KOHA QË NDRIT NË POEZI
Nga Timo Mërkuri
Poezia “Në kohën më të bukur të
trupit” e Natasha Lakos është një rrëfim i brishtë dhe intim mbi përjetimin e
trupit dhe shpirtit në një moment ndjeshmërie, ku koha fizike dhe shpirtërore
ndërthuren në një dritë të butë. Ajo nuk i qaset jetës perms një rrëfimi të
drejtpërdrejtë, por përmes një gjuhe figurative, ku natyra, drita dhe ndjesitë
bëhen zëdhënëse të një përvoje intime, femërore dhe njëherazi universale. Në
këtë poezi, trupi nuk është vetëm fizik, por një qenie që ndjen, që përjeton,
që fërgëllon me botën përreth. Lako përmes një gjuhe të dritësuar nga imazhi,
metafora, simboli dhe ritmi i brendshëm, na fton të ndjejmë poetikisht atë çast
ku ndodhia dhe ndjenja përthithen në një, dhe ku vetë poezia bëhet melodi e
përjetimit të dritës.
I-Titulli "Në kohën më të
bukur të trupit" është një hyrje e heshtur dhe meditative drejt një
përvoje jo vetëm fizike, por dhe shpirtërore, sensuale e poetike. Ai nuk cakton
një periudhë konkrete të jetës; nuk është fëmijëria e pafajshme, as pleqëria e
urtë, por një çast i brishtë kur trupi është në kulmin e ndjeshmërisë, i
vetëdijshëm për veten dhe i hapur ndaj jetës. Është koha kur njeriu nis të njohë
trupin e tij dhe pse jo, edhe ta eksplorojë atë. Kjo kohë është më shumë ndjesi
se sa etapë biologjike; është periudha kur trupi dhe shpirti takohen në harmoni.
Po ashtu, përcaktimi i saj (kohës) si "më e bukura" nuk lidhet me përkufizime të jashtme si bukuria
fizike, rinia, apo shëndeti i plotë. Ajo është një bukuri që buron nga brenda,
nga ndjeshmëria që trupi fiton në marrëdhënie me botën dhe me veten. Ajo është
një bukuri e përjetuar, jo e vëzhguar dhe dallimi këtu është tepër thelbësor.
Në vargun: "Ia ngul sytë
një rrezeje dielli të posalindur,
që
kërkon shtat dhe shtrat..."
rrezja e diellit simbolizon dritën,
ndjesinë, jetën, dëshirën që kërkon "shtat
dhe shtrat", pra një trup që të mishërojë këtë ndriçim dhe hapësirë
intime ku të pranohet. Trupi, në këtë kohë, është i gatshëm jo vetëm të
përthithë dritën, por edhe ta shndrojë atë në ndjenjë, në përjetim, në poezi.
Një tjetër pasazh: "Hap
krahët dhe përkundet lulelofata,
me mua të ndajë botën në fshehtësi."
krijon një atmosferë bashkëjetese mes trupit dhe natyrës, që në
fshehtësi e vendos trupin në dialog me jetën, në marrëdhënie ku sensualiteti
nuk është vulgaritet, por një mënyrë për të ndier tërësinë e ekzistencës.
Pra, nqse do kërkonim të
specifikonim se cilët janë faktorët që e bëjnë këtë kohë "më të bukur", pa dyshim që do
pohonim se ata janë të shumtë, por ne le të cilësojmë disa, që i takojmë në
vargjet e poezisë së Lakos dhe konkretisht:
-Vetëdija e trupit për veten; jo thjesht për bukurinë fizike, por për
ndjeshmërinë.
-Pjekuria e ndjesive, që nuk janë më të shpërndara apo të paqarta, por
të fokusuara e të thella.
-Dëshira për bashkëndarje, marrëdhënie intime me natyrën, dritën,
ndoshta dashurinë.
-Poetika e çastit; është koha kur
dhe përvoja më e vogël e momentit ka intensitetin e një zbulimi.
Kjo kohë mund të jetë rinia, por edhe
një fazë e mëvonshme, kur gruaja ndihet e plotësuar me veten, trupi është i
gjallë e i ndjeshëm. Në këtë mënyrë, titulli fiton një dimension universal:
koha më e bukur e trupit është ajo kur jeta shijohet me të gjitha shqisat, kur
përjetimi është i thellë dhe kur ndarja me tjetrin bëhet në fshehtësi të buta.
II- Lako në shumicën e krijimeve
të saj nuk e shpreh në mënyrë të drejtpërdrejtë gjininë e heroit lirik, por te
kjo poezi, lexuesi, ndonëse nuk e lexon, e ndien dhe përjeton qartë qënien femërore të heroinës në mënyrën si vëzhgon
botën, si komunikon me natyrën dhe trupin, si përjeton dritën dhe ngjarjet
rreth saj. Ky përcaktim vjen nga toni i butë, ndjeshmëria delikate dhe lidhja
intuitive me trupin e natyrën, të cilat janë të mishëruara në përjetimin dhe
zërin poetik femëror. Disa vargje janë kyçe për këtë:
"Unë ia ngul sytë një
rrezeje dielli të posalindur,
që kërkon shtat dhe shtrat..."
ku, vëzhgimi i rrezeve të diellit
që kërkojnë “shtat dhe shtrat” vjen
nga një zë që i përgjigjet dritës, jo thjesht si spektatore, por si një trup i
vetëdijshëm për ndjesinë e vet, trup që përjetohet si femëror, jo vetëm që
vëzhgon.
Po ashtu, vargu: "Hap
krahët dhe përkundet lulelofata,
me
mua të ndajë botën në fshehtësi"
tingëllon si një bashkëbisedim
delikat mes një femre dhe natyrës; një ndarje sekrete, e përqendruar në një
intimitet të heshtur, që është tipik për një përjetim të brendshëm femëror.
Figuracioni është i butë, përkëdhelës, sensual pa qenë erotik, i trupshëm dhe
shpirtëror njëkohësisht.
Në tërësi, është trupi i
përfytyruar në kulmin e bukurisë dhe ndjeshmërisë së tij, që i jep poezisë
zërin e një femre, që e përjeton botën përmes një shpirti të mishëruar në
trupin e vet. Edhe pse pa emërtimin gjinor, poezia vetë është një gjuhë e
trupit femëror që tingëllon si fërgëllimë e brendshme e dritës.
III-Natasha Lako, me një ton të
përmbajtur, por të ndjerë krijon një poezi që është një himn i butë për një
stinë të brendshme: kohën më të bukur të trupit, ku siç thamë, nuk kemi të bëjmë vetëm me rininë
si kategori biologjike, por me një çast drite të brendshme, kur ndjeshmëria,
vetëdija trupore dhe përfshirja në botë përftohen si përjetime të plota dhe të
vërteta.
1.“Në kohën më të bukur të
trupit,
Harlisen rreth e rrotull ca
ndodhi,
Të njohura dhe të lira.”
Tre vargjet e para nuk
përshkruajnë një trup në mënyrë të drejtpërdrejtë, por këtë e realizojnë përmes
atmosferës që e rrethon. “Ndodhitë”
janë “të njohura”, pra të përjetuara
më parë ose të pritura dhe njëkohësisht “të
lira”, çka e zhvendos tonin drejt spontanitetit, pjekurisë emocionale dhe
trupore. “Harlisen rreth e rrotull”
është një përshkrim i butë, gati i hareshëm, që i jep jetës rreth trupit një
frymëmarrje lozonjare dhe rritjeje. Trupi është epiqendra, por poetja nuk e
emëron drejtpërdrejt; ai jetohet përmes rrethanave, ndjesive, dritës.
2.“Unë ia ngul sytë një rrezeje
dielli të posalindur,
Që kërkon shtat dhe shtrat,
E përfshirë në vorbullën e rrotullimit.”
Këto vargje vendosin një tjetër
qendër poetike: një rreze dielli që kërkon trupin ku rrezja është imazh i
dritës së re, i agimit të ri, i dëshirës, por edhe i asaj që lind për të takuar
tjetrin. Rrezja është “e posalindur”,
e pafajshme, por ka një kërkesë trupore: kërkon “shtat dhe shtrat”, çka e shfaq më hapur gjininë femërore të heroit
lirik. Metafora është plot ndjenjë,
dielli kërkon vendin ku të prehet, dhe poezia merr ngjyrim sensual, por përmes
simbolikës. Lëvizja e “vorbullës së
rrotullimit” na kujton ciklet jetësore, luhatjet e brendshme, pasionin e
pashprehur me fjalë, por i pranishëm në çdo hapësirë të vargjeve.
3.“Një bar i posadalë vërtitës,
Nuk e jep të plotë ngjarjen.
Hap krahët dhe përkundet
lulelofata,
Me mua të ndajë botën në
fshehtësi.”
Këto vargje mbyllëse e bëjnë
poezinë më intime. Një bar i njomë s’është në gjendje të shpjegojë plotësisht përvojën e trupit apo të ndjesisë.
Vetë natyra s’ka fjalë të mjaftueshme për të dëshmuar “ngjarjen”. Lulja “hap krahët
dhe përkundet lulelofata” në një veprim që është sa sensual aq dhe
shoqërues. Nuk është më trupi që përjeton botën, por bota (lulelofata) që hyn në fshehtësi me të, në një ndarje intime dhe të
papërkthyeshme me fjalë.
Përfundimisht poezia nuk emëron
dashurinë, as trupin, por i jeton ato përmes dritës, rrotullimit, gjendjes dhe
natyrës. Feminiteti i subjektit lirik nënkuptohet jo vetëm nga zëri i brendshëm
dhe përvoja sensuale, por nga mënyra si ajo hyn në marrëdhënie të heshtura me
botën, si të ndash diçka që nuk thuhet, por jetohet. Poetja nuk ekspozon, ajo
zhytet në thellësinë e përvojës. Është një kohë që nuk matet me moshë
por me ndriçimin e brendshëm që ajo mbart. Në këtë poezi, trupi nuk është vetëm materie,
por është hapesirë për dritë, ndjeshmëri dhe fshehtësi. Prandaj është koha më e
bukur.
IV- Kjo është poezi plot dritë,
por drita nuk është thjesht ndriçim fizik, ajo është dritë që nuk zbret nga
qielli, por lind brenda qenies në çastin kur trupi dhe ndjesia përputhen në një
të vetme, gjë që të kujton poezinë “Vezullomë” të kësaj poeteje, për të cilën
kemi folur. Drita është gjuha e padukshme e poezisë së Lakos, përmes së cilës
lexohet ajo që nuk thuhet.
1.“Unë ia ngul sytë një rrezeje
dielli të posalindur,
që kërkon shtat dhe shtrat”
Këtu drita është një qenie më
vete, jo thjesht dielli, por një “rreze e
posalindur”, ende e re. Ka një pafajësi të butë kjo rreze, por dhe nevojë
të brendshme për mishërim. Këtu drita nuk ndriçon trupin, por kërkon të hyjë
brenda tij, të bashkëjetojë me të, të bëhet një me atë. Pikërisht këtu ndodh
përmbysja: nuk është njeriu që kërkon dritën, por drita që kërkon njeriun. Kjo
e bën përvojën më intime dhe më të papërcaktueshme, është drita që vjen nga brenda dhe projektohet
jashtë: “E përfshirë në vorbullën e
rrotullimit”, pra rrezja, si përfaqësuese e dritës, është “e përfshirë”, jo e lirë, por e tërhequr
në një rrotullim që mund të jetë koha,
jeta, ndjesia. Ky vorbullim nuk është dhunë, por lëvizje e natyrale, një mënyrë
tjetër për të thënë që drita është jetë në përzierje të pandashme me ndjesitë e
trupit.
2.Edhe në fund, drita shfaqet në
mënyrë të tërthortë përmes një luljeje: ‘Hap
krahët dhe përkundet lulelofata’. Këtu lulja bëhet mishërim i dritës, jo më
thjesht si element i natyrës, por një shfaqje e gjallë e butësisë, e ndriçimit
të brendshëm. Drita nuk vjen më nga jashtë; ajo është lëvizje e heshtur që
përhapet nga brenda, që e bën lulëzimin të duket si frymëzim, si frymë që merr
formë në trupin e lules.
Në poezinë e saj, Lako nuk e
përdor dritën si simbol klasik të shpresës apo ditës, por si një gjuhë sekrete
për përvojën e trupit, një mënyrë për ta folur atë pa e emërtuar. Drita te kjo
poete është më shumë ndjesi sesa shfaqje, më shumë jehonë sesa pamje. Është ajo
që nuk duket, por që i jep kuptim gjithçkaje. Në këtë mënyrë, poezia vetë bëhet
një trup drite, jo për t’u parë, por për t’u ndjerë. Dhe lexuesi, pa e kuptuar,
bëhet pjesë e asaj fshehtësie që “ndahen
me mua botën” në heshtje. Po kjo është edhe forca e vërtetë e artit: të
ndriçojë pa verbuar.
V-Ndërsa lexoja vargun për “rrezen e diellit të porsalindur”, më
kaloi në mendje kujtimi i një drite tjetër, që vjen e “ngarkuar” me emra të
shenjtë te poezia “Në Tiranën e kafshuar dhe të ëmbël”, po të Lakos me vargjet:
“E ngarkuar me vandakun e diellit
Kleopatra, pastaj Maria / pastaj Maria Magdalena” dhe më lindi një mendim,
i beftë, por i ngrohtë: mos vallë kjo dritë e Lakos te poezia "Në kohën më të bukur të
trupit" është më shumë se dritë? Mos është ajo një shenjë e shenjtëruar që
shfaqet si padashur në vargje?
1.Ky mendim, megjithëse i lindur
në një çast të vetmuar leximi, më tingëllon i mundur, kur e vendos brenda
universi poetik të Natasha Lakos. Sepse në poezinë e saj, drita nuk është vetëm
ndriçim, ajo vjen si frymë që prek lëkurën e ndjesisë, si diçka që nuk flitet,
por që të përshkon, ashtu si dhe te vargu: “E
ngarkuar me vandakun e diellit …Maria / pastaj Maria Magdalena” ku kemi
shpjeguar se drita që mbartin ato ngarkuar nuk është vetëm diellore, ajo së
pari është një dritë e shenjtë. Nëna e Krishtit dhe Maria Magdalena hyjnë në
varg për të sjellë një përmasë tjetër të realitetit, një përvojë përtej reales.
Te poezia “Në kohën më të bukur të trupit”,
në vargun “Unë ia ngul sytë një
rrezeje dielli të posalindur”, rrezja nuk është një vijë drite, ajo është
një zë i heshtur që flet me shpirtin dhe zbulon më shumë se sa duket. Ajo
kërkon “shtat dhe shtrat”, si një
dritë që dëshiron të trupëzozhet, të hyjë në jetë, në frymë, një dëshirë për
bashkim mes qiellores dhe tokësores. Nuk ka imponim në këtë kërkesë, vetëm një
lutje e butë. Dhe natyra heshturazi, përgjigjet me një rit të brendshëm: “Hap krahët dhe përkundet lulelofata / me mua
të ndajë botën në fshehtësi.” Lulja këtu është një shenjtore e natyrës që
përqafon të njëjtën dritë, që ndan me heroinën të njëjtën ndjesi. Janë dy trupa
që përkohen në një heshtje të ndritshme. Nëse e kujtojmë, edhe shtatzënia e
Shën Mërisë erdhi përmes një arome
trëndafili dhe u përjetua si një dritë që hyn në trup si frymë qiellore. Poezia
e Lakos duket si përshkim i të njëjtës udhë: një zbritje e dritës në mish, një
shenjë që ndriçon përditshmërinë dhe e shenjtëron me thjeshtësi.
Sigurisht që lexuesi do shtrojë
pyetjen: A është kjo një lexueshmëri që vetë poetja e ka parashikuar? Unë ju
them se mund të mos ketë qenë e menduar fjalë për fjalë, por është e natyrshme
që poezia e saj të pranojë edhe këtë interpretim. Lako e ndërton vargun me
shtresime kuptimore, ku gjithçka; trupi, koha, drita, heshtja kanë një jetë të
shumëfishtë: konkrete, poetike, shpirtërore. Kjo na çon në një vëzhgim më të
thellë për stilin poetik të Lakos: ajo nuk qëndron vetëm në përshkrimin e botës
njerëzore, as në botën konkrete; ajo e tejkalon përmasën njerëzore për të
përfshirë diçka më të madhe, më të vështirë për t’u emërtuar: të shenjtën. Edhe
kur nuk e synon drejtpërdrejt, vargu i Lakos rrëshqet natyrshëm drejt të
shenjtës, kjo nuk ndodh pse ajo e thërret me qëllim, por sepse brenda saj, si
brenda çdo qenieje me ndjeshmëri të thellë, flasin heshtje të lashta, simbole
që kanë mbijetuar në gjuhë dhe në kujtesën kolektive, përtej kohëve. Këtu
ndoshta duhet të themi se gjuha shqipe është ndër më të lashtat në botë dhe Natasha
Lako është një njohëse e thellë e saj, e kësaj gjuhë që që mbart në vetvete
përvojën njerëzore dhe hyjnoren dhe nuk e dallon lehtazi kufirin midis dritës
tokësore dhe asaj hyjnore. Gjuha poetike që përdor Lako është urë drejt së
pakuptueshmes. Pikërisht aty ku fjala fillon të dridhet dhe ndjenja thellohet,
nis përjetimi i së shenjtës. Pikërisht këtu ngatrrohen ata që thonë se poezia e
Lakos është e vështirë.
2.Një nga figurat më tërheqëse që
Lako përfshin në poezinë e saj është lulelofata , një lule që në botën reale
përkon me pemën e njohur si “lulja e Judës”, me lule rozë-vjollcë që çelin drejt
e nga trungu. Bibla e lidh këtë pemë me Juda Iskariotin, dishepullin që
tradhtoi Krishtin dhe më pas, i penduar, u vetëvar në një degë të saj. Thuhet
se për shkak të kësaj ngjarjeje, lulet e bardha të pemës u kthyen në
rozë-vjollcë, si një shenjë turpi apo pendimi. Nqse në poezinë “Në Tiranën e
kafshuar dhe të ëmbël” vargjet e rrezeve sillnin një dimension shenjtëri, te
kjo poezi lulelofata e parë në prizmin e lules së lofatës sjell dimensionin e
turpit dhe pendimit, me skuqje në ngjyrën e lules dhe me dëshirë për të shlyer
fajin. Dhe çelja e luleve direkt në trung e degë ngjajnë si plagët e gozhdëve në duart e këmbët e Krishtit në kryq. Sigurisht
që kjo histori nuk përmendet në poezi, por përfshirja e kësaj luleje në vargun
e saj krijon rezonancë të thellë me kuptimin e dritës që përshkon poezinë. Nëse
e marrim këtë figurë në vazhdën e poezisë së Lakos, atëherë ajo bëhet më shumë
se një imazh natyror. Ajo bëhet një simbol i heshtur i një drite që prek plagën
njerëzore dhe e ndriçon atë pa zhurmë. Në këtë mënyrë, poezia e Lakos shfaqet
si një urë ku e bukura poetike kalon natyrshëm dhe ndjesia, kujtesa dhe simboli
përthithen në një përvojë që prek të shenjtën. Ajo që dua të them unë është se
në asnjë poezi imazhet nuk flasin
shpirtërisht si te poezitë e Lakos. Në aspektin e ndërthurjes së kësaj qasjeje , në përgjigje të pyetjes mbi mënyrën
e përfshirjes të saj në poezi, ne mund të
themi se: edhe nqse poetja nuk e synon, vargu i saj rrëshqet natyrshëm drejt së
shenjtës. Kjo ndodh jo nga që ajo e fton, por sepse brenda saj,( si dhe brenda
nesh) flasin heshtje të lashta, kujtime e simbole që kanë udhëtuar brez pas
brezi. Gjuha poetike është një urë drejt së pakuptueshmes, ajo kërkon të prekë
atë që nuk emërtohet lehtë dhe e shenjta është pikërisht aty, ku fjala nis të
dridhet dhe ndjenja thellohet. Dhe pastaj është lexuesi, i cili në vetminë e
leximit e gjen veten përballë një dritë tjetër, që ndonëse nuk është besim,
është prani. Në atë çast, poezia nuk është më vetëm e autores, por është një
përshpirtje e përbashkët, e njeriut me misterin. Ndoshta e vlen të kujtojmë se
shkrimet e para të shenjta kanë qenë në formë poezie.
VI-Në këtë poezi të Lako-s,
figurat artistike nuk janë mjete zbukuruese: ato ndërthuren në mënyrë të
pandashme, duke krijuar një imazh të gjallë e dritësor, ku secila figurë flet
në gjuhën e tjetrit. Metafora, simboli dhe personifikimi bashkëveprojnë si valë
dritash, që nuk shfaqin vetëm përfytyrime, por ndërtojnë përjetime, ndjenja që
nuk duhen vetëm lexuar, por duhen ndier në lëkurë, në frymë, në trup. Për ta
ndjerë këtë ndërveprim figurash në krijimin e imazhit poetik, le të lëvizim kah
imazhi te figura përbërëse, si pikënisje dhe si frymëmarrje e poezisë.
1.Kështu te imazhi i ndritshëm
dhe i butë: “Unë ia ngul sytë një rrezeje
dielli të posalindur” aty ku poetja i “ngul
sytë”, s’ka vetëm vështrim, por ka dëshirë, zgjedhje dhe përqendrim
ndjesor. Këtu, metafora: “rrezja e
posalindur” nuk është thjesht dritë natyrore, por një ndjenjë e sapolindur,
një dritë brenda shpirtit që kërkon trup, simboli: “rrezja” përfaqëson diçka të pastër, të re, ndoshta një ndjesi
dashurie ose ndërgjegjësi-min e bukurisë, ndërkohë që personifikimi: rrezja
është qenie që “kërkon”, është
aktive, e gjallë, e pranishme si një tjetër qenie që merr pjesë në skenën
shpirtërore të subjektit lirik.Pikërisht ky ndërveprim I metaforës, simbolit
dhe personifikimit, duke mbartur efektet e tyre dritësore, krijojnë imazhin e mësipërm.
2. Te imazhi i përbashkët i
trupit dhe shpirtit,: “Që kërkon shtat
dhe shtrat” ku drita nuk është më e huaj, por kërkon të hyjë, të rrijë, të
bëhet një me heroine, metafora: “shtati
dhe shtrati” nuk janë vetëm trup dhe krevat, por hapësirat e ndjeshmërisë,
e dashurisë, e prirjes për t’u bërë një me diçka të padukshme. Simboli: shtrati është vendi i lindjes, i
intimitetit, por edhe i bashkimit shpirtëror dhe personifikimi: i dritës që
është kthyer në një qenie që ka nevojë, që “kërkon”.
Pra, ndërveprimi i tre figurave, duke mbartur me vete “botën” e tyre krijojnë
imazhin ëndërrsjellës të mësipërm.
3. Imazhi tepër delikat lëvizës që duket se shfaq
trupin tjetër të ndjeshsmërisëë, një alter ego që reagon ndaj të njejtës dritë:
“Hap krahët dhe përkundet lulelofata”
është i përbërë nga: Metafora: “lulelofata”,
një bimë jo-rastësore, e cila në thelb është
një shëmbëlltyrë e subjektit lirik femëror, e natyrës së saj që hapet,
përkundet, përjeton. Personifikimi: lulja “hap
krahët dhe përkundet”, pra bëhet si njeri, si grua që përjeton të njëjtën
gjëndje emocionale. Dhe simboli: “lulelofata”
e cila mund të përfaqësojë natyrën femërore, ndjeshmërinë, bukurinë që nuk flet
por përgjigjet ndaj dritës. Një ndërthurje e tre elementeve artistikë që
krijojnë imazhin që të ngelet në kujtesë për finesën dhe bukurinë e tij.
4. Po kështu dhe imazhi i
brendshëm, i heshtur, ku gjithçka është në përputhje me atë që nuk thuhet, por
që jetohet thellë “Të ndajë botën në
fshehtësi”e krijuar nga ndërveprimi i simbolit: “bota”, e cila nuk është
“bota” e jashtme, por universi i brendshëm i subjektit lirik e bashkuar me personifikimin: “lulja”, që si shoqe, ndan botën me subjektin, pse është
bashkëjetuese në fshehtësi. Pra ky ndërveprim figurash krijon këtë imazh poetik
i cili mbart bukurinë dhe dritësinë e tyre.
Mbartja e dritës nga figurat ndërvepruese
është arsyeja që të gjitha këto imazhe shndërrohen në dritë ndjesie, në valë të
buta që përplasen në shpirtin e lexuesit, sepse metafora, simboli dhe
personifikimi nuk qëndrojnë të ndarë, por ndërthuren në një ritëm të brendshëm
që krijon një botë të ndritshme dhe intime. Ndaj themi se poezia e Lakos është
poezi që nuk flet me fjalë, por me dridhje, me rreze të padukshme, me një gjuhë
që i ngjan më shumë ndjenjës sesa logjikës. Dhe kështu, poezia nuk lexohet me
fjalë, por ndjehet me dritën e brendshme që ajo ngjall. Ky është ligjërimi
poetik i Lakos: i heshtur dhe ndriçues, si rreze që kërkon vend në një trup. Përmes
ndërthurjes së figurave, poezia nuk tregon ngjarje, por krijon një gjendje, një
përqafim të brendshëm mes trupit, natyrës dhe dritës, që lexohet jo me mendje,
por me ndjeshmëri. Dhe kjo është, në thelb, vetë poezia.
VII- Interesante është se poezia
e Lakos, “Në kohën më të bukur të trupit”, përjetohet si një fërgëllimë gjatë
leximit, si një dridhje që nuk kërkon fjalë, sepse lind para fjalës. Ajo nuk ka
nevojë të shpjegojë veten; mjafton të jetohet. Fërgëllima e trupit në këtë
poezi është një përjetim që nuk e gjen shpjegimin në logjikë. Ajo ndodh, si një
reaksion i trupit ndaj një përjetimi të pastër, të heshtur, që nuk
përkufizohet, por ndjehet në drithmën e gjakut, në ritmin e fshehtë të lëvizjes
që poezia shkakton.
Vargu “Hap krahët dhe përkundet lulelofatë” nuk është thjesht një pamje
natyrore, por një trup i butë që përthyhet në frymën e jetës. Lulja nuk është
vetëm lule, por diçka që merr frymë bashkë me njeriun. Në këtë akt poetik,
natyra nuk përshkruhet, por bashkëjetohet dhe poezia nuk është për të parë
botën, por për t’u bërë një me të. Kështu, poezia e Lakos nuk kërkon të
kuptohet, por të jetohet, ajo nuk vjen për të shpjeguar, por për të ngjallur
ndjesi, për të trazuar trupin me një ndriçim që nuk kërkon sy, por prani. Dhe
në këtë përjetim, ku fjala nuk është e domosdoshme, poezia bëhet trup, një trup
që fërgëllon në heshtje dhe i përgjigjet dritës pa zë.
VIII-Pavarësisht se në pamje të
parë duket se në poezinë e Lakos mbizotëron mendimi, ne kemi provuar se ato së
brendëshmi janë plot melodicitet. Edhe kjo poezi tingëllon si një melodi e
ëmbël e brendshme, jo e kënduar me zë, por e dëgjuar me shpirt. Është një
muzikë që nuk i bindet ritmeve të matshme, por rrjedh ngadalë, si një ndjesi e
brishtë që ndjek pulsimin e trupit dhe dritën e mëngjesit. Melodiciteti i saj
buron jo vetëm nga ritmi i vargjeve, por nga mënyra si fjalët prekin
njëra-tjetrën, si zërat e butë të tingujve shndërrohen në një ndjesi heshtjeje
të pasur.
Qysh në vargun e parë, kemi një
ndërtim të qetë:“Në kohën më të bukur të
trupit” ku ka një harmoni zanore në bashkëjetesën e fjalëve “kohë”,
“bukuri”, “trup”. Tingujt e hapur “o”, “u”
krijojnë një rezonancë të qetë, një përhumbje që të fut si në një ethe të
ëmbël. Në vargun: “Une ia ngul sytë një rrezeje dielli të
posalindur,” fjalët rrëshqasin butësisht mbi njëra-tjetrën, me një ritëm që
ngjan me rrezatimin e vetë dritës. Fjala “rrezeje”
me tingullin e dyfishtë “r” dhe zgjatjen e “e”-së, krijon një valë melodike të brendshme që zgjat. Fërgëllimi melodik shtohet edhe nga
përsëritja e tingujve të njëjtë, si në: “Hap
krahët dhe përkundet lulelofatë” ku “a”,
“u”, “e” përzihen në një përqafim të qetë. Fjala “lulelofatë”, e rrallë dhe e butë, është vetë një melodi që hapet e
mbyllet në gojë me një valëzimi natyror.
Edhe ritmi i vargjeve ndihmon
melodicitetin: ata nuk janë as të prerë, as të ashpër, por ndjekin frymëmarrjen
e një shpirti të qetë që po përjeton. Natyra në poezi nuk është jashtë nesh,
ajo është bërë melodia e vetë trupit. Simbolet, si rrezja, lulelofatja, bari i ri, janë të butë, të ndjeshëm, si nota
në një violinë shpirtërore. Nuk ka asnjë fjalë të rreptë , asnjë tingull të
forte, të gjitha përhapen në një muzikë të heshtur që nuk dëgjohet, por
ndjehet.
Kjo është arsyeja pse poezia gjatë
leximit të përshkon si një melodi e ëmbël: ajo nuk flet me fjalë, por me
frymëmarrjen e natyrës, me ndriçimin e dritës, dhe me lëvizjen e heshtur të një
shpirti. Melodiciteti i brendshëm i kësaj poezie është aq i natyrshëm dhe i
përthithur në strukturën e saj, saqë ajo qysh në leximin e parë tingëllon si
një këngë e butë, e flladitur nga era dhe drita. Vargjet kanë një valëzim të
qetë, që nuk imponohet nga ndonjë skemë metrike e rreptë, por buron nga vetë
frymëmarrja emocionale e poetes. Është kjo frymëmarrje që e kthen poezinë në
një tekst kënge, të gatshëm për t’u kënduar, jo si një produkt, por si një shpërthim
i ndjenjës së jetuar.
Vargu “Hap krahët dhe përkundet lulelofata,” është një refren i heshtur,
që mund të zërë vend natyrshëm në një këngë të ngadaltë, të lirshme, si këngët
e Anita Takes. Ai ka lëvizjen, imazhin dhe ritmin; tri shtylla të një melodie
të ndjeshme. Ndërkohë, vargjet si:“Një
bar i posadalë vërtitës,/Nuk e jep të plotë ngjarjen” bartin një mister
poetik që do ta pasuronte çdo kompozim të brishtë, intim, ku fjala s’ka nevojë
të shpjegojë, por vetëm të rrjedhë. Madje
edhe vetë ideja e rrezes që kërkon “shtat
dhe shtrat” është një figurë kaq e gjallë, sensuale dhe muzikore, sa
përfton menjëherë një ritëm të brendshëm, një këngë që fillon në shpirt dhe
mund të përkthehet në zë.
Poezia është në vetvete një këngë
pa muzikë, ku çdo fjalë është një notë, çdo ndjesi një harmoni, dhe çdo figurë
një dritare që hapet mbi pentagramin e jetës së ndjerë. Dhe kjo është fuqia e
saj e fshehtë: ajo nuk kërkon të bëhet këngë; ajo tashmë është.
Sarandë, më Maj 2025
Në kohën më të bukur të trupit
Në kohën më
të bukur të trupit,
Harlisen
rreth e rrotull ca ndodhi,
Të njohura
dhe të lira.
Une ia ngul
sytë një rrezeje dielli të posalindur,
që kerkon
shtat dhe shtrat,
E përfshirë
në vorbullën e rrotullimit.
Një bar i
posadalë vërtitës,
Nuk e jep të
plotë ngjarjen.
Hap krahët
dhe përkundet lulelofata,
Me mua të
ndajë botën në fshehtësi.
No comments:
Post a Comment