Timo
Mërkuri
MODERNITETI I VONUAR I NATASHA LAKOS
Poezia
"Druaj" e Natasha Lakos shpalos një vizion të thellë dhe të ndjeshëm
të përjetimit njerëzor nëpërmjet imazheve të holla dhe të ngjashme me piktura,
ku përdorimi i tyre (imazheve) të detajuara si "buzët",
"lapsi", "kandili" e "pasqyra" krijojnë një peisazh
emocional për lexuesin. Ky përdorim i imazheve vizuale forcon lidhjen e poezisë
me artin vizual dhe skenat e përjetimit njerëzor bëhen më të dukshme përmes
tyre. Gjithashtu, ndjenjat dhe përjetimet e heroinës shpalosen në një mënyrë të
ndërthurur, duke i bërë ato të përfaqësojnë aspekte të përjetimit njerëzor.
Nëpërmjet frazave si "çfarë kam për
të fshirë atje dhe çfarë kam për të shkruar?" apo "njeriu ulet përpara pasqyrës që diçka të
paguajë", poezia thekson kërkimin e vazhdueshëm të identitetit dhe vështirësië
e përjetuara të ndjenjave nëpërmjet tij. Po ashtu, ndezja e shuarja e kandilit
si metafora e jetës e dashurisë forcon mesazhin kryesor të poezisë: ndryshimi i
përhershëm dhe kalimi i kohës, si një kosto që paguajmë në jetë, duke e lenë
lexuesin me një reflektim mbi natyrën e përjetimit njerëzor dhe rëndësinë e
shprehjes artistike në përballje me jetën dhe kohën.
Për
nga rëndësia, ideja dhe struktura artistike e shprehjes, poezia "Druaj" e Lakos
mund të quhet "Poema e buzëve të gruas" duke theksuar temën kryesore
të përjetimit të saj nëpërmjet imazheve të buzëve dhe ndjenjave që ato shprehin.
Ky titull mund të fokusohet si një element kryesor i poezisë që do ndihmojë
lexuesin të kuptojë qëllimin dhe temën kryesore të tekstit poetik.
I-Fjala
"Druaj" përsëritet në tekst si një thirrje, një ngurrim ose një
këshillë, duke theksuar rëndësinë e kapërcimit të saj dhe shfaqjen e vetvetes.
Kjo përsëritje forcon qëllimin e poetes për të adresuar një temë të rëndësishme
dhe universale, madje, duke
iu referuar përvojës njerëzore në kontekstin e jetës, poezia shndrro-het në një
udhëzim të fuqishëm për lexuesit për të kapërcyer drojën dhe shfaqur veten në
mënyra autentike e të vërtetë, ndërkohë që ndikimi i saj në strukturën poetike
shfaqet:a)-Përsëritja e fjalës “druaj” shpreh figurën artistike të anadiplo-zës
, një teknikë e përsëritjes së një fjale, fjalie ose një grup fjalësh në fillim
dhe në fund të vargut të dy rreshtave pasuese.
b)- Kjo përsëritje krijon një strukturë që thellon domethënien dhe
përjetimet e saj në jetën tonë.c)-Teknika e përdorimit e anadiplozës “druaj” forcon temën e pasigurisë, ngurrimit,
hezitimit që shfaqet në jetën tonë. ç)- Anadiploza
forcon mesazhin kryesor të poezisë dhe e bën atë të ndjehet dhe më fortë për
lexuesin,dhe d)- krijon lidhje të ngushtë mes vargjeve dhe forcon ndjesinë e
ngurrimit, drojës që përshkon poezinë.
II-
Përkundër ndjenjave të veçanta dhe formës së përjetimeveve personale të
shprehur në poezinë "Druaj" nga Lakos, tema dhe emocionet që
shpalosen janë të përgjithshme dhe universale. Kjo është e zakonshme në poezinë
moderne, ku poetët shfrytëzojnë përjetimet personale për të shprehur gjendjet
dhe ndjenjat e përbashkëta njerëzore. Poetja mund të druhet për shumë arsye
lidhur me përjetimet e saj, qëndrimin ndaj jetës apo tema të tjera të veçanta
që i trajton në poezi. Këtu shprehemi për disa arsye psikologjike pse poetja shfaq
drojë dhe formën artistike të shprehjes së tyre në poezi:
-
Vargjet e para të poezisë
"Druaj" të Natasha Lakos: “ Druaj/Të gërryej buzët
me laps,/çfarë kam për të fshirë atje/dhe çfarë kam për të shkruar?/Druaj”, tregojnë për një dilemë
shpirtërore dhe një përpjekje për të përmbyllur atë, e paraqitur si një rrëfim.
Kjo ndjenjë e pafundësisë dh pakuptimtësisë së mundësive që përjetohen në një
moment të caktuar të jetës, shfaqet në tekst nëpërmjet metaforave të lapsit dhe
buzëve. Fraza: “Të gërryej buzët me laps”
përqendrohet në një veprim, në prag të kryerjes, por poetja heziton, druhet. Të
kemi parasysh se ngjyerja e buzëve te femra shqiptare është një element
estetik, një formë zbukurimi dhe vënie në dukje e pamjes së saj, atëherë pse
poetja këtë gjest që femrat e kryejnë me finesë e dëshirë e quan ”gërryerje”?
Sigurisht që poetja e përdor fjalën "gërryej" për të shprehur përdorimin
e lapsit mbi buzët në një kontekst metaforik , madje kjo fjalë përdoret në një
mënyrë që konsiderohet si përdorim metaforik i shprehjes, pasi ajo nuk e përdor fjalën "gërryej"
në kuptimin literal, por më shumë në një mënyrë simbolike për të treguar një
proces, siç është aplikimi i lapsit mbi buzët. Në shqip, fjalët kanë shpesh
nuancat e tyre, dhe përdorimi i tyre mund të jetë më shumë për të shprehur një
ndjenjë apo për të krijuar një imazh emocional sesa për të paraqitur një veprim
fizik në mënyrë strikte. Përdorimi i kësaj fjale mund të jetë bërë për arsye se
poetja mund të jetë e pasigurtë për veprimin pasues, psh daljen në bulevard, në
një takim, në një aktivitet etj., pasiguri që shprehet për përdorimin e lapsit
në formë të tensionuar, larg butësisë estetike.
-Vargu:
“çfarë kam për të fshirë atje / dhe çfarë
kam për të shkruar?” shpreh me një
analogji një ndjenjë paqartësie në
mendjen e poetes, e cila përballet me dilemën e zgjedhjes së fjalëve për të
shprehur gjendjen e brendshme, ndaj ajo kërkon kohë për të reflektuar me kujdes.
Përdorimi i frazës”për të fshirë”
mund të ketë dhe interpretimin e fshirjes së një buzëqeshjeje që s’duhet ta
shohë dikush, ndërsa përdorimi i frazës
“për të shkruar” identifikon poeten,
e cila ndjehet se si krijuese, kupton që fjalët mund të mos jenë të mjaftueshme
për të shprehur atë që ndjen. Shikoni pak, fytyra e gruas dhe sidomos buzët e
saj flasin atë që thotë shpirti i saj, aty shprehen ndjenjat e gëzimit,
lumturisë, pranimit apo refuzimit, inatit a zemërimit. Madje dhe forma e të kuqit të buzëve, nuancat apo ngjyra shprehin mesazhe , të cilat
sigurisht ndryshojnë në kohë dhe ambient. Thelbi i drojës së poetes shprehur te
kjo frazë është pasiguria e saj për çështje të ndryshme, si përzgjedhja e
fjalëve, transmetimi i ndjenjave të saj ose interpretimi i temave të ndjeshme,
apo frika nga reagimi i dikujt me ndonjë përgjigje negative. Pasazhi jep një pamje të përpjekjeve
të poetes për të shprehur ndjenjat dhe përjetimet e saj me sinqeritet dhe në
përputhje me perceptimin e saj për botën dhe për veten. Ajo ka nevojë që çdo
fjalë dhe emocion të jetë i vërtetë dhe i përputhshëm me realitetin dhe
perceptimin e saj të jetës dhe të dashurisë.
-Te
vargjet:”Mbi buzët e gruas është shkruar
për hetë të parë historia/të çmendet pastaj dashuria/Druaj”, droja e poetes Lako duke përdorur
metaforën e buzëve që janë
shfrytëzuar si një metaforë për fillimin e një historie të re, qoftë kjo
histori e një marrëdhënieje, e një periudhe të jetës, ose diçkaje tjetër. Përdorimi
i hiperbolës "të çmendet pastaj
dashuria” te kjo shprehje, ajo shfaqet si diçka që bën një person të
çmendet, duke shprehur një intensitet dhe ndikim emocional që (dashuria) mund
të ketë mbi njeriun. Këtu personifikimi “druaj” e bën vargun të forcojë idenë e
një përjetimi të ndjeshme e të kujdesshme, duke e bërë të përmbushë rol të veçantë në vargun e fundit. Frazave
"Mbi buzët e gruas është shkruar për
herë të parë historia" në një kuptimshmëri të drejtpërdrejtë mund të
interpretohet psh si buzëqeshja që i jipet një djaloshi nga një vajzë, ku kjo
është pikërisht historia e ndjenjave të vajzës. Kështu kuptimi i frazës: ” të çmëndet më pas dashuria” është tepër
i dukshëm, por poetja dhe te kjo kuptimshmëri e drejtpërdrejtë transmeton psikologjikisht
mesazhin për fuqinë e dashurisë në ndryshimin e një personi. Megjithëse
dashuria mund të sjellë një ndjenjë euforie dhe ngazëllimi, ajo shkakton
ndryshime të mëdha në identitetin dhe në jetën e një personi. Duke përfunduar
me fjalën "Druaj" poetja, sa tregon ngurrimin e heroines, aq dhe fton
për të qenë e kujdesshme për të marrë parasysh sfidat që shoqërojnë dashurinë.
Kjo duket si një paralajmërim, por është në fakt dhe një inkurajim për të nisur marrëdhëniet me qasje
të kujdesshme dhe të ndërgjegjshme.
-
Vargjet:"Dita pikon mbi buzët si kandil i ndezur/nata
pikon si kandil i shuar./ Druaj." nëpërmjet një mozaiku figurativ të përbërë
nga krahasimi i ditës dhe natës me kandil të ndezur dhe të shuar, përdorimi i
metaforës ku në këtë
rast, dita dhe nata janë personifikuar si "kandil i ndezur" dhe "kandil
i shuar", respektivisht që krijon një imazh të fuqishëm vizual dhe
emocional, duke forcuar ndryshimin dramatik në ndjesinë dhe përjetimet e
personazhit me kohën dhe rrethanat. Ky imazh metaforik përjeton një ndryshim nga
dita në natë, dhe ky ndryshim interpretohet si simbol i transformimit në jetën
dhe emocionet e personit.Shtojmë se në
varg ka një përsëritje të tingujve me zëra të ngjashëm, duke krijuar një efekt
të rëndësishëm zanor. Psh, tingulli "p" dhe "k" përsëriten
në fjalët "pikon", "buzët", "kandil", duke
krijuar një ritëm dhe harmoni të veçantë në varg, dmth aliteracion. Fraza: “Dita pikon mbi buzët si kandil i ndezur”
sugjeron një ndjenjë ngrohtësie dhe energjie që shoqëron ditën, ku "Buzët" paraqesin një hapësirë të
ndriçuar aktiviteti, ku emocionet e përjetimet janë të dukshme. Poetja mund të
ndihet e sigurtë dhe e lumtur në këtë kontekst, duke përjetuar kënaqsi dhe
lumturi në ditën e saj, ndërkohë që fraza:”Nata
pikon si kandil i shuar” paraqet një kontrast të fortë me vargun e
mëparshëm. "Kandili i shuar"
e paraqet natën si një periudhë të errët, ku emocionet dhe ndjenjat mund të jenë
më të fshehta dhe më të errëta. Nata kështu mund të përfaqësojë një kohë vetmie, reflektimi, pasigurie. Duke i
krahasuar ditën e natën në këtë mënyrë, poetja tregon një pasiguri apo ngurrim në lidhje me ndryshimet e ardhshme të jetës.
Kjo pasiguri mund të krijojë një frike te heroina, duke e shtyrë atë të shfaqë
një drojë që e fton për kujdes. Në këtë kontekst, përdorimi i figurave të ditës
dhe natës është një mënyrë e fuqishme për të paraqitur një ndryshim të madh dhe
të ndjeshëm në përjetimet dhe emocionet e një personi.
-
Vargu imazhzist "Njeriu ulet përpara pasqyrës që diçka të
paguajë./Druaj" ku pasqyra shfaqet si metaforë që përfaqëson një
mënyrë për të shqyrtuar ekuilibrin moral dhe për të përballur pasojat e
veprimeve, por ndërkohë me të njejtat cilësi ajo personifikon një etnitet.
Imazhi shfaq një veprim të zakonshëm, atë të "uljes përpara pasqyrës", por në këtë kontekst, ky veprim është
i lidhur me një motiv më të thellë emocional dhe psikologjik. Duke e vendosur
në kontekstin e poezisë së Natasha Lakos, mund të kuptohet se kjo ulje përpara
pasqyrës është më shumë se thjesht një veprim fizik, ajo simbolizon një
moment reflektimi dhe vlerësimi të
identitetit. Heroina përballet me veten e saj para pasqyrës, duke tentuar të
njohë, kuptojë dhe vlerësojë më mirë veten , veprimet e kryera apo ato që do
kryejë, duke paraqitur një proces të analizës shpirtërore dhe vlerësimit të
jetës së saj. Kujtoni psh, në momentet para një takimi të dëshiruar vajzat rrinë një copë kohe para pasqyrës, duke u
rregulluar, medituar dhe analizuar veprimin që po ndërmarrin. Mirëpo kjo analizë
shoqërohet me një kosto që në poezi përfaqsohet me frazën "që diçka të paguajë" pse ky proces
reflektimi dhe vlerësimi nuk është pa pasojë. Njeriu edhe mund të ketë nevojë të
"paguajë" për diçka, të ndajë një kosto për njohjen e vetes së
vërtetë. Kjo përfaqëson ndryshime në mënyrën sesi heroina sheh veten e botën dhe mund ti sjellë pasoja të ndryshme
në jetë. Përfundimi me fjalën "Druaj" vë në dukje ndjenjën e
pasigurisë ose ngurrimit nga pasoja e këtij procesi reflektimi. Kjo fjalë bën
që lexuesi të ndjehet si heroina të cilin lexon. Pra, në kontekstin e poezisë
ky varg mund të interpretohet si thirrje për të kuptuar më mirë veten, por dhe
për të qenë të vetëdijshëm për koston që paguan dhe duhet paguar në procesin e vetënjohjes.
-Vargjet
imazhiste: "Mbi buzët e gruas do
shkruhet gjithnjë e para historia/do çmëndet pastaj dhe vetë dashuria/derisa në
formën e gezhojës të ketë mbetur/i kuqi i buzëve që do ketë shkruar
patjetër.//Mbi buzët e gruas shkruhet dhe shkruaj./ Druaj…" ku
lulëzojnë metafora “i kuqi i buzëve” për dashurinë dhe përdorimi i ngjyrës së
buzëve si simbol i dashurisë forcon idenë e një marrëdhënie të thellë
emocionale. Vargjet shfaqin një progresion kohor, duke filluar nga shkrimi i
historisë mbi buzët e gruas dhe mbaruar me thirrjen për t'i dhënë rëndësi kësaj
historie e të druhet nga gabimet e mundëshsme. Ky progresion kohor forcon
ndryshimet e zhvillimet në marrëdhënien e gruas me veten dhe dashurinë. Vargjet
vënë në pah ndjeshmëri-në e madhe ndaj buzëve si hapësira ku shkruhet dhe reflektohet historia
e personit dhe (jo vetëm) ndjenjat e dashurisë. Analiza e këtyre vargjeve në
kontekstin e poezisë sugjeron disa ide dhe mesazhe:
Buzët
e gruas paraqiten si një hapësirë ku shkruhet historia e saj, ndjehen e përje- tohen
emocionet e dashurisë. Buzët, si pjesë e fytyrës, përfaqësojnë dhe shfaqin
intimitetin dhe lidhjen emocionale të saj me të tjerët, duke sugjeruar se përjeti-met dhe emocionet që
ndjejnë njerëzit janë të “shkruara” në fytyrën e tyre dhe të lexueshme për të
tjerët. Psh buzëqeshja e një gruaje e
shkruar mbi buzët e saj flet më shumë se një libër historie, jo vetëm për
dashurinë.
Për
poeten,ideja që "historia shkruhet
mbi buzët e gruas" përfaqëson një shprehje simbolike për fuqinë dhe
ndjeshmërinë e identitetit të gruas. Kjo frazë përdor buzët si simbol i jashtëm
i ndryshimeve dhe përjetimeve shpirtërore të një gruaje, (por jo vetëm).Buzët
janë të përfshira në aktin e të folurit
dhe shprehjes së vetes përmes fjalëve. Për poeten, buzët mund të paraqesin një
mjet për të shprehur identitetin dhe për të komunikuar me botën.
Duke
shkruar që "historia shkruhet mbi
buzët e gruas", poetja mund të sugjerojë se buzët janë një “faqe e parë e librit të jetës”së një
gruaje, hapësira ku ndjenjat dhe përjetimet e shpirtërore shfaqen dhe shprehen
në një mënyrë të dukshme.Poetja fokusohet te"i kuqi i buzëve",si simbol i bukurisë dhe identitetit,detaj që
sugjeron për një estetikë të bukurisë shpirtërore e të jashtme, që ka një
ndikim thelbësor në mënyrën sesi personi përjeton veten dhe është i perceptuar
nga të tjerët.
-Të
kemi parasysh dhe faktin se Natasha Lako si një poete elitare ka standarde të
larta artistike për veten dhe poezinë e saj, ndaj ngurrimi mund të vijë dhe nga
dëshira për tu siguruar që çdo fjalë dhe ide të jetë e vendosur me kujdes dhe e
shprehur me saktësi për të përmbushur synimet artistike. Pasazhi që shpreh këtë
është pikërrisht fjala “Druaj”. Kjo fjalë shpreh nevojën për kujdes dhe
përpjekje të mëdha në procesin e krijimit të poezisë, duke theksuar dëshirën
për të arritur një standard të lartë artistik dhe për të shprehur çdo detaj me
kujdes dhe saktësi për të përmbushur synimet artistike të saj. Kjo fjalë
(Druaj) shpreh gjithashtu dhe ndikimin e
kontekstit shoqëror, politik, ose kulturor në mënyrën se si poetja sheh dhe shpreh
veten, ku ngurrimi vjen nga jashtë dhe e bën poeten të heshtë apo të kufizojë
shprehjen e saj. Unë ju them lexuesve se pikërisht pse është një poete elitare
Natasha Lako nuk mund kuptohet me një lexueshmëri të drejtpërdrejtë të fjalëve,
ajo mund të admirohet për imazhet, siç admirojmë një kostelacion yjesh dhe, nëpërmjet
kuptimshmërisë së këtyre imazheve
lexuesi mund të njohë botën e saj poetike.
III-Poezia
e Lakos, përmban elemente të modernitetit poetik, por përputhet me rrymën e modernizmit
të vonuar në poezi, gjë që është e dukshme me praninë e karakteristikave të kësaj
rryme në poezi. Para se të vazhdojmë me elementët që e adresojnë këtë poezi te
rryma e modernitetit të vonuar le të sqarojmë se:
Modernizmi
i vonuar është rrymë moderniste e një
periudhe kohore që vjen pas periudhës së Modernizmit, (fillimi i të cilit
shihet në fund të shek. 19 rreth viteve 1890 e cila si një lëvizje letrare fillon
të qartësohet rreth viteve 1900- 1910 ) dhe shtrihet nga fundi i viteve 1920
deri në fundin e viteve 1950. Në këtë periudhë ka vijuar shkallëzimi i eksperimentimit
të Modernizmit, duke patur një fokus të
madh në reflektimin e pasigurisë dhe paqartësisë në një botë që po ndryshonte
shumë. Në anën tjetër, Postmodernizmi
është një rrymë që fillon rreth viteve 1950 dhe zgjatet në të gjithë shekullin
e 20-të, rrymë që ndjek modernizmin dhe ndikohet nga ai, por ka një qasje të
veçantë: ai ve në dyshim qëndrimet e mëpa-rëshme, përfshirë autoritetin, strukturën
dhe të vërtetën absolute, ka tendencën për të eksperimentuar me forma të
ndryshme artistike dhe për të përzier lloje të ndryshme kulture dhe stili. Krahasimisht
me Modernizmin e vonuar, Postmode-rnizmi shpesh ka një qasje më radikale ndaj
strukturës dhe autoritetit të traditës, duke e bërë atë më të paparashikueshëm
dhe më të lirë në shprehje. Megjithatë, në disa raste, poetët e Modernizmit të
vonuar dhe poetët e Postmodernizmit kanë ngjashmëri në mënyrën e tyre të
trajtimit të temave emocionale e ndjenjave të individit në shoqërinë e tyre të
ndryshueshme.
Të
kuptohemi një gjë, në kontekstin e gjuhës shqipe,termi "moderniteti i
vonuar" ka kuptimshmërinë e një arritjeje ose zhvillimi që ndodh në kohë më
vonë sesa duhej të ndodhte dhe ka qasje analogjike me termin “dashuri e vonuar”.
Nqse shohim kohën e tij (rreth v.1920
deri në v. 1950) shohim se modernizmi i vonuar kaloi në periudhën e tensionuar
të pregatitjes dhe zhvillimit të luftës së dytë botërore, që ndërpreu modernizmin
dhe dha i hapi rrugë lindjes së modernizmit të vonuar. Në Shqipëri,vdekja e parakohëshme e Migjenit në
nisjen e udhëtimit të tij drejt modernitetit poetik ishte një goditje e madhe
për poezinë shqipe. Lufta e dytë botërore dhe sidomos udhëheqja e kësaj lufte
nga komunistët ftoi në skenën poetike artin tradicional dhe soc.realizmin
ndërsa periudha pas luftës deri në vitet 1990 ishte thjeshtë bunkerizimi i
letërsisë dhe arteve në soc. realizëm. Përpjekja për liberalizim në vitet '70 u
godit me grusht të hekurt, jo metaforikisht por realisht, poetët kurajozë u
burgosën dhe u internuan dhe pushteti ftoi në skenën e poezisë
tradicionalitetin në aleancë me soc.realizmin, aleancë që jo vetëm frenoi modernitetin
poetik por dhe vetë kujtimin e tij foshnjor të viteve 70 e aratisi, jo në
harresë, por në frontin armik të luftës ideologjike. Për këto arsye,
moderniteti i vonuar në kontekstin e letërsisë dhe kulturës shqipe përbën një
qasje të veçantë, në përshtatje me kushtet dhe kontekstin e vet historik,
shoqëror dhe kulturor.
Le
të shohim disa element të modernitetit të vonuar të poezisë “Druaj” si:
-Poetja
eksperimenton me formën dhe strukturën e modernitetit të vonuar në poezinë
"Druaj" , që duket te
përdorimi i një strukture të lirë dhe jo-lineare, duke lejuar një lëvizje të
lirë të mendimeve dhe ndjenjave. Poetja përdor një stil të avangardës dhe
lirikën e ndërthur me imazhe të ngjarjeve të ndryshme për të shkaktuar ndjenja
dhe për të komunikuar mesazhin e saj.Psh: "Mbi buzët e gruas do shkruhet gjithnjë e para historia / do çëndet
pastaj dhe vetë dashuria / derisa në formën e gezhojës të ketë mbetur / i kuqi
i buzëve që do kete shkruar patjetër." ku poetja eksperimenton me
strukturën e poezisë, duke përdorur një strukturë të lirë dhe jo-lineare për të
shprehur ndjenjat dhe përvojat në një mënyrë të përmbajtur dhe të thellë.
-Poezia
përfshin një reflektim mbi identitetin, ndjenjat dhe përjetimet personale. Kjo
shfaqet në vargjet që shprehin ankthin, pasigurinë dhe kompleksitetin e jetës
njerëzore. Psh: “Njeriu ulet përpara
pasqyrës që diçka të paguajë." ku poetja shpreh një reflektim mbi
identitetin dhe përjetimet personale, duke shfaqur një ndjenjë të përgjegjësisë
dhe dëshirën për korrigjim të gabimeve të mëparshme.
-Poetja
përdor metafora dhe simbole për të shprehur ndjenjat dhe përjetimet në një
mënyrë që shpesh është abstrakte, duke i dhënë thellësi dhe kompleksitet
poezisë. Psh: “Dita pikon mbi buzët si
kandil i ndezur/nata pikon si kandil i shuar."ku, poetja shfrytëzon
imazhet e ditës dhe natës për të shprehur ndjenjën paqartësisë dhe pasigurisë. Përdorimi i
këtyre imazheve për të shprehur një ndjenjë të ndryshueshme dhe të
paparashikueshme të kohës përputhet me karakteristikat emodernizmit të vonuar,
ku koha dhe realiteti perceptohen si të fragmentuar dhe të paqarta.
Të
mos harrojmë se poezia shfaq një ndjenjë të paqartësisë dhe konfuzionit, e cila
është një karakteristikë e Modernizmit të vonuar. Kjo ndjenjë e paqartësisë
përjetohet në paraqitjen e përvojave dhe mendimeve të ngjarjeve të ndryshme në
jetën e heroinës.
IV-Poezia
e Natasha Lakos, si dhe krijimtaria e shkrimtarëve dhe poetëve të tjerë bashkëkohës,
mund të shihet si një kontribut i rëndësishëm për të hapur rrugë për një
periudhë të re letrare në letërsinë shqipe, një periudhë që mund të quhet si
një pararojë e modernizmit në poezi. Natasha Lakos, me poezinë e saj
"Druaj" sjell një qasje të re dhe të freskët në letërsinë shqipe,
duke eksperimentuar me gjuhën dhe stilin për të shprehur emocione e reflektime shpirtërore,
shfrytëzon simbole e metafora për të shprehur përjetimet njerëzore në një
mënyrë që ka një ndikim emocional tek lexuesi.
Përveç
kësaj, Natasha Lako mund të shikohet si një përfaqësuese e një brezi të ri krijuesisht
shqiptarë që po hapin rrugën për një periudhë të re letrare. Ajo shfaq një
qasje të gjerë dhe të avancuar ndaj letërsisë dhe kultures moderne, duke
shfaqur aftësinë për të eksploruar tema të ndryshme e për të shprehur mendime
të thella mbi realitetin dhe jetën njerëzore. Duke iu përgjigjur sfidave të
kohës së saj dhe duke shfaqur një qasje të re dhe inovative në poezi, Natasha
Lakos (dhe disa poetë të tjerë) ka ndihmuar në krijimin e një bazë për
zhvillimin e letërsisë shqiptare moderne. Të kuptohemi, Natasha Lako nuk kopjoi
modernitetin europian për tja veshur si kostum poezisë shqipe, ajo me talentin
e saj e ngriti poezinë shqipe në nivelin e modernitetit europian, madje duke
eksperimentuar dhe në disa rryma të këtij moderniteti. Natasha Lako gjithashtu
me përkthimet e saj pruri poezinë moderne europiane në gjuhën shqipe, duke
shpërbërë errësirën e soc.-realizmit. Ajo është një ndër pionierët që kanë çuar
në krijimin e një peisazhi të ri letrar dhe kanë lënë gjurmë të rëndësishme për
brezat e ardhshëm të shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë. Ky kontributi i
Natasha Lakos dhe poetëve të tjerë ka qenë i rëndësishëm për shkëputjen nga
modelet tradicionale të poezisë dhe zhvillimin e një qasje më moderne dhe më të
lirë ndaj formës dhe përmbajtjes së poezisë. Duke e parë atë në këtë dritë,
poezia e Lakos shërben si pikënisje për
një periudhë të re letrare që do karakterizohet nga eksperimentimi i mëtejshëm
me forma dhe ide, duke sjellë një freski dhe një frymë të re në letërsinë
shqiptare.
Për
këtë arsye, mund të thuhet se Natasha Lakos dhe krijimtaria e saj, përfshirë
poezinë "Druaj", janë shembuj të një pararoje të modernizmit në
letërsinë shqipe. Ajo ka kontribuar në hapjen e rrugës për një lloj të ri të
shprehjes letrare dhe në ndërtimin e një peisazhi letrar që shfaq
karakteristika të modernizmit dhe të modernitetit të vonuar, duke i dhënë një
ndikim të rëndësishëm zhvillimit të letërsisë shqipe dhe ka mbetur një figurë e
orientuese në historinë e poezisë shqipe.
Sarandë, fillim prilli 2024
Natasha
Lako
D R U A J
Druaj
Të gërryej buzët me laps,
çfarë kam për të fshirë atje
dhe çfarë kam për të shkruar?
Druaj.
Mbi buzët e gruas është shkruar për
hetë të parë historia
të çmendet pastaj dashuria.
Druaj.
Dita pikon mbi buzët si kandil i
ndezur
nata pikon si kandil i shuar.
Druaj.
Njeriu ulet përpara pasqyrës që
diçka të paguajë.
Druaj.
Mbi buzët e gruas do shkruhet
gjithnjë e para historia
do çëndet pastaj dhe vetë dashuria
derisa në formën e gezhojës të ketë
mbetur
i kuqi i buzëve që do kete shkrusar
patjetër.
Mbi buzët e gruas shkruhet dhe
shkruaj.
Druaj…
Këmbë dhe
duar.Toena, 1998
No comments:
Post a Comment