Sunday, 9 October 2016

Mirënjohje



MIRËNJOHJE, TIMO MËRKURIT!
Miku im i mirë, Timo Mërkuri, poet dhe studiues i talentuar është një nga njohësit e shkëlqyer te kulturës popullore folklorike dhe është marrë seriozisht me të edhe me studime të mirëfillta që kur i kam lexuar, më kanë mrekulluar dhe mbushur me zilinë e mirë, se sa pak kam shkruar unë në këtë drejtim, mbi një fushë të dashur dhe që pretendoj se e njoh mirë e mund të ndihmoja modestisht. Se sa njohës i mirë i folklorit dhe mrekullive të tij është Timo Mërkuri, mund ta dëshmojë edhe ky shkrim përsiatje mbi baladën time “ Vjen një trim i mbytur-o.” Po e botoj këtë shkrim këtu jo thjesht vetëm për ta falënderuar atë me gjithë zemër së bashku më Agron Shelen, qe e ka edituar ne faqen e tij “Galaktika Atunis,” jo për të treguar se sa i përkëdhelur dhe mirënjohës ndjehem ndaj një vëmendjeje të tillë prekëse, por për ta lexuar ju miqtë e mi dhe për tu bindur për njohjen e tij të thelle e të jashtëzakonshme të kësaj pasurie, të thesarit popullor, nga ku mund të marrës emocione të papërshkrueshme dhe nga ku të gjithë ne krijuesit mund të përfitojmë vazhdimisht. Për të parë nga afër dashurinë dhe depërtimin kaq emocional të Timo Mërkurit në këtë ” bankë” kombëtare plot me shufra floriri, ku mund të hyj çdo kush dhe të bëhet i pasur duke “luajtur” me këtë “bursë” kaq nazike dhe mahnitëse të zemrës. Timo, të adhuroj dhe të kam sinqerisht zili për pasionin tënd, për zotësinë tende, për dashurinë prekëse me të cilën e bën këtë punë kaq fisnike, këtë vlerë që gati e kanë braktisur të gjithë në këto kohë të ftohta të modave varavingo drejt modernes. Modernes në thonjëza, se nuk di çka më moderne në këtë botë se sa krijime të tilla madhështore modës zemrës së shkallmuar të nj nënë dhe djali të saj të vdekur?! Nuk në di se ka krijime të tjera më “moderne” se sa këto tablo rrëqethëse me dimensione dhe dhembje biblike që kanë ruajtur shekujt në gjuhën shqipe! Do të doja ta lexonit, miq, sepse rrallë gjejmë shkrime të tilla prej ustallarësh! Faleminderit!

Wednesday, 5 October 2016

Përshëndetje në Manifestimin Poetik “Trirema Joniane” edicioni i 10-të




Përshëndetje në Manifestimin Poetik “Trirema Joniane” edicioni i 10-të
Nga Timo Mërkuri

Të nderuar miq pjesmarës në edicionin e 10 të Triremës Joniane.

Po ju drejtohem juve me një falnderim të veçantë për pjesmarjen tuaj në këtë ecidion, pjesmarje e cila, jo vetëm na gëzoi dhe na nderoi por dhe e shndroi këtë manifestim në një festë të vërtetë poetike.

Ju ishit miqtë tanë në këtë festën tonë dhe ne kemi detyrimin e nderimit të mikut.

Sipas traditës shqiptare, kur në shtëpinë tonë bujtin miqtë e dërguar nga zoti, i zoti i shtëpisë, në shënjë nderimi, një nga miqtë e vendos në qoshen e vatrës. Por ndonëse vendos njërin në vendin e nderit të shtëpisë, ai ua drejton fjalën gjithë të pranishmëve, jo aqë për rëndësinë e temës së bisedës se sa për evidentimin e nderimit të secilit bashkëbisedues. Në këtë mënyrë të gjithë miqtë ndjehen të nderuar e të respektuar njësojë me mikun e vendosur në qoshen e vatrës.

Kështu do dëshironim ne ta ndjenit edhe ju vehten në këtë moment, të nderuar e të vlerësuar me kurorën e lavdisë, ndonëse Komisioni , duke marë në vlerësim krijimtarinë e secilit krijues dhe shkallën e bashkëpunimit të tij me Klubin e Krijuesve Jonianë vendosi që Kurorën e Artë me degë ulliri ta ndajnë mes tyre:

1-Anton Nik Berisha
2-Daniele Giancane
3-Fatmir Terziu.

Ftojmë Kryetarin e Klubit të Krijuesve Jonianë z Agim Mato të vendosë kurorat mbi kryet e përfituesve.

Faleminderit

Sarandë, më 2.10.2016

Friday, 10 June 2016

Pluhuri i artë i poezive …



Pluhuri i artë i poezive …

Përsiatje mbi vëllimin poetik “Pluhuri i artë i përjetësive” të Agim Matos

Nga Timo Mërkuri

Thënia …që ta kuptosh poezinë duhet të “njohësh” autorin,  qëndron më shumë se kudo në rastin e poetit Agim Mato. Kjo, jo për arsye se poeti “vargëzon” biografinë e tij, por për faktin se është  vetë  jeta e  tij  trunglisi zgërbojë, i goditur e i përcëlluar nga rrufetë e absurdit politik, ”lehe”  ku farëzohen poezitë, duke na dëshmuar edhe njëherë se …poezia lind nga dhimbja.

Prandaj ju lutem të më mirëkuptoni në “prezantimin” tim,  të stërpikur me pluhur poezie..

Poeti Agim Mato “lindi” kur mbaroi shkollën e mesme.  Deri atëherë ishte një adoloshent  trazovaç,  nga ata që nuk linin “dy vajza bashkë”.  Jetonte pranverën e moshës sipas  motos …ku rrafsha mos u vrafsha dhe … çdo gjë që fluturon,  haet. Mrekullohej me … koncertin e pulëbardhave/dirigjuar nga erërat joniane/në gjirin e Sarandës  .dhe …për tu ndjerë burrë/e trashte zërin me shokët…

Por jeta i kishte rezervuar disa të papritura të hidhura. Pikërisht atëherë kur shpresonte të hidhte hapin e parë drejt jetës, i erdhi goditja e papritur dhe trullosëse.  E papritur, për kënd- vështrimin  e tij human për  jetën dhe trullosëse, për nga forca shtetërore e goditjes.

 Ishte ballafaqimi i parë me …luftën e klasave. 

Shokët dhe shoqet e tij u ulën nëpër auditoret e universiteteve, ndërsa ai…me një kostum të grisur ëndërash endesha në një gji të mbyllur deti/me hirin e zjarreve të shuar në shpirt…

Por nuk mjaftoi me kaq. U nis ushtar, ndoshta me mendimin pajtues (me regjimin) se do shërbente për mbrojtjen e Atdheut, etj. etj. Por ja që, për pushtetin, nuk konsiderohej i besueshëm, përkundrazi, me fantazinë që kishte, mund të ishte i rrezikshëm me armë në dorë. Prandaj i dhanë një pushkë druri, (që të mos mësonte funksionimin e armës), si dhe një kazëm të madhe (me majë hekuri, sigurisht).

Isha si një guackë e zbrazur/…asnjë shpresë nuk i rrihte krahët rrotull meje/ të mi zgjonte  ditët me klithma gëzimi…
I mbyllur shpirti/E mbyllur kënga/Rrethi i një laku më shtrëngonte në fyt…

Por ndërsa heshtëte publikishti, …bukuritë galaktike frymonin brenda vetes…dhe krijonin botën e bukur të poezisë. Sepse bota shpirtërore e poetit është “laboratori” më efikas  që zotëron njeriu, i aftë që “helmin” e jetës së tij personale, ta shndrojë në mjaltë për njerëzimin.

Dhe kështu, ecur me kujdes…të mos shkelja/aty ku më prisnin greminat…,  kur… për shumë kohë dhe  penën ma sekuestruan/si një armë të paligjëshme…kur…ngela pa zërin tim, pas gjuhën time, pikërisht atëherë, kur normalisht duhej të  harohej në heshtje, atëherë poeti hodhi në publik arin e shpirtit të tij në vëllimet “Jug” dhe ”Në prag të shtëpive tona”, dy vëllime që tërhoqën vëmëndjen e botës letrare për risinë e re që sillnin në poezinë shqipe.

Suksesi i këtyre dy vëllimeve, dëshmoi se, poezia  është kulla e rezistencës, ku ngujohen dhe triumfojnë shpirtërat e mëdhenj në kohë diktaturash.

Bota letrare shqiptare i përshëndeti me entusiazëm, këto lule të brishta joniane, me aromë … erë limoni e jodi përzier. Por, duke perifrazuar thënien  se… në Shqipëri, lulet i hanë … gomerët, kujtojmë se,...gomerët e diktaturës u sulën dhe hëngrën edhe…“Bukën  e fjalëve “ , vëllimin e tretë poetik të Agim Matos.

Ishtë një kohë urie e madhe në Shqipëri. Diktatura, si Polifemi, hante edhe ëndërat që sillte … hëna. Prandaj, ndoshta … Hëna vononte të dilte/hidhej duke u penguar nëpër bokërimat e qiellit/atje ku yjet gremiseshin

Dhe poeti vijonte te shëtiste anës detit, miku i tij i përherëshëm, me të cilin …vumë në provë vetminë/ti (deti) i zbrazur nga aniet,unë i zbrazur nga shpresat/mënjanë botës së madhe…

Por deti asnjëherë nuk të lë vetëm. Jo vetëm kaqë, por ai të zgjeron dhe forcon frymarjen me jodin e tij, dhe ta bën shpirtin të madh…sa shtatë dete, duke të fisnikëruar botën shpirtërore.

duke u futur çdo natë brenda meje/ma zgjerove shpirtin/…dhe më bëre ti mëshiroj ata që luftuan njeriun/verbuar prej ideologjive…

….Me një dritë të lëngëshme më pagëzove të tërin… thotë  poeti dhe neve instiktivisht na kujtohet pagëzimi i Jezu Krishtit me ujë, në lumin Jordan dhe drita qiellore që ra mbi kryet e tij në atë çast, duke dëshmuar origjinën e tij si bir perëndie.

Por poeti nuk ishte bir perëndie. Ai  ishte thjeshtë, bir i një të… porsaliruarit nga burgu, i cili dilte  i vetmuar, me një kostum mbretërie/me një kapele republike, dhe rinte  pas vehtes, si pas një dritareje, në pritje të lirive të munguara…dhe priste ndryshimin i paduruar.

Por ishte poet, nuk mund të rinte i mënjanuar. Boll ndënji i heshtur tridhjetë vjet.

Ndajë …me lopatëzën e një ëndrre / zhvendos(t)e  errësirën reth e rotull/ hap(te)i shtigjet që (të) e lidhnin me botën…jo vetëm duke u bërë pjesë aktive, por edhe faktor në botën letrare me poezinë e tij.

Poezia e tij është një urrë që lidh shpirtërat njerëzor, nëpër të cilën kalojnë ëndrrat  e bardha të poetit drejt lexuesve, si nuset  para altarit, kur shkojnë nga krahu i prindit në krahët e dhëndërit.

Ky është çasti që dhëndërit i mehet fryma nga lumturia.

E vlen të jetosh e të vuash në jetë, vetëm për të përjetuar këtë çast. Asgjë tjetër nuk kujtohet nga jeta. Kaqë dritësim ka ky moment, sa që i zbardh dhe i “fshin” gjithë aspektet e dhimbëshme të jetës, si fotot e stampuara në negativin e një filmi, të dalur befasisht në dritë. Mbeten vetëm shënjat e plagëve mbi trup e mbi shpirt. Dhe ato, të stërpikura me një pluhur të artë poezie, sa që ti bën të bukura këto plagë, si piktura të Rembrandit të magjishëm.

 Dhe këtë botë humane të poetit që e  bëri ti mëshiroj ata që luftuan njeriun/verbuar prej ideologjive…, duhet të  theksojmë se e projektoi dhe ndërtoi një person vendimtar në jetën dhe krijimtarinë  e autorit, gjyshja e tij, një plakë e vuajtur çame, e rudhosur dhe e kërrusur që , për nga fati në jetë të kujton Rozafën. E murrosur në dhimbjen e saj, me një këmbë tundte djepin e ëndrave të nipit në Sarandë dhe me njërën dorën  ujiste shpresat e të jatit të tij, në birucat e diktaturës.

Si s’mendoi një herë për vete kjo plakë shamibardhë. Gjithë jetën me skalistir në dorë duke mihur dheun e luleve në obor, në saksi apo në ëndëra, duke i kënduar nipit ninulla për Marko Boçarin e Osman Takën, për tumankuqen me festen treqint mexhite  apo të bukurën e trimit larg në More. Dhe e konte (ushqente) me një shqipe të ëmbël, si mjalti, që sado mote të shkojnë, kurrë nuk e haron.

Se duhet të theksojmë që Agimi është një njohës dhe përdorues mjeshtëror  i gjuhës shqipe. I nxjerr fjalët e bukura të shqipes së vjetër si margaritarët nga pinat detare, mbuluar me leshterikë. Margaritarë fjalësh që rezëllijnë nëpër vargje, duke i bërë më të bukura, më të gjalla, më shqiptare poezitë e tij.

Ato poezi joniane që  rrjedhin rrëmbyeshëm nëpër shtratin e artit popullor, ashtu siç rrjedhin pranverës përrenjtë e porsa krijuar malorë nëpër shtratin e vjetër të përrenjve, ato poezi që të mrekullojnë me magjinë e tyre, që të duket se je nën stërpikje  valësh përroi a nën stërkala dallgësh deti, që të duket se rend nëpër yje a eksploron botën nënujore,  ato poezi që të mbushin frymarjen me jetë, unë ju them se kanë lindur nga dhimbja e poetit, që ju të mos ndjeni dhimbje në  këtë jetë.

Por ne, le të lexojmë poetin:

Sipër nesh ngrihej si aureolë një fashë hyjnore e ëndravë/ të notepsura me dritë/Ajo që nuk e thoshnim me zë, ishte më e bukur se fjalët/më e ëndëshme se qumështi i yjeve/që xixëllonjat pinin mbrëmjeve nëpër qiell/ Dëgjonim në heshtje muzikën e shpirtërave tanë/…dhe vinim re se plepat fjalamanë e kishin pushuar frushullimën/ të magjepsur/ Ndjenim në gjoks limfën e trupave tanë/…Edhe një puthje na dukej zhurmë…

Hëm, nuk e kuptuat mirë. S’ka gjë, mos u trishtoni dhe sidomos, mos u përpiqni ta kuptoni.

Poezia joniane e Agim Matos është si dashuria. Ndjehet, përjetohet dhe vetëm kur e
humb, e kupton se çfarë ke humbur.

Ndaj dhe unë ju them:- Ndjejeni dhe përjetojeni poezinë e Agim Matos, miqtë e mi.

Me siguri që do lumturoheni.

Dhe unë ju falnderoj që më  nderuat me vëmëndjen tuaj.

Sarandë, më 8 Qershor 2016

Monday, 9 May 2016

Kurora me degë ulliri..





Kurora me degë ulliri.



….banorët e Athinës  më në fund vendosën që të ndërtonin qytetin e tyre me mure të fortë rrethuese, për tu mbrojtur nga armiqtë, si dhe Akropolin, si vendbanim a vendqëndrim i perëndive. Duke qënë se ishte një punë kolosale, e papërballueshmë për forcat dhe aftësitë e tyre, ata kërkuan  ndihmën e perëndive, duke shpallur se qytetit do ti vinin emrin e asaj perëndie që do tu bënte dhuratën më të çmuar. Dhe u sulën perënditë tu bënin dhurata banorëve…
Poseidoni u vërviti nja dy tri dallgë që e lagu tërë tokën e desh bëri hatanë. I penduar  e goditi përsëri me sfurkun e tij tridhëmbësh dhe nxori një burim uji pranë Akropolit, që të pinin njerëzit dhe perënditë. Por njerëzit rinin me sytë nga deti, andej nga ju erdhi ajo gjëmë dallgësh dhe emrin e Poseidonin e pëshpërisnin me frikë.
Athinaja, perëndesha e luftës, e urtësisë,artit, shkëncës e zejtarisë u çoi banorëve një fidan ulliri, marë nga fidanishtet qiellore. U mësoi njerëzve si ta mbillnin e ritnin këtë pemë , e cila kishte vetinë e jetëgjaatësissë shekullore, si të nxirnin vajin nga kokrat e kësaj peme, e cila kishte vetinë shëruese për mbi 60 sëmundje etj etj.
Njerëzit të mrekulluar nga kjo dhuratë vendosën që qytetin e tyre ta quanin me emrin e kësaj perëndeshe, Athinë.
Shumë perëndi dhe gjysëm perëndi vrapuan të përfitonin nga kjo pemë e perëndishme. Herkuli bëri një topuz me degë ulliri, Odise shkopin me të cilin verboi ciklopin , e bëri me degë ulliri, ndërkohëb që në Itakë krevatin e tij bashkëshortor e kishte bërë në trungun e prerë të një ulliri stërshekullor dhe së fundi vetë Homeri, vajin e ullirit e quante “ar i lëngshëm”.
Perëndesha Athina ishte vërtet një perëndeshë e luftës, por ajo në asnjë rast nuk është paraqitur me tipare luftarake (përjashto një veshje ceremonial, gdhendur në mermer). Ajo më shumë kontribonte për paqen dhe përparimin, ndaj dhe  ithtarët e saj ishin të shumtë.
Në respekt të kësaj perëndeshë u vendos që fituesve të lojrave olimpike, strategëve  fitimtarë, poetëve dhe dramaturgëve tu jipej kurora me gjethe ulliri. Jipej vetëm kjo kurorë, pa shpërblim financiar, vetëm se fituesve u ngrihej një shtatore mermeri në Athinë ose në vendlindje të tyre. Në momentin e vendosjes së kurorës mbi kryet e fituesit, gjithë populli, strategët e prijësat çoheshin në këmbë, në shënjë nderimi.
Fillimisht kjo kurore ishte thjeshtë një kurorrë me degë e gjethe të njoma, këputur nga një ulli i stërlashtë që konsiderohej i shënjtë. Por duke qënë se kjo kurorë , me kalimin e kohës prishej, duke patur parasysh se lavdia e përftuesit konsiderohej e pavdekëshme, u vendos që kurora të ishte prej ari.
Me kurorë të tillë janë nderuar strategë lufte, prijësa, poetë e dramaturgë të antikitetit.
Ky gjest nderimi e respekti u përhap menjëherë në gjithë botën. Në Romë, Qezari e mbante në kokë  kurorën me degë ulliri edhe në ditët e zakonëshme. Dantja dhe Virgjili, më von, e quajtën  fitoren e kësaj kurore triumfin e tyre më të madh në këtë jetë.
Edhe në Kaoni njihen raste të dhënies së kurorës së artë me degë ulliri...
 një varr monumental të periudhës shek III plk në qytezën e Borshit të sotëm mbi mozzaikun e rastit janë gjetur edhe dy gjethe ulliri të arta , në një qytezë pranë Konispolit të sotëm është gjetur një kurorë me gjethe ulliri e artë (Arkeologu H.Shabani) po ashtu dhe në vendbanimin e quajtur Vumlo, pranë Pilurit, është gjetur në një varr monumental antik, të kohës para romake një kurorë me gjethe ulliri të arta.

Në kohën tonë, ushtarakët e lartë (E.H), në grand uniformën e tyre, te mbistreha e kapeles, kanë vendosur  si ornament degën e ullirit, si simbol botëror i lavdisë. Po kështu, gushoret e grand uniformës janë stolisur po me gjethe ulliri, duke evidentuar në këtë mënyrë superioritetin e tyre hierakik.
Duhet të specifikojmë faktin e evolimit të simbolit të degëve të ullirit, nga simboli i jetë -gjatësisë dhe shpresës (Në Dhiatën e Vjetër një pëllumb kthehet me një degë ulliri në arkë, në mënyrë që të shpallë fundin e përmbytjes dhe të sjellë shpresë për njerëzit), tek simboli i paqes e pajtimit, pastaj tek simboli i fitores e tek simboli i forcës e besnikërisë, për të mbritur te ulliri  si simbol lavdie.
Nën këtë panoramë, Klubi i Krijuesve Jonianë të Sarandës mendon që të  rikthejë në aktivitetet e tij vjetore të Manifestimit Poetik “Trirema Jonaiane” traditën e stërlashtë të nderimit të poetëve  me “Kurorën me gjethe ulliri” të artë, modelimin e të cilës po e paraqesim bashkë me këtë shkrim.