NË RRETHIN E TREMBËDHJETË TË SADIK BEJKOS
Nga Timo Mërkuri
Poezia “Në rrethin e
trembëdhjetë” e Sadik Bejkos, nga vëllimi poetik “Letër Hamurabit” (1997),
është një krijim kompleks që ndërlidh elemente të ekzistencializmit,
simbolizmit dhe absurditetit në një temë aktualiteti jo vetëm shqiptar. Shkruar
në një kohë trazirash sociale e politike në Shqipëri, poezia reflekton mbi
drejtësinë që kërkohet e nuk gjendet dhe padrejtësitë që përndjekin individin
në shoqëri.Përmes një tribunali imagjinar, poeti shfaq ankthin dhe dilemat e
tij, duke u shndruar në gjyqtar të
vetëdijshëm për pafuqinë e vendimeve që merr. Bejko, ish i dënuar nga regjimi
monist (pa gjyq), përdor këtë poezi si formë reflektimi dhe proteste ndaj
realitetit, ku drejtësia mbetet iluzion dhe fajtorët dalin gjithmonë të fituar.
Poezia ngre pyetje për kuptimin e drejtësisë dhe vendin e individit në një botë
të dominuar nga absurditeti dhe padrejtësia dhe jep mesazhin ekzistencial, sipas
të cilit: njeriu është i dënuar të jetojë në një botë ku drejtësia dhe kuptimi
janë shpesh të pa arritëshme dhe përpjekjet për t’i fituar ato janë të
destinuara të dështojnë dhe harrohen.
I-Le ti lexojmë artistikisht
vargjet e poezisë së Sadik Bejkos, ku vargu i parë: ” Në një tunel/në rrethin e
trembëdhjetë/kam ngritur një tribunal pambarim” shfaq një absurdi-tet logjik të
qëllimshëm, pse :
-Fraza “Në një tunel” shfaq një
hapësirë të mbyllur që përfaqëson absurditetin e gjykimit në mungesë të
drejtësisë. Tuneli simbolizon një ambient të errët dhe pa dalje, një hapësira metaforike,
të ngritur nga poeti (kam ngritur) ku ai
përballet me vetveten në një betejë të ndërgjegjes, ndërsa “tribunal pambarim”në
kontekstin e poezisë shpreh idenë se gjyqet janë të pafundme,gjë që reflekton
absurditetin e jetës ekzistencialisht. Ky tunel metaforik është një hapësirë ku
drejtësia është iluzore dhe tribunali shpirtëror është i destinuar të jetë i
pafund dhe pa arritje, një cikël i pambarim dështimesh e fatke-qësish.
-Fjala e parë, “rrethi” të sjell
instiktivisht në vemëndje rrathët e ferrit të Dantes, por me ndryshimin se te
ai janë nëntë rrathë, ndërsa Bejko flet për rrethin e trembëdhjetë, duke
nënkuptuar diçka më të thellë, më të lemerishme se ferri i Dantes. Ndërsa në
"Komedinë Hyjnore" rrethi i 9-të i ferrit është vendi ku gjenden
mëkatarët më të mëdhenj, tradhtarët, që vuajnë në akull (jo në zjarr), çka
simbolizon ftohtësinë e tradhtisë, Sadik Bejko, duke krijuar një rreth të
trembëdhjetë, zgjeron konceptin e ferrit
në një kuptim më ekzistencial dhe të personalizuar. Në këtë rreth të tij, nuk
janë vetëm mëkatarët ata që vuajnë, por ca më tepër është dhe ai vetë,
intelektuali dhe njeriu që kërkon drejtësi në një botë ku sistemi nuk e ofron atë.
Realisht ky rreth nuk është
hapësirë klasike e ferrit, por është vend brenda psikikës së poetit, ku ai
është gjyqtari, i akuzuari, dëshmitari dhe viktima, ku ai vazhdimisht gjykon
padrejtësitë, por pa arritur të ekzekutojë vendimet. Ndaj ky rreth për Bejkon,
është një ferr, një gjendje e vazhdueshme torture mendore, ku ai ndjen ankth
për shkak të padrejtësive që përjeton në shoqëri. "Nën ankth e makth që
zgjat, me peshore në dorë" shfaq situatën ku ai përpiqet të balancojë
drejtësinë.
-Përdorimi i numrit trembëdhjetë
në poezi nuk është rastësor, pasi ai është i njohur në shumë kultura si një
numër ters, që ndjell fatkeqësi dhe shoqërohet me një lloj frike. Në poezi,
trembëdhjeta është simbol i një hapësire ndëshkimi, ku absurditeti dhe pafuqia
janë pjesë e përditshmërisë. Për këtë arsye dhe vargjet sugjerojnë një gjendje (të përje-tshme) ankthi, ku nuk ka
as shpëtim, as zgjidhje. Përdorimi i numrit trembëdhjetë lidhet jo vetëm me një
ndjesi personale të poetit për padrejtësinë e përjetuar në monizëm, por edhe me
fatin e përgjithshëm të shoqërisë, ku as drejtësia nuk mund të vendoset dhe as shpresa
për përmirësim nuk shihet. Si numër, trembëdhjeta nënvizon absurditetin e
situatës, madje dhe duke krijuar një kontrast të fortë mes dëshirës së poetit
për drejtësi dhe realitetit ku ndodhet. Duke rilexuar këtë numër në titullin dhe vargje, shohim se kjo
zgjedhje e bërë nga Bejko shton dimensionnin fatalist të poezisë, lidhur me
përjetimin e padrejtësisë si diçka që ka rrënjë të thella, jo vetëm në sistemin
shoqëror, por edhe në vetë fatin e jetës. S’di pse gjatë leximit të kësaj
poezie e parafytyroj Sadik Bejkon duke mbajtur mbi supe këtë numër, si Krishti
kryqin e tij në ecjen drejt Golgothasë.
Rrethi i 13 i Bejkos është një
gjendje ekzistenciale, një luftë shpirtërore për drejtësi në botën tonë, por që
Bejko e ka nisur qysh në rini dhe e vazhdon dhe sot. “Si një prift i thinjur në kishë” ai vazhdon e
përpiqet të vendosë drejtësinë, duke mbajtur në dorë një peshore, simbol i
drejtësisë së braktisur, në vend të Biblës, të cilën nuk e përdor dot në qëllimin
e saj. Vargu: "Me tru në erë, me peshoren në dorë jap vetëm të
drejtë", shfaq një përpjekje të
dëshpëruare të tij.
-Të ve në mendime vargu: “kam ngritur një tribunal
pambarim” dhe pyet veten: a ka të drejtë poeti Sadik Bejko të marrë rolin e një
gjykatësi (moral), duke vendosur drejtësi në një tribunal (shpirtëror) të
ngritur nga ai vetë, si një përgjigje ndaj padrejtësive që e rrethojnë? Duke
ditur se poetët janë viktimat e para të çdo sistemi shoqëror, por ata janë edhe
gjykatësit më të drejtë të tij,(ndonëse vendimet e tyre nuk kanë të bëjnë me
asgjë fizike), Bejko ka të drejtë të ngrejë tribunalin për të gjykuar. Këtë përgjigje unë
e gjeta dhe te fjala e Lasgush Poradecit thënë Kadaresë: “poeti ka përgjegjësi
për gjithçka ndodh dhe kurdoherë që ndodh”. Mbështetur te përgjegjësia qytetare
e tij dhe përgjegjësia si poet, Bejko është në të drejtën e tij në ngritjen e
tribunalit. Ndërsa për sa i përket marrjes së kompetencave të gjykatësit unë do
ju thoshja se ai përsëri është në të drejtën e tij si poet e qytetar të ngrejë
(në psikikën e tij) tribunalin dhe të gjykojë shkelësit e ligjit, nxitësit, por
së pari veten e tij, siç shprehet te vargjet:” Jam vetë i akuzuari dëshmitarët,
publiku…/ Vendimet i jap e aty më mbesin / letrat i mbulon myku”. Veprimi i
Bejkos nuk është përvehtësim i funksionit zyrtar, ky veprim buron nga
përgjegjësia si poet, më tepër se nga përvoja personale për vendimet e padrejta,
edhe pse ishte pikërisht kjo përvojë që i formoi ndërgjegjen kritike ndaj
sistemit të drejtësisë.
Duke patur parasysh faktin që
poezia është shkruar në vitin 1997, kohë kur Shqipëria ishte në kaos si pasojë
e rrëzimit të firmave piramidale, poeti dëshmon realitetin e mungesës së shtetit,
ligjit dhe drejtësisë. Shoqëria ishte zhytur në anarki, me grupe të armatosura që
kryenin krime: grabisnin banka, rrëmbenin njerëz etj., ndërkohë që
institucionet shtetërore nuk ekzistonin të vendosnin rregull. Pikërisht në këtë kontekst,
Bejko vendos veten në rolin e gjykatësit për të ngritur zërin kundër
padrejtësisë.
- Poeti, duke e vendosur veten në
rolin e një gjyqtari në një tribunal imagjinar, mund të shprehë ndjenjën e pafuqisë
së individit përballë një sistemi të
korruptuar dhe të pandershëm. Vargjet si "I fitoj të gjithë gjyqet në
tribunal, por… të ndëshkuarit- të lirë; fajtorët? prapë fitimtarë,"
shprehin një realitet, ku fajtorët, ata që përfituan nga kaosi, jo vetëm që nuk
u ndëshkuan, por vazhduan të ngjiten në majat e shoqërisë. Ironia thellohet se:
edhe në tribunalin imagjinar, drejtësia mbetet e parealizuar, pasi "letrat
i mbulon myku". Në këtë mënyrë, poezia shfaqet si një formë proteste
kundër absurdite-tit të një sistemi ku drejtësia nuk funksionon për njerëzit e
zakonshëm, duke qenë njëkohësisht dhe ironi ndaj viktimave të cilët, mbetën pa drejtësi
në kaosin shoqëror. Sa keq që ky
përfundim është më shumë se thjeshtë në psikikën e poetit. Sigurisht që poezia
e Sadik Bejkos, me vargjet e cituara shpreh një universalitet të thellë, pasi
ato (vargjet) kapërcejnë kufijtë e një konteksti specifik historik apo shoqëror
dhe përbëjnë një reflektim mbi drejtësinë e padrejtësinë që shoqëron ekzistencën
njerëzore në botë. Ato paraqesin një pamje të errët të botës, dhe ky univers
moral nuk është thjesht realiteti shqiptar i viteve 1997, por një koncept që ka
gjetur jehonë në letërsinë dhe filozofinë botërore, duke i dhënë poezisë një
dimension të përjetshëm.
-Nuk është e lehtë të jesh
gjyqtar në tribunalin e Bejkos, ja, dëgjojeni çfarë thotë ai: “Nën ankth e
makth që zgjat,/me peshore në dorë,/ndëshkimi im vetëm ther”, pra Bejko jeton
në një ndjenjë ankthi a makthi, duke zhvilluar një luftë të pafundme (me veten)
për drejtësi. "Me peshore në dorë" simbolizon përpjekjen e tij (të
vazhdueshme)për të ruajtur ekuilibrin dhe drejtësinë, por ndëshkimi i tij
"vetëm ther" pse vendimet e
tij janë të drejta,ndonëse të padobishme.Ironia është se poeti i fiton gjyqet në
tribunalin e tij shpirtëror, por vendimi mbetet i pa vlefshëm, i pa ekzekutueshëm
sepse të ndëshkuarit janë të lire dhe fajtorët "prapë fitimtarë", paradoks
ky që tregon absurditetin dhe pafuqinë në një botë ku ligësia triumfon.
-Vargjet "Bëjnë jetë, bëjnë
paret...ata. / Popullojnë majat dhe rrugën. / Qeshin nga lart, më nxjerrin
gjuhën" pasqyrojnë realitetin social, një kontrast të fortë midis
padrejtësisë sociale dhe forcës së korrupsionit me popullin. "Ata"
janë simboli i atyre që kanë fituar pasuri me mënyra antiligjore dhe vijojnë të
ngjiten në majat e shoqërisë, pra“ata” bëjnë para, krijojnë pasuri, përfitojnë
të mira materiale. Pasuria e përfituar padrejtësish ushqen dhe arogancën e nënvlerësimin
e “atyre” për njerëzit e ndershëm: "Qeshin nga lart, më nxjerrin
gjuhën" në një akt përçmimi, kjo pse ata, "lart," ndihen të
paprekshëm. Interesant është vargu i fundit, "një huq i rinisë" i
cili vlen si një e dhënë biografike e Bejkos, pse idealizmi për drejtësi i ka
lindur në rini, si besim i palëkundur,
që me kalimin e kohës i është kthyer në obsesion, ndoshta i kotë. Ndaj shfaqet dëshpërimi i tij, lodhja e një jete, pasi
e kupton se ky "tribunal" iluzion i rinisë së tij, ka mbetur ideal i
parealizu-eshëm. Sa për ngushëllim për poetin, ky varg përmban edhe një ndjenjë
nostalgjie për idealet e rinisë, duke bashkuar në vetvete dëshpërimin dhe
iluzionet e humbura.
II-Poezia e Sadik Bejkos është
poezi komplekse, që klasifikohet si psikologjike, simbolike e metaforike, pse
këto tri shtresa janë ndërthurur e pasurojnë interpretimin e saj në nivele të
ndryshme.
Poezia është psikologjike, pasi thelbi
i saj është një përballje shpirtërore, një tribunal imagjinar ku poeti gjykon
veten dhe shoqërinë. Ajo reflekton një gjendje ankthi, zhgënjimi dhe vetëakuzimi,
duke pasqyruar një luftë shpirtërore përballë padrejtësive të botës, eksploron
psikologjinë e individit në një cikël të pafund akuzash dhe dënimesh, që nuk realizohen
në botën reale. Këtu, poeti tregon përpjekjen e tij për të mbajtur një ndjenjë
drejtësie morale, pavarësisht se realiteti përreth është kaotik dhe i padrejtë.
Poezia është edhe simbolike, pasi
ajo shprehet me simbole që japin kuptim të thellë.Psh, tuneli është simbol i
mbylljes, errësirës e mungesës së daljes, përfaqëson bllokimin shpirtëror dhe
psikologjik të individit. Numri trembëdhjetë është simbol që lidhet me tersin,
fatin e keq, madje dhe këtu përfaqëson realitetin e pashpresë. Peshorja shfaqet
si simbol i drejtësisë, ndonëse në këtë kontekst ajo shndërrohet në objekt koti,pa
fuqi për të ndikuar në botën reale. Pra,
në tërësi, poezia përdor simbole për të përçuar idenë e absurditetit të
drejtësisë në ë botë të padrejtë, duke e çuar poezinë në një qasje me rrymën e
simbolizmit modernist.
Kjo poezi shprehet me një gjuhë
thellësisht metaforike. Tribunalet, gjyqet, peshoret, dhe vetë rrethi i
trembëdhjetë janë metafora për betejën shpirtërore të poetit me konceptin e
drejtësisë morale. Tribunalet e tij (imagjinare) janë përpjekjet (e tij) për të
vendosur drejtësi në botën e padrejtë,
ndërsa realiteti ironikisht përmbys përpjekjet,duke treguar se dhe kur individi
përpiqet të mbajë një sens drejtësie, bota nuk ndryshon dhe fajtorët “triumfojnë”.
III-Duke patur parasysh dhe sa më
sipër, poezia e Bejkos shfaqet në qasje me rrymën ekzistencialiste brenda
modernizmit, dhe kjo për disa arsye të dukëshme:
Një nga karakteristikat kryesore
të ekzistencializmit është përballja me absurditetin e jetës dhe mungesën e
kuptimit të qartë në botë. Në poezi, tribunali imagjinar i poetit është një
përpjekje për të vendosur drejtësi, në një realitet ku drejtësia nuk ka forcë.
Kjo përplasje mes përpjekjes për të gjetur sens drejtësie në një botë kaotike
është tipar themelor i ekzistencializmit.
Duke krijuar një tribunal në
mendje, poeti shpreh një përpjekje për të vendosur rregull, por realiteti është
i përmbysur,një situatë që pjell absurditetin. Vargjet si “I fitoj të gjithë
gjyqet në tribunal, por… të ndëshkuarit- të lirë; fajtorët? prapë fitimtarë”
reflektojnë ndjenjën e pakuptimtësisë, tipike për letërsinë ekzistencialiste,
ku individi ndien se çdo përpjekje e tij është e parëndësishme.
Ekzistencializmi përqendrohet në
izolimin dhe vetminë e individit, në këtë poezi heroi është i vetëm, ndonëse
është njëkohësisht gjyqtari, i akuzuari dhe dëshmitari, ai në thelb përball
veten me një ndjenjë izolimi. Vetmia është një element ekzistencialist, ku
individi përballet me vetveten dhe ekzistencën e tij.
IV-Figurat artistike në poezinë “Në
rrethin e trembëdhjetë” të Bejkos si metaforat, simbolet, imazhet dhe
personifikimet janë thelbësore për ndërtimin e kuptimit ekziste-ncialist. Këto
elemente letrare ndihmojnë në krijimin e një bote simbolike dhe abstrakte, ku
individi përballet me absurditetin dhe kotësinë e jetës. Por le të shohim se si secila prej këtyre figurave kontribuon
në përforcimin e ideve ekzistencialiste:
Simbolet:
-Simbolikisht:"rrethi i
trembëdhjetë" përfaqëson një hapësirë të izoluar, vend ku individi
përjeton ankth dhe vetëgjyqësi dhe i qaset si referencë ferrit. Poezia e vendos subjektin
lirik një "rreth të trembëdhjetë," që është simbol i vuajtjes së pafund,
duke forcuar ndjenjën ekzistencialiste të kotësisë dhe izolimit."Në një
tunel, në rrethin e trembëdhje-të / kam ngritur një tribunal pambarim."
-Tribunali është simbol i
drejtësisë, por në poezi, ai bëhet simbol i kotësisë e dështimit. Poeti gjyqtar
(edhe i vetvetes) vazhdon të dënojë pafundësisht dhe drejtësisht, por drejtësia
e tij nuk ka asnjë efekt. Ky tribunal duke qenë një krijim psikik nuk e
ndryshon dot realitetin. Vargu: "Vendimet i jap e aty më mbesin, / letrat
i mbulon myku." tregon se drejtësia nuk realizohet, duke simbolizuar
absurditetin ekzistencial.
-Peshorja, simbol i drejtësisë,
është tjetërsuar në këtë poezi. Në vend që të sigurojë drejtësi ajo
"ther", duke sjellë ndëshkim dhe dhimbje. Ky simbol thekson ironinë
dhe kontradiktën që individi përjeton në përpjekjen për të vendosur një
drejtësi që nuk zbatohet. "Me peshore në dorë, ndëshkimi im vetëm
ther."
Metaforat:
Metafora:”Me tru në erë" përfaqëson
problemet mendore të individit. Truri është simboli i arsyes dhe mendimit
logjik, ndërsa "në erë" përçon idenë e kaosit, humbjes së kontrollit.
Ky imazh shfaq çrregullimin ekzistencial të individit që nuk gjen një kuptim të
qartë në botë, ku metafora mbështet idenë ekzistenciale se individi është i
dënuar të jetojë në një botë pa elemente të qartë kuptimi.
Metafora e priftit të thinjur
përfaqëson individin e vuajtur në një kohë të gjatë duke predikuar drejtësinë.
Ky prift është simboli i një personi të moshuar, të ndërgjegjësuar se përpjekjet
e tij janë të pafrytshme. Metafora e priftit thekson ndjenjën ekzistenciale të
lodhjes dhe dështimit në përpjekje për të gjetur kuptimin në jetë. "Jam i
moshuar, prift i thinjur në kishë, / dhe s’heq dorë nga ky tribunal në mendje,
… një huq i rinisë."
Personifikimet:
-Fajtorët janë personifikuar si të
fuqishmit e shoqërisë, "popullojnë" majat, zotërojnë pushtetin, janë
të paprekshëm nga drejtësia, duke përforcuar ndjenjën e absurditetit
ekzistencial të individit që përpiqet të luftojë padrejtësinë. "Bëjnë
jetë, bëjnë paret... ata. / Popullojnë majat dhe rrugën."
-Myku është personifikuar për të simbolizuar kalimin
e kohës dhe harresën. Drejtësia e shkruar në letrat e tribunalit është mbuluar
nga myku, tregon se gjithçka që shkruhet brenda këtij tribunali mbetet e
harruar, pa vlerë. Personifikimi i mykut tregon kalbjen dhe rrënimin e idealeve
dhe aspiratave të drejtësisë në botën e realitetit. "Vendimet i jap e aty
më mbesin, / letrat i mbulon myku."
Imazhet:
-Imazhi qëndror I poezisë: ”Në një
tunel, në rrethin e trembëdhjetë” krijon ndjesinë e izolimit të plotë dhe
errësirës. Ky imazh është një metaforë për gjendjen psikologjike të individit
që ka humbur rrugën në kërkim të drejtësisë dhe kuptimit, që thekson krizën
ekzistenciale.
Imazhi: ”Letrat që mbulon myku”
është ekzistencialist, pasi shpreh ndjenjën e absurdit dhe pakuptimësisë,
karakteristikë e kësaj rryme. Myku (i personifikuar) simbolizon kalbjen e
harresën, përfaqëson dështimin e drejtësisë në aspektin e ekzekutimit të
vendimeve. Këto “letra që i mbulon myku”, tregojnë kotësinë e veprimeve të
njeriut në botë ku drejtësia dhe përpjekjet për të ndrequr gabimet përfundojnë
të braktisura e të harruaraa.
Ndërkohë imazhi: ”Fajtorët që
popullojnë majat dhe rrugën”:shfaq një pamje shumë ironike e vizuale. "majat"
simbolizojnë pozitat shtetërore, ndërsa "rruga" përfaqëson njerëzit e
thjeshtë. Ky imazh krijon kontrast mes individit që përpiqet të sjellë drejtësi
dhe atyre që, ndonëse të fajshëm, shijojnë jetën pa pasoja.
Mund të vazhdojmë me figurat
artistike dhe të provojmë se janë ndërlidhur me idetë ekzistencialiste, duke
krijuar një ndjenjë ankthi dhe shpesh janë të mbushura me ironinë e drejtësisë
së munguar, absurdin e ekzistencës dhe pamundësinë e individit për të gjetur
kuptim në një botë të mbushur me kaos dhe padrejtësi. Simbolet, metaforat,
personifikimet dhe imazhet që krijon Bejko në poezi forcojnë përvojën ekzistenciale,
duke i dhënë kompleksitet perceptimeve të tij për botën dhe vetveten
V-Në krijimtarinë moderniste të
Bejkos, poezia "Në rrethin e trembëdhjetë" përfaqëson një arritje të
re dhe të rëndësishme për disa arsye.
Së pari, poezia dallohet për
thellësinë e saj ekzistencialiste, një karakteristikë kyçe e modernizmit.
Poezia nuk përpiqet të japë përgjigje të qarta dhe as të propozojë zgjidhje
konkrete për padrejtësitë që shfaq,por përqëndrohet tek absurditeti i gjendjes
njerëzore , ndjenjat e izolimit dhe ankthit, të cilat janë tipare të forta të
modernizmit. Kjo trajtohet përmes gjyqit absurd që poeti organizon brenda mendjes
së tij, një tribunal imagjinar ku ndëshkimet janë iluzion dhe drejtësia e
pamundur të realizohet.
Së dyti, struktura dhe figuracioni
i poezisë përfaqësojnë distancim nga
format tradicio-nale. Bejko përdor vargje të lira dhe stil të fragmentuar që reflekton
kaosin e paqartë-sinë e kohës. Është kjo thyerje me formën klasike që i jep
poezisë një ndjenjë moderne dhe përçon energji të re, ku ndërthuret liria e shprehjes
dhe zgjedhja e vetëdijshme për të shmangurnjë strukturë të ngurtë poetike.
Së treti, përdorimi i simbolizmit
në mënyrë moderne e bën poezinë arritje
të rëndësi-shme në krijimtarinë e Bejkos. Simboli i "rrethit të
trembëdhjetë" nuk është thjesht një element i izoluar, por një metaforë e
thellë për humnerën ku drejtësia dhe moraliteti janë rrëzuar, madje ky simbol
përfaqëson zgjerim të mëtejshëm të kufijve të kuptimit dhe shtyn lexuesin të
mendojë përtej konvencioneve.
Së fundmi, Bejko kritikon
shoqërinë përmes një gjuhe poetike plot metafora e simbole, duke krijuar një
poezi që nuk është thjesht një produkt i kohës së tij, por një reflektim
universal mbi padrejtësinë dhe absurditetin. Pikërisht kjo aftësi për të
përmbledhur kohën dhe mbajtur një reflektim personal e bën poezinë e tij
arritje të re në poezinë moderniste shqiptare.
VI-Poezia "Në rrethin e trembëdhjetë"
e Sadik Bejko-s ka rëndësi të veçantë në poezinë shqipe, jo vetëm për forcën e
saj ekzistenciale dhe simbolike, por edhe për mënyrën se si trajton temën e
drejtësisë dhe padrejtësisë, një tematikë e ngulitur thellësisht në historinë
shqiptare. Kjo poezi shquhet për stilistikën e saj të fuqishme, gërshetimin e
elementeve të simbolizmit, metaforës dhe personifikimit për të krijuar hapësirë unike të gjykimit moral dhe
shpirtëror.
Vlera e saj qëndron në aftësinë e
Bejkos për të ndërtuar një tribunal të brendshëm, një tribunal që ekziston (në
psikikën e tij) përtej gjykatave fizike, duke reflektuar realitetin shqiptar plot
me vuajtje dhe padrejtësi. Poezia, duke përdorur një gjuhë të ngarkuar me
figura letrare, sfidon lexuesin të shohë drejtësinë jo si një koncept të
fiksuar ligjor, por si betejë personale dhe universale.
Për më tepër, poezia bën një
ndërthurje të forte (e të heshtur) mes përvojës personale të autorit dhe
realitetit të përgjithshëm shqiptar në periudha të vështira. Si një akt i qartë
proteste kundër padrejtësisë së strukturave shtetërore, Bejko i jep kësaj
poezie një rëndësi të veçantë në historinë e letrave shqipe, duke e shndërruar
në një simbol të qendresës intelektuale ndaj shtypjes dhe padrejtësisë.
Poezia pavarësisht se nuk përmban
optimizëm të drejtpërdrejtë apo "dritë në fund të tunelit," mund të
shihet si një akt i thellë, proteste, rezistence dhe shprese në vetvete. Në një
realitet ku drejtësia është iluzore dhe padrejtësia mbizotëron, vetë fakti që
poeti arrin të krijojë dhe të artikulojë këto shqetësime përmes artit mund të
konsiderohet një formë e shpresës. Nëse drejtësia nuk mund të gjendet në botën
juridike, atëherë poezia bëhet bota, hapësira ku padrejtësia denoncohet dhe ku
individi, pavarësisht mungesës së dritës, arrin të dëshmojë të vërtetën e tij.
Vetë krijimi i poezisë është një mënyrë për
përballimin e absurdit dhe ruajtur një qëndrese shpirtërore, edhe në
errësirën më të madhe.
Sarandë, më shtator 2024
SADIK BEJKO
Në rrethin e
trembëdhjetë
Në një
tunel,
në rrethin e
trembëdhjetë
kam ngritur
një tribunal pambarim.
Jam vetë i
akuzuari dëshmitarët, publiku…
Vendimet i
jap e aty më mbesin,
letrat i mbulon
myku.
Nën ankth e
makth që zgjat,
me peshore
në dorë,
ndëshkimi im
vetëm ther.
I fitoj të
gjithë gjyqet në tribunal.
por… të
ndëshkuarit- të lirë;
fajtorët?
prapë fitimtarë.
Bëjnë jetë,
bëjnë paret... ata.
Popullojnë
majat dhe rrugën.
Qeshin nga lart,
më nxjerrin gjuhën…
Jam i
moshuar,
prift i
thinjur në kishë,
dhe s’heq
dorë
nga ky
tribunal në mendje,
…një huq i
rinisë.
Në
tribunalin tim s’marr pranga,
litarë,
xhelatë a burg.
Me tru në
erë, me peshoren në dorë
jap vetëm të
drejtë.
Këtu, në tunel,
në rrethin
tim të trembëdhjetë.
Nga libri
"Leter Hamurabit" 1997