Friday, 31 May 2024

 

PLAGËT E AGIM MATOS I DHEMBIN IBRAHIM KADRIUT

 

Timo Mërkuri

Para disa ditësh miku dhe poeti Ibrahim Kadriu më dërgoi poezinë e tij “Jashtë eklipsit”kushtuar poetit Agim Mato të cilën  e shoqëronte me një shënim ku më sqaronte se e pati shkruar rreth një vit e gjysëm para ikjes së Matos në amëshim   (i bie të jetë krijuar në fund të vitit 2019 ose fillim të vitit 2020, pasi Agimi iku më 10 maj 2021), ja pati dhënë për ta lexuar Agimit , por ende nuk e ka përfshirë në ndonjë vëllim poetik të botuar dhe mua ma jipte për ta lexuar.

Sigurisht që u preka nga kjo përkujdesje e tij, pasi të jesh poet dhe të mos shkruash poezi për një mik poet, i cili ka vuajtur një padrejtësi, kjo është normale, por të shkruash  poezi për një mik poet që ka vuajtur një padrejtësi shoqërore në një kohë që ti vetë ke vuajtur padrejtësinë shoqërore dhe dhunën e pushtuesit kjo tregon një zemër të madhe, ndaj unë, duke parë se poezia ishte plot ndjenja të ngrohta, të cilat e kalonin cakun e një kortezie, madje ndjeheshin si pjesë e një dhimbjeje të përbashkët  e pyeta autorin se në cilin nga Manifestimet tona ishte njohur me Agimin, për të patur një qasje kohore. U habita kur ai më thotë se me Agim Maton ishte njohur në vitin e trazirave 1997, kur kishte ardhur me makinë në Tiranë, dhe pas një bisedimi me Pandeli Koçin erdhën  bashkërisht dhe familjarisht për pushime në bregdetin e Sarandës. Në Sarandë i priti Agim Mato dhe i shoqëroi deri në Borsh,ku ata dëshironin të kalonin pushimet dhe Agimi  kishte një mik te i cili sistemoi Ibrahimin me bashkëshorten , ndërsa Pandi te një familje tjetër aty pranë. “Ajo shtëpi ku më vendosi Agimi ishte e mrekullueshme, si një kënd Diznilendi me kopsht e burime uji në oborr. Për çdo ditë pronari i saj na përgatiste mëngjesin, kurse në mbrëmje shtronte pije...’’ e pasqyron poeti pritjen e bërë nga miku i Matos dhe më pas vazhdon: “Agimi u kthye në Sarandë, por ne jemi takuar  në takimet poetike të “Triremës Joniane”. Viteve të fundit e shihja se nuk ishte mirë. Më dhimbsej, se ia dija biografinë e jetës. Këtë poezi që ta dërgova (të cilën siç të tregova e ka lexuar edhe Agimi) e kam shkruar një vit e gjysmë para vdekjes së tij Nuk më kujtohet data e saktë.Të përshëndes nga ky këndi në studion time ku e kaloj të shumtën e kohës”.

E lexova poezinë e Ibrahim Kadriut dhe mqse e njihja shumë mirë jetën e Agim Matos, pse jo vetëm që ishim bashkëqytetarë edhe banonim në një lagje, por ishim dhe miq që na lidhte poezia, u preka shumë nga dashuria vllazërore që shfaqte gati në çdo fjalë e varg poeti gjilanas. Që Agim Mato kishte aftësionë të bënte mik çdo njeri të pastër që i afrohej, këtë e dija, por që këtë ndjenjë miqësie e ngrohtësie ta kutivonte dhe te tjetri, këtë e shoh dhe te kjo poezi e Kadriut e shkruar me fjalë të thjeshta, por që dëshmonin se thjeshtësia është sinqeriteti I shprehjes në një miqësi të sinqertë. Të kuptojmë një gjë, poetet kosovarë në Sarandë janë pritur si vëllezër, jo në kontekstin metaforik, por në atë real, vëllazërim që i kapërcente hapësirat e bashkpunimeve letrare, madje vazhdon edhe sot në rrugë institucionale dhe private, sidomos (por jo vetëm) me krijuesit e Gjilanit. Në Gjilan Ars.Club “Beqir Musliu” në 11 qershor 2016, pas botimit të librit të Matos “Shkretëtirë Harrimi” ju organizua ceremonia e promovimit të krijimtarisë poetike, ku  Ibrahim Kadriu ishte ndër organizatorët e referuesit. Vlen tju them se dhe titullin e kësaj poezie “Jashtë eklipsit” Kadriu e ka huazuar nga titulli i vëllimit poetik “Jashtë eklipsit” të Matos, botuar në vitin 2012 te Shtëpia Botuese e tij “Milosao”si një shenjë triumfimi i tyre, pasi të dy dolën nga “eklipset” moniste.

Për sa i përket Ibrahim Kadriut po ju them se është një poet e shkrimtar i kuotave të larta të letërsisë shqipe në Kosovë, i njohur dhe përkthyer në disa gjuhë europiane. U lind më 1945 në Zhegër, Gjilan,  ka mbaruar Fakultetin Albanologjik në Prishtinë. Ka punuar qysh nga viti 1968 në gazetën famëmadhe “Rilindja” deri në mbylljen e saj. Ka punuar në disa organe të përditëshme shtypi si “Zëri”, ”Plejada”, “Hareja” etj. Është fitues i disa çmimevedhe veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë si serbokroatisht, rumanisht, norvegjisht, malezeze, turqisht, italisht, suedisht, arabisht, frëngjisht etj. Krijimtaria e tij është përmbledhur në dhjetë volume, të cilat autori mi ka dhuruar me dashamirësi dhe dëshmoj për nivelin e lartë artistic të tyre. Jeton e punon në Prishtinë.

I-Ajo që bie më shumë në sy te kjo poezi është dashuria vëllazërore që shfaq poeti Ibrahim Kadriu për poetin Agim Mato, dhimbja që ai përjeton për vuajtjet e sivëllait të tij jugor dhe ngrohtësia që i afron atij, ndonëse nuk kanë qenë të pakta dhimbjet dhe vuajtjet që ka përjetuar dhe ai vetë. Në poezinë "Jashtë eklipsit" të Kadriut, ndjenja e dashurisë vëllazërore, dhimbja dhe ngrohtësia për poetin Mato shfaqen qartë përmes vargjeve të tij të ndjera dhe të përzemërta. Po shfaqim disa vargje që shfaqin këto ndjenja dhe një analizë të tyre të shkurtër: Vargu "Jashtë eklipsit ta bëra pritën, / Të shihja ku je dhe ku ishe –" ku, Kadriu shpreh dëshirën e tij për të takuar dhe për të kuptuar gjendjen e Matos, duke përjetuar së bashku me të vuajtjen dhe peripecitë. Përdorimi i frazës "ta bëra pritën" që ka kuptimin “të prita” tregon një akt kujdesi dhe mbështetjeje, sikur të ishte në rolin e një vëllai mbrojtës.

 -Te vargjet "Të gjeta të ngatërruar me ditën / Kur veç dridhje shpirti kishte." Kadriu tregon se e ka gjetur Maton në një gjendje të trazuar shpirtërore. Përdorimi i fjalës "dridhje shpirti" reflekton një empati të thellë për vuajtjet e Matos, duke ndarë dhimbjen e tij dhe duke e ndjerë atë si të ishte e vetja.

-"Të gjeta mbi valë deti pa busulle, / Në mëshirë të erërave, aq përplasje..." pikturon me vargje Maton si një njeri në përpëlitje dhe të trazuar, si një anije pa busull mbi valë deti, ku përdorimi i metaforës së "mbi valë deti pa busulle" nënkupton një gjendje të pashpresë. Kadriu e përjeton këtë situatë me një dhimbje të thellë për mikun e tij dhe dëshiron ta ndihmojë atë të gjejë rrugën e duhur.

Portretizimi i Matos me vargjet:"I mëshiruar me të keqen kolle – / Udhëkryqeve t ‘jetës me ngasje." tregon dhembshurinë e poetit për vuajtjet e Matos, duke e parë atë të përplasur me sfida të mëdha në jetën e tijku paraqitja e  "udhëkryqeve të jetës me ngasje" sugjeron kompleksitetin dhe vështirësitë që Mato ka hasur, dhe empatia e Kadriut është e dukshme.

Kadriu tregon qartë dhimbjen e tij për plagët e vazhdueshme që Mato ka marrë në jetën e tij si një i persekutuar te vargjet: "Të gjeta duke numëruar plagët / Të bëra vazhdimisht nga i njëjti fis," duke shprehur ndjenjën e empatisë dhe solidaritetit për mikun e tij. Interesant është se Kadriu thekson në këtë varg se plagët janë "të bëra vazhdimisht nga i njëjti fis", duke vënë në dukje se: ndryshe nga ai në Kosovë, që ka jetuar nën shtypjen moniste e dhunën serbe, Mato ka vuajtur nga ndjekja dhe persekutimi i bashkëatdhetarëve të tij shqiptarë.

Si hymn tingëllojnë vargjet:"Se si të shpëtoi barka në ato valë, / Miku im i kalitur me kërbaç –", me të cilat Kadriu shpreh admirimin dhe respektin e tij për forcën dhe qëndrueshmërinë e Matos, duke e portretizuar atë të afërt dhe të fortë si: "miku im i kalitur me kërbaç", duke shfaqur ngrohtësinë dhe vlerësimin e tij për mikun që ka përballuar kaq shumë sfida dhe ka dalë i fortë.

Pra, poezia e Ibrahim Kadriut është një shprehje e dashurisë vëllazërore, empatisë dhe ngrohtësisë së tij për poetin Agim Mato, ku Kadriu ndan dhimbjen dhe sfidat e Matos, duke shfaqur një solidaritet dhe dëshirë për ta parë atë të gjejë paqe dhe qetësi në jetën e tij. Kjo shprehje e ndjenjave të Kadriut për Maton e bën poezinë një veprim të fuqishëm të miqësisë dhe humanizmit.

II- Lind pyetja se pse Ibrahim Kadriu, nje poeti njohur për përdorimin e vargut të lirë, zgjedh të shkruajë poezinë "Jashtë eklipsit" kushtuar Agim Matos në formë të rregullt me ritëm dhe rime, duke ju qasur formës tradicionale? Mendoj se ai e bën këtë për disa arsye të mundshme:

-Duke përdorur një strukturë më tradicionale dhe formale, Kadriu mund të synojë të nderojë dhe respektojë poetin Agim Mato. Forma e rregullt e vargut mund të përçojë një ndjenjë solemniteti dhe serioziteti që i përshtatet temës së rëndë dhe përjetimeve të vështira të përshkruara në poezi.

-Struktura e rregullt e vargut me ritëm dhe rimë mund të theksojë emocionet dhe ndjenjat e forta të shprehura në poezi. Rima dhe ritmi krijojnë një muzikë të brendshme që mund të theksojë dhimbjen, ngrohtësinë dhe dashurinë vëllazërore që Kadriu ka për Maton..

-Duke ndjekur traditën e poezisë lirike, Kadriu mund të krijojë  lidhje me poetët e mëparshëm dhe të përfitojë nga fuqia e formave të provuara të shprehjes poetike. Struktura e rregullt mund të lidhet me traditat më të vjetra të poezisë shqipe dhe të krijojë një ndjenjë kontinuiteti dhe vazhdimësie kulturore.

Forma e rregullt mund të simbolizojë një kërkim për rend dhe stabilitet në mes të kaosit dhe dhimbjes që shprehet në poezi. Kjo strukturë e qëndrueshme mund të shërbejë si një kontrast ndaj përvojave të paqëndrueshme dhe të dhimbshme të shprehura në vargje, duke krijuar një ndjenjë shprese dhe qëndrueshmërie.

III- Poezia "Jashtë eklipsit" nga Ibrahim Kadriu është një homazh i ndjerë për poetin Agim Mato,shkruar me dashuri e dhimbje e cila, ndonëse ka element të tradicionalitetit që shërbejnë si sfond poetik, në kontekstin e poezisë moderne, i qaset kryesisht rrymës ekzistencialiste dhe simboliste të modernizmit.

-Themi se poezia i qaset rrymës së ekzistencializmit sepse trajton vuajtjen dhe luftën e individit (Mato) në një sistem represiv dhe absurditetin e ekzistencës së tij nën një ideologji shtypëse. Këto janë tema që lidhen me ekzistencializmin, i cili shqyrton luftën e individit për kuptim dhe autenticitet në një botë që mund të shfaqet  armiqësore për individin. Në këtë poezi, poeti shpreh ndjenjat e izolimit, vuajtjes dhe kërkimit të kuptimit të protagonistit, Agim Mato, në një botë që është shpesh  armiqësore ndaj tij dhe konkretisht, a)-Trajtimi i vuajtjes dhe luftës së individit, në aspektin e izolimit dhe humbja e drejtimit:"Të gjeta mbi valë deti pa busulle, / Në mëshirë të erërave, aq përplasje..." ku shfaqet  ndjenja e humbjes dhe izolimit të Matos, që është një temë qendrore në ekzistencializëm, pse njeriu ndjehet i humbur dhe pa drejtim në një botë të pakuptimtë dhe të paqartë.

b)-Vuajtja nën një sistem shtypës:"Të gjeta duke numëruar plagët / Të bëra vazhdimisht nga i njëjti fis, / I një ideologjie aq të largët – / Të shtrydhte ndjenjat – ai pis."janë vargje që theksojnë vuajtjen e protagonistit nën një sistem represiv dhe ideologjik që e shtyp dhe e dënon atë. Ekzistencializmi shpesh shqyrton mënyrën se si individi përballet me shtypjen dhe absurditetin e një sistemi të tillë.

c)-Absurditeti dhe sfidat e ekzistencës:"I mëshiruar me të keqen kolle – / Udhëkryqeve t ‘jetës me ngasje."janë vargje që shprehin sfidat dhe absurditetin e jetës së heroit, duke reflektuar ndjenjën e përhershme të konfliktit dhe pamundësinë për të gjetur kuptim.

ç)-Mbijetesa dhe kërkimi për kuptim: "Se si të shpëtoi barka në ato valë, / Miku im i kalitur me kërbaç – / Që ethet në vazhdim të ishin halë / Të shkuarat në tretje, jetë të mirë paq."shprehin mbijetesën e heroit përmes sfidave të jetës dhe kërkimin për një jetë më të mirë dhe paqe të brendshme. Ekzistencializmi shpesh shqyrton përpjekjen e individit për të gjetur kuptim dhe paqe në një botë që është shpesh kaotike dhe e paqëndrueshme.

-Mato paraqitet si një individ i izoluar, që përballet me sfida të mëdha dhe ecën në jetë pa ndonjë drejtim të qartë ("pa busullë"),por ndjenja e izolimit dhe alienimit dhe mungesa e orientimit janë thelbësore për ekzistencializmin. Shprehja "izolimi dhe alienimi" përdoret për të shprehur dy aspekte të ndryshme të ndjenjës ndarjes nga bota dhe nga shoqëria, ku: Izolimi përbën ndjenjën e vetmisë dhe izolimit fizik ose emocional nga të tjerët dhe vjen nga mungesa e lidhjeve shoqërore ose nga ndjenja e përjashtimit. Izolimi ndikon në qëndrimin e individit ndaj vetvetes dhe të tjerëve, dhe mund të krijojë ndjenja të, mungesës së kuptimit dhe dëshirës për t'u lidhur. Poezia "Jashtë eklipsit" e Kadriut mund të lidhet me rrymën ekzistencialiste dhe  simboliste të modernizmit. Në këtë poezi, protagonisti Agim Mato paraqitet si  individ dënuar dhe i izoluar, duke përjetuar sfida të mëdha. Ndjenja e alienimit dhe mungesa e orientimit janë thelbësore për ekzistenciali-zmin.

Përmendëm shprehjen "izolimi dhe alienimi"  dhe sqarojmë se: Izolimi dhe alienimi në kontekstin ekzistencialist analizohet në dukurinë e: a)- izolimit, i cili është shprehur te vargjet:"Të gjeta mbi valë deti pa busulle,/ Në mëshirë të erërave, aq përplasje." të cilat shprehin  një ndjenjë të qartë të izolimit fizik dhe emocional. Mato është i humbur dhe pa drejtim si një anie “një valë deti pa busullë", duke përjetuar "përplasje" dhe sfida nga erërat, që simbolizojnë forcat dhe pengesat e jashtme.

b)-Në dukurinë e alienimit:"Të gjeta të ngatërruar me ditën / Kur veç dridhje shpirti kishe."ku Mato ndihet i vetmuar në jetën e përditshme, duke përjetuar vetëm "dridhje shpirti". Kjo ndjenjë e thellë e përjashtimit nga bota rreth tij është një element thelbësor i ekzistencializmit.

c)- Në përjetimin e  vuajtjes nën një sistem shtypës:"Të gjeta duke numëruar plagët / Të bëra vazhdimisht nga i njëjti fis, / I një ideologjie aq të largët – / Të shtrydhte ndjenjat – ai pis."vargje që shprehin vuajtjen dhe alienimin e Matos nën një sistem ideologjik që e shtyp dhe e dëmton vazhdimisht. Ndjenja e izolimit nga shoqëria që e dënon dhe e përndjek është një temë e rëndësishme në ekzistencializëm.

ç)-Në përjetimin e luftës për mbijetesë dhe kuptim:"Se si të shpëtoi barka në ato valë, / Miku im i kalitur me kërbaç – / Që ethet në vazhdim të ishin halë / Të shkuarat në tretje, jetë të mirë paq."vargje që tregojnë përpjekjet e Matos për të mbijetuar dhe për të gjetur kuptim në një botë të paqartë dhe të vështirë. Barka që shpëton përfaqëson luftën për ekzistencë dhe kërkimin e një drejtimi dhe kuptimi të ri në jetë.

Më sipër theksuam se shprehja "izolimi dhe alienimi" përdoret për të shprehur dy aspekte të ndryshme të ndjenjës ndarjes nga bota dhe nga shoqëria.Për të sqaruar kuptimshmërinë e përdorimit prej nesh sqarojmë se: Izolimi fokusohet më shumë në mungesën e lidhjeve shoqërore, ndërsa alienimi është një ndjenjë më e thellë e ndarjes dhe largimit nga bota dhe nga vetvetja. Kjo mund të ndodhë kur individët ndiejnë se ata nuk përqasen me shoqërinë rreth tyre, përjetojnë një ndjenjë të madhe përjashtimi, ose ndiejnë se realiteti i tyre është i papërshtatshëm me perceptimet aktuale shoqërore. Alienimi mund të shkaktojë ndjenja të mungesës së identitetit, humbjes së kuptimit dhe ndjenjën e vetmisë së thellë.

IV-Poezia “Jashtë eklipsit” e Ibrahim Kadriut ka qasje me rrymën simboliste të modernizmit për arsye se: a)-Përdor simbole të fuqishme, si "valë deti pa busullë," "erërave," dhe "barka," të cilat krijojnë një kuadër të pasur kuptimor për gjendjen emocionale dhe psikologjike të Matos. Te vargu:"Jashtë eklipsit ta bëra pritën," ku fraza “ta bëra pritën” ka kuptimshmërinë të bëra pritjen, të prita aty jashtë eklipsit. Eklipsi në titull dhe në fillim të poezisë simbolizon një periudhë të errët dhe të mbuluar të jetës së protagonistit, duke përfaqësuar shtypjen dhe mungesën e lirisë gjatë regjimit ideologjik. Jashtë eklipsit nënkupton daljen nga kjo errësirë  në dritë dhe liri.Simbolizmi është një nga rrymat kryesore të modernizmit që përdor simbole për të shprehur ide dhe emocione komplekse.Te vargjet: Të gjeta mbi valë deti pa busulle, / Se si të shpëtoi barka në ato valë,"valët e detit simbolizojnë sfidat dhe paqëndrueshmërinë e jetës, ndërsa barka simbolizon udhëtimin e jetës dhe përpjekjet për të mbijetuar. Barka pa busullë përfaqëson mungesën e drejtimit dhe orientimit në jetë, një temë e zakonshme në simbolizmin modernist.

b)- Gjendja e brendshme e Matos shfaqet përmes imazheve të jashtme, si përplasja me erërat dhe valët, që janë teknikë tipike e simbolizmit për të ilustruar emocione të thella dhe përvoja shpirtërore.  Kështu te vargjet:- "Në mëshirë të erërave, aq përplasje...", erërat që përplasen simbolizojnë forcat e jashtme që ndikojnë në jetën e protagonistit, duke krijuar një atmosferë të pashpresë dhe sfiduese. - Vargjet: "Të bëra vazhdimisht nga i njëjti fis, / I një ideologjie aq të largët – / Të shtrydhte ndjenjat – ai pis."simbolizojnë ndikimin e ideologjive të largëta dhe të huaja që shtypin dhe dëmtojnë individin. "Pis" cilëson më tepër  natyrën e keqe të kësaj ideologjie, se sa individin përgjegjës, ndërkohë që vargjet "Miku im i kalitur me kërbaç” tregon për një individ që është formuar dhe kalitur nga përvojat e dhimbshme dhe të ashpra të jetës, ku kërbaçi simbolizon dhunën dhe vuajtjen që ai ka përjetuar, por edhe rezistencën dhe fuqinë për të mbijetuar dhe për të kërkuar kuptim dhe autenticitet në jetën e tij.

Në thelbin e saj, poezia "Jashtë eklipsit" përfaqëson një kombinim të fuqishëm të rrymave ekzistencialiste dhe simboliste të modernizmit. Përmes përdorimit të simboleve dhe figurave të fuqishme letrare, Kadriu arrin të krijojë një portret të ndjerë dhe të thellë të përjetimeve dhe ndjenjave të protagonistit, duke e bërë atë një shembull të rëndësishëm të letërsisë moderniste. Bota e brendshme e poezisë ngjan me një zemër të vetme që rreh në harmoni me trupin e poetit jugor, të lidhur mes tyre si vëllezërit siamezë. Zemrat dhe shpirtrat e tyre ndajnë të njëjtin puls, duke ushqyer jetë dhe ndjenja të përbashkëta për të dy poetët. Dhe ne të ndjejmë më afër Ibrahim Kadriu.

 

Sarandë, më maj 2024

 

Brahim KADRIU

JASHTË EKLIPSIT    

(Agim Matos, poetit nga Saranda)

 

Jashtë eklipsit ta bëra pritën,

Të shihja ku je dhe ku ishe –

Të gjeta të ngatërruar me ditën

Kur veç dridhje shpirti kishe.

 

Të gjeta mbi valë deti pa busulle,

Në mëshirë të erërave, aq përplasje...

I mëshiruar me të keqen kolle –

Udhëkryqeve t ‘jetës me ngasje.

 

Të gjeta duke numëruar plagët

Të bëra vazhdimisht nga i njëjti fis,

I një ideologjie aq të largët –

Të shtrydhte ndjenjat – ai pis.

 

Se si të shpëtoi barka në ato valë,

Miku im i kalitur me kërbaç –

Që ethet në vazhdim të ishin halë

Të shkuarat në tretje, jetë të mirë patsh.

Tuesday, 28 May 2024

 

NJËZETË QINDARKA

 

Nga Timo Mërkuri

Kam patur idenë se vetëm unë përjetova mos harrimin e poezisë "Dashuri" të Natasha Lakos qysh në leximin e parë të saj, menjëherë pas botimit në librin poetik “Marsi brenda nesh” në vitin 1972, por shpejt kuptova se kjo përshtypje ishte një iluzion i krijuar nga trazimi shpirtëror që më pati lenë. Ribotimin e saj të shpeshtë në organet e shtypit, referimet te ajo të kritikës, përkthimet e botimet të saj jashtë shtetit në serinë e poezisë shqipe  së bashku Kadarenë, Dritëroin dhe Arapin qysh në vitin e botimit, si dhe në botimet e Antologjive botërore të poeteve femra më vonë, botimet dhe referimet që vazhdojnë edhe sot më bindën se kjo poezi nuk më kishte lenë mbresa vetëm mua. Është një poezi shumë e thjeshtë në kuptimshmëri,që trajton temën e dashurisë dhe vlerës së saj të pamatshme, është një krijim që ngërthen ndjenja të thella dhe një sinqeritet të jashtëzakonshëm, të shprehur përmes një gjuhe të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë. Përbëhet nga katër vargje të shkurtër, të cilët me anë të një imazhi të qartë dhe simbolik arrijnë të shprehin një përvojë të pasur emocionale dhe mendimi.Vargjet e para, "Njëzetë qindarka për të folur me ty / tridhjetë qindarka për të ardhur te ty," shfaqin përpjekjet dhe sakrificat që njeriu bën për të qenë pranë dashurisë, të konkretizuar te personi “ty”. Vargu i tretë, "Sikur miliona të më jepnin / s’do të kthehesha mbrapsh nga ty," nënvizon përkushtimin dhe besnikërinë e palëkundur ndaj dashurisë, duke treguar se asgjë materiale nuk mund të zëvendësojë lidhjen shpirtërore.

I-Poezia ka një strukturë të thjeshtë, me vetëm katër vargje, por çdo varg është i ngarkuar me një kuptim të thellë. Lako përdor një gjuhë “ekonomikle”, të kursyer e të drejtpërdrejtë duke përdorur qindarkat si njësi matjeje për veprimet që lidhen me dashurinë, zgjedhje stilistike që krijon një kontrast të fuqishëm midis vlerës monetare dhe vlerës emocionale, duke nënvizuar  në përfundim se ndjenjat nuk mund të maten me para. Poezia evidentohet si krijim i kohës së monizmit, jo vetëm nga data e botimit, por te elementët e poezisë, ku: “njëzet qindarka për të folur me ty” na kujton kabinat telefonike anës rrugëve ku mund të bëje telefonatën me një monedhë njëzet qindarkëshe, ( celularët erdhën në  kohë të mëvonëshme), ndërsa vargu: “tridhjetë qindarka për të ardhur te ty” na sjell imazhin e autobuzëve urbanë fizarmonikë, aq të njohur në ato vite. 

Vlerë unike i  jep poezisë çiltërsia, e cila shprehet përmes thjeshtësisë së vargjeve, prej nga kuptojmë dhe ndjejmë sinqeritetin e poetes.Poezia reflekton një sinqeritet të veçantë, i cili mund të shihet si përfaqësues i një brezi poetësh dhe lidhet me disa faktorë historikë, shoqërorë dhe kulturorë që kanë ndikuar në formimin e tij. Brezi  i Natasha Lakos është  brezi që ka përjetuar ndryshime të mëdha shoqërore dhe politike. Në kohën e krijimit të kësaj poezie në Shqipëri, ndjenjat, fjalët dhe mendimet ishin të kontrolluara, gjer aty sa që dhe dashuria kishte parafjalë emrin e Partisë apo udhëheqësin, mirëpo kundër këtij kontrolli kishte nisur një lëvizje liberalizmi, kryesisht në art dhe kulture, që kulmoi me Festivalin e XI në Radio Televizion. Në lidhje me këtë brez poetësh theksojmë se një  karakteristikë e tij ishte thyerja e konvencioneve. Poezia e Lakos, me sinqeritetin e saj të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë, pasqyron dëshirën për të thyer kufijtë e fjalës së kontrolluar, pse ky brez poetësh kërkonte autenticitet dhe vetë-shprehje të sinqertë. Poezia "Dashuri" shpreh ndjenjat personale të dashurisë dhe përkushtimit në mënyrë të hapur dhe pa komplekse, duke përfaqësuar kështu një karakteristikë kyçe të këtij brezi, që shumë shpejt u martirizua.

Duhet të themi se sinqeriteti në poezinë e Lakos pasqyron gjithashtu një lidhje të ngushtë me realitetin e përditshëm dhe përvojat jetësore. Vargjet e saj flasin për veprime e ndjenja konkrete që lexuesit mund t'i kuptojnë dhe ndiejnë menjëherë, duke reflektuar një dëshirë për të kapur thelbin e jetës së përditshme dhe të emocioneve të përjetshme.

Gjuha e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë që përdor poetja reflekton sinqeritet. Nuk ka vend për fjalë të mëdha apo metafora të ndërlikuara; çdo varg është i qartë dhe i kuptueshëm. Poezia shpreh një përkushtim të palëkundur dhe një dashuri të thellë që nuk mund të blihet apo të ndryshojë me para, duke pasqyruar një ndjenjë të fortë të vlerave personale dhe emocionale, që ishin të rëndësishme për këtë brez. Poezia ka një ndjesi  çiltërsie që del nga një zemër e hapur, dhe kjo çiltërsi është një tipar që reflekton dëshirën për të qenë të vërtetë me vetveten dhe me të tjerët, një karakteristikë e fuqishme e brezit që po përjetonte dhe krijonte në një mjedis të përkohshëm liberalizmi nën diktaturë. Nqse do ta perifrazonim poezinë si një lumë, do thoshnim se ky lumë rrjedh në një shtrat të gurtë  sinqeritetit, prandaj është kaq i kristaltë.

Vargu përfundimtar, "Pesëdhjetë qindarka për të bërë dashuri," është një përmbledhje e drejtpërdrejtë dhe e sinqertë e natyrës njerëzore dhe dëshirës për afërsinë fizike që shpesh shoqëron dashurinë. Ky interpretim shton një dimension të ri në temën e dashurisë, por edhe e çliron lexuesin nga ndonjë romantizim i tepërt me paraqitjen e një perspektivë të vërtetë dhe të hapur.

II-Poezia "Dashuri" e Natasha Lakos është një poezi e fuqishme dhe e ndjeshme që arrin të përçojë thelbin e dashurisë përmes një gjuhe të thjeshtë, të drejtpërdrejtë, ku përmes simbolikës së qindarkave, poetja nënvizon se dashuria ka një vlerë të pamatshme dhe të pakrahasueshme me ndonjë gjë materiale. Kjo është arsyeja pse kjo poezi klasifikohet si një poezi simbolike, pse përdor simbole të thjeshta dhe konkrete, (si qindarkat), për të shprehur koncepte më të thella dhe abstrakte (si dashuria, përkushtimi dhe sakrifica).

Përdorimi i tyre (qindarkave) për të shprehur veprimet dhe ndjenjat që lidhen me dashurinë krijon një kontrast të fuqishëm midis vlerës monetare dhe vlerës emocionale, duke theksuar se dashuria nuk mund të matet me para. Ky është një shembull i qartë i simbolizmit, ku objekti konkret (qindarkat) përdoret për të përfaqësuar një ide më të gjerë dhe abstrakte (vlerën e pamatshme të dashurisë).

Poezia gjithashtu ka një aspekt realist, pasi përshkruan përvoja të përditshme dhe të kuptueshme nga të gjithë, si veprimet konkrete, udhëtimi dhe marrëdhëniet intime. Kjo përzierje e simbolizmit dhe realizmit e bën poezinë të fuqishme dhe të afërt për lexuesin, duke e bërë atë të reflektojë mbi vlerën e vërtetë të dashurisë në jetën e përditshme, i jep një jetëgjatësi dhe reflektim të përditshëm ndjenjës së dashurisë, si shkëmbinjtë pllaka bregdetare dritës së diellit në verë.

Mirëpo poezia "Dashuri" e Natasha Lakos, duke pasur parasysh elementet e saj të melodicitetit dhe muzikalitetit që janë të ngjashme me ato të poezive tradicionale, mund të konsiderohet gjithashtu një poezi moderne. Për të përcaktuar se cilës rrymë i përket, do të duhet të shqyrtojmë më thellë stilin dhe temat e saj, ku mund të vërejmë se përmban elemente tradicionale të ndërthurura me qasje moderne. Elementet tradicionale që përmban poezia janë:a)-Rima dhe ritmi pse poezia përdor një strukturë të thjeshtë dhe të përsëritur të vargjeve, duke krijuar një ndjenjë të ritmit dhe melodisë, që është tipike për poezinë tradicionale. Kjo krijon një efekt muzikor dhe harmonik që është i këndshëm për t'u dëgjuar.b)-Poezia përdor metafora, simbole dhe krahasime për të shprehur ndjenjat e dashurisë dhe lidhjes emocionale. Psh, përdorimi i qindarkave për të shprehur vlerën e lidhjes  dhe dashurisë është një metaforë që sjell një ndjenjë konkretizimi të ndjenjave abstrakte.

Qasjet moderne të poezisë janë: a)-Tematika dhe konteksti bashkëkohor, ku përdorimi i qindarkave dhe referencave monetare për të shprehur lidhjen dhe ndjenjat e dashurisë është një qasje moderne dhe pak ironike. Kjo shpreh një ndjenjë të vlerësimit material që është shumë e lidhur me realitetin bashkëkohor. Referencat monetare përshkruajnë lidhjet dhe ndjenjat e dashurisë në një mënyrë ironike dhe materialiste. Kjo shpreh një qasje moderne dhe bashkëkohore që është shumë e lidhur me realitetin ekonomik dhe social të kohës sonë, ku aspekti ironik dhe paksa cinik është një tipar i postmodernizmit b)-Minimalizmi dhe thjeshtësia e strukturës së poezisë, pa stolisje të tepërta, është një qasje moderne në poezi. Kjo qasje i lejon lexuesit të përqendrohen në ndjenjat dhe mendimet themelore pa u shpërqendruar nga elemente të tepërta stilistike. c)-Vargjet shprehin ndjenja personale dhe introspektive me qartësi dhe drejtpërdrejti, që është karakteristike për poezinë moderne. Psh, vargjet "sikur miliona të më jepnin s’do të kthehesha mbrapsh nga ty" tregojnë një përkushtim emocional të thellë dhe të drejtpërdrejtë.

Duke kombinuar këto elemente, poezia "Dashuri" e Natasha Lakos ndërthur elementet tradicionale me qasje modern dhe kjo e bën poezinë një shembull të mirë të ndërthurjes së neo-tradicionalizmit dhe postmodernizmit. Në qoftë se do pyesim  se si ka mundësi që Lako të eksperimentonte postmodernizmin në kushtet e soc.-realizmit unë ju rikujtoj se në vitet kur është shkruar e botuar kjo poezi në vendin tonë eksperimentoheshin forma dhe rryma të ndryshme  të modernizmit dhe është e natyrëshme që Natasha Lako të ishte një eksperimentu- ese e tyre.

III- Thamë qysh në krye që kjo poezi e Lakos të mbetet në mendje për vite me rradhë dhe lexohet me kënaqësi e recitohet me ngrohtësi, por cilat janë karakteri-stikat që i japin këtë veçanti kësaj poezie? Disa nga këto karakteristika janë:

-Qartësia e gjuhës së përdorur bën që lexuesi ta kuptojë dhe ta ndiejë mesazhin e poezisë pa vështirësi ndërsa thjeshtësia e vargjeve krijon ndjesi afërsie e intimiteti.

-Përdorimi i qindarkave si simbol për veprimet që lidhen me ndjenjat e dashurinë është një element origjinal dhe i fuqishëm që e bën poezinë të dallueshme dhe të mbetet në mendje, pasi qindarkat janë një njësi matëse e zakonshme që fitojnë një kuptim të ri dhe të thellë në kontekstin e poezisë.

-Rmocioni i sinqertë dhe çiltersia janë elementët bazikë që e bëjnë poezinë të prekshme për lexuesit. Ndjenja e dashurisë dhe përkushtimit që del nga vargjet është e përjetshme dhe universale, duke bërë që çdo njeri të mund të identifikohet me të. Madje kësaj i shërben dhe fakti që heroi poetik nuk identifikohet në se është hero apo heroinë.

-Mesazhi i poezisë, që dashuria nuk mund të matet me para, është një mesazh i përjetshëm që rezonon me lexuesit në çdo kohë. Ky mesazh e bën poezinë të jetë e vlefshme, e rëndësishme dhe frymëzuese për çdo brez.

-Vargu i fundit, "Pesëdhjetë qindarka për të bërë dashuri," përmban një ironi të ëmbël dhe një dozë të lehtë humori, duke sjellë një dimension të ri në poezi dhe shpesh lë një përshtypje të fortë tek lexuesit dhe kontribuon në mbajtjen mend të poezisë.

-Poezia është e shkurtër dhe koncize, gjë që e bën të lehtë për t'u memorizuar dhe recituar, struktura e saj e përmbledhur përmban një forcë të veçantë dhe çdo varg ka një peshë të madhe emocionale dhe simbolike.

Këto janë në thelb elementët që ndikojnë që kjo poezi të mbahet mend për vite me rradhë me një lexim të parë, gjë që tregon se poetja ka gjetur “damarin e arit” në minierën poetike.

IV- Kjo poezi është një poezi e frymëzimit dhe jo e mendimit. Frymëzimi në poezi shpesh shfaqet si një shpërthim i papritur dhe intensiv i krijimitarisë dhe ndjenjave, dhe ngjan me një vullkan që shpërthen duke nxjerrë diamante të formuara nga trysnia e gazrave mbi lëndët organike në brendësi të tokës. Kjo dukuri shpreh poetikisht se si një moment frymëzimi mund të sjellë në sipërfaqe emocione dhe mendime të pasura dhe të thella që janë formuar për një kohë të gjatë në shpirtin e poetes.

Në poezinë eNatasha Lakos, dukuria e frymëzimit dhe vlerat e saj shfaqen në disa mënyra. Poezia është e ngarkuar me ndjenja të fuqishme dhe të papërpunuara. Përmes vargjeve të saj të thjeshta dhe direkte, Lako kap momentin e thellë të përkushtimit dhe pasionit. Vargjet "Njëzetë qindarka për të folur me ty / tridhjetë qindarka për të ardhur te ty" dhe "Pesëdhjetë qindarka për të bërë dashuri" shprehin një dëshirë të madhe për afërsi dhe intimitet që është e drejtpërdrejtë dhe e fuqishme, duke dhënë ndjesinë e një shpërthimi emocional.

Frymëzimi shpesh sjell një formë të pastër dhe të thjeshtë  shprehjeje, e cila është e dukshme në këtë poezi. Thjeshtësia e gjuhës dhe struktura e poezisë lejon që ndjenjat të dalin në pah pa pengesa apo komplikime të panevojshme. Ky minimalizëm stilistik bën që ndjenjat të jenë më të prekshme dhe më të forta.

Përdorimi i qindarkave si metaforë për vlerën e komunikimit dhe dashurisë është një shembull i asaj se si frymëzimi mund të krijojë simbole të fuqishme dhe të reja. Kjo metaforë sjell një qasje të re dhe interesante ndaj konceptit të dashurisë, duke e lidhur atë me diçka konkrete dhe të matshme, por njëkohësisht duke shprehur vlera të thella emocionale që tejkalojnë çdo vlerë materiale.

Vargu "sikur miliona të më jepnin / s’do të kthehesha mbrapsh nga ty" shpreh një përkushtim të palëkundur dhe një intensitet që është karakteristik i momenteve të frymëzimit të vërtetë. Ky qëndrueshmëri dhe intensitet i ndjenjës është ajo që e bën poezinë të qëndrojë në mendjen dhe zemrën e lexuesit.

Frymëzimi në këtë poezi duket të jetë një eksplorim i papritur dhe i thellë i temës së dashurisë. Përmes vargjeve të saj të thjeshta, Lako arrin të shprehë kompleksitetin e dashurisë me një qartësi dhe fuqishmëri që vjen nga një burim i thellë emocional dhe kreativ. Poezia "Dashuri" e Natasha Lakos është një shembull i shkëlqyer i asaj se si frymëzimi mund të shfaqet në poezi. Përmes intensitetit emocional, thjeshtësisë ekspresive, përdorimit të metaforave të fuqishme dhe eksplorimit të ndjenjave të thella, Lako arrin të krijojë një vepër që është e fuqishme dhe e prekshme, duke përfaqësuar vlerat e vërteta të një momenti frymëzimi.

V-Poezia "Dashuri" e Natasha Lakos mund të reflektojë atributet e rinisë së saj, dhe frymëzimi që shfaqet në këtë poezi mund të ketë lidhje me emocionet e fuqishme që shpesh përjetohen në rini, pasi dihet që  rinia  karakterizohet nga një intensitet i lartë emocional. Ndjenjat e dashurisë, pasionit dhe përkushtimit përjetohen me një forcë të veçantë, dhe kjo ndjenjë reflektohet në vargjet e poezisë Përkushtimi i plotë dhe i pandashëm ndaj një personi, i shprehur në vargun "sikur miliona të më jepnin / s’do të kthehesha mbrapsh nga ty", është një ndjenjë që përjetohet në mënyrë më të mprehtë gjatë rinisë.

Në rini, shprehja e ndjenjave është më e drejtpërdrejtë dhe më e thjeshtë. Fakti që poezia përdor një gjuhë të qartë dhe të pakomplikuar, që lidhet me një dëshirë të natyrshme për të komunikuar ndjenjat pa filtra apo komplikime të tepërta na kujton se minimalizmi dhe thjeshtësimi në gjuhë është karakteristikë e të rinjve që përpiqen të shprehin ndjenjat e tyre në mënyrën më të pastër të mundshme.

Po ashtu, rinia është një periudhë eksplorimi e zbulimi, jo vetëm e botës përreth, por edhe e ndjenjave dhe marrëdhënieve personale. Poezia "Dashuri" tregon një lloj eksplorimi të vlerës së dashurisë e intimitetit, duke reflektuar kështu një kuriozitet dhe dëshirë për të kuptuar më mirë emocionet e moshës.

Frymëzimi që vjen si një "shpërthim i beftë i një vullkani" mund të lidhet me energjinë dhe spontanitetin e moshës. Kjo periudhë e jetës shpesh karakterizohet nga momente të papritura të kreativitetit dhe emocioneve të forta që shpërthejnë në mënyrë të papritur, ashtu siç shfaqet frymëzimi i poetes në krijimin e kësaj poezie.

VI-Mirëpo frymëzimi ka nevojë për talentin për tu shndruar në poezi, dhe këtu, duke parë nivelin e lartë artistik të poezisë ndjejmë se kontributi i talentit të poetes Lako është thelbësor dhe shfaqet në disa aspekte.  Një  kontribut kryesor i talentit është aftësia për të kapur dhe përçuar emocionet e fuqishme me thjeshtësi dhe ndjeshmëri që të kjo poezi është tepër e dukëshme.

Talenti i Lakos shfaqet dhe në përdorimin e metaforave e simboleve të fuqishme. Thamë se në poezi, qindarkat përdoren si metaforë për vlerën e komunikimit dhe dashurisë, ku kjo metaforë është inovative dhe tregon aftësinë e saj për të krijuar imazhe poetike që janë të thjeshta, por shumë të pasura në domethënie.

Poetja e shfaq talentin e saj dhe në përdorimin e stilit minimalistik që është shumë efektiv . Me pak fjalë, ajo arrin të shprehë ndjenja të mëdha dhe komplekse dhe kjo është një aftësi që kërkon një talent të veçantë për të gjetur dhe përdorur fjalët e duhura që kanë peshë të madhe emocionale dhe artistike.

Po ashtu, struktura e thjeshtë dhe e përsëritur e poezisë krijon një ritëm dhe harmoni që e bën poezinë të këndshme për t’u lexuar dhe dëgjuar. Ky përdorim i strukturës tregon një ndjenjë të fortë të formës poetike dhe një kuptim të thellë të asaj se si ritmi dhe përsëritja mund të theksojnë ndjenjat e shprehura në poezi., kuptim i cili është pasojë e një talenti të spikatur.

Pra talenti i Lakos është i dukshëm në shumë aspekte të poezisë "Dashuri". Aftësia e saj për të kapur emocione të fuqishme, për të përdorur metafora të forta, për të krijuar një stil minimalistik efektiv dhe për të shprehur ndjenja me një intensitet dhe drejtësi të veçantë e bën këtë poezi një vepër të shkëlqyer të krijimtarisë së saj poetike. Duhet të pranojmë dhe të shprehim se talenti i Natasha Lakos është si materia e një ylli që, megjithëse ndriçon për një kohë të gjatë në universin e poezisë, jo vetëm që nuk zbehet, por përkundrazi, rritet dhe përmirësohet me kalimin e kohës, duke u bërë gjithnjë e më i fuqishëm dhe më i përsosur.

 

Sarandë ,më maj 2024

 

 

Natasha Lako

DASHURI

Njëzetë qindarka për të folur me ty

tridhjetë qindarka për të ardhur te ty.

 

Sikur miliona të më jepnin

s’do të kthehesha mbrapsh nga ty.

 

Pesëdhjetë qindarka për të bërë dashuri.

 

“Marsi brenda nesh” 1972

 

Friday, 24 May 2024

 

NË DATËLINDJEN E NATASHA  LAKOS

 

Timo Mërkuri

Poezia "Në datëlindjen time"e Natasha Lakos kategorizohet si poezi lirike e mendimit, me elemente të reflektimit dhe të momentit të frymëzuar, por përmban ndjenja të forta personale dhe një ton emocional, që është karakteristikë e poezisë lirike. Poetja shpreh ndjenjat e saj për jetën, përvojat e kaluara dhe sfidat që ka hasur dhe pikërisht këto elemente personale e emocionale janë tipike për poezinë lirike.

Në poezi, autorja përjeton një moment frymëzimit, që është dita e saj e lindjes dhe është ky moment që e shtyn atë të reflektojë mbi të kaluarën dhe të ardhmen e saj në një mënyrë që mund të cilësohet si metaforike dhe simbolike, për shkak të përdorimit të metaforave dhe simboleve të forta në  pasqyrimin e përvojave dhe ndjenjave të saj në një mënyrë që përmban një shkallë të lartë abstraksioni.

I- Duke qënë një poezi moderniste, ajo ka një qasje me ekspresionizmin, rrymë që ka ndikuar në letërsinë botërore në fillim të shekullit të 20-të, e cila përqendrohet në shprehjen e ndjenjave shpirtërore të individit dhe e shpreh botën nëpërmjet një perspektive subjektive e dramatike. Qasja e poezisë "Ne datëlindjen time" me rrymën e ekspresionizmin dallohet në elemente të përdorura dhe karakteristikat që përshtaten me këtë rrymë:

a)-Poezia përdor një gjuhë të ngarkuar emocionalisht për të shprehur intensitetin e  emocioneve të poetes. Ato (emocionet) janë të ndjeshme, dhe paraqesin një eksperiencë shpirtërore të thellë, e cila është karakteristikë e ekspresionizmit. Psh vargu befasues: "Dhe burrat nuk ma dhanë të gjithë kupën me helm", që shpalos një ndjenjë zhgënjimi dhe vuajtjeje. "Kupa me helm" është një metaforë e fuqishme për përvojat e hidhura që poetja ka përjetuar. Intensiteti i emocionit në këtë varg është shumë i lartë, një tipar i rëndësishëm i ekspresionizmit, i cili shpesh eksploron anët e errëta të jetës dhe emocionet e thella. Po ashtu vargu: "Tani edhe kamxhiku i jetës po fle, / Në një gotë vere." shfaq një tjetër metaforë sa të fortë aq dhe të bukur, ku "Kamxhiku i jetës" simbolizon goditjet e jetës, ndërsa ideja që ai tani "po fle në një gotë vere" sugjeron një përkohësi  qetësie pas vuajtjes. Ky kontrast dhe përdorimi i figurave të forta stilistike për të shprehur gjendjen shpirtërore është tipik për ekspresionizmin, duke e bërë të dukshme ndikimin e ndjenjave të brendshme në perceptimin e botës.

Te bën përshtypje  pse poetja kujdeset të tregojë se burrat nuk ja dhanë të gjithë kupën (plot) me helm, madje është pikërisht kjo përkujdesje e saj që na shtyn drejt mendimit se  këto vargje kanë dhe interpretimin tjetër, karakteristikë e poezisë moderne në përgjithësi dhe e ekspresionizmit në veçanti. Kështu vargu "Dhe burrat nuk ma dhanë të gjithë kupën me helm" interpretohet  në tjetër kontekst, i cili nxjerr në pah një dimension të ri, ku vargu mund të sugjerojë momente mirëkuptimi të vonuar nga ana e burrave, pas një kundërshtimi apo kundërvënie jo të vogël për ta thyer atë shpirtërisht, për ti vrarë dëshirat, synimet, ëndrrat apo ambiciet e heroinës.  Në këtë kontekst duhet të sqarojmë se fjala “burra” nuk është e barazvlefshme më fjalën “meshkuj” pasi mund të ketë dhe kuptimin e “burrave shtetarë apo partiakë”. Pavarësisht gotës plot apo përgjysëm, gota ka qenë me helm dhe jo me ndonjë “trëndafil në gotë” duke nënkuptuar se burrat kanë mbajtur një qëndrimin negativ, refuzues ndaj aspiratave të heroinës, tipik qëndrimi patriarkal i burrave ndaj grave intelektuale.

b)-Në këtë kontekst vjen edhe interpretimi i vargut të parë: Unë nuk jam mësuar me tepër përkëdheli”, që sigurisht  nuk duhen interpretuar në kuptimin e literal të përkëdheljeve, por në kuptimin që poetja nuk ka çarrë lehtësisht në jetë, ose siç thuhet zakonisht: jeta nuk e ka përkëdhelur. Në qoftë se kthejmë shikimin pas, Natasha Lako ishte një poete e cila quhej: “e talentuar por e errët”, “ e vështirë për tu kuptuar”, “poezi e mbyllur” etj., nofka që ja atribuojnë edhe sot çereklexuesit dhe gjysëmlexuesit e poezisë. Sikur të mos e kishin mbështetur Kadare, Agolli, Moikom Zeqo, më pas dhe Rudolf Marku, Preç Zogaj, Sadik Bejko dhe pak të tjerë vështirë do ta kishte patur të arrinte të bëhej kjo Zonjë poezie që është sot. Problemi tjetër është se të gjithë këta mbështetës dhe inkurajues të saj janë goditur në monizëm për njerën apo tjetrën arsye, kështu që dhe mbështetja ndaj Lakos shpesh herë ka qenë e rezervuar, më shumë për të mos e dëmtuar me praninë e tyre, ndaj Lakos i është dashur të rezistojë dhe të ecë përpara falë forcës shpirtërore dhe talentit të saj. Prandaj thotë se ajo nuk u rrit “me tepër përkëdhelje”.

c)-Po ashtu, vargu "Tani edhe kamxhiku i jetës po fle, / Në një gotë vere" përmban disa elemente kyçe që pasqyrojnë stilin ekspresionist dhe konkretisht:

Simbolizmi i fortë është karakteristikë e rrymës ekspresioniste dhe në këtë varg shprehet te”kamxhiku” si simbol i qartë i vuajtjeve dhe sfidave që jeta mund dhe i ka sjellë. Duke përdorur këtë simbol, poetja shpreh idenë e vuajtjeve që kanë qenë pjesë e jetës së saj, ndërsa kur thotë se "kamxhiku i jetës po fle", ajo nënkupton një moment pushimi, lehtësimi apo shpëtimi nga këto vuajtje. Pra, “kamzhiku” është një përdorim i fuqishëm i simbolizmit për të treguar një gjendje të ndryshuar të ekzistencës.

Ekspresionizmi shpesh përdor kontraste të fuqishme për të theksuar emocionet dhe tensionet shpirtërore dhe në këtë varg, kontrasti midis kamxhikut (simbol i dhimbjes) dhe gotës së verës (simbol i kënaqësisë dhe relaksit) krijon një dualitet që pasqyron kompleksitetin e përjetimeve njerëzore dhe ndjejmë se ky kontrast thekson momentin e paqes dhe qetësisë pas një periudhe vuajtjesh.

Duke thënë se kamxhiku i jetës "po fle", poetja përdor personifikimin për t'i dhënë një cilësi njerëzore një objekti të pajetë. Kjo teknikë e bën më të gjallë dhe më të prekshme përvojën e pushimit të vuajtjeve, duke e bërë lexuesin të ndjejë më thellë këtë ndryshim të gjendjes emocionale. Si pjesë e ekspresionizmit, ky varg reflekton një gjendje të brendshme  qetësie dhe pajtimit pas një periudhe tensioni dhe vuajtjesh duke dhënë një shprehje të drejtpërdrejtë të një emocioni të thellë personal, një temë që është qëndrore në poezinë ekspresioniste.

Si dhe vera, që shpesh është një simbol i gëzimit, shoqërisë dhe kënaqësisë, në këtë kontekst mund të përfaqësojë një formë ngushëllimi ose shpëtimi. Ideja që vuajtja ("kamxhiku") po "fle" në një gotë vere mund të nënkuptojë se poetja ka gjetur një farë ngushëllimi ose paqeje në këto momente të veçanta ditlindjeje.

ç)-Në poezinë e Natasha Lakos, vargjet "Gëzuar thoshte i shtrenjti Sadi / Dhe dashuria ishte nomade" ofrojnë një pamje të ndjeshme dhe reflektive që mund të analizohet thellësisht në kontekstin e rrymës ekspresioniste.

Referenca për "të shtrenjtin Sadi" ka një rëndësi të veçantë. Sadiu (Saadi) është një poet dhe filozof persian i njohur për urtësinë dhe vargjet e tij mbi dashurinë dhe jetën. Përmendja e tij sugjeron një qasje të vargjeve të Saadiut “Kthe kupa e puth çupa/se ke shekuj për të fjetur në qetësi”. Në kontekstin e ekspresionizmit, kjo mund të interpretohet si një përpjekje për të përfshirë një urtësi të lashtë në përvojën personale të heroinës. Fjala "Gëzuar" ka një nuancë  festive e kënaqësie, por në kontekstin e ekspresionizmit, kjo përshëndetje mund të jetë ironike, duke përbërë një kontrast me sfidat dhe vuajtjet e përmendura më parë në poezi, duke theksuar dualitetin e përvojave njerëzore.

Metafora "Dhe dashuria ishte nomade" paraqet dashurinë si një entitet në lëvizje të vazhdueshme, pa një vend të përhershëm. Kjo metaforë e përfytyron dashurinë si një nomad, një person që nuk ka një vend të përhershëm banimi dhe që është në lëvizje të vazhdueshme, duke pasqyruar idenë se dashuria është e ndryshueshme dhe vazhdimisht në kërkim të një vendi të ri, një simbolizëm që nënkupton një mungesë  stabiliteti dhe  përhershmërie në marrëdhënie dhe ndjenja dhe që ne na përforcon idenë se poetja me termin dashuri nuk e ka fjalën vetëm për ndjenjat ndaj partnerit, por për dashuritë e shumta të saj si intelektuale, për të cilat jemi shprehur edhe më parë.

Në kontekstin e rrymës ekspresioniste, kjo metaforë reflekton një ndjenjë të përhershme të kërkimit dhe të pasigurisë emocionale. Ekspresionizmi synon të shprehë emocionet e brendshme dhe përjetimet subjektive në mënyrë të fuqishme dhe shpesh dramatike dhe kjo metaforë është një shembull i mirë i kësaj qasjeje.

d)- Në vargjet "Tani, ku tjetër strehë do të gjej, / Do të mplakem" ofrojnë një pasqyrim të ndjenjave të pasigurisë dhe reflektimit mbi jetën, të cilat janë të lidhura ngushtë me rrymën ekspresioniste.

Vargu "Tani, ku tjetër strehë do të gjej" shpreh një ndjenjë pasigurie dhe kërkimi të vazhdueshëm për një vend të sigurt ose një kuptim të qëndrueshëm në jetë. Kjo strehë nuk përfaqëson thjesht një shtëpi banimi fizike, por më shumë një vend emocional ose intelektual ku heroina ndihet e përmbushur dhe e sigurtë. Në këtë kontekst, strehëza mund të interpretohet si një fushe arti, një aspekt i fushës intelektuale ose një mënyrë për të kuptuar dhe përballuar botën. Poetja, duke e pyetur veten ku mund të gjejë një strehë të tillë, shpreh një kërkim të pafund për identitetin dhe përvojat që e mbushin jetën me kuptim. Në rrymën ekspresioniste, ky lloj kërkimi për kuptim dhe identitet shpesh është një temë themelore, pasi ekspresionistët përqendrohen në shfaqjen e emocioneve të brendshme dhe në përvojat e individit në një botë që është e paqëndrueshme dhe e pafavorshme. Prandaj, kjo ndjenjë e pasigurisë dhe kërkimi për strehë është një aspekt thelbësor i ekspresionizmit në poezinë e Natasha Lakos.

Një reflektim të drejtpërdrejtë mbi kalimin e kohës shpalos  vargu "Do të mplakem".  i cili mbart një peshë të madhe simbolike dhe filozofike. Ky varg nuk është thjesht një deklaratë për moshën fizike, por një reflektim i thellë mbi kalimin e kohës dhe procesin e plakjes si një pjesë integrale e përvojës njerëzore. Me këtë varg, poetja nënvizon pashmangshmërinë e kalimit të kohës, duke përfaqësuar një pranim të realitetit të jetës ku secili prej nesh duhet të përballet me procesin e plakjes. Qasja ekspresioniste në poezinë e Lakos, veçanërisht në vargun "Do të mplakem", shfaqet përmes thellësisë emocionale dhe përshkrimit të ndjenjave të brendshme të heroinës. Vargu përfundimtar "Do të mplakem", përmban një reflektim mbi ekzistencën njerëzore dhe kalimin e kohës, duke e lidhur drejtpërdrejt me ndjenjën e pashmangshmërisë së plakjes dhe fundin e jetës. Kjo sjell një dimension të thellë filozofik dhe emocional, të cilin ekspresionistët kërkojnë ta eksplorojnë.

Po ashtu intensiteti emocional që krijon vargu "Do të mplakem" është një shenjë e ekspresionizmit, pse ky varg specifik reflekton qasjen ekspresioniste përmes shfaqjes së ndjenjave personale dhe reflektimit shpirtëror mbi kalimin e kohës dhe plakjen. Intensiteti emocional që bart ky varg shpreh frikën, pranimin dhe reflektimin mbi pashmangshmërinë e plakjes, duke shfaqur emocionet në formën e tyre më të papërpunuar dhe të drejtpërdrejtë. Ky reflektim mbi ekzistencën dhe kalimin e kohës përçon ndjenjën e pashmangshmërisë të mplakjes, një element thelbësor i ekspresionizmit që merret me temat ekzistenciale dhe pyetje mbi kuptimin e jetës dhe vdekjes. Përshkrimi i një realiteti të përbashkët njerëzor, si plakja, është një qasje dramatike dhe e ndjeshme që është karakteristike për ekspresionizmin. Pra, vargu "Do të mplakem" pasqyron qasjen ekspresioniste përmes intensitetit emocional, reflekti-mit ekzistencial dhe përshkrimit dramatik, duke e bërë këtë varg një përfaqësues të qartë të kësaj rryme artistike.

II- Poezia "Në datëlindjen time" e Lakos përmban shumë elemente të rrymës së ekspresionizmit, duke shfaqur një gjendje shpirtërore të përzierë me ndjenja të pasigurisë, izolimit dhe kërkimit për kuptim, kështu që analiza e aspektit psikologjik të kësaj poezie në kontekstin e rrymës së ekspresionizmit përfshin identifikimin e ndjenjave dhe perceptimeve, si dhe përshkrimin e tyre nëpërmjet vargjeve që reflektojnë intensitetin dhe pasigurinë e brendshme të poetes.

Kështu psh, ndjenja e pasigurisë dhe izolimit shfaqet nëpërmjet vargjeve si:"Unë nuk jam mësuar me tepër përkëdheli,/Dhe burrat nuk ma dhanë të gjithë kupën me helm." ku ky përshkrim i shkëputjes dhe ndjesive të brishta tregon për një perceptim të pasigurisë dhe mosbesimit në shoqërinë dhe mbështetjen njerëzore, tipike për shumë shkrimtare ekspresionistë.

Reflektimi i brendshëm dhe ndjenja e humbjes shprehet te vargjet: "Tani, ku tjetër strehë do të gjej,/Do të mplakem." pasazh që tregon për një kërkim të vazhdueshëm për identitet dhe kuptim të qëndrueshëm në jetë, por edhe për një pranim të ngadalshëm të procesit të plakjes dhe humbjes së rinisë të jetës.

Po kështu si element psikologjik ankthi dhe tensioni emocional shfaqen në poezi te vargjet:"Gëzuar thoshte i shtrenjti Sadi,/Dhe dashuria ishte nomade."ku, personazhet dhe imazhet janë përdorur për të paraqitur një botë të turbullt emocionale, ku dashuria dhe gëzimi janë të pasigurta. Pra, te poezia e Lakos dhe elementët e aspektit psikologjik kanë natyrë të rrymës së ekspresionizmit poetik.

III-Poezia "Në datëlindjen time" e Natasha Lakos përmban një sërë simbolesh e metaforash që reflektojnë qasjen ekspresioniste, duke shfaqur ndjenjat shpirtërore  dhe përjetimet subjektive të heroinësës. Ekspresionizmi është i njohur për përdorimin e simboleve dhe metaforave të ngarkuara emocionalisht dhe me dramacitet për të shprehur gjendjen e brendshme të individit, por ajo që është karakteristike në këtë poezi (dhe në përgjithësi në poezinë e Lakos) është mënyra eshfaqies së simboleve në mënyrën metaforike që përthyhet në imazh poetik. Ja se si simbolet dhe metaforat në këtë poezi pasqyrojnë qasjen ekspresioniste:

Simboli”Kamxhiku i jetës” përfaqëson vuajtjet dhe sfidat e jetës ku vetë  përdorimi i "kamxhikut" evokon një ndjenjë dhimbjeje dhune dhe imponim, duke theksuar intensitetin emocional të përjetimeve të heroinës. Në kontekstin ekspresionist, ky simbol shfaq në mënyrë të qartë gjendjen shpirtërore të saj dhe përballjen me vështirësitë e jetës. Mirëpo”kamzhik” shfaqet si metaforë në përshkrimin dramatik dhe të fuqishëm të vuajtjeve dhe sfidave që poetja ka përjetuar në jetën e saj. Përdorimi i fjalës "kamxhik" sugjeron dhimbje dhe dënim, duke krijuar një imazh të fortë vizual dhe emocional jo vetëm me formën e kamzhikut. Kjo është tipike për ekspresionizmin, që shpesh përdor metafora të tilla për të shfaqur intensitetin e ndjenjave të brendshme dhe për të shprehur gjendje emocionale të thella dhe të vështira.

Simbolika e "gotës së verës" mund të interpretohet si  moment qetësie dhe lehtësimi të përkohshëm nga vuajtjet. Por gjithashtu shfaqet si një imazh, që krijon një kontrast të fuqishëm me "kamxhikun e jetës", duke treguar se edhe në mes të dhimbjes, ka momente të përkohshme paqeje dhe gëzimi. Ekspresionizmi shpesh përdor kontraste të tilla për të shfaqur kompleksitetin e përjetimeve njerëzore.

Kupa me helm” është një simbol që përfaqëson marrëdhëniet e hidhura dhe përvojat negative që kanë lënë gjurmë të thella te heroina, por ndërkohë shfaqet si një imazh që evokon ndjenja të forta zhgënjimi dhe trishtimi, duke pasqyruar ndjenjat e brendshme të heroinës në një mënyrë dramatike, tipike për qasjen ekspresioniste. Mirëpo  Kupa me helm” shprehet si metaforë që përfaqëson marrëdhëniet e hidhura dhe përjetimet negative që heroina ka kaluar. "Helmi" është një simbol i fuqishëm për diçka të dëmshme dhe të hidhur, duke theksuar ndjenjat e zhgënjimit dhe trishtimit. Në kontekstin ekspresionist, kjo metaforë përdoret për të shfaqur në mënyrë të papërpunuar dhe dramatike efektin e këtyre përjetimeve mbi gjendjen emocionale të heroinës.

Në të njëjtën mënyrë mund të flasim edhe për metaforën ”dashuria nomade” që simbolizon natyrën e lëvizshme dhe të përkohshme të dashurisë në jetën e heroinës. Kjo metaforë shfaq dashurinë si një imazh, diçka që lëviz pa qëllim dhe pa një qëndrim të qëndrueshëm Ekspresionizmi shpesh fokusohet te ndjenjat e pasigurisë dhe të përkohshmërisë, dhe ky simbol e pasqyron këtë ndjesi, duke treguar  përjetim personal të heroinës me dashurinë si diçka të paqëndrueshme dhe të lëvizshme. Vargu përfundimtar "Do të mplakem" shfaqet si symbol dhe shprehet si metaforë e pashmangshmërisë së kohës dhe reflektimit mbi ekziste-ncën , duke pasqyron një ndjenjë introspektive dhe filozofike.

Pra, metaforat, simbolet dhe imazhet në poezinë "Në datëlindjen time" të Natasha Lakos janë karakteristika të rëndësishme të rrymës ekspresioniste, pasi ato përforcojnë dhe shfaqin ndjenjat dhe përjetimet e thella shpirtërore të heroinës në një mënyrë dramatike, emocionale dhe filozofike. Këto elemente në ndërveprim midis tyre ndihmojnë në krijimin e një poezie të prekshme dhe të ndjeshme, që reflekton përvojën dhe përjetimet njerëzore në mënyrë të fortë dhe të thellë.

IV- Thamë se poezia "Në datëlindjen time" e Natasha Lakos është një poezi lirike që shpreh thellësisht ndjenjat dhe emocionet personale të autores dhe se kjo poezi është më tepër lirike sesa poezi e mendimit për disa arsye kryesore.

-Së pari, poezia shpreh ndjenja dhe përvoja personale të autores, flet për mungesë përkëdheljesh dhe për sfidat që ka kaluar në marrëdhëniet e saj me burrat, duke e shprehur këtë me një ton emocional dhe të ndjerë: "Unë nuk jam mësuar me tepër përkëdheli, / Dhe burrat nuk ma dhanë të gjithë kupën me helm." Kjo shprehje intime e ndjenjave dhe përjetimeve personale është tipike për poezinë lirike.

-Elemente të jetës së përditshme përmenden në poezi, si "dita e lindjes," "gotë vere," dhe "kamxhiku i jetës" detaje konkrete këto që e bëjnë poezinë të jetë më shumë një reflektim emocional mbi jetën sesa një analizë e thellë filozofike: "Tani edhe kamxhiku i jetës po fle, / Në një gotë vere."

-Toni i poezisë është tepër emocional dhe intim,i ulët, si një e folur me vete, madje autorja i drejtohet vetes dhe lexuesit me një ton që shpreh një ndjeshmëri dhe një përjetim personal të ndjeshëm: "Gëzuar thoshte i shtrenjti Sadi, / Dhe dashuria ishte nomade." Kjo ndjenjë intime dhe emocionale e bën poezinë të jetë më shumë një shprehje e ndjenjave të brendshme sesa një reflektim racional.

Pikërisht këta element që përbëjnë lirizmin e poezisë e bëjnë këtë poezi që të jetë më shumë lirike se sa poezi e mendimit. Psh :a)-poezia është më shumë lirike sesa e mendimit për shkak të fokusimit të saj në emocionet dhe përvojat personale të autores,ndërsa poezia e mendimit shpesh fokusohet në ide abstrakte dhe analiza logjike. b)-Metaforat e përdorura në poezi, si "kamxhiku i jetës" dhe "kupën me helm" kanë  ngarkesë emocionale dhe shprehin përjetimet e dhimbshme dhe sfidat e jetës në mënyrë të ndjeshme. Këto metafora janë më të lidhura me emocionet sesa me mendimin abstrakt.c)-Toni i poezisë është personal dhe i drejtpërdrejtë, duke shprehur ndjenja të thella dhe intime. Kjo i jep poezisë një karakter të fuqishëm lirik, duke e bërë më shumë një shprehje emocionale sesa një reflektim racional.

V- Lirizmin e poezisë e rrit edhe muzikaliteti i saj i brendshëm që konsiston në disa elemente të veçanta të gjuhës dhe strukturës poetike.

Së pari, muzikaliteti në poezi krijohet nga ritmi dhe kadenca e vargjeve. Poezia ka një rrjedhshmëri të natyrshme në vargje, ku ritmi i fjalëve dhe frazave tërheq lexuesin. Psh, përdorimi i fjalëve dhe frazave të shkurtra, si dhe vendosja e tyre në mënyrë ritmike, kontribuon në krijimin e një muzikaliteti të brendshëm:"Unë nuk jam mësuar me tepër përkëdheli,/Dhe burrat nuk ma dhanë të gjithë kupën me helm,/Tani edhe kamxhiku i jetës po fle,/Në një gotë vere."Të duket se këtë tekst mund ta këndojnë shumë bukur Anita Take me atë që quhet “muzikë dhome”.

 

Së dyti, përsëritja e disa fjalëve dhe frazave krijon një efekt muzikor dhe e bën poezinë më melodioze. Psh, përsëritja e fjalës "tani" në fillim të dy vargjeve të ndryshme krijon një ndjenjë të ritmit dhe e lidh poezinë në mënyrë harmonike: "Tani edhe kamxhiku i jetës po fle,/Në një gotë vere.”...”Tani, ku tjetër strehë do të gjej,/Do të mplakem."

Gjithashtu, muzikaliteti konsiston në përdorimin e metaforave dhe figurave të tjera letrare që kanë një tingëllim të veçantë dhe e pasurojnë gjuhën e poezisë. Përdorimi i fjalëve si "kamxhiku i jetës" dhe "gotë vere" krijon imazhe të fuqishme dhe e bën gjuhën e poezisë më të larmishme dhe më melodioze.

Toni emocional dhe intim i poezisë kontribuon gjithashtu në muzikalitetin e saj. Ndjenja e përjetuar në poezi transmetohet përmes zërit të butë dhe të ndjerë të autores, duke i dhënë vargjeve një melodi të brendshme:"Gëzuar thoshte i shtrenjti Sadi,/Dhe dashuria ishte nomade,/Tani, ku tjetër strehë do të gjej,/Do të mplakem." U thoni disa kompozitorëve që ta lexojnë këtë poezi e ta kompozojnë se na lemerisin disa tekste këngësh.

 

Sarandë, më maj 2024

 

 

 

Natasha Lako

Në datëlindjen time

Unë nuk jam mësuar me tepër përkëdheli,

Dhe burrat nuk ma dhanë të gjithë kupën me helm,

Tani edhe kamxhiku i jetës po fle,

Në një gotë vere.

Gëzuar thoshte i shtrenjti Sadi,

Dhe dashuria ishte nomade,

Tani, ku tjetër strehë do të gjej,

Do të mplakem.

Sunday, 19 May 2024

 

 

 

 

NJË DITË E NATASHA LAKOS

Timo Mërkuri

Poezia "Një Ditë" e Natashës Lako përfiton një vëmëndje të veçantë si për temën dhe formën e realizimit, ashtu dhe për faktin se: ndonëse e shkruar dhe botuar në vitin 1979 në Revistën Nëntori (prej nga e publikoi së fundmi Petro Mejdi nga koleksionet e tij), ajo nuk është përfshirë në asnjë përmbledhje poetike të Lakos të asaj periudhe. Të vesh në diskutim vlerat artistike të saj është absolutisht e pa vend, të tjera duhet të kenë qenë arsyet e mospërfshirrjes së saj, të cilat kuptohen dhe ndjehen vetëm pas një leximi të vemëndshëm.

Kjo poezi shfaq një perspektivë introspektive mbi përjetimet dhe ndjenjat e grave nëpërmjet një sinteze që trajton tema që përfshijnë kohën, angazhimin dhe dashurinë. Hyrja në “vitet e shkuara” është gjetur nga poetja si një portë prej nga ajo hyri dhe, si në një kamp përqëndrimi pa dashuritë dhe ëndrrat të ngujuara e të copëtuara, fakt ky që jo vetëm e revolton por dhe e angazhon: “Do të punoj në emër të të gjithave/do të dashuroj me dashurinë e të gjithave”,duke përcjellur një mesazh që interpretohet si thirrje për të vlerësuar kohën dhe përjetimet e kaluara , për të reflektuar mbi dashurinë dhe përkushtimin ndaj të tjerëve, si dhe duke u angazhuar në emër dhe bashkë me të gjithë për të ndikuar në botën përreth dhe për të krijuar një impakt pozitiv. Mendoj se qysh këtu nisin problemet e kësaj poezie me kohën, të cilat ju ftojmë ti zbërthejmë në shoqërim gjatë analizës.

I-Vargu "Një ditë hyra në vitet e shkuara" është hapja e poezisë dhe përmban një ngarkesë emocionale dhe kuptimore për interpretimin e saj, ku aspekte që mund të analizohen për këtë varg janë:

-Ndonëse fjala "Një ditë" fillon poezinë me një moment të caktuar ku personazhi hyri në "vitet e shkuara" , kjo tregon një hap të rëndësishëm që ndërmori poetja pasi tregon një lëvizje kohore nga e tashmja në të kaluarën, hyrje që artistikisht mund të shprehë një moment reflektimi ose një kujtesë përjetimesh të kaluara.

-Simbolika e "vitet e shkuar" është e rëndësishme në kontekstin e poezisë sepse së pari: transmeton idenë e poezisë për përjetime të kaluara, por është dhe një farë mburoje e autores për temën që trajton. Poetja lehtësisht temën e sposton në një kohë të pacaktuar, por që gjithsesi është shumë larg kohës kur ajo shkruan poezinë (viti 1979). Arsyeja është shumë e thjeshtë, në vitin 1967 udhëheqësi i vendit mbajti një fjalim programatik duke u pozicionuar në mbrojtje dhe emacipim të femrës shqiptare, pra poetja duhej që kohën e hyrjes në vitet e shkuara (ku paDashuritë të mbyllura /Ëndrra të coptuara”)  ta spostojë para kohës së mbajtjes së atij fjalimi, ndryshe do kishte probleme.Teorikisht, me këtë varg (Një ditë hyra në vitet e shkuara") poetja paraqet një perceptim subjektiv të kohës duke i dhënë një qasje modernizmi poezisë, një aspekt që mund ti “shënohej” në “kartën e krijimtarisë” si shfaqje anti soc.-realizmi.  Arsyeja e dytë është fakti se jo shumë larg ishte mbajtur Pleniumi famëzi i IV që shtroi shinat e soc.-realizmit mbi të cilat do ecte kultura, arti dhe letërsia dhe ishte e dukëshme që kjo poezi, në formë dhe përmbajtje kishte dalur nga shinat (binarët) e soc-realizmit. Po të ishte vetëm kjo, edhe i falej kësaj “çupke pe Korçe”, por “hataja” e poezisë vjen më pas.

-Vargjet "Do të punoj në emër të të gjithave/ Do të dashuroj me dashurinë e të gjithave" shfaqin një vendosmëri dhe dëshirë për të sjellë ndryshime pozitive në botë, duke përfshirë dhe shprehur dashurinë në një mënyrë universale. Analiza e këtyre vargjeve sjell disa interpretime:

-Vendosmëria për ndryshime pozitive në botë shprehet te fjala "Do të punoj". Kjo lidhet me dëshirën për të kontribuar në shoqëri në një mënyrë që sjell përparim dhe përmirësim për të gjithë dhe në veçanti të statusit të gruas, por ama fraza ka kuptimin që “do punoj unë”, dhe jo do punojë partia dhe udhëheqësi. Sigurisht që pyetja që kanë bërë redaktorët ka qënë përafërsisht: Kush është kjo çupkë që mënjanon udhëheqësin  dhe del vetë në ballë të punës, kur për udhëheqësin në atë kohë këndohej kënga: Ti përpara, ne pas teje…?

-Ajo që ka rëndësi te vargjet e mësipërme është solidariteti dhe përkushtimi me dhe ndaj të gjithë individëve dhe grupimeve shoqërore, që shprehet me frazën: "në emër të të gjithave". Kjo paraqe një dëshirë të poetes për të punuar dhe përmirësuar statusin e vajzave dhe grave, ndonëse interpretimi shtrihet edhe në një dëshirë për të punuar për të përmirësuar të mirën e të gjithëve, duke përfshirë të pastrehët, të pambrojturit, dhe ata që janë në nevojë etj. Sigurisht që dhe te ky interpretim është e dukshme dalja nga soc.-realizmi.

-Poetja i jep dashurisë përmasat universale nëpërmjet përdorimit të fjalës "dashurinë e të gjithave" e cila përfaqëson një kuptim të gjerë të dashurisë. Kjo mund të interpretohet si  dëshirë për të dhënë dhe për të pranuar dashuri nga të gjithë, pa dallim dhe kufizime, duke u shndruar në një shprehje përkushtimi për të krijuar një botë më të dashur dhe më të mirë për të gjithë.

-Autorja mund të shprehë dëshirën për shpëtimin dhe çlirimin e dashurive të të gjitha grave te vargjet e përmendura. Në këtë kontekst, vargjet paraqesin një thirrje për  angazhim të përbashkët për të luftuar për drejtësi dhe lirinë e grave e vajzave, por dhe si shprehje solidariteti me gratë që përjetojnë diskriminimin, dhunën, ose të tjera forma të padrejtësisë sociale e shoqërore. Vargu" Do të punoj në emër të të gjithave " mund të paraqesë angazhim për të ndryshuar strukturat dhe normat shoqërore që cungojnë statusin e gruas, me synimin për të ndryshuar realitetin shoqëror dhe për të siguruar që të gjitha gratë të kenë të drejta të barabarta. Kjo thirrje, ndonëse është shprehur në vetën e parë (do punoj, unë) është një thirrje për veprim kolektiv dhe për të qenë zë për ndryshime pozitive në shoqëri. Kjo dëshirë për të punuar në emër të të gjithëve dhe për të “dashuruar me dashurinë e të gjithave” paraqet idenë e poezisë si mjet për të krijuar ndryshime pozitive në shoqëri dhe për të shkaktuar ndjenja të përshtatshme te lexuesit. Sigurisht që me termin "dashuri", poetja nuk nënkupton vetëm dashurinë mes dy partnerëve, por edhe dashurinë për për familjen, për karriere, për arsimin dhe për përkushtimin ndaj idealeve dhe pasioneve të ndryshme etj.

Pra, në esencë, poetja shprehet se poezia ka fuqinë për të ndryshuar perceptimet, për të ngritur ndërgjegjen dhe për të frymëzuar veprime të mëdha për të ndryshuar botën (reale apo shpirtërore), duke shprehur një besim të madh në fuqinë e fjalës së shkruar dhe aftësinë e saj për të ndryshuar realitetin. (Sigurisht që një hetues monist do mbushte nja dhjetë faqe material për akuzën me këto interpretime).

Unë nuk e di në se mospërfshirjen në vëllimet e botuara nga autorja këtë poezi e ka hequr redaktori apo nuk e ka përfshirë poetja, por kjo poezi tregon se kjo “çupkë” nuk ka qenë dhe aq në rregull “me vijën”, për fatin tonë të mirë.

II-Janë pikërisht vargjet "Do të punoj në emër të të gjithave / Do të dashuroj me dashurinë e të gjithave!" që na tregojnë se poezia “Një ditë”e Natasha Lakos i përket rrymës së poezisë progresive ose angazhuar. Kjo rrymë fokusohet në të drejtat sociale, politike dhe njerëzore dhe shpesh përdoret për të përfaqësuar ide dhe qëllime shoqërore. Poezitë e kësaj rryme shprehin qëndrime kritike ndaj padrejtësive dhe përkushtim ndaj një idealizmi për ndryshime pozitive. Në këtë rast, poetja shprehe një dëshirë për të punuar në emër të të gjithëve dhe për të gjithë, duke paraqitur angazhim për të ndryshuar dhe përmirësuar shoqërinë për të gjithë individët.

Kujtojmë se poezia progresive ose angazhuar është një formë e poezisë që përdor fjalë dhe imazhe për të shprehur qëndrime e qëllime sociale, politike e njerëzore dhe fokusohet në problemet shoqërore, padrejtësitë, dhe sfidat e shoqërisë, duke përpjekur të nxisë ndryshime pozitive dhe të zgjojë ndërgjegjen e lexuesve për të parë dhe njohur thelbësisht realitetin në të cilin jetojnë. Kjo poezi ka një qëndrim kritik ndaj sistemeve të padrejtësisë dhe pabarazisë dhe përpiqet të theksojë nevojën për drejtësi dhe liri për të gjithë individët dhe këtë përpiqet ta realizojë përmes imazheve, metaforave e simboleve që paraqesin situata të rënda sociale ose politike. Poezia progresive shpesh ka një qëllim të qartë e të dukshëm për të nxitur ndryshime në shoqëri, për të mbrojtur të drejtat e njeriut etj. Një shembull i njohur i poezisë progresive është Pablo Neruda, i cili përdorte imazhe për të shprehur solidaritetin me të pambrojturit dhe për të kundërshtuar padrejtësitë shoqërore. Kjo lloj poezie ka një impakt të madh në lexuesin e saj dhe mund të ndikojë në diskutimet dhe veprimet shoqërore.

Pra , veç sa thamë më sipër, nqse do ti evidentohej edhe qasja me rrymën e poezisë progresive ose angazhuar dhe fakti që nuk plotësonte asnjë kriter të realizmit socialist unë nuk dua të mendoj se çdo kishte ndodhur. Veçse unë ju them se është një poezi shumë e bukur, shumë e ngrohtë, tepër shpirtërore dhe e kuptu-eshme, ndonëse është një poezi moderniste.

III-Vargjet "Dhe gratë më treguan/Dashuritë e tyre të mbyllura / Ëndrat e tyre të coptuara" paraqesin një pamje të ndjeshme të përjetimeve të grave, duke përdorur metafora të fuqishme për të shfaqur ndjenjat dhe dëshirat e tyre. Fjala "gratë" në këtë varg përfaqëson një grup të gjerë, ku rrëfenja e tyre është qendra e idesë së vargjeve. Kjo fjalë krijon ndjenjë përgjithësimi e përfaqëson përjetime të njejta nga disa individë, si grup apo shtresë shoqërore. Metafora e "dashurive të mbyllura" sugjeron një ndjenjë të ndaluar. Kjo mund të interpretohet si ndjenja e e pashprehur ose emocione të ndrydhura, që nuk janë shprehur hapur. Fjala "mbyllura" tregon një ndjenjë të mbyllur, që mund të jetë si rezultat i ndryshimeve në jetë, apo kodeve zakonore e tradicionale të jetës, jo vetëm në kohët e shkuara. Po ashtu  metafora e "ëndrave të coptuara" shfaq gjendjen e ëndrrave të coptuara, ku fjala "coptuara" paraqet imazhin e (ëndrrave) diçkaje të bukur (një trëndafil psh) të shkatërruar forcërisht si pasojë e goditjes apo dhunës sistematike të ushtruar mbi atë.

Pavarësisht përdorimit të metaforave (dhe figurave të tjera artistike) poezia "Një ditë" e Lakos karakterizohet më shumë nga natyra e saj imazhiste, ku përdorimi i imazheve dhe skenave vizuale është thelbësor për transmetimin e mesazhit poetik. Për shembull, fjalët si "Një ditë hyra në vitet e shkuara" dhe "Ëndrat e tyre të coptuara" krijojnë imazhe të forta dhe të ngjashme me realitetin, të cilat forcojnë përjetimet dhe ndjenjat që shprehen në poezi. Në këtë rast, përdorimi i metaforave dhe simboleve nuk është shumë  thelbësor, ndërsa imazhet dhe shfaqiet vizuale janë ato që zbulojnë thelbin dhe emocionin e poezisë. Disa prej imazheve të poezisë  që i japin natyrë imazhiste asaj, janë:

Imazhi:"Një ditë hyra në vitet e shkuara", është një imazh metaforik që përshkruan një përvojë personale ose kohë të kaluar. Imazhi: "Dhe gratë më treguan / Dashuritë e tyre të mbyllura" paraqet dashurinë si diçka të mbyllur, e përjashtuar apo e fshehur nga shikimi i botës. Imazhi: "Ëndrat e tyre të coptuara"përshkruan ëndrrat si të dëmtuara ose të shkatërruara, ndoshta si pasojë e goditjeve të forta. Këto imazhe janë të rëndësishme për të shprehur përjetimet dhe ndjenjat në poezi, duke i dhënë asaj jo vetëm një thellësi, por dhe një aspekt vizual që e bën atë më tërheqëse për lexuesin.

IV-Nuk e di në se qëllimisht apo rastësisht poetja Lako, në këtë poezi ka përdorur elemente të tradicionalitetit, ndonëse të përzier me qëndrim progresiv. Ajo përdor një strukturë të thjeshtë dhe të kuptueshme, e cila i përshtatet poezisë tradicionale. Megjithatë, përmbajtja e poezisë shfaq një angazhim të thellë për të ndryshuar dhe për të përmbushur qëllime të larta shoqërore dhe njerëzore, duke treguar kështu një qasje progresive.

Përfaqësimi i përmasave të larta shoqërore dhe njerëzore në një formë poetike të thjeshtë dhe të qartë ka një ndikim nga tradicionaliteti poetik në Shqipëri, por dëshira për të ndryshuar dhe përmbushur qëllime të larta sociale dhe njerëzore tregon një qasje progresive dhe  përdorimin e poezisë si një mjet për të realizuar ndryshime në shoqëri.

Prandaj, poezia e Natasha Lakos ka një përzierje të elementeve të tradicionalite-tit me një qasje më progresive, duke paraqitur kështu një kuptim të thellë dhe të pasur nën dukjen e saj të thjeshtë.

V- Poezia e "Një ditë" shpreh një ndjenjë të thellë të universalitetit të dashurisë përmes qëndrimit të përkushtuar ndaj përmirësimit të situatave shoqërore dhe njerëzore. Duke shprehur dëshirën për të punuar në emër të të gjithave dhe me dashurinë e të gjithave, poetja thekson një përfaqësim të lartë të solidaritetit dhe një përkushtim ndaj një ideali të përbashkët njerëzor.

Nëpërmjet përdorimit të fjalëve të thjeshta e të kuptueshme, Lako shpreh një larmi ndjenjash dhe aspiratash që i përkasin çdo individi dhe duke u përqendru-ar në idenë e të punuarit në emër të të gjitha grave dhe dashurisë me të gjithë, ajo paraqet dashurinë si  forcë e përbashkët që përmirëson jetën e të gjithë njerëzve, pa dallim etnik, kulturor, apo shoqëror.

Ky universalitet i dashurisë që përfaqësohet në poezinë e saj është thelbësor për arsyetimin e një bote të drejtë dhe të lumtur për të gjithë. Duke ngritur dashurinë si një forcë për ndryshim dhe përparim, poetja paraqet  vizionin e një shoqërie që bazohet në solidaritet dhe respekt ndaj të gjithëve.

Për këtë arsye, përkushtimi i Natasha Lakos për të shprehur universalitetin e dashurisë në poezinë e saj ndikon në një kuptim më të gjerë të një qëndrimi human dhe një dëshirë për të krijuar një botë më të mirë.

 

Sarandë, më maj 2024

 

Natasha Lako                                              

NJË  DITË                                                

Një ditë hyra në vitet e shkuara                                   

Dhe gratë më treguan                               

Dashuritë e tyre të mbyllura                           

Ëndrat e tyre të coptuara                                         

Do të punoj në emër të të gjithave.                         

Do të dashuroj me dashurinë e të gjithave!