Tuesday, 19 March 2024

 

Timo Mërkuri

ËNDRRA QË QAN NËN QERPIKË 

 

Ndërsa po lexoja poezinë "Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr” të Natasha Lakos s’di pse në kujtesë më vezulloi një tjetër brilant poetik i saj ku përmenden lotët, madje dhe një borë që po shkrinte, pikërisht poezia :”Nuk më le bora që të shoh” me vargjet e çiltëra gjer në naivitet:  “Nuk më lë bora të shoh/çatitë e kuqe dhe pemët e zhveshura /po ndjej si nën të/ lëviz pranvera./Flokët e borës/bien e shkrijnë në qepallat e mia/ kaq lotë të bukur/ kaq lotë të bardhë/ mund të pikojnë vetëm nga dashuria”. Kjo poezi e shkruar në një moshë të re, në mënyrë të habitëshme ofron një qasje me poezinë "Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr”, të cilën duhet ta shfaqim me synimin e vijëzimit të kurbës gati perpendikulare të rritjes cilësore të krijimtarisë së poetes Natasha Lako në dy kohë, përcaktuar si koha e krijimit të këtyre dy poezive. Kjo ka edhe  vlerën e dëshmisë se Natasha Lako është rritur si fidani që bëhet lis dhe jo si shartesa kulturore të ndryshme mbi një trung peme çfardo.

 

I-Autorja e poezisë "Nuk më le bora që të shoh" sot është ngjitur në Everestin poetik, por ne nuk duhet të harrojmë atë vajzën e imët që lotonte në dritare, pse nuk e linte bora të shihte dike, pse është pikërisht ajo dritarja e shtëpisë korçare vendi nga nisi rritjen dhe ngjitjen e mundimshme poetike Natasha Lako për të ardhur te kuota poetike "Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr”. Nga poezia: ”Nuk më le bora që të shoh”, janë mbartur (ndoshta duhet të themi se janë zgjatur si degë të një peme dhe kanë frutat) te poezia "Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr” një shikim zhbirues në një qiell çiltërsie, por tashmë retë e këtij qielli që përplasen në mendimet e saj me njera tjetrën shkrepin rrufe metaforash që shkarkojnë misterin nëpër vargje. Le ti lexojmë këto rrufe të tanishme dhe ti gjejmë rrënjët e tyre te ata dy sytë e butë që pas dritares përloteshin pse bora nuk i linte të shikonte botën që ëndërronte.   Përtej dallimeve të kuptueshme si pasojë e kohës dhe përvojës jetësore të poetes në momentin e shkrimit të secilës poezi, ka elemente të përbashkëta që lidhin dhe identifikojnë autorësinë e Natasha Lakos te këto krijime, ashtu si si disa tipare që krijohen në fëmijëri mbarten te njeriu në moshë të rritur (sigurisht me ndryshim si pasojë rritjeje, jo tjetërsim identiteti):

Kështu: -Imazhet e natyrës dhe mjedisit natyrorspecifikisht janë përdorur në të dy poezitë si metafora dhe simbole për të shprehur ndjenjat e heroit poetik. Në poezinë "Nuk më le bora që të shoh", përshkrimet e borës, çatitë e kuqe dhe pemët e zhveshura janë përdorur për të shprehur ndjenjën e vetmisë, ndërsa në poezinë "Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr", qielli, yjet dhe natyra paraqiten për të përfaqësuar një lloj shpërthimi emocional dhe një ëndërr që nuk humbet.

-Emocioni dhe ndjenjat shpirtërore janë thelbësore në të dy poezitë, ku në poezinë "Nuk më le bora që të shoh" ndjenja e dashurisë dhe ngrohtësia shpirtëror përballen me ftohtësinë (e borës) dhe vetminë, ndërsa në poezinë "Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr", ëndërra dhe shpresat për një të ardhme më të mirë përplasen me dhimbjen dhe melankolinë. Në këtë kontekst, përdorimi i metaforave dhe imazheve të forta shfaq ndjenjat dhe emocionet e heronjve poetikë, psh. përdorimi i borës si një simbol i ftohtësisë e vetmisës, dhe përdorimi i qiellit e yjeve si simbole të shpresës dhe ëndrrave, tregon  ndërthurje të ngjashme të metaforave dhe imazheve, por diferencimi bëhet pikërisht te forca e tyre.

-Ndjenja e melankolisë dhe kujtesës, pavarësisht pse poezitë përqendrohen në tema të ndryshme, të dyja shfaqin një ndjenjë të thellë melankolie dhe mos harrimi. Në poezinë "Nuk më le bora që të shoh", melankolia dhe mos harrimi janë të pranishme në pasqyrimin e pamjes dimërore dhe vetminë që përjeton heroina, ndërkohë që te poezia "Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr", melankolia është prezent në shfaqjen e një ëndrre që nuk do të vdesë, duke reflektuar një lloj nostalgjie për një kohë të kaluar ose për një ëndërr që nuk mund të realizohet, pra flasin dukuri të ndryshme: reale dhe shpirtërore.

-Forca e shprehjes emocionale është ne dukshmëri lineare kohore mes dy poezive, ku përdorimi i fjalëve dhe imazheve të ngjashme apo që kanë qasje shërbejnë për të përforcuar ndjenjat dhe emocionet e përjetuara në kohët poetike, por dhe dëshmojnë të njejtin “burim”.

-Edhe pse shfaqin perspektiva të ndryshme, të dy poezitë shprehin një lloj misteri dhe një pasqyrim shpirtëror të emocioneve të individit. Ky pasqyrim shpirtëror dhe ndjeshmëria e thellë e poetes janë karakteristika të përbashkëta që e identifikojnë stilin dhe autorësinë e Natasha Lakos.

-Një aspekt më konkret që mund të identifikojë autorsinë e Natasha Lakos në të dy poezitë është stili i saj dhe përdorimi i elementeve të strukturës së poezisë. Natasha Lako shfaq një stil të veçantë që përmban disa elementë të përbashkët ose me qasje të madhe në dy kohërat, pavarësisht përsosmërisë si pasojë e zhvillimit të talentit poetik, përvojës jetësore dhe arsimit e kulturës së shtuar në kohë:

-Imagjinate dhe ngjashmëria metaforike e poetes është vënë disa herë në dukje prej nesh, pasi poetja  përdor metafora dhe imazhe në mënyrë të ngjashme në të dy poezitë (në rastin konkret) për të shprehur ndjenjat dhe ide emocionale.

-Poetja përdor një strukturë të veçantë për të organizuar poezitë e saj, ajo përfshin një qasje të lirë dhe ekspresive ndaj formës së poezisë, duke përdorur shpesh lirikën për të lejuar shprehjen e lirë të ndjenjave dhe ideve, madje kjo është kaq e dukëshme sa që shpesh mjafton të lexohet poezia dhe të kuptosh që është Lako, ndonëse heziton

pak te distance kohore e krijimit.

-Veçanërisht stili i Natasha Lakos shquhet për ritmin dhe melodicitetin e tekstit të saj, ku përdorimi i rregullt i rimave, aliteracioneve dhe ritmit të ngadaltë krijon një strukturë sonore që bën poezinë tërheqëse dhe të frymëzuar. Shprehja "krijon një strukturë sonore" nënkupton krijimin e një qasje, afërie të organizuar dhe të arirë në përdorimin e elementit  “zanore” në një tekst, pra poetja përdor teknikat zanore për të krijuar një tingull sa tërheqës aq dhe të harmonishëm në tekstin poetik. Fjala "sonore" në këtë kontekst përcakton që poezia është e pasur me tinguj, zanore dhe melodi, duke e bërë atë të dukshme në mënyrë të jashtëzakonshme për dëgjuesin. Kjo strukturë sonore ndihmon në përcaktimin e një këndi të veçantë emocional për lexuesin ose dëgjuesin. Në esencë, ky koncept fokusohet në përdorimin e gjuhës për të krijuar një efekt të veçantë për publikun që po dëgjon ose lexon tekstin dhe Natasha Lako pak ka ndryshuar në përdorimin e elementit “zanor” në krijimin e strukturave sonore..

Pra, përmes këtyre elementëve të përbashkët, edhe pse poezitë kanë tema të ndryshme dhe janë shkruar në periudha të ndryshme të jetës së autores, ato shfaqin një poete të njohur në rritje, me një stil të vetin që vjen duke u përsosur dhe një aftësi të shkëlqyer në shprehjen e ndjenjave dhe përvojave emocionale që është në rritje si vetë njeriu.

Të kuptojmë, gjendja emocionale në dy poezitë është thelbësore, pasi autorja shpreh ndjenja nëpërmjet simboleve të natyrës dhe imazheve të ngjashme që përforcojnë ndjenjën e vetmisë, vuajtjes dhe shpresës për një liri emocionale, që përshtatet qartë me linjën tematike të poezisë së Lakos dhe përqendrohet në eksplorimin e ndjenjave të ndërgjegjshme të saj. Ajo që duhet të citojmë veçanërisht është fakti se qysh në poezinë e rinisë së saj, Lako, jo vetëm që nuk pati qasje me poezinë e soc. realizmit por shfaq elementë të modernitetit poetik psh. poezia e përmendur më sipër vlerësohet si një poezi moderniste me tipare simbolike dhe jo realiste, duke hapur një shteg të ri në studimin e poezisë së saj.

 

II-Në qoftë se do analizojmë shkurtimisht dhe krahasimisht disa nga figurat artistike të dy poezive për të krahasuar rritjen cilësore të poezisë së Natasha Lakos në kohën ndërmjet dy poezive do shpreheshim që:

-“Lotër” janë simbol i emocioneve të thella dhe në poezi përfaqësojnë një formë shpërthimi  emocional, një lloj shkarkimi nga ngarkesa shpirtëror e ndjenjave të fshehura, por në mënyrën se si shfaqen te dy poezitë ka ndryshime të dukëshme: te poezia “Nuk më le bora që të shoh” bora që shkrin ngjan me lotë të pastër dashurie, pra kemi nje krahasim direkt, te poezia e dytë janë ëndrrat ato që lotojnë, në kontekst vargu:“një ëndërr, që qan dhe qan e nuk pushon" që është metaforik, pasi shpreh një situatë ku ëndrra për diçka, e cila nuk realizohet, vazhdon të shfaqet dhe të "qajë" (të shprehë nevojën ose dëshirën për të) pa ndalim, e cila interpretohet si një përjetim emocional që nuk mund të ndërpritet apo të zgjidhet lehtësisht. Metafora e "qarjes" shton një element të fuqishëm emocional në varg. Pra nga një kuptimshëmri e drejtpërdrejtë te poezia e parë, kemi një të shprehur metaforik në të dytën. Por jo vetëm kaq, te poezia e parë janë flokët e borës që shkrijnë , pra një ndryshim fizik i kristaleve të borës nga akull në ujë që ofron simbolin e lotëve, te poezia e dytë loton një ëndërr, e cila në këtë varg mund të cilësohet artistikisht si një personazh simbolik ose një element metaforik, term që do të përputhej më mirë me përshkrin e një qenie abstrakte ose një përvojë simbolike që përdoret për të shprehur ndjenja dhe ide emocionale në poezinë e vargut. Pra, ajo (ëndrra) përfaqëson një gjendje emocionale ose një dëshirë shpirtëror që kërkon realizim, por vazhdon të jetë në stadin e parë. Si figurë simbolike, "ëndrra" ka karakteristika njerëzore, duke qenë në gjendje të shprehë nevojën ose dëshirën për diçka, ndërsa si element metaforik, ajo paraqitet si një entitet që komunikon me emocionet dhe gjendjen shpirterore të personit. Në të dyja rastet, "ëndrra" shërben si një element që forcon mesazhin e vargut dhe shton kompleksitet në interpretimin e tij artistik. Pra, nqse te poezia e parë jemi në një teren konkret, në poezinë e dytë jemi në një terren abstrakt, madje jemi në një terren shpirtëror, mirëpo bota ku “flasin” ndjenjat është poezia moderne, element të cilin kurësesi nuk duhet ta harrojmë. Unë do mirëkuptoja çdo lexues që do dëshirronte të sillte për ilustrim vargjet e poezisë: ’Binte shi me diell/ditën e parë të çlirimit/dukej natyra si një njeri/ që qan e qesh prej gëzimit” pse asgjë nuk do ndryshonte në interpretimin e mësipërm, veç tekstit vargor.

-Në qoftë se do shohim në tërësi simbolet e poezisë “Nuk më le bora që të shoh” vërejmë se ato janë simbole natyrore si “bora”, “çatitë e kuqe dhe pemët e zhveshura”, ”pranvera”, “flokët e borës” dhe “lotët e bukur dhe të bardhë” të cilët kanë një mënyrë interpretimi të drejtpërdrejtë, ndërkohë që simbolet te poezia: “Nën qerpikë më ka ngelur një ëndërr”simbolet natyrorë janë përsosur dhe modernizuar si psh: simbolika e puthjes shprehur te vargu ” Në merimangën e qiellit shtrihet puthja ime, si ëndërimi që nuk do të vdesë" shpreh vazhdimësinë dhe intensitetin e ëndrrave dhe dëshirave të heroit, të cilat edhe pse janë të mbingarkuara me dhimbje e trishtim, vazhdojnë ekzistencën përjetësisht, si një pjesë e ndërgjegjes së heroit, pavarësisht elementit natyror si qielli.

-Ndërsa vargu "Dallëndysheve ngjyrë plumbi"na rikujton se dallëndyshja është simbol i një shprese të re dhe lirisë. Cilësimi “me ngjyrë plumbi” sugjeron një atmosferë të errët dhe të trishtuar, pse ngjyra e plumbit simbolizon melankolinë dhe trishtimin. Fraza:"Çikrikut të një pusi të mbyllur", ku pusi shpesh shfaqet si simbol i fshehtësisë, heshtjes  dhe misterit, ku në këtë kontekst, pusi i mbyllur mund të shprehë një heshtje, mister,  fshehtësi , duke sugjeruar se ka diçka që nuk është e zbuluar apo e shprehur në mënyrë të hapur, por gjithsesi pusi dhe çikriku janë elementë natyrorë.

-Të njëjtën gjë mund të themi dhe për metaforat, ku te poezia e parë: metafora “flokët e borës” shprehet për “ujin e ngrirë”në forma kristalore të bardha që duke rënë nga qielli shkrijnë si lotë dhe cilësohen estetikisht si "lotë të bukur" dhe "lotë të bardhë", duke sugjeruar formën e bukur dhe të ëmbël të dhembjes, që përjetohet nëpërmjet dashurisë. Po kështu metafora: “Qepallat e mia” si vend ku "flokët e borës bien e shkrijnë" sugjeron se përjetimi i dashurisë ndikon ndjenjat shpirtërore të individit. Shtojmë se metafora e “dashurisë” (kjo është tema kryesore e poezisë),  shprehet e shfaqet si një forcë që mund të shkrijë edhe borën më të ftohtë. Në këtë kontekst, dashuria sjell ngrohtësinë emocionale në jetën e njeriut, duke bërë që edhe momentet më të vështira të përjetohen me një lloj bukurie. Pra dhe metaforat te kjo poezi  janë shprehur në një kuptimshmëri të drejtpërdrejtë, madje dhe në rastet kur shprehen në formë vargore   si: "Flokët e borës/ bien e shkrijnë në qepallat e mia",apo "Kaq lotë të bukur, kaq lotë të bardhë / mund të pikojnë vetëm nga dashuria".

Te poezia e dytë metaforat kanë një tjetër dukje si në formë ashtu dhe në kuptimshmëri. Kështu vargu "I gjithë trupi është mbushur me stërkala të reja, të kripura" është  metaforë , ku përdorimi i fjalëve "stërkala" dhe "kripura" nuk është i drejtpërdrejtë, por përdoret për të shprehur një gjendje emocionale ose ndjesore të heroit poetik. Në këtë kontekst, "stërkala" mund të interpretohet si emocione ose ndjenja të reja që shfaqen në sipërfaqen (si djersa) të trupit të heroit poetik, ato mund të jenë të paparashikueshme e të forta, dhe shoqërohen me një shpërthim emocional. Ndërkohë, "kripa" sugjeron intensitetin e këtyre ndjenjave, duke treguar se ato janë të fuqishme dhe të dhimbshme.

-Po ashtu dhe imazhet poetike  te poezia “Nuk më le bora që të shoh” kuptimshmërinë e kanë të drejtpërdrejtë, si psh:”Çatitë e kuqe dhe pemët e zhveshura”, “pranvera”, “flokët e borës”, “lotët e bukur dhe të bardhë”që janë imazhe të cilat shfaqen si elemente të një peizazhi dimëror plot trishtim, ndërsa te poezia “Nën qerpikë më ka ngelur një ëndërr” kemi një tjetër dukuri të tyre dhe konkretisht: “Merimanga e qiellit” përdoret si një imazh për të shfaqur një atmosferë të misterioze dhe emocionale. Ky imazh sjell  ndjesinë e një hapësire të pafundme shpirtërore të individit, dhe ndihmon në forcimin e ndjesisë së trishtimit të poetes. 

-Vargjet: "Mbi të pëgërat e qenve, heshtjes prej ujku, Dallëndysheve ngjyrë plumbi, çikrikut të një pusi të mbyllur" përmbajnë një sërë imazhesh simbolike që përforcojnë atmosferën e poezisë, ku të analizuara veçmas secilën prej tyre, kemi: "Mbi të pëgërat e qenve" paraqet një imazh të ndotur që lidhet me qentë, të cilët zakonisht konsiderohen si simbole të besnikërisë dhe besimit. Përdorimi i "pëgërat e qenve" mund të përfaqësojë një dimension të besimit dhe të shpresës, duke sugjeruar se në një moment të errët ose të vështirë, besnikëria mund të jetë një ndihmesë. Fraza:"Heshtjes prej ujku", ku ujku është një simbol i forcës dhe pabesisë  dhe heshtja prej ujku mund të shprehë një gjendje të frikshme, një hapësirë ku heroi mund të ndjehet i braktisur apo i vetmuar. Imazhi "I dashuri im kalon përmes" është i rëndësishëm dhe i fuqishëm në kontekstin e poezisë, pse shpreh ndjenjën e lidhjes dhe komunikimit midis heroit poetik dhe dashurisë së tij, duke i dhënë një finish kuptimit poetik Në këtë kontekst,"I dashuri im"përfaqëson një person që heroi(na) poetike e do dhe për të cilin ajo ka ndjenja. Folja "kalon" sugjeron një lloj lëvizjeje ose lidhjeje të ngushtë midis të dyve, lëvizje që mund të përfaqësojë një lidhje të thellë emocionale, një ndjenjë të përjetuarit shpirtërisht, ose një formë kontakti fizik apo komunikimi shpirtëror që tejkalon fjalët dhe shprehjet konvencionale. Fjala "përmes" shpreh  një lloj kalimi, ecjeje, përjetim apo komunikim që ndodh në një nivel më thelbësor, më shpirtëror. Kjo dëshmon se lidhja midis personazhit poetik dhe të dashurit shkon përtej fjalëve dhe ndjenjave të thjeshta, duke arritur në një dimension më të thellë të përvojës njerëzore.

 

III- Më sipër përmendëm se poezitë e Natasha Lakos shquhen për melodicitetin e tyre, ndaj në synim të sqarimit themi se: poezia "Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr" nga Natasha Lakos ka një melodicitet të dukshëm dhe tërheqës në përdorimin e zanoreve dhe ritmit. Melodiciteti në poezi është një aspekt që përcakton se si tingujt, zanoret, ritmi dhe struktura e fjalëve bashkohen për të krijuar një përvojë auditive të veçantë për lexuesin ose dëgjuesin. Ky term shpreh harmoninë dhe elegancën e tingullit dhe zanoreve në një poezi, duke e bërë atë të dukshme dhe tërheqëse për ata që e lexojnë ose dëgjojnë. Është fakt që melodiciteti poetik është më i dukshëm në poezinë tradicionale, romantike dhe klasike për shkak të përdorimit të rimes dhe ritmit. Këto periudha letrare shquhen për përdorimin e strukturave të qëndrueshme të poezisë që përfshijnë rima të rregullta, ritëm të qartë dhe organizim të qëndrueshëm të vargjeve dhe kjo është një ndër arsyet që këto poezi këngëzohen lehtësisht dhe masivisht.

Në poezinë tradicionale, përdorimi i rimës është një karakteristikë thelbësore. Rimat e rregullta në fund të vargjeve ose brenda tyre krijojnë një strukturë të përsosur zanore dhe tingujsh, që i jep poezisë një melodi të veçantë e cila ka ndikuar jashtëzakonisht në perceptimin tonë të poezisë dhe në mënyrën se si e vlerësojmë melodicitetin në poezi. Po ashtu, poezitë romantike shquhen për përdorimin  intensiv të melodicitetit. Përdorimi i rimës dhe ritmit në poezinë romantike shpesh lidhet me përshkrimin e emocioneve të thella dhe të ndjeshme, dhe krijon një atmosferë të zjarrtë e romantike. Edhe në poezinë klasike, përdorimi i rimës dhe ritmit është  tepër i dukshëm dhe i rëndësishëm. Këto forma të poezisë shpesh kanë një strukturë të përcaktuar të vargjeve dhe përdorin rima të rregullta për të krijuar një melodi tërheqëse si pasojë e shfrytëzimit të zanoreve dhe ekuilibrit melodic që ato mbajnë në tekst. Për ta kuptuar këtë mjafton tu kushtojmë vëmëndje teksteve të këngëve popullore me iso toske, ku zanoret “komandojnë” melodinë.

Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se edhe në poezinë moderne dhe post-moderne, ku përdorimi i rimës dhe ritmit mund të jetë më i rrallë ose më i lirë, ende ka elemente të melodicitetit. Përdorimi i aliteracioneve, asonancave, strukturave të lira vargore, ritmit të lire dhe shfrytëzimit të elementëve zanore për të krijuar struktura sonore janë vetëm disa mënyra alternative për melodicitet në poezinë moderne.

Kështu, në zbërthimin e melodicitetit te poezia e Natasha Lakos shohim se:

-Poezia ka një strukturë ritmike, që përforcon melodicitetin e saj. Vargjet kanë një lëvizshmëri të qëndrueshme dhe  një fluks të qetë, gjë që krijon një melodi të veçantë. Ndërkaq, përdorimi i rimës në fund të vargjeve ("ëndërr" dhe "pushon") ndihmon në përsëritjen e tingujve, duke krijuar një harmoni në poezinë.

-Përdorimi i imazheve poetike si "merimangën e qiellit shtrihet puthja ime", "ëndërr", "stërkala të reja, të kripura" ndikojnë në melodicitetin e poezisë duke e bërë atë të pasur në ndjenjat dhe imazhet që përshkruhen, pasi sjellin një lloj harmonie auditive dhe vizuale. Po kështu përsëritja e frazave "I gjithë trupi është mbushur me stërkala të reja, të kripura" dhe "Si ëndërimi që nuk do të vdesë" krijojnë një strukturë simetrike që rrit melodicitetin dhe e bën poezinë më harmonike.

-Në poezinë "Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr", fjalët dhe mendimet janë të lidhura në një mënyrë që krijon një harmoni dhe një strukturë të qëndrueshme, e cila përforcon melodicitetin e përgjithshëm të poezisë. Kjo harmoni dhe lidhja mes fjalëve dhe mendimeve e bëjnë poezinë të jetë muzikalisht e ëmbël për veshin.

-Fjalët dhe frazat në poezi janë përzgjidhur me kujdes për të krijuar një atmosferë dhe imazh të veçantë, ku përdorimi i zanoreve në fjalë  të tilla si "ëndërr", "qan", "pushon", "trupi","stërkala","kripura","merimangë","qielli","puthja","ëndërimi",”dallëndyshe", "ujku" ,  "plumbi", "çikriku", dhe "pusi" kontribuojnë në melodicitetin e poezisë dhe e mbushin atë me ngjyra dhe imazhe të forta dhe emocionuese. Zanoret që ndikojnë melodicitetin janë: Zanoria "a" te vargu “Në merimangën e qiellit shtrihet puthja ime" sjell një ndjesi të butësisë dhe intimitetit, duke shprehur një moment të përzemërt mes poezisë dhe natyrës. Zanorja "e",  jo vetëm që mban ekuilibër të vargut dhe të melodicitetit, por në artet gojore e  përfshirë  në iso, është ajo që jep miratimin e tekstit dhe të vijës melodike me atë tingullin eeee të vazhdueshëm.“ Këtu, psh. te vargu “që qan dhe qan e nuk pushon" përcakton një ndjenjë të vazhdueshmërisë (të dhimbjes dhe pikëllimit, duke përforcuar intensitetin e emocioneve të përjetuara) duke vijuar funksionin që ka dhe te poezia tradicionale. Zanorja "ë" e përdorur në fjalën "ëndërr" jep një ndjesi të butë, të ëmbël, ku fjala "ëndërr" shpreh një ndjenjë të pazakontë, një ëndërr që shpesh përcillet me një melodi të butë dhe emocionuese. Zanorja "i" është themelor në gjuhën shqipe dhe ndikon në melodicitetin e fjalëve ku përdoret, psh, fjala "im" e përfshirë në rreshtin "I dashuri im kalon përmes" shton një ndjenjë personale dhe intime në melodi, duke kontribuar në forcimin e këtyre ndjenjave. Zanorja "u"në gjuhën shqipe ka një peshë të jashtëzakonëshme dhe funksion të veçantë në kontekstin emocional që përjetohet. Te artet gojore ajo është e fuqishme dhe tronditëse, psh në logatje, fraza: U, derëziu u” për peshën e madhe të dhimbjes që trasmenton ajo sposton nga vëmëndja strofa brilante të mundëshme. Te bororitja, ai fillim me  “u” të zgjatur në formën “uuuu”, pastaj një ndërprerje  në formën “uhuuuu” paralajmëron për një gjëmë të fortë sa që mund të gremisë botën në humnerat qiellore. Ajo ngjan si një valvul  nga shfryn dhimbja, tensioni i së cilës ka shkuar në ekstrem. Kjo zanore  ka ndikim në melodicitet , psh. në vargun “që qan dhe qan e nuk pushon./I gjithë trupi është mbushur me stërkala të reja, të kripura” ku:, zanorja "u" përdoret në fjalët " nuk pushon" që tregon vazhdimin e funskionit të cituar “qan e qan” duke shtuar si element të ri  në melodicitetin  vajtimor të vargut. Te vargu:"I gjithë trupi është mbushur me stërkala të reja, të kripura", zanorja "u" përdoret në fjalën "mbushur"duke dhënë një ndjenjë të ekstremit të dhimbshëm, pra kjo zanore  përcakton një gjendje stabiliteti dhimbjeje në vargje, duke shtuar një element tërheqës në melodicitetin dhe forcimin e atmosferës poetike të poezisë.

Pasi kemi analizuar disa prej vargjeve të poezisë "Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr"  të Natasha Lakos, kushdo që ka mbaruar një shkollë muzikore të mesme apo të lartë apo që ka përvojë në aktivitete muzikore tradicionale mund të ndjejë një qasje muzikore të vargjeve të poezisë për të kuptuar më mirë melodicitetin e tyre. Psh., vargu: "që qan dhe qan e nuk pushon" ka një strukturë ritmike të përsëritur dhe një ndjenjë të qëndrueshmërisë së ndjenjave të dhimbjes ose trishtimit. Në një qasje muzikore, ky varg mund të interpretohet me një melodi të gjatë dhe të përsëritur që përforcon ndjenjën e vazhdueshme të dhimbjes. Ritmi i përsëritjes së fjalëve "qan dhe qan" mund të përforcohet në muzikë me përdorimin e një “pattern-i” të përsëritur muzikor ose me zhvillimin e një motivi të ngjashëm melodik.( Pattern-i në kontekstin e muzikës është një shkallëzim ose organizim i strukturës muzikore që përsëritet nëpër një këngë, pjesë muzikore ose kompozim), por kjo është fushë tjetër që del jashtë kontekstit të këtij shkrimi. Nga sa e njoh muzikën dhe sa kam mësuar nga muzika  iso-polifonike  mund të them se në një qasje muzikore për vargun "I gjithë trupi është mbushur me stërkala të reja, të kripura" mund të kemi përdorimin e një melodie të shtrirë, që shpreh një lloj lëvizjeje apo shtrirjeje melodike nëpër regjistra të ndryshme, (mos u ngatërroni me shtrirjen e iso-s në këngët iso-polifonike). Një kompozim muzikor i bazuar në  vargjet e poezisë “Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr"të Lakos mund të krijojë një përvojë të pasur dhe tërheqëse për dëgjuesit, duhet vetëm kompozitori që ta ndjejë dhe ta notizojë melodinë e cilë është në vargjet poetike. Gjithsesi muzika e nje teksti të tillë poetik do jetë larg tradicionalitetit muzikor që ofron muzikaliteti i poezisë “Nuk më le bora që të shoh” e cila ka një qasje me këngën korçare: “Dëbora mbuloi maletë”, me gjithë diskordancën që ofron rima dhe rrokjet.

 

Sarandë, më mars 2024

 

 

 

 

 

NËN QERPIKË MË KA MBETUR NJË ËNDËRR

 

Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr,

që qan dhe qan e nuk pushon.

 

I gjithë trupi është mbushur me stërkala të reja, të kripura,

Në merimangën e qiellit shtrihet puthja ime,

Si ëndërimi që nuk do të vdesë.

 

Mbit ë pëgërat e qenve, heshtjes prej ujku,

Dallëndysheve ngjyrë plumbi, çikrikut të një pusi të mbyllur

I dashuri im kalon përmes.

 

Kundërpërfytyrimi, Onufri, 2023 f.11

Tuesday, 12 March 2024

 

Timo Mërkuri

 

QYTETËRIMET E TJERA TË NATASHA LAKOS

 

Poezia "Dhe qytetërime të tjera" (“Lëkura e ujit” Toena 2004, f. 192) e Natasha Lakos është tepër interesante dhe e veçantë, madje e parë dhe brenda krijimtarisë së saj, jo pse mund të interpretohet si  simbol i mungesës së lirisë dhe imponimit të bindjeve, por për faktin se porteti poetik i heroinës të sjell para syve portretin fizik e shpirtëror të poetes, pikturuar me imazhe metaforike. Sigurisht që nuk themi se poetja ka bërë një autoportret poetik, por kemi të drejtë të mendojmë se poetja e ka krijuar poezinë me elementë jetësorë të vetët, gjë që jo vetëm nuk na befason, por na duket tepër e natyrshme në krijimtarinë poetike moderne, ku poezia krijohet me elemente shpirtërorë individualë. Le ta shohim konkretisht këtë interpretim tonin.

I-Sipas natyrës së saj  Natasha Lako  shprehet me metafora, simbole dhe imazhe , ku metaforat i ka jo vetëm si figura por dhe si mendim, ndaj lehtësisht kjo poezi mund të quhet një poezi e metaforike (dhe simbolike). Këtë tipar e cilëson dhe fakti i përdorimit metaforik të imazheve e simboleve për të shprehur ide dhe emocione, të cilat shpesh janë më të thella se shfaqjet e dukshme të tyre apo pamjeve fizike.

Metaforat në poezinë "Dhe qytetërime të tjera" të Natasha Lakos shërbejnë si mjet për të shprehur gjendjen emocionale e psikologjike të autores në një mënyrë më abstrakte dhe simbolike, duke ndihmuar në thellimin e kuptimit të përjetimeve dhe ndjenjave të përcjella në poezi. Kështu te vargjet: "Si një shkollë e mbyllur, koka ime qëndron buzë rruge/e qullur dhe e zbrazët, pa besnikëri, pa tradhti/ dhe pa liri brenda…" ku fraza "si një shkollë koka ime qëndron buzë rruge" është një metaforë, te e cila përdorimi i "shkollës" në kontekstin e poezisë nuk është literal, por është përdorur për të shprehur situatën e ngjashme me një shkollë të mbyllur. Lako është personalitet i letrave shqipe dhe “një shkollë të mbyllur”    (jo për pushimet e semestrit) e vlerëson si një mbyllje të ecurisë së jetës përpara, një ndalin apo izolim të saj, ndaj vlerësojmë se kjo frazë sugjeron një ndjenjë të mungesës së lirisë. Në kët kontekst, përdorimi i "koka ime", është një metaforë që paraqet individin, identitetin dhe vetëdijen e tij, dhe në formën si paraqitet shfaq një ndjesi  pengimi, lënie mënjanë dhe izolim të individit në një kontekst urban dhe nqse dikush do ta vinte në dyshim këtë mungesë lirie, duke nënkuptuar aktualitetin e poezisë unë do ti lutesha të më tregonte një njeri që të jetë i lirë nga hallet e problemet,  i lirë nga borxhet, nga ankthi, nga stresi, të jetë plot shpresë e besim te e ardhmja dhe pastaj të më shpjegojë ikjen e rinisë në emigracion masiv.

“Koka” në këtë poezi është një simbol i shprehur metaforikisht, që përfaqëson një sërë ndjenjash të paraqitura në formën e një siluete koke njeriu, një shoqëri apo një mjedis. Në këtë kontekst,”koka” shihet si një imazh visual, që (ajo)shpreh, apo shfaq një ndjenjë izolimi dhe mungesë të  lidhjeve autentike me të tjerët dhe me vetveten. Përmes kësaj metafore, autorja shpreh një mbingarkesë psikologjike dhe një ndjesi të humbjes së identitetit dhe vetëdijes, ajo shfaq një gjendje  shpirtërore të përballjes me sfida dhe kufizime të jashtme, dhe të luftës së saj të gjejë lirinë, identitetin në një realitet urban të mbingarkuar. Prandaj, interpretimi i kokës si një simbol metaforik na ndihmon të kuptojmë më mirë ndjenjat dhe përvojat e heroit poetik, duke afruar një mënyrë të fuqishme të shprehjes së ndjenjave dhe mendimeve në mënyrë poetike e simbolike.

II- Dimë që Lako metaforat i përdor dhe në funksion të shprehjes së imazheve poetike si psh. te kjo poezi: "koka ime qëndron buzë rruge, e qullur dhe e zbrazët , pa besnikëri, pa tradhti dhe pa liri brenda" me të cilat shfaq e shpreh ndjenjën e mbingarkesës emocionale, ku, metafora shfaqet si imazh:

Vargu: “Koka ime qëndron buzë rruge”, pra koka (metaforike) qëndron "buzë rruge"duke na shfaqur një imazh të saj (kokës) në një ambient të hapur publik, ku mungon intimiteti individual.

Vargu:”E qullur nga shiu dhe e zbrazët” shpreh situatë braktisjeje (si jetimi në shi), trishtimi dhe vetmie, ku shiu, si një element natyror, përforcon pamjen e mbingarkesës emocionale dhe vështirësive. Kjo braktisje, lënie mënjanë, e ka hutuar dhe heroi nuk di çtë mendojë, ndaj i duket se e ka kokën të zbrazët, pa mendime dhe ide brenda saj.

Le ta shohim me vëmëndje të shtuar vargun: “Pa besnikëri, pa tradhti dhe pa liri brenda” i cili shpërfaq ndjenjën e një vetmie të madhe të heroit poetik, mungesën e lidhjeve që përforcojnë identitetin e një personi, sepse njeriu është një qënie shoqërore dhe jo vetmitare.

Në këtë kontekst metafora"Kanë dashur ta mbyllin kokën" shfaq trysninë e ushtruar mbi individin me kufizime, ndalime e mënjanime në kontekstin qytetar, gjë që do të thotë privim i lirive të tij (individit). Mirëpo bota ka nevojë për larmi individualitetesh dhe jo për  turma uniforme lejfenistësh, ndërkohë vargu "i kanë vënë gardhin e teshave, i kanë blerë dhe gjuhën" është ulëritës, pavarësisht se i pasur në përmbajtje dhe interpretime, sipas meje:

 

 -Metafora: "i kanë vënë gardhin e teshave" shfaq imazhin e një teli ku nderen rrobat për tu tharë, gjë që të sjell ndërmend një punë të rëndomtë, që në kohët e sotme moderne kryhet nga makineria (lavatriçja), pra ky varg shpreh ndjenjën e izolimit, shpërfilljes dhe mënjanimit të individit intelektualë dhe mendimit të tij nga shteti dhe forcat politike, mënjanim që ka ndikuar, sa në një prapambetje arsimore e kulturore aq dhe në atë ekonomike, pasi te ne vendimet miren nga partitë pa dëgjuar e vvlerësuar mendimin vizionar intelektual. Në këtë kontekt "gardhi i teshave" simbolizon jo vetëm kufizimin e lirisë por dhe shpërfilljen ndaj saj dhe për pasojë formimin e një shoqërie anonimësh, ku lehtësisht drejtimin do jetë automat. Në qoftë se do ecim në këtë linjë, së shpejti ky anonimitet do kurorëzojë inteligjëncën artificiale në drejtimin shoqëror.

-Fragmenti metaforik: "i kanë blerë dhe gjuhën"  është tepër i dhimbshëm për tu lexuar, pse shfaq jo imazhin e një njeriu pa gjuhë por ca më tepër, “aktin e shitjes së gjuhës” në mënyrë të imponuar, duke u shprehur për kontrollin dhe censurën e fjalës së lirë, dhe dakortësinë e individit për këtë akt shitje, duke harruar që liria e fjalës është “a” e lirive njerëzore, e individualitetit njerëzor. Ndërkohë  krahasimi "si zilen e vjetër" që simbolizon një formë të vjetruar dhe të harruar të komunikimit, ironizon me tragjizëm aktin e “shitjes së gjuhës” si një “panevojshmëri të fjalës”. Besoj se kjo mënyrë interpretimi ju sjell ndërmend elemente  kanunorë në familjet patriarkale ku gruaja “nuk qet fjalë” para burrit, ndërkohë që fjala është perëndi, fjala është liri.

III-Në pamje të përgjithëshme poezia duket si e mbuluar nga një tis trishtimi, por befasisht te strofa e tretë trevargore jo vetëm që shohim një reze drite, por dëgjojmë edhe një tingull të ëmbël violin. Kështu te vargjet: "Violina atje brenda saj (kokës) po flet, po flet imitimi i zemrës/ i mëlçisë së zezë/e urtë ka mbetur koka, si forma e një klaviri" shohim se e gjithë kjo strofë është jo vetëm  në kontrast me dy strofat e para por dhe me një optimizëm të befasishëm të heroit poetik, pasi këtu ndjehet diçka më shumë se një ndryshim,  ndjehet një shpresë, një rezistencë, një kundërvënie, e shfaqur si zakonisht me imazhe metaforike lako-iane ku : metafora: "Violina atje brenda saj (kokës) po flet" pra mendja brenda kokës “po flet”si një violinë. Mqse violina është një instrument muzikor i ndjeshëm dhe flet me një melodi fine dhe të ngrohtë, kjo paraqitje sugjeron një ekspresion emocional ose mendimi, i cili buron nga brendia shpirtërore e heroit poetik . Është pikërisht termi “violin” që të bën të kthesh kokën me vëmëndje mbi vargje, se sigurisht  një muzikë e ëmbël do vijë prej saj.  "po flet imitimi i zemrës" thotë poetja dhe kjo metaforë më kujton vargun e Bertold Brehtin kur thoshte se: ”njeriu mund të mendojë” dhe aty fillon revolta."Imitimi i zemrës, i mëlçisë së zezë" sugjeron një shprehje emocionale të një revolte që vjen nga thellësia e qenies së një njeriut, madje të duket se gjithë qënia e njeriut është përmbledhur te termi “koka”.

 

Kemi një metaforë të bukur te vargjet: "e urtë ka mbetur koka, si forma e një klaviri" që na bën të kthjmë kokën dhe ta sodisim me kënaqsi, pse shpreh inteligjencën dhe maturinë e heroit duke e krahasuar me formën e një klaviri, i cili është një instrument i sofistikuar, ndaj kjo metaforë sugjeron një maturi dhe thellësi mendimi që ndodhet në individin e përshkruar, madje duke e shtrirë më tejë interpretimin do thoshja se “e gjithë poezia e Lakos ngjan me një melodi klaviri”.  Është pikërisht vargu i mësipërm që na qas heroin poetik te personi  i poetes. Izolimin, shmangien e partive politike dhe institucioneve shtetërore e kemi ndjerë te vetja jonë shumë prej nesh, por ndryshe nga ne Natasha Lako ka reaguar me qetësi, me urtësi, duke nënkuptuar  frazën “me pjekuri”, pse “ajo kokë ka mbetur e urtë”. Poetja nuk di të bërtasë, ajo flet me qetësi dhe urtësi, por me vendosmëri. Nuk njohim shumë deputetë që të kenë dorzuar mandatin për dinjitet qytetar, për kundërshti me praktikat e forcës politike të cilës i përkasin, por një prej tyre nuk e harrojmë dot: Natasha Lakon.

Poezia e Lakos është jo lule mali por shpat e majë mali, që u jep drejtimin erërave dhe orientimin frymëzimeve. Megjithë atë asnjëherë nuk e kemi dëgjuar të flasë për veten e saj, ndërsa ata që flasin për atë dhe poezinë e saj janë të pakët, sepse jo të gjithë mund të ngjiten në majat e modernitetit poetik të Natasha Lakos, madje janë të shumtë ata që as shikimi nuk u mbrin dot deri aty, ndaj dëgjojmë shprehje të tipit: “si shumë e mjegulltë është poezia e saj”. Nuk gabojnë, majat e maleve gjithmon janë të mbuluar nga mjegulla për sytë me probleme, por lulet aty çelin dhe në të çarat e shkëmbinjve. Shikoni metaforën "e urtë ka mbetur koka, si forma e një klaviri" e cila urtësisht  shpreh qëndrueshmërinë, bukurinë dhe forcën e autores, megjithëse është nën presionin dhe mbylljen e krijuar nga jashtë. Të sqarojmë se klaviri është një instrument muzikor që përdoret për të performuar muzikë, ai përbëhet nga një seri tastierash në një strukturë të hapur të drejtuar nga mekanizmi i ndezjes së notave që prodhon tinguj. Ai është i njohur për shkallën e gjerë të notave që prodhon, për fuqinë dhe ndjeshmërinë e tingujve që krijon. Në kontekstin e krahasimit të kokës me formën e një klaviri esenca e këtij krahasimi mund të qëndrojë në disa aspekte:

a)-Ndjenja e kompleksitetit, pse klaviri ka një strukturë komplekse dhe aftësinë për të prodhuar tinguj të ndryshëm me shkallë të ndryshme emocionale. Duke e krahasuar kokn me një klaviri, autorja përshkruan thellësinë dhe kompleksitetin e mendimeve dhe ndjenjave të personazhit poetik.

b)-Aspekti i fuqisë së  shprehjes, ku: klaviri, si një instrument i fuqishëm mund të shprehë emocionet dhe ndjenjat me një shkallë të gjerë. Duke krahasuar kokën me një klavir, autorja shfaq aftësinë e personazhit poetik për të shprehur ndjenjat në mënyrë të ngjashme me muzikën që prodhon një klavir. Duhet të njohësh poezinë e Natashës që të njohësh forcën e shprehjes së saj, pasi ajo shprehet me vargje ashtu si muzika me tinguj.

c)-Qëndrueshmëria dhe qetësia e njëjtë, pasi: klaviri si një instrument i qetë dhe i qëndrueshëm, përfaqëson stabilitet dhe harmoni. Duke e krahasuar kokën me një klavir, autorja mund të paralelizojë  ndjenjën e qëndrueshmërisë dhe të qetësisë që personazhi poetik ka brenda tij, edhe pse është nën ndikimin e kufizimeve dhe të sfidave të jashtme. Njësoj si qetësia  dhe qëndrueshmëria e Natasha Lakos, për të cilën folëm.

Pra, kjo është një mënyrë e bukur për të interpretuar këtë poezi. Edhe pse koka është e “mbyllur”, në thelbin e saj ajo, mbart ende potencialin për të shprehur emocionet, mendimet dhe shpresat. Kjo është e ngjashme me idenë e një shkolle, që mund të jetë e mbyllur porta e jashtme, por brenda saj ende ndodhin proceset e rëndësishme të mësimit, ose është e mbyllur për efekte pushime semestriale, por procesi mësimor është në vazhdim. Interpretimi që koka, edhe pse e mbyllur, ende përmban elemente të rëndësishme (si muzika, kënga, dëshira dhe shpresa) është një përputhje e mirë me mesazhin që transmeton poezia, që edhe në mënyra të ndalimit, mënjanimit, izolimit etj., njerëzit kanë ende mundësi për të shfaqur talentin e vetë, për të gjetur frymëzim dhe shpresë dhe për të dhënë vlera.

IV-Vargu "Ku po qëndrojmë mes rruge, në ç’kohë po vijmë,/o kokë e mirë,/pa besnikëri, pa tradhti dhe pa liri brenda,/të mbetura, si dele të tepërta mes shiut." është i pasur me metafora dhe imazhe poetike që rikthehen te ndjesia e mbylljes,  izolimit a mënjanimit në një kontekst urban, ku: metafora: "të mbetura, si dele të tepërta mes shiut" rikthen ndjenjën e mbylljes, izolimit, ndjenjën e humbjes së lirive qytetare. "Delet e tepërta mes shiut" paraqesin imazhin e një tufe të vogël të ndarë nga kopeja, por në kontekstin poetik shpreh qënien e individit i ndarë nga grupi i shokëve, miqve, i braktisur në një ambient të hapur, nën një shi të vazhdueshëm, duke përforcuar ndjenjën e lënies vetëm, izolimit e braktisjes, mungesën e lidhjes me komunitetin urban.

Metafora: "pa besnikëri, pa tradhti dhe pa liri brenda"shfaq mungesën e lirive qytetare në një ambient urban, ku sugjeron  ndjenjën e humbjes së identitetit dhe mungesën e ndjenjës së sigurisë dhe besueshmërisë brenda këtij konteksti, ndërkohë që metafora:"Ku po qëndrojmë mes rruge, në ç’kohë po vijmë"  shpreh ndjenjën e humbjes së orientimit dhe kohës, paraqet ndjenjën e  humbjes së qëllimit në një qytet të madh, ku njerëzit ndihen të humbur dhe të paorientuar jo aq  në rrugët se sa në funksionimin dhe vizionin e tij.

U ndala i befasuar te fraza “o kokë e mirë”dhe mu duk se poetja në një moment po i drejtohej vetes së saj me një farë dhimshurie. Në fakt shprehja “o (moj) kokë” përdoret zakonisht kur dikush i drejtohet vetes për ndonjë veprim të kryer (çbëre moj kokë, çbëre?) apo të menduar (çmë thua moj kokë?), madje poeti popullor ve në gojën e një komiti të burgosur vargjet: “Moj kokë e qenit, moj qëne/ Që s’dite për veten tënde/ Nga bodrumi nuk u trëmbe” por të them të vërtetën qesha dhimshurisht me cilësorin ”(kokë) e mirë” të poetes, pse ndjeva se ndodhej në një tension shpirtëror jo të pakët, por gjithsesi nuk e kishte humbur besimin dhe shpresën te vetja (koka), madje u kujtova se emri i Homerit shqiptarizohet me fjalët “I miri” dmth ai që këndon mirë, që flet mirë. Ky cilësor i përshtatet poetes Natasha Lako më së miri.

Lind pyetja, pse poetja ju rikthye përsëri shfaqies së dëshpërimit të mënjanimit, izolimit, shmangies etj. të fillimit të poezisë pasi ka shprehur shpresën të strofa e dytë?  Për të kuptuar përshtypjen që përcjell poezia, është e rëndësishme të analizojmë kontekstin dhe përmbajtjen e vargjeve në kontekst. Nëse poetja ka përdorur vargje që ngjallin shpresë, pastaj ka paraqitur vargje që shkaktojnë trishtim, dhe më pas vazhdon me vargje optimiste, kjo strukturë (ndoshta) synon të shprehë një gamë të gjerë ndjenjash dhe përvojash njerëzore.

Në poezinë e saj, poetja mund të ketë përdorur vargjet për të shfaqur kontrastin midis ndjesive të ndryshme që njerëzit mund të përjetojnë në jetë. Përdorimi i këtij kontrasti mund të jetë një mënyrë për të shfaqur kompleksitetin e jetës së njeriut, duke treguar qëndrime të ndryshme që ndikojnë në emocione dhe në perceptimin e realitetit. Për më tepër, vargjet  optimiste që vijojnë, siç janë "dritat e makinave", mund të jenë një mënyrë për të shprehur shpresën dhe ndriçimin që vjen pas periudhës së errët. Kjo mund të jetë një mënyrë për të paraqitur një vizion më pozitiv të jetës, pavarësisht sfidave dhe vështirësive që mund të përjetohen. Por si poezi moderne që është, pranon interpretime të ndryshme nga lexues të ndryshëm, pasi  kuptimshmëria e vargjeve nuk është si blloqe gurësh monolite.

V-Përveçse e bukur artistikisht, poezia shpreh një perspektivë positive dhe optimiste, pasi shpalos një botë vlerash shpirtërore, e shprehur ndryshe mund të themi se poezia të ngacmon telat e shpirtit, të ve muzikë në shpirt dhe vetmevete nis e  lexon vargjet me zë, madje me një tingull që i qaset këngëzimit. Vargu i fundit "Dritat e makinave fillojnë të ndizen, një nga një/për të ndjellë vetëtimat”  na shfaq metafora e imazhe, plot dritë makinash e vetëtimash dhe reflekse dritash që mund të interpretohen në mënyra të ndryshme, ku:

Metafora: "Dritat e makinave fillojnë të ndizen, një nga një" shpreh fillimin e një procesi të ndriçimit për të thyer natën, duke sugjeruar fillimin e një ngjarjeje apo procesi të rëndësishëm. Mënyra si shprehej poezia len përshtypjen e një ngjarjeje që po ndodh gradualisht duke u rritur në pjesmarje dhe që sjell “ndriçimin” në një kontekst të ndryshëm, pra paraqet një proces gradual të agimit të ditës së re, të ndriçimit. Ky mund të interpretohet si një proces i rilindjes së shpirtit,  besimit dhe shpresës për fitimin e lirive qytetare. Ato, dritat e makinave janë si simbole të një realitetitë ndryshueshëm, ku njerëzit ecin përpara në jetën e tyre, duke përjetuar kohën dhe përballuar sfidat që vijnë me të.

Ndërkohë metafora:"për të ndjellë vetëtimat" shpreh qëllimin e ndezjes së dritave të makinave, pra dritat e makinave mund të kenë shërbyer si sinjal për tu shpërthyer vetëtimat ku "vetëtimat" mund të përfaqësojnë dritën e befasishme që vjen para “zhurmës”, si vetëtimat para gjëmimeve, mund të përfaqësojnë rrezet e diellit, por dhe një rrebesh që po vjen mbi negativitetin. Kjo metaforë sugjeron  fillimin e një udhëtimi të ri, një ngjarje të rëndësishme, apo një çast të realizimit të ëndrrës, në kontekstin e poezisë: triumfin e lirive mbi aspektet robësuese, imponimin, izolimin apo mënjanimin.

 

VI-Forca morale e heroit poetik, e cila përfaqësohet në poezinë "Dhe qytetërime të tjera" nga koka, është një element themelor që përbën qendrën e tregimit poetik. Pavarësisht nga kufizimet,përjashtimi, izolimi apo mënjanimi, “koka” tregon një qëndrueshmëri dhe një besim në veten dhe në aftësitë e saj për të rrezistuar presionit dhe përballuar sfidat. Në mes të kufizimeve, ajo shfaq aftësinë për të gjetur lirinë dhe shpresën brenda vetes, madje ajo reflekton një formë të brendshme të lirisë dhe shpresës që nuk mund të ndalohet apo  kufizohet nga kushtet e jashtme institucionale, sepse shpirti ka ligjësinë e tij. Kjo forcë morale e heroit poetik gjithashtu përfaqëson një shpresë për ndryshim dhe përparim në mes të privimeve e kufizimeve të jetës urbane.

Për më tepër, forca morale e heroit poetik,  reflekton një lloj rezistence njerëzore ndaj kushteve të vështira, pse edhe nën presionin e kufizimeve dhe sfidave, ai vazhdon të përpiqet dhe  shfaqë një qëndrueshmëri shpirtërore për të përballuar situatat dhe për të gjetur shpresë edhe në kohërat më të vështira. Një aspekt i rëndësishëm i forcës morale të heroit poetik është aftësia për të gjetur kuptim dhe shpresë në mes të mundësive të kufizimeve. Për shembull, edhe pse ajo. “koka” përjeton mungesën e lirisë së plotë,  ende gjen bukurinë dhe shpresën në imazhet e saj, siç është violina, një instrument, te i cili "po flet imitimi i zemrës". Kjo shfaq një aftësi për të gjetur kuptim dhe bukurinë e shpresës në mes të vështirësive dhe privime urbane të jetës. Qytetërimet e tjera të njeriut janë brenda botës shpirtërore të tij, prej të cilave duhet të nisë eksplorimet .

 

Sarandë, më mars 2024

 

 

 

Natasha Lako                                                 

 Dhe qytetërime të tjera

Si një shkollë e mbyllur, koka ime qëndron buzë rruge,

e qullur dhe e zbrazët, pa besnikëri, pa tradhti

dhe pa liri brenda…

Kanë dashur ta mbyllin kokën,

i kanë vënë gardhin e teshave, i kanë blerë dhe gjuhën

si zilen e vjetër,

 

Violina atje brenda saj po flet, po flet imitimi i zemrës,

i mëlçisë së zezë,

e urtë ka mbetur koka, si forma e një klaviri.

 

Ku po qëndrojmë mes rruge, në ç’kohë po vijmë,

o kokë e mirë,

pa besnikëri, pa tradhti dhe pa liri brenda,

të mbetura, si dele të tepërta mes shiut.

 

Dritat e makinave fillojnë të ndizen, një nga një,

për të ndjellë vetëtimat.

 

“Lëkura e ujit” Toena 2004, f.192

 

Saturday, 2 March 2024

 

Timo Mërkuri

KUR MENDOHET NATASHA LAKO

 

Qysh te vargu i dytë i poezisë “Kur mendoj, kur mendoj, kur mendoj” i Natasha Lakos m’u desh të ndalesha për shkak të qasjes së madhe të vargut “që në këngë nuk kanë hyrë ende dritaret” me këngën himariote: “Dil në penxhere /të të shoh njëherë”, qasje që më shfaqi dy imazhe paralelisht, te kënga himariote një dritare që  duhej të hapej dhe në brendësi të një dhome fshati, një vajzë që rrinte në këmbë me duar shtrënguar në gjoks, për mos lejuar zemrën të fluturonte si zog, dhe te imazhi i poezisë ssë Lakos, një dritare, për të cilën nuk është ngritur ende ndonjë këngë dhe për këtë shkak (menteshat e saj) zënë myshk “duke pritur ty”. Qysh në këtë moment të krijohet në shpirt një ndjenjë revoltimi dhe mendon se kësaj dritares së dytë i duhen thyer xhamat, le të jetë shtëpia në mes të Korçës.Nuk m’u kujtua më kot kënga “Moj Katina nina nina” e Neço Muko Himariotit pasi populli ynë në këngët e tij, shtëpinë e vajzës e zbukuron në çdo element të saj, që nga porta: ”Moj porta me llamarina”,” Dy thëllëza mbi çati” madje ”Edhe gurët e sokakut /Për ty bëjnë isharet”, por  në veçanti dritarja e shtëpisë,si pika më delikate dhe më e pëlqyeshme në këngë përfiton vargjet më fine. “Dil njëherë në penxhere/Të të shoh se cila je/ E vogël a e madhe” këndon popullt. Nuk është e rastësishme që këto këngë, pavarësisht krahinave të ndryshme shprehin dëshirë që vajza të dalë në penxhere dhe kështu, bashkë me vajzën hyn në këngë dhe penxhereja, dritarja, pa përmendur këtu serenadat korçare kur djemtë këndonin poshtë dritareve dhe asnjë prind nuk guxonte ti mbyllte ato. Ndaj natyrshëm na lind pyetja: ç,është kjo shtëpi, dritaret e së cilës nuk kanë hyrë ende në këngë dhe (menteshat)  “që zënë myshk duke të pritur ty”? Poetja nuk na thotë asgjë, ajo vazhdon me perdet e kaltëra.., me sirtarin e rënë përmbys thua se vetëm bën një inventar e aq.

 

I-Te kjo poezi natyrshëm lind pyetja: mos vallë kemi të bëjmë me një dashuri të ndaluar, të penguar nga kodet zakonore? Do ishim plotësisht dakort me këtë mendim po qe se do kishim ndonjë element ta përforconte sinjalin, qoftë hijen e atit (patriarkal)  nëpër shtëpi, një jehonë kërcënimi, një  qortim, qoftë dhe nga nëna, një shenjë diku, vetëm një shenjë. Problemi qëndron se nuk e kemi një shenjë të tillë, madje në disfavor të këtij interpretimi qëndron fakti se gjithçka zhvillohet në heshtje, ku flasin vetëm ndjenjat, madje ne duhet të theksojmë se kuptimshmëria e poezisë ndjehet vetëm në interpretimin e saj si shprehje ndjenjash (të një vajze psh.)të heroit lirik.

Nga mënyra se si “flasin”vargjet, si kuptohen imazhet, si shprehen ndjenjat në vetmi, krijohet vizioni i një vetëveprimi individual të heroi(nës)t, krijohet ndjesia se kemi të bëjmë me një erotizëm të fshehur. “Erotizëm i fshehur”,  e shkruajta këtë frazë dhe nisa ta shoh si i hutuar atë që shkrova. Në letërsinë shqipe askush nuk ka shkruar për erotizmin e fshehur, përjetimin erotik të individit, madje kam përshtypjen se shumë lexues nuk e dinë fare se çfarë është . Erotizmi është një koncept i gjerë që lidhet me perceptimet, ndjenjat, sjelljet seksuale të individit, ai mund të shihet si formë e shprehjes së seksualitetit, ndjenjave, fantazive dhe emocioneve që lidhen me seksin në një kontekst të shëndetshëm.  Erotizmi nuk është vetëm një çështje fizike, pasi ai përfshin dhe dimensione emocionale, psikologjike dhe kulturore. Erotizmi i fshehtë  është një koncept psikoanalize, që shpreh një aspekt të ndërgjegjshëm të seksualitetit , që është nën nivelin e vetëdijes së një personi, por që ka ndikim në sjelljet dhe fantazitë seksuale.Fjordi, themeluesi i psikoanalizës, konsiderohet si personi që paraqiti këtë koncept. Ai sugjeron se njerëzit kanë impulset e tyre seksuale të fshehura, ndodh të shkaktuara apo krijuara në fëmijëri, që mund të influencojnë sjelljet dhe preferencat e tyre në të ardhmen. Erotizmi i fshehtë përfshin ëndrrat , fantazitë , dëshirat ose impulsivitetin e një personi që nuk është i vetëdijshëm për ato ose nuk i pranon hapur. Këto janë ide dhe dëshira shumë të fshehta për individin,  mund të jenë të ndërlidhura me përvojat e fëmijërisë, konfliktet emocionale etj.

Thashë më sipër se në letërsinë shqipe askush nuk ka shkruar për këtë temë, të shkruajë e para Natasha Lako, madje në formën e një poezie moderne kjo është më shumë se guxim, më shumë se talent, kjo është kurajo intelektuale e një talenti që arrin të shohë dritësimin e modernitetit përtejë kohës sonë. Sinqerisht që u mendova aq shumë për ta shprehur këtë fakt, sepse nuk e di se si do ma presë lexuesi, por fakti që lexuesi e përshëndeti këtë poezi do të thotë se unë nuk kam shteg tjetër kalimi veç artit poetik të Natasha Lakos.

Poetja për këtë erotizëm të fshehur flet me imazhin simbolik apo metaforik, pse ajo dritarja që ende nuk ka hyrë në këngë, dhe (mentesha) e ndryshkur, perdja dhe sirtari flasin me imazhin e tyre, madje flasin me një heshtje gjëmuese, që të vjen të shkosh vetë e ta thyesh atë xham dritareje, ndoshta hyn në këngë krisma e thyerjes. Se është shurdhuese kjo heshtje.

 

 

II-Por ne le të nisim leximin e poezisë,  me siguri ajo vetë do tregojë më shumë se sa hamendësojmë ne: Natasha Lako e nis poezinë me theksimin e frazën "Kur mendoj , kur mendoj, kur mendoj", një nisje disi befasuese për një poezi modern, por kjo bëhet me synim për të krijuar një atmosferë të përsëritjes dhe insistimit të thellë. Përdorimi i kësaj fraze shërben si motor, që e çon lexuesin në një udhëtim shpirtëror, në mendimet dhe ndjenjat e heroinës.  Sqarojmë se përdorimi i frazës "Kur mendoj, kur mendoj, kur mendoj" tre herë në poezi vlerësohet  një figure artistike e quajtur"përsëritje e përqendruar" ose "përsëritje e rëndësishme", figurë që përdoret në letërsi për të theksuar një ide, ndjenjë apo një temë të caktuar. Në këtë rast, përsëritja e frazës "Kur mendoj, kur mendoj , kur mendoj" përforcon rëndësinë e mendimeve dhe ndjenjave të heroinës dhe bën që lexuesi të fokusohet te një ide apo ndjenjë të veçantë e saj, duke e theksuar atë, duke e bërë të qartë rëndësinë e saj  për heroinën, e cila dëshmon angazhimin shpirtëror. Veç kësaj përdorimi i përsëritur i  frazës “Kur mendoj” i jep poezisë një ritëm dhe  harmoni në strukturën e saj dhe e bën më të përshtatshme për lexim dhe interpretim. Pra, përsëritja e frazës është një mjet artistik i fuqishëm që ndihmon në krijimin e një ndjesie të fortë për lexuesin.

Imazhi: “që në këngë nuk kanë hyrë ende dritaret" jep një përshkrim poetik të një hapësire të pazbuluar, të një momenti që ende nuk ka ardhur, një moment që ende nuk është plotësuar. Dritaret mund të interpretohen si simbol i dritës së diellit, të diellit që ndriçon dhe zbukuron dhe mos hyrja e tyre në këngë sugjeron një pritje të ngarkuar me emocion, dëshirë, dhe pasiguri. Vargu "që në këngë nuk kanë hyrë ende dritaret" përdor metaforën e "dritareve" për të shfaqur hapësirën emocionale që ende nuk është shndërruar në këngë.

Imazhi i myshkut te vargu: "që zënë myshk duke të pritur ty" përforcon ndjesinë palëvizshmërisë së dritares, të  errësirës së dhomës,  të mungesës së dritës, pasi myshkja lidhet me një mjedis të mbyllur e të lagësht. Ndërkohë, fraza" duke të pritur ty" sugjeron një shpresë apo pritje për diçka (ty) që do të vijë, por sdimë se kur dhe se në çfarë forme.

Poetja vazhdon të flasë me imazhe: " perdet e kaltra të rëna, thua prej supeve të erës, dhe sirtari i kthyer përmbys, në imitim të njeriut"  duke shfaqur peizazhe metaforike e simbolike shprehëse të ndjenjave.  Kështu, vargu: "dhe perdet e kaltra të rëna, thua prej supeve të erës" shfaq një imazh vizual të perdeve (poetja nuk harron të cilësojë ngjyrën e tyre) të kaltra që kanë rënë. "Perdet e kaltra" interpretohen si simbol i melankolisë, trishtimit ose vetmisë, ndërsa "supeve të erës" sugjeron një ndjenjë hapësire të dëshirueshme, por rastësisht  i përshtatet vetmisë dhe kombinimi i këtyre dy elementëve krijon një imazh të zymtë, ku një ndjesi e errët po përshkon atmosferën emocionale të poetes.

Te imazhi "dhe sirtari i kthyer përmbys, në imitim të njeriut" shohim një sirtar të kthyer përmbys në dysheme, i cili simbolizon një lloj kaosi ose zemërrimi në caste vetmie, një tërheqje instiktive me forcë të sirtarit të komodinës që ngjan me "Në imitim të njeriut”, imazh që shfaq imagjinimin e një njeriu të rrëzuar në një dëshpërim të madh shpirtëror , dhe që përforcon idenë e një bote të përmbysur, të vetmuar, që mund të korespondojë me gjendjen shpirtërore të heroinës.

Vargjet "Kur mendoj boshësinë e gjithë fjalëve fjalëve nga plot gjilpërëza dhe karfica,/ nga ca xhufka me hare lozonjare të ca mbulesaave të trishta," shfaqin një gamë imazhesh që interpretohen në kontekstin e një erotizmi të fshehur.

Kështu vargu :"Boshësinë e gjithë fjalëve fjalëve" paraqet një ide të zbrazëtisë, boshësisë së fjalëve, që lidhet me një dëshirë për të gjetur një formë të re të shprehjes, të plotësimit të asaj që mungon. Në kontekstin e poezisë, kjo mund të reflektojë një dëshirë për të shprehur gjëra që nuk janë thënë më parë, për të zbuluar një formë të re të intimitetit.

Imazhet:"Plot gjilpërëza dhe karfica" ndonëse të shprehura me përkëdheli paraqesin një lloj kaosi, rrëmuje, (si të rrëzuara nga ai sirtari i përmbysur) dhe përfaqësojnë një gjëndje emocionale, harrimi të fjalëve dhe mendimeve, që nuk shprehen. Në kontekstin e poezisë, këto imazhe mund të lidhen me ndjenjën e një prekjeje të butë të trupit, dhe dëshirën për një lidhje intime dhe të afërt.

"Xhufka me hare lozonjare të mbulesaave të trishta" , ku imazhi i "mbulesave të trishta" mund të interpretohet si një pamje e ngrohtë dhe intime që përshkruan një kontekst intimiteti. “Haret lozonjare” mund të përforcojnë imazhin e  një intimiteti të butë dhe të përsosur.

Këto imazhe përforcojnë një atmosferë të ngrohtë dhe intime, që mund të lidhet me një ndjenjë të fshehur të erotizmit, përhapin një pasqyrë poetike të një emocioni të thellë dhe të pazbuluar që shfaqet në poezinë e Natasha Lakos. Te vargjet: "si mund të arrij deri te goja jote e hapur, që mbledh gjithë shirat, vetëm me lëkurën, pa kërkuar gjithë shkretëtirën" shpalosin në një imazh  dëshirën për një  erotizëm të fshehur, duke përdorur metafora të fuqishme për një lidhje fizike dhe emocionale, ku:

Imazhi "Goja jote e hapur, që mbledh gjithë shirat" shpreh një dëshirë të madhe për lidhje dhe përvojë të plotë. Në kontekstin e poezisë, "Goja e hapur" përfaqëson një simbol të hapjes së plotë dhe të sinqertë ndaj tjetrit. Në këtë rast, "mbledhja e gjithë shirave" mund të kuptohet si një pranim i të gjitha gjërave, si të mira ashtu edhe të këqija, të cilat janë pjesë e një lidhjeje të thellë, duke  përcaktuar një nivel të lartë të besimit dhe të lidhjes mes dy personave. Është një shprehje e qartë e një lidhjeje të ngrohtë dhe të sinqertë, e cila përmban të gjitha aspektet e përvojës së njeriut në një mënyrë të hapur dhe të ndjeshme.

Vargu:"Vetëm me lëkurën, pa kërkuar gjithë shkretëtirën" përmban imazhe poetike të cilat mund të interpretohen në mënyra të ndryshme, varësisht nga konteksti dhe perceptimet e lexuesit, pasi shumësia e interpretimit është një nga veçoritë e poezisë moderne, që lejon shumëkuptime dhe interpretime të ndryshme sipas përvojës dhe perceptimeve të lexuesit.

Pavarësisht kësaj, fraza:"Vetëm me lëkurën" paraqet një lidhje të ngushtë fizike, një prekje të drejtpërdrejtë të ndjenjave, dëshirave, ose emocioneve. "Lëkura" ka një ndjenjë të intimitetit dhe afërsisë, dhe kjo lidhje mund të interpretohet si e thellë emocionalisht, e pasur me ndjenja e dëshira të fshehta.

Fraza:"Pa kërkuar gjithë shkretëtirën", ku "shkretëtira" mund të përfaqësojë një ambient të hapur të shkretë, ose një gjendje të paqartë, ku përdorimi i kësaj fjalie mund të shprehë një lloj aventurë, një eksplorim të pa planifikuar, ose një pranim të rrugës së papritur. Fjala "shkretëtirë" është një metaforë që përfaqëson një periudhë të vështirë, përdorimi i saj lidhur me frazën  "pa kërkuar gjithë shkretëtirën" mund të simbolizojë një qasje të jashtëzakonshme ndaj sfidave, ku poezia dësshmon se heroi është në situatë vështirësie, por po përpiqet të arrijë diçka, qoftë dhe vetëm, qoftë dhe me veten. Kjo flet për një vendosmëri që heroi poetik ka për të arritur synimet e tij.  Në përgjithësi këto vargje shfaqin  një dëshirë të madhe dhe poetja shprehë një lloj çudie dhe mrekullie në mënyrën se si ëndërron të arrijë diçka të pamundur, duke e bërë këtë ndjesi finale të poezisë, duke shprehur një optimizëm të heshtur, tipar i një vendosmërie të madhe.

 

III-Më sipër shfaqëm ndërveprimin e imazheve, simboleve e metaforave mes tyre për të krijuar poezinë. Është e natyrëshme që në procesin e krijimit poeti të mos e ketë në vemëndje këtë mënyrë ndërveprimi dhe sidomos poetja Natasha Lako, e cila krijon një poezi moderne, që flet nëpërmjet imazheve. Pikërisht te imazhet qëndron sekreti i krijimit të poezisë së saj të suksesëshme, ajo nuk rendit fjalët si lulet që mbjell në obor, sipas llojit dhe përafërisë së ngjyrave për të krijuar një figure me fidanët e tyre, ajo parafytyron imazhin poetik dhe në përputhje me atë gjen fjalën e duhur, në mos e gjettë, ajo riformaton fjalën më të afërt duke i shtuar një gërmë a diçka më shumë dhe fjala mer një tingull të ri, më të ëmbël, që i përshtatet si imazhit ashtu dhe melodicitetit poetik. Në këtë mënyrë imazhet që shprehin poezinë japin vizionin e një shtjelle ajri në lëvizje pa ndërprerje, veçse me ngjyra të ndryshme , që i përfiton gjatë kalimit të kuptimshmërisë në vargje. Mjeshtër i paarritshëm i kësaj “loje”krijimi ishte Lasgush Poradeci, i cili, veç imazhit i jipte dhe një melodicitet të ëmbël poezisë, sa që të vjen ta këndosh poezinë e tij, se recitimi diçka i humbet.

Natasha Lako jeton në planetin e poezisë, mer frymë me poezi, shikon nëpërmjet atmosferës imazhiste dhe flet për ato që shikon e përjeton në atë planet, madje i shkruan ashtu siç i sheh, prandaj ka një botë imazhiste poezia e saj. Aty tek ato imazhe është kuptimshmëria e poezisë së saj, te metafora është e folura e saj, simboli është ylli polar që duhet të shohim në botën e saj. Diku kam lexuar për një matematikan të madh indian, që numërat prim dhe veprimet e tyre i shihte si një ndërveprim ngjyrash aurore: ai gjente lehtësisht përfundimin e çdo veprimi matematikor që i shtrohej për zgjidhje, por vuante shumë t'a shtronte (matematikisht) rrugën apo fazat e veprimit, të  shkruara në letër apo dërrasë të zezë për të deklaruar zbulimin e formulës. Kështu duke mos deklaruar formulat emri i tij mbeti i panjohur në botën shkencore (vetëm një artikull ju botua ne revistën shkencore mbretërore angleze) gjersa disa vjet pas vdekjes u gjetën në Oksford (ku qëndroi një vit me bursë) fletoret e tij të shënimeve dhe u vlerësua denjësisht. Mund ta shprehim dhe me muzikën këtë process, kompozitori e krijon melodinë në mëndjen e tij, e provon në tastierat e pianos dhe e shkruan në pentagram, por pentagrami nuk është melodia. Pentagrami është vendi ku shkruhet notat e muzikës, pianoja është mjeti që prodhon tingujt sipas“urdhërit”të kompozitorit, por muzika, melodia ka lindur në shpirtin e kompozitorit shumë kohë më parë dhe aty “banon”. Kështu është procesi i krijimit poetik modern, sepse këtu bëhet fjalë për krijimin e poezisë moderne, elementët e modernitetit të së cilit janë tepër të dukshëm të poezia e Natsha Lakos.

 

IV- Në këtë poezi Lako shpalos një vizion modern e reflektiv mbi ndjenjat dhe përvojën njerëzore, duke shfrytëzuar një gjuhë të pasur dhe imazhe të forta, ajo nxjerr në dukje modernitetin poetik nëpërmjet elementëve të poezisë si: a)-Përdorimi i imazheve, simbolike dhe metaforave: "perdet e kaltra të rëna","që në këngë nuk kanë hyrë ende dritaret", "myshk duke të pritur ty”, metafora e simbole: "mbledh gjithë shirat, vetëm me lëkurën","përmbysja e sirtarit si imitim i njeriut" në të folurin poetik, duke shmnagur të shprehurin me kuptimshmëri të drejtpërdrejtë si dhe shumësia e interpretimeve, pa zbehur bukurinë estetike janë elementë të modernitetit poetik tepër të dukshëm te kjo poezi. b)-Kontrasti midis botës shpirtërores e botës reale shprehur te: "sirtari i kthyer përmbys" dhe "boshësia e fjalëve" përfaqësojnë një ndarje, pse poezia moderne përqëndrohet te bota shpirtërore e individit dhe jo te bota reale, c)-Reflektimi i realitetit bashkëkohor në shprehjen e dilemave, emocioneve dhe konflikteve të personit në mënyrë që lexuesi të identifikohet dhe të ndiejë lidhje me ato në kohën dhe kontekstin e tyre, madje duke i përjetuar si të vetat: "kur mendoj boshësinë e gjithë fjalëve","si mund të arrij deri te goja jote e hapur","pa kërkuar gjithë shkretëtirën",ç)-Përdorimi i gjuhës dhe stilit të personalizuar të poetes, eksperimentimi me forma e struktura të ndryshme, të shkëputura nga tradicionaliteti janë të pranishme në poezinë e Lakos, dhe e bëjnë atë më interesante, më dinamike dhe me shumësi mënyrash interpretimi për lexuesin, f)-Poezia shfaq lirizëm në strukturën e saj, nëpërmjet të cilit  shpreh ndjenjat dhe mendimet e poetes, gjithashtu ndihmon në përforcimin e modernitetit poetik,g)-Poezia shfaq karakteristika të fragmentimit të mendimeve dhe imazheve, gjë që sjell një strukturë të shkëputur, që përforcon ndjenjën e fragmentarizmit dhe përzjerjes së ndjenjave e mendimeve në kontekstin modern. Mund të vazhdojmë të flasim dhe për fokusin te humanizmi, optimizmin etj të cilat janë të dukëshme për lexuesin, por unë kërkoj mirëkuptimin tuaj që të shprehem për disa elementë të veçantë te kjo poezi:

-Te pika “ç” përmendëm shkëputjen nga tradicionnaliteti poetik si element i modernitetit të poezisë “Kur mendoj, kur mendoj, kur mendoj” të Natasha Lakos dhe menjëherë kujtojmë se: ambienti poetik i poezisë tradicionale  është fusha, mali, lëndina, burimi, kullota, lumi, shtëpia e vajzës, subjekt i poezisë është vajza, sytë, flokët, shtati, veshja, prindërit, vëllai, shoqet etj, por ndryshe nga ato, “ambienti dhe subjekti” i poezisë moderne është bota shpirtërore e individit, ndjenjat dhe emocionet e tij. Madje këto janë edhe kur ngjarja poetike zhvillohet në ambiente tradicionale si “dritarja” te kjo poezi, por merita e modernitetit poetik është se këto elemente (ambiente dhe objekte) tradicionale ose i shndron në sfonde poetike ose i modernizon. Në rastin tonë dritaria është objekt i artit poetik tradicional i njohur me emërtimin “penxhere”,  por Lako së pari e largon nga emërtimi tradicional “penxhere” dhe e quan “dritare”, së dyti ajo e trajton në formën: “në këngë nuk kanë hyrë ende dritaret”, ku dritarja shndrohet në diçka frymore që ka lidhje organike me këngën. “Do hyjmë në këngë” themi  duke nënkuptuar se do nisim të këndojmë, duke u bërë pjesë e grupit të këngës psh. isopolifonike. Në këtë kuptim dhe dritarja ”do hyjë në këngë” duke u shpirtëruar, duke u modernizuar kuptimshmëria e saj.

 Le ta shohim te një variant tjetër këtë fenomen moderniteti: te kënga popullore : “Krevati me bojë are/Karshi penxherres e mbaje/Rrije vështroje ca male/Dhe me to hallet i qaje”. Siç shihet kemi një vajzë, e cila në dhomën ku flinte kishte një krevat më bojë (ngjyrë) are të vendosur karshi dritares, dhe gjatë kohës që rrinte ulur (ose shtrirë), shikonte malet përkarshi dhe niste e qante hallet e saj (të vajzërisë) me ato, malet. Jo vetëm teksti, por edhe kënga që këndohet janë shumë të bukura. Ju siguroj unë që dhe fotografia (apo piktura) e kësaj pamjeje është shumë e bukur, por problemi qëndron pikërisht te fakti se:pamja është fotografike. Para dritares së vajzës ka kaluar një djalë dhe ka fiksuar këtë pamje plot brenga vajzërore në formën e një fotografimi në kujtesën e tij, madje më pas ëdhë këngën e ka  shprehur në një formë fotografimi. Vërejeni vetë, në këngë nuk flet as vajza dhe ca më pak ndjenjat e saj, është djali ai që flet. Ndërsa te poezia e Natasha Lakos “flasin” ndjenjat, emocionet e heroi(nës)t, nuk flet as Natasha e jo më të flasë ndonjë “kalimtar” i rastit, si te kënga e mësipërme popullore. Këtu ndryshon poezia moderne nga arti tradiciona, romantik apo klasik. Poetja mund ta linte penxheren si një sfond tradicional në poezinë e saj moderne, por jo, ajo e modernizon edhe penxheren, së pari duke e larguar nga tradicionaliteti disi, duke e quajtur dritare dhe së dyti duke e shpirtëruar për tu futur në këngë. Është i njejti objekt në të dy krijimet, por tërësisht i ndryshëm poetikisht.

Le të kthehemi te poezia e Lakos: Xhufkat dhe mbulesat janë asete të artit gojor (xhufkat më dukshëm), por në formën se si e jep poetja, duke i personifikuar: ”xhufka me hare lozonjare të ca mbulesave të trishta”ato shprehin ndjenja, xhufkat kanë hare dhe janë lozonjare si vajzat e vogëla, ndërsa mbulesat janë të trishtuara si gra të veja. Sa e thjeshtë duket e shpjeguar në këtë mënyrë, por unë ju them se është talenti i poetes, përvoja jetësore dhe bota intelektuale e saj që këto shndrime kaq të ndërlikuara i bën të shprehen kaq thjeshtë dhe plot ngjyra jete. Unë jam i bindur që pas këtyre radhëve edhe ju i shikoni xhufkat si vajza të vogëla plot hare (sepse tunden si në kolovajzë) ndërsa mbulesat si gra të trishtuara.

-Veçse është një poezi moderne,poezia "Kur mendoj, kur mendoj, kur mendoj" Lakos shfaq elemente të rrymave ekspresioniste dhe magjike me përdorimin e  imazheve, fragmentimit dhe reflektimit të botës së brendshme. Këto elemente jo vetëm që përforcojnë modernitetin poetik, por i japin atij një dimension të veçantë. Për ti parë këto elemente duhet të kuptojmë se: ekspresionizmi në poezinë moderne është rrymë letrare që përdor emocionet, perceptimet dhe përvojat personale të poetit për të shprehur kompleksitetin dhe thellësinë e jetës njerëzore.Ai u bë e njohur në fillim të shekullit të 20-të, dhe karakterizohet nga një shprehje emocionale, simbolizmi i thellë, përdorimi i imazheve, i kontrasteve, shfaqja e konfliktit të brendshëm dhe shpalosja e një kritike sociale (e politike) nëpërmjet poezisë. Kështu: përdorimi i imazheve për të shfaqur gjendjen e brendshme shpirtërore të poetes, si: "dritaret" , "myshku", dhe "perdet e kaltra të rëna", që simbolizojnë ndjenjat e errësimit dhe vetmisë, fragmentimi i mendimeve e imazheve, duke krijuar një atmosferë të izoluar dhe të ngarkuar emocionalisht, karakterizojnë tipare dhe element të rrymës ekspresioniste në këtë poezi moderne të Lakos.

Elementet magjike te kjo poezi shfaqen te përdorimi i imazheve (magjike) për të shprehur përvojën e botës së brendshme, si "sirtari i kthyer përmbys, në imitim të njeriut", që shfaq një realitet të kundërt me rregullat e zakonshme të botës së perceptuar. Shfaqen gjithashtu te krijimi i një atmosfere magjike dhe mistike nëpërmjet përdorimit të imazheve si "hare lozonjare" dhe "mbulesa të trishta", që japin ndjesi të veçantë dhe të pazakonëshme për lexuesin. Po ashtu, imazhet e dritareve që ende nuk kanë hyrë në këngë, myshku dhe perdet e rëna, sirtari i kthyer përmbys, paraqessin një atmosferë mistike e magjike , element dhe tipar i rrymën magjike.

Sigurisht që dhe në këtë rast (të ekspresionizmit dhe mistiçizmit) poetja nuk ka kërkuar me insistim përfshirjen në poezi të elementëve të tyre, pasi nuk ishte e nevojëshme për atë, pasi vetë moderniteti poetik i pranon natyrshëm ato. Për ta shpjeguar këtë po sjellim një situatë: për një çast mendojmë se poetja po ecën shpengueshëm në një trëndafilishte dhe dorën e kalon lehtazi mbi petalet e porsaçelura,  kur del prej saj, befas ndjen se në duar dhe në mëngë rrobash i janë ulur disa bletë. Sigurisht që bletët nuk synojnë ta pickojnë poeten, ato kanë ardhur të marrin nektarin e luleve që ka mbetur në duart e robat e saj. Poetja vetë nuk është e ndërgjegjëshme specifikisht për nektarin e luleve mbetur në roba, pavarësisht se ndjen aromën e trëndafilave që e ka marrë me vete. Jemi ne lexuesit (dhe studiuesit) që si bletët, vijmë të marim nektarin te kjo poezi, që në hojet studimore të sigurojmë “mjaltin poetik”.

-Ka dhe një element që duhet ta shohim te poezia “Kur mendoj, kur mendoj, kur mendoj" të Natasha Lakos  dhe ky është muzikalitetit i poezisë, që përfshin vlerësimin e elementeve si ritmi, rima, arti gjuhësor dhe harmonia. Në poezinë "Kur mendoj, kur mendoj, kur mendoj" të Natasha Lakos, mund të shohim disa elemente që kontribuojnë në muzikalitet:

Ritmi në poezi është i  veçantë, i përcaktuar nga përsëritja e frazës"Kur mendoj"  tri herë në titull dhe në vargun e parë,përdorimi i strukturave ritmike në vargje , duke krijuar një lëvizje të përsëritur dhe një lloj harmonie të brendshme që sjell një melodicitet ritmik. Po kështu,struktura e vargjeve të shkurtra dhe të përsëritura, ndihmon në krijimin e një harmonie dhe ritmi të përgjithshëm, ku përdorimi i frazës "Kur mendoj" tri herë, krijon një efekt monotonie, por një monotoni karakteristikë e një melodie ritmike.

Gjuha dhe arti gjuhësor, me përdorimin e fjalëve me tinguj të përsëritur e ritmik, si "m", "d", "k", ka një ndikim pozitiv në muzikalitetin poetik, përdorimi i imazheve dhe metaforave krijon gjithashtu një lloj simfonie gjuhësore në këtë poezi.

Poezia ka një tonalitet të përgjithshme emocional dhe një melodi të fshehur në fjalë. Është pikërisht  ndjenja e thellë e dashurisë dhe e reflektimit që krijon një tonalitet, i cili mund të krahasohet me një melodi tronditëse.

Këto tipare, struktura dhe element moderniteti poetik e bëjnë poezinë “Kur mendoj, kur m,endoj, kur mendoj” një poezi sipërore, e pa shfaqur deri më sot në letërsinë shqipe, duke dëshmuar me këtë krijim talentin e madh të poetes Natasha Lako.

Sarandë, fund shkurti 2024

 

 

 

 

 

 

Natasha Lako

Kur mendoj, kur mendoj, kur mendoj.

 

Kur mendoj, kur mendoj, kur mendoj,

që në këngë nuk kanë hyrë ende dritaret,

që zënë myshk duke të pritur ty

dhe perdet e kaltra të rëna, thua prej supeve të erës,

dhe sirtari I kthyer përmbys, në imitim të njeriut,

kur mendoj boshësinë e gjithë fjalëve fjalëve nga plot gjilpërëza dhe

karfica,

nga ca xhufka me hare lozonjare të ca mbulesaave të trishta,

si mund të arrij deri te goja jote e hapur, që mbledh gjithë shirat,

vetëm me lëkurën, pa kërkuar gjithë shkretëtirën.

 

f.8