Sunday, 20 February 2022

 

Timo Mërkuri

 

  DHIMBJA SI DASHURI

 

Përsiatje mbi librin poetik ‘Trokitje të prushta” të Albina Idrizit

 

 

Duke lexuar librin e ri poetik “Trokitje të prushta” të poetes Albina Idrizi, me parathënie të Anton Nikë Berishës, ndjejmë qysh në vargjet e para një ngrohtësi dhe mirësi shpirtërore që del prej fjalëve, si afshi i nxehtësisë nga prushi i vatrës, që  të ngroh porsa e “sheh me sy” dhe më pas të vjen vala e të nxehtit në trup. Ky prush shpirtëror i poetes, krijuar nga dashuritë njerëzore të djeshme dhe të sotme, na vjen me valë nxehtësie dhe na krijon përshtypjen se buron prej bukurisë së vargjeve dhe vetëm pasi e lexojmë poezinë, kuptojmë se vetë vargjet janë ajo flaka e hollë e prushit që na lodron para syve. Vetëm pas leximit kuptojmë se “prushi” është përfituar nga dru lisi të djegur në shpirtin e poetes, që e mbajnë flakën brenda tyre dhe jo shkurre, që digjen me zhurmë e bëjnë vetëm hi.

 Për ta kuptuar poezinë e Albina Idrizit le të zbërthejmë strukturën e librit, prej ku do shohim katër faza (kushtimi dhe krijimtarie) që i korrespondojnë fazave të jetës së saj, bijë, vajzë, grua dhe nënë, duke na dëshmuar se ajo është një poete që krijon në çdo fazë jete dhe jo thjeshtë shkruan biografinë e jetës së saj në vargje. Ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se Albina Idrizi e dashuron jetën në çdo çast të saj, sado i vështirë të jetë çasti, ndaj “end” me dashuri poezitë, sikur do të na thotë se: “poezia është forma më e arrirë e shprehjes së dashurisë për jetën”. Duke e parë botën me syrin e dashurisë, ajo (bota) është e bukur, duke e parë me syrin e poezisë edhe e zeza përthyhet në qindra ngjyra dhe “nuk është më e zezë” : ”Kaq gri në mua/që më bën ta dua të bardhën/ dhe të zezën /po aq” […] (f. 17) shkruan thjeshtësisht dhe ngrohtësisht poetja.

 I-Albina Idrizi është një poete e toneve të qeta, por brenda qetësisë vargjeve të të saj, si brenda kacekëve të Eolit janë mbyllur erërat dhe furtunat, e i mjerë kush e hap “grykën” e tij. Duke gjykuar nga poezitë themi se jeta i ka mësuar Albina Idrizit durimin, por jo tkurrjen, i ka mësuar qetësinë, por nuk ia ka fashitur revoltën. Ka një poezi Albina Idrizi që të trondit qysh në titullin e saj (metaforik) “Unë e putha armikun tim”, titull që na skandalizon në hamendsimet tona para dhe gjatë leximit, titull dhe vargje të paperceptueshme për mentalitetin dhe botëkuptimin tradicional shqiptar, por madhështor për mesazhin që mbart: “lufta nuk na shpëton nga dashuria, por dashuria e shpëton botën nga lufta”.

Kjo poezi na jep shkas të kujtojmë se si  në në dimrin e luftës sa e sa lisa jete u prenë në Kosovë dhe u hodhën në zjarr.  Në flakët e kësaj lufte u dogjën trungjet, filizat, gjethet e lulet e porsalidhura, u dogjën petalet e dashurive, në orët e ndalim qarkullimit u dogjën ëndrrat e takimeve të sa e sa vajzave. Perëndimet skuqnin si plagë dhe toka ndjente dhimbjen e të vrarëve.

Pikërisht në këtë Kosovë të djegur dhe të martirizuar nga “armiku që ajo puthi”është shkruar kjo poezi, e megjithatë poetja në vend të urrejtjes ofron dashurinë: “Sot e putha armikun tim/lehtë, butë, qetë.../Më dhembi në shpirt shija e tij/atij i dogj në buzë e imja/ pastaj çdo gjë e hekurt shkriu mes nesh././m’u duk se preka me dorë Hyjin/e loti e bënte tjetër syrin e tij/dhe lumturia ime e pushtuar/se e ktheva në vete Njeriun././Nesër fitues, e di nga sytë e tij/do të zgjohet i dashuruar”.[…].(f. 20). Rilexoni vargun: “pastaj çdo gjë e hekurt shkriu mes nesh” për të kuptuar idenë dhe vlerën e poezisë, për të kuptuar se Albina Idrizi ndonëse është poete e toneve të ulëta, si psherëtima e pëshpërima dashurie,  njëkohësisht është  poete e dashurisë së madhe njerëzore.

 II-Te ky libër më shumë se kudo poetja Albina Idrizit ka zgjedhur të flasë si bijë, si vajzë e dashuruar, si grua dhe si nënë, por ajo që ka rëndësi është fakti se ajo më shumë se sa flet, “bashkëbisedon” me prindërit, bashkëshortin apo me fëmijët në një mënyrë ku të jemi të pranishëm edhe ne, lexuesit. Poetja shkruan sinqerisht “Kam mësuar/fshehtësinë e të mbeturit fëmijë/ zigzageve të dikundit (f. 40), duke “treguar” një nga “sekretet” e të qenët poet, ndërkohë që si bijë, nga fëmijëria kujton: “Kur qeshte nëna ime /në shtëpinë tone/vallëzohej me një fishkëllimë/./ Një ëndërr e bukur fillonte mbrëmjes vonë atë natë/../ Venin e vinin pëllumba të bardhë/ që i këndonin qiellit /ushqyer me thërrmija gëzimi/në të nënës sime prehër” (f. 33). Sigurisht që ne kuptojmë se ky idil poetik ishte ëndërrim i botës së saj fëminore. Kjo është e natyrshme sepse: “Poezia nuk dëshiron të matet me atë që quhet realitet, ndonëse realitetin e përdor si një trampolinë për lirinë e saj” (Hugo Friedrich). Portreti në vargje i nënës së saj është mjaft i bukur: ”[...] edhe në qindra /shtresa akulli të skalitësh / ti ngrohtësi fal,/edhe në shkëmbin më të ashpër/të gdhendesh/ti butësi ledhon, ledhaton/ edhe në bronzin më të zjarrtë/të derdhesh/ti dashuri dhuron./Çfarë është ajo/që bën çdo vajzë/të dëshirojë/të të ngjajë ty f. 38). Të duket se germat këngëzohen si nota muzikore të një melodie dashurie, ndërkohë që për babain flet me tone solemne: “[…] ti kapiten i pa dekoratë/. /unë ushtare pa armë/ nën urdhrat enigma/ -beso, fal, duaj,/ duke qarë apo qeshur” (f. 43), duke na treguar pa dashje edhe sekretin e vargut të saj të qetë, faktin që është rritur me moton: “beso, fal, duaj”.

 III- Thonë se vajzat e dashuruara shkruajnë gjithmonë poezi, por vajzëria e poetes ka një veçanti që lidhet me kohën e kësaj dashurie. Realisht ka një cikël poezish dashurie në pjesën e fundit të librit, që duke studiuar këndvështrimin dhe strukturën e vargut, duket se janë krijime ose skicime të para disa viteve dhe të ripunuara së fundmi ose janë të zhbiruara në kujtesën e poetes. Këto poezi që kushtëzuan për t’u lexuar në datën 14 shkurt, më tingëlluan si një melodi e ëmbël violine e më bënte ta kthej kokën në rilexime. Tej bukurisë së vargjeve të befason forca dhe finesa e shprehjes së tyre, shohim shpirtin e poetes, besimin e saj te dashuria edhe nëse koha është e çmendur: “Çmenduri qe dashuria atëbotë/apo qe kohë e çmendur /për t’u dashtë./ Duhej zë të heshtje krismat/puthje të qepje plagë/ përqafime të ngjitje gjymtyrë/arna shpresash, oh sa duheshin,/të mbaje shpirtin gjallë./U gdhimë një ditë, papritur/ unë grua,/ti burrë,/pa qenë kurrë dashnorë” (f. 68), duke na dëshmuar se dashuria është së pari forcë për të jetuar, për të luftuar, për të parë të ardhmen në sy, duke qenë ndërkohë edhe flijim: “Zot, me çfarë do ta/ ngushëllojë veten njerëzimi/./ për gruan e vetmuar/që lufta la pas/e deshi veç me dashtë” (f. 54). E lexojmë përsëri E deshi veç me dashtë […] dhe heshtim me sytë ulur, duke e ngushëlluar veten se këtë herë nuk jemi ne fajtorë për vetminë e saj, por jo se s’jemi fajtorë pse s’e ndalëm këtë vetmi.

Përgjithësisht arti poetik i arrirë na bën të ndjehemi të vegjël e të ndjeshëm para tij, ndërkohë që dashuria na bën të ndjehemi të bukur e të fortë, kudo e kurdoherë, por Albina Idrizi shprehet me një gjuhë poetike që të krijon përshtypjen se ajo thjeshtë rikujton vetveten në çaste tënjeshme: ”E mban mend/ qenia ime e mishtë/ prekjen e parë të burrit/ që të bëri grua përgjithnjë /dhe pa krijuesin në ty…//E mban mend?” (f. 84) ose “[…] e ëma/ /i tregoi se pikërisht aty/në truallin ku mbiu/bëhet dashuria më e bukur../E mësoi të flasë /me fluturat, barin, vesën” (f. 10-11) dhe t’i thotë se “[…] dheu ku do të puqet/ ruan dashurinë më të madhe/ për të cilën ajo ende/ nuk e di se do t’i jepet” (f. 8), duke na kujtuar ndërkohë fjalën e Eliot kur thotë: […]. ”Poezia nuk është shfryrje e emocioneve, por shmangie prej tyre”, duke i derdhur në vargje (shtojmë ne).

 Ajo që ka vlerë në poezitë e Albina Idrizit është fakti se dashurinë nuk e sheh si diçka të jashtme që pret të vijë nga diku, por e ndjen si diçka të brendshme, që “[…] nuk ka të bëjë/ me asgjë jashtë teje” (f. 25) ose Mëso të më duash/ditë për ditë, i dashur/dhe do ta kuptosh/se unë jam vështrimi/ që flet përbrenda teje” (f. 62). Nuk di pse ndjej një farë droje të poetes, si te çdo vajzë, me ç’rast më kujtohet shkrimtari danez Siren Kirkegard kur thotë se: “Poeti […] e fsheh ankthin e pafund në zemrën e tij, por buzët e tij janë formuar në atë mënyrë që psherëtimat dhe qarjet tingëllojnë si muzë e bukur”. A thua këtu qëndron sekreti i bukurisë së “psherëtimave” dhe “pëshpërimave” poetike të Albina Idrizit? Apo te fakti që edhe pranë lisave të rrëzuar, madje dhe të mbuluar me dëborë, çelin manushaqet e prillit.

 IV- Gruaja e re shpreh lirshëm veten në vargje kur i drejtohet të shoqit: “[…] si duket dita atje tek ti?/Ka diell që bën inat me timin sy?/Apo erë që të përkëdhel/ me afshin e dashurisë sime /unë veç kam mall, i dashur/ ndaj dua ta shoh ditën/ ashtu siç e sheh ti” (f. 86). Në një tjetër poezi shprehet: “Pasqyrë më e dashur/më është syri yt” (f. 85) për të arritur dendësinë e shprehjes së ndjenjave te vargjet: “Kur ti je larg/ shtëpia jonë ruan vetminë time,/./ Gërvishtjet mbi tavolinë/ janë ankthet e…para,// Janë përvjetorët që na mësuan/ të numëronim ndryshe/ me numrat e njëllojtë” (f. 69-70), duke na dëshmuar e mësuar se dashuria nuk është vetëm një përvojë jete por është vetë jeta, dhe siç thoshte Dostojevski: ”Ndoshta vetëm duke dashuruar përnjëmend […] mund të kuptohet misteri i jetës”.

 V-Te poezia e Albina Idrizit nëna të befason me forcën dhe gjerësinë e saj shpirtëror, me humanizmin dhe vizionin e saj për jetën: “[…] shumë herë më të madhe/nga ç’mund të përfshihet/mes dy buzëve,/qoftë ajo edhe fjala./e unë sa e sa herë ju them emrat/për t’u bindur nëse e kishit kuptuar/se në rrugë fituesi /nuk është gjithmonë i pari,/por dashuria” (f. 29), duke na ritreguar se “dashuria “ është kryefjala e poezisë së saj.

Albina Idrizi është poete e toneve të ulëta, që koha e vuri para sprovave të vështira, megjithatë për të shpëtuar fëmijët e saj, familjen e saj: ”Mund të bëj veten bukë/në një epokë urie” (f. 13). S’di pse këto vargje më kujtojnë Jezu Krishti kur u thoshte dishepujve; […] ”Kjo bukë që do hani është trupi im dhe kjo verë që do pini gjaku im është”[…], por ndryshe nga biri i Perëndisë, poetja qetësisht thotë: “[…] dhe kthehen me të gdhirë /për t’u gurëzuar përsëri, qetë /pa rënë në sy” (f. 13). Këtë e thotë me qetësi dhe me një ëmbëlsi që i dritëson nëpër zanoret e fjalëve si ndër sy, thua se është Rozafa që vetëflijohet, me besimin se do ringjallet në një farë mënyre : ”Mbase kështu kam lindur/duke rikrijuar vetveten” (f. 17) pohon poetja. A nuk thoshte Uollt Uitmani: “Poezia është fjalë, fjala është dhimbje, dhimbja është njeri”.

Albina Idrizi si njeri, si femër, si poete që luftoi luftën, shkruan për dhimbjen si dashuri, për dhimbjen që shkakton dashuri.

 

Sarandë, shkurt 2022

 

Tuesday, 8 February 2022

 

KOMUNITARIZMI NË PROZËN E ODISE KOTES

Esse mbi librin me tregime “Biletë për në qiell”

 

Nga TIMO MËRKURI

         Sa herë që bie fjala për shkrimtarin Odise Kote të gjithë biem dakort që krijimtaria e tij ka një bukuri veçantë, të dallueshme nga krijuesit e tjerë të kohës, madje vlerësimet kalojnë lehtas në superlativa duke u shoqëruar me cilësorët më entuziastë, duke u krahasuar me vepra dhe autorë të mëdhenj. Edhe unë jam një vlerësues i veprave të tij, por tej deklaratave të përgjithëshme, dua të kuptoj,  ku qëndron e veçanta në prozën e Odise Kotes.

        I - Porsa nis leximin e librit me tregime “Biletë për në qiell” të Odise Kotes të krijohet një ndjenjë sikur sikur ti po “ecën” nëpër rrugica të kalldrëmta, madje ndjen më shumë se sa kupton, qê “je duke ecur” diku te  Qafa e Pazarit apo Sokaku i të Marrëve, “shkon” te  Klubi i Gjuetarëve apo  “ngjit” ato tetëmbëdhjetë shkallët për tek Gjykata e Apelit. Mund të “jesh” duke zbritur për tek Trëndafili i Erërave apo në Vasilikua, por gjithmonë do jesh brenda Gjirokastrës. Kjo ndjenjë nuk është rastësore, pasi optika e shkrimit të tregimeve të  Odise Kotes, pavaresisht se ku është teatri ku zhvillohet ngjarja, është gjithnjë Gjirokastra.

Gjirokastra si mentalitet e mençuri është ai prizmi kristalor ku përthyhet gjithçka me lehtësinë e përthyerjes së dritës, për të marrë më pas formën dhe aurën e qytetërimit. Ky fakt i jep veçanësi këtij autori dhe e bën krejt të dallueshëm prej shkrimtarëve të tjerë stilin e tij të shkrimit të tregimeve.

        II- Odise Kote është gjirokastrit, pjesë e atij komuniteti qytetar me fillesa qysh nga koha e Zenevishëve, që jo vetëm u rezistoi trysnive të shekujve, pushtimeve, por krijoi mënyrë dhe kulturë jetese autentike me një dendësi të madhe përvojash në një hapësirë fare të vogël. Kjo dendësi përvoje, kulture dhe mënyrë jetese jo vetëm që ishte ushquese për vetë banorët e komunitetit, por ishte sa rezistente ndaj faktorëve  të jashtëm aq dhe rrezatuese për të ndikuar mbi këta faktorë. Në thelb arti që krijon Odise Kote  mbart esencën,  psikikën e këtij qytetërimi që: pavarësisht ndryshimeve demografike të ndodhura  nëpër vite e shekuj, mbetet funksionale si një laborator ku elaburohen idetë , këndshikimet, perceptimi mbi botën e ngjarjet, ëndërrimin për të ardhmen duke e bërë komunitetin gjirokastrit të ketë jo vetëm një vizion të qartë për ngjarjet dhe dukuritë, por të shtrojë një “kalldrëm” nëpër të cilin të ecte jeta dhe progresi i saj.

Ky “kalldrëm” është komunitarizmi qytetar gjirokastrit, një“strukturë e ndërlikuar ligjësish” ofuar nga përvojat, që përcaktojnë mënyrën e jetës të komunitetit, “kalldrëm” që nuk e gjen në  qytetet e tjera. 

Komunitarizmi qytetar në ligjërimin e O. Kotes përcillet edhe me flladin e humanizmit, që si një erë e lehtë pranverore shpërndan në jetën qytetare tregimet, nē thellësi të të cilit ka dhe një tis të hollë humori fin, tipike e qytetërimeve, e njerëzve të ditur e inteligjentë, afinitivë me librin dhe ngjarjet e botës. Odise Kote gjatë procesit krijues eksploron kujtesën e tij qytetare dhe atë kolektive të komunitetit gjirokastrit. “Zbulimet” që bën aty apo në “zgafellat” e harresës, janë mahnitëse, janë thesaret që ai na shtron  në tregimet e tij, të cilat i shohim e  mrekullohemi me to.

 "… të shkruarit është gjithmonë eksplorim i vetes dhe i botës njëkohësisht; eksplorim i qenies individuale dhe kolektive” ka thënë nobelistja Nadine Gordimer. Nga kujtesa kolektive Odise Kote mjeshtërisht na përcjell “ligjësinë” e komuntarizmit qytetar si psh. “ligjet” e një fqinjësie të mirë me fjalët: “Kush do ta dojë me të vërtetë gjitonin, duhet ta respektojë në tri gjëra: Ta nderojë kur është i  pranishëm, ta lavdërojë kur nuk është prezent dhe ta ndihmojë kur është në hall” (fq 99). Shumë të thjeshta këto ligjësi në të kuptuar, por që kanë forcën dhe bukurinë e një diamanti.

E theksojmë karakteristikën e komunitarizmit të qytetit Gjirokastër sepse: “Është e pamundur ta gjykosh letërsinë e kohës sonë pa e lidhur me krizën e përgjithshme të qytetërimit, krizë që nuk është thjesht e një sistemi ekonomik, po është shembje e krejt koncepcionit të njeriut dhe të realitetit” shkruan Ernesto Sabbato. Në rastin tonë,  njohja me komunitetin qytetar gjirokastrit dhe  me “ligjësinë” e jetës së tij është çelësi që “hap portën” hyrëse në prozën e Odise Kotes. 

       III-Gjuha në prozën e Odise Kotes të befason me shkëlqimin e saj, me tingullin plot jehonë të misterëshme që përcjell, me ndenjën e një dijeje të herëshme që të krijon. Në një kohë që krijuesit e tjerë synojnë përdorimin e fjalëve moderne apo të huaja në krijimet e tyre, Odise Kote e ka bërë metodë të vetën përdorimin e fjalëve dhe shprehjeve të mara nga fondi  i fjalëve dhe shprehjeve të haruara apo të mbetura në fondin pasiv a të vdekur të leksikut komunitar, duke u dhënë atyre jetë, vlerë e shkëlqim, feks e bukuri në frazat e tregimit. Mes fjalive, fjalë të tilla ndrijnë si monedha ari të qepura në “festet” apo “shamitë” e kostumeve të vajzave të reja që i veshin në festat e fshatit apo krahinës. Fjalë si: “mëmëzonja”, “babazoti”, (fq 15), “jeto” (fq 19), “trushkulur”fq (21), “turifyç” (fq 25)“ “ditëprerë”, “(zërin si) camunzë lofate”(fq 23), “i thiliks” (fq 31),”gjëmëmadhe”,  “llokoçisin” (fq 33), “(të )“laj lumin”(fq 48), “Koçkëla” (fq 50), ”pufkë” (fq 54), “Çerekdamllatë..gërmadha”, “ndërgjegjet e lerosura” (fq 67), “gjysmaku” (fq 71) , “(i qe tharë) “guxhumani” (fq 99), “thagmë thashethemesh”(fq 229) “dërdënge” (fq 177), “trishton trishtimin” (fq 177)  etj. etj. janë jo vetëm fjalë të një fjalori komunitar, por janë shpesh elementë tipizues të personazheve, që ravijëzojnë qartazi një portret njeriu, po aq sa edhe një kulturë, qytetërim, kohë  formimi e një mënyre jetese. Odise Kote vazhdon të na befasojë dhe më tej: Në fjalorin komunitar gjirokastrit, në mënyrën më befasuese përdoren fjalë të bukura edhe për zymtësinë e jetës!!! “Trëndafili i erërave” quhet vendi ku janë ngritur varrezat e qytetit, “Vasilikua” (nga “vasiliko”) quhen varrezat,  që jo vetëm  largojnë gjer në harrim fjalën “varreza” dhe “varr”, por e zvëndësojnë me emrin e mësipërm aromëmirë, të bukur, pranveror.

“Tek shtatë penxheret” i quajnë gjirokastritët birucat e burgut të kështjellës, ndërkohë që vetë emri “birucë” nënkupton diçka thellë nën tokë, ”shtatë palë shkallë” ku mungon në mënyrën me absolute ndonjë mundësi  soditjeje. Ndërkohë penxheret ndërtohen pikërisht për të soditur, per të parë jashtë shtëpisë, banesës, ndërtesës veç funksionit të hyrjes së dritës dhe ajrimit në shtëpi. Duke e quajtur penxhere birucën (nisur nga fakti se birucat ishin ndërtuar në kështjellë), zbutet efekti  psikologjik për të dënuarin por edhe për familjarët e tyre, ku vijnë t’i vizitojnë. Këto fjalë dhe emërtime dëshmojnë për një kulturë të madhe dhe të hershme qytetare, kulturë që gjallon ende, duke na ndriçuar një portret dhe pamje të kulturuar të qytetit dhe banorëve të tij. Po ashtu  frazeologji të tipit: “E vërteta?... ri e fshehur, atje ku s’ja pret mendja njeriu”(fq 27), “..netët nuk mund t’i gënjesh”, “Fatit i tremben dhe perënditë” ( fq 51), “në se nuk e kupton heshtjen time, si mund t’i kuptosh fjalët e mia” (fq 102), “nuk jetoj në botën ku varrimi është më i rëndësishëm se i vdekuri” (fq 122), etj. etj fjalë e frazeologjizma që “tunden” në trupin e fjalive si gjerdane e varëse floriri, me aq hijeshi sa në qafën a gjoksin e nuseve të reja, “krijuar” në argjendarinë e përvojës jetësore. Këto janë nga ato tip frazash që janë “kryefjala“ në tregimet e Odise Kotes. 

Në tregimet e tij flasin “thesaret”e fjalëve dhe  frazave, ashtu si për origjinën dhe rangun familjar të nuseve, flasin kostumet e qëndisura me ar, “florinjtë e ballit” dhe “florinjtë e gushës”. Dhe duke qënë se këto  thesare i gjen në esplorimin e kujtesës individuale apo të komunitetit të tij, duke perifrazuar Xhojsin do thoshnim se Odise Kote ”mbyll sytë dhe shikon e shkruan”. Është vërtet një metodë e bukur kjo e të shkruarit symbyllur. Provojeni!

          IV-Është fakt se Odise Kote në krijimtarinë e tij letrare jo vetëm që ngre në mit mënyrën e jetesës dhe fjalorin gjirokastrit, por ai e përdor këtë edhe për të “pikturuar” portretin e personazheve të tij,  të cilët mbartin dhe reflektojnë komunitarizmin qytetar. Kështu psh.te tregimi “Qilari” (fq 12-20),  ku nxënësit e shkollës së mesme të qytetit revoltohen pse nuk u jipet në biblotekë romanin “Bel-Ami” të Mopasanit, i cili ishte i ndaluar dhe  duke qënë se nuk e “njohin” konceptin e “librit të ndaluar”(“Si? Libra të ndaluar? Ndalohet libri? Kjo nuk ka llogjikë!”) fq13, shprehin revoltën e moshës duke shkruar në korridorin e shkollës parullën: “Ndalohet Mopasani. …lejohet Rauf Kani”. Sigurisht që kjo revoltë ishte ndaj “ndalimit të librave të verdhë”, por  parulla ishte hartuar në një mënyrë që të krijonte humor dhe jo debat, një humor që të çpon si majë gjilpëre dhe të shkakton mornica në trup.  Humori te teksti  i parrullës nuk “njolloste” Mopasanin e “ndaluar dhe as që përbuzte  Rauf Kanin, shkrimtarin e ri bashkë-qytetas që kishte shkruar dy libra për pionerët partizanë, ajo në thelbin e saj ishte një revoltë ndaj “lejfenizimit” të njëriut të ri që kultivonte shkolla, dhe për pasojë ajo ishte kundërvënie ndaj një “padrejtësie” që shteti u bënte nxënësve, të cilët “kishin nevojë për përfytyrimin e botës, për zbërthimet radhë pas radhë të saj, me gjithë zhbirimet e pafundme të fantazisë” (fq 16).   

Revoltë e shprehur me finesë dhe  elegancë, shoqëruar me një solidaritet komunitari ndaj padrejtësisë që i bëhet një kovaçi, e shohim edhe te tregimi “Në Tiranë ka një gjyqtar të mirë” në momentin që kovaçi bërtet: O i biri i Yzos! Do mi japësh paratë apo ti shkul ato kangjella nga Yzua e ti ngul te Fatja”.

Zemërimi në tekst fsheh përmasat e revoltës shpirtërore të kovaçit të dehur, por edhe fyerjen e birit të  Yzos (“që kish qënë drejtor në kohë të ligë” fq 146)) për arsye se “mëhalla e dinte që Fatja i kishte vënë brirët Yzos kur ishte gjallë”(fq 147). Realisht të birit të Yzos i duhej të jetonte me  turpin e të  kaluarës së prindërve të tij, (“E kaluara nuk vdes kurrë. Madje nuk është as e kaluar” thoshte Folkner), ndaj dhe përmëndja e emrit të jaranit të së ëmës publikisht, dhe “kërcënimi i kovaçit se: do t'ia shkulte kangjellat nga varri i të jatit (Yzos) dhe do t'i vendoste te varri i jaranit (Fatja), ishte sikur ti vinte brirë vetë kovaçi, madje publikisht. Realisht në fjalët e kovaçit nuk kishte asnjë fyerje me fjalë të rënda, asnjë kërcënim për dhunë fizike, me gjithë se ishte në gjëndje të dehur dhe mund të justifikohej. Kultura komunitare nuk e lejonte as një kovaç të zemëruar të kalonte caqet e etikës së të folurit publik. Madje dhe solidariteti i  “mëhallës”që ndiqte ngjarjen nëpër dritare në atë pragmesnate shprehet plot finesë, me një të qeshur të përgjithëshme që: “...e thërmoi natën në mijëra copa. E griu”(fq 147).

        V-Te tregimi “Qilari” lexojmë: “Shpejt, atje! - mërmëriti (mëmëzonja) si në prehër durimi, më shumë me sy se sa me zë. Të kam shpurë dhe bukën. Atij i kanë hipur xhindet” (fq 14), ku ne kuptojmë se shprehja: “Shpejt, atje..”do të thotë: shpejt futu vetë në qilarin (burgun) e shtëpisë. As vendim gjykate, as policë shoqërues, as burg te “shtatë penxheret” e kështjellës, por një burgim brenda ambienteve të shtëpisë. Gjëja më normale që i shkon ndërmend lexuesit është se ky burgim na qënka “gjasme burgim”, por në fakt  burgimi është më se i vërtetë, djaloshi i dënuar nga kryefamiljari izolohet në burgun (qilarin) e shtëpisë, ku qëndron pa kontakte me banorët e tjerë të familjes. Është i vetmi qytet në vendin tonë, por besoj dhe në botë ku çdo shtëpi kishte “burgun e saj” ku vuanin dënimin ata familjarë që kishin bërë faj ndaj familjes apo ndaj komunitetit. Fraza: “Atij…i kanë hipur xhindet” flet jo aq për kodin patriarkal, ku gruaja nuk i fliste në emër burrit të saj, se sa për faktin se ai ishte autoriteti i padiskutueshëm në vendim marrje në shtëpi, ai ishte dhe “prokuror” edhe “gjykatës”. Pra, në tre rreshta autori na ka dhënë një ngjarje familjare me një densitet dramatik, që duhet të jesh pjestar i komunitetit gjirokastrit ta kuptosh situatën. Në qoftë se duhet të njohim portretin e “gjykatësit” le të lexojmë autorin: “…unë babazotin e mbaj mënd për gjestin e tij kalorsiak, për aktin sublim, siç e quante ai, refuzimin e kësaj bote, mosdaljen nga shtëpia.…"Nga shtëpia doli vetëm kur mbylli sytë, në udhëtimin e fundit drejt Aliqeve, në Pllajën e Trëndafilit të Erërave”.(fq 17-18)].  Nuk e di pse kur e lexova këtë frazë, që skicoi në vetëdijen time një portret plaku kokëfortë, m’u kujtua kërcënimi lemeritës që Diellit i bëri Zeusit (te Iliada) me fjalët: “Do ikij nga kjo botë, do shkoj të ndrij për të vdekurit”. Imagjino një plak në Gjirokastër, i lodhur nga mos gjetja e normalitetit në raportet e tij me shtetin e kohës, refuzon jetesën e tij normale dhe “vetëburgoset në shtëpi” ("Prej asaj dite nuk u pa më në qytet. As në mëhallë" fq 18)

Ky plak nuk është në  kundërshtim me filozofin Seneka  kur thotë se:“Njeriu nuk është krijuar të jetojë i vetmuar, ai është qënie shoqërore”. Më shumë na ngjeth shtatin fakti se ky kundërshtim ndodh në  Gjirokastër, në vendlindjen e atij që drejtonte vendin komunist dhe ishte kundërshtim ndaj mënyrës së drejtimit të shtetit. Në fakt, përkundër llogjikës së gjërave, ky qytet, jo vetëm që s’kishte patur asnjë favorizim prej tij, por kishte provuar goditjen më të fortë të diktaturës, sidomos në psikikën, në atë shtresën e patjetërsueshme intelektuale. Nuk e di nëse jeni dakort me mua që edhe sfidën më të madhe atij rregjimi ia  bënë intelektualët e këtij qyteti. Në lidhje me “babazotin”, parafytyroni pak sikur t’i vente në vesh një gjysëm fjale Atij për këtë plak që… refuzonte! Çfarë do ndodhte me atë, më mire mos t’a mendojmë.

        VI-Tregim“Qilari” ndonëse ka një “thesar informacioni”, vjen për të na rrëfyer fuqinë e Librit, ose Shën Librit. Ne do flasim për “thesarin” prej librash që ”që dihet se përse kishte zbritur babazoti në atë qilar shtëpie gjirokastrite". Por fëmija i vogël e zbulon shpejt me kërshërine e guximin e tij. “Pas atij zbulimi, qilari u bë strehëza ime e preferuar. Përtej kënaqësisë së leximeve. m’u ngulit në kokë ideja që krahas jetës sime kishte edhe jetë të tjera, më interesante, më intensive”.(fq 16). Është kjo arsyeja që djaloshi e pret qetësisht qortimin e babazotit: “Në ferr o veç, djalo” (fq 20) dhe me gëzim ndëshkimin: “Kisha përfunduar vërtet në ferrin e qilarit, me libra të zverdhur, atje ku gjëndej gjithë parajsa ime …” (fq 20). Mjafton kjo frazë për të kuptuar marrëdhënien me librin në familjet gjirokastrite (“libra të  verdhë” fshehur në qilar nga babazoti), marrëdhënie që kultivonte  ndjenjën e “garës” për të mësuar më “shumë se shoku”. Kjo ndjenjë e “garës” ishte motori që vinte në lëvizje shpirtin arsimdashës të familjeve gjirokastrite dhe që me metodat e tyre, si më rripa trasmensioni ua përcillnin fëmijëve “sedrën”dhe dëshirën për të mësuar, duke e bërë qytetin një qendër intelektuale kombëtare. Mjafton të kujtojmë faktin se në vitet para Luftës së Dytë Botërore gjithë vendi ynë kishte 450 intelektualë gjithsej, nga të cilët 250 ishin gjirokastritë. Këtu duhet parë dhe zemërimi i babazotit për përjashtimin nga shkolla të djalit, i cili : “..u gremis pa u nisur”, duke na dritësuar befas mendimi se: Gjirokastrën e ndërtoi shpirti i “garës” i banorëve të saj, “garë” për të bërë shtëpinë më të bukur se fqinji, në atë rrëpirë vend etj. dhe jo ndonjë plan urbanistik sulltanor.

     VII - Ne shohim te tregimet e Odise Kotes një dendësi informacionesh dhe përvojash jete të pa hasura në asnjë qytet tjetër, që autori i zbraz nga kujtesa, duke u çliruar nga pesha e tyre. Në fakt kjo është  letërsia: "Letërsia është një proces çlirues” thotë  Fernando Namora. E veçanta e Odise Kotes është bukuria e paraqitjes së gjetjeve të këtij eksplorimi të vetvetes, paraqitje në tregime me ngjyrat dhe “format”e  rombeve të “qëndisura” mbi kalldrëm, ku ngadalson të ecurit, thjesht për të shijuar bukurinë e vetë ecjes në një kalldrëm të “qëndisur”.

Dhe me që përmëndëm  rombet mbi kalldrëmin e qytetit, a e dini që tregimet e Odise Kotes “kanë“ një formë “rombi” letrar? Ky “romb” është vetë struktura e tregimit, që i vëzhguar nga një distance  kohore pas leximit, e sheh të pozicionuar me majat kënd ngushtë lart e poshtë, (që përfaqsojnë hyrjen dhe në përfundimin e tregimit) dhe anash cepat kënd gjerë të rombit, (që përfaqsojnë zhvillimin e subjektit). Kjo do të thotë që tregimi ka të njëjtin intensitet ngjarjeje dhe nivel artistik si në hyrje ashtu dhe në mbyllje të tij, ndërkohë që subjekti zhvillohet në mes të tregimit me dendurinë e rrëfimit, itensitetin dhe nivelin artistik të tij. Le ta shohim këtë fenomen psh te tregimi “:Në Tiranë ka një gjykatës të mirë” (fq. 144-148), i cili fillon me frazën: “Retë gjithë natën fjetën mbi mal. Në mëngjes u turrën si të çakërdisura mbi kokë, në Qafën e Pazarit. Aty mga ora nëntë sikur ndoqën pas grumbullin e njerëzve”. Në asimetri me këtë hyrje që paraprin rrebeshin, mbyllja është gati e njëjtë…” Rrebeshi u përplas i tëri verbërisht mbi kokat e tyre.”. Ndoshta është kjo strukturë e tregimit që të mban të “tendosur” si interesimin e leximit, madje të fton në një rikthim leximi për së dyti. Meqënëse jemi te tregimi “:Në Tiranë ka një gjykatës të mire”, kjo frazë që shërben si titull shprehet qysh në pjesën e parë të tregimit dhe lexuesi kujton se vërtet në Tiranë është ndonjë gjykatës i mirë, që jep drejtësi, që peshon paditë me peshoren e farmacisë  dhe befasohemi në fund kur lexojmë se: ky gjyqtar ishte i mirë për personazhin nga që…”(e)..bëri veteran në moshën pesë vjeç në kohën e luftës…” Këtë pozicion struktural të tregimit e shohim edhe te tregimi “Shirat”, i cili fillon me frazën : “kur retë nxitojnë si kuaj të hasdisur në qiell të murrmë, në qytet nisin shirat” dhe përfundon me frazën: “Mbase për këtë e kanë fajin shirat”, ndërkohë që subjekti zhvillohet  në një kohë me shi. Po ashtu tregimi “E çmendura e Tiranës” vetëm në fund na tregon shkakun e çmendurisë: “Si gëlltite dot asnjëherë“moj e ngratë” tradhëtitë e babait dhe helmet e njerkës gjuhëpiper” (fq 196), etj. Kjo strukturë  të mban në “tension” interesimin për tregimin, qoftë si subjekt, qoftë si vlerë artistike dhe është një gjetje fine, që sado të përdoret te pjesët e librit, ajo nuk të krijon “bezdi përsëritjeje” pasi mbetet si një fill i hollë, i padukshëm në “qepjen e kostumit” tregimtar. Lexojini në këtë këndvështrim tregimet e Odise Kotes dhe do gjeni perlat në thellësi të tyre.

         VIII- Dashuria në librin me tregime “Biletë për në qiell” zë një vend të merituar, si një prej burimeve qënësore të jetës dhe ekzistencës, por edhe në këtë sferë Odise Kote paraqet veçantinë e tij. Pothuaj, të gjithë krijuesit bashskëkohës kur shkruajnë për dashurinë e paraqesin atë me ngjyra rozë, me mendimin se kjo ngjyrë do “reflektojë” dritë dhe pasion te lexuesi, ndërsa Odisea Kote shprehet “me ton” gati të  prerë: "Dashuria është diçka e zezë"(fq 162), duke na befasuar qysh te titulli i njërit prej tregimeve, duke na paralajmëruar, siç pohon Xh. Xhojsi: "piknisjen sipas rrethanës". Tek ngjyra e zezë zbërthehen të gjitha nuancat më të holla të ngjyrave që sheh dhe percepton syri i njeriut dhe në “asimetri” me të, themi se: dashuria gjëndet në të gjitha ngjyrat e spektrit jetësor, që të bashkuara krijojnë të zezën unike. Kështu është dhe dashuria e tregimeve të tij, me të gjitha ngjyrat, të zbërthyera apo të mbledhura nga e bardha, e kuqja, grija, bluja ....deri tek e zeza. Sepse këtë rregjistër ngjyrash e tonesh ka jeta. Në qoftë se fraza “Dashuria është diçka e zezë” ka si autor Picasso, poeti gjilanas Beqir Musliu ka vargun absurd “Bukuria asht shumë më e bukur kur asht në të zi”(Beqir Musliu“Bukuria e zezë” Prishtinë 1980),   “ku ai shpërfaq abstraksionin brenda ligjërimit poetik” (Ibrahim Rugova: “Strategjia e kuptimit”  Rilindja, Prishtinë 1980 fq 95).

Duke u larguar nga termat akademike, le ta shohim te tregimet e Odise Kotes “të zezën e dashurisë”. Tregimi “Dërzani” nis në një odë morti ku vajtohet i zoti i shtëpisë “i vrarë” nga kali i tij, duke e rrëzuar nëpër gremina. Autori na paralajmëron  kur na thotë: Të dish historinë e një peme, duhet të mësosh më parë historinë e farës. Farë varvati” (fq 42), por ne vetëm në fund të tregimit mësojmë se  gruaja xheloze, që dyshonte se i shoqi e tradhëtonte në ato bredhjet e tij me kalë, diçka i bëri kalit. “Me çfarë e ushqeu atë mëngjes, si ia nguli gozhdët në patkonj dhe si ia la të zgjidhur rripat e yzengjisë” (fq 42) duke i mbledhur të gjithë ngjyrat në një të zezë të thellë vdekjeje!!!  Ky tregim ndoshta e çfaq më dukshëm të “zezën e dashurisë”, ndërkohë që pikërisht tregimi “Dashuria është diçka e zezë” (fq 162) duket se bën një “lojë” dritash e ngjyrash duke treguar “krijimin” e të zezës te dashuria: “Në vitin e tretë të martesës fati e braktisi. Markoja, bashkëshorti, lodhur prej tekave të saj a ndoshta në kërkim të një aventure tjetër ia mbathi në Argjentinë”, “atë mëngjes Nikolinin e kapi temperaturë e lartë” (fq 163). Në përpjekjeve e saj dhe të personelit spitalor për shërimin e të birit, nis e zbërthehet ngjyra e zezë (si në një prizëm dashurie) në gjithë ngjyrat e ylberit, ku dallohet ngjyra rozë. Janë një sërë tregimesh te ky libër ku Odise Kote luan me ngjyrat në dashuri, ku herë i bashkon në të zezë dhe herë i zbërthen në spektër të ylbertë (“Vajtimi i grave u ngjit në qiell”fq 28,”Litarët e mëndafshtë” fq 69,“Mery Zingler fq 123,“Refuzimi” fq 155,“Peshqit nuk kapen kur s’ka hënë” fq 179 etj etj) sikur do të pohojë thellësinë e fjalës së Osho kur thotë: “Të jesh krijues do të thotë të jesh në dashuri me jetën”. Odise Kote e dashuron jetën në të gjitha ngjyrat e saj dhe këtë e shpalos më së miri tek libri me tregime “Biletë për në qiell”.

Sarandë, më 07.02. 2022

Sunday, 30 January 2022

 

Timo Mërkuri

 

POEZIA E JUSUF GËRVALLËS ËSHTË SI DASHURIA, NDJEHET EDHE KUR NUK KUPTOHET

 

(Me rastin e botimit të vëllimit me poezi të zgjedhura të Jusuf Gërvallës “DHEMBJE TË NDRYDHURA”. Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Gjilan 2022.

 

 

I- Takimi im me poezinë e Jusuf Gërvallës ngjan me rënien e një gjethi peme mbi supe, me një ecje nëpër pyll vjeshtës së vonë. Veçse ajo ditë nuk ishte vjeshtë, por një ditë fundmaji e vitit 1982, në kafen e Hotel Turizmit në Kukës, kur bashkëbiseduesi im (poeti B. C.) para se të ngrihej nga tavolina për të ikur, nxori nga çanta një fletore të trashë me kapak kafe dhe pasi e hapi diku, grisi prej saj një fletë të shkruar dhe ma zgjati duke më thënë: lexoje kur të kesh kohë, është e Jusuf Gërvallës.

U pamë sy ndër sy dhe lehtë tunda kokën në shenjë miratimi. Pas pak, ula sytë mbi fletën e shkruar dhe nisa të lexoj. Ishte një poezi e stilit absurd, me një veshje metaforike, nëpërmjet vargjeve të së cilës bartej tek unë një ngrohtësi. Nuk e di pse copa e letrës më ngjau si një gjeth i përzhitur lisi të të ri, të vetmuar, goditur nga rrufeja, diku te trungu, pranë tokës.

Ndoshta ky përfytyrim m’u krijua nga forma e copës së fletës, që grisja e shpejtë i kishte dhënë një formë të parregullt, por që përafronte me formën e një gjethi lisi, ndoshta nga ngjyra e saj që luhatej mes një kafe të thellë përzier me një të verdhë të lehtë, tipike e gjetheve që i prek për një pjesë sekonde vala e një zjarri të madh, apo nga ndjesia e një dridhjeje që më shkaktoi leximi i shpejtë i poezisë. Këtë ndjesi e riprovova pas dy ditësh në Sarandë kur një tjetër poet (A. M.) më dha dy-tri poezi të tij. Për hir të së vërtetës duhet t’ju them se leximi i këtyre poezive më ngjalli një ndjenjë të trazuar, pikërisht nga forma moderne e tyre, ndaj “i arkivova” diku në kujtesë “për t’i lexuar më vonë”.

II- Në kujtesën time kjo ngjarje kishte zënë një shtresë të trashë pluhuri harrese, ndërkohë që rënia në dorë e përmbledhjes me poezi të zgjedhura “Dhimbje të ndrydhura” të Jusuf Gërvallës, këto ditë në dyzet vjetorin e vrasjes së tij më tërhoqi vëmendjen. Fakti i botimit të librit si dhe fakti që këtë përmbledhje e përgatiti dhe parathënien e hartoi Prof. Anton Nikë Berisha më shtyu ta lexoj me vëmendje.

Qysh në poezitë e para ndjeva përsëri atë ngrohtësi dhe dridhje të mëparshme, por këtë herë e “pashë me sy” burimin e saj. Madje qysh në vargjet e para të poezisë së parë “Fletë testamenti” të krijohet përshtypja se je në një hije lisi pranë një burimi dhe një dridhje si nga mornicat të përshkon trupin tek lexon vargjet:

 

në zgjimin tim më të heshtur të më ngurosin

në flijimin tim më të begatshëm të verës

në nisjen time në fillimin tim të ri

në gjumë shekujsh me ndërrime të më zgjojnë

 

le të më lënë të fle qetë si pranë stufe

dimrit të madh të dashurisë sime […]

kurrë të mos më vijnë kur unë nuk i pres

ata që tërë jetën i prita, të dashurit. f. 19-20.

     

Poezia e Jusuf Gërvallës është si dashuria, ndjehet edhe kur nuk kuptohet. Është e vështirë të kuptosh menjëherë poezinë e tij nën atë veshje dhe kuptim metaforik, me një stil poetik absurd dhe surreal. Megjithatë e ndjen menjëherë poezinë në vargjet e tij, ashtu siç ndjen aromën e mimozave në bulevard. Ndjen këtë aromë dhe kthen kokën të shohësh lulet, ndjen poezinë në vargjet e shkruara dhe nis e “kërkon” atë mes metaforave. Jo vetëm kaq, por te poezia e Jusuf Gërvallës ngrohtësinë e vargjeve e ndjen si një ngrohtësi të brendshme të vetë poezisë, dhe jo një ngrohje e jashtme. Duhet të ndjesh dhe të kuptosh vargjet e tij poetike që të ndjesh ngrohtësinë që ato përcjellin në vetëdijen tënde gjatë leximit. Duhet të ndjesh ngrohtësinë e vargjeve që të kuptosh poezinë dhe më pas të njohësh poetin sepse: “Poezitë përcaktojnë poetin, jo opinionet për të”. Të duket se nëse heq një varg nga një poezi e tij absurde dhe hyn vetë shpirtërisht në të, do ndjehesh komod mes vargjeve. Në fakt, ky është qëllimi i poetit, shprehur në këtë stil modern, ta bëjë lexuesin pjesë të poezisë së tij.

Jusuf Gërvalla është poeti i imazheve dhe përjetimeve, i mallit dhe dashurisë, i dhimbjes dhe i vdekjes, sa vetjake aq edhe universale. Vargu i tij është i çiltër dhe i sinqertë, buruar nga një shpirt i ndjeshëm lirik, madje edhe kur përmban një stres të grumbulluar nëpër “vjeshtëra” padrejtësish e synon të dalë, del siç del një lumë nga shtrati kur rritet niveli i ujërave, qetësisht kapërcen argjinaturat e ngritura. Në tonalitet, poezia e tij është si një ligjërim bisede me tone të ulëta, me një urtësi të shquar, të moçme, pa nivele të larta revolte a proteste, pavarësisht se në thelb ato kanë forcë revolte të mbrujtur brenda fjalëve dhe metaforave nëpër vargje, madje një revoltë me një dendësi të jashtëzakonshme. Një revoltë poeti, që gjëmon në heshtje dhe tutje kohë- jetës së tij. Natyra e qetë e poezisë së tij, në kundërshti me jetën dhe aktivitetin e tij politik të vrullshëm dhe pasionant dëshmon për një kulturë të poetit dhe vlerësim për estetikën e vargut. Poezia e Jusuf Gërvallës ka butësinë dhe melodicitetin e jetës së tij si gazetar dhe këngëtar, jetë e cila i mbante “fshehur” vrullet dhe pasionet.

III- Kur vështrohet poezia e Jusuf Gërvallës lind pyetja: pse poeti përdori vargun absurd, që dhe pa ato, ishte poezi moderne?

Duke gjykuar kohën e krijimit të poezisë të Jusuf Gërvallës (vitet 70 gjer në fund të vitit 81) dhe sidomos kushtet në të cilat e krijoi këtë poezi, kohë dhe kushte që përkojnë me periudhën e akumulimit të madh të pakënaqësisë popullore ndaj shtetit serb dhe të ravijëzimit të protestave popullore (viti ‘81), përfundojmë se poezia e absurdit u zhvillua në Kosovë në kushte specifike ekstreme social-politike, kohë që kërkonte detyrimisht që dhe poetët duhej ta thoshin fjalën e tyre të vetme, “fjalën poetike” …Mund t’i merrni fjalët e mia/e të niseni nëpër botë/Unë s’kam guxim /Kuptoj se pa dritën e tyre/ Nuk do ta di rrugën nëpër dritë” f. 60. Sigurisht që në kushtet e kohës ata duhej ta “mbulonin” idenë e poezisë, por këtë mbulim e realizonin më së miri nëpërmjet metaforizimit të vargjeve. Tjetër kund ishte synimi i poetëve kosovarë në përdorimin e poezisë së absurdit. Ishte koha kur në Evropë kjo lloj poezie ishte arritja më e madhe e atëhershme poetike, ishte “çlirimi i poezisë nga vargonjtë racionalë i imagjinatës njerëzore[1]”.

E parë në këtë këndvështrim dhe Jusuf Gërvalla e poetët bashkëkohës të tij e shihnin dhe e trajtonin poezinë absurde si arritjen më të lartë të poezisë moderne, ndaj dhe lëvrimi i saj prej tyre ishte synim i ngritjes së nivelit të poezisë shqipe në Kosovë në nivelet evropiane, ishte synimi i prezantimit në Evropë të poezisë shqipe në nivele “të barabarta” me poezinë evropiane dhe për pasojë, prezantimin e kulturës së popullit shqiptar si një kulturë e natyrës dhe niveleve evropiane, në kundërshtim me propagandën serbe.   

 Leximi me vëmendje i poezitë absurde të Jusuf Gërvallës (por dhe të poetëve bashkëkohësve të tij), na paraqet së pari nivelin e lartë artistik të tyre, që parë në kohën kur janë shkruar, është shumë lart e larg nga poezia që lëvrohej në Shqipëri.

Së dyti stili absurd i poezive të Jusuf Gërvallës s’ka mënjanuar asnjë nga objektivat e tij poetike si: shpalosja e gjendjes shpirtërore dhe revoltës etj. sepse në poezi ato qëndrojnë si “shkëmbinjtë brenda një mali”, të paraqitura nën metafora dhe simbolika që të hutojnë me dritën e tyre befasuese … “Të ëndërrova./Shkëmbin tënd e ka futur në gji mali” f. 32, në zgjimin tim më të heshtur të më ngurosin” f. 19, ka gëlltitur llavë ky durimi im/ e di do t’ më vish kur të vijnë stinë lulesh” f. 21,..” Një si dhembje, një ankth që më kujtoi/ Hapësirë të paanë të atdheut në zinxhirë/Që shpërlahet në liqenin e lotëve”,“ E prangat në këmbë, me krikllimin shekullor/E trazojnë gjithë letargjinë e liqenit” f. 22, “ka njerëz të çuditshëm sot kudo në botë/ ka varre për këta njerëz në tokën e shkelur të Kilit” f. 28. ; “atje e di një diell sërish do të jetë kokë / e koka përsëri do të varet në valën e parë/ pikëllimi na paska qenë këtu i vetmi margaritar” f. 67, “Eja të mbyllemi në kupën e zezë hermetike/U lodhëm më duke u puthur me gjarprin” f. 54 etj.

Madje edhe me këtë veshje metaforike autori ka arritur të japë poezi të fuqishme si “Besa” që të rrëqeth shtatin me idenë dhe vargjet:

 

Duert më janë vrazhdësue tue u zvarë

N’për muret e jetës – si thnegël.

Zani m’âsht marrë – si magjupes

që darsmavet përsëriti.

Mushkënitë baltë më janë mbushë

tue notue nëpër brraka – si bretkosë –

Po, ani se, udhërrëfim t’ardhmënisë

në zemër kam ndry një fjalë të nderit f. 87

 

Sigurisht që kjo ishte dëshmi e talentit të poetit, e kulturës së tij dhe këmbënguljes për të krijuar poezi të rrafshit të epërm.

IV- Në parathënien e tij Prof. Anton Nikë Berisha konstaton se Jusuf Gërvalla përdor me sukses atë që e quan “pamje poetike[2]” dhe këtë ne mund ta ilustrojmë me shumë poezi të librit si: “E largëta” f. 115, “Dashuria” f. 112, “Buzëqeshja” f. 100, “Kulla” f. 99, “Pamje nga jeta e fshatit” f. 88, “Paradreke kambanarësh” f. 91 etj.  Ne duhet të themi se “pamja poetike” nuk është e re në poezinë shqipe, ndonëse shumë rrallë është folur për ‘të. “Pamje poetike” është përdorur me sukses në letërsinë e Rilindjes dhe sidomos nga Naim Frashëri, qoftë te poema “Bagëti e Bujqësi” në të cilën jep në pamje poetike të idealizuara për natyrën, jetën dhe shoqërinë shqiptare me synim të caktuar që të rriste dashurinë për Shqipërinë, qoftë dhe te poema “Histori e Skënderbeut” në këngë të ndryshme. Po kështu dhe te Andon Zako Çajupi e gjejmë “pamjen poetike” te “Fshati im” ku paraqet pamje poetike e jetës sociale të kohës apo te poezia “Misiri” dhe më pas “pamjen...) e gjejmë te Poradeci. Bukurinë, ngrohtësinë dhe natyrshmërinë e “pamjes poetike” të Naim Frashërit i gjejmë te Jusuf Gërvalla, por me një mbizotërim metaforash moderne.

V- Duke qenë se te krijimtaria e Jusuf Gërvallës, paraqitur te kjo përmbledhje gjejmë poezi me shtrat te këngët popullore si “Trëndelinë erëmirë moj”, kënga ”O kjo anë e lumit”,  me motive myzeqare[3], vargje të veçanta apo shtresë baladash te disa poezi të tij, shohim se poeti temat dhe motivet i ka nga burimi etnik dhe tradita jonë letrare, duke dëshmuar se e ka nisur krijimtarinë e tij artistike nga arti i popullit, si gjithë poetët e mëdhenj. Sigurisht që nga një poet me një nisje të tillë, me kulturë dhe talent në rritje si kultura dhe talenti i Jusuf Gërvallës është e natyrshme që ne të kërkojmë “majën” e tij poetike, arritjen e tij më të lartë. Çuditërisht këtë “majë” poetike nuk po e shohim as te ky libër përmbledhës, ku sigurisht ka shumë poezi të realizuara mjeshtërisht, por pa u ngjitur mbi një nivel dominues ndaj të tjerave. Madje ka një dukuri specifike edhe te poezitë e tij tipike si “Shtatë net në Dubrovnik” ku shtatë poezitë mund të shihen edhe si një poezi me shtatë “strofa”, por mund të shihen edhe si shtatë poezi me një temë. Kjo ndjenjë të përftohet edhe te poezia “Ka akoma poetë” f. 27-28, “Dita” f. 29-30, “Baladë për shevarin” f. 44-49 etj.

Për të gjetur shkakun e moskonkludimit mbi një “majë” poetike të arritur nga poeti, le të shohim jetën e tij. Lind në 1 tetor 1943 dhe vritet në Shtutgart, 18 janar 1982 në moshën 38 vjeç e disa muaj. Pra jeta e tij ndërpritet pikërisht në moshën kur talenti i tij poetik ishte në një ngjitje, ndërkohë që poezitë e gjer atëhershme ishin krijuar në një moshë në rritje. Ishin krijime të moshës dhe talentit që “përsosej”  dhe jo të moshës dhe talentit që “jepte”. Figurativisht mund të themi se Jusuf Gërvalla ishte një fidan lisi në rritje, por “rrufeja” e goditi pikërisht në moshën e fidanit kur po bëhej lis dhe jo në moshën e lisit.

Pra, atentati i 17 Janarit 1982 ndërsa ishte një atentat vrastar ndaj jetës së një njeriu, një veprimtari, një luftëtari, një idealisti ai ishte edhe një atentat ndaj një poeti dhe poezisë së tij. Në qoftë se flasim për poezinë e tij të botuar si për një poezi shqipe moderne dhe meditojmë mbi faktin se atë poezi e ka krijuar një poet që ishte në moshën e të eksperimentuarit dhe të përfeksionuarit  të krijimit poezi (cilësore të rrafshit të epërm), mendoni dhe imagjinoni se çfarë poezie, si nivel dhe sasi do kishte krijuar po t’i kishte shpëtuar atij atentati. Po të kishte ndodhur kjo mrekulli, ne sot nuk do kishim vetëm një idhull poetik, por mbi të gjitha do kishim një poet që do na përfaqësonte denjësisht në botën letrare, do na nderonte kombin dhe kulturën tonë në botë dhe do ishte një pikë referimi e letërsisë botërore.


Sarandë, më 22.01.2022

 

 

 



[1] Shih Anton Nikë Berisha, Parathënie, f. 13.

[2] Anton Nikë Berisha, Parathënia, f. 13.

[3] Prej nga e mori motivin fillimisht I. Kadare, tekstin e të cilit Jusuf Gërvalla e bëri këngë.

Monday, 17 January 2022

 

SI E NJOHËM JUSUF GËRVALLËN

 

Nga Timo MERKURI

 

Emri i Jusuf Gërvallës u bë i njohur  në Shqipëri vetëm pas vrasjes së tij më 17 Janar 1982 në Shtutgart së bashku  me të vëllanë (Bardhoshin) dhe një veprimtar tjetër (Kadri Zekën). Lajmi u dha zyrtarisht dhe bëri bujë të madhe në popull edhe për faktin se për vrasjen u akuzua direkt UDB Jugosllave.

          I-Pas këtij lajmi, vërshoi nëpër rrugë jo zyrtare informacioni se: Jusuf Gërvalla ishte  një i ri kosovar, aktivist politik që po organizonte diçka të madhe për Kosovën dhe se para vrasjes kishte qenë në Tiranë, ku ishte takuar edhe me Udhëheqësin. Madje pëshpëritej se  arsyeja e vrasjes së tij “paskësh” qenë fakti pse ishte takuar me Udhëheqësin, i cili i paskësh dhënë disa direktiva, realizimi i të cilave do t’i sillte Kosovës lirinë. E trajtuar në këtë mënyrë ngjarja, shihej si  provë e vërtetësisë së mësimeve dhe porosive të  udhëheqjes së vendit  mbi veprimtarinë  antishqiptare të shërbimeve sekrete të shtetit fqinjë dhe ishte “këmbanë alarmi për vigjilencë revolucionare”. 

         Pak më vonë qarkulloi një tjetër informacion, sipas të cilit Jusuf  Gërvalla hynte e dilte shpesh në vendin tonë, ku takohej me udhëheqjen dhe merrte direktiva e literature, informacion ky që mbështeste teorinë se Tirana e kuqe ishte qëndër e lëvizjes botërore për liri, ndërsa Jusuf Gërvalla ishte një njeri i angazhuar politikisht, një tip “ilegali” me kobure në brez dhe askund nuk u përmend se “koburja” e tij ishte pena dhe kitara.

          Dikur qarkulloi fjala se ai ishte edhe gazetar i disa organeve qëndrore të lëvizjes majtiste kosovare në Prishtinë,  dhe mqse u hodh në qarkullim një fotografi e tij me kitarë në dorë,  gazetarit ju shtua edhe emërtimi ”këngëtar”, por pa u sqaruar në se ishte këngëtar i muzikës së lehtë apo i ndonjë gjinie tjetër. Hamendësimin e përfolur si këngëtar i këngëve epike e prishte kitara në dorën e tij, ndaj nuk ju mëshua shumë këtij aspekti. Veçse ndërkohë kishte rrëshqitur fjala se ky djalosh ishte dhe  poet, por meqenëse poezitë e tij nuk ishin vlerësuar (ata që i kishin parë) në përputhje me vijën e socrealizmit, instruktorët e partisë morën direktivën që të sqaronin popullin se: ai vetëm sa krijonte tekstet e këngëve që këndonte bashkë me shokë nëpër piknike dhe mbrëmje vallëzimi. Sikur bëhej gjithçka që Jusuf Gërvalla të mos prezantohej në popull si një poet, sikur egzistonte një frikë e fshehur nga poezia e tij.

        Përkundër frymës zyrtare të kohës, poetët flisnin nën zë me njeri tjetrin duke e vlerësuar Jusuf Gërvallën si një poet të rrafshit të epërm të poezisë shqipe, me një poezi moderne, me një ligjërim lirik në poezitë e tij me temën e mallit, të dashurisë, të dhembjes, të vetmisë dhe se ai ishte një zë i patjetërsueshëm në poezinë shqipe.

        Në ato vite isha me punë në Helshan të Kukësit dhe në shërbimet e mia në Kukës apo në kthim nëpër Fajza, nga miqtë e mi poetë  më ranë në dorë poezitë e para të tij. Mbaj mend që i lexova disa herë, por as unë nuk u fola shokëve që m’i dhanë dhe as ata nuk më folën mua për vlerat e asaj poezie. Madje edhe kur shkova me leje në Sarandë, në bisedat me krijuesit saranditë, porsa përmendej emri i Jusuf Gërvallës si poet, bisedën e mbulonte heshtja. Ishte koha e bashkë-bisedimit në heshtje. Një miku im (A.M.) më dha disa poezi të tjera të Jusufit. Në heshtje m’i dha  ai, në heshtje ia ktheva pas dy ditësh, pasi i kisha lexuar e kopjuar. Do jetë e para herë në historinë e letërsisë që një poet vjen në heshtje te poetët e tjerë dhe lexuesit e tij, ndonëse kjo ishte një heshtje  gjëmimtare.           

          Të kuptohemi, heshtnim ne, heshtte gjithë inteligjenca shqiptare dhe populli, ndonëse instruktorët e partisë flisnin gjithmonë nëpër mbledhjet e Frontit dhe organizatave të masave, por e folura e tyre përplasej në heshtjen masive, siç përplaset lakuriqi i natës në shkëmb kur del gabimisht nga shpella e errët në dritën e ditës.

           Pas një “heshtjeje” të thellë për “vetëvrasjen“ e ish kryeministrit të vendit në mesin e dhjetorit të kaluar (1981),  kjo heshtje intelektuale ishte si dëbora e re që zë dëborën e një viti më parë, duke krijuar një akullsi. Ishte një ftohje e frikëshme.

         II- Unë i lexova poezitë e Jusuf Gërvallës që më ranë në dorë në Kukës dhe në Sarandë, por nuk mund të them që u mrekullova. Është më e saktë që t’ju them se u hutova. U hutova nga stili, metafora dhe struktura e vargjeve të këtyre poezive, të cilat kishin një si dritësim në brendësi të tyre, që mua më duhej të përqëndrohesha për ta “parë”. Ndoshta vlen të kujtojmë se hyrja e poezisë së autorëve kosovarë te lexuesi shqiptar, diku aty rreth viteve ’80, fillimisht me një antologji poetike dhe më pas me përmbledhje të zgjedhura të një sërë poetësh të njohur ishte një dritësim tronditës në qiellin e poezisë shqipe. Poezia që lëvrohej në atë kohë në Shqipëri i ngjante atyre kishave të vogla pa dritare[1], në të cilat ndezja e qirinjve pranë ikonave të turbullonte pamjen e tyre, veç faktit që asfiksonte të pranishmnit. Në këto kisha vogëlane dëgjohej vetëm zëri i priftit dhe i dhjakut kur këndonin liturgji apo lexonin ungjillin dhe gjithë të tjerët bënin kryqin me një “amin” të njëzëshëm.

          Ndërkohë hyrja në vendin tone në vitet ’80 e poezisë kosovare me metaforat dhe stilin e saj, ishte si të hapeshin dritare të mëdha dhe të zgjerohej porta te “kishat e vogëla”, duke lejuar depërtimin e dritës  dhe ajrit të freskët, të cilat zgjeruan frymarjen dhe shikimin e poezisë shqipe. Atëherë i pamë të qarta “ikonat” e mbuluara nga tymi dhe “rason” e lerosur të ”priftërinjve”, atëherë nisi “herezia” e vërtetë poetike.

         III-Ndërkohë që rreth emrit të Jusuf Gërvallës fliste heshtja dhe “heshtëte”  propaganda, befas në një manifestim publik, udhëheqësi i partisë dhe i shtetit nxori në tribunë dhe e mbajti pranë vetes një vajzë të vogël reth 10 vjeçare, e cila i dhuroi  një tufë karafilash, prurë nga Gjermania. Menjëherë u përhap lajmi se kjo vajzë[2], të cilës udhëheqësi i partisë dhe i shtetit i përkëdhelte flokët në tribunë, ishte vajza  e Jusuf Gërvallës. Askush nuk pyeti për të rikujtuar se kush ishte ky njeri. Emrin e tij e kishim në kujtesë si emrin e një martiri a të një shëntori, ndonëse fizikisht të panjohur. Pas këtij informacioni zëulët populli u elektrizua, shpërtheu në brohoritje e duartrokitje të papara ndonjëherë. Ishte shpërthimi i parë publik për shkak të emrit dhe kujtimit të Jusuf Gërvallës. Zakonisht nëpër manifestimet e fillim majit në bulevardin kryesor të kryeqytetit,  punëtorë e fshatarë që parakalonin të organizuar nëpër kuadrate, kur afroheshin para tribunës së udhëheqjes: brohorisnin për partinë dhe udhëheqësin, por dendësia e manifestimeve kishte krijuar një rutinë tonaliteti të brohoritjeve. Duhej një event i veçantë që të rritej edhe më ky tonalitet. Prezantimi para popullit i vajzës së martirit kosovar Jusuf Gërvalla nga vetë udhëheqësi i partisë dhe i shtetit, duke lënë të kuptohet  se familja e Jusuf Gërvallës kishte gjetur mbrojtje dhe përkrahje në Shqipëri dhe se këtë mbrojtje ia kishte siguruar vetë udhëheqësi, ngjalli në popull një ndjenjë pozitive. Kështu shpjegohet që me t’u përhapur ky lajm, duartrokitjet dhe brohoritjet para tribunës u ngritën në një oktavë të padëgjuar ndonjëherë,  kuadratet e njerëzve u prishën dhe u dyndën  para tribunës. Kuadrati  tjetër që vinte më pas shtoi masën e njerëzve dhe brohoritjet para tribunës. Ndonëse brohoritjet cilësonin partinë dhe udhëheqësin, dëgjimi mes manifestuesve i shprehjeve me fjalë plot dhimshuri për “jetimen” dhe “të shkretën vajzë” linin të kuptohej se ato brohoritje dhe duartrokitje i ishin adresuar asaj fëmije, e cila sigurisht nuk kuptonte asgjë, veçse i gëzohej masës festive të njerëzve që brohorisnin dhe duartrokisnin. Në fakt njerëzit e ndjenë se nxjerrja e kësaj vajze të vogël në tribunën e udhëheqësit në këtë manifestim  ishte një spektakël i organizuar me synim për rritjen e vlerës së aksioneve të partisë dhe udhëheqësit në “bursën politike”, por populli instiktivisht paraqiti shpirtin e tij solidar me vajzën e vogël jetime[3] .

         IV-Lajmi i botimit të librit me poezi të zgjedhur “Dhimbje të ndrydhura“  të krijimtarisë poetike të Jusuf Gërvallës[4]  nga shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Gjilan dhe ca më tepër që përzgjedhjen e poezive dhe parathënien e ka bërë shkrimtari dhe njohësi i thellë i artit poetik, studiuesi Anton Nikë Berisha, është një lajm festiv. Tek i miri zgjidhet më e mira, nga më i miri zgjedhës dhe  sigurisht po i vihet në dorë lexuesit një vepër poetike e admirueshme.

         Unë e lexova parathënien dhe përmbledhjen dhe do ta rilexoj sigurisht disa herë, duke i ftuar miqtë e mi krijues dhe lexues ta pasurojnë botën e tyre poetike me magjinë e vargjeve të Jusuf Gërvallës, por ajo që dua të them specifikisht është se: këto  botime cilësore kaq shumë të kërkuara dhe të domosdoshme për t’u lexuar, sidomos nga krijuesit dhe lexuesit e apasionuar të poezisë, nuk kanë pse të mbeten monopol i lexuesve, banorë të trevave ku botohen. Libra të tilla cilësorë si ky, duhet të vijnë edhe tek lexuesit dhe krijuesit në  Shqipëri, ashtu si dhe  librat cilësorë që botohen në Shqipëri duhet të jenë në duart e lexuesve në Kosovë e më tejë. Është një letërsi, letërsi shqipe dhe autorët janë poetë shqiptarë që duhen njohur gjerësisht nga masa e lexuesve.

           Jo më kot fola për misterin e krijuar për arsye jo letrare, që rrethoi emrin e Jusuf Gërvallës në fillim të njohjes së tij nga lexuesi në Shqipëri. Madje dhe romani i tij “Rrotull” botuar në Tiranë në 1983 nuk e shpërndau“mjegullën”për arsye se nuk ju bë propogandimi dhe shpërndarja  e duhur, për arsye gjithashtu  jo letrare.

             Prandaj miq e vëllezër, na i dërgoni këto libra se janë edhe për ne. Jusuf Gërvalla është edhe yni sepse siç ka thënë vetë ai: “Poeti nuk është vetëm i një treve, ose vetëm i një populli, poeti është i të gjithëve [...] Poetët e mëdhenj të një populli, kanë qenë dhe janë poetë të mëdhenj për të gjithë popujt[5]”.

 

Sarandë, më 12.01.2022

 

1.           Egzistojnë akoma disa kisha të tilla në Jug të vendit, të cilat pushtuesi turk qëllimisht i lejonte të ndërtoheshin të tilla...

2.             Familja e Jusuf Gërvallës erdhi ilegalisht nga Zvicra në Greqi dhe hyri në Shqipëri nëpërmjet Pikës Kufitare të Kakavisë në datën 30 mars 1982. Komanda e Pikës Kufitare të Kakavisë kishte marë një ditë më parë një fonogram urgjent nga Tirana për mbrojtje dhe ruajtje të “personaliteteve që vinin” nga snaiperat serbë..

3.             Kjo vajzë e vogël ishte Donika Gërvalla, e cila gjithashtu doli disa herë edhe në koncertet zyrtare duke luajtur si flautiste, por identitetin dhe personalitetin e saj do ta shfaqte të plotë në vitin 1991, kur si  studente e Akademisë së Arteve do të ishte aktive në lëvizjen antikomuniste dhe do të merrte pjesë në grevën e urisë në pranverën e atij vitit.

4.             Veprat letrare të shkrimtarit Jusuf Gërvalla janë: “Fluturojnë e bien” (Prishtinë, 1975), “Kanjushë e verdhë” (Prishtinë, 1978), “Shenja të shejta” (Shkup, 1980), “Rrotull” (Tiranë, 1983), Jusuf Gërvalla: Vepra Letrare, Prishtinë: Ora, 1992.

5.             Jusuf Gërvalla, Vepra 3. Publicistikë 1. Shtëpia botuese Faik Konica,  Prishtinë 2017, f. 23.