Thursday, 6 November 2025

 

 

NJË KËMBANË QË BIE PËR LIBRIN

 

Nga Timo Mërkuri

Një shkrim i Fatmir Terziut, me titullin “Kush po e ridjeg librin”, botuar më 4 nëntor 2025 në Albanian Post, ka trazuar ndjeshëm ujërat e qeta të mjediseve letrare e intelektuale shqiptare. Ai është bërë biseda e ditës mes krijuesve, kritikëve dhe lexuesve të ndjeshëm ndaj fatit të fjalës së shkruar. Nuk është hera e parë që preken çështjet që ngre Terziu, por është hera e parë që ato marrin trajtën e një kumti të plotë, të ndërgjegjshëm dhe të dhimbshëm njëkohësisht. Në mënyrë të rrallë, autori i ka mbledhur e renditur plagët që prej kohësh prekin letërsinë shqiptare, duke treguar se ndikimi i tyre është aq i thellë, sa mund të krahasohet me tronditjen që solli dikur famëkeqi Plenum i Katërt.

Por ndryshe nga toni i ashpër  polemist, fjala e Terziut vjen e qetë dhe  dashamirëse, si një këmbanë që bie për të zgjuar, jo për të trembur. Ai na fton të kthejmë sytë drejt asaj që po humbasim ngadalë: drejt ndershmërisë krijuese, drejt meritës së vërtetë, drejt respektit për fjalën e mirë. Sepse fjala është si uji që gdhend gurin, e butë në dukje, por e fortë në përjetësi.

Ndaj krijuesit duhet të ndërgjegjësohen e të njohin meritat e kolegut më të mirë; institucionet duhet të lënë mënjanë partitë në krijimtari e të mbështesin atë që çon përpara, artin e lirë, progresiv, që ndriçon shoqërinë. Sepse lexuesi e njeh dhe e do krijimtarinë e arrirë: kemi parë madje edhe në ditët e monizmit se si një libër i mirë, i botuar në tirazh maksimal, shitej më shpejt se buka në dyqane. Kjo është arsyeja pse fjala e Terziut duhet dëgjuar si një thirrje për zgjim shpirtëror- një ftesë për të mos lejuar që mediokriteti të marrë vendin e talentit, dhe që libri i vërtetë të mos digjet më as me zjarr, as me heshtje.

I. Problemet që ngre Terziu

Në shkrimin e tij, Fatmir Terziu flet me dhimbjen e një njeriu që sheh si heshtja po bëhet armë kundër fjalës së lirë. Ai ngre probleme të thella, që prekin vetë zemrën e kulturës shqiptare, dhe secili prej tyre ka peshë që shkon përtej botës së librit, në ndërgjegjen e një kombi. Kur shoqëria nuk e dëgjon më zërin e librit, ajo fillon të humbasë kujtesën e vet shpirtërore dhe atëherë harrimi bëhet forma më e re e vdekjes.

1. Terziu vëren e thotë se letërsia po mbytet nën një frymë autocensure dhe përzgje-dhjeje të kontrolluar. Librat nuk zgjidhen më për vlerën që mbartin, por për përputhjen e tyre me mendësitë apo bindjet e një grupi të caktuar, duke dëmtuar lirinë e fjalës dhe pavarësinë e mendimit. Por liria e mendimit është themeli i çdo kulture të gjallë. Kur ajo cungohet, humbet edhe e drejta për të kërkuar, për të pyetur, për të menduar ndryshe. Pa këtë liri, letërsia kthehet në një jehonë boshe, jo në zë të shpirtit njerëzor.

2. Një nga plagët më të dhimbshme që prek Terziu është ngritja e autorëve mediokër në piedestal, ndërsa zërat e talentuar heshten. Botuesit, mediat dhe institucionet shpesh përkrahin ata që janë afër pushtetit, jo ata që i afrohen së vërtetës. Kështu shkatërrohet ekuilibri shpirtëror i kulturës. Kur letërsia nuk udhëhiqet më nga drita e talentit, ajo humbet forcën ndriçuese që ka për njeriun dhe për shoqërinë. Ngjallja e vlerave të rreme është një djegie e heshtur e librit të vërtetë. Sepse kur e pavërteta ngrihet në fron, e vërteta bëhet mërgimtare në vendin e vet.

3. Terziu me kurajo denoncon mënyrën si politika dhe ideologjitë kanë hyrë në thelbin e botimeve dhe përzgjedhjeve kulturore. Jemi dëshmitarë të faktit se librat shpërndahen dhe promovohen në bazë të ngjyrave politike, duke krijuar një ndarje që i ngjan shumë asaj të kohëve të monizmit. Por kur letërsia përdoret për qëllime politike, ajo humbet misionin e saj fisnik, të jetë ura mes njerëzve, jo muri që i ndan. Kultura nuk mund të jetë shërbëtore e pushtetit, sepse atëherë ajo nuk frymon më për liri, por për bindje.

4. Në vend të debatit dhe leximit të lirë, Terziu sfidon klimën ku librat, idetë dhe autorët që “nuk përshtaten” thjesht harrohen. Heshtja është bërë forma e re e censurës. Por heshtja është më e rrezikshme se ndalimi. Ajo zhduk autorin pa zhurmë, pa gjurmë, dhe krijon iluzionin e një harmonie të rreme. Një shoqëri që hesht ndaj ideve ndryshe, në të vërtetë, po e varros shpirtin e saj krijues.

5. Edhe faktin se  sistem mbyll rrugën e lexuesit të pavarur nuk I ka shpëtuar shikimit të Terziut. Librat e vërtetë nuk  arrijnë në duart e njerëzve, për shumë arsye ndërsa propaganda mbush hapësirat publike me zhurmë për disa libra pa vlerë. Por pa një lexues të lire që të zgjedhë vetë librat, letërsia mbetet vetëm zbukurim. Lexuesi është zemra e librit; kur ai humbet aftësinë për të zgjedhur vetë, humbet edhe drita që libri ka për ta ndryshuar.

II. Rëndësia e problemit që shtron Terziu

Letërsia është fryma që e mban shpirtin njerëzor në lëvizje; pa të, njeriu mbetet trup që ecën, por nuk mendon. Ka çaste kur letërsia, ndjen ethet e një sëmundjeje të padu-kshme. Jo më flakët që dikur përpinin librat nëpër sheshe, por një zjarr i heshtur që djeg nga brenda, përmes shpërfilljes, interesave dhe përzgjedhjeve të fshehta. Pikërisht këtë rrezik e ngre Fatmir Terziu me ndjeshmëri dhe guxim: ai flet për një djegie pa tym, për një shuarje që nuk shihet, por që e ndien çdo njeri që beson te fjala e lirë.

Rëndësia e këtij problemi nuk qëndron vetëm në fatin e një libri apo të një autori, por në frymën që rrezikon të humbasë një kulturë e tërë. Sepse kur mediokriteti ngrihet në piedestal dhe vlera e vërtetë mbetet në hije, nuk dëmtohet vetëm letërsia, dëmtohet vetë ndërgjegjja e kombit. Aty ku ndalet zëri i lirë, fillon heshtja e rrezikshme e turmës.

Terziu na fton të shohim përtej politikës, përtej kampeve dhe bindjeve, drejt një të vërtete më të madhe: libri është pasqyra e shpirtit njerëzor. Dhe kur ajo pasqyrë thyhet, humbasim jo vetëm autorin, por edhe veten. Prandaj problemi që ai ngre nuk është një debat për pushtet, por një thirrje për dritë, për të mos lejuar që fjala e vërtetë të shuhet në pluhurin e harresës. E parë në këtë kuptim, shkrimi i Terziut është më shumë se kritikë: është ndërgjegje. Është një ftesë për t’u zgjuar, për të mos lejuar që letërsia të bëhet pre e interesit apo e servilizmit. Sepse nëse lejojmë që të digjet libri në heshtje, në fund digjemi vetë bashkë me të. Djegia e librit është vetëm hapi i parë; hapi i dytë është djegia e ndërgjegjes.

III. Ç’duhet të bëjmë për të shpëtuar librat nga djegia?

Në pjesën e tretë të shkrimit të tij, Fatmir Terziu nuk flet drejtpërdrejt për mënyrën se si mund të shpëtohen librat nga “djegia”, por në nëntekstin e tij lexohet një thirrje e qartë për ringjalljen e ndërgjegjes krijuese dhe morale të shkrimtarëve e lexuesve. Kjo pjesë e shkrimit tim është pra një reflektim mbi idetë që Terziu i lë të kuptohen midis rreshtave , një përpjekje për t’i përkthyer ato në mesazhe që tingëllojnë si jehona të mendimit të tij.

Ka kohë që librat nuk digjen më me flakë, por me heshtje. Librat e mirë nuk ndalohen, por thjesht nuk lexohen, nuk përmenden, nuk promovohen. Dhe kjo është një djegie më e dhimbshme, sepse nuk shkatërron vetëm letrën, por edhe kujtesën. Përballë këtij realiteti të zymtë, Terziu na shtyn të mendojmë: çfarë mund të bëjnë vetë shkrimtarët, poetët e njerëzit e fjalës që fjala e tyre të mos shuhet në pluhurin e harresës?

Lexuar në këtë frymë, mund të dallohen disa drejtime themelore që lindin si fryt i mendimit të Terziut.

Së pari, shkrimtari duhet të mbrojë fjalën e lirë jo vetëm në teori, por në çdo varg, në çdo rresht, në çdo heshtje të ndërgjegjshme. Ai nuk duhet të pranojë autocensurën, as t’i përshtatë mendimet sipas frymës së ditës. Shkrimtari i vërtetë, siç duket të na kujtojë Terziu, nuk shkruan për të kënaqur, por për të tronditur në emër të së vërtetës. Duhet të kujtojmë fjalët e Victor Hugo: “Mund t’i rezistosh pushtimit të ushtrive, por jo pushtimit të ideve.” Një ide e ndershme, një varg i shkruar me shpirt, ka më shumë fuqi se çdo pushtet kalimtar. Shkrimtari që beson te e vërteta e fjalës nuk mund të digjet, edhe kur libri i tij harrohet; ideja që ai mbart vazhdon të jetojë.

Së dyti, Terziu duket të na kujtojë se krijuesi duhet të mbetet lexues i zjarrtë. Leximi nuk është vetëm ushqim shpirtëror, por mënyra më e mirë për të mbajtur gjallë flakën e kulturës. Umberto Eco thoshte: “Ai që nuk lexon, në moshën shtatëdhjetë vjeç, do të ketë jetuar vetëm një jetë. Ai që lexon, do të ketë jetuar pesë mijë vjet. Leximi është pavdekësi mbrapsht.” Kështu, duke lexuar, shkrimtari bëhet urë mes brezave, njoh veten dhe botën, mëson të dallojë dritën nga hija, dhe shkruan jo për të pëlqyer, por për të zgjuar. Një krijues që nuk lexon, pushon së qeni krijues.

Së treti, në rreshtat e Terziut lexohet një frymë qëndrese përballë zhgënjimit. Në një kohë kur vlerat shpesh përmbysen dhe talenti mbetet në hije, është e lehtë të ndihesh i mundur. Por, siç na mëson Albert Camus në fund të Mitit të Sizifit, “Duhet ta përfytyrojmë Sizifin të lumtur.” Ky është simboli i qëndresës së brendshme: të ngjitesh çdo ditë drejt majës me barrën e gurit të rëndë — me vargun, me mendimin, me shpresën — dhe ta bësh këtë jo nga detyrimi, por nga dashuria për jetën dhe për fjalën.

Së katërti, Terziu përmes tonit të nënkuptuar, na fton të ruajmë kujtesën dhe të mbrojmë njëri-tjetrin me ndershmëri. Krijuesit duhet të vlerësojnë kolegun për meritë dhe të mos lejojnë që vlerat e vërteta të mbulohen nga zhurma. Sepse harrimi është një formë tjetër djegieje. Këtë e ka ndjerë bukur Ismail Kadare kur shkruante në Kamarja e turpit: “Kujtimet e ngjarjeve dhe të njerëzve zbehen me kalimin e viteve. Pluhuri i mbulon, balta i njollos, derisa fshihen fare, sikur të mos kenë ekzistuar kurrë.” Nën goditjen e Plenumit të IV, shkrimtarët e mëdhenj mbrojtën të rinjtë me guxim e dashuri, madje edhe me kosto personale. Ky solidaritet i dikurshëm duhet të rikthehet, sepse libri nuk mbrohet vetëm me letër, por me zemër.

Dhe, më në fund, leximi i Terziut na çon te një e vërtetë e thjeshtë, por thelbësore: shkrimtari duhet të besojë te lexuesi. Lexuesi i ndershëm është gjykatësi më i drejtë. Ai nuk ka nevojë për propagandë apo për reklama boshe; ai e ndien fjalën e vërtetë dhe e ndjek. Mjafton që ajo fjalë të shkruhet me shpirt, jo për përfitim.

Sepse, në fund të fundit, libri i mirë nuk mund të digjet. Ai mund të vonojë, mund të mbetet në raft, mund të kalojë në duar të pakta, por një ditë ai do të zgjohet sërish, si fara që pret shiun. Dhe atëherë do të dëshmojë se fjala e vërtetë nuk vdes. Siç mund të thuhet me frymë hugoiane: mund të digjesh librin, por jo dritën që ai ndez në shpirtin e njeriut.

Drita e librit nuk shuhet me shekuj; ajo vetëm ndërron duar, derisa të gjejë shpirtin që di ta lexojë.

Sarandë, Nëntor 2025

 

KUR HESHTJA RRJEDH SI POEZI

Ose filozofia e ndjesisë te Klejda Plangarica

 

Nga Timo Mërkuri

Cikli poetik “Veç pritja gjurmon skutat e trupit tim” i Klejda Plangaricës, i botuar për herë të parë në revistën AGMIA, organ i Asosacionit “Beqir Musliu” në Gjilan më 7 tetor 2025, është një udhëtim i qetë përmes territ të shpirtit njerëzor, një kalim i butë nga mungesa te përmbushja, nga heshtja te fryma. Ndoshta, poezia lind pikërisht aty ku njeriu s’mund të flasë më, aty ku ndjenja kërkon strehë në dritën e fjalës. Në këtë univers poetik, pritja nuk është thjesht një ndalesë në kohë, por një mënyrë e të qenit, një përvojë e ndërgjegjes që endet nëpër boshllëqet e dashurisë, të kujtesës dhe të vetë identitetit.

Klejda Plangaricës i mjafton një imazh, një ndriçim i papritur, një thërrmijë kujtese, për të ngritur një botë të tërë ndjenjash, madje mund të themi se poezia e saj përthith filozofinë e ekzistencës përmes dritës së fjalës. Kjo ndjesi nuk është e mbyllur në trupin e gruas, por rrezaton në një mall kozmik, në një përthyerje të qenies njerëzore që kërkon të mbijetojë përmes kujtimit, dashurisë dhe pritjes.

Ky cikël ësshtë interesant pse ngrihet i tëri mbi estetikën e heshtjes, ku fjalët janë si rreze që nuk ndriçojnë gjithçka, por ndihmojnë lexuesin të shohë në errësirën e vet. Ato nuk shpjegojnë, ato hapin shtigje; nuk kërkojnë të bindin, por të prekin. Brenda këtij territor poetik, lexuesi ecën si në një tempull drite, ku çdo varg bëhet një puls i jetës, që rrjedh mes mungesës dhe kujtesës. Në këtë cikël drite, çdo poezi është një etapë kërkimi, një përpjekje për të gjetur një të vërtetë që nuk thuhet dot me fjalë, por që mund të ndjehet. Në heshtjen e vargut, Klejda Plangarica ndërton një univers ku trupi dhe shpirti, dashuria dhe pritja, janë të njëjta në thelb: forma të një drite që nuk shuhet kurrë. Le ta dëgjojmë Klejdën në heshtjen dhe frymën e vargut të saj, aty ku fjala shndrohet në dritë dhe ndjenja në udhëtim.

1. Në poezinë “E pamjaftueshme”, ndjesia e mungesës është ngritur në përmasë filozofik, pse e tillë ( “E pamjaftueshme”) nuk është vetëm një gjendje personale, por një simbol universal i qenies njerëzore që kërkon të mbushë zbrazëtinë me dritë, dashuri dhe kuptim. Poetja e fillon me një varg që shkund shpirtin:

“Më shtyp pamjaftueshmëria ime,

si hapat e fundit në dëborën e prillit…”

pse dëbora, prilli dhe pamjaftueshmëria luajnë me njëra-tjetrën si simbole të ndjesisë dhe kohës: dëbora është ftohtësia e brendshme, prilli është rigjallërimi, ndërsa pamjaftu-eshmëria qëndron mes tyre – në kufirin midis dëshirës dhe zhgënjimit.

Metafora e dëborës që shkelet, dhe më pas kthehet hakmarrëse në prill, shndërrohet në simbol të marrëdhënies njerëzore me dashurinë dhe fajin:

“Ia desha borën (sa shumë!)… Por e shkela…

Tani, hakmarrshëm, çdo prill më shkel ajo.”

Nëpër këto vargje lëviz një frymë që nuk ankohet, por pranon,  një ndërgjegje e lartë që

sheh bukurinë edhe te plagët. Sepse vetëm ai që di të pranojë plagën, mund ti kthejë ato në dritë. Pamjaftueshmëria bëhet kështu një formë e dritës së  brendshme, një mënyrë për të kuptuar vetveten përmes asaj që mungon.

Lexuesi ndien një trishtim të ndritshëm, një lloj vetëdijeje që s’është e dhimbshme   ashpërsisht, por e butë, e nxehtë si frymë e dritës që shuhet ngadalë. Ai e sheh veten në këtë luftë midis dashurisë që lëndon dhe dëshirës për ta mbajtur të gjallë. Në heshtjen e vargjeve, ai përjeton peshën e një dashurie që vazhdon të jetojë edhe kur s’ka më trup, edhe kur mbetet vetëm kujtim. Poezia e lë lexuesin përballë një të vërtete që është sa e dhimbshme, aq dhe çliruese: se njeriu, sado të dojë, nuk mund ta mbushë plotësisht mungesën e tjetrit, apo boshësinë e vet. Kjo pamjaftueshmëri është në fakt fryma që e mban të gjallë shpirtin poetik; malli për një plotësi që s’arrihet kurrë. Sepse, në fund, njeriu jeton jo me atë që ka, por me atë që kërkon; dhe ky kërkim është fryma që e mban gjallë çdo dashuri, çdo art.

2. Në poezinë “Triptik…” të ndarë në tri rrafshe, Plangarica krijon një univers të qetë dhe të dhimbshëm, ku pritja dhe humbja nuk janë më kundërshti, por dy fytyra të së njëjtës ekzistencë. Ato frymojnë bashkë, si dritë dhe hije që s’e përjashtojnë dot njëra-tjetrën.

Që në hyrje, poetes i rrëzohet mbi supe pesha e një lodhjeje të pashmangshme:

“Sa lodhshëm më rënduakan humbjet!

Më kot i quajnë zbrazëti,

Mantel dëbore që po m’i thyen supet...”

ku, “manteli i dëborës” shndërrohet në metaforë të kujtesës së ftohtë, të përqafimeve që janë tretur në kohë. Është si një veshje e tejdukshme që e mbulon shpirtin, por nuk e ngroh dot. Dëbora nuk është më pastërti, por peshë, një heshtje e bardhë që e mban trupin pezull midis pranimit dhe dorëzimit. Në këtë pjesë të parë, lexuesi ndien dridhjen e ftohtësisë së kujtimeve, që nuk dëmtojnë më, por as nuk shërojnë; thjesht qëndrojnë, si një frymë që prek dhe ikën. Kujtimet janë si bora; nuk digjen, por ngelin mbi shpirt, të bardha e të ftohta, derisa një ditë kthehen në dritë.

Në pjesën e dytë, koha merr trajtë njerëzore, bëhet peshë që lëviz ngadalë në shpirt:

“Do shumë kohë të arrij gjysmë-shekullin,

Por mbart një shekull lamtumirash mbi vete.”

ku poetja e shfaq veten si qenie që jeton më shumë në kujtesë se në të tashmen. Koha s’është më kalim, por substancë që derdhet në çdo pore të qenies. Ajo nuk matet me vite, por me ndarje, me humbje, me heshtje të akumuluara. Dhe lexuesi, në këtë ndalesë të poezisë, e ndien vetminë si dritë të zbehtë që s’është as ngushëlluese, as therëse, por një prani e heshtur e përkohshmërisë sonë.

Në vijim, pritja fiton formë, bëhet qenie që merr frymë në trupin e poetes:

“Veç pritja gjurmon skutat e trupit tim

Dhe vazhdon gërmimin pa fund...”

dhe poezia arrin kulmin e saj filozofik. Pritja s’është më thjesht ndjesi; ajo është forca që e mban trupin gjallë, që gërmon në errësirë për të gjetur një dritë që nuk vjen. Lexuesi e përjeton këtë moment si një dridhje të thellë, jo trishtim të rëndë, por qetësi të pranimit, ndjesinë se çdo njeri është një udhëtar që pret diçka që nuk di ta emërtojë.

Në poezi, figurat ndërthuren me ritëm të brendshëm që i ngjan frymëmarrjes: “manteli”, “lavjerrësi”, “skutat e trupit  janë simbolet e qarkullimit të ndjesisë dhe të kohës, të jetës që rrjedh midis mungesës dhe kujtimit. Pas kësaj lexuesi mbetet përballë heshtjes. Por është një heshtje e dritës, e atij kuptimi që nuk kërkon më fjalë, sepse është ndjerë tashmë në thellësi: pritja nuk është boshësi, ajo është forma më e thellë e ekzistencës. Dhe poezia e Plangaricës na e kujton me butësi se shpesh, ajo që mungon, është më e pranishme se çdo gjë tjetër.

3. Te poezia “Rrekje”, Plangarica e çon fjalën në një dimension tjetër, në atë të kërkimit të vetes përmes tjetrit, më qartë të kërkimit të dashurisë që bëhet pasqyrë e brendshme e shpirtit. Këtu, dashuria, miti dhe kujtesa përzihen si tre rrjedha që takohen në një pikë drite dhe errësire njëkohësisht. Qysh në vargjet e para, ndjejmë një lëvizje të etur, një përpjekje që është më shumë shpirtërore se fizike:

“Terrinave të vargjeve të tua

Rrekem –

Me gjet një fill Klejde aty.”

Ky “fill” është fija e identitetit, filli i brishtë që lidh njeriun me kujtimin dhe me artin. Poetja rreket të gjejë veten në tjetrin, në një tekst që s’e zotëron plotësisht, në dashuri që ka humbur formën por jo jehonën. Kjo përpjekje është si gërmim i qetë në errësirë, ku çdo fjalë bëhet dritë që ndonëse nuk ndriçon plotësisht, tregon një orientim. Ndoshta ky është fati i çdo shpirti që kërkon dashurinë: të mos arrijë kurrë plotësisht, por të mos ndalë kurrë së kërkuari.

Figura e centaurit mitik e fut poezinë në një dimension simbolik të pasionit dhe fatit. Ai është qenie e dyzuar mitike gjysmë njeri, gjysmë kafshë, si vetë dashuria që lind nga instinkti (çfarë qasje madhore!), por kërkon frymë. Poetja e përjeton këtë si dhuratë të rrezikshme, një bukuri që e shkatërron dhe e ringjall njëkohësisht:

“Herë-herë m’duket se e diktoj një qerpik...

A thua imi të jetë?!

E herë një tunikë centauri

Që s’ka si të jetë imja!”

Lexuesi këtu ndien dridhjen e kërkimit, atë etje që nuk ka fund, ku njeriu nuk kërkon më tjetrin, por vetveten që është tretur në dashuri. Është një kërkim që s’ka zgjidhje, por që vetë mbajtja e etjes bëhet mënyrë për të jetuar. Në shërbim të kësaj, simbolet “manteli i kuq” dhe “ura” janë dy shenja kalimi: manteli si pasion dhe rrezikut, ura si tranzicion mes botëve; mes trupit dhe shpirtit, mes reales dhe mitikes. Këto figura nuk qëndrojnë veçmas, por ndërthuren, si të ishin një orë e brendshme e ndjesisë, ku çdo imazh lëviz në ritmin e frymës. Në fund, vargjet:

“Tanimë,

Veç u avitem fjalëve me buzë,

Se kam lirinë që çdo varg të ta puth!”

e çojnë poezinë drejt një çlirimi të heshtur. Fjalët nuk janë më shenja në letër, ato janë trup, frymë, prekje. Dashuria është bërë gjuhë, dhe gjuha është bërë mënyrë për të ndjerë. Lexuesi del nga kjo poezi me ndjesinë e një afërsie që nuk harroet kurrë. Është sikur dashuria dhe krijimi të jenë dy rrugë paralele që s’takohen plotësisht, por që ndriçojnë njëra-tjetrën në errësirë. “Rrekje” na mëson se kërkimi nuk është mungesë, por vetë forma më e thellë e ekzistencës, sepse vetëm ai që kërkon, vazhdon të jetojë brenda dritës së fjalës. Dhe ndoshta, si çdo qenie që kërkon vetveten në errësirë, edhe poezia e saj është një mënyrë për të mos humbur, për të mbetur dritë që endet në kërkim të kuptimit.

Në këto tri poezi; “E pamjaftueshme”, “Triptik” dhe “Rrekje” me një lidhje organike të brendshme, lexuesi gjendet si në një udhëtim të brendshëm, nga mungesa te pritja, e nga pritja te rrekja për vetveten. Ato janë tri faza të një ndërgjegjeje poetike që kupton se jeta nuk është plotësi, por etje për kuptim; dhe në këtë etje, poezia bëhet strehë, dritë, dhe rrëfim.

4.Pa bëzajt”, heshtja merr zë, bëhet frymë dhe formë e komunikimit më të thellë dhe pikërisht këtu Klejda Plangarica krijon një univers ku fjala mungon, por prania shpërthen. Që në fillim, ndërtimi i vargjeve si përsëritje mantrike:

“Ai është buzëqeshje”,

“Ai është vështrim”,

“Ai është kripë” —

e vendos poezinë në ritëm të qetë, rrethor, sikur çdo përsëritje të ishte një frymëmarrje e re e ndjenjës. Ky “Ai” nuk është thjesht një njeri, por një prani universale, një përmasë e padukshme e dashurisë që endet nëpër trup dhe shpirt, që është kudo, por asnjëherë e zëshme.

Në vargun: “Pa bëzajt / Hiç, asnjë shkrepje!” mungesa e tingullit është në vetvete muzikë e brendshme. Sepse ndonjëherë, ajo që s’thuhet, ka më shumë zë se britmat e botës. Heshtja bëhet jehonë, bëhet forca që përmban çdo dridhje, çdo trullosje, çdo prekje të padukshme. Poetja arrin këtu një ekuilibër të rrallë mes ndjenjës dhe formës, ku vargu nuk përpiqet të shpjegojë, por të përcjellë ritmin e një fryme që endet mes qetësisë dhe shpërthimit.

Figurat poetike luajnë mes kundërshtish: “kripë” dhe “frymë”, “gjumi” dhe “shpërthimi”, “heshtja” dhe “rrokullisja”. Këto nuk janë thjesht kontraste, por lëvizje brenda ndjenjës, valë që prekin njëra-tjetrën dhe e zmadhojnë përvojën poetike. Ato e bëjnë tekstin të marrë frymë, si një det që s’ka nevojë për zhurmë për të treguar fuqinë e tij.

Poezia mbyllet me një kthesë plot dritë, një përfundim që përmban në vete një zbulim të qetë filozofik:

“Ai nuk bëzan, por nuk është heshtje!

Është rrokullisje, trullosje, shpërthim…

Thellë meje.”

ku, dashuria dhe jeta shfaqen si energji që nuk kanë nevojë për zë, pse ato ndodhin në heshtje, në brendësi të qënies. Fjala është tejkaluar; mbetet vetëm përvoja e dritës që nuk flet, por ndriçon.

Madje lexuesi, në përballje me këtë poezi, nuk dëgjon asgjë, por ai ndien gjithçka. Ai ndien se në heshtje lëviz diçka e gjallë, diçka që rrokulliset në shpirt dhe e bën të kuptojë se jo çdo ndjenjë kërkon shprehje, dhe jo çdo dashuri ka nevojë të thuhet. Se shumë gjëra thuhen në heshtje, siç flet heshtja e poezisë së Plangaricës: jo zbrazëti, por frymë që pushon mbi botën si dritë, ku çdo shpërthim është i brendshëm dhe çdo fjalë, e heshtur, është më e fortë se zëri vetë.

5. Poezia “Gatitu”, sjell një përjetim që përzihet mes pritjes dhe frymës së detit; një pritje që s’është thjesht emocionale, por është një gjendje shpirtërore e plotë. Ajo i drejtohet “ojnikut”, puhizës detare, si një qenie të gjallë, si një frymë që prek dhe pastaj largohet, duke lënë pas një mungesë të ndjeshme:

“Hej, këtu jam!

Gatitu!

Në pritje të atij ojniku

që zbret një çast mes zhegu

dhe lë si vragë nga pas

një mungesë të gjatë sa një breg…”

Kjo thirrje është një lutje e qetë, një bashkëbisedim me natyrën dhe me vetveten. Ritmi i vargjeve lëviz si dallgët, ndërsa fjalët përmbajnë frymën e një rituali të brendshëm: pritja shndërrohet në një mënyrë të të jetuarit, në një përpjekje për të ndjerë frymën e tjetrit përmes erës, ujit, kujtesës.

Figura e “vragës” është ndër më të bukurat e poezisë, ajo mbart brenda saj dhimbjen e mungesës, por edhe shenjën e përjetësisë. Një vragë mbetet gjithmonë: ajo nuk është vetëm plagë, por kujtesë e asaj që ka ndodhur. Ndoshta jeta s’është gjë tjetër veçse një breg ku dallgët e kujtesës lënë shenjat e tyre. Në kontrastin mes “ngricës” dhe “zhegut”, poezia vendos jetën mes dy poleve të ekzistencës: ftohtësia e vetmisë dhe zjarri i dashurisë. E pikërisht midis tyre lëviz fryma e Plangaricës, duke kërkuar ekuilibrin që s’gjendet kurrë plotësisht.

Lexuesi, përballë kësaj poezie, ndien një trishtim të ngrohtë, një mall të butë, si një valë që kthehet gjithmonë në breg. Ai e ndien frymën e detit që përzihet me frymën e shpirtit, dhe për një çast, pushon së prituri, sepse kupton se pritja vetë është jeta.

6.  Muza” e Plangaricës na fton të shohim marrëdhënien e saj me frymëzimin si një raport të hollë dhe të ndjeshëm midis trupit dhe shpirtit, midis dritës dhe frikës, ftesë që e bën gati çdo poet në një kohë të jetës dhe krijimtarisë së tij. Në poezinë e Klejdës, muza nuk është figurë ideale ose abstrakte; ajo është një qenie e gjallë, me ndjeshmëri të hollë, që mund të shfaqet dhe zhduket papritmas:

“E lakuriqtë karshi tij … si rrallëherë

U fanit

Po flatrat ngjeshur pas shpine ai s’ia pa

Sytë shigjetuan të vetmin nishan mbi gji,

As frymë, as bulëza, as shkëndijë!

Iu druajt zhegut, regëtimës … Ai!

E deshi vetëm me një stinë!”

Këtu, akti i krijimit shfaqet si zhveshje e shpirtit, si një hapje ndaj fuqisë që mund të djegë nëse i afrohemi shumë. Vargjet ngjallin ndjesinë e një ngacmimi të brendshëm, ku frymëzimi është i çmuar, por gjithashtu i brishtë dhe kalimtar. Figura e “një stine” është thellësisht simbolike: ajo na kujton se çdo ndjenjë, çdo frymëzim dhe bukuri është kalimtare, një moment i rrallë që digjet shpejt, por lë pas aromën e dritës dhe mallin për të mbajtur brenda vetes atë ndjesi. Por ndoshta pikërisht përkohshmëria e bën çdo frymëzim të pavdekshëm. Në këtë kuptim, lexuesi ndien se krijimi është një akt dashurie që lëndon, një fluturim që nuk kthehet gjithmonë, një përzierje mes magjisë dhe frikës.

Poezia i ofron lexuesit një përvojë të shenjtë dhe intime: të ndjejë brenda shpirtit, jo thjesht të kuptojë me logjikë. Ajo e bën lexuesin të ndiejë se çdo frymëzim është një dhuratë e brishtë, një valë dritë që duhet pranuar, përjetuar dhe lënë të shkojë. Në këtë mënyrë, “Muza” bëhet një reflektim mbi ndjeshmërinë e poetikes, mbi pasionin që shfaqet vetëm kur guxojmë të hapim zemrën ndaj zjarrmit dhe qetësisë njëkohësisht.

7. “Gjëmim” krijon një botë ku tingulli dhe heshtja ndërthuren, duke dhënë një përvojë pothuajse mistike të përjetimit. Gjëmimi nuk është vetëm zhurmë e detit, por një mesazh i fshehtë, një gjuhë që përkthen drithërimën e natyrës dhe të shpirtit:

“I pazhurmshëm ky gjëmim!

Shkëndija drite fluturojnë mes valësh,

pa përplasje krahësh.

 

Deti gjëmon,

por veç përgjysmë mbërrijnë në breg

rënkime pulëbardhash në terr.

 

Oshtima pret prekjen…

që ta përkthejë drithërimën

në gjuhën e vet!”

Figura e shkëndijës që fluturon mes valëve krijon një kontrast mes forcës dhe butësisë, ndërsa deti dhe pulëbardhat shprehin një ekuilibër të brishtë midis qetësisë dhe tensionit. Gjëmimi, për lexuesin, bëhet një horizont përjetimi, ku çdo tingull dhe heshtje kanë peshë të barabartë, ku çdo dridhje ka kuptim.

Në vargje, lexuesi ndien pushtetin e heshtjes, që nuk është boshllëk, por një gjendje e mbushur me jetë e ndjenja. Sepse edhe heshtja, në thelb, është një mënyrë për të dëgjuar zemrën e universit. Ai përjeton se, forca më e madhe e ekzistencës fshihet në ato çaste ku asgjë nuk thuhet, ku çdo tingull, çdo përplasje e ujit dhe dridhje e pulëbardhave ndjehet me të gjithë qenien. “Gjëmim” është një përvojë poetike që i lejon lexuesit të ndjejë natyren dhe vetveten si një tërësi, të ndjejë qetësinë e fuqishme që vjen nga prania e asaj që nuk mund të kapet plotësisht. Në këtë mënyrë, poezia i sjell lexuesit një ndjesi të thellë metafizike: gjëmimi bëhet heshtja që flet, dhe heshtja bëhet gjëmimi që ndriçon brendësinë.

II- Klejda Plangarica është një poete e ekuilibruar dhe refleksive, që lëviz mes ndjesisë dhe mendimit, duke krijuar një poezi ku ekzistencializmi, simbolizmi dhe modernizmi bashkohen në harmoni. Poezitë e saj, si ato të ciklit “Veç pritja gjurmon skutat e trupit tim”, shpalosin një shqetësim të thellë për mungesën, pritjen, dashurinë dhe kohën, duke e shndërruar përvojën estetike në një udhëtim të brendshëm filozofik.

Siç dhe e pamë vetë në ciklin që analizuam,  në krijimtarinë e saj, temat si pritja, pamja-ftueshmëria, rrekja, heshtja dhe frymëzimi nuk shfaqen si episode të veçuara, por si një rrjedhë e pandërprerë ku çdo ndjesi lidhet me tjetrën. Poezia e Plangaricës krijon një vijë të brendshme shpirtërore, ku lexuesi ndjek një udhëtim emocional pa ndërprerje, dhe çdo metaforë, figurë apo heshtje bëhet pjesë e një universi të gjallë e të ndjeshëm.

Modernizmi i saj është i brendshëm dhe i qetë, i shfaqur përmes një gjuhe të përmbajtur dhe një ritmi që nuk zbukuron, por zbulon. Ajo ndërton një univers personal, ku koha dhe ndjenja ndërthuren në fragmente të ndritshme, duke krijuar hapësira ku lexuesi ndjen veten në çdo varg.

Në këtë dimension poetik, Plangarica qëndron në një dialog të heshtur me modernizmin europian; me ndjeshmërinë metafizike të Rilkes, përqendrimin në thellësinë e fjalës që kujton Celanin, dhe reflektimin kohor që i afrohet frymës së Eliot-it. Por ndikimet e saj nuk janë imitime; ato treten natyrshëm në një poezi që mbetet thellësisht shqiptare dhe njerëzore.

Një nga tiparet më të veçanta të poetikës së saj është heshtja si akt krijimi. Në poezitë“Pa

bëzajt” dhe “Gjëmim”, ajo, heshtja  nuk është mungesë, por prani; një mënyrë për të dëgjuar veten dhe për të reflektuar mbi qenien. Kjo prirje e afron Plangaricën me poetët bashkëkohorë europianë, që shohin në boshllëk një formë të re të të folurit poetik.

Në poezinë shqipe, ajo zë një vend të veçantë si zë meditativ, që nuk kërkon të tronditë, por të ndriçojë brendësinë. Plangarica ndërthur reflektimin mbi kohën, dashurinë dhe mungesën me një ndjeshmëri estetike të rafinuar, duke e vendosur veten në një dialog të natyrshëm midis traditës sonë dhe poezisë moderne europiane. Poezia e saj nuk shpreh thjesht ndjenja, por krijon një univers ku çdo varg është një hap drejt shikimit të vetvetes. Pritja, pamjaftueshmëria, rrekja dhe heshtja bëhen mjete për të kapur çaste që fjala mezi i përmban. Në këtë hapësirë dridhjesh, Plangarica ndërton një dialog të vazhdueshëm mes lexuesit dhe vetes poetike – një dialog që mbetet thellësisht modern, njerëzor dhe filozofik. Poezia e Klejda Plangaricës na kujton se njeriu nuk jeton për të gjetur përgjigje, por për të dëgjuar heshtjen e pyetjeve që i japin kuptim jetës.

Sarandë, Nëntor 2025

 

KLEJDA PLANGARICA

VEÇ PRITJA GJURMON SKUTAT E TRUPIT TIM

( cikël poetik )

 

E PAMJAFTUESHME

 

Më shtyp pamjaftueshmëria ime,

si hapat e fundit në dëborën e prillit…

Përplaset dyshueshëm mungesa mbi mua:

 

Nuk mjafton dëbora apo gjurmët?

 

E pamjaftueshme jam unë për dimrin,

që kurrë s’mësova ta pranoj siç është.

Ia desha borën (sa shumë!)…Por e shkela…

Tani, hakmarrshëm, çdo prill më shkel ajo.

 

E pamjaftueshme për ty, për ne!

Nuk kam më bore për ta mbush paplotësinë tënde

Tkurrem gjithë kohës të mbuloj zgavrat bosh,

përmes zbrazëtisë shoh dashurinë që shembet!

 

(2012)

 

𝐓𝐑𝐈𝐏𝐓𝐈𝐊 - 𝐏𝐄𝐑 𝐇𝐔𝐌𝐁𝐉𝐄𝐍 𝐃𝐇𝐄 𝐏𝐑𝐈𝐓𝐉𝐄𝐍...

 

Sa lodhshëm më rënduakan humbjet!

Më kot i quajnë zbrazëti

Mantel dëbore që po m'i thyen supet

Mbeta amalgamë pritjesh...

 

Do shumë kohë të arrij gjysmë-shekullin,

Por mbart një shekull lamtumirash mbi vete

Çdo natë prek gjurmët e të dikurshmëve

Qe ikjeve enden si lavjerrës

Pa u ndalur kund...

 

Këtu ku jam nuk pres askënd

Atje ku isha s’më pret askush,

Veç pritja gjurmon skutat e trupit tim

Dhe vazhdon gërmimin pa fund...

 

( Gusht, 2015)

 

𝐑𝐑𝐄𝐊𝐉𝐄

 

Terrinave të vargjeve të tua

Rrekem -

Me gjet një fill Klejde aty.

Herë-herë m'duket se e diktoj një qerpik...

A thua imi të jetë?!

E herë një tunikë centauri*

Që s'ka si të jetë imja!

 

Plot ditë, ngarenda drejt teje

Me një mantel të kuq mbi supe

Dhe stepesha mbi urë...

Tanimë,

Veç u avitem fjalëve me buzë,

Se kam lirinë që çdo varg të ta puth!

 

*Tunika/manteli i centaurit – Simbol i një dhurate fatale, përmes së cilës gjeti vdekjen Herkuli në mitologjinë greke.

 

(Maj, 2020)

 

PA BËZAJT

 

Ai është buzëqeshje

Shpon tejpërtej mjegullat rreth meje

Pa bëzajt

Hiç, asnjë shkrepje!

 

Ai është vështrim

E rrokullis si zhongler rruzullin tim

Pa bëzajt

Hiç, asnjë pëshpërimë!

 

Ai është kripë

M'i shpërthen një e nga një receptorët

Pa bëzajt

Hiç, asnjë pikë!

 

Ai është frymë

Më përvidhet si ikacak anekënd trupit

Pa bëzajt

Hiç, asnjë grimë!

 

Ai është gjumë

Më nanuris, më trullos e shpie në shtegtim

Pa bëzajt

Hiç, asnjë çikë...

 

Ai nuk bëzan, por nuk është heshtje!

Është rrokullisje, trullosje, shpërthim...

Thellë meje

 

(dhjetor 2020)

 

𝐆𝐀𝐓𝐈𝐓𝐔

 

Hej, këtu jam!

Gatitu!

Në pritje të atij ojniku*

që zbret një çast mes zhegu

dhe lë si vragë nga pas

një mungesë të gjatë sa një breg...

 

Hej!

Duku, pra!

A është ngricë a zheg?

Prej kur u fanite

s'e kuptoj më dritën,

prej dielli është, a prej bore?

 

Hej, vego pra!

Derdhe atë baticë fryme,

atë lëngështim prej drite…

Vërshimin të më mbështjellë pres,

gishtat e tu prej ojniku

ta hedhin reve të okërta

këtë balonë që dergjet në breg...

 

*𝘖𝘫𝘯𝘪𝘬 - 𝘌𝘳ë 𝘦 𝘭𝘦𝘩𝘵ë 𝘥𝘦𝘵𝘪, 𝘱𝘶𝘩𝘪 𝘥𝘦𝘵𝘪.

 

(5 shkurt 2022)

 

MUZA

 

E lakuriqtë karshi tij … si rrallëherë

U fanit

Po flatrat ngjeshur pas shpine ai s’ia pa

Sytë shigjetuan të vetmin nishan mbi gji,

As frymë, as bulëza, as shkëndijë!

Iu druajt zhegut, regëtimës … Ai!

E deshi vetëm me një stinë!

 

(Korrik, 2022)

 

GJËMIM

 

I pazhurmshëm ky gjëmim!

Shkëndija drite fluturojnë mes valësh,

pa përplasje krahësh.

 

Deti gjëmon,

por veç përgjysmë mbërrijnë në breg

rënkime pulëbardhash në terr.

 

Oshtima pret prekjen…

që ta përkthejë drithërimën

në gjuhën e vet!

 

(18.09.2025)

 

 

Wednesday, 22 October 2025

 

REALIZMI MAGJIK NË NJË POEZI TË SADIK BEJKOS

 

Nga Timo Mërkuri

Edhe në letërsinë shqipe, realizmi magjik është i pranishëm, sidomos në vepra të nivelit të lartë artistik. Realizmi magjik përzien të zakonshmen me të jashtëzakonshmen, duke krijuar një realitet ku ëndrra dhe jeta treten butësisht si mjegulla në mëngjes. Siç ndodh në veprat e Márquez apo Allende, realizmi magjik i jep jetës së zakonshme një dimension të fshehtë, ku mrekullia bëhet pjesë natyrore e realiteti . Në thelb, realizmi magjik është një përpjekje për të treguar se jeta nuk përmblidhet vetëm në dukuri të matshme; përtej syve ekziston një dimension i padukshëm, ku ndjenjat, kujtesa, dhe ëndrrat ndërtojnë një realitet po aq të vërtetë sa ai fizik. Letërsia e tillë e shtrin dorën drejt misterit, drejt së padukshmes, pa u larguar nga toka, duke i dhënë botës së përditshme një dritë të re, dritën e mrekullisë njerëzore. Sepse në fund të fundit, realizmi magjik nuk është vetëm një mënyrë shkrimi, është një mënyrë e të parit të botës, ku njeriu e ndjen se jeta nuk mbaron në dukje, por vazhdon të fshehur në kujtime, në ëndrra, në frymën që i jep kuptim çdo të zakonshmeje.

I-Në poezinë “Babai në mbrëmje” të Sadik Bejkos, realizmi magjik shfaqet si mënyrë e thellë për të ndërthurur botën e dukshme me atë të padukshme, për ta bërë realitetin e përditshëm të marrë frymë me mister dhe ndjenjë. Këtu, mbrëmja, pemët, udhët, madje edhe babai vetë, janë pjesë e një universi që flet me tone të përziera mes reales dhe së mbinatyrshmes, një realitet që është njëkohësisht tokësor dhe shpirtëror.

1. Mbrëmja si qenie që ha e kafshonQysh në vargun e parë, poeti e shndërron mbrëmjen në një qenie të gjallë:

“Mbrëmja ha tinëz. Tej kafshon qafa malesh,

 korijet, varganin e kodrave...”

Në këtë mënyrë, poeti e animon natyrën, e vesh me ndjenja njerëzore dhe sjell një realitet të dyfishtë: ai që shohim dhe ai që ndjejmë . Mbrëmja nuk përshkruhet si ndërrim drite, por si një krijesë që “ha” dhe “kafshon”. Ajo është e gjallë, e frikshme, por edhe poetike. Këtu, një dukuri e zakonshme, errësimi  merr dimension mitik e metafizik. Është si të shohësh natyrën që merr frymë bashkë me njeriun, sikur çdo gjë përreth të ketë një shpirt të vetin. Në këtë bashkëfrymë, Bejko na kujton se edhe errësira mund të ketë dritë, nëse di ta dëgjosh. Në këtë mënyrë, poeti e animon natyrën, e vesh me ndjenja njerëzore dhe sjell një realitet të dyfishtë: ai që shohim dhe ai që ndjejmë.

2. Drurët që udhëtojnë dhe pemët që nxjerrin tym. Bejko e vazhdon magjinë duke i dhënë lëvizje e frymë sendeve të palëvizshme:

“...dhe drurë që ende udhëtojnë edhe tej

dhëmbëve në grykë ujku të murrët.”

Këtu, drurët nuk janë më pjesë e një peizazhi të qetë; ata udhëtojnë, kalojnë nëpër territore të rrezikshme, gjer “në grykë ujku”. Lëvizja e tyre e imagjinuar krijon një vizion fantastik, por në të njëjtën kohë simbolik: ajo flet për shpirtin njerëzor që udhëton mes rreziqeve të natës, mes të panjohurës. Edhe më tej, kur poeti thotë:

Pemë kopshti tre metra më tej nxjerrin tym,

në pahun e tij mbështillen, që të mashtrohet mbrëmja.”

ndodh një përmbysje e bukur e reales. Pema nxjerr tym, sikur të ishte një njeri që merr frymë apo digjet nga brenda. Ky tym nuk është zjarr, por një mënyrë për të “mashtruar mbrëmjen”  pra, për të mbrojtur jetën nga errësira. Është një gjest njerëzor brenda natyrës, një përpjekje për ta ruajtur dritën, për ta mbajtur shpirtin gjallë përballë ftohtësisë së natës. Në këtë “tym” poetik ndjejmë frymën e qëndresës së butë, të njeriut që nuk dorëzohet përballë humbjes. Kështu, objekti i zakonshëm gjallërohet dhe bëhet pjesë e përpjekjes për t’i qëndruar errësirës.

3. Njeriu që maskohet, një metafora e fshehjes.  Në vijim, poeti ndërton një krahasim plot ironi të lehtë dhe ndjesi njerëzore:

“Kështu një njeri lë mjekër e pandeh se ti nuk e sheh,

të shkon para sysh si i kycur, si dera e mbyllur nga brenda.”

Edhe këtu, gjuha mbetet e dyfishtë. Nga njëra anë është përfytyrimi real i njeriut që lë mjekër për t’u fshehur; nga ana tjetër, krahasimi “si dera e mbyllur nga brenda” e fut në sferën e simbolit, njeriu bëhet një objekt i mbyllur, një enigmë që ruan diçka brenda vetes..

4. Zëri i babait që udhëton përtej linjave është mrekullia më e thellë:

“Babai im plak nga larg më dërgon zërin

në telefon e fshihet tej nën linjat e hirta.”

Zëri, që në realitet është valë elektrike, këtu bëhet një krijesë që udhëton përmes mjegullës. Ai “fshihet”, pra ka vetëdije, ka ndjenjë. Dhe menjëherë, poeti e tejkalon komunikimin fizik, duke e kthyer në lidhje shpirtërore:

“Nuk e dika ai që ende udhëton në enët e gjakut tim,

nëpër fijet e flokëve të mi

gjer te rrënjët e thinjëta?”

Babai nuk është më në anën tjetër të telefonit, ai është brenda poetit, në gjakun dhe thinjat e tij. Kjo është magjia më njerëzore e poezisë, ajo që kthen mungesën në prani, distancën në afërsi, zërin në frymë që endet nëpër damarët e jetës. Kështu, dashuria për babanë kthehet në një formë e përjetshme të të qenit. Kjo është shenja më e qartë e realizmit magjik: kufiri mes jetës dhe kujtesës, mes trupit dhe shpirtit, mes së gjallës dhe së përtejmes, është fshirë. Ndjenja e dashurisë për babanë e bën real atë që duket i largët.

Në këtë poezi, Sadik Bejko krijon një botë të gjallë dhe përjetësisht lëvizëse, ku çdo element i natyrës dhe i jetës njerëzore përfshihet në një qark magjik të ekzistencës. Mbrëmja që ha, pemët që tymosin, drurët që udhëtojnë, zëri që endet nëpër gjak, të gjitha këto janë shenja të një realizmi poetik ku realiteti ndriçohet nga brenda, nga ndjenja dhe kujtesa. Kjo poezi është një hymn i butë për lidhjen e përjetshme mes birit dhe atit.

II-Në poezinë e Sadik Bejkos, realizmi magjik nuk është e vetmja rrymëz që pulson në vargje. Brenda këtij krijimi gërshetohen në mënyrë të natyrshme edhe simbolizmi dhe ekspresionizmi, të cilat bashkë me realizmin magjik formojnë një unitet poetik të thellë e të ndjerë. Këto rryma nuk qëndrojnë të ndara, por shkrijnë kufijtë mes tyre, ashtu siç mbrëmja në poezi shkrin kufirin mes dritës dhe errësirës.

1. Realizmi magjik  ose ndjesia e jetës që vazhdon përtej reales

Në qendër të poezisë qëndron fryma e realizmit magjik, ku e përditshmja merr ngjyrim të mbinatyrshëm, por pa humbur rrënjët tokësore.

Mbrëmja ha tinëz. Tej kafshon qafa malesh…” Kjo nuk është më thjesht një përshkrim i natës; është gjallërim i saj. Mbrëmja bëhet një qenie që ha, që lëviz, që ka instinkte. Poeti nuk e sheh botën si diçka të ndarë nga njeriu, përkundrazi, gjithçka është një organizëm i përbashkët, i përshkuar nga jeta. Vargu :“Nuk e dika ai që ende udhëton në enët e gjakut tim…” përmbledh frymën e realizmit magjik: prania e babait nuk është vetëm kujtim, por jetë që qarkullon brenda poetit.

2. Simbolizmi: mbrëmja si metaforë e humbjes dhe e afrimit shpirtëror

Në thellësi të kësaj poezie vepron një prirje e qartë simboliste. Gjithçka që duket konkrete bart një kuptim të dytë, të fshehur, shpesh emocional e filozofik. Mbrëmja nuk është vetëm pjesa e ditës që bie, ajo është koha e ndarjes, e heshtjes, e kthimit brenda vetes dhe errësira, bijë e natës që “ha tinëz” mund të shihet si metaforë e harresës, e kohës që kafshon kujtimet, por edhe si një mbulesë e dhembjes që bie mbi njeriun.

“Pemë kopshti tre metra më tej nxjerrin tym,

në pahun e tij mbështillen, që të mashtrohet mbrëmja.”

Edhe këtu tymi është simbol, ai është fryma e jetës që përpiqet të mbetet ndezur përballë errësirës, është në fakt kujtesa që ngrohet, dashuria që nuk shuhet.

Kjo poezi flet nëpërmjet shenjash e imazhesh që nuk kërkojnë kuptim të drejtpërdrejtë, por të përjetohen me ndjesi, tipar ky, i pastër simbolist.

3. Ekspresionizmi – emocion i derdhur në figurë

Në disa vargje, sidomos në pjesën përfundimtare, ndjesia shpërthen me intensitet të brendshëm, pa u rregulluar nga logjika apo ndërtimi i ftohtë: “Nuk e dika ai që ende udhëton në enët e gjakut tim,/nëpër fijet e flokëve të mi/gjer te rrënjët e thinjëta?” Këtu ndjejmë shpërthimin e emocioneve, një lloj dhimbjeje e përmbajtur që kërkon rrugë-dalje. Ekspresionizmi poetik i Bejkos qëndron në mënyrën se si ndjenja bëhet figurë, si gjaku, flokët e thinjat kthehen në rrugë të kujtesës. Ai nuk përshkruan thjesht mallin për babanë, por e përjeton atë përmes trupit dhe frymës. Ky përjetim trupor i ndjenjës është thelbi i ekspresionizmit në poezi.

4.Poezia “Babai në mbrëmje” është një bashkëtingëllim i tre frymërave poetike: realizmit magjik, që e gjallëron realitetin dhe e mbush me mrekulli të heshtura; simbolizmit, që e vesh çdo imazh me domethënie të fshehtë; dhe ekspresionizmit, që shpërthen në ndjenjë të pastër, njerëzore, pa kufi. Në këtë shkrirje rrymash, Sadik Bejko krijon një poezi që të ngroh si kujtesë dhe të trondit si ndjenjë. Ai e bën jetën e përditshme të marrë frymë me magji, me mall e me kujtim, si në një botë ku“babai ende udhëton në enët e gjakut tim…”  një botë ku dashuria dhe kujtesa nuk njihen nga vdekja, por nga drita që vjen prej mbrëmjes vetë.

5.Në poezinë “Babai në mbrëmje” të Sadik Bejkos, ndër rrymat që gërshetohen; realizmi magjik, simbolizmi dhe ekspresionizmi, rryma që dominon është realizmi magjik. Kjo ndjehet që në vargjet e para dhe mban frymë në çdo detaj të poezisë. Në vargun “Mbrëmja ha tinëz. Tej kafshon qafa malesh...”poeti nuk përshkruan rënien e natës, por i jep asaj jetë, ajo “ha” e “kafshon”, bëhet një qenie e gjallë. Kështu, realiteti i zakonshëm fiton frymë magjike, por mbetet i besueshëm, i prekshëm. Edhe më tej, poeti ruan këtë magji në marrëdhënien e birit me atin: “Babai im plak nga larg më dërgon zërin/në telefon e fshihet tej nën linjat e hirta.”

Komunikimi përmes telefonit, një fakt i zakonshëm teknik, kthehet në përvojë shpirtëro-re,  zëri udhëton nëpër “linjat e hirta”, si në një rrugëtim mes dy botësh. Dhe kulmon në vargun që përmbledh gjithë thelbin e realizmit magjik:“Nuk e dika ai që ende udhëton në enët e gjakut tim...” Këtu, prania e babait tejkalon kufirin fizik. Ai është i gjallë në kujtesë , në ndjenja, në gjak, pra në magjinë e brendshme të jetës që s’mbaron.

Pra, në këtë poezi të Bejkos  realizmi magjik është shtylla që e mban atë. Simbolizmi dhe ekspresionizmi janë si ngjyra ndihmëse, i japin dritë dhe lëvizje, por pikërisht realizmi magjik e bën atë të marrë frymë, të jetojë mes reales dhe të përte-jmes. Poezia është, në thelb, një udhëtim në botën ku dashuria njerëzore shndërrohet në magji ,aty ku babai, edhe pse larg, “ende udhëton në enët e gjakut.”

Në fund, poezia “Babai në mbrëmje” shfaqet si një shembull i përkryer i realizmit magjik, ku e përditshmja dhe e mbinatyrshmja nuk përplasen, por shkrijnë kufijtë mes tyre. Përmes imazhit të mbrëmjes, që nuk është thjesht çast ndarjeje, por portë për në një botë tjetër të ndritshme, Bejko e kthen kujtimin në prani dhe mallin në dritë. Kjo është vlera më e thellë e realizmit magjik në poezinë e tij: aftësia për ta bërë shpirtëroren të ndjeshme, të prekshme, për ta sjellë të përtejmen brenda frymës njerëzore. Në këtë mënyrë, fjala poetike bëhet vendtakim midis tokësores dhe hyjnores — aty ku babai nuk ikën, por vazhdon të jetojë në gjakun, në kujtesën dhe në fjalën e poetit.

 

Sarandë, tetor 2025

 

Sadik Bejko

BABAI NË MBRËMJE

 

Mbrëmja ha tinëz. Tej kafshon qafa malesh,

korijet, varganin e kodrave, udhët

dhe drurë që ende udhëtojnë

edhe tej dhëmbëve në grykë ujku të murrët.

 

Pemë kopshti tre metra më tej nxjerrin tym,

në pahun e tij mbështillen, që të mashtrohet mbrëmja.

Kështu një njeri lë mjekër e pandeh se ti nuk e sheh,

të shkon para sysh si i kycur,

si dera e mbyllur nga brenda.

 

Babai im plak nga larg më dërgon zërin

në telefon e fshihet tej nën linjat e hirta.

 

Nuk e dika ai që ende udhëton në enët e gjakut tim

nëpër fijet e flokëve të mi

gjer te rrënjët e thinjëta?

Monday, 20 October 2025

 

 

NË PERANDORINË E VOGËL TË NATASHA LAKOS

 

Nga Timo Mërkuri

I- Në poezinë “Unë dhe perandoria ime e vogël”, Natasha Lako ndërton një univers të brendshëm ku përzihen ëndrra dhe realiteti, madhështia dhe thjeshtësia, reflektimi dhe ironia. Ajo e sheh jetën si një lojë të butë dhe të pafund, ku njeriu sundon jo përmes pushtetit, por përmes dashurisë dhe krijimit. Kjo poezi, përfaqëson aktin poetik të transformimit të botës së madhe në një “perandori të vogël” shpirtërore, ku fjala, tingulli dhe drita bëhen mënyra më njerëzore për të gjetur qetësinë e brendshme.

Shihni sa e bukur është mënyra si Lako  ndërton  perandori të vogël” të saj, një mbretëri intime, ku lodra, ëndrra dhe fjala bëhen mjet për të përkufizuar vetveten përballë botës së madhe. Dhe këtë poetja e realizon me një ton të butë, lozonjar e megjithatë thellësisht serioz:

“Unë dhe perandoria ime e vogël.

Të dua si një lodër pa fund.”

Kjo “lodër pa fund” është jeta vetë, ajo që njeriu e "luan" çdo ditë për ta bërë të durue-shme, për ta mbushur me kuptime të reja dhe me fantazi. Në këtë lojë të butë e të përjetshme, njeriu nuk kërkon të fitojë, por të mos humbasë vetveten, dhe ndoshta, kjo është fitorja më e ndritshme e shpirtit njerëzor.Në vend të “floririt” të mbretëreshës së Spanjës, ajo dëshiron “një majë mali me borë të përjetshme”, një imazh i pastërtisë, i qetësisë, i idealit që nuk blihet.Nëpërmjet një ironie të ëmbël moderniste, poetja flet për kufizimet e njeriut modern që, megjithëse ëndërron, e di se edhe fantazia ka kufijtë e vet:“Një kufizim i vërtetë fantazie.”

Tingujt e trumbetës që dalin “nga bisedat e mia të përditshme” janë metafora e jetës moderne, ku zhurma e zë përditëshmes zëvendëson frymën e ëndrrës. Megjithatë, edhe pas këtij  zëvendësimi poetja ruan harmoninë: ajo nuk e mohon botën, por e transformon atë përmes artit, duke e kthyer në muzikë, në ritëm, në frymë.

Në fund, poetja arrin një qetësi të brendshme që lind nga akti i krijimit,  i kthen malet e paarritshme të botës në male shqiptare, të afërta dhe të dashura, duke i bërë të vetat:

“Unë vë në gjunjë Himalajën.

E bëj Korab, e bëj Tomorr dhe qetësohem.”

Ky është momenti i triumfit të brendshëm, jo i pushtetit, por i shpirtit. Në këtë “perando-ri të vogël”, poetja sundon me dashuri, me mendim, me ëndërr.

II-Në poezi Lako përdor një varietet figurash artistike dhe mesazhesh që ndërveprojnë për të krijuar një univers poetik të plotë dhe të ndjerë..

1. Simbolet e poezisë:

a.Himalaja është  simbol i madhështisë, i ëndrrës së paaritshme e fuqisë së brendshme: “Unë vë në gjunjë Himalajën.”

b.Korab dhe Tomorr janë simbole të identitetit dhe krenarisë kombëtare; madhështia globale e Himalajës shndërrohet në përmasat e njohura dhe të dashura shqiptare.

c.Perandoria e vogël është simbol i hapësirës intime, të brendshme, ku sundon njeriu mbi vetveten, ëndrrën dhe qetësinë shpirtërore:“Unë dhe perandoria ime e vogël./Të dua si një lodër pa fund.”

2. Metaforat:

a.“Të dua si një lodër pa fund” është metaforë për dashurinë dhe jetën që mund të luhet, eksplorohet dhe çmohet pa kufi.

b.“Një kufizim i vërtetë fantazie” është metaforë për kufijtë e ëndrrës dhe përvojës njerëzore, që tregojnë se edhe imagjinata ka ligjet e veta.

3. Personifikimi

a“Tingujt e trumbetës  personifikohen si ritëm dhe gjallëri e jetës së përditshme, që

shndërrohet në muzikë poetike:“Po vazhdoj të zëvendësoj fantazinë me ritmin e tingujve të trumbetës,/që del nga bisedat e mia të përditshme.”

4. Ironia dhe kontrasti:

a.Ironia shfaqet kur poetja kundërvë ambicien e jashtme dhe ëndrrën intime: “Njerëzit zakonisht lakmojnë diçka që e dinë,/ashtu si mbretëresha e Spanjës, që kur kërkonte kontinentin, pati ëndërruar floririn.” Kjo i jep poezisë ironi dhe refleksion filozofik, duke theksuar se ajo kërkon jo lavdi, por qetësi dhe përjetim shpirtëror.

5. Në poezinë  e Natasha Lakos, ndërthurja e figurave artistike;  simboleve, metaforave, personifikimeve, ironisë e kontrasteve  krijon një rrjetë imazhesh të gjalla, ku bashkëjeto-jnë madhështia dhe thjeshtësia, universi dhe përditshmëria, ëndrra dhe vetëdija. Këto figura nuk qëndrojnë të ndara; ato ndërveprojnë me njëra-tjetrën si dritë dhe hije në një tablo poetike, duke sjellë imazhe që lëvizin nga qielli te toka, nga universi i largët te përjetimi i brendshëm:

a. Imazhi i lartësisë dhe përulësisë, një imazh që mbart një kontrast poetik, krijohet nga ndërveprimi i simbolit me metaforën te vargjet:“Unë vë në gjunjë Himalajën./E bëj Korab, e bëj Tomorr...” pse  Himalaja, simbol i madhështisë dhe i lartësisë shpirtërore, përkulet jo si mal, por si poezi e madhe që gjen gjuhën e zemrës. Kur ajo shndërrohet në Korab dhe Tomorr, krijohet një imazh i dyfishtë: i përulësisë që lartëson. Thamë se poetja nuk shemb lartësinë e Himalajës, por e sjell në një përmasë njerëzore e shqiptare, ku qielli mbetet po ai, por ajri frymon shqip. Realisht ky imazh përçon krenari dhe dashu-ri, duke e kthyer madhështinë botërore në qetësi kombëtare.

b. Imazhi i dashurisë së pafund dhe lojës poetike përftohet nga ndërveprimi i metaforës: “Të dua si një lodër pa fund.”që bashkon ndjenjën me fëmijërinë, dashurinë me gëzimin e thjeshtë të jetës. Nga kjo metaforë lind një imazh i gjallë dhe i butë: dashuria që nuk lodh, por rrotullohet si një planet i vogël brenda perandorisë së shpirtit.  Ky imazh e humanizon poezinë, duke e sjellë poeten në përkëdheljen e përditshme të jetës, në një univers të brishtë por të ndriçuar nga dashuria.

c.Në vargun:“Po vazhdoj të zëvendësoj fantazinë me ritmin e tingujve të trumbetës,që del nga bisedat e mia të përditshme,” personifikimi i tingujve, që “dalin” e “flasin”, ndërthu-ret me metaforën e fantazisë që zëvendësohet me ritëm. Kështu krijohet një imazh dinamik e muzikor: jeta e përditshme shndërrohet në melodi, poezia del nga “bisedat”, pra nga realiteti.  Ky ndërveprim ndërmjet figurave sjell një ndjesi të gjallë frymëmarrjeje – fantazia nuk është më arratisje, por muzikë që frymon nga e zakonshmja.

ç. Kur poetja thotë:“Njerëzit zakonisht lakmojnë diçka që e dinë,/ashtu si mbretëresha e Spanjës që, kur kërkonte kontinentin, pati ëndërruar floririn,” ironia dhe kontrasti bashko-hen për të krijuar një imazh reflektiv e filozofik. Mbretëresha që kërkon kontinentin por ëndërron floririn bëhet simbol i njeriut që humb thelbin duke ndjekur pasurinë. Kundrejt saj, poetja kërkon vetëm qetësinë e brendshme, e cila vjen kur ajo “bën Korab, bën Tomorr”,  pra, kur kthen poezinë në një vend të njohur, të ngrohtë dhe njerëzor.

d.Në fund, nga ndërthurja e të gjitha figurave ngrihet imazhi qendror i poezisë: “Unë dhe perandoria ime e vogël.” një univers i brendshëm ku bashkëjetojnë dashuria, qetësia, fantazia dhe identiteti. “Perandoria e vogël” nuk është pushtet mbi botën, por hapësira e shpirtit ku poetja sundon mbi vetveten. Në këtë imazh përmblidhen të gjitha figurat: simboli i lartësisë, metafora e dashurisë, personifikimi i jetës dhe ironia e kërkimit njerëzor.Vlen të themi se  imazhet që ngrihen nga ndërthurja e figurave artistike në këtë poezi janë si valë që ndërthuren pa e prishur qetësinë e detit: herë të larta si Himalaja, herë të qeta si Tomorri, por gjithmonë të mbushura me frymëmarrje, dritë dhe dashuri njerëzore.

III-Me këtë poezi, Natasha Lako na sjell një risi poetike të thellë dhe njerëzore: ajo na mëson se madhështia e vërtetë nuk qëndron në pushtet, por në përmasën e shpirtit. Në vend që të kërkojë të zotërojë botën, poetja e “mat me dashuri, ëndërr dhe qetësi.Në kohën kur njerëzit “lakmojnë diçka që e dinë”, ajo guxon të lakmojë një majë mali me borë të përjetshme, pra, diçka që nuk shërben për fitim, por për pastërti shpirtërore dhe vazhdimësi ëndrre. Ky është revolucioni i saj i qetë poetik: kthimi nga jashtë në brendësi.

a.E reja që sjell Lako është humanizimi i madhështisë. Ajo e shndërron Himalajën në Korab e Tomorr, jo për ta zvogëluar, por për ta afruar me shpirtin shqiptar, me njeriun e thjeshtë, me jetën reale. Kështu, poezia bëhet një manifest i brendshëm i njeriut modern, që kërkon qetësi, jo pushtet; fantazi, jo pasuri; kuptim, jo lavdi.Në thelb: çdo njeri ka perandorinë e vet të vogël, ku mund të mbretërojë  përmes dashurisë.

b. b. Ka dhe një lexim tjetër të vargut: “Ia kaloj Aleksandrit të Madh dhe marr një copë Himalajë”, pasi Lako, që ka përkthyer në shqip poetin nobelist suedez Tomas Tranströmer, e  vendos poezinë e sajën në dialog me poetikën skandinave. Tranströmer, poeti që përfaqëson modernizmin e ndriçuar nga heshtja, e ngjiste shpesh njeriun në një “lartësi të heshtur”, aty ku përmasat shpirtërore tejkalojnë përmasat fizike. E parë në këtë këndvështrim, kjo “copë Himalajë” e Lakos është një copëz e atij dimensioni poetik që shkrin madhështinë me qetësinë, ëndrrën me heshtjen, një arritje që e lidh poeten shqiptare me traditën shpirtërore të Tranströmer-it.

Mirëpo Lako “e merr” atë copë Himalaje jo si pushtim, por si trashëgimi shpirtërore e një poezie që ngrihet lart. Nëse Aleksandri i Madh përfaqëson pushtetin e jashtëm, atëherë “Himalaja” e Lakos është pushteti i brendshëm, ai që i përket poetit modern e meditativ, një pushtet nën frymën e Tranströmer-it. Si ai, Lako gjen përmasën e vet, jo në zhurmë, por në heshtje, jo në lavdi, por në thjeshtësi të thellë dhe në frymëmarrje shpirtërore: “E bëj Korab, e bëj Tomorr dhe qetësohem.”

Në këtë varg, qetësia është shumë më tepër se një ndalesë; ajo është një kthim poetik në vendin e vet, një lloj “përuljeje e dritës”, siç do ta quante vetë Tranströmer-i. Pra, nëse Himalaja e Tranströmer-it është simbol i mendimit universal dhe heshtjes filozofike, te Lako ajo kthehet në simbol të identitetit poetik shqiptar, të qetësisë që lind nga vetëdija dhe drita e brendshme. Në këtë “perandori të vogël”, poetja sundon me dashuri, me mendim, me ëndërr. Sepse në fund, çdo njeri sundon vetëm mbi atë që ka dashur me të vërtetë, dhe perandoria e dashurisë është e vetmja që nuk shembet kurrë.

c. Në vijim të leximit ndryshe të vargjeve “Unë vë në gjunjë Himalaje / E bëj Korab, e bëj Tomorr”, poetja vlerëson poezinë e Tomas Tranströmer si një poezi e lartësive moderniste që, ashtu si “Himalajet”, përmban pastërtinë, qetësinë dhe heshtjen. Këtë “Himalaje” të poetit suedez, Lako e përkthen në shqip dhe e shndërron në Korab e Tomorr shqiptar, jo për të zhvlerësuar Himalajet, pra poezinë e Tranströmer-it, por për të lartësuar malet tona gjer në artin e tij. Duke përkthyer në shqip Tomas Tranströmer-in, ajo e bën të njohur, të kuptueshëm dhe të pranueshëm për lexuesin shqiptar, siç janë malet Korab e Tomorr për ne.

Tranströmer është poeti i heshtjeve të thella, i qetësisë që rrjedh nga dritat e veriut, i madhështisë së brendshme dhe i meditimit të kthjellët. Himalaja, në këtë lexim, përfaqëson poezinë e tij; e lartë, e ndriçuar, e thellë si dëbora dhe heshtja. Lako, duke “e vënë në gjunjë” Himalajën, nuk nënkupton një akt sundimi, por një përulësi krijuese. Ajo përkulet para një poezie të madhe për ta kuptuar më mirë, për ta bërë pjesë të shpirtit të vet poetik, të shpirtit të popullit të saj.

Kur thotë: “E bëj Korab, e bëj Tomorr”, ajo bën atë që vetëm një poet mund ta bëjë, përkthimin e madhështisë universale në gjuhën e zemrës. Himalaja bëhet Korab e Tomorr jo për të humbur lartësinë, por për të fituar një dritë të njohur, një frymë që lexuesi shqiptar mund ta prekë, ta ndiejë, ta jetojë.

Ky akt poetik është një urë midis kulturave, një dëshmi se poezia e madhe nuk njeh kufij, por kërkon t’u flasë njerëzve në gjuhën e tyre. Lako nuk “përkthen” vetëm Tranströmer-in në kuptimin gjuhësor, por e përkthen shpirtërisht, duke e bërë poezinë e tij të jetojë brenda malit shqiptar, në ajrin dhe qiellin tonë poetik. Në këtë përkthim, Korabi dhe Tomorri nuk janë thjesht male, por simbole të shpirtit shqiptar: të qëndrueshëm, të kthjellët, të lidhur me qiellin dhe me mitin.

Ashtu si Tranströmer i kthehet heshtjes dhe dritës për të gjetur kuptimin e brendshëm të jetës, edhe Lako, përmes këtyre maleve, gjen qetësinë e vet poetike. Dhe në këtë qetësi, ndjehet bashkimi i dy frymëve poetike — e veriut dhe e jugut, e akullit dhe e dritës mesdhetare, e heshtjes suedeze dhe e shpirtit shqiptar. Është një qetësi që vjen jo nga nënshtrimi, por nga kuptimi dhe përqafimi.

Kështu, poezia bëhet një vendtakim midis kulturave, një dëshmi se përmes artit, çdo “Himalaje” mund të bëhet “Tomorr”, jo për të humbur madhështinë, por për të marrë zërin e vendit, ngrohtësinë e shpirtit njerëzor dhe bukurinë e përbashkët të kuptimit. Sepse Lako nuk e rrëzon Himalajën; ajo e ngre Korabin shqiptar në të njëjtën lartësi.

IV-Pikërisht në këtë duket dhe elementët e realizmit magjik të poezisë edhe pse në mëny-rë të brishtë dhe elegante, siç i përshtatet stilit të poetes sonë. Magjia në këtë poezi nuk vjen nga ngjarje të jashtëzakonshme, por nga ndërthurja e reales me imagjinaren, nga mënyra si poetja e përzien jetën e përditshme me dimensionin e ëndrrës dhe simbolit. Kur poetja thotë: “Ia kaloj Aleksandrit të Madh dhe marr një copë Himalajë,” ajo kalon me lehtësi nga bota reale në një hapësirë të pamundur, ku historia dhe fantazia jetojnë bashkë. Ky është thelbi i realizmit magjik: e jashtëzakonshmja që pranohet si pjesë e zakonshme e jetës.

Po kështu, edhe vargjet:“Unë vë në gjunjë Himalajën./E bëj Korab, e bëj Tomorr dhe qetësohem,” janë një shndërrim poetik që bart fuqinë magjike të shpirtit njerëzor, që e bën botën sipas përmasës së vet. Pra, elementet e realizmit magjik në këtë poezi shfaqen në riformësimin poetik të realitetit përmes imagjinatës, dhe në fuqinë krijuese të njeriut për ta kthyer madhështinë e botës në përmasë njerëzore e shpirtërore.

V- Kjo poezi është poezi moderniste e rymave të simboliste dhe refleksive dhe nuance të ekspresionizmit të brendshëm, dhe plotësohet me nuance të realizmit magjik. Pra,  realizmi magjik nuk është dominues, ai plotëson dhe fuqizon modernizmin, i cili  është baza: introspektive, simbolike, refleksive, e fokusuar te botëkuptimi dhe përvoja e brendshme e njeriut. Por pa elementet e realizmit magjik, që e ngrejnë poezinë në një nivel të lartë imaginativ dhe të fuqishëm, ky introspeksion poetik do të mbetej i brendshme dhe i qetë. Kur poetja thotë: “Ia kaloj Aleksandrit të Madh dhe marr një copë Himalajë,” dhe më pas:“Unë vë në gjunjë Himalajën./E bëj Korab, e bëj Tomorr dhe qetësohem,” realizmi magjik e bën të dukshme fuqinë e shpirtit dhe madhë-shtinë e imagjinatës, duke e shndërruar simbolikën moderniste në një akt krijues që “flet nga majat”. Pra, magjia nuk e zëvendëson modernizmin dhe as e mbulon atë, ajo e platëson, e pasuron dhe e bën të prekshme për lexuesin; ajo i jep poezisë lartësi, forcë dhe gëzim shpirtëror, duke e bashkuar botën e brendshme me një dimension universalisht të madh. Në këtë kuptim, poezia është një bashkëjetesë e bukur: modernizmi i jep thellësi, realizmi magjik i jep lartësi.

Në përfundim, poezia “Unë dhe perandoria ime e vogël” është një testament poetik i qetësisë dhe i fuqisë shpirtërore që lind nga arti. Natasha Lako e kthen përmasën universale të botës në përmasë njerëzore, duke e bërë poezinë vendin ku njeriu mund të jetojë në paqe me vetveten dhe me ëndrrën e tij. Në këtë poezi, madhështia nuk matet me pushtet, por me thellësi, dhe lartësia nuk kërkohet në male të paarritshme, por në frymëmarrjen e shpirtit që di të dojë dhe të kuptojë. Kështu, “perandoria e vogël” e Lakos bëhet një metaforë e artit vetë, ajo hapësirë e brendshme ku fjala mbretëron mbi heshtjen.

 

Sarandë, tetor 2025

 

NATASHA  LAKO

Unë dhe perandoria ime e vogël

Unë dhe perandoria ime e vogël

Perandoria ime e vogël. Të dua si një lodër pa fund.

Në fillim përpjesëtoj të gjitha hapësirat.

Ia kaloj Aleksandrit të Madh dhe marr një copë Himalajë.

Njerëzit zakonisht lakmojnë diçka që e dinë,

ashtu si mbretëresha e Spanjës, që kur kërkonte kontinentin,

pati ëndërruar floririn.

Unë ëndërroj një majë mali me borë të përjetshme.

Një kufizim i vërtetë fantazie.

Po vazhdoj të zëvendësoj fantazinë me ritmin e tingujve të trumbetës,

që del nga bisedat e mia të përditshme.

Të gjitha ëndrrat dalin si tinguj trumbete.

Të shtënat e dasmave kanë mbetur si bishta të luftërave të ikura.

Përshëndetja me krisma e lindjes së fëmijëve,

lind si gëzim për prenë e së nesërmes.

Njerëzit zor ta kuptojnë fitoren,

pa parë me sytë e tyre çfarë kanë vënë nën gjunjë.

Unë vë në gjunjë Himalajën.

E bëj Korab, e bëj Tomorr dhe qetësohem