Monday, 23 December 2024

 

RRJEDHA E FIGURAVE ARTISTIKE NË NJË PËRJETIM POETIKO EKZISTENCIAL

 

Nga Timo Mërkuri

Poezia e Ilirian Zhupës "Është vonë të më mungosh" është një krijim që reflekton mbi mungesën, vetminë dhe mënyrën se si dashuria, edhe në mungesë, vazhdon të jetë e pranishme në shpirtin (jo vetëm) e poetit. Krijimi ndërthur tensionin shpirtëror me elegancën lirike dhe ndërton një botë emocionale të ngarkuar me ndjeshmëri e simbo-likë, madje qysh në krye bie në sy se dhe vetë vargu titullor është një kulm artistik e filozofik dhe përmbledh përjetimin e mungesës si prani dhe plagë ekzistenciale.

I-Nisur nga kjo, më së pari le të zbërthejmë titullin e poezisë, i cili do na hapë dyert për në brendi të saj, pse në thelb ai është sintezë poetike e ndjenjave të mungesës dhe reflektim mbi kohën, dashurinë dhe marrëdhënien e përjetuar. Titulli "Është vonë të më mungosh" është shprehje e një dashurie që nuk pranon kufizime, sepse mungesa, e cila “..është vonë” bie ndesh me ndjenjat e dashurisë universale të heroit, pasi e lexuar ndryshe, titulli ka kuptimin se: “është vonë pasi unë jam shkrirë i tëri në këtë dashuri” apo unë dhe ti jemi shkrirë së bashku në këtë dashuri dhe nuk mund të ndahemi. Sipas poezisë, ndjenjat e heroit janë sa të fuqishme aq dhe gjithkund të pranishme, sa mungesa e saj përjetohet si një “shkëputje e pamundur ”. Poezia, përmes vargjeve, ndërtimit të figurave dhe intimitetit të ndjenjave, shpreh bukurinë e dashurisë dhe tragjedinë e mungesës. Sinqerisht që është hera e parë që has një poezi të ngritur për “mungesën” në dashuri, në të cilën poeti ofron një situatë ku  mungesa (e të dashurës) nuk është  thjesht  boshllëk emocional, por një gjendje ekzistenciale që nuk pranohet dot për shkak të thellësisë, gjerësisë dhe peshës së dashurisë. Jam i bindur se kushdo që e ka provuar një mungesë të tillë, kursesi nuk e ka pranuar dhe e përjeton më qartësisht poezinë. Megjithatë një sërë pyetjesh lindin qysh në titull dhe më e para: Pse do mungojë e dashura e heroit, kur ai e dashuron kaq shumë?

1.Qysh në leximin e parë të poezisë vërejmë se e dashura shfaqet si një figurë e largët, e cila, pavarësisht mungesës fizike, mbetet e pranishme në mendimet dhe ndjenjat e poetit në mënyrë aktive, ndaj ai e përjeton këtë mungesë në mënyra të ndryshme : “Flas me një që s’e njoh dhe s’di se ç’thonë fjalët e mia” ku ky varg shfaq tronditjen shpirtërore të tij, të tillë që e ka bërë të “humbuasë busullën” e orientimit emocional; e ka të pamundur të bisedojë me të tjerët apo të kuptojë veten. E parë në këtë kontekst, ajo, e dashura mungon jo vetëm si person, por edhe si simbol i qetësisë, ekuilibrit dhe kompletimit shpirtëror.

2. Sigurisht që ka lexues që me naivitet do pyesin: Ku mungon ajo? Në një takim apo në dashurinë e tij? Në poezi mungesa e të dashurës ndjehet kudo, si në rrafshin fizik ashtu dhe në atë shpirtëror: në mjediset ku poeti  jeton e ndërvepron, në hapësirat e tij shpirtërore, në botën dhe mendimet e tij. Në poezi ajo “shfaqet” si mungesë që mbush çdo hapësirë, duke e bërë të pamundur që poeti të gjejë një vend ku të ndihet i qetë larg saj. Poetika e vargut:“Rruga më shtyn me bërryla, sikur do të më nxjerrë në skaj.” sugjeron që mungesa e saj e bën botën e tij të pasigurtë  e të huaj.

3.Ka një frazë në këtë varg që të ve në mendime dhe të fton në eksplorime,fraza kur poeti thotë: “është vonë”. Psikologjikisht dhe artistikisht e  quajtura "vonë"  lidhet me disa aspekte të kohës dhe ndjenjave:

a.Në konceptin e përjetësisë së  dashurisë, dashuria e poetit për të vajzën është aq e madhe sa mungesa e saj nuk mund të pranohet në asnjë moment kohor, as tani, as më vonë sepse i humbet kuptimin jetës. Kjo është e dukëshme te vargjet: “Udhët ku shkoj përfundojnë pikërisht atje ku nisin”, pra rruga e jetës ka marrë formën e një rrethi që të kthen në fazën fillestare ose ndoshta dhe të një pike, prej së cilës nuk lëviz dot. Pra vargu përforcon idenë se dashuria është ciklike, e pafund, dhe mungesa thyen këtë cikël, duke e bërë të pamundur rikthimin në normalitet. Kështu,mungesa përjetohet si dhimbje e përhershme që sfidon logjikën e zakonshme të kohës dhe hapësirës. Parafytyroni psh, mungesën e fëmijës adoloshent në shtëpi në orët e vona të natës dhe shqetësimin e prindërve.

b.Dikush do të sugjerojë se poetit (ndoshta) i duket se koha që kanë kaluar bashkë është aq e rëndësishme sa çdo mungesë tani , qoftë dhe momentale përjetohet si një padrejtësi e madhe.Po, kështu është, në fakt për poetin, ajo, e dashura është bërë pjesë e pandarë e qënies së tij, e pazëvendësueshme, ndaj ai shprehet te vargjet: “O, po i kam të gjitha e prapë më mungojnë, më braktisin.” duke nënkuptuar se mungesa e saj është shumë më tepër se një mungesë fizike, është një mungesë shpirtërore

4.Përmes vargut "Është vonë të më mungosh," poeti nuk e shfaq vetëm dhimbjen, por edhe një përjetim shpirtëror që ka kaluar: nga revolta te pranimi. Kjo shprehje nënkupton që dhimbja e mungesës ka marrë përmasa kaq të thella e të gjera sa që është bërë fakt i kryer, pjesë e ekzistencës së tij, pranim i heshtur, e ngjashme me disa plagët që nuk shërohen kurrë, por që egzistojnë në trup, madje kthehen në simbole të jetës. . Sdi pse më kujtohet shprehja: larg syve larg zemrës.

5.Artistikisht, ky varg përfaqëson një kulm të finesës lirike dhe ndjeshmërisë njerëzore . Ai përcjell idenë se dashuria dhe mungesa nuk janë dy gjendje të ndara, por është një pjesë të pandashme e një përjetimi të madh dhe kompleks: “Këndoj dashurinë që e kam dhe s’e kam”.Kjo mënyrë konceptimi e bën mungesën një prani të përhershme dhe paradoksale, ku ajo vazhdon të ekzistojë përmes fuqisë së saj shpirtërore dhe krijuese.

Kështu fraza vargore "Është vonë të më mungosh" përmbledh filozofinë e poezisë në tërësi, duke shprehur jo vetëm një vetëdije të qartë për dhimbjen e humbjes,por edhe  pranimin e saj si burim frymëzimi dhe pjesë e pashlyeshme e jetës së poetit. Përmes këtij vargu, mungesa shndrohet nga një ndjenjë kalimtare në gjendje të përjetshme, një lloj paqeje melankolike, si një plagë që duhet gjithmon ta ledhatosh me idenë se po lehtëson dhimbjen, ndjenjë që vetëm dashuria e humbur ta sjell.

II-Është interesantë se poezia e Ilirian Zhupës përfaqëson një përjetim të mungesës së të dashurës, duke ndërthurur ndjeshmëri estetike dhe filozofi moderne. Teksti lidhet me disa rryma të modernizmit, si ekzistencializmi dhe absurditeti, por përmban  dhe dimensionin metafizik të veçantë që i jep karakter unik. Për këtë arsye e shohim të nevojëshme që analizën ta ndajmë në dy pjesë: e para të përqendrohet te qasjet moderniste, ndërsa e dyta të ndalet te veçoria e saj special dhe konkretisht:

1.Poezia"Është vonë të më mungosh" nga Ilirian Zhupa i përket rrymës ekzistencialiste brenda modernizmit, pse eksploron vetminë dhe përpjekjen për të gjetur kuptim përmes introspeksionit dhe krijimit artistik. Në këtë poezi, pyetjet si “Unë ku të shkoj? Unë kë të ndjek? Unë kujt t’i flas?” pasqyrojnë krizën ekzistenciale që vjen nga humbja njeriut të dashur, por që ajo, kriza zgjerohet e përfshin ndjenjën e vetmisë së njeriut modern në një botë të pakuptimtë. Ndjenja e mungesës shndërrohet në simbol të zbrazëtisë më të thellë që individi përjeton kur përballja me jetën duket e pafund dhe e paplotë.

2.Lirizmi introspektiv dhe subjektiviteti poetik shfaqet përmes pamjeve të përditshmë-risë, ku objektet dhe vendet - librat, stolat, rruga, kafja - marrin një vlerë simbolike. Imazhet e tyre konkrete, që zakonisht janë pjesë e jetës së përditëshme, shndërrohen në pasqyra të brendisë shpirtërore të poetit dhe, ndërkohë që ai përpiqet të gjejë qetësi përmes tyre, ndjesia e mungesës shfaqet si  mur i pakapërcyeshëm. Kjo  duket si një lojë mes realitetit dhe brendisë emocionale, madje krijon tension poetik, duke pasqyruar dilemat e individit modern.

3.Simbolika është  shtyllë qendrore e kësaj poezie. Zjarri që “brufullon brenda gjoksit” shfaqet si metaforë e fuqishme për ndjesitë e pasionit dhe dhimbjes së brendshme, ndërsa “horizontet e grivëra” evokojnë ndjenjën gri, që krijohet nga pengesat dhe pasiguritë shpirtërore të poetit. Yjet që ndriçojnë natën në fundin e poezisë nuk janë thjesht imazh natyror, ato janë simbol i shpresës dhe universalitetit.Kushdo që e ka përjetuar këtë situatë, asnjëherë nuk i ka humbur shpresat e një rikthimi.

Interesante është fakti se kjo poezi ofron dhe dy qasje të tjera speciale dhe konkrete:

a.Paradoksi i dashurisë moderne, shfaqet qartësisht: ajo, dashuria është njëkohësisht sa e pranishme aq dhe e paarritshme. Ky dualitet krijon tension emocional dhe poeti gjendet midis pranimit të realitetit dhe dëshirës për diçka më të  lartë. Pohimi “e kam dhe s’e kam” shfaq pikërisht këtë ambivalencë, duke reflektuar kompleksitetin e dashurisë.

b.Është hera e parë që has dhe ndjej dukurinë e një krijimi poetik që paraqitet si akt që i jep kuptim jetës dhe ndihmon në përballjen e boshllëkut ekzistencial. Realisht ky koncept është tipar thelbësor i modernizmit , ku arti shihet si mjet për të kaluar kufijtë e të zakonshmes. Përmes krijimtarisë, poeti shndërron dhimbjen në një univers më vete, të mbushur me vlerë dhe estetikë. Në vargun: "Pas të gjitha këtyre shkruaj e ç’shkruaj vargje," krijimi poetik shfaqet  si akt që transformon gjendjen emocionale të poetit, ku ai (poeti) si një demiurg modern,(Zot,krijues) arrin të kapërcejë mungesën dhe përmes fuqisë së vargut, e bën krijimin një formë shpëtimi dhe transcendence. Konkretisht, poeti nëpërmjet krijimit vepron si një demiurg (Zot) që krijon e ndriçon kaosin e jetës përmes artit dhe:

-Poezia bëhet (krijohet)si një univers më vete, ku ndjenjat, emocionet dhe konceptet abstrakte marrin jetë dhe rregull.

-Procesi i krijimit përjetohet si përpjekje për të kapërcyer realitetin fizik dhe ndërtuar një botë shpirtërore ose estetike të re.

-Poezia e Zhupës është një përjetim estetik i rrallë: e ngre përvojën personale në nivelin e universalitetit njerëzor, duke na ofruar një tablo të fuqisë transformuese të artit. Nuk është pjellë e fantazisë shprehja që poetët janë si Zoti, këtu e kanë patur fjalën.

III- Poezia "Është vonë të më mungosh" e Zhupës përdor një gamë të gjerë figurash artistike, ku simbolet, metaforat, personifikimet dhe imazhet ndërtojnë një tekst që flet njëkohësisht për përjetimin e boshllëkut ekzistencial, ndjesinë e brendshme lirike dhe kompleksitetin simbolik të modernizmit. Të gjitha këto qasje lidhen organikisht me rrymat e ekzistencializmit, lirizmit introspektiv dhe simbolizmit modernist. Por le ti shohim konkretisht figurat artistike sipas qasjes dhe të shpjegojmë shkurtimisht arsyen e saj :

1. Simbolet dhe qasjet e tyre:

a.Simboli:"Zjarri brufullon brenda gjoksit" në ekzistencializëm shpreh trazirat shpirtë-rore të individit, një përpjekje për të ndier ekzistencën vetike në kaosin dhe absurdin. Në kuadrin simbolist, zjarri përfaqëson fuqinë krijuese dhe shkatërruese të ndjenjave, duke lidhur jetën emocionale me pasionin dhe dhimbjen.

b."Horizontet e grivëra" janë simbol i paqartësisë dhe mungesës, por njëkohësisht janë një metaforë ekzistenciale e kufizimeve dhe të panjohurës. Përmes simbolizmit modernist, ato aludojnë për pamundësinë e një shikimi të pastër drejt së ardhmes.

c.Te vargu: "Nata më mbushet me yje" në sens lirizmi introspektiv, yjet simbolizojnë ndriçimin shpirtëror, një lloj shprese përtej errësirës ekzistenciale. Në simbolizëm, ato përfaqësojnë idealet e largëta dhe dëshirën për transcendencë.

ç. Simboli i pleqve te vargjet:“Atje, nëpër stola, rrinë ulur ca pleq me fytyra të bardha/ Dhe të gjitha fytyrat ngjajnë.” shfaq një gjendje statike e ciklike, ku individët humbasin individualitetin në uniformitet, duke pasqyruar ndjenjën e absurdit në modernizmin ekzistencial.

d. Simboli i librave te vargu:“Shkoj në biblioteka dhe librat më kërrusin nga dashuria”, ku librat simbolizojnë peshën e kujtimeve dhe emocioneve, duke shprehur përballje me të kaluarën që është po aq e dashur sa edhe e rëndë.

e. Te vargu::“Rruga më shtyn me bërryla, sikur do të më nxjerrë në skaj”,rruga është simbol i jetës që shtyn individin drejt një fundi të paqartë, ndjesi kjo e shpeshtë në letërsinë moderniste të absurdit. Sigurisht që këto shpjegime të simboleve nuk zbërthejnë thellësisht vlerat e figurave artistike, por ne le të plotësojmë mangësinë me analizën e metaforave, personifikimeve dhe imazheve, ku do qartësojmë idenë.

2. Metaforat dhe lidhjet e tyre:

a.Metafora:"Rruga më shtyn me bërryla" është qartësisht ekzistenciale dhe pasqyron ndjenjën e individit përballë presionit të realitetit. Në simbolizmin modernist, rruga përfaqëson udhëtimin e jetës, një përpjekje për të gjetur kuptimin në botën kaotike. Duket sikur ky varg krijon një përplasje me vargun e mësipërm simbolik (pika e), porn ë fakt nuk është përplasje por është një ndërshfaqje. Kemi thënë që figurat e Ilirian Zhupës ndërlidhen, ndërshfaqen e ndërveprojnë me njera tjetrën dhe këtu kemi të bëjmë me këtë dukuri, ku simboli shfaqet dhe si metaforë pikërisht te fraza ”…shtyn me bërryla”. Sigurisht që këtë ndërlidhje dhe ndërshfaqje do ta hasim dhe te analiza e personifikimit dhe imazhit, por mjafton të kuptojmë se kjo është një vlerë dy-trifishe e figurës dhe jo ndonjë lapsus i poetit. Këtë dukuri do ta hasim dhe te figura të tjera artistike, krijuar me të njejtin efekt.

b.Te vargu:"Librat më kërrusin nga dashuria", në kuadrin e lirizmit introspektiv, kjo metaforë shfaq ndikimin transformues të dijeve e ndjenjave, që shpeshherë mbartin një peshë të madhe emocionale dhe shpirtërore. Edhe kjo metaforë ndërlidhet e ndërshfaqet me simbolin e mësipërm (pika d) ku pesha e dashurisë bëhet një barrë që ndikon te lexuesi.

c.Metafora:"Këndoj dashurinë që e kam dhe s’e kam" ndërthur dualitetin e ekziste-ncës: praninë dhe mungesën. Ajo është ekzistenciale në thelb, pse reflekton pasigu-rinë e jetës dhe paradoksin e dashurisë. Në simbolizëm, ajo krijon një ndjesi abstrakte të ndjenjave të paprekshme.

3. Personifikimet dhe funksionet e tyre:

a.Te vargu:"Rruga më shtyn me bërryla", rruga personifikohet dhe shfaq një ndjenjë ekzistenciale, ku ajo (rruga), si një forcë e jashtme, përfaqëson presionin dhe sfidat e përditshme që ndikojnë në individin. Shpjegimet e ndërshfaqjes janë të njejta me pikën “a” te analiza e metaforave.

b Thamë më sipër se vargu simbolik:"Zjarri brufullon brenda gjoksit" në shpreh trazirat shpirtërore të individit, por zjarri personifikohet me fjalën ("brufullon") dhe i jep jetë këtij simboli, duke krijuar një imazh të një force të brendshme që vlon dhe konsumon. Ndërveprimi i këtyre figurave përçon një ndjenjë të thellë vetmie, sepse megjithëse zjarri ngroh të tjerët, dashuria e munguar nuk ngrohet. Ajo që duam të shprehim është se ndërveprimi I simbolit me personifikimin krijon imazhin dhe në këtë mënyrë vargu shfaq tri kuptimeshmëri.

c.Personifikimi: "Librat më kërrusin"  tregon marrëdhënien intime dhe transformuese të individit me artin dhe dijen, ndërkohë që në lirizmin introspektiv, ai simbolizon ndikimin emocional dhe intelektual të letërsisë në përvojën personale. Shpjegimet e ndërshfaqjes janë të njejta me pikën “n” te analiza e metaforave.

ç.Përmes personifikimit "Udhët përfundojnë pikërisht atje ku nisin"  udhët marrin një dimension ciklik, duke pasqyruar një perspektivë ekzistenciale mbi jetën si një proces të përsëritshëm dhe shpesh pa kuptim përfundimtar.

4. Imazhet dhe lidhjet e tyre:

a. Imazhi vizual: "Atje, nëpër stola, rrinë ulur ca pleq me fytyra të bardha" shpreh një atmosferë monotone e të qetë, që buron nga pasiviteti dhe pranimi i një ekzistence të kufizuar.Në simbolizëm, fytyrat e bardha janë metafora për zbrazëtinë dhe uniformite-tin e botës. Për ndërshfaqjen e kësaj figure dhe te pika “ç” e analizës së simboleve, le të bëjmë paralelizmin me sa thamë te analiza e metaforave.

b.Imazhi:"Ndjek fluturimin e shtërgjve dhe në qiej më pikturohet një vajzë" krijon një ndjesi të lirizmit introspektiv, ku fluturimi i shtërgjve simbolizon lirinë dhe kujtesën, ndërsa vajza përfaqëson idealin e dashurisë, përjetësinë e saj dhe një shpresë të vagët të heroit poetik.

c.Ndërkohë imazhi: "Mbështes kokën në horizontet e grivëra" shfaq një pamje ekzistenciale të lodhjes përballë një bote të mjegullt dhe të paqartë. Në simbolizëm, ky imazh aludon për ndjesinë e humbjes në kërkimin e një kuptimi të pakapshëm, pra kemi të bëjmë me një ndërshfaqje, jo me një lapsur të poetit.

Kështu mund të flasim edhe për vargun “Qielli më bëhet i kaltër, mosha më ndihet e bukur” ku kombinimi i metaforës së qiellit (si shpresë dhe qetësi) me personifikimin e moshës që "ndihet e bukur" krijon një imazh të harmonisë së brendshme që lind nga krijimtaria, për vargun: “Nata më mbushet me yje.” ku nata personifikohet si hapësirë që "mbushet me yje," ndërsa yjet vetë bëhen  metaforë e shpresës dhe ëndrrave. Kjo ndërthurje krijon një imazh kozmik që pasqyron çastin e një përmbushjeje shpirtërore në kontrast me mungesën dhe dëshpërimin e mëparshëm.

Në thelb ndërveprimi i figurave artistike te Zhupa krijon një botë imazhesh që shfaqin tensionin midis dhimbjes e shpresës, vetmisë e krijimtarisë. Simbolet, metaforat dhe personifikimet jo vetëm që forcojnë ndjesinë ekzistenciale të poezisë, por ndërtojnë një realitet të pasur që shpalos thellësinë e përvojës njerëzore në modernizëm. E parë në këtë lente, shprehemi se: poetika e Zhupës është ftesë për lexuesin të eksplorojë dimensionet më të thella të përvojës njerëzore te arti I tij poetik që ndriçon misteret e qenies dhe botës dhe të mos mjaftohet me kuptimshmërinë e dukëshme të saj.

IV- Ka një dukuri interesante poezia, në vargun e fundit: "Është vonë të më mungosh e dashura ime",ku fraza “e dashura ime” përdoret për herë të parë në poezi duke  sjellur një përshkallëzim emocional dhe kulm estetik. Kjo shprehje, e lënë për në fund, krijon ndjesinë sikur poeti e ka ruajtur emërtimin më të drejtpërdrejtë për çastin më intim dhe më domethënës të poezisë. Përdorimi i saj i jep peshë të veçantë ndjenjës së "ruajtur" (dhe të kristalizuar brenda tij), që, deri në atë moment, ishte shfaqur përmes toneve dhe figurave më të tërthorta. Në fakt, kjo vonesë për ta përmendur cilësimin "e dashura ime" tingëllon si një strategji artistike dhe psikologjike: poeti e ngre dashurinë në mënyrë graduale, duke e ndërtuar fillimisht si atmosferë ndjenjash, që rritet e përforcohet deri në çastin e fundit. Gjithmon kështu ndodh, djemtë fjalën “të dua” ose “e dashura ime” e shprehin me vonesë. Kjo "vonë", e përdorur në këtë moment, mbart peshën ekzistenciale që e bën ndjenjën më të thellë dhe më të ndjerë. Megjithatë, mendojmë se ka edhe një efekt tjetër: ndonëse fjala “vonë” sugjeron humbjen, përdorimi i frazës “e dashura ime” lë hapur mundësinë e një shprese të fundit. Dhe së treti: kjo vendosje në fund e frazës “e dashura ime” i jep poezisë një ndjenjë përmbyllëse, duke e lenë hapur interpretimin për rilidhjen e pritëshme. Në fakt poetët modernist shqiptarë pothuaj se të gjithë rezervojnë në fund të poezive shpresa optimizmi, ndryshe nga modernistët europianë që zhyten në pesimizmin e pashpresë. Por ajo që është e rëndësishme është fakti se te kjo gfrazë është kristalizuar ideja se :mungon e dashura (fizikisht) pranë poetit, por jo dashuria (si ndjenjë) te poeti. Dhe kjo është shumë e rëndësishme në poezi dhe këtë analizë.

V- Poezia "Është vonë të më mungosh" nga Ilirian Zhupa përmban një melodicitet të brendshëm që buron nga përmbajtja emocionale e fuqishme, ritmi i ngadalshëm i vargjeve dhe ndërveprimi harmonik i elementeve stilistike. Tonaliteti është i ulët, melankolik, dhe i përmbajtur, duke krijuar një ndjesi të dhimbshme, por njëkohësisht të këndshme për t’u dëgjuar dhe përjetuar, sit e këngët shumëzërrëshe të Bregut të detit.

1.Melodiciteti i poezisë mbështetet te tonaliteti i saj i ulët, i cili i ngjan një bisede intime mes dy personave, madje shpesh një monologu intim. Ky tonalitet krijohet nga përdorimi i frazave të shkurtra, pyetjeve retorike, të cilat gjithsesi nuk presin përgjigje : “Unë ku të shkoj? Unë kë të ndjek? Unë kujt t’i flas?” Këto pyetje pasqyro-jnë një gjendje shpirtërore të pasigurisë, dhe  shoqërojnë lexuesin me ritëm të ngada- lshëm. Ndërprerja ritmike që krijohet nga pyetjet i jep poezisë një efekt të ngjashëm me valëzimet e një melodie të qetë dhe melankolike.Tonaliteti i ulët e melankolik përforcohet (edhe) nga motivet e vetmisë dhe dhimbjes:“Po unë çfarë të bëj? Vij te vetvetja. Mbështes kokën në horizontet e grivëra,” vargje këto që përcjellin  ndjenjë të fortë vetmie, e cila shndrohet në një tingull të brendshëm të butë dhe të përmbajtur.

2.Një element kyç në melodicitetin  poetik është përsëritja e frazave dhe strukturave, pse këto krijojnë një ritëm të qëndrueshëm dhe ndjenjë ciklike, e cila mbështjell poezinë me një harmoni të qetë: “O, po i kam të gjitha e prapë më mungojnë, më braktisin” , ku përsëritja e idesë së mungesës dhe braktisjes në disa vargje radhazi i jep poezisë një tingull të vazhdueshëm, që ndërtohet ngadalë dhe lë hapësirë për reflektim. Kjo përsëritje nxit lexuesin të ndjejë ritmin e qetë, por të qëndrueshëm të ndjenjave të shprehura.

3. Përdorimi i zanoreve “u” dhe “ë” në poezi krijon një efekt të theksuar trishtimi dhe melankolie, duke ndikuar thellësisht në tonalitetin e saj. Këto zanore, të cilat lidhen shpesh me dhimbjen dhe pikëllimin në traditën orale dhe gjuhësore të banorëve të bregdetit, i japin vargjeve një tingëllim të ulët dhe të zgjatur, që përforcon atmosferën e mbytur të poezisë. Në fjalorin e bregdetasve, zanoret “u” dhe “ë” shpesh përfshihen në vajtime mortore, duke bartur prej tyre tek poezia e Zhupës ndjenjë të përjetshme pikëllimi.Në këtë poezi, ato përdoren në mënyrë të ndërgjegjëshme për të shprehur boshllëkun emocional të subjektit lirik.Psh., “Rruga më shtyn me bërryla, sikur do të më nxjerrë në skaj.”ku tingulli “u” krijon një ndjenjë shtytjeje të dhunshme dhe të pashmangshme drejt izolimit. Ose:“Zjarri brufullon brenda gjoksit, ngrohen shumë në të, po jo ti.” Ku përsëritja e “u” dhe “ë” përcjell një ndjenjë tensioni të brendshëm dhe përpjekjeje për ngushëllim, e cila mbetet e paplotësuar. Shikoni pak vargun:“Po unë çfarë të bëj? Vij te vetvetja.” Këtu,kombinimi i këtyre zanoreve reflekton një vetmi të thellë, ndërsa zëri i lexuesit duket sikur kthehet tek vetja, duke mbartur një jehonë të mbytur dhimbjeje. Ky përdorim i qëllimshëm i zanoreve,(ose përgjedhja e fjalëve me këto zanore) i lidhur me simbolikën e tyre në ritet mortore, jo vetëm që thellon ndjenjën e melankolisë në poezi, por gjithashtu i jep asaj dimension universal të dhimbjes, duke e ngritur përmbajtjen emocionale në një nivel artistik të lartë.

Në analizën e melodicitetit mund të shtojmë edhe efektet e aliternacionit dhe efektet fonike sit e vargu:“Zjarri brufullon brenda gjoksit, ngrohen shumë në të, po jo ti.” Ku tingulli përsëritës “b” dhe harmonia midis fjalëve si “brufullon,” “brenda,” e “gjoksit” krijojnë një aliteracion të ndjeshëm që shton një dimension muzikor, duke I ndihmuar lexuesit të përjetojnë poezinë si melodi e brendshme, krijuar përmes tingujve. Po ashtu, përdorimi i tingujve të butë dhe fjalëve me zanore të hapura, si: “ngrohen,” “zjarri,” dhe “brenda,” krijon një efekt të ngrohtë dhe të rrjedhshëm, duke theksuar melankolinë e ndjenjave. Nuk mënjanojmë efektin e imazheve me muzikali-tet visual, si: “Ndjek fluturimin e shtërgjve dhe në qiej më pikturohet një vajzë.” i cili krijon një lëvizje të butë dhe ritëm të qetë lidhur me imazhin e shtërgjve në fluturim. Ky imazhi vizual shoqërohet me “melodi” të qetë, dalur nga përfytyrimi i fluturimit dhe pikturi-mit në qiell.

Ndërkohë lirizmi i poezisë, i përforcuar nga tematika e dashurisë dhe dhimbjes, është thelbësor për melodicitetin e saj. Psh vargu: “Këndoj dashurinë që e kam dhe s’e kam, po e gjej të brishtë e të madhe.” ka një ngarkesë të fuqishme emocionesh që krijojnë një kontrast mes asaj që është dhe që mungon, ku tingulli i këtyre vargjeve i ngjan një melodie që ngrihet e bie, duke pasqyruar ndjenjat e ndryshueshme shpirtërore të poetit.

VI- Pikërisht këtu duhet të sqarojmë se: tonaliteti i ulët dhe atmosfera melankolike që shfaq kjo poezi e Ilirian Zhupës imponon një mënyrë leximi ose recitimi të përshtatur me këtë ndjeshmëri, ku specifikisht leximi me zë do të kërkojë një ton të qetë, intim, të përmbajtur, duke ruajtur formëqn e një bashkëbisedimi emocional. Përmendëm se kjo poezi ngjan më shumë me një rrëfim të brendshëm ose një letër të shkruar për një dashuri të humbur, ndaj për këtë arsye edhe recitimi i saj nuk kërkon forcë zëri apo theksime dramatike. Përkundrazi, intonacioni duhet të jetë i ulët, i matur, duke reflektuar dhimbjen dhe vetminë që përcillet në vargjet: “Po unë çfarë të bëj? Vij te vetvetja. Mbështes kokën në horizontet e grivëra.” Në një recitim, ndalimi i shkurtër pas secilës pyetje i lejon dëgjuesit të ndjejë pasigurinë dhe vetminë që përjeton subjekti lirik. Po ashtu, fraza përmbyllëse “Është vonë të më mungosh, e dashura ime!” kërkon  theksim të veçantë, por jo dramatik. Zëri duhet të bjerë I ëmbël në fund, duke shprehur një ndjesi të plotë dorëzimi te fati. Kjo strategji e leximit forcon idenë e bashkëbisedimit të përmbajtur dhe melankolik mes dy shpirtrave, ku dashuria është e humbur, por akoma e ndjerë thellë në zemër.

VII- Poezia e Ilirian Zhupës ka  karakteristikë të veçantë që nuk e kanë poezitë e shumë poetëve të tjerë modernist shqiptarë: ajo, ndërsa është  poezi moderniste e kuotave të larta europiane ka meritën se lexohet, kuptohet, ndjehet dhe kërkohet nga  masë shumë e gjerë lexuesisht, madje lexxues nga krahina dhe nivele të ndryshme arsimore e kulturore. Madje mbajtja e  ekiulibri  komunikimi në kuptimshmërinë tekstuale dhe ndjesore  të poezisë së tij moderniste në shtresa me botë poetike tradicionale është vërtet arritje befasuesi e këtij poeti. Kjo  e përafron atë dhe me poezinë europiane, madje të niveleve më të larta të saj për arsye se:

 1.Zhupa është në thelb një poet modernist shqiptar  që shkruan në qasje me rrymat moderniste europiane duke ndërthurur përvojat personale me ato universale, ndërsa lufton  shmangien e izolimit elitar të artit të tij poetik. Në këtë aspekt ai krahasohet  me Jacques Prévert në Francë, i njohur për poezinë e tij, në të cilën shpreh ndjenjat dhe përvojat njerëzore me gjuhë të thjeshtë, por poetikisht të pasur. Si Prévert, edhe Zhupa rruan ndjeshmëri të lartë për realitetin njerëzor, madje krijon një  dialog poetik të hapur, të ndjeshëm dhe të kuptueshme nga një masë e gjerë lexuesiosh. Gjuha e tij është e natyrshme, por mban brenda saj strukturë komplekse dhe mendim të thellë.

2.Ilirian Zhupa dallohet për  angazhim social dhe reflektim personal në poezinë e tij. Në shfaqien e realitetit dhe përvojave të njerëzve të zakonshëm, Zhupa afrohet me poetë të mëdhenj si Nazim Hikmet, që është i njohur për ndërthurjen e dhimbjeve personale me aspiratat e njerëzimit me një gjuhë të drejtpërdrejtë, të kuptueshme e ndikuese. Edhe Zhupa, duke ndërlidhur aspekte sociale e personale, ndërton një poezi që është sa intime aq dhe universale, madje angazhimi i tij me temat njerëzore e shoqërore reflekton një ndjeshmëri, që nuk mbetet thjesht brenda individit, por shtrihet edhe në dimensionin kolektiv.

3.Në mënyrë tepër të dukëshme poeti Zhupa dallohet për ruajtjen e lidhjes me rrënjët kombëtare, duke mbajtur një ekuilibër midis identitetit shqiptar dhe përmasës universale të poezisë së tij. Në këtë drejtim, ai krijon një paralele me poetin Seamus Heaney në Irlandë, që ndërthur përvojat personale me historinë dhe kulturën kombë-tare, duke krijuar një poezi që është sa kombëtare aq dhe universale. Zhupa mban të njëjtin linjë, transformon përvojat dhe ndjeshmëritë shqiptare në një art që flet për përvoja universale.

4. Poezia e Zhupës është e pasur me përjetime estetike që lidhin natyrën dhe jetën e përditshme me përvoja poetike universale. Në këtë aspekt, ai mund të përafrohet me Odysseas Elitis, i cili trasformon detaje të vogla të përditshmërisë në poezi fine. Zhupa, në qasje me Elitis,shndërron momente të zakonshme në përvoja poetike që rezonojnë me lexuesit e çdo niveli. Të gjitha këto karakteristika të poezisë së Ilirian Zhupës janë të lexuesme lehtësisht te kjo poezi.

Kështu që përfundimisht, mund të themi se Ilirian Zhupa është një poet modernist që ruan një ekuilibër të rrallë midis thellësisë moderniste dhe kuptueshmërisë së gjerë të poezisë. Ai ndjek traditën e poetëve modernistë evropianë, por arrin të mbajë lidhje të forta me përvojat dhe ndjeshmëritë njerëzore të vendit të tij, ndërkohë paralelet me poetët e mëdhenj europianë dëshmojnë për dimensionin universal të krijimtarisë së tij. Në thelb, poezia e Zhupës flet për botën moderne, duke mbetur një art poetik i hapur, i prekshëm dhe i dashur për lexuesit e çdo sfondi kulturor, por duke mbetur vlerë poetike kombëtare e jona.

 

Sarandë, më Dhjetor 2024.

 

 

 

 

 

 

Është vonë të më mungosh.

poezi nga Ilirian Zhupa

 

Më mungojnë shumë gjëra, po ti më mungon e para.

Rruga më shtyn me bërryla, sikur do të më nxjerrë në skaj.

Atje, nëpër stola, rrinë ulur ca pleq me fytyra të bardha

Dhe të gjitha fytyrat ngjajnë.

 

Unë ku të shkoj? Unë kë të ndjek? Unë kujt t’i flas?

Shkoj në biblioteka dhe librat më kërrusin nga dashuria,

Ndjek fluturimin e shtërgjve dhe në qiej më pikturohet një vajzë,

Flas me një që s’e njoh dhe s’di se ç’thonë fjalët e mia.

 

O, po i kam të gjitha e prapë më mungojnë, më braktisin,

Zjarri brufullon brenda gjoksit, ngrohen shumë në të, po jo ti.

Udhët ku shkoj përfundojnë pikërisht atje ku nisin,

Sytë më erren nga pritja sa s’i quaj dot sy.

 

Pi një kafe me shokët. Ndahemi. Ata vrapojnë te të dashurat e tyre,

Mbështesin kokat mbi supe, pëshpërisin, pastrojnë shpirtin nga bryma.

Po unë çfarë të bëj? Vij te vetvetja. Mbështes kokën në horizontet e grivëra,

Pëshpëris gjer në thirrje dhe më merret fryma.

 

Pas të gjitha këtyre shkruaj e ç’shkruaj vargje.

Qielli më bëhet i kaltër, mosha më ndihet e bukur, nata më mbushet me yje.

Këndoj dashurinë që e kam dhe s’e kam, po e gjej të brishtë e të madhe

E ndihem demiurg dhe pre i dashurive.

 

Është vonë të më mungosh, e dashura ime!

Wednesday, 18 December 2024

 

DUART E DASHURISË DHE RRËMUJA SHPIRTËRORE  E TYRE

 

Nga Timo Mërkuri

Poezia "Ëndërr për duart e tua" e Ilirian Zhupës shfaqet që në leximin e parë si një himn i ndjerë dhe i ëmbël dashurie, i mbështjellë me një muzikalitet të butë dhe një nostalgji të thellë. Ritmi i qetë dhe përsëritja e vargjeve krijojnë një melodi të brendshme, e cila ngjall mallëngjim dhe përcjell një dhembshuri të ndjerë. Shfaqja e duarve të së dashurës , realizuar me tonalitet delikat dhe të përzemërt, mbush poezinë me një ndjesi të brishtë melankolie, duke i dhuruar lexuesit një përjetim emocional që mbetet gjatë në kujtesë. Kjo melodi poetike risjell kujtime e përjetime shpirtërore që kapërcejnë kohën. Lexojeni këtë poezi si një këngë të ngrohtë himariote dhe do të ndjeni thellësinë e saj; një tingull që nuk mund të harrohet lehtë.

I-Në poezinë e tij, Ilirian Zhupa shfaqet si  poet novator, sjell gjithmonë diçka të re, qoftë në formë apo përmbajtje, duke mbetur thellësisht i rrënjosur në poetikën moderniste. Në poezinë “Ëndërr për duart e tua”, i jep një rëndësi të jashtëzakonshme duarve të së dashurës, duke i shndruar ato në simbolin qendror të ndjenjës së dashurisë dhe kujtesës së saj. Përmes kësaj qasjeje, Zhupa sjell një risi në poezinë e temës së dashurisë, ku tradicionalisht elemente si sytë, zemra apo buzët zenë vendin kryesor.

Në këtë poezi, duart nuk janë thjesht një pjesë e trupit; ato shndërrohen në mediume që lidhin të kaluarën me të tashmen, duke mbartur një prani të fuqishme shpirtërore edhe pas largimit të së dashurës. Vargjet si “Duart e tua paskan mbetur te unë, si hiri i zjarreve në shpella” dhe “Hyjnë nën lëkurë dhe bëjnë rrëmujë atje brenda” i kthejnë duart në simbole të një dashurie që lë gjurmë të pashlyeshme në qenien e subjektit lirik. Këto vargje, me fuqinë e tyre imazhore, përçojnë një ndjenjë të thellë dhe të përjetshme mallëngjimi.

Përsëritja e vargjeve krijon një efekt refreni, si një këngë, duke i dhënë poezisë  tonalitet melodik dhe ritëm të butë, por ngulmues. Ky refren shërben jo vetëm për të theksuar rëndësinë e duarve në përjetimin e dashurisë, por ngre një ndjenjë vazhdimë-sie dhe përjetësie, duke përforcuar idenë se dashuria dhe kujtesa nuk janë të lidhura me një moment të vetëm, por mbeten aktive dhe të gjalla në botën e brendshme të poetit.

Përqendrimi te duart ka dimension estetik dhe ekzistencial. Ato simbolizojnë prekjen, ndjeshmërinë dhe lidhjen e drejtpërdrejtë shpirtërore, po ashtu  njëkohësisht përcjellin brishtësinë dhe fuqinë e dashurisë. Në këtë poezi, duart shndërrohen në ndërmjetëse mes shpirtërores dhe fizikes, mes intimes dhe universales, duke mbartur dashurinë si një formë përjetësie të rrënjosur në kujtesë.

Kjo qasje e Ilirian Zhupës dëshmon një ndjeshmëri të thellë poetike dhe  aftësi të rrallë për të shndërruar detajet e përditshme në simbole universale. Struktura muzikore e krijuar përmes refrenit dhe shfaqia e vazhdueshëm e duarve i japin poezisë  ngarkesë emocionale të veçantë, duke e kthyer atë në një perlë të poezisë shqiptare moderne të dashurisë.

II- Kjo poezi e Ilirian Zhupës mbart një kompleksitet të thellë modernist, duke u dalluar për disa veçori që e vendosin atë në qëndrën e poezisë moderne dhe novatore. Përtej përqendrimit te duart si simbol qendror, poezia mishëron elemente thelbësore të estetikës moderniste:

1.Poezia moderniste shpesh largohet nga shprehja e drejtpërdrejtë e emocioneve, duke u përqendruar te një detaj i thjeshtë për të përcjellur një spektrum të gjerë ndjesish dhe filozofish. Në këtë poezi, duart shndërrohen në bartëse të dashurisë, humbjes e trazimit ekzistencial. Zhupa i jep detajit të duarve një simbolikë të thellë, duke e ngritur atë nga konkretja në universalen dhe duke i dhënë veprës një përmasë filozofike unike.

2.Poezia nuk ndjek një narracion linear apo kronologji tradicionale. Përkundrazi, ajo ndërton një strukturë fragmentare, ku imazhet dhe ndjesitë ndërthuren për të krijuar një rrjedhë të lirë emocionale. Ky fragmentarizëm, tipar thelbësor i modernizmit, përçon jo vetëm subjektivitetin e poetit, por edhe natyrën kaotike dhe të copëtuar të përvojës njerëzore.

3.Duart, në këtë poezi, nuk mbeten në nivelin e një simboli fizik. Ato shndërrohen në metafora të kujtesës, prekjes dhe ndikimit të pashmangshëm të dashurisë së humbur. Imazhet poetike si “si hiri i zjarreve në shpella” dhe “si rrënjët e pemëve të shkulura në dhera” krijojnë një lidhje të fuqishme mes ndjenjave njerëzore dhe elementeve të naty-rës, duke reflektuar një nga veçoritë më të rëndësishme të modernizmit: unitetin mes shpirtërores dhe natyrores, mes intimes dhe universales.

4.Nëpërmjet përvojës personale të humbjes e mallëngjimit, poezia ngre pyetje thelbëso-re ekzistenciale. Duart nuk janë vetëm kujtim i një dashurie të humbur, por janë prani e gjallë që vepron në thellësitë shpirtërore të subjektit lirik. Vargu “bëjnë rrëmujë atje brenda” shfaq trazimin e brendshëm, duke reflektuar krizën ekzistenciale të moderni-zmit:përballjen me humbjen, kalueshmërinë e kohës dhe pashmangshmërinë e ndryshi-mit.

5.Përsëritja e vargut “Nuk përqafohemi më” krijon një efekt ciklik dhe një ndjenjë të ngrirë, të ngurtësuar të kohës. Në këtë poezi, koha nuk rrjedh në mënyrë lineare, por rikthehet në formën e një përjetimi të pandryshueshëm emocional, një tipar i njohur i poezisë moderniste, ku ndjesitë mbeten të ngurtësuara në një cikël të përhershëm kujtese dhe mallëngjimi.

6.Natyra, në poezinë e Zhupës, nuk shërben thjesht si sfond dekorativ, por si një zgjatim i botës shpirtërore të poetit. Shirat, era, rrënjët këto elemente natyrore nuk janë vetëm përshkrime vizuale, por bartin ngarkesë emocionale dhe filozofike, duke ndërtuar një dialog të vazhdueshëm mes gjendjes shpirtërore të subjektit dhe universit të jashtëm.

Pra, veçantia e kësaj poezie qëndron në aftësinë e poetit Zhupa për të sintetizuar emocionet personale dhe ato universale përmes simbolikës së pasur, një strukture të hapur dhe një përjetimi filozofik të dashurisë dhe kujtesës. Kjo poezi shndërrohet në një hapësirë reflektimi ekzistencial dhe estetik, duke afirmuar një karakter të thellë modernist dhe novator në letërsinë shqipe.

III-Poezia “Ëndërr për duart e tua” e Ilirian Zhupës ndërthur në mënyrë të hollë dy rryma madhore të modernizmit: ekspresionizmin dhe ekzistencializmin. Kjo sintezë, që në pamje të parë mund të duket kontradiktore, është në të vërtetë një harmoni perspe-ktivash të ndryshme që bashkëveprojnë për të ndërtuar një univers poetik unik.Më konkretisht po e zberthejme si më poshtë:

1. Ekspresionizmi: Rrëfimi i gjendjeve të brendshme në këtë poezi merr formë përmes figurave të ngarkuara emocionalisht, të cilat depërtojnë me forcë në ndjesitë e lexuesit. Poezia shfaq dramatizim të ndjenjave, ku peizazhet e brendshme të shpirtit reflektohen në imazhe poetike të fuqishme dhe simbolike:

a.Simbolika e mjegullë te vargjet: “Po duart e tua, e dashura ime / M’u ulën mbi flokë si mjegulla” ku mjegulla simbolizon turbullimin e mendjes dhe shpirtit, një gjendje e errët dhe e pakuptueshme. Prekja e duarve, krahasuar me zbritjen e mjegullës, përfaqëson kujtimet dhe mallin e paqartë që mbështjell qenien, duke krijuar një ndjenjë delikate dhe të pashmangshme. Ky imazh është tipik për ekspresionizmin, sepse konkretizon trazimet e brendshme përmes një metafore të fortë dhe dramatike.

b.Simboli i hirit të zjarreve: “Duart e tua paskan mbetur te unë /Si hiri i zjarreve në shpella” këtu shndërrohet në një kujtim të heshtur, një gjurmë të dashurisë së shuar, por ende e pranishme në shpirtin dhe mendimet e heroit lirik. Figura ndërthur dy elemente: zjarrin që ka ekzistuar dikur dhe hiri si dëshmi e një përjetimi të pashlyeshëm. Dramaticiteti i këtij imazhi bart një dhimbje të mbetur pezull, duke i dhënë poezisë një forcë ekspresioniste të jashtëzakonshme.

c.Metaforat për fytyrën si peizazh: “Rrjedhin brigjeve e lugjeve të fytyrës sime / Si shirat e vjeshtës përzënë nga era”,ku fytyra e poetit shndrohet në një terren të ndjenjave të stuhishme. Lotët shfaqen “si shirat e përzënë nga era”, simbolizues të trazimit të brendshëm dhe trishtimit të madh përjetues. Peizazhi shpirtëror shfaqet i lëvizshëm dhe dramatik, duke pasqyruar thellësinë emocionale të ekspresionizmit.

2. Ekzistencializmi: Dialogu me kohën, kujtesën dhe humbjen  shihet në këtë  poezi që eksploron marrëdhënien e njeriut me kohën e kujtesën, duke ngritur pyetje të thella mbi kuptimin e ekzistencës në përballje me humbjen.

a.Simboli i rrënjëve të shkulura te vargjet: “Duart e tua paskan mbetur te unë / Si rrënjët e pemëve të shkulura në dhera” shfaqet si një imazh që prek  thelbësisht filozofinë ekzistenciale: ndërprerjen dhe shkëputjen e një përvoje që, pavarësisht mungesës fizike, mbetet e rrënjosur në thellësitë e shpirtit. Ky simbol përcjell ndjenjën e një humbjeje që nuk mund të harroet plotësisht, por bëhet pjesë përbërëse e qenies.

b.Metafora e ujërave te vargjet: “Po duart e tua, e dashura ime, / Humbasin si ujërat / Hyjnë nën lëkurë dhe bëjnë rrëmujë atje brenda...” realisht shfaq  përjetimin intim të dashurisë dhe ndikimin e saj të përhershëm. Kujtimet rrjedhin nën lëkurë, duke trazuar shpirtin në një mënyrë të ngjashme me rrjedhën e kohës, të pandalshme dhe të pakuptueshme. Kjo metaforë përfaqëson ndërgjegjësimin ekzistencial për pasojat e ndjenjave në qenien njerëzore.

c.Vargu kulmor:“Një jetë të tërë / Pres të dalin prej meje duart e tua/ Të më qetësojnë mua” përmbledh filozofinë e poezisë: përpjekjen e përjetshme për të gjetur qetësi dhe kuptim përmes kujtimeve. Dashuria kthehet në një metaforë ekzistenciale të përballjes me humbjen dhe të kaluarën, duke e lënë heroin lirik në  gjendje pritjeje dhe nostalgjie të pafund.

3. Figurat artistike në këtë poezi u ngjajnë prizmave gjeometrikë shumëfaqësh që përthyejnë e reflektojnë  dritën e diellit në shumëngjyrshmëri. Le ti shohim “prizmat” e figurave artistike tek përthyejnë dritën e ndjenjave dhe reflektimeve filozofike. Simbolet dhe metaforat nuk ekzistojnë të izoluara, por bashkëjetojnë në dialog të vazhdueshëm midis ekspresionizmit dhe ekzistencializmit:

a.Simboli i mjegullës shfaqet si një gjendje shpirtërore e turbullt (ekspresionizëm), por njëkohësisht sugjeron edhe humbjen e orientimit dhe kuptimit në ekzistencën njerëzore (ekzistencializëm).

b.Hiri i zjarreve përfaqëson një dashuri të shuar (ekspresionizëm), por edhe një kujtim të përhershëm që mbijeton përtej kohës (ekzistencializëm).

c.Metafora e ujërave dhe rrënjëve ndërthur brishtësinë emocionale me filozofinë e pashmangshme të humbjes dhe kujtesës që mbetet e ngulitur në shpirt.

Pra, poezia “Ëndërr për duart e tua” e Ilirian Zhupës nuk kufizohet brenda kornizave të një rryme të vetme, por ndërthur mjeshtërisht ekspresionizmin dhe ekzistencializmin. Përmes figurave të pasura dhe imazheve poetike, poeti krijon një vepër emocionale dhe filozofike, ku ndjenja dhe reflektimi bashkëveprojnë në një dialog të pandërprerë. Kjo poezi, në thelb, është një rrëfim i shpirtit që përpiqet të përballojë peshën e kujtesës dhe të gjejë kuptim nëpër mjegullën e ndjenjave të përjetuara. Prandaj, përmes një estetike të lartë dhe një ndërtimi të kujdesshëm poetik, Zhupa na ofron një univers modernist të denjë për vëmendjen dhe admirimin e lexuesit bashkëkohor.

IV- Poezia "Ëndërr për duart e tua" e Ilirian Zhupës është një vepër që mbart në thelb ndjenjën e përbashkët njerëzore të dashurisë. Nëpërmjet një gjuhe poetike të ngjeshur dhe figurash të shumëfishta simbolike, poeti ngre një përvojë personale në dimension universal, duke i dhënë jetë ndjenjave që jetojnë në përjetësinë e shpirtit njerëzor. Ajo që bie në sy që në leximin e parë është aftësia e poezisë për të përqafuar ndjenjat më të përhershme të njeriut: dashurinë, humbjen, kujtesën dhe përpjekjen për të rigjetur veten përmes hijes së një kujtimi.

1.Dashuria, si një ndër temat më të përjetshme të njerëzimit, mbizotëron në këtë poezi jo në trajtën e saj të lumturisë dhe plotësisë, por në mungesën që lë pas, në kujtesën që rëndon si një zjarr i fikur. Vargjet “Duart e tua paskan mbetur te unë / Si hiri i zjarreve në shpella” përçojnë idenë e qartë se gjurmët e dashurisë së humbur nuk treten kurrë plotësisht, por bëhen një pjesë e pandashme e qenies. Poezia, në këtë rast, kap esencën e një përvoje që i përket çdo kohe dhe çdo kulture: dashuria mbetet gjithmonë si kujtim i pashlyeshëm, një shenjë që i mbijeton përkohshmërisë së njeriut.

2.Universaliteti i kësaj poezie qëndron në përdorimin e kujtesës si një mekanizëm që ndërton dhe ruan ekzistencën njerëzore. Në vargjet “Një jetë të tërë, / Pres të dalin prej meje duart e tua, / Të më qetësojnë mua”, poeti rrëfen një pritje të përjetshme, një përpjekje për të gjetur paqen në kujtesë. Kjo përvojë nuk i përket vetëm autorit, por çdo lexuesi që ndalet në përballjen me mungesën, ikjen e të dashurës. Kujtesa shndërrohet në një dimension ekzistencial, ku njeriu kërkon ngushëllim dhe përmbushje përmes diçkaje që nuk mund të rikthehet më. Përmes kësaj, Zhupa ndërton një urë të fuqishme mes përvojës personale dhe përvojës universale.

3.Në këtë poezi, natyra e dyfishtë e ndjenjave njerëzore është e pranishme në çdo varg: butësia dhe dhimbja, prania dhe mungesa, qetësia dhe trazimi. “Si shirat e vjeshtës përzënë nga era”, vargu që ngërthen brenda vetes një imazh lëvizjeje të pandalshme, një humbje të pashmangshme, pasqyron një të vërtetë të përbashkët njerëzore: ndjenjat më të thella shpesh lindin nga përvoja e dhimbshme dhe nga vetë ndërgjegjësimi për përkohshmërinë e jetës, madje mund të kujtojmë se simboli i dashurisë është një zemër e çpuar nga një shigjetë. Poezia nuk është thjesht një përvojë e izoluar e autorit, por një rrugëtim i përbashkët për çdo lexues që ndjen dhe reflekton mbi fatin e tij të përkohshëm.

4.E rëndësishme në këtë poezi është edhe dimensioni filozofik që ajo mbart. Kujtimet për duart që kanë lënë gjurmë “si rrënjët e pemëve të shkulura në dhera” i japin lexuesit ndjesinë e humbjes së rrënjëve, të një lidhjeje që është ndërprerë përfundimisht. Kjo ide, e cila shtrihet përtej kohës dhe vendit, e vë njeriun në qendër të një udhëtimi ekzistencial ku mbetet të përballet me boshllëkun e krijuar nga mungesa. Në këtë pikë, poezia fiton një thellësi universale, sepse çdo njeri në një moment të jetës përballet me këtë zbrazëti: qoftë si mungesë e dashurisë, qoftë si përballje me vetminë e ekzistencës.

5.Ky universalitet nuk është thjesht një karakteristikë stilistike, por thelbi i vetë artit të Zhupës. Poezia e tij nuk ndalet në të veçantën, në përvojën individuale të një personi apo një vendi të caktuar, por arrin të kapë atë çka është e përhershme në shpirtin njerëzor. Ndërthurja e imazheve poetike me simbole të fuqishme si “hiri i zjarrit”, “shirat e vjeshtës” apo “rrënjët e shkulura” i jep lexuesit një ndjenjë universale njohjeje dhe përjetimi. Këto simbole nuk lidhen vetëm me kulturën apo kohën në të cilën autori jeton , por me një përvojë që flet për të gjithë njerëzimin në të gjitha kohrat.

6.Në këtë mënyrë, rëndësia e universalitetit në poezinë e Zhupës qëndron në aftësinë e saj për të krijuar një lidhje të pandashme mes lexuesit dhe poetit, për të bërë që lexuesi të gjejë në vargjet e tij diçka nga vetja, një copë kujtese apo ndjenje që e ka shoqëruar dikur apo gjithmonë. Poezia e tij flet për të përjetshmen që gjendet në të përkohshmen, për dashurinë që qëndron në kujtesë si një hije, për mungesën që shndërrohet në një prani të pashlyeshme. Në këtë përmasë, ajo nuk i përket vetëm autorit, por gjithë atyre që guxojnë të ndjejnë dhe të kujtojnë.

Kjo është fuqia e artit të madh: të shndërrojë individualen në universale, të ngreje përvojën e zakonshme njerëzore në një lartësi ku ajo bëhet e përjetshme. Dhe është pikërisht kjo aftësi që e bën poezinë e Ilirian Zhupës një dëshmi të thellë të shpirtit njerëzor dhe të përjetësisë së artit të vërtetë.

V- Duke lexuar datën  kur është shkruar e botuar së pari kjo poezi shohim i përket realitetit shqiptar në fillimet e trasformimeve demokratike, ndaj dhe mendojmë se poezia i përket botës shqiptare. Ajo nuk shfaq tipin e vuajtjeve të ndonjë “djaloshi Verter” dhe as të dashurën si ndonjë vajzë pasive, pse ajo dhe në mungesë bën “rrëmujë me duart e saj”në mendjen dhe shpirtin e djaloshit. Gjithashtu në jetën shqiptare janë të shumta rastet që vajzat detyroheshin të tërhiqeshin nga dashuria e tyre për shumë arsye dhe ta vuanin të dy partnerët këtë tërheqje, këtë mungesë në dashurinë e njeri tjetrit, pavarësisht se poeti flet vetëm për përjetimet e djaloshit. E parë në këtë aspekt themi se: poezia e Zhupës përbën një lidhje ndërmjet artit shqiptar dhe botës europiane, duke e vendosur Shqipërinë jo vetëm si një hapësirë të kulturës, por si pjesë e një tradite të gjerë letrare, ku poezia, emocionet dhe përjetimet nënkuptojnë diçka më të gjerë se sa vetë kufijtë e shtetit dhe të kombit. Janë të shumtë poetët europianë që kanë shkruar për duart e të dashurave, mdje duke i hymnizuar e hyjnizuar ato si: Charles Baudelaire (Francë) te poezia “Himn bukurisë” ai shkruan: “Duart e tua janë një altar/ku dëshirat e mia luten.”,Janis Ricos (Greqi) te poezia “Nën hijen e duarve të tua”:“Hijet e duarve të tua mbulojnë fytyrën time/si gjethet e një peme të lashtë./Ato fshijnë pluhurin e kohës/dhe më kthejnë në fëmijërinë e dashurisë.”, Paul Éluard (Francë)te  poezia “Duart e dashurisë”:“Duart e tua, si ura të bardha,/lidhin dy brigjet e shpirtit tim./Ato mbajnë në pëllëmbë heshtjen e natës/dhe më çojnë drejt vetvetes.”, Federico García Lorca (Spanjë)te poezia “Kënga e duarve të tua”: “Duart e tua, dy pëllumba të bardhë,/fluturojnë mbi fytyrën time./Ato më prekin sytë,/më pikturojnë qiej të gjelbër/në një mbrëmje plot ëndrra”, Pablo Neruda te poezia "Soneti XVII":“Më pëlqejnë duart e tua,/sepse ato përmbajnë gjithë botën time” por ndryshimi është se këta shkruajnë për duart fizike që i shohin dhe i prekin, ndërkohë që Charles Baudelaire i sheh si të shenjta duart e vajzës. Vetëm Konstandinos Kavafis (Greqi) ka qasje me poetin tonë, kur në poezinë e tij: “Një kujtim” shkruan: “Kam mbetur me duart e tua në kujtesë,/duar që mbanin tërë botën,/kur ti më prekje pa thënë asnjë fjalë./Më shumë se fjala, ato folën për gjithçka”, por të mos harrojmë se Kavafis është nobelist me ndikim të madh në poezinë europiane. Ajo që duam të themi me këtë rast është fakti se poeti Ynë Zhupa është poet i “oborit” europian dhe ne këtë nuk e kemi ditur.

Ja pra, njësoj si te poetët e mëdhenj europianë një nga elementët kryesorë të poezisë së Zhupës është përdorimi i imazheve të cilat janë përfshirë në një natyrë të pasur simbolike dhe abstrakte. Duart, te ai, si pjesë të jetës së përditshme, marrin një kuptim shpirtëror,bëhen shprehje të dashurisë, shenjë e lidhjeve shpirtërore, si dhe pasqyrim i thellësive të ekzistencës njerëzore. Kjo qasje, që e përdor elementin fizik për të treguar shpirtin e njeriut, e lidh poezinë e Zhupës ngushtë me traditën poetike të modernizmit europian, ku poetët (si Rainer Maria Rilke, Paul Éluard, dhe Federico García Lorca) kanë përdorur metafora të ngjashme për të pasqyruar pasionet dhe ndjesitë, por dhe ata e kanë folur për duar fizike.

Veçori e dallueshme në poezinë e Zhupës është dhe përpunimi i detajuar i subjektit të përjetësisë së dashurisë. Ky aspekt është i pranishëm në poezinë e poetëve modernistë të tjerë, ku theksi vihet mbi natyrën efemere të qenies njerëzore dhe lidhjet që krijohen përmes saj. Në mënyrë të ngjashme, Zhupa përdor figura të tilla si duar dhe hijet për të paraqitur proceset që ndodhin brenda shpirtit, duke e bërë kështu poezinë e tij një pasqyrim të gjendjes shpirtërore të individëve të modernitetit, të cilët janë të mbërthyer nga pasiguria dhe kërkesa për thellim në kuptimin e jetës.

Poezia e Zhupës ka një element të thellë të reflektimit mbi kohrat, që është i ngjashëm me teknikat e përdorura nga poetët modernistë si T.S. Eliot, të cilët përcjellin ide të shkatërrimit dhe rinovimit, të kaluarës dhe të tashmes, të njohurës dhe të panjohurës. Në këtë kontekst, Zhupa përdor figura të qasëshme për të ndërthurur realitetin shqiptar dhe atë europian, duke krijuar lëvizje të vazhdueshme mes dy dimensioneve, që i jep poezisë së tij një nuancë të gjallë dhe të vazhdueshme. Ajo që duam të shtojmë është se bota shpirtërore e heroit të Zhupës gjithsesi mbart një shpresë e besim (të mjegulltë) për një rikthim të dashurisë.

Kjo qasje e thellë dhe ndërkulturore e ndihmon Zhupën të ketë një zë të rëndësishëm në letërsinë europiane, duke e bërë atë një poet që shfaq realitetin shqiptar, por që nuk ngurrohet të përqafojë botën më të gjerë të kulturës dhe letërsisë evropiane. Poezia e Zhupes është një lloj "shkrimi universali" që i mundëson lexuesve, pavarësisht se nga vijnë, të lidhin ndjesitë dhe idetë që ai përshkruan me përvojat e tyre vetjake. Ky universalitet, që bazohet mbi thellësinë e emocioneve njerëzore dhe përdorimin e simboleve të pasura, e bën poetin Ilirian Zhupa një figurë që mund të shihet si një "ambasador" i artit shqiptar në Europë, duke e vendosur Shqipërinë në një hapësirë më të gjerë kulturore dhe intelektuale. Ai nuk është thjesht një poet që shprehet në një gjuhë të veçantë, por është një artist që shpërndan mesazhe dhe ndjenja të përbashkëta që arrijnë lexuesit nga të gjitha shtresat kulturore dhe sociale, duke e bërë poezinë e tij një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë letrare europiane. Ai shpie në Europë poezinë shqipe si të barabartë dhe konkuruese me poezinë europiane dhe kjo nuk është pak..

Sarandë, më dhjetor 2024

 

Ilirian Zhupa

ËNDËRR PËR DUART E TUA

 

Nuk përqafohemi më,

S’shikohemi.

Po duart e tua, e dashura ime,

M’u ulën mbi flokë si mjegulla.

 

Duart e tua paskan mbetur te unë,

Si hiri i zjarreve në shpella.

 

Nuk përqafohemi më,

Mallohemi.

Po duart e tua, e dashura ime,

Rrjedhin brigjeve e lugjeve të fytyrës sime,

Si shirat e vjeshtës përzënë nga era.

 

Duart e tua paskan mbetur te unë,

Si rrënjët e pemëve të shkulura në dhera.

 

Nuk përqafohemi më,

Harrohemi.

Po duart e tua, e dashura ime,

Humbasin si ujërat.

Hyjnë nën lëkurë dhe bëjnë rrëmujë atje brenda…

 

Një jetë të tërë,

Pres të dalin prej meje duart e tua,

Të më qetësojnë mua.

 

(Botimi i parë, gazeta "Drita", 14 qershor 1992)

 

 

Saturday, 14 December 2024

 

Fjalë zemre për një poezi.

Nga Timo Mërkuri

Rastësisht lexova një poezi të poetit mirditor Preng Maca me fjalët plot trishtim:

"O jetë që ikën dalëngadalë,

Muzikë…pa fjalë!"

Fillimisht e vlerësova si krijim të një çasti trishtimi a melankolie të poetit dhe i nisa një koment  në mesënxher, siç veeproj gjithmon para publikimit, por Prenga më përgjigjet e më thotë se: Nesër do shtrohet në spital dhe të hënën operohet nga zemra'.

Për dikë që nuk e di çdo të thotë operim në zemër mund të interpretohet psh. si një operim apendisiti, por unë që e kam kaluar këtë situatë e ndjeva trishtimin e madh të poetit, trishtim që ai përpiqet t'a derdhë në formën e vargjeve. Dhe çuditërisht në vargje fine, artistike me një peshë psikologjike që më detyroi ti rikthehesha komentit tim. Por para se të shprehem për atë, dua të them paraprakisht se:

I.Fakti që Preng Maca shkruan një poezi kaq të bukur dhe meditative në prag të një operacioni në zemër tregon një forcë të jashtëzakonshme shpirtërore të tij dhe një pranim të thellë të jetës në gjithë kurbën e saj.  Poezia në vetvete reflekton qetësinë e tij shpirtërore në  momente të vështira dhe aftësinë për ti përqafuar ato me një ndjesi arti dhe estetike. Në vend që të përqendrohet në frikën apo ankthin e situatës së tij, ai zgjedh të krijojë një poezi që flet për jetëgjatësinë e shpirtit dhe përjetimin e ndjenjave të pastra, duke i dhënë kështu lexuesve një dhuratë shpirtërore edhe në momentet e tij më të ndjeshme. Këto lloj vargjesh  shpesh janë testamente të poetëve me shpirt të madh.

II.Poezia e Preng Macës është një krijim i shkurtër, por shumë i pasur artistikisht dhe sidomos psikologjikisht, ai nuk ka patur kohë të zgjatet, ndonëse asnjë zgjatje nuk mund të fliste më shumë se s aka folur e shprehur ai në këtë poezi. Ajo përbëhet nga vetëm dy vargje, çka krijon një formë minimale dhe sugjestive, por unë do të shtoja se pikërsiht kjo thjeshtësi formale është tipike për një stil modernist, ku çdo fjalë ka peshë dhe kuptim të shumëfishtë.

Shikojeni pak poezinë, në atë jeta paraqitet si një proces normal i ecjes, dhe poeti mjeshtërisht e shumëkuptimshmërisht përdorur figurën e muzikës si simbol  vazhdimësie dhe harmonie, ndonëse një muzikë pa fjalë, çka nënkupton një jetë të heshtur pa bujë e zhurmë, një jetë poeti, kërrusur mbi një fletorkë ku shkruan vargje, ndoshta të ngarkuara me melankoli a reflektim. "Muzikë... pa fjalë" është një metaforë që sugjeron një gjendje shpirtërore të thellë, ku ndjesitë dhe emocionet flasin më shumë se fjalët, madje flasin në mungesë të fjalëve. Kjo i jep poezisë një tonalitet meditativ dhe introspektiv.

Ndaluni pak te fjalët: "O jetë që ikën dalngadalë" dhe përjetoni çastin e poetit që me vargje krijon një ndjesi të përkohshmërisë dhe të një ikjeje, duke e vendosur lexuesin, qetësisht përballë një realiteti universal: përkohshmërinë e jetës.

Veçse këtu gabohet miku im, poetët nuk ikin kaq kollaj. Ata kanë shumë vargje për të shkruar dhe nuk mund t'i lenë të shkrihen në eter. Sigurisht që Prenga nuk do rrijë shumë në spital, e shumta një javë dhe ne do t'a ngacmojnë me këto vargje që ai shkroi, por sigurisht duke i fshehur zilinë tonë për finesën artistike të tyre.

Në fakt poezia ngjall një reflektim të qetë, por njëkohësisht të rëndë mbi natyrën e jetës dhe kohës. Ajo shpreh një pranim të heshtur të  ikjes, duke nxjerrë në pah një ndjenjë të brendshme qetësie. Niko Kazanzaqj në çastet e fundit, fjalët e fundit që shkroi ishin: "Nuk kam frikë". Por kemi kohë për atë çast, së paku dhe një a dy dhjetvjeçarë, ndaj le të kthehemi te poezia. Përdorimi i muzikës pa fjalë sugjeron një ndjenjë vetmie  emocionale, që e përjeton çdo i sëmurë, qoftë dhe i rrethuar nga të dashurit e tij. Në këtë vetmi komunikimi verbal është zëvendësuar nga një përjetim i brendshëm dhe personal.

Ndryshe nga një rebelim ndaj ikjes, poezia duket se reflekton një qëndrim të qetë, ku autori, ndoshta, është në paqe me procesin e ikjes së jetës. Ndërsa është e shkurtër, poezia arrin të zgjojë një gamë të gjerë emocionesh dhe mendimesh përmes figurave të thjeshta, por të fuqishme. Ajo është një reflektim mbi kohën, përkohshmërinë dhe ndjenjat e brendshme, duke ndërlidhur artin dhe psikologjinë në një harmoni të heshtur.

III- Këto qenë vlerësim për poezinë, por unë dua të të them vëllazërisht; "Preng, forca dhe frymëzimi yt janë një shembull për të gjithë poetët. Ashtu siç krijon bukuri me fjalët e tua, jemi të sigurt se do të kalosh këtë sfidë me po të njëjtën forcë dhe qetësi shpirtërore. Bijtë e mirditës nuk janë trembur nga jataganët e jo të tremben nga bisturitë. Zemra jote është burim i artit dhe i dashurisë, dhe ne jemi pranë teje, duke të mbështetur me mendimet dhe lutjet tona. Jeta është muzikë, dhe melodia jote do të vazhdojë, për një kohë të gjatë, me një tekst të bukur që do e shkruash vetë ti. Madje do ta këndojmë bashkërisht qoftë me kitarë, çifteli a isopolifoni"

Shërohu shpejt se kemi shumë për të shkruar.

 Sarandë, më 13.12.2024 Ora 24.06.

Wednesday, 4 December 2024

 

LARGËSI TË AFËRTA NE NJË LETËR

 

Nga Timo Mërkuri

Në poezinë e saj "Letër"  Albina Idrizi, duke marrë shkas nga një situatë familjare krijon një vepër poetike  me karakteristika universale dhe vlera artistike të spikatura, ku ndërthuren mjeshtërisht ndjeshmëria personale dhe reflektimi mbi realitetin kolektiv. E shkruar në formën e një letre drejtuar vëllait në në mërgim, në momente të vështira familjare të sëmundjes së nënës dhe  kërkesave të saj të shspeshta dhe insistuese për praninë e të birit, kjo poezi tingëllon si një klithmë, si një kërkesë, si një lutje shpirti që të ndryshojë e të përmirësohet diçka në jetën e familjes dhe të Kosovës. Në thelb, kjo poezi nuk është një rrëfim personal, por një krijim i ngritur mbi bazën e universalitetit. Figura e nënës dhe thirrjet e saj për ribashkim familjar përfaqësojnë përvojën kolektive të shumë familjeve shqiptare në periudhën pas luftës në Kosovë, ku izolimi politik i shtetit të ri dhe pamundësia e qytetarëve të saj për të udhëtuar lirshëm ishin plagë të dhimbëshme. Vargjet mbushur me simbolikë dhe ndjenja të holla, krijojnë një atmosferë që fton lexuesin të reflektojë mbi lidhjet njerëzore,  rolin e sakrificës dhe forcën e dashurisë që sfidon distancën dhe kohën.  Poezia nis me ngrohtësi e dhimshuri motre për vëllanë të cilit i përcjell merakun për nënën plakë të sëmurë:

Nëna nuk është mirë, vëlla

shpeshherë ngre dorën

dhe të fshin ballin

thua se nuk je kaq detra larg.

E ndien edhe ti?

Fjalët janë të thjeshta, dhe imazhi duket si i vizatuar me laps të zi, por gjithsesi ato përcjellin një drithërimi dhe ngashërim të fshehur mes vargjeve që, si në një sekuencë filmike shfaqin lëvizjen e dorës së nënës në jerm nga termperatura e lartë, për të fshirë ballin e të birit, që e sheh si me djersë, a ndoshta thjeshtë për ta përkëdhelur, që i biri më në fund i erdhi nga larg në këto ditë të vështira. I kishte premtuar që do ti vinte sa herë që të kishte nevojë për atë, dhe ja ku i erdhi…i miri i nënës.

I-Poetja  ve në gojën e heroinës një pyetje  të thjeshtë drejtuar vëllait të saj te vargu i pestë: E ndjen dhe ti? (dorën e nënës mbi ballë). Kjo pyetje  është sa ngashëruese aq dhe shumëkuptimëshe që të habit me dendësinë dhe shumëdimensionalitetin e saj dhe të bind se ajo nuk është  vendosur rastësisht apo vetëm estetikisht. Ka një shpirtërim ky varg ku çdo gërmë e fjalë reagon si pjesë shpirti a zemre kur preket.

1.Kjo pyetje krijon lidhje të drejtpërdrejtë dhe emocionale midis heroinës dhe vëllait, por mund të shihet edhe si një lidhje e drejtpërdrejtë me lexuesin apo një entitet tjetër simbolik, si Kosova. Pyetja është e tillë që kërkon konfirmim e përbashkët të ndjenjave , (jo thjeshtë një pohim) duke i dhënë poezisë dimension universal dhe thirrje për solidaritet emocional. Pyetja shërben si mjet introspektiv, ku heroina përpiqet të gjejë një përgjigje që i jep kuptim përjetimeve të tyre dhe si e tillë  ajo reflekton një ndjesi pasigurie dhe dëshirë për të ndarë dhimbjen e mallëngjimin me një tjetër,(vëllain) duke forcuar lidhjen mes figurës dhe botës poetike.

2.Kjo pyetje është në harmoni të plotë me temat e poezisë, si dashuria për nënën dhe vendin dhe fton edhe lexuesit të përfshihen emocionalisht dhe të ndajnë dhimbjen që buron nga mungesa e vëllait, nga sëmundja e nënës dhe  nga vuajtjet e Kosovës. Në këtë mënyrë, pyetja bëhet  pikënisje e një reflektimi mbi lidhjen mes njeriut dhe atdheut.

3. Në aspektin stilistik, pyetja  përmban një efekt të fuqishëm poetik, duke mos kërkuar domosdoshmërisht përgjigje konkrete, por duke nxitur lexuesin të meditojë mbi përjetimet e shprehura në vargje. Pyetja krijon një ndjenjë përbashkësie dhe forcon tonalitetin emocional të poezisë. Në kontekstin e faktit që vëllai është larg, në emigracion, pyetja "E ndjen dhe ti?" shndrohet në thirrje të heshtur për të ndjerë sëbashku peshën e largësisë dhe pasigurisë. E parë në këtë kontekst, ajo nuk i drejtohet vetëm vëllait të heroinës, por shtrihet tek të gjithë ata që përjetojnë të njëjtën dhimbje dhe mall për së largu për familjet e tyre.

4. Në kontekstin historik të Kosovës, pyetja është një kërkesë për ndërgjegjësim kolektiv dhe njohjen në tërësinë e tyre të  dhimbjeve të përbashkëta që burojnë nga humbjet dhe sakrificat e një populli të tërë.

5.Dhe së fundi, përmes kësaj pyetjeje, poezia krijon një urë mes ndjenjave individuale dhe përjetimeve universale, pse ajo fton jo vetëm për reagim emocional, por dhe për një reflektim mbi ndarjen e dhimbjes dhe ruajtjen e lidhjeve shpirtërore në mes të distancave dhe sfidave.

Ajo që mund të shtojmë pas kësaj është fakti i mahnitjes që na shkakton densiteti i ndjenjave dhe finesa artistike e shprehur nga Idrizi, e cila na sugjeron indirekt që ta lexojmë më me vemëndje vijimin e kësaj poezie.

II-Poetja e vazhdon bashkbisedimin me të vëllain nëpërmjet vargjeve "sepse krahë më të gjatë se të nënës / e sy më të thellë se të sajtë / unë kurrë nuk kam pa," ku shfaqet një pamje poetik jo aq i fizikut të nënës (krahë, sy) se sa i dashurisë së saj si forcë universale gjithëpërfshirëse. Sigurisht që krahët dhe sytë janë metafora, përmes së cilave, dashuria e nënës merr përmasa të pakufishme dhe hyjnore, duke u paraqitur si një fuqi që arrin përtej çdo distance fizike apo kufizimi njerëzor, ku:

"Krahë më të gjatë se të nënës"simbolizon përqafimin e saj fizik e shpirtëror dhe gjatësia e tyre nuk përcaktohet me parametra fizik, por reflekton aftësinë e saj shpirtërore për të mbërritur deri te fëmija, pavarësisht distancës ku ndodhet ai, pse realisht dashuria e nënës tejkalon hapësirën e kohën, dhe bëhet burim ngrohtësie e mbrojtjeje, edhe kur distanca duket e pakapërcyeshme.

E parë në këtë aspect edhe  vargu: "Sy më të thellë se të sajtë" përfaqëson mençurinë, ndjeshmërinë dhe aftësinë e nënës për të parë më shumë sesa është e dukshme në natyrë, sepse sytë e nënës shohin përtej pamjes së jashtme, ata depërtojnë në shpirtin e fëmijës , duke “parë” plagët dhe dhimbjet e tij, edhe kur ai vetë nuk i shpreh. Ato janë sy të mbushur me dashuri dhe dhembshuri që vetëm nënat e zotërojë. Pra, në poezi dashuria e nënës nuk shfaqet thjesht si ndjenjë, por ashtu siç është në realaitet , një fuqi e jashtëzakonshme që mbizotëron mbi çdo pengesë dhe tejkalon çdo përvojë njerëzore.

III-Te vargjet: "Të kujtohet si na rrëfente baba / për zemrën e nënës në dorën e djalit / që klith nga dhimbja kur ai rrëzohet?" duhet të ecim ngadalë, pse ato ndërthurin një narrativë të dhimbshme që përqendrohet në sakrificat ekstreme të nënës. Elementi  tregimor i këtyre vargjeve (është ai djali i përrallës ruse, që vrau nënën e tij dhe ecte duke mbajur zemrën e saj në dorë, që tja shpinte urdhëruesit të vrasjes, si dëshmi  besnikërie), shton një dimension të errët dhe universal për mënyrën se si lidhjet njerëzore shpesh testohen në kushtet më ekstreme. Vargjet marrin një kuptim  dyfish të dhimbshëm, nga njëra anë, zemra e nënës që rrihte në dorën e djalit dhe “që klith nga dhimbja kur ai rrëzohet” (dhe e pyet: “mos u vrave bir”?) simbolizon dashurinë e pakushtëzuar të nënës, që vijon edhe pas vdekjes. Nëna klithi se mos u vra sadopak djali (vrasës) i saj, sepse biri është bir pavarësisht se çfarë bën e ku ndodhet. Fakti që kjo zemër i është marrë me dhunë nënës nga vetë djali i saj dëshmon tragjedinë, ku besnikëria ndaj urdhëruesit ofiqar apo detyrimi i imponuar shkatërron lidhjen më të shenjtë njerëzore. Ky akt përçon një thirrje morale dhe një pasqyrë të errët të marrëdhënieve të pushtetit dhe tradhtisë.

Përsëritja "Nëna jonë paska qenë." ka një peshë të veçantë në këtë kontekst, shto faktin që melodikisht tingëllon si refreni i poezisë. Nëna jo vetëm mishëron dashurinë dhe sakrificën, por gjithashtu përfaqëson pafajësinë dhe dhembshurinë. Poetja e ngre figurën e saj si një  simbol i shpirtit njerëzor që duron dhimbjen e shkaktuar nga atadhe për ata që do më shumë.

Nuk e di pse vargjet "Po ajo që mban digën e skamjes / dhe nuk e ndal këngën / të mos e trembë vërshimi / lumturinë e fëmijëve?" më kujtojnë një baladë të Vendeve të Ulta, por dëshmia “Nëna jonë paska qenë” e poetjes më rikthen në Kosovë. Në këtë kontekst, këto vargje reflektojnë jo vetëm qëndresën e nënës ndaj vështirësive, por dhe sakrificën e saj: ajo përpiqet të mbrojë jetën e lumturinë e të gjithë fëmijëve. Kënga e saj, që nuk ndalet pavarësisht sfidave, tingëllon si simbol i dashurisë mëmësore që triumfon ndaj rezikut që kanos fëmijët e saj. Historia e jonë është plot më raste sakrificash të nënave për të shpëtuar jetën e fëmijëve të tyre.

Vargu: "Gjithë nënat që dimë gjithandej/nëna jonë paskan qenë" universalizon dhimbjen dhe sakrificat e nënës, pse të gjitha nënat, qëndrojnë si figura simbolike të dashurisë dhe sakrificës për fëmijët e tyre,  dhe në këtë kuptim, poezia shpreh një thirrje për të reflektuar mbi aktet që shkatërrojnë lidhjet më të shenjta njerëzore.

IV- Një anë tjetër të figurës së nënës shfaqin vargjet: “Kërkon vazhdimisht të mbajmë derën hapur/ (ti e di nuk i ka dashur kurrë dyert e mbyllura)”pse shpalosin një ndërthurje të pasur kuptimesh e simbolesh që kapërcejnë kufijtë e përvojës individuale apo traditës shqiptare të mikpritjes. Në qendër përsëri është figura e nënës, por ajo shndërrohet në simbol universal të hapjes shpirtërore, pritjes dhe lirisë, duke u lidhur me ide të thella filozofike dhe ekzistenciale.

Në nivel të parë, imazhi i derës së hapur përçon pritjen plot merak të nënës për të birin, që mund të vijë në çdo moment, por në kontekst më të gjerë, dera e hapur simbolizon qasje universale ndaj jetës dhe të tjerëve. Dyert e hapura janë shprehje e pranimit, besimit, dashurisë. Ato refuzojnë “mbylljet”,kufizimet e izolimin, duke përfaqësuar një shpirt të lirë dhe të përgatitur për të përballuar botën. Në këtë aspekt, nëna mishëron një urtësi të thellë, si përvojë jete, që refuzon çdo lloj pengese apo kufi që mund të ndërtohet ndërmjet njerëzve.

Nuk të befasojnë vargjet: “Dhe se kujt i hakërrehet-/ lërini të vijnë, lërini të vijnë, të vijnë, / lërini të shkojnë, të shkojnë, të shkojnë, pastaj sërish nga fillimi”pse këtu, hakërrimi si  thirrje e brendshme, tejkalon aktin e thjeshtë të pritjes për një mik apo bir apo të një mbylljeje porte. Thirrja "të vijnë" dhe "të shkojnë" pasqyron një cikël të jetës: ardhjen dhe largimin, dhënien dhe marrjen, bashkimin e ndarjen. Në këtë kuptim, nëna përfaqëson pranimin e këtij cikli si realitet i pashmangshëm dhe universal. Ajo nuk kërkon të ndalë  ardhjet apo largimet, por thërret për një rrjedhë të lirë të lëvizjes, ideve dhe emocioneve. Në kontekstin universal,këto vargje mund të lexohen si reflektim mbi rëndësinë e hapjes , tolerances, pranimin e tjetrit dhe ndërlidhjes globale dhe refuzimi i dyerve të mbyllura shpreh kundërshtimin ndaj izolimit, kufijve fizikë apo shpirtërorë që pengojnë rrjedhën e lirë të njerëzve dhe mendimeve. Kërkesa për të "lënë të vijnë dhe të shkojnë" përçon idenë e lirisë universale, dhe pasqyrojnë një filozofi që pranon ndryshimin si thelbësore për përvojën njerëzore. Dhe të mos harrojmë, ishte koha kur kërkohej nga Kosova që tu lejohej qytetarëve të saj qarkullimi i lirë.

Pra, këto vargje janë përtej kuptimit të tyre personal dhe traditës shqiptare të pritjes së mikut, ato janë një meditim mbi nevojën për hapje dhe shkëmbime në marrëdhëniet njerëzore e ndërshtetërore, dhe në këtë kontekst ato mishërojnë një qasje universale ndaj jetës, ku lidhjet ndërtohen jo mbi kufizime, por mbi liri dhe pranimi. Në këtë mënyrë, dera e hapur shndrohet në një simbol i mundësive dhe takimeve që nuk duhet të ndalen kurrë, duke fituar një botë ku pritja dhe largimi ndodhin në harmoni të plotë. Sigurisht nëna e Albina Idrizit nuk ka mbaruar fakultetin e filozofisë, por ka përvehtësuar filozofinë e jetës dhe me fjalë të thjeshta ua përcjell fëmijëve të saj.

V- Ndërsa jemi në tension shpirtëror për të vijuar leximin, vargjet: "Po tani që erdha në fund, nuk di / të shkruajta për nënën apo për Kosovën." na befasojnë me kulmin emocional e refleksiv që mbartin, sepse sintetizojnë ndjenjat e poetes me ato kolektive, duke i shndërruar ato në simbole universal, duke  pasqyruar dualitetin e ndjesive të poetes, ku figura e nënës dhe ajo e Kosovës shkrijnë kufijtë mes vetes dhe përfaqësojnë një dashuri të pakushtëzuar dhe ndjenjë të thellë  Në këtë varg, dilema mes nënës dhe Kosovës është më shumë një pyetje retorike sesa një dyshim i vërtetë. Nëna dhe Kosova , në mënyrë të ndërthurur, simbolizojnë dy shtylla të qenies së autores: dashurinë për individin më të shtrenjtë në jetën e saj dhe dashurinë për atdheun, i cili përfaqëson rrënjët, kulturën, traditën, identitetin. Në këtë kontekst, figura e nënës bëhet një metaforë e Kosovës, dhe Kosova merr cilësitë e një nëne të dhembshur dhe sakrifikuese. Nuk gabojmë ne shqiptarët që atdheun e quajnë “nënë”, pse ky emër përçon idenë se përkushtimi ndaj nënës dhe ndaj atdheut janë dy forma të së njëjtës dashuri, të cilat nuk mund të ndahen.

Në aspektin poetik, dilema nënvizon marrëdhënien (gjithmon të ndërlikuar) mes individit dhe kolektivitetit. Duke shkruar për nënën, autorja shpreh dhimbjen personale dhe të thellë për një figurë të dashur. Por në të njëjtën kohë, ajo flet edhe për Kosovën, një atdhe që ndodhet në dhembje e mungesë lirie, pikërisht si dhe nëna. Në këtë mënyrë, dhimbja për nënën bëhet zëdhënëse e dhimbjes së një populli të tërë, duke i dhënë poezisë një dimension universal.

Të ve në mendime vargu: "Bëj ç'të bësh, dil nga legjenda" dhe pyet veten: për çfarë legjende e ka fjalëmn poetja, pasi në asnjë varg nuk na ka dhënë  ndonjë element të saj. Ah, po na ka dhënë pritjen e motrës dhe ankthin e nënës, një Doruntinë që pret vëllain, (jo për ta çuar te nëna, por), për të parë nënën. Shkuan shumë vite dhe ai spo vjen. Por me siguri që do vijë: e ku ka vëlla që nuk vrapon te motra kur ajo e kërkon, ku ka bir që nuk rend te nëna kur ajo ka nevojë për atë. Kostandini, vëllai i Doruntinës për shkak të nënës dhe motrës rendi nëpër legjendë me kalin e bërë nga dheu i varrit, por vëllai i Albinës do vijë me linjën ajrore, sepse tani dhe qytetarëve kosovarë ju lejua lëvizja e lirë. Lere hapur portën Albina se do vijë befas e do hyjë me vrull e, së pari do përgjunjet në prehërin e nënës dhe ty do të të marrë në gjoksin e tij. Do tju përzihen lotët faqeve, por ani: lotë gëzimi do jenë.

Kjo frazë mbi daljen nga legjenda mund të shihet dhe në një aspekt tjetër, si një thirrje për veprim, për dalje nga kufijtë e mitizimit dhe përballje me realitetin. Nëna si simbol i Kosovës, dhe Kosova si simbol i nënës, janë thirrje për mos qëndruar në pasivitet apo në idealizim të pajetë, por të ndërmirren hapa konkretë që përqafojnë realitetin dhe ndërtojnë një të ardhme më të mirë. Në këtë formë, poezia tejkalon nostalgjinë e sentimentin, dhe  shndrrohet në një manifest për veprim dhe reflektim. Dhe shikoni thjeshtësinë e të shprehurit: “Bën ç'të bësh dil nga legjenda”, sikur ti thotë: “bën ç'të bësh, kalo nga shitorja e blej ca llokume se do presim miq”, por në fakt duke menduar dimensionin e saj të duket se është Doruntina që së largu  e fton vëllain të vijë ta marrë e ta shpjerrë te nëna, sipas fjalës së dhënë.

V-Poezia e Albina Idrizit "Letër", është thellësisht simbolike, duke përdorur figurën e nënës dhe atdheut një narrativë që shkon përtejë ndjenjave personale, drejt një universi më të gjerë e kompleks të përvojave. Simbolizmi  pasqyron lidhjen e pazgjidhëshme mes dashurisë familjare dhe asaj për vendin, duke i ngritur këto ndjenja në nivelin më të lartë shpirtëror e filozofik.

1.Në këtë poezi, nënës i atribuohen cilësi të shenjta dhe të patjetërsueshme, duke u shndërruar në simbol të atdheut dhe të një historie të dhimbshme. Figura më e bukur dhe më e fuqishme simbolike është ajo e nënës, në rolin e një mbrojtëseje të dashur, të qëndrueshme dhe të përkushtuar, e cila përpiqet t’i ruajë fëmijët nga vështirësitë dhe padrejtësitë e botës. Ky simbol është i lidhur ngushtë me përvojën e Kosovës, ku populli ka kaluar përmes periudhave të mundimshme dhe të vështira.

Në këtë kontekst, nënës, si figurë e dashurisë dhe e sakrificës, i atribuohet fuqia për të mbajtur “digën e skamjes” dhe për të ruajtur “lumturinë e fëmijëve”, e cila mund të shihet si një paralelizëm me popullin që përpiqet të mbijetojë dhe të ruajë dinjitetin e tij në kushte të vështira.

“Zemra e nënës” është simboli i sakrificës, por edhe i vazhdimësisë e  mbijetesës. Vargu me zemrën e nënës përfaqëson sakrificën e tipit legjendë që bën nëna, duke mos kundërshtuar, mallëkuar apo penguar birin e saj të kryejë aktin më të pashëmbullt criminal (vrasjen e nënës) vetëm që ai të jetontë.

3.Një tjetër simbol në poezi është ai i derës. Deri tani, simbolizmi i derës ka pasur dy kuptime: një lidhur me mikpritjen tradicionale shqiptare dhe një më të thellë dhe më universalisht human. Vargjet "Kërkon vazhdimisht të mbajmë derën hapur" dhe "lërini të vijnë, të vijnë, të vijnë, / lërini të shkojnë, të shkojnë, të shkojnë" tregojnë për një kërkesë të pafund për hapjen dhe mirëseardhjen e të gjithëve, si simbol i shpresës dhe solidaritetit të njerëzve, pa dallime. Ky simbol thotë që dashuria dhe mikpritja duhet të jenë të pranishme në çdo familje, si mundësi për shërimin e plagëve  apo dhe hapësirë për unitet dhe pajtim.

4.Në një nivel më të gjerë dhe më universal, simbolizmi i kësaj poezia mund të kuptohet si thirrje për reflektim të thellë mbi identitetin, sakrificat, dhe luftën për liri, të cilat janë pjesë e çdo kombi dhe çdo individi që ka përjetuar padrejtësinë dhe mungesën e lirisë. Nënës dhe Kosovës u janë dhënë dimensione të tilla saqë ato shndrohen të përjetshme dhe të pashlyeshme. Ky simbolizëm i bën këto figura të tingëllojnë si tema universale, të cilat mund të përjetohen nga kushdo që ka përjetuar dhembje dhe mundim në një nivel të ngjashëm. Pra, poezia e Albina Idrizit është e mbushur me simbole, të cilat shtrihen nga aspektet personale të poetes deri në ato universale të dashurisë, sakrificës e shpëtimit.

VI- Poezia "Letër" e Albina Idrizit ka disa elemente që shfaqen si tipare postmodernizmi, duke nisur nga shkrimi i saj, që thyen ndarjen mes traditës dhe inovacionit, dhe gjer te përdorimi i formës dhe strukturës në mënyrë të papritur dhe të hapur për interpretime. Ja disa nga aspektet postmoderniste që mund të evidentohen në këtë poezi:

1. Postmodernizmi e trajton individin si të lidhur ngushtë me grupin dhe historinë e tij, por pa arritur një kuptim të plotë dhe të njëtrajtshëm. Poezia e Idrizit ka këtë tipar në mënyrën se si ndërthur lidhjen personale me Kosovën dhe historinë e saj. Vargjet që shprehin pasionin për nënën dhe atdhenë, si dhe përpjekjet për të artikuluar një dashuri sa personale aq dhe kolektive, janë një reflektim i postmodernizmit, që refuzon çdo ide të një kuptimi të plotë dhe të njëtrajtshëm të historisë dhe identitetit.

2. Postmodernizmi shpesh luan me historinë dhe përdorimin e saj, duke e transformuar atë në një tekst të vazhdueshëm, gjithmonë në ndryshim dhe i pasigurt. Vargu "Po e mbaroj këtu vëllaçkoja im, / po tani që erdha në fund, / nuk di / të shkruajta për nënën / apo për Kosovën" është një pasqyrë e këtij disavantazhi historik: poetja nuk e shpjegon qartë nëse flet për një temë ose një tjetër, sepse ato janë të lidhura pazgjidhshmërisht dhe nuk mund të shfaqen të ndara. Kjo poezi ka elemente të postmodernizmit, pasi ai krijon një ndjesi pasiguri dhe interpretimi të kuptimeve pa fund, tipar ky i njohur i postmodernizmit.

3. Në shumë poezi postmoderne, është e zakonshme që forma të shkruhet në mënyrë të lirë dhe pa ndjekur rregulla tradicionale të ritmit dhe vargjeve. "Letër" është një poezi që nuk u përmbahet rregullave klasike të vargut, por ka një rrjedhë të lirë, dhe të pasigurt, që shpesh është karakteristike e postmodernizmit. Forma e poezisë shfaqet si një bisedë e natyrshme me veten, me vëllain, dhe me lexuesin, formë që sfidon idenë e një strukture të përcaktuar dhe të qartë.

4. Postmodernizmi është i njohur për shumëkuptimësinë dhe fragmentimin e kuptimit, që janë pasqyra të realitetit të pasigurt e të shumëanshëm. Vargjet e poezisë "Po e mbaroj këtu vëllaçkoja im, / po tani që erdha në fund, / nuk di / të shkruajta për nënën / apo për Kosovën" janë një shembull i kësaj: autorja e vë veten në një pozicion ku nuk mund të ndahet ajo që është personale (dashuria për nënën) nga ajo që është kolektive (Kosova si atdhe dhe simbol). Ky fragmentim dhe mospërputhje e kuptimit është një element tipik postmodernist, ku nuk ka një kuptim të qartë dhe të njëanshëm.

Si përfundim mund të themi se poezia “Letër”e Albina Idrizit dallon për ndjeshmërinë dhe thellësinë e saj, duke arritur të krijojë një ekuilibër të rrallë mes ndjenjës personale dhe universalitetit. Me një gjuhë të thjeshtë por të ngarkuar me simbolikë, ajo depërton në shtresat më të thella të përvojave njerëzore, duke përfaqësuar dhimbjen, dashurinë dhe shpresën me një forcë artistike që mbetet në kujtesë, madje forma e saj si një letër dërguar vëllait për të ardhur të shohë nënën I bëhet tepër familjare lexuesit. Poetja  krijon një botë poetike të pasur, ku imazhet dhe emocionet flasin njëkohësisht për intimitetin familjar dhe identitetin kolektiv të një populli. Aftësia për të ndërthurur dimensionet personale dhe historike, duke ruajtur një ton delikat dhe reflektiv, e vendos këtë poezi ndër krijimet më të arrira të poezisë bashkëkohore shqiptare. Kjo është një poezi që jo vetëm prek, por edhe frymëzon, duke ftuar lexuesin të reflektojë në nivele të ndryshme të përjetimit njerëzor.

Sarandë, më nëntor 2024

 

Albina Idrizi

Letër

Nëna nuk është mirë, vëlla

shpeshherë ngre dorën

dhe të fshin ballin

thua se nuk je kaq detra larg.

E ndien edhe ti?

Sepse, krahë më të gjatë se të nënës

e sy më të thellë se të sajtë

unë kurrë nuk kam pa.

Të kujtohet si na rrëfente baba

për zemrën e nënës në dorën e djalit

që klith nga dhimbja

kur ai rrëzohet?,

nëna e jonë paska qenë.

Po ajo që mban digën e skamjes

dhe nuk e ndal këngën

të mos e trembë vërshimi

lumturinë e fëmijëve?,

nëna e jonë paska qenë.

Gjithë nënat që dijmë, gjithandej

nëna e jonë paskan qenë.

Nganjëherë i vë gishtin gulçeve,

të mos na dëgjojnë lulet, thotë

dhe çuditem nga i ka mësuar

metaforat e poezisë sime.

Kërkon vazhdimisht të mbajmë

derën hapur,

(ti e di, nuk i ka dashur kurrë dyert e mbyllura),

dhe se kujt i hakërrehet -

lërini të vijnë, të vijnë, të vijnë....

lërini të shkojnë, të shkojnë, të shkojnë...

pastaj sërish nga fillimi.

Po e mbaroj këtu, vëllaçkoja im,

por tani që erdha në fund,

nuk di

të shkruajta për nënën

apo për Kosovën.

P.s.

Bëj ç'të bësh, dil nga legjenda