Monday, 18 August 2014

Tjetërsimi i thelbit të një problemi.



Tjetërsimi i thelbit të një problemi.

Nga Timo Mërkuri

Ka ca kohë që në shtyp është rindezur debati  “polifoni apo iso-polifoni”, origjina e saj nga vajtimi dhe roli i një akademiku në shpalljen e kësaj kënge si kryevepër e njerëzimit, marrë në mbrojtje nga UNESCO. Debati mori një shtrat më të gjërë nga botimi i librit  “Tjetërsimi i polifonisë shqiptare” i   studiuesit Fitim Çaushi, i cili në mënyrë kategorike kundërshton emërtimin iso-polifoni, origjinën e këngës nga  “gjëma”, “e qara me botë”, ndërsa pranon origjinën e saj nga vajtimi dhe  ritet mortore, si dhe anatemon në 140 faqet e librit  akademikun  prof. Vaso Tole  si “ prurës i të keqes” në folkloristikën shqiptare.
Duke qënë se mendimin e mësipërm për   këngën tonë popullore e mbajnë edhe shumë  persona të tjerë, emrat e të cilëve i përmënd në faqet e librit të mësipërm edhe autori, duke qënë se disa herë kam çfaqur mendimin tim në mbrojtje të  emërtimit  iso-polifoni të kësaj kënge, në lidhje me origjinën e saj nga vajtimi dhe ritet mortore, duke vlerësuar si faktor dytësor emrin dhe rolin e akademikut të nderuar prof. Vaso Tole në njohjen e këngës sonë si kryevepër e njerëzimit dhe marjen e saj në mbrojtje nga UNESCO, e quaj më se normale që në debatin e lindur të ndaj me debatuesit mendimin tim, duke i ftuar  me mirësjellje në mirëkuptim. Kjo edhe për faktin se në  anën e mbështetësve të tezave  të pasqyryuara në librin e z Fitim Çaushi bëjnë pjesë edhe personalitete të artit dhe kulturës sonë, të cilët gëzojnë respektin tim.
Dhe mendimin tim do ta përqëndroj pikërisht në  tre probleme dhe konkretisht:
1-Çfarë është kënga jonë popullore( shumëzërëshi), këngë polifonike apo iso-polifonike, për të mbritur më pas te emërtimi i saj si këngë polifonike apo iso-polifonike.. Mendoj se kështu duhet të shtrohet problemi dhe jo të përqëndrohet debate …pse e quajti iso-polifonike prof. Vaso Tole.
Për të aritur në një konkluzion të drejtë le ti referohemi historisë të emrit.
               a-Nëpër shekuj, të parët tanë e kanë quajtur këngën popullore shumëzërëshe me emërtimin popullor…të kënduar vën(d)çe..në kuptimin e këngës së vendit. Deri në ditët tona mund të dëgjosh nëpër fshatra të thella të labërisë shprehjet …hajt tja marrim një vënçe, dhe pas kësaj shprehjen kuptimplote…mbamani djemoo, duke nënkuptuar  mbajtjen e isos nga të pranishmit. Pleqtë e moçëm  të këtyre fshatrave nuk e kanë njohur dhe as e kanë përdorur  emërtimin “polifoni”, por fjalën “iso” e kishin  në majë të buzëve.
                 b-Emërtimi “polifoni” nuk është një emërtim popullor por ështe një emërtim  i vendosur nga intelektualët dhe studiuesit e huaj dhe  shqiptarë rreth viteve 40-50. Mund të gabohem në datën, por sidoqoftë ky emërtim është shumë i ri përballë moshës së këngës sonë popullore. Kënga jonë popullore ka jetuar shekuj me emrin e saj “kënga vën(d)çe” dhe vetëm 70-80 vjet me emrin e pagëzuar “polifoni”.. Pranimi masiv i këtij emri në kohën e “pagëzimit” ka disa arsye, ndër të cilat mund të përmëndim respektin që gëzonin intelektualët në popull, mbështetja institucionale e shtetit monist me organizimin efestivaleve lokale e kombëtare, fakti që ky emër kishte një përdorim ndërkombëtar, fakti që ishte një emër kuptimplote dhe “elegant” për tipin e këngës sonë popullore etj etj. Por ama ky emërtim nuk e zhduku emërtimin popullor…vën(d)çe… dhe ca më pak të kishte ndonjë ndikim te emri “iso”..
                c-Por nuk duhet të harojmë se fjala “polifoni” është një fjalë e huaj dhe kuptimi i saj nuk kufizohet vetëm te kënga  jonë popullore, por ka një shtrirje e përdorim më të gjërë. Fjala “poli-foni” do të thotë  …shumë-zëra duke nënkuptuar  zëra njerëzish  apo zëra muzikore. Pikërisht këtu lind edhe problemi i këtij emërtimi.

       -Duke qënë një emër i huaj, nuk i ri komod si emër këngës sonë popullore, pavarësisht se përkthimi në shqip i saj mbush gjithë konturet e emërtimit në shqip të tipit të këngës sonë popullore, si këngë shumëzërëshe.
       -Me këngë shumëzërëshe, polifonike, janë edhe disa tipe këngësh që s’kanë asgjë të përbashkët me këngën tonë popullore, veç faktit që këndohen nga shumë zëra njerëzore dhe muzikore si ..hymnet, marshet etj..
  Pra, “polifonia”, në kuptimin e shumë zërave të këngës apo të të kënduarit, nuk është karakteristikë vetëm e këngës  popullore. Këtë karakteristikë e paskan edhe  këngët- marsh apo këngët- hymn.
       -Dhe duhet të pranojmë se këtë karakteristikë e kanë këngët-marsh apo këngët-hymn edhe të popujve të tjerë. Mjafton të dëgjoni hymnet kombëtare të shteteve të tjera për tu bindur për këtë fakt.
      -Duke ndjekur  emissionet televizive të tipit “Vende dhe popuj” na ka rastisur të shohim   pjestarëve të  fiseve zezake, të këndojnë së bashku  në gjuhën e tyre, duke vallzuar në formë rrethore.. Kënga e tyre është shumëzërëshe, në kuptimin se këndohej nga shumë  zëra njerëzish me shumë zëra muzikore, pra ajo ishte një këngë “poli-fonike”.
-Edhe fshatarët e rrethinave të Ulan Batorit në këtë formë “polifonike” këndojnë.
     -Në qoftë se do ndjekim grupet folklorike të vendeve të ballkanit, do të konstatojmë edhe te këto grupe praninë e “poli-fonisë”, pra të kënduarit në grup, me shumë zëra  muzikorë.
     -Të sqarojmë  se, në të gjithë shëmbujt e mësipërm të këngëve “polifonike” të popujve të ndryshëm, dallohen nga kënga jonë popullore edhe nga fakti se tek shumëzërëshi nuk funksion sit e kënga jonë popullore , në   rolin e  marësit, hedhësit, pritësit e prerësit, por edhe tek ato këngë janë funksionalë rolet e shumëzërave muzikorë, të ndryshëm nga roli dhe funksionet e zërave të këngës sonë. Por ama, ato zëra egzistojnë dhe janë funksionalë në këngët e atyre popujve. Pra ato këngë janë …poli-fonike
     -Në qoftë se do  mbeteshim detyrimisht te emërtimi “polifoni” për këngën shqiptare, atëherë do ishim të detyruar të shtonim cilësorin kombëtar “shqiptare”, duke e quajtur “polifoni shqiptare”. Jemi plotësisht dakort të quhet edhe kështu, por duhet të jemi të ndërgjegjshëm se problemi vijon të mbetët. Cila është e veçanta e këngës sonë “polifonike shqiptare”, ajo që dëshmon lashtësinë e kësaj kënge, ai “diamant” që i shton  vlerën kurorës mbretërore të këngës sonë popullore dhe që ka detyruar  popuj, kombe, personalitete të kohësve të kthejnë kokën nga ajo. Ajo që së fundi tërhoqi vëmëndjen e UNESCO, e cila zgjati dorën e saj për ta marë në mbrojtje  këngën.
Nuk ma mer mëndja se ndonjeri do thotë që … kjo e veçantë…është marësi, hedhësi, pritësi apo zëri brilant i këngëtarëve të grupit. Bota ka këngëtarë me zë më kumbues e melodioz se këngëtarët e grupeve tona popullore, por ja që kënga jonë popullore u muar në mbrojtje nga UNESCO. Dhe jo rastësisht.
          ç-  Tek  këngët e popujve të tjerë mungon ajo që është e “veçanta shqiptare”, elementi bazë dhe i pazvëndësueshëm dhe  i gjithmon ndodhur në këngët tona popullore, iso-ja.
       -Karakteristika e këngës sonë popullore është “iso-ja” e papërsëritëshme dhe e patjetërsueshme, ai rënkim popullor i ardhur nga vajtimi, që në hershmëri quhej “yso” dhe që është pikërisht “qielli” ku fluturon zogu i këngës,  deti ku ecën ania e këngës sonë.

      -Është më i plotë emërtimi ‘’Këngë me iso’’ose ‘’Këngë iso-polifonike’’ sesa ‘’këngë polifonike’’.Po ç’farë është në vetvete kjo “iso” e famëshme.
      Iso-ja në vetvete është si shtrati ku shkon lumi, herë  i ngushtë e herë i gjërë, herë i pjerët e herë i sheshtë. Iso-ja është e pranishme vetëm te këto lloj këngësh (iso-polifonike) dhe nuk tjetërsohet kurrsesi. As nuk mund të hiqet.
     -Iso-ja është pashaporta  e identitetit kombëtar të këngës sonë popullore. Ajo është vetë shpirti i këngës, prandaj ajo asnjëherë nuk i ndahet këngës popullore. Të mendosh një këngë popullore pa iso, është si të  mendosh një trup të gjallë pa shpirt.
    -Nuk ka këngë pa iso  në asnjë rast, ndërsa ka iso pa këngë.
     Psh logatja, më shumë se tekst, është një iso rrënkuese, pas së cilës fluturojnë si  trumba zogjsh rrokjet e fjalëve, gati të padukëshme e të pakuptueshme.
      -Shpesh herë kur kemi një grup të mirë mbajtësisht të isos, hedhesish  dhe pritësish, roli i marësist  bëhet vetiu sekondar, i dorës së dytë, aqë sa  ai e shpreh vargun në mënyrë recitative e jo duke e kënduar.. Ama një gjë e tillë nuk ndodh te mbajtësit e isos. Kurfarë recitativi nuk ka në mbajtjen e isos. Përkundrazi, marësi dhe zërat e tjerë bëhën sy e veshë për të mbajtur sa më mirë  e për të  shijuar ison.
   -Dikur jam përpjekur të  argumentoj  se edhe kënga e famëshme e Tanës, nuk është gjë tjetër veçse …një tekst i mëvonshëm, hedhur si mantel mbi trupin e një iso-je vajtimtare, të  mëherëshme. Madje, kjo iso ka qënë shumë e herëshmë, ende  pa u shkëputur nga vajtimi.
    -Iso-ja është më e vjetër se  kënga. Ajo është fara, nga e cila mbiu lisi i këngës.
 Duke i hequr emërtimit të këngës fjalën “iso” është si ti  presësh lisit rrënjët.
  Dhe unë ju them se lisit po i preve rrënjët, ai nuk është më lis, por brenda një vere quhet ...dru zjarri…
      -Iso-ja dëshmon vjetërsinë (lashtësinë) karakteristike të këngës sonë popullore dhe indirekt  edhe stërlashtësinë e kombit tonë. Duke e mënjanuar këtë element, biem padashur në tezën  se….kënga jonë popullore është “e re” në moshë dhe për pasojë, mund të mos jetë e jona, por …shqiptarët “hajdutë”, kur kanë ardhur në këto troje, do e kenë vjedhur edhe këngën  nga popujt e tjerë, ashtu siç kanë të “vjedhur” edhe Heroin Kombëtar, madje dhe flamurin.
      -Duke e mënjanuar iso-n, çfarë  gjëje shqiptare i mbetet këngës sonë popullore në emërtim? Duke dëgjuar  emërtimin “polifonike”, natyrshëm hamëndëson një lidhje llogjike me diçka greke. Por asgjë jo shqiptare nuk të ndjell emri  shqiptar i stërlashtë “iso”. Përkundrazi, hamendëson për diçka të stërlashtë shqiptare, pellazgjike. Akuza që i bëhet Vaso Toles si progrek sepse e ka quajtur këngën tonë popullore me emrin shqiptar “iso”, unë e quaj një lapsus dhe i ftoj autorët në një korigjim teksti. Të flasësh e të shkruash shqip, të emërtosh shqip vlerat e kombit tënd, të evidentosh  në nivele botrore vlerat shpirtërore të kombit tënd dhe tu “imponosh” institucioneve botërore njohjen e këtyre vlerave të kombit shqiptar, të emërtuara me emër shqiptar, kjo do të thotë që të jesh një shqiptar i madh.
      -Iso-ja është vetëm shqiptare dhe asnjë  komb tjetër nuk e këndon dot si ne.
 Janë bërë përpjekje nga këngëtarë të vendeve fqinje për të krijuar grupe folklorike të vendeve të tyre, për të kënduar këngët tona iso-polifonike. Kanë marrë  nëpër ato grupe edhe  këngëtarë emigrantë nga  vendi ynë, i kanë përkthyer mjeshtërisht tekstet e këngëve në gjuhën e tyre, por kanë dështuar pikërisht te “përkthimi” i iso-s dhe te  të kënduarit të iso-s.
         -Iso-ja  shpesh herë  ka  një funksion më të gjërë edhe në vetë familjen e këngëve “iso-polifonike”. Psh, “iso-ja” e këngës himarjote, shpesh herë luan edhe rolin e refrenit (veç rolit të saj). Kjo duket më së miri të kënga “Vajzë’ e valeve”,”Kush është lule vilajeti”,”Nëntëqint e dhjetë viti” etj, këngë të cilat nuk kanë vargje  që të kryejnë rolin e  refrenit. Këtë rol e kryen vetë iso-ja, duke dëshmuar në këtë mënyrë edhe vjetërsinë e saj dhe të këngës sonë popullore.
        -Iso nuk është e kushtëzuar nga marrësi. Marësi  është sinjali i nisjes së…anies nga porti, por iso-ja është deti nëpër të cilin lundron flota e këngës. Ania mund të nisë lundrimin edhe …jashtë portit, por gjithsesi nëpër det do të lundrojë.
            -Po të shohim këngët e vjetra himarjote, marësi vetëm sa këndonte ( ose recitonte) gjysëm vargu, e shumta një varg të tërë. Gjithçka e mbulonte  iso-ja, nëpër të cilën ecnin marësi dhe pritësi, hedhësi e prerësi.  Vajz e valëve….këndon marësi dhe vetëm kaq. Këtu mbaron “mbretërimi” i tij. Më tejë,  kudo është mbretëria e iso-s. Dhe bukuria e këngës nuk është te teksti, as te zëri brilant i marësit. Bukuria e këngës është te iso-ja.
          Ne që jemi ritur me këto këngë ju  themi se tekstet e tyre edhe i harojmë, por asnjëherë iso-n e këngëve himarjote.
          Është iso-ja ajo që i  ka bashkuar bashkë në një grup marësin e hedhësin, pritësin e prerësin dhe nuk ka ndodhur e kundërta.
        -Atëherë pyesim: në qoftë se këngës sonë  i heqim “iso-n”, ç’farë mbetet nga kënga popullore shqiptare. Nuk është teksti apo “polifonia” (shumëzërrëshi) magjia dhe pavdekshmëria e këngës sonë popullore, por është pikërisht ajo, me e lashta, më e pavdekëshmia, nëna e këngës, “iso-ja”. “Iso-ja” është lumi i lotëve që buroi nga sytë e nënave dhe krijoi detin e këngës.
          -Prandaj kënga jonë popullore (shumëzërëshe) është në radhë të parë këngë me iso, sepse është këngë  thjeshtë dhe vetëm shqiptare, sepse është këngë e lashtë shqiptare, sepse ka lindur vetëm nga ritet mortore të vajtimit, duke patur si fillesë iso-n, sepse nuk është prodhim i shkollave apo laboratorëve intelektualë, sepse ajo iso-ja, i mblodhi bashkë të gjithë  zërat e tjerë të këngës, ashtu si nëna që mbledh në prehërin e saj fëmijët. Kënga jonë popullore është së pari këngë me iso dhe pastaj është polifonike.
            -Prandaj  dhe  kënga jonë popullore detyrimisht duhet të ketë në emërtimin e saj, emrin  dhe karakteristikën e origjinës.  Atë të “iso-s”.


Friday, 15 August 2014

"Madheria e saj: Kenga iso-polifonike"



“Madhëria e saj: kënga iso-polifonike”

“Asnjë atdhe nuk mund të
ekzistojë pa poezinë e popullit.
Poezia nuk është asgjë më tepër
se   kristali në të cilin mund të
pasqyrojë  veten një komb, ajo
është   burimi që nxjer në
sipërfaqe  origjinalitetin e vërtetë
në shpirtin e   popullit”
J.Lunqvist Gelser.

Nga Fitim Çaushi

Sentenca e Fredeik Shlegelit se “sa më të vjetra e më të pastra të jenë  rrënjët, aq më të pastra janë  doket e zakonet e tij dhe sa më të vjetra  zakonet  e doket, aq më të mëdha janë rrënjët në to, aq më i madh është kombi”, duket se e ka nxitur  poetin Timo Mërkuri të meret me traditën  kulturore  të popullit,  tradita të cilat shtrirë  në një hapërsirë gjeografike  mbarëbotërore, janë quajtur  thesare të krejt qytetërimit njerëzor.
Pas hulumtimit  të suksesshëm shumvjeçar nëpër nektarin e shpirtit popullor,  në fshatin e lindjes,    botuar në tre vëllime të veçanta, Timo Mërkuri  si për të na bindur se ka mbetur një cop stëralli i vëndlindjes së tij boton librin “Madhëria e saj Kënga – isopolifonike” . Nëpër faqet e librit  ndjehet se autori është i rrobëruar  prej këngës polifonike  dhe në shënjë nderimi të thellë për të dhe ata krijues  popullorë, që i shpëtuan anonimatit, ai ngre për ta një përmendore artistike.
Nisur nga dukuri, ngjarje reale e gojdhana, autori thekson solemintetin e këngës popullore, autoritetin e madh që ka patur ajo në jetën e shqiptarit si mjeti magjik, që ka vendosur ekuilibrin shpirtëror të shqiptarit nëpër historinë e tij të ngarkuar me tension, sakrificë dhe qëndresë. Ky solemitet i kthyer në traditë shumëshekullore, e ka origjinën e vet në rrugëtimin historik  të vet këngës, fjala poetike e së cilës me kohë mori një rol magjik, sepse poezia orale ka një substancë të vetën, e cila përbën origjinalitetin  historik të popullit  sikundër e ka gatuar shpirti estetik i tij.
Një mirënjohje të thellë autori ndjen për bartësit e kësaj kënge, veçanërisht për bilbilin e këngës himarjote Neço Mukën, i cili jo vetëm  ka meritën, së  bashku me Xhevat Avdalloin, të na  lerë të regjistruara të parat  këngë polifonike, por falë talentit të tij edhe evoluimin e mëtejshëm artistik të zërit të tretë,  hedhësit, në strukturën muzikore të polifonisë.
Këngët zakonore që krijohen dhe interpretohen  brënda familjes, të quajtura edhe biblioteka e oralitetit, në letërsinë gojore shqiptare kanë qënë jo vetëm të shumta, por edhe plot figuracion artistik. Ndonse jo i kësaj fushe, autori guxon të hedhë teza  dhe të parashtrojë ide e koncepte të panjohura  më parë në literaturën folkloristike, sikundër janë  formimi i elementeve strukturorë  të shumzërëshit polifonik, pikërisht nga këto këngë, pra nga ceremoniali i këngëve mortore, si njëri nga ritet më të lashta të njerëzimit.
Autori  pohon  se  kjo srukturë  është rezultatante e atyre fenomeneve muzikore  dyzërëshe, të lindura qysh në periudhat e herëshme të heterofonisë duke vepruar në kristalizimin e zërit të tretë, -hedhësit-individualiteti i të cilit çfaqet pikërisht me tërë madhaqshtine e tij në këngën himarjote. Ai duket se është i sigurt në tezën e tij, duke  e thelluar abstragimin   edhe për vallen e burrave  si produkt i po këtij ceremoniali mortor. Përqasja që i bën autori këtij procesi disa shekullor edhe me  rite e doke nga pjesa veriore e vëndit, është jo vetëm shkallë serjoziteti i kësaj eseje, por dhe një element i unitetit shpirtëror  dhe etnokulturor mbarëkombëtar. Duke u çliruar nga refrenet dhe elementet e tjera elegjiakë, sikundër kanë theksuar studjues të ndryshëm, këngët e vajtimit janë kthyer në këngë elegjiake, e mandej në këngë të epikës historike. Ndonse wshtw e pabesueshme por nga kjo magmë artistike kanë dale edhe  këngë dasme dhe këngë lirike, për vet funksionin e tyre artistik.
Një meritë tjetër e veçantë,  e autorit të librit, Timo Mërkurit,  është se për herë të parë  ai na bën të njohur  rapsodin e këngëve për Kryetarin e parë të Qeverisë Shqiptare, Plakun e Vlorës Ismail Qemalin. Duke e përshëndetur këtë hulumtim serjoz, çka do të ishte një zbulim edhe për etnofolkloristikën shqiptare, ne shprehim rezervën se jo të gjitha këngët e prezantuara prej aurotit janë të rapsodit Kostë Gërdhuqi nga Piluri. Mundet që ndonjë prej tyre të jetë prej rapsodëve të tjerë që kanë mbetur anonim. Gjithsesi  ky pretendim i autorit ka nevojë për hulumtime më të thelluara duke përdorur metodën krahasuese me fondin e këngëve të kënduara edhe nga fshatra të tjera.
Ështe jo vetëm e diskutueshme, por edhe e dyshimtë autorësia e këngës “Shqipe katër Vilajete”,  pasi kënga i përket periudhës së Lidhjes së Prizerenit të vitit 1878, kur shtetet fqinje, pas traktatit të Shën Stefanit, u bindën se e ”sëmura e Bosforit”, perandoria otomane, kishte marrë tatëpjetën dhe u vërsulën pranë fuqive të mëdha për ta coptuar Shqipërinë. Në këtë kohë nuk kishte linduar akoma  rapsodi në fjalë. Nuk mjafton vetëm pathosi patriotik, por duhen hulumtime serjoze, pasi qarkullimi i dëndur folklorik që ka patur kjo kategori këngësh, pikërisht për përmasat kombëtare të tyre, ato kane fituar me kohë  anonimatin  dhe është shumë e vështirë t’u gjendet autorësia.
Mendojmë se mbetet e diskutueshme  edhe teza tjetër e autorit për gjenezën e valleve lirike dhe humoristike   prej valles së rëndë të burrave. Ne mendojmë se edhe këto valle e kanë origjinën e tyre po prej asaj magme artistike, sikundër ishte ceremoniali i vajtimit, brënda të cilit poetika popullore dhe shpirti estetik i këtij populli,  krijonte  një larmi të pafundme formash dhe brendish artistike me lëvizje arkaike. Theksojmë se këtë tezë mund ta vërtetojnë  shkencërisht vetëm etnokoreologët dhe etnomuzikologët. Por me tezat e tij autori e bën edhe më interesat librin, e bën atë tërheqës dhe një objekt ku nxitet debati shkencor.
Preokupimi i poetit Timo Mërkuri  për këngën popullore dhe veçanërisht për etnogjenezën e saj, pas vlerësimit  prej UNESKO-s, është një shqetësim qytetar,  shqetësim i  një intelektuali të kompletuar, që nuk mund të hesht para firove që po bën tradita jonë folklorike në kushtet e reja ekonomkiko-shoqërore. Me librin e tij studimor ai bën apel që kjo traditë të vlerësohet, sikundër e kanë vlerësuar organizmat ndërkombëtare, si “Vlerë e Trashëgimisë Shpirtërore, që bën pjesë në KRYEVEPRAT e Trashëgimisë Orale të Njerëzimit”, përkrah  Sambos në Brazil, Teatrit  “Kaoboki” Japoni, etj.
Në studimin “Madhëria e saj Kënga-isopolifonike”, Timo Mërkuri na sjell jo vetëm një informacion  interesant për etnokulturën tonë, por na dhuron edhe një kënaqësi estetike. Libri përshkohet nga një ndjenjë poetike plot frymëzim, si dhe një stil i veçantë plot elemente humori.

Wednesday, 6 August 2014

Pershendetje ne promovimin e librit "Thesari" te Vasil Gjivoglit



Përshëndetje në promovimin e librit “Thesari” të Vasil Gjivoglit

Nga Timo Mërkuri

Leximi i librit “Thesari” i Vasil Gjivoglit, një libër me rrëfenja plot humor e urtësi nga vendlindja e tij , Piqerasi, i ngjan gërmimeve arkeologjike mbi rrënojat e  një qytetërimi antik. Të duket se diku zbulohet një  fragment kështjelle, pak më tejë një  statujë burrështeti a ushtaraku, ja një bazoreliev nimfash e pak më tejë një mozaik pelikanësh, dëshmi këto të një qytetërimi të avancuar, në raport me vendbaniet e tjera. Të duket se, duke çfletuar faqet e librit, po heq  prej tyre dheun  e haresës hedhur  nga koha e modernitetit.
Dhe duke menduar mbi këto rrëfenja, me atë buzëqeshjen  që të çel në fytyrë gjatë leximit, shikon se nuk ke “gërmuar” diku në periferi të  “qytetit”, por bash mu në qëndër të tij. Aty te rrapi i fshatit, ku ishte ngritur “Akademia” , aty ku të rinjtë  mbrujteshin me dijet e kohës, për tu paraprirë  furtunave të jetës me dije e urtësi.
Aty, te rrapi i fshatit, ku mblidheshin burrat e pleqtë e bisedonin për probleme të përditëshme, që nga rradha e vijës së ujit e deri te radha e “punëve të perëndisë”.
Aty qe akademia e edukimit të brezave të tërrë. Aty të rinjtë njiheshin me dijet e përvojës jetësore, me rrugëzgjidhjet e konflikteve dhe kurtheve që jeta  u sillte përpara. Aty edukoheshin me  finesën e fjalës, të mendimit dhe të veprimit.
Aty mësohej që humori ishte ura e ngritur mbi  lumin e provokimeve, ishte shkalla që të lartësonte nëpër bedenat e kalave, ishte kali që të çonte me galop tek e nesërmia.
Fakti që shumë situata provokuese zgjidheshin me humor e jo me kobure apo shpata, tregon shkallën e lartë të  qytetarisë dhe  civilizimit të debatuesve. Pa çka se autorët dhe aktorët qenë fshatarë të thjeshtë, barinj e bujq që rropateshin gjithë ditën për të nxjerrë bukën e gojës. Dhe “profesorët” po barinj e bujq ishin, por vetëm se kishin shumë…thinja e rrudha  në kokë e në ballë.
Fshatrat tona kishin më shumë qytetari se çkanë sot disa …qytetarë. Kishin më shumë diplomaci se disa dipllomatë të sotëm. Dhe qysh dje shikonin më larg se e sotmja jonë, shikonin tek e nesërmja që do vijë dhe për ne.
Fakti që ky humor vjen i gjallë dhe sot tek ne dhe madje na bën të buzëqeshim e të mendojmë mbi të, dëshmon vitalitetin  e tij, vlerën e tij të patjetërsueshme, më të çmuar se çdo pasuri. Sepse përvoja jetësore, mënçuria dhe humori popullor, mësuar në “akademinë e popullit” janë në vetvete një thesar, zbulimi dhe përdorimi me “nikoqirllëk” i tij do bëjë të “pasur” çdo  brez njerëzor, çdo vend e komb.
Këtë  thesar ka zbuluar  Vasil Gjivogli  në Piqeras, thesar të cilin ai nuk e fsheh nëpër sënduqet e shtëpisë së tij, por  na e vë  në dispozicion, qëndisur nëpër faqet e librit “Thesari”.


Sarandë, më 26.7.2014