që kjo “përsëritje” është gjë e rëndomtë në traditën letrare gojore.

 Te disa këngë (p.sh. në këngën IX të “Doktrinës”) kemi vargje që janë të ngjashme me ato të epikës sonë historike apo në këngët kreshnike, balada etj. kur bëhet fjalë për trimat: Gjithë nd’armë e ndë pecir (pancir) dhe O, ij madhi zot fatmiri, i ngjashëm me vargun gojor: Lum për ty për Zotin të lumin, Të lumt na për t’madhin Zot, Lum për ty, o i lumi Zot[17]. Po kështu te disa vargje ai përdor lirshëm edhe disa tipa “mallkimesh” gojore në funksion të idesë së poezisë së tij si: “Puna mos të voftë mbarë!/Fara mos të biftë nd’arë, /as fruitinë mos ta dhashtë! /Të vrafshinë gurë e n dru/o qofsh gjithë mallëkuom[18]“[…]. Pjesë e përkimeve të poezisë së Budit me artin gojor janë edhe disa fjalë të urta të përdorura kryesisht në parathëniet dhe pasthëniet e tij.

Si përfundim themi se qasja e poezisë së Budit ndaj poezisë gojore është e tillë, sa që na tregon edhe gjendjen dhe nivelin e zhvillimit të dy arteve para 1618, artin gojor dhe atij të shkruar shqip. 

IV-Tradita letrare e shkruar në kohën e Pjetër Budit 

[…].”Tri veprat e përkthyera nga Budi “Doktrina e krishterë”, “Pasqyrës e të rrëfyemit” dhe “Rituali roman”, 23 poezitë dhe 5 parathëniet dhe pasthëniet që shoqërojnë këto botime, nuk do të mund të ishin në atë rrafsh dhe të asaj cilësie sikur autori i saj të mos ishte mbështetur në një traditë paraprake. Këtë gjë e përligj para së gjithash pasuria e gjuhës, mënyra e sigurt e të shprehurit, shtjellimi i tekstit, format e ndryshme frazeologjike, fjalë të urta, urime, mallkime etj., thekson me të drejtë autori [19]”.

Këtu zgjerohet hapësira e shikimit, sepse ne kemi mësuar që shkrimi i parë shqip është “Formula e pagëzimit” e vitit 1462 dhe libri i parë i botuar është “Meshari” i Gjon Buzukut (1555).

Duke folur për “Mesharin” Eqrem Çabej ka shkruar:[...] duke shikuar me një vështrim objektiv këtë tekst, nga gjuha e rrjedhshme...dhe nga mënyra...mjaft konsekuente e shkrimit, arrin të bindet.. se në Shqipëri ka qenë formuar që më parë […] një traditë letrare me shkrime [...] me një ortografi gjer diku të caktuar[20]“ dhe se “[…] dhe se vepra e Buzukut u shkrua pikësëpari me një gjuhë letrare: prodhimi edhe një zhvillimi të mëparmë të shkrimit dhe i përpunimit nga ana e këtij shkrimtari”.

Sipas Çabejit shkrimtarët tanë të vjetër, në bazë të kohës kur i shkruan dhe i botuan veprat e tyre, “[...] përfaqësojnë një lulëzim të shënueshëm të shkrimit të gjuhës shqipe e të literaturës së vendit” dhe se ”Fakti se këta nuk janë një e dy, po përbëjnë një varg burrash të pendës, na dëshmon se aty nuk kemi një dukuri kulturore sporadike, po kemi të bëjmë me një lëvizje mendore[21]”.

  Kjo tezë  shtron  hamëndësimi për ekzistencën e shkrimit shqip para “Formulës së pagëzimit” dhe “Mesharit”, madje Namik Ressuli shkon deri aty sa të shkruajë se Buzuku “[...] do të jetë mbështetur në një traditë paraprake të ortografisë e ndryshme nga ajo e tij[22]”, madje duhet të theksojmë se ekziston edhe teza e Joklit për lashtësinë e shkrimit në Shqipëri, para Buzukut. Tezën e një shkrimi shqip para Buzukut e mbështesin një sërë studiuesish vendas dhe të huaj si: Kolë Ashta, Henrik Lacaj, Martin Camaj, Dhimitër S. Shuteriqi, arbëreshi Françesko Solano, studiuesi rumun Gustavo Adolfo Loria Rivel, Gunnar Svane etj. madje edhe duke e argumentuar dhe krahasuar me shkrime të njohura dhe të publikuara apo me metodën krahasuese të analizave të teksteve të ndryshme, të cilat Berisha i përmend.

Një informacion interesant na sjell edhe vetë Budi kur duke bërë të ditur për mënyrën e përgatitjes dhe të botimit të poezive që kishte përfshirë në librin “Doktrina e krishterë” (1618), ku ai thotë: [...] “shkrova mbi gjuhu[t] tanë mā parë do kapituj të Ditësë gjȳqit qi i gjeta shkruom Atit shumë n cë ndērshim e n cë devotshim frat Pālit prej Hasi. Të cijtë ende me do të tjera të nçtuom disa herë tue i shkruom, …hina për gjithë ditë kā pak tue nçtuom. Shkrova ende sā të tjera kafshë, sā mujta n cë tjera gjuhush tue i kthyem mbi gjuhu[t] tanë[23]“.[…].

Nuk është qëllimi ynë të shkruajmë dhe të vërtetojmë tezën e ekzistencës së shkrimit shqip para Buzukut, por nuk mund të lëmë pa sjellë në vëmendjen e lexuesit faktin se: Plini Plak (Gaius Plinius Secundus ) (23-79 e.r.), në vitin 77 (pas Krishtit) botoi korpusin prej 37 vëllimesh për historinë natyrore, titulluar “Naturalis Historiae” (Historia e natyrës), dhe në vëllimin VII, shkruan qartësisht: “Ilirët kanë krijuar të parin alfabet dhe romakët shkrimin e tyre e morën nga ilirët”. Lexo me vëmendje këtë fragment: romakët shkrimin e morën nga ilirët, pra shkrimi ekzistonte te ilirët që të mund ta merrnin romakët. Logjikisht ekzistenca e shkrimit nënkupton akte të shkruara, qofshin këto shkresa, traktate apo libra.

Për ta “ndezur” debatin e mësipërm, në vëllimin VI të këtij korpusi Plini Plak shkruan: “Nga kjo rezulton një përdorim i shpeshtë i shkronjave të alfabetit. Në Lazio (Lacium) ata që i sollën, ishin Pellazgët”.[…]. Po kështu te informacionet për ekzistencën e Universitetit mesjetar të Durrësit, hapur në vitet ’80 të shek. XIV janë ndihmuese për tezën e ekzistencës së shkrimit shqip në mesjetë, apo e dhëna se: “[…] në vitin 1584 në Stubëll (Kosovë) ka qenë hapur një kolegj katolik”.[…], për të cilin: […]. “studiuesi kroat, Miroslav Vanino[24], përmend botimin e një katekizmi në gjuhën shqipe të këtij viti në 500 kopje”.[…], apo dhe gjetja e “Dorëshkrimit të Kieutit” (1735 – 1750).

Lehtësia e të shkruarit të veprave të klerikëve të përmendur, frazat elokuente dhe të lidhura organikisht në fjalitë e veprave, dëshmojnë për njohje dhe praktikë të shkrimit shqip para Buzukut. Veçse duhen gjetur provat dokumentare për ekzistencën e tij. Natyrisht, këto duhen kërkuar së pari nëpër arkivat e vendeve evropiane dhe në Vatikan.

 

IV-Me këtë studim Anton Nikë Berisha spikat në punën e tij të ndriçimit të “mistereve” dhe të “fshehtave” të gjuhësisë dhe letërsisë shqipe në labirintet e shekujve, duke na ftuar që ta ndjekim jo atë, por dritën që reflektojnë këto “mistere” dhe këto të “fshehta”.

 

Sarandë, shkurt 2022

 

 

 



[1] Pjetër Budi u lind në Guri i Bardhë, Mat më 1566. Mësimet e para i mori në vendlindje, pranë disa ipeshkvijve të ndryshëm, më pas u shkollua në Kolegjin Ilirik të Lorentos, afër Ankonës. Në vitin 1587, në moshën 21 vjeçare u caktua meshtar, duke shërbyer si famullitar i thjeshtë për 12 vjet në Kosovë dhe Maqedoni dhe më pas për 17 vjet si zëvendës i përgjithshëm i dioqezave të Serbisë. Në vitin 1616 shkoi në Romë deri më 1621. Atje u mor …me shtypjen e disa librave shqip, ku në vitin 1618 botoi veprën e tij të parë “Doktrina e Kërshtenë” dhe më 1621 dy veprat e tjera “Rituali roman” dhe “Pasqyra e të rrëfyemit”, vepra që janë kryesisht përkthime ose përshtatje, por të zgjeruara dhe të shtjelluara në atë mënyrë, sa që dalin si vepra të reja. Si poet dhe prozator Pjetër Budi njihet për rreth 100 faqe prozë dhe 3200 vargje poezi të botuara (kryesisht) tek “Doktrina e Krishtenë”. Gjatë viteve 1616-1622 bëri disa udhëtime në Itali, kryesisht për qëllime atdhetare si dhe për të botuar veprat e tij. Kthehet përsëri në Shqipëri ku emërohet peshkop i Sapës dhe i Sardës, por duke parë gjendjen e popullit dhe padrejtësitë që i bënin klerikët e huaj, më 1622 organizoi një Besëlidhje të klerikëve shqiptarë të zonës së Shkodrës, Zadrimës, e Lezhës për të mos pranuar klerikë të huaj. Në dhjetor 1622 mbytet (aksidentalisht?) duke kaluar lumin Drin. Gjatë 29 vjetëve që shërbeu me petkun e klerikut, ai u shqua për veprimtari atdhetare si një ndër organizatorët e kryengritjeve anti turke, Për këtë dëshmon edhe “një letër e datuar 15 shtator 1621, të cilën imzot Pjetër Budi ia drejtonte kardinalit Gozzadini në Romë, në të cilën ai parashtron planet e strategjinë për një kryengritje në Ballkan kundër otomanëve”. ( R.SH. Vatikan. 2020-01/29-) Kjo veprimtari atdhetare është arsyeja që mbytja e tij është cilësuar si një komplot vrasjeje.

[2] Neofil Rodino murg bazilian që erdhi në Dhërmi në vitin 1623 dhe hapi shkollën shqipe. (Prof. dr. Njazi Kazazi,. “Mësimi i gjuhës shqipe gjatë Rilindjes Kombëtare e deri në fillimin e viteve ’20 të shekullit XX”) Ai (Neofil Rodino) botonte libra shqip dhe katekizma dhe i shpërndante ndër fëmijët dhe fshatarët falas.. (Petro Marko: Shkolla shqipe tre shekuj më parë, “ Intervistë me vetveten”, Retë dhe gurët).

[3] Kryefaqja e titullit përmban këto të dhëna: Vepra “Doktrina e Krishterë”, e hartuar për nder të kujtimit dritëplotë të Papa Klementit VIII nga Shën Robert Belarmini, prift i Shoqërisë së Jezusit, tani Kardinal i Kishës së Shenjtë të Shën Marisë in Via. Përkthyer në gjuhën shqipe nga i nderuari Don Pjetër Budi nga Guri i Bardhë. Në Romë, nga Bartolomeu Zaneti 1618. Me lejen e Eprorëve}.

Përkthimi shqip i ‘Doktrinës Kristiane’ prej imzot Pjetër Budit përbëhet nga 169 faqe. R.SH. Vatikan. 2020-01/29.

[4] Petro Marko, Shkolla shqipe tre shekuj më parë. “Intervistë me vetveten”, Retë dhe gurët.

[5]“Për këtë duhet të ketë pasur një numër relativisht të madh kopjesh nga botimet e viteve 1636, 1664 dhe 1868. Më 1759 në depot e Kongregatës Propaganda Fide kishte ende gjithsej 960 kopje të këtij libri” (Anton Nikë Berisha, Pjetër Budi poet dhe prozator. Luigi Pellegrini Editore Cosenza 2015.

[6] Luigi Pellegrini Editore Cosenza 2015.

[7] Qendra Shqiptare e Studimeve Letrare “Pjetër Budi” Tiranë 2019.

[8] Shih dy studimet e Anton Nikë Berishës: “Meshari” – vepër e hartuar nga Gjon Buzuku. Fondazione Universitaria “Francesco Solano”. Comet Editore Press. Cosenza 2014. Botimi i dytë “Faik Konica”, Prishtinë 2014 dhe Gjon Buzuku poeti ynë i parë. Studim. Faik Konica, Prishtinë 2016. Botimi i dytë Pellegrini Editore, Cosenza 2016.

[9]“Dita e Gjyqit të fundit” ishte një përshtatje mjeshtërore në gjuhën shqipe, sipas ritmit të saj tetërrokësh, Psalmit - himnit të njohur latinisht të mesjetës Dies irae, dies illa të rregulltarit françeskan Tomës nga Çelano (Tomaso da Celano, rreth 1200-1255).

[10] …duke më kujtuar “mëninë” e Akil kordhëtarit te Iliada.

[11] Anton Nikë Berisha “Pjetër Budi poet dhe prozator” Luigi Pellegrini Editore Cosenza 2015. F. : Krijimet e letërsisë sonë gojore u shënuan shumë vonë në krahasim me lashtësitë e tyre. f. 23.

[12] Po aty. f. 19.

[13] Po aty f. 29.

[14] Po aty f. 221.

[15] Po aty f. 221.

[16] Po aty f. 223.

[17] Vargjet e cituara marrë nga libri në fjalë f. 235.

[18]Po aty, f. 239.

[19] Po aty, f. 30.

[20]Po aty f. 31. Marrë nga: “Meshari” i Gjon Buzukut (1555). Botim kritik. Punuar nga Eqrem Çabej. Pjesa e parë. Hyrje dhe transliterim. Universiteti shtetëror i Tiranës. Instituti i historisë dhe i gjuhësisë. Tiranë 1968, f. 18.

[21]Po aty f. 32, marrë nga Eqrem Çabej, Pjetër Budi dhe gjuha e tij. Në “Pjetër Budi. Kumtesa dhe artikuj”, vep. e përm., f. 141.

[22] Po aty f. 33. Marrë nga: Namik Ressuli, Il “Messale” di Giovanni Buzuku. Riproduzione e trascrizione. Studi e testi 199. Città di Vaticano. Biblioteca Apostolica Vaticana, 1958, f. XVII. P.S. Të gjitha citatet e përkthyera nga italishtja, janë të autorit të studimit, Anton Nikë Berishës.

[23] Po aty f. 39, marra nga Pjetër Budi. Poezi, vep. e përm., Prishtinë 2006, f. 298

[24] Po aty f. 40.

Sunday, 20 February 2022

 

Timo Mërkuri

 

  DHIMBJA SI DASHURI

 

Përsiatje mbi librin poetik ‘Trokitje të prushta” të Albina Idrizit

 

 

Duke lexuar librin e ri poetik “Trokitje të prushta” të poetes Albina Idrizi, me parathënie të Anton Nikë Berishës, ndjejmë qysh në vargjet e para një ngrohtësi dhe mirësi shpirtërore që del prej fjalëve, si afshi i nxehtësisë nga prushi i vatrës, që  të ngroh porsa e “sheh me sy” dhe më pas të vjen vala e të nxehtit në trup. Ky prush shpirtëror i poetes, krijuar nga dashuritë njerëzore të djeshme dhe të sotme, na vjen me valë nxehtësie dhe na krijon përshtypjen se buron prej bukurisë së vargjeve dhe vetëm pasi e lexojmë poezinë, kuptojmë se vetë vargjet janë ajo flaka e hollë e prushit që na lodron para syve. Vetëm pas leximit kuptojmë se “prushi” është përfituar nga dru lisi të djegur në shpirtin e poetes, që e mbajnë flakën brenda tyre dhe jo shkurre, që digjen me zhurmë e bëjnë vetëm hi.

 Për ta kuptuar poezinë e Albina Idrizit le të zbërthejmë strukturën e librit, prej ku do shohim katër faza (kushtimi dhe krijimtarie) që i korrespondojnë fazave të jetës së saj, bijë, vajzë, grua dhe nënë, duke na dëshmuar se ajo është një poete që krijon në çdo fazë jete dhe jo thjeshtë shkruan biografinë e jetës së saj në vargje. Ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se Albina Idrizi e dashuron jetën në çdo çast të saj, sado i vështirë të jetë çasti, ndaj “end” me dashuri poezitë, sikur do të na thotë se: “poezia është forma më e arrirë e shprehjes së dashurisë për jetën”. Duke e parë botën me syrin e dashurisë, ajo (bota) është e bukur, duke e parë me syrin e poezisë edhe e zeza përthyhet në qindra ngjyra dhe “nuk është më e zezë” : ”Kaq gri në mua/që më bën ta dua të bardhën/ dhe të zezën /po aq” […] (f. 17) shkruan thjeshtësisht dhe ngrohtësisht poetja.

 I-Albina Idrizi është një poete e toneve të qeta, por brenda qetësisë vargjeve të të saj, si brenda kacekëve të Eolit janë mbyllur erërat dhe furtunat, e i mjerë kush e hap “grykën” e tij. Duke gjykuar nga poezitë themi se jeta i ka mësuar Albina Idrizit durimin, por jo tkurrjen, i ka mësuar qetësinë, por nuk ia ka fashitur revoltën. Ka një poezi Albina Idrizi që të trondit qysh në titullin e saj (metaforik) “Unë e putha armikun tim”, titull që na skandalizon në hamendsimet tona para dhe gjatë leximit, titull dhe vargje të paperceptueshme për mentalitetin dhe botëkuptimin tradicional shqiptar, por madhështor për mesazhin që mbart: “lufta nuk na shpëton nga dashuria, por dashuria e shpëton botën nga lufta”.

Kjo poezi na jep shkas të kujtojmë se si  në në dimrin e luftës sa e sa lisa jete u prenë në Kosovë dhe u hodhën në zjarr.  Në flakët e kësaj lufte u dogjën trungjet, filizat, gjethet e lulet e porsalidhura, u dogjën petalet e dashurive, në orët e ndalim qarkullimit u dogjën ëndrrat e takimeve të sa e sa vajzave. Perëndimet skuqnin si plagë dhe toka ndjente dhimbjen e të vrarëve.

Pikërisht në këtë Kosovë të djegur dhe të martirizuar nga “armiku që ajo puthi”është shkruar kjo poezi, e megjithatë poetja në vend të urrejtjes ofron dashurinë: “Sot e putha armikun tim/lehtë, butë, qetë.../Më dhembi në shpirt shija e tij/atij i dogj në buzë e imja/ pastaj çdo gjë e hekurt shkriu mes nesh././m’u duk se preka me dorë Hyjin/e loti e bënte tjetër syrin e tij/dhe lumturia ime e pushtuar/se e ktheva në vete Njeriun././Nesër fitues, e di nga sytë e tij/do të zgjohet i dashuruar”.[…].(f. 20). Rilexoni vargun: “pastaj çdo gjë e hekurt shkriu mes nesh” për të kuptuar idenë dhe vlerën e poezisë, për të kuptuar se Albina Idrizi ndonëse është poete e toneve të ulëta, si psherëtima e pëshpërima dashurie,  njëkohësisht është  poete e dashurisë së madhe njerëzore.

 II-Te ky libër më shumë se kudo poetja Albina Idrizit ka zgjedhur të flasë si bijë, si vajzë e dashuruar, si grua dhe si nënë, por ajo që ka rëndësi është fakti se ajo më shumë se sa flet, “bashkëbisedon” me prindërit, bashkëshortin apo me fëmijët në një mënyrë ku të jemi të pranishëm edhe ne, lexuesit. Poetja shkruan sinqerisht “Kam mësuar/fshehtësinë e të mbeturit fëmijë/ zigzageve të dikundit (f. 40), duke “treguar” një nga “sekretet” e të qenët poet, ndërkohë që si bijë, nga fëmijëria kujton: “Kur qeshte nëna ime /në shtëpinë tone/vallëzohej me një fishkëllimë/./ Një ëndërr e bukur fillonte mbrëmjes vonë atë natë/../ Venin e vinin pëllumba të bardhë/ që i këndonin qiellit /ushqyer me thërrmija gëzimi/në të nënës sime prehër” (f. 33). Sigurisht që ne kuptojmë se ky idil poetik ishte ëndërrim i botës së saj fëminore. Kjo është e natyrshme sepse: “Poezia nuk dëshiron të matet me atë që quhet realitet, ndonëse realitetin e përdor si një trampolinë për lirinë e saj” (Hugo Friedrich). Portreti në vargje i nënës së saj është mjaft i bukur: ”[...] edhe në qindra /shtresa akulli të skalitësh / ti ngrohtësi fal,/edhe në shkëmbin më të ashpër/të gdhendesh/ti butësi ledhon, ledhaton/ edhe në bronzin më të zjarrtë/të derdhesh/ti dashuri dhuron./Çfarë është ajo/që bën çdo vajzë/të dëshirojë/të të ngjajë ty f. 38). Të duket se germat këngëzohen si nota muzikore të një melodie dashurie, ndërkohë që për babain flet me tone solemne: “[…] ti kapiten i pa dekoratë/. /unë ushtare pa armë/ nën urdhrat enigma/ -beso, fal, duaj,/ duke qarë apo qeshur” (f. 43), duke na treguar pa dashje edhe sekretin e vargut të saj të qetë, faktin që është rritur me moton: “beso, fal, duaj”.

 III- Thonë se vajzat e dashuruara shkruajnë gjithmonë poezi, por vajzëria e poetes ka një veçanti që lidhet me kohën e kësaj dashurie. Realisht ka një cikël poezish dashurie në pjesën e fundit të librit, që duke studiuar këndvështrimin dhe strukturën e vargut, duket se janë krijime ose skicime të para disa viteve dhe të ripunuara së fundmi ose janë të zhbiruara në kujtesën e poetes. Këto poezi që kushtëzuan për t’u lexuar në datën 14 shkurt, më tingëlluan si një melodi e ëmbël violine e më bënte ta kthej kokën në rilexime. Tej bukurisë së vargjeve të befason forca dhe finesa e shprehjes së tyre, shohim shpirtin e poetes, besimin e saj te dashuria edhe nëse koha është e çmendur: “Çmenduri qe dashuria atëbotë/apo qe kohë e çmendur /për t’u dashtë./ Duhej zë të heshtje krismat/puthje të qepje plagë/ përqafime të ngjitje gjymtyrë/arna shpresash, oh sa duheshin,/të mbaje shpirtin gjallë./U gdhimë një ditë, papritur/ unë grua,/ti burrë,/pa qenë kurrë dashnorë” (f. 68), duke na dëshmuar se dashuria është së pari forcë për të jetuar, për të luftuar, për të parë të ardhmen në sy, duke qenë ndërkohë edhe flijim: “Zot, me çfarë do ta/ ngushëllojë veten njerëzimi/./ për gruan e vetmuar/që lufta la pas/e deshi veç me dashtë” (f. 54). E lexojmë përsëri E deshi veç me dashtë […] dhe heshtim me sytë ulur, duke e ngushëlluar veten se këtë herë nuk jemi ne fajtorë për vetminë e saj, por jo se s’jemi fajtorë pse s’e ndalëm këtë vetmi.

Përgjithësisht arti poetik i arrirë na bën të ndjehemi të vegjël e të ndjeshëm para tij, ndërkohë që dashuria na bën të ndjehemi të bukur e të fortë, kudo e kurdoherë, por Albina Idrizi shprehet me një gjuhë poetike që të krijon përshtypjen se ajo thjeshtë rikujton vetveten në çaste tënjeshme: ”E mban mend/ qenia ime e mishtë/ prekjen e parë të burrit/ që të bëri grua përgjithnjë /dhe pa krijuesin në ty…//E mban mend?” (f. 84) ose “[…] e ëma/ /i tregoi se pikërisht aty/në truallin ku mbiu/bëhet dashuria më e bukur../E mësoi të flasë /me fluturat, barin, vesën” (f. 10-11) dhe t’i thotë se “[…] dheu ku do të puqet/ ruan dashurinë më të madhe/ për të cilën ajo ende/ nuk e di se do t’i jepet” (f. 8), duke na kujtuar ndërkohë fjalën e Eliot kur thotë: […]. ”Poezia nuk është shfryrje e emocioneve, por shmangie prej tyre”, duke i derdhur në vargje (shtojmë ne).

 Ajo që ka vlerë në poezitë e Albina Idrizit është fakti se dashurinë nuk e sheh si diçka të jashtme që pret të vijë nga diku, por e ndjen si diçka të brendshme, që “[…] nuk ka të bëjë/ me asgjë jashtë teje” (f. 25) ose Mëso të më duash/ditë për ditë, i dashur/dhe do ta kuptosh/se unë jam vështrimi/ që flet përbrenda teje” (f. 62). Nuk di pse ndjej një farë droje të poetes, si te çdo vajzë, me ç’rast më kujtohet shkrimtari danez Siren Kirkegard kur thotë se: “Poeti […] e fsheh ankthin e pafund në zemrën e tij, por buzët e tij janë formuar në atë mënyrë që psherëtimat dhe qarjet tingëllojnë si muzë e bukur”. A thua këtu qëndron sekreti i bukurisë së “psherëtimave” dhe “pëshpërimave” poetike të Albina Idrizit? Apo te fakti që edhe pranë lisave të rrëzuar, madje dhe të mbuluar me dëborë, çelin manushaqet e prillit.

 IV- Gruaja e re shpreh lirshëm veten në vargje kur i drejtohet të shoqit: “[…] si duket dita atje tek ti?/Ka diell që bën inat me timin sy?/Apo erë që të përkëdhel/ me afshin e dashurisë sime /unë veç kam mall, i dashur/ ndaj dua ta shoh ditën/ ashtu siç e sheh ti” (f. 86). Në një tjetër poezi shprehet: “Pasqyrë më e dashur/më është syri yt” (f. 85) për të arritur dendësinë e shprehjes së ndjenjave te vargjet: “Kur ti je larg/ shtëpia jonë ruan vetminë time,/./ Gërvishtjet mbi tavolinë/ janë ankthet e…para,// Janë përvjetorët që na mësuan/ të numëronim ndryshe/ me numrat e njëllojtë” (f. 69-70), duke na dëshmuar e mësuar se dashuria nuk është vetëm një përvojë jete por është vetë jeta, dhe siç thoshte Dostojevski: ”Ndoshta vetëm duke dashuruar përnjëmend […] mund të kuptohet misteri i jetës”.

 V-Te poezia e Albina Idrizit nëna të befason me forcën dhe gjerësinë e saj shpirtëror, me humanizmin dhe vizionin e saj për jetën: “[…] shumë herë më të madhe/nga ç’mund të përfshihet/mes dy buzëve,/qoftë ajo edhe fjala./e unë sa e sa herë ju them emrat/për t’u bindur nëse e kishit kuptuar/se në rrugë fituesi /nuk është gjithmonë i pari,/por dashuria” (f. 29), duke na ritreguar se “dashuria “ është kryefjala e poezisë së saj.

Albina Idrizi është poete e toneve të ulëta, që koha e vuri para sprovave të vështira, megjithatë për të shpëtuar fëmijët e saj, familjen e saj: ”Mund të bëj veten bukë/në një epokë urie” (f. 13). S’di pse këto vargje më kujtojnë Jezu Krishti kur u thoshte dishepujve; […] ”Kjo bukë që do hani është trupi im dhe kjo verë që do pini gjaku im është”[…], por ndryshe nga biri i Perëndisë, poetja qetësisht thotë: “[…] dhe kthehen me të gdhirë /për t’u gurëzuar përsëri, qetë /pa rënë në sy” (f. 13). Këtë e thotë me qetësi dhe me një ëmbëlsi që i dritëson nëpër zanoret e fjalëve si ndër sy, thua se është Rozafa që vetëflijohet, me besimin se do ringjallet në një farë mënyre : ”Mbase kështu kam lindur/duke rikrijuar vetveten” (f. 17) pohon poetja. A nuk thoshte Uollt Uitmani: “Poezia është fjalë, fjala është dhimbje, dhimbja është njeri”.

Albina Idrizi si njeri, si femër, si poete që luftoi luftën, shkruan për dhimbjen si dashuri, për dhimbjen që shkakton dashuri.

 

Sarandë, shkurt 2022

 

Tuesday, 8 February 2022

 

KOMUNITARIZMI NË PROZËN E ODISE KOTES

Esse mbi librin me tregime “Biletë për në qiell”

 

Nga TIMO MËRKURI

         Sa herë që bie fjala për shkrimtarin Odise Kote të gjithë biem dakort që krijimtaria e tij ka një bukuri veçantë, të dallueshme nga krijuesit e tjerë të kohës, madje vlerësimet kalojnë lehtas në superlativa duke u shoqëruar me cilësorët më entuziastë, duke u krahasuar me vepra dhe autorë të mëdhenj. Edhe unë jam një vlerësues i veprave të tij, por tej deklaratave të përgjithëshme, dua të kuptoj,  ku qëndron e veçanta në prozën e Odise Kotes.

        I - Porsa nis leximin e librit me tregime “Biletë për në qiell” të Odise Kotes të krijohet një ndjenjë sikur sikur ti po “ecën” nëpër rrugica të kalldrëmta, madje ndjen më shumë se sa kupton, qê “je duke ecur” diku te  Qafa e Pazarit apo Sokaku i të Marrëve, “shkon” te  Klubi i Gjuetarëve apo  “ngjit” ato tetëmbëdhjetë shkallët për tek Gjykata e Apelit. Mund të “jesh” duke zbritur për tek Trëndafili i Erërave apo në Vasilikua, por gjithmonë do jesh brenda Gjirokastrës. Kjo ndjenjë nuk është rastësore, pasi optika e shkrimit të tregimeve të  Odise Kotes, pavaresisht se ku është teatri ku zhvillohet ngjarja, është gjithnjë Gjirokastra.

Gjirokastra si mentalitet e mençuri është ai prizmi kristalor ku përthyhet gjithçka me lehtësinë e përthyerjes së dritës, për të marrë më pas formën dhe aurën e qytetërimit. Ky fakt i jep veçanësi këtij autori dhe e bën krejt të dallueshëm prej shkrimtarëve të tjerë stilin e tij të shkrimit të tregimeve.

        II- Odise Kote është gjirokastrit, pjesë e atij komuniteti qytetar me fillesa qysh nga koha e Zenevishëve, që jo vetëm u rezistoi trysnive të shekujve, pushtimeve, por krijoi mënyrë dhe kulturë jetese autentike me një dendësi të madhe përvojash në një hapësirë fare të vogël. Kjo dendësi përvoje, kulture dhe mënyrë jetese jo vetëm që ishte ushquese për vetë banorët e komunitetit, por ishte sa rezistente ndaj faktorëve  të jashtëm aq dhe rrezatuese për të ndikuar mbi këta faktorë. Në thelb arti që krijon Odise Kote  mbart esencën,  psikikën e këtij qytetërimi që: pavarësisht ndryshimeve demografike të ndodhura  nëpër vite e shekuj, mbetet funksionale si një laborator ku elaburohen idetë , këndshikimet, perceptimi mbi botën e ngjarjet, ëndërrimin për të ardhmen duke e bërë komunitetin gjirokastrit të ketë jo vetëm një vizion të qartë për ngjarjet dhe dukuritë, por të shtrojë një “kalldrëm” nëpër të cilin të ecte jeta dhe progresi i saj.

Ky “kalldrëm” është komunitarizmi qytetar gjirokastrit, një“strukturë e ndërlikuar ligjësish” ofuar nga përvojat, që përcaktojnë mënyrën e jetës të komunitetit, “kalldrëm” që nuk e gjen në  qytetet e tjera. 

Komunitarizmi qytetar në ligjërimin e O. Kotes përcillet edhe me flladin e humanizmit, që si një erë e lehtë pranverore shpërndan në jetën qytetare tregimet, nē thellësi të të cilit ka dhe një tis të hollë humori fin, tipike e qytetërimeve, e njerëzve të ditur e inteligjentë, afinitivë me librin dhe ngjarjet e botës. Odise Kote gjatë procesit krijues eksploron kujtesën e tij qytetare dhe atë kolektive të komunitetit gjirokastrit. “Zbulimet” që bën aty apo në “zgafellat” e harresës, janë mahnitëse, janë thesaret që ai na shtron  në tregimet e tij, të cilat i shohim e  mrekullohemi me to.

 "… të shkruarit është gjithmonë eksplorim i vetes dhe i botës njëkohësisht; eksplorim i qenies individuale dhe kolektive” ka thënë nobelistja Nadine Gordimer. Nga kujtesa kolektive Odise Kote mjeshtërisht na përcjell “ligjësinë” e komuntarizmit qytetar si psh. “ligjet” e një fqinjësie të mirë me fjalët: “Kush do ta dojë me të vërtetë gjitonin, duhet ta respektojë në tri gjëra: Ta nderojë kur është i  pranishëm, ta lavdërojë kur nuk është prezent dhe ta ndihmojë kur është në hall” (fq 99). Shumë të thjeshta këto ligjësi në të kuptuar, por që kanë forcën dhe bukurinë e një diamanti.

E theksojmë karakteristikën e komunitarizmit të qytetit Gjirokastër sepse: “Është e pamundur ta gjykosh letërsinë e kohës sonë pa e lidhur me krizën e përgjithshme të qytetërimit, krizë që nuk është thjesht e një sistemi ekonomik, po është shembje e krejt koncepcionit të njeriut dhe të realitetit” shkruan Ernesto Sabbato. Në rastin tonë,  njohja me komunitetin qytetar gjirokastrit dhe  me “ligjësinë” e jetës së tij është çelësi që “hap portën” hyrëse në prozën e Odise Kotes. 

       III-Gjuha në prozën e Odise Kotes të befason me shkëlqimin e saj, me tingullin plot jehonë të misterëshme që përcjell, me ndenjën e një dijeje të herëshme që të krijon. Në një kohë që krijuesit e tjerë synojnë përdorimin e fjalëve moderne apo të huaja në krijimet e tyre, Odise Kote e ka bërë metodë të vetën përdorimin e fjalëve dhe shprehjeve të mara nga fondi  i fjalëve dhe shprehjeve të haruara apo të mbetura në fondin pasiv a të vdekur të leksikut komunitar, duke u dhënë atyre jetë, vlerë e shkëlqim, feks e bukuri në frazat e tregimit. Mes fjalive, fjalë të tilla ndrijnë si monedha ari të qepura në “festet” apo “shamitë” e kostumeve të vajzave të reja që i veshin në festat e fshatit apo krahinës. Fjalë si: “mëmëzonja”, “babazoti”, (fq 15), “jeto” (fq 19), “trushkulur”fq (21), “turifyç” (fq 25)“ “ditëprerë”, “(zërin si) camunzë lofate”(fq 23), “i thiliks” (fq 31),”gjëmëmadhe”,  “llokoçisin” (fq 33), “(të )“laj lumin”(fq 48), “Koçkëla” (fq 50), ”pufkë” (fq 54), “Çerekdamllatë..gërmadha”, “ndërgjegjet e lerosura” (fq 67), “gjysmaku” (fq 71) , “(i qe tharë) “guxhumani” (fq 99), “thagmë thashethemesh”(fq 229) “dërdënge” (fq 177), “trishton trishtimin” (fq 177)  etj. etj. janë jo vetëm fjalë të një fjalori komunitar, por janë shpesh elementë tipizues të personazheve, që ravijëzojnë qartazi një portret njeriu, po aq sa edhe një kulturë, qytetërim, kohë  formimi e një mënyre jetese. Odise Kote vazhdon të na befasojë dhe më tej: Në fjalorin komunitar gjirokastrit, në mënyrën më befasuese përdoren fjalë të bukura edhe për zymtësinë e jetës!!! “Trëndafili i erërave” quhet vendi ku janë ngritur varrezat e qytetit, “Vasilikua” (nga “vasiliko”) quhen varrezat,  që jo vetëm  largojnë gjer në harrim fjalën “varreza” dhe “varr”, por e zvëndësojnë me emrin e mësipërm aromëmirë, të bukur, pranveror.

“Tek shtatë penxheret” i quajnë gjirokastritët birucat e burgut të kështjellës, ndërkohë që vetë emri “birucë” nënkupton diçka thellë nën tokë, ”shtatë palë shkallë” ku mungon në mënyrën me absolute ndonjë mundësi  soditjeje. Ndërkohë penxheret ndërtohen pikërisht për të soditur, per të parë jashtë shtëpisë, banesës, ndërtesës veç funksionit të hyrjes së dritës dhe ajrimit në shtëpi. Duke e quajtur penxhere birucën (nisur nga fakti se birucat ishin ndërtuar në kështjellë), zbutet efekti  psikologjik për të dënuarin por edhe për familjarët e tyre, ku vijnë t’i vizitojnë. Këto fjalë dhe emërtime dëshmojnë për një kulturë të madhe dhe të hershme qytetare, kulturë që gjallon ende, duke na ndriçuar një portret dhe pamje të kulturuar të qytetit dhe banorëve të tij. Po ashtu  frazeologji të tipit: “E vërteta?... ri e fshehur, atje ku s’ja pret mendja njeriu”(fq 27), “..netët nuk mund t’i gënjesh”, “Fatit i tremben dhe perënditë” ( fq 51), “në se nuk e kupton heshtjen time, si mund t’i kuptosh fjalët e mia” (fq 102), “nuk jetoj në botën ku varrimi është më i rëndësishëm se i vdekuri” (fq 122), etj. etj fjalë e frazeologjizma që “tunden” në trupin e fjalive si gjerdane e varëse floriri, me aq hijeshi sa në qafën a gjoksin e nuseve të reja, “krijuar” në argjendarinë e përvojës jetësore. Këto janë nga ato tip frazash që janë “kryefjala“ në tregimet e Odise Kotes. 

Në tregimet e tij flasin “thesaret”e fjalëve dhe  frazave, ashtu si për origjinën dhe rangun familjar të nuseve, flasin kostumet e qëndisura me ar, “florinjtë e ballit” dhe “florinjtë e gushës”. Dhe duke qënë se këto  thesare i gjen në esplorimin e kujtesës individuale apo të komunitetit të tij, duke perifrazuar Xhojsin do thoshnim se Odise Kote ”mbyll sytë dhe shikon e shkruan”. Është vërtet një metodë e bukur kjo e të shkruarit symbyllur. Provojeni!

          IV-Është fakt se Odise Kote në krijimtarinë e tij letrare jo vetëm që ngre në mit mënyrën e jetesës dhe fjalorin gjirokastrit, por ai e përdor këtë edhe për të “pikturuar” portretin e personazheve të tij,  të cilët mbartin dhe reflektojnë komunitarizmin qytetar. Kështu psh.te tregimi “Qilari” (fq 12-20),  ku nxënësit e shkollës së mesme të qytetit revoltohen pse nuk u jipet në biblotekë romanin “Bel-Ami” të Mopasanit, i cili ishte i ndaluar dhe  duke qënë se nuk e “njohin” konceptin e “librit të ndaluar”(“Si? Libra të ndaluar? Ndalohet libri? Kjo nuk ka llogjikë!”) fq13, shprehin revoltën e moshës duke shkruar në korridorin e shkollës parullën: “Ndalohet Mopasani. …lejohet Rauf Kani”. Sigurisht që kjo revoltë ishte ndaj “ndalimit të librave të verdhë”, por  parulla ishte hartuar në një mënyrë që të krijonte humor dhe jo debat, një humor që të çpon si majë gjilpëre dhe të shkakton mornica në trup.  Humori te teksti  i parrullës nuk “njolloste” Mopasanin e “ndaluar dhe as që përbuzte  Rauf Kanin, shkrimtarin e ri bashkë-qytetas që kishte shkruar dy libra për pionerët partizanë, ajo në thelbin e saj ishte një revoltë ndaj “lejfenizimit” të njëriut të ri që kultivonte shkolla, dhe për pasojë ajo ishte kundërvënie ndaj një “padrejtësie” që shteti u bënte nxënësve, të cilët “kishin nevojë për përfytyrimin e botës, për zbërthimet radhë pas radhë të saj, me gjithë zhbirimet e pafundme të fantazisë” (fq 16).   

Revoltë e shprehur me finesë dhe  elegancë, shoqëruar me një solidaritet komunitari ndaj padrejtësisë që i bëhet një kovaçi, e shohim edhe te tregimi “Në Tiranë ka një gjyqtar të mirë” në momentin që kovaçi bërtet: O i biri i Yzos! Do mi japësh paratë apo ti shkul ato kangjella nga Yzua e ti ngul te Fatja”.

Zemërimi në tekst fsheh përmasat e revoltës shpirtërore të kovaçit të dehur, por edhe fyerjen e birit të  Yzos (“që kish qënë drejtor në kohë të ligë” fq 146)) për arsye se “mëhalla e dinte që Fatja i kishte vënë brirët Yzos kur ishte gjallë”(fq 147). Realisht të birit të Yzos i duhej të jetonte me  turpin e të  kaluarës së prindërve të tij, (“E kaluara nuk vdes kurrë. Madje nuk është as e kaluar” thoshte Folkner), ndaj dhe përmëndja e emrit të jaranit të së ëmës publikisht, dhe “kërcënimi i kovaçit se: do t'ia shkulte kangjellat nga varri i të jatit (Yzos) dhe do t'i vendoste te varri i jaranit (Fatja), ishte sikur ti vinte brirë vetë kovaçi, madje publikisht. Realisht në fjalët e kovaçit nuk kishte asnjë fyerje me fjalë të rënda, asnjë kërcënim për dhunë fizike, me gjithë se ishte në gjëndje të dehur dhe mund të justifikohej. Kultura komunitare nuk e lejonte as një kovaç të zemëruar të kalonte caqet e etikës së të folurit publik. Madje dhe solidariteti i  “mëhallës”që ndiqte ngjarjen nëpër dritare në atë pragmesnate shprehet plot finesë, me një të qeshur të përgjithëshme që: “...e thërmoi natën në mijëra copa. E griu”(fq 147).

        V-Te tregimi “Qilari” lexojmë: “Shpejt, atje! - mërmëriti (mëmëzonja) si në prehër durimi, më shumë me sy se sa me zë. Të kam shpurë dhe bukën. Atij i kanë hipur xhindet” (fq 14), ku ne kuptojmë se shprehja: “Shpejt, atje..”do të thotë: shpejt futu vetë në qilarin (burgun) e shtëpisë. As vendim gjykate, as policë shoqërues, as burg te “shtatë penxheret” e kështjellës, por një burgim brenda ambienteve të shtëpisë. Gjëja më normale që i shkon ndërmend lexuesit është se ky burgim na qënka “gjasme burgim”, por në fakt  burgimi është më se i vërtetë, djaloshi i dënuar nga kryefamiljari izolohet në burgun (qilarin) e shtëpisë, ku qëndron pa kontakte me banorët e tjerë të familjes. Është i vetmi qytet në vendin tonë, por besoj dhe në botë ku çdo shtëpi kishte “burgun e saj” ku vuanin dënimin ata familjarë që kishin bërë faj ndaj familjes apo ndaj komunitetit. Fraza: “Atij…i kanë hipur xhindet” flet jo aq për kodin patriarkal, ku gruaja nuk i fliste në emër burrit të saj, se sa për faktin se ai ishte autoriteti i padiskutueshëm në vendim marrje në shtëpi, ai ishte dhe “prokuror” edhe “gjykatës”. Pra, në tre rreshta autori na ka dhënë një ngjarje familjare me një densitet dramatik, që duhet të jesh pjestar i komunitetit gjirokastrit ta kuptosh situatën. Në qoftë se duhet të njohim portretin e “gjykatësit” le të lexojmë autorin: “…unë babazotin e mbaj mënd për gjestin e tij kalorsiak, për aktin sublim, siç e quante ai, refuzimin e kësaj bote, mosdaljen nga shtëpia.…"Nga shtëpia doli vetëm kur mbylli sytë, në udhëtimin e fundit drejt Aliqeve, në Pllajën e Trëndafilit të Erërave”.(fq 17-18)].  Nuk e di pse kur e lexova këtë frazë, që skicoi në vetëdijen time një portret plaku kokëfortë, m’u kujtua kërcënimi lemeritës që Diellit i bëri Zeusit (te Iliada) me fjalët: “Do ikij nga kjo botë, do shkoj të ndrij për të vdekurit”. Imagjino një plak në Gjirokastër, i lodhur nga mos gjetja e normalitetit në raportet e tij me shtetin e kohës, refuzon jetesën e tij normale dhe “vetëburgoset në shtëpi” ("Prej asaj dite nuk u pa më në qytet. As në mëhallë" fq 18)

Ky plak nuk është në  kundërshtim me filozofin Seneka  kur thotë se:“Njeriu nuk është krijuar të jetojë i vetmuar, ai është qënie shoqërore”. Më shumë na ngjeth shtatin fakti se ky kundërshtim ndodh në  Gjirokastër, në vendlindjen e atij që drejtonte vendin komunist dhe ishte kundërshtim ndaj mënyrës së drejtimit të shtetit. Në fakt, përkundër llogjikës së gjërave, ky qytet, jo vetëm që s’kishte patur asnjë favorizim prej tij, por kishte provuar goditjen më të fortë të diktaturës, sidomos në psikikën, në atë shtresën e patjetërsueshme intelektuale. Nuk e di nëse jeni dakort me mua që edhe sfidën më të madhe atij rregjimi ia  bënë intelektualët e këtij qyteti. Në lidhje me “babazotin”, parafytyroni pak sikur t’i vente në vesh një gjysëm fjale Atij për këtë plak që… refuzonte! Çfarë do ndodhte me atë, më mire mos t’a mendojmë.

        VI-Tregim“Qilari” ndonëse ka një “thesar informacioni”, vjen për të na rrëfyer fuqinë e Librit, ose Shën Librit. Ne do flasim për “thesarin” prej librash që ”që dihet se përse kishte zbritur babazoti në atë qilar shtëpie gjirokastrite". Por fëmija i vogël e zbulon shpejt me kërshërine e guximin e tij. “Pas atij zbulimi, qilari u bë strehëza ime e preferuar. Përtej kënaqësisë së leximeve. m’u ngulit në kokë ideja që krahas jetës sime kishte edhe jetë të tjera, më interesante, më intensive”.(fq 16). Është kjo arsyeja që djaloshi e pret qetësisht qortimin e babazotit: “Në ferr o veç, djalo” (fq 20) dhe me gëzim ndëshkimin: “Kisha përfunduar vërtet në ferrin e qilarit, me libra të zverdhur, atje ku gjëndej gjithë parajsa ime …” (fq 20). Mjafton kjo frazë për të kuptuar marrëdhënien me librin në familjet gjirokastrite (“libra të  verdhë” fshehur në qilar nga babazoti), marrëdhënie që kultivonte  ndjenjën e “garës” për të mësuar më “shumë se shoku”. Kjo ndjenjë e “garës” ishte motori që vinte në lëvizje shpirtin arsimdashës të familjeve gjirokastrite dhe që me metodat e tyre, si më rripa trasmensioni ua përcillnin fëmijëve “sedrën”dhe dëshirën për të mësuar, duke e bërë qytetin një qendër intelektuale kombëtare. Mjafton të kujtojmë faktin se në vitet para Luftës së Dytë Botërore gjithë vendi ynë kishte 450 intelektualë gjithsej, nga të cilët 250 ishin gjirokastritë. Këtu duhet parë dhe zemërimi i babazotit për përjashtimin nga shkolla të djalit, i cili : “..u gremis pa u nisur”, duke na dritësuar befas mendimi se: Gjirokastrën e ndërtoi shpirti i “garës” i banorëve të saj, “garë” për të bërë shtëpinë më të bukur se fqinji, në atë rrëpirë vend etj. dhe jo ndonjë plan urbanistik sulltanor.

     VII - Ne shohim te tregimet e Odise Kotes një dendësi informacionesh dhe përvojash jete të pa hasura në asnjë qytet tjetër, që autori i zbraz nga kujtesa, duke u çliruar nga pesha e tyre. Në fakt kjo është  letërsia: "Letërsia është një proces çlirues” thotë  Fernando Namora. E veçanta e Odise Kotes është bukuria e paraqitjes së gjetjeve të këtij eksplorimi të vetvetes, paraqitje në tregime me ngjyrat dhe “format”e  rombeve të “qëndisura” mbi kalldrëm, ku ngadalson të ecurit, thjesht për të shijuar bukurinë e vetë ecjes në një kalldrëm të “qëndisur”.

Dhe me që përmëndëm  rombet mbi kalldrëmin e qytetit, a e dini që tregimet e Odise Kotes “kanë“ një formë “rombi” letrar? Ky “romb” është vetë struktura e tregimit, që i vëzhguar nga një distance  kohore pas leximit, e sheh të pozicionuar me majat kënd ngushtë lart e poshtë, (që përfaqsojnë hyrjen dhe në përfundimin e tregimit) dhe anash cepat kënd gjerë të rombit, (që përfaqsojnë zhvillimin e subjektit). Kjo do të thotë që tregimi ka të njëjtin intensitet ngjarjeje dhe nivel artistik si në hyrje ashtu dhe në mbyllje të tij, ndërkohë që subjekti zhvillohet në mes të tregimit me dendurinë e rrëfimit, itensitetin dhe nivelin artistik të tij. Le ta shohim këtë fenomen psh te tregimi “:Në Tiranë ka një gjykatës të mirë” (fq. 144-148), i cili fillon me frazën: “Retë gjithë natën fjetën mbi mal. Në mëngjes u turrën si të çakërdisura mbi kokë, në Qafën e Pazarit. Aty mga ora nëntë sikur ndoqën pas grumbullin e njerëzve”. Në asimetri me këtë hyrje që paraprin rrebeshin, mbyllja është gati e njëjtë…” Rrebeshi u përplas i tëri verbërisht mbi kokat e tyre.”. Ndoshta është kjo strukturë e tregimit që të mban të “tendosur” si interesimin e leximit, madje të fton në një rikthim leximi për së dyti. Meqënëse jemi te tregimi “:Në Tiranë ka një gjykatës të mire”, kjo frazë që shërben si titull shprehet qysh në pjesën e parë të tregimit dhe lexuesi kujton se vërtet në Tiranë është ndonjë gjykatës i mirë, që jep drejtësi, që peshon paditë me peshoren e farmacisë  dhe befasohemi në fund kur lexojmë se: ky gjyqtar ishte i mirë për personazhin nga që…”(e)..bëri veteran në moshën pesë vjeç në kohën e luftës…” Këtë pozicion struktural të tregimit e shohim edhe te tregimi “Shirat”, i cili fillon me frazën : “kur retë nxitojnë si kuaj të hasdisur në qiell të murrmë, në qytet nisin shirat” dhe përfundon me frazën: “Mbase për këtë e kanë fajin shirat”, ndërkohë që subjekti zhvillohet  në një kohë me shi. Po ashtu tregimi “E çmendura e Tiranës” vetëm në fund na tregon shkakun e çmendurisë: “Si gëlltite dot asnjëherë“moj e ngratë” tradhëtitë e babait dhe helmet e njerkës gjuhëpiper” (fq 196), etj. Kjo strukturë  të mban në “tension” interesimin për tregimin, qoftë si subjekt, qoftë si vlerë artistike dhe është një gjetje fine, që sado të përdoret te pjesët e librit, ajo nuk të krijon “bezdi përsëritjeje” pasi mbetet si një fill i hollë, i padukshëm në “qepjen e kostumit” tregimtar. Lexojini në këtë këndvështrim tregimet e Odise Kotes dhe do gjeni perlat në thellësi të tyre.

         VIII- Dashuria në librin me tregime “Biletë për në qiell” zë një vend të merituar, si një prej burimeve qënësore të jetës dhe ekzistencës, por edhe në këtë sferë Odise Kote paraqet veçantinë e tij. Pothuaj, të gjithë krijuesit bashskëkohës kur shkruajnë për dashurinë e paraqesin atë me ngjyra rozë, me mendimin se kjo ngjyrë do “reflektojë” dritë dhe pasion te lexuesi, ndërsa Odisea Kote shprehet “me ton” gati të  prerë: "Dashuria është diçka e zezë"(fq 162), duke na befasuar qysh te titulli i njërit prej tregimeve, duke na paralajmëruar, siç pohon Xh. Xhojsi: "piknisjen sipas rrethanës". Tek ngjyra e zezë zbërthehen të gjitha nuancat më të holla të ngjyrave që sheh dhe percepton syri i njeriut dhe në “asimetri” me të, themi se: dashuria gjëndet në të gjitha ngjyrat e spektrit jetësor, që të bashkuara krijojnë të zezën unike. Kështu është dhe dashuria e tregimeve të tij, me të gjitha ngjyrat, të zbërthyera apo të mbledhura nga e bardha, e kuqja, grija, bluja ....deri tek e zeza. Sepse këtë rregjistër ngjyrash e tonesh ka jeta. Në qoftë se fraza “Dashuria është diçka e zezë” ka si autor Picasso, poeti gjilanas Beqir Musliu ka vargun absurd “Bukuria asht shumë më e bukur kur asht në të zi”(Beqir Musliu“Bukuria e zezë” Prishtinë 1980),   “ku ai shpërfaq abstraksionin brenda ligjërimit poetik” (Ibrahim Rugova: “Strategjia e kuptimit”  Rilindja, Prishtinë 1980 fq 95).

Duke u larguar nga termat akademike, le ta shohim te tregimet e Odise Kotes “të zezën e dashurisë”. Tregimi “Dërzani” nis në një odë morti ku vajtohet i zoti i shtëpisë “i vrarë” nga kali i tij, duke e rrëzuar nëpër gremina. Autori na paralajmëron  kur na thotë: Të dish historinë e një peme, duhet të mësosh më parë historinë e farës. Farë varvati” (fq 42), por ne vetëm në fund të tregimit mësojmë se  gruaja xheloze, që dyshonte se i shoqi e tradhëtonte në ato bredhjet e tij me kalë, diçka i bëri kalit. “Me çfarë e ushqeu atë mëngjes, si ia nguli gozhdët në patkonj dhe si ia la të zgjidhur rripat e yzengjisë” (fq 42) duke i mbledhur të gjithë ngjyrat në një të zezë të thellë vdekjeje!!!  Ky tregim ndoshta e çfaq më dukshëm të “zezën e dashurisë”, ndërkohë që pikërisht tregimi “Dashuria është diçka e zezë” (fq 162) duket se bën një “lojë” dritash e ngjyrash duke treguar “krijimin” e të zezës te dashuria: “Në vitin e tretë të martesës fati e braktisi. Markoja, bashkëshorti, lodhur prej tekave të saj a ndoshta në kërkim të një aventure tjetër ia mbathi në Argjentinë”, “atë mëngjes Nikolinin e kapi temperaturë e lartë” (fq 163). Në përpjekjeve e saj dhe të personelit spitalor për shërimin e të birit, nis e zbërthehet ngjyra e zezë (si në një prizëm dashurie) në gjithë ngjyrat e ylberit, ku dallohet ngjyra rozë. Janë një sërë tregimesh te ky libër ku Odise Kote luan me ngjyrat në dashuri, ku herë i bashkon në të zezë dhe herë i zbërthen në spektër të ylbertë (“Vajtimi i grave u ngjit në qiell”fq 28,”Litarët e mëndafshtë” fq 69,“Mery Zingler fq 123,“Refuzimi” fq 155,“Peshqit nuk kapen kur s’ka hënë” fq 179 etj etj) sikur do të pohojë thellësinë e fjalës së Osho kur thotë: “Të jesh krijues do të thotë të jesh në dashuri me jetën”. Odise Kote e dashuron jetën në të gjitha ngjyrat e saj dhe këtë e shpalos më së miri tek libri me tregime “Biletë për në qiell”.

Sarandë, më 07.02. 2022