HYMN PËR FËMIJËRINË GJUNJËVRARË NËPËR GURË
Nga Timo Merkuri
Poezia “Gjunjëvrarë nëpër gurë” e
Odise Kotes vjen si një këngë zëulët për fëmijërinë, jo atë të lehtë dhe
ëndërrimtare, por fëmijërinë që lozte mbi gurë, ku lëndonte gjunjët, hapte sytë
ndaj mrekullisë dhe dhimbjes njëherësh. Është një fëmijëri që rritet pa fjalë,
mes pjerësive të rrugëve dhe mureve të plasaritura në një qytet që flet me gurë
e hesht me dinjitet. Zakonisht poetët e vizatojnë fëmijërinë me ngjyra të buta,
por Kote pikturon thjeshtësinë e një përvoje që mbetet në trup e shpirt
përjetë. Në këtë poezi nuk flitet për një vend të caktuar, por lexuesi e ndien
menjëherë frymën e një Gjirokastre të brendshme, që formëson edhe fisnikëron
këdo që ka kaluar fëmijërinë aty, me gjunjë të gjakosur e zemër të hapur ndaj
botës.
I-Poezia “Gjunjëvrarë nëpër gurë”
e Odise Kotes është një rrëfim poetik i dhimbjes së fshehtë të fëmijërisë,
vrarë në gjunjë rrugicave të qytetit, rrëfim i një heshtje që nuk bërtet, por
mbetet si shenjë, si kujtim e si identitet. Ajo sjell risi në qasjen ndaj
përvojës, simbolikës dhe gjuhës, duke e përkthyer përditshmërinë në përjetim
poetik. Nën një ton të përmbajtur, por prekës, poezia i jep formë heshtjes si
gjuhë e brendshme e fëmijëve, të cilët, edhe pse “gjunjëvrarë”, nuk e humbasin
mrekullimin.
1. Më së pari Odise Kote përmbys
mitin e fëmijërisë si periudhë e lumturisë duke na folur për një fëmijëri që
gjunjëzohet mbi gurë, jo mbi qilima, madje ky gjunjëzim është lëndim, plagëosje
gjunjësh nëpër lodra fëminore nëpër rrugët e qytetit me kalldrëm. Figura e
fëmijës “gjunjëvrarë nëpër gurë”
shpërfaq një risi poetike që rrëzon idenë e një fëmijërie plot butësi. Gurët
këtu nuk janë as dekor e as peizazh, por terren i vështirë jetësor. Janë “gurë që s’janë të emigrantëve të rinj”,
çka nënkupton një identitet vendas, një lloj rrënjosjeje gjer në dhembje. Këtu
fëmijët nuk vrapojnë, por ulen në gjunjë, pse rrëzohen, godasin gjurin: “Fëmijë a fëmijëri gjunjëvrarë nëpër gurë...”
duke na kujtuar se nuk është vrarë në gjunjë vetëm fëmija, por edhe fëmijëria.
Këtë varg të përsëritur, autori e ngulit në kujtesën e lexuesit dhe krijon një
refren dhimbjeje.
2. Risia tjetër është mënyra se
si poezia përdor përplasjen mes modës dhe realitetit: “Veshur pantallona xhins / të shqepura në gjunjët/ me gjasa mode...”
Në botën e sotme, ku të çarat e xhinseve janë trend, poezia na zbulon se ato
mbulojnë gjunjë të plagosur vërtet. Nuk kemi të bëjmë me estetikën e konsumit,
por me gjurmë të një përvoje të brendshme, që mbahen “poshtë pantallonave tërë jetën”. Ato vërtet janë plagë fëmijërie,
dhe moda shndërrohet në mjet mbrojtës, në një mbulesë që fsheh dhe hesht, por
edhe artistikisht plaga bëhet stil, por stili nuk shëron. Ato plagë mbeten aty
dhe çuditërisht të ngjallin mall e dashuri për qytetin e bashkëmoshatarët, dhe
e kanë fshirë nga kujtesa dhimbjen e momentit të krijimit të tyre.
3. Në vend të një narative të
zhurmshme, si gjithmon në të tilla raste, Kote na jep një heshtje që flet me sy
duke na treguar se heshtja është një gjuhë që vetëm fëmijët e kuptojnë: “Bëhen vetëm sy dhe heshtje”. Unë ju them
se kjo heshtje nuk është mungesë e fjalës, por një gjuhë e re, tepër e thellë.
Ajo nuk është pasive, por selektive: kush nuk e kupton heshtjen, nuk kupton as
fjalët e fëmijëve. “Kush se kupton këtë
heshtje/ s’kupton as fjalët e tyre,/fjalët e pathëna që nuk lëndojnë askënd.”
Fjalët e sinqerta të fëmijëve- do shtoja unë. Kjo mënyrë të shkruari është
krijim i një kodi intim mes lexuesit dhe fëmijërisë, ku shprehja më e madhe
është ajo që nuk thuhet. A ju kujtohet fëmijëria, sa shpesh rinit në heshtje,
por sa shumë thoshte për shokët, prindërit dhe sidomos gjyshet ajo heshtja
juaj?
4. Një nga risitë më poetike
është përshkrimi i përplasjes mes rrezikut dhe magjepsjes:
“Dallojnë menjëherë pjerësi
dhe të plasariturat,
edhe pse e dinë se është e
rrezikshme.
s’i rezistojnë përgjërimit të mahnitjes.”
Fëmijët, edhe pse të goditur, nuk
heqin dorë nga admirimi i bukurisë së qytetit të tyre, që pë rata është më i
bukuri në botë. Ata i shohin të carat e murreve të rrugëve apo të mureve të
kështjellës, por prapë u afrohen. Kjo na flet për një përvojë fëminore që nuk
ka frikë nga jeta, por e kërkon atë me sy të hapur, me kuriozitet, që plagët e
marra nëpër kalldrëmet e rrugëve, nuk mund ta shterin. Unë nuk mund të flas për
këtë mister kalldrëmi, fëmijëria ime ka të tjera mistere, por çuditërisht më
bëjnë për vete këto mahnitje
kalldrëmesh.
5. Poeti shpreh një përkatësi të
thellë ekzistenciale:
“Ata kanë ndjesinë se jetojnë në
një vend,
që është vetëm për ta.”
Plagët e marra nëpër kalldrëme u
kanë dhënë të drejtën e “pronësisë”mbi ato, ndonëse askush nuk ka kërkuar t’i
ndiqte ndonjëherë, veçse të kujdeseshin nga makinat që kalonin, por unë dua
t’ju them se kjo ndjesi nuk është thjesht fizike. Është hapësira e tyre e
brendshme, për të cilën nuk nevojiten letra qëndrimi. Është një vend shpirtëror
që as varfëria, as plaga, as të rriturit nuk mund ta shkelin. Është vendi ku
fëmijëria, edhe kur është gjunjëvrarë, qëndron drejt në zemrën e kujtesës.
Secili prej tyre e ka të ngulitur në kujtesë vendin, madje dhe gurin ku u vra
në gjunjë.
Pra, e parë në një këndvështrim
poetik poezia “Gjunjëvrarë nëpër gurë” është hymn i heshtur për fëmijërinë që
nuk ankohet, që rrëzohet, plagoset, por sërish sodit dhe mrekullohet. Risia e
saj poetike qëndron në mënyrën si poeti ndërton një simbolikë të re mbi plagët,
heshtjen dhe përkatësinë. Ato që në fillim duken si “pantallona mode”, në fund
shndërrohen në dëshmi të përjetshme: “...me
vraga që mbeten,/poshtë pantallonave tërë jetën...”. Është një poezi që nuk
kërkon të lexohet me zë të lartë për të bërë jehonë. Mjafton përplasja me gurin
dhe gjunjët që kujtojnë.
II- Poezia i flet lexuesit të sotëm
me zërin e heshtur të plagëve që nuk shihen, me tonin e ulët të fëmijërisë së
pambrojtur, që endet nëpër gurë e plasaritje urbane e shpirtërore. Ajo nuk
është thirrje proteste (qoftë dhe fëminore për ato plagë), por është një
kujtesë intime e ëmbël.
1. Kjo poezi e Kotes i flet
shoqërisë së sotme për ca të vërteta dhe ca plagë të herëshme që i fshehin
veshjet e modës moderne. Lexuesi i sotëm, i rrethuar nga imazhe perfekte dhe
pantallona të shqyera si trend, përballet këtu me një mesazh ndryshe: jo çdo
shqyerje veshjeje është modë; disa janë plagë. Poezia i thotë se pas formës që
ndjekim, mund të fshihet thelbi që kemi harruar.
“të shqepura në gjunjët, me
gjasa mode,
bëhen vetëm sy dhe heshtje.”
Kështu që moda kthehet në
metaforë të përditshmërisë sonë të hekurosur, ku heshtja nuk është mosdije, por
mbijetesë.
2. Poezia i kujton shoqërisë së
sotme se jo çdo fëmijëri ka qenë me lodra e ngjyra.Në një kohë kur fëmijëria
paraqitet si element i lumturisë, kjo poezi sjell një fëmijëri të përplasjeve
me realitetin, një kujtesë që s’duhet harruar: gjunjë të vrarë jo nga loja, por
nga vetë jeta, sepse këtu edhe vetë gjunjët e vrara janë një metaforë dhe duhen
lexuar metaforikisht patjetër, sepse bashkë me fëmijën është vrarë “në gjunjë”
edhe fëmijëria.
“Fëmijë a fëmijëri gjunjëvrarë,
me vraga që mbeten,
poshtë pantallonave tërë jetën ...”
Poezia e Odise Kotes i kujton
lexuesit të sotëm se edhe fëmijët e sotëm edhe ai vetë si fëmijë, mund të kenë
mbetur gjunjëzuar para realitetit, pa i ngritur zërin. Madje jo vetëm për një
“vrarje” gjuri.
3.Kjo poezi e Kotes i bën thirrje
shoqërisë të dëgjojë heshtjen që ka zë. Në një botë të zhurmshme, kjo poezi
është një përmendore për heshtjen, por duhet të dish ta dëgjosh dhe ta lexosh
heshtjen që s’bën zë.
“Kush se kupton këtë heshtje,
s’kupton as fjalët e tyre...”
Lexuesi i sotëm, që rrethohet nga
fjalë të shumta boshe, shpesh herë në gjuhë të ndryshme ftohet të ndalet dhe të
kuptojë heshtjen si një formë e re komunikimi, më e vërtetë, më e thellë. Kjo
është një poezi që të mëson të dëgjosh pa fjalët pa zë.
4. I kujton kohës sonë se e
bukura nuk është vetëm në ekrane kinemaje. Në kohën kur bukuria filtrohet dhe
shfaqet përmes rrjeteve sociale, kjo poezi e vendos “mrekullinë” në tokë, në
realitet, aty ku ka plasaritje muresh dhe rrezik: “Ç’gjë e mrekullueshme iu formëson vetveten? ”Fëmijët nuk i shmangen
rrezikut sepse janë të aftë të mahniten , një aftësi që lexuesi i rritur mund
ta ketë humbur.
Pra, kjo poezi është një pasqyrë
që nuk të tregon fytyrën, por gjunjët, atje ku qëndron e shkuara jote, dhimbja
jote e parë, fëmijëria që nuk mund ta kesh harruar. Në kohë sipërfaqësie,
poezia i thotë lexuesit të sotëm: “Ata
kanë ndjesinë se jetojnë në një vend, / që është vetëm për ta.” Ne duhet të
ndjejmë dhe kuptojmë se ky vend nuk është sipërfaqe fizike, është brendësi
shpirtërore dhe kjo poezi është ftesë për t’u kthyer aty, ashtu, me gjunjë të
plagosur, por ende në këmbë.
III- Fjalori që përdor Kote në
këtë poezi është i thjeshtë në pamje, por i mbushur me dritë të brendshme poetike
dhe shumëkuptimësi. Ai krijon një tension të ndjerë mes konkretës dhe
simbolikes, mes përditshmërisë dhe shpirtërores.
1. Kote përdor fjalë të
përditshme që mbartin dramë të heshtur si: “pantallona
xhins”, “të shqepura”, “gjunjë”, “gurë”, “plasaritura”. Fjalët janë të zakonshme, të marra nga jeta
urbane e fëmijëve të sotëm, por poetit i mjafton t’i rreshtojë në një strukturë
të ngjeshur që të japin peshë emocionale dhe rrëfim të heshtur. “Pantallonat xhins” nuk janë vetëm rrobe,
por perde që mbulojnë plagët reale. “Gurët”
nuk janë vetëm elemente toke, por simbole të realitetit të ashpër, aqë më tepër
po ti lexosh në kontekstin e fëmijërisë për të cilën flet poeti.
2.Këto fjalë që përdor poeti i
përkasin fëmijërisë së djeshme, p.sh: “gjunjëvrarë”,
“vraga”, “fëmijë a fëmijëri” ku fjala “gjunjëvrarë”
është boshti emocional i poezisë. Është një bashkëlidhje e pazakontë që ngjiz
pamjen e përkuljes, lodhjes, përplasjes me diçka më të fortë, gurin. “Vraga” bart kujtesë dhimbjeje që nuk
shërohet, ndërsa “fëmijë a fëmijëri”
është dyzim i qëllimshëm që nënkupton se jo vetëm gjunjët e një individi, por
dhe vetë fëmijëria është lënduar. Nuk është nevoja që të bëjmë qasje historike,
mjafton të kujtojmë fëmijërinë tonë, në çdo qytet a fshat ku kemi qenë. Plagët
e lëndimeve fizike i kemi ende në trup e në shpirt.
3. Fjalët që përdor Kote në poezi
i japin tingull heshtjes, psh: “heshtje”,
“mahnitje”, “përgjërim”, “ndjesi”. Këto janë fjalë që nuk mund të “preken” fizikisht, janë fjalë të
padukshme, por e mbushin poezinë me atmosferë të brendshme, i japin ajër. “Heshtja” bëhet zë, “përgjërimi” shfaqet nga sytë e fëmijëve dhe “mahnitja” është ndjesi që nuk analizohet, por përjetohet. Dhe nuk
është vetëm monopol i fëmijëve, por te fëmijët është më e bukur.
4. Dhe së fundi Kote përdor fjalë
që krijojnë vendin e brendshëm të fëmijës si: “vend që është vetëm për ta”, “fjalë të pathëna”, “nuk lëndojnë askënd”.
Nëpërmjet përdorimit të këttyre fjalëve poeti e çon lexuesin drejt një bote të
brendshme, intime, ku fëmija, edhe i plagosur, ka territorin e vet shpirtëror
ndaj shpesh herë e “hipotekonin” në heshtje si “fusha jonë”, “cepi ynë”, “rruga jonë” etj, por ne folëm për këtë
dukuri, ndonëse duhet ripërsëritur si element i fjalorit. Fëmijët këto fjalë i
thoshnin mes tyre dhe jo “zyrtarisht”, mirëpo kujtojmë se fjalët e pathëna janë
të fuqishme, sepse nuk kanë nevojë të dëgjohen për tu provuar. Aty nuk ka dhunë
verbale, por ndjenjë e përmbajtur.
Ajo që është më e rëndësishme është
fakti se fjalori i Odise Kotes në këtë poezi nuk kërkon të impresionojë, por të
ngjallë ndjenjë. Me pak fjalë, ai arrin të japë shumë: një botë fëmijërie që
ende sheh me habi, dhe: “s’i rezistojnë
përgjërimit të mahnitjes.” Në këtë përgjërim, përkulje para gurëve, ndodhet
edhe poezia, edhe lexuesi, të gjunjëzuar përballë së vërtetës që nuk bërtet,
por mbetet ende e freskët.
IV- Figurat artistike në poezinë
“Gjunjëvrarë nëpër gurë” të Odise Kotes janë ndërtuar me një ndjeshmëri të
hollë që, pa e përmendur drejtpërdrejt, sjellin në mënyrë të natyrshme
ambientin gjirokastrit, si kujtesë e ngulitur në gur, si shije e fëmijërisë së
rrëzuar ndër kalldrëme.
1. Metaforat e poezisë lidhen me
gurin dhe pjerësinë, karakteristikë e qytetit të gurtë. “gjunjëvrarë nëpër
gurë”/“dallojnë menjëherë pjerësi dhe të plasariturat” Këtu guri nuk është
vetëm element fizik, por kujtesë kolektive dhe hapësirë identitare. Pjerësitë e
Gjirokastrës, të ngulitura në trupin e qytetit, futen në poezi si pjesë e
natyrshme e rritjes, përplasjes. Gjunjëzimi është përballje me atë terren të
vështirë, jo vetëm fizik, por dhe shpirtëror.
2.Interesantë se në poezi edhe
heshtja ngjan me qetësinë e lagjeve të gurta, si: “bëhen vetëm sy dhe heshtje”. Figurat e metonimisë (sy = shikim,
vështrim, përthithje e botës) dhe personifikimit të heshtjes krijojnë një
atmosferë që lexuesi e ndien si një sokak i Gjirokastrës ku fëmijët heshtin
para madhështisë dhe rëndesës së gurëve. Është një heshtje guri që flet pa zë.
3. Simbolika e “plasariturës”
shfaqet si metaforë e qytetit në vargjet: “edhe
pse e dinë se është e rrezikshme / s’i rezistojnë përgjërimit të mahnitjes”.
Plasaritja ( e mureve) është simbol i brishtësisë dhe i fisnikërisë së mbetur.
Guri i çarë nuk është shembje, është dëshmi se ende qëndron, ndonëse koha e
goditi dhe e çau qoftë në murret e rrugëve apo të kështjellës.
4. Në këtë poezi nuk thuhet
asnjëherë “Gjirokastër”, por i gjithë ambienti shpirtëror i qytetit ndërtohet
me figurat, ritmin, heshtjen, plasaritjen, gjunjëzimin, veshjen, sythin e
mahnitjes që ngjitet lart si kalldrëm. Po ti shtojmë kësaj edhe faktin se Odise
Kote kur shkruan, fjalorin, figurat dhe botën e krijimtarisë e merr nga
Gjirokastra, atëherë s’kemi pse pyesim. Kote mund të shkruajë dhe për Tiranën,
por krijon një Tiranë-lagje e Gjirokastrës, ndoshta dhe më të bukur se vetë
Tiranën kryeqytet. Por duke u rikthyer
te vargjet:“Ata kanë ndjesinë se jetojnë
në një vend,/që është vetëm për ta”, ky “vend” i fëmijëve, nëpër gurë, në heshtje, në
përulje është vetëm Gjirokastra, e përjetuar nga Odise Kote me poetikë dhe
ndjesi, më shumë se në emër. Ashtu si trëndafili njihet dhe për së largu nga
aroma e tij karakteristike edhe Gjirokastra njihet nëpër krijime të Kotes nga
“aroma e gurtë” tipike e saj.
V-Në brendësinë e saj poezia
“Gjunjëvrarë nëpër gurë” duke ju qasur
realizmit modernist, tingëllon si një hymn i thellë për fëmijërinë, jo për një
fëmijëri ideale, por për atë që rritet mes gurëve, plagëve dhe heshtjeve, që
nuk kërkojnë dhimbshuri, por kuptim. Ky hymn nuk ka tonalitet të lartë, nuk ka
hymnizim epik, por ka ndjeshmërinë e një kënge që këndohet me gjunjë të
plagosur dhe sy të çuditur: “Ç’gjë e
mrekullueshme iu formëson vetveten?”
Duhet të kuptojmë dhe më shumë të
ndjejmë se këtu fëmijëria nuk është vetëm një periudhë kohore kalimtare, por
një truall shpirtëror ku formësohet qëndrimi ndaj botës: mes rrezikut dhe
mahnitjes, mes përgjërimit dhe plagëve. Hymni lind pikërisht nga kontrasti mes
ashpërsisë së realitetit (guri, rrëzimi, plagët) dhe butësisë që ruhet në
shpirtin e fëmijëve, e që nuk lëndon askënd: “fjalët e pathëna që nuk lëndojnë askënd.” Vini re, poeti nuk i
përkëdhel fëmijët, por i madhëron në pafajsinë e tyre. Ata qëndrojnë
gjunjëzuar, jo si të mundur nga plagët e gjunjëve, por si të zgjedhur për të
ndjerë thellë, thua se janë gjunjëzuar në një adhurim të gurit, të atij guri që
u vrau gjunjët. Dhe kështu, poezia ngjitet në një dimension universal, ku
fëmijëria bëhet vend i shenjtë, një altar i heshtur mbi kalldrëmet e jetës:
“Fëmijë a fëmijëri gjunjëvrarë,
me vraga që mbeten,
poshtë pantallonave tërë jetën…”
Ky është himni më i sinqertë për
fëmijërinë: ai nuk e fsheh dhimbjen, por as nuk ia rrëmben dinjitetin. Ai
këndohet me gjunjë të gjakosur, por me shpirt të formuar si i paepur. T’a
admiroj këtë fëmijëri poetike, Odise Kote, jo pse s’është e dhembshme, por se
është e vërtetë deri në gjak, e ndershme deri në heshtje, e bukur pa u stolisur
fare. Një fëmijëri që nuk kërkon lëmoshë, veç kuptim, që nuk qesh me zhurmë,
por më rrëzon në gjunjë para gurit.
Sarandë, më 24 maj
2025
Gjunjëvrarë nëpër
gurë ….
Fëmijë a
fëmijëri gjunjëvrarë nëpër gurë
që s’janë të
emigrantëve të rinj
nuk iu ikin
dot rrëfenjave, kushedi përse?
Veshur
pantallona xhins,
të shqepura
në gjunjët, me gjasa mode,
bëhen vetëm
sy dhe heshtje.
Dallojnë
menjëherë pjerësi
dhe të
plasariturat,
edhe pse e
dinë se është e rrezikshme.
s’i
rezistojnë përgjërimit të mahnitjes.
Ç'gjë e
mrekullueshme iu formëson vetveten?
Kush se
kupton këtë heshtje,
s’kupton as
fjalët e tyre,
fjalët e
pathëna që nuk lëndojnë askënd.
Ata kanë
ndjesinë se jetojnë në një vend,
që është
vetëm për ta.
Fëmijë a
fëmijëri gjunjëvrarë,
me vraga që
mbeten,
poshtë
pantallonave tërë jetën ...
No comments:
Post a Comment