Atdheu i mbartur në këngë… ose Atdheu i shpëtuar.
Përsiatje mbi librin “Rapsodi të një
poeme arbëreshë”
Nga Timo Mërkuri.
1-Mbi librin “Rapsodi e një poeme
arbëreshe” , me krijime popullore të mbledhura në kolonitë e Arbëreshëve të
Italisë nga Jeronim De Rada dhe kthyer në
shqipen e sotme nga poeti Agim Mato, pata shkruar në qershor të vitit 2012 shkrimin “Deti në
ekzil”, të përfshirë në librin tim “Kur flasim për Artin Jonian” (Milosao,
2013). Në këtë shkrim, këndvështrimi im mbi këtë libër, ishte nga dritarja e Artit Jonian. Por ja që arti ka shumë dritare, ku i mbështetur në parvazët
e tyre mund të sodisësh kohën kur lindën, vendin ku lindën dhe u rritën këto këngë,
ashtu siç sodisnin gjyshet nga dritarja
e shtëpisë vashëzat e vogëla, tek luajnë në obor me shilarëse. Dhe po nga ajo
dritare i shohnin pak më von, kur nisen nuse, për ti riparë kur kthehen për
vizitë te prindërit, me fëmijët e tyre përdore. Koha ecën shumë shpejt dhe
bashkë me dëborën dimërore që shkrin në pranverë e rrjedh nëpër përrenj,
shkrijnë dhe ngjarjet e kujtimet, duke
rrjedhur në lumin e harimit. Por nqse përenjve malorë populli u ngre prita me
gurë e drurë, me qëllim që erozioni të
mos “tretë” dheun, duke lënë shpateve vetëm skeletet e gurta, harimit i ka
ngritur “prita” arti, ku ngjarjet mblidhen siç mblidhet uji i përenjve në ujëmbledhës, për tu përdorur në kohë thatësire.
Një “ujëmbledhës” ose më saktë ,
një “këngëmbëledhës” ka krijuar Jeronim De Rada te “Rapsodi e një poeme arbëreshe”,
të cilën poeti Agim Mato e ka kthyer në
shqipen e sotme aqë mjeshtërisht, sa që të krijohet përshtypja se ngjarjet e kënduara paskan ndodhur në ditët e sotme, në
fshatin tënd. Madje edhe personazhet të
duket se i ke takuar në rrugët e fshatit, madje dhe ke biseduar me ta.
2-Rapsodi të një poeme …. e quan De Rada përmbledhjen e tij të këngëve
popullore dhe mendoj se jo më kot. Të gjitha këngët e përmbledhura në tre
libra, me tema të ndryshme, kanë në fakt
një kryetemë… Arbërinë .
Për këtë Arbëri lindën e u ritën,
dashuruan e luftuan, madje dhe u vranë, e prapë u ngritën. Për këtë Arbëri ikën
nëpër det, për tu rikthyer përsëri. Me këtë Arbëri në zemër e në mëndje ngritën
fshatra arbëreshe në dheun e ri, duke u përpjekur të rikrijonin Arbërinë e tyre
në dhe të huaj. E pse jo? Fshatrat i quajtën me emrat që kishin fshatrat e tyre
në Arbëri, shtëpitë i ngritën tamam si
shtëpitë në fshatin e tyre në Arbëri, me po ato dyer, dritare e çati. Vetëm kopështet
i kishin pak më të vogëla, se më e vogël ishte dhe toka ku i ndërtuan shtëpitë.
Madje edhe horizontet këtu ishin më të ngushta, vetëm nga lindja, ku matanë
detit ishte Arbëria, sytë hapeshin më shumë duke zhbiruar horizontin e kaltër.
Në qoftë se në Arbëri kishin një
kështjellë ku jetonin luftën të gjithë bashkë, fisnikë e luftëtarë të thjeshtë,
këtu kishin disa shtëpi të veçanta, të vogëla. Vërtet të ndërtuara si kështjella,
shpesh ngjitur me njëra tjetrën, por
gjithsesi shtëpi të veçanta.
Te njëra shtëpi bëhej dasëm, të
tjetra lëngonte një trim nga plagët e luftës. Pak më tejë, në ajodhimë
ngrihej Kostandini, se kishte një besë për
të mbajtur. Ndërkohë që Skënderbeu bisedonte me vdekjen, një vashë, bijë e hënës,
puthej me trimin. Ndërsa te një obor plot lule bisedonin
dy të ra, për fëmijët motakë, që kur do rriteshin, do vidhnin zemrën e
njeri tjetrit.
Të gjitha këto ndodhnin në një …poemë (fshat) arbëreshe.
Të gjitha këto janë ngjarje madhore, që nga puthja e asaj vashës, që një
ditë më parë… lozte më një mollë që e hidhte lart dhe e priste në gji…, kur
del e bukura në derë , tek amanetet e Dedi Skurës e Pal Golemit, te besa
e “Kostandinit të vogëlth” e gjer te Vdekja e Skënderbeut.
Të gjitha këto janë rapsodi,
njëra më e bukur se tjetra.
Si të tilla, janë të denja për tu
kënduar me lahutë apo vënçe, me iso, në odën e burrave të Arbërisë, në netët e
dimrit. Veç e veçë, nëpër netë të
ndryshme apo të tëra bashkë, në një natë të gjatë ekzili.
Të gjitha këto këngë kanë një
lidhje organike, aqë sa të duken se janë
vazhdim i njera tjetrës .Duke parë këtë lidhje organike mes këngëve si edhe
faktin se janë një dëshmie e pakundërshtueshme shpirtërore e arbëreshëve për një të shkuar të lavdishme e fisnike, De Rada i
grupoi nën titullin kuptimplotë…Rapsodi
e një poeme....
3-Ikën Arbërit nëpër det…por me vehte morën Arbërinë.
Sepse atdheu janë njerzit, lufta
dhe jeta, këngët dhe vallet, legjendat dhe vajet, ëndërat e shpresat e tyre.
Po
malet, do pyesë dikush? Po ja pra, ata burra të
heshtur në kuvertë ishin vetë malet e Arbërisë. Shtëpitë që do ndërtonin janë kështjellat.
Fushat janë gratë e tyre, lumenjtë
janë lotët që derdhën dhe detet e
liqenet janë shpresat që ata kanë për një të ardhme.
a-Ikën arbërit nëpër det….Dhe
duke ikur këndonin vajin (apo vajtonin këngën)…O lamtumirë dheu im/të përshëndes se po
të lë/e të të shoh s’do mundem më…
b-Në kiç e në bash të anieve që
çanin dallgët drejt perëndimit, në këmbë, të veshur me parzmore lufte, me dorën të mbështetur te
shpata a te heshta, të heshtur qëndronin luftëtarët. Në vitet që do vinin, në mëndje
e në zemrat e tyre do gjëmonin brirët e luftës dhe thirrjet e kryezotit, Skënderbeut,
në betejë ….O ti zoti Dukagjin/veç krahët
ti më ruaj/të luftoj me këtë qën/të shohë shpatën si e luaj/flamurin si e valëvis/Bëri
kryq e u lëshua…
-U kujtohej çdo detaj i jetës
së Skënderbeut, dhe tani që ai s’ishte më, ua kuptonin domethënien disa fjalëve e disa veprave të
tij. Edhe tani u kujtohej fjala e tij për
nusen që do mirte, ku përkundër propozimeve të shumta për nuse të huaj, me
tituj e prona, ai tha:…Unë…vajzën e dua
arbërore/për nga gjuha dhe zakonet…prandaj
…dërgoni fjalë zonjës/Donikë Marinëza. Sepse ai e kishte kuptuar që turku, së pari do përpiqej të shprishte gjakun e arbërit. Ndaj
në çdo dasëm arbëreshe do këndohej kjo këngë,
si një amanet, si një porosi.
c-U kujtohej si tani ajo ditë
kur…u hap në qiell/libri i të
vdekurve/dhe papritur e zezë e ftohtë/diçka si vello…/u ul e ra mbi kryet e…tij. U kujtohet të gjithëve ,
fjalë për fjalë porosia që i dha të birit, duke i thënë…si të mbrish ti para ikjes/në zll të detit/atje është një qiparis/atje
lidh ti kalin tim/mbi kalin, në erë të detit/hapeni flamurin tim/dhe në mes të
flamurit/lidheni shpatën time/Kur të fryjë tramudana/gjogu do hingëllijë/flamuri
do të valëvijë/dhe shpata do tringëllijë/turku ta dëgjojë e të trëmbet/duke
kujtuar vdekjen/që fle tek shpata ime/dhe mos dije nga të shkojë…
Ndaj kur u nisën, flamurin e Skënderbeut, e shpalosëën në direkët të galerave, për tu
parë nga larg, për tu njohur kush ishin. Dhe kështu, shpalosur, do ta mbanin gjithmon
në fshatrat e tyre të reja që do ndërtonin,
në shtëpitë e tyre, sepse një ditë do fluturonin bashkë me shqiponjën e tij
drejt dheut amë. Ai flamur do tu kujtonte…se
të huaj ishin në këtë dhe…ku po shkonin dhe se …Arbëria matan detit na kujton…dhe na prêt që të kthehemi.
Qeni turk do të përpiqej që të harohej flamuri i Skënderbeut në Arbëri,.
por
luftëtarët e tij, të ikur në ekzil dhe bijtë e tyre më von, do ta
risillnin në Shqipëri flamurin e Arbërit.
ç- Në atë heshtje ikjeje dëgjoheshin amanetet e të plagosurve, në
agoninë e vdekjes…Ecni shokë, ju me shëndet/po
ju lutem, atje poshtë/të më merni kalin/dhe tja çoni birit tim/se ritet e rrëmben
shpatën/e i hipën ai kalit/te lufta të ma çojë….
Ata e morën amanetin e Dedi Skurës dhe me vete, morën dhe të birin e tij, që të
ritej, të burrërohej e të rikthehej në ato sheshbeteja, për të marë hakun e të
jatit dhe të atdheut.
Dhe amanetin e kthyen në këngë,
ta këndonin mbrëmjeve pranë vatrës a të dielave në shesh të kishës, që mos ta
haronin kurrë.
d-Në atë anije ishte edhe Kostandini, me flokë të përbaltur, dhe
s’po e zinte vendi, as atë dhe as kalin e tij, sepse udhëtimi i tyre nuk
mbaronte aty ku do ankorohej anija. Aty do niste një tjetër udhëtim turravrap nëpër re e nëpër botëra, me ditë natë e me mote,
udhëtim që ende vazhdon edhe sot, nën këngën e zogjve…ciu,ciu/kini parë a skini parë/shkon i vdekuri me të gjallë/hipur në të
njëjtin kalë…
Se ka një besë të dhënë, ka dhënë një fjalë që duhet mbajtur,
ndajë ka tre vjet që nuk e tret dheu.
e-Në një cep të kuvertës një plakë
po u tregonte fëmijëve legjendën e “Kostandinit të vogëlth” duke bërë që të riteshin sa ora, dhe nga fëmijë, të
bëheshin burra luftëtarë, trima dhe të besës, duke ëndëruar për të bukurat e tyre të ardhëshme ardhëshme, veshur me …dritën
për cilon/ylberin për brez/yjet e marë te qielli.
ë-dhe pak më tejë, një nuse e re
përkundëte të birin në ninulla…biri im , një copë borë/ është i vogël e do
në dorë…dhe, pas një pushimi të shkurtër, vazhdon përsëri…Fryn, fryn një erë, një erëzë/ fryn e hollë
dhe vorbullon/…/këtu, këtu biri im/ u la vallja e vjen jot ëmë/ të jep sisë, të vë në gjumë…
f- dy vajza të vogla, zënë dorë për
dorë vraponin (apo vallzonin) në kuvertë dhe qeshnin me stërkalat që, duke u
shkëputur nga dallgët, u binin në fytyrë. Dhe thoshnin me vehte se ato … janë
yje, që do tua hedhin përsëri mbi vello,
ditën e dasmës, kur të riten…
4-Këngët edhe vallet e Arbërit u kënduan dhe u kërcyen në vendin e
ri, vërtet me një tis të hollë malli përsipër, por përsëri me finesë dhe
elegancën që kishin patur.
Atdheu i ri u rezervoi arbërve një
klimë të ngrohtë ekonomiko-shoqërore, edhe kjo falë bëmave dhe traktateve të Skënderbeut.
Por ecja e tyre në jetë, qoftë
dhe në këtë klimë të ngrohtë, ishte në radhë të parë meritë e vetë tyre. Ishte
përvoja e origjinës së tyre, baza e ngritjes në jetë, qoftë në hierarkinë shoqërore
qoftë në atë ekonomike.
Por atdheu i ri u rezervoi një
“klimë të ngrohtë” edhe këngëve, valleve,
legjendave dhe balladave të arbërve. Po të lexosh krijimet popullore të kësaj përmbledhjeje
befasohesh me finesën e vargjeve dhe
nivelin e tyre të lartë artistik. Ëmbëlsia e vargjeve është e ngjashme me një psherëtimë dashurie. Lexojeni ju lutem, jo për të më
dhënë të drejtë mua, në këtë konstatim, sesa për ndjesinë e ngrohtë që do tju
japë. Do përjetoni vërtet një mrekulli.
Në këtë kontekst, mund të lindë
ideja e ndikimit të romantizmit europian në kulturën popullore arbëreshe, fakti
që sot kemi edhe një vepër kaqë të arirë artistikisht.
Këtu duhet të pohojmë se,
krijimtaria popullore i bën rezistencë çdo gjëje të re, të papranueshme për
origjinën e saj.
Krijimtaria popullore shqiptare i
bëri një rezistencë madhore krijimtarisë së bejtexhinjve, nuk e pranoi atë në
asnjë pjesë të tij, ndonëse ajo erdhi me
forcën dhe autoritetin shtetëror të pushtuesve. Arsyeja është shumë e
thjeshtë, këto dy krijimtari ishin diametralisht të kundërta në të gjithë
elementët e tyre, qofshin elementë artistikë
apo shoqërorë.
Krijimtaria popullore arbëreshe,
ka marë një tis të hollë romantizmi europian në vendin e ri, por kjo ka ndodhur për arsyen se, ajo vetë, në
origjinë ishte krijimtari europiane. Shqipëria
ishte pjesë e pandarë e Europës, qoftë në
mardhënie ekonomike qoftë në ato shoqërore e kulturore. Europa kishte kontë,
vikontë, baronë, kalorës. Të tillë kontë, vikontë, baronë dhe kalorës kishte
dhe Arbëria. (Bejlerët dhe agallarët dhe
bota e tyre erdhën më von, bashkë me pushtuesin.).
Obore aristokrate kishte në Europë, të tilla kishin dhe fisnikët Arbër,
me një jetë aristokratike tepër aktive. Këtu, veç të tjerash kultivohej një art e kulturë që nuk ngelej larg asaj
europiane, madje në disa raste edhe i konkuronte, për të mos thënë që i paraprinte.
Kështu pra, në vendin e ri, ishte tepër i pranueshëm për artin tonë
popullor, pranimi i një tisi romantizmi europian në këngët popullore, si një
element progresi. Kjo do të kishte ndodhur edhe po të krijoheshin në Arbëri këto këngë, legjenda e
ballada, po të mos kishte egzistuar
ekzili dhe pushtimi turk.
Por ama thelbi i krijimtarisë popullore arbëreshe te këto
krijime, ndonëse në vend të huaj, ishte
dhe mbeti arbëror.
Dhe po ti shtosh këtij fakti edhe temën e kësaj krijimtarie,
konkluzioni është kategorik.
E kam theksuar se,jo më kot Lamartini, duke përshëndetur De
Radën për poemën e tij magjike “Milosao” i specifikonte se “Poezia duhet të kthehet në ato brigje ku ka
pasë lindur”.
Si konkluzion mund të themi se këngët
popullore dhe balladat arbëreshe të përfshira në këtë “këngëmbledhës” të De Radës, janë thjeshtë këngë
dhe ballada shqiptare, të cilat, duke u
mbartur në vendin e ri, u shpëtuan nga
shkatërimi i pushtuesit, “qenit turk”.
5-Por nuk u shpëtuan vetëm këto këngë e ballada. E parë në këtë
kontekst mund të themi se u shpëtua
gjithë Arbëria.
Arbërit jetonin në jug të Italisë
por bënin jetën e Arbërisë.
Në këtë Arbëri të re vijonin të
kultivoheshin të gjithë ato vlera shpirtërore dhe artistike të kombit tonë, të
cilat i kishte ndërprerë në mes lufta me
…qenin turk.
Në kushte të një pune intensive për
të siguruar jetesë dhe mirëqënie, për të rifilluar jetën e ndërprerë në mes, atë jetë plot finesë
aristokratike dhe krenare, u thirën përsëri në ndihmë kodet zakonore të vendit,
këngët dhe legjendat , vallet dhe
veshjet tradicionale, aqë fine, sa që edhe sot na mahnitin me elegancën e tyre.
Trimat e rënë në luftë u ngritën
në këngë, si nëpër bedena kalaje dhe Skënderbeu u printe bashkëatdhetarëve të
tij, në vallet popullore te sheshi i fshatit, duke valëvitur flamurin me shqiponjën dykrenore.
Një këngë e kënduar shqip, ishte
si të shpëtoje në sheshbetejë një bashkëluftëtar
të plagosur.
Një valle e kërcyer në shesh të
fshatit, ashtu sup më sup me njeri-tjetrin, ishte si të shpëtoje një fshat të tërë nga masakrimi
dhe nga djegia e pushtuesit.
Një dasëm plot me valle e këngë shqipe ishte si një betejë e fituar me
…qenin turk.
Një vajzë e bukur, veshur me
rroba popullore, aty në shesh të fshatit, ishte si e Bukura e Dheut dhe e
vlente të luftoje me shpatë në dorë për
‘të, që ta fitoje.
Shqipëria qe e pushtuar, por Arbëria
ishte e lirë.
E parë në këtë konteks, Arbëria e
re po shpëtonte Shqipërinë.
Kjo Arbëri do të ruante pikërisht
atë, që pushtuesi do përpiqej ti zhbënte në vendin e pushtuar, kujtesën
identitare dhe historike të kombit.
Kjo Arbëri e re do ta ruante dhe prej saj do shpërndaheshin nëpër
Europë dëshmitë e identitetit europian të kombit shqiptar dhe historia heroike
e tij, e cila shpëtoi edhe Europën.
Një dëshmi e tillë është kjo
përmbledhje e De Radës.
Sarandë, më 25.10.2015