RISITË POETIKE
TË PUTHJES QË DIGJET NË VARGJE
Nga Timo
Mërkuri
Hyrje
Janë të shumtë poetët që kanë
shkruar për puthjen. Puthja, falë kësaj që është shkruar, është bërë emblemë e
ndjesisë. Kësisoj, është dhe ndjehet si varg i përhershëm i dashurisë. Perceptohet
si një shenjë që lë gjurmë në kujtesën e zemrës. Por, jo të gjithë, ata që kanë
shkruar për puthjen kanë sjellë risi poetike në vargjet e tyre.
Puthja,
shpesh, është rrethuar nga një mjegull klisheje. Psi e tillë, puthja është zvetënuar
nga zbukurime të zakonshme. Është bërë e mërzitshme nga një përsëritje që e
zbraz kuptimin e saj të thellë. Por, kur shkruajnë të talentuarit, në leximin e
vargjeve të tyre, puthja, fiton ndjesinë sikur e përjeton realisht atë. E
famshme është poezia e Eseninit që shkruan:
“Puthjes emër djemtë s’i kanë gjetur,
Puthja s’është mbishkrim qivuri i ngrirë,
Por një lule e porsaçelur
Që mbi buzë lehtë-lehtë i ka shtrirë.”
Janë këto
vargje që e bëjnë puthjen jo statujë, por lule që pulson mbi buzë. E bëjnë të
gjallë, të ndjeshme, të re.
Në këtë vazhdë, por me një frymë
dhe stil krejtësisht personal, vjen edhe Fatmir Terziu me poemën e tij “Poemë
për puthjen”. Ai nuk e merr puthjen si metaforë të lodhur, as si shenjë
të epërme të ndjenjës, që i këndohet nga larg. Jo! Ai e bën puthjen një akt të
përditshëm dashurie, një fillim të butë të ditës, një urë mes trupit dhe
shpirtit, një tekst që shkruhet me lëkurën e përbashkët.
Ndalesa tek “Poemë për
puthjen”
Në këtë
analizë do të ndalemi vetëm te risitë që Fatmir Terziu sjell. Pikërisht, tek
risitë artistike, tematike dhe formale përmes kësaj poezie, që nuk flet për
puthjen, por është vetë një puthje: e dhënë ngadalë, me ngrohtësi, me dëshirë
për të lënë gjurmë. Po ndalem në disa pika për ta ndihmuar ndalesën time tek kjo
poezi me këtë rast.
1. Në një kohë
kur poezia shpesh struket pas hermetizmit dhe mesazhit të fshehur, Fatmir
Terziu vjen me një poezi të çiltër, ku gjuha është aq e drejtpërdrejtë, pra me
gjuhë shumë të ndjerë, dhe ku ndjenja mbetet, aq metafizike, sa dhe e thellë. Risia
e parë, që bie në sy është trupëzimi i dashurisë, ajo që letërsia
bashkëkohore e quan 'embodiment[1]'
(mishërim). Në këtë poezi, puthja nuk është simbol i largët, apo metaforë e
stilizuar, por një përvojë konkrete, e përditshme, që mishëron vetë dashurinë:
“Ti fle.
Dora ime lehtazi trazon trupin tënd të butë
bëhet varg i pashkruar në poezi dhe mbush
natën...”
Kjo është një
dashuri që ndodh në gjumë, në zgjim, në prekje. Është një dashuri e ngulitur, jo vetëm në ndjenjë, por në
lëvizje, në trup, në frymë. Ajo bëhet gjuha e jetës së përbashkët, jo vetëm ushqim
për gjuhën e poezisë.
2. Risia e
dytë është momenti, çasti, aspektualiteti, ose më saktë hyjnia e rastësisë
si burim frymëzimi, një kthesë poetike, që e çliron aktin e krijimit nga solemniteti
klasik[2].
Puthja e rastësishme, ajo e mëngjesit, bëhet shkëndijë e një bote të tërë
poetike, sepse vetë rasti është mit:
“Nuk është trill!
Rastësitë e tilla shkruajnë librat e mia,
Eh, rastësitë...”
Poeti i jep
rastësisë një fuqi krijuese, e bën burim zjarri, zanafillë historie. Kjo është
një mënyrë moderne për t’i thënë lexuesit, se poezia lind jo nga ngjarjet e
mëdha, por nga çastet e vogla dhe të sinqerta.
3. Risia më
vete është rivendosja e mitit[3] dhe historisë
në shtratin e përditshmërisë intime. Terziu nuk përdor referencat mitike për të
ngritur veten, apo për të lënë përshtypje, por për t’i shkrirë ato në dashurinë
e zakonshme, duke e ngjitur kështu ndjenjën personale në një univers më të
gjerë:
“Nuk ishte Jasoni që ndau detrat për të gjetur bashkën e artë?
E që e gjeti pastaj.”
Dashuria, në
këtë poezi, është bashka e artë e jetës. Ajo gjendet, preket, jetohet. Këtu
është risi: miti nuk është në librat e vjetër, por në ledhatimin e trupit të
dashur.
5. Një risi tjetër është poetika
e përbashkësisë[4],
ku dashuria nuk mbyllet në dy vetë, por hapet në kohë, në jetë, në fëmijë:
“vetë vitet që ecin mes nesh bashkë me fëmijët,
ku ngritëm strehën më të bukur të jetës dashurinë.”
Dashuria është bërë strehë,
stinë, jetë. Dhe poezia është gjuha që e ruan këtë strehë – pa frikë nga
ndjeshmëria, pa distancë ironike, pa maska.
6. Një risi që
meriton vëmendje është zhvendosja e vendit të shenjtë nga hapësirat
tradicionale te intimiteti i përditshëm, sidomos në krevatin bashkëshortor, në
mëngjesin e zgjimit, në heshtjen e trupit të dashur. Në vend të tempujve dhe
altareve, poeti vendos puthjen dhe trupin e dashurës si hapësirë e shenjtë e
dashurisë dhe frymëzimit:
“Unë frymëzohem dhe shënoj me ngut.
Ti fle.
Dora ime lehtazi trazon trupin tënd të butë…”
Ky është një tempull i dashurisë
së jetuar, jo ai i dashurisë së idealizuar. Poeti nuk i druhet eksplicititetit,
por e përdor atë për të afirmuar shenjtërinë e ndjeshmërisë, sensualitetit,
bashkëjetesës. Në këtë mënyrë, poezia fiton një ton konfesiv, të çliruar nga
censura emocionale.
7. Risi më vete
është poetizimi i zakonshmërisë, pa e shndërruar atë në banale. Çdo ditë
kërkon puthjen, çdo mëngjes ka nevojë për ngrohtësinë, dhe këto nuk janë
kërkesa fizike, por ritualë shpirtërorë të dashurisë që mbijetojnë ndaj kohës:
“Mos ma harro puthjen. Përditë e dua një të tillë.
Mos u skuq në faqe. Jeta ka një normë.”
Poeti flet për normën e jetës,
por e normon me dashuri. Ai nuk krijon patetikë, por një etikë të dashurisë së
qëndrueshme, që jeton përmes përsëritjes së ndjenjës, përmes një puthjeje që
është një akt i përditshëm ringjalljeje. Kjo është një mënyrë moderne për të
thënë se dashuria nuk është kulm, por vazhdimësi.
8. Risi është
edhe zhvendosja e poetit nga roli i poetit që shkruan për dashurinë, në rolin e
burrit që jeton dashurinë dhe e dokumenton. Ai nuk vështron nga larg, por është
brenda aktit të dashurisë, brenda çastit që e frymëzon. Ai nuk po shpik një
dashuri ideale, por po mbush me poezi një dashuri reale:
“Me dashurinë që na dhuroi jeta shkruajmë një libër,
jo thjesht për kohën e largët,
por për puthjet që çelin lule dhe në dimër.”
Kjo është poezi që lind nga
përvoja, jo nga ëndrra, dhe që e bën edhe dimrin të lulëzojë – një metaforë e
mrekullueshme për fuqinë e ndjenjës kur ajo është e vërtetë.
9. Së fundi,
mund të përmendim edhe një risi formale: uniteti poetik mes vargut dhe prozës, ku
ritmi është i brendshëm, dhe nuk qëndron mbi rimën apo strukturën klasike.
Poema rrjedh si një rrëfim poetik, me një ton që herë përshpërit dhe herë
rrëfen, herë lutet dhe herë kujton – një mozaik emocional që ka një frymë të
vetme: dashurinë si akt, kujtim, thirrje, besim.
“Dhe vitet rrjedhin kristal sikurse lutjet
të lutem mos m’i kurse puthjet!”
Në këtë varg final, lutja dhe
dashuria bëhen një. Poeti nuk ka nevojë për figura të mëdha, mjafton një puthje që mos mungojë. Dhe
pikërisht këtu qëndron risia më e heshtur: poezia nuk ngre zërin, por prek.
Prek me buzë, me duar, me fjalë. Dhe kjo është një poezi që nuk kalon, por
mbetet; si puthjet që s’duhet të kursehen dhe që nuk harrohen.
Konkluzion
Siç pamë më sipër, risitë e
kësaj poezie janë të heshtura por të fuqishme: ndjeshmëria e trupëzuar,
hyjnizimi i rastësisë, përthithja e mitit në përditshmëri, dhe shndërrimi i
dashurisë në gjuhë të jetës. Në një kohë që kërkon forma të reja për të thënë
të njëjtën ndjenjë, Terziu nuk fsheh, por zbulon. Ai e shkruan dashurinë
jo si ide, por si përvojë të jetuar , prandaj ajo digjet në çdo stinë: “Dashuria mbetet zjarr në të gjitha stinët.”
Kjo është risia më e vërtetë: dashuria që nuk dimërohet në varg.
Sarandë, më maj 2025
POEMË PËR PUTHJEN
Nga Fatmir Terziu
U ngrite në mëngjes e dremitur
në dhomën e gjumit,
e trendur,
e çlirët më puthe sikur s'kishe
puthur ndonjëherë buzët e mia,
kaq mirë,
një butësi e çbendur,
për ditën e re e ke, më the, e kam
për detyrë!
Dëshira jote qe shkruar në sy
dhe në vetull.
Do doja, më the, puthjet ti
mblidhte zemra ime
dhe dashurinë, dhe dritën e
tretur,
e të m'i bënte lule e unë të ti
ktheja kundërmime
ta ktheja veç në jetë puthjen
për vitet e mbetur.
Kam në gjoks një zemër që digjet
dashurie
harroj e mërzitur edhe ditët,
se kur puthja të sjell në çdo
moshë ditë lumturie,
dashuria mbetet zjarr në të
gjitha stinët.
Mos ma harro puthjen. Përditë e
dua një të tillë.
Mos u skuq në faqe. Jeta ka një
normë.
Kaq kisha, për Ty e dashur,
tashmë fill,
kjo është puthja e rastit që të
sjell në formë.
Nuk është trill!
Rastësitë e tilla shkruajnë
librat e mia,
Eh, rastësitë…
shporta e fjalëve
nuk ishin lulebajamet e
trëndafilta që mbolli Julia?
Shën Valentini
i dedikuar nuk ishte mes
petaleve?
Nuk ishin gonxhe të shkulura ku
rojtarët shihnin shtrembër pa skaj,
nuk ishte Jasoni që ndau detrat
për të gjetur bashkën e artë?
E që e gjeti pastaj.
Nuk ishte asgjë nga
tej-thellësia
ishte një zjarr
e zjarri ishte Dashuria!
Nuk ishin feakasit që u grindën
me Poseidonin në vetmi
sepse kthyen Uliksin në Atdhe,
ishin mbi trupin tënd gishtat e
mi,
ledhatimi i ngjyrimeve në
kanavacin intim,
vetë vitet që ecin mes nesh
bashkë me fëmijët,
ku ngritëm strehën më të bukur
të jetës dashurinë.
Unë frymëzohem dhe shënoj me
ngut.
Ti fle.
Dora ime lehtazi trazon trupin
tënd të butë
bëhet varg i pashkruar në poezi
dhe mbush natën,
bëhet këngë në korrin e
brendshëm, ku struket,
trëndafili në harkun e buzëve ku
flenë puthjet.
Flenë nëpër natë me qilima të
zbukuruar mbi shpinë,
yjet që përplasen mbi xhamin e
dritares,
puthjet u bëhen mantel i lehtë
e Ti?!
Ti zgjohesh, më thua ke fjetur e
qetë
nga buzët trëndafil e kuptoj
fare lehtë.
Bashkë me natën e gjatë, me
shiun londinez, me ymër,
pena e qetë rendit vargjet,
me dashurinë që na dhuroi jeta
shkruajmë një libër,
jo thjesht për kohën e largët,
por për puthjet që çelin lule
dhe në dimër.
Nuk janë lulebajamet e
trëndafilta që mbolli Julia.
Shën Valentini i dedikuar nuk
është për hir të ikjes,
nuk janë gonxhe të shkulura ku
rojtarët të shohin shtrembër
nuk është ballkoni ku shkundnim
petalet,
as rruga e blirave atë kohë të
largët,
janë duart e mia, të tuat,
dashuria e mjaltët,
ledhatojnë mes nesh
kohëdashurinë, fëmijët,
rrugën ku bashkë projektojmë të
ardhmen.
Se Ty të kam gjithnjë zemër që
digjet dashurie
harroj çdo gjë edhe ditët,
se kur puthja të sjell në çdo
moshë ditë lumturie,
dashuria mbetet zjarr në të
gjitha stinët.
Dhe vitet rrjedhin kristal
sikurse lutjet
të lutem mos m’i kurse puthjet!
[1] "Mishërim" është termi
më i mirë "për të përshkruar se si një bashkim i të menduarit dhe
ëndërrimit fiton një formë të jashtme".
[2] Në poezi, solemniteti klasik i referohet një toni dhe stili serioz,
dinjitoz dhe shpesh nderues, që zakonisht shoqërohet me letërsinë
klasike dhe veprat e Greqisë dhe Romës së lashtë.
[3] Miti përdoret në poezi për të eksploruar përvojat universale njerëzore,
për të ofruar një shkurtim për ide komplekse dhe për të shtuar shtresa kuptimi
dhe simbolizmi. Mitet ofrojnë një tapet të pasur personazhesh, ngjarjesh dhe
temash mbi të cilat poetët mund të mbështeten për të shqyrtuar çështje si
dashuria, humbja, identiteti dhe natyra e njerëzimit.
[4]
"Poetika e përbashkësisë" në poezi i referohet mënyrës se si
poezitë mund të eksplorojnë dhe të evokojnë një ndjenjë përvoje të përbashkët,
komuniteti dhe lidhjeje, si midis poetit dhe audiencës së tij, ashtu edhe midis
personazheve ose zërave brenda vetë poezisë. Bëhet fjalë për përdorimin e
gjuhës dhe strukturave poetike për të krijuar një ndjenjë të të qenit
"me" të tjerët, qoftë përmes emocioneve të përbashkëta, përvojave të
ngjashme, apo aktit të leximit dhe interpretimit të poezisë së bashku.
No comments:
Post a Comment