Thursday, 20 July 2023

Timo Mërkuri

 

THELLËSIA DHE DENDËSIA E MENDIMIT TË NJË POEZIE

 

Anton Nikë Berisha “Përndritje e amshuar” – kushtuar Homerit

 

I-Nuk na habit fakti që poeti Anton Nikë Berisha shkroi poezinë “Përndritje e amshuar” kushtuar Homerit, madje na duket se e kemi pritur këtë poezi prej tij, për arsye se si rrallëkush Berisha zhbiron në thellësi të shekujve për të na dhuruar diamante mendimesh e dijesh njerëzore në formën e krijimeve letrare, të cilat lënë gjurmë të pashlyeshme te lexuesi nga se dëshmojnë gjerësinë e horizontit, thellësinë dhe dendësinë e mendimit, të analizës dhe shprehjes, ku gjithmonë ai shfaqet me një epërsi diturie, mprehtësie e bukurie.

Pas leximit të poezisë së tij “Përndritje e amshuar” vlerësojmë se ajo përmban dhe shfaq tipare filozofike, mistike, realiste etj., të shprehura në bazë të stilit tipik të poetit.

Në aspektin filozofik poezia përdor mjetet përkatëse të lartësuara për të shprehur ide të thella dhe të përgjithshme. Dëshmohet fuqia e fjalës poetike dhe aftësia e saj, e cila shkakton ndryshime në mendjet dhe në jetën e njerëzve, duke reflektuar kështu mbi vlerën dhe ndikimin e artit dhe të fjalës tek njeriu. Poeti Berisha e jep Homerin jo duke shkruar historinë e kohës së tij, por me shikimin të drejtuar në kohën tonë; poemat e Homerit nuk i trajton si histori; së pari ato janë mesazhe që i drejtohen njerëzimit në kohërat e mëpasshme. Këtë thelb të tyre, palcë të shtyllës kurrizore të poemave homerike, e ka kuptuar e zbërthyer poeti Berisha dhe ia transmeton lexuesit nëpërmjet poezisë së  tij.

Në Luftën e Trojës, ku u përleshën  njerëz e perëndi të rreshtuara në dy kampe, Homeri nuk mbajti anën e asnjërës palë ndërluftuese apo perëndie të përfshirë në përleshje, ai u kujdes për një qëndrim asnjanës dhe objektiv, me vëmendje të drejtuar në kohërat e mëpasshme,; ato duhej ta lexonin mirëfilli mesazhin e tij poetik.

Në aspektin mistik, poezia “Përndritje e amshuar” përdor imazhe të mrekullueshme dhe të shenjta për të shprehur fuqinë, bukurinë dhe efektin e vargut homerik, madje përmendja e “Jehovah Schammah” (“Zoti është këtu” ose “Zoti është i pranishëm”; Shih Biblën, Ezekiel 48,35.) sugjeron një lidhje të thellë me botën e shpirtit dhe përshkueshmërinë, ku kuptojmë se përmendja e “Jehovah Schammah” tregon një ndjenjë të thellë të lidhjes së poetit edhe me botën e mendimeve të thella dhe ndjenjave të brendshme, ndërsa përshkueshmëria ndërlidhet me tejkalimin e kufijve të zakonshëm të perceptimit të botës fizike, duke shfaqur mënyrën se si poezia i tejkalon rëndomësinë e perceptimit dhe i hap rrugë një përmase të veçantë të shprehurit dhe të përjetimit.

Në aspektin realist, poezia ndërlidhet me figurën e Homerit dhe me ndikimin e tij në shoqërinë njerëzore, ku shprehen reagimet e tyre ndaj fjalës poetike dhe ndikimit të në udhëheqësit dhe udhëtimin e tyre të errët.

Në pamjen e dukshme te kjo poezi dallon dy tipare, së pari vëren se poezia është shkruar në formën e një bashkëbisedimi dy palësh, ku autori bashkëbisedon me Homerin (ndonëse është vetëm poeti Berisha që flet) dhe së dyti: poezia është shkruar në formën e një lavdërimi ndaj Homerit për kontributin e madh që ai ka dhënë në letërsinë dhe mendimin njerëzor gjatë shekujve, ku marrim shkas t’i kujtojmë lexuesit se lavdërimet janë psalmet që të krishterët i këndojnë Zotit, prej nga kuptojmë se Berisha e ngre tej kufijve njerëzorë atin e poezisë, për atë që i mësoi dhe i la trashëgim njerëzimit. Duhet të kujtojmë se jo vetëm shoqëria greke u rrit dhe u zhvillua me poemat homerike, por gjithë Evropa, Azia Evropiane dhe Afrika veriore në antikitet, ndërsa në Mesjetë dhe kohët moderne ato janë  lëndët bazë në shkollat e gjithë botës, madje edhe në universitete. Pra, poeti Berisha e jep Homerin jo si një kronikan të kohës së tij, por si dërgues mesazhesh poetike e filozofike të njerëzve të kohës së tij dhe të brezave të ardhshëm të njerëzimit, ashtu si yjet emetojnë dritën e tyre edhe qindra vjet pasi janë shuar. Drita homerike vjen te ne, jo në formën e valëve, por të vargjeve dhe na jep veç dritësimit edhe shumë të dhëna të tjera për kohën e  ndriçimit të “yllit” të saj.

Te Homeri vëren, lexon dhe mëson jo vetëm poezinë, por edhe historinë, mitologjinë, gjeografinë, strategjinë, qytetarinë, madje dhe ndërtimin e qyteteve dhe të së ardhmes. Vargjet e tij janë sa shpirtërore aq dhe qiellore, të tejdukshme si ajri, drithëruese si elektriciteti, jetësore si oksigjeni, ndaj mund të përsëritim se: “Homeri është mësuesi ynë i parë, që na ka treguar se si të themi dhe të dëgjojmë” (Johann VVolfgang von Goethe), “Homeri është si një diell i hershëm që dalloi nga mjegulla e natës së shekujve të errët” (Lord Byron), “Homeri është arkivi më i vjetër i njerëzimit dhe vepra më e madhe letrare që ka prodhuar kultura e lashtë” (Friedrich Schlegel) dhe të ndjejmë se kemi dhe më shumë për të thënë për të.

Berisha i ka përmbledhur dhe shprehur poetikisht në formën më të bukur shumë nga vlerësimet e thëna, të menduar për t’u thënë apo që do të thuhen në të ardhmen. Këto vargje poetike nuk janë thjesht fryt i frymëzimit dhe i talentit, ato i kanë rrënjët në mendimin dhe dijet e tij të gjera e të thella, prandaj janë sa të të menduara aq dhe qëndisura.

 

II-Vetë titulli “Përndritje e amshuar” dëshmon ndikimin e përjetshëm dhe ndriçimin e vargjeve të Homerit. Fjala “amshuar” lidhet me diçka që është jashtë kohës reale dhe që vazhdon të ekzistojë nëpër kohë, duke përcjellë ndikimin (e vargjeve të poetit të lashtë), nëpërmjet të cilave ai ka qëndruar i gjallë dhe i pranishëm te lexuesit, pa marrë parasysh kohën dhe vendin; titull tregon se poezia e Homerit është si një dritë e përjetshme që e ndriçon rrugën e letërsisë dhe mendjen e lexuesve nëpër kohë. Në këtë mënyrë, titulli përcjell idenë e një ndikimi të pafund dhe të padukshëm që fjalët e Homerit kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë. Po ashtu togfjalëshi “Përndritje e amshuar” është një imazh poetik i fuqishëm, ndaj themi se edhe titulli krijon një atmosferë mistike e poetike njëherësh, duke tërhequr lexuesin drejt misterit të poezisë. Fjala “Përndritje” paraqet një ndriçim të jashtëzakonshëm dhe tërheqës, ndërsa “amshuar” lidhet me diçka, siç thamë, që vijon dhe që nuk zhduket. Kjo është qenësia që krijon një imazh mistik dhe poetik, duke përcjellë idenë e një ndriçimi që vazhdon të ekzistojë nëpër kohë.

Titulli “Përndritje e amshuar” është në përputhje me fuqinë e përhershme të vargjeve të Homerit, çka e bën atë “të gjallë si dje, si sot, si nesër”.

Thamë se pjesa e titullit “amshuar” shton një përmasë mistike në poezinë e Berishës, përmasë që e përligj rëndësinë e vargjeve të Homerit si një burim të veçantë të ndriçimit dhe frymëzimit dhe që në vetëdijen tonë e shohim të ngjashëm me dritësimin e Biblës.

 

III-Vargjet e poezisë theksojnë rolin dhe fuqinë e Homerit si poet dhe sjellin imazhe të mrekullueshme për të shprehur ndikimin dhe thellësinë e fjalëve të tij. Interpretimi i aspektit psikologjik, filozofik, mistik dhe realist mund të jetë subjektiv dhe ndërvarës i lexuesit, por pikërisht ky interpretim subjektiv (sipas lexuesit) është një bukuri e shtuar e poezisë, është një ngjyrë e dritës së përthyer në prizmin e shijes individuale, që i shtohet ngjyrimit të vetë poezisë.

Siç dihet, vargu homerik është një krijesë shumëpërfshirës e shumëngjyrësh, por duhet të themi se dhe vargu i kësaj poezie të Berishës është i denjë për figurën e Homerit dhe përmasat e tij, ashtu siç është i përshtatshëm mermeri i përzgjedhur nga Mikelanxhelo për Davidin e tij.

“Përndritje e amshuar”  është një poezi e mendimit e gdhendur me daltën e dijes e të frymëzimit, por ne duam të themi se është pikërisht pesha e mendimit mbi vargje që rrëndon mbi fjalët që e bëjnë tekstin poetik. Mungojnë te Berisha  fjalët fluturake, si flutura me origjinë të dyshimtë. Çdo fjalë në vargjet e kësaj poezie ka peshën e mendimit, origjinën e frymëzimit dhe bukurinë e vizionit poetik. Thamë se fjalët ngërthejnë mendime të shumta, si gurët me të cilin shtrohen kalldrëmi apo ngrihen bedena, por Berisha me këto gurë fjale ngre një far në breg të kohës sonë, jo që ta shohë Odiseun në udhëtimet e tij, por që ne të shohim në tallazet e modernitetit bregun homerik si bregun e shpresës së mirë dhe të shmangim shkëmbinjtë nën ujorë.

Përmendëm vizionin poetik të Berishës, ndaj unë ju ftoj që ta shohim vizionin e tij që shpaloset në vargje, si era që përplaset në vela dhe i tendos ato në udhëtim, të cilën forca e talentit i mban drejtpeshimin anijes në furtunë si direku kryesor. Them se anija poetike e Berishës është një anije e tonazhit të rëndë që përshkon oqeane në furtunë dhe jo ndonjë skaf  i lehtë për ekskursione turistike brigjeve. Më jepni leje që ta  shpalos këtë ide me zbërthimin strukturor të vargjeve dhe idesë së tyre në poezi.

-Berisha shprehet për Homerin: “Të quajtën yll të fjalës, yll i tillë mbete. Ky cilësim metaforik përdoret për të shfaqur ndikimin dhe rëndësinë e Homerit si poet, kryesisht për brezat që erdhën pas tij. Duke e krahasuar atë me një yll, autori e paraqet poetin si një burim të ndriçimit dhe të frymëzimit për të tjerët, po sugjerojmë të shihet dhe në aspektin e orientimit si “ylli polar”.

Ky imazh mistik përcjell idenë se Homerit i është dhënë një dhunti të veçantë, një përndritje që është e pranishme në të gjitha kohët: “të shoh të gjallë si dje, si sot, si nesër.” Këto vargje shprehin një prani të përhershme dhe një ndikim që e tejkalon kohën dhe hapësirën. Misticizmi në këto vargje sugjeron një diçka të pazakontë dhe të mrekullueshme të veprës së Homerit, që tejkalon kufijtë e zakonshëm të realitetit.

Vargjet “u përshkua vijimisht nga shkëlqimi i tyre / zbulim i fshehtësisë dhe i madhështisë së fjalës” shprehin rëndësinë e dritës dhe të ndriçimit të fjalës së Homerit, pra, fjalët e tij janë përcjellë dhe janë shtjelluar në mënyrë të vazhdueshme nga ndriçimi që ato kanë brenda tyre, si ndriçimi i yjeve, ku drita është pjesë e qenies së tyre.

Kjo përmendje e ndriçimit shpreh fuqinë e fjalës dhe vlerën e saj të thellë. Ndriçimi i yjeve në këtë kontekst paraqet një burim të fshehtësisë dhe madhësisë së fjalës, duke treguar se poezia e Homerit zbulon aspekte të fshehura të botës e të njeriut. Si të tillë vargjet krijojnë një atmosferë misterioze dhe të thellojnë një ndjenjë të rrëfimit të mrekullueshëm të fjalëve e të kumeve poetike.

Po kështu edhe pjesa e dytë është e pasur me imazhe dhe shprehje të fuqishme për të theksuar ndikimin dhe vlerën e fjalëve të Homerit: “Të quajtën yll të fjalës, yll i tillë mbete, / Orfe në ngritje që asnjëherë nuk mplakët”. Ky përdorim metaforik e paraqet Homerin si një figurë të shquar në botën e fjalës, ku përveç kësaj, krahasimi me Orfeun në ngritje, i cili nuk plaket kurrë, thekson se Homerit i është dhënë një fuqi të përjetshme dhe një ndikim që nuk humbet me kalimin e moteve.

Te vargjet: “se ti vrojtove me sytë e mendjes së tejndritur / çdo fjalë e jote lindi nga ngrohtësi e bukurisë, / jetë i dhe shumësisë së mendimeve urtake, / që fisnikërohen e rriten tek secili që i lexon” përligjen imazhe plot ngjyra për të shprehur krijimtarinë e Homerit, ku përmendja e “syve të mendjes së tejndritur” paraqet aftësinë e jashtëzakonshme të Homerit për të krijuar poezi që lind nga “ngrohtësia e bukurisë”.

Në poezinë e Berishës Homeri është perceptuar si një “jetë” e mendimeve të shumta urtake, ato: “janë të gjalla” dhe “fisnikërohen e rriten tek secili që i lexon”, çka ua përjetëson vlerën.

Në pjesën e katërt poeti shprehet me vargje tipike, ku shfaqet fuqia dhe ndikimi i fjalës së Homerit. Togfjalëshi “magjia e të shprehurit” tregon se fjalët e tij kanë një efekt sa të veçantë aq dhe të mrekullueshëm.

Homeri lartësohet me frymësi të shpirtit, dëshmi se krijimet e tij janë të frymëzuara nga thellësia dhe ngjeshësia e shpirtit. Krahasimi me “gjakimin e dashurisë së parë” shpreh fuqinë e ndjenjave dhe dashurisë që theksojnë fjalët; në disa vargje të kësaj pjese përdor imazhe të bukurisë dhe rrezatimit për të shfaqur ndikimin e fjalëve të Homerit nëpër kohë. Fjala e tij është përshkruar si “bukuri” që mbëlton dhe lundron nëpër kohë, paraqitje që nuk e kemi hasur në asnjë krijimtari të lexuar prej nesh. Krahasimi me “vrushkujt rrezesh që s’kanë të sosur” paraqet fuqinë dhe pavarësinë e ndriçimit të fjalëve të Homerit, duke treguar se ato shkëlqejnë në lindje të agimit, duke sjellë ndriçim dhe shpresë.

Vargjet: “Mendimet e tua i pushtuan mendjet kudo; / para vargut tënd u gjunjëzuan mbretër, sundimtarë, / diktatorë mashtrues, hije të përbindshme: / tiberë, kaligulë, neronë e të ngjashëm / se vargu yt shprehu të vërtetën artistike / atë që është e thellë, e urtë, e vlefshme/që shtrihet pafundësisht në kohë –/ kjo të kurorëzoi me dafina të përjetshme”, pra, mendimet e tij pushtuan mendjet e njerëzve, duke përfshirë “mbretër, sundimtarë, diktatorë mashtrues” dhe “hije të përbindshme”, duke treguar se pushtetit të fjalës së Homerit i bindeshin edhe personat më të pushtetshëm të kohërave si “Tiberë, kaligulë, neronë e të ngjashëm”.

Këta emra që përfaqësojnë autokratët më të mëdhenj të kohërave, tregojnë së pari forcën e fjalës së Homerit dhe se ndikimi i tij tejkalon kohën dhe vlerësohet nëpër shekuj si një zë i rëndësishëm për të shprehur “të vërtetën artistike”.

Poeti përshkruan atë që Homeri shpreh në vargje si “të vërtetën artistike” e cila është e thellë, e urtë dhe e vlefshme, duke i dhënë një dimension të thellë dhe universal fjalëve të Homerit, që përhapen pafundësisht nëpër kohë; janë dafina të përjetshme.

Mbyllja e poezisë me pjesën: ”Vargu yt – rrezatim i përhershëm në fërk t’agsholit / që i njëson natyrshëm kohët e kaluara / dhe nis fluturimin e epërm në të ardhmen; / t’i qetësojë ulërimat, klithjet, psherëtimat / të bjerë hirshëm mbi mallin, dashurinë, vuajtjet” dhe sidomos vargu mbarrësonës (përmbyllës): “ Ti për vargun je ‘Jehovah Schmmah” tingëllon si një prelud muzikor.

Berisha e vlerëson vargun e Homerit si një rrezatim të përhershëm që ngjizet në “fërk t’agsholit”, duke e krahasuar atë me ndriçimin e mëngjesit plot nuanca ngjyrash. Ky varg i Homerit i bashkon natyrshëm kohët e kaluara dhe nis fluturimin e lirë drejt së ardhmes, ndërsa te vargjet “T’i qetësojë ulërimat, klithjet, psherëtimat” poeti tregon se fjalët e tij kanë fuqinë për të qetësuar dhe përballuar emocionet e njerëzve, pasi ato “bien hirshëm” mbi “mallin, dashurinë, vuajtjet”, ashtu si ëndrrat e bukura në syrin e mëngjesit.

Vargu i fundit “Ti për vargun je ‘Jehovah Schmmah’” e lidh vargun e Homerit me një figurë mistike, të shenjtë; “Jehovah Schmmah” në hebraisht do të thotë “Zoti është i pranishëm”.

Me këtë krahasim, poeti synon të theksojë se poezia e Homerit, pos të tjerash,  është në shërbim të njerëzimit dhe të prehjes shpirtërore; dëshmon se fjalët e Homerit janë të frymëzuar nga një prani e jashtëzakonshme, vargu i tij përfaqëson një ndriçim që e përcjell dhe e shpjegon  mesazhin e Zotit. Krahasimi me “Jehovah Schmmah” paraqet një misticizëm të thellë dhe një lidhje të veçantë me përjetësinë si dhe lartësimin e shpirtit.

Poezia “Përndritje e amshuar” e Anton Nikë Berishës nuk përdor strukturën tradicionale të sonetit, por vargu i fundit “Ti për vargun je ‘Jehovah Schmmah” ka vlerën e një rreshti përmbyllës të idesë së poezisë, të një vargu mbarrësonës.

Termi “varg mbarrësonës” përfaqëson zakonisht një varg që ka për qëllim të japë një përfundim apo të harmonizojë poezinë dhe që zakonisht përdoret në fund të saj. Disa forma të poezisë, si për shembull, soneti është gjë e zakonshme që të përfundojnë me një varg (rresht) shtesë që ka një funksion të veçantë. Ai mund të përshtatet me strukturën dhe temën e poezisë ose mund të ofrojë një përfundim apo mesazh përfundimtar. Në rastin konkret poezia s’ka strukturën e sonetit, por çuditërisht vargu i fundit ka natyrën dhe vlerën e vargut mbarrësonës, duke qenë një vlerë tjetër në këtë poezi.

 

IV-Në poezinë “Përndritje e amshuar” kemi një pasuri figurash artistike që janë njëkohësisht edhe pjesë organike e strukturës tekstore të poezisë. Kështu: metafora: “Ti për vargun je ‘Jehovah Schmmah” sugjeron se fjalët e Homerit janë të frymëzuara nga diçka të lartësisë shpirtërore dhe janë të frymëzuara nga hiri hyjnor; pamja “u përshkua vijimisht nga shkëlqimi i tyre –/ zbulim i fshehtësisë dhe i madhështisë së fjalës” përfaqëson mrekullinë dhe madhështinë e vargjeve të Homerit, ndërsa imazhi i zbulimit të fshehtësisë tregon se ato japin diçka të thellë dhe të verbër që mund të shihet vetëm nga ata që janë të aftë ta vlerësojnë.

Këtë ide e përforcon më tepër edhe përdorimi i simbolit: “vargu yt –rrezatim i përhershëm në fërk t’agsholit”. Rrezatimi simbolizon ndriçimin, frymëzimin dhe ndikimin që ai sjell, ndërsa “fërk t’agsholit” lidhjen e vargut me shkëlqimin e diellit, duke dëshmuar se vargjet e Homerit kanë dhe përhapen nëpër kohë si burim i prehjes dritësore dhe i shpresës.

Personifikimi: “Mendimet e tua i pushtuan mendjet kudo” u jep vetëdije dhe fuqi mendimeve të Homerit, duke i shfaqur ato si subjekte aktive që i pushtojnë mendjen e njerëzve. Ky personifikim shpreh fuqinë e mendimeve dhe ndikimin që ato mund të bëjnë në shoqërinë.

Hiperbola: “u përflak me dritën e yjeve” paraqet intensitetin dhe fuqinë e përshkimit të fjalëve të Homerit me dritën e yjeve.

Ndërlidhja e personazheve historikë: “Tiberë, kaligulë, neronë e të ngjashëm/se vargu yt shprehu të vërtetën artistike” me poezinë e Homerit shpreh faktin se vargu i tij ka arritur të shprehë të vërtetën artistike në mënyrë të jashtëzakonshme dhe të shpalosë fuqinë dhe vlerën e artit të tij në krahasim me figurat historike të fuqishme etj.

Këto figura artistike në tekstin e poezisë e shtojnë dimensionin estetik dhe emocional, u japin një ngarkesë më të thellë dhe më intensive pamjeve dhe kuptimësisë së poezisë; i bëjnë më të pasur estetikisht mesazhet dhe përligjin  ndikimin e poezisë së Homerit.

 

V-Vargjet në poezinë e mësipërme janë të shtjelluara në mënyrë të lirë, ndërsa marrin forma dhe kuptime të ndryshme. Ky mënyrë e shtjellimit i lejon poetin të shprehë lirinë e mendimit dhe të shpirtit, duke i dhënë poezisë një fluks të natyrshëm dhe tërheqës. Përmes tekstit poetik përftohen imazhe dhe shprehen ide me një ritëm dhe harmoni përkatëse.

Gjuha e poezisë është e shqipes letrare dhe autori përdor një stil të veçantë; përmes saj krijohen metafora, simbole e kuptime të shumta, që i japin ngarkesë poetike dhe thellësi. Gjuha ka një ndjenjë mistike, duke krijuar një atmosferë të mëvetësishme dhe tërheqëse të poezisë.

Përdorimi i vargjeve, i fjalëve dhe i gjuhës ndihmon në krijimin e një përvoje poetike sa të ngritur aq të thellë, që i jep poezisë një intensitet dhe një mundësi ndikimi estetik të fuqishëm te lexuesi dhe shton një dimension shtesë në përjetimin e poezisë.

Poezia “Përndritje e amshuar” e Anton Nikë Berishës është jo vetëm një arritje e autorit në krijimin e një risie të afërt me portretin poetik të një niveli të epërm artistik, por edhe një bast i fituar i poezisë shqipe në krijimin e kësaj risie, ku stili poetik i autorit spikat  me dritën e ngjyrat e tij tutje “mjegullës” poetike moderne. Poezi të tilla ngjajnë si shkëmbinjtë e brigjeve që presin e thyejnë dallgët e detit të fuqizuara nga furtunat, duke mbrojtur tokën e vlefshme të bregdeteve. Këto poezi mund të shërbejnë dhe si pika referimi e drejtimi.

 

Sarandë, korrik 2023 

Wednesday, 12 July 2023

 

MODERNITETI I NJË MELODIE PAGANE

 

 

Nga Timo Mërkuri

 

I-Është interesante poezia "Pagane" e poetit Fatmir Terziu pse përtej dukjes, ka tipare dhe karakteristika të ndryshme që e bëjnë të vështirë të klasifikohet në një kategori të vetme, këtë e themi se ajo përmban elemente të poezisë filozofike, psikologjike, mistike dhe realiste. Te kjo poezi Terziu përdor imazhin simbolik të një zëri:Një zë i bukur pagan muzike kumbon brenda teje”,  zë i cili përfaqëson një melodi që nuk mund të gjejë gjurmë në botën e jashtme, varg i cili jo vetëm që s’na befason por është i mirëkuptuar nga të gjithë shqiptarët, të cilët ndjejnë egzistencën e një bote pagane brenda vetes së tyre me  zërat  dhe melodicitetin e tyre, i pangjashëm në asnjë komb. Pikërisht ky aspekt i poezisë përfshin elementë filozofike duke reflektuar për ndarjen midis realitetit fizik dhe botës së brendshme të ndjenjave dhe fantazisë. “Zogu i bindur në kitarë” tregon për një ndjenjë të përfshirjes në këtë muzikë mistike. Nuk  e di pse por ai zë i bukur pagan muzikor që kumbon më ngjason me iso-n e këngëve tona apo me atë thirrjen “eheeeej” të këngëve majekrahit, duke ngjallur një ndjenjë mistike.

Përtej elementit filozofik, poezia përmban edhe një komponent psikologjik. Përmendja e imagjinatës së dashurisë dhe ndezja e ëndrrave tregon për një lloj lirie dhe shpëtimi emocional që poeti gjen në mendje, e cila reflekton marrëdhë-nien e ndërlikuar të poetit me veten dhe emocionet e tij.

Sidoqoftë, poezia ka dhe karakteristika realiste, aty përmenden të dhëna konkre-te, si pentagrami dhe kitara, dhe përshkruan veprimet e personazhit, si të mbledhjes së luleve Mbledh lule për t'u dhuruar memorjeve që lamë pas”. Këto elemente konkrete japin një ndjesi të realitetit dhe e bëjnë poezinë më të qashtërsueshme për lexuesin.

Pra poezia "Pagane" e Fatmir Terziut mund të konsiderohet poezi me elemente  filozofike, psikologjike, mistike dhe realiste ku poeti përshkruan ndjesitë e veta  nëpërmjet imazheve të brendshme, reflekton për dimensionin emocional dhe lidhjen me realitetin e jashtëm. Kjo poezi e Terziut shpreh një këndvështrim të paganizmit, i cili shfaqet nëpërmjet muzikës së bukur që kumbon në brendësi të personit.  Paganizmi është një shprehje e ndërlidhur me natyrën, dashurinë dhe imagjinatën  dhe poezia shfaq një ndjenjë të thellë të ëndrrës dhe të mbijetesës së dashurisë përmes fuqisë së imagjinatës.

Në këtë konteskt ne mund të shtojmë se: përdorimi i imazheve poetike të zjarrit , ëndrrës, imagjinatës dhe dashurisë tregon se poezia ka një thelb simbolik dhe metaforik. Këto elemente lidhen me përjetimet dhe ndjenjat e personazhit dhe shprehin një lloj sfide për të përballuar realitetin dhe për të gjetur kuptim dhe kënaqësi nëpërmjet botës së brendshme.

Po ashtu, përdorimi i fjalëve si "mbretërisë së zjarrtë të halleve" dhe "gjethe buzë shkallëve" tregon një ndjenjë të vështirësive dhe vuajtjeve të jetës. Këto elemente realiste përcjellin një mesazh për mënyrën sesi ai, poeti përballon sfidat dhe mundësitë e tij për të liruar veten nga kufizimet e jetës së përditshme.

Te vargu:Një zë i bukur pagan muzike kumbon brenda teje”poeti shkruan duke i dhënë një klimë të ngrohtë poezisë, si një bashkëbisedim me lexuesin, pra poeti sheh, dëgjon dhe shpreh ndjenjat dhe mendimet e lexuesit dhe leximi i poezisë është një bashkëbisedim ku poeti i “shpjegon” lexuesit si një mjek pacientit kuptimshmërinë e ndjenjave të tij.  Sigurisht që këtu poeti i flet vetes së tij dhe ne e dëgjojmë se çfarë i thotë.

 

II- Poezia është shkruar në stilin e një soneti, me dy strofa me rimë e ritëm dhe dy rreshta mbarësonës në mes. Kjo i jep poezisë një organizim të qëndisur dhe të strukturuar, duke përcjellë një ndjenjë të rregulltësisë dhe harmonisë.

Përmëndëm termin “rreshti mbarësonës”, term që përfaqson zakonisht një rresht (varg) që ka për qëllim të japë një përfundim apo të harmonizojë poezinë dhe që zakonisht përdoret në fund të poezisë.  Në disa forma të poezisë, si për shembull soneti është e zakonshme që poezia të përfundojë me një rresht shtesë që ka një funksion të veçantë.  Ky rresht mund të përshtatet me strukturën dhe temën e poezisë ose mund të ofrojë një konkluzion apo mesazh përfundimtar.

Në kontekstin e poezisë "Pagane" të Fatmir Terziut, "një rresht mbarësonës" mund të referohet dy vargëshi pas strofës së pare,  vargjet: “E kemi gatuar me shpirt këtë pentagram,/zog i bindur mbeti në kitarë” ku vargu "E kemi gatuar me shpirt këtë pentagram" përshkruan një proces krijues, ku (ne) “e kemi gatuar me shpirt” diçka (pentagramin) me përkushtim dhe shpirtërot, duke treguar se bëhet fjalë për ndjenja shpirti (gatuar me shpirt) dhe jo diçka materiale (ndërtuar) . Ky varg paraqet një fokus të veçantë në krijimin artistik dhe përkushtimin që autori ka dhënë në krijimin e tij, ndërkohë që vargu "zog i bindur mbeti në kitarë" sjell një imazh të zogut  (këngëtar) që mbetet  mbi kitarë duke kënduar. Ky varg mund të interpretohet simbolikisht si një tjetër aspekt i krijimtarisë së poetit, ku ai kthen një lirshmëri apo një shprehje të lirë (zogu) në një formë muzikore të kontrolluar dhe të limituar (kitara). Kjo tregon një tension midis lirisë së artistit dhe kufizimeve që mund të ketë në shprehjen e tij. Pra, këto dy vargje  japin një përfundim të veprimtarisë dhe mund interprethen si rreshta (vargje) mbarësonës që përcjellin një ide të plotësimi të temës së strofës së parë të poezisë, madje më tepër se rreshti i fundit i poezisë: “se ishim dhe mbetemi thjesht gjethe buzë shkallëve” e cila synon drejt rreshtit mbarësonës.

Vargjet: "E kemi gatuar me shpirt këtë pentagram,/zog i bindur mbeti në kitarë"  janë edhe vargje midisëse në dy strofa të poezisë "Pagane" pse dy strofat  kanë një distance kohore mes tyre, ndaj këto dy vargje shërbejnë edhe si një urë lidhëse mes tyre, duke përforcuar lidhjen e temave dhe ndjenjave të shprehura në to. Në strofën e parë, përmendet një zë i bukur pagan që kumbon brenda personit, ndërsa në strofën e dytë përmendet mbledhja e luleve për të dhuruar memorjeve të harruara.

Në përgjithësi, rreshti mbarësonës mund të përshkruajë një ndjesi të përfundimit, pranimi i realitetit dhe gatishmërinë për të qëndruar në këtë gjendje, ndaj themi se këtë funksion e kryen edhe rreshti: “se ishim dhe mbetemi thjesht gjethe buzë shkallëve” që përcjell mesazhin se personazhi pranon veten si një individ unik dhe ndjen nevojën për të jetuar dhe vlerësuar përvojën e tij në mënyrë autonome, larg prej pritshmërive të jashtme dhe kufizimeve të vendosura nga bota e jashtme.

Ky është një interpretim i imi i rreshtit mbarësonës në poezinë "Pagane" dhe mund të ketë shumë mënyra të tjera për të kuptuar dhe interpretuar këtë rresht, varësisht nga perceptimet dhe kuptimet individuale të lexuesit, por ajo që dua të shfaq këtu është se në poezinë shqipe, me përjashtim të sonetave, rrallë kemi hasur rreshta (vargje) mbarësonës, pavarësisht bukurisë që ata i japin poezisë, jo vetëm si strukturë poetike por si art poetik.

 

III-Poezia është ndërtuar me figura artistike që, duke qënë pjesë e kuptimit të saj, ja forcojnë strukturën poetike dhe e shndrojnë poezinë në një krijim prej arti. Kështu metafora:"Një zë i bukur pagan muzike kumbon brenda teje" përshkruan muzikën si një zë pagan që kumbon në brendësi të (botës) së poetit,  duke shprehur me një elegancë poetike përbërjen e traditave të herëshme të botkuptimit të njeriut shqiptar, që edhe tani në kohët modern, vijnë në jetën tonë si një muzikë e ëmbël, ku muzika përfaqëson emocionet dhe frymëzimin e thellë të tij. Po ashtu metafora: "zog i bindur mbeti në kitarë" - përshkruan zërin e qetë dhe të lidhur me natyrën që mbetet në muzikë.

Imazhi:"gjithçka ishte dhe është zjarri i një ëndrre ndër deje" përshkruan ëndrrën si një zjarr të nxitur nga imagjinata dhe dashuria, ku ëndrra është shfaqur si një forcë e ndezur brenda personit, ndërsa imazhi "mbledh lule për t'u dhuruar memorjeve që lamë pas" përshkruan aktin e mbledhjes së luleve si një mënyrë për të kujtuar dhe për të dhuruar respekt ndaj kujtesës së kaluarës dhe përvojave të jetës. Imazhi "Zogu i bindur në kitarë” paraqet një zog që rri i lidhur në kitarë, duke treguar për një ndjenjë të përfshirjes dhe të magjisë që rrjedh nga muzika. Ai përforcon temën e frymëzimit dhe thellësisë që përshkruhet në poezi, ndërsa imazhi "Ëndrra ndër deje" përshkruan ëndrrën si një zjarr të ndezur në mes të dejeve, duke shfaqur  një pasion të thellë dhe një ndjenjë të mahnitshme që lind nga imagjinata dhe dashuria.

Simboli "pentagramë" përfaqëson harmoninë, rregullin dhe lidhjen me botën e natyrës dhe spiritualitetin, këtu pentagrami simbolizon identitetin dhe lidhjen e thellë të autorit me natyrën dhe imagjinatën, ndërsa simboli "zjarrtë të halleve" - përfaqëson sfidat, vuajtjet dhe konfliktet e jetës.

Mund të flasim për epitetin:"zë i bukur pagan"  që cilëson zërin si bukur dhe e lidh  me paganizmin, duke i dhënë një ndjenjë mistike dhe të jashtëzakonshme, te "imagjinata dashuri" ku epiteti "dashuri" i jep ndjenjën e nxehtësisë dhe intensitetit të imagjinatës etj, por mjafton të themi se Terziu është një mjeshtër i të shprehuri artistic jo vetëm në vargje por edhe në prozë.

IV-Fjala dhe vargu në poezinë "Pagane" të poetit Terziu përbëjnë elementë thelbësore të shprehjes artistike dhe përforcojnë mesazhin dhe emocionet që autori dëshiron të komunikojë.

Fjala në poezinë "Pagane" është përdorur me kujdes dhe me qëllim për të krijuar një atmosferë të veçantë dhe për të shprehur ndjenjat dhe idejtë e autorit. Fjala është e thjeshtë dhe e përzier me fjalët me ngarkesë emocionale dhe simbolike. Për shembull, fjala "pagane" në titull të poezisë vë në dukje marrëdhënien e autorit me natyrën dhe ndjenjën e frymëzimit të papërkufizueshëm.

Vargu në poezinë "Pagane" është i strukturuar në strofa, me katër vargje. Kjo strukturë rregulltësohet me rimë të rregullta në fund të secilit varg duke I dhënë poezisë një ritëm dhe melodi të veçantë.

Vargjet e poezisë përdorin imazhe të pasura dhe figurat artistike për të shprehur ndjenjat dhe konceptet që autori dëshiron të shprehë. Kombinimi i fjalëve dhe ndërthurja e tyre me metafora, epitetet, simbolika dhe kontraste krijon një tekst të pasur dhe gjen një harmoni mes fjalëve dhe emocioneve që poezia synon të komunikojë.

Poezia "Pagane" ka një strukturë të qartë dhe përdor fjalët dhe vargun me qëllim për të përshkruar thelbin e mesazhit të saj. Përdorimi i fjalëve dhe organizimi i tyre në vargje krijon një efekt tërheqës dhe krijon një lidhje të fortë me lexuesin.

V-Kjo poezia e Terziut ka disa vlera tipike që e dallojnë atë si një veprë të rrëfyer dhe tërheqëse:  Poezia përdor njësi të fuqishme të fjalëve për të shprehur ndjenjat dhe idejtë në një mënyrë të thellë dhe emocionale. Përdorimi i metaforave, imazheve dhe simbolikave i jep poezisë një dimension të thellë dhe të pasur.

Poezia reflekton një lidhje të thellë me natyrën dhe spiritualitetin. Autori shpreh dashurinë për natyrën dhe nevojën për të kuptuar sensin e fshehur të jetës. Kjo shkakton ndjenja të frymëzimit dhe reflektimi mbi botën rreth nesh.

Kjo poezi shpreh ndjenjat e zjarrit dhe ëndrrës si forca frymëzuese dhe transfo-rmative. Fjala dhe vargu përdoren për të përshkruar zjarrin e ëndrrës që mbetet i ndezur nga imagjinata dhe dashuria.

Poezia karakterizozhet nga një strukturë e rregullt me katrosha (vargje katërshe) dhe rime të rregullta, aspekt struktural që i jep poezisë një ritëm dhe melodi të veçantë, duke e bërë atë tërheqëse për lexuesin.

Fuqia emocionale e poezisë është e dukëshme në elementët e saj: Fjala dhe vargu përdoren për të shprehur ndjenjat e frymëzimit, pasionit dhe kërkimit të kuptimeve të thella për jetën dhe botën.

Këto vlera tipike e bëjnë poezinë "Pagane" të jetë një vepër e rëndësishme  dhe tipike në letërsinë shqiptare dhe në krijimtarinë e poetit modern Fatmir Terziu, i cili synon drejt një moderniteti më të dukshëm të krijimtarisë së tij poetike, për të cilën ne e përshëndesim.

 

Sarandë, më korrik 2023

Friday, 7 July 2023

 

PORTRETI I DUÇES GDHENDUR NË SHKËMB DHE POEZIA

 

Nga Timo Mërkuri

I-Kujtimet e adoleshencës u ngjajnë farëzave të rëna në tokë e të mbuluara nga gjethet e vjeshtës, të cilat u krijojnë një ambient të ngrohtë për shpërthimin e tyre dhe nxjerrjen e filizit të pemës apo biskut të lules, i cili nxiton të hedhë shtat. Koha e këtij shpërthimi kujtimesh është e ndryshme, nga një deri në disa dhjetvjeçarë: në varësi të moshës së përjetimit të ngjarjes e cila ka nevojë për asimetrinë kohore të shpërthimit të saj .

Kështu i ka ndodhur Fatmir Terziut në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, në një ditë vere në Linoz ku u mahnit me një masiv shkëmbor, në të cilin ishte gdhendur një portret njeriu, te i cili njohu fytyrën e Duçes, fotografia e të cilit me helmetë ushtarake në kokë ishte shumë e njohur nga filmat e kohës. Djaloshi Terziu i ndiqte shumë filmat,  të cilat ishin një pasion i tij, që do të lulëzonte shumë vite më vonë, ndaj ishte i familjarizuar me dukjen e portretit të jerarkut fashist, por që ta gjente të gdhendur diku në Linoz në një masiv shkëmbor ,  këtë nuk e kishte menduar. Ishte koha kur ai si shumë moshatarë të tij synonin të ndihmonin familjet, qoftë dhe duke siguruar disa të ardhura sa për të mbuluar shpenzimet e shkollës, ndaj punonte në periudhën e verës. Fakti që i ati i tij ishte drejtor në Ndërmarrjen Rruga Ura të Elbasanit i jipte “privilegjin” e gjetjes së punës shpejt, por ata që e dinë se çdo të thotë të punoje në Ndërmarjen e Rrugëve në ato vite do ti shprehnin keqardhjen djaloshit për zgjedhjen, në vend që ta kishin “zili”. „Isha djalosh i ri dhe hallet më sillnin Rruga Urës /të bëja ndonjë para për librat, leksionet, /e muajt e verës më gjenin në krye të punës“. Gjithsesi më shumë se fitimin financiar djaloshi do mësonte se të mirat materiale të jetës sigurohen me punë dhe jo në rrugë të tjera, arsye dhe mësim që ndikoi në karakterin e tij, i cili dhe në Londër u bë një “puntor i palodhur” i artit dhe letërsisë.

Ishte koha që hapej rruga Brosh Bardhet, Linoz dhe Shëngjergj i Martaneshit,  kur në një moment në Linoz u “përball” me Duçen. Ishte një Duçe i gurtë, me një pamje impozante me kokën e ngritur paksa, sikur shikonte diku në largësi, pozë tepër e njohur nga fotografimet dhe filmimet, por që këtu në Linoz dikush i kishte thyer hundën, madje i kishte lënë dhe një blagë grushti në mjekër e në buzë, ndaj me atë kokën pakëz të ngritur ai dukej si një boksier në momentin që po binte nokaut nga një goditje e fuqishme. Dukej jo vetëm i mundur, por edhe i braktisur aty në ringun natyror të Linozit, humbje dhe braktisje që e bënte më të theksuar e kaluara e tij si një autokrat i zhurmshëm dhe ca më tepër e theksonte këtë ndjesi peisazhi piktoresk ku ndodhej.

Pyetjes se si u krijua kjo skulpturë e kreut fashist italian në këtë vend, ne do ti shpjegojmë se në vitet e pushtimit aty pranë ishin gazermat ushtarake italiane dhe një ushtar, me gjasë skulptor i mobilizuar ndërmori nismën e gdhëndies në shkëmb të portretit të Duçes, si pasion të vetin apo për të përfituar ndonjë lehtësim në shërbimin ushtarak. Historia na dëshmon se ky ushtar skulptor shpëtoi në luftë, madje pas kapitullimit të ushtrisë italiane jetoi në disa familje shqiptare deri në çlirimin e vendit, kur më pas u largua.

Për ne ka rëndësi  se këtë imazh djaloshi Terziu e mbarti në kujtesën e tij dhe e solli sot mes nesh  në formën e një poezie duke na e dhuruar si një trëndafil të çelur, që na dëshmon se fara e trëndafiltë e frymëzimit ka qëndruar në gjumë përmbi 40 vjet. Te poetët çdo kujtim shndrohet në krijim, pavarësisht nga koha.

 II-Duçes sigurisht do ti ketë pëlqyer lajmi i gdhëndjes së portretit të tij në një shkrep shkëmbor  në Linoz, pse diktatorët kërkojnë gjithnjë që të përjetësohen me të gjitha format. Nuk janë të pakta rastet kur diktatorët në përjetësim të pushtimit ushtarak të një vendi, të ngrejnë në këmbë  pushtuesit e detyruar (ushtarët e urdhëruar) të përdorin artin  për të përjetësuar dhe zbukuruar portretin dhe veprën e tyre në vendin e pushtuar. Janë shkruar libra, janë bërë portrete, janë përjetësuar në monumente e plot gjëra të tjera. Kështu ngjashëm është dhe rasti që citon poeti dhe studiuesi Fatmir Terziu në poezinë e tij të fundit "Portreti i Duçes në shkëmbin e Linozit", ku: „Ai ishte i gdhendur në një shkëmb,/ishte bërë art nga ushtarët e tij“,

Qysh në krye të poezisë vargjet të krijojnë  idenë e një zbrazëtie që udhëton nëpër të ftohtën e gurit, bashkohet me zërat dhe gojët e të vdekurve, tashmë të heshtur. Edhe pse diktatorët pushtues nuk shohin, ka një  zi të  pafundme. Në transfertat gurore, dhuna ndërton atë art të momentit, të mbivlerësimit të diktatorit pushtues, duke bërë që një shkrep i gurtë i shkëmbit të tërbuar nga gdhendja e ushtarit, të mbushet me heshtje dhe baltë. Nga kjo heshtje del një hakmarrje, e cila shtrihet në dy kohë: njëra është në kohën e realizimit të artit me këtë gdhendje në gurë, dhe tjetra në kohën kur një diktator tjetër, në rolin e fituesit të luftës, kërkon të çgdhend atë art pushtuesi. Hakmarrja në të dy rastet ka dhimbje, ka shpërqëndrim, por më kryesorja është se mbart mesazhe të ndryshme.

Dhjetë rreshtat e parë të poezisë fokusohen në vendosjen dhe vënien përballë dy mjedise shumë të ndara, ku njëra është skena e moshës në kuintat e saj, ku janë shpërndarë lidhjet, arsyet, substanca e ngurtë, arti që ka mbetur, për aq sa mund të quhet art dhe e dyta është komoditeti i mbyllur i një rrethi vicioz ku madhështohen dhe humbasin në asgjë diktatorët. Këtu, në gjysmën e dytë të punës, këto dy cilësime konvergojnë dhe  kjo ilustrohet përmes një krahasimi. Terziu i bashkon skenat së bashku me imazhet e zërit që perceptohet, duke e portretizuar tingullin si një forcë lëvizëse, pothuajse të mishëruar. E ndezura heshtazi e qiririt: „ me të ndiznin heshtazi qiri ndonjë natë“ është një formë komode e diktatorëve që takohet me fatet e të vdekurve, me përjashtim të faktit se toni dhe funksioni i tyre është heshtur.  Kjo heshtje na kujton se ata janë në botën tjetër, por ka gjithashtu një domethënie më metaforike, duke u kujtuar lexuesve mënyrën se si fashizmi dhe diktatura mund të heshtin mospajtimin dhe shprehjen, sidomos kur ata që heshtin janë ende gjallë.

Pas kësaj pike, poezia bëhet edhe më e ndërlikuar nga ana metaforike, duke u kthyer në alegorike dhe spektakolare misterioze në rreshtat e saj në vazhdim. Së pari, Terziu e krahason pikëllimin e njerëzve që jetojnë nën diktaturë me fatin e  një qiriri të ndezur. Tretja e qiririt është një faktor tjetër që vjen, ose ndoshta vetë pikëllimi i ushtarëve fashistë, mqse sintaksa e poemës e lë këtë pikë paksa të fiksuar tek dashuria „për të dashurat që i kishin lënë në shtëpi,/për nënat e baballarët e tyre detit matanë“ dhe kjo nxit rritjen e urrejtjeve të reja. Këto, nga ana tjetër, krijojnë edhe më shumë errësirë dhe ngatërrim në ambientin ku gdhendja e gurit tashmë është më shumë se një mit, një faktor që ka heshtur nga kundërpërgjigjja tjetër.

Ky përshkrim ngjall një peizazh natyror të harlisur, intrigues pranë vendit të vuajtjes njerëzore, aty ku në një vend mjaft piktoresk si Brosh Bardheti apo Linozi, të qëndrojnë ende: në kazermën e rrethuar, gërmadhë të shkatërruar“ e një të shkuare të dhimbshme shqiptare. Në mënyrë metaforike, Terziu vë në dukje se qasja alegorike e fytyrës të lënë në errësirën e prishjes mund të jetë ciklike në kohë diktature ose vetëpërjetësuese, si guri që gurëson vetveten. Errësira dhe verbëria e përshkruar këtu mund të jenë referenca ndaj frikës gjithnjë të pranishme të krijuar nga diktatura, e cila mund të krijojë një autocensurë  aq efektive sa çdo e detyruar nga jashtë: „nuk e di pse revoltohesha egërsisht me të padukshmen/një ushtri e panjohur, me kuaj/ e lodhur, e dërmuar/e braktisur me muaj/në kazermën e rrethuar, gërmadhë të shkatërruar /ndjeja atë ushtri të sprapsur“.

Aty ka dhe gjetje të tjera, shihen kuaj, kazerma, imagjinohen ushtri, që vijnë nga leximi: m'u duk sikur ngreja brenda meje një ushtri,/nuk e di pse revoltohesha egërsisht me të padukshmen/një ushtri e panjohur, me kuaj“, nga përhumbja tek libri, i cili ka një funksion tjetër, është një pjesë simbolike komplekse, e shumë-anshme,  misterioze.  Ndërkohë që poezia e Terziut na tregon për natyrën e saj simbolike, nuk është e lehtë të përcaktohet se çfarë përfaqëson ai: një libër historie apo një libër që në kohën e diktarit e zhvetëson vetë historinë:“ në fakt se isha duke lexuar kisha harruar /dhe librin e kisha lënë gjysmë të hapur“. Në fakt, konfuzioni që lexuesit mund të ndiejnë në lidhje me librin pasqyron konfuzionin dhe mungesën e qartësisë së lidhur me vetë përdorimin e kësaj forme arti të pushtuesit në një vend të pushtuar. Thua synon  e beson vërtet në përjetësimin e pushtetit të tyre apo pushtimin e përjetshëm të këtij vendi?

Ashtu si të gjithë elementët simbolikë të lartpërmendur, libri ka disa role metaforike njëherësh. Krahasohet me  dhimbjen, lotin, vajtimin,  por përshkri-mi i librit vazhdon më pas, duke u ngarkuar me imazhe dhe simbolikë. Terziu përshkruan librin që lexon si vetë kohën, apo kohërat që ngjeshen aty, i cili nga ana tjetër bën që të prodhohen më shumë kuptime. Këto kuptime rriten në errësirë dhe rriten "verbërisht", pa vetëdije dhe pa qëllim të përacaktuar, mjafton që të gjejnë faktorin e aftë për ilustrim. Është interesante që Terziu përdor të gjithë këtë nëntekst për të prezantuar leximin e historisë, duke nënkuptuar se ajo tashmë është e njohur ose e pranishme, edhe nga ky fakt, ku portreti i gdhendur në gur është i destinuar të zvetënohet. Duke pasur parasysh lidhjet e tij me errësirën dhe pakuptimësinë, është e arsyeshme të konkludohet se ajo simbolizon natyrën njerëzore gjithnjë të pranishme, shtypëse të diktaturës dhe mënyrën se si ajo vulos kuptimin dhe diskursin në subjektet e saj, mes marrëdhënies midis shprehjes dhe shtypjes.

Marrëdhënia midis shprehjes artistike dhe shtypjes së qeverisë shkon prapa shumë më gjatë se shekulli i njëzetë: monarkitë absolute të Evropës së Hershme Moderne luftuan, me njëfarë suksesi, për të kontrolluar fjalimin politik në teatrin e vetë jetës që dirigjojnë ato, madje dhe në teatër ku pritej art. A nuk janë në të dy rastet duart e diktatorëve që drejtojnë këtë art-kaos? Në rastin e gdhendjes në gur të Duçes, është ushtari pushtues italian, dhe në rastin e zhbërjes së tij, është ushtari i xhenjos, i reparteve të Enver Hoxhës, të vendosura në Bizë të Martaneshit.

Edhe Shekspiri shpesh merrte masa krijuese për të diskutuar çështjet e kohës së tij pa tërhequr zemërimin e monarkisë. Ai përshkruante monarkë absolutë të paqëndrueshëm e të rrezikshëm përmes thjerrëzave të trillimeve historike, ose duke vendosur shfaqjet e tij në vende të largëta. Megjithatë, ai u përball me një urdhër të prerë, pra që e detyronte atë, dhe kjo është më shumë se sa një fakt, në faktorin e diktarëve në kohë, hapësirë dhe vend. Aty vepron memorja, pra të gjitha këto vijnë nga një memorje e shëndoshë, nga njohuria dhe nga koha kur autori i kësaj poezie ka mbajtur gjallë bredna vetes të gjithë rekursin e një forme që ritregon, dhe na rizgjon edhe në këtë kohë.

Për sa më sipër mund të themi se në strukturën poetike ne lexojmë më shumë se sa kujtimet e adoloshencës terziane për një vepër arti gdhendur në gur edhe kulturën e të shkruarit të njohur në adoloshencën e tij të këtij elbasanlliu të ri pse dihet që Elbasani qysh në ato vite rezatonte një kulturë e qytetari europiane të të shkruarit artisik, kulturë të cilën Terziu e përsosi dhe e shndroi në stil modern të artit të tij. Kjo  duket dhe te kjo poezia, vargjet ngjasojnë me pemë të  dëndura të një pylli të hershëm, sa që të krijohet përshtypja e një pamundësie  kalimi nëpër atë, por mjafton nisja e udhëtimit dhe shtegu i kalimit çuditërisht të duket jo vetëm i qartë por edhe shumë panoramik, sa që të imponon ndalesa soditjeje.

III-Në perceptimin artistik sheh se poezia fillon me një atmosferë misteri dhe kureshtjeje adoloshenti: “Eh, ishte mosha kur kureshtja shkonte përtej natyrës,/me substancën e gjetjes së artë dhe të gurtë”,  kohë kur autori ndihet tërhequr nga substanca e artit dhe substanca e gjetjes së artit të gurtë. Portreti i Duçes: “… ishte i gdhendur në një shkëmb,/ishte bërë art nga ushtarët e tij” duke na shfaqur poetikisht idenë se diktatorët e të gjithë kohërave nxitonin të ngrinin  sa më shumë statuja vetes së tyre, përkundër njerëzve të dijes dhe të shkencës, të cilët vetëm për përjetësimin e tyre në mermer e në bronx  nuk kanë menduar, madje kanë ironizuar çdo propozim të bërë nga bashkëkohësit për bronximin e tyre qysh në gjallje.

Koha e mëpasme i ka rrëzuar të gjitha statujat e diktatorëve kudo në botë, ndërsa ka përjetësuar ata që asnjëherë nuk kanë menduar për lartësim, pse ata kanë qënë më të mëdhenj se statujat, madje edhe se vetë koha kur jetuan e krijuan., ndaj dhe djaloshi: “pyes ende, a mund të kthehen gurët e shkelur nga diktatorët në art,/vetëm memorja më përgjigjet prerazi vëngër:/Jo! Aspak”, duke  shprehur përfundimin llogjik, jo të kureshtjes së djaloshit të djeshëm, sot një intelektual dhe poet i njohur, por të së vërtetës se diktatorët më së pari janë armiqtë e artit, të dijeve dhe progresit. Thyerja e shtatores së një diktatori pushtues në kohën e një diktatori vendas (me urdhër apo porosi të tij) është ironia që koha u rezervon atyre, pse ne jemi dëshmitarë të kohës që tërhoqi zvarrë statujën e diktatorit vendas.

Terziu përjeton ndjenja të furrishme para shtatores së gurtë ku revolta është ndjenja e parë: “U afrova tek shkëmbi t'ia shihja nga afër fytyrën /të dalloja … Duçen/m'u duk sikur ngreja brenda meje një ushtri/nuk e di pse revoltohesha egërsisht me të padukshmen/një ushtri e panjohur, me kuaj/e braktisur me muaj/në kazermën e rrethuar, gërmadhë të shkatërruar/ndjeja atë ushtri të sprapsur”, madje duhet të themi se gjithë struktura e poezisë është ndërtuar me ndjenjat e këtij djaloshi. “Isha djalosh i ri …//ishte mosha ime, ishin refleksionet,/profili i panjohur që sfidoi motin e egër/të harruar edhe nga Lart,/nuk është thjesht për të thënë ishte kohë tjetër” shkruan poeti  duke shprehur se edhe sot tensionet nuk e lënë të qetë mendjen e tij dhe ai shikon kohën, lexon kohërat.

Është interesantë ajo pjesë e poezisë ku autori përshkruan ndjenjën e revoltës: “E në tërë atë përhumbje ndjeja flakë,/kur Kroi i Kuq, Biza e rrethinat e saj,/kishin ngrirë ishin plak,/e Uji i Burimit pastaj,/me një forcë të madhe tështinte gjak,/në barin jeshil të mbushur me gjëmbaçë”, pse ai sheh  të vërtetën historike në portretin e Duçes të shprehur me vargjet: „e Uji i Burimit pastaj/me një forcë të madhe tështinte gjak“.

IV-Poezia "Portreti i Duçes në shkëmbin e Linozit"  është e pasur me figura artistike për të forcuar mesazhin dhe për të krijuar imazhe të fuqishme, ku disa nga figurat artistike të përdorura në vargje janë:

Në poezinë përdoren metafora për të përshkruar imazhet dhe ndjenjat, psh. "Ai ishte i gdhendur në një shkëmb" është një metaforë që e përshkruan portretin e Duçes si të ngulitur në një shkëmb, duke dhënë një ndjenjë të përhershme dhe të pandryshueshme të figuras së portretit, çka ishte dhe synimi i  skulptorit, pa-varësisht se koha rrodhi ndryshe.

U afrova tek shkëmbi t'ia shihja nga afër fytyrën/të dalloja .., Duçen" shkruan poeti duke përdor metaforën e fytyrës së Duçes për të përshkruar portretin e tij, pasi fytyra simbolizon identitetin dhe personalitetin e Duçes.

Te vargu "shikoj kohën, lexoj kohërat pas të shtunës" përdor metaforën e "leximit të kohës" për të treguar se si poeti po reflekton mbi kalimin e kohës dhe përvojat që ajo sjell

Te vargu "në kazermën e rrethuar, gërmadhë të shkatërruar"kazerma e rrethuar dhe e shkatërruar përdoret si metaforë për të përshkruar situatën e trazuar dhe të dëshpëruar të ushtarëve të panjohur, të mbetur mënjanë dhe të braktisur, ndërsa metafora "retë që mbështilleshin në Tiranë"përshkruan praninë e vështirë të trishtësisë dhe tundimit që poeti ndjen në Tiranë.

Këto metafora shtojnë imazhin dhe emocionin në poezinë e Fatmir Terziut dhe i japin asaj një dimension më të hollësishëm dhe të thellë, duke shërbyer njëkohësisht për krijimin e një stili të pasur e tërheqës për lexuesin, duke e bërë poezinë më përfshirëse dhe të kuptueshme.

Ne mund të renditim këtu dhe figura të tjera letrare si psh hiperbola te vargjet "nuk e di pse revoltohesha egërsisht me të padukshmen"  që e përforcon ndjesinë e të qenurit të revoltuar dhe të përplasur me situatën, simbolizmi psh “Uji i Burimit" që simbolizon forcën dhe vitalitetin, ndërsa "Mali me Gropa" përfaqëson pengesat dhe sfidat,  simbole që ndihmojnë në thellimin e kuptimit dhe në krijimin e një atmosfere misterioze dhe të ngarkuar emocionalisht.

Përdorimi i zërit "sh" në vargjet "shërronin me lutje qindra plagë" dhe "shkulja retë që mbështilleshin në Tiranë" është një shembull i aliteracionit,  përdorim i ripërsëritjes së tingullit që krijon një efekt të rrëmujshëm dhe thellon ndjesinë e dëshirës së poetit për të ndryshuar situatën.

Interesant është përdorimi i konstrastit visual në përshkrimet e poetit, si "barin jeshil të mbushur me gjëmbaçë" dhe "mantel i lëmuar në malet përkarshi", imazhe të kundërta  që e bëjnë poezinë të rrëfyer, të imazhueshme dhe të pasur vizualisht.

V-Fjala, gjuha dhe vargu i poetit në poezinë "Portreti i Duçes në shkëmbin e Linozit" janë të veçanta dhe të fuqishme. Autori përdor një gjuhë poetike dhe imazhore për të shprehur ndjenjat dhe vizionin e tij në mënyrë të ngazëllyer.

Fjala që përdoret në poezi është e pasur dhe e veçantë, poeti zgjedh fjalë me kujdes për të shprehur ndjesitë dhe idetë e tij në mënyrë pikante dhe të thellë, ashtu siç janë të përziera me ndjenjën e trishtimit, revoltës dhe melankolisë, duke krijuar një atmosferë të ngarkuar emocionalisht që e përforcojnë temën dhe imazhet e poezisë.

Gjuha që përdoret në poezinë e përmendur është poetike dhe e pasur me imazhe, pse poeti përdor imazhe të fuqishme dhe simbole për të përshkruar emocionet dhe situatat. Gjuha e tij është e imazhueshme dhe krijon një përvojë vizuale dhe emocionale për lexuesin, ku përdorimi i figurave artistike dhe simboleve ndihmon në thellimin e kuptimit dhe në krijimin e një atmosfere të veçantë.

Vargu i poezisë është i strukturuar dhe i rregulluar me kujdes, ato kanë një rrjedhë të lirë, pa sforcime, duke krijuar një melodi poetike. Autori përdor ritmin dhe rimën në vargje për të krijuar harmoni dhe rregullsi në poezi, ku zgjedhja e fjalëve krijon një intensitet emocional dhe thellësi në vargje.

Kam përshtypjen se kjo poezi është shkruar me “një frymë” shpërthyese ashtu si shpërthen uji nga honestra e tejmbushur në një burimin e ri veçse ky „ujë“ i freskët ka një stili modern poetik në një shtrat filozofik, çka e bën poezinë të misterëshme në shumë vargje, por edhe plot ngjyrime. Për sa thamë në krye, kujtesa djaloshare e Fatmir Terziut e mbajti në brendësi të saj imazhin e këtij portreti të gurtë në Linoz, imazh  që brenda kujtesës shtoi e shumoi veten gjer në shpërthimin e kësaj poezie që lexohet dhe përjetohet së tepërmi pas leximit.

 

Sarandë, më korrik 2023

Monday, 3 July 2023

 

SHTATË MALE, SHTATË FUSHA NË NJË POEZI

 

 Nga Timo Mërkuri

Që Odise Kote të befason me poezitë e tij, kjo tashmë nuk është një gjë e re dhe e papritur për lexuesin, por shpesh kjo befasi të krijon një ndjenjë hutimi për sa ka shkruar dhe stilin me të cilin e ka shkruar, hutim që të shtyn në një rilexim të përqëndruar dhe më pas në meditim mbi poezinë. Poezia e tij të duket se flet apo vjen  si nga bodrumet e një kështjelle të vjetër e të mbyllur për shekuj, ajo vjen e stërpikur nga mitet e baladat, historia, filozofia etj. gjë që të imponon njohjen e tyre, kushtëzim që është tepër i dukshëm te poezia: “Shtatë male, shtatë fusha”.

Kjo duke te poezia "Shtatë male, shtatë fusha" e Odise Kotes, e cila ka një shtrat balade dhe përshkruan një peizazh të veçantë tek i cili ndërlidhen jo vetëm historia, filozofia, por dhe antropologjia e besimi , ku këndvështrimi i tij është  përqëndruar te marrëdhënia e popullit tonë me besimin në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, si pjesë e linjë estetike: histori, filozofi, antropologji, duke marrë shkas nga një kështjellë e vogël pranë Papatit.

1-“Në Kështjellën e vogël Loreto /mbi përrenjtë e thepisur të Papatit” e nis Odise Kote poezinë e tij dhe ne detyrimisht kujtojmë se:  Loreto, në Itali është një kështjellë nê rajonin e Markeve, vendosur “mbi përrenjtë e thepisur të Papatit” . Në anë të përroit janë shtypshkronjat e vjetra ku janë shtypur shkrimet e shenjta të Vatikanit në shek.  IV-V.  Sot në Loreto dhe për shkak të tyre është  një vend turistik  ku shkojnë vizitorë nga e gjithë bota: “Mijëra vizitorë nga bota magjepsen, hutohen/ blejnë syvenire, mbështillen me mistikë  të cilët ndjejnë një lidhje të veçantë me këtë vend të shenjtë. Duke qënë se Loreto është vend, historia e të cilit ka lidhje me historinë e gjithë vendeve të krishtera të rruzullit, madje dhe me mardhëniet me vendet e besimeve të tjera, çdo vizitor vihet para pasqyrën së ndërgjegjes historike, e cila në poezi është prizmi ku thyhen e përthyhen idetë.

Nëpërmjet krahasimit: "Inkuzicioni dhe vdekja ende fryjnë si erë e marrë" poeti duke vënë në dukje inkuziocionin si institucion historik dhe vdekjen si pasojë e veprimeve të tij që fryjnë si një “erë e marrë”, na paraqet ndjesinë e një lufte të brendëshme për jetën e njeriut dikur dhe të vizitorëve sot.

"Për të shpallur ndjesinë e betejës me vetveten" shkruan poeti për ndjesinë e betejës së brendshme që çdo individ përjeton me vetveten, betejë që simbolizon konfliktin shpirtëror,  që bëhet tek çdo turist që vizitojnë Loreton. Në kët betejë:"Ku humbja dhe fitorja fqinjërojnë, sublimohen", shfaqet paradoksi i luftës me vetveten, ku humbja dhe fitorja janë fqinjë dhe ndërveprojnë me njëra-tjetrën. Ato nuk janë krejt të kundërta si dy ushtri në front, ato janë të lidhura ngushtë dhe shkëlqejnë së bashku, duke krijuar një ndjesi të lartë dhe të sublimuar.

Nëpërmjet vargut “Dhimbja bëhet tjetërfarë, e jotja dhe e tjetërkujt”, ku përdorimi i fjalës "tjetërfarë" sugjeron se dhimbja ndryshon formë dhe karakter  dhe se ajo mund të ndikojë te secili në mënyrë të ndryshme, shprehja  "e jotja dhe e tjetërkujt" tregon që secili përjeton joveç dhimbjen e vet, por edhe të tjetrit, duke nënkuptuar shumë faktorë që na bashkojnë në këtë jetë, ku shpesh edhe vetë dhimbjen  bëhet bashkuese.

"Dhimbje që përbuz të përzishmen, të voglën" shkruan poeti duke përshkruar një lloj dhimbjeje që përbuz dhe nuk i jep rëndësi aspektit të vogël ose të përzishshëm, ku fjalët "të përbuz" dhe "të vogël" tregojnë pakënaqësinë dhe mospërfilljen ndaj kësaj dhimbjeje, kohës së humbur, duke sugjeruar një dëshirë për t'u distancuar nga ajo.

Ndërkohë vargjet "Përpëlitet në shqyrtim, vetëflijohet, kërkon të harrohet" përshkrua-jnë reagimet dhe përpjekjet për të trajtuar dhimbjen e brendëshme. Fjala "përpëlitet" tregon për një lëvizje të frenueshme dhe të paqëndrueshme, ndërsa fjalët "vetëflijohet" dhe "kërkon të harrohet" tregojnë për përpjekje për të larguar dhe haruar dhimbjen, duke shprehur dëshirën për të tejkaluar dhimbjen, për të arritur në një gjendje të re, ku ajo nuk ka më ndikim.

Të kuptohemi, unë nuk marr përsipër të shpjegoj tekstin e poezisë së Odise Kotes dhe ca më pak ta përshkruaj atë, por për të kuptuar strukturën poetike unë duhet të hyj brenda saj dhe të flas për elementët strukturorë të poezisë si për themelet, kollonat dhe muret e një godine. Unë tregoj si e shoh krijimin nga një prej ngjyrave të dritës së vargjeve të përthyer mbi prizmin poetik dhe ajo që ka rëndësi është fakti se ju tregoj si e shoh nga brenda poezisë. Shumësia e këndvë-shtrimeve dhe interpretimeve është bukuri e ylberit poetik dhe jo meritë individuale.

II-Në dy strofat e para ne vrasim mëndjen se ku do dalë poeti duke ecur nëpër botën e filozofimeve dhe mistikës që mbërthen vizitorët në Loreto, kur befas strofa e tretë na shpalos vendin tonë me ca vargje  që i ndjejmë qysh te fjala “matanë” e përmendur aq shpesh nga arbëreshët plot dhimbje e mall: “Matanë kështjellës Loreto, matanë detit, /është Atdheu im, plot diell, i qeshur” shkruan ai dhe ne na qeshin sytë nga drita e vargjeve, por befas na vijnë si goditje pas koke vargjet: “grotesk, çudan, tinzar, i ngrysur/ me njolla të mbetura stepash ruse/orizore kineze, gjëmbaçë Anadolli”. Vetëm pas këtyre vargjeve kujtojmë se ne shqiptarët nuk e njohim Loreton dhe atë që ajo përfaqson, madje për vetë zhvillimin historik ne e kemi “humbur” Loreton dhe nuk e kemi kuptuar se kemi humbur shekuj qytetërim.

 

Jam shprehur se: “Krishterimi ishte ndërtuesi i Evropës, pasi në shembu-llin e kishave e katedraleve, në shembullin e ndërtimit të Vatikanit, u ndërtuan pallate dhe struktura shtetërore, u ndërtuan kryeqytete evropiane. Krishtërimi ishte dhe ndërtuesi i Evropës së bashkuar (në krishterim) me synimin për t’u shtrirë në një botë (të krishterë) të bashkuar, dhe kjo ishte e dukshme te fakti që çdo mbret, për tu fronëzuar e kishte si domosdoshmëri kurorëzimin nga Vatikani. Ishte e detyrueshme që dhe krushqitë mbretërore t’i miratonte Papa, si dhe aleancat apo luftërat duhej të kishin lejen e tij[1]”.  Patër Anton Harapi ka shkruar se “Te njeriu vetë, kristianizmi ndërtoi idetë, lartësoi ndjenjat dhe sistemoi tërë jetën vetjake. E bëri të mirë shpirtin e njeriut dhe kërkoi prej tij pastërtinë edhe të mendimit e të dëshirës[2]”, aq më tepër që “Edhe atdhetarizmi është një ndër idealet e krishterimit[3]”, i cili vlerësohej si një virtyt i shenjtë[4].

Kjo është arsyeja që na tërheq vëmëndjen dhe interesimin kjo poezi, raporti i vendit tonë përballë Loretos, në konteksin e besimit, zhvillimit dhe europiani-zimit. Krishtërimi ishte spiranca që e mbajti Shqipërinë në Europë në ato pesëqint vjet robërie osmane. Vendi ynë është vend i prelatëve, shenjtorëve dhe martirëve të krishtërimit, madje dhe në kohën moderne i dhamë krishtërimit shënjtoren më tipike. Në lidhje me kontributin e krishtërimit në vendin tonë është e drejtë të themi se asnjë fe, besim apo rrymë besimi nuk ka bërë aq shumë për kombin tonë sa krishtërimi, asnjë feje, besimi apo rrymë besimi nuk i kemi dhënë ne si komb kaq shumë martirë e shenjtorë, madje dhe Heroi ynë Kombëtar është shpallur zyrtarisht nga Papati si "Atlet i Krishtërimit", titulli më i lartë i mundshëm për gjithë kohërat.

Konvertimi nga një pjesë e popullsisë nën dhunën dhe diktatin osman ishte një tërmet lemeritës në ndërgjegjen e kombit, ndërsa heqja e “spirancës”së krishtërimit në monizëm e nxori anijen shqiptare në mes të detit me furtunë, duke vetë-eksperimentuar ateizmin, si dikush që eksperimenton se: a e mban dega e pemës peshën e trupit të tij, nëpërmjet litarit të lidhur në qafë?

Shqipëria gjithmonë ka patur nevojë për krishterimin ashtu si një pemë ka nevojë

për rrënjët dhe dheun. Tashmë që e kërkojmë Loreton jemi një përzierje kulturash, besimesh, paganizmi dhe teorish ateiste: “Kalit të hazdisur të vetëdijës /i duhet të kalërojë pa ndalim/ Në shtatë male e shtatë fusha”, aty “ku vigjëlojnë rojet e moskuptimit, /për të mbërritur”. Është larg Loreto nga ne? (jo në distancë kilometrike) madje më drejt është të thuhet se ne jemi shumë larg nga Loreto dhe na duhet shumë kohë të arrijmë aty. Në qoftë se vizitorët nga e gjithë bota shkojnë në Loreto të përjetojnë magjinë dhe mistikën e saj shpirtërisht, ne na duhet që së pari ta kuptojmë dhe besojmë si një shpëtim. Imazhi metaforik "Kalit të hazdisur të vetëdijës, i duhet të kalërojë pa ndalim": përshkruan vetëdijen tone, kal të hazdisur që shpesh provokon dëshirën për të eksploruar, për të kërkuar kuptimin dhe për të përparuar. Fjala "hazdisur" tregon për një dëshirë të shfrenuar, të papërmbajtur, ndërsa fjala "kalërojë" shfaq një lëvizje të vazhdueshme dhe pa ndalim drejt një qëllimi të paqartë.

Nëpërmjet vargjeve "Në shtatë male e shtatë fusha ku vigjëlojnë rojet e moskuptimit, për të mbërritur" poeti na shfaq vendin ku dëshirojmë të mbrijmë, një vend i vështirë për t'u kuptuar dhe për të arritur. Fjalët "shtatë male e shtatë fusha" tregojnë për një vend të gjerë dhe të ndërlikuar, që rëndom është trevë baladash ndërsa "rojet e moskuptimit" tregojnë për pengesat dhe sfidat që duhet të përballim brenda vetes dhe që më së pari janë pasojë dhe copëza: “njolla të mbetura stepash ruse, /orizore kineze, gjëmbaçë Anadolli”, pse është vështirë të hysh në Europë duke mbartur azinë me vete, është vështirë të hysh në të ardhmen kur je “lidhur” në të shkuarën.

III-Poezia "Shtatë male, shtatë fusha" e Odise Kotës ka një stil të thellë, i cili ndihmon në krijimin e një atmosfere emocionale dhe në përhapjen e kësaj te lexuesi. Tipare që japin këtë ndjesi janë:

Tonaliteti i thellë i poezisë shprehet me fjalët dhe frazat që kanë një tingull të rëndë, duke krijuar një ndjesi dhe intensitet emocional, ku përdorimi i fjalëve si "inkuzicioni", "vdekja", "dhimbja", "humbja" e "grotesk" theksojnë ndjesinë e peshës emocionale që përshkruhet në poezi.

Poezia përdor figura dhe simbolike për të paraqitur emocionet dhe ide për të cilat duhet të mendohesh për ta përjetuar. Përdorimi i antitezave, hipotezave, imazheve të fortë dhe dramatike , siç është përdorimi i fjalëve "tjetërfarë" dhe "tinzar", krijon një imazh të ngarkuar emocionalisht.

Krijimi i një atmosferë mistike i shërben idesë së poezisë, ku: përdorimi i fjalëve dhe imazheve që lidhen me mistikën, si "mbështillen me mistikë" dhe "grotesk", krijon mistiçizmin që shton në tonalitetin e poezisë duke e bërë atë të duket sa mistike aq dhe e pazakontë.

Te vargu: "Ngjan çdo gjë është bulb e palcë" poeti përdor një krahasim për të përshkruar natyrën e gjërave, ku fjala "bulb" nënkupton diçka të thjeshtë, të pazhvilluar ende, syth i fshehur gati në shpërthim, ndërsa "palcë" tregon diçka të brendëshme, jetëdhënëse duke treguar se përtej dukjes së jashtme të gjërave, diku ka diçka të fshehur dhe të pazakontë, që është e vlefshme dhe e rëndësishme.

Epiteti "Asht antropologjik" përshkruan natyrën e gjërave si "antropologjik", fjalë që sugjeron mendimin se gjërat janë të lidhura me studimin dhe kuptimin e njeriut, me historinë dhe trashëgiminë njerëzore, duke paraqitur një dimension më të gjerë e më të rëndësishëm të gjërave që  kuptohen dhe  shpjegohen në kontekstin njerëzor.

Ideja e shprehur në vargun "Ndonëse shekujt s’ikën kurrë paqësisht" është për kohën dhe përjetësinë, ku fjala "shekujt" është matësi kohor, ndërsa pohimi se ata "s'ikën kurrë paqësisht" dëshmon mënyrën se si ka ecur koha shqiptare në botë.

Vargjet e analizuar shprehin një ndjenjë mospranimi, ku përdorimi i fjalëve si "tjetërfarë" dhe "përbuz", dhe përdorimi i veprimeve të shprehura, si "vetëflijohet" dhe "kërkon të harrohet", krijojnë një atmosferë emocionale të tendosur. Poeti përshkruan dhe na jep pëmasën individuale dhe universale të dhimbjes, duke lënë hapësirë për lexuesin të reflektojë mbi kuptimin dhe përballjen me dhimbjen në jetën e tyre.

Përmes kësaj poezie, Odise Kote reflekton duke na e bërë të qartë se poezitë duhet të kenë shikim të thellë, tejçpues në fenomenent e sotëm, të djeshëm dhe të ardhshëm dhe kombinimi i historisë, filozofisë, antropologjisë me besimet në krijim, nuk janë vetëm një mjet për të shprehur emocione, por kanë rol të rëndësishëm në të shprehurit e mendimeve komplekse dhe refleksioneve mbi njerëzimin dhe botën.

IV-Për nga përdorimi i figurave artistike të krijohet perceptimi se poezia është një mozaik figurash, ku secila prej tyre është vendosur mjeshtërisht dhe natyrshëm në vendin e vetë. Kështu metafora "Ngjan çdo gjë është bulb e palcë” tregon se çdo gjë në Loreto është e vlerësuar dhe e rëndësishme, edhe në formën e saj të thjeshtë dhe të pakuptueshme.

Ndërkohë metafora "Dhimbja bëhet tjetërfarë, e jotja dhe e tjetërkujt" paraqet dhimbjen si një gjë që kalon përtej individit, duke përfshirë edhe të tjerët në përvojën e saj.

Kontrasti i vargjeve "Inkuzicioni dhe vdekja ende fryjnë si erë e marrë" egziston midis frikës e vuajtjes dhe betejës së brendshme të individit.

"Dhimbja bëhet tjetërfarë, e jotja dhe e tjetërkujt" shfaq një kontrast të krijuar mes dhimbjes personale dhe ndjenjave të tjera të të tjerëve.

Personifikimi "Dhimbja përpëlitet në shqyrtim, vetëflijohet" shfaq dhimbjen si një entitet që e vlerëson veten dhe ndjehet në mënyrë të ndryshme.

Te vargu "Vigjëlojnë rojet e moskuptimit" rojet personifikohen për të paraqitur moskuptimin dhe pengesat që vijnë në rrugën e kuptimit dhe shpjegimit.

Antiteza "Humbja dhe fitorja fqinjërojnë, sublimohen" paraqet një kontrast thelbësor midis humbjes dhe fitores, ku ato janë të lidhura ndërsa antiteza "Grotesk, çudan, tinzar, i ngrysur" përshkruar Atdheun si një kombinim të veçantë dhe kontrastues të përmasave dhe tipareve.

Këto figura artistike ndihmojnë në krijimin e imazheve të forta dhe të ndjeshme, duke e bërë poezinë tërheqëse dhe të pasur në përmbajtje, duke shprehur thellësinë e temave dhe emocioneve të ndjeshme që poezia përmban.

V-Fjalët dhe gjuha e përdorur nga poeti Kote janë të pasura me ngjyra emocionale dhe simbolike, duke qënë tipari kryesor në poezinë e tij. Ai di ta zgjedhë fjalën në mënyrë të tillë që ajo të zejë vend natyrshëm në varg, pa qënë nevoja ta gdhendë apo ta vendosë me forcë. Lidhja mes fjalëve bëhet nëpërmjet kuptimshëmrisë së vargut dhe ritmit të brendshëm të poezisë dhe pak herë përdoren lidhëset. Përdorimi i fjalëve të ndryshme, tërheqëse dhe imazheve të fuqishme krijon një ndjesi të thellë dhe tërheqëse për lexuesin. Përdorimi i gjuhës poetike dhe figurave artistike bën që poezia të shprehë idetë dhe emocionet në një mënyrë të fuqishme dhe tërheqëse, duke i dhënë atij një dimension të veçantë estetik dhe interpretues.

Ka një veçori poetika e Odise Kotes, natyrshëmrinë e “çeljes” së figurave artistike si sythe lulesh që shndrohen në fruta. Figuracioni i tij poetik nuk është në asnjë rast një shartim, qoftë edhe prej një mjeshtri, madje mund të themi se figuracioni i tij poetik me fjalët dhe shprehjet tipike “gur i rëndë” në tonalitet, të cilat i japin bukurinë pemës së tij poetike, janë absolutisht të pamundura të “shartohen” pasi gjithmon mbishartesa është një filiz i lehtë në rraport me nënshartesën  (pema ku shartohet).

Dukuria e kësaj natyrshmërie mund ta quajmë të menduarit poetik të autorit, proces ku gjithmon është e vështirë gjetja e vargut të parë, që ngjason me gjetjen e damarit të ujit nëntokësor te vendi ku do ndërtosh çezmën apo kroin, pasi ndërtimin e një, dy apo shtatë sylinjarëve e ke lehtësisht të realizueshme ndërsa  rrjedha e ujit (vargjet e tjera) e gjen vetë rrugën. Në këtë drejtim themi se Odise Kote natyrshmërinë e të menduarit poetik e ka pjesë të krijimtarisë, ku “problem” i tij është tema dhe struktura filozofike e saj dhe jo vargu. Kjo natyrshmëri  është e dukëshme edhe në bashkbisedime të lira, ku Kote dhe të folurin e ka të lirshëm, me leksik dhe tingull  poetik. Nuk gabohemi po të themi se për Odise Koten poezia është frymarjeje, krijimtaria është mënyrë të jetuari.

 

 

Sarandë, më 2 korrik 2023



[1]   T.Mërkuri:“Vepra që hapin horizonte të gjera shikimi dhe frymëmarrje”Beqir Musliu, Gjilan 2022:  f.108

[2]   Anton Harapi, Njisimi kombtár dhe ideali kombtár. Zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Anton N. Berisha, Kuvendi françeskan i Gjakovës, Gjakovë 1977, f. 277.

[3] Atë Anton Harapi, po aty, f. 280.

[4] Patër Anton Harapi, Vlerë shpirtërore. Shpresa & Faik Konica, Prishtinë, 2003: “Hiqni nga bota e qytetëruar kontributin që ka dhënë kristianizmi në ide, në ligje e zakone, në shkencë dhe art, në sistemin e amiljes, në rendin shoqëror dhe vetjak, në përmirësimin moral dhe material; hiqni të gjitha këto dhe kultura moderne nuk mbetet më ajo, por një skelet i zbehtë, një mozaik pa unitet, një send pa kuptim” f. 73.