STOLI KU ULET DASHURIA DHE NGJITET VDEKJA
Nga Timo Mërkuri
Poezia “Stolat” e Ilirian Zhupës
është një miniaturë poetike e fuqishme dhe tronditëse, pse në vetëm katër
vargje ajo përmbledh një gamë të gjerë emocionesh, kontrastesh dhe simbolikash
që e bëjnë poezinë të bukur, të thellë dhe të fortë. Ajo është një poezi që
zbulon se bukuria e vërtetë poetike nuk vjen nga shumësia e fjalëve, por nga
intensiteti i përjetimit dhe forca e figurës. Kjo poezi është një lloj haiku
modern shqiptar, ku thellësia fshihet në heshtjet mes vargjeve dhe çelësi i
bukurisë së saj është kontrasti i ngjeshur, simboli i shumëkuptimtë dhe emocioni
që shpërthen në fund, aty ku dashuria nuk është as vetëm ndjenjë, as vetëm
dramë, por një lëkundje mes jetës dhe vdekjes.
I.Poezia “Stolat” e Ilirian Zhupës është një poezi që peshon më shumë
se katër vargje Ajo është një prej atyre poezive të rralla që, megjithëse e
shkruar me pak fjalë, hap dyert e një ndjeshmërie të gjerë, është një miniaturë
poetike që nuk kërkon zhurmë për të bërë jehonë. Në katër vargjet e saj: Në stola ulen ata që dashurohen,
Mbi stola
hipin ata që varen.
Një jetë të
tërë, dashuria ime,
Ulet dhe
hipën mbi stola.
f.33
ajo mbart një univers të tërë përjetimesh:
dashurinë dhe fundin e saj, dritën dhe hijen, uljen dhe ngritjen e shpirtit.
Kjo poezi është një copëz e
ngjeshur jete, e thënë në gjysmë zëri, por që bie si krismë në shpirtin e
lexuesit. Vetëm katër vargje; dhe në to vendosen dy pole të mëdha të qenies
njerëzore: dashuria dhe vdekja:”Në stola
ulen ata që dashurohen,/Mbi stola
hipin ata që varen”. Kaq pak fjalë, dhe megjithatë, një botë e tërë
ndjenjash që hapet para nesh. Stoli, ky objekt i zakonshëm i parkut, kthehet në
vendtakim të ekstremeve: Ai bëhet dëshmitar i puthjeve dhe i litarëve, i
pëshpërimave të dashurisë dhe i heshtjes së fundit.
Dhe në kulmin e kësaj antiteze,
vjen vargu i tretë, i butë dhe i dhimbshëm si një melodi e lodhur: “Një jetë të tërë, dashuria ime” ku poeti
i flet dashurisë si një qenie të gjallë, si një mike e përhershme që e ka
ndjekur gjithë jetën, e cila, ndonëse e bukur, nuk ka qenë asnjëherë e qetë.
Prandaj dhe vargu i fundit vjen si një përfundim poetik, por edhe filozofik: “Ulet dhe hipën mbi stola”. Shih pak këtu,
dashuria shndrohet në një lëkundje, ulje e ngjitje, frymë që nuk gjen prehje,
pra ajo nuk është vetëm ndjenjë, ajo është dridhje ekzistence, që të zbret në
tokë dhe të ngre në qiell, ose të hedh në humnerë. Ndaj themi se “Stolat” nuk
është vetëm një poezi për dashurinë apo vetëvrasjen. Ajo është poezi për
lëkundjen e shpirtit në këtë botë, për vendin ku ndjenjat tona ulen pak për të
marrë frymë, dhe pastaj ngjiten, ndonjëherë për të fluturuar, ndonjëherë për të
humbur.
Pikërisht ky është çelësi i
bukurisë së kësaj poezie: një gjuhë e përmbajtur, por e ngarkuar me domethënie.
Një imazh i vetëm, por që hap një hapësirë të madhe për të menduar. Poezia flet
pak, por lë shumë për të ndier. E bukura e saj qëndron në heshtjet mes
vargjeve, në ato që nuk thuhen, por ndjehen thellë, si të ishin përvojat tona.
II-Sigurisht që stoli në poezinë
e Zhupës mund të lexohet jo vetëm si objekt fizik, por edhe si metaforë, madje
këtu qëndron thellësia dhe bukuria e kësaj poezie.
Stoli është vendi ku bota nuk ka
nevojë të flasë me zë të lartë, pse që në pamje të parë është një element i
zakonshëm urban,por që në poezi kthehet në një pikë ndalese për emocione të
jashtëzakonshme. I heshtur dhe i patundur, ai bëhet dëshmitar i skajeve të
jetës: dashurisë që lulëzon e vdekjes që pret në hije. Vetëm në një poezi të
përmbajtur, një send kaq i thjeshtë mund të marrë peshën e një bote të tërë.
Në një lexim të parë, stoli duket
si një vend i përbashkët; një skenë e hapur ku njerëzit vijnë dhe ikin, si
aktorë në një dramë që nuk ka mbarim. Të rinjtë dashurohen mbi të, ndërsa ata
që dorëzohen përballë jetës hipin mbi të për t’u larguar përgjithmonë. Në këtë
mënyrë ai bëhet vendkalimi mes ndjenjës së dashurisë dhe shuarjes, vdekjes. Në
këtë kuptim, stoli është gjithçka që bashkon e ndan njëkohësisht: një fragment
kohe ku çasti i gjallë dhe çasti i fundit takohen, pa qenë në konflikt me
njëri-tjetrin.
Por stoli mund të shihet dhe si
simbol i pritjes i asaj që zgjat, asaj që nuk merr gjithmonë përgjigje. Njeriu
pret mbi stola (në park): një shikim, një zë, një kthim. Dashuria ndalet atje,
shpresa merr frymë, e trishtimi shpeshherë e ul kokën. Në këtë dritë, poezia e
Zhupës merr nuanca të një përjetimi të heshtur; ajo bëhet këngë e atyre që
qëndrojnë pa lëvizur, duke e ndjerë lëvizjen vetëm brenda vetes.
Nuk përjashtohet as leximi
filozofik: stoli si shenjë e përkohshmërisë së jetës, si një vend ku gjithçka
ndalon vetëm për pak. Një frymë, një çast, një ulje. Dhe më pas; largimi mga
kjo botë. Në këtë lexim, stoli bëhet metaforë e ekzistencës sonë të përkohshme.
Ai është një copëz kohe, një ndërprerje në ecurinë e pafund të jetës. Dashuria kalon aty, vdekja
gjithashtu, por asnjëra nuk qëndron gjatë. E megjithatë, çdo qëndrim mbi të lë
një gjurmë.
Kjo poezi, me pak fjalë dhe me
një thjeshtësi të heshtur, arrin të ngrejë stolin në nivelin e simboleve që
tejkalojnë kohën dhe vendin. Ai është san ë një vend publik aq dhe në një
hapësirë intime njëherësh. Poezia e Zhupës , ndonëse shprehet në n jëjës, nuk
flet për një stol të vetëm, por për të gjithë stolat mbi të cilët jeta ulet për
një çast dhe më pas lëviz. Në këtë mënyrë, ajo bëhet universal, sepse secili
prej nesh, në një moment të jetës, e ka njohur atë stol: si vend takimi, si
vend ndarjeje, si vend heshtjeje.
Kështu pra, një poezi e vogël, me
fjalë të kursyera, arrin të përmbajë brenda saj gjithë peshën e jetës
njerëzore. Dhe stoli, në këtë poezi, nuk është vetëm dru apo hekur, por është më
së pari një pikë drite ku përkulem kujtimet, dhimbja dhe dashuria.
III-Ka poezi që nuk i thonë çdp
gjë me fjalë, dhe s’kanë pse, sepse ato flasin dhe nëpërmjet heshtjes dhe ato që thuhen me heshtje mbeten më gjatë se
fjala, mbeten në kujtesë. Zhupa në këtë poezi nuk shkroi vetëm katër vargje, ai
ndërtoi një hapësirë ku fjala dhe heshtja bëhen bashkohen në një dhe unë ju
them se të flasësh me heshtje mes fjalëve, është shumë herë më e vështirë se të
mbash referate shkencore. Unë ju them se heshtja mes vargjeve të Zhupës nuk është
boshllëk, është drithërimë, është fryma që ndal për një cast, aty ku mendimi
ndalon dhe ndjenja merr fjalën. Është pikërisht aty ku poezia shpërthen pa zë.
1.Në poezinë “Stolat”, nuk janë
vetëm fjalët që mbajnë peshë, është ajo që qëndron midis tyre; Heshtja që flet,
një heshtje e tejdukshme, që nuk shihet, por ndjehet. Një ndalesë e vogël që
mbart një jehonë të madhe. Kjo heshtje nuk është bosh, nuk është mungesë, ajo është
një hapësirë për frymëmarrje, ku vargu i mëparshëm zgjatet në ndërgjegjen e
lexuesit dhe ai pasues ngjitet nga thellësia e mendimit.
2. Vargjet:“Në stola ulen ata që dashurohen,”
(Heshtje)
“Mbi stola hipin ata që varen.”
Janë dy vargje ku shfaqet një
ndryshim i papritur, thua se egziston një
lumë mes tyre.. Ajo që i ndan nuk është vetëm hapësira e terenit, por është rrëshqitja
emocionale.
Në çastin e parë, poezia hapet me
një imazh të qetë: dashuria, qetësia, ulja, afërsia. Por befas, pa paralajmërim,
peizazhi ndryshon, vjen vargu i dytë si një rënie në zbrazëti dhe heshtja që i
ndan është si qetësia para stuhisë, kur ajri mbushet me elektricitet. Është aty
ku lexuesi e ndjen dridhjen përpara goditjes.
3. Dashuria nuk është një ndjenjë
e qëndrueshme, por një figurë “ulet”
dhe “hipën” në kufijtë e egzistencës
dhe në mes, poetit i duhet të heshtë , jo për të fshehur, por për të lejuar të
“flaës”atë që nuk artikulohet dot, heshtjen. A nuk e kini vënë re, në prani të
dashurisë flet më shumë heshtja, si dhe në momentin e ekzekutimit të dënimit
kapital, të pranishmit heshtin. Janë sublime të dy këto çaste, të papërsëritëshme
në jetë.
“Një jetë të tërë, dashuria
ime,”
(Heshtje)
“Ulet dhe hipën mbi stola.”
Në çastin e pushimit midis vargjeve,
poeti nuk thotë asgjë, por lexuesi ndjen gjithçka: dridhjen, pasigurinë, valët
e një dashurie që nuk është e pastër si në fillim, por e trazuar nga lodhja dhe
nga përvoja.
4. Kjo heshtje në poezi nuk është
rastësore, ajo në fakt është një taktikë poetike, një mënyrë moderne e të
thënit gjithçka pa folur asnjë fjalë nga Zhupa. Poezia nuk i jep përgjigje
lexuesit, përkundrazi, ajo e fton atë që të hyjë në zbrazëtirën poetike dhe ta
mbushë me ndjesitë e veta. E parë në këtë aspekt themi se kjo poezi nuk kërkon
të dominojë, por të ndikohet dhe heshtja është dritarja që i jep lexuesit të
drejtën të shtojë veten në tekst.
Ilirian Zhupa si askush tjetër është poeti i heshtjes së bukur.
5. Dhe në fund themi se ajo që
mbetet nga poezia “Stolat” nuk është një histori mes dashurisë e vdekjes. Përkundrazi
është mënyra se si poezia flet me zë të ulët, me tone jo retorike, por në
tensionin mes vargjeve. Kjo poezi, si një haiku i hidhur shqiptar, thotë shumë
me pak fjalë dhe gjithçka tjetër e thotë heshtja. Aty ku nuk arrin fjala,
mbërrin përjetimi, sepse heshtja në
poezi është zemra që rreh mes vargjeve. Dhe unë ju them se s’ka tingull më
njerëzor se ai që nuk dëgjohet, por ndjehet.
IV-Stoli (në park) së pari u
krijua për t’u ulur; për pushim, për bisedë, për biseda intime, për të soditur
jetën etj.. Por në poezinë e Zhupës, ai shndrohet në një mjet për vetvarje dhe
varje, ska rëndësi vendi ku kryhet ky akt. Kjo rrugë e tij, nga funksioni i
natyrshëm në një përdorim tragjik, ngre një shqetësim të thellë filozofik dhe
ekzistencial.
Së pari, ky devijim tregon
transformimin e sendeve neutral (stolit) në dëshmi të fateve njerëzore. Një
objekt që është menduar për jetë, bëhet mjet për vdekje. Ky shndrim i papritur
shfaq se jeta dhe vdekja nuk janë të ndara nëpër rrugë të ndryshme, shpesh ato ecin mbi të njëjtin send, në të
njëjtin vend, vetëm në kohë të ndryshme.
Së dyti, në një lexim filozofik,
kjo rrugë e stolit shpreh thyerjen e kuptimit fillestar të gjërave, atë çfarë
Heideggeri do ta quante "rënia nga qenësia në funksion." Kur një
objekt humb qëllimin për të cilin është ndërtuar dhe përdoret për një të
kundërt të tijën, ndodh një dridhje ontologjike, një lëkundje në vetë qënien
vetë jeta si koncept vihet në pikëpyetje.
Së treti, kjo zhvendosje tregon
edhe mungesën e mbështetjes së shoqërisë për individin, ku edhe vendet e
pushimit shndërrohen në vende të braktisjes së fundit. Stoli nuk është më
mikpritës, por bëhet platforma e aktit më të vetmuar. Në këtë kuptim, rruga e
stolit nuk është thjesht tragjike, ajo është metafora e përmbysjes së llogjikës
njerëzore, ku bukuria dhe përdorimi, pushimi dhe paqja, dorëzohen përballë
ankthit ekzistencial. Dhe kjo është pikërisht ajo që i jep poezisë së Zhupës
përmasën universale.
V-Poezia “Stolat” është e vogël
në përmasë, por është si shprehjet e rralla që mbeten gjatë në kujtesë, sepse
thotë pak, por hap shumë kuptimshmëri. Fjalët vërtet janë të pakta, por janë si
gjethet e pakta të një pemë dimri, ku secila është e domosdoshme për peizazhin që
krijon. Le ta ndjekim këtë poezi, siç ndiqet me sy guri i hedhur rrëshqitazi mbi sipërfaqen e ujit, ku çdo vale rrethore që
krijohet është një kuptim.
1.Në poezi, nuk ka fjalë të
tepërta, madje çdo fjalë është thelb, jo zbukurim. Poezia nis si një
frymëmarrje e qetë, por thellohet me çdo fjalë: “Në stola ulen ata që dashurohen/ Mbi stola hipin ata që varen”.Një gjuhë e zakonshme, fjalë që mund t’i thoshte
kushdo, por këtu janë vendosur në një ekuilibër të tillë ku çdo germë peshon.
Ato nuk mbajnë vetëm kuptim por histori, nuk ka zbukurime por vetëm thellësi të
heshtura që ndriçojnë vetë.
2.Fjalët ngjajnë me gurët e lashtë
pellazgjikë të vendosur në një mur që i ka rrezistuar erozionit mijra shekullor. Në këtë ndërtim poetik,
asnjë fjalë nuk është e rastësishme. Ato janë vendosur të gdhendur në format e
duhura, që nuk lënë hapësirë mes tyre dhe nuk kanë nevojë për lidhje me llaç,
pasi pesha e gurëve është lidhësia më e mirë. Nëse do të hiqje nga poezia një
fjalë, ajo do të do rrëzonte gjithë murin (vargun). Pikërisht kjo arkitekturë e
fjalës së pakët e bën poezinë të qëndrojë me madhështi, si një tempull I vogël,
ndërtuar për përjetësi.
3.Thjeshtësia është akt i
zgjedhur qëllimisht nga poeti, jo mungesë. Minimalizmi në poezi nuk është mosdije për të thënë më
tepër, por vendim i poetit për të thënë vetëm atë që është e domosdoshme.
Thjeshtësia bëhet ura më e shkurtër për te ndjeshmëria, për te dhembja dhe
dashuria që jetojnë pranë e pranë, si dy të panjohur në të njëjtin stol.
4.Poezia “Stolat” është një
monument i vogël që sfidon kohën. Nuk ka asgjë të tepërt, dhe pikërisht kjo
mungesë e bën atë të plotë. Në këtë poezi, Zhupa ka gdhendur jo vetëm ndjenjën,
por mënyrën e tij të të parit të botës: ku çdo gjë e vogël mbart peshën e së
gjithës, pse është pjesë e të gjithës. Në pak vargje, kemi një cikël të plotë:
dashuri, dëshpërim, jetë, vdekje; të gjitha në lëvizje të qetë mbi një stol që
ndodhet kudo dhe askund. Dhe kështu poeti na kujton: fjalët më të thjeshta janë
shpesh më të thellat; në to rrinë të fshehura plagë, kujtime, dhe ndoshta, edhe
shpresa.
V-Në poezinë “Stolat” të Zhupës
vjen një zë i qetë, por thellësisht i pranishëm, që i flet kohës sonë me një
mençuri të brendshme e një heshtje që tingëllon më fort se fjalët. Zhupa sjell
një risi poetike që nuk bërtet, por pëshpërit, duke shndërruar një send të
zakonshëm në simbol të dramës sonë të përditshme, dhe kjo thjeshtësi e thellë,
ky qëndrim përballë jetës me sy të ngulur dhe shpirt të përhumbur, është
ndoshta një nga gjërat më të rralla që mund të ndodhin sot në poezi.
1.Në një botë të tejmbushur me
komunikim, poezia na kujton heshtjen emocionale që s’ka zë.Në kohën kur fjala
është bërë e lehtë dhe zhurma mbulon gjithçka, kjo poezi ndalet dhe flet për
atë që nuk thuhet. Vargjet aq të heshtura sat ë drithërojnë: “Në stola ulen ata që dashurohen,/Mbi stola
hipin ata që varen.” vendosin përballë nesh dy skaje të ekzistencës;
dashurinë dhe dëshpërimin dhe çuditërisht në të njëjtën hapësirë, në të njëjtin
send. Dhe ndoshta aty ku kemi kaluar pa e vënë re një stol, ka ndodhur një jetë
që nuk kemi ditur ta shohim. Shumë prej nesh e kanë përjetuar këtë moment.
2.Në kohën e shpejtësisë, një
varg i vetëm na ndal si frymëmarrje e thellë, kjo pse shqetësimi i poetit nuk është të ndërtojë
rrëfim, por të na ndalë.Imazhi i vargjeve:“Një
jetë të tërë, dashuria ime,/Ulet dhe hipën mbi stola.” s’është gjë tjetër veçse
lodhja e njeriut të sotëm, që endet pa ndalesë midis mallëngjimit dhe vetmisë?
Ky varg është një pasqyrë që nuk flet vetëm për dashurinë, por për shpirtin e
njeriut modern që, i përhumbur, lëviz brenda vetes pa arritur askund.
3.Atë që bota e sotme do të ndajë me rregulla të
ftohta (jetën nga vdekja), poezia i bashkon me ndjeshmëri të butë, aty ku
dikush sheh një vend për të ndenjur, poeti sheh një vend për të ndjerë. Dhe nuk
bën dallim mes një përqafimi dhe një fundi, sepse dhe vetë jeta është një vijë
e hollë, që në një çast të papritur mund të këputet. Kjo poezi na rikujton se
pranë bukurisë mund të fshihet trishtimi, dhe pranë trishtimit një kujtim
dashurie.
4.Në një shoqëri ku shohim
gjithçka përtej ekranit, poezia na fton të shohim më thellë njëri-tjetrin. Një
stol nuk është më një objekt i rastësishëm në park. Është një ftesë për
vëmendje. Sepse ndoshta, aty ku dikush po pushon, një zemër po thyhet në
heshtje. Ilirian Zhupa na bën të ndalemi përballë të panjohurit – të afërmit
tonë të heshtur – dhe të mendojmë: kush po ulet tani? Dhe përse?
I ndërtuara në pak vargje, “Stolat”
nuk është thjesht poezi, është një vështrim i thellë mbi jetën e padukshme që
zhvillohet pranë nesh. Është një thirrje e heshtur për t’u bërë më të butë, më
të vëmendshëm, më njerëzorë. Dhe ndoshta, më të aftë për të parë poezinë edhe
aty ku ajo nuk do të na tregojë që është e tillë.
Sarandë, më Maj 2025
No comments:
Post a Comment