NË DATËLINDJEN E NATASHA LAKOS
Timo
Mërkuri
Poezia
"Në datëlindjen time"e
Natasha Lakos kategorizohet si poezi lirike e mendimit, me elemente të
reflektimit dhe të momentit të frymëzuar, por përmban ndjenja të forta personale
dhe një ton emocional, që është karakteristikë e poezisë lirike. Poetja shpreh
ndjenjat e saj për jetën, përvojat e kaluara dhe sfidat që ka hasur dhe pikërisht
këto elemente personale e emocionale janë tipike për poezinë lirike.
Në
poezi, autorja përjeton një moment frymëzimit, që është dita e saj e lindjes
dhe është ky moment që e shtyn atë të reflektojë mbi të kaluarën dhe të ardhmen
e saj në një mënyrë që mund të cilësohet si metaforike dhe simbolike, për shkak
të përdorimit të metaforave dhe simboleve të forta në pasqyrimin e përvojave dhe ndjenjave të saj në
një mënyrë që përmban një shkallë të lartë abstraksioni.
I-
Duke qënë një poezi
moderniste, ajo ka një qasje me ekspresionizmin, rrymë që ka ndikuar në
letërsinë botërore në fillim të shekullit të 20-të, e cila përqendrohet në shprehjen
e ndjenjave shpirtërore të individit dhe e shpreh botën nëpërmjet një
perspektive subjektive e dramatike. Qasja e poezisë "Ne datëlindjen
time" me rrymën e ekspresionizmin dallohet në elemente të përdorura dhe
karakteristikat që përshtaten me këtë rrymë:
a)-Poezia
përdor një gjuhë të ngarkuar emocionalisht për të shprehur intensitetin e emocioneve të poetes. Ato (emocionet) janë të
ndjeshme, dhe paraqesin një eksperiencë shpirtërore të thellë, e cila është
karakteristikë e ekspresionizmit. Psh vargu befasues: "Dhe burrat nuk ma dhanë të gjithë kupën me helm", që shpalos
një ndjenjë zhgënjimi dhe vuajtjeje. "Kupa
me helm" është një metaforë e fuqishme për përvojat e hidhura që
poetja ka përjetuar. Intensiteti i emocionit në këtë varg është shumë i lartë,
një tipar i rëndësishëm i ekspresionizmit, i cili shpesh eksploron anët e
errëta të jetës dhe emocionet e thella. Po ashtu vargu: "Tani edhe kamxhiku i jetës po fle, / Në një gotë vere." shfaq
një tjetër metaforë sa të fortë aq dhe të bukur, ku "Kamxhiku i jetës" simbolizon goditjet e jetës, ndërsa ideja që
ai tani "po fle në një gotë vere"
sugjeron një përkohësi qetësie pas
vuajtjes. Ky kontrast dhe përdorimi i figurave të forta stilistike për të
shprehur gjendjen shpirtërore është tipik për ekspresionizmin, duke e bërë të
dukshme ndikimin e ndjenjave të brendshme në perceptimin e botës.
Te
bën përshtypje pse poetja kujdeset të
tregojë se burrat nuk ja dhanë të gjithë kupën (plot) me helm, madje është pikërisht
kjo përkujdesje e saj që na shtyn drejt mendimit se këto vargje kanë dhe interpretimin tjetër, karakteristikë
e poezisë moderne në përgjithësi dhe e ekspresionizmit në veçanti. Kështu vargu
"Dhe burrat nuk ma dhanë të gjithë
kupën me helm" interpretohet në
tjetër kontekst, i cili nxjerr në pah një dimension të ri, ku vargu mund të
sugjerojë momente mirëkuptimi të vonuar nga ana e burrave, pas një kundërshtimi
apo kundërvënie jo të vogël për ta thyer atë shpirtërisht, për ti vrarë dëshirat,
synimet, ëndrrat apo ambiciet e heroinës.
Në këtë kontekst duhet të sqarojmë se fjala “burra” nuk është e
barazvlefshme më fjalën “meshkuj” pasi mund të ketë dhe kuptimin e “burrave
shtetarë apo partiakë”. Pavarësisht gotës plot apo përgjysëm, gota ka qenë me
helm dhe jo me ndonjë “trëndafil në gotë” duke nënkuptuar se burrat kanë
mbajtur një qëndrimin negativ, refuzues ndaj aspiratave të heroinës, tipik
qëndrimi patriarkal i burrave ndaj grave intelektuale.
b)-Në
këtë kontekst vjen edhe interpretimi i vargut të parë:’ Unë
nuk jam mësuar me tepër përkëdheli”,
që sigurisht nuk duhen interpretuar në
kuptimin e literal të përkëdheljeve, por në kuptimin që poetja nuk ka çarrë
lehtësisht në jetë, ose siç thuhet zakonisht: jeta nuk e ka përkëdhelur. Në
qoftë se kthejmë shikimin pas, Natasha Lako ishte një poete e cila quhej: “e
talentuar por e errët”, “ e vështirë për tu kuptuar”, “poezi e mbyllur” etj., nofka
që ja atribuojnë edhe sot çereklexuesit dhe gjysëmlexuesit e poezisë. Sikur të
mos e kishin mbështetur Kadare, Agolli, Moikom Zeqo, më pas dhe Rudolf Marku,
Preç Zogaj, Sadik Bejko dhe pak të tjerë vështirë do ta kishte patur të arrinte
të bëhej kjo Zonjë poezie që është sot. Problemi tjetër është se të gjithë këta
mbështetës dhe inkurajues të saj janë goditur në monizëm për njerën apo tjetrën
arsye, kështu që dhe mbështetja ndaj Lakos shpesh herë ka qenë e rezervuar, më
shumë për të mos e dëmtuar me praninë e tyre, ndaj Lakos i është dashur të
rezistojë dhe të ecë përpara falë forcës shpirtërore dhe talentit të saj.
Prandaj thotë se ajo nuk u rrit “me tepër
përkëdhelje”.
c)-Po
ashtu, vargu "Tani edhe kamxhiku i
jetës po fle, / Në një gotë vere" përmban disa elemente kyçe që pasqyrojnë stilin
ekspresionist dhe konkretisht:
Simbolizmi
i fortë është karakteristikë e rrymës ekspresioniste dhe në këtë varg shprehet
te”kamxhiku” si simbol i qartë i vuajtjeve dhe sfidave që jeta mund dhe i ka
sjellë. Duke përdorur këtë simbol, poetja shpreh idenë e vuajtjeve që kanë qenë
pjesë e jetës së saj, ndërsa kur thotë se "kamxhiku i jetës po fle", ajo nënkupton një moment pushimi,
lehtësimi apo shpëtimi nga këto vuajtje. Pra, “kamzhiku” është një përdorim i fuqishëm i simbolizmit për të
treguar një gjendje të ndryshuar të ekzistencës.
Ekspresionizmi
shpesh përdor kontraste të fuqishme për të theksuar emocionet dhe tensionet
shpirtërore dhe në këtë varg, kontrasti midis kamxhikut (simbol i dhimbjes) dhe
gotës së verës (simbol i kënaqësisë dhe relaksit) krijon një dualitet që pasqyron
kompleksitetin e përjetimeve njerëzore dhe ndjejmë se ky kontrast thekson
momentin e paqes dhe qetësisë pas një periudhe vuajtjesh.
Duke
thënë se kamxhiku i jetës "po fle",
poetja përdor personifikimin për t'i dhënë një cilësi njerëzore një objekti të
pajetë. Kjo teknikë e bën më të gjallë dhe më të prekshme përvojën e pushimit
të vuajtjeve, duke e bërë lexuesin të ndjejë më thellë këtë ndryshim të
gjendjes emocionale. Si pjesë e ekspresionizmit, ky varg reflekton një gjendje
të brendshme qetësie dhe pajtimit pas
një periudhe tensioni dhe vuajtjesh duke dhënë një shprehje të drejtpërdrejtë të
një emocioni të thellë personal, një temë që është qëndrore në poezinë
ekspresioniste.
Si
dhe vera, që shpesh është një simbol i gëzimit, shoqërisë dhe kënaqësisë, në
këtë kontekst mund të përfaqësojë një formë ngushëllimi ose shpëtimi. Ideja që
vuajtja ("kamxhiku") po "fle" në një gotë vere mund të
nënkuptojë se poetja ka gjetur një farë ngushëllimi ose paqeje në këto momente
të veçanta ditlindjeje.
ç)-Në
poezinë e Natasha Lakos, vargjet "Gëzuar
thoshte i shtrenjti Sadi / Dhe dashuria ishte nomade" ofrojnë një
pamje të ndjeshme dhe reflektive që mund të analizohet thellësisht në kontekstin
e rrymës ekspresioniste.
Referenca
për "të shtrenjtin Sadi" ka
një rëndësi të veçantë. Sadiu (Saadi) është një poet dhe filozof persian i njohur
për urtësinë dhe vargjet e tij mbi dashurinë dhe jetën. Përmendja e tij
sugjeron një qasje të vargjeve të Saadiut “Kthe
kupa e puth çupa/se ke shekuj për të fjetur në qetësi”. Në kontekstin e
ekspresionizmit, kjo mund të interpretohet si një përpjekje për të përfshirë
një urtësi të lashtë në përvojën personale të heroinës. Fjala "Gëzuar" ka një nuancë festive e kënaqësie, por në kontekstin e
ekspresionizmit, kjo përshëndetje mund të jetë ironike, duke përbërë një
kontrast me sfidat dhe vuajtjet e përmendura më parë në poezi, duke theksuar
dualitetin e përvojave njerëzore.
Metafora
"Dhe dashuria ishte nomade"
paraqet dashurinë si një entitet në lëvizje të vazhdueshme, pa një vend të
përhershëm. Kjo metaforë e përfytyron dashurinë si një nomad, një person që nuk
ka një vend të përhershëm banimi dhe që është në lëvizje të vazhdueshme, duke
pasqyruar idenë se dashuria është e ndryshueshme dhe vazhdimisht në kërkim të
një vendi të ri, një simbolizëm që nënkupton një mungesë stabiliteti dhe përhershmërie në marrëdhënie dhe ndjenja dhe
që ne na përforcon idenë se poetja me termin dashuri nuk e ka fjalën vetëm për
ndjenjat ndaj partnerit, por për dashuritë e shumta të saj si intelektuale, për
të cilat jemi shprehur edhe më parë.
Në
kontekstin e rrymës ekspresioniste, kjo metaforë reflekton një ndjenjë të
përhershme të kërkimit dhe të pasigurisë emocionale. Ekspresionizmi synon të
shprehë emocionet e brendshme dhe përjetimet subjektive në mënyrë të fuqishme
dhe shpesh dramatike dhe kjo metaforë është një shembull i mirë i kësaj
qasjeje.
d)-
Në vargjet "Tani, ku tjetër strehë do të gjej, / Do të
mplakem" ofrojnë një pasqyrim të ndjenjave të pasigurisë dhe
reflektimit mbi jetën, të cilat janë të lidhura ngushtë me rrymën ekspresioniste.
Vargu
"Tani, ku tjetër strehë do të gjej"
shpreh një ndjenjë pasigurie dhe kërkimi të vazhdueshëm për një vend të sigurt
ose një kuptim të qëndrueshëm në jetë. Kjo strehë nuk përfaqëson thjesht një
shtëpi banimi fizike, por më shumë një vend emocional ose intelektual ku
heroina ndihet e përmbushur dhe e sigurtë. Në këtë kontekst, strehëza mund të
interpretohet si një fushe arti, një aspekt i fushës intelektuale ose një
mënyrë për të kuptuar dhe përballuar botën. Poetja, duke e pyetur veten ku mund
të gjejë një strehë të tillë, shpreh një kërkim të pafund për identitetin dhe
përvojat që e mbushin jetën me kuptim. Në rrymën ekspresioniste, ky lloj
kërkimi për kuptim dhe identitet shpesh është një temë themelore, pasi
ekspresionistët përqendrohen në shfaqjen e emocioneve të brendshme dhe në
përvojat e individit në një botë që është e paqëndrueshme dhe e pafavorshme.
Prandaj, kjo ndjenjë e pasigurisë dhe kërkimi për strehë është një aspekt
thelbësor i ekspresionizmit në poezinë e Natasha Lakos.
Një
reflektim të drejtpërdrejtë mbi kalimin e kohës shpalos vargu "Do të mplakem". i cili mbart
një peshë të madhe simbolike dhe filozofike. Ky varg nuk është thjesht një
deklaratë për moshën fizike, por një reflektim i thellë mbi kalimin e kohës dhe
procesin e plakjes si një pjesë integrale e përvojës njerëzore. Me këtë varg,
poetja nënvizon pashmangshmërinë e kalimit të kohës, duke përfaqësuar një
pranim të realitetit të jetës ku secili prej nesh duhet të përballet me
procesin e plakjes. Qasja
ekspresioniste në poezinë e Lakos, veçanërisht në vargun "Do të mplakem", shfaqet përmes
thellësisë emocionale dhe përshkrimit të ndjenjave të brendshme të heroinës.
Vargu përfundimtar "Do të mplakem", përmban një reflektim mbi
ekzistencën njerëzore dhe kalimin e kohës, duke e lidhur drejtpërdrejt me
ndjenjën e pashmangshmërisë së plakjes dhe fundin e jetës. Kjo sjell një
dimension të thellë filozofik dhe emocional, të cilin ekspresionistët kërkojnë
ta eksplorojnë.
Po
ashtu intensiteti emocional që krijon vargu "Do të mplakem" është një shenjë e ekspresionizmit, pse ky varg
specifik reflekton qasjen ekspresioniste përmes shfaqjes së ndjenjave personale
dhe reflektimit shpirtëror mbi kalimin e kohës dhe plakjen. Intensiteti
emocional që bart ky varg shpreh frikën, pranimin dhe reflektimin mbi
pashmangshmërinë e plakjes, duke shfaqur emocionet në formën e tyre më të papërpunuar
dhe të drejtpërdrejtë. Ky reflektim mbi ekzistencën dhe kalimin e kohës përçon
ndjenjën e pashmangshmërisë të mplakjes, një element thelbësor i
ekspresionizmit që merret me temat ekzistenciale dhe pyetje mbi kuptimin e
jetës dhe vdekjes. Përshkrimi i një realiteti të përbashkët njerëzor, si
plakja, është një qasje dramatike dhe e ndjeshme që është karakteristike për
ekspresionizmin. Pra, vargu "Do të
mplakem" pasqyron qasjen ekspresioniste përmes intensitetit emocional,
reflekti-mit ekzistencial dhe përshkrimit dramatik, duke e bërë këtë varg një
përfaqësues të qartë të kësaj rryme artistike.
II-
Poezia "Në datëlindjen
time" e Lakos përmban shumë elemente të rrymës së ekspresionizmit, duke
shfaqur një gjendje shpirtërore të përzierë me ndjenja të pasigurisë, izolimit
dhe kërkimit për kuptim, kështu që analiza e aspektit psikologjik të kësaj
poezie në kontekstin e rrymës së ekspresionizmit përfshin identifikimin e ndjenjave
dhe perceptimeve, si dhe përshkrimin e tyre nëpërmjet vargjeve që reflektojnë
intensitetin dhe pasigurinë e brendshme të poetes.
Kështu
psh, ndjenja e pasigurisë dhe izolimit shfaqet nëpërmjet vargjeve si:"Unë nuk jam mësuar me tepër përkëdheli,/Dhe
burrat nuk ma dhanë të gjithë kupën me helm." ku ky përshkrim i
shkëputjes dhe ndjesive të brishta tregon për një perceptim të pasigurisë dhe
mosbesimit në shoqërinë dhe mbështetjen njerëzore, tipike për shumë shkrimtare
ekspresionistë.
Reflektimi
i brendshëm dhe ndjenja e humbjes shprehet te vargjet: "Tani, ku tjetër strehë do të gjej,/Do të
mplakem." pasazh që tregon për një kërkim të vazhdueshëm për identitet
dhe kuptim të qëndrueshëm në jetë, por edhe për një pranim të ngadalshëm të
procesit të plakjes dhe humbjes së rinisë të jetës.
Po
kështu si element psikologjik ankthi dhe tensioni emocional shfaqen në poezi te
vargjet:"Gëzuar thoshte i shtrenjti
Sadi,/Dhe dashuria ishte nomade."ku, personazhet dhe imazhet janë
përdorur për të paraqitur një botë të turbullt emocionale, ku dashuria dhe
gëzimi janë të pasigurta. Pra, te
poezia e Lakos dhe elementët e aspektit psikologjik kanë natyrë të rrymës së
ekspresionizmit poetik.
III-Poezia
"Në datëlindjen time" e Natasha Lakos përmban një sërë simbolesh e
metaforash që reflektojnë qasjen ekspresioniste, duke shfaqur ndjenjat
shpirtërore dhe përjetimet subjektive të
heroinësës. Ekspresionizmi është i njohur për përdorimin e simboleve dhe
metaforave të ngarkuara emocionalisht dhe me dramacitet për të shprehur gjendjen
e brendshme të individit, por ajo që është karakteristike në këtë poezi (dhe në
përgjithësi në poezinë e Lakos) është mënyra eshfaqies së simboleve në mënyrën
metaforike që përthyhet në imazh poetik. Ja se si simbolet dhe metaforat në
këtë poezi pasqyrojnë qasjen ekspresioniste:
Simboli”Kamxhiku i jetës” përfaqëson vuajtjet
dhe sfidat e jetës ku vetë përdorimi i "kamxhikut" evokon një ndjenjë
dhimbjeje dhune dhe imponim, duke theksuar intensitetin emocional të
përjetimeve të heroinës. Në kontekstin ekspresionist, ky simbol shfaq në mënyrë
të qartë gjendjen shpirtërore të saj dhe përballjen me vështirësitë e jetës.
Mirëpo”kamzhik” shfaqet si metaforë në përshkrimin
dramatik dhe të fuqishëm të vuajtjeve dhe sfidave që poetja ka përjetuar në
jetën e saj. Përdorimi i fjalës "kamxhik"
sugjeron dhimbje dhe dënim, duke krijuar një imazh të fortë vizual dhe
emocional jo vetëm me formën e kamzhikut. Kjo është tipike për ekspresionizmin,
që shpesh përdor metafora të tilla për të shfaqur intensitetin e ndjenjave të
brendshme dhe për të shprehur gjendje emocionale të thella dhe të vështira.
Simbolika
e "gotës së verës" mund të
interpretohet si moment qetësie dhe
lehtësimi të përkohshëm nga vuajtjet. Por gjithashtu shfaqet si një imazh, që
krijon një kontrast të fuqishëm me "kamxhikun
e jetës", duke treguar se edhe në mes të dhimbjes, ka momente të
përkohshme paqeje dhe gëzimi. Ekspresionizmi shpesh përdor kontraste të tilla
për të shfaqur kompleksitetin e përjetimeve njerëzore.
“Kupa me helm” është një simbol që përfaqëson
marrëdhëniet e hidhura dhe përvojat negative që kanë lënë gjurmë të thella te
heroina, por ndërkohë shfaqet si një imazh
që evokon ndjenja të forta zhgënjimi dhe trishtimi, duke pasqyruar ndjenjat e
brendshme të heroinës në një mënyrë dramatike, tipike për qasjen
ekspresioniste. Mirëpo “Kupa
me helm” shprehet si metaforë që përfaqëson marrëdhëniet e hidhura dhe
përjetimet negative që heroina ka kaluar. "Helmi"
është një simbol i fuqishëm për diçka të dëmshme dhe të hidhur, duke theksuar
ndjenjat e zhgënjimit dhe trishtimit. Në kontekstin ekspresionist, kjo metaforë
përdoret për të shfaqur në mënyrë të papërpunuar dhe dramatike efektin e këtyre
përjetimeve mbi gjendjen emocionale të heroinës.
Në
të njëjtën mënyrë mund të flasim edhe për metaforën ”dashuria nomade” që simbolizon natyrën e lëvizshme dhe të
përkohshme të dashurisë në jetën e heroinës. Kjo metaforë shfaq dashurinë si një
imazh, diçka që lëviz pa qëllim dhe pa një qëndrim të qëndrueshëm
Ekspresionizmi shpesh fokusohet te ndjenjat e pasigurisë dhe të përkohshmërisë,
dhe ky simbol e pasqyron këtë ndjesi, duke treguar përjetim personal të heroinës me dashurinë si
diçka të paqëndrueshme dhe të lëvizshme. Vargu përfundimtar "Do të mplakem" shfaqet si symbol
dhe shprehet si metaforë e pashmangshmërisë së kohës dhe reflektimit mbi
ekziste-ncën , duke pasqyron një ndjenjë introspektive dhe filozofike.
Pra,
metaforat, simbolet dhe imazhet në poezinë "Në datëlindjen time" të
Natasha Lakos janë karakteristika të rëndësishme të rrymës ekspresioniste, pasi
ato përforcojnë dhe shfaqin ndjenjat dhe përjetimet e thella shpirtërore të
heroinës në një mënyrë dramatike, emocionale dhe filozofike. Këto elemente në
ndërveprim midis tyre ndihmojnë në krijimin e një poezie të prekshme dhe të
ndjeshme, që reflekton përvojën dhe përjetimet njerëzore në mënyrë të fortë dhe
të thellë.
IV-
Thamë se poezia "Në datëlindjen time" e Natasha Lakos është një poezi
lirike që shpreh thellësisht ndjenjat dhe emocionet personale të autores dhe se
kjo poezi është më tepër lirike sesa
poezi e mendimit për disa arsye kryesore.
-Së
pari, poezia shpreh ndjenja dhe përvoja personale të autores, flet për mungesë
përkëdheljesh dhe për sfidat që ka kaluar në marrëdhëniet e saj me burrat, duke
e shprehur këtë me një ton emocional dhe të ndjerë: "Unë nuk jam mësuar me tepër përkëdheli, / Dhe burrat nuk ma dhanë të
gjithë kupën me helm." Kjo shprehje intime e ndjenjave dhe përjetimeve
personale është tipike për poezinë lirike.
-Elemente
të jetës së përditshme përmenden në poezi, si "dita e lindjes," "gotë vere," dhe "kamxhiku i jetës" detaje konkrete
këto që e bëjnë poezinë të jetë më shumë një reflektim emocional mbi jetën sesa
një analizë e thellë filozofike: "Tani
edhe kamxhiku i jetës po fle, / Në një gotë vere."
-Toni
i poezisë është tepër emocional dhe intim,i ulët, si një e folur me vete, madje
autorja i drejtohet vetes dhe lexuesit me një ton që shpreh një ndjeshmëri dhe
një përjetim personal të ndjeshëm: "Gëzuar
thoshte i shtrenjti Sadi, / Dhe dashuria ishte nomade." Kjo ndjenjë
intime dhe emocionale e bën poezinë të jetë më shumë një shprehje e ndjenjave
të brendshme sesa një reflektim racional.
Pikërisht
këta element që përbëjnë lirizmin e poezisë e bëjnë këtë poezi që të jetë më
shumë lirike se sa poezi e mendimit. Psh :a)-poezia është më shumë lirike sesa
e mendimit për shkak të fokusimit të saj në emocionet dhe përvojat personale të
autores,ndërsa poezia e mendimit shpesh fokusohet në ide abstrakte dhe analiza
logjike. b)-Metaforat e përdorura në poezi, si "kamxhiku i jetës" dhe "kupën
me helm" kanë ngarkesë emocionale
dhe shprehin përjetimet e dhimbshme dhe sfidat e jetës në mënyrë të ndjeshme.
Këto metafora janë më të lidhura me emocionet sesa me mendimin abstrakt.c)-Toni
i poezisë është personal dhe i drejtpërdrejtë, duke shprehur ndjenja të thella
dhe intime. Kjo i jep poezisë një karakter të fuqishëm lirik, duke e bërë më
shumë një shprehje emocionale sesa një reflektim racional.
V-
Lirizmin e poezisë e rrit edhe muzikaliteti i saj i brendshëm që konsiston në
disa elemente të veçanta të gjuhës dhe strukturës poetike.
Së
pari, muzikaliteti në poezi krijohet nga ritmi dhe kadenca e vargjeve. Poezia
ka një rrjedhshmëri të natyrshme në vargje, ku ritmi i fjalëve dhe frazave
tërheq lexuesin. Psh, përdorimi i fjalëve dhe frazave të shkurtra, si dhe
vendosja e tyre në mënyrë ritmike, kontribuon në krijimin e një muzikaliteti të
brendshëm:"Unë nuk jam mësuar me tepër
përkëdheli,/Dhe burrat nuk ma dhanë të gjithë kupën me helm,/Tani edhe kamxhiku
i jetës po fle,/Në një gotë vere."Të duket se këtë tekst mund ta këndojnë
shumë bukur Anita Take me atë që quhet “muzikë dhome”.
Së
dyti, përsëritja e disa fjalëve dhe frazave krijon një efekt muzikor dhe e bën
poezinë më melodioze. Psh, përsëritja e fjalës "tani" në fillim të dy
vargjeve të ndryshme krijon një ndjenjë të ritmit dhe e lidh poezinë në mënyrë
harmonike: "Tani edhe kamxhiku i
jetës po fle,/Në një gotë vere.”...”Tani, ku tjetër strehë do të gjej,/Do të
mplakem."
Gjithashtu,
muzikaliteti konsiston në përdorimin e metaforave dhe figurave të tjera letrare
që kanë një tingëllim të veçantë dhe e pasurojnë gjuhën e poezisë. Përdorimi i
fjalëve si "kamxhiku i jetës"
dhe "gotë vere" krijon
imazhe të fuqishme dhe e bën gjuhën e poezisë më të larmishme dhe më melodioze.
Toni
emocional dhe intim i poezisë kontribuon gjithashtu në muzikalitetin e saj.
Ndjenja e përjetuar në poezi transmetohet përmes zërit të butë dhe të ndjerë të
autores, duke i dhënë vargjeve një melodi të brendshme:"Gëzuar thoshte i shtrenjti Sadi,/Dhe dashuria
ishte nomade,/Tani, ku tjetër strehë do të gjej,/Do të mplakem." U
thoni disa kompozitorëve që ta lexojnë këtë poezi e ta kompozojnë se na lemerisin
disa tekste këngësh.
Sarandë, më maj 2024
Natasha
Lako
Në
datëlindjen time
Unë nuk jam mësuar me
tepër përkëdheli,
Dhe burrat nuk ma
dhanë të gjithë kupën me helm,
Tani edhe kamxhiku i
jetës po fle,
Në një gotë vere.
Gëzuar thoshte i
shtrenjti Sadi,
Dhe dashuria ishte
nomade,
Tani, ku tjetër
strehë do të gjej,
Do të mplakem.
No comments:
Post a Comment