POEZIA E VDEKJES SI NJË HYMN PËR
JETËN
Nga
Timo Mërkuri
Rrënjët
e poezisë “Vdekja është një” të Sadik Bejkos duhet ti kërkojmë në Festivalin e
XI të Këngës në Radio Televizion, mbajtur në datat 22, 23 dhe 24 dhjetor të
vitit 1972, në Teatrin e Operas dhe Baletit,
ku poeti Bejko ishte pjesmarrës me tri tekste këngësh. Se çfarë furtune ra mbi
këtë festival, e dimë të gjithë, por në lidhje me Bejkon vlen të themi se
kritika ndaj teksteve të tij të këngëve u shtri dhe te vëllimi poetik “Rrënjët”
(1972), i cili u vu në indeksin e librave të ndaluar, duke i hequr autorit të
drejtën e botimit, masë që u zbatua deri në vitin 1982 ndërsa për atë vetë
mirret vendimi për ta çuar në minierën e Memaliajt, për “edukim nëpërmjet punës,
pranë klasës puntore”. Me shënimin
absurd në librezën e punës: “trasferohet”, shoqëruar me porosinë orgurzezë :
’Ule kokën e puno ku të dërgon Partia” poeti i pushuar nga puna në RTSH në dhjetor
1973 niset drejt minierës së Memaliajt në janar 1974. Unë ju them se: shumë më
lehtë e kanë patur Odisea dhe Orfeu të hynin në botën e nëndheshme se sa poeti
në këtë minierë ( të nëdheshme)
qymyrguri, ku çdo gjë nxinte, jo vetëm si pasojë e pluhurit të qymyrit por edhe
e porosive “nga lart” që i detyronte njerëzit
t’i shmangeshin jo vetëm takimit fizik, por edhe shkëmbimit të shikimeve
në rrugë.
I-Poezia
"Vdekja është një" e Sadik Bejkos reflekton një periudhë të errët të
jetës së tij dhe një përballje të ashpër me dilemat ekzistenciale të njeriut
nën sforcimin e rëndë të punës në minierë. Kjo poezi, e shkruar në vitin 1975
gjatë kohës kur Bejko ishte i detyruar të punonte në minierën e Memaliajt,
ndriçon me bukurinë e saj unike përmes një peizazhi poetik që shfaqet në një
ambient të zymtë dhe të errët.
Janë
vargjet e strofës së parë:"Njeri në
shenjestër, mbyllur në rreth,” që
e paraqesin poetin si një njeri tabelë
qitjeje, ku presioni, kërcënimi dhe mundësia e goditjeve ishte e vazhdueshme dhe vargu: “Fytit të
zgjidhet e të mblidhet një lak” që ka dy anë, presioni I jashtëm që i tund
litarin para syve (ule kokën dhe puno) dhe ankthi që të merr frymën nga brenda.
Ky varg metaforik shfaq më së miri situatën dhe gjëndjen që shfaqet te vargjet
e: "Hidhesh me përbuzje në gjakosje
e gjymtim/Rrezikun prek me duar, i thua: hajde." të cilat tregojnë një
situatë dëshpëruese që reflektohet te
vargjet:"Jepi: zgjidhe dilemën për
vdekjet e tua:/Të vdesësh në shpirt, a të vdesësh në gjak?". Ajo që është
e re është fakti se poeti është i ndërgjegjshëm se diktatura kërkon vdekjen e
shpirtit të tij poetik, nuk i kushton rëndësi vdekjes së e njëriut dhe këtë
zgjedhje ja ngarkon poetit, si alibi e pafajsisë shtetërore. Kjo zgjedhje
përfaqëson presionin e jashtëzakonshëm që poeti ndjen dhe dilemat e tij
ekzistenciale, ku vdekja shpirtërore nënkupton humbjen e shpresës, moralit dhe
integritetit, ndërsa vdekja fizike vjen si rezultat i punës së rëndë dhe
kushteve të rënda në minierë.
Si
rrufe shkrepin vargjet: "Ç’rrebelim
i keq ky ndaj vetes, ndaj gjakut tend/ Njeri rrugëhumbur pa shteg, pa majë."
të cilat shprehin rebelimin e brendshëm dhe luftën e vazhdueshme shpirtërore dhe situatës
së tij. Ai ndjen se është i vetmuar, i humbur, pa rrugëdalje, pa shpëtim, pa
një perspektivë të qartë për të ardhmen në këtë qytet të vogël ku: "Njerëzit e qytetit nga ti largohen si prej
shtriganit,/si nga qyteti i rënë nën murtajë.", por dhe ai njëkohësisht
i shmang njerëzit, për ti mbrojtur ata apo për tu mbrojtur prej tyre, sepse: “Këdo të afrohet e sheh si prangë, a si lak”.
Rri e lexon i trishtuar vargjet:"Apo
të tremb vdekja tjetër që të ndjek pa zë?”që shoqërohet me dilemën
ekzistenciale:”Vallë dy vdekje, dy
gremina ke përballë,/Apo një është vdekja, vetëm një?" ku thekson idenë se, pavarësisht mënyrës se si
ndodh, vdekja është një përvojë e unifikuar e dhimbjes dhe humbjes. Në thelb,
poezia "Vdekja është një" e Sadik Bejkos është një testament i
fuqishëm i rezistencës dhe forcës shpirtërore përballë kushteve ekstreme të
imponuara nga diktatura..
II-Poezia
"Vdekja është një" e Sadik Bejko-s ka qasje me rrymat e ekzistencializmit
dhe realizmit të errët, pse trajton temat e jetës, vdekjes, izolimit dhe
absurdit në ekzistencën njerëzore. Këto rryma artistike dhe filozofike shprehin
përvojat e vuajtjes dhe dilemave ekzistenciale të individit në një botë të
pashpresë.
Ekzistencializmi,
një rrymë filozofike dhe letrare, përqendrohet në përvojën individuale të
lirisë, zgjedhjes dhe përgjegjësisë në një botë që shihet e shfaqet si absurde,
pa kuptim të paracaktuar.Poezia e Bejkos reflekton dilemat ekzistenciale, duke
ilustruar përballjen e individit me vdekjen dhe izolimin. Një pasazh i tillë
është "Vdekjen në shpirt, a vdekjen
në gjak," ku tregohet përballja e individit me dy lloje të vdekjeve,
duke theksuar provën e zgjedhjes së tij midis vdekjes shpirtërore dhe asaj
fizike. Ndjenja e izolimit dhe stigmatizimit është paraqitur në vargjet "Njerëzit e qytetit nga ti largohen si
prej shtriganit, si nga qyteti i rënë nën murtajë," duke trajtuar
absurditetin e ekzistencës shoqërore.
Realizmi
i errët, si një rrymë letrare që shfaq realitetin në mënyrë të ashpër dhe të
paidealizuar, përqendrohet në temat e dhimbjes, vuajtjes dhe të keqes në botë.
Poezia e Bejkos pasqyron këtë rrymë në paraqitjen realiste të kushteve të rënda
të punës në minierë dhe dilemave morale të individit. Pasazhi "Zbret në minierë nën peshë terri, Në ujin e
zi, llurbë, djersë e ankth," shfaq realitetin e ashpër të punës në
minierë, duke përdorur një gjuhë të drejtpërdrejtë, të paidealizuar për të
treguar vuajtjen dhe dhimbjen fizike (jo vetëm të poetit). Rebelimi ndaj kushteve
të vështira është shprehur në vargjet "Hidhesh
me përbuzje në gjakosje e gjymtim /Rrezikun prek me duar , i thua: hajde,"
duke ilustruar përballjen e individit me dhimbjen dhe rrezikun, një temë e
zakonshme në realizmin e errët.
III-Poezia "Vdekja është një" e Bejkos
është një dëshmi e fuqishme e vuajtjeve të poetëve dhe intelektualëve që
guxuan të sfidojnë kufizimet e realizmit socialist në Shqipëri gjatë periudhës
së regjimit komunist, i cili impononte një ideologji të ngurtë dhe kontroll mbi
artin e letërsinë, duke kërkuar që poetët të pasqyronin dhe promovonin parimet
e soc.-realizmit, ndryshe kalvari i vuajtjeve do ishte më i vështirë se ai i
Golgothasë. Siç thamë më sipër, vargu metaforik: "Njeri në shenjestër, mbyllur në rreth," përfaqëson poetin dhe
intelektualin që është vënë nën mbikëqyrje dhe izolim për shkak të mendimeve
dhe krijimeve të tij dhe paraqet njëkohësisht presionin dhe kërcënimin që ndjen
individi kur guxon të kalojë kufijtë e realizmit socialist dhe që shpesh vihet
para dilemës ekzistenciale:" Të
vdesësh në shpirt, a të vdesësh në gjak?" sepse të jetosh në izolimin
dhe stigmatizimin e dyfishtë ku: "Njerëzit
e qytetit nga ti largohen si prej shtriganit,” dhe : “Këdo
të afrohet e sheh si prangë, a si lak”
do të thotë të jetosh frikën, ankthin dhe jo jetën. Poetët dhe intelektualët që
guxuan të thyenin kufizimet ideologjike të realizmit socialist realisht u
stigmatizuan dhe u izoluan nga shoqëria, një mënyrë kjo me të cilën shteti demonstronte
pasojat e mosbindjes, që përdorej edhe për të frikësuar të tjerët që mund të
mendonin të sfidonin regjimin. Izolimi është
sikur të jesh zënë poshtë gërmadhave nga ndonjë tërmet dhe: “ I vetëm në greminën më të thellë ke rënë/ me
natën në sy, me shkëmbin në bark”. Vargu” "Zbret në
minierë nën peshë terri, /Në ujin e zi, llurbë, djersë e ankth." ndërsa paraqet mjedisin e rëndë dhe të zymtë
të minierës, tregon peshën e territ dhe
kushtet e vështira të punës që i ngarkohet një intelektuali të nivelit të lartë
dhe mbi të gjitha një poeti, që, me gjithë dëshirën e tij të mirë, nuk gjen dot
një element të “bardhë” poetik. Lodhja, vuajtjet dhe presioni psikologjik që
shprehet te vargjet: “Hidhesh me përbuzje
në gjakosje e gjymtim,/ Rrezikun prek me duar, i thua: hajde." e çojnë
poetin gjer në skajin e fundit të vuajtjeve të tij.
IV-Poezia
"Vdekja është një" e Sadik Bejkos është një akt i fuqishëm rezistence ndaj dhunës së regjimit monist, i cili
kërkonte të mposhtë frymën e lirisë dhe krijimtarisë. Edhe pse poeti u dënua të
punonte në minierën e Memaliajt, një vend që mund të pikturohet si ferr për
shkak të kushteve të tmerrshme, Bejko gjeti forcën për të shkruar këtë poezi,
duke treguar se shpirtin krijues nuk mund ta mposhtte as errësira më e thellë. Kjo
aftësi për të shndërruar një ambient të zymtë dhe të errët në një peizazh
poetik tregon talentin e madh të tij si poet dhe forcën morale për ti
rrezistuar dhunës moniste të prishjes së vizionit të tij artistik. Të kuptojmë
një gjë: vetë mbajtja e Festivalit të XI në Radio Televizion në atë kohë ishte
një kryengritje kundër soc.-realizmit dhe ideollogjisë së partisë shtet, e cila
ndonëse u shtyp, arriti të mbillte farën e kundërshtimit dhe ti tregonte
popullit se matanë dritares së palarë të
soc.-realizmit ishte një botë e bukur dhe e lirë. Fakti që Bejko ishte
pjesmarrës me tre tekste këngësh në këtë festival është një vlerë njerëzore
(dhe artistike) e tij. Dilema ekzistenciale që ju imponua: "Jepi: zgjidhe dilemën për vdekjet e tua:/Të
vdesësh në shpirt, a të vdesësh në gjak?" e cila paraqet presionin
ekstrem për të zgjedhur midis nënshtrimit (vdekja shpirtërore) dhe përballimit
të dhunës fizike (vdekja në gjak) dhe fakti që poeti zgjedh të mos dorëzohet shpirtërisht,(vetë
kjo poezi e shkruar në vitin 1975, në kulmin e represionit është dëshmia më e
mirë) tregon qëndrimin e tij të fortë
dhe të pamposhtur përballë dhunës moniste. Poeti refuzon të dorëzohet, ai
përballet me vuajtjet me një qëndrim rebel dhe të pamposhtur dhe pikërisht kjo
përballje simbolizon forcën dhe qëndrueshmërinë e shpirtit krijues që nuk mund
të mposhtet nga dhuna fizike apo psikologjike e shtetit. Ndaj mendoj se kemi të
drejtë të themi se poezia e tij shndërrohet në një testament të forcës
shpirtërore dhe rezistencës së njeriut përballë dhunës së monizmit dhe
vuajtjeve që ai sillte në jetën e poetëve që rebeloheshin paqësisht, duke
plotësuar njohuritë e lexuesit për një realitet të fshehur dhe për të treguar
se si në mes të mjerimit dhe sforcimit ekzistonte një dritë dhe shpresë që na
tregonte ne bashkëkohësve rrugën e lirisë.
V- Poezia "Vdekja është një"
e Sadik Bejkos është një dëshmi e pamposhtshmërisë dhe forcës së artit përballë
dhunës diktatoriale. Pavarësisht presionit dhe shtypjes, Bejko gjen forcë dhe
frymëzim për të krijuar art që ndriçon edhe në errësirën më të thellë të
minierës. Përmes gjuhës së pasur dhe figurative, Bejko arrin të shndërrojë
minierën e errët të Memaliajt në një peizazh poetik që ndriçon me bukurinë dhe
dritën e artit të tij unik, duke shfaqur aftësinë për të gjetur shpresë edhe në
momentet më të vështira, duke e shndruar përvojën e tij të dhimbshme në një
testament të rezistencës shpirtërore dhe intelektuale, duke dëshmuar se arti
dhe poeti kanë fuqi të madhe për të mbijetuar dhe për të mbajtur gjallë
shpirtin e lirisë dhe në kushtet më të vështira, kur vihet në pikpyetje jeta.
Ky testament është i dallueshëm
kryesisht nëpërmjet forcës dhe dritës së këtyre figurave artistike që janë
sinjale jete dhe rezistence poetike në monizëm. Duke parë figurat artistike me
vëmëndje vërejmë se:
Simbolet:"Njeri në shenjestër, mbyllur në rreth"
- përfaqëson poetin si një viktimë të drejtpërdrejtë të shtypjes dhe
persekutimit, si një tabelë qitjeje, objektiv i sulmeve të vazhdueshme dhe të
qëllimshme të regjimit. "Pa dritë në
sy, me shkëmbin në bark" simbolizon shkallën e vuajtjes dhe mungesën e
shpresës në gjendjen e tij, ku “shkëmbi
në bark” përfaqëson barrën e rëndë të vuajtjes dhe dëshpërimit. Vargu:"si nga qyteti i rënë nën murtajë"
–simbolizon izolimin dhe stigmatizimin që poeti përjeton, izolim jo vetëm
fizik, por edhe shoqëror, duke e bërë atë të ndjehet si një i huaj në mes të
bashkëqytetarëve të tij.
Metaforat:"Fytit të zgjidhet e të mblidhet një lak"
që shfaq kërcënimin e vazhdue-shëm të dhunës dhe kontrollit mbi jetën e
individit, duke ilustruar ndjenjën një presioni
të pandërprerë. Te:"peshë terri"
metafora tregon barrën e rëndë të vuajtjes dhe dëshpërimit që poeti ndien në
minierë. Terri është një simbol i errësirës së brendshme dhe të jashtme që e
rrethon. Vargu:"Hidhesh me përbuzje
në gjakosje e gjymtim" ilustron vendosmërinë e poetit për të
përballuar dhunën fizike me një qëndrim sfidues dhe përbuzës. Ky akt rebelimi
dhe sfide ndaj vetes dhe dhunës që i imponohet është një dëshmi e forcës së tij
të brendshme.
Personifikimet:"Rrezikun prek me duar, i thua: hajde"
ku rreziku është personifikuar si një entitet i gjallë që poeti e sfidon dhe e
përballon direkt shpreh guximin dhe
vendosmërinë e tij përballë rrezikut, e cila në vetvete është një akt
rezistence dhe rebelimi kundër shtypjes. Te vargu: "Të tremb vdekja tjetër që të ndjek pa zë?" vdekja është
personifikuar si një entitet që ndjek poetin pa pushim, duke sugjeruar frikën e
heshtur dhe të pandër-prerë që ai përjeton.
Imazhet:"Në ujin e zi, llurbë, djersë e ankth"
shfaqin ndotjen dhe degradimin si dhe kushtet e rënda të punës në minierë, duke
treguar një mjedis të mjerueshëm. Te vargu: "Njeri rrugëhumbur pa shteg, pa majë" poeti shfaqet si një
individ i humbur dhe pa drejtim në një botë të errët dhe pa shpresë. Ky imazh
përforcon ndjenjën e izolimit dhe të qenit në një situatë pa dalje.
Theksojmë
se poezia e Bejkos është një poezi moderne,
por që përdor suksesshëm si sfond poetik elementë të tradicionalitetit,si: Elementet
e natyrës, motivet e jetës dhe vdekjes,
stili, vargu, rima, metrika etj. që i japin shtysë dhe forcë vargut dhe idenë e
poezisë. Veç sa më sipër te kjo poezi lexuesi gjen një ambient plot pluhur të
zi qymyri, e zezë që mbizotëron në çdo varg dhe çuditërisht në figurat
artistike, të cilat çuditërisht krijojnë imazhe të ndritëshme dhe të fuqishme
si diamanti i zi, madje përforcojnë bukurinë dhe forcën e artit poetik.
Arti
poetik i kësaj poezie është më i fortë se diktatura sepse ai arrin të krijojë
një realitet alternativ që nuk mund të kontrollohet nga asnjë formë shtypjeje.
VI-Lind
pyetja : Po pse është arti më i fuqishëm se diktatura?
Arti
dhe poeti janë më të fuqishëm se diktatura dhe dhuna e saj për disa arsye të
thella dhe të ndërlikuara që lidhen me natyrën e krijimtarisë dhe shpirtit
njerëzor:
1.Së
pari është fuqia e shpirtit dhe ndjenjave njerëzore, pse ndryshe nga fuqia e
dhunës fizike, që është e përkohshme dhe e kufizuar, arti dhe poezia burojnë
nga shpirti njerëzor që është i përjetshëm. Poeti, përmes veprave të tij,
shpreh ndjenjat më të thella dhe mendimet më të ndërlikuara, të cilat mbeten të
gjalla dhe ndikojnë te njerëzit edhe pas disa shekujsh.
E
parë në këtë aspect themi se: Poezia është dashuri dhe dashuria është gjithmon
më e fortë dhe jetëgjatë se dhuna, pavarësisht se shfaqet e brishtë. Poezia dhe
arti kanë aftësinë të prekin zemrat dhe mendjet e njerëzve në mënyrë të drejtpërdrejtë
dhe intime. Ky ndikim emocional është më i fuqishëm se çdo mjet dhune, pasi
prek shpirtin njerëzor dhe inspiron ndjenjën e lirisë e drejtësisë.
2.
Së dyti arti dhe poezia flasin nëpërmjet
simbolikës, mesazheve dhe metaforave poetike që kapërcejnë kufijtë e gjuhës së
zakonshme dhe të komunikimit të drejt-përdrejtë. Këto mjete artistike krijojnë
mesazhe të thella dhe universale që mund të interpretohen dhe të kuptohen nga
breza të ndryshëm në mënyra të ndryshme, duke mbajtur gjallë frymën e rezistencës
dhe lirisë. Gjithashtu, në kushtet e censurës, poetët dhe artistët përdorin
gjuhën figurative dhe mesazhe të koduara për të shprehur qëndrimet e tyre dhe
për të inkurajuar rezistencën, mesazhe që
janë të vështira për t'u kuptuar, ndaluar apo shkatërruar nga regjimi dhe për
faktin se shprehen në një mënyrë shumëkuptimëshe.
3.Arti
dhe poezia luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe përcjelljen e kujte-sës
historike e kulturore. Njësojë si arti oral që është dokument historik dhe arti
i kultivuar dokumenton vuajtjet, rezistencën dhe përvojat e njerëzve nën
regjimet e ndryshme, duke mbajtur gjallë kujtimin e të kaluarës dhe mësimet për
brezat e ardhshëm.
Arti
dhe kultura dhe poezia nw veçanti gjithmon kanë qenë dhe janë forma të fuqishme
të rezistencës kundër shtypjes e dhunës. Ato krijojnë një identitet dhe një
ndjenjë të përbashkët për komunitetin, që ndihmon në forcimin e shpirtit të
rezistencës dhe qëndrueshmërisë.
4.
Nuk duhet të harrojmë që arti dhe poezia kanë natyrë universale, ato kanë aftë-si
në të kapërcejnë kufijtë gjeografikë dhe politikë, duke bashkuar njerëzit
përtej dallimeve kulturore, gjuhësore dhe kombëtare. Mund të kujtojmë
protestat kundër dënimeve të poetëve dhe
shkrimtarëve në shtetet diktatoriale. Kjo
aftësi e artit për të krijuar lidhje ndërmjet njerëzve është më e fuqishme se
çdo ndarje dhe përçarje që mund të sjellë dhuna dhe represioni shtetëror. Për këtë
shtojmë se arti dhe poezia kanë fuqinë të inspirojnë dhe të motivojnë njerëzit
për tu bashkuar kundër dhunës dhe diktaturës. (Kujtojmë poezitë e Pablo Nerudës
tw shkruara nw banderola gjatw demostratavee anti diktatoriale në Kili). Kjo
ndjenjë e përba-shkët qëndrese dhe
shprese është më e fuqishme se çdo frikë apo dhunë që mund të imponojë regjimi.
Poeti dhe artisti, përmes veprave të tyre, dëshmojnë se fryma njerëzore është e
pamposhtur dhe se arti do të mbijetojë dhe do të ndriçojë edhe në errësirën më
të thellë.
Pra,
poezia "Vdekja është një" është një dëshmi e forcës dhe
pamposhtshmërisë së artit përballë dhunës diktatoriale. Pavarësisht presionit
dhe shtypjes, Sadik Bejko gjen forcë dhe frymëzim për të krijuar art që ndriçon
edhe në errësirën më të thellë të minierës. Përmes një gjuhe të pasur dhe
figurative, ai arrin të shndërrojë përvojat e tij të dhimbshme në një testament
të rezistencës shpirtërore dhe intelektuale, duke dëshmuar se arti dhe poeti
kanë një fuqi të madhe për të mbijetuar dhe për të mbajtur gjallë shpirtin e
lirisë edhe në kushte më të errëta.
Sarandë më korrik 2024
Sadik
Bejko
VDEKJA
ËSHTË NJË
Njeri
në shenjestër, mbyllur në rreth,
Fytit
të zgjidhet e të mblidhet një lak
Mbi-e-nën-tokë
ndër dy vdekje kë do të zgjedhësh:
Vdekjen
në shpirt, a vdekjen në gjak.
Zbret
në minierë nën peshë terri,
Në
ujin e zi, llurbë, djersë e ankth.
Jepi:
zgjidhe dilemën për vdekjet e tua:
Të
vdesësh në shpirt, a të vdesësh në gjak?
Hidhesh
me përbuzje në gjakosje e gjymtim,
Rrezikun
prek me duar, i thua: hajde.
Lot
symbyllur me terrin, me minierën:
Të
fundosh shpirtin është humnerë më e madhe?
Ç’rrebelim
i keq ky ndaj vetes, ndaj gjakut tënd
Njeri
rrugëhumbur pa shteg, pa majë.
Njerëzit
e qytetit nga ti largohen si prej shtriganit,
si
nga qyteti i rënë nën murtajë.
Njeri
i vënë në shenjë, edhe ti i shmang njerëzit,
Këdo
të afrohet e sheh si prangë, a si lak.
I
vetëm në greminën më të thellë paske rënë
Pa
dritë në sy, me shkëmbin në bark.
Ç’hakmarrje
kjo, t’i turresh gjakut tënd?
Apo
të tremb vdekja tjetër që të ndjek pa zë?
Vallë
dy vdekje, dy gremina ke përballë,
Apo
një është vdekja, vetëm një?
Memaliaj,
1975
Si
vdes gruri 1994
No comments:
Post a Comment