Thursday, 8 May 2014

Përsiatje mbi botën e ndjeshmërisë lirike



Përsiatje mbi botën e ndjeshmërisë lirike
“Anatomia e lotit” - Timo Mërkuri

Nga Zejnepe A. Rexhepi

Si një rrëfimtar të përjetimit dhe realitetit, ku e gjejmë tok, zgjuarësinë dhe magjinë e fjalës, e njohim poetin sarandiot, Timo Mërkuri..., vepra e të cilit përshkruan zbarkimin e dhembjes në tempullin e lotit. Ndërkohë që, vargu i tij, nuk përmban vetëm emocione poetike, por edhe frymëzime kulmore, ku shfaqet mjeshtëria e artit dhe intelekti prej studiuesi e njohësi të mirë të rrethanave psiko-sociale, politike, ekonomike, kulturore…, si përkalime, nëpër të cilat lë gjurmë vendbanimi i poetit - Saranda, dhe më gjerë, trevat mbarëshqiptare.
Timo Mërkurin, tani më, e njohim si autorë të dhjetëra veprave, duke ndeshur portretizimin e tij si: poet, novelist, mbledhës folklori, eseist… Një shkathtësi e konsoliduar, që kemi mundësi ta njohim më detajisht, edhe përmes Antologjisë poetike: “Anatomia e lotit”, ku janë përfshirë poezi-perla, nga të cilat njohim trazimin shpirtëror të derdhur në vëllimet: Bulevardi i dhimbjes” (2001), “Loti i detit” (2003), “Klithma e pulëbardhës” (2004), “Hëna e fëmijrisë sime” (2008). Janë libra që ngërthejnë mendime të koduara në thesarin e miteve dhe legjendave, që e ribëjnë vazhdimësinë e jetës, nganjëherë të konceptuar edhe si bulevard i dhembjes, kur autori pohon: “Dhimbja është banore e qytetit tim/në lagjen time e ka shtëpinë” (11).
Të nisësh leximin e antologjisë “Anatomia e lotit”, e ke të pamundur të mos ndalesh gjatë e vëmendshëm në Bulevardin e dhimbjes - vepër kjo që rezulton ta ketë rrjedhën nga një poezi me të njëjtin titull brenda librit, dhe si tematikë, sa për koiçidencë vjen mu kur jemi në prag të festës së Majit. “Në këtë Bulevard,/ku në skaj të pranverës/kortezhit të luleve u prijnë dy pëllumba të gurtë/që kanë parcelizuar jetën në trembëdhjetë vjet/këtu dhimbja ka një emër fëmije/dhe vdekja ka emrin shtet” (12). Dhembja e poetit ka një emër, është pagëzuar si identifikim i mërgimit dhe mërgimtarit... Në këtë linjë, edhe krahasimi me trëndafilen e bardhë dhe vajzat e mërguara, e përshkon mallin e poetit, e psherëtimat e tij bartin peshën e dhembjes: “...e te pragu i shtëpisë/një trëndafil i bardhë nusëron./...Por unë smunda ta këpus/se skam kujt tia dhuroj” (“Vajzat kanë mërguar”, 15). Kështu, as edhe një pranverë e vonuar nuk sjell dot behar, si te poezia: “Shtëpia e refugjatit të humbur” (16), aty ku “Konstandini” dhe “Plaka e Vurgut”, e ndiejnë deri në palcë dhembjen e zanafillës, gjë që e shtynë autorin të rrëfejë: “O, kjo shtëpi e vogël në Jug,/si një pikë loti nën qepallë,/është nga pak shtëpia e ne të gjithëve”. Pikërisht kjo shënon gurthemelin e zanafillës, teksa: “E para ishte fjala!/...dhe fjalë e parë është “vdekje”/Kështu u lexua ungjilli këtë pranverë/në qytetin tim”. Megjithëse, kjo është botë e trishtë, poeti, si në vargun përmbyllës të poezisë “Zanafilla” (21) sërish zotohet: “Unë do të shkruaj Ungjillin që flet për dashurinë”.
Më tej, poezitë: “Viti ’97”, “Skafi”, “Trishtim në Ksamil”, janë si të thuash Golgotha e jetës shqiptare të asaj dekade, por që gjurmët e së keqes i ka thellë e tutje larg, në mjerimin ekonomik që ndër dekada e shkaktoi komunizmi, në të vërtetë janë poezi ku ndihet pesha e kryqit të vdekjes dhe mbi të “një ëndërr e vrarë”. Përsëri rëndon keqas “Pranvera që nuk erdhi” e jeta mëkaton mbi vendbanimet, në të cilat e vetmja lëvizje është “Zgjerimi i varrezave të qytetit”, e atëherë si të frymojë “Fshati që vdes”…, dhe s’të mbetet gjë tjetër, veçse të thurësh “Ode për këtë liri”. Po një ironi therrëse krijojnë vargjet: “Sot për drekë kisha kokën e një miku të vjetër. *** Sa mirë dimë t’ia hamë kokën njëri-tjetrit” (33). Trishtim, vërtet i padurueshëm! E për t’i dhënë fund trishtimit për jetën, poeti kujton: “Janë të bukur trëndafilat/dhe kur çelin në ëndërr” (35). Këto çaste, të duket se merr udhë e flakëndizet dashuria e poetit tek: “Fjalë dashurie” (37) dhe pëshpërit me entuziazëm, ndonëse diskret e i përmbajtur..., shpejt po zvetënohet dhe ky i paktë mall, teksa vijon me “Lypësat në Sarandë”. Po vallë, nuk mori fund koha e mjerimit, apo poetët, në çdo kohë janë vrojtuesit më të vëmendshëm të situatave të tilla jetike?!

Vëllimi poetik Loti i detit, gjithashtu i përfshirë në “Anatomia e lotit”, përqëndrohet në domethënien e gjallërisë së jetës, mirëpo temë përzgjedhëse vazhdon të mbetet ajo e trajtura më lart. Të duket sikur thelbin e kësaj dileme e gjenë në vargjet nismëtare: “As sot s’erdhën djemtë nga kurbeti. As nesër s’vijnë. Nga lotët e derdhur është hidhëruar deti”. Plagë e moçme kjo, që në përkalimet kohore iu ndërrua vetëm emri: kurbet - mërgim, përndryshe ka të njëjtin mall e dhembje. Këtë, pa dyshim që e krijonte ambivalenca politike e kohës, që del si sajesë e ndërlidhjeve e ngjarjeve antagoniste prej një sistemi, në një sistem tjetër politiko-shoqëror.
Në këtë dhe ca përvijime tjera, Mërkuri ka gjurmuar mbi ca mjete poetike në lashtësi, në traditën shqiptare. Në poezinë: “Sofra” (41), do thoshim, kush më mirë se një sofër e pasqyron realitetin e jetës në shoqërinë shqiptare: edhe kur ajo dikur ishte përplot miq, e shtrohej me bukë, kripë e zemër, por edhe kur pasqyron vetminë trishtuese dhe pragjet e braktisura të shtëpive të Jugut..., që krijon ndërlidhje me dy poezitë tjera: “Deti i hidhëruar” (42) dhe “Edhe këtë vjeshtë” (43).
Me frymën e ngasjes së brendshme dhe ngashërimit frymëzënës, i këndon hapjes së detit dhe fluturimit të pulëbardhave (47), e ato gjithherë janë metafora e së bukurës së jetës..., për të bërë mbase një ndërhyrje të qëllimshme me triptikun kushtuar “Nitës!”. Ky përjetim dashurie me vashën e ëndrrave, nuk zgjat dhe aq, sepse vjen tronditëse “Pulëbardha në zhytje...” (47), të jetë një ëndërr “...apo është vajzë, kaq shumë e dëshpëruar saqë kërkon të mbytet?” Pse vallë...? Se akoma loti mbetet margaritar i syrit të vashës, gruas, nënës... Kjo mbështetje feministe, tregon qartë formimin intelektual e njerëzor të poetit, Timo Mërkuri, meqë brenga dhe mungesa e lirisë së femrës, për të, është si “Loti i detit” (53).

Kjo vepër të duket se ka një gërshetim ideor e tematik edhe me vëllimet: Klithma e pulëbardhës dhe Hëna e fëminisë sime, që të krijojnë imazhin e zgjimit kreativ mbi ca ngarkesa emocionale dhe estetike.   
 Vaji i poetit në poezinë: “I vetëm” (82)tingëllon kësisoj: “Jam vetëm. Vetëm-o/Pa një mik. Pa një ëndërr. Pa një shpresë./Më i vetëm se vetmia - nënë moj”. Malli për një humbje, dashuri, shpresë identifikon zërin poetik edhe në poezinë “Bungovilet e prera” (122). Më la mbresë shpjegimi, ku thuhej që këto bimë dekorative, nga vendet arabe, në Sarandë, i kishte sjellë Naim Frashëri, në kohën ku punonte në doganën e këtij qyteti.
Me mënyrën e veçantë të formësimit poetik, të lë mbresë: “Emri i lotit tim”, që ka për motiv trajtese Kosovën, plagën e arnuar ndër shekuj, dhembjen që nuk e treti as koha..., veçmas kur poezia mban shënimin, Sarandë 1999, vit që flet qartë për identifikimin kohor në lidhje me ngjarjet e kësaj periudhe. Dyzimi vëllazëror, poetit i jep të njëjtën dhembje, të njëjtën vuajtje... përderisa te “Mëria e monumenteve” (124), fuqishëm ngrihet simboli i madhështisë kombëtare. Ishte pra, koha e zgjimit të gjakut, ashtu sikurse edhe vargjet kushtuar Kosovës.
Vendlindja - Saranda si një teatër tradicional, ku vallëzonin nimfat, e dikur jeta në të, ishte behar i shpirtit poetik..., tani mbetur si një ishull, në vetminë dhe braktisjen e brezit të ri. Disa lidhje hierarkike ndërmjet thelbit tematik dhe shtojcave si nëntema periferike, e përvijojnë këtë vepër, ashtu sikurse qëndrimi i individit përballë procesit të migrimit që e shtynë autorin ta shprehë dashurinë për këtë truall, megjithëse jepet si formë mbizotëruese intelektuale e estetike. 
Në veprën e katërt “Hëna e fëminisë sime”, të antologjisë Anatomia e lotit, shfalos ndikimin psikosocial në poezi..., i prirë t’i perceptojë edhe hollësitë e kujtimeve të fëmijërisë… Po të ktheheshim në kohë, do të vrisnim mendjen nëse kishte kulturë elitare apo për këtë qartazi flasin peizazhet e pamjeve elegjiake të kohës mbi vendbanimin e Sarandës, që bukur përmblidhen në fare pak vargje në poezinë: “Ylli që po fle”. 
E sa për nivele të reja qytetërimi, zbrazen shtëpitë, braktisen dashuritë, zbehet tradita... Eh, sa plogështohet jeta! Nevoja e identifikimit të dhembjes, nuk ka tjetër gjuhë, përpos shpërthimit të lotit, anatomia e së cilës nuk dihet se kur u sajua, por gjithashtu, nuk dihet se kur mund të pushojë së ekzistuari!?
Koha e shpërbërjes së gjakut fisëror e ravijëzoi Anatominë e lotit dhe dhembjen e poetit si përvojë e realitetit të hidhur. Në poezinë “Në Butrint” të sajuar vetëm prej një tercine, shkruan: “E bukur është Artemisa, shumë e bukur/Po çfatkeqësi. U plak/Me buzë të paputhura”. E bukura vdes nën imazhe të shëmtisë që bredh rrugëve si padrone e pasfidueshme. Megjithëse, vargu i Mërkurit i nënshtrohet hullisë së funksionit estetik dhe ngrihet mbi dhembjen si nocion..., gjendja mendore e poetit kërkon një shprehje funksionale, në kërkim të një ideali pararendës, si dikur në fëmijërinë e tij. A nënkupton kjo, që i vjen fundi historisë së ideologjive, me tendencën e përcaktimit të normave të moralit, reagimit të logjikshëm, përderisa jeta përçudnohet me imazhe tjera, të pa imagjinuara më parë?! Në këto përzgjedhje poetike, ndjeshmëritë mbi realitetin e përcaktojnë antinominë letrare të Mërkurit, e pikërisht ndjeshmëria dhe vizioni mbi subjektin dhe konceptet ideale  shënon një model postmodern të poezisë.

Sunday, 27 April 2014

Lisat janë të ndryshëm...



Lisat janë të ndryshëm…
Nga cikli “Kur flasim për Artin Jonian”.
Nga Timo Mërkuri

1-Miq e shokë, apo dhe lexues të ndryshëm, shpesh më kanë bërë një pyetje, të cilës nuk i  kam dhënë një përgjigje të prerë. Ose më saktë, përgjigja që kam dhënë, nuk më ka bindur as mua, e jo më të pretendoj për  sqarim bashkëbiseduesin apo lexuesin.
Në pamje të parë, pyetja është e thjeshtë:- Ku ndryshon kënga iso-polifonike himarjote nga kënga iso-polifonike labe?
2-Por në se pyetja është e thjeshtë, e tillë nuk është përgjigja. Dhe kjo për faktin se, në pamje të parë, të duket sikur këto  dy tipe këngësh popullore nuk kanë ndonjë ndryshim thelbësor.  Në pamje të parë, tek të dy  tipet e këngëve kemi grupin iso-polifonik me marësin, hedhësin, kthyesin, mbajtësit e iso-s apo prerësin e këngës (këtë të fundit te grupi himarjot).Të dy tipet e këngëve kanë iso-n, si një qiell, në të cilën fluturon shqiponja e tekstit.  Dallimi mund të bëhet për nivelin artistik të tekstit, për vokalitetin e marësit, për  harmonizimin e mbajtjes së iso-s me elementët e tjerë të grupit (niveli artistik i marësit, aftësia e hedhësit etj etj), por përsëri këta elementë janë dytësorë. Edhe teknika e  të kënduarit e ndryshme, ku shpesh në këngën himarjote marësi  këndon vetëm një varg dhe te vargu i dytë futet  tërë grupi, teknikë kjo që dëshmon për vjetërsi (lashtësi) të tipit të këngës , ndërsa rëndom te kënga labe marrësi këndon  gati një strofë të tërë, por gjithnjë jo më pak se dy vargje, pra edhe  teknika (nqse do biem dakort që ta quajmë  me këtë emër  mënyrën e të kënduarit) nuk është thelbësore në dallimin e këtyre dy tipe këngësh.
3-Një analizë më vete kërkon në këtë rast  roli dhe mënyra e mbajtjes së iso-s, e cila te kënga himarjote është tejet e dallueshme nga iso-ja e këngës labe. Madje deri aty sa vetëm duke dëgjuar iso-n e dallon këngën në është himarjote apo labe.. Por paraprakisht unë dua tu them se as kjo nuk është dallimi thelbësor i këtyre dy tipeve të këngës sonë iso-polifonike.
4- Po të dëgjosh këngët labe, të duket se ecën në një fushë beteje, plot gjak e të vrarë shtrirë tutje tëhu, me plagë në ballë apo në  gjoks. Të duket se sheh një  grup luftëtarësh të cilët nxitojnë për në betejë, për të vrarë e për tu vrarë, ( Janinë te rrapi falë/vijnë shtatë pashallarë/ bien një zabit të vrarë/Smail Lesko Progonanë, etj etj) për liri( Çka që qan bimbashi ynë/qan për ixhixhi hordhinë/në Bezhan ja pren’ ja grinë/o Bezhan përmbi Janinë/të vijnë gjylet zinxhirë/treqint topa një të shtirë.., për kusari…( Për një dhi a për një cjap/ u shtri Zalua (i vrarë) në  rrap), apo dashuri (Nga muri do ngjitem/ta di se do vritem/me thika të pritem/me plumb të goditem).Madje edhe ftesa për  të ardhur në takim që djali i bën vajzës, bie si trumbetë lufte: Të më vish sonte në lëmë/eja vetëm pa tët ëmë…
Edhe logatjet kullojnë gjak (…Ku e ke moj tët vëlla/që ta therën porsi ka/porsi ka e porsi lopë/ja hodhën gjakun në gropë)
Gati çdo këngë është një lapidar për një të rënë, për një betejë apo për një beslidhje..
Vetkuptohet që ky tip teksti ka kushtëzime historiko-shoqërore dhe u bë mbizotërues në këto zona. Por unë nuk  mund të flas sot   në se ky tekst ka kushtëzuar melodinë  e këngës me një iso të fortë, gati standarte, me një marrës kënge që i deklaron vargjet e gjithë strofës me një tonalitet të lartë ( sikur lexon një komunikatë lufte).Unë mendoj se kjo duhet të jetë një arsye, sepse edhe melodia u motivua pikërisht nga këto kushte historiko shoqërore, ku në rradhë të parë, tejë vështirësisë së sigurimit të jetesës është edhe  okupimi turk, i cili  ra si një natë e zezë plot zezona mbi jetën shqiptare. Në këto kushte, kënga u motivua si  një mjet rezistence. Në qoftë se  popullsia ndëroi “kostumin” fetar, ajo mbajti shpirtin shqiptar. Dhe brenda këtij shpirti ishte kënga. E  revoltuar nga fatkeqësia kombëtare dhe individuale.
Melodia e këngëve labe dëshmon në çdo qelizë të saj forcën, qoftë kjo të tonalitetit muzikor të këngës apo të kolektivitetit muzikor të këngëtarëve. Me këtë këngë shkohet në luftë dhe fitohet  lavdia.
5-Po të shohësh këngën himarjote, të duket se jeton në një botë tjetër. Këngë plot finesë e delikatesë dashurie (Dil në penxhere/të të shoh një herë/ gati lutet djaloshi i dashuruar, larg çdo toni urdhërues që vajza ti vijë në lëmë pa nënën a babanë.
…. Vajz’ e valëve…këndon marrësi  një gjysëm vargu dhe  te gjysëm vargu tjetër futet i gjithë grupi…zemëra sja mban…mbi një gur anës së detit/qan e mjera,qan e shkreta, qan e zeza qan.
Po, tek kënga himarjote ka më shumë lot e dhimbje, brengë e derte, ka një botë shpirtërore  si te kjo këngë. Aty dhe natyra është aktive në jetën shpirtërore, edhe zogjtë e malit marin pjesë në dhimbjen njerëzore…Ju të bukur zogj, te ju kam një shpres’/ju që shkoni det e male/dua tju pyes…
E parë në këtë kontekst, kënga himarjote mund të perifrazohet si një rënkim apo lot shpirti. Aty ka më shumë dashuri dhe dhimbje magjie, ka më shumë ëmbëlsi e vuajtje shpirtërore.
Edhe këngët e luftës nuk kanë gjak (Nëntëqint e dhjetë viti/…than Himara krye ngriti/se çu ngre myteserifi/asqer nga Preveza ngriti/Himarës seç ja vërviti/Himar e zeza Himarë/ njëmijëedyqint këmbanë/çkini këmbana pse s’bini…
E pra, në këtë kryengritje himarjote është derdhur jo pak gjak, por e vetmja gjë që thotë autori është  pyetja rënkuese për  njëmijë e dyqint këmbanat që nuk po bien, ndonëse numëri i të vrarëve është jashtëzakonisht i madh.
Këngët e dashurisë janë një magji më vete. Vajza thirret me emra lulesh…O në të marça moj manushaqe/sdua doktor e ilaçe.., me emra qingjash e kecash lozanjarë…Tundu bejk e bardhë tundu/natënë me hënë duku….Shko moj shko kuac e kuqe/se dritën hënës ja zure/ lere hënën të ndriçojë…
..O shokë vdeksha nga kënga/në këngë të kthehet vaji… thotë një këngë pilurjote, duke  dhënë jo rastësisht elementin kryesor të këngës himarjote: origjinën e saj nga vajtimi, por edhe  faktin se teknikisht kënga iso-polifonike himarjote, me gjithë novacionin e saj nëpër  shekuj, përsëri është më afër burimit të origjinës, më pranë vajit. Teksti i shkurtër i marësit flet për një tip të  lashtë  të të kënduarit,. Ndërhyrja e hedhësit të  rrënqeth  si në vajtime.
Iso-ja është mrekullia e këngës himarjote. Ajo e pazvëndësueshmja, magjika, bota vetë. Deri aty sa  që,  kur ndërpritet iso-ja, të duket se ndërpritet ajri dhe të mehet fryma. Dhe është i burim lumturie momenti kur fryma të mehet nga dashuria. Të jetosh momente në këngën himarjote do të thotë të jetosh  vite në dashuri.
Himara nuk u pushtua nga turku. Ajo qëndroi aty, në breg të detit me shikimin dhe shpirtin në Europë, madje edhe djemtë e saj që nuk shkonin ushtarë te turku, bënin karierë ushtarake (dhe civile) në Venedik. Dhe kur vinin në atdhe, sillnin me vete, jo vetëm të rejat e shkencës civile e ushtarake, por edhe modën e finesën  europiane në jetën e vendit. Kjo bëri që në këngët himarjote  të ruhej finesa dhe  elegance e të shprehurit, madje edhe kur flitej për vdekjen. Duke dëshmuar në këtë mënyrë që kjo finesë dhe aristokratizëm ka qënë pjesë organike e jetës shqiptare.
6-Por a është vetëm faktori  “pushtues turk” faktori kryesor në këtë dallim të botës së këngëve iso-polifonike të këtyre dy trevave?
Për tju përgjigjur kësaj pyetjeje, le të hidhemi te një tjetër zonë e myslimanizuar, te krahina e Çamërisë. Madje krahina e Çamërisë, për disa arsye gjeografiko-historike u konvertua në një myslimanizëm më të ashpër se bektashizmi tolerant, që u instalua në labëri. Sipas llogjikës empirike duhej që këngët çame të kishim më shumë turqizime dhe gjakësime.
Por ja që realisht nuk ka ndodhur kështu. Këngët çame janë plot finesë dhe elegancë, me një nivel të lartë artistik, sa që çuditërisht kanë afërsi me këngët himarjote dhe jo me këngët labe, qoftë për nga teksti, qoftë për nga melodia.
…Barbaro vasiliko/ dhënt e mia kush i do/ se sjam i zoti për to/ se do loz me miken-o…
Një tekst fin, që stë thotë asgjë për turkun , ndonëse është këngë e ngritur në periudhën e pushtimit turk. Një melodi e denjë për tu shndruar në një hymn feste mbarëkombëtare.
Le të këndojmë bashkë këngën…Tumankuqe moj belhollë/ma bën me si, ma bën me dorë/…Te shtëpia me dërrasa/ dil moj kaleshë se plasa…
Vetëm fjala “tumankuqe”, fjalë që tregon veshjen dhe ngjyrën ( tumane të kuqe), që dëshmon indirekt ndërimin e “kostumit fetar”, të kujton diçka  turke.  Nazet e vajzave,      ( ma bën me sy ma bën me dorë) nuk kanë asgjë  nga bota turke, përkundrazi flasin për një shoqëri të civilizuar me femra të emacipuara.
Mbani vesh e dëgjoni këngën e një djali dashuri refuzuar tek rënkon…Trëndafil i bardhë/rënjëtë lejmua/ti çe deshe tjetrin/kur më keshe mua/me fanar në dorë/gjezgjis mahallanë/as u bëre diell/të ngrohje dinjanë/po u bëre shi/lage kasabanë…
Pavarësisht nga dhimbja që ndjen nga refuzimi apo braktisja , ai përsëri flet me dashuri për vajzën, duke gdhëndur për të një portret artistik të mrekullueshëm, madje deri aty sa që dhe ne që e lexojmë, ndjejmë admirim për këtë vajzë “trëndafil të bardhë” që “lagu kasabanë” me lotët e djemve. Nuk po shohim gjëkundi vargje të tipit…besëqënia më gënbjeu/më dha besën e ma ktheu/…që këndohet në labëri.
Le të shohim një këngë lufte, madje  një këngë për luftën e Bezhanit mbi Janinë, të cilën e cituam më sipër… Rapsodi çam këndon… Janinë motra Janinë/..Taborët (këtu, vullnetarët) e Vlorës vijnë/ për Bezhan e për Janinë/doli mileti i prinë/nuk e mbanin dot gëzimnë/ dridhej vendi në Janinë/ka muzikatë që bijnë..
Në se te kënga labe e mësipërme, edhe duke e lexuar tekstin, të vjen të ulësh kokën nga frika se mos  të zë ndonjë  gjyle, te kënga çame  këndvështrimi është krej tjetër, më jetësor, më optimist, më njerëzor.
E pra, në luftën e Bezhanit nuk u vranë vetëm lebër por edhe çamër, por ja që këndvështrimi i artistit popullor është i ndryshëm.
Që të flasim për melodinë  e këngëve popullore çame, duhet të flasim vetëm me nota muzike, sepse fjalët e shkruara  janë shumë prozaike për të pasqyruar atë magji muzikore, e cila vetëm jetohet dhe humb diçka kur tregohet.
Vetë tekstet e këngëve burojnë melodi, një melodi të ëmbël dashurie që të vjen ta lëshë mënjanë pushtën e jataganin, të brofësh në  rrethin e valles së vajzave dhe ti heqësh  shaminë nga koka vajzës që do, duke shpallur kështu botërisht dashurinë tënde.
7-Atëherë rikthehemi të pyetja e fillimit, por  me një formulim të ri  dhe pikërisht:
-Ku e ka rrënjën ndryshimi i këngës iso-polifonike labe me atë himarjote dhe afërsia e kësaj të  dytës   me këngën popullore çame.
-Kënga labe, nëpër rrugëtimin e saj pesëshekullor mbriti te  ne me shpatë e pushke në dorë, me devizën “Jemi zot të këtij vatani”
- Kënga  çame erdhi te ne tepër fine dhe elegante, për të  pranuar që kaloi nëpër kohën myslimano-pushtuese. Kjo epokë  okupues i ka hequr shumë vlera  këngës çame, dhe kjo është e kuptueshme, por me kaqë bukuri sa erdhi te ne, na bën të mendojmë se ka qënë shumë më fine dhe më elgante, shumë më shumë aristokratike në periudhën paraturke. I ranë shumë stoli rrugës pesëshekullore, i ranë diku “florinjtë e gushës” e diku “florinjtë e ballit”, por te ne mbriti me dritën  verbuese të  syve të saj, që reflektonin “florinjtë e shpirtit”  .  Dhe duhet të themi se me aqë sa mbriti te  ne, ishte tepër e bukur.
-Kënga popullore himarjote pati “privilegjin “ të mos  jetonte natën pesëshekullore turke. Te pragu i shtëpisë së saj vinte kjo natë, por nga dritarja hynte drita europiane. Në shpinë kishte natën por  në ballë i ndrinte  dielli.
Kështu që pati kohë të mjaftueshme për evolucion e “modernizim”.
Kënga popullore çame dhe kënga popullore himarjote kanë disa elementë të përbashkët, elementë shpirtërorë, që  janë shtylla vertebrore e tyre. Melodia  e ëmbël që buron nga çdo fjalë si mushti nga çdo kokërr rrushi, dhe lotët  e shpirtit që bien si meteorë mbi tekst e melodi. Shumë lule e pak lapidarë. Ndonëse luftën e kanë bërë  shpesh edhe më të ashpër se krahina e labërisë.
Mund të paraqesim shumë faktorë krahasues për të dëshmuar  ndryshimin apo  ngjashmërinë, por unë do ju ftoj në brigjet joniane. Dhe do tju them se edhe Himara edhe Çamëria janë krahina të brigjeve joniane. Aty është ajo që ne e quajmë “Bota Joniane”, aty lindën dhe u rritën Këngët Joniane.  Kënga himarjote dhe kënga çame janë liskëngë të Artit Jonian, në melodinë dhe tekstin e të cilave  dëgjon dhe jeton  zhaurrimën e valëve të detit dhe jetën e brigjeve detare joniane.  Ky është privilegji i tyre, që nuk e ka  Kënga labe, këngë e lindur dhe e rritur në male, që vërtitet mbi mendimet tona si një shqiponjë, duke e parë çdo gjë nga lart.
Me bindjen se …lisat janë të ndryshëm dhe llogjikën se….ndryshimi nis  nga rrënjët,  këtu duhet të fillojë analiza e arsyes dhe elementëve të ndryshimit të këtyre  këngëve iso-polifonike . Gjithashtu, te kënga popullore himarjote dhe çame (sigurisht dhe arbëreshe) duhet të fillojë dhe njohja e Artit Jonian.

Saturday, 15 March 2014

Shpërthimi poetik i Fatmir Terziut



SHPËRTHIMI POETIK I FATMIR TERZIUT


Nga Timo Mërkuri




Ka ca kohë që mbi  portalin “Fjala e Lirë”   ndrijnë një seri  poezish të Fatmir Terziut që kanë tërhequr vëmëndjen, jo vetëm të lexuesve por edhe të krijuesve dhe studiuesve të letërsisë..
1-Përgjithësisht Fatmir Terziu e ka përdorur portalin “Fjala e Lirë”  si një aerodrom, ku uleshin  krijimet e autorëve mbarëshqiptarë, ashtu siç ulen  në raste urgjence avionët nga një qiell me furtunë. Të gjithë ishin të mirëpritur në këtë portal, të gjithëve ju afrohej ndihmë e përkrahje, “riparim difektesh e karburant” për tu ringritur përsëri  në fluturim. Këtë fakt më së miri e ka shprehur poetikisht  Agim Mato te poezia e tij “Të gjesh një Terzi” dhe unë s’kam pse të zgjatem me tej. Ndoshta dhe për këtë arsye  të gjithë krijuesit shqiptarë  që kanë  “bujtur “ një herë në këtë portal , kanë ndjerë, jo vetëm detyrimin moral të mirënjohjes, por dhe dëshirën  për tu rikthyer te ky (aerodrom)portal me bindjen e sigurisë te  pistat e tij të fluturimit. Dhe në prag të rinisjeve, Fatmir Terziu, si përgjegjës i kullës së vrojtimit, i ka përshëndetur, jo  duke tundur një shami, shpalosur në një  lamtumirë, por duke i shoqëruar me një shkrim analize inkurajuese, si një avion ruajtës.  Niseshin krijuesit në “rifluturim” duke parë me bisht të syrit shkrimin-avionruajtës të Fatmirit dhe u shtohej besimi në vetvete. Dhe u pëlqente të riktheheshin përsëri, edhe si për të thënë që e kishin justifikuar atë besim dhe atë “ruajtje” që u ishte afruar te ky aerodrom.
Kjo është dhe arsyeja e një dendësie  shkrimesh dhe autorësh në këtë portal, sa që nuk arin ti  lexosh me vëmëndjen e duhur të gjithë dhe ndjehesh gjithnjë borxhli.
2-Por ka ca kohë që një bum meteorësh poetik me siglën Fatmir Terziu  ndrijnë në qiellin e këtij portali. Thua se  ka ndodhur një shpërthim kozmik dhe copat e meteorëve kanë mbuluar gjithë  hapësirën artistike.
Gjithmon Fatmir Terziu ka  patur një dëndësi shkrimesh, kryesisht në analiza e studime, gjë që dëshmohet edhe nga botimet e tij të shumta në këtë drejtim. Por këtë herë, ndonëse vijojnë shkrimet kritike e studimore, përpërësi kanë poezitë. Jo vetëm si numër, jo vetëm si tema por  në radhë të parë si art poezie. Aq sa ka ngjallur admirim jo  të pakët (nuk e kam fjalën vetëm te komentet e botuara), aq sa ka ndezur dhe debate, e pse jo, ngjallur edhe xhelozi. Por  në thelb, tej këtyre admirimeve dhe debateve duhet të themi se është bukur të jesh pranë kësaj hapësire artistike, mbushur plot meteorë poetikë.
3-Ky është vërtet një shpërthim, ashtu siç shpërthen edhe vullkani nga trysnia e magmës në brendësi të malit , duke  hedhur shkëmbinj të zjarrtë në të katër anët, para se të nisë të rrjedhë  shpateve llava  e ndezur.
Duhet të keshë zjarr në zemër që të ndezësh vargjet.
Duhet të keshë forcë në shpirt që të hedhësh copa zemre si meteorë në qiellin poetik.
Duhet të ketë një zjarr të madh dashurie poeti në shpirt, që të shpërthejnë krijimet  si llavë  apo të fluturojnë si shkëmbinj të ndezur vullkani në mënyrë gati të përditëshme.
Duhet të jetë djegur e përvëluar  shpirti i tij nga dhimbja që të flakë shkëmbinj e llavë dashurie në mënyrë kaq ritmike. Pa çka se kjo llavë është derdhur në formën e vargjeve.  Zjarri të djeg  njësojë edhe kur të vjen si flakë zjari edhe kur e shkel, si mbi prush të ndezur.
4-Të “ecësh” mbi këto krijime poetike të Fatmir Terziut është si  të ecësh në lëndinat e e rrethinave të Elbasanit në një ditë që ka shpërthyer pranvera luleshumë. Këtu një manushaqe të buzëqesh, aty një margarita të tund kokën. Zogjtë mblidhen e festojnë në korr…, e  kënga  e kumurive të mban në vend, ti hapësh rrugë pranverës që …nis nga Elbasani….
Sepse poeti edhe kur shkruan për Londrën, e sheh atë nga Elbasani. Edhe kur futet në arkivat europiane, niset nga Kalaja e Elbasanit. Hajket vajtojnë në Elbasan, sepse …ky qytet…ka puthjen e ëmbël të së dashurës..
I bukur ky shpërthim poetik i Fatmir Terziut.
Si të shpërthejnë njëherësh gjithë lulet e pranverës në udhëkalimin tonë.
Kaq shumë ëndra dhe dashuri ka patur në shpirt dhe na i hidhte  në portal, për të na pranveruar  ditët e dimrit.
Për ti marë me vete nga Fatmir Terzi Elbasanliu ashtu siç rimorëm nga Elbasani festën e Ditës së Verës
Për ti zbukuruar dhe ditët tona si Ditën e Verës në Elbasan.
Gëzuar Ditën e Verës Fatmir Terziu dhe faleminderit që na e bëre më të bukur.

Thursday, 6 February 2014

Lotët e kohës së gabuar



Lotët e kohës së gabuar

Shënime gjatë leximit të vëllimit poetik “Ujvara e syrit’’ të Zenepe A. Rexhepi

Timo Mërkuri 
 
Nuk e di pse ju riktheva leximit të vëllimit poetik “Ujvara e syrit” të Zenepe A. Rexhepit këto ditë dimri. Jo vetëm që ju riktheva leximit, por përtejë zakonit tim të “shkaravitjes” të librit me vijëzime të vargjeve e shënime anash fletëve, ritual që e kisha kryer qysh në leximin e parë, këtë herë vura mbi skrivani edhe një bllok shënimesh.
1-Vërtet që nuk e di saktë përse ju riktheva këtij vëllimi. Sepse të jem i sinqertë, nuk jam familjarizuar ende me stilin e të shkruarit që përdor, jo vetëm kjo poete. Një stil të shkruari, që mbart nëpër petalet e vargjeve, jo vesën e mëngjesit, por “flokë  të dëborës së  vjetëshme”. Duke u shndruar poezia vetë në  njëfarë “manushaqe e prillit në mes të dëborës”. Realisht, këtë stil e kam hasur te shumë autorë të trevave veriore e verilindore , përkatësisht në Kosovë e Maqedoni. Por vetëm stili, gjithsesi nuk e shpjegon rileximin. Edhe  fakti se  ndoshta e kam ndjerë  aromën e manushaqes së prillit tek  shpërthen nëpër flokë bore, për të mbritur tek unë, përsëri është pak. Po për këtë do të flasim dhe më von. Ndoshta arsyeja e rikthimit për rilexim mund të ishte edhe fakti     më kishin mbetur në kujtesë vargjet e mrekullueshme…Të prita mes letrash të padërguara /mes fjalësh të pathëna/…Si mall i pashuar të prita/si prekja e mëngjezit, si drita/ si ëndra e bukur plot shpresa/ si vetë dashuria, si jeta., vargje që më vezullonin  në kujtesë, herë si lotë shpirti  e herë si margaritarë ëndrash. Vargje që , të lexuara pas  vargut…U mplak dita në pritjen tënde … të mehin frymarjen e të çpojnë si teh  thike, për të të ngurtësuar, si nën shikimin e Meduzës, te vargu…I heshtur si varr qindravjeçar….(je ti). Majakovski kishte një  metaforë…I heshtur, si pulsi i të vdekurit…, por metafora e varrit qindra vjeçar është  gati e përtej kësaj bote, dhe këtë figurë veç një dhimbje e madhe mund ta krijojë. Një dhimbje që s’mund të jetë  thjeshtë  dhimbje e një dashurie të një vajze. Ajo mund të burojë te ujvara e syrit të saj, por faktikisht është grumbulluar nëpër shekuj në shpirtin e një kombi, ashtu siç grumbullohen rezervat ujore brenda malit nga shkrirja e borërave apo depërtimet e shirave të  furrishme…
2- Ndërsa po rilexoja poezitë  e vëllimit të “Ujvara e syrit” dhe po endesha nëpër labirinthet e  arsyes së rileximit, s’di pse  befas mu kujtua  shprehja e  Salvadore Quazimondo në Essen e tij të famëshme “Fjalë për Poezinë”, se…poezia është njeriu….Me këtë rast, duke menduar se …njeriu është jeta e tij…atëherë themi se …poezia është jeta e njeriut…
Po kush është njeriu poet, autor i këtij libri.
Në kopertinë ka një foto, ca data,  tituj e  vepra, por ky nuk është njeriu e ca më pak poeti. Unë nuk ja di fëmijërinë poetes, por unë di fatin e popullit  në moshën e fëmijërisë  së saj. Unë e di fatin e mëhershëm të popullit për të kuptuar gjithë këtë dhimbje, edhe në ato krijime që duhej të ishin plot dritë . Unë e kuptoj atë mplakje të ditës në pritje, e cila nuk vjen nga ndroja  e vonesës së njeriut të dashur në takim, ndroje që do ta kishte çdo vajzë e kësaj bote. Unë e di se ajo është  ndroja dhe ankthi i vajzës shqiptare në pritje,  që e ndjen se i dashuri, për të mbritur te ajo, do të kalojë shumë prita. Që nga pritat kanunore, nacionaliste, sociale e shoqërore, njëra më e rezikëshme se tjetra. Prandaj dita mplaket në  pritje…Lumi,eh lumi/ rrjedh si jetë e trazuar/../si balli i rudhur i Lokes /lodhur pritjeve /për birin,nipin/..ftesa për varin e panjohur/…ku tretet dashuria 
 3-Prandaj ka aqë shumë…lot e pritje amshimi/në kohën e gabuar…  Mendo pak, të jetosh a të dashurosh në kohën e gabuar. Ç’gjëmë më vete që është! Dhe  gjëmë më vete ka qënë fati e jeta e kombit.  Në këtë  gjëmë, shpirti i kombit farkëtoi armët e rezistencës dhe të egzistencës. E mes tyre edhe poezinë. Kjo, poezia,  ishte ndoshta shpikja  më efikase, sepse  ajo ishte bedena ballore e kështjellës të identitetit dhe gjuhës sonë, por njëherësh edhe sterna ujëmbajtëse në stinën e nxehtë të përplasjeve. Historia  e popullit u shkrua në  vargjet e rapsodëve, gjuha e kombit u mpreh nëpër bedenat e  këngës … Fryu murlani e ra shumë bore, madje edhe nëpër vargjet e këngës… tuj fry er e tuj ra bor/ mu ka ngri martina n’dor… , prandaj ato u mpakën, u mblodhën në vetvete. Madje..dhe koha të ngriu si vështrim i acartë.. Dhe erdhën pranë kohës sonë…, në çastin kur u shua kometa…me borë mbi supe dhe me …vaj në shpirt, sepse …Në historinë tonë të gjakosur/ pakicë e privilegjuar do thiremi…dhe trishtueshëm do…vëzhgojnë lumturinë/e jetës që si përkasin..
(…Pakicë e privilegjuar…Të vjen të ulërish nga dhimbja kur lexon këtë varg gjëmëmadh, që flet më shumë se faqe të tëra historie)
4-Kështu erdhi me stilin e saj (gati të përafërt me…sa fort po ndrin ai diell…) edhe poetja Zejnepe A.Rexhepi pranë nesh, duke na treguar me ndroje “Ujvarën e syrit” të saj. Sa shumë lot.   Një lot bie nga syri/si nga qielli ylli i mëngjezit… Lot e shi bashkë që rjedh teposhtë faqeve me një dënesë shpirti. Dhe të vjen ti përkëdhelësh  kokën, me dhimshuri, si një  fëmije që loton në shi, për një arsye të madhe për moshën e saj.. Sepse shiu është loti i qiellit. Është loti i zotit vetë. …Dhe të duket se sheh tek qan, një vajzë e zotin bashkë. Dhimbje e madhe duhet të jetë.  Loti vetëm sa derdhet nga sytë, burimin e ka në shpirt.        
   Në vetminë e jetës/loti djeg me përdëllime… Dhe duhet të jetë e madhe dhimbja që shpirti të burojë …lot.  Diku bashkohen shiu me lotët…Shiu s’pushoi/as me ty su çmalla dot…S’pushon së rëni ky shi i rebeluarDhe një ftohtësi alpine nëpër vargje …dhe koha të ngriu si vështrim i acartë…,…në mungesën tënde/ ftohtësi…, si një flokë bore mbi petale.
-Përkundër traditës zakonore, të kultivuar në fëmijërinë e saj dhe të imponuar nga kushtet shoqërore, Zejnepe i këndon pa frikë e ndroje, madje me zë të lartë … dashurisë së saj. Dhe ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se i këndon me mjeshtëri artistike, sa që mund ta quajmë …Safoja  e Tetovës.
a-Gjithmon femra shqiptare i ka kënduar dashurisë, duke dëshmuar në këtë mënyrë vizionin  europian të saj. Qysh nga periudha paraotomane, kur i ka kënduar solo …O lule lule maca maca, se un’ për ty…o djalë plasa… , ashtu dhe  e pas  kësaj periudhe kur dashurisë ju këndua  fshehur pas anonimatit  të këngëve dhe valleve popullore, të tipit…më zu vesa në lëndinë…tek po mblidhja trëndelinë/t’ja çoja bandillit-o…
Por ajo që duhet theksuar në këtë rast, është fakti se këto valle dhe këngë ekzekutoheshin kryesisht nëpër ambiente të ngushta familjare dhe fisnore.
b-Në kohët  e parademokracisë, një plejadë poetesh ndrinin qiellin e letërsisë shqipe, por duhet  të theksojmë se poezitë e dashurisë ishin të kufizuara, ose flitej për një dashuri  të lindur nëpër …aksione, kantiere..etj. Me një fjalë  njëfarë uniformiteti poetik,  vargje e fjalë shabllone , të spastruara nga veçantitë njerëzore që, përgjithësisht. asnjë ndjenjë nuk të ndizte në shpirt. Mbi poezinë shqipe qëndronte shpata e Damokleut të Pleniumit të 4.

c-Pasvitet ’90 sollën një bum poezish të femrave poete. Thua se shpërtheu një  digë  dhe jo ujët, por poezitë përmbysën gjithçka gjetën përpara. Por si në çdo përmbytje, uji poetik kishte shumë turbullirë. Vijonin poezitë deklarative që alternonin me zhurmën e ujrave. Por befas, mbi këtë zhurmë ujrash, nisën të dëgjoheshin cicërima zogjsh e të vinin si pëllumba vëllimet e para dinjitoze poetike, si për të na thënë se përmbytja  po mbaron, ujrat po tërhiqen dhe jeta poetike po rinis në tokën tonë. Më vjen mirë ta them që, në krye, pëllumbat  erdhën edhe nga viset  veri-verilindore, nga Kosova dhe Maqedonia.
E mes tyre edhe Zejnepe A.Rexhepi.
5-Në leximin e  vëllimin poetik “Ujvara e syrit” konstaton lehtësisht se tema mbizotëruese është  tema e dashurisë. Si e tillë, normalisht do kishte kufizime idesh  dhe ripërsëritje figurash dhe fjalësh. Çuditërisht autorja i ka shpëtuar këtij kurthi “llogjik”. Në qoftë se do shohim numërin e “fjalëve të para  në raport me “fjalët e dyta”, do shohim se prioriteti  është numëri i madh i fjalëve të “para” në raport me ato të “dytat”.(Psh fjala “jetë” është fjalë e parë ndërsa folja “jetoj” është fjalë e dytë). Kjo tregon , jo vetëm pasurinë e gjuhës shqipe por në radhë të parë talentin e autores në përdorimin me efikasitet të fjalëve, qoftë edhe brenda një teme. Kjo mospërsëritje fjalësh, kjo larmi shprehjesh e bën poezinë burim kënaqsie gjatë leximit. Të duket se shëtit (hapëron) nëpër një lëndinë prilli, në të cilën admiron  shumllojshmërinë e  luleve  dhe nuk lodhesh me monotoninë e një tip apo lloj luleje, sado e bukur qoftë ajo.
6- I dashur…ndiz një yll t’më zbehë dritën/e syrit të përlotur…./shuaj etjen me puthjen flakë…/Pastaj më ndiz e më pushto/me urrej e më dashuro/më vrit e më ringjall/më shuaj ti yll e më ndriço/ veç mos më haro…nga haresa druaj!
I lexon këto vargje të zjarrta, shpërthyer si llavë nga shpirti dhe vetiu rikthehesh ti rilexosh. Nën afshin e tyre do të ngrohesh, nën dritën e tyre do të shohësh, në zjartin e tyrë do të digjesh, vetëm të ndjesh e të kuptosh sa e madhe është zemra e dashuruar. Një dashuri, magmën e të cilës vetëm haresa dhe vetmia e ngurtëson...
…Si natë e tmershme është vetmia…
Ti kandil dritamëshimi/ëngjëll i hareshëm përjetësimi/…I lexon këto vargje me admirim dhe me vete thua: Lum kujt ja kushton. Se që të  metaforizohet me dritën djali, kjo është e  dëgjuar, por që kjo dritë të jetë dritëamëshimi e përcaktuar, kjo flet për një dashuri  gati të tejëbotëshme.
Pasqyrohem në lotin tënd/ ujëkulluar/ si loti i pendesës Tre vargje të thjeshta, dëshmi e një drame dhe e një triumfi . Me siguri që është ajo vajza që rënkonte…Në çaste vetmie pres kthimin tënd/për një puthje…
Por dashurinë poetja e sheh në  hapësira më të mëdha se dashuria e një vajze për djalin. Është dashuria e vajzës shqiptare për djalin shqiptar e lidhur ngushtë me
-          fatet e kombit….Në Kodrën e Diellit mbi Tetovë/ ku do mbinin 2001 shpresa dashurie (ndërkohë në Tiranë shiu shplau në ’97 gjurmët e të djeshmes, në Prishtinë shiu rrëmbeu më ’99 plagët e pashëruara ndër mote), kurora lirie thurin vashat
-          dhe fatet e botës…shtatori….kaherë qe kënduar në këngë/por jo dhe shtatori 2001.
-          me fatet e gjuhës shqipe…Të falem ty o gjuhë
-          me traditën…thura imazhin e jetës/mbi të ardhmen/me treqint dasmorë…
-          me familjen, si rallë vajza në botë…Eh, sa e fortë ishte kulla…
dhe mund të vijonim edhe më tejë, me një besim e bindje të fortë…sepse…kemi gjak të bekuar perëndish.. dhe me urimin bekim…një kopësht i tërë luledashurish …Mbetesh vargu që nuk ndrydhet/për tja behur në parajs a në ëndër
Por në thelb duhet të pranojmë se, si rallë në botë, dashuria e vajzës shqiptare kushtëzohet jo vetëm nga pëlqimi dy palësh i të dashuruarve. Kanuni, nacionaliteti, feja, gjëndja shoqërore etj etj zgjatin duart e tyre të “palara” mbi “tortën e dashurisë”.
Kur në vitin 2010 vizitova Tetovën, i ftuar në një manifestim poetik, u trishtova duke parë revanshin obskurantist fetar mbi shoqërinë civile. Vajza të reja, mbuluar me shami  dhe  që dukeshin si të future  në thes, brenda veshjes fetare, mundoheshin më kot të fshihnin sytë, ku në  dritaret e tyre, ëndrat e moshës sodisnin plot alarm kohën që ikte, pa ato. As në rrugët e Stambollit nuk kam parë kaq  shumë  vajza me veshje fetare, sa ç’kam parë në Tetovë. Një trishtim më mbuloi ato ditë, çuditërisht me shi, si  në vargjet e këtij libri. Por kur në sallën e qëndrës së kulturës u ngritën në skenë e recituan vargjet e tyre poeteshat e Tetovës, mu duk se hoqa një peshë të madhe nga shpirti dhe më të bukura mu dukën rrugët e Tetovës të nesërmen. Ato vajza nuk bënë gjë tjetër, veçse deklamuan ëndrën  e tyre të dashurisë, që mua mu duk si një sfidë publike, si një  flamur i shpalosur përballë revanshit obskurantist fetar që përpiqej ti imponohej Tetovës duke synuar  viktimë të parë,  botën dhe lirinë e femrës.
 Dhe vajzat e Tetovës ju kundërvunë këtij revanshi me …poezi dashurie… Le të vërshohet bota në dashuri…ftuan poeteshat e Tetovës
...Bekuar qoftë dashuria…deklamon poetja duke u renditur në vijën e parë të këtij fronti emacipues të luftës kundër revanshit fetar. Dhe unë sdi pse e lexova këtë varg…rroftë liria
Në qoftë se është koha e gabuar për tju gëzuar triumfit (vetiak)  të dashurisë, është koha e duhur për të luftuar për ‘të.  Dhe në radhët e para të kësaj armate, unë shoh dhe autoren e këtij vëllimi. Që di si flet, që di si prin, që duhet ta ndjekin e ta dëgjojnë, jo vetëm vajzat e Tetovës.
Kështu e rilexova unë librin “Ujvara e syve” të Zejnepe A. Rexhepit dhe ndoshta, kjo ishte dhe arsyeja  e rikthimit tim, për të lexuar përtejë vargjeve të poetes.