MIQTË E MUSA
RAMADANIT
Nga Timo Mërkuri
Një poezi e shkurtër me katër
vargje që shpalos një botë të tërë është poezia "Miqtë e mi memecë" e
Musa Ramadanit, te e cila vihet re një
hulumtim psikologjik mbi vetminë, ku
poeti personifikon heshtjen dhe objektet si “miq memecë”. Këta "miq”, që
shfaqen me madhësi dhe ngjyra të ndryshme, është vetmia e poetit, janë
mendimet, kujtimet apo gjendjet emocionale të tij që i mbushin boshësinë shpirtërore. Ata
janë miq të mirë të poetit, miq të ngushtë të tij, me të cilët ai "dërdëllit" gjatë gjithë natës. Të
quash vetminë mik apo t'i quash mendimet, kujtimet dhe gjendjet emocionale
"miq" përbën një personifikim, një figurë artistike ku cilësi
njerëzore i jepen ideve, ndjenjave apo objekteve të pajeta.
Kjo është një figurë artistike e
një niveli të lartë estetik, sepse nuk është thjesht një personifikim mekanik,
por është një veprim simbolik që reflekton një gjendje psikologjike dhe
emocionale. Këto "miq memecë" përfaqësojnë një lidhje të ngushtë të
subjektit me botën e tij të brendshme, duke krijuar një efekt të fuqishëm
poetik që tejkalon përshkrimin e thjeshtë të ndjenjave. Vetmia dhe mendimet bëhen
shokë, duke pasqyruar përballjen intime të individit me vetveten.
Në aspektin artistik, ky
personifikim ndërthuret me simbolikën dhe metaforat, duke krijuar një atmosferë
eksistenciale ku vetmia, mendimet dhe ndjenjat marrin një formë të re, të
thellë dhe më njerëzore, prandaj cilësohet si figurë e nivelit të lartë. Kjo
shtresë kuptimore e bën këtë personifikim të fuqishme në përçimin e emocioneve
dhe të gjendjes shpirtërore.
Nga këndvështrimi psikologjik,
poezia paraqet një portret të një personi që përballet me një vetmi të thellë. Unë do dëshsiroja që të
mos ishte një situatë reale shpirtërore e poetit, duke hamendësuar se këta miqtë
memecë përfaqësojnë vetëm mendime të pashprehura, emocione të shtypura ose
frikë e izolimit të ndonjë situate momentale, ndërsa komunikimi me ta të pasqyrojë
nevojën për një lidhje, në mungesë të përkohëshme të ndërveprimit njerëzor. Unë
nuk jam njohur me poetin Ramadani dhe do dëshiroja që frymëzimi i kësaj poezie
të ishte fryt i talentit të tij dhe jo ndonjë reflektim realiteti, i cili do më
trishtonte së tepërmi.
Artistikisht, poezia krijon
kontrast midis heshtjes e dialogut, duke përdorur personifikimin për ti dhënë
jetë asaj që është e pajetë. Përshkrimi i miqve në forma dhe ngjyra të ndryshme
shton një element vizual që e bën botën e shpirtërore të poetit të dukshme,
duke krijuar atmosferë melankolike, ku heshtja e vetmia janë shoqërues të
përhershëm.
II-Kjo poezi i qaset rrymës
moderniste të ekzistencializmit, pasi në ‘të, ndjehet një shqetësim i thellë
mbi vetminë, ku personazhi lirik përpiqet të gjejë lidhje në një botë që është
e distancuar dhe pa përgjigje për atë. Të këtë kontekst figura e miqve
"memecë" zgjerohet, pasi mund të përfaqësojnë heshtjen e gjithësisë,
mungesën e një komunikimi të vërtetë, ose ndjenjën e izolimit që është karakteristike
për ekzistencializmin.
Elemente si dialogu me vetveten
dhe objektet, mungesa e shpjegimit
racional të realitetit, dhe përdorimi i simbolikës së heshtjes dhe ngjyrave,
janë tipike për ekzistencializmin, i cili eksploron shqetësimet individuale,
përballjen me absurditetin, dhe kërkimin për kuptim në një botë të huaj dhe
indiferente ndaj ekzistencës njerëzore.
III-Si e tillë, edhe figurat
artistike janë krijuar ti “shërbejnë” ekzistencializmit duke theksuar izolimin
dhe absurditetin e përpjekjes për komunikim në këtë botë të heshtur dhe
indiferente. Ja se si disa prej figurave artistike e përforcojnë këtë rrymë:
1. Personifikimi: “Ja, ndodhen në
dhomën time frymojnë”, ku poetit i duket se objektet e pajeta
"frymojnë", duke u dhënë atyre jetë dhe cilësi njerëzore, pra
personifikimi nënvizon përpjekjen e individit për të krijuar kuptim dhe lidhje
në vetminë e tij. Miqtë memecë janë të vetmit me të cilët ai komunikon, duke
shprehur pamundësinë për t'i shpëtuar vetmisë dhe izolimit. Në
ekzistencializëm, kjo është një metaforë për përballjen me absurdin e jetës.
2. Kontrasti i ngjyrave dhe
formave te vargjet:“Të vegjël, të
mëdhenj, të hollë, të trashë / Të bardhë, të zezë, të kuq, të verdhë”
përfaqëson diversitetin e përjetimeve dhe mendimeve të njeriut në përballje me
botën. Pavarësisht këtij diversiteti të dukshëm, të gjitha këto forma janë
“memecë”, duke nënkuptuar që bota e jashtme, me gjithë ngjyrat dhe larmitë e
saj, nuk ofron asnjë komunikim të vërtetë. Kjo mbështetet me filozofinë
ekzistencialiste që përqendrohet te absurditeti dhe kotësia e përpjekjeve të
njeriut për t'i dhënë kuptim një universi të heshtur.
3.Dialogu me vetveten shprehur te
vargu: “Dërdëllis me ta netëve si me vetminë” shfaq një situatë të njohur në
ekzistencializëm, ku individi përballet me vetminë e tij. Dërdëllitja,( sa trishtim
që sjell fjo fjalë) një formë e të folurit e pakuptimtë me vetveten, përçon
ndjesinë e përpjekjes për t’i dhënë zë mendimeve dhe ndjenjave të thella, por
pa arritur dot ta realizojë. Në këtë
mënyrë, figura artistike e monologut të brendshëm përforcon idenë ekzistenciale
të vetmisë dhe të pamundësisë për t’i dhënë kuptim jetës.
IV-Kjo poezi e shkurtër e Musa
Ramadanit është një shembull i shkëlqyer që dëshmon se vlerat artistike të një
poezie nuk varen nga gjatësia e saj. Pavarësisht numrit të kufizuar të
vargjeve, poezia është jashtëzakonisht e fuqishme në përçimin e emocioneve të
vetmisë, izolimit dhe përballjes me absurditetin e ekzistencës, madje të përcjell
një ndjenjë dhimbjeje dhe trishtimi. Poezia ka një koçizitet të diamanttë dhe është
pikërisht ky koncizitet që i lejon
lexuesit të përqendrohet në thelbin e ndjenjave dhe mendimeve të poetit, duke
hequr çdo element të tepërt. Secili varg bart një peshë të madhe figuracioni artistic
dhe domethënieje, që përmbledh ndjesinë e komunikimit të zbrazët me një botë
memecë. Kjo poezi e shkurtër, me personifikime dhe imazhe të forta, është një
shembull modern i artit që përdor minimalizmin e fjalëve për të krijuar një
ndikim maksimal, duke dëshmuar se vlerat estetike dhe filozofike mund të
përçohen fuqishëm edhe përmes një formati të shkurtër.
V-Te kjo poezi e Musa Ramadanit,
simbolet dhe imazhet, janë ato që flasin, janë thelbësore për të përçuar
ndjesitë e vetmisë. Le ti shohim konkretisht:
1. Simboli “Miqtë memecë” është
simboli qendror i poezisë. Këta miq që nuk flasin përfaqësojnë vetminë,
izolimin dhe mungesën e komunikimit të ndjerë. Siç thamë më sipër ata mund të përfaqsojnë
mendime të shtypura, ndjenja të pashprehura ose objekte të cilave njeriu
përpiqet t'u japë jetë për të mbushur boshllëkun e tij emocional dhe simbolizojnë
përpjekjen e njeriut për të gjetur një formë shoqërie edhe kur ajo është e
pamundur.
2. Te vargjet:“Të vegjël, të mëdhenj, të hollë, të trashë /
Të bardhë, të zezë, të kuq, të verdhë”, ngjyrat dhe format krijojnë një
seri imazhesh të ndryshme që simbolizojnë larminë e mendimeve, emocioneve dhe
përjetimeve shpirtërore të poetit. Ngjyrat përfaqësojnë diversitetin e
ndjenjave (e bardha për pafajësinë apo zbrazëtinë, e zeza për trishtimin, e
kuqja për pasionin ose zemërimin, e verdha për pavendosmërinë ose sëmundjen).
Këto forma dhe ngjyra krijojnë një atmosferë surrealiste, duke u shndërruar në
pasqyrim të gjendjes shpirtërore të poetit.
3. Imazhi I komunikimit të zbrazët
që shprehet te vargu:“Dërdëllis me ta
netëve si me vetminë” është një metaforë për përpjekjet e njeriut për të
gjetur ngushëllim në vetmi. Dërdëllitja përfaqëson një lloj monologu të pambarim,
një bisedë që nuk pret përgjigje, duke krijuar një ndjenjë të thellë të
izolimit.
4.Edhe pse“dhoma”nuk përmendet
drejtpërdrejt si simbol, ajo vepron si hapësirë e mbyllur dhe e kufizuar, një
mikrobotë e vetmisë së poetit. Kjo dhomë mund të shihet si simbol i mendjes së
tij, ku poeti është i izoluar nga bota e jashtme dhe i mbërthyer në vetveten.Pra,
simbolet dhe imazhet e kësaj poezie përforcojnë temën ekzistenciale të
përballjes me vetminë, duke krijuar një atmosferë të thellë shpirtërore dhe
estetike si rrallë në tjetër poezi.
Poezia e “vogël” "Miqtë e mi
memecë" është një dëshmi e talentit të lartë poetik të Musa Ramadanit, i
cili përmes një forme të përmbledhur dhe gjuhës së thjeshtë arrin të përçojë
ndjenja të thella dhe komplekse. Aftësia e tij për të personifikuar vetminë dhe
për të shndërruar mendimet dhe ndjenjat në "miq" të heshtur, tregon
ndjeshmërinë e tij të jashtëzakonshme ndaj botës së brendshme të individit. Ai
shfaq aftësinë e tij të krijojë një atmosferë
të ngjeshur emocionale e filozofike, duke shfrytëzuar mjeshtërisht figurat
artistike për të pasqyruar gjendjen shpirtërore të vetmisë dhe vetëreflektimit.
Minimalizimi I tij i fuqishëm, mbështetur në simbolikën e thellë, dëshmon
talentin e tij për të shndërruar një situatë të zakonshme të jetës së brendshme
në një përvojë universale, gjë që e
vendos atë si një zë të veçantë dhe të rëndësishëm në poezinë moderne
shqiptare.
Sarandë, më shtator 2024
Musa Ramadani
MIQTË E MI MEMECË
Ja, ndodhen
në dhomën time frymojnë
Të vegjël,
të mëdhenj, të hollë, të trashë
Të bardhë,
të zezë, të kuq, të verdhë
Dërdëllis me
ta netëve si me vetminë.
No comments:
Post a Comment