Tuesday, 14 May 2024

 

Timo Mërkuri

LEXIMI I NJË POEZIE POSTMODERNISTE TË FATMIR TERZIUT

 

Në analizë të krijimtarisë poetike postmoderne të Fatmir Terziut më tërhoqi vëmëndjen poezia "Një poezi, a pushon?", për qasjen e saj postmoderniste, e cila shfaq një perceptim të rolit të poezisë në një kontekst të fragmentuar dhe të ndryshueshëm shoqëror.Terziu përdor imazhe dhe metafora për të shfaqur qasjen në shkallë të gjerë, duke reflektuar historinë e të tashmen dhe rolin e poezisë në ato. Për këtë arsye mendova që analizën ta realizoj nëpërmjet leximit vargor në aspektin e qasjes postmoderniste të tyre në veçanti dhe poezisë në tërësi.

1) –Kështu, vargjet 'Ndërsa dallga çmallet me gurin që mbajti dinosaurin e parë në ishullin Ëight / unë ia hap sytë celularit tim, lexoj një mesazh,' shfaqin një përzierje të imazheve dhe konteksteve të ndryshme, karakteristikë e poezisë postmoderne. Dallga që 'çmallet me gurin që mbajti dinosaurin e parë në ishullin Ëight' përdoret si një metaforë për kohën dhe përvojën njerëzore të kohës së kaluar, ndërsa 'ishulli Ëight' mund të interpretohet si një hapësirë e izoluar ose e ndarë nga realiteti i përditshëm. Kjo paraqitje metaforike e trajton kohën si një entitet që lë gjurmë të dukshme në natyrë dhe histori.

Në vargun tjetër, hapja e syve të celularit për të lexuar mesazhin e forcon kontrastin mes të kaluarës dhe të tashmes dhe mes natyrës e teknologjisë moderne.  Ky moment shfaqet si një ndërthurje e dy botëve, e kaluara dhe e tashmja , ndërthurje  që është një element i zakonshëm në poezinë postmoderne, ku koha dhe hapësira përplasen dhe ndërtojnë një realitet të pazakontë.

Kështu, vargjet shfaqin një shkëputje nga një linearitet i qartë dhe një qasje unike ndaj kohës dhe përvojës njerëzore dhe ne duhet të dimë se koha, natyra dhe ngjarjet  në poezi janë gjithmon të ndryshëm nga realiteti natyror apo historik. Në vend të një narrativi të qartë dhe të strukturuar, poeti preferon të shprehë fragmente dhe momente të papritura, duke e bërë lexuesin të mendojë për marrëdhënien komplekse midis të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes, duke përmbushur kështu fragmentimin dhe përzierjen e konteksteve dhe kontrastin e ndërthurjen e dy botëve, karakteristikat themelore të poezisë postmoderne.

2)- Po ashtu, edhe vargjet: 'besoj se bari që shkel mban erë si kockat e mbretërve / dhe mbretëreshat / shkruajnë në mendjen time punëra dashurish / të strukura në gjurmët e fosileve' shfaqin qartë elemente të postmodernizmit nëpërmjet përdorimit të metaforave dhe imazheve të pazakonta. Vargu: 'besoj se bari që shkel mban erë si kockat e mbretërve / dhe mbretëreshat' shfaq perceptimin subjektiv të realitetit, një karakteristikë kjo e postmodernizmit, por ndërkohë metafora e 'kockave të mbretërve' dhe 'mbretëreshave' është një shprehje simbolike e fuqisë dhe autoritetit, ndërsa vargu'punërat dashurish të strukura në gjurmët e fosileve' shpreh një lloj kontinuiteti të përvojës njerëzore dhe historisë në mënyrë simbolike, duke përmbushur karakteristikën postmoderniste të 'përdorimit të simbolizmit dhe metaforës'. Të kemi parasysh se përdorimi i bimëve për të shprehur erën dhe kockat e mbretërve e mbretëreshave është një imazh i një ndërthurjeje të dy anëve midis natyrës dhe kulturës, midis të thjeshtës dhe të sofistikuarës. Kjo lloj shprehjeje e koncepteve tradicionale është një element tipik i postmodernizmit. Në vargun tjetër, 'punërat dashurish të strukura në gjurmët e fosileve' paraqitet një kërkim i pafund për të kuptuar një marrëdhënie me të kaluarën, të shprehur nëpërmjet kujtesës, duke shprehur një lloj melankolie që është e paparashiku-eshme, duke përmbushur karakteristikën e reflektimit mbi historinë dhe përvojën njerëzore të postmodernizmit.

Në të dyja rreshtat, përdorimi i këtyre imazheve dhe metaforave shpreh një botë të pazakontë, një realitet ku kuptimi tradicional dhe i qartë është i ndërthurur, dhe kjo është karakteristikë thelbësore e poezisë postmoderniste, e cila ndihmon në krijimin e një përvoje letrare që sfidon kuptimin tradicional dhe inkurajon lexuesin të shprehë interpretimin e tij të ndryshëm.

3)-Duke lexuar vargjet: 'që thonë se sytë e pasqyrës së dashur / yjet, / dalin ti lexojnë natën detit të sprapsur / se poezia është universi i kërkimeve të tyre,' në kontekstin e poezisë postmoderne, vërejmë një përdorim simbolik e metaforik të elementeve natyrore për të shprehur rolin dhe fuqinë e poezisë. Vargjet 'që thonë se sytë e pasqyrës së dashur / yjet,' shprehin një perceptim subjektiv të realitetit, duke u përqendruar në një perceptim nga perspektiva personale, karakteristikë kjo e perceptimit subjektiv të realitetit të poezisë postmoderne. Vargjet 'dalin ti lexojnë natën detit të sprapsur / se poezia është universi i kërkimeve të tyre,' ku 'sytë e pasqyrës së dashur' dhe 'yjet' janë personifikuar dhe përbejnë simbole të ndjeshmërisë njerëzore, ndërsa 'poezia' është e shprehur si një 'univers i kërkimeve të tyre,' një metaforë për rëndësinë dhe rolin e artit në përjetimet njerëzore, duke përmbushur karakteristikën e përdorimit të simbolizmit dhe metaforës në poezisë postmode-rne. Gjithashtu, vargjet përmbajnë reflektim mbi kulturën dhe identitetin, duke e paraqitur poezinë si një mjedis ku individët mund të reflektojnë mbi përjetimet e tyre.

Në poezi, vargjet 'sytë e pasqyrës së dashur' dhe 'yjet' janë simbole që përfaqësojnë një lloj perceptimi të fshehur, të cilin poezia mund ta zbulojë. Përdorimi i 'pasqyrës së dashur' për të shprehur një mënyrë të veçantë për të parë në botën natyrore thekson qëndrimin e poezisë si një mjet për të zbuluar thellësitë e fshehura të përjetimit njerëzor. Përmes shprehjes 'yjet, / dalin ti lexojnë natën detit të sprapsur,' poezia shpreh një lloj lidhjeje të fuqishme midis natyrës dhe kreativitetit poetik. Yjet, simbole të pasqyrimit dhe reflektimit, shfaqen si lexues të natës së errët të detit, duke sugjeruar një lloj lidhjeje mitike midis natyrës dhe imazhit poetik. Në fund, shprehja 'poezia është universi i kërkimeve të tyre' thekson rolin e poezisë si një hapësirë ku mendja dhe shpirti eksplorojnë dhe kërkojnë kuptime të reja. Ky koncept përcakton poezinë si një hapësirë ku shkenca, miti dhe perceptimi personal përplasen dhe formojnë një realitet të ri, ku kuptimi tradicional është riformuluar.

Në këtë mënyrë, vargjet shprehin një qasje postmoderne ndaj poezisë, ku kuptimi dhe perceptimi janë të hapur për interpretime të ndryshme dhe poezia përdoret si një mjet për të eksploruar hapësirat e përvojës njerëzore dhe natyrore.

4)- Te vargjet "I kuptoj në errësirën e tyre senzuale / nga statujat e ngrira që mbajnë erë pije alkoolike të përzier / netët," në kontekstin e poezisë postmoderne, vërejmë se ato shfaqin një ndërthurje të imazheve të papritura dhe të pazakonta për të paraqitur një realitet të fragmentuar dhe të paqartë, ku fraza "I kuptoj në errësirën e tyre senzuale" shpreh një perceptim subjektiv të realitetit, ku autori ndjen se ai kupton gjëra në mënyrë të veçantë, subjektive, por ndërkohë kjo është një karakteristikë e poezisë postmoderne.

Gjithashtu  përdorimi i termave "errësira senzuale"shfaq një ndjenjë emocionale dhe senzoriale, ndërsa "statujat e ngrira që mbajnë erë pije alkoolike të përzier" paraqesin një imazh qetësie në një mjedis që duhet të shfaqet i qetë, por që përmban elemente të paqarta. Kjo paraqitje është karakteristikë e poezisë postmoderne, ku kuptimi dhe perceptimi janë të përzier nëpërmjet ndërthurjes së kontrastit. Në këtë rast, ndjenja e "errësisë senzuale" përplaset me imazhin e "statujave të ngrira," duke krijuar një kontrast midis ndjenjave të jetës dhe lëvizjes, dhe qetësisë së padukshme dhe të ndaluar.

Në poezinë postmoderne, kjo përzierje e imazheve dhe ndjenjave shpesh përdoret për të paraqitur një realitet të ndryshëm nga ai i pritshëm dhe për të përshkruar ndjenja të çuditshme dhe të befasisshme tek lexuesi. Kjo lejon poezinë të përjetojë një lloj lirie dhe eksperimentimi dhe poetit të shprehë idetë dhe emocionet në një mënyrë të re, duke plotësuar disa karakteristika të postmodernizmit si: përdorimi i imazheve tërheqëse dhe surrealiste ( statujat e ngrira që mbajnë erë pije alkoolike të përzier përfaqësojnë një imazh surreal), duke e bërë lexuesin të ndjehet i hutuar dhe të ndërthurë midis botës reale dhe botës së ëndrrave. Ky lloj përdorimi i imazheve është një element i zakonshëm i postmodernizmit. Po ashtu, përzierja e një realiteti të njohur me elemente të pazakonta, siç janë statujat e ngrira me erë pije alkoolike të përzier, reflekton një ndërlidhje midis realitetit dhe fantazisë, e cila është një temë e zakonshme në poezinë postmoderne, ku kufijtë midis realitetit dhe imagjinatës shpesh janë të pamundur për t'u dalluar.

5)-Vargjet "Mblidhen nën guackë i një vezë e zier, / botë e çuditëhme e pandryshuar / duke shuar shekujt në dallgët shkumë, / tregojnë se poezia s'ka pushuar," në kontekstin e poezisë postmoderne,shfaqin përzierje të imazheve të papritura për të shprehur një qasje të pazakontë ndaj poezisë dhe përvojës njerëzore. Përdorimi i imazhit të "vezës së zier" për të shfaqur një grupim të papritur, tregon një kujdes të veçantë për detajet dhe për mënyrën e përjetimit të elementeve të zakonshme në një mënyrë të re dhe origjinale. Ky përfaqësim metaforik forcon ndjenjën e ngjyrës dhe ndriçimit të përjetimeve që mund të jenë të pranishme në një realitet të fshehur.

Koncepti i "botës së çuditshme e pandryshuar" shpreh një realitet të ndryshuar, gati mitik, të pazakontë,duke përfaqësuar qasje ndaj postmodernizmit, ku kuptimi i zakonshëm dhe i njohur është sfiduar nëpërmjet përzierjes së elementeve të njohura me ato të panjohura. Poezia vazhdon me imazhin e "shekujve që shuhen në dallgët shkumë," duke shprehur një lloj përzierjeje ose shkatërrimi të kohës dhe të historisë nëpërmjet një procesi të pakthyeshëm. Ky imazh përforcon idenë se poezia është një fuqi që tejkalon kohën dhe që e ndërton një realitet të ri dhe të pazakontë.

Në fund, vargjet përfundojnë me vargun "poezia s'ka pushuar" duke theksuar idenë se pavarësisht  transformimeve të ndryshme në botë, fuqia dhe ndikimi i poezisë mbeten të pacenuara, duke shprehur kështu një përmbajtje të postmodernizmit, ku poezia shërben si një mjet për të përballuar dhe shprehur kompleksitetin e realitetit dhe përvojën njerëzore në një mënyrë të pazakontë dhe inovative.

6)- Në vazhdim të vargjeve të mësipërme dhe në lidhje organike me ato, vargjet: "me një varg të çuditshem / ka gjetur gjithnjë shtegun, / edhe në vend tjetër / sepse e ngjiz me art vargun / kur i afrohet ndonjë gënjeshtër…" në kontekstin e një poezie postmoderniste shfaqin një përzierje të imazheve dhe ideve të ndryshme për të shprehur një qasje të pazakontë ndaj krijimtarisë së poetit. Përdorimi i fjalëve "me një varg të çuditshëm" shfaqin një qasje inovative dhe origjinale ndaj krijimit të poezisë,  varg që simbolizon aftësinë e tij për të përzier kuptimin dhe formën në një mënyrë të re, duke çaktivizuar një efekt të pazakontë tek lexuesi.

Fjala "shtegun" shfaq një rrugë (apo udhëtim) që poeti ndjek për të shprehur idetë e tij nëpërmjet poezisë. Ky "shteg" shfaq një qasje të postmodernizmit, ku krijuesi eksploron mjedisin për të gjetur nxitje dhe frymëzim për të krijuar. Në vargun "edhe në vend tjetër / sepse e ngjiz me art vargun," shfaqet një ide e rëndësishme e postmodernizmit që artisti nuk është i kufizuar nga koha apo hapësira. Ai mund të shkojë përtej kufijve të një realiteti të caktuar për të gjetur frymëzim dhe për të krijuar diçka të re dhe të papritur. Përfundimi i vargjeve me deklaratën "kur i afrohet ndonjë gënjeshtër…" shfaq një lloj sfide dhe qasje skeptike ndaj realitetit dhe përvojës. Fjala "gënjeshtër" përfaqëson një elementë të pazakontë që mund të ndikojnë në procesin e krijimit të poetit, por këtu duhet të kujtojmë rëndësinë e frazës “e ngjiz me art vargun”, ku është pikërisht arti ai që mbron poezinë nga ndonjë “gënjeshtër”. Shprehja "e ngjiz me art vargun" në vargun e poezisë shfaq një kuptim themelor që arti dhe talenti i poetit janë ata që e mbrojnë poezinë nga influencat e rreme. Ky varg udhëzon se talenti dhe aftësia krijuese e poetit i lejojnë atij të transformojë materialet e ndryshme, përfshirë edhe gënjeshtërat në diçka të bukur dhe të rëndësishme.

Në kontekstin e poezisë postmoderniste, ky varg thekson një qasje të cilësuar ndaj rolit të talentit dhe aftësisë krijuese të poetit. Përdorimi i fjalës "art" në këtë kontekst paraqet një aftësi të jashtëzakonshme për të formuar dhe krijuar duke përdorur teknikën dhe ndjenjën artistike. Pra, arti në këtë kontekst është ai që bën të mundur që poezia të përmbahet dhe të mbrohet nga elementet e rreme, duke e ngritur atë në një nivel të lartë të ekspresionit dhe kuptimit.Pra siç pamë në këtë lexim analitik të vargjeve jo vetëm çdo varg, por edhe pjesë vargjesh apo figurash artistike shfaqin dukurinë e karakteristikave të postmodernizmit.

III- Poezia “Një poezi, a pushon?" e Fatmir Terziut shpalos një vizion të thellë dhe të ndjenjshëm, duke përdorur metafora, simbole e imazhe postmoderniste për të shfaqur një botë të ndryshme, të çuditshme në disa aspekte.

a) - Kështu, te vargu "Ndërsa dallga çmallet me gurin që mbajti dinozaurin e parë në iëhullin Ëight" metafora është "dallga çmallet me gurin" kjo metaforë paraqet një skenë të larmishme dhe të fuqishme të natyrës, ku dallgat shkaktojnë një zhurmë mbi gurët e bregut. Kjo metaforë mund të simbolizojë një ndjenjë të lirë, fuqinë dhe energjinë e pa kufizuar të natyrës, duke shpalosur ndjenjën e bukurisë, forcës dhe përjetësisë së saj. Ajo shfaq kohën duke përfshirë elemente të lashta dhe të reja, si dinozaurët dhe ishujt, duke krijuar një ndjesi të përplasjeve kohore dhe hapësinore. Mirëpo, kjo metaforë ka një ndërveprim me simbolin e dinozaurit, i cili mund të simbolizojë diçka të lashtë, të largët dhe misterioze. Dinozaurët janë krijesat prehistorike të zhdukura nga toka para më shumë se një milion vjetësh, kështu që përdorimi i tyre në poezi mund të paraqesë një ndjesi të hershme, gati të harruar. Ndërveprimi i simbolit të dinozaurit me metaforën "dallga çmallet me gurin" shfaq imazhin poetik të dallgëve që shkaktojnë lëvizjen e fuqishme me gurin, që paraqesin një skenë të vërtetë dhe tërheqëse të natyrës, duke krijuar një ndjesi të veçantë të lëvizjes. Kombinimi i këtij imazhi me dinozaurin e parë në ishullin "Ëight" (Eit), një emër që mund të kujtojë numrin "8" ose fjalën "infinity", forcon ndjenjën e mrekullisë dhe përjetësisë së natyrës.

b) - Po kështu vargu "Bari që lëkund mban erën i kockat e mbretërve dhe mbretëreshat" është i mbushur me metafora, simbole dhe imazhe dhe konkretisht: Në këtë varg, bari që lëkund është një metaforë për një fuqi të padukshme dhe të papritur, që mund të përfaqësojë ndonjë forcë ose ndonjë ngjarje të papritur që ndodh në jetën tonë. Kockat e mbretërve dhe mbretëreshave janë një simbol i pushtetit, lavdisë dhe autoritetit dhe përdorimi i tyre në këtë kontekst shkakton një ndjenjë që forcon ngjarjet e papritura. Imazhi i erës që mban bari, të krahasuar me kockat e mbretërve dhe mbretëreshave, shkakton një ndjesi admirimi dhe forcon ndjenjën e madhështisë dhe fuqisë të ngjarjeve që po ndodhin. Përdorimi i termit "erë" në këtë kontekst nuk përfaqëson një imazh konkret, por përfaqëson një aromë. Pra, është një imazh poetik i fjalës që shpreh një atmosferë, një ndjesi, ose një emocion. Kështu, paraqitja e "erës" së diçkaje që mban bari shpreh një atmosferë të veçantë, një ndjesi mrekullie ose të pakëndshme dhe është një pasqyrim poetik i një ndjesie ose gjendje imazhi poetike, por jo një imazh konkret.

Mund të vazhdojmë me shembuj të tjerë, por do të ecim në të njëjtën logjikë, pa thënë asgjë tjetër të re, ndërkohë që duhet të theksojmë ndërveprimin midis simboleve dhe metaforave në krijimin e imazheve te poezia e Terziut. Ky ndërveprim shpreh një tipar të rëndësishëm të postmodernizmit, i cili karakterizohet nga përdorimi i gjerë i simboleve, metaforave dhe ndërthurjes së tyre në krijimin e imazheve komplekse dhe me kuptime të thella. Në poezinë e Terziut, simbolet dhe metaforat përdoren për të shprehur ndjenja, përjetime dhe koncepte të ndryshme në një mënyrë që është e pazakontë dhe e papritur. Ndërveprimi i tyre krijon një lloj ngjashmërie midis ideve dhe imazheve, duke sjellë një ndjenjë kompleksiteti të botës që shfaqet në poezi. Ky përdorim i elementëve të postmodernizmit sjell një anë të papritur, duke lejuar lexuesin të krijojë interpretime të ndryshme dhe të gjejë kuptime të reja nëpërmjet bashkëve-primit të simboleve dhe metaforave.

 

IV- Postmodernizmi i shprehur në poezinë e Fatmir Terziut e bën atë të thellë dhe të pasur në përmbajtje. Përdorimi i simboleve, metaforave dhe strukturave të ndërlikuara, si dhe ndërthurja e realitetit me elemente të tjerë të kulturës dhe përvojës njerëzore, e bëjnë poezinë e tij një krijim që kërkon lexues të përkushtuar dhe të angazhuar për ta kuptuar në brendësi. Ky kompleksitet në poezi e ngre atë  ai autor në kuotat e larta të letërsisë. Kritika dhe publiku e vlerësojnë thellësinë dhe gjithëpërfshirjen e poezisë së tij, duke e cilësuar si kontribut të rëndësishëm në letërsinë bashkëkohore.

Për të kuptuar dhe përjetuar poezinë e Terziut në mënyrë të plotë, është e nevojshme një lexim i kujdesshëm, duke u përpjekur të kapësh gjithë dimensionet dhe kuptimet që ajo përmban. Kjo lloj sfide kërkon një nivel të lartë kulturor, intelektual dhe ndjeshmërie te lexuesit.

Të kuptojmë: lexuesi duhet të jetë i gatshëm për të eksploruar brendësinë e temave të poezisë së tij, të reflektojë mbi lidhjet komplekse midis ideve dhe imazheve, si dhe të ndjehet i përfshirë në një udhëtim mendimi dhe emocionesh. Kjo është arsyeja pse ne qysh në krye të shkrimit bëmë një leximi poetik sipas qasjes postmderniste  të poezisë së tij, duke ftuar inteligjencën dhe ndjeshmërinë kulturore të lexuesit të zbulojnë ndryshimet në kuptimin dhe përjetimet që poezia ofron, duke e bërë atë (përjetimin poetik) më të pasur dhe më të ngazëllyer.

Poezitë e Terziut kërkojnë lexues që janë të hapur ndaj ideve të reja, të gatshëm për të shprehur empati dhe për të reflektuar mbi kompleksitetin e jetës njerëzore. Është e vërtetë që poezia e Terziut, në veçanti, si dhe poezia postmoderniste në përgjithësi, shpesh konsiderohet e orientuar kah një audience më të specializuar ose më intelektuale, kjo për shkak të kompleksitetit të temave, përdorimit të gjuhës dhe strukturave të ndërlikuara, si dhe përdorimit të metaforave dhe simboleve që kërkojnë një lexim të hollësishëm dhe një kërkesë reflektuese. Poezia postmoderne eksploron tema dhe ide që mund të jenë të ndërlikuara, madje duke përdorur mënyra të avancuara për të shprehur emocionet dhe përjetimet njerëzore. Kjo bën që këto poezi të jenë më tërheqëse për një audiencë të përkushtuar ndaj letërsisë dhe të gatshme për të shpenzuar kohë dhe energji për të kapur brendinë dhe kompleksitetin e tyre.

Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se: ndërsa poezia e Terziut dhe e postmodernizmit në përgjithësi mund të jetë më e përshtatshme për lexues me një nivel të lartë kulturor dhe intelektual, ajo nuk është e përjashtuar për lexues të tjerë. Çdo lexues, në varësi të interesave dhe përvojës së tij, mund të gjejë vlera në poezinë e Terziut dhe të pasurohet nga përjetimi i leximit të saj. Letërsia, në tërësi, ka potencialin për të frymëzuar, për të provokuar mendimet dhe për të ndikuar në emocionet e lexuesve të ndryshëm, pavarësisht  nivelit, përvojës apo edukimit. Kushdo është i mërëpritur në letërsinë postmoderniste, pavarësisht diferencave në përjetime.

 

Sarandë, maj 2024

 

 

 

 

NJË POEZI, A PUSHON?

(Bashkë(n)dëgjim me Timo Mërkurin në mesazhier)

Nga Fatmir Terziu

Ndërsa dallga çmallet me gurin që mbajti dinosaurin e parë

në ishullin Ëight

unë ia hap sytë celularit tim,

lexoj një mesazh,

besoj se bari që shkel mban erë si kockat e mbretërve

dhe mbretëreshat

shkruajnë në mendjen time punëra dashurish

të strukura në gjurmët e fosileve

që thonë se sytë e pasqyrës së dashur

yjet,

dalin ti lexojnë natën detit të sprapsur

se poezia është universi i kërkimeve të tyre.

I kuptoj në errësirën e tyre sensuale

nga statujat e ngrira që mbajnë erë pije alkoolike të përzier

netët,

mblidhen nën guackë si një vezë e zier,

botë e çuditshme e pandryshuar

duke shuar shekujt në dallgët shkumë,

tregojnë se poezia s'ka pushuar,

me një varg të çuditshëm

ka gjetur gjithnjë shtegun,

edhe në vend tjetër

sepse e ngjiz me art vargun

kur i afrohet ndonjë gënjeshtër…

 

 

02.prill 2024

 

Sunday, 12 May 2024

 

Timo Mërkuri

MODERNITETI I VONUAR I NATASHA LAKOS

 

Poezia "Druaj" e Natasha Lakos shpalos një vizion të thellë dhe të ndjeshëm të përjetimit njerëzor nëpërmjet imazheve të holla dhe të ngjashme me piktura, ku përdorimi i tyre (imazheve) të detajuara si "buzët", "lapsi", "kandili" e "pasqyra" krijojnë një peisazh emocional për lexuesin. Ky përdorim i imazheve vizuale forcon lidhjen e poezisë me artin vizual dhe skenat e përjetimit njerëzor bëhen më të dukshme përmes tyre. Gjithashtu, ndjenjat dhe përjetimet e heroinës shpalosen në një mënyrë të ndërthurur, duke i bërë ato të përfaqësojnë aspekte të përjetimit njerëzor. Nëpërmjet frazave si "çfarë kam për të fshirë atje dhe çfarë kam për të shkruar?" apo "njeriu ulet përpara pasqyrës që diçka të paguajë", poezia thekson kërkimin e vazhdueshëm të identitetit dhe vështirësië e përjetuara të ndjenjave nëpërmjet tij. Po ashtu, ndezja e shuarja e kandilit si metafora e jetës e dashurisë forcon mesazhin kryesor të poezisë: ndryshimi i përhershëm dhe kalimi i kohës, si një kosto që paguajmë në jetë, duke e lenë lexuesin me një reflektim mbi natyrën e përjetimit njerëzor dhe rëndësinë e shprehjes artistike në përballje me jetën dhe kohën.

Për nga rëndësia, ideja dhe struktura artistike e shprehjes, poezia "Druaj" e Lakos mund të quhet "Poema e buzëve të gruas" duke theksuar temën kryesore të përjetimit të saj nëpërmjet imazheve të buzëve dhe ndjenjave që ato shprehin. Ky titull mund të fokusohet si një element kryesor i poezisë që do ndihmojë lexuesin të kuptojë qëllimin dhe temën kryesore të tekstit poetik.

I-Fjala "Druaj" përsëritet në tekst si një thirrje, një ngurrim ose një këshillë, duke theksuar rëndësinë e kapërcimit të saj dhe shfaqjen e vetvetes. Kjo përsëritje forcon qëllimin e poetes për të adresuar një temë të rëndësishme dhe universale, madje, duke iu referuar përvojës njerëzore në kontekstin e jetës, poezia shndrro-het në një udhëzim të fuqishëm për lexuesit për të kapërcyer drojën dhe shfaqur veten në mënyra autentike e të vërtetë, ndërkohë që ndikimi i saj në strukturën poetike shfaqet:a)-Përsëritja e fjalës “druaj” shpreh figurën artistike të anadiplo-zës , një teknikë e përsëritjes së një fjale, fjalie ose një grup fjalësh në fillim dhe në fund të vargut të dy rreshtave pasuese.  b)- Kjo përsëritje krijon një strukturë që thellon domethënien dhe përjetimet e saj në jetën tonë.c)-Teknika e përdorimit e anadiplozës “druaj”  forcon temën e pasigurisë, ngurrimit, hezitimit që shfaqet në jetën tonë. ç)- Anadiploza forcon mesazhin kryesor të poezisë dhe e bën atë të ndjehet dhe më fortë për lexuesin,dhe d)- krijon lidhje të ngushtë mes vargjeve dhe forcon ndjesinë e ngurrimit, drojës që përshkon poezinë.

II- Përkundër ndjenjave të veçanta dhe formës së përjetimeveve personale të shprehur në poezinë "Druaj" nga Lakos, tema dhe emocionet që shpalosen janë të përgjithshme dhe universale. Kjo është e zakonshme në poezinë moderne, ku poetët shfrytëzojnë përjetimet personale për të shprehur gjendjet dhe ndjenjat e përbashkëta njerëzore. Poetja mund të druhet për shumë arsye lidhur me përjetimet e saj, qëndrimin ndaj jetës apo tema të tjera të veçanta që i trajton në poezi. Këtu shprehemi për disa arsye psikologjike pse poetja shfaq drojë dhe formën artistike të shprehjes së tyre në poezi:

- Vargjet e para të poezisë "Druaj" të Natasha Lakos: “ Druaj/Të gërryej buzët me laps,/çfarë kam për të fshirë atje/dhe çfarë kam për të shkruar?/Druaj”, tregojnë për një dilemë shpirtërore dhe një përpjekje për të përmbyllur atë, e paraqitur si një rrëfim. Kjo ndjenjë e pafundësisë dh pakuptimtësisë së mundësive që përjetohen në një moment të caktuar të jetës, shfaqet në tekst nëpërmjet metaforave të lapsit dhe buzëve. Fraza: “Të gërryej buzët me laps” përqendrohet në një veprim, në prag të kryerjes, por poetja heziton, druhet. Të kemi parasysh se ngjyerja e buzëve te femra shqiptare është një element estetik, një formë zbukurimi dhe vënie në dukje e pamjes së saj, atëherë pse poetja këtë gjest që femrat e kryejnë me finesë e dëshirë e quan ”gërryerje”? Sigurisht që poetja e përdor fjalën "gërryej" për të shprehur përdorimin e lapsit mbi buzët në një kontekst metaforik , madje kjo fjalë përdoret në një mënyrë që konsiderohet si përdorim metaforik i shprehjes, pasi  ajo nuk e përdor fjalën "gërryej" në kuptimin literal, por më shumë në një mënyrë simbolike për të treguar një proces, siç është aplikimi i lapsit mbi buzët. Në shqip, fjalët kanë shpesh nuancat e tyre, dhe përdorimi i tyre mund të jetë më shumë për të shprehur një ndjenjë apo për të krijuar një imazh emocional sesa për të paraqitur një veprim fizik në mënyrë strikte. Përdorimi i kësaj fjale mund të jetë bërë për arsye se poetja mund të jetë e pasigurtë për veprimin pasues, psh daljen në bulevard, në një takim, në një aktivitet etj., pasiguri që shprehet për përdorimin e lapsit në formë të tensionuar, larg butësisë estetike.

-Vargu: “çfarë kam për të fshirë atje / dhe çfarë kam për të shkruar?”  shpreh me një analogji një ndjenjë  paqartësie në mendjen e poetes, e cila përballet me dilemën e zgjedhjes së fjalëve për të shprehur gjendjen e brendshme, ndaj ajo kërkon kohë për të reflektuar me kujdes. Përdorimi i frazës”për të fshirë” mund të ketë dhe interpretimin e fshirjes së një buzëqeshjeje që s’duhet ta shohë dikush, ndërsa  përdorimi i frazës “për të shkruar” identifikon poeten, e cila ndjehet se si krijuese, kupton që fjalët mund të mos jenë të mjaftueshme për të shprehur atë që ndjen. Shikoni pak, fytyra e gruas dhe sidomos buzët e saj flasin atë që thotë shpirti i saj, aty shprehen ndjenjat e gëzimit, lumturisë, pranimit apo refuzimit, inatit a zemërimit. Madje dhe  forma e të kuqit të buzëve, nuancat  apo ngjyra shprehin mesazhe , të cilat sigurisht ndryshojnë në kohë dhe ambient. Thelbi i drojës së poetes shprehur te kjo frazë është pasiguria e saj për çështje të ndryshme, si përzgjedhja e fjalëve, transmetimi i ndjenjave të saj ose interpretimi i temave të ndjeshme, apo frika nga reagimi i dikujt me ndonjë përgjigje negative. Pasazhi jep një pamje të përpjekjeve të poetes për të shprehur ndjenjat dhe përjetimet e saj me sinqeritet dhe në përputhje me perceptimin e saj për botën dhe për veten. Ajo ka nevojë që çdo fjalë dhe emocion të jetë i vërtetë dhe i përputhshëm me realitetin dhe perceptimin e saj të jetës dhe të dashurisë.

-Te vargjet:”Mbi buzët e gruas është shkruar për hetë të parë historia/të çmendet pastaj dashuria/Druaj”, droja e poetes Lako duke përdorur metaforën e buzëvejanë shfrytëzuar si një metaforë për fillimin e një historie të re, qoftë kjo histori e një marrëdhënieje, e një periudhe të jetës, ose diçkaje tjetër. Përdorimi i hiperbolës "të çmendet pastaj dashuria” te kjo shprehje, ajo shfaqet si diçka që bën një person të çmendet, duke shprehur një intensitet dhe ndikim emocional që (dashuria) mund të ketë mbi njeriun. Këtu personifikimi “druaj” e bën vargun të forcojë idenë e një përjetimi të ndjeshme e të kujdesshme, duke e bërë të përmbushë  rol të veçantë në vargun e fundit. Frazave "Mbi buzët e gruas është shkruar për herë të parë historia" në një kuptimshmëri të drejtpërdrejtë mund të interpretohet psh si buzëqeshja që i jipet një djaloshi nga një vajzë, ku kjo është pikërisht historia e ndjenjave të vajzës. Kështu kuptimi i frazës: ” të çmëndet më pas dashuria” është tepër i dukshëm, por poetja dhe te kjo kuptimshmëri e drejtpërdrejtë transmeton psikologjikisht mesazhin për fuqinë e dashurisë në ndryshimin e një personi. Megjithëse dashuria mund të sjellë një ndjenjë euforie dhe ngazëllimi, ajo shkakton ndryshime të mëdha në identitetin dhe në jetën e një personi. Duke përfunduar me fjalën "Druaj" poetja, sa tregon ngurrimin e heroines, aq dhe fton për të qenë e kujdesshme për të marrë parasysh sfidat që shoqërojnë dashurinë. Kjo duket si një paralajmërim, por është në fakt dhe një  inkurajim për të nisur marrëdhëniet me qasje të kujdesshme dhe të ndërgjegjshme.

- Vargjet:"Dita pikon mbi buzët si kandil i ndezur/nata pikon si kandil i shuar./ Druaj." nëpërmjet një mozaiku figurativ të përbërë nga krahasimi i ditës dhe natës me kandil të ndezur dhe të shuar, përdorimi i metaforës ku në këtë rast, dita dhe nata janë personifikuar si "kandil i ndezur" dhe "kandil i shuar", respektivisht që krijon një imazh të fuqishëm vizual dhe emocional, duke forcuar ndryshimin dramatik në ndjesinë dhe përjetimet e personazhit me kohën dhe rrethanat. Ky imazh metaforik përjeton një ndryshim nga dita në natë, dhe ky ndryshim interpretohet si simbol i transformimit në jetën dhe emocionet e personit.Shtojmë se në varg ka një përsëritje të tingujve me zëra të ngjashëm, duke krijuar një efekt të rëndësishëm zanor. Psh, tingulli "p" dhe "k" përsëriten në fjalët "pikon", "buzët", "kandil", duke krijuar një ritëm dhe harmoni të veçantë në varg, dmth aliteracion. Fraza: “Dita pikon mbi buzët si kandil i ndezur” sugjeron një ndjenjë ngrohtësie dhe energjie që shoqëron ditën, ku "Buzët" paraqesin një hapësirë të ndriçuar aktiviteti, ku emocionet e përjetimet janë të dukshme. Poetja mund të ndihet e sigurtë dhe e lumtur në këtë kontekst, duke përjetuar kënaqsi dhe lumturi në ditën e saj, ndërkohë që fraza:”Nata pikon si kandil i shuar” paraqet një kontrast të fortë me vargun e mëparshëm. "Kandili i shuar" e paraqet natën si një periudhë të errët, ku emocionet dhe ndjenjat mund të jenë më të fshehta dhe më të errëta. Nata kështu mund të përfaqësojë një kohë  vetmie, reflektimi, pasigurie. Duke i krahasuar ditën e natën në këtë mënyrë, poetja tregon  një pasiguri apo ngurrim  në lidhje me ndryshimet e ardhshme të jetës. Kjo pasiguri mund të krijojë një frike te heroina, duke e shtyrë atë të shfaqë një drojë që e fton për kujdes. Në këtë kontekst, përdorimi i figurave të ditës dhe natës është një mënyrë e fuqishme për të paraqitur një ndryshim të madh dhe të ndjeshëm në përjetimet dhe emocionet e një personi.

- Vargu imazhzist "Njeriu ulet përpara pasqyrës që diçka të paguajë./Druaj" ku pasqyra shfaqet si metaforë që përfaqëson një mënyrë për të shqyrtuar ekuilibrin moral dhe për të përballur pasojat e veprimeve, por ndërkohë me të njejtat cilësi ajo personifikon një etnitet. Imazhi shfaq një veprim të zakonshëm, atë të "uljes përpara pasqyrës", por në këtë kontekst, ky veprim është i lidhur me një motiv më të thellë emocional dhe psikologjik. Duke e vendosur në kontekstin e poezisë së Natasha Lakos, mund të kuptohet se kjo ulje përpara pasqyrës është më shumë se thjesht një veprim fizik, ajo simbolizon një moment  reflektimi dhe vlerësimi të identitetit. Heroina përballet me veten e saj para pasqyrës, duke tentuar të njohë, kuptojë dhe vlerësojë më mirë veten , veprimet e kryera apo ato që do kryejë, duke paraqitur një proces të analizës shpirtërore dhe vlerësimit të jetës së saj. Kujtoni psh, në momentet para një takimi të dëshiruar vajzat rrinë  një copë kohe para pasqyrës, duke u rregulluar, medituar dhe analizuar veprimin që po ndërmarrin. Mirëpo kjo analizë shoqërohet me një kosto që në poezi përfaqsohet me frazën "që diçka të paguajë" pse ky proces reflektimi dhe vlerësimi nuk është pa pasojë. Njeriu edhe mund të ketë nevojë të "paguajë" për diçka, të ndajë një kosto për njohjen e vetes së vërtetë. Kjo përfaqëson ndryshime në mënyrën sesi heroina sheh veten  e botën dhe mund ti sjellë pasoja të ndryshme në jetë. Përfundimi me fjalën "Druaj" vë në dukje ndjenjën e pasigurisë ose ngurrimit nga pasoja e këtij procesi reflektimi. Kjo fjalë bën që lexuesi të ndjehet si heroina të cilin lexon. Pra, në kontekstin e poezisë ky varg mund të interpretohet si thirrje për të kuptuar më mirë veten, por dhe për të qenë të vetëdijshëm për koston që paguan dhe duhet paguar në procesin e vetënjohjes.

-Vargjet imazhiste: "Mbi buzët e gruas do shkruhet gjithnjë e para historia/do çmëndet pastaj dhe vetë dashuria/derisa në formën e gezhojës të ketë mbetur/i kuqi i buzëve që do ketë shkruar patjetër.//Mbi buzët e gruas shkruhet dhe shkruaj./ Druaj…" ku lulëzojnë metafora “i kuqi i buzëve” për dashurinë dhe përdorimi i ngjyrës së buzëve si simbol i dashurisë forcon idenë e një marrëdhënie të thellë emocionale. Vargjet shfaqin një progresion kohor, duke filluar nga shkrimi i historisë mbi buzët e gruas dhe mbaruar me thirrjen për t'i dhënë rëndësi kësaj historie e të druhet nga gabimet e mundëshsme. Ky progresion kohor forcon ndryshimet e zhvillimet në marrëdhënien e gruas me veten dhe dashurinë. Vargjet vënë në pah ndjeshmëri-në e madhe ndaj buzëve si  hapësira ku shkruhet dhe reflektohet historia e personit dhe (jo vetëm) ndjenjat e dashurisë. Analiza e këtyre vargjeve në kontekstin e poezisë sugjeron disa ide dhe mesazhe:

Buzët e gruas paraqiten si një hapësirë ku shkruhet historia e saj, ndjehen e përje- tohen emocionet e dashurisë. Buzët, si pjesë e fytyrës, përfaqësojnë dhe shfaqin intimitetin dhe lidhjen emocionale të saj me të tjerët, duke  sugjeruar se përjeti-met dhe emocionet që ndjejnë njerëzit janë të “shkruara” në fytyrën e tyre dhe të lexueshme për të tjerët. Psh buzëqeshja e një gruaje  e shkruar mbi buzët e saj flet më shumë se një libër historie, jo vetëm për dashurinë.

Për poeten,ideja që "historia shkruhet mbi buzët e gruas" përfaqëson një shprehje simbolike për fuqinë dhe ndjeshmërinë e identitetit të gruas. Kjo frazë përdor buzët si simbol i jashtëm i ndryshimeve dhe përjetimeve shpirtërore të një gruaje, (por jo vetëm).Buzët janë të përfshira në aktin e të  folurit dhe shprehjes së vetes përmes fjalëve. Për poeten, buzët mund të paraqesin një mjet për të shprehur identitetin dhe për të komunikuar me botën.

Duke shkruar që "historia shkruhet mbi buzët e gruas", poetja mund të sugjerojë se buzët janë një “faqe e parë e librit të jetës”së një gruaje, hapësira ku ndjenjat dhe përjetimet e shpirtërore shfaqen dhe shprehen në një mënyrë të dukshme.Poetja fokusohet te"i kuqi i buzëve",si simbol i bukurisë dhe identitetit,detaj që sugjeron për një estetikë të bukurisë shpirtërore e të jashtme, që ka një ndikim thelbësor në mënyrën sesi personi përjeton veten dhe është i perceptuar nga të tjerët.

-Të kemi parasysh dhe faktin se Natasha Lako si një poete elitare ka standarde të larta artistike për veten dhe poezinë e saj, ndaj ngurrimi mund të vijë dhe nga dëshira për tu siguruar që çdo fjalë dhe ide të jetë e vendosur me kujdes dhe e shprehur me saktësi për të përmbushur synimet artistike. Pasazhi që shpreh këtë është pikërrisht fjala “Druaj”. Kjo fjalë shpreh nevojën për kujdes dhe përpjekje të mëdha në procesin e krijimit të poezisë, duke theksuar dëshirën për të arritur një standard të lartë artistik dhe për të shprehur çdo detaj me kujdes dhe saktësi për të përmbushur synimet artistike të saj. Kjo fjalë (Druaj) shpreh gjithashtu dhe  ndikimin e kontekstit shoqëror, politik, ose kulturor në mënyrën se si poetja sheh dhe shpreh veten, ku ngurrimi vjen nga jashtë dhe e bën poeten të heshtë apo të kufizojë shprehjen e saj. Unë ju them lexuesve se pikërisht pse është një poete elitare Natasha Lako nuk mund kuptohet me një lexueshmëri të drejtpërdrejtë të fjalëve, ajo mund të admirohet për imazhet, siç admirojmë një kostelacion yjesh dhe, nëpërmjet kuptimshmërisë së  këtyre imazheve lexuesi mund të njohë botën e saj poetike.

III-Poezia e Lakos, përmban elemente të modernitetit poetik, por përputhet me rrymën e modernizmit të vonuar në poezi, gjë që është e dukshme me praninë e karakteristikave të kësaj rryme në poezi. Para se të vazhdojmë me elementët që e adresojnë këtë poezi te rryma e modernitetit të vonuar le të sqarojmë se:

Modernizmi i vonuar është rrymë moderniste e  një periudhe kohore që vjen pas periudhës së Modernizmit, (fillimi i të cilit shihet në fund të shek. 19 rreth viteve 1890 e cila si një lëvizje letrare fillon të qartësohet rreth viteve 1900- 1910 ) dhe shtrihet nga fundi i viteve 1920 deri në fundin e viteve 1950. Në këtë periudhë ka vijuar shkallëzimi i eksperimentimit të Modernizmit,  duke patur një fokus të madh në reflektimin e pasigurisë dhe paqartësisë në një botë që po ndryshonte shumë. Në anën tjetër, Postmodernizmi është një rrymë që fillon rreth viteve 1950 dhe zgjatet në të gjithë shekullin e 20-të, rrymë që ndjek modernizmin dhe ndikohet nga ai, por ka një qasje të veçantë: ai ve në dyshim qëndrimet e mëpa-rëshme, përfshirë autoritetin, strukturën dhe të vërtetën absolute, ka tendencën për të eksperimentuar me forma të ndryshme artistike dhe për të përzier lloje të ndryshme kulture dhe stili. Krahasimisht me Modernizmin e vonuar, Postmode-rnizmi shpesh ka një qasje më radikale ndaj strukturës dhe autoritetit të traditës, duke e bërë atë më të paparashikueshëm dhe më të lirë në shprehje. Megjithatë, në disa raste, poetët e Modernizmit të vonuar dhe poetët e Postmodernizmit kanë ngjashmëri në mënyrën e tyre të trajtimit të temave emocionale e ndjenjave të individit në shoqërinë e tyre të ndryshueshme.

Të kuptohemi një gjë, në kontekstin e gjuhës shqipe,termi "moderniteti i vonuar" ka kuptimshmërinë e një arritjeje ose zhvillimi që ndodh në kohë më vonë sesa duhej të ndodhte dhe ka qasje analogjike me termin “dashuri e vonuar”.  Nqse shohim kohën e tij (rreth v.1920 deri në v. 1950) shohim se modernizmi i vonuar kaloi në periudhën e tensionuar të pregatitjes dhe zhvillimit të luftës së dytë botërore, që ndërpreu modernizmin dhe dha i hapi rrugë lindjes së modernizmit të vonuar. Në Shqipëri,vdekja e parakohëshme e Migjenit në nisjen e udhëtimit të tij drejt modernitetit poetik ishte një goditje e madhe për poezinë shqipe. Lufta e dytë botërore dhe sidomos udhëheqja e kësaj lufte nga komunistët ftoi në skenën poetike artin tradicional dhe soc.realizmin ndërsa periudha pas luftës deri në vitet 1990 ishte thjeshtë bunkerizimi i letërsisë dhe arteve në soc. realizëm. Përpjekja për liberalizim në vitet '70 u godit me grusht të hekurt, jo metaforikisht por realisht, poetët kurajozë u burgosën dhe u internuan dhe pushteti ftoi në skenën e poezisë tradicionalitetin në aleancë me soc.realizmin, aleancë që jo vetëm frenoi modernitetin poetik por dhe vetë kujtimin e tij foshnjor të viteve 70 e aratisi, jo në harresë, por në frontin armik të luftës ideologjike. Për këto arsye, moderniteti i vonuar në kontekstin e letërsisë dhe kulturës shqipe përbën një qasje të veçantë, në përshtatje me kushtet dhe kontekstin e vet historik, shoqëror dhe kulturor.

Le të shohim disa element të modernitetit të vonuar të poezisë “Druaj” si:

-Poetja eksperimenton me formën dhe strukturën e modernitetit të vonuar në poezinë "Druaj" ,  që duket te përdorimi i një strukture të lirë dhe jo-lineare, duke lejuar një lëvizje të lirë të mendimeve dhe ndjenjave. Poetja përdor një stil të avangardës dhe lirikën e ndërthur me imazhe të ngjarjeve të ndryshme për të shkaktuar ndjenja dhe për të komunikuar mesazhin e saj.Psh: "Mbi buzët e gruas do shkruhet gjithnjë e para historia / do çëndet pastaj dhe vetë dashuria / derisa në formën e gezhojës të ketë mbetur / i kuqi i buzëve që do kete shkruar patjetër." ku poetja eksperimenton me strukturën e poezisë, duke përdorur një strukturë të lirë dhe jo-lineare për të shprehur ndjenjat dhe përvojat në një mënyrë të përmbajtur dhe të thellë.

-Poezia përfshin një reflektim mbi identitetin, ndjenjat dhe përjetimet personale. Kjo shfaqet në vargjet që shprehin ankthin, pasigurinë dhe kompleksitetin e jetës njerëzore. Psh: “Njeriu ulet përpara pasqyrës që diçka të paguajë." ku poetja shpreh një reflektim mbi identitetin dhe përjetimet personale, duke shfaqur një ndjenjë të përgjegjësisë dhe dëshirën për korrigjim të gabimeve të mëparshme.

-Poetja përdor metafora dhe simbole për të shprehur ndjenjat dhe përjetimet në një mënyrë që shpesh është abstrakte, duke i dhënë thellësi dhe kompleksitet poezisë. Psh: “Dita pikon mbi buzët si kandil i ndezur/nata pikon si kandil i shuar."ku, poetja shfrytëzon imazhet e ditës dhe natës për të shprehur ndjenjën  paqartësisë dhe pasigurisë. Përdorimi i këtyre imazheve për të shprehur një ndjenjë të ndryshueshme dhe të paparashikueshme të kohës përputhet me karakteristikat emodernizmit të vonuar, ku koha dhe realiteti perceptohen si të fragmentuar dhe të paqarta.

Të mos harrojmë se poezia shfaq një ndjenjë të paqartësisë dhe konfuzionit, e cila është një karakteristikë e Modernizmit të vonuar. Kjo ndjenjë e paqartësisë përjetohet në paraqitjen e përvojave dhe mendimeve të ngjarjeve të ndryshme në jetën e heroinës.

 

IV-Poezia e Natasha Lakos, si dhe krijimtaria e shkrimtarëve dhe poetëve të tjerë bashkëkohës, mund të shihet si një kontribut i rëndësishëm për të hapur rrugë për një periudhë të re letrare në letërsinë shqipe, një periudhë që mund të quhet si një pararojë e modernizmit në poezi. Natasha Lakos, me poezinë e saj "Druaj" sjell një qasje të re dhe të freskët në letërsinë shqipe, duke eksperimentuar me gjuhën dhe stilin për të shprehur emocione e reflektime shpirtërore, shfrytëzon simbole e metafora për të shprehur përjetimet njerëzore në një mënyrë që ka një ndikim emocional tek lexuesi.

Përveç kësaj, Natasha Lako mund të shikohet si një përfaqësuese e një brezi të ri krijuesisht shqiptarë që po hapin rrugën për një periudhë të re letrare. Ajo shfaq një qasje të gjerë dhe të avancuar ndaj letërsisë dhe kultures moderne, duke shfaqur aftësinë për të eksploruar tema të ndryshme e për të shprehur mendime të thella mbi realitetin dhe jetën njerëzore. Duke iu përgjigjur sfidave të kohës së saj dhe duke shfaqur një qasje të re dhe inovative në poezi, Natasha Lakos (dhe disa poetë të tjerë) ka ndihmuar në krijimin e një bazë për zhvillimin e letërsisë shqiptare moderne. Të kuptohemi, Natasha Lako nuk kopjoi modernitetin europian për tja veshur si kostum poezisë shqipe, ajo me talentin e saj e ngriti poezinë shqipe në nivelin e modernitetit europian, madje duke eksperimentuar dhe në disa rryma të këtij moderniteti. Natasha Lako gjithashtu me përkthimet e saj pruri poezinë moderne europiane në gjuhën shqipe, duke shpërbërë errësirën e soc.-realizmit. Ajo është një ndër pionierët që kanë çuar në krijimin e një peisazhi të ri letrar dhe kanë lënë gjurmë të rëndësishme për brezat e ardhshëm të shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë. Ky kontributi i Natasha Lakos dhe poetëve të tjerë ka qenë i rëndësishëm për shkëputjen nga modelet tradicionale të poezisë dhe zhvillimin e një qasje më moderne dhe më të lirë ndaj formës dhe përmbajtjes së poezisë. Duke e parë atë në këtë dritë, poezia e Lakos shërben si pikënisje  për një periudhë të re letrare që do karakterizohet nga eksperimentimi i mëtejshëm me forma dhe ide, duke sjellë një freski dhe një frymë të re në letërsinë shqiptare.

Për këtë arsye, mund të thuhet se Natasha Lakos dhe krijimtaria e saj, përfshirë poezinë "Druaj", janë shembuj të një pararoje të modernizmit në letërsinë shqipe. Ajo ka kontribuar në hapjen e rrugës për një lloj të ri të shprehjes letrare dhe në ndërtimin e një peisazhi letrar që shfaq karakteristika të modernizmit dhe të modernitetit të vonuar, duke i dhënë një ndikim të rëndësishëm zhvillimit të letërsisë shqipe dhe ka mbetur një figurë e orientuese në historinë e poezisë shqipe.

 

Sarandë, fillim prilli 2024

 

 

 

 

Natasha Lako

D R U A J

Druaj

Të gërryej buzët me laps,

 

çfarë kam për të fshirë atje

dhe çfarë kam për të shkruar?

Druaj.

 

Mbi buzët e gruas është shkruar për hetë të parë historia

të çmendet pastaj dashuria.

Druaj.

 

Dita pikon mbi buzët si kandil i ndezur

nata pikon si kandil i shuar.

Druaj.

 

Njeriu ulet përpara pasqyrës që diçka të paguajë.

Druaj.

 

Mbi buzët e gruas do shkruhet gjithnjë e para historia

do çëndet pastaj dhe vetë dashuria

derisa në formën e gezhojës të ketë mbetur

i kuqi i buzëve që do kete shkrusar patjetër.

 

Mbi buzët e gruas shkruhet dhe shkruaj.

Druaj…

 

Këmbë dhe duar.Toena, 1998

Tuesday, 7 May 2024

 

 

Timo Mërkuri

 

MODERNIZIMI I SIMBOLIKËS SË ODISE KOTES

 

 

Poezia "Sheh ëndërr një dëshirë" është krijim që shpalos një ndjesi të thellë artistike dhe psikologjike. Qysh në nisje, ajo pasqyron një peizazh të mbuluar nga dëbora e bardhë, një imazh i cili nënkupton një pamje të pastër, por edhe një ndërprerje, apo “fshehje” të qetësisë.  Kjo pamje ka një paraqitje të ndjenjave të ngjashme me shtegtimin e kujtimeve dhe ëndrrave në thellësinë e mendjes së njeriut.

Në poezi perceptimi i kohës është në fantakohë pasi në poezi, perceptimi i kohës është i shkëputur nga realiteti i zakonshëm dhe është i zhvendosur në një dimension më tërheqës poetik. Përdorimi i ngjarjeve natyrore si fillim e përfundim i ndryshëm nëpërmjet metaforave dhe imazheve, siç është rënia e dëborës dhe ikja e perëndimit të kuq, përforcon këtë perceptim të "fantakohe"-s, një lloj bashkërendimi i ndryshëm në kohë dhe hapësirë për të krijuar një atmosferë magjike dhe të përçarë nga realiteti i zakonshëm. Kjo fantakohë, zhvendosje në kohë dhe hapësirë, sjell ndjesi të lëvizshme, plotësim dhe paplotësim të çdo destinacioni, duke e bërë udhëtimin si një përjetim gjatë rrugës, jo vetëm në destinacionin përfundimtar.

Përmbajtja e poezisë përqendrohet në idenë se ëndrrat dhe kujtimet janë pjesë e thelbësore e identitetit të personit, laboratori mistik ku krijohet mundësia që njeriu të eksplorojë thellësitë e vetëdijes dhe kuptimet e përjetimeve të tij. Ky laborator ka aftësinë e zhbirrimeve të thella psikologjike, ku merr rëndësi fuqia e përjetimit individual.

Në kontekstin estetik, poezia përdor imazhe të pasura dhe metafora që shprehin inkandeshencën e brendshme të individit që është gjithnjë, (ndonjëherë pakuptuar) në një udhëtim të brendshëm shpirteror drejt vetëdijes, ëndërr - realitet.  Struktura e poezisë në dukje e ndërlikuar, është e lirë dhe e hapur, i lejohet lexuesit të zbulojnë thellësinë dhe gjerësinë e kuptimeve të saj në mënyrë të vazhdueshme.

Në mbarim të mendimit, poezia "Sheh ëndërr një dëshirë," përfaqëson një rrugëtim në labirinth a skutat e mendjes, përmes një shpalosjeje të pasur artistike dhe psikologjike që sjell në vëmendje thellësinë e përvojës njerëzore dhe ndikimin e ëndrrave dhe kujtimeve në identitetin dhe vetëdijen tonë.

I-Poezia përputhet më së shumti me rrymën moderniste të simbolizmit,ku perceptimi i kohës dhe hapësirës është fantakoë, ndërsa imazhet e dëborës, lumit, dhe ëndrrës përfaqësojnë ndjenjat dhe mendimet e personazhit. Metaforat e simbolet që shfaqen në poezi ndihmojnë në përcaktimin e një përjetimi emocional dhe psikologjik të lirë, të hapur e mbi të gjithë në mundësi depërtimi shkallë pas shkalle drejt njohjes së brendshme. Përvoja dhe stili i modernizmit të simbolizmit aplikohen gjerësisht në krijimet e sotme europiane, si metodë paraprijëse e artit të vërtetë. 

Modernizimi i Simbolizmit përfaqëson një prirje të artit e letërsisë drejt një përdorimi më të lirë dhe më inovativ të simboleve për të përfaqësuar gjendjet emocionale, mendore dhe shoqërore. Kjo përfshin përdorimin e teknikave moderne letrare dhe artistike për të shprehur një thellësi dhe një kompleksitet më të madh në përmba-jtjen dhe strukturën e veprave.

II- -Në analizën e rrymës së modernizmit të simbolizmit te kjo poezi e Kotes mund të përfshijë këto elemente kryesore:

-Përdorimi i simboleve si elemente themelore të kësaj rryme është domosdoshmëri qoftë duke përdorur objekte, ngjarje, ose figura që përfaqësojnë ide apo ndjenja. Kjo krijon një thellësi të shtuar në interpretimin e tekstit, duke lejuar shumëllojshmëri të kuptimeve.Psh: “Mbuluar krejt gjthë kujtesa,/e bardhë qenka kjo dëborë."ku ky pasazh paraqet një përdorim të shkëlqyer të simboleve, duke paraqitur dëborën e bardhë si një metaforë për kujtesën dhe përjetimet e kaluara, ku ëndrrat dhe dëshirat vazhdojnë të jetojnë edhe pse realiteti është i mbuluar nga kujtesa.

-Përdorimi i simboleve dhe metaforave shpesh sjell fantakohën e realitetit,duke e bërë atë të ndjehet si ëndërrim apo perceptim i distorzionuar. Termi "Distorzionuar" nënkupton një ndryshim të formës së vërtetë ose origjinale të diçkaje në mënyrë që të përfaqësojë një imazh jo-real. Kjo fjalë përdoret për të shprehur një gjendje ku diçka është ndryshuar në mënyrë që të mos jetë e qartë, e përafërt ose e saktë, duke sjellë një perceptim imagjinar të realitetit. Në letërsi dhe art, termi "distorzionuar" përdoret për të shfaqur një mënyrë të ndryshuar të paraqitjes së informacionit, ndjenjave apo mendimeve, në mënyrë që të shfaqë një version të modifikuar ose një interpretim të caktuar të situatës së dhënë. Kjo bëhet qëllimisht për të shkaktuar ndjesi të caktuara që shprehin një perspektivë të caktuar, ose thjesht për të shfaqur një stil të veçantë artistik ose kritikë. Psh, te poezia e Kotes, pasazhi: "Mbuluar krejt gjthë kujtesa, e bardhë qenka kjo dëborë./Ëndrrat dihet qê s'dorezohen,/ dorëzohet diç që s'ke në dorë." paraqet një ndjenjë të distorzionuar të realitetit, pse këtu, autori përdor imazhin e dëborës së bardhë për të përshkruar një gjendje ku realiteti është i mbuluar nga kujtesa. Dëbora e bardhë është një simbol i mënyrës se si kujtesa mund të ndikojë në perceptimin tonë të realitetit dhe si mund të deformojë realitetin aktual. Përveç kësaj, fraza "Ëndrrat dihet qê s'dorezohen, / dorëzohet diç që s'ke në dorë" përforcon idenë e një realiteti të deformuar. Ky varg paraqet një situatë ku ëndrrat, që zakonisht shërbejnë si një burim i shpresës dhe qëndrimit, janë të paprekshme, ndërsa diçka tjetër, që nuk është në kontrollin tonë, vendos të përfaqësojë realitetin. Kjo sjellje e distorzionuar e realitetit përjashton mundësinë e një perceptimi static, të kalcifikuar, shabllon dhe paraqet një ndjenjë të trishtuar në sensin për  ta ndryshuar atë (realitetin) për lexuesin.

-Rryma e modernizimit të simbolizmit përqendrohet në shprehjen e gjendjeve shpirtë -rore dhe emocionale të personazheve dhe autorëve. Përdorimi i simboleve dhe metaforave ndihmon në transmetimin e ndjenjave të thella dhe komplekse, duke shkaktuar ndikimin më të thellë tek lexuesi.Psh: “Frym' a shpirt' tej hapësire,/prerë nga drit' e hënës."ku, poeti shfaq një gjendje të lirë të shpirtit të tij, që prehet nga drita e hënës, duke shprehur një lidhje mes shpirtit dhe natyrës, si dhe një ndjenjë ngazëllimi dhe të lirë.

-Modernizmi i simbolizmit shfaq një lloj misteri dhe ndryshimi në tekst, duke lejuar për interpretime të shumëllojshme. Ky ndryshim dhe misteri jep një ndjenjë të pazakontë, të mahnitshme për lexuesin. Psh: "Diçka e re, si fill balone/lëshuar qiellit ngjan." ku ky pasazh vargjesh shfaq një ndryshim të papritur dhe një përjetim të misterit në tekstin e poezisë. Përdorimi i imazhit të një balone që lëshohet në qiell shfaq një moment të papritur dhe të pazakontë, duke sjellë një ndjenjë të mahnitshme dhe të pazakontë për lexuesin. Kjo pasazh shkakton një perceptim të misterit dhe ndryshimit, duke e bërë tekstin të mbushur me një atmosferë të ngazëllyer dhe të pazakontë. Ose pasazhi: "Ka ikur perëndimi i kuq,/të kthehesh pas e tmershme."që përvijon  një ndjenjë të misterit dhe melankolisë, duke përdorur imazhin e perëndimit të kuq që largohet për të shprehur një moment të pazakontë dhe të mistershëm. Një ndjenjë e harruar rrethon këtë moment, duke e bërë atë të ndjehet si një përvojë e pazakontë. Ky pasazh krijon një atmosferë të pazakontë dhe të mahnitshme për lexuesin, duke e lejuar atë të bëjë interpretime të ndryshme të kësaj poezie.

Në këtë rrymë, shpirti dhe mendja janë qendrat e thella të shqyrtimeve dhe krijimeve artistike. Përdorimi i simboleve dhe metaforave ndihmon në shprehjen e mendimeve dhe ndjenjave, duke lejuar për reflektim dhe përvojë të thella personale për lexuesin. Psh, vargjet: "Frym' a shpirt' tej hapësire,/prerë nga drit' e hënës." Shfaqin një lidhje të thellë mes shpirtit dhe mendimit, duke i paraqitur ato si qendra të refleksionit dhe përvojës artistike. Përdorimi i imazheve si drita e hënës dhe fryma që shkon përtej hapësirës përforcon idenë e thellësisë dhe misterit të mendimeve dhe ndjenjave njerëzore. Ose vargjet:"Mbuluar krejt gjthë kujtesa,/e bardhë qenka kjo dëborë."shprehin rëndësinë e kujtesës dhe mendimit në një mënyrë simbolike. Dëbora e bardhë përfaqëson kujtesën dhe përdorimi i saj në poezi forcon idenë e një mendimi dhe shpirti që janë në kompleksitetit të gjerë të shqyrtimeve dhe krijimeve artistike. Përmes këtyre elementeve, rryma e modernizmit të simbolizmit shpreh një shkëputje nga realiteti i dukshëm dhe një përqendrim në botën shpirtërore dhe emocionale të individit. Kjo krijon një përjetim të thellë dhe të pasur për lexuesin, duke e lënë atë të reflektojë mbi kuptime dhe ndjenja të ndryshme.

III -Sigurisht që lexuesi do të dijë se cilat janë simbolet e poezisë së Odise Kotës që ndikojnë në përfshirjen e kësaj poezie në rrymën e Modernizimit të Simbolizmit, të cilat po i paraqesim si më poshtë:

a-Dëbora e bardhë te pasazhi: "Mbuluar krejt gjthë kujtesa/ e bardhë qenka kjo dëborë."i cili paraqet një pamje të mbyllur nga dëbora e bardhë, duke shfaqur një realitet të ndryshuar dhe të distorzionuar nga kujtesa.

b-Ëndrrat dhe dëshirat te pasazhi "Ëndrrat dihet qê s'dorezohen/dorëzohet diç që s'ke në dorë" i cili paraqet një ndjenjë të papërshtatshme dhe një ndryshim të papritur në realitet, duke shprehur një përshtypje të thellë emocionale dhe psikologjike për lexuesin.

c-Muzgu dhe perëndimi i kuq te pasazhi:"Ka ikur perëndimi i kuq, / të kthehesh pas e tmershme."ku perëndimi i kuq përfaqëson një tranzicion emocional, duke sjellë një atmosferë e ndryshuar dhe një perceptim të pazakontë të kohës dhe hapësirës.

d-Hëna dhe yjet te pasazhi: "Frym' a shpirt' tej hapësire / prerë nga drit' e hënës."ku duke përdorur imazhe natyrore si drita e hënës dhe fryma, ky pasazh shpreh një lidhje dhe një udhëtim shpirtëror drejt kuptimit dhe vetëdijes.

e-Balona dhe qiell te pasazhi:"Diçka e re, si fill balone /lëshuar qiellit ngjan." i cili paraqet një lloj lirie, duke përdorur imazhin e një balone që lëshohet në qiell si një simbol i lirise dhe çlirimit emocional.

f-Shpirti dhe mendja te pasazhi:"Frym' a shpirt' tej hapësire, / prerë nga drit' e hënës" ku  fryma dhe shpirti janë përdorur si simbole të një udhëtimi shpirtëror dhe një lidhjeje brenda vetvetes dhe me botën e përrethme.

g-Drita dhe errësira te pasazhi:"Gjithë ditën flakë - ngasja, / për nga lumi hapat çon" ku shfaqet një kontrast midis dritës dhe errësirës, duke përdorur imazhe natyrore për të shprehur një ndjesi emocionale dhe një perceptim të ndryshuar të realitetit.

Këto pasazhe vargjesh përmbajnë simbole të thella dhe të pasura, të cilat përforcojnë kompleksitetin e poezisë së Odise Kotes dhe e bëjnë atë të përjetohet në një nivel më të kompletuar nga lexuesi si poezi e rrymës së modernizimit të simbolizimit.

V– E veçantë tek poezia "Sheh ëndërr një dëshirë" e Odise Kotes është përdorimi i elementëve që klasifikohen rryma të tjera poetike.si:

a-         Titulli: "Sheh ëndërr një dëshirë" përmban karakteristikat e modernizmit poetik duke e shfaqur përvojën individuale dhe emocionale në një mënyrë të qartë e drejtpërdrejtë, karakteristikë kjo që i përket modernizmit poetik për shkurtësinë dhe përmbajtjen e thellë në një formë të thjeshtë dhe të qartë, duke përdorur fjalë të njohura dhe të qarta për të shprehur një ide ose ndjenjë komplekse.

b-         Ekspresionizmi shfaqet te vargjet: "Gjithë ditën flakë - ngasja, /çon hapat për nga lumi. /Ka diç të marrë ky muzg, /të bën shpend fluturues.” ku imazhet dramatike të flakëve dhe udhëtimit të shpendit fluturues shfaqin ndjenjat dhe përjetimet personale në një mënyrë dramatike, përputhur me karakteristikat e ekspresionizmit.

c-         Simbolizmi Surrealist gjendet te vargjet:"Ka ikur perëndimi i kuq/të kthehesh pas e tmershme/Diçka e re, si fill balone/lëshuar qiellit ngjan." ku përdorimi i imazheve surrealiste si filli i balonit që lëshohet nga qielli shpreh një perceptim të pazakontë e të çuditshëm të realitetit dhe ëndrrës, elemente këto që përputhen me karakteristi-kat e simbolizmit surrealist, që ka si karakteristikë përdorimin e imazheve të çuditë-shme, të pazakonta për të shfaur ndjenja dhe ëndrra në vargje.

d-         Në disa fragmente, poezia mund të interpretohet në kontekstin e realizmit magjik, një rrymë që kombinon realitetin me elemente magjike dhe të mistershme si psh vargjet: "Mbuluar krejt gjthë kujtesa,/e bardhë qenka kjo dëborë./Ëndrrat dihet qê s'dorezohen,/ dorëzohet diç që s'ke në dorë” elementet e të cilës përfaqësojnë një pjesë të pasur dhe të ndryshme të poezisë së Odise Kotes dhe i japin asaj një dimension të gjerë dhe një përmbajtje të ndryshme që mund të interpretohet nëpërmjet shumë rrymave dhe perspektivave poetike.

Pavarësisht elementeve të rrymave të ndryshme poetike, këto elemente i shërbejnë më tepër evidentimit dhe lartësimit të natyrës së modernizimit të simbolizimit poetik, duke e bërë atë një mozaik modernizmi me qendër modernizim simbolizimi poetik.

Vlen të theksojmë se: në nisje poezia arrin të shfaqë një ndjenjë universale të dëshirës dhe ëndrrës përmes përdorimit të simboleve të qarta dhe të thella ku fjala "ëndërr" përfaqëson një ide abstrakte dhe aspirata të pashmangshme, ndërsa"dëshira" shpreh një synim të fortë dhe një qëllim për të arritur diçka të rëndësishme. Përdorimi i këtyre simboleve në titull e gjatë gjithë poezisë ndihmon në krijimin e një perceptimi të pasur të temës së dëshirës dhe ëndrrës. Po ashtu, përdorimi i gjuhës dhe imazheve moderne ndihmon në të qënët e poezisë në kontekstin e kohës së sotme, duke prurë një lidhje me lexuesin e sotëm dhe e bën poezinë të përjetueshme dhe relevante. Modernizmi në përdorimin e teknikave dhe formave të shprehjes lejon poezinë të përmbledhë thellësinë e përjetimeve individuale në mënyrë që të ndihmojë lexuesin të lidhet me të dhe të reflektojë mbi përvojën e tyre personale.

Si përfundim, përjetimi poetik i pasur dhe i frytshëm që ofron poezia "Sheh ëndërr një dëshirë" e Odise Kotes është rezultat i një lidhjeje të mirëfilltë midis modernizmit të simbolizimit dhe aftësisë e talentit të poetit për të shprehur ndjenjat dhe përjetimet e personazhit në një mënyrë të frytshme. Kjo bën që poezia të jetë një përkthim poetik i pasur i realitetit emocional dhe shpirtëror të njeriut në botën moderne.

 

Sarandë, maj 2024

 

ODISE KOTE

Sheh ëndërr një dëshirë ...

 

Ka rënë dëborë e bardhë,

mbuluar gjthë fusha,

sheh ëndërr një dëshirë

që ndreq në raft kujtimet.

 

Gjithë ditën flakë - ngasja,

çon hapat për nga lumi.

Ka diç të marrë ky muzg,

të bën, shpend fluturues.

 

Ka ikur perëndimi i kuq,

të kthehesh pas e tmershme.

Diçka e re, si fill balone

lëshuar qiellit ngjan.

 

Frym' a shpirt' tej hapësire,

prerë nga drit' e hënës.

bredh me yjet sjell gezim,

nuk e tundon vendmbërritja.

 

Mbuluar krejt gjthë kujtesa,

e bardhë qenka kjo dëborë.

Ëndrrat dihet qê s'dorezohen,

dorëzohet diç që s'ke në dorë.

 

Kur ëndërr sheh një dëshirë ...

Tuesday, 9 April 2024

 

T R E  P O E T Ë

 

2.-SADIK BEJKO

Është interesante poezia "Dashuri" e Sadik Bejkos sepse: megjithëse e shkruar në kohën tonë, madje me një sfond poetik tradicional, ajo jo vetëm që është një poezi moderne, por mund të shihet si pjesë e tranzicionit midis poezisë moderne dhe asaj postmoderne.

Realisht poezia moderne filloi të marrë formë në fillim të shek. të 20-të, periudhë që karakterizohet nga  ndryshimi në formë dhe përmbajtjen e poezisë, duke u larguar nga tradicionalizmi, romantizmi dhe klasiçizmi dhe duke eksperimentuar me forma të reja. Shfaqja e poetëve si T.S. Eliot, Ezra Pound, dhe Ëilliam Karlos Ëilliams shënon një moment të rëndësishëm në zhvillimin e poezisë moderne, pasi ata shfaqën një interes të madh për të shprehur përjetimet e tyre shpirtërore, emocionet e ndjenjat në mënyrë të re, duke përdorur teknika si imazhinizmi dhe simbolizmi për të paraqitur realitetin në  mënyrë abstrakte dhe duke i hapur poezisë dritare të shumta intepretimi.

Poezia postmoderne shfaqet në fund të shekullit të 20-të dhe fillim të shekullit të 21-të me Allen Ginsberg, Sylvia Plath, Frank O'Hara etj. Poetët postmodernistë shfaqin një dëshirë për të sfiduar kufijtë dhe për të eksperimentuar me forma të rej, me teknika si fragmentimi, montazhi dhe hiperrealizmi për të krijuar një perceptim të fragmentuar dhe të shkujdesur të realitetit, madje duke përdorur dhe ironinë  e humorin, për të reflektuar mbi realitetin apo për të kritikuar shoqërinë dhe kulturën bashkëkohore.

I-Poezia "Dashuri" e Sadik Bejkos mund të shihet si një pjesë  tranzicioni  midis poezisë moderne dhe postmoderne për arsye se: duke i përmbushur tiparet e poezisë moderne, ajo synon drejt thelbit të poezisë postmoderniste dhe konkretisht :

-Në poezinë "Dashuri", natyra përfaqëson jo vetëm një sfond fizik tradicional, por edhe dimensionin simbolik dhe emocional, mirëpo përdorimi i natyrës për të shprehur ndjenjat dhe emocionet njerëzore është një karakteristikë e modernitetit poetik, por duke patur  një përputhje me qasjen postmoderniste ndaj simbolizmit dhe interpretimit të subjektivitetit të gjerë.Psh., "Mu'u bënë të shtrenjta e të bukura se i prekëm ne,/I preku dashuria në çaste të egra e të lumtura." Ky pasazh i shpreh ndjenjat dhe emocionet nëpërmjet imazheve të natyrës, ku përdorimi i frazës "të shtrenjta e të bukura" për të shfaqur natyrën forcon përjetimin e bukurisë së emocioneve.  Ndërkohë, ndjenja e "dashurisë në çaste të egra e të lumtura" forcon qëndrimin subjektiv ndaj dashurisë dhe interpretimin e saj si një përjetim që shtrihet në ndjenja dhe emocione të ndryshme, duke u përputhur me qasjen postmoderniste ndaj simbolizmit e subjektivizmit të gjerë, njëkohësisht duke e shndruar këtë pasazh një shembull të përputhjes së modernitetit poetik me qasjen postmoderniste ndaj interpretimit të simboleve dhe emocioneve.

-Edhe pse poezia "Dashuri" përdor elemente simbolike dhe imagjinative, ajo është e përqëndruar në përjetimet personale dhe emocionet individuale të heroit poetik, duke u përputhur në këtë mënyrë me qasjen postmoderniste ndaj subjektivitetit dhe përjetimit të individit si burim kryesor i krijimit poetik. Psh., "Bëhen shtresa të fundosen trupat tanë, mbuluar/Nga hija depërtuese e pemës madhështore/Të mbrëmjes." Ky pasazh shpreh një përjetim të gjerë dhe subjektiv të heroit poetik, i cili përballë natyrës, ndjen një  “fundosje” dhe “mbulim” nga hija depërtuese e mbrëmjes. Ky përjetim subjektiv rrit shprehjen e ndjenjave individuale të heroit poetik duke e përputhur me qasjen postmoderne ndaj subjektivitetit dhe përjetimit të individit.

-Te poezia "Dashuri" ka një reflektim mbi identitetin dhe realitetin subjektiv, e cila përputhet me qasjen postmoderniste ndaj identitetit dhe realitetit, duke shfaqur një ndërthurje midis realitetit objektiv dhe perceptimit subjektiv të tij. Psh., "Bari i tharë nga vera, gjethet e mëdha (vallë/Rranë nga yjet, nga mbrëmja, nga vjeshta?)". Ky pasazh paraqet një reflektim mbi identitetin dhe realitetin subjektiv nëpërmjet një shfaqjeje të natyrës. Gjethet e barit të tharë dhe referimi në yjet, mbrëmjen dhe vjeshtën përofrojnë një perceptim subjektiv të realitetit..

-Poezia përmban një shfrytëzim simbolik të elementeve të natyrës për të shprehur ndjenjat dhe emocionet njerëzore, një karakteristikë e modernitetit poetik. Në të njëjtën kohë, përdorimi i natyrës në mënyrë tepër subjektive dhe simbolike ofron me qasjen postmoderne ndaj interpretimit të lirë e subjektiv të simboleve. Psh: "Mbrëmja bëhet si hija e një peme të madhe /Lehtë e hollë ajo mbulon ato dy metra bar e fletë / Që i duhen dashurisë të heshtë.", ku: ky pasazh shfaq një urë kalimi nga moderniteti poetik drejt qasjes postmoderniste ndaj simboleve dhe natyrës.

-Në këtë poezi,ndiejmë reflektim mbi identitetin dhe realitetin subjektiv, një aspekt i njohur si karakteristikë postmoderne. Këtu, identiteti i individit dhe perceptimi i tij subjektiv i realitetit shfaqen nëpërmjet emocioneve dhe ndjenjave të shprehura në mënyrë individuale.Psh: "E kështu shumë bimë, kodra, fusha / Mu’u bënë të shtrenjta e të bukura se i prekëm ne, /I preku dashuria në çaste të egra e të lumtura". Shikoni pak, pasazhi fillon me një paraqitje të natyrës, duke përdorur termat "bimë, kodra, fusha", të cilat përfaqësojnë një realitet objektiv, megjithatë, kjo paraqitje bëhet subjektive dhe personale kur autori shprehet(dhe sa bukur shprehet) se ky realitet subjektiv bëhet i "shtrenjtë e i bukur" kur i prek ai. Në këtë mënyrë, pasazhi poetik shfaq një përputhje të fortë me qasjen postmoderne ndaj identitetit dhe realitetit subjektiv.

-Poezia "Dashuri" e Bejkos ka elemente të strukturës tradicionale, si përdorimi i rimës dhe strukturës së strofave, por ajo gjithashtu shfaq shenja të sfidimit të kësaj strukture. Ky sfidim përputhet me qasjen postmoderniste ndaj tradicionalitetit (edhe në strukturë), duke inkurajuar eksperimentimin dhe lirinë e shprehjes.Psh: "Llambat bëjnë balona drite varur në plepa / Fshehin sysh shëtitëset silueta të dashurisë" ku, autori eksperimenton me lirinë e shprehjes dhe temën e dashurisë e shpreh përmes imazheve të natyrës dhe përdorimit të metaforave të ndërlikuara.

Përdorimi i imagjinatës dhe magjisë te kjo poezi është në dozë të konsiderueshme, por ky përdorim i tyre për krijimin e një ambienti  mahnitës e të mistershëm përputhet me qasjen postmoderne ndaj realitetit dhe fiksimin e kufijve të perceptimit. Psh.,: "Bëhen shtresa të fundosen trupat tanë, mbuluar / Nga hija depërtuese e pemës madhështore / Të mbrëmjes." ku poeti përdor një dozë të madhe të imagjinatës dhe magjisë për të shfaqur një ambient të të mistershëm.

II- Poezia "Dashuri" e Sadik Bejkos përmban elemente të qasjes postmoderne ndaj poezisë, duke shfaqur një liri artistike dhe eksperimentim me gjuhën dhe imazhet. Analizimi i imazheve të poezisë duke evidentuar elementet e postmodernitetit poetik është një qasje elegante për të kuptuar stilin dhe thellësinë e poezisë. Psh. vargjet: "Llambat bëjnë balona drite varur në plepa/Fshehin sysh shëtitëset silueta të dashurisë." përdorin metaforën e "llambave" për të shfaqur imazhin e dashurisë në një mënyrë jo të zakonëshme. Përdorimi i një objekti të zakonshëm si llambat për të shprehur një përjetim të jashtëzakonshme dhe të bukur, siç është dashuria, është një element karakteristik i postmodernitetit poetik. Ndërkohë në këto vargje identifikohen metafora edhe simbole, si: te fraza:"Llambat bëjnë balona drite varur në plepa", "llambat" janë përdorur si  metaforë për të paraqitur dritën, duke e bërë lexuesin të kuptojë se llambat shkëlqejnë ose ndriçojnë në një mënyrë të ngjashme me balonat e dritës që "varin në plepa". Ky krahasim jep një ndjenjë mahnitjeje ndaj dritës. Ndërkohë te vargu: "Fshehin sysh shëtitëset silueta të dashurisë", "shëtitëset silueta të dashurisë" janë simboli që  shfaq ndjenjat e fshehura të dashurisë, duke simbolizuaar qëndrimin e përjetuesit (djalë apo vazjë) të dashurisë në një ambient të fshehur, (nëpërmjet imazhit  "shëtitësave silueta").

-Një tjetër pasazh që shfaq elementet e postmodernitetit është vargu:"Bëhen shtresa të fundosen trupat tanë, mbuluar/Nga hija depërtuese e pemës madhështore/Të mbrëmjes." Këtu, autori përdor një gjuhë të ndërlikuar e një imazh  misterioz për të paraqitur një ambient mahnitës dhe të mistershëm. Përdorimi i një imazhi natyror si hija e pemës për të shprehur një gjendje emocionale është një shprehje e qartë e postmodernitetit poetik. Te ky imazh ndërthuren një gamë e gjerë e elementeve të postmodernitetit poetik, si simbole, metafora dhe personifikime në një mënyrë inovative, ku:"Hija depërtuese e pemës madhështore" është një simbol  që paraqet misterin dhe magjinë e natyrës, pse simbolizon një fuqi që shtrihet përtej realitetit fizik dhe perceptimit tonë. Përdorimi i simbolit natyror për të shprehur një gjendje emocionale (si dashuria) shpreh një lloj postmoderniteti, pasi e çliron poezinë nga dimensionet e zakonshme të kuptimit dhe të perceptimit të realitetit. Ndërkohë "Shtresa të fundosen trupat tanë" është një metaforë për të paraqitur një ambient në errësirë ose një gjendje të ndërlikuar emocionale. Vargu:"Hija depërtuese e pemës madhështore" është një tjetër metaforë që paraqet ndjenjat e fshehta, duke i shfaqur  si një hije që depërton ambientin.

Personifikimi i "pemës madhështore të mbrëmjes" si e një "hije depërtuese" forcon idenë e natyrës që përjetonë dhe ka ndjenja, duke e paraqitur natyrën si personazh aktiv, duke e bërë më shumë se një objekt pasiv në paraqitjen e emocioneve dhe situatave.

-Imazhi natyror:"Mbrëmja bëhet si hija e një peme të madhe / Lehtë e hollë ajo mbulon ato dy metra bar e fletë / Që i duhen dashurisë të heshtë" shpreh një gjendje emocionale, por më e rëndësishmja është mënyra se si ai paraqet mbrëmjen si një "hije e një peme të madhe", duke e bërë atë të duket si një forcë e madhe, që mbulon dhe transformon ambientin. Rikujtomë se përdorimi i një imazhi natyror për të shprehur gjendje emocionale është një teknikë e zakonshme në poezinë postmoderne.

-Duke parë imazhin: "Se nga i nxjerr yjet, këto fruta të pjekura drite / Në gur, në trung a në pemët e flladit frymëbutë."shohim një dritësim dhe shkëlqim te përdorimi i metaforës "frutave të pjekura drite" që shpreh dhe një lloj magjie, një pamje imagjinative. Përdorimi i kësaj metafore shfaq një liri krijuese dhe një qasje të postmodernitetit në përshkrimin e emocioneve dhe ndjenjave. Ndërkohë ky varg përmban një gamë të gjerë të elementeve simbolike dhe personifikimeve që ofrojnë qasjen postmoderne ndaj poezisë, ku: "Yjet" janë përdorur si një simbol i magjisë, shkëlqimit dhe misterit, i një fuqie të cilën njeriu mund të shijojë, por nuk mund ta kuptojë. Përdorimi i "yjeve" si simbol për të prezantuar "fruta të pjekura drite" jep një ndjenjë  mahnitjeje dhe plot mister. Po ashtu: "Guri", "trungu" dhe "pemët e flladit" janë simbole të natyrës dhe përdorimi i tyre si vendndodhje për "frutat e pjekura drite" forcon idenë e një lidhjeje midis natyrës dhe ndjenjave njerëzore.

Personifikimi i "yjeve" si ata që "nxjerrin fruta të pjekura drite" shpreh idenë e një natyre aktive, që ndikon në përjetimet dhe ndjenjat njerëzore. Ky personifikim e bën natyrën të ndjehet si një personazh aktiv në ngjarje, duke e bërë më shumë se një objekt pasiv në paraqitjen e emocioneve dhe gjendjeve.

Këto elemente metaforike, simbolike dhe personifikime, që me ndërveprimin mes tyre shfaqin imazhet e poezisë,  e bëjnë poezinë të shfaqë një  eksperimentim të lirë me gjuhën dhe imazhet përmes një lirie shprehjeje. Përdorimi i tyre në një mënyrë të inovuar përputhet me stilin e postmodernitetit poetik.

III-Kjo poezi dashurie e Sadik Bejkos e shkruar në vitin 1969 kur poeti ishte një djalosh i ri 23 vjeçar është botuar së pari te vëllimi poetik”Rrënjët” (1972) dhe është përfshirë në poezinë e zgjedhur “Perëndim me pak natë”( f.174) prej nga e morëm ne për analizë. Ajo që të bie menjëherë në sy është pikërisht kuota e lartë artistike e kësaj poezie në rraport me kohën,  është guximi “prej të marri” i djaloshit poet që në periudhën e bunkerizimit soc.-realist të poezisë, ai, sikur të mos i mjaftonte moderniteti poetik niste udhëtimin drejt postmodernizmit. Sigurisht që këtu së pari ka ndikuar shpërthimi i talentit të tij poetik, i cili synonte lartësitë e artit pse e ndjente artin a lartësive. “Atëherë arratiseshim ,"fundoseshim" në natyrë, iknim nga realiteti në lirinë e egër, jashtë rregullave, te guri, te bishat, te bimët. Të dashurosh fshetas është rrebelim. E dyta është një shkrirje magjike e rinisë me natyrën. Nuk përsëriten më.” më shkruan poeti. Nuk e di pse duke i bërë sot një lexim poetik dhe duke e parë në kontekstin e kohës kur është shkruar, m’u forcua bindja se nuk ishte vetëm talenti dhe as vetëm dashuria ajo që krijoi këtë poezi. Kjo është produkt i shpirtit të revoltuar të poetit (ndaj kornizave të kohës), etja e tij për liri (artistike), dy tiparet kryesore që krijojnë heronjtë. Kështu ma paraqesin këto vargje poetin Sadik Bejko dhe unë kështu dëshiroj ta shikoj.

Por unë shoh dhe diçka tjetër tutje talentit dhe fatit personal: kur poezia shqipe e viteve 60-70 eksperimentonte forma posmoderniste dhe eksploronte lartësi të tilla arti, mendoni se çfarë gjëme solli në letërsinë (artet e kulturën) shqipe pleniumi I IV famëzi, që artet dhe kulturën synonte ti shndronte në zogj të klloçkës soc.-realiste. Guxoni pak dhe ëndërroni ku do ishin artet tona me poetë të tillë të talentuar dhe kurajozë, vetëm atëherë mund ta kuptoni përmasën e asaj gjëme.

 

Sarandë, më prill 2024

 

Sadik Bejko

DASHURI

Mbrëmja bëhet si hija e një peme të madhe

Lehtë e hollë ajo mbulon ato dy metra bar e fletë

Që i duhen dashurisë të heshtë. Vjeshta

Se nga i nxjerr yjet, këto fruta të pjekura drite

Në gur, në trung a në pemët e flladit frymëbutë.

Llambat bëjnë balona drite varur në plepa

Fshehin sysh shëtitëset silueta të dashurisë.

Bari i tharë nga vera, gjethet e mëdha (vallë

Rranë nga yjet, nga mbrëmja, nga vjeshta?)

Bëhen shtresa të fundosen trupat tanë, mbuluar

Nga hija depërtuese e pemës madhështore

Të mbrëmjes. E kështu shumë bimë, kodra, fusha

Mu’u bënë të shtrenjta e të bukura se i prekëm ne,

I preku dashuria në çaste të egra e të lumtura.

 

Perëndim me pak natë. f.174