Tuesday, 4 October 2022

 

Timo Mërkuri

 

A M E R I K A N I    SOLLI ODISE KOTE

 

 “Është humbja ajo që na mëson vlerën e gjërave”

                                                             Shopenhaueri.

   

 

               Nëpërmjet shtëpisë Botuese “TOENA” Odise Kote solli romanin “Amerikani”, një roman  që të trondit si asnjë tjetër për nga përmbajtja, aq sa edhe të mahnit për artin me të cilin është shkruar. Është një roman tepër i veçantë, që vjen për herë të parë në letërsinë shqipe, me një subjekt të si një dhimbje shpirt, shkruar me një stil poetik me “ngjyrë gri”, në të cilën pikëlonë si shi  e zeza e vuajtjes, si vesë e bardha e shpresës dhe dhe si një tis mjegulle roza e zemrës. Me këtë roman Odise Kote dëshmoi pjekurinë e tij si një shkrimtar dinjitoz i letërsisë shqipe bashkëkohore..

              I-Për nga përmbajtja “Amerikani” i ngjason romanit “Arkipelagu Gulag” të Aleksandr Solzhenitsyn, por me një shtrirjeje hapësinore më të madhe të vuajtjejeve fizike e shpirtërore sepse: në qoftë se  Solzhenitsyn shkruan për vuajtjet dhe torturat e të arestuarve dhe të dënuarve në hetuesi, burgje e kampet e punës, Odise Kote na tregon me një gjuhë artistike se: gjithë Shaqipëria ishte thjeshtë një burg kolektiv, i krijuar nga shteti monist. Në një farë mënyre të gjithë ishim të burgosur, pavarësisht se disa gdhiheshin brenda telave me gjemba të kampit, ndërsa të tjerët brenda klonit të kufijve shtetërorë. “Amerikani” është një roman që sjell një pamje të re mbi fatin, vuajtjen dhe rezistencën e të burgosurve politikë në burg dhe jashtë tij dhe  duhet lexuar patjetër, qoftë për vlerat e tij të veçanta estetike dhe letrare, qoftë edhe si një ndjesë ndaj atyre mijra të dënuarve të pafajshëm, për të cilët ne nuk kemi ditur të vërtetën e dënimit dhe vuajtjeve nëpër burgjet e kampet e diktaturës. Mosdija jonë u jep ish të dënuarve politikë një farë ngushëllimi, por neve nuk na lehtëson aspak nga ndjenja e gabimit, sepse edhe ne i kemi quajtur “armiq”pa ditur asgjë për “armiqësinë” e tyre. Si “armiq” na i paraqitën “drejtuesit” e tribunave, dhe nuk e  menduam se shumë shpejt në të tillë do shndroheshin vetë ata, fqinjët, miqtë e vëllezërit tanë. Vala e arestimeve afrohej drejt familjeve shqiptare (kryesisht) intelektuale dhe artistësh siç u afrohet fëmijëve në ranishte vala e detit, të cilës përpiqen ti “shpëtojnë” duke kërcyer pupthi ose duke ju larguar me vrap. Ardhja e valës së detit dhe kërcimi apo largimi me vrap ndaj saj është një lojë fëminore që krijon shpërthime të qeshurash, ndërkohë që ardhja e valës së arestimeve ishte një gjëmë që fillonte me kuje e vazhdonte me vuajtje.

                 Ka dhe një aspekt tjetër koha e ardhjes së këtij romani të Odise Kotes që ja lartëson vlerat. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri shumë krijues që kishin jetuar ferrin e burgjeve dhe internimeve nisën të shkruanin për vuajtjet e tyre në hetuesinë, burgjet dhe kampet e punes , madje dhe e reklamuan këtë krijimtari si lindjen e “letërsisë së burgjeve”ose “burgologjia”, tezë dhe krijimtari që përkohësisht  tërhoqi vëmëndjen e lexuesve. Më duhet të them se me pak përjashtime (si Visar Zhiti etj.) kjo “rrymë” letrare “humbi” nga interesimi i lexuesve si lumi që humbet në rërën e shkretëtirës dhe kjo, jo për faj të lexuesve, por për gabimin e autorëve. Në shumicën e saj, kjo krijimtari ishte një lloj rrëfenje, shumë larg të qënit letërsi.  ishte një të shkruar “e zeza mbi të zezë”, pa art dhe pa finesë letrare. Në kohën që interesimi për letërsinë po “firon”, “firon”  e  “letërsisë së  burgjeve” e “ndihmoi” indirekt dhe stili i ftohtë, urrejtja e tipit  propogandistik me të cilën ishin shkruar,  duke haruar që arti në përgjithësi dhe arti letrar në veçanti është së pari dashuri. Kjo do të thotë që edhe kur shkruan për  kundërshtarin, sado që ta urresh atë, frazat  dhe fjalët e tyre apo për ta duhen shkruar me art dhe finesë, që të flasin shumë më shumë se sa kuptimi gramatikor i tyre, sepse ato janë pjesë e artit letrar dhe jo pjesë fizike e njeriut kundërshtar.

 

                II- “Amerikani” i  Odise Kotes  është një roman që hyn denjësisht në letërsinë shqipe dhe qëndron në rrafshin e epërm të saj, pse në të gjithë faqet e librit, shkruhet e përjetohet artistikisht jeta në Shqipërinë e errët moniste, por njëkohësisht ndjehet e shihet drita tej kësaj errësire. Në ligjërimin artistik të romanit dëshmojnë vuajtjen, ndjenjat dhe mendimet  personazhe të ndryshëm, ndërkohë që plagët e trupit te të dënuarëve më shumë i ndjejmë në lexim apo në efektin psikologjik dhe luftën për egzistencë.

               Në qoftë se do na duhej të pasqyronim zhvillimin e jetës në “botën” e romanit, kjo do realizohej me një grup fjalësh,  që na kujtojnë përshkrimin në Bibël të krijimit të jetës në tokë sipas radhës: Kaos, Mjegull dhe Kthjelltësi. Një kaos i vërtetë ligjshmërie, veprimesh, mendimesh e ndjenjash përmbytin botën e Nelson Andreas qysh nga momentë që shkel në tokën shqiptare, një mjegulle dëndur mos-orientimi e mbulon jetën e tij në kushtet e një jetese sipas normave e parimeve socialiste pas burgut, mjegull që rëshqet drejt shpërbërjes, për ti lënë vendin një kthjelltësie qiellor e shpirtërore, ose më saktë një triumfi të jetës.

               Përsonazhi Nelson Andrea ardhur nga parajsa amerikane në ferrin monist, në mënyrën më të

papritur për të, si artist, e gjen veten në disa raporte që kurrë nuk i kishte menduar se egzistonin, dhe pikërisht e gjen veten te:  a) -raporti i artistit me diktaturën ku ai  fillimisht, më shumë për shkak të mosnjohjes së funksionimit të jetës në monizëm  ndjehet si “i rrëzuari nga anija në mes të detit” dhe po mbytet, por duke u kapur pas artit të tij, si pas një litari, ringjitet në kuvertën e jetës.

       b) -raporti i artistit me shoqërinë, kur shoqëria shqiptare jetonte nën një ciklon propogande të shfrenuar, pa jetë, pa vision dhe arti i vërtetë shihej si një “blasfemi”, si një sfidë ndaj regjimit, si një ndikim i huaj, ndërsa artistët ishin dënuar, persekutuar, u ishte hequr e drejta e ushtrimit të artit të tyre, e megjithatë ata vijonin të krijonin artin e tyre në heshtje, larg syve të publikut.

         c) -raporti i artistit me vetveten ishte një raport sfilitës për Nelson Andren. Shpirti i tij si artist ishte në vlim si një llavë, ndërkohë që presioni psikologjik, dhuna e shtetit monist dhe strukturave të tij i rëndonin mbi grykën e “kraterit” të tij shpirtëror si pllaka plumbi mbi grykën e reve radioaktive nëpër laboratorët bërthamorë.

               Personazhi Nelson (Nelo) Andrea në njëzetëetre vjet burgim, persekutim, përgjim etj. lufton për të ruajtur shpirtin e tij artistik e human  dhe jetën në një shoqëri që “i grabiti” dhe identitetin e tij, sepse e ndjen që, nëse burgu apo kjo jetë që bën si një i mënjanuar ja shkërmoq personalitetin dhe talentin nën dhunën  e përditëshme, atëherë ai zhvlerësohet si njeri, dhe ska të ardhme dinjitoze si artist prandaj:  Lahet, ushqehet, vesh jelekun dhe këmishën e bardhë me jaka të larta dhe zbret në kube. Kubeja ishte kisha e tij, ajo kishë si e At Artur Liolinit atje në Boston. Kubeja dhe interpretimi në violinë janë instrumentet që e shndrrojnë Nelo Andrean shqiptar, një varrmihës komunaleje në Nelson Andrean amerikan”.  Kjo  rezistencë intelektuale është lufta e tij, mbijetesa është fitorja, sakrifica e tij ishin vitet e humbura, jo vetëm në burgje e kampe pune, por gjithë vitet e qëndrimit në Shqipëri. “Nelson Andrea për herë të parë në jetën e tij ndjeu dhimbje, dhimbje të fortë në gjoks. Më shumë se dhembje ajo ishte keqardhje për vetveten. Kishte shpenzuar kot së koti njëzet e tre vitet e jetës së tij në këtë vend. Kujt ia kishte falur dhe përse”?

                Përfytyroni një djalosh të rritur e selitur në bulevardet dhe sallat e koncerteve të Bostonit të vijë në Shqipëri, prej nga ka ikur dy vjeç fëmijë dhe porsa ve këmbën në tokën shqiptare, i vënë një thes në kokë e prangat në duar, madje pas shpinë dhe gjendet përballë goditjes së një shteti me mentalitet dhe metoda mesjetare të sjelljes dhe drejtimit. Realisht Nelson Andrea nuk ishte armik i  Shqipërisë dhe as i pushtetit monist, madje ai s’dinte gjë për luftën Nac. Çl.  (çpunë kam unë me luftën thotë ai me vete diku) dhe as për shtetin monist apo luftën e klasave . Ai ishte nje shtetas amerikan që erdhi në atdheun e tij të lindjes, Shqipëri, por erdhi në kohën e gabuar dhe me pasaportën (e gabuar) amerikane. Ishte kjo pasaportë që e pozicionoi atë si “armik” të vendit të tij, ishte ajo që nervozonte  hetuesit, policët dhe gardianët e burgut, madje edhe “tutorin” e tij Rako Siranin. Ajo pasaportë i dha emërtimin “imperialist” ndaj dhe presioni psikologjik dhe dhuna ishin goditje që i vinin njera pas tjetrës fizikut, personalitetit, psikologjisë dhe talentit së tij me forcën e befasisë dhe pastaj me forcën e qëllimit të tyre. Instiktivisht, për tu mbrojtur prej tyre ai u mbyll në heshtje, si në një “koracë mbrojtëse” , e cila mirte formën më të përshtatëshme  rezistente ndaj çdo lloj goditjeje, pa e ndjerë se kjo “formë e përshtatëshme” ishte në fakt një përthyerje e personalitetit dhe psikologjisë të tij, si hekuri që, kur nxehet, përthyhet edhe nga vetë pesha e tij. Përkundër portretit së disa personazheve të “letërsisë së burgjeve” që paraqiten “heroikë” në birucat, burgjet apo kampet e internimit e që më së shumti ngjajnë me “heronjtë” pozitivë të soc- realizmit, (veçse në kahun e kundërt), Odise Kote te personazhi i tij paraqet objektivisht edhe ndikimin tjetërsues të presionit të diktaturës mbi ‘të. Nelson (Nelo) Andrea nuk u vu në shërbim të policisë dhe të hetuesisë, nuk bëri madje as “tradhëtinë e butë” (qëndrimin  shpërfillës ndaj fatit të miqve dhe shokëve të tij), por koha e gjatë prej njëzet e tre vjetësh nën trysninë, jo vetëm psikologjike por edhe ekonomike e fizike, bëri që edhe ai të “ndikohej” nga fryma e kohës e “hakmarjes”  e adresuar te personat shkaktarë të vuajtjeve të tij.  Është një fenomen i njohur psikologjik: një njeri me personalitet të spikatur e kulturë të lartë, kur detyrohet të jetojë në një ambient ku dhuna është e pranishme në gjitha poret e jetës së shoqërisë dhe në të gjitha format, pas dhunimit, ai instiktivisht kërkon që të largojë nga vetja ndjenjën poshtëruese të këtij dhunimi duke u hakmarrë ndaj dhunuesit: “Andrea mori frymë thellë dhe iu drejtua ambasadorit amerikan: Shkëlqesi! Më keni nderuar shumë sot… Por më falni …aty në rreshtin e tretë është dikush që nuk duhej të ishte në këtë sallë, dhe as që duhej ta kishte dëgjuar këtë muzikë! Syri i Nelson Andreas kishte pikasur në rreshtin e tretë, tek të ftuarit, Rako Siranin”. Ai mendoi si shqiptar i persekutuar (dhe jo si amerikan i dënuar në Shqipëri) se ishte parimisht e drejtë që të kërkonte mos praninë e Rako Siranit , shkaktarin e vuajtjeve të tij në atë sallon të ambasadës Amerikane ku ai, si i ftuar i veçantë bashkë me të bijën dha një koncert recital me violinë, ndaj me siguri e ka befasuar përgjigja e ambasadorit amerikan: “Pa probllem, pa probllem, - reagoi shkathtësisht ambasadori…. U ngrit për kortezi nga vendi, i përshëndeti dy violinistët, at e bijë, dhe kërkoi: Pa probllem, kjo është demokracia. Vazhdojmë me programin më tej”. Do ti duhej për ca kohë një klimë e re, një mënyrë e re jetese për të rigjeneruar këtë “shtypje të koracës” së tij, apo edhe për ta flakur në harresë vetë koracën. Pasqyrimi i këtij ndikimi është dëshmi e njohurive gjer në imtësi të psikologjisë së njeriut nga autori dhe kjo e bën personazhin e tij shumë real.

 

                   III-Ka dhe një pamje tjetër  që e bën këtë roman një vepër të  realizuar artistikisht: ai bën objekt të trajtimit artistik shumë ngjarje historike të kohës, tradita dhe zakone tipike të qytetit të gurtë, të fshehta që i dinin të gjithë, por që nuk i përmëndëte askush, portrete personash të “gdhendur” si në gur etj. Të gjitha këto dukuri, ngjarje  e persona në fakt nuk janë dhënë me synim që të evidentohen në veçanti, por shërbejnë si një “ambient” ku jeton “historia” e trajtuar në roman. Pasqyrimi i tyre me nivel artistik nuk i ngre ato në piedestal, por i afron si “bazorelievë” në bazamentin e monumentit artistik të veprës.

                  Me artin e tij, si me një hark violine Odise Kote ka prekur fijet më të holla dhe të padukëshme të jetës duke na dhënë një muzikë të dhimbëshme gjer në asht në këtë roman të  shkruar me një intensitet artistik, që të krijon përshtypjen se  ngjarjet nxitojnë të përfundojnë shpejt, nxitimthi,  si një periudhë dhimbjeje, pa sqarime e hollësira të tepërta : “Sapo shputat e këmbëve prekën tokën shqiptare, të ëndërruar prej kohësh, atë e ndalën. Pa më të voglin shpjegim, dy burra të fuqishëm e zunë për krahësh, e rrëzuan barkas në tokë dhe i hodhën pranga në kyçat e duarve... Më pas e ngritën si pupël, pasi i hodhën thesin e xanës mbi kokë e hypën në Gazin 69 të degës së punëve të brendshme”, ndërsa na paraqet brenda Gazit 69 të policisë   personat që e kryen këtë veprim,: “Veç shoferit, ishin dhe dy burra të tjerë të armatosur... Dëgjohej kohë pas kohe një bisedë e shtruar dhe kolla e thatë e njërit prej tyre.... Tjetri ishte hokatar. Rrëfente pa pushim histori fshati, me gracka dhelprash, pusi e rrëshkitje burrash nga fiqiri, dredhka, rrëmbime nusesh dhe brinjarë...Të dy pinin cigare të dredhur. Binte erë e keqe...”. Mjaftojnë keto dy vijëzime portreti, për të njohur nivelin kulturor të policëve, por dhe për të parandjerë zhvillimin “profesionist”  të hetimit: “Kur u kthjell disi pa se një gjatovino syskifter ishte ulur përballë. Hollak, shufër lajthie, sikur kishte mbirë nga hija... Papritur kujtoi se ai vinte nga skëtera. Gjatovinua syskifter e pyeti për emrin, familjen dhe arsyen; përse kishte ardhur prej asaj Amerike në Shqipëri”. Do mjaftonte pyetja: “Pse kishte ardhur asaj Amerike..”një formulim pyetje që e bëjnë zakonisht njerëzit e paarsimuar të zonave rurale, miqve që bujtin nga qyteti: ç’kemi asaj kasabaje? për tu bindur se dhe hetuesia përbëhej nga nëpunës pa qytetarinë që kërkonte  posti zyrtar. Më tej : ... e afroi (karriken shën.im.) pranë tij dhe foli me një zë të shtrajtshëm, ...që ngjasonte me tyrjelat e holla që futen imtësisht në vesh. “Të gjithë e kemi nga një sekret... Të kthehemi tek ne të dy. Si thua? Heshtja tënde mund të na kushtojë jetën të dyve. ...Një muaj më parë.... Më transferuan këtu në këtë humbëtirë, në këtë moçal. Përse? Mos ndoshta një provë e re? Papritur u shfaqe ti., dhuratë nga qielli apo mallkim? Ti do të jesh ose varri, ose shpëtimi im. Le të mos i humbasim kohë njëri tjetrit.” Te këto  tre rreshtat e fundit  shohim portretin psikologjik të një hetuesi sadist, që për tu ringritur në detyrë pas “ardhjes në këtë humbëtirë” kërkon shpëtimin te kryqëzimi i “viktimës”, te thyerja, mposhtja, apo zbërthimi i tij. Kuptohet që këta tipa janë ata që ngritën shkallare me kufoma për tu ngjitur në karierë apo në shpëtim të vetes së tyre. “Tek kjo dhomë kanë hyrë me dhjetra armiq të popullit. Kanë hyrë si luanë e kanë dalë si qengja. Mos e kërko fatin e tyre. Mos e ndill. Ndjesa dhe falja janë një udhëtim i mbarë. Ndaj këtu do zbrazesh. Do më thuash fije e për pe se kush të ka dërguar e për kë punon?”i kërcënohet të arestuarit duke dëshmuar vulgaritetin qytetar, cekëtinë profesionale dhe dhunën si mjetin e vetëm, jo vetëm të tij, por të një brezi zyrtarësh policie që lemerisën gjithë popullin me vrazhdësinë shtazarake. Në qoftë se dikush do hamendësojë për “gjatovinën syskifter”si për një rast të veçantë, le të shohim hetuesin tjetër:“ E kishin zevëndësuar (gjatovinën) me një shkurtabiq babaxhan, mustaqezi dhe kokë të madhe. Sytë i kishte të skuqur dhe këmishën e mbante zbërthyer dy kopsa për të treguar gjoksin e gjerë leshtor... dhe i pëshpëriste: Mos u tremb buçko. Pyetje rutinë. Më pas do kemi ca punë, po do t’ja dalim. Si thua? ...Shkurtabiqi e shqepi në dru. Me ç’i erdhi përdoresh.... Njëzet e shtatë mesnata të tjera rresht, që zgjatnin deri në agim”.

              Le të shohim dhe një skenë nga një ditë pune e të burgosurit Nelson Andrea: “Nuk ishte ngopur plotësisht me ajër..., kur befas, m’u në fund të qafës hollake iu vërvit me shpejtësi rrufeje kamzhiku i gjatë i Gërdhuqit. Sikur i preu damarin. Ai e kishte përgjuar, i qe afruar tinës nga pas dhe pastaj i ishte turrur si bisha, si bisha kur i turret presë së vet. “Imperialist, armik i popullit, qen - ishin të uluriturat e mbushura me jargë të kapter Gërdhuqit. Kujt i bën shenjë ti, kujt i jep sinjal? Kaq ta bësh dhëmbin. S’më ikën dot nga duart. Lëkurën do të të rrjep” - nuk pushonin të goditurat me kamzhik dhe këpucët e rënda me proka.... Kapter Gërdhuqi pushoi vetëm kur u lodh”. Dhe të mendosh se Nelson Andrea në këtë prag dhune nuk ishte në ndonjë prag tentative aratisjeje, përkundrazi ishte në një përhumbje muzikale pas stërlodhjes fizike nga puna e rrëndë, pikërisht në momentin kur: “Nisi të fërshëllejë një melodi që si një shpend i padukshëm, doli lehtësisht nga hapësirat e mushkrive. Sikur tingujt mezi ç’prisnin ta shpërthenin kafazin e kraharorit e ta shtynin me duart e padukshme shpendin, ta shtynin lart, lart, që ai të dilte prej andej dhe të ikte pakthim, drejt qiejve. U ndje krejt pa peshë. Sikur do të fluturonte dhe vetë”.... “Nelo Andrea doli nga zyra e komandantit të kampit Meleq Hazënbeu më i gjakosur se sa hyri. Gjaku i shpërtheu nga të gjitha venat. E kishte kuptuar përfundimisht se hapat për në zyrën e komandantit të kampit nuk ishin ato që të conin tek një zyrtar shteti, por rruga që të çonte drejt e në ferr”, atëherë sheh qartazi përballë njera tjetrës dy botë, dy kultura, dy njerëz që “flasin në epoka të ndryshme” ndonëse janë bashkëkohës.

           Artisti është më i fortë se diktatura, më jetëgjatë se ajo, prandaj diktatura së pari godet artistët dhe poetë, i burgos, i internon, u heq të drejtën e publikimit të artit të tyre, sepse e di që arti, nëpër  rrugëkalimet e fshehta dhe të heshtura, ndez zjarrin e shpresës dhe mbi mendimet si “dru të lagura nga frika”. Diktatura i vret artistët, por ajo nuk ka fuqi të vrasë artin e tyre, pasi ky art  jeton edhe shumë dekada pas rënies së diktaturës, madje pikërisht në këtë kohë, ky art ndrin si një kometë, e cila në vend të bishtit të zjarrtë ka kujtimet e jetës  dhe rezistencëss së artistëve ndaj diktaturës.           

          Në kohën që kapterat e burgjeve dhe kampeve ëndëronin dhe projektonin forma më “efikase” dhune ndaj të burgosurve, ata përjetonin vizione të gjera humanizmi. Kështu, mqse  atë ditë kishte përfunduar hetuesia e tij pa ndonjë fajësi, Nelson Andrea kishte përjetuar një frymë mirësie e faljeje kristiane: “Zoti nuk do që ca të qajnë më tepër e ca të qajnë më pak. Fituesi le të falë. Falja nuk është kurrë frikë. Dhe i pushtuar i gjithi nga mornica të holla mirësie, asaj dite me diell të ngrohtë, edhe kapter Gërdhuqin, përbindëshin e pashpirt të kampit e shikonte disi me përdëllesë”, pa menduar se me këto ndjenja ai dëshmonte “fitoren” dhe forcën e tij, sepse trimi dhe i forti gjithmon fal, i dobëti vret.  Gjatë pushimeve në hetuesi përjetonte suksesin e tij të dikurshëm në konkurimin: “...për një vend violinisti në orkestrën e madhe simfonike të Bostonit. ...Fitoi. Prej gjashtë muajsh ishte njëri nga tre muzikantët e rinj të Orkestrës”. “Ai ëndërronte shtegëtime të detajuara për shpirtin e tij. Në vende të shenjta, të bekuara. Sepse gjithësia është brenda njeriut. Njeriu i di destinacionet e veta. Por tani i ngjante se përbrenda tij ishte bërë eklips, me kaq shumë terrinë, vetmi, përçudnim”, ndaj dhe rriste në vetvete besimin se: “Një ditë do të iki nga ky ferr dhe do ti rrëfej botës tmerret e mizoritë e tij” çka  na kujton At Zef Pllumbi dhe devizën e tij: “Rrno vetëm për me kallzue”.

 

            IV-Jeta shqiptare e kohës nuk linte asnjë njeri të merrte frymë lirisht dhe të realizonte dëshirat e tij shpirtërore, ajo ishte një jetë e komanduar, e planifikuar, e kontrolluar nga lart. Nga lart vinin tollonat ushqimore,  nga lart vinin të drejtat e studimit, që në shumicën e tyre s’kishin asnjë qasje me pasionet e maturantëve, nga lart vinin emërimet në punë, nga lart komandoheshin shijet e veshjes dhe të qethjes, filmat që do shiheshin e muzika që do dëgjohej, pantallonat që do visheshin dhe stili i qethjes së flokëve. Madje dhe dashuritë dhe martesat ishin nën suverjim, çdo dashuri apo martesë me një vajzë apo djalë nga familje “me njollë në biografi” “njolloste” dhëndërin ose nusen dhe familjen e tyre. Përgjithësisht ishte një jetë monotone, me mangësi të theksuara gjer edhe te ushqimet bazë, një jetë që nuk të frymëzonte dhe në rast se dikush do dilte jashtë kornizës të shoqërisë, menjëherë do vihej nën suverjim.  Intelektualët dhe  artistët ishin shënjestra e parë e goditjes së vigjilencës së organeve policore. Lajmet mbi arestime poetësh e shkrimtarësh, inxhinjerësh nafte e mjekë, heqje të drejte botimi apo ushtrimi profesioni e botimi apo internime familjesh ishin bërë një rutinë e përditëshme. Frika dyndej qyteteve më shpesh e më dëndur se mjegulla.           

               Nelson Andrea, ky artist, pjestar i një prej orkestrave më të njohura simfonike në botë, gjëndet papritur përballë strukturave të një shteti që hymnizonte kultin e dhunës. Ishte shteti i diktaturës së proletariatit që “drurin” e kishte në fakt  “direkun e anijes shtet” ku mbaheshin  të gjitha “velat” e tij. Ndërkohë kujtojmë se romani fillon në vitin 1967, kohë kur zhvillimi dhe përparimi i vendit kërkonte nderimin dhe vlerësimin e intelektualëve për të drejtuar sektorët të jetës, sepse një shoqëri që vlerëson dhe nderon artistët e intelektualët është një shoqëri që punon për zhvillimin dhe përpraimin e saj. Mirëpo në Shqipëri,  fakti që këta të rinj e të reja ishin intelektualë i bënte ata të pabesueshëm për shtetin. Ishte në fakt koha e një antagonizmi “de fakto” midis intelektualëve dhe nëpunësve  “çerek të arsimuar” që kishin mësuar vetëm shkrim e këndim nëpër kurset e përshpejtuara kundër analfabetizmit. Këta “çerek të arsimuar”   e ndjenin dhe e kuptonin se përparimi dhe arsimimi i vendit do ti spostonte në vijën e dytë e të tretë të drejtimit administrative, shtetëror dhe artistik, ndaj me arogancë, servilizëm, spiunllëk, provokim dhe sidomos duke ushtruar dhunë psikologjike ndaj artistëve dhe intelektualëve i rëndonin kohës së “tyre” për mos të ikur, siç u rëndojnë balonave qeset me rërë për mos tu ngritur.

               Thuhet se dhuna fizike është “forca” të dobëtit, ku këtu përfshihen dhe të paaftit dhe “çerek të arsimuarit”, që në këto vite quhen rëndom “analfabetë” sepse  s’dinin asgjë tjetër veçse të lexonin gazetën.  Si të tillë ata kishin gjetur mbështetje te dhuna, që e përdorin pa kursim kur ua lejonte posti zyrtar. Është e tmerëshme dhuna që ushtrohet mbi intelektualët dhe artistët, është e dhimbëshme, shkatëruese, sepse është e pamëshirrëshme. Kjo dhunë, veç arsyeve të tjera mban brenda saj edhe inatin e analfabetit ndaj intelektualit, për arsye se: vetë prania e  intelektualit dëshmon dobësinë e tyre të “fshehur”, jo në sirtarë tavoline pas së cilës ulen, por në sirtarët e ndërgjegjes dhe kujtesës së tyre. Pse shteti u dha poste drejtuese dhe fuqi ekzekutuese njerëzve të tillë, në vend që të vendoste në ato vende njerëz të arsimuar është një nga arsyet që vendi ynë mbeti mbrapa në gjithë fushat e jetës, ndërkohë që ishte  një nga  faktorët që ndikuan në rrëzimin me vonesë të komunizmit te ne.             

                Për të përballuar presionin psikologjik Nelson Andrea “aratiset” nëpër kujtimet e tij të jetës dhe dashurisë amerikane, aty ku rijeton lumturinë e “braktisur” prej tij për të mbajtur një premtim apo amanet të babait. Këto kujtime i japin “ajër” frymarjes së tij, por ja që “nuk jetohet vetëm duke marrë frymë, duhet ndjerë aroma e jetës në çdo moment” (Samuel Lion). Këto kujtime i japin forcë  për të rezistuar dhe i ushqejnë shpresën se një ditë “do ikte nga ky ferr”. Këto kujtime, ku “rritej” shpresa, ishin si ca “ishuj” të largët në mes të oqeanit të “frikës”. Aty zbriste Nelson Andrea dhe jetonte jetën e tij. Ai bënte aty krahasimet mes dy jetëve dhe përpiqej që të gjejë dhe në Shqipëri një copë jete amerikane, kryesisht me shokët e tij të punës: Oto, Neri dhe Sadiku dhe më pas Lola dhe Margarita, por mëson se dhe atje ishte i suverjuar, madje tmerohet kur i kërkojnë të denoncojë shokët e tij. Në këto kushte, i rënë në “kurth”ai pranon në heshtje “urdhërat” e Rako Siranit për një sërë vendimesh mbi jetën e personalitetin  e tij. Pranon të “vetëquhet” nipi i tij, të ndryshojë emrin në Nelo Andrea nga Nelson Andrea, pranon të martohet me një vajzë shurdh-memece, viktimë e pafajëshme e fatit dhe shtetit, pranon të heqë dorë nga profesioni i tij dhe të punësohet në skuadrën e fidanishteve dhe pas burgimit të dytë, në atë të varrezave, pranon dhe hesht për çdo gjë që i thotë Rako Sirani. Ai, në dukje shndrohet në një mekanizëm, që lëviz e jeton vetëm nën kurdisjen e Rako Siranit. Veçse kjo “jetë e kurdisur”  ishte për sytë e Rako Siranit dhe atyre që e shihnin si “imperialist”, ndërsa për veten e tij, Pandorën dhe fëmijët  mbrëmjeve ai mbyllej në kube dhe zbriste “parajsën muzikore në tokë” me violinën Stradivari, atë violin që e mbrojti nga shteti si flamurin që mbron në luftë ushtari besnik.

 

             V- Duhet të pranojmë se Odise Kote në rrëfimin dhe ballafaqimin e dukurive, mendimeve dhe kujtimeve dëshmon një mjeshtëri të lartë krijimi për mënyrën e pasqyrimit dhe kundërvënies së tyre, aq të gjalla. Kjo sepse ai e sheh dhe e shkruan letërsinë si pjesë vazhduese të shpirtit njerëzor dhe jo si një produkt i mëndjes.  Ca më tepër, në rrugëtimin e subjektit të librit ai shënon datat e ngjarjeve si piketa kohore, si një kronikë që saktëson ngjarjet: “Ditë e paharuar, 23 maj 1967. Avioni i linjës Vjenë - Tiranë ulet në pistën e, rreth orës 23 e 18 minuta”,  “Në nëntor, gjashtë muaj pas arrestimit.., e zunë ethet e forta me temperaturë të lartë” , “Kur u mbushën pesëmbëdhjetë muaj nga burgosja, ...Ishte korrik. 9 korrik 1968.”, “Ora 2.30 minuta.Natë e ftohtë, me shi dhe erë “, “Ishte shkurt, 14 shkurti, Shën Valentini”, “Ora 19.45 koha kur Nelo Andrea hyri në kube”, “Në pranverë, në 27 maj 1980, në mesnatë...Nelo Andrean e arrestuan”,    ”Ora ishte e njëjtë, si e herës së parë, 3.40 minuta. Ndjesë, 10 minuta më vonë se hera e parë” etj. duke i dhënë edhe në formë librit një saktësi strukturore dhe korektësi kohore.

               Odise Kote është një penë e bukur letërsie, që jeton me letërsinë dhe për letërsinë. Kjo ndjehet së pari te dashuria me të cilën shkruan, dashuri me të cilën i tregon ato që shkruan si përjetime ëndërrash. Kjo duket te bukuria artistike e ndërtimit të fjalisë, që të ngjason me një ylber të shtrirë dhe ai nervi, oh ai nervi që i përshkon tej e tej fjalët e ligjëratave, të bën të dridhesh si para dashurisë së parë. Lexojeni romanin dhe përjetojeni dhe ju këtë ndjenjë.  Odise Kote në fakt e dashuron letërsinë dhe kjo është e dukëshme te ëmbëlsia dhe shpirtërimi i  ligjëratave, gati si të folura me pëshpërimë, thua se  i dridhet zëri e zemra nga emocioni si para vajzës  për të cilën ëndëron,  kur flet si ”autor”, pa tonalitet. Kjo sepse ai realisht  ka paraqitur botën e tij shpirtëore, shpirtin e tij në momente shpërthimi të “llavës së frymëzimit”që vjen nga shpërthimi i “vullkanit të heshtur”. Thua se ai vrapon e kërcen pas kësaj llave, rrëshqitjes të së cilës ja di drejtimin: domosdo nëpër sokakët e Gjirokastrës.

             Unë ju them se si stilist Odise Kote është i veçantë në letërsinë shqipe, madje jo vetëm kaq, ai e pasuron së tepërmi fjalorin letrar me fjalë dhe fraza, të cilat, ndonëse kanë ngjyrën e “hirtë”, si gurët e kështjellave të hirtësuar nga vjetërsia e kohës, çuditërisht në ligjëratat e vargjet e tij ato “çelin” petale plot ngjyra duke pranveruar ambientin e hirtë dhe kuptimshmërinë e frazës. Shprehjet dhe fjalët: “cërga të mëdha drite”, “krusmë mërzie”, “një teh kryeneç drite ”,  “tejanë”. “Hollak”, “ kishte mbirë nga hija”, “Ta dërgoj shpirtin në ferr dhe zemrën ta pjek atje në heshtje të harresës”,. “Fol me të vdekurit, që të kuptosh të gjallët”, “Heshtja fryhej e veshtullohej”, “egërshane”,” tejçim pëshpërime”, “Njeriu nuk ia mbath dot fatit të tij”, “Lotët janë gjuha e heshtur e dhimbjes”, “Jazëk”, “qielli përvëlak”,” sokakët shtrembaluqë”, “Rrokopuja dhe rrëmeti”, “popëla”,” të vjen anicirë”etj... të cituara sa për ilustrim,  flasin për një njohuri dhe dashuri të autorit për fjalorin dhe shprehjet komunitare të qytetit të tij, dhe lartësinë e tij artistike në përdorimin e suksesshëm të tyre në një roman bashkëkohor. Madje mbi bazën e kësaj përvoje Odise Kote krijon fraza  që kanë formën dhe forcën e shprehjeve të urta, rrahur në kudhrën e kohërave  e që zbresin në tekst si rrufe në të kthjellët dhe të befasojnë me dritën dhe shkrepëtimën e tyre si: “Zogjtë nuk e ndërtojnë folenë në kafaz, që të vegjëlit e tyre të mos trashëgojnë robëri”, “Turpi nuk të shëron. As të ndihmon të lash mëkatet”, “Rojtari heshti, u dogj përbrenda si një perëndim”, “tradhëti që mbahej mbërthyer me njëmijë gozhdë për të mos u shqepur”,” Qetësia që vinte nga pranimi. Nga dimensioni i pranimit të gjithçkaje që sillte tjetri me vete, i kulturës së tjetrit”, “Errësira nuk mund ta dëbojë errësirën, vetëm drita mund ta bëjë diçka të tillë. As urrejtja nuk mund ta dëbojë urrejtjen, vetëm e vërteta dhe dashuria e kryejnë këtë mission”, ” Të fajësosh një gjarpër se ka dhëmbë helmues nuk është mençuri” etj.

           Thuhet se për të vlerësuar një autor, duhet të shihet fraza e nisjes së romanit, ngjyra dhe tingulli i fjalëve. Në këtë aspekt nisja e romanit të Odise Kotes i ka  ngyrën gri dhe tingullin e rëndë me disa sekuenca lirike, kryesisht nëpër kujtimet e tij: “Nuk kishte si ta kuptonte prej nga i vinte ajo krusmë mërzie. Gojën e kishte te mbushur me shije hidhërimi. Në kokë i kumbonin fort tingujt e kohës së dytë të koncertit për violinë të Bethovenit”. Kjo gri e stilit të tij, ndërsa është ngjyra dominuese e romanit, kalon si një re e fundit  e dimrit që ikën, në qiellin pranveror që po hapet pikërisht në pasazhin e fundit të romanit: “Pandorka e bukur, gruaja që i kishte dhënë gjithçka Nelo Andreas shqiptar, çdo grimcë e thërmijë nga trupi dhe jeta e saj, ishte larguar përfundimisht. Ndoshta e kishte kuptuar që në kohën e re, Nelsonit amerikan, nuk mund t’i jepte dot asgjë. Mbase për këtë shkak dhe ishte larguar, ashtu siç dinte ajo: qetësisht, thjesht, pa ndërlikime, pa lamtumirë”, duke i lënë vendin një stine të re në jetën e personazhit.  

            A ju kam thënë që Odise Kote është gjirokastrit, që e do Gjirokastrën dhe ka marrë prej saj, madje duke lexuar krijimet e tij të krijohet bindja se ai ai është krijuar nga era e Malit të Gjerë  dhe  aroma e manxuranës e vasilikoit,  nga gurgullima e Drinos dhe e qeshura e vashave nëpër sokakë, nga mërmërima e plakave nëpër dasma  dhe vaji i tyre nëpër ksodhe, trokëllima e hapave djaloshare në Qafën e Pazarit dhe hieja e kështjellës si feste mbi krye që i bën vend dritës së diellit në sytë e tyre. Më duket mua apo Odise Kote është i dyzuar, qytetar dhe intelektual që mban strukur në një xhep të zemrës dhe kujtesës jetën, etimologjinë dhe psikologjinë e djeshme të qytetit. Duket sikur është arshivë, por në fakt ai është gjirokastrit i ditur dhe i talentuar.

               Shumë herë, mjafton një fjalë e tij për të dhënë një portret njeriu apo të një kohe. Fjala turke “sakën” të cilën autori e “shpjegon” artistikisht si : “fjalë turke me mister dhe fuqi të çuditshme. Ngrin, stepesh sa e dëgjon... përdoret gjerësisht. Fjalë - kod, kyç. Ngjan me një prizëm ku bien gjithë lutjet, kërkesat, dëshirat, trillet, veset, mëshira dhe të gjitha thyejnë kokën në brinjët e mprehta, të thepisura, tehe që s’falin” , dhe për të cilën unë do shtoja : “fjalë  që tregon një urdhër për stopimin në vend të dëshirave , nismave, ëndërrave dhe çdo mendimi të ri”, por që dëshmon faktin se shoqëria shqiptare ishte ndalur në “mesjetën turke”dhe psikologjia e shtetit ishte një psikologji mesjetare. Kjo fjalë tipizon edhe vetë personazhin që e përdor aq dëndur, Rako Siranin sa që atë normalisht mund ta quash thjesht : “shoku sakën” dhe me këtë  fjalë e ke dhënë me ngjyrat e duhura portretin e tij. Një fjalë është, por gjeografia e kuptimshmërisë së saj kërkon një fjalor të tërë për tu treguar.

            Gjuha e të folurit komunitar sa ka bukurinë, filozofinë  dhe tingëllimën e fjalëve tipike aq ka edhe rrezikun e një fjalori uniform që përdoret nga një libër te tjetri, nga proza në poezi. Mjeshtëria e autorit është pikërisht mënjanimi i krijimit të një të shprehuri uniform në gjithë krijimtarinë e tij. Të kuptojmë se: lulet që çelin në një lëndinë janë të gjitha lule tipike lëndinash, por ato nuk janë lule njëngjyrëshe dhe as të parcelizuara sipas ngjyrave. Aq më pak janë të njëjtat në të gjitha lëndinat.  Ashtu si çupkat zgjedhin lulet që i lidhin kurorë, për ti mbajtur në kokë në lodrat e tyre  nëpër këto lëndina,  apo lulet që i mbledhin në tufa dore dhe i marin me vete në shtëpi, ashtu dhe autori përzgjedh fjalët dhe frazat tipike komunitare për ligjëratat dhe vargjet e tij, duke u çfaqur gjithnjë  sa origjinal aq dhe i “shumëngjyrshëm”.

 

             V-Me një dendësi bërthame ku struket jeta e një peme të ardhëshme, Odise Kote përshkruan ngjarjet e jetës së qytetit të gurtë, duke ravijëzuar doket, zakonet dhe kulturën, humorin dhe humanizmin e banorëve të thjeshtë: “Mbledhje tek brigadier Bariu:

- Shokë ... nuk jemi vetëm. Kemi në krah Republikën Popullore të Kinës. Kina është me ne.

- E ç’na ka Kina ne? - s’u përmbajt Dikja - aq grurë sa hanë minjtë në hambar të një anije, aq grurë do Shqipëria. Shpëtuam! Veç atyre që tha brigadier Bariu, kam dëgjuar se Kina do të na sjellë edhe copa doku, dok more dok, dok. Dok për pantallona. E dini ju sa e madhe është Kina?

-“Domethënë - e prishi dedikatën e tij Oto - tani kemi aleatë edhe Valarenë dhe Kinën”...E pra, të barazosh si “aleatë” të Shqipërisë Valarenë, një fshat i vogël në Gjirokastër me Kinën, vetëm shurdhi nuk e dëgjon ironinë.

           Prishja( e kishave) paraprihej nga tubimet e zgjeruara të grave e vajzave. Ato diskutonin me zjarr ligësinë e zakoneve prapanike dhe helmin reaksionar të besimeve fetare. Rrokopuja dhe rrëmeti nuk ndalej. Si të mos mjaftonte ky rrëzim, disa kisha mesjetare u shndërruan menjëherë në vatra kulture. Kërcim dhe hare. Disa të tjera u bënë hambarë të misrit dhe fasuleve”pasqyrohej “nisma e rinisë” për prishjen e kishave dhe xhamive.

            Me një muzikë : “...prej tingujve të ç’akorduar, atyre tingujve që binin si me dhunë në veshët e njeriut nga fillimi deri në fund, pa asnjë ndryshim, pa asnjë ndalesë. Ishte e panatyrshme mënyra se si luanin. Ngjante se ishin nën një nxitje e shfryrje shtazarake, të çuditshme, të panatyrshme, për ta dërguar zhurmën e tyre (për muzikë as që bëhej fjalë), nga kreu në fund, edhe pse ishte dukshëm blasfemi, në timpanët e qytetarëve mjeranë” shoqërohej dita festive e votimit.

          Me një dendësi kuptimore fjalësh për situatën e ankthshme: “I ngjante se kudo e vështronin tinës, sikur i kërkonin llogari: Akoma jashtë je ti? Miqtë e tu u arrestuan. Po ti të paskan harruar apo …”? “Moj, mos e kanë lënë gjë për pranverë? Ku harrojnë këta!” autori jep  atmosferën qytetëse në periudhën e luftës kundër liberalizmit dhe ndikimeve të huaja, duke arritur majat më të larta të ironisë popullore te zbulimi i grupit armiqësor në ushtri: “Në qytet kishin nisur arrestimet... arrestimet e asaj vjeshte.... Po arrestoheshin ushtarakë të Divizionit Labëria.. Midis të arrestuarve, thuhej se ai që qenkish “koka” e grupit armiqësor ishte dhe një ushtarak veterinier... Ai rriste dhe stërviste kuaj parade. Kuajt, u tha në aktakuzën publike nuk stërviteshin sipas platformës kineze, siç dhe ishte urdhëri, por vazhdonin me metodikën e vjetër sovjetike. Nga ky moskuptim i qëllimshëm i direktivës, kuajt e paradës ishin nervozë dhe nuk para mbanin vithe. Ato rrezikonin ti hidhnin hopa - me bythë përpjetë gjeneralët e kolonelët e ushtrisë”, por menjëherë pas këtij humori të zi vjen si një ulërimë paragrafi tjetër:  Ndaj familjes së tij u veprua menjëherë, egërsisht. E “zhdukën” nga faqja e dheut”.  

                 

             VI-Ka një personazh romani i Odise Kotes që mund ta cilësojmë pa frikë si një ndër personazhet më të realizuar në letërsinë shqipe bashkëkohore, ka një Rako Sirani që nuk e ka asnjë krijim letrar. Një njeri i rëndomtë, ish punonjës i seksionit të sekuestrimeve të floririt të tregëtarëve të periudhës së luftës, punonjës arshive në Komitetin Ekzekutiv, pra ky Rako Sirani ju paraqit Nelson Andrean te porta dalëse e burgut si një : “Engjëlli që e priti përjashtë”duke e sqaruar se ishin “kushërinj të largët nga ana e nënës”. “Unë e di ç’hoqa të rregulloja lirimin me kusht”i thotë Nelsonit si argument përfundimtar bindës, sikur ti thoshte që “jetën ma ke borxh mua” dhe vijoi: “Ta thashë që në fillim të kam nipçe! I njëjti gjak më solli këtu”! Për të njohur nivelin kulturor mjafton të tregojmë se kur Nelsoni e pyeti çdo me thënë lirim me kusht, pa të drejtë ushtrim profesioni, ai ju përgjigj: “Kusht i vetëm i lirimit është se nuk do t’i biesh më qemanes, ja kësaj - dhe nxorri... nga thesi i plaçkave violinën Stradivar. Të ndalohet dhe pikë. Punë e madhe! Hahahaha  dhe kjo e qeshur tingëllon si një e qeshur triumfi edhe ndaj shtetit. Rako Sirani ja hedh edhe shtetit të tij, kur ja do interesi.

              Misterin e ndihmës që Rako Sirani  i afron Nelson Andreas sqarohet pa dashje nga vetë Rakua kur i thotë: “Unë do të ndihmoj jo vetëm se të kam timin por e kam dhe detyrë shteti”. Ne që e kuptojmë se çfarë e si qenë këto detyra shteti  na mbushet trupi me mornica. “Do shikoj mos të nxjerr dhe një pasaportë të re shqiptare. Mbase të ndërroj dhe emrin se ky që ke, … bie erë amerikanizëm. Do na hapësh punë. Mbiemrin mbaje siç e ke.” vijon Rako Sirani të paraqesë platformën e tij ndaj “nipçes” duke treguar dhe  rrugën e “zbatimit”: “Mos e vrit mendjen. Ç’i qi t’ëmën! Shko vish teshat e reja që të kam blerë se do të dalim në qytet. Dhe sakën, sakën: Gojën me kyç”!

              Rako Sirani përfaqson ata nëpunësit e vegjël të shtetit, që pa arsim e kulturë, por me një shkathtësi veprimi që “nxjerr dhjamë nga pleshti” ju ngjitën pushtetit siç u ngjiten disa miza afrikane gjedhëve.  Këto miza thithin gjakun e gjedhëve për të jetuar, por në rast rreziku ato largohen me shpejtësi prej tyre dhe zhurmojnë rreth sulmuesit, duke i paralajmëruar në këtë mënyrë “ushqyesit“ për afrimin e “armikut”. Kjo formë bashkëjetese quhet “simbiozë”. Shteti mbante në simbiozë  njerëz-“miza” të tilla që i thithnin “rrogën”për tu ushqyer dhe si shpërblim këto “miza” zhurmonin  rreth njerëzve që nuk e donin shtetin. “Jam arkivist në Komitetin Ekzekutiv të qytetit, por punoj dhe atje - dhe uli tonin kapardisës të zërit - punoj dhe në Degën e Brendshme si shifrant. Më thërrasin herë pas here” i pohon Rako Sirani Nelson Andreas kinse me sinqeritet, por në fakt me përllogaritje gjer në imtësi, për ta frikësuar që të mos revoltohet ndaj tij.

              Për nga  niveli i inteligjencës që kishte, Rako Sirani kryente veprime të vogëla, por duke i bërë publikisht, ky publicitet u jipte dimensione të “mëdha” dhe e paraqiste autorin si një  nismëtar kurajoz dhe besnik i partisë: ..“Si përherë në ballë shoku Rako!

-Vota jonë plumb për armikun. Të rrojë Partia. Të rrojë pushteti i popullit! - pas kësaj ngrohtësie shtirakelëngëre që të sillte të vjellën në grykë, një tjetër anëtar i komisionit u ngrit dhe i afroi një fletore - listë me emra”.

- “...në skenë u ngjit Anusheja, marrukja rome me dekolte ekstravagante e sisët plot, ..Në të vërtetë ishte çasti kur në dokumentar udhëheqësi nga tribuna e fitoreve hidhte lule mbi popullin dhe marrukja Anushe tërhoqi mikrofonin e ia nisi avazit:  Këndo o bilbil, këndo / topemadhiinënës -o …!Por atë çast,  ai (Rako Sirani) u lëshua si zhgabonja ... duke ia rrëmbyer mikrofonin nga dora. Pastaj e përmblodhi hopa dhe e zbriti pa një pa dy përposh shkallëve”.

                Janë këto veprime publike që ja “rritin”vlerën Rako Siranit në sytë e atyre “atje lart” dhe i japin guxim dhe shtysë për tu ngjitur “më lart”. Emërohet  sekretar i komitetit të partisë për artet, kulturën e propagandën me detyrë që e kupton si: “Jam për të mos lejuar pinjollët e borgjezëve e pasanikëve që të hyjnë në art”. dhe më pas emërohet në ministri.

               Në qoftë se mendohet që qëllimi i Rako Siranit në jetë është bindja politike, kariera partiake apo administrative, ky mendim buron nga veprimet e dukshme të tij, ndërkohë që ai si objektiv ka ...”floririn”. Duke punuar në seksionin e sekuestrimeve të floririt tregëtarëve të pasur, në vitet e para të pas luftës ai njohu pasurinë, forcën e pasurisë dhe synoi në jetë pikërisht këtë pasurim. Gjatë sekuestrimit te familja e Kristaq Bukëvallës tenton të krijojë lidhje dashurore me të shoqen e tij, për të aritur më pas te floriri i fshehur. Këtë qëllim ka edhe organizimi prej tij i martesës së Nelo Andrea me Pandorën, vajzën shurdh-memece të Bukëvallëve, e cila do trashëgonte pasurinë e tyre. E papritur dhe dështim për Rako Siranin në këtë plan ishte dashuria që lindi natyrshëm mes Nelo Andreas dhe Pandorës, para së cilës u ndje i pafuqishëm. Vajtja në Ministri i dha mundësinë që të njihte situatat politike rajonale dhe botërore dhe kuptoi se erdhi koha që ta braktiste “kalin” e mëparshëm. Kjo është arsyeja që u ndodh në pritjen në ambasadën amerikane, përballë me Nelson Andrean, duke na dëshmuar një nga arsyet e shumta pse shumë ish funksionarë e punonjës dikasteresh të kohës së monizmit u pozicionuan djathtas në politikë, duke i shkaktuar vendit një tranzicion të stërgjatur.

              Rako Sirani është personazhi më i realizuar, por duhet të pranojmë se personazhi më shpirtëror është Pandora shurdh-memece që dashuroi  Nelson Andrean dhe luftoi të mbrojë dashurinë e saj. “Dashuri mes dy njerëzve nuk matet nga numëri i fjalëve që ata shkëmbejnë mes tyre”-thotë diku Milan Kundera. Në kët kontekst unë do kërkoja mirëkuptimin tuaj që të shënoja pranë thënies së tij se: Dashuri nuk matet as nga numëri i puthjeve që shkëmbejnë partnerët. Dashuria matet nga vlaga e zjarrit që ndezin në shpirtin e njeri tjetrit, nga besimi që mbjellin e rritin në zemrën e njeri tjetrit. Dashuria matet me ballë tërmeti  që shkakton në shpirtin e secilit  afrimi i rrezikur te njeri prej tyre. Dashuria është ëndër, është ëndër,  është e vetmja ëndër që të vjen dy herë në jetë. Dashuria është dhimbje, është dhimbje që të godet rrëshqitazi në brinjë e të meh frymën, të mbledh stomakun sa një grusht, të arratis gjumin nga sytë e ta vonon agimin e ditës së re. Dashuria është vetëflijim, që si një çafkë ngrihet lart, lart, klith si në një lamtumirë e zhytet thellë në det. Nuk del mbi valë përsëri, ndoshta është shndruar në një peshk, sepse s’duhet të humbasë, s’duhet të vdesë kursesi. Nga mënyra se si e përshkruan Odise Kote dashurinë e Pandorës dhe të Nelsonit ndjejmë dhe kuptojmë se është një dashuri  e përfshirë në një roman dhe jo një roman që ka të shkruar një histori dashurie.

             Në kohën që Rako Sirani gruan e tij e quan dhe e trajton si një “shkurre”, Nelson Andrea gruan e tij shurdh-memece nisi ta njohë e ta dojë “si gruan e tij” në kuptimin e plotë të kësaj fjale, pasi ishin të dy nën një rrezik dhe në kushte minimale jetese. “Do puthemi me buzët që kemi” thotë një shprehje niviciote me një kuptim shumë më tejë se puthja e mirfilltë e dy njerëzve.

            Njerëzit e vuajtur që i bashkon fati e njohin njeri tjetrin, kur shohin se ata (njerëzit që dashurojnë) ecin në jetë dhe prania e tyre, për arsye objektive bëhet pengesë për një ecje të mëtejëshme, ata vetëflijohen dhe largohen nga jeta e njeriut që duan duke e lënë të lirë në ngjitjen e tij: “..ajo... Iku ndoshta në vijën e saj të yllësisë. Pandorka e bukur, gruaja që i kishte dhënë gjithçka Nelo Andreas shqiptar,. Ndoshta e kishte kuptuar që në kohën e re, Nelsonit amerikan, nuk mund t’i jepte dot asgjë. Mbase për këtë shkak dhe ishte larguar, ashtu siç dinte ajo: qetësisht, thjesht, pa ndërlikime, pa lamtumirë”.

             Ky vetëflijim nuk është në legjenda, këtë vetëflijim e bëjnë  vetëm ato gra që përjetojnë dhimbjen dhe dashurinë e vërtetë, si e urta Pandorë.

 

            VII- Romani “Amerikani” i Odise Kotes është nga ata libra që sado të shkruash dhe të flasësh për ‘ta, ke gjithmon diçka të re për të thënë.

 

Sarandë, më shtator 2022

 

 

 

KJO VJESHTA GJYSËM BEHARI

 

Nga Timo Mërkuri

 

              Ky varg është vajtuar nga Bajame Hysit më 02 Tetor 1943  mbi trupin e të birit  Sulo Hysi (15 vjeç) vrarë në Malin e Gjeshnikoshit në një përleshje me gjermanët, të cilët vinin të zinin vendin e italianëve në Shqipëri. Sulo Hysi ishte efektiv i Çetës “Koto Hoxhi” me komisar Themo Vasin e cila organizoi pritën dhe i mbajti forcat gjermane në luftë disa orë. Në këtë përpjekje u vra Komisari Themo Vasi nga Nivan i Zagorisë , Sulo Hysi e Rakip Bedo nga Golëmi si dhe tre djem nga Kuçi i Labërisë.

             I-Lajmi i vrasjes së të birit i vajti mëmë Bajame Hysit në Golem dhe brenda ditës ajo shkon te Qafa e Shën Thanasit, ku mbi trupin e të birit nisi ligjërimin mortor, tekstin e të cilit e morëm nga një postim i dt 2.10.2022 në fb i z Abaz Goxhaj po e japim më poshte:

Kjo vjeshta, gysëm behari

më erdh' haberi nga mali,

fliste një në Qafë Valit:

-Hajde moj se t’u vra djali!

Fluturova si i marri

Kur të gjeta djalë mali

gjaku të rridhte nga balli,

me shikim nga Komisari..!

dorën kishe te gjerdani,

buzagas, lule behari,

sikur qe shtrirë sorkadhi.

të mbështolla te gufari

se më kishte pikur malli

mu dogj zëmra, mu tha xhani

O djal i mëmës me derte,

palose sytë e fjete,

Çetës i le amanete,         

për liri dhe ti nuk trete...

 

              II-Qysh te vargu i parë : “ Kjo vjeshta gjysëm behari” befasohesh me fjalët e tekstit. Do ishte

normale që nëna të niste vajtimin mbi trupin e të birit me ulërima, çjerrje të faqeve e shkulje të flokëve apo edhe me përplasje të kokës gur më gur nga gjëma që e gjeti. Mendojeni vetë, djalin  pesëmbëdhjetë vjeç në lule të moshës e gjen të shtrirë me një plumb në ballë e shokët rreth e rreth rinë kokëulur sikur janë fajtorë për diçka. E ardhur me vrap  si era nga Golëmi, e këputur nga lodhja dhe e prerë nga lajmi, duke ju lutur zotit në heshtje që “të jetë gabim”, të mos ishte fjala për djalin e saj ose së paku ai vetëm sa të ishte plagosur, (dinte mëma si tja shëronte plagët të birit duke ja mbuluar me shpirtin e saj si me gjethe mullage), pra në këtë situatë çdo nisje ligjërimi do ishte e justifikuar. More edhe sikur të sokëllinte kundër zotit e ti tundtte grushtin me kërcënim, hakë do kishte.

               Kundër çdo hamendësimi  mëmë Bajame Hysi, pasi e puthi djalin e saj në ballë, aty te plaga, madje dhe duke shpresuar heshtazi se i biri do përmëndej nga puthja e mëmës ose së paku do t’i dhimbte plaga e do lëvizte vendit, kur pa që edhe kjo shpresë ishte shuar bashkë me dritën e syve të tij, u lëkund dy tri herë si një lavjerës jete mbi trupin e të birit dhe ja nisi vajit: Kjo vjeshta gjysëm behari”. Sigurisht që ky varg shoqërohej me refrenin e zakonshëm : “Unë derrëzeza”, por kjo nuk përbën befasi. Befasia qëndron pikërisht te vargu i pare, ai varg që tregon vjeshtën si gjysëm behar. Sot me mendje të ftohtë ne gjykojmë se tetori i atij viti qënkish i ngrohtë “ sa gjysma e ngrohtësisë së beharit” jo si një vjeshtë, por pyetja që na lind është se ku pati sy mëmë Bajamia të shikonte “beharin në vjeshtë” kur shpirtin e kishte kallkan e të ftohtë si dimër nga dhimbja e të birit. Është hera e parë që e has këtë cilësim në vajtime (apo këngë) të pjestuar në elementin kohor “stinë” vjeshtë dhe behar. Një pjestim i ngjashëm i elementit sipërfaqe është shumë i pranishëm nëpër këngët tona popullore dhe i menjëherë kuptueshëm psh.: ”Dukati gjysm’ e Misirit”, “Janinë çerek Stambolli” etj. ndërsa për cilësimin: “ Vjeshta si gjysëm behari”sigurisht që duhet të mendohesh pak për të kuptuar se s’kemi të bëjmë me njësi matëse sipërfaqeje apo gjatësie por me një metaforë që zbërthehet me një analizë të elementëve klimaterikë.

              Kam thënë dhe kam shkruar se nënat tona janë  vajtore të lindura, si të tilla janë dhe poete. Një vajtim i mirë kërkon dhe një tekst të mirë, në kuptimin e një teksti të arirë  poetikisht. Kemi shpjeguar se vajtimet e arira, qoftë në kuptimin e një teksti të arirë qoftë në kuptimin e vijës vajtimore (nuk mund ta quajmë melodike) shumë lehtë shndrohet në këngë isopolifonike në një kohë të shkurtër  dhe niveli i lartë i tekstit ndihmon në mbajtjen mend të ligjërimit e shndrimit të tij në këngë edhe pas një kohe të largët. Në këtë kuptim nënat tona, të cilat jeta i ka bërë të vajtojnë me ligjërime gati  mot për mot janë bërë mjeshtre të thurrjes së vargjeve të ligjërimit. Në fakt ato s’kanë kohë të rinë e të shkruajnë vargje, ndaj shpesh  vargjet e vajtimit nisin me një  mbështetje në tekste ligjërimesh të mëparëshme, por duke i përshtatur me rastin konkret. Kështu shpjegohet që vajtoret u drejtohen maleve (Qaj o Çikë me Gjinikë, Mali i Çikës kullon serrë etj), vendeve (O Stamboll të rëntë zjarri), objekteve (O vapor o dhogë e thatë) ose personave konkretë (Ç’dreq e pru këtu Sulltanë) ose dhe referimi te stinët  (“Kjo bora e këtij dimri”, “Pranvera që spati lule” etj)

             Në rastet kur nënat vajtojnë bijtë dhe bijat e tyre  një arsye më e fortë i nxit të zgjedhin fjalët e të thurin vargjet më të bukura  për fëmijët e tyre të vrarë. Është ndjenja e mëmësisë ajo që përzgjedh  fjalët e vargjeve  për bijtë e tyre, është shpirti i tyre që i përzgzjedh,  në një mënyrë që ta bëjnë sa më të zezë zinë,  sa më të dhimbëshme dhimbjen,  akoma më të humnerëshme humbjen. Qysh kur e ka patur në djep djalin (apo vajzën) ninullat e saj nëna i mbushte plot me yjësi fjalësh, frazash e metaforash  dhe ja mbulonte  gjumin fëmijës plot me lulëri ëndërash. Gjithashtu, dhimbja e humbjes së djalit është si  vendosja në punë e një motori me xhirro të përshpejtuara dhe në “laboratorin” shpirtëror të nënës vargjet vijnë vetiu, me shumicë e shpejtësi ndaj ajo mund të vajtojë pa ndërprerje dhe për një kohë të gjatë. Ajo do ti ligjërojë gjithë këto mendime e ndjenja të saj për të birin (ose bijën) se i duket si i paplotë portreti i fëmijës po qe se nuk i thotë të gjitha. Është dhimbja ajo që u jep shkëlqim shpirtëror, sepse nënat nuk vajtojnë që ti dëgjojë bota, fshati, apo farefisi, ato vajtojnë birin e tyre, zbrazin dhimbjen që u mblidhet në shpirt dhe gati ua plas shpirtin, si lënget me aciditet të lartë në stomak që krijojnë plagë të rënda.  Për krijimin e tekstit vajtimor në përputhje me ambientin  ku është shtrirë trupi i birit të tyre i vrarë, nënave u mjafton një shikim në një fraksion sekonde për të bërë  “fotografimin” që ato e gdhendin mjeshtërisht në vargjet e ligjërimit. Dhimbja i “krijon” vijën vajtimore dhe shpirti i shqipton vargjet me një ngarkesë të tillë emocionale sa që, si një tërmet dhjetë ballë godit zemrat e burrave të pranishëm dhe shpesh ata nuk durojnë dot goditjen e vajtimit ndaj largohen ca metra larg duke fshirë sytë e duke  psherëtirë heshtazi “ulërimën që përjetojnë”. Nuk janë të rralla rastet që nëpër morte edhe burrat më të fortë luten me lotë në sy: “Aman moj, lere këtë vaj se na vdiqe dhe ne të gjallëve”. Nuk janë deklarata këto që shkruaj, janë përjetime morti.

 

             III- Le ta shohim pak më hollësisht tekstin e këtij vajtimi. Pas vargut të parë kemi vargun që thotë: më erdh' haberi nga mali”, duke e lënë në errësirën e anonimatit lajmësin. Ajo e di kush është, por ska asnjë rëndësi për tekstin e ligjërimit. Teksti i ligjërimit është përmendorja që nëna i ngre të birit dhe asnjë tjetër ska vend në ‘të.

Hajde moj se t’u vra djali” i vjen si krismë pushke lajmi i zi dhe ashtu të zi e të befta ajo i vëndos në bazamentin e vajtimit si bazorelievë.Kur të gjeta djalë mali/gjaku të rridhte nga balli” na jep momentin e tmershëm të pamjes që ju paraqit nënës para syve, por dhe në këtë çast ajo nuk harron që i biri ishte “djalë mali” dhe jo vetëm biri i saj i zemrës, “shpirt e xhan”. Skicimi i portretit është i plotë dhe me ngjyra të theksuara: “me shikim nga Komisari”, jo pse do ti japë ngjyrime politike, sepse me siguri nëna s’di gjë fare ç’janë komunistët e komisarët. Në ndërgjegjen e saj “komisari” është portretizuar si një shok i të birit, pak më i madh se ai në moshë, shumë më i ditur, ndaj dhe i mëson gjëra të mira. Ai, komisari është  tepër i zoti në luftë dhe e ka marrë nën kujdes djalin e saj që mos të vritet. U vra komisari, pra ju vra djali nënë Bajames se po të ishte gjallë ai, nuk e gjente e ligë birin e saj. Madje dhe i biri në çastin e fundit pa nga komisari me habi si e qysh u vra ai dhe me këtë shikim mbeti i vrarë nga plumbi i pabesë. Ky është konceptimi i nënë Bajames për komisarin e të birit vrarë në të njëjtën betejë, komisari 28 vjeçar i pari dhe i biri i saj 15 vjeçar i dyti, të dy filiza të njomë lisash.

           Pas kësaj “peneli” ligjërues vijon portretin e të birit:dorën kishe te gjerdani/,buzagas, lule behari, /sikur qe shtrirë sorkadhi” duke na sjellur një valë loti nën qepalla për këtë sorkadh të shtrirë dhe këtë lule behari të cilës qeshja i ishte hapur në buzë si petale.

           Në qoftë se ne i mbajmë lotët nën qepalla, në atë vjeshtë të largët “si gjysëm behari” nëna nuk duroi dot me dhe: “të mbështolla te gufari/se më kishte pikur malli/mu dogj zëmra, mu tha xhani”.  

Në rast se ju lexues i duruat goditjet e vargjeve të mësipërme, shtrëngoni dhëmbët fortë se ka edhe një valë tjetër më të butë në dukje, por më të dhimbëshme në goditje:” O djal i mëmës me derte/palose sytë e fjete”. Vargu : “Palose sytë e fjete” ne na lë pa gjumë me madhështinë e tij dhe dhimbjen që ai mbart dhe e shpreh aq thjeshtë.

           Djali “fjeti” dhe nëna heshti që mos tja prishë gjumin  birit të saj 15 vjeçar që i doli zot vatanit. Djalit nuk do ti dhëmbë më plaga e plumbit, është ai vetë që do shndrohet në një “plumb që dhëmb” në shpirtin e nënës dhe ajo do ta vajtojë për gjithë jetën, madje edhe përtejë jetës së saj, në këtë kohë që jetojmë ne.

        Ndaj, në respekt të kësaj dhimbjeje dhe të këtij vajtimi, le të heshtin disa “komentues” fb për këtë djalë e për këta djem.

 

Sarandë, më 03.10.2022            

Sunday, 4 September 2022

 

Timo Mërkuri

 

NËNA TEREZE – UNGJILLI I DASHURISË

 

Përsiatje mbi librin “Letrat e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze”[1] të Anton Nikë Berishës

 

“Nuk mund të mos e përshëndes një njeri fort të përvuajtur, që ndodhet mes nesh. Është Nëna Tereze e Kalkutës. Të gjithë e dimë […] Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte kjo…që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut tuaj. Në personin e Nënës Tereze Shqipëria është nderuar gjithmonë. Me zjarrin e fesë në kraharor, kjo grua e vogël dhe e madhe njëkohësisht, sjell dhe ruan brenda vetes hovin e bujarisë së përmbajtur dhe të pamposhtur të zemrës shqiptare”.

 

 Fjalët e Papës Gjon Palit II

në Katedralen e Shkodrës më 25 prill 1993

 

Leximi i librit të Anton Nikë Berishës “Letrat e Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze” të krijon ndjesinë e leximit të Ungjillit[2], por të shkruar ndryshe. Të kuptojmë: Ungjijtë janë shkruar nga Apostujt e Krishtit dhe askush tjetër nuk mund të shkruajë më një të tillë dhe ca më tepër që të guxojë ta shkruajë “ndryshe[3]”, por në rastin e Nënës Tereze ndryshimi qëndron sa në formën e të shkruarit ashtu dhe në përmbajtjen, në shpirtin dhe dashurinë e derdhur mbi këto shkrime.

 

I-Ndryshimi mes Apostujve dhe Nënë Terezës, veç ndërmjetëses kohore qëndron se: Apostujt kanë shkruar me synim krijimin e librit (Ungjillit), ndërkohë që Nëna Tereze ka shkruar vetëm letra të adresuara personave të veçantë, grupeve të caktuara, popujve të ndryshëm, të cilat u janë dërguar po atyre dhe vazhdojnë të jenë të arkivuara në formën e tyre fillestare (letra personale), pa pasur synimin për t’u mbledhur në formë libri. Së dyti objekti i Ungjijve të Apostujve është njohja e besimtarëve me jetën dhe bëmat e Jezu Krishtit, ndërsa Nëna Tereze nëpërmjet letrave u përcillte besimin dhe dashurinë e saj njerëzve dhe sidomos Hyjit gjer në mohim të vetvetes: “E etur të jem krejtësisht e Zotit, të shkrihem krejtësisht për Të dhe për shpirtra” (f. 44) dhe “[...] po ju them: në vepër do të jetë një dhënie -dorëzim i plotë i gjithë asaj që kam dhe që jam, absolutisht nuk do të mbesë asgjë” (f. 51), duke i shndërruar këto letra në pjesë organike të misionit të saj. Nëna është e sinqertë në letrat e saj, flet me letërmarrësin si në një rrëfim para vetë Hyjit, duke shprehur madje edhe dyshimin nëse ishte e denjë dhe e aftë në përmbushjen e misionit të saj, realizimin e të cilit e quante më së shumti meritë të vetë Hyjit: “Jam një laps i vogël në duart e Zotit. Ai më përdor për të shkruar atë që dëshiron. Lapsi nuk ka të bëjë asgjë me gjithë këtë. Lapsi vetëm duhet që të përdoret”.

Letra që shpjegojnë fjalët e Birit të Hyjit apo që japin porosi të ndryshme për kryerjen e shërbimeve kishtare etj., kanë shkruar në të kaluarën Apostuj[4] dhe prelatët e kishës, shkruajnë sot papët, kardinalët apo teorikët e krishterimit, por që të shkruajë një murgeshë e thjeshtë me mijëra letra, me një stil unik devotshmërie e dashurie të krishterë, ky është rast i rrallë, jo vetëm në krishterim. Ipeshkvi Komastri (tani kardinal) shkruan: “Jeta e Nënës Tereze […] nuk ndjek një logjikë njerëzore, po ndjek një thirrje që vjen nga Lart: mund të mos besohet kjo, mund të mos pajtohesh me zgjedhjen e saj, mund të mos kuptohet logjika e saj, po nuk mund t’i caktohet (imponohet) jetës së Nënës Tereze një formë (grilë) tjetër e leximit” (f. 19).

 

II-Ajo që bie në sy qysh në fillim të letrave është mënyra plot afinitet, dashuri e ngrohtësi që nisin letrat e Nënës Tereze: “Motrat e mia të dashura”, “Bija ime e dashur”,”I dashur atë”, “I dashuri im vëlla Sebastian dhe të gjithë ju në Cambria St”,”Fort të dashurit fëmijët e mi, motra, vëllezër, etër, misionarë laikë dhe bashkëpunëtorë” dhe mënyra e thjeshtë që ajo i përfundon ato, në shumicën e tyre me nënshkrimin prindëror: “Nëna” ose “Nëna Tereze”.

Në këto raste Nëna asnjëherë nuk harron ta shoqërojë nënshkrimin me një bekim apo urim si: “Zoti ju bekoftë, Nëna Tereze”, “E juaja në Jezusin, N. Tereze”, “Bija juaj e dashur në Jezu Krishtin”, ”Lutem gjithmonë për ju. Zoti ju bekoftë. Lutuni për mue edhe për motrat e mija dhe fukaratë tona”, “Në Krishtin. N. Tereze”, madje dhe me lutjen “Lutuni për mua se dhe unë do lutem për ju”.

Këto shprehje plot mirësi në skaj të letrave të saj ngjasojnë me faret në dy brigjet e një deti që u tregojnë “detarëve” (besimtarëve) se ky “det” është më paqësor se çdo oqean me këtë emër dhe se lundrimi në të është më se i sigurt. Dashurinë, ngrohtësinë dhe besimin e saj Nëna Tereze e çon me “valët” e letrave te më të varfrit e të varfërve, te të mënjanuarit dhe te të uriturit me qartësi e dritësi qiellore. Pra, janë kaq të pastra e të kulluara, të ngrohta shpirtërisht tekstet e këtyre letrave.

E vetmja letër që ka mbetur pa nënshkruar është letra fundit e datës 5 shtator 1997, kur Nëna Tereze mbylli sytë, por dhe atëherë arriti të shkruante: “Kështu le të bëhemi shumë të vegjël dhe të ndjekim rrugën e besimit të “lules së vogël”, dashurinë dhe gëzimin e saj (të Terezes së Krishtit fëmijë)” (f. 138), ndërkohë që të krijohet një ngulç në zemër kur, qysh në krye të kësaj letre lexon: “Fëmijët e mi të dashur. Kjo letër sjell dashurinë e Nënës suaj, lutjen dhe bekimin e saj…” (f. 137), sepse sheh se vërtet Nëna dhe në çastet e ikjes nga kjo jetë e kishte mendjen dhe zemrën te ne, te njeriu.

Për nga dashuria njerëzore që kanë letrat e Nënës Tereze, çdo fjali të tyre mund ta personifikojmë me një degë peme, ku këndojnë zogjtë e zemrës së saj: “Kam ardhur në Indi me të vetmen shpresë që t’i shpëtoj shumë shpirtra dhe ta meritoj larin e martires” (f. 43) shpall synimin e saj qysh në vitin 1947: “Motrat e kësaj Kongregate do të thirren Motrat e Dashurisë ose Motrat misionare të Dashurisë” (f. 49), duke e vënë dashurinë për njerëzit dh Hyjin në qëndër të gjithçkaje; ajo mjekonte me dashuri më shumë se me ilaçe, ushqente me dashuri e besim më shumë se me ushqim konkret.

Përmbajtja e letrave të Nënës Tereze kishte dhe një dukje tjetër, ato tingëllonin si një poezi e ngrohtë (në kuptimin e bukurisë, rrjedhshmërisë dhe finesës së tekstit të shkruar), sa qiellore aq dhe tokësore, ku “gjëmonte” psherëtima e shpirtit të saj, duke mbetur gjithmonë një poezi njerëzore që të mallëngjen, prej së cilës nuk mund të heqësh asnjë fjalë: “[...] një zemër e pastër mund ta shohë Zotin tek të varfrit, një zemër e përvuajtur mund ta dojë dhe t’i shërbejë Jezusit në të varfrit”. (f. 109) dhe se “Mrekullia nuk qëndron në faktin se ne e bëjmë këtë punë, por për arsye se jemi të lumtura që këtë e bëjmë” dhe pasi vlerësonte se “[...] secili prej tyre është Jezusi i fshehur në mjerim[5]“, Nëna Tereze u sqaron motrave të misionit: “Varfëria nuk qëndron vetëm të jesh i uritur për bukë, po para së gjithash një uri e tmerrshme për dinjitet njerëzor”.

Në letrën e dt. 11 prill 1961 Nëna shkruan: “Nuk e di çka provojnë njerëzit e tjerë, po unë i dua motrat e mia ashtu siç e dua Krishtin, me gjithë zemër, me shpirt e me mendje, me të gjitha forcat e mia” (f. 81) dhe më pas u mësonte: “Mos e kërkoni Jezusin jashtë vetes. Nuk është atje, po në ju” (f. 83).

Është interesantë letra e saj e dt. 30 dhjetor 1994 drejtuar “vëllezërve e motrave’ ku shkruan: “Ungjilli ka nevojë t’u kthehet kombeve të cilët po ç’krishterizohen. Silluni Fjalën atyre që janë të uritur dhe të etur për Zotin, duke filluar nga familja juaj. Shenjtëria fillon në familje […] familja që lutet e bashkuar, mbetet e bashkuar” (f. 129).

Tej çdo hamendësimi Nëna Tereze dashurinë dhe dhembshurinë e saj e kishte për të gjithë njerëzit e jo për ndonjë shtresë të caktuar apo popullsi të një besimi: “Une ja kam dhan ‘besën e shqiptarit’ Zotit me prue dashni dhe pagje mbe gjithë botën, duke u dhënë dashuri të ngrohtë dhe kujdes të sëmurëve - të vetmuarve, atyre që nuk i duan, që u mungon dashuria” (f.107). Në letrën e saj të dt. 26 shkurt 1972, përcakton kujdesin për disa vajza myslimane dhe hindu (të cilat ishin dhunuar në luftë) me fjalët: “Bijat e mia shumë të dashura. Qeveria e Bangla Deshit na ka kërkuar të kujdesimi për disa vajza të cilat janë dhunuar […] Ato do të çmohen si heroina të vendit sepse kanë vuajtur shumë për të ruajtur pastërtinë e tyre”.

Në letrat e shkruara Nëna Tereze ka lënë pjesë të zemrës e shpirtit të saj si filiza fidani shprese e besimi, mbështjellë me dashurinë e saj si me dheun e farishtes. Këto letra lexohen me sy, kuptohen me mendje e ndjehen me shpirt, duke u bërë një me lexuesin.

Mund të citojmë shumë letra apo fragmente letrash, por unë ju ftoj t’i lexoni vetë këto 50 letra të Nënës Tereze, të zgjedhura e të përmbledhur në një libër nga Anton Nikë Berisha, ta ndjeni dhe ta kuptoni vetë gjithë atë dashuri që kjo grua trupvogël e zemërmadhe kishte për njerëzit, pa dallim feje, race e vendi. Me këto letra ajo u çeli të varfërve dhe të mënjanuarve në mes të skamjes së tyre shpresën dhe besimin, siç çel bajamja lulet e vogla, ende pa dalë dimri. Dhe aty ku “ranë” petalet e luleve, frutat u lidhën gjithsesi.

 

III-E parë nga ana numerike, vëllimi i letrave të shkruara na kujton se edhe në botën civile, administrative apo shkencore një vëllim i tillë letrash të shkruara nuk mban mbi firmë asnjë emër gruaje. Ka shumë gra që kanë shkruar letra, madje shumë gra në profesionin e lirë, të shkrimtarit apo gazetarit, kanë shkruar jo pak letra dhe libra, por gjithsesi vëllimi i faqeve të shkruara prej tyre nuk i afrohet sasisë së letrave të shkruara nga Nëna Tereze; janë me qindra e qindra, sa që po të grumbulloheshin të gjitha me synim botimi, ato do përbënin dhjetëra vëllime[6]. Sipas një të dhëne deri më tani janë botuar rreth 5000 letra të Nënës Tereze” (f. 13).

 

IV-Vendosja e këtij krahasimi në thyesë kohore të procesit të të shkruarit, duke pasur parasysh se Nëna Tereze, jo vetëm që kishte një të shkruar të ngadalshëm të letrave[7], por edhe se i shkruante ato duke harxhuar kohën e saj të lirë, pas shërbimit, ndërkohë që femrat në profesion të lirë procesin e të shkruarit e kishin punë të tyre dhe i kushtonin kohën më produktive, atëherë shohim se letrat e shkruara në kohën e “të shkruarit” ishin më të shumta te Nëna Tereze se sa te çdo grua tjetër në botë. Nëna Tereze ka shfrytëzuar çdo çast të lirë të saj për të shkruar letra, që t’u japë shpresë të pashpresëve e dritë syve të verbër, të marrësh pranë të mënjanuarit e t’u japësh dashuri (ushqim shpirtëror) të uriturve do të thotë të shndërrohesh në një engjëll shpëtimtar për ata.

 

V- Ana tjetër në këtë “thyesë kohore” është se Nëna Tereze letrën e parë e ka shkruar më 28. 6. 1928, ndërsa letrën e saj të fundit e ka shkruar më 05.09. 1997, duke pasur një “ylber” kohor në të shkruarit që na lëbyr shikimin me mahnitje, teksa shohim se ky “ylber” ka mbuluar me harkun e tij 69 vjet e tre muaj të jetës së saj, kohë tepër e gjatë për një grua, kohë që me të drejtë mund ta quajmë “një jetë” duke shkruar. Për këtë veprim sigurisht që duhet të shtojmë dhe cilësimin: “[...] edhe me shumë probleme shëndetësore”.

 

VI- Një befasi më vete përbëjnë emrat e personave që u drejtoheshin këto letra pasi aty do të gjejmë emrat e George Bush-it dhe Sadam Husein-it, Ramiz Alisë, Papës Gjon Pali II, popullit shqiptar dhe popullit japonez, pjesëmarrëseve të konferencës së Pekinit kushtuar gruas, motrat misionare dhe vëllezërve të botës, të gjithëve në Carlo Catania, në Prenistina dhe në Cambria St., të etërve të kishës të shkallëve të ndryshme hierarkike dhe nënave të kishës, tezes Sut, Vatikanit etj. dhe befasia më e madhe: Nëna Tereze i ka shkruar letër vetë Jezu Krishtit.

Në qoftë se secili emër përbën një befasi e bukuri më vete, si një gur i vogël me ngjyrë të ndezur, në formë kubike, tërësia e tyre përbën mozaikun e bukur të dashurisë shpirtërore dhe njerëzore të Nënës Tereze.

Të kesh kurajën t’i shkruash një letër Jezu Krishtit, pavarësisht se me përvujtëri e devocion që duket e ndjehet te fjalët: “Qysh të vogël më ke thirrur[8] dhe më ke mbajtur si tënden [...] Vër në shpirtin tim dhe në jetën time vuajtjet e zemrës sate […] Jam e gatshme të të pres gjithë jetën.” (f. 71) dhe ta nënshkruash këtë letër si “Vogëlushja jote” do të thotë që ta ndjesh se je shumë e afërt me Jezusin, se je ngjitur diku pranë tij, do të thotë të ndjesh se je e denjë për t’u dëgjuar prej tij, qoftë kjo dëgjesë vetëm për adhurimin dhe përkushtimin tënd. E megjithatë nuk mjafton vetëm kuraja, duhet dhe mençuria për t’i shkruar për pështjellimet e tua shpirtërore, për pasurimin me besim e shpresë të më të varfërve të të varfërve, për ushqimin dhe afrimin e të uriturve dhe të mënjanuarve, të sëmurëve dhe të pashpresëve.

Janë unike dhe në literaturën kishtare letrat e Nënës Tereze dërguar Jezu Krishtit dhe ne, edhe pse flasim për to, e kemi të vështirë të përshkruajmë bukurinë e tyre dhe trazimin shpirtëror që ato ngjallin.

Te kesh kurajën t’u shkruash letër George Bushit dhe Sadam Huseinit pikërisht në pragun e shpërthimit të një lufte mes tyre (2 shkurt 1991) sigurish me respekt për pozicionin e tyre zyrtar: “Të dy i keni arsyet tuaja që t’i çoni përpara dhe popujt tuaj për të clët mendoni” (f. 114), por pavarësisht kësaj t’u flasësh për mënjanimin e luftës, do të thotë se e ndjen veten këshilluese dhe qortuese, autoritet që e ka marrë nga ai që e ka nisur: “Po vij tek ju në emër të Zotit, të Zotit që të gjithë e duan dhe e kemi të përbashkët..” (f. 114) dhe, megjithëse ka këtë autoritet, ajo shkruan përunjësisht: “Po vij tek ju me lot ndër sy dhe me dashurinë e Hyjit në zemër t’ju lus, në emër të të varfërve dhe të atyre që do të bëhen të varfër nëse nis lufta…Ju lus me gjithë zemrën time që të punoni dhe të bëni çdo përpjekje për paqen e Zotit dhe për pajtimin midis jush..”(f. 114) për të vijuar: “Ju lus e gjunjëzuar në emër të tyre [...] Ju lus në emër të atyre që do të mbesin bonjakë [...] Ju përgjërohem, ju lus t’i shpëtoni. Ju lus në emër të atyre që do të mbesin invalidë ose të gjymtuar. Janë fëmijët e Zotit” (f. 115), madje duke u treguar anën tjetër të pushtetit të tyre: “Ju lus, ju lus që mendja juaj dhe vullnesa juaj të bëhen mendja dhe vullnesa e Zotit. Ju e keni pushtetin […] të ndërtoni paqen” (f. 115).

T’u drejtohesh me lutje, e cila në fakt është një qortim publik, t’u vesh në dukje pasojat e veprimeve të tyre mbi jetën dhe fatet njerëzore, do të thotë t’i “shpallësh” fajtorë para botës, para historisë dhe përpara Zotit. T’u shkruash “Lutuni […] ashtu si ne dhe të varfrit tanë luten për ju.” (f. 115) do të thotë t’i ftosh në besimin te Zoti që të mos e pësojnë njerëzit. Ta mbyllësh letrën me fjalët “Le t’ju bekojë Zoti tani e përgjithmonë” do të thotë që t’i shpallësh fajtorë, mëkatarë dhe sipas fjalëve të Krishtit në kryq: “Fali at, se s’dinë çbëjnë”, t’u falësh mëkatin si gjithë njerëzve të vegjël.

 

VII- Në letrat e përfshira në këtë vëllim Nëna Tereze jo vetëm që dëshmon origjinën e saj shqiptare, por ajo dhe krenohet me këtë origjinë dhe traditat e popullin tone, madje edhe “Jezu Krishtit i dha besën e shqiptarit…” (f. 135). Letra e saj unike e dt. 24 prill 1997 dërguar popullit shqiptar pikërisht në kohën kur: “[...] trazirat që kanë ndodhur në Atdheun tonë të mrekullueshëm …” (f. 135) si dhe porosia e saj: “I kuptoj vuajtjet e atyre që humben paratë e tyre, por ju lutem mos i shkaktoni njëri -tjetrit më shumë vuajtje” dhe se “Çdo burrë, çdo grua, çdo fëmijë është vëllai im, motra ime dhe unë duhet t’i dua gjithsecilin, ashtu si Zoti na do neve të gjithëve”, prandaj “Nëna po lutet shumë për gjithë popullin tim të dashur të Shqipërisë, derisa secili të mësojë të dashurojë deri në dhembje në mënyrë që t’i sjellë paqe vendit dhe zemrave të gjithsecilit. Le të lutemi.” (f. 135).

Asnjë burrë shteti nuk i është drejtuar popullit shqiptar nga lartësia shpirtërore e kësaj letre.

Nëna Tereze e ka bërë të njohur me krenari origjinën e saj shqiptare qysh në nisjen e veprimtarisë së saj kur shkruante se: “Gjithmonë shpirtnisht jam e lidhurn në uratë dhe dashni me popullin tem Shqiptar, sidomos në kohë të vështira” (f.113) dhe se “Për Shqipërinë e kam lutur Zotin nga viti 1930. Për të janë lutur edhe motrat e mia. Kjo ka qenë ndihma jonë kryesore”.

Në letrën e parë të saj, shkruar më dt. 28. 6. 1928 në Shkup, në gjuhën serbokroate, Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Tereze theksonte: “Nga gjuhët njoh shqipen, e cila më është gjuhë amtare dhe serbishten, pak di frëngjisht, anglisht nuk di asgjë”, ndërsa në letrën e dt. 7 shkurt 1948, dërguar Kardinal prefektit të Kongregatës së Shenjtë, shkruante: “Kam hyrë në Institutin e së Lumes Mari Virgjër në tetorin e vitit 1928; më 1931 i kam bërë kushtet e para, ndërsa ato të pjekurisë më 1937 në Darjeeling. Punoj në Indi (Bengala) nga viti 1931. Jam e lindur shqiptare, por kam jetuar me prindërit e mi në Jugosllavi” (f. 37).

Kjo dashuri për vendin dhe popullin shqiptar shprehet plot ndjenja dhe në letrën dërguar Presidentit Ramiz Alia të datës 8 gusht 1989:

I dashur zotëri president i vendit tim të dashur Shqipërisë,

Pas shumë vjet lutjesh dhe dëshire për të vizituar vendin tim; pasi kisha vizituar aq shumë vende të ndryshme jashtë nëpër botë, i lumi Zot më dha dhuratën e bukur: të vij e të shoh popullin tim. Njerëzit e familjes sime kanë jetuar këtu për shumë vite [...] Unë shpresoj se [...] së bashku mund të bëjmë diçka të bukur për Zotin dhe për popullin tonë [...]” (f. 107).

Dhe Nëna Tereze bëri shumë për popullin e saj shqiptar: “Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte kjo…që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut tuaj”, theksoi Papa Gjon Pali II në Shkodër më

25 prill 1993.

 

VIII- Ne shqiptarët mburemi me Nënën Tereze, por në fakt e njohim shumë pak atë. Në e kemi menduar si një bamirëse sociale, e cila mblidhte fonde monetare e ndihma materiale dhe këto ua shpërndante të vobegëtve falas. Këtu nis gabimi ynë; Nëna Tereze nuk ishte “punonjëse sociale”, ajo nuk u jipte të vobegëtve dhe të varfërve lëmoshë monetare apo materiale, përkundrazi ajo ishte misionare e Hyjit dhe Birit të tij, Krishtit, jipte dashuri nëne, flijohej pa kursim për tjetrin, prandaj dhe u quajt NËNË, Nëna Tereze. Ajo i mirrte të vobegëtit, të varfërit e të mënjanuarit nga mjerrimi i rrugës ku ishin braktisur dhe i shpinte nëpër shtëpitë e misioneve, i pastronte dhe mjekonte, i ushqente dhe i vishte, u jipte shpresë e besim te Hyji dhe kështu njerëzit të “ringjallur” ata dilnin në jetë.

Anton Nikë Berisha me këtë libër na bëri të shohim e të njohim shënjtërinë e vërtetë të Nënës Tereze në dritën e saj të vërtetë, më shumë se bamirësinë e saj.

Ka diçka pranverore ky libër në qenësinë e tij që ta ngrohë e zgjeron shpirtin si shtatë dete, nëpër të cilat nis lundrimin anija e besimit dhe e shpresës. Gjatë leximit të letrave sytë të ndrijnë si dy diej të porsa “larë” (nga lotët që rjedhin heshtazi) dhe në gjoks jehon kënga e gjithë zogjve të pranverës. Unë ju ftoj ta lexoni se do përfitoni shumë më shumë se nga shumë libra të tjerë.

Është vërtet një “libër pranveror” vëllimi “Letrat e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze” që na pruri Anton Nikë Berisha me përzgjedhjen dhe përkthimin e pesëdhjetë letrave, ku në çdo rresht e ndjejmë dashurinë dhe buzëqeshjen e Nënës Tereze; ka ditur ai çka të na sjellë në këtë ditë (më 5 shtator, ditën e kalimit të Nënës në amshim), prandaj e falënderojmë përzemërsisht për hartimin dhe botimin e kësaj vepre, të shoqëruar nga një parathënie të ngritur e mjaft shkoqitëse.

 

Sarandë, më gusht-shtator 2022

 



[1] Anton Nikë Berisha: “Letra të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze” botuar nga “Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup” 2022.

[2] Ungjilli (nga greqishtja ευαγγελιον evangelion - lajm i mirë) në krishterim shpallja e lajmit të mirë të ardhjes së mbretërisë së Perëndisë nga Jezusi. Me fjalën Ungjill më së shumti kuptohen përmbledhja e katër librave të Besëlidhjes së Re të apostujve të Krishtit: Ungjilli sipas Mateut, Ungjilli sipas Lukës, Ungjilli sipas Markut dhe Ungjilli sipas Gjonit. Ungjijtë e Matheut, Markut dhe Llukës ( të shkruar pas vitit 41) quhen “ungjijtë sinoptikë” se ata “duken të njëjtë” pasi janë shumë të ngjashëm në përmbajtje dhe në formë. Ungjilli i Shën Gjoni (Joanit) është shumë i ndryshëm prej tyre. Gjykohet se ai është shkruar i fundit si kohë (rreth viteve 70-100) që përputhet me vitet e fundit të jetës së Gjonit, në mbarim të shekullit të parë. Ky ungjill renditet para të tjerëve, lexohet i pari në lexim në meshën hyjnore të natës së Pashkës. Është ky Ungjilli që fillon me prologun e famshëm: “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi”.

Titulli “Nëna Tereze Ungjilli i dashurisë” për përmbledhjen e letrave të shkruara nga Nëna Tereze të zgjedhura nga Anton Nikë Berisha, është një titull metaforik, i vendosur nga autori në respekt dhe vlerësim të frymës së dashurisë për Jezu Krishtin dhe për njerëzimin që i përshkon letrat. Realisht, Nëna Tereze “[…] qysh gjatë jetës u quajt “Ungjill i gjallë”, “Shenjtëreshë e gjallë”, “Ndërgjegjja e botës”, “Engjëll i të varfërve” etj” (f. 12).

[3] Me qëllime spekulative janë shkruar edhe shumë libra të tjera për jetën dhe bëmat e Jezu Krishtit, të cilat kanë synuar të quhen “Ungjij”, por që kisha i ka shpallur si apokrifë (të rremë).

[4] Apostulli (greq. απόστολος, lat. Apostolo, i dërguar) në krishterim është një njeri të cilit i është dhënë detyra si “i dërguar” drejtpërdrejtë nga Jezu Krishti për të përhapur Lajmin e mirë në botë. Apostujt ishin dymbëdhjetë: “Dhe kur zbardhi dita, thirri pranë vetes dishepujt e vet dhe zgjodhi prej tyre dymbëdhjetë, të cilëve u dha edhe emrin apostuj” (Lk 6:13).

[5] Eileen Egan – Kathleen Egan, Madre Teresa e le Beatitudini. Queriniana. Brescia, 2000, f. 138. (Vepra e cituar f. 23)

[6] Ati Brian Kolodiejchuk, postulator i lumturimit të Nënës Tereze vë në dukej se gjatë procesit për lumturimin e Nënës saj u shtjelluan më së 8000 dokumente, 80 vëllime të dokumentacioneve; 113 persona dëshmuan për jetën, virtytet dhe shenjtërinë e saj. (Shih Jacques Gauthier, Ho sete. Dalla piccola Teresa a Madre Teresa. Edizioni Mesaggero, Padova, 2003, f. 105.) Në këtë libër të Anton Nikë Berishës janë përfshirë vetëm pesëdhjetë letra të Nënë Terezes të përkthyera shumica, nga autori.

[7]Anton Nikë Berisha, Letrat e Gonxhe Bojaxhiut- Nënës Tereze. Nëna Tereze: Letër Atit Michael Van Der Peet 18 tetor 1980: “Një ipeshkëv më pati thënë ta kaloj Purgatorin tim duke shkruar letra nga se jam kaq e ngadalshme të përgjigjem. Sado i gjatë të jetë Purgatori, është shpresa e bukur që një ditë ta shihni Jezusin”. f. 103.

[8] Anton Nikë Berisha, Letra të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze. Botuar nga “Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup” 2022. “Grishja e parë e Krishtit më 15 gusht 1922 (në orën 15,15 minuta) në Kishën e Letnicës (Kosovë)” f. 16.

Friday, 2 September 2022

 

Timo Mërkuri

 MBI NJË GUR ANËS SË DETIT SOT HIMARA QAN

 

           Sot është një ditë e trishtë në Himarë, era vjen si kuje e stërkalat mbi shkëmbinjtë e bregut bien si lotë. Zogjtë heshtën, kënga isopolifonike u rikthye në origjinën e saj vajtimore dhe: "mbi një gur anës së detit sot Himara, qan[1]". Sot pushoi së rahuri zemra e Dhimitër Varfit, Zotit të vërtetë të këngës himariote dhe s'ka zemër bregasi që nuk u drodh nga kjo goditje rrufeje. Sepse Himara ka "valëvitur" si flamur krenarie këngët e Dhimitër Varfit (me tekst të Neço Mukos), ato këngë që dhe Zoti vetë i dëgjonte me mahnitje.

             Askush si Dhimitër Varfi gjer më sot nuk e lëmoi këngën himariote gjer në shkëlqimin e dritës, askush gjer më sot nuk futi te zërrat e këngës himariote flladin dhe tramudanën e detit bashkë, përzier me erën dhe aromën e malit në prill, nën një paqe ungjillore ullinjsh. Askush si ai gjer më sot nuk e vuri zemrën himarjote si shenjë identiteti në flamurin e këngës, që rrihte në valëvitjen e isos së saj. Ai na bëri të ecnim me ballin lart te krenaria dhe të ishim të pranishëm dhe aty ku mungonim, mjaftonte të shkonte kënga jonë.

            Ai u bë pjesë e jetës sonë, rritëm i rrahjes së zemrave tona, ndaj sot ndjejmë një shtrëngim në gjoks, një dhimbje që më kot mundohemi t'a fshehim, por nuk e ndalim dot lotin, që me gjëmime të heshtura rrokulliset faqeve.

          Na ka hije loti për ty o Dhimitër Varfi, siç na kishte dje hije kënga bashkë me ty.

          Ishe i këngës dhe në parajsën e këngës do jesh .   

          Këngë t'u bëftë në këtë përcjellje edhe vaji ynë.

 

Sarandë, më 30 gusht 2022



[1] Perifrazim i vargut “Mbi një gur anës së detit, qan e mjera qan” të këngës himariote “Vajz’ e valeve”