Wednesday, 14 May 2025

 

 

VARGJET E KOHËS QË NA IKËN

 

Nga Timo Mërkuri

Brenda kohës që rreshqet si ujë ndër gishta, ku e sotmja ngjan shpesh me një udhë pa emër, poezia “Kemi fare pak kohë” e Odise Kotes vjen si një rrëfim i butë dhe thellësisht njerëzor; një fjalë e heshtur që ngjizet me mall, filozofi dhe qetësi tronditëse.

Poezia i përket rrymës moderniste, jo vetëm në formë, por në frymë, në mënyrën se si shpalos më shumë boshllëkun sesa kuptimin, më shumë pritjen sesa përgjigjen. Është fjala që ngjizet në mungesë, dhe kjo mungesë flet: “Dëshira më shpie tek një lumë…” Në këto vargje, koha shfaqet si një dhuratë e vogël, një pasuri që na është marrë pa u kuptuar. Ndaj dhe poeti, me një ndjeshmëri ekzistenciale, thotë: “Kemi fare pak kohë/për t’i bërë gjithë gjërat që duam!” Ky është një refren që troket si zemra e dikujt që s’e ka më luksin të presë. Është një përkujtim i heshtur për lexuesin e sotëm, për njeriun bashkëkohor që rri pezull midis një dëshire të madhe për jetë dhe një kohe që ikën pa zhurmë. Kur Kote thotë  se “Kemi fare pak kohë” ai sigurisht që nuk e ka fjalën se “po na ikin vitet e po plakemi” apo diçka tjetër të këtij lloji. Kuptimi i këtij vargu është se: në kohën që kemi, më të shumtën e saj e harxhojmë me vogëlsira, mediokritete që më tepër na konsumojnë kohën dhe na pengojnë në ecjen përpara, në shfrytëzimin e efektshëm të saj, psh koha që harxhojmë me debate shterp politike etj të kësaj natyre është kohë që na ikën dëm dhe asjo që është më shqetësuese është fakti se kjo kohë është jo e vogël në jetën tonë tipike shqiptare, ku më shumë merremi me fjalë  se sa me punë. Sigurisht shpjegimi im është prozaik, por edhe harxhimi i kësaj kohe nuk ka asgjë poetike. Vetëm Odise Kote e fut mjeshtërisht në poezi prozaizmin e saj, madje pa e përmendur fare.

Në poezi, Kote na sjell një dashuri, e cila nuk është ngazëllim i klisheve tradicionale, por “aromë jasemini,” është “vrull” dhe kujtim i rrëmbyer, është varg që endet në eter dhe të bie drejt e në zemër. Ca më tepër, kohëzgjatja e saj nuk matet me orë, por me çaste që digjen shpejt dhe ndizen sërish brenda kujtesës. Në thelb kjo poezi e Kotes nuk kërkon të na bindë, por të na zgjojë, të na kujtojë se vërtet kemi fare pak kohë dhe se brenda kësaj pakësie fshihet gjithë madhështia e të jetuarit.

I-Jemi mësuar me befasitë poetike të Odise Kotes, por poezia "Kemi fare pak kohë" e tij e tejkalon pritshmërinëmë optimiste, pse është një reflektim intim e filozofik mbi kalimin e kohës, dëshirën për jetë të plotë dhe dashurinë që mbetet si një kujtim i gjallë përkundër humbjeve. Ai ndërthur në poezi ndjenjën e ngutjes me mallin e pashuar dhe një vetëdije të thellë për realitetin e jetës. Në realitet Odise Kote e ngre poezinë e tij mbi truallin modernist, me forma të lira dhe ndjeshmëri bashkëkohore, por burimi nga i cili ushqehet mbetet gjithnjë koha; ajo që ikën, që mungon, që lëndon e që shpëton. Ndaj me të drejtë e cilësojmë këtë poezi “maja e kurbës poetike në rritje e Odise Kotes”.

1.Vargjet hapen me një ton të sinqertë, gati lutës: “kemi fare pak kohë për t’i bërë gjithë gjërat që duam!”. Është një thirrje për të jetuar me ndjenjë, përpara se koha të “mbarojë” me vogëlsirat e rrëndomta, apo siç thuhet “ para se të fiket kandili”. Ky varg përsëritet si refren, duke theksuar idenë e efemeritetit të jetës dhe rëndësinë e momenteve të vogla që duhen kapur dhe jetuar me intensitet, sepse jeta në fakt është shumësia e momenteve të jetuara e përjetuara.

2.E parë në aspektin artistikisht, poezia spikat për:

Simbolikën: kthesat, udhëkryqet, stacionet pa destinacion përfaqësojnë humbjen, pavendosmërinë apo mashtrimin e jetës. Ndërkohë që “paratë e pista nderur në telin e rrobave” shprehin realitetin e sotëm, banalitetin e përditshëm që përplaset me idealet.

Kontrasti i brendshëm: poezia shfaq një tension mes dëshirës për të ndryshuar gjithçka dhe ndjenjës së qënies vonë ose të mospasjes kohë  për ta realizuar. Po ashtu dhe  ndjesitë e dashurisë përzihen me dëshpërimin dhe njëfarë kapitullimi përballë ashpërsisë së kohës.

Imazhet poetike janë plot freski dhe ndjeshmëri, si; “gjire si manushaqet e dëborës” apo “dëshira më shpie tek një lumë” që krijojnë një hapësirë të brendshme, intime, ku dashuria shpreh natyrën e vet, të egër e të pastër. Më shumë se me fjalë poezia flet me ngjyrën dhe dritën e imazheve.

Ton i poezisë është i butë dhe përsiatës; ndonëse ka dhimbje, nuk ka akuzë; poezia është krijuar si pohim i një ndjenje të paplotësuar, por jo i thyerjes shpirtërore. Dëshira për t’u bërë “kujtesë” është më shumë një formë e përjetësimit shpirtëror, jo një kërkesë për pronësi emocionale.

Në thelb, poezia e Kotes  është e ndjerë, e ndërtuar me një gjuhë të pastër e figuracion të matur dhe i flet lexuesit me ankthin e kohës së pakët dhe dashurisë së papërfunduar. Është një poezi për të kujtuar vlerat që nuk treten , dashurinë, ndjeshmërinë, kujtesën..

II-Në një kohë kur fjala zbrazet në tinguj, poezia e Kotes vjen si një frymëmarrje normale. Ajo nuk bërtet, nuk trondit me fjalë të mëdha, por të fton të heshtësh pak, të rrish në vend, të dëgjosh apo të meditosh një zë që i flet dashurisë me vetëdijen e humbjes dhe me fisnikërinë e kujtesës, e thënë ndryshe: të dëgjosh si i flitet dashurisë nga ai që dashuron vërtet. Në këtë poezi, risitë nuk krijohen për të qenë moderne me çdo kusht, por për të shpëtuar nga rrëshqitja në sentimentalizëm, për të gdhendur një tjetër mënyrë për të shprehur dashurinë.

1.Risia e parë është muzika e brendshme që buron nga përsëritja dhe të kesh muzikë në shpirt do të thotë të kesh dashuri. Vargu “kemi fare pak kohë / për t’i bërë gjithë gjërat që duam!” është më shumë se një konstatim: është rrahja e një zemre që sheh orën (e dashurisë dhe të jetës) të ikë duke u marrë me gjera të vogla, e një zemre që e njeh fundin, por nuk dorëzohet. Është një refren i heshtur, që lidh fillimin me fundin, dhe rikthehet si një kujtim që s’mund të fshihet. Është vërtet një melodi e bukur për tu përjetuar, sepse tregon më së pari se ende jeton dhe kur jeton, ke shpresë e kohë për dashuri.

2.Në poezinë e Kotes gjuha e përditshme ndrin si poezi. Odise Kote thyen murin ndarrës mes të lartës poetike dhe tokësores jetësore. Kur shkruan: “Ndonëse përjashta në telin e rrobave / janë nderur paratë e pista për t’u tharë”ai fut në poezi një realitet që është i vërtetë. Ky është një gjest poetik i guximshëm, ai e vesh ndershmërinë me figure artistike, dhe e bën të zakonshmen të tingëllojë si zbulim i rrallë, përveçse si figurë letrare..

3.Poezia sjell një erotikë të  pastër, pa mesazhe të dukshme.Femra e dashur nuk është një trup për t’u përshkruar, por një ndjesi e dritëshme që ndriçon kujtesën. Ai nuk thotë: “je e bukur”, por e ndien bukurinë në aromë, në shije, në afrim shpirtëror:

“Ke aromë jasemini, shushurimë,

çaste të rrëmbyera,

je sërish vrull.”

Të flasësh me fjalë të tilla do të thotë të flasësh me fjalë dashurie dhe vrulli, ah ky vrull,  nuk është epsh, por frymëmarrje e ringjallur e ndjenjës së dashurisë që s’është harruar. Lexon këto vargje dhe rikthen kokën pas në kohë për të parë dhe pyetur veten, pse nuk i ke thënë dhe ti dikur, kur dikush i priste ti dëgjonte.

4.Odise Kote i ka përmbysur klishetë tradicionale  lirike në dashuri. P.sh. në vend që të mallkojë mungesën, ai përmbys çdo pritshmëri poetike.

“Nuk më mungon qielli,

nuk më mungon zëri,

nuk më mungon deti,

nuk më mungon fjala,

nuk dëshiroj dëshirën e dëshirës.”

Sigurisht që është mungesa më poetike në letërsi. Me këtë pohim, poeti shmang çdo stërnjohje, çdo mallëngjim të lehtë,  ai duket se nuk i lyp më jetës. Tani kërkon të mbetet, të jetë kujtesë. “Dua diçka tjetër, dua të jem kujtesa tënde.” Në këtë varg kemi një nga risitë më të holla: dashuria kthehet në kujtesë poetike, në gjurmë, jo në zotërim. A ju kujtohet me sa mall shpirti kemi thënë apo na është thënë fjala e zakonëshme në dukje: “Mos më harro”. Dhe një luleje ja kemi vënë si emer këto dy fjalë, kaq të bukura dhe mallëngjyese janë, thjeshtë që të mos i harrojmë asnjëherë.

5.Si gjithmon dhe këtu, poezia e Kotes që nuk kërkon të shpjegohet, por të ndjehet Kjo është një poezi që nuk ndërtohet për t’u analizuar,madje nuk ka nevojë të analizohet, ajo krijohet për t’u përjetuar. Fjala s’është zbukurim, por dridhje. Poeti nuk kërkon të tregojë çfarë ndjen, por të të bëjë ta ndjesh edhe ti; zvogëlimin e kohës, thërrmimin e ëndrrës, një dashuri që rri pezull mes mundësisë dhe pamundësisë. Që të duket sikur të thotë “nxito djalosh” se nuk e gjen më.

Ndaj themi se poezia “Kemi fare pak kohë” e Kotes sjell në poetikën shqipe një frymë që bashkon heshtjen dhe fjalën, brishtësinë dhe mençurinë, rrëfimin dhe përmbajtjen. Ajo nuk i përket më vetëm autorit, por çdo lexuesi që ka dashur, ka humbur, ka dashur sërish , me më pak kohë, por me më shumë vetëdije.

III-Poezia “Kemi fare pak kohë” e Kotes u flet lexuesve bashkëkohorë dhe bashkëvendës me një zë që afron. Ajo nuk predikon, nuk komandon, nuk sforcohet të jetë moderne; është vetë koha jonë që flet prej saj: koha që na rrëshqet nga duart, koha që s’na pret.

1.“Kemi fare pak kohë/për t’i bërë gjithë gjërat që duam!” Ky nuk është vetëm një varg, është një orë me zile në shpirtin e brezit tonë të lodhur nga ngatërresat, nga kthesat që s’çojnë askund, nga stanjacionet e strgjatura dhe “stacionet pa destinacion.” Lexuesi shqiptar sot, ai që vrapon gjithë ditën dhe kthehet me duar bosh, e gjen veten te kjo poezi, në këtë rraskapitje që nuk ka emër, por që poezia e quan thjesht: “kohë të çmuar” që na është marrë.

2.Poeti nuk shkruan për një çift të panjohur në një vend të largët, diku në Afrikë apo Indi, ai flet për ne. Për ata që jetojnë në një vend ku shpesh paratë ndoten edhe para se të shpenzohen:

“Ndonëse përjashta në telin e rrobave

janë nderur paratë e pista për t’u tharë.”

Këtu, bashkëkohësit tanë e ndiejnë thumbin, ironinë e butë, por të saktë. Këtu s’ka nevojë për slogane, gazetat dhe radiot e TV flasin çdo orë për tendera “të fryrë” etj, por poeti mjaftohet  menjë pamje e zakonshme, një tel rrobash ku nderen paratë e pista të porsalara, dhe lexuesi e kupton: kjo është Shqipëria e tij.

3.E megjithatë, çuditërisht në një botë që zhurmon, kjo poezi zgjedh të shushurijë. Zgjedh erën e jaseminit në vend të britmës. Për lexuesin që e ka lodhur  zhurma e rrjeteve, nga fjalët e mëdha, nga lajmet që zhbëhen çdo një orë, kjo poezi është vrull i brendshëm, jo zhurmë e jashtme. “Dua diçka tjetër, dua të jem kujtesa tënde” E njohim këtë dëshirë pse e kemi përjetuar në dashurinë e sinqertë, e dimë që është: jo të marrë, por të mbetet, jo të zotërojë, por të ndriçojë kujtimet e tjetrit. Është një mënyrë e re për të dashur, ndoshta më e sinqerta; më e heshtur, më njerëzore, më e durueshme.

4.Kur poeti thotë: “Nuk më mungon qielli,/nuk më mungon fjala…” lexuesi shqiptar mund të ndalet dhe të mendojë: nuk dua më të njëjtat gjëra si dikur. Dua më pak, por dua më vërtet. Në një kohë kur gjithçka përpiqet të jetë e shpejtë dhe e dukshme, kjo poezi na kujton se jeta është libër që shkruhet ngadalë. Kjo është thirrja e saj: të mos harrojmë të jetojmë, të duam, të jemi, megjithëse kemi fare pak kohë.

5.Në fund, kjo poezi nuk flet vetëm për dashurinë, por flet për mënyrën sesi duam ne si shqiptarë, si njerëz të lodhur, por të ndjeshëm. Flet për ne, pa na zëvendësuar me askënd. Prandaj, është e jona, prandaj, e ndiejmë si zë të brendshëm, jo si zë të huaj. Prandaj e duam poezinë e Odise Kotes, se dhe pa e kuptuar e ndjejmë se është poezia jonë.

 

Sarandë, më maj 2025

 

 

Kemi fare pak kohë ...

 

E dashur,

kemi fare pak kohë

për t’i bërë gjithë gjërat që duam!

 

Humbëm nē kthesa, udhëkryqe,

stacione pa destinacion,

kohë të çmuar,

apo kaq djallëzisht na ngatërruan?

 

Na rrëzuan prej shkëmbit: S’ka gjë, kjo është dhimbja jonë!

 

Vazhdojmë të jemi libër që shkruhet ngadalë,

me këmbënguljen e fortë:

të ndryshojmë e lëmë gjithçka pas.

Ndonëse përjashta në telin e rrobave

janë nderur paratë e pista për t’u tharë.

 

Dëshira më shpie tek një lumë

sepse ti ke ende erë mali,

kërcinj të lagur prej vesës,

gjire si manushaqet e dëborës.

 

Ke aromë jasemini, shushurimë,

çaste të rrëmbyera,

je sërish vrull.

 

Kemi fare pak kohë

për t’i bërë gjithë gjërat që duam!

Asaj që nuk do të kthehet më,

ia dhuroj këto vargje.

 

Nuk më mungon qielli,

nuk më mungon zëri,

nuk më mungon deti,

nuk më mungon fjala,

nuk dëshiroj dëshirën e dëshirës.

Dua diçka tjetër, dua të jem kujtesa tënde.

 

E dashur,

kemi fare pak kohë

për t’i bërë gjithë gjërat që duam!

Monday, 12 May 2025

 

 

KOHA QË NDRIT NË POEZI

 

Nga Timo Mërkuri

Poezia “Në kohën më të bukur të trupit” e Natasha Lakos është një rrëfim i brishtë dhe intim mbi përjetimin e trupit dhe shpirtit në një moment ndjeshmërie, ku koha fizike dhe shpirtërore ndërthuren në një dritë të butë. Ajo nuk i qaset jetës perms një rrëfimi të drejtpërdrejtë, por përmes një gjuhe figurative, ku natyra, drita dhe ndjesitë bëhen zëdhënëse të një përvoje intime, femërore dhe njëherazi universale. Në këtë poezi, trupi nuk është vetëm fizik, por një qenie që ndjen, që përjeton, që fërgëllon me botën përreth. Lako përmes një gjuhe të dritësuar nga imazhi, metafora, simboli dhe ritmi i brendshëm, na fton të ndjejmë poetikisht atë çast ku ndodhia dhe ndjenja përthithen në një, dhe ku vetë poezia bëhet melodi e përjetimit të dritës.

I-Titulli "Në kohën më të bukur të trupit" është një hyrje e heshtur dhe meditative drejt një përvoje jo vetëm fizike, por dhe shpirtërore, sensuale e poetike. Ai nuk cakton një periudhë konkrete të jetës; nuk është fëmijëria e pafajshme, as pleqëria e urtë, por një çast i brishtë kur trupi është në kulmin e ndjeshmërisë, i vetëdijshëm për veten dhe i hapur ndaj jetës. Është koha kur njeriu nis të njohë trupin e tij dhe pse jo, edhe ta eksplorojë atë. Kjo kohë është më shumë ndjesi se sa etapë biologjike; është periudha kur trupi dhe shpirti takohen në harmoni.

Po ashtu, përcaktimi i saj (kohës) si "më e bukura" nuk lidhet me përkufizime të jashtme si bukuria fizike, rinia, apo shëndeti i plotë. Ajo është një bukuri që buron nga brenda, nga ndjeshmëria që trupi fiton në marrëdhënie me botën dhe me veten. Ajo është një bukuri e përjetuar, jo e vëzhguar dhe dallimi këtu është tepër thelbësor.

Në vargun: "Ia ngul sytë një rrezeje dielli të posalindur,

                         që kërkon shtat dhe shtrat..."

rrezja e diellit simbolizon dritën, ndjesinë, jetën, dëshirën që kërkon "shtat dhe shtrat", pra një trup që të mishërojë këtë ndriçim dhe hapësirë intime ku të pranohet. Trupi, në këtë kohë, është i gatshëm jo vetëm të përthithë dritën, por edhe ta shndrojë atë në ndjenjë, në përjetim, në poezi.

Një tjetër pasazh: "Hap krahët dhe përkundet lulelofata,

                                  me mua të ndajë botën në fshehtësi."

krijon një atmosferë  bashkëjetese mes trupit dhe natyrës, që në fshehtësi e vendos trupin në dialog me jetën, në marrëdhënie ku sensualiteti nuk është vulgaritet, por një mënyrë për të ndier tërësinë e ekzistencës.

Pra, nqse do kërkonim të specifikonim se cilët janë faktorët që e bëjnë këtë kohë "më të bukur", pa dyshim që do pohonim se ata janë të shumtë, por ne le të cilësojmë disa, që i takojmë në vargjet e poezisë së Lakos dhe konkretisht:

-Vetëdija e trupit për veten; jo thjesht për bukurinë fizike, por për ndjeshmërinë.

-Pjekuria e ndjesive, që nuk janë më të shpërndara apo të paqarta, por të fokusuara e të thella.

-Dëshira për bashkëndarje, marrëdhënie intime me natyrën, dritën, ndoshta dashurinë.

-Poetika e çastit; është koha kur dhe përvoja më e vogël e momentit ka intensitetin e një zbulimi.

Kjo kohë mund të jetë rinia, por edhe një fazë e mëvonshme, kur gruaja ndihet e plotësuar me veten, trupi është i gjallë e i ndjeshëm. Në këtë mënyrë, titulli fiton një dimension universal: koha më e bukur e trupit është ajo kur jeta shijohet me të gjitha shqisat, kur përjetimi është i thellë dhe kur ndarja me tjetrin bëhet në fshehtësi të buta.

II- Lako në shumicën e krijimeve të saj nuk e shpreh në mënyrë të drejtpërdrejtë gjininë e heroit lirik, por te kjo poezi, lexuesi, ndonëse nuk e lexon, e ndien dhe përjeton qartë qënien  femërore të heroinës në mënyrën si vëzhgon botën, si komunikon me natyrën dhe trupin, si përjeton dritën dhe ngjarjet rreth saj. Ky përcaktim vjen nga toni i butë, ndjeshmëria delikate dhe lidhja intuitive me trupin e natyrën, të cilat janë të mishëruara në përjetimin dhe zërin poetik femëror. Disa vargje janë kyçe për këtë:

"Unë ia ngul sytë një rrezeje dielli të posalindur,

që kërkon shtat dhe shtrat..."

ku, vëzhgimi i rrezeve të diellit që kërkojnë “shtat dhe shtrat” vjen nga një zë që i përgjigjet dritës, jo thjesht si spektatore, por si një trup i vetëdijshëm për ndjesinë e vet, trup që përjetohet si femëror, jo vetëm që vëzhgon.

Po ashtu, vargu: "Hap krahët dhe përkundet lulelofata,

                               me mua të ndajë botën në fshehtësi"

tingëllon si një bashkëbisedim delikat mes një femre dhe natyrës; një ndarje sekrete, e përqendruar në një intimitet të heshtur, që është tipik për një përjetim të brendshëm femëror. Figuracioni është i butë, përkëdhelës, sensual pa qenë erotik, i trupshëm dhe shpirtëror njëkohësisht.

Në tërësi, është trupi i përfytyruar në kulmin e bukurisë dhe ndjeshmërisë së tij, që i jep poezisë zërin e një femre, që e përjeton botën përmes një shpirti të mishëruar në trupin e vet. Edhe pse pa emërtimin gjinor, poezia vetë është një gjuhë e trupit femëror që tingëllon si fërgëllimë e brendshme e dritës.

III-Natasha Lako, me një ton të përmbajtur, por të ndjerë krijon një poezi që është një himn i butë për një stinë të brendshme: kohën më të bukur të trupit, ku  siç thamë, nuk kemi të bëjmë vetëm me rininë si kategori biologjike, por me një çast drite të brendshme, kur ndjeshmëria, vetëdija trupore dhe përfshirja në botë përftohen si përjetime të plota dhe të vërteta.

1.“Në kohën më të bukur të trupit,

Harlisen rreth e rrotull ca ndodhi,

Të njohura dhe të lira.”

Tre vargjet e para nuk përshkruajnë një trup në mënyrë të drejtpërdrejtë, por këtë e realizojnë përmes atmosferës që e rrethon. “Ndodhitë” janë “të njohura”, pra të përjetuara më parë ose të pritura dhe njëkohësisht “të lira”, çka e zhvendos tonin drejt spontanitetit, pjekurisë emocionale dhe trupore. “Harlisen rreth e rrotull” është një përshkrim i butë, gati i hareshëm, që i jep jetës rreth trupit një frymëmarrje lozonjare dhe rritjeje. Trupi është epiqendra, por poetja nuk e emëron drejtpërdrejt; ai jetohet përmes rrethanave, ndjesive, dritës.

2.“Unë ia ngul sytë një rrezeje dielli të posalindur,

Që kërkon shtat dhe shtrat,

E përfshirë në vorbullën e rrotullimit.”

Këto vargje vendosin një tjetër qendër poetike: një rreze dielli që kërkon trupin ku rrezja është imazh i dritës së re, i agimit të ri, i dëshirës, por edhe i asaj që lind për të takuar tjetrin. Rrezja është “e posalindur”, e pafajshme, por ka një kërkesë trupore: kërkon “shtat dhe shtrat”, çka e shfaq më hapur gjininë femërore të heroit lirik. Metafora është plot ndjenjë, dielli kërkon vendin ku të prehet, dhe poezia merr ngjyrim sensual, por përmes simbolikës. Lëvizja e “vorbullës së rrotullimit” na kujton ciklet jetësore, luhatjet e brendshme, pasionin e pashprehur me fjalë, por i pranishëm në çdo hapësirë të vargjeve.

3.“Një bar i posadalë vërtitës,

Nuk e jep të plotë ngjarjen.

Hap krahët dhe përkundet lulelofata,

Me mua të ndajë botën në fshehtësi.”

 

Këto vargje mbyllëse e bëjnë poezinë  më intime. Një bar i njomë  s’është në gjendje të shpjegojë  plotësisht përvojën e trupit apo të ndjesisë. Vetë natyra s’ka fjalë të mjaftueshme për të dëshmuar “ngjarjen”. Lulja “hap krahët dhe përkundet lulelofata” në një veprim që është sa sensual aq dhe shoqërues. Nuk është më trupi që përjeton botën, por bota (lulelofata) që hyn në fshehtësi me të, në një ndarje intime dhe të papërkthyeshme me fjalë.

Përfundimisht poezia nuk emëron dashurinë, as trupin, por i jeton ato përmes dritës, rrotullimit, gjendjes dhe natyrës. Feminiteti i subjektit lirik nënkuptohet jo vetëm nga zëri i brendshëm dhe përvoja sensuale, por nga mënyra si ajo hyn në marrëdhënie të heshtura me botën, si të ndash diçka që nuk thuhet, por jetohet. Poetja nuk  ekspozon, ajo  zhytet në thellësinë e përvojës. Është një kohë që nuk matet me moshë por me ndriçimin e brendshëm që ajo mbart.  Në këtë poezi, trupi nuk është vetëm materie, por është hapesirë për dritë, ndjeshmëri dhe fshehtësi. Prandaj është koha më e bukur.

IV- Kjo është poezi plot dritë, por drita nuk është thjesht ndriçim fizik, ajo është dritë që nuk zbret nga qielli, por lind brenda qenies në çastin kur trupi dhe ndjesia përputhen në një të vetme, gjë që të kujton poezinë “Vezullomë” të kësaj poeteje, për të cilën kemi folur. Drita është gjuha e padukshme e poezisë së Lakos, përmes së cilës lexohet ajo që nuk thuhet.

1.“Unë ia ngul sytë një rrezeje dielli të posalindur,

që kërkon shtat dhe shtrat”

Këtu drita është një qenie më vete, jo thjesht dielli, por një “rreze e posalindur”, ende e re. Ka një pafajësi të butë kjo rreze, por dhe nevojë të brendshme për mishërim. Këtu drita nuk ndriçon trupin, por kërkon të hyjë brenda tij, të bashkëjetojë me të, të bëhet një me atë. Pikërisht këtu ndodh përmbysja: nuk është njeriu që kërkon dritën, por drita që kërkon njeriun. Kjo e bën përvojën më intime dhe më të papërcaktueshme,  është drita që vjen nga brenda dhe projektohet jashtë: “E përfshirë në vorbullën e rrotullimit”, pra rrezja, si përfaqësuese e dritës, është “e përfshirë”, jo e lirë, por e tërhequr në një rrotullim  që mund të jetë koha, jeta, ndjesia. Ky vorbullim nuk është dhunë, por lëvizje e natyrale, një mënyrë tjetër për të thënë që drita është jetë në përzierje të pandashme me ndjesitë e trupit.

2.Edhe në fund, drita shfaqet në mënyrë të tërthortë përmes një luljeje: ‘Hap krahët dhe përkundet lulelofata’. Këtu lulja bëhet mishërim i dritës, jo më thjesht si element i natyrës, por një shfaqje e gjallë e butësisë, e ndriçimit të brendshëm. Drita nuk vjen më nga jashtë; ajo është lëvizje e heshtur që përhapet nga brenda, që e bën lulëzimin të duket si frymëzim, si frymë që merr formë në trupin e lules.

Në poezinë e saj, Lako nuk e përdor dritën si simbol klasik të shpresës apo ditës, por si një gjuhë sekrete për përvojën e trupit, një mënyrë për ta folur atë pa e emërtuar. Drita te kjo poete është më shumë ndjesi sesa shfaqje, më shumë jehonë sesa pamje. Është ajo që nuk duket, por që i jep kuptim gjithçkaje. Në këtë mënyrë, poezia vetë bëhet një trup drite, jo për t’u parë, por për t’u ndjerë. Dhe lexuesi, pa e kuptuar, bëhet pjesë e asaj fshehtësie që “ndahen me mua botën” në heshtje. Po kjo është edhe forca e vërtetë e artit: të ndriçojë pa verbuar.

V-Ndërsa lexoja vargun për “rrezen e diellit të porsalindur”, më kaloi në mendje kujtimi i një drite tjetër, që vjen e “ngarkuar” me emra të shenjtë te poezia “Në Tiranën e kafshuar dhe të ëmbël”, po të Lakos me vargjet: “E ngarkuar me vandakun e diellit Kleopatra, pastaj Maria / pastaj Maria Magdalena” dhe më lindi një mendim, i beftë, por i ngrohtë: mos vallë kjo dritë e Lakos  te poezia "Në kohën më të bukur të trupit" është më shumë se dritë? Mos është ajo një shenjë e shenjtëruar që shfaqet si padashur në vargje?

1.Ky mendim, megjithëse i lindur në një çast të vetmuar leximi, më tingëllon i mundur, kur e vendos brenda universi poetik të Natasha Lakos. Sepse në poezinë e saj, drita nuk është vetëm ndriçim, ajo vjen si frymë që prek lëkurën e ndjesisë, si diçka që nuk flitet, por që të përshkon, ashtu si dhe te vargu: “E ngarkuar me vandakun e diellit …Maria / pastaj Maria Magdalena” ku kemi shpjeguar se drita që mbartin ato ngarkuar nuk është vetëm diellore, ajo së pari është një dritë e shenjtë. Nëna e Krishtit dhe Maria Magdalena hyjnë në varg për të sjellë një përmasë tjetër të realitetit, një përvojë përtej reales. Te poezia “Në kohën më të bukur të trupit”,  në vargun “Unë ia ngul sytë një rrezeje dielli të posalindur”, rrezja nuk është një vijë drite, ajo është një zë i heshtur që flet me shpirtin dhe zbulon më shumë se sa duket. Ajo kërkon “shtat dhe shtrat”, si një dritë që dëshiron të trupëzozhet, të hyjë në jetë, në frymë, një dëshirë për bashkim mes qiellores dhe tokësores. Nuk ka imponim në këtë kërkesë, vetëm një lutje e butë. Dhe natyra heshturazi, përgjigjet me një rit të brendshëm: “Hap krahët dhe përkundet lulelofata / me mua të ndajë botën në fshehtësi.” Lulja këtu është një shenjtore e natyrës që përqafon të njëjtën dritë, që ndan me heroinën të njëjtën ndjesi. Janë dy trupa që përkohen në një heshtje të ndritshme. Nëse e kujtojmë, edhe shtatzënia e Shën Mërisë  erdhi përmes një arome trëndafili dhe u përjetua si një dritë që hyn në trup si frymë qiellore. Poezia e Lakos duket si përshkim i të njëjtës udhë: një zbritje e dritës në mish, një shenjë që ndriçon përditshmërinë dhe e shenjtëron me thjeshtësi.

Sigurisht që lexuesi do shtrojë pyetjen: A është kjo një lexueshmëri që vetë poetja e ka parashikuar? Unë ju them se mund të mos ketë qenë e menduar fjalë për fjalë, por është e natyrshme që poezia e saj të pranojë edhe këtë interpretim. Lako e ndërton vargun me shtresime kuptimore, ku gjithçka; trupi, koha, drita, heshtja kanë një jetë të shumëfishtë: konkrete, poetike, shpirtërore. Kjo na çon në një vëzhgim më të thellë për stilin poetik të Lakos: ajo nuk qëndron vetëm në përshkrimin e botës njerëzore, as në botën konkrete; ajo e tejkalon përmasën njerëzore për të përfshirë diçka më të madhe, më të vështirë për t’u emërtuar: të shenjtën. Edhe kur nuk e synon drejtpërdrejt, vargu i Lakos rrëshqet natyrshëm drejt të shenjtës, kjo nuk ndodh pse ajo e thërret me qëllim, por sepse brenda saj, si brenda çdo qenieje me ndjeshmëri të thellë, flasin heshtje të lashta, simbole që kanë mbijetuar në gjuhë dhe në kujtesën kolektive, përtej kohëve. Këtu ndoshta duhet të themi se gjuha shqipe është ndër më të lashtat në botë dhe Natasha Lako është një njohëse e thellë e saj, e kësaj gjuhë që që mbart në vetvete përvojën njerëzore dhe hyjnoren dhe nuk e dallon lehtazi kufirin midis dritës tokësore dhe asaj hyjnore. Gjuha poetike që përdor Lako është urë drejt së pakuptueshmes. Pikërisht aty ku fjala fillon të dridhet dhe ndjenja thellohet, nis përjetimi i së shenjtës. Pikërisht këtu ngatrrohen ata që thonë se poezia e Lakos është e vështirë.

2.Një nga figurat më tërheqëse që Lako përfshin në poezinë e saj është lulelofata , një lule që në botën reale përkon me pemën e njohur si “lulja e Judës”, me lule rozë-vjollcë që çelin drejt e nga trungu. Bibla e lidh këtë pemë me Juda Iskariotin, dishepullin që tradhtoi Krishtin dhe më pas, i penduar, u vetëvar në një degë të saj. Thuhet se për shkak të kësaj ngjarjeje, lulet e bardha të pemës u kthyen në rozë-vjollcë, si një shenjë turpi apo pendimi. Nqse në poezinë “Në Tiranën e kafshuar dhe të ëmbël” vargjet e rrezeve sillnin një dimension shenjtëri, te kjo poezi lulelofata e parë në prizmin e lules së lofatës sjell dimensionin e turpit dhe pendimit, me skuqje në ngjyrën e lules dhe me dëshirë për të shlyer fajin. Dhe çelja e luleve direkt në trung e degë ngjajnë  si plagët e gozhdëve në  duart e këmbët e Krishtit në kryq. Sigurisht që kjo histori nuk përmendet në poezi, por përfshirja e kësaj luleje në vargun e saj krijon rezonancë të thellë me kuptimin e dritës që përshkon poezinë. Nëse e marrim këtë figurë në vazhdën e poezisë së Lakos, atëherë ajo bëhet më shumë se një imazh natyror. Ajo bëhet një simbol i heshtur i një drite që prek plagën njerëzore dhe e ndriçon atë pa zhurmë. Në këtë mënyrë, poezia e Lakos shfaqet si një urë ku e bukura poetike kalon natyrshëm dhe ndjesia, kujtesa dhe simboli përthithen në një përvojë që prek të shenjtën. Ajo që dua të them unë është se në asnjë poezi  imazhet nuk flasin shpirtërisht si te poezitë e Lakos. Në aspektin e ndërthurjes së kësaj  qasjeje , në përgjigje të pyetjes mbi mënyrën e përfshirjes të saj  në poezi, ne mund të themi se: edhe nqse poetja nuk e synon, vargu i saj rrëshqet natyrshëm drejt së shenjtës. Kjo ndodh jo nga që ajo e fton, por sepse brenda saj,( si dhe brenda nesh) flasin heshtje të lashta, kujtime e simbole që kanë udhëtuar brez pas brezi. Gjuha poetike është një urë drejt së pakuptueshmes, ajo kërkon të prekë atë që nuk emërtohet lehtë dhe e shenjta është pikërisht aty, ku fjala nis të dridhet dhe ndjenja thellohet. Dhe pastaj është lexuesi, i cili në vetminë e leximit e gjen veten përballë një dritë tjetër, që ndonëse nuk është besim, është prani. Në atë çast, poezia nuk është më vetëm e autores, por është një përshpirtje e përbashkët, e njeriut me misterin. Ndoshta e vlen të kujtojmë se shkrimet e para të shenjta kanë qenë në formë poezie.

VI-Në këtë poezi të Lako-s, figurat artistike nuk janë mjete zbukuruese: ato ndërthuren në mënyrë të pandashme, duke krijuar një imazh të gjallë e dritësor, ku secila figurë flet në gjuhën e tjetrit. Metafora, simboli dhe personifikimi bashkëveprojnë si valë dritash, që nuk shfaqin vetëm përfytyrime, por ndërtojnë përjetime, ndjenja që nuk duhen vetëm lexuar, por duhen ndier në lëkurë, në frymë, në trup. Për ta ndjerë këtë ndërveprim figurash në krijimin e imazhit poetik, le të lëvizim kah imazhi te figura përbërëse, si pikënisje dhe si frymëmarrje e poezisë.

1.Kështu te imazhi i ndritshëm dhe i butë: “Unë ia ngul sytë një rrezeje dielli të posalindur” aty ku poetja i “ngul sytë”, s’ka vetëm vështrim, por ka dëshirë, zgjedhje dhe përqendrim ndjesor. Këtu, metafora: “rrezja e posalindur” nuk është thjesht dritë natyrore, por një ndjenjë e sapolindur, një dritë brenda shpirtit që kërkon trup, simboli: “rrezja” përfaqëson diçka të pastër, të re, ndoshta një ndjesi dashurie ose ndërgjegjësi-min e bukurisë, ndërkohë që personifikimi: rrezja është qenie që “kërkon”, është aktive, e gjallë, e pranishme si një tjetër qenie që merr pjesë në skenën shpirtërore të subjektit lirik.Pikërisht ky ndërveprim I metaforës, simbolit dhe personifikimit, duke mbartur efektet e tyre dritësore, krijojnë imazhin e mësipërm.

2. Te imazhi i përbashkët i trupit dhe shpirtit,: “Që kërkon shtat dhe shtrat” ku drita nuk është më e huaj, por kërkon të hyjë, të rrijë, të bëhet një me heroine, metafora: “shtati dhe shtrati” nuk janë vetëm trup dhe krevat, por hapësirat e ndjeshmërisë, e dashurisë, e prirjes për t’u bërë një me diçka të padukshme. Simboli: shtrati është vendi i lindjes, i intimitetit, por edhe i bashkimit shpirtëror dhe personifikimi: i dritës që është kthyer në një qenie që ka nevojë, që “kërkon”. Pra, ndërveprimi i tre figurave, duke mbartur me vete “botën” e tyre krijojnë imazhin ëndërrsjellës të mësipërm.

3. Imazhi  tepër delikat lëvizës që duket se shfaq trupin tjetër të ndjeshsmërisëë, një alter ego që reagon ndaj të njejtës dritë: “Hap krahët dhe përkundet lulelofata” është i përbërë nga: Metafora: “lulelofata”, një bimë  jo-rastësore, e cila në thelb është një shëmbëlltyrë e subjektit lirik femëror, e natyrës së saj që hapet, përkundet, përjeton. Personifikimi: lulja “hap krahët dhe përkundet”, pra bëhet si njeri, si grua që përjeton të njëjtën gjëndje emocionale. Dhe simboli: “lulelofata” e cila mund të përfaqësojë natyrën femërore, ndjeshmërinë, bukurinë që nuk flet por përgjigjet ndaj dritës. Një ndërthurje e tre elementeve artistikë që krijojnë imazhin që të ngelet në kujtesë për finesën dhe bukurinë e tij.

4. Po kështu dhe imazhi i brendshëm, i heshtur, ku gjithçka është në përputhje me atë që nuk thuhet, por që jetohet thellë “Të ndajë botën në fshehtësi”e krijuar nga ndërveprimi i simbolit: “bota”, e cila  nuk është “bota” e jashtme, por universi i brendshëm i subjektit lirik e bashkuar me  personifikimin: “lulja”,  që si shoqe, ndan botën me subjektin, pse është bashkëjetuese në fshehtësi. Pra ky ndërveprim figurash krijon këtë imazh poetik i cili mbart bukurinë dhe dritësinë e tyre.

Mbartja e dritës nga figurat ndërvepruese është arsyeja që të gjitha këto imazhe shndërrohen në dritë ndjesie, në valë të buta që përplasen në shpirtin e lexuesit, sepse metafora, simboli dhe personifikimi nuk qëndrojnë të ndarë, por ndërthuren në një ritëm të brendshëm që krijon një botë të ndritshme dhe intime. Ndaj themi se poezia e Lakos është poezi që nuk flet me fjalë, por me dridhje, me rreze të padukshme, me një gjuhë që i ngjan më shumë ndjenjës sesa logjikës. Dhe kështu, poezia nuk lexohet me fjalë, por ndjehet me dritën e brendshme që ajo ngjall. Ky është ligjërimi poetik i Lakos: i heshtur dhe ndriçues, si rreze që kërkon vend në një trup. Përmes ndërthurjes së figurave, poezia nuk tregon ngjarje, por krijon një gjendje, një përqafim të brendshëm mes trupit, natyrës dhe dritës, që lexohet jo me mendje, por me ndjeshmëri. Dhe kjo është, në thelb, vetë poezia.

VII- Interesante është se poezia e Lakos, “Në kohën më të bukur të trupit”, përjetohet si një fërgëllimë gjatë leximit, si një dridhje që nuk kërkon fjalë, sepse lind para fjalës. Ajo nuk ka nevojë të shpjegojë veten; mjafton të jetohet. Fërgëllima e trupit në këtë poezi është një përjetim që nuk e gjen shpjegimin në logjikë. Ajo ndodh, si një reaksion i trupit ndaj një përjetimi të pastër, të heshtur, që nuk përkufizohet, por ndjehet në drithmën e gjakut, në ritmin e fshehtë të lëvizjes që poezia shkakton.

Vargu “Hap krahët dhe përkundet lulelofatë” nuk është thjesht një pamje natyrore, por një trup i butë që përthyhet në frymën e jetës. Lulja nuk është vetëm lule, por diçka që merr frymë bashkë me njeriun. Në këtë akt poetik, natyra nuk përshkruhet, por bashkëjetohet dhe poezia nuk është për të parë botën, por për t’u bërë një me të. Kështu, poezia e Lakos nuk kërkon të kuptohet, por të jetohet, ajo nuk vjen për të shpjeguar, por për të ngjallur ndjesi, për të trazuar trupin me një ndriçim që nuk kërkon sy, por prani. Dhe në këtë përjetim, ku fjala nuk është e domosdoshme, poezia bëhet trup, një trup që fërgëllon në heshtje dhe i përgjigjet dritës pa zë.

VIII-Pavarësisht se në pamje të parë duket se në poezinë e Lakos mbizotëron mendimi, ne kemi provuar se ato së brendëshmi janë plot melodicitet. Edhe kjo poezi tingëllon si një melodi e ëmbël e brendshme, jo e kënduar me zë, por e dëgjuar me shpirt. Është një muzikë që nuk i bindet ritmeve të matshme, por rrjedh ngadalë, si një ndjesi e brishtë që ndjek pulsimin e trupit dhe dritën e mëngjesit. Melodiciteti i saj buron jo vetëm nga ritmi i vargjeve, por nga mënyra si fjalët prekin njëra-tjetrën, si zërat e butë të tingujve shndërrohen në një ndjesi heshtjeje të pasur.

Qysh në vargun e parë, kemi një ndërtim të qetë:“Në kohën më të bukur të trupit” ku ka një harmoni zanore në bashkëjetesën e fjalëve “kohë”, “bukuri”, “trup”. Tingujt e hapur “o”, “u” krijojnë një rezonancë të qetë, një përhumbje që të fut si në një ethe të ëmbël. Në vargun: “Une ia ngul sytë një rrezeje dielli të posalindur,” fjalët rrëshqasin butësisht mbi njëra-tjetrën, me një ritëm që ngjan me rrezatimin e vetë dritës. Fjala “rrezeje”  me tingullin e dyfishtë “r” dhe zgjatjen e “e”-së, krijon një valë melodike të brendshme që zgjat. Fërgëllimi melodik shtohet edhe nga përsëritja e tingujve të njëjtë, si në: “Hap krahët dhe përkundet lulelofatë” ku “a”, “u”, “e” përzihen në një përqafim të qetë. Fjala “lulelofatë”, e rrallë dhe e butë, është vetë një melodi që hapet e mbyllet në gojë me një valëzimi natyror.

Edhe ritmi i vargjeve ndihmon melodicitetin: ata nuk janë as të prerë, as të ashpër, por ndjekin frymëmarrjen e një shpirti të qetë që po përjeton. Natyra në poezi nuk është jashtë nesh, ajo është bërë melodia e vetë trupit. Simbolet, si rrezja, lulelofatja, bari i ri, janë të butë, të ndjeshëm, si nota në një violinë shpirtërore. Nuk ka asnjë fjalë të rreptë , asnjë tingull të forte, të gjitha përhapen në një muzikë të heshtur që nuk dëgjohet, por ndjehet.

Kjo është arsyeja pse poezia gjatë leximit të përshkon si një melodi e ëmbël: ajo nuk flet me fjalë, por me frymëmarrjen e natyrës, me ndriçimin e dritës, dhe me lëvizjen e heshtur të një shpirti. Melodiciteti i brendshëm i kësaj poezie është aq i natyrshëm dhe i përthithur në strukturën e saj, saqë ajo qysh në leximin e parë tingëllon si një këngë e butë, e flladitur nga era dhe drita. Vargjet kanë një valëzim të qetë, që nuk imponohet nga ndonjë skemë metrike e rreptë, por buron nga vetë frymëmarrja emocionale e poetes. Është kjo frymëmarrje që e kthen poezinë në një tekst kënge, të gatshëm për t’u kënduar, jo si një produkt, por si një shpërthim i ndjenjës së jetuar.

Vargu “Hap krahët dhe përkundet lulelofata,” është një refren i heshtur, që mund të zërë vend natyrshëm në një këngë të ngadaltë, të lirshme, si këngët e Anita Takes. Ai ka lëvizjen, imazhin dhe ritmin; tri shtylla të një melodie të ndjeshme. Ndërkohë, vargjet si:“Një bar i posadalë vërtitës,/Nuk e jep të plotë ngjarjen” bartin një mister poetik që do ta pasuronte çdo kompozim të brishtë, intim, ku fjala s’ka nevojë të shpjegojë, por vetëm të rrjedhë. Madje edhe vetë ideja e rrezes që kërkon “shtat dhe shtrat” është një figurë kaq e gjallë, sensuale dhe muzikore, sa përfton menjëherë një ritëm të brendshëm, një këngë që fillon në shpirt dhe mund të përkthehet në zë.

Poezia është në vetvete një këngë pa muzikë, ku çdo fjalë është një notë, çdo ndjesi një harmoni, dhe çdo figurë një dritare që hapet mbi pentagramin e jetës së ndjerë. Dhe kjo është fuqia e saj e fshehtë: ajo nuk kërkon të bëhet këngë; ajo tashmë është.

 

Sarandë, më Maj 2025

 

 

Në kohën më të bukur të trupit

 

Në kohën më të bukur të trupit,

Harlisen rreth e rrotull ca ndodhi,

Të njohura dhe të lira.

Une ia ngul sytë një rrezeje dielli të posalindur,

që kerkon shtat dhe shtrat,

E përfshirë në vorbullën e rrotullimit.

Një bar i posadalë vërtitës,

Nuk e jep të plotë ngjarjen.

Hap krahët dhe përkundet lulelofata,

Me mua të ndajë botën në fshehtësi.

Wednesday, 7 May 2025

 

 

 

NË PAKOHË ME ADOLESHENTIN E BRENDSHËM

 

 

 

Nga Timo Mërkuri

Poezia “ Adoleshenti im”e Fatmir Terziut vjen si një rrëfim i zhdërvjellët; herë i ngrohtë e herë i thukët, ku fjala nuk është thjesht mjet shprehjeje, por është udhëtimi i brendshëm i poetit. Ajo portretizohet si formë e lirë përsiatjeje, që shpesh i shmanget vijës së drejtë të kohës dhe logjikës së ngurtë, duke gjetur strehë në "pakohë", aty ku rrahjet e zemrës së adoleshencës përplasen me mendimin e pjekur. Terziu nuk shkruan për të rrëfyer, por për të gdhendur ndjesinë, për të ndalur çastin në një formë të pastër artistike. Ai ndërton një poezi të mbështetur mbi kujtesën, ëndrrën, filozofinë dhe frymën e përjetshme adoleshente të poetëve.

Kjo poezi, është një ndër ato që kërkon një lexim të ndarë, të qetë dhe të kujdesshëm. Për ta kuptuar në thellësi ndërtimin e saj emocional dhe artistik, është e domosdoshme të shihet në dy pjesë të dallueshme:

– Pjesa e parë, që përfshin pesë strofat e para deri te vargu “mendoj se për mua gjithkush ka nevojë”, përqendrohet në përjetimin e brendshëm, në kërkimin e kuptimit të vetvetes në raport me pakohën.

– Pjesa e dytë, që nis me vargun “E kështu diku në një cep të ëndrrës” dhe shkon deri në fund, përshkohet nga takimi metafizik me poetin e ikur (Ruka) dhe zbërthen thellësisht kuptimin e artit si vazhdimësi ëndrre dhe përjetësimi në pakohë.

I-Në këtë udhëtim poetik që nis me fjalët “Po planifikoj të udhëtoj në pakohë / për një pakohë që nuk ha e nuk pi”, poeti nuk kërkon kohën që matet me orë, por atë që pulson në mendje e shpirt, atë që realisht nuk e planifikon dot. Ai nuk kërkon thjesht të udhëtojë si njeri, por si “një adoleshent që ëndërron një orë”  i pafajshëm, i paformuar, i etur për befasi e mistikë. Pakohësia nuk është zbrazëti, por është një hapësirë e poetit ku koha nuk ka porta, nuk  ka çelës, një vend ku mund të mbetesh “duarbosh”, por me shpirt të mbushur.

Në këtë udhëtim ai nuk ndalet te realiteti, përkundrazi ai “zbret diellin në një oborr / dhe me sy i bashkon dy brigje”, shndërron vizionin në akt krijimi, duke bërë një “orë me një shkop” thjeshtësi fëminore e mbushur me kuptimshmëri të madhe, pse kjo orë nuk mat, por ndjen.

Në një çast qetësie, me një birrë në dorë, ai dëgjon mendimin e tij ,një mendim që s’e ka braktisur, adoleshenca: “Ndërsa pi pak birë / e kuptoj që mendimi im ka mbetur adoleshent, / ashtu i pirë duke pirë, / do të vdes, më pëshpërit ai, do të vdes, / nuk ka gjë më të mirë!”. Kjo është një vetëthirrje, një dëshirë për të vdekur siç ka jetuar: me pasionin e një të riu që nuk pranon zbutje. Çuditërisht në moshën e adoleshencës mendohet më shumë për vdekjen dhe për dhimbjen që len prapa, pse “mendoj se për mua gjithkush ka nevojë”.

Ai sheh botën përreth dhe trishtohet: “njerëzit kanë vetëm mish të ngrirë”, dhe adoleshentët,  ata të rrallët , “shohin ëndrra deri në të gdhirë”. Dhe pastaj, pa e kuptuar, edhe ai bie pre e “ndjenjës së tufës”, një kapitull i dhembshëm i bashkëjetesës me turmën që britmat i ka më të mëdha se heshtjen.

Zgjimi nuk sjell qartësi, por vetëm një boshllëk: “zgjohem…, por pa orë në dorë”. Në mungesë të matësit të kohës, njeriu s’është më në kohë, është sërish në pakohë, i dehur nga mendimi se bota ka nevojë për të.

Kjo pjesë e poezisë nuk është vetëm një përsiatje lirike, por një manifest për shpirtin e përhershëm adoleshent, për ata që nuk pranojnë të përkulen para turmës, orës apo trupit të ngrirë. Është një hymn për ëndrrën që nuk plaket, për mendimin që nuk piqet kurrë deri në fund, për pakohën që nuk vdes.

II- Në këtë pjesë të dytë të poezisë, poeti zhytet më thellë në një ëndërr që nuk është më ëndërr, por një rrugëtim metafizik drejt pakohës, aty ku koha nuk rrjedh, por pulson me kujtime, me figura që kthehen si hijet e një drite të largët. “E kështu diku në një cep të ëndrrës / takoj Petrit Rukën me bukovile ëndrra nuk është strehë e përkohshme e pavetëdijes, por vendtakimi me të përjetshmit, me ata që kanë kaluar përtej tokësores, por mbeten të gjallë në frymën e artit.

Petrit Ruka, me bukovilen simbolike të shpirtit të natyrës dhe të vargut të kthjellët, “më pëshpërit sikur ia merr këngës / për shiun që bie brenda poezive.” Kënga nuk është zë, por shushurimë shiu që bie jo jashtë, por brenda poezive, pra brenda shpirtit poetik. Shiu është frymëzim, dhe njëkohësisht dhimbje. Ruka këndon edhe pas vdekjes, sepse poezia e tij nuk u nda kurrë nga përjetësia.

Po binte atje, si një shtrëngatë, / habitesha si ndodhte në pakohë”  ky është çasti kur realiteti thyhet dhe befasia merr formë: në pakohë ndodh gjithçka që është thelbësore, jo thjesht kohore. Shiu është shpërthim ndjenjash, mall, takim me të papriturën, dhe poeti nuk përpiqet ta shpjegojë, por thjesht mbetet pezull mes habisë dhe pranimit.

Dhe ndërsa ai ngrihet për të parë “sytë më mbetën atje lart,”, të gjithë të tjerët “nxitonin të bënin art.” Ky varg mbart një reflektim të thellë për artin si nevojë njerëzore për të kapur të pakapshmen, për të fikur një etje që nuk shuhet. Por është edhe një lloj ironie e lehtë, një ndjesi që ndoshta arti është bërë garë, është nxitim, është humbje e thellësisë. Vetëm ai që mbetet në pakohë, që shikon lart, është ende i denjë të dëgjojë peshën e shiut brenda vargut.

“Në një hapësirë tjetër s’kishte më tokësor / adoleshenti im ende në pakohë kërkonte orë” dhe këtu përmbyllet kjo pjesë në një melodi të ndjerë: poeti, edhe kur ndodhet përtej tokës, në një dimension tjetër, mbart brenda vetes atë adoleshent që nuk ka orë, që nuk njeh kufi, që nuk pranon t’i nënshtrohet logjikës së matjes. Ai ende kërkon, ende ëndërron, ende ka etje për të kuptuar. Kjo pjesë e poezisë është si një dhimbje e ëmbël, një thirrje e heshtur për atë që nuk vdes: për poetët që këndojnë edhe në pakohë, për artin që nuk bëhet me ngut, për shikimin që mbetet lart, jo poshtë. Dhe mbi të gjitha, për adoleshentin shpirtëror që vazhdon të kërkojë një orë në një botë ku koha ka ndalur.

III- E parë në këtë aspekt, poezia e Terziut shpaloset si një ngrehinë postmoderniste, e ndërtuar jo mbi themele të ngurta, por mbi lëvizje, dyshim dhe vetëdije lozonjare për kohën dhe kufijtë e saj. Poeti nuk rrëfen një të vërtetë absolute, por shëtit nëpër të mundshmet, ndërton e prish rrëfime, njësoj siç bëjnë ëndrrat, apo mendimet që nuk kanë frikë të mbeten pa orë në dorë.

Filozofia në këtë poezi nuk është ekspozuar me zë të lartë, ajo fshihet në buzëqeshjen e një adoleshenti që nuk e di se po kërkon orë në pakohë. Poeti nuk kërkon përgjigje, por vetë pyetjen e jetës. “Po planifikoj të udhëtoj në pakohë / për një pakohë që nuk ha e nuk pi,”  ky është një mision i kotë në dukje, por thellësisht njerëzor në thelb: të kërkosh kuptimin përtej masave tokësore, përtej logjikës së zakonshme.

Poezia e Terziut ka vedije të vetvetes si poezi. Ka ironi të butë, si tek vargjet: “ashtu i pirë duke pirë, / do të vdes, më pëshpërit ai, do të vdes, / nuk ka gjë më të mirë!”  këtu jemi në zemër të një poetike postmoderniste, ku mendimi është në dialog me vetveten, e ku vdekja nuk është fundi, por një batutë e thënë me gotën në dorë, me shpirtin ende adoleshent. Ai shkon më tej, shpik mjete matjeje të reja për kohën, “bëj një orë me një shkop”, dhe me këtë gjetje lozonjare na tregon se realiteti matet me ndjenjë, jo me mekanizëm. Kjo është filozofia që i përket shpirtit të lirë, që endet nëpër pakohë e ndërton kuptim pa e shpallur.

Në fund, “të bindësh vetveten krejt serbes” është mbase akti më filozofik që mund të bëjë njeriu, një akt që kërkon guxim, lojë me veten dhe pranimin e absurdit me një buzëqeshje. Kjo poezi është një rrugëtim i qetë përmes pasigurisë, një udhëtim poetik drejt vetëdijes se “adoleshenti im ende në pakohë kërkonte orë.”

Në këtë përzierje të filozofisë me postmodernizmin, poeti i sheh kufijtë jo si ndarje, por si vende për t'u tejkaluar. Dhe këtë e bën jo me solemnitet, por me një ndjenjë të lirë, të çliruar, që vetëm poezia di ta shpërfaqë.

IV-Duhet tju them se kjo poezi e Terziut nuk buron vetëm nga frymëzimi abstrakt, por ka rrënjë në një realitet poetik të përjetuar; në Sarandën që i ka dhënë ngjyra, tinguj dhe aroma. Ajo është shkruar me një sfond të qartë: në tetorin e vitit 2016, në ambientet e Resortit “Bungovile” në Sarandë, u zhvillua Manifestimi Poetik “Trirema Joniane”, nën mikpritjen e ngrohtë të Klubit të Krijuesve Jonianë dhe poetit Agim Mato, ku ishin të pranishëm vetë Fatmir Terziu, Petrit Ruka e Ilirian Zhupa, miq në poezi e në jetë dhe shumë krijues nga vendet e Ballkanit. Kështu, shumë detaje që mund të duken si pjellë e imagjinatës poetike; një gotë birrë e pirë me buzëqeshje adoleshenti, bungovilet, madje edhe këngët e Rukës për shiun që bie brenda poezive janë të gjitha të vërteta. Poezia nuk është e shkëputur nga jeta, por është thurur me fijet e saj më intime. Vargu: “Ndërsa pi pak birë / e kuptoj që mendimi im ka mbetur adoleshent…”  nuk është thjesht metaforë e ndjenjës së përjetshme, por kujtim i gjallë, i përjetuar aty, mes aromës së detit dhe zërave që përshëndesin natën me vargje. Përmendja e bungovileve nuk është vetëm dekor i një peizazhi mesdhetar, por kthim te një vend ku poezia është thënë dhe dëgjuar realisht, ku fjala është pirë si verë dhe ku kujtimet janë gdhendur në “pakohë”. Përmendja e Petrit Rukës e bën poezinë një himn miqësie, kujtese dhe adoleshence të shpirtit poetik. Petrit Ruka, që “më pëshpërit sikur ia merr këngës / për shiun që bie brenda poezive”, nuk është imazh letrar, por një zë i vërtetë që dikur ka kumbuar në atë mbrëmje poetike. E kështu, poezia shndërrohet në një gjurmë të dyfishtë: njëherësh reale dhe metafizike, e shtrirë mes kujtimit të një nate me poetë dhe filozofisë së pakohës. Dhe ndoshta kjo është magjia më e thellë që ajo mbart: ta përjetosh Sarandën si vend, dhe njëkohësisht si gjendje shpirtërore. Fatmir Terziu ka shkruar shumë për Sarandën, natyrën dhe miqtë e tij aty,sa që të krijohet përshtypja se frymëzimi i tij ka  “pasaportizimin” te ky qyet.

V-Një pyetje lind në leximin e kësaj poezie: Pse poeti e titullon ate “Adoloshenti im”? është dhe çfarë është ky adoloshent poetik? Poeti e titullon poezinë "Adoleshenti im" sepse ky adoleshent nuk është një moshë, as një kujtim që ka rënë nga rafti i viteve, por një zë i brendshëm që s’e ka humbur as habinë, as rebelimin, as nevojën për të ëndërruar në mes të ditës. Ai është ai vetë, më saktë, ai që nuk ka pranuar të plaket. Një udhëtar i pakohës, një shpirt që s’ka pranuar orë në dorë, që refuzon të kalojë nëpër doganat e rregullave. Është ky adoleshent rebel i përjetshëm që i flet, e tundon dhe e zgjon poetin sa herë ai dëshiron të besojë në një shpikje poetike, një iluzion të pastër, një jetë që endet jashtë orës dhe kalendarit.

Adoleshenti është një gjendje krijuese, një frymë që nuk pranon të privohet nga çudia, pasioni, paarsyeshmëria e bukur dhe vdekja pa pendesë. Ai është një alter ego e poetit, që s’i ndahet as kur bie shi në poezi, as kur zbret diellin në një oborr.

 

“Ndërsa pi pak birë

e kuptoj që mendimi im ka mbetur adoleshent,

ashtu i pirë duke pirë,

do të vdes, më pëshpërit ai, do të vdes,

nuk ka gjë më të mirë!”

 

Ky adoleshent është edhe sfidë, edhe shpresë. Ai nuk është nostalgjik, por një përmasë e përhershme e qenies që refuzon të bëhet “mish i ngrirë”. Prandaj dhe titulli është “Adoleshenti im”, sepse është i poetit dhe vetëm i tij, një përjetësi e brendshme që s’mund të tjetërsohet, të nënshtrohet apo të zbutet. Në fund, ai është vetë poezia.

VI- Fatmir Terziu sjell në këtë poezi disa risi poetike që e veçojnë jo vetëm në tematikë, por edhe në frymë dhe strukturë. Ai nuk ndërton një poezi për t’u rrëfyer me zë të lartë, por për ta përjetuar në heshtje, si një udhëtim në “pakohë”, ku koha zhvishet nga orët dhe mendimi mbetet i “pirë”, i lirë.

E para risi është vetë koncepti i pakohës, si një hapësirë ku poeti shkel përtej realitetit, por pa e mohuar atë, gjë që e ciësuam më lart. Kjo “pakohë” nuk është një vend bosh, por një strehë e përjetshme për ëndrrën, për zërat e miqve të humbur, për adoleshentin që nuk pranon të plaket:

“Po planifikoj të udhëtoj në pakohë

për një pakohë që nuk ha e nuk pi,

jo si një iluzion,

jo thjesht si një njeri,

si një adoleshent që ëndërron një orë...”

 

Një tjetër risi është mënyra se si ndërthuren realja dhe metafizikja. Poezia ka një sfond të qartë: Saranda, bungoviljet, birra, Petrit Ruka dhe zëri i tij që “ia merr këngës”. Por këto elemente reale hyjnë në një rrjedhë që i shndërron në simbole, në mjete për të kapur një ndjesi më të thellë përjetimi. Ruka këndon brenda shiut të poezive, dhe ky shi s’bie jashtë, por “bie brenda poezive”, si një dritë që shkon drejt kujtesës.

E treta, është vetë gjuha që sjell Terziu, një gjuhë që është njëkohësisht intime dhe filozofike, e përditshme dhe e tejmbushur me kuptime. Ai nuk flet si një njeri i rënduar nga vitet, por si dikush që kërkon të bëjë “një orë me një shkop”, si një Promete që zbret diellin në oborr për t’u ngrohur vetë dhe për të ngrohur të tjerët me mendimin e tij të “mbetur adoleshent”.

“Por unë shkoj më tutje në një shpikje,

zbres diellin në një oborr,

dhe me sy i bashkoj dy brigje,

bëj një orë me një shkop.”

Kjo poezi nuk është vetëm poezi. Është shpikje, është eksperiment shpirtëror, është një kujtesë për poetët që nuk vdesin kurrë, sepse e kanë bërë jetën e tyre adoleshencë të përhershme. Kjo është ndoshta risia më e thellë që sjell Terziu: një poezi që nuk matet me vitet, por me ëndrrën që zgjohet në të gdhirë.

VII- Kjo poezi  e Fatmir Terziut u flet lexuesve të sotëm me një zë që vjen njëkohësisht nga kujtesa dhe nga ardhmëria, nga një kohë që nuk matet me orë, por me ndjenjën. Në një epokë ku gjithçka rend me ngut drejt produktivitetit, poetika e Terziut vjen si një ftesë për t’u ndalur, për të dëgjuar zërin e brendshëm, për të kujtuar se brenda secilit prej nesh jeton ende një adoleshent që ëndërron:

“Ndërsa pi pak birë

e kuptoj që mendimi im ka mbetur adoleshent,

ashtu i pirë duke pirë,

do të vdes, më pëshpërit ai, do të vdes,

nuk ka gjë më të mirë!”

Kjo poezi nuk u flet lexuesve me moral të gatshëm, por me pyetje: a kemi harruar të ëndërrojmë? A kemi pushuar së kërkuari kohën tonë të brendshme? A kemi zëvendësuar ndjeshmërinë me indiferencë? A kemi harruar të jetojmë si njerëz?

Në një botë gjithnjë e më të zhurmshme, Terziu kujton se arti nis te përjetimi i thjeshtë, te një shikim, një kujtim, një këngë që vjen nga larg dhe bie si shi “brenda poezive”. Dhe mbi të gjitha, ai i kujton lexuesit të mos braktisë dritën që ka pasur brenda vetes që i ri, dritën e atij “adoleshenti” që kërkon orë në pakohë dhe beson se:

“me pompozitet të madh udhëtoj i dehur

mendoj se për mua gjithkush ka nevojë.”

Poezia vërtet nuk jep përgjigje, por ndez një zjarr të butë brenda lexuesit: një mall i brishtë për vetveten e dikurshme, dhe një ftesë për të mos e humbur adoleshentin kurrë.

 

Sarandë, më Maj 2025

 

ADOLESHENTI IM

Nga Fatmir Terziu

Po planifikoj të udhëtoj në pakohë

për një pakohë që nuk ha e nuk pi,

jo si një iluzion,

jo thjesht si një njeri,

si një adoleshent që ëndërron një orë,

ndoshta pa e ditur se si 

në pakohë mbetesh duarbosh.

 

Por unë shkoj më tutje në një shpikje,

zbres diellin në një oborr,

dhe me sy i bashkoj dy brigje,

bëj një orë me një shkop.

 

Ndërsa pi pak birë

e kuptoj që mendimi im ka mbetur adoleshent,

ashtu i pirë duke pirë,

do të vdes, më pëshpërit ai, do të vdes,

nuk ka gjë më të mirë!

 

Të bindësh vetveten krejt serbes,

njerëzit kanë vetëm mish të ngrirë,

e adoleshentëve u është bërë ves,

të shohin ëndrra deri në të gdhirë.

Padashje pastaj me ndjenjën e tufës,

harroj që kam udhëtuar në pakohë,

dëgjoj britmat e mëdha të turmës,

dhe zgjohem…, por pa orë në dorë.

 

Mendoj se si adoleshent kam fshehur,

atë që kam parë në pakohë,

me pompozitet të madh udhëtoj i dehur

mendoj se për mua gjithkush ka nevojë.

 

E kështu diku në një cep të ëndrrës

takoj Petrit Rukën me bukovile

më pëshpërit sikur ia merr këngës

për shiun që bie brenda poezive.

Po binte atje, si një shtrëngatë,

habitesha si ndodhte në pakohë,

ndërsa sytë më mbetën atje lart,

të gjithë nxitonin të bënin art.

 

Në një hapësirë tjetër s'kishte më tokësor

adoleshenti im ende në pakohë kërkonte orë.

Tuesday, 6 May 2025

 

GJURMËT E PËRKËDHELJES SË MUNGUAR

Një qasje poetike postmoderne

 

Nga Timo Mërkuri

Poezia “E përkëdhelur dhe e papërkëdhelur” e Natasha Lakos është një prej krijimeve që nuk shpaloset si rrëfim,  por si ndjesi që lëkundet në kufijtë e mungesës dhe dëshirës. Me një ton pyetës dhe ritmik, ajo ndërton një botë ku përkëdhelja nuk është thjeshtë një gjest fizik, por  dhe  shenjë e pranimit, e afrimit, e butësisë dhe dashurisë. Përkëdhelja është ajo gjuhë e heshtur që i thotë çdo njeriu se ai është i dashur dhe i çmuar, jo vetëm për atë që e jep. Përkëdheljen e ndjejmë dhe nëpërmjet saj shuajmë një uri të brendëshme që nuk shuhet dot me fjalë apo ushqim. Te poezia e Lakos kjo nevojë shfaqet si pyetje: ku është përkëdhelja? A egziston në një botë të ashpër dhe të ftohtë? Pyetja nuk është  vetëm poetike, por së pari është njerëzore. E parë në këtë aspekt themi se kjo poezi vjen si zë i brendshëm dhe nuk kërkon përgjigje të qarta, por hap hapësira për reflektim, për të ndjerë, për të kujtuar, për të parë se si gjërat më të zakonshme: buka, qielli, fëmijët humbasin kuptimin e tyre të zakonshëm dhe mbushen me ankthin e kohës që ka humbur lidhjet

I-Te poezia "E përkëdhelur dhe e papërkëdhelur" ndjejmë se titulli nuk është thjesht emri i një poezie; ai është pasqyra ku shohim si jeta na ledhaton e na braktis, si dashuria vjen e ikën, si bukuria është dhuratë dhe plagë njëkohësisht. Në fakt kjo poezi është si një fllad që kalon mbi fytyrën e jetës: herë e ngrohtë e herë therëse, por gjithmonë e vërtetë. Dhe titulli është porta hyrëse për në këtë përjetim. Që në tingullin e parë, poetja vendos në njerën anë të peshores një pendë-përkëdheljen dhe në anën tjetër një gur- mungesën e saj. Peshorja nuk qëndron në ekuilibër dhe pikërisht kjo mungesë ekuilibri flet më shumë se çdo barazpeshë, që do të thotë se mungesa “peshon” (rëndon) më shumë se dashuria. Ky nuk është një dualitet emocional:  është vetë zemra njerëzore që mbart dhembje dhe shpresë njëherësh.

Vetë titulli shfaq  një kontrast të thellë emocional: ai flet për përkëdhelje të dëshiruar dhe mungesë përkëdheljeje që lëndon. Në vetë formën e tij, titulli shfaq një dyzim të brendshëm, që bëhet çelës për leximin e gjithë poezisë. “E përkëdhelur” sugjeron një ndjenjë butësie, dashurie, mbrojtjeje, ndërsa “e papërkëdhelur” sjell ndjesi mungese,  vetmie, braktisjeje. Kjo luhatje mes dy poleve përkon me përjetimin e personazhit poetik, të njeriut bashkëkohor, që mbetet i ndarë mes nevojës për dashuri dhe realitetit që shpesh ja mohon atë.

1.Në këtë poezi, përkëdhelja dhe papërkëdhelja nuk janë thjeshtë gjendje, ato janë mënyra poetike si bota i flet individit: herë me bukë e herë me uri; herë me fjalë të buta e herë me heshtje që dhemb. Le ta shohim konkretisht se si shfaqet kjo ndjesi në vargje:

“Thuaj, a është buka, mund, kripë, miell, ujë, apo përkëdhelje?” Kjo është një pyetje që nuk kërkon përgjigje, por ndjeshmëri. A është jeta ushqim për trupin, apo dhunti për shpirtin? Ç’është buka në një botë që nuk të përkëdhel?

Banketet e livadheve të pashkelura ende” tingëllon si një ftesë në një ambient parajsor ku përkëdhelja mund të mos jetë kujtim, por prekje reale, konkrete, e paçmuar.

“Djemtë e papërkëdhelur nga jelet e kalit që nuk vrapon më” vjen si një shenjë se liria, forca dhe bukuria dikur i përkëdhelnin djemtë e rinj, por tani edhe kali (metaforë e ëndrrës dhe guximit) ka ndalur.

“Fëmijë që lëpijnë yjet” shfaq një  pamje tepër ndjesore: fëmijë që kërkojnë dritë para se të kenë shijuar ngrohtësinë e gjiri.  Është papërkëdhelja më e dhimbshme: mungesa e mëmësisë, mungesa e fillimit të butë.

Dhe në fund, poezia nuk ofron trupin e femrës për ta zhveshur, por për ta shpëtuar nga ndëshkimi. “Kofshët e bukura të zhveshura” mishërojnë çlirimin prej turpit, përkëdhelje që njeriu ia jep vetes kur bota nuk ia jep më.

II- Sa herë bie fjala për poezinë e Lakos zakonisht dëgjojmë vlerësime me superlativa, por shpesh herë folësit shtojnë si rastësisht se poezia e saj është një poezi elitare, pak a shumë hermetike,  që kuptohet me vëshirësi etj. cilësime që në thelb dëshmojnë se folësi është  thjeshtë një lexues sipërfaqësor, i pavëmëndshëm. Poezia e Natasha Lakos nuk është një poezi që duhet të kuptohet, ajo është një poezi që duhet të ndjehet, të përjetohet. Lako flet nëpërmjet imazheve të ndërthurura, dhe në zbërthimin e poezisë së saj duhet më së pari të lexosh imazhet dhe ti përjetosh ato, se të synosh ti kuptosh ato imazhe poetike është gati e pamundur. A shfaqet dhe në këtë poezi kjo lexueshmëri imazhesh? Po, dukuria që Lako flet nëpërmjet imazheve të ndërthurura qëndron në mënyrë të fuqishme në këtë  poezi, ku ato (imazhet) nuk janë të izoluara apo lineare, por krijojnë një rrjet përfytyrimesh që përplasin botë të ndryshme simbolike, sociale dhe emocionale, shpesh në mënyrë befasuese dhe të ndërlikuar.

1.Kështu p.sh. në vargun: “Thuaj, a është buka, mund, kripë, miell, ujë, apo përkëdhelje”, elementet reale të jetës: buka, kripa, uji, të cilat janë simbole të traditës, ndërthuren me një koncept abstrakt e ndjesor si përkëdhelja, duke krijuar një imazh  të dykuptimtë, që është njëherazi ushqim dhe mungesë dashurie. Ndërthurja vazhdon në një tjetër pasazh: “djemtë e papërkëdhelur nga jelet e kalit që nuk vrapon më”, ku ndërthuren tre imazhe: djali (njeriu i ri), kali (figura e fuqisë dhe burrërisë në traditën shqiptare) dhe ndalimi i lëvizjes (kali që nuk vrapon më) të cilat krijojnë një ndjesi trishtimi e zhgënjimi nga miti i rrënuar. Le të shohim vargun tronditës dhe thellësisht poetik në mënyrën moderne: “me burrat që përmjerin pranë lopës, apo me fëmijë që lëpijnë yjet para qumështit të gjirit”, sepse ai përplas dy imazhe brutale dhe të kundërta:një realitet grotesk dhe një ëndërr të pafajshme, ku “burra që përmjerin pranë lopës” është një imazh realist, gati I turpshëm apo vulgar që zhvesh mitin e burërisë shqiptare dhe e ul në një gjest banal e kafshëror. Në thelb është sa tronditës aq dhe denoncues. Ndërkohë “fëmijët që lëpijnë yjet para qumështit të gjirit” është një imazh i pafajshëm, ëndërimtar, por, sipas stilit të Lakos, ky është vendosur në një rend të përmbysur: fëmija më parë kërkon “yje” ( ëndra, ideale, dritë) pastaj kërkon ushqim (qumësht), çka mund të lexohet si një kritikë (e fsehtë) ndaj shoqërive që mohojnë nevojat shpirtërore. Këto dy pamje imazhsite në varg janë qëllimisht provokuese dhe të ndërthurura, për të nxjerrë në pah absurditetin, mungesën e përkëdheljes dhe zhbalancimin mes trupores dhe shpirtërores.

2.Ndërthurja bëhet edhe më komplekse në vargun: “priftëresha mijëravjeçare që kërkojnë një njeri”  e cila është figurë shumëplanëshe dhe e ndërthurur me ngarkesë mitike, gjinore dhe filozofike, ku: “Priftëresha mijravjeçare” nënkupton një figurë femërore, akretipale, e shenjtëruar dhe e mohuar nga realiteti i zakonshëm. Ajo i përket një hershmërie simbolike ku gruaja ishte ose hyjneshë ose objekt sakrificash  e shfrytëzimi, por jo njeri me të drejtën që të ndjejë dashuri. Pjesa vargore: “që kërkojnë një njeri” përmbys mitin, pse nga një qenie e lartësuar në tempull apo shënjtëruar ajo zbret në tokë dhe kërkon njerëzoren, dashurinë, përkëdheljen. Kërkimi i “njeriut” është kërkimi i lidhjes njerëzore, jo vetëm në aspektin emocional por edhe egzistencial. Ky imazh është trishtues dhe emacipues njëkohësisht: përfaqson gruan që për shekuj është idealizuar ose ndëshkuar, por që tani kërkon të jetë vetë ajo subjekt i dashurisë, i zgjedhjes, i ndjesisë. Në thelb është një figurë modern e çlirimit nga rolet e trashëguara nga e kaluara.

Në thelb duhet të themi se përmes këtyre përzierjeve të përmasave konkrete, mitike, emocionale e sociale, Lako nuk jep përfundime të qarta (kuptimore), por krijon hapësirë poetike, ku lexuesi ndien më shumë sesa kupton, dhe ku mesazhet shpërfaqen në mënyrë të aluzive. Ndaj themi se ndërthurja e imazheve në këtë poezi është një tipar thelbësor i gjuhës së saj moderne dhe eksperimentale.

III-Sigurisht që lindë pyetja për krijimin e imazheve në poezinë e Lakos dhe nuk nxitojmë po t’ju themi se këto inazhe krijohen nga ndërthurja e figurave artistike, që mbartin me vete dritësimin e tyre në ndërtimin e imazhizmit kompleks, që krijon tension midis botës së ndjeshme dhe realitetit të zhveshur. Le të shohim funksionin e metaforës, simbolit dhe personifikimit, si pjesë përbërëse të këtij sistemi shprehës:

1.Metafora është një element shprehës i poezisë dhe shërben për të ndërtuar imazhe të papritura, shpesh tronditëse, që ftojnë lexuesin të eksplorojë kuptime të thella. P.sh.: “djemtë e papërkëdhelur nga jelet e kalit që nuk vrapon më”. Këtu  jelet e kalit” janë një metaforë e  përkëdheljes së munguar. Jelet lidhen me kalërimin, me lirinë dhe estetikën e lëvizjes së kalit, por në këtë rast paraqitet si diçka që mund të përkëdhelë, pra kali bëhet pjesë e një kujtese ndjesore. “kali që nuk vrapon më” është metaforë për fundin e epokës së vrapimit, pasi kali në traditën shqiptare simbolizon burrërinë, trimërinë. Tani ai “nuk vrapon më”, pra burrëria e dikurëshme është bërë e panevojëshme. Shprehja “djemtë e papërkëdhelur” është metaforë për mungesën ndjesore të ngrohtësisë në rritjen e djemve. Pra gjithë këto metafora krijon një imazh , ku përmes simbolikës së kalit, jeleve dhe mungesës së përkëdheljeve poetja ndërton një tablo të ftohtë të burrërisë së braktisur të një brezi të rritur pa ngrohtësi.

Metafora: “fëmijë që lëpijnë yjet para qumështit të gjirit” realisht shumë e fuqishme që përfaqëson një etje ekzistenciale për ëndrrën para ushqimit, për frymën përpara trupit, për shpirtësi që tradita nuk ia ka ofruar fëmijërisë shqiptare,pra kjo metaforë bashkohet me figurën tjetër “burrat që përmjerin pranë lopës”, një metaforë groteske dhe së bashku krijojnë një imazh të kontrastit brutal  mes dëshirës së lartë (yjet) dhe nevojave instiktive tokësore (gjiri, lopa). Ky imazh është i ndërthurur mes një kombinimi të metaforës (lëpirja e yjeve) me një skenë groteske dhe realiste (përmjerja pranë lopëve. Metafora e fëmijës që synon yjet, por pa provuar ende qumështin e nënës është një figurë e ndërthurur e mungesës së ushqimit, dhe duke u bashkuar me imazhe të tjera shfaqin një vision poetik të një bote të përmbysur.

2.Simbolet në poezi nuk janë të qarta dhe të njëkuptimta, por marrin ngarkesë shumë kuptimëshe dhe shërbejnë për të krijuar një atmosferë filozofiko-shoqërore. P.sh. “buka, mund, kripë, miell, ujë” janë simbole të jetës rurale shqiptare, që në kontekstin poetik bëhen simbolet  tradicionale. Këto simbole bashkohen me metaforën e përkëdheljes në vargun “Thuaj a është buka, mund , kripë, ujë” dhe krijojnë nëj imazh dykuptimor ku përkëdhelja bëhet ushqim shpirtëror po aq i nevojshëm sa buka dhe uji. Këtu vërejmë se imazhi i krijuar është tipik i jetës shqiptare tradicionale, ku mungon dashuria e shfaqur hapur, kryesisht nga babai, pse përkëdhelja nuk është parë si domosdoshmëri në familje.

Simboli: “priftëresha mijëravjeçare që kërkojnë një njeri” bashkohet me metaforën e mungesë së dashurisë (prifëreshat janë të privuara nga përkëdheljet, nga shfaqja e ndjenjave), po ashtu folja “ kërkojnë një njeri” është metaforë e mungesës së dashurisë njerëzore, dhe me personifikimin e mitit “priftëresha mijraveçare” që shihen si qënie që ndiejnë mungesë dhe kërkojnë dashuri. Kështu ndërthurja e simbolit, metaforës dhe personifikimit të mësipërm krijon  imazhin e një gjendjeje universal shpirtërore, i cili e ngre poezinë në nivel filozofik e ekzistencial.

3.Lako përdor rrallë personifikime në mënyrën klasike, por subjektizon sende dhe ide abstrakte për t’i ngarkuar me jetë dhe ndjenjë. Kështu p.sh. te vargu “përkëdheljet a i përgatit a i mund bota e dallëndysheve” Lako krijon një imazh të ndërlikuar dhe të brishtë përmes bashkimit të figurave artistike si personifikimi dhe simboli. Bota, një nocion abstrakt, paraqitet si qenie e përkëdhelur dhe e ndjeshme, duke u personifikuar si “dallëndyshe”, zog i vogël, simbol i kthimit, i ngrohtësisë dhe i dashurisë në traditën shqiptare. Dallëndyshja është një figurë e butësisë dhe e kujdesit amësor, ndaj bashkimi i saj me konceptin e “botës” krijon një imazh poetik të një universi që mund të përgatitë përkëdhelje, por dhe t’i mundë ato, madje kështu ngre një pyetje filozofike mbi natyrën e jetës dhe raportin e saj me dashurinë. Kjo dykuptimësi pyet: a është bota mbështetëse dhe ndërtuese e ndjeshmërisë, apo e ftohtë dhe shtypëse ndaj saj? Kështu, ndërthurja e figurave jo vetëm që krijon një peizazh poetik, por ngre edhe dilema ekzistenciale për lexuesin modern mbi rolin e ndjenjës në një botë që shpesh shfaqet kundër  dashurisë dhe përkujdesjes .

Pra, figurat artistike në poezi janë në funksion të krijimit të një imazhizmi të shtresuar, sa kontradiktor aq dhe tronditës, që ndërton një vizion të gruas, njeriut dhe jetës në shoqërinë tradicionale shqiptare, por nëpërmjet optikës moderne, introspektive. Ato nuk janë zbukurim stilistik, por strukturë mendimi dhe ndjeshmërie, që përforcon tonin e pyetësisë, mungesës dhe kërkimit në poezi dhe në ndërthurjen mes tyre mbartin me vete gjithë dritësimin poetik si figura dhe e ndërthurin në imazh. Prandaj kanë kaq shumë dritë imazhet e Lakos.

IV- E parë në vijueshsmërinë e leximit artistik shohim se struktura pyetëse e poezisë nuk është e rastësishme, pse  ajo nuk përdoret si mjet stilistik, por si mënyrë për të shprehur gjendjen e paqartësisë dhe të pasigurisë. Çdo pyetje është një përpjekje për të kuptuar:

A është jeta vetë përkëdhelje, apo thjesht një formë e tejzgjatur e lodhjes?

A është buka një akt dashurie, apo një sakrificë që vjen me dhimbje e lodhje?

A janë ëndrrat një strehë e brendshme, apo thjesht një tjetër formë zhgënjimi?

Lako nuk jep përgjigje të drejtpërdrejta, pse poeti nuk është për të zgjidhur ekuacione dhe formula, por duhet të themi se pikërisht mungesa e përgjigjeve e bën strukturën pyetëse më të ngarkuar emocionalisht. Ajo lë të kuptohet se përkëdhelja dhe mungesa e saj nuk janë të dallueshme, se në shumë raste ato bashkëjetojnë në përditshmërinë e njeriut. Kështu, pyetjet bëhen pjesë e një kërkimi të brendshëm, i cili më shumë se të sqarojë, synon të ndjejë dhe të ngrejë dyshime.

Në këtë mënyrë,ndërsa themi më sipër se titulli nuk është vetëm hyrje në temën e poezisë, ai është edhe përmbledhje e saj, struktura pyetëse i jep formë dinamike kësaj përvoje, duke e kthyer poezinë në proces të vazhdueshëm kërkimi dhe vetëpyetjeje.

V-Poezia” e Lakos ngrihet mbi një ndjeshmëri pasigurie, që shpaloset përmes një zëri që pyet, jo për të marrë përgjigje, por për të ndarë një brengë. Por duhet të kuptojmë se këto pyetje nuk janë retorike as zbukurime stilistike; ato janë vetë zemra e poezisë. Ato marrin formën e një lutjeje të përsëritur, një psherëtimë që s’pushon dhe bëhen ritmi i saj i padukshëm, frymëmarrja që mban vargjet gjallë.

Që në vargun: «Thuaj, a është buka, mund, kripë, miell, ujë, apo përkëdhelje...?», poetja na nxit të mendojmë përtej fjalës. Buka, si simbol, nuk është më vetëm nevojë fizike, por një shenjë e mallëngjimit për butësinë, për dashurinë. ”Të japësh bukë do të thotë të duash njerinë” thotë një fjalë. Por këtu pyetja përfshin një boshllëk emocional: e kërkon përkëdheljen si një nevojë po aq të domosdoshme sa buka. E njëjta mungesë përshkon vargun: «Në cilën anë është qielli dhe në cilën anë kthesa që na ndjek prapa...?»  ku poezia përmbyset mbi veten; ajo s’është më udhëtim drejt së ardhmes, por një qark i mbyllur, ku kthesat nuk i paraprijnë, por e ndjekin.

Në këtë tekst të mbushur me imazhe që shpesh janë tronditëse, ndjesia e humbjes, e pështjellimit dhe e kërkimit ndihen më fort se çdo mesazh i drejtpërdrejtë. Pamje si: «burrat që përmjerin pranë lopës» dhe «fëmijë që lëpijnë yjet para qumështit të gjirit» krijojnë një botë, ku grotesku dhe fëmijërorja, realiteti dhe ëndrra ndërthuren pa ndarje të qartë. Ato të shqetësojnë, por edhe të prekin, sepse janë reale në mënyrën e tyre metaforike, si dhimbja që s’mund ta thuash drejtpërdrejt, por vetëm ta shfaqësh.

Përkëdhelja në këtë poezi është mungesë, është gjithçka që s’është më. Jo rastësisht përmendet “jeta e dallëndyshes”, një figurë që në letërsinë shqipe ka mbartur gjithmonë simbolikën e ndjeshmërisë, të mëmësisë, të fjalës së butë. Po Lako nuk e përkëdhel as dallëndyshen, por pyet nëse ajo përgatit ndonjë përkëdhelje, apo e mund bota. Dhe në këtë pyetje, kuptojmë se edhe simboli i shpresës është bërë i lëndueshëm.

Në thelb, kjo poezi nuk është për t’u shpjeguar, por për t’u dëgjuar shpirtërisht. Çdo figurë stilistike, qoftë metaforë, qoftë simbol apo personifikim, nuk është aty si stoli, por për të lënduar butësisht dhe për të na thënë: mungesa, pyetja, përkëdhelja e humbur janë më reale se çdo përgjigje.

VI – Poezia “E përkëdhelur dhe e papërkëdhelur” e Natasha Lakos sjell një frymë të re në poezinë shqipe moderne, duke e pasuruar atë si në përmbajtje, ashtu edhe në formë e ndjeshmëri. Kjo poezi nuk kërkon thjesht të prekë emocionin, por dhe  të shqetësojë mendimin, të trazojë shpirtin, të thotë gjëra që zakonisht mbeten të pathëna.

1.Së pari, ajo që bie në sy është mënyra e re e përdorimit të figurës – jo më si stoli estetike, por si një mënyrë për të pyetur thellë mbi qenien. Figura nuk është përshkruese, por pyesëse – dhe kjo i jep poezisë një tension të brendshëm, një frymë filozofike. Vargu “Thuaj, a është buka, mund, kripë, miell, ujë, apo përkëdhelje?” është më shumë se një lojë fjalësh, është një përpjekje për të kapur kuptimin e një ndjenje njerëzore përmes gjërave më të thjeshta të jetës. Aty përkëdhelja vendoset përkrah bukës dhe ujit – si domosdoshmëri jetike.

2.Struktura poetike është një tjetër risi. Poezia nuk ka një vijë të drejtpërdrejtë, një fill që shkon nga pika A në B. Vargjet janë të fragmentuara, si mendime që të shfaqen në çaste trazimi, si copa ndjesish që nuk kërkojnë të rrëfejnë një histori, por të sjellin një përjetim. Kjo mënyrë e shkëputur, e pashtruar, i jep poezisë një frymë moderne, të ngjashme me prirjet e letërsisë evropiane, ku përjetimi është më i rëndësishëm sesa tregimi.

3.Lako nuk ka frikë të vendosë krah për krah të bukurën dhe grotesken. Në një varg përmenden burrat që përmjerin pranë lopës dhe fëmijët që lëpijnë yjet. Ky kontrast tronditës nuk është provokim për efekt – është mënyra se si poezia përball realitetin me ëndrrën, dhimbjen me dëshirën. Kjo ndërthurje krijon një estetikë të re, ku poezia nuk shmang më të shëmtuarën, por e përfshin si pjesë të së vërtetës.

4.Një tjetër risi është trajtimi i përkëdheljes si një simbol i mungesës njerëzore; një lloj dashurie që nuk është thënë, por që gjithkush e ka ndjerë në ndonjë formë. Përkëdhelja del nga kuptimi i saj i zakonshëm dhe merr një ngarkesë të re; ajo bëhet gjithçka që mungon: ngrohtësi, afërsi, kuptim, mirësi. Madje edhe mungesa e saj shfaqet si një formë e dhunës.

5.Poezia e Lakos sjell edhe një zë të fortë femëror, por jo në mënyrë sentimentale. Ajo nuk ankohet, nuk ëndërron si heroinat e dikurshme, por pyet, sfidon, vë në dyshim, kërkon. Është një zë që kërkon të kuptohet, jo të mëshirohet. Dhe kjo e bën poezinë e saj modern, jo thjesht për nga forma, por për nga qëndrimi.

6. Një nga risitë më të thella të kësaj poezie është aftësia për të komunikuar në të njëjtën kohë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të koduar. Lako i drejtohet lexuesit me një ndjeshmëri që nuk predikon, nuk jep mësime, por e nxit të mendojë. Lexuesi nuk mbetet në rolin pasiv, por përfshihet në procesin e kërkimit – kërkimi për të kuptuar, për të emërtuar atë që mungon: përkëdheljen si mungesë dhe si nevojë njerëzore universale. Në thelb, kjo poezi nuk të fton vetëm ta lexosh. Të fton të hysh brenda saj, të pyesësh bashkë me të, të ndjesh boshllëkun dhe nevojën për përkëdhelje – si një gjë e heshtur, por e domosdoshme për qenien njerëzore.

VII – Poezia e Natasha Lakos arrin të ushtrojë një ndikim të thellë tek lexuesi i sotëm përmes disa shtresave domethënëse. Së pari, ajo prek një nerv të ndjeshëm të ndërgjegjes kolektive, duke risjellë në dritë plagë të trashëguara nga përvoja jetësore në kulturën tradicionale shqiptare, sidomos në marrëdhëniet midis gjinive, në tensionin mes ndjenjës dhe detyrës. Kështu, lexuesi ndeshet me një proces introspektiv: a kemi mbetur ende një shoqëri që nuk di të përkëdhelë? A vazhdojmë të rrisim fëmijë “me yje në sy, por pa qumësht dashurie”?

Poezia flet me ndershmëri e thellësi për dilemën e brezit të sotëm, që ndodhet në një udhëkryq mes një kulture rrënjosur në kode të ngurta dhe një bote moderne që kërkon më shumë ndjeshmëri, komunikim emocional dhe kujdes të ndërsjellë. Tek të rinjtë, kjo poezi mund të rizgjojë vetëdijen për nevojën për të rimenduar marrëdhëniet ndërnjerëzore, duke e vendosur përkëdheljen, aktin e butësisë, si një gjest human dhe emancipues, larg paragjykimeve që e lidhin atë me dobësinë. Të shkruash vargje të tilla si: “cila përkëdhelje i takon ndonjë shkrese si thile e vogël, /ngjashmërinë e nënave të padashuruara, me një kaligrafi universal” apo “ apo me brekë stolisurat vajza” më shumë se talent duhet guxim e ndershmëri me veten,

Së fundi, në një kohë kur individi përpiqet të çlirohet nga peshat e patriarkatit dhe modeleve të ngurta të të menduarit, kjo poezi shfaqet si një hapësirë lirimi dhe kuptimi. Ajo i jep zë një dhimbjeje të përbashkët pa u mbyllur në moralizime, por duke e sublimuar përmes një ndjeshmërie estetike dhe një qasjeje filozofike që i jep lexuesit jo vetëm fjalë, por edhe guximin për të pyetur. Dhe kjo është, ndoshta, një nga fuqitë më të mëdha të artit poetik.

 

Sarandë, më prill-maj 2025

 

E përkëdhelur dhe e papërkedhelur

 

Thuaj, a është buka, mund, kripë, miell, ujë, apo përkëdhelje,

përgjigje në janë për ne banketet e livadheve të pashkelura ende,

bota e dallëndysheve përkëdheljet a i përgatit a i mund,

krahasimin e të rrugëve me të parrugëtit, si dy krahë më thuaj,

në cilën anë është qielli dhë në cilën anë kthesa që na ndjek prapa,

cila përkëdhelje i takon ndonjë shkrese si thile e vogël,

ngjashmërinë e nënave të padashuruara, me një kaligrafi universale,

më thuaj, djemtë e papërkëdhelur nga jelet e kalit që nuk vrapon më,

a mund t’i krahasosh,

me burrat që përmjerin pranë lopës, apo me fëmijë që lëpijnë yjet,

para qumështit të gjirit, apo me brekë stolisurat vajza,

priftëresha mijëravjeçare që kërkojnë një njeri,

kaq paqartësisht veçohet ja buka, ja mundi, ja ëndrra, ja unë.

Fol qoftë për një palë kofshë të bukura të zhveshura, që mbeten

pas çdo droje dhe përdëllimi,

triumf i pikëpyetjeve kur kanë një vend.