Wednesday, 17 December 2025

 

KRYQËZIMI I JEZU KRISHTIT SIPAS SADIK BEJKOS

 

Nga Timo Mërkuri

Në poezinë “Krishti kryqëzohet vetëm në tokë” të Sadik Bejkos bie në sy një dritë e imët që qëndron sipër vargjeve, një dritë që nuk e largon ashpërsinë e tokës, por e bën më të dukshme. Ajo lloj drite nuk shndrit si një premtim ajo qëndron butë, si një fije që çel ngadalë mes ngjyrave gri të peizazhit poetik. Në këtë ndriçim të zbehtë zbulohet një ndjesi që të çon drejt realizmit magjik: mrekullia s’vjen për të fshirë dhembjen, por për ta nxjerrë më qartë në sipërfaqe.

Magjia në këtë poezi nuk është zbukurim. Ajo del nga imazhet e thjeshta që lidhen me njeriun dhe fatin e tij. Çdo rreze apo shenjë e qiellit merr kuptim vetëm pasi prek tokën, dhe vetëm kështu kuptojmë se Bejko e sheh botën me një sy ku lartësia dhe rënia ecin bashkë. Toka është vendi i të gjitha përjetimeve: i dhimbjes, i ngjitjeve të kota, i shpresave që nuk marrin fluturim, por edhe i çasteve të vogla që e mbajnë njeriun në këmbë.

Poezia ka edhe një shtresë filozofike që i jep zë përvojës njerëzore në tërësi. Bejko nuk flet vetëm për një dhimbje personale; ai prek një gjendje që njeriu e njeh prej kohësh. Çdo lëkundje e shpirtit, çdo frikë apo humbje shfaqen si pjesë e pashmangshme e jetës. Kjo e bën poezinë një vend ku lexuesi jo vetëm prek emocionin, por edhe ndalet për të menduar mbi peshën e jetës, mbi kufijtë dhe brishtësinë e njeriut.

Në vijim të analizës do të shihet se si realizmi magjik, modernizmi, ekspresionizmi, simbolizmi dhe ekzistencializmi ndërthuren natyrshëm në këtë poezi, duke krijuar një prej teksteve më të veçanta të letrave shqipe.

I- Hapësira poetike mes tokës dhe magjisë

Tek poezia “Krishti kryqëzohet vetëm në tokë” Bejko ndërton një hapësirë poetike ku ëndrra, shpresa, zhgënjimi dhe fati njerëzor gërshetohen natyrshëm. Këto përplasje të brendshme nuk qëndrojnë pranë njëra-tjetrës, por hyjnë në dialog të vazhdueshëm, duke i dhënë poezisë një ton të thellë dhe njerëzor. Tek ai, e zakonshmja takohet me të jashtëzakonshmen dhe kjo përzierje krijon atë frymë të butë të realizmit magjik, ku kufijtë mes botëve nuk janë mure, por perde të holla që lëvizin lehtë. Ky lloj hapësire na kujton se jeta është një vend ku çasti dhe përjetimi shpesh fluturojnë përtej logjikës dhe shpjegimit, duke lënë vend për ndjesinë dhe reflektimin. Në këtë vend poetik njeriu gjithmonë përkulet për të parë më tej, por çdo herë e kupton se gjithçka që kërkon- drita, shpresa, kuptimi -nuk ndodhen lart, por pikërisht këtu në tokë, te plagët e tij, te ringritjet dhe rëniet e përditshme. Poezia merr një qetësi të brendshme, si një vend ku edhe gjërat që duken të paarritshme nuk të frikësojnë më, sepse njeriu i pranon si pjesë të natyrshme të jetës. Poezia e sheh tokën si vendin ku shpirti rëndohet e çlirohet njëkohësisht, ku dhimbja dhe gëzimi preken me bërryla si dy fqinj të vjetër.

1. Qysh në hyrje, poezia na fut në një hapësirë ku realiteti dhe e magjikja fërkohen si dy shtresa ajri. Në në fillim, poeti na çon në një prag të hollë, ku njeriu duket sikur prek për një sekondë atë që zakonisht i rrëshqet nga duart. Vargjet:

“Prekëm

në kufirin e dritës,

në fërfëllimën që ndan hemisferat…”

shënojnë pikërisht këtë hapësirë të ndërmjetme, ku njeriu nuk është më thjesht i tokës, por as i qiellit. Ai është diku mes tyre, duke shtrirë dorën që të kapë një dritë që nuk është simbol, por gjendje-një çast i rrallë kur realja hapet dhe shfaqet e pamundura. Ky çast i mesëm të sjell ndër mend se jeta gjithmonë lëkunden mes etjes për të fluturuar dhe detyrimit për të qëndruar fort mbi to.

Ky kufi i ndritshëm, i tejdukshëm, nuk paraqitet si diçka e frikshme, por si një prag ku njeriu mund të afrohet me qetësi, i shtyrë nga kureshtja dhe dëshira për të ditur më shumë mbi veten. Kjo pranueshmëri e së jashtëzakonshmes, pa habi e pa tronditje, është një nga tiparet më të bukura të realizmit magjik në poezi. Madje dhe në jetë njeriu ëndërron  një realitet qiellor, mbase një Parajsë tokësore, Edenin, dy gisht nën hënë, të cilën poeti e sheh si një afërsi të qetë, thuajse familjare, dhe e përshkruan me një qetësi prekëse: “Vendin diku, pak sa një gisht nën Hënë…”

Është një vend i mundshëm, por i pakapshëm; një hapësirë që “nuk zbret kurrë tek ne të gjallët”, por që gjithsesi rri aty-si një dritë që nuk shuhet, si një prani e heshtur që njeriu mund ta ndjejë, edhe kur nuk e prek dot. Në këtë mënyrë, poezia bëhet reflektim mbi kufijtë e jetës dhe të asaj që mbetet përtej saj. Çdo çast merr thellësi, çdo plagë merr peshë, dhe çdo gëzim, edhe kur është i vogël, mbetet i gjallë në kujtesën e shpirtit.

 Edhe kur shikimi ngrihet drejt Hënës, poeti e di se rrënjët janë në tokë-në dhimbjen, në përvojën, në të përditshmen që ndërton njeriun. Në këtë vend poetik njeriu kërkon të shohë më tej, por kupton se drita që kërkon, nuk e gjen në lartësi,  por e gjen këtu poshtë, te ajo që e lëndon, e ngre dhe e shtyn përpara. Vija mes dy botëve zbutet, dhe e jashtëzakonshmja bëhet e mundur të jetojë brenda ditëve të zakonshme.

Ky realizëm njerëzor tregon se transcendenca nuk është gjithmonë në lartësi; shpesh fshihet në gjërat më të thjeshta, në dhimbje, në rikthim, në çastet që njeriu i kap me vështirësi, në momentet më të thjeshta të jetës.

Tek Bejko, e zakonshmja takohet me magjiken pa u ndeshur; ato thjesht rrëshqasin njëra mbi tjetrën dhe e zgjerojnë realitetin, pa e copëzuar. Kjo rrëshqitje e lehtë mes botëve të ndryshme na tregon se arti i tij nuk është vetëm reflektim i botës, por edhe një përpjekje për të kapur atë çka shpesh fshihet nën sipërfaqen e dukshme të jetës.

2. Elementët e realizmit magjik në këtë poezi nuk shfaqen si shpërthime fantazie. Ata vijnë qetë, si një dritë e zbehtë që hyn në dhomë nga një çarje e murit. Bejko nuk e shtyn lexuesin me forcë drejt së pazakontes; ai e afron ngadalë, në një hapësirë ku e zakonshmja prek të jashtëzakonshmen pa bërë zhurmë. Prandaj vargjet:

“Çasti u ndal, ra si

karroca me flatra te këmbët tona:”

duken si diçka që mund të kishte ndodhur vërtet pranë nesh. Karroca me flatra nuk vjen nga një botë e turbullt fantazie. Ajo zbret në tokë për një çast të shkurtër, e brishtë sa një kujtim që lind dhe shuhet brenda një fryme.

Kjo hyrje e butë e së pazakonshmes e ndriçon realitetin vetëm në një pikë të vogël, si drita e një elektrik dore në gjysmëerrësirë. Drita nuk përhapet kudo, por aty ku bie, gjërat marrin gjallëri, thellësi, një kuptim tjetër. Ky është funksioni i magjisë tek Bejko: jo të tronditë, por të zbulojë atë që zakonisht i shpëton syrit.

Në këtë atmosferë, magjia merr frymë si pjesë e jetës. Nuk është arratisje nga ajo, por një mënyrë e re për ta parë. Një kënd i vogël drite që ndryshon pamjen e gjërave. E jashtëzakonshmja bëhet një shqisë më shumë, një mënyrë për të prekur atë që syri vetë nuk e kap dot.

Dhe menjëherë pas këtij çasti të hollë, poeti e sjell përsëri tokën në skenë, me një ironi të lehtë dhe të ngrohtë:

“(Barëra të shpresës sonë kaq të forta

ende lopët s’u patën ngrënë!?)”

Këtu takohen dy botë, pa u përplasur: flatrat e karrocës dhe lopët e fshatit; një shpresë që kërkon të ngrihet lart dhe bari i përditshëm që këputet poshtë. Ky afrim i bën të dyja më të vërteta. Magjia nuk humb kur vjen në tokë-përkundrazi, fiton peshë, bëhet më njerëzore. Në këtë bashkëjetesë të së zakonshmes me të jashtëzakonshmen, poezia lëviz ngadalë: herë ngrihet drejt dritës, herë zbret në baltën e tokës. Kjo lëvizje i jep asaj frymën e pastër të realizmit magjik, ku mrekullia nuk rri në qiell, por ecën afër njeriut.

Bejko nuk e përdor magjinë si strehë për t’i shpëtuar jetës. Ai e përdor si dritë për t’ia parë fytyrën më qartë. Dhe në çdo varg të tij, kjo dritë qëndron e ulët, e qetë, por gjithmonë e pranishme-si kujtimi se edhe momentet më të thjeshta mund të mbajnë në vete një shkëndijë mrekullie, nëse njeriu ka syrin dhe zemrën të hapura për ta parë.

3. Ndërthurja e së zakonshmes me të pamundurën sjell në poezi shndërrime të befta, që duken si rregulla të fshehta të një bote të padukshme. Kur poeti shkruan:

“me një të puthur fluture helmuese

prek në kufirin fërfëllues…”

ai na vendos në një çast ku butësia dhe rreziku prekin njëra-tjetrën, ku një lëvizje e imët, gati e pashquar, mjafton të trazojë gjithçka. Është ajo dridhja e vogël që të kujton se bota mbahet mbi ekuilibra të brishtë, dhe mjafton një frymëmarrje e hutuar që gjithçka të lëvizë nga vendi. Flutura që prek kufirin e botëve nuk mbetet teksa një trill fantastik; ajo bëhet pjesë e natyrshme e ligjeve të brendshme të poezisë, e një energjie të heshtur që vepron thellë brenda saj. Kjo na kujton thënien e një matematikani e meteorologu amerikan, i cili u shpreh se “një flutur që rreh krahët në veri, mund të shkaktojë një cunam në jug”. Ashtu si në poezi, edhe në jetë, shpesh është e padukshmja që merr përsipër peshën e së vërtetës. Edhe në jetë, shpesh janë imtësitë që prishin ose rindërtojnë gjithësinë tonë të vogël. Në këtë vijim, poezia sjell një pamje të çuditshme, gati groteske: “Ndodh: dhe në ujë perlash mund të zhgërryhen derrat.”

Figura befasuese shfaqet si një dritë e ftohtë që vjen nga absurditeti. Përmbysja e zakonshme që ndeshim këtu të kujton se bota ka mënyra të tjera të shfaqjes, mënyra që s’i mësojmë me arsyetime, por i ndiejmë me një tronditje të lehtë. Në këtë vorbull kthesash, poeti duket sikur pëshpërit se e larta zbret në tokë dhe e ulëta merr fluturim, qoftë edhe për një çast kohe. Ky kontrast i jep poezisë një ton filozofik: bukuria rrezikon përherë të njolloset nga balta, por edhe balta, në çaste të rralla, mund të marrë një shkëlqim që s’e pret.

Kjo përmbysje, e lexuar në dritën e realizmit magjik, bëhet krejt e natyrshme- si një rregull i heshtur i botës. Shndërrimet, çastet e çuditshme dhe e pamundura që troket papritur nuk shihen si ikje nga jeta, por si mënyra më e saktë për të treguar thellësinë e saj të padukshme. Poeti na kujton se realiteti është më i gjerë se çdo përfytyrim, dhe se e jashtëzakonshmja nuk vjen nga largësitë- ajo lind prej heshtjes së sendeve përreth.

4. Rënia e menjëhershme në tokë e afron lexuesin me peshën e vërtetë të jetës. Pas ngjitjeve, dritave që dridhen dhe çarjeve të botës, Bejko na kthen aty ku njeriu e ka këmbën: në tokë. “Por… hap-mbyll sytë, prapë ramë në tokë.” Ky varg ndan magjinë me një gjest të thjeshtë, njerëzor. Rënia nuk është vetëm rrëzim; është pjesë e fatit njerëzor dhe rikujton se çdo lartësi përfundon në tokë.

Magjia nuk largohet; ajo ulet pranë nesh si një dritë e vogël që ndriçon gjërat e përditshme. Edhe vendi “sa një gisht nën Hënë” nuk premton shpëtim, por ofron një çast shprese që prek realitetin pa e shmangur atë. Kumti i Bejkos merr një ton të pjekur dhe të dhimbshëm:

“Të fitojmë, pra, Tokën,

të fitojmë prapë hallin, vuajtjen, ankthin tonë…”

Mirëpo të fitosh tokën do të thotë të pranosh edhe barrën e saj: dhimbjet, rëniet dhe ankthin që njeriu mban që nga rënia e parë, ajo nga barku i nënës. Janë të zakonshme, por poeti u jep një dridhje të lehtë misteri, sikur çdo vuajtje të ketë një shkëlqim të padukshëm që na ndjek nga larg.

Në këtë udhëtim shfaqet edhe figura e Krishtit -jo si zbulesë hyjnore, jo si Biri i Atit qiellor, por si shenjë që ndan fatin me njeriun: “(Krishti prapë mund të vihet në kryq e mund).” Ai nuk ngrihet në qiell; qëndron mes nesh, i prekshëm dhe i mundshëm. Është një Krisht tokësor, që afron të shenjtën me tokën, duke treguar se sakrifica dhe përditshmëria ulen në të njëjtën tryezë.

Kjo i jep poezisë një frymë të qetë dhe të butë. Njeriu guxon të preki të pamundurën pa u trembur, sepse ajo është pjesë e jetës së tij. Edhe rënia më e thjeshtë nuk është boshësi. Ajo mban brenda një fije drite që nuk shuhet. Lexuesi ndjen se magjia nuk erdhi për të larguar nga toka, por për t’i treguar se edhe dheu është i mbushur me mrekulli të vogla, të fshehura në çdo hap që hedh.

5. Poezia mbyllet duke e rikthyer njeriun në vendin e tij: në tokë, tek vetvetja. Vendi nën Hënë- ajo copëz e bukur e imagjinatës ku gjithçka dukej e lehtë - zhduket po aq qetë sa u shfaq:

s’është më, nuk është

ai vendi sa një gisht nën Hënë,

dikund…”

Kjo zhdukje nuk fshin magjinë; ajo shndërrohet në një kujtim të butë, si dritë që mbetet pas një dere të hapur. Poeti nuk e mohon vendin imagjinar; thjesht e heq çastin dhe e shndërron në një dëshmi se njeriu mund të ngrihet për pak, por gjithmonë kthehet tek dheu, aty ku ndodhin kryqëzimet reale të jetës. Këtu, realizmi magjik merr një formë të qetë. E jashtëzakonshmja nuk shuhet; ajo qëndron pranë të zakonshmes si një shenjë e heshtur. Ajo na kujton se lartësitë dhe ëndrrat nuk janë kundërshti e tokës- ato e ndriçojnë atë dhe e bëjnë më të dukshme. Pas çdo ngritjeje, tokën e shohim më qartë; pas çdo rënieje, e ndjejmë më thellë.

Në fund, kjo poezi moderniste krijon një hapësirë ku e jashtëzakonshmja shfaqet për të na udhëhequr, përmes dritës, iluzionit dhe ngjitjeve të buta, për të na kthyer tek e vetmja sipërfaqe ku mund të vendosim këmbët: toka.

Bejko nuk jep mësime; ai hap një dritare. Dhe përmes saj na tregon se magjia është çast, ndërsa jeta ndërtohet mbi tokë. Tokësorja na mban, na formon dhe i jep peshë çdo ngritjeje, ëndrre dhe rënieje që përjetojmë.

II – Krishti tokësor dhe përvoja njerëzore.

Sadik Bejko në këtë poezi mund të quhet poeti që prek kufijtë mes dritës dhe tokës. Ai na fton të hyjmë në një botë ku realja dhe magjika ndërthuren në çdo hap të jetës së përditshme. Poeti nuk synon të shpëtojë njeriun nga dhimbja; ai tregon se ajo është pjesë e jetës dhe mund të ndriçohet nga çaste të vogla magjike. Magjia nuk është ikje; është një dritë e hollë që ndriçon brishtësinë e përvojës njerëzore, duke e bërë të prekshme atë që zakonisht mbetet e padukshme. Nëse pyetim se çfarë ndodh me njeriun, Krishtin dhe vendin e shenjtë “një gisht nën Hënë”, mund ta themi kështu:

1.Njeriu nuk ngrihet në shenjtëri; Krishti zbret në njerëzore. Poezia nis me një çast ku fluturimi dhe drita ndërthuren në një hapësirë magjike: “Prekëm / në kufirin e dritës / në fërfëllimën që ndan hemisferat, hapësirat - / në të fluturimit teh të paprekshëm.”

Poeti e vendos njeriun mes mundësisë dhe pamundësisë. Fluturimi këtu nuk është thjesht ëndërr; është një çast kur realja dridhet, kur e zakonshmja merr shkëlqim të veçantë dhe prek imagjinatën. Por sapo ky çast kalon, rikthehet tokësorja: “Por… hap-mbyll sytë, prapë ramë në tokë.”

Në këtë mënyrë, Bejko tregon se Krishti, simbol i sakrificës dhe vuajtjes, nuk qëndron lart në qiell, por zbret mes njerëzve, në jetën e përditshme. Çdo kryqëzim është tokësor, çdo dhimbje e prekshme, dhe çdo moment magjik i shkurtër i shërben këtij qëllimi. Lexuesi kupton se e jashtëzakonshmja nuk është lart; ajo ndodhet mes hapave dhe përvojave tona, ndriçon çastet e zakonshme dhe u jep kuptim jetës që përjetojmë çdo ditë.

2. Realizmi magjik në këtë poezi nuk shfaqet me bujë; ai ndriçon errësirën me thjeshtësi, si një elektrik dore që fut dritë në një dhomë të gjysmëerrët. Me këtë ndriçim, çdo çast merr një fuqi të papritur:

“Por ndodhi. Çasti u ndal, ra si karroca me flatra te këmbët tona:

Ejani, ejani të fluturojmë, tha.

(Barëra të shpresës sonë kaq të forta ende lopët s’u patën ngrënë!?)

Le të ngjitemi, tha, pak, fare pak gjer aty… nën Hënë.”

Këtu, realizmi magjik i jep hapësirës reale një dimension të gjallë. Karroca me flatra dhe vendi nën Hënë nuk e largojnë njeriun nga toka; përkundrazi, e bëjnë tokën më të dukshme dhe më të prekshme, duke nxjerrë në pah çdo brishtësi, shpresë dhe zhgënjim. Lexuesi ndjen se bota është e mundshme, ndriçuar nga një shkëndijë magjie, edhe kur dhimbja dhe kufizimet janë aty. Çdo çast i tillë është një dritë e vogël që e bën realitetin më të kuptueshëm.

3. Në këtë kontekst,mesazhi bëhet i qartë: njeriu duhet të përballet me jetën, hallin dhe vuajtjen e tij. Bejko thekson se nuk ka ikje nga tokësorja: “Të fitojmë, pra, Tokën, / Të fitojmë prapë hallin, vuajtjen, ankthin tonë, atë rënien në truallin e fillimit, rënien që nga barku i nënës.”

Çdo vend magjik, çdo çast i jashtëzakonshëm, nuk e shpëton njeriun nga realja; përkundrazi, ai e forcon kuptimin e përballjes me tokën dhe brishtësinë e jetës. Realizmi magjik nuk e zëvendëson jetën; ai e thellon dhe e bën të prekshme. Çdo fluturim i shkurtër, çdo karrocë me flatra, çdo dritë mbi tokë rikujton se njeriu mëson dhe rritet aty ku ecën mbi dhe, mes mundësive dhe kufizimeve të tij. Çdo çast i tillë është si një shkëndijë në terr, që ndriçon një moment realitetin dhe e bën më të kuptueshëm.

4. Simboli i Krishtit shfaqet si një pasqyrë e përvojës njerëzore. Titulli i poezisë dhe figura e Krishtit bashkojnë simbolin me realitetin: “Në tokë… të fitojmë tokën. (Krishti prapë mund të vihet në kryq e mund). Njerëzorë jemi, tepër njerëzorë…”

Krishti nuk është vetëm figurë hyjnore; ai përfaqëson sakrificën, vuajtjen dhe pranimin e jetës tokësore. Ai bëhet pasqyrë për çdo njeri, për çdo brishtësi dhe mundësi të përballimit të dhimbjes. Realizmi magjik i jep trup këtij imazhi, simboli i Krishtit i jep shpirt, ndërsa fluturimi dhe vendi nën Hënë e ftojnë lexuesin të ndjejë, të reflektojë dhe të kuptojë më thellë jetën e tij.

5. Mesazhi i poezisë është i thjeshtë dhe i fuqishëm: jeta është tokësore, vuajtja njerëzore është reale, dhe çdo çast i shkurtër magjik i jep kuptim kësaj jete. Realizmi magjik nuk e largon njeriun nga realiteti; ai është një dritë e hollë që zbardh brishtësinë dhe thellësinë e ekzistencës. Çdo fluturim, çdo vend i paprekshëm nën Hënë, çdo puthje fluture helmuese tregon se njeriu dhe Krishti bashkëjetojnë në tokësore, duke ndarë brishtësinë, dhimbjen dhe bukurinë e jetës. Çdo çast magjik nuk e heq njeriun nga toka; përkundrazi, e ndriçon atë, dhe çdo shkëndijë befasie e bën jetën më të prekshme dhe më të kuptueshme në përditshmërinë tonë.

III- Rrymat letrare të ndërthurura: realizmi magjik, ekspresionizmi, ekzistencializmi, simbolizmi dhe postmodernizmi

Poezia “Krishti kryqëzohet vetëm në tokë” hap një botë mes tokës dhe një magjie të brishtë, që zgjas vetëm për një çast të shenjtë. Në të ndërthuren rryma të ndryshme letrare si realizmi magjik, simbolizmi, ekspresionizmi, ekzistencializmi, postmodernizmi-që e bëjnë poezinë emocionuese, të ndritshme dhe thelbësisht njerëzore.

1.Në këtë poezi, e magjikja dhe realja rrjedhin pa ndalim, duke u përzier si drita kur depërton mes hijes dhe ndriçimit. Pikërisht këtu shfaqet ekspresionizmi: tensioni i brendshëm, dridhja e ndjenjave dhe ngarkesa emocionale që i jep ngjyra ekstreme imazheve. Magjikja hap skenën që në vargun e parë, ku bota nuk paraqitet vetëm siç është, por rrëshqet mbi kufijtë e mundësisë: “Prekëm në kufirin e dritës, në fërfëllimën që ndan hemisferat…”

Ky imazh nuk është thjesht fizik; ai është një perde e dridhur që ndan dy botë. Realizmi magjik i jep prekshmëri realitetit, duke e bërë dritën dhe errësirën të ndjeshme dhe të prekshme. Kur imazhi formohet, ekspresionizmi bëhet i dukshëm në ndjesinë e brendshme që ai ngjall. Fërfëllima nuk është meteorologjike, por shpreh dridhjen e ankthit njerëzor, atë që është gati të shpërthejë. Ky tension intensifikohet te momenti i jashtëzakonshëm:“kur me një të puthur fluture helmuese prek në kufirin fërfëllues…”

Këtu bashkohen dy rryma: realizmi magjik e bën të besueshme idenë se një puthje fluture mund të ndikojë në fat, ndërsa ekspresionizmi i jep asaj fluture helm, ngrohtësi dhe tension shpirtëror. Transformimi grotesk që pason: “Ndodh: dhe në ujë perlash mund të zhgërryhen derrat.”

Realizmi magjik i jep trup dhe jetë imazhit, ndërsa ekspresionizmi i injekton tensionin dhe pasigurinë e brendshme. Ky kontrast e bën secilin imazh të ndjeshëm, të gjallë, duke reflektuar dridhjet e fshehura të shpirtit.

Në këtë mënyrë, çdo gjë bëhet e mundur: realizmi magjik hap hapësirën, ekspresionizmi i jep ngarkesë emocionale dhe tension. Pa ton ekspresionist, bota e Bejkos do të dukej e qetë; me të, ajo dridhet, rrezikon dhe thyhet. Edhe ngjitja më e butë:“pak, fare pak gjer aty… nën Hënë”shfaq rrezik shpirtëror dhe tension, jo triumf magjik. Rrëzimi i mëpasëm:

“Por… hap-mbyll sytë, prapë ramë në tokë”transformon ëmbëlsinë e realizmit magjik në një dridhje ekzistenciale të brendshme.

2.Postmodernizmi shfaqet me delikatesë, me një zhgënjim të heshtur ndaj mitit, qëndrueshmërisë dhe transcendencës. Ai bashkëjeton me realizmin magjik, duke krijuar një hapësirë ku e pamundura duket e zakonshme, por gjithçka çmitizohet. Qysh në fillim hapet një shteg magjik: vendi “nën Hënë”, pothuaj biblik dhe i tejbukur:

“Vendin diku, pak sa një gisht nën Hënë, vend që nuk zbret kurrë tek ne të gjallët.”

Realizmi magjik ndërton skenën; postmodernizmi heq solemnitetin. Premtimi metafizik rrëzohet me ironi: “S’qenkësh gjë, s’paskësh qenë gjë ai vendi i një gisht nën-Hënës.” Kthimi pas:“Por… hap-mbyll sytë, prapë ramë në tokë” tregon zhgënjimin e vazhdueshëm, pa shpëtim, vetëm një çast i shuar. Magjikja përdoret për të treguar se asgjë nuk mund të tejkalojë tokën, duke lidhur postmodernizmin me idenë kryesore të poezisë: Krishti kryqëzohet vetëm në tokë.

3. Ekzistencializmi nuk është thjesht një ide; ai ndjehet në çdo varg, i lidhur ngushtë me realizmin magjik dhe simbolizmin. Çdo varg pasqyron vuajtjen, sakrificën dhe kufizimet e jetës. Në vargun: “Krishti prapë mund të vihet në kryq e mund” ndjehet cikli i pashma-ngshëm i vuajtjes, tema qendrore e ekzistencializmit. Realizmi magjik e bën këtë të prekshme: kryqëzimi ndodh, edhe kur duket i pamundur, duke tejkaluar kohën. Vargu: “Njerëzorë jemi, tepër njerëzorë” shpreh pranimin e kufizimeve njerëzore dhe ngrohtësinë e pranisë së tyre. Tensioni i brendshëm e bën hapësirën të gjallë, të ndjeshme. Vargjet: “Të fitojmë, pra, Tokën, / Të fitojmë prapë hallin, vuajtjen, ankthin tonë” shprehin pranimin e plotë të jetës tokësore. Realizmi magjik e pasuron me imazhe të papritura: derrat zhgërryhen në ujë perlash, një puthje fluture mund të ndryshojë fatin. Kjo bën që lexuesi të ndiejë brishtësinë dhe forcën e çdo çasti.

4. Simbolizmi ndriçon tek Krishti, jo si shpëtimtar hyjnor, por si shenjë e vuajtjes universale: “Krishti kryqëzohet vetëm në tokë.” Ai bashkëjeton me elemente magjike: fluturimi, vendi nën Hënë, zhgërryera e derrave. Këto elemente e bëjnë përvojën njerëzore të thellë, ngrohtë dhe të prekshme. Vargu: “Në tokë… të fitojmë tokën” tregon ndërthurjen e tre rrymave: realizmi magjik hap mundësi, ekzistencializmi nxjerr pranimin e vuajtjes, dhe simbolizmi i jep Krishtit kuptim të thellë.

Në këtë botë poetike, realizmi magjik dhe rrymat moderniste ndërthuren natyrshëm. Lexuesi ndjen jo vetëm çudinë e botës, por dhe peshën e ngrohtësinë e përditshmërisë, ku çdo çast i vogël merr dritë dhe kuptim.

IV – Magjia dhe tokësorja nw një dialog i brishtë.

Poezia e Bejkos na fton të ndalojmë në heshtjen e saj, të ndjejmë dridhjen e jetës dhe të vëzhgojmë sesi magjia dhe tokësorja ndërthuren si dy hemisfera që përplasen në një çast dritëhije. Nuk ka këtu fluturime utopike, por ndjesinë e brendshme të njeriut që përjeton dhimbjen, sakrificën dhe pakësinë e shpresës. Realizmi magjik nuk udhëheq rrëfimin, ai shërben si një dritëz mbi modernizmin, duke krijuar një hapësirë ku jeta ndriçohet pa u shpëtuar nga tokësorja.

1.Realizmi magjik nuk është ikje nga realiteti. Ai është një aromë e lehtë, një qetësi që hap dritën e brendshme të përjetimeve njerëzore. Elementet magjike -fluturimi, karroca me flatra, kufiri i dritës, puthja fluture helmuese -nuk ndërtojnë një univers tjetër, por i japin realitetit një shkëlqim vezullues:

“Prekëm në kufirin e dritës / në fërfëllimën që ndan hemisferat…” Ky është fillimi i udhëtimit poetik: jeta nuk zëvendësohet nga magjia, por shihet më thellë. Çdo figurë magjike lind nga dëshira për lehtësim mes barrave:

“Ndodh: dhe në ujë perlash mund të zhgërryhen derrat.”

Fluturimi dhe karroca me flatra nuk janë ikje, por reflektim i shpirtit që kërkon pak lehtësim. Realja dhe magjika ndërthuren, duke krijuar një ekuilibër të hollë midis brishtësisë dhe mundësisë.

2.Modernizmi i Bejkos i jep poezisë trup dhe dridhje të ndjeshme. Ai bën të prekshme dhimbjen dhe përjetimin e jetës tokësore:

a. Ekspresionizmi tregon plagën e hapur të njeriut:

“Të fitojmë prapë hallin, vuajtjen, ankthin tonë.” Këto fjalë nuk janë thjesht metaforë, por përfaqësojnë përvojat universale të jetës, lexuesi i kupton si thirrje për të fituar jetën në çdo hall dhe sfidë.

b. Ekzistencializmi i kthen sytë tek vetja:

 Vargu: “atë rënien në truallin e fillimit, rënien që nga barku i nënës.”nuk është thjesht figurë poetike, por një reflektim mbi ciklin e jetës dhe përballjen me kufizimet njerëzore.

c. Simbolizmi hap horizontin e së paarritshmes:

Vendin diku, pak sa një gisht nën Hënë, vend që nuk zbret kurrë tek ne të gjallët.” Ky vend nën Hënë është shpresa e pamundur, që gjithsesi mban shpirtin gjallë. Krishti këtu nuk është vetëm shpëtimtar qiellor, por simbol i sakrificës dhe vuajtjes universale, duke e lidhur tokësoren me të shenjtën në një përvojë të prekshme.

3.Poezia tregon njeriun që ëndërron fluturimin, por gjithmonë rikthehet në tokë. Kjo tregon se shenjtëria nuk është ngritje mbi realen, por të qëndrosh mes njerëzve, mes sakrificës dhe vuajtjes së përditshme:“Por… hap-mbyll sytë, prapë ramë në tokë” dhe “Në tokë… të fitojmë tokën.” Përsëritja e tokës nuk është rastësi; ajo thërret lexuesin të kuptojë se nuk ka vend tjetër ku mund të bjerë. Krishti nuk zbret në qiell, por në tokë, te njerëzorja. Poezia lë një të vërtetë të madhe: “Njerëzorë jemi, tepër njerëzorë…”

4.Realizmi magjik dhe modernizmi bashkohen: modernizmi ndërton zemrën e poezisë, ndërsa realizmi magjik i vendos mbi të një qendër drite, që tingëllon si ëndërr, por dhemb si jeta.

Mesazhi thellohet përmes ndërthurjes së tokësores dhe magjisë. Çdo element magjik -fluturimi, karroca me flatra, puthja fluture helmuese - nuk e largon njeriun nga jeta e përditshme, por i jep kuptim dhe ndjeshmëri vuajtjes, sakrificës dhe lumturisë së vogël. Realja bëhet e çmuar sepse magjia e ndriçon, dhe magjia bëhet e prekshme sepse lidhet me tokën.

Në fund, Bejko nuk jep mësim; ai hap një dritare për të kuptuar jetën. Magjia nuk është arratisje, por një mënyrë për të ndjerë brishtësinë dhe bukurinë e përditshmërisë. Tokësorja është ajo që na mban, na formon dhe i jep peshë çdo ëndrre, çdo ngritjeje dhe çdo rënieje që përjetojmë.

V- Risitw dhe vlera poetike e Sadik Bejkos.

Poezia e Sadik Bejkos sjell një freski të veçantë në letërsinë shqipe. Ajo nuk mbush me fjalë të largëta ose metafora të stërholluara; risi qëndron te mënyra se si Bejko bashkon magjinë me të përditshmen, duke e bërë ndjesinë e jetës më të prekshme. Realizmi magjik kthen vuajtjen njerëzore në një dritë të lehtë mbi hapësirën poetike, ndërsa elementet e modernizmit i japin poezisë trup dhe tingull të gjallë. Figura si fluturimi, karroca me flatra dhe vendi nën Hënë shprehin dhimbjen, shpresën dhe përplasjen e njeriut me kufijtë e jetës, duke ruajtur lidhjen me tokën

1.Risia fillon me zhvendosjen e Krishtit nga qielli në tokë. Bejko e rikthen figurën hyjnore në truallin e njeriut, aty ku dhimbja është konkrete. Nuk ka solemnitet fetar, as ironi; Krishti bëhet simbol i përvojës njerëzore, jo objekt debati apo metaforë e largët. Kjo është risi, sepse në poetikën shqipe figura hyjnore zakonisht trajtohej si simbol i largët ose metaforik, ndërsa këtu bëhet pjesë e përditshmërisë njerëzore: “Krishti kryqëzohet vetëm në tokë.”

2. Magjika e përdorur nga Bejko nuk është fantazi, por një fashë drite mbi realitetin e rëndë. Qysh në fillim: “Prekëm në kufirin e dritës/ në fërfëllimën që ndan hemisferat …” Ky çast nuk zëvendëson jetën, por e thellon perceptimin e saj. Fluturimi dhe karroca me flatra janë reflektim i shpirtit që kërkon lehtësim, ndërsa realja dhe magjika ndërthuren si dy kënde të së njëjtës hapësirë. Risia qëndron tek forma dhe funksioni i realizmit magjik: nuk krijohet një botë tjetër, por magjika shërben si dritë që ndriçon relievin e hapësirës poetike, duke bërë të prekshme tensionet dhe dhimbjen e brendshme të njeriut.

3. Poezia lëviz mes çudirës dhe zhgënjimit, mes dritës dhe tokës. ‘Karroca me flatra te këmbët tona’ ndiqet nga rënia: ‘Por… hap-mbyll sytë, prapë ramë në tokë.’ Ky ritëm pasqyron frymëmarrjen e njeriut, duke bashkuar realizmin magjik me ndjeshmërinë njerëzore. Risia qëndron tek kombinimi i realizmit magjik me ritmin e ndjeshmërisë njerëzore, duke e bërë poezinë të natyrshme dhe të prekshme.

4. Risia qëndron te thjeshtësia me të cilën shpreh të vërtetën. Në këtë poezi ku qarkullojnë hemisfera, drita, rënie, Krisht, tokë dhe fluturime, Bejko përmbledh gjithçka me një ton të qetë: ‘Njerëzorë jemi, tepër njerëzorë…’ Kjo është risi, sepse vjen pa patetizëm, pa artific, por me një gjuhë që prek direkt lexuesin. Një gjuhë që nuk kërkon madhështinë - ndonëse saktësisht kështu e arrin atë.

Poezia “Krishti kryqëzohet vetëm në tokë” përfaqëson një vlerë të veçantë në krijimtarinë e Sadik Bejkos dhe një pasuri të rëndësishme në poetikën shqipe. Ajo ndërthur magjinë dhe tokësoren, ku realizmi magjik si një “fashe drite” ndriçon relievin e hapësirës poetike, ndërsa modernizmi, ekzistencializmi, ekspresionizmi  dhe simbolizmi i japin trup dhe ndjeshmëri emocionale. Kjo poezi tregon përvojën njerëzore në të gjitha dimensionet e saj: dhimbjen, sakrificën, përballjen me kufijtë e jetës tokësore dhe pranimin e saj. Në këtë mënyrë, Bejko ndërton një ekosistem poetik ku lexuesi ndjen jo vetëm magjinë e botës, por edhe peshën e përditshme të jetës, duke e bërë këtë krijim një vlerë të re dhe të qëndrueshme në poezinë shqipe.

Sarandë, prill 2024-dhjetor 2025

 

 

Krishti kryqëzohet vetëm në tokë

 

Prekëm

në kufirin e dritës,

në fërfëllimën që ndan hemnisferat, hapësirat -

në të fluturimit teh të paprekshëm.

 

Ëndrash e kishim ditur, turbull  pandehur, këtë çast

fare, fare të largët :

Vendin diku, pak sa një gisht nën Hënë,

vend që nuk zbret kurrë tek ne të gjallët.

 

Por ndodhi. Çasti u ndal, ra si

karroca me flatra te këmbët tona :

- Ejani, ejani të fluturojmë, tha.

(Barëra të shpresës sonë kaq të forta

ende lopët s’u patën ngrënë!?)

Le të ngjitemi, tha,

pak, fare pak gjer aty… nën Hënë.

 

Ç’ mund të ndodhë

e mund të mos ndodhë

kur me një të puthur fluture helmuese

prek në kufirin fërfëllues

që i ndan më dysh hemisferat?

Bota bëhet tjetër,

Ndodh: dhe në ujë perlash mund të zhgërryhen derrat.

 

Por… hap-mbyll sytë, prapë ramë në tokë.

S’qenkësh gjë,

s’paskësh qenë gjë ai vendi i një gisht nën-Hënës.

Të fitojmë, pra, Tokën,

Të fitojmë prapë hallin, vuajtjen, ankthin tonë,

atë rënien në truallin e fillimit,

rënien që nga barku i nënës.

 

Në tokë… të fitojmë tokën.

(Krishti prapë mund të vihet në kryq e mund).

Njerëzorë jemi, tepër njerëzorë…

…s’është më, nuk është

ai vendi sa një gisht nën Hënë,

dikund...

 

Nga libri “Letër Hamurabit”

Wednesday, 3 December 2025

 

 

 

POEZIA E STINËVE QË JETOJNË BRENDA NJË STINE

 

Nga Timo Mërkuri

Poezia “Pashmangshëm” e Albina Idrizit hap një derë drejt një bote të brendshme ku çdo ndjenjë ka zërin e vet dhe çdo mendim gjen formën e lëvizjes. Ajo na shpie në atë territor të heshtur ku njeriu përpiqet të kuptojë veten përmes ndryshimeve të ditëve, të stinëve të shpirtit, dhe të rrjedhës së kohës që s’pyet askënd. Vargjet e saj na i sjellin me delikatesë ritmet e përditshmërisë së brendshme, etjen që na shtyn të kërkojmë e të njohim, dhe peshën e lehtë por të pandalshme të asaj që nuk shmanget dot. Në këtë udhëtim të qetë e të thellë, lexuesi gjen një copëz prej vetes, të strukur mes fjalëve që tingëllojnë si një kujtim i largët dhe si një e vërtetë e afërt njëkohësisht.

I- Në zemër të poezisë rri një estetikë që rrjedh butë, siç rrjedh uji i qetë që mbledh brenda vetes dritë e hije. Figuracioni i Albina Idrizit nuk qëndron veçmas, por lidhet si një trup, ku simboli, metafora dhe personifikimi ndërthuren për të ndërtuar një botë të brendshme ndjesish e meditimi. Në çdo varg ndihet një pulsim i lehtë, një trokitje e jetës së brendshme, ku stinët, hapat dhe çastet që treten i kthehen gjuhë intimes së njeriut.

1. Stinët shfaqen menjëherë si metaforë e asaj shumësi të brendshme që secili prej nesh e mban në vete. Vargu “kaq shumë stinë / brenda një stine” është një hapje që të mbërthen, sepse ajo stinë e vetme nuk është më vetëm kohë; është shpirt, mbingarkesë emocionesh që ndërrojnë qiell nga mëngjesi në mbrëmje. Poetja e njeh këtë lëvizje të pandalshme të njeriut, këtë “larmi që shton kërshërinë”, si një brendësi që nuk rri kurrë e shurdhët, pse imazh ngrihet mbi poezinë si një ylber i hollë, që i jep vargut dritë, hapësirë dhe një shkëlqim të brendshëm meditativ. Ajo na kujton se njeriu nuk ecën drejt një vijë të drejtë; ai është një hartë që ndryshon mot pa pushim.

2. Lëvizja pa cak shndërrohet në një figurë të ekzistencës që thith e shtyn njëkohësisht. “Më dehin hapat që s’ndalen / pa mbërri gjëkund” është ndër vargjet më të gjalla të poezisë, sepse këtu hapat nuk janë më veç lëvizje fizike, ato janë ritmi i brendshëm i një kërkimi që nuk mbaron. Këta hapa nuk synojnë arritje, nuk njohin destinacion; ato ekzistojnë për vetë lëvizjen. Ky varg është si një spirancë që e lidh poezinë me rrymat ekzistencialiste, duke i dhënë tekstin një thellësi të qetë. Ekzistenca del përpara si një rrugëtim i qetë, pa pikë mbërritjeje, një lloj endjeje që të mban gjallë edhe atëherë kur s’ke asnjë arsye të qartë për të vazhduar.

3. Më pas vjen filozofia e shuarjes së butë: gjithçka “avullohet në hiç gjë”, dhe kjo tretje e heshtur ka një bukuri të vetën, të dhembshme por të sinqertë. Poetja nuk dramatizon; ajo vëren se gjërat humbin pak e nga pak, si avull që ngjitet dhe zhduket para syve. Këtu shfaqet një lloj qetësie që e pranon përkohshmërinë pa u dorëzuar para saj. Është ajo mësuesja e jetës që të mëson të vësh re vdekjet e vogla që ndodhin çdo ditë, gjëra që brenda ditës treten e nuk kthehen më.

4. Kureshtja, ajo forcë e brendshme që të rrotullon pa pushim, shfaqet si një qenie më vete. “Kureshtja që ushqen veten / me veten e saj” është një imazh i bukur e i vërtetë për mendjen që nuk gjen paqe. Ajo s’të çon në përgjigje, përkundrazi, të krijon një etje të re. Ashtu si uji i kripur që s’të shuan etjen, pyetja sjell pyetje të tjera, misteri zgjat misterin. Figura e kureshtjes i jep vargut një ndriçim të brendshëm; ajo hap një dritare të re në poezi, një dritë të pastër që e bën tekstin të marrë frymë.Dhe njeriu, me gjithë lodhjen e tij ,  nuk e ndal atë etje.

5. Vijueshmëria (Tërkuza) e mendimeve të çon në një zbritje të thellë, në ato hone të kohës ku mendimi nuk është më fluturim, por rrëshqitje poshtë. “Tërkuzë e mendimeve / të zbret… honeve të kohës / thellë e më thellë / si gojë lubish.” Koha këtu ka formën e një humnere që të thith butë, pa të trembur, por edhe pa të liruar. Ka një frikë të hollë, të matur, që nuk e pushton njeriun, por e shoqëron. Njeriu e di se po zbret, por shpresa e vetme është të mos përplaset.

6. Po aq e qetë dhe e pashmangshme shfaqet edhe prania e vdekjes. Tek vargjet: “O mort qesëndisës, si ta di se fitoret e mia të vogla nuk janë tjetër pos armët tua që vrajnë më ngadalë” vdekja nuk është një bishë që kërcënon; ajo është një hijë që të sheh me sarkazëm, një shoqe ironike që e di se çdo fitore e jona është thjesht një hap drejt saj. Nuk ka dramë këtu,  ka vetëm një pranimi të heshtur të së vërtetës që njeriu e ndien, por rrallë e thotë me zë.

“Pashmangshëm” është një poezi e butë në mençuri dhe e thellë në heshtjet e saj. Flet për ciklet brenda njeriut, për ecjen që s’ndalet, për kureshtjen që rrit etjen, për ato gërryerjet e vogla që sjell jeta dhe për vdekjen që ecën pranë nesh jo si makth, por si një shoqe e pashmangshme. Dhe në fund, na kujton me atë varg të thjeshtë e të bukur “më dehin hapat që s’ndalen / pa mbërri gjëkund” se ndoshta jeta nuk është një garë për të arritur diku. Jeta është vetë ecja, vetë etja, vetë kërshëria që s’na lë të flemë brenda nesh.

II – Poezia e Albina Idrizit nuk bën zhurmë për të treguar risinë, por e sjell atë me qetësi të brendshme: një bashkim organik midis filozofisë intime, intimitetit të përditshëm dhe një gjuhe që rrjedh natyrshëm ndërmjet të dukshmes dhe të padukshmes. Risia e saj nuk qëndron te tronditja, por te mënyra si ajo ndërton heshtjen, etjen, humbjen e kureshtjen si dukuri poetike që flasin me butësi, me njerëzi dhe me një tis të brishtë poetik. Ajo krijon një mënyrë të re të të menduarit poetik: të thellë, por të kapshëm; filozofik, por të ngrohtë; modern, por i rrënjosur në përvojën e zakonshme të njeriut. Ndërsa lexon, ndjen se poezia nuk imponon, por ndez brenda, ngadalë, si një dritë që ngrihet prej zemrës.

1.Në këtë poezi, risia shfaqet qysh te filozofia e përditshmërisë. Çastet e zakonshme nuk trajtohen si thjesht imazh estetik, por fitojnë peshë filozofike. Tek vargu:

“Se cimbisjet e çasteve të zgjuara

s’janë veç erozione tebdile

që gërryejnë pahetueshëm.”

poetja tregon se humbjet e vogla, ndryshimet e padukshme të përditshmërisë, nuk janë të parëndësishme, por formojnë strukturën e brendshme të jetës. Kjo është një risi sepse në poezinë tonë filozofia nuk trajtohet gjithmonë në këtë nivel njerëzor dhe të prekshëm; Idrizi e bën të duket e afërt, e pranueshme, jo e largët dhe abstrakte. Këtu metafora rrjedh si një rreze e zbehtë dritë, që e ndriçon poezinë pa e tronditur, duke i dhënë një butësi të thellë njerëzore.

2.Një tjetër risi është mënyra si poetja sjell kureshtjen si energji poetike. Ajo nuk drama-tizohet , nuk është një shqetësim, por bëhet një lëvizje e brendshme që ushqen shpirtin:

“E shtohet kureshtja

që ushqen veten

me veten e saj.”

Kjo është risi sepse tek kjo kureshtje nuk ka ankth apo tension dramatik; ajo është një “fuqi e heshtur” që rrit etjen për të kuptuar. Vetë-riciklimi i mendimit, që ushqehet me vetveten, bëhet motor i jetës së brendshme, një mënyrë e natyrshme për të ndjerë dhe për të menduar, ku pyetja bëhet më e rëndësishme se përgjigja.

3.Risi tjetër shfaqet te kozmologjia e brendshme e stinëve, ku pluraliteti i brendshëm nuk është konfliktual, por rrjedh qetë: “Kaq shumë stinë / brenda një stine.” Idrizi përdor stinët jo si zbukurim, por si strukturë filozofike që tregon se njeriu nuk jeton një kohë të vetme, por disa kohë njëherësh. Kjo është një qasje e re, sepse trajton fragmentimin shpirtëror jo si rrëmujë, por si një cikël natyror dhe i butë: pranvera, vera, vjeshta lëvizin brenda një dite, duke krijuar një univers të brendshëm që ndryshon pa ndërprerje.

4.Metaforat e rrjedhshme janë gjithashtu një risi. Ato nuk kanë skaje të forta; rrjedhin si ujë, avullojnë si ajri, dhe krijojnë një lëvizje organike të mendimit dhe ndjesisë: “si ujët e kripur / që shtojnë etjen.” ku poetja tregon se sa më shumë kupton, aq më shumë rritet etja për të panjohurën. Metafora nuk është thjesht figurë stilistike, por mekanizëm filozofik: njohja të rrit etjen, dhe etja është frymëmarrja e shpirtit.

5.Një veçori e rrallë është trajtimi i vdekjes. Ajo nuk paraqitet solemnisht dhe e rëndë, por si partner dialogu, pothuaj miqësor, si një “mort qesëndisës”:

“O mort qesëndisës,

si ta di se fitoret e mia të vogla

nuk janë tjetër pos

armët tua që vrajnë më ngadalë.”

Kjo është risi sepse vdekja nuk frikëson, por bëhet pjesë e jetës poetike; ajo e shndërron tragjiken në dialog të heshtur e të butë, ku ironia nuk pushon dhimbjen, por zvogëlon madhështinë e saj dhe e bën të pranueshme.

6.Së fundi, risi është edhe toni i ngrohtë meditimor, që ruan fytyrën njerëzore. Poezia është filozofi me zemër njerëzore, një risi e qartë dhe dalluese. Ajo flet për humnerat e kohës, zhdukjet e heshtura dhe vdekjen pa dramatizim, duke e bërë filozofinë të afërt dhe të ndjerë: “më dehin hapat që s’ndalen / pa mbërri gjëkund.” Ky varg përmbledh thelbin e poezisë: jeta nuk është udhëtim drejt një destinacioni, por vetë ecja, vetë kërshëria, vetë etja që nuk shuhet brenda nesh.

“Pashmangshëm” është një poezi që nuk ngre tonin e saj, por hapet ngadalë si dritare që lejon të hyjë aq dritë sa mund të përballojë zemra, një poezi që rrjedh  qetë dhe ëmbël, si vetë kërshëria që s’na lë të flemë brenda nesh.

III-Titulli i poezisë nuk është thjesht një fjalë e hedhur në krye të vargjeve, por një ftesë e butë dhe e ngrohtë për të hyrë në botën shpirtërore të poezisë. Ai paralajmëron lexuesin se ajo që do të vijë më poshtë nuk është një “ecje”  e nxituar, por një udhëtim i kujdesshëm dhe i ngadalshëm në labirintin e ndjesive. Me një fjalë të vetme, poezia ngre një tingull filozofik që nuk të shpejton, por të fton të ndalesh, të ndjesh dhe të mendosh. Ky titull i shkurtër, i prerë, mban brenda vetes një dramë të qetë njerëzore dhe hap poezinë si një portë që fton përbrenda, jo drejt një dhome të zakonshme, por drejt një të vërtete të thellë dhe të padalshme.

1.Fjala “pashmangshëm” shfaqet tek lexuesi si një pranueshmëri e qetë e jetës. Nuk është dorëzim, por një njohje e natyrshme e rrjedhës së saj. Lodhej, kërshëria, pasiguria dhe zhgënjimi nuk duken si aksidente të rastësishme, por si pjesë e frymëmarrjes së përditshme, si elemente që japin ritmin e jetës. Kjo kuptohet qartë te vargjet:

“Më dehin hapat që s’ndalen

pa mbërri gjëkund.”

Këtu na tregon se ecja nuk është zgjedhje; ajo është detyrim. Lëvizja nuk është triumf; është një ritëm i brendshëm që nuk pyet, por shpreh një të vërtetë njerëzore. Pikërisht kjo e bën pashmangshmërinë të duket e natyrshme, njerëzore, e prekshme.

2.Titulli shërben si çelës i të gjitha imazheve të poezisë. Stinët që ndryshojnë brenda një stine, hapat që nuk pushojnë, honet e kohës që hapen si gojë lubish, erozionet e çasteve- të gjitha këto janë shpjegime të gjera të një fjale të vetme: pashmangshmëri. Kur poezia thotë:

“Si ujët e kripur

që shtojnë etjen,”

ajo tregon se edhe kur kërkojmë qetësi, gjejmë një etje të re; edhe kur arrijmë një përgjigje, lind një pyetje tjetër. Ky cikël i pandalshëm, i ëmbël dhe i hidhur njëkohësisht, përmbledhet nga një fjalë kaq e thjeshtë, por që mbart brenda vetes gjithë kompleksitetin e jetës.

3.Tensioni i brendshëm i njeriut që kërkon dhe humbet shfaqet që në titull. Brenda fjalës “pashmangshëm” jeton një tension i fshehtë: ne kërkojmë kuptim, por e dimë se çdo kuptim është i përkohshëm; ne ecim, por e dimë se ecja nuk na çliron nga rrjedha e kohës. Vargjet e shprehin këtë qartësisht:

“Tërkuzë e mendimeve

të zbret, sa të mos përplasesh

honeve të kohës

thellë e më thellë

si gojë lubish.”

Pra, mendimet zbresin vetëm për të zbutur rënien, jo për ta shmangur atë. Edhe kjo është pjesë e asaj që jeta nuk e lejon të anashkalohet, pjesë e pashmangshmërisë që çdo njeri e përjeton.

4.Filozofia e poezisë përmbyllet duke u kthyer tek titulli. Vargjet e fundit e shpalosin këtë në mënyrë të qartë, ku edhe fitoret, edhe ato të voglat, marrin një nuancë të dyshimtë:

“Si ta di se fitoret e mia të vogla

nuk janë tjetër pos

armët tua që vrajnë më ngadalë.”

Lexuesi këtu kupton se edhe drita ka hijen e saj, edhe triumfi ka plagën e vet. Ajo që na shtyn përpara është njëkohësisht ajo që na gërryen. Dhe kjo është pjesë e pashmangshmërisë : ajo është thelbësore, e pashmangshme, e pakthyeshme.

Në thelb, titulli “Pashmangshëm” nuk është thjesht një emër në krye të poezisë. Ai është porta ku ka hyrë gjithë filozofia e vargjeve. Përmes një fjale të vetme, poezia hap derën e një të vërtete njerëzore: përpjekjet, lodhjet, kënaqësitë dhe zhgënjimet tona nuk na çojnë jashtë rrjedhës së kohës, por na fusin më thellë në të. Ky pranim i butë, i hidhur dhe i bukur njëkohësisht, është thelbi i poezisë së Albina Idrizit

IV- Poezia rrjedh larg rrëfimeve lineare dhe skemave të parashikueshme; ajo hapet si një labirint i brendshëm, ku ndjesitë, imazhet dhe fragmentet e kohës shfaqen njëra pas tjetrës, jo gjithmonë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por gjithmonë me kuptim dhe tension të brendshëm. Modernizmi i saj nuk është thjesht një formë e jashtme; ai është një përjetim i gjallë i botës dhe shpirtit të njeriut. Stinët që shumohen brenda një stine, hapat që nuk ndalen pa mbërritur askund, honet e kohës, çdo figurë shërben si dritare në shpirtin e njeriut, duke treguar mënyrën se si jetojmë dhe përjetojmë pashmangshmërinë e gjërave.

1.Poezia është ekspresioniste në mënyrën se si tregon ankthin e brendshëm, presionin e kohës dhe dridhjen që ajo lë mbi mendje dhe shpirt. Tek vargjet:

“Tërkuzë e mendimeve

të zbret, sa të mos përplasesh,

honeve të kohës

thellë e më thellë

si gojë lubish,”

ndjejmë një peshë të vazhdueshme të kohës, që gërryen gjithçka, por edhe një meditim të butë mbi rrjedhën e saj. Modernizmi shfaqet këtu në lirinë e rrjedhës së imazheve, pa skaje të ngurta. Ky imazh është një spirancë poetike që e tokëzon tekstin në ekspresionizëm, duke e lidhur përjetimin me dridhjen e brendshme të kohës. Vargjet rrjedhin si mendime të tërthorta, si një përzierje e kujtimeve dhe ndjesive që ndjekin ritmin e brendshëm të njeriut.

2.Në të njëjtën kohë, poezia është ekzistencialiste, sepse paraqet tensionin e njeriut mes përpjekjes dhe pashmangshmërisë. Çdo hap, çdo mundim dhe çdo fitore e vogël bart hije humbjeje, siç duket qartë te vargjet:

“fitoret e mia të vogla

nuk janë tjetër pos

armët tua që vrajnë më ngadalë.”

ku modernizmi bashkohet me filozofinë e jetës: çdo përpjekje njerëzore është e përkohshme, çdo triumf  afron njeriun më shumë drejt kuptimit të ekzistencës. Nuk ka dramë të shtirë, nuk ka skenar të detyruar; ka vetëm përjetim të sinqertë, që jep thellësi dhe ngjyra të gjalla për jetën dhe përpjekjet e njeriut.

3.Simbolika është një mënyrë tjetër ku modernizmi dhe filozofia ndërthuren. Vargjet: “E shtohet kurreshtja që ushqen veten me veten e saj”shprehin një cikël të brendshëm të pashmangshëm, ku kërkimi ushqen vetveten, por gjithashtu krijon lodhje dhe tension. Stinët, erozionet, honet dhe morti qesëndisës nuk janë vetëm figura dekorative; ato janë shenja të ekzistencës, të përjetimit të njeriut që ndjen kohën, lodhjen dhe zhdukjen e çdo çasti. Modernizmi shfaqet jo vetëm në mënyrën se si janë ndërtuar figurat, por edhe në mënyrën se si ato shërbejnë për të ndjerë shpirtin e njeriut, tensionin e tij dhe paqëndrueshmërinë e çasteve.

4.Në këtë poezi, modernizmi nuk është vetëm një element stilistik për bukuri; ai është rrugë për të kuptuar njeriun dhe botën e tij. Filozofia nuk shfaqet si abstraksion; ajo shfaqet si ndjesi e thellë dhe përjetim i drejtpërdrejtë: “më dehin hapat që s’ndalen pa mbërri gjëkund.”

Ecja pa destinacion nuk është e kotë; ajo është mënyra se si njeriu përjeton kohën, veten dhe pashmangshmërinë. Çdo hap bëhet reflektim mbi jetën dhe mënyrë për të kuptuar se sa i prekshëm është çdo çast.

V – Si funksionojnë figurat në shtresimin e poezisë së Albina Idrizit?

Poezia e Idrizit nuk ndërton imazhet duke renditur figura të veçuara, por duke i vendosur ato në një marrëdhënie të gjallë me njëra-tjetrën. Simboli ndez dritën e vet të parë, metafora zgjeron këtë dritë në hapësirë, personifikimi i jep frymë dhe lëvizje, ndërsa krahasimi e zbret idenë në një tokë të prekshme. Nga ky bashkëveprim lind një imazh që nuk është thjesht pamje, por një gjendje e tërë, një trup ndjenjash dhe mendimesh që e bart lexuesin përtej fjalëve. Kështu, figura nuk mbetet kurrë e izoluar: ajo bashkëjeton me figurat e tjera, i përgjigjet dhe i kundërpeshon, duke krijuar një organizëm poetik ku secila shtresë i jep ngjyrë dhe thellësi shtresës tjetër. Ky ndërveprim i jep dritë poezisë, një dritë të butë që shpërndahet si një ylber i brendshëm mbi strukturën e vargut. Kështu, poezia ndërton jo thjesht një tablo, por një botë ku lexuesi mund të hyjë dhe të ecë përmes imazheve që rriten, zmadhohen dhe marrin formë falë këtij ndërveprimi të heshtur mes figurave.

1.Simboli i stinëve dhe metafora e larmisë shfaqin zemrën e brendshme që nuk pushon së ndryshuari. Vargu: “Kaq shumë stinë brenda një stine”vendos simbolin themelor të poezisë. Stina shndërrohet në një gjendje të brendshme, në ndryshime shpirtërore që ndodhin brenda një jete të vetme, ndonjëherë edhe brenda një dite. Ky simbol nuk qëndron vetëm: ai bashkëvepron me metaforën e: “ndaj më josh larmia që shton kërshërinë” ku ndjenja e shumëfishtë e stinëve bëhet lëvizje, ngjyrë dhe puls i shpirtit. Simboli i stinës “hap derën” metaforës së larmisë dhe bashkë ato krijojnë imazhin e një njeriu që ndryshon pandalë, kërkon dhe nuk gjen qetësi, sepse koha brenda tij lulëzon dhe vyshket njëkohësisht. Ky ndërveprim formon imazhin e shpirtit të shumëngjyrtë.

2.Metafora e hapave dhe krahasimi i ujit të kripur shfaqin kërkimin që ushqen etjen. Vargu:“më dehin hapat që s’ndalen pa mbërrri gjëkund”paraqet lëvizjen e njeriut si një ecje të pafund të brendshme. Hapat nuk janë fizikë; janë dëshirat, pyetjet, përpjekjet që të marrin frymën. Kjo metaforë bashkëvepron me krahasimin: si ujët e kripur që shtojnë etjen” krijon një imazh të dyfishtë: njeriu ecën, kërkon, dhe në vend që të shuajë etjen për kuptim, ajo rritet edhe më shumë. Kështu, vargjet: “e shtohen caqet pafund nga hapat pandalë / si ujët e kripur që shtojnë etjen” bashkojnë dy figura për të formuar një imazh të plotë, prekshëm dhe njerëzor, duke dhënë ndjesinë e kërkimit të pafund dhe lodhjes së shpirtit.

3.Personifikimi dhe krahasimi shfaqin kohën si forcë grabitqare. Vargjet:“honeve të kohës / thellë e më thellë / si gojë lubish”janë pika ku figura dhe imazhi bashkohen fuqishëm. Personifikimi i kohës – hone që të tërheqin – ndërvepron me krahasimin “si gojë lubish”, duke i dhënë kohës trup, dhëmbë dhe rrezik. Kohës i jepet një fuqi heshtur grabitqare që rritet ndërsa njeriu mendon se po ecën përpara. Ky varg krijon një imazh të frikshëm: koha nuk është më abstraksion, por një qenie që të përpin. Ky imazh përçon thelbin e poezisë: rënien e pashmangshme në humnerën e kohës.

4.Erozioni i çasteve dhe tallja me mortin shfaqin shkatërrimin e heshtur dhe ironinë e fundit. Vargjet:“Se cimbisjet e çasteve të zgjuara / s’janë veç erozione tebdile / që gërryejnë pahetueshëm” paraqesin ndërveprimin e figurave:

a.Metafora e “erozioneve tebdile” tregon rrëshqitjen e kujtimeve dhe plakjen e jetës.

b.Folja “gërryejnë” i jep kohës një forcë mekanike, shkatërruese.

c.Fjala “cimbisje” shton element emocional, një dhimbje të imët që e bën këtë erozion të prekshëm.

ç.Më pas ndërhyn personifikimi i drejtpërdrejtë: “O mort qesëndisës” ku morti merr zë, humor të zi dhe ironi; ai sheh njeriun të gëzojë fitore të vogla, por di se çdo fitore është vetëm një hap drejt tij. Ky ndërveprim – erozioni i kohës dhe tallja e mortit – krijon imazhin e jetës që shkrihet, ndërsa fundi e ndjek me buzëqeshje të ftohtë.

5.Imazhi i madh i poezisë është rezultati i bashkëveprimit të të gjitha figurave. Ky imazh i madh vulos thelbin filozofik të poezisë: “si ta di se fitoret e mia të vogla / nuk janë tjetër pos / armët tua që vrajnë më ngadalë”. Ai nuk është një objekt i vetëm, një pamje konkrete, por rezultat i ndërveprimit të figurave: simboli i stinëve që shfaq ndryshimet brenda shpirtit, metafora e hapave që tregon kërkimin e pafund të kuptimit, krahasimi i ujit të kripur që tregon se çdo përpjekje shton etjen, personifikimi i kohës që e shndërron në forcë grabitqare, metafora e erozionit që shfaq shkatërrimin e heshtur të çasteve dhe personifikimi i mortit që vendos ironinë e pashmangshme të fundimit.

Kur këto figura lidhen dhe ndërveprojnë, ato krijojnë një imazh të vetëm: një trup poetik që paraqet jetën si një ecje e pashmangshme drejt thellësive të kohës, ku çdo fitore njerëzore tretet dhe çdo çast humbet nën ndikimin e kohës dhe vdekjes. Ky imazh i madh bëhet perceptim i plotë i jetës dhe i pashmangshmërisë së saj, ku secila figurë i shton një shtresë tjetër kuptimit dhe ndjenjës: simboli ndez, metafora thellon, krahasimi konkretizon, personifikimi i jep trup dhe lëvizje, ndërsa ironia e mortit i mbyll ciklin e pashmangshmërisë.

VI –Qysh në fillim të kësaj poezie, ndihet se Albina Idrizi i drejtohet lexuesit me një ton të qetë, të ngrohtë dhe të butë, plot dhimshuri – si një mësuese që shëtit me nxënësit pas mbarimit të shkollës, dhe u flet atyre pa ndjenjë autoriteti, por me një dashamirësi e ngrohtësi prindërore. Në këtë poezi, Idrizi nuk predikon dhe nuk udhëzon; ajo ecën me lexuesin hap pas hapi, duke ndjerë së bashku etjen e shpirtit, frikën nga humbja dhe dëshirën për të kuptuar botën përmes rrjedhës së saj të brishtë. Përmes fjalëve të saj, lexuesi nuk merr përgjigje të thjeshta, por ndjen praninë e një njeriu që jeton dhe vuan së bashku me kohën, me një ngrohtësi që mbështet dhe qetëson.

1.Brendësia e njeriut është një mozaik stinësh, ku secila ndjenjë ka hapat dhe ngjyrat e veta. Idrizi e shpreh këtë qartë në vargun: “Kaq shumë stinë / brenda një stine”. Këtu, ndryshimet e brendshme nuk janë dobësi, por pasuri, një larmi ndjesish që ndërthuren dhe formojnë shpirtin e shumëngjyrtë. Ky imazh poetik të fton të pranosh lëvizjen dhe ndryshimin si pjesë të natyrës njerëzore.

2.Ecja ka vlerë më të madhe se destinacioni, ndaj dhe hapat që nuk mbërrijnë askund nuk janë humbje, por përjetim i gjallë: “më dehin hapat që s’ndalen / pa mbërri gjëkund”.

Lexuesi kupton se rëndësi ka të ecësh; përpjekja vetë është akti i jetës. Çdo hap, edhe kur duket i humbur, ushqen shpirtin dhe formon rrjedhën e brendshme të ekzistencës.

3.Çdo gjë zhduket dhe ndryshon, si avulli që shkrin në ajër: “si gjithçkaja / avullohet në hiç gjë, / para syve të mij”. Idrizi na fton të pranojmë ritmin e botës dhe të mos trembemi nga humbja, sepse ajo nuk është fundi, por pjesë e rrjedhës së brendshme, një çlirim i lehtë që i jep frymë mendjes dhe shpirtit.

4.Kureshtja është zemra e të jetuarit, ushqim i vazhdueshëm i shpirtit: “E shtohet kurreshtja / që ushqen veten / me veten e saj”. Këtu kuptojmë se njeriu nuk është krijesë që gjen gjithmonë, por që kërkon gjithmon sa më tepër mëson dhe di. Çdo pyetje sjell një tjetër, dhe pikërisht kjo lëvizje e pashtershme i jep kuptim jetës.

5.Tërkuzat (litarët) e mendimeve që të zbresin thellë – “honeve të kohës / thellë e më thellë”  nuk janë armike, por rrugë për t’u njohur me vetveten. Ato të çojnë në thellësi, por nuk të humbin. Idrizi tregon se është normale të humbasësh në labirintet e brendshme; e rëndësishme është të ecësh me kujdes dhe ndërgjegje. Mendimi bëhet udhërrëfyes që të ndihmon të kuptosh kohën dhe veten.

6.Ritmi i heshtur i shkatërrimit, i paraqitur tek: “cimbisjet e çasteve të zgjuara / s’janë veç erozione tebdile / që gërryejnë pahetueshëm”, tregon se çastet e mira treten pak nga pak, por jeta nuk ndalet. Humbjet e vogla gërryejnë, por nuk shkatërrojnë jetën. Idrizi flet për pranimin e humbjes si pjesë natyrale e ekzistencës, duke dhënë lexuesit një ndjesi qetësie dhe maturie për ritmin e jetës.

7. Ndërsa prania ironike dhe e hidhur e vdekjes shfaqet tek: “O mort qesëndisës” dhe tek vargu: “si ta di se fitoret e mia të vogla / nuk janë tjetër pos / armët tua që vrasin më ngadalë”. Vdekja nuk godet papritur; ajo sheh, pret dhe i jep kuptim çdo fitoreje të vogël. Idrizi e shndërron këtë prani në një mesazh të bukur dhe shumë njerëzor: jeta bëhet më e çmuar sepse çdo çast dhe çdo fitore janë të rrjedhshme dhe të lidhura me pashmangshmërinë e kohës. N jë përfundim të tillë e jep vetëm një njeri me një përvojë të gjatë jete ose me një shikim apo vëshgim të thellë të saj. Idrizi ka provuar se zotëron të dytën.

 

Sarandë, nëntor 2025

 

Pashmangshëm

 

Kaq shumë stinë

brenda një stine,

ndaj më josh larmia

që shton kërshërinë,

më dehin hapat që s'ndalen

pa mbërri gjëkund,

të harroj vazhdimisht

si si gjthçkaja

avullohet në hiç gjë,

para syve të mij.

 

E shtohet kurreshtja

që ushqen veten

me veten e saj,

e shtohen caqet pafund

nga hapat pandalë,

si ujët e kripur

që shtojnë etjen.

 

Tërkuzë e mendimeve

të zbret, sa të mos përplasesh,

honeve të kohës

thellë e më thellë

si gojë lubish.

 

Se cimbisjet e çasteve të zgjuara

s'janë veç erozione tebdile

që gërryejnë pahetueshëm.

 

O mort qesëndisës,

si ta di se fitoret e mia të vogla

nuk janë tjetër pos

armët tua që vrajnë më ngadalë.


 

LEXIMI I GJËMËS SË HESHTJES

 

Nga Timo Mërkuri

Te poezia “Gjema e heshtjes” qysh në krye vetë titulli të tërheq vemëndjen pse  është i tillë   bart peshën e një poeme të tërë, madje lexuesi mediton mbi titullin para se të shkojë te vargjet. Në dukje është një përplasje mes dy nocioneve që nuk ecin bashkë: gjëma - një shpërthim i dhimbshëm zëri, dhe heshtja, një mungesë e plotë e tingullit. Rrustemi i vendos bashkë qysh në titull, duke na ftuar në një territor ku ndjenjat flasin jo me zë, por me dridhje të brendshme.

Fjala “gjëmë” në traditën shqiptare nuk lidhet vetëm me tingullin e fortë. Ajo shënjon një tragjedi, një vdekje të rrëndë që të shkatërron shpirtërisht dhe riti mortor mer formën e vajtimit me gjëmë, me klithje të forta dhe vajtoret ose vajtorët i shoqërojnë këto me gjeste vetëndëshkuese, si çjerrja e fytyurës, shkulja e flokëve, rahja e gjoksit, përplasja e kokës nëpër muret e shtëpisë. Është një ritual I ardhur nga hershmëria e kohës, por që ka egzistuar dhe në kohën tonë në gjithë trevat shqiptare, me pak ndryshime.

I-Sigurisht që në poezi, gjema s’është fizike, nuk është britmë që del jashtë trupit,  nuk është gjest vetë ndëshkimi, por gjithsesi është një goditje e fortë brenda shpirtit. Në poezi gjëma ka natyrë ekzistenciale: është ai moment kur njeriu sheh se dashuria nuk vjen, ai tretet në pritje dhe heshtja rritet si mal ndërmjet dy njerëzve të dashuruar . Vetë poeti e thekson këtë tronditje të brendshme te vargu: “Gjema e heshtjes përbrenda godet” Kjo fjali i jep titullit  vërtetësinë: gjema nuk dëgjohet,pse është e heshtjes, por ndihet deri në thellësi të shpirtit.

1. Heshtja te Rrustemi nuk është boshësi, por qenie. Ajo troket, ecën, prek, godet. Pra, titulli paralajmëron një rigjallërim të heshtjes si person, si energji që merr fuqi mbi dy dashuritë. Vargu: “Qenieve tona të palëvizshme / vetëm heshtja troket” qartëson  se heshtja është personifikuar në varg, ka marrë rolin e njeriut, dhe pikërisht tek kjo gjallëri që nuk flet, që nuk ka zë, ndodh përplasja me “gjëmën”.

2. Artistikisht, titulli është një oksimoron i butë, një bashkim i dy ekstremeve për të treguar paradoksin e dashurisë së munguar: ajo ka zhurmë të madhe brenda nesh, por jashtë shfaqet si heshtje. Kështu titulli bëhet çelësi i poezisë, të tregon se drama më e madhe nuk bërtet, por hesht. Në aspektin filozofik, ky bashkim i skajshmëve shkon drejt ekzistencializmit: njeriu përballet me boshësinë, me mungesën, me vetminë. Dhe aty, në heshtje, ndodh gjema më e dhimbshme.

3. Në nivel imagjistik, “gjëma e heshtjes” krijon një figurë të rrallë: shfaq në imagjinatë një shpërthim klithmash që nuk  çajnë ajrin, por çajnë brendinë e njeriut. Kemi  qenë të pranishëm nëpër morte të rënda ku më të moçmit u thoshnin të afërmve të të ndjerit: qaj që të lehtësohesh, mos e mba me zor, dhimbja ska burrëri. Njeriu përjeton një dridhje të padukshme, që sjell një stuhi, brenda në kraharor. Ky imazh përbën bazën e gjithë poezisë, sepse të gjitha vargjet e tij janë përpjekje për ta kuptuar këtë shpërthim të heshtur.

Thamë që ky titull është tepër i spikatur, po pse është i tillë?

Sepse ai jep gjendjen që do zotërojë në çdo varg para se poezia të fillojë, një farë situate të dendur me re të zeza para stuhisë. Edhe sepse e përmbledh dramën e dashurisë që nuk shprehet, por ka lenë plagë. Sepse e ngre heshtjen në qendër, jo si mungesë fjale, por si forcë që lë gjurmë.

Në këtë titull, Sabit Rrustemi arrin të kapë thelbin e një përvoje njerëzore universale: shpërthimet shpirtërore që nuk dëgjohen, por na gërryejnë. Dhe e thotë me dy fjalë, që të ndiqen pas me një tingull të brendshëm që nuk tretet lehtë: gjëma dhe heshtja; dy fjalë që këtu dashurohen dhe përplasen njëkohësisht.

II-Sabit Rrustemi i ka kushtuar shumë vargje dashurisë, por çuditërisht  dashuritë e tij nuk kanë një adresim personi fizik: ai nuk I këndon të dashurës, ai I këndon dashurisë. Ai i këndon dashurisë si fat, si rreze që i bie shpirtit dhe i hap brenda nesh haapësira që nuk i njihnim. Tek ai, dashuria është një klimë, një gjendje, një udhë e përhershme dhe e brishtë, ku njeriu ecën i vetmuar por i gjallë.

Është e veçantë kjo poezi dhe në stilin e tij të të shkruarit të poezive të dashurisë pse në këtë poezi, ai i këndon heshtjes së dashurisë, një heshtjeje që nuk e shuan ndjenjën, por e shndërron atë në gjëmë të brendshme, në dhimbje, në plagë..

1. Poezia nis me një lëvizje të butë, pothuaj të turpshme, si e një djaloshi pa përvojë:

“E pres a nuk e kam ftuar

rrugën deri tek unë

me dashuri e ka të shtruar.”

Në fakt, kjo rrugë nuk është vetëm një hapësirë mes dy njerëzve; është një kujtim, një brengë, një shteg që vjen vetë, sepse dikur është hapur me dashuri. Poeti e pret edhe pa ftuar, sepse dashuritë e vërteta nuk I fton dhe as ato nuk presin ftesa, ato vijnë vetë kur duan. Kjo fillon me një frymë që të prek shpatullën lehtë. Ka një dorë të ngrohtë brenda  pritjes. Dhe rruga e shtruar me dashuri të kujton një të vërtetë që e dinë vetëm ata që kanë dashur fort: rrugët që i kemi hapur me zemër nuk mbyllen kurrë.

2. Poeti vazhdon me një dyshim që na e ka njohur jeta:

“Nuk më ka ftuar a më pret

dashuria akoma e etur mbet.”

Shihe sa bukur e thotë “dashuria e etur”. Jo njeriu, jo zemra e tij, por vetë dashuria është e etur. Kjo e bën poezinë të marrë frymë vetë, si një qenie që ndez e fik dritë brenda nesh. Ka dashuri që ikin, por mbeten të etura. Ka njerëz që s’na presin më, por ndjenjat që kemi ndjerë për ta na presin akoma. Ka puthje që nuk i kemi dhënë, por ato nuk vdesin në harresë. Kjo është tragjedia: ndjenjat nuk ikin me njerëzit, ato mbeten në ne dhe kërkojnë ujë, frymë, një fjalë, një rikthim të pamundur. A nuk e ndjeni: poezia ngjan si një gjendje ku dashuria vazhdon të kërkojë diçka që askush më s’e jep.

3. Në poezi heshtja është personazhi i tretë që hyn mes dy njereëzve që dashurohen Poeti thotë:

“Qenieve tona të palëvizshme

vetëm heshtja troket

e… nuk pëlcet.”

 

Këto “qenie të palëvizshme” janë dy zemra të sfilitura, që as nuk afrohen, as nuk ikin. Ato rrinë ashtu, duke pritur që diçka të ndodhë. Dhe ç’ndodh në fakt? Troket heshtja.

Heshtja është më e rëndë se fjalët e ashpra, më e ftohtë se refuzimi. Ajo të vret ngadalë, si një erë që nuk fryn, por thyen dritaret. Poeti nuk e ngjason apo përafron heshtjen me asgjë, e lë të zhveshur, duke na treguar se ajo vetë është ngjarja.

E nuk pëlcet” ky është fati i heshtjes: kjo frazë përmbledh brenda vetes gjithçka që s’u tha, por nuk shpërthen kurrë jashtë. Kjo është gjëma e marrëdhënieve që nuk flasin.

4. Vargu më i fortë emocional vjen papritur, si një rrufe e heshtur: “Gjëma e heshtjes përbrenda godet.” ndonëse s’ka ulërimë Ky varg në vetvete është një plagë e hapur. Gjëmën e kemi dëgjuar dhe gjestet e saj I kemi parë, por kjo është gjëmë që nuk dëgjohet dhe as shihet. Ajo është vajtimi që s’ka zë, goditja që nuk lë shenjë jashtë, por përplaset në brendësinë tonë. Unë ju them se në dashuri, nuk të vret zhgënjimi; të vret heshtja që mbart zhgënjimin.Nuk të vret fundi; të vret mosfolja, heshtja para fundit. Ky varg krijon një filozofi të thellë: gjithçka që nuk themi, na godet më fortë.

5. Diku nga fundi, poeti kthehet në udhëkërkim, në vetmi, në pasiguri:

“Ec e dije tash

në cilën pjesë të globit u fshehe Ti

apo vetja ime ku u tret.”

Këtu plotësohet rrethi i poezisë. Poeti nuk di më kush u fsheh. A ishte tjetri që iku, apo ishte vetë ai që u tret në heshtjen që krijuan bashkë? Dashuria e përbashkët shpesh shndërrohet në një humbje të dyanshme. Në fakt,humbja është  labirinti ku humbet tjetri dhe humbet vetja. Dashuria ska humbje të njëanshme, në dashuri humbasin të dy. Vargu ka një brengë të thellë: ç’është më e rëndë në dashuri: të mos e dish ku iku tjetri, apo të mos e dish ku humbe vetë?

6. Fundi është i qetë, por pikërisht për shkak të kësaj qetësie është i dhimbshëm: “Gjëmën që e ndollëm askush s’e vret.”ku poeti pranon se gjëma është e përbashkët. Ajo “u ndoll”, pra ngjau prej të dyve. Nuk ka fajtor.Por pikërisht mungesa e fajtorit e bën dhimbjen më të rëndë. Çdo plagë që shkaktohet n ga jashtë trupit, një ditë shërohet. Por plagët e brendëshme mbeten. Heshtja e krijuar nga dy njerëz që janë dashur është më e pavdekshme se vetë dashuria. Kjo është nga ato poezi që nuk lexohen me sy, por me plagën që secili njeri ka, diku thellë, në vendin ku u ul heshtja e vet.

III-Sabit Rrustemi u përket atyre poetëve që i japin fjalës peshën e brendshme të njeriut, jo pamjen e saj të jashtme. Si pasojë,në këtë poezi, figurat artistike nuk janë zbukurime; ato janë shenja të jetës së brendshme, trokitje të padukshme që njeriu i dëgjon vetëm me zemër e shpirt. Çdo figurë, metaforë, simbol, bëhet pjesë e një udhëtimi që çon drejt pyetjes më të vjetër të njeriut: Ku jam unë në këtë ndarje mes dashurisë, vetes dhe heshtjes? Dhe përgjigjen le ta kërkojmë te figurat artistike dhe ndërveprimi i tyre.

1. Poeti e hap poezinë me një metaforë që e çliron dashurinë nga çdo trupësi: “E pres a

nuk e kam ftuar / rrugën deri tek unë / me dashuri e ka të shtruar” Këtu, “rruga” bëhet metaforë e rrugëtimit shpirtërore; nuk është një rrugë fizike, por udhëtimi që bën ndjenja për të gjetur zemrën. Dashuria “e ka të shtruar” rrugën, që do të thotë se ekziston një lidhje e pashpjegueshme mes dy qenieve, një magnetizëm i butë por i pandalshëm. Metafora shpall që dashuria është lëvizje e brendshme, jo takim i jashtëm.

2. Vargu:“Nuk më ka ftuar a më pret / dashuria akoma e etur mbet”e kthen “etjen” në simbol të një dashurie që nuk gjen plotësim. E tëra është një mungesë që rri pezull, një boshllëk që merr formë. Në këtë poezi, mungesa nuk është boshllëk, por qenie. Ajo rri aty, e heshtur, e etur dhe i jep kuptim gjithçkaje. Simbolika e etjes i jep poezisë dimensionin ekzistencialist: njeriu nuk e zotëron dot tjetrin, as ndjenjën; gjithçka është kërkim i pafund.

3. Në këtë poezi heshtja është protagonistja e vërtetë. Ajo personifikohet, merr trup, vullnet e veprim: “Qenieve tona të palëvizshme / vetëm heshtja troket / e … nuk pëlcet” Personifikimi është i fuqishëm: heshtja troket si një mysafire, rri në prag të dy qenieve, por nuk çahet, nuk plas (Fol aman se plasa – thotë një këngë popullore). Pra, ajo mbetet aty,  pafolur. Aji ( heshtja) nuk është  as boshësi dhe as mungesë e fjalës, por prani e rëndë, si një trup i errët mes dy shpirtrave. Kulmi i personifikimit vjen te vargu: “Gjëma e heshtjes përbrenda godet

Nuk habitemi pse  heshtja bëhet gjëmë. Një shpërthim i padukshëm. Një bubullimë që nuk ka zë. Poeti ka përmbysur kuptimet: zakonisht gjëma është zhurmë e tmerrshme, këtu është heshtja ajo që gjëmon. Kjo krijon tensionin ekzistencialist të poezisë: njeriu dridhet nga ajo që nuk e thotë dot.

4.Vargu: “Ec e dije tash / në cilën pjesë të globit u fshehe Ti / apo vetja ime ku u tret” krijon një imazh udhëtimi që nuk është gjeografik, por shpirtëror. Nuk pyetet vetëm ku është tjetri, por ku është vetja. Poeti ndërton një pasqyrë të dyfishtë: dashuria kërkon tjetrin, por ndërkohë humbet veten. Ky imazh i përhapjes mbi glob është metaforë e përhapjes së brendshme, e shpërbërjes së identitetit në mungesë të tjetrit. Këtu, ekzistencializmi hyn qetë, pa zhurmë, si një frymë: njeriu është ai që humbet veten duke kërkuar tjetrin.

5. Poezia mbyllet me një varg që ngjason si vulë filozofike: “Gjëmën që e ndollëm askush s’e vret.” Gjëma është e të dyve, është njuë bashkëkrijim, bashkëfaj, bashkëndjesi. Por njëkohësisht është e paarritshme nga jashtë. As bota, as koha, as tjetri nuk mund ta vrasë. Kjo e bën poezinë një akt ekzistencial: pasojat e brendshme janë të shenjta dhe të paprekshme. Ato jetojnë me njeriun. Mund të themi se  pikërisht në këtë “gjëmë të heshtur”, poeti  gjen zërin më të thellë të njeriut.

IV- Kjo poezi është e veçantë në poetikën shqipe, pse nuk e has shpesh: një shpërthim të brendshëm që nuk bërtet me zë, por pulson si gjëmim i heshtur në thellësi të qenies. Sabit Rrustemi arrin ta kthejë heshtjen; këtë boshllëk të padukshëm mes dy dashurive që kërkojnë njëra-tjetrën në një akt poetik të fuqishëm, ku fjala nuk bëhet qendër, por mungesa e saj. Për këtë poezi duhet të themi se pikërisht veçantitë e saj e bëjnë më të bukur dhe të adhurueshme, pse shumë prej nesh e kanë  përjetuar këtë gjëmë të heshtjes.

1. Veçantia e pare e poezisë qëndron te  dashuria e cila shfaqet  si udhë, jo si person. Poeti nuk i këndon personi fizik, as një fytyre, një syri apo një trupi. Ai i këndon vetë rrugës së dashurisë, asaj rruge që vjen edhe pa u ftuar: “E pres a nuk e kam ftuar / rrugën deri tek unë / me dashuri e ka të shtruar” Këtu e veçanta qëndron te mënyra se si poeti e zhvendos dashurinë nga një qenësi fizike në një energji të pavarur, që ecën vetë, që ka vullnetin e saj. Dashuria shfaqet si një udhëtare e heshtur që di gjithmonë të gjejë adresën e shpirtit. Është shumë e saktë kjo, apo jo?

2. Poeti nuk flet me të dashurën, por me mungesën e saj  dhe kjo e rrit peshën e vargut. Kjo mungesë nuk është thjesht një presje në kohë, por një gjendje ekzistenciale ku njeriu kërkon veten në tjetërsinë e tjetrit: “Ec e dije tash / në cilën pjesë të globit u fshehe Ti / apo vetja ime ku u tret” Këto vargje i japin poezisë dimensionin filozofik: kërkimi i tjetrit bëhet kërkim i vetes. Dashuria është pasqyrë e vetvetes, jo object që të ka humbur dhe mund ta gjesh diku.

3. Veçantia e tretë e poezisë është heshtja që bëhet protagonist. Në poezi fjalët janë të pakta, por heshtja është e rëndë. Rrustemi i jep trup heshtjes, e kthen në një forcë që troket, që godet, që dridh shpirtin: “Qenieve tona të palëvizshme / vetëm heshtja troket / e …nuk pëlcet” Në poezi  vetëm heshtja flet; njeriu është ai që hesht. Dhe në këtë përmbysje qëndron veçantia: poeti nuk i këndon as dhimbjes, as gëzimit, por një tensioni të padukshëm që lëviz në hije. Kulmi i kësaj veçantie është vargu që e mbyll poemën: Gjëmën që e ndollëm askush s’e vret.” Ky është një nga vargjet më të fuqishme të Rrustemit. Ai thotë se gjëma nuk është aksident i jashtëm, por një bashkëkrijim i të dyve dhe për këtë nuk ka dorë tjetri që ta fshijë, ta shuajë, ta zhbëjë. Është gjëmë e brendshme, gjëmë që jeton.

4. Dhe së fundi edhe një veçanti e përgjithshme: poezia është  e ngarkuar me brendësi, jo me dekor. Në një kohë kur shumë poezi i mbivendosin metaforat, Rrustemi zgjedh thjeshtësinë e përkorë: fjalë pak, kuptim shumë. Poetika e tij nuk ngrihet mbi bukurinë e jashtme të figurës, por mbi dridhjen e brendshme që ajo ndez. Veçantia e kësaj poezie qëndron te fakti se ajo nuk i ngjan një rrëfimi, por një fryme, një thirrjeje që nuk dëgjohet, por ndihet. Një poezia që të kthehet në gjoks si një rrahje e papritur. Dhe pikërisht në këtë heshtje të përbashkët, Rrustemi gjen zërin e tij më të fortë

V-Nga vetë fryma që ka, poezia: “Gjêma e heshtjes” hyn natyrshëm në dialog me poezinë moderne, sepse Rrustemi, ashtu si poetët europianë të shekullin XX, e zhvendos vëmendjen nga ngjarja te brendësia, nga rrëfimi te dridhja e shpirtit. Ai i jep zë një bote ku njeriu kërkon veten në mungesën e tjetrit, ashtu siç ndodh tek poetët e mëdhenj ekzistencialistë të Evropës.

Ka afëri me  Paul Celan-in në mënyrën si heshtja kthehet në trup poetik; një ngjashmëri me Rilke-n, ku dashuria nuk është person, por hapësirë e madhe shpirtërore që na tejkalon; dhe një prekje si ajo e Trakl-it, ku fjala bëhet hijë dhe hijet flasin më shumë se zërat. Poezia e Rrustemit qëndron pranë tyre jo se i imiton, por sepse përcjell të njëjtin drithërimë të thellë: njeriu që rrëzohet mbi vetveten, që pyet se ku u fsheh tjetri dhe ku u tret ai vetë. Vargu i tij modern është një dorë që zgjatet drejt kësaj tradite evropiane të brendësimit të ndjenjës.

Në këtë kuptim, “Gjêma e heshtjes” bëhet një urrë që e lidh poezinë shqipe me frymën moderne evropiane, me poetë që kërkonin zërin e njeriut në errësirat e heshtura të shpirtit, dhe ajo e bën këtë me sinqeritet, ngrohtësi dhe një dridhje të vetën.

 

Sarandë, nëntor 2025

 

 

 

 

 

𝗦𝗮𝗯𝗶𝘁 𝗥𝗿𝘂𝘀𝘁𝗲𝗺𝗶: 𝗚𝗷𝗲̈𝗺𝗮 𝗲 𝗵𝗲𝘀𝗵𝘁𝗷𝗲𝘀

 

E pres a nuk e kam ftuar

rrugën deri tek unë

me dashuri e ka të shtruar

 

Nuk më ka ftuar a më pret

dashuria akoma e etur mbet

 

Qenieve tona të palëvizshme

vetëm heshtja troket

e …nuk pëlcet

 

Gjëma e heshtjes përbrenda godet

 

Ec e dije tash

në cilën pjesë të globit u fshehe Ti

apo vetja ime ku u tret

 

Gjëmën që e ndollëm askush s’e vret.

 

(15 prill 2022 – 15 prill 2024 )