DASHURIA SI LOJË
Melodi
e humbur në poezinë e Sadik Bejkos
Nga Timo Mërkuri
Poezia “Fundi i lojës” nga Sadik
Bejko është një reflektim i thellë për dashurinë, një ndjenjë që shfaqet në dy
forma, herë plot gëzim e entuziazëm kur përjetohen çaste lumturie dhe herë
dhimbshëm e me trishtim kur ndodh ndarja. Teksti është i ndërlikuar, në lëvizje
midis realitetit të përjetuar dhe ndjesive të përçudnuara nga lodhja emociona-le.
Në poezi, autori e përshkruan përfundimin e një lidhjeje dashurie, si një
"lojë," duke nënvizuar dualitetin e ndjenjave të dashurisë. E
ndërtuar mbi tonalitete të ndryshme emocionale, poezia shpreh përmes tingujve
dhe metaforave ndjesinë e humbjes së një (loje) dashurie, duke e zhvendosur
këtë (ndjenjë) në sferat e thella shpirtërore. Fundi i saj nuk përjetohet vetëm
si ndarje fizike, por më tepër si zbehje e kujtimeve dhe ndjenjave, duke i
dhënë dashurisë një dimension metafizik që ngjan me një melodi të ndjeshme, një
këngë që vazhdon të jehojë në shpirtin e atyre që e përjetuan.
I- Poeti e cilëson dashurinë si
"lojë" për të theksuar natyrën e saj të ndërlikuar, kalimtare dhe
shpeshherë iluzore. Dashuria, si një lojë, përmban rregulla të pashkruara,
paqartësi dhe ndjenja që mund të jenë të
papërcaktuara plotësisht. Ajo mund të jetë përvojë plot gjallëri e lumturi, por
që sjell një zhgënjim të hidhur kur përfundon. Duke e quajtur "lojë"
poeti sugjeron se dashuria nuk është gjithmonë serioze apo e qëndrueshme, dhe
se ashtu si në një lojë, njerëzit mund të luhaten mes përfshirjes dhe
tërheqjes, mes fitores dhe humbjes.
Metafora e "lojës"
nënkupton një element loje shpirtërore mes dy personave, ku ata luajnë me
emocionet, iluzionet dhe realitetet e tyre të momentit, duke eksploruar
ndjenjat dhe prekje pa e ditur qartë se ku do të përfundojnë. Në këtë kontekst,
dashuria shfaqet si një përvojë ku gjithçka është e mundshme : nga eksitimi në
lojë dhe argëtim deri te dhimbja dhe ndarja.
Në poezinë e Bejkos, dashuria si
"lojë" shfaqet me një përzierje delikate të ndjenjave, ku përfundimi
i saj sjell dhembje e boshllëk, duke treguar se loja ka mbaruar, por gjurmët e
saj mbeten si melodi e përjetuar nga të dy dashnorët dhe lexuesi, që e përjeton
në lexim të vargjeve.
II-Poezia "Fundi i lojës"
e Bejko-s më tepër përjetohet si një kompozicion muzikor ku tonaliteti dhe
melodicititeti përcjellin dimensionin emocional. Tonaliteti poetik është
delikat, duke dhënë ndjesinë e një muzike të brendshme ku dashuria nuk është
vetëm fizike, por më shumë një përjetim shpirtëror. Vargjet rrjedhin me qetësi,
si një këngë e heshtur që ngrihet dhe bie, duke reflektuar lëvizjen shpirtërore
të pasioneve të përmbajtura. Është e natyrshme që vargjet të cilat shfaqin
lojën dhe prekjet e dy të dashuruarve të kenë në thelb melodicitet, pasi
dashuria është këngë, por edhe vargjet që shfaqin ndarjen e tyre (për çfardo
arsye) të kenë gjithashtu një melodicitet, ndonëse të trishtë e që përcjellin
dhimbje. Këto raste janë të pranishme në të gjitha poezitë tradicionale, madje,
qoftë lumturimi i përjetimit të dashurisë, ashtu dhe shimbja e trishtimi që
sjell ndarja, janë burim i këngëzimit të tyre. E njëjta gjë ndodh dhe në këtë
poezi moderne të Bejkos ku gjejmë dy tipe melodiciteti, në përputhje me
situatën dashurore të dy personazheve.
1.Në fillim të poezisë, imazhet e
buta të takimeve dhe prekjeve të lehta: "Një çaj.. një gotë verë… mbi bar
sup më sup, / Nën drurë dorë për dorë" sugjerojnë një lloj simfonie të
heshtur, ku çdo prekje dhe moment ndjehet më shumë se sa shihet. Këtu, pasioni është
transformuar në një formë të butë dhe të ëmbël të komunikimit, një lidhje që më
shumë flet për shpirtin se për trupin.
2.Tonaliteti gradualisht ndryshon
ndërsa poezia përparon, dhe poeti fillon të ndjejë një distance, një ftohje:
"Një si fëshfërimë e hollë uji në çajnik / Ena zien, zien. Fishkëllimë ...".
Këtu, zërat e brendshëm marrin forma të tjera, ndjesia e afërsisë dhe pasionit
nis të zbehet dhe tingujt bëhen më të mprehtë, si fishkëllima e një çajniku. Ky
ndërrim toni shfaq atë që ndodh në marrëdhëniet kur pasioni fillon të
shndërrohet në diçka më abstrakte, një melodi e brendshme që mbetet e përjetuar
në shpirt, por jo më në fizikalitetin e partnerëve.
3.Pjesa finale përmban një melodicitet pikëllimit dhe pranim të humbjes: "Vetëm
kaq? Trok e gulç në brinjë... / Varka që kish, na i mbytej në lumë."
Tingulli i brinjëve që gulçojnë dhe i varkës që mbytet përcjell një melodicitet
të ngadaltë, të rënduar nga zhgënjimi, duke përcjellur një ndjesi dhimbjeje,
ndoshta edhe pranimin e një realiteti që nuk mund të ndryshohet.
Në thelb kjo poezi përjetësohet
si një melodi e ndjeshme, ku çdo varg ka tonalitetin specifik, që reflekton
emocionet e ndryshme të dashurisë: pasionin, ëmbëlsinë, ftohjen dhe ndarjen.
III-Kjo poezi arrin një nivel melodiciteti,
që përforcohet nga elementet tekstuale si rima, ritmi dhe zanoret, elemente këto, që krijojnë një përvojë të
tingullit që e bën poezinë të rrjedhë natyrshëm, duke përforcuar ndjenjat dhe
emocionet e vargjeve.
1.Rima në poezi është e thjeshtë,
por efektive, shpeshherë e përmbajtur dhe e fshehtë brenda vargjeve, e cila e
bën poezinë të ndihet e butë, por duke ruajtur strukturën që krijon një ndjenjë
koherence melodike. Kështu psh, në vargjet: “Një puthim me prekje buze, sysh /
si mbi pëlhurë qëndisja, / si pemës bulimi me sythe”përdorimi i rimave të lehta
në fjalë si “sysh” dhe “qëndisja” krijon një ndjesi harmonie të tingujve, ku çdo fjalë është e
lidhur me tjetrën në një melodi të qetë.
Në fakt, nisja e melodisë me fjalëzën “puthim” është shumë e ëmbël dhe të mbetet
në mendje. Ritmi është i ngadaltë dhe i rregullt, duke përçuar qetësinë dhe
delikatesën e përjetimit.
2.Gjuha shqipe, si pasojë e
përdorimit të fjalëve shumë rrokëshe, në vend të atyre një rrokshe ka një
përdorim të gjerë zanoresh, të cilat u japin fjalëve hapësirë, dritë,
ekuilibër, por edhe melodicitet. Në poezi, zanoret kanë rol të rëndësishëm, veç të tjerash, edhe në
krijimin e tonalitetit dhe melodicitetit, pasi ndikojnë jo vetëm në strukturën
ritmike të vargjeve, por dhe në thellësinë emocionale te teksti. Zanoret të
hapura apo të mbyllura, ndihmojnë për ndërtimin e një atmosfere që pasqyron
ndjenjat e brendshme të personazheve. Në një analizë mbi ndikimin e zanoreve në
disa pasazhe kyçe të poezisë kemi:
a.Te vargjet fillestare: “E
ndiente, duhet të hiqte dorë. Muzg,” kemi përdorimin e zanoreve të mbyllura “u”
dhe “i”, të cilat krijojnë një tonalitet të përqendruar e të qetë. Zakonisht
zanoret e mbyllura theksojnë ndjenjat e brendshme dhe reflektuese, dhe i japin
vargut tonalitet të zymtë dhe meditativ, i cili reflekton ndjenjën e mbarimit
dhe lamtumirës. Kjo ndjenjë melodiciteti reflekton një melodi të qetë, të
ngadaltë.
b.Zanoret e hapura dhe ndikimi i
tyre shihet te vargjet: “Flirt? Mbase, por më shumë ëndërr”, zanoret e hapura “a”
dhe “e” krijojnë tonalitet më të lehtë dhe më të lire, duke e bërë këtë pjesë të vargut të tingëllojë më
optimiste, duke e shfaqur natyrën ëndërrue-se të marrëdhënies. Zanoret e hapura
ndihmojnë në krijimin e një ndjesie të qetë dhe harmonike, si një këngë e
brendshme që sjell kujtime dhe ëndrra të bukura. Ato kontribuojnë në lirimin e
tensionit dhe japin një melodi më të ndritshme.
c.Zanoret e mbyllura, psh te
vargjet: “Vetëm kaq? Trok e gulç në brinjë.”, ku përdoren zanoret e mbyllura “o”, “u”, dhe “I”,
krijojnë ndjenjë ngushtësie dhe tensioni. Ndikimi i tyre është i dukshëm në
tonalitetin e mbyllur dhe të shtrënguar të vargut, ku reflekton ndjesinë e një
gulçi emocional dhe dhimbjen e ndarjes. Në këtë moment melodia e ndjenjave
shndërrohet në një lloj drithërimi të brendshëm, një “therrje” në shpirt, dhe zanoret e mbyllura janë ato që
e theksojnë këtë tension të brendshëm.
ç.Zanoret dhe fluksi i qetësisë,
ku në vargjet e fundit: “Qe e gjitha një gënjeshtër yjesh / e dritash e
pikëzuar?”, zanoret e hapura “e” dhe “a” krijojnë një ndjenjë qetësie, por të
papërcaktuar,që të sjell në kujtesë një melodi të thjeshtë, por të ndjerë. Kjo
strukturë zanore e hapur sugjeron një kthim në reflektim dhe shpreh melankolinë
e përfundimit të lojës, e cila nuk është një ndarje brutale, e qetë, e
ngadalshme, e thellë, për pasojë tepër e dhimbëshme.
3.Struktura e poezisë është e
lirë, por me një rregull të brendshëm që i ndihmon vargjet të rrjedhin në
mënyrë natyrale. Ky organizim i lirë i vargjeve krijon hapësira për ndrrime të
ritmit, duke përcjelluur ndjenja të ndryshme gjatë leximit. Psh., te vargu: “Vetëm
kaq? Trok e gulç në brinjë...”ka një ritëm të ndërprerë, me përdorim të
shkurtesës “gulç” që krijon tension dhe pauza të rëndësishme, dhe e bën
lexuesin të ndiejë ngarkesë emoci-onale
të fortë.
Në këtë mënyrë, elementet
tekstuale si rima, ritmi dhe zanoret ndërthuren për të krijuar një melodicitet
të veçantë, që rritet dhe forcohet gjatë leximit, duke përcjellur përjetimin e
ndjenjave dhe melodisë së brendshme të dashurisë që shfaqet në poezi.
IV-Poezia "Fundi i
lojës" lehtësisht mund të perceptohet si simfoni intime e ndjenjave, ku
imazhet veprojnë si një orkestër muzikore që krijon një melodi për dy të
dashuruarit, ndërsa lexuesi bëhet dëgjuesi i tretë, duke përjetuar këtë muzikë
përmes vargjeve. Në këtë lente mund të shohim imazhet si pjesë e orkestrës.
1.Në fillim të poezisë, imazhet e
buta dhe të ëmbla të takimeve të përditshme përcjellin një atmosferë të ngrohtë
dhe intime sit e vargjet: “Një çaj... një gotë verë... mbi bar sup më sup, /
Nën drurë dorë për dorë.”ku, secili imazh është si një instrument që luan një
pjesë delikate të simfonisë së dashurisë. Prekja e lehtë, gota e verës, dhe
ambienti natyror ndërthuren në një harmoni që perceptohet vetëm për dy të
dashuruarit, ndërsa lexuesi ndjek këtë melodi në heshtje, duke ndjerë valëzimin
e ngrohtësisë që e përshkon këtë skenë.
2.Ndërsa poezia lëviz përpara,
imazhet fillojnë të përcjellin ndjenja
tensioni dhe ankthi të brendshëm, si te pasazhi: “Një si fëshfërimë e hollë uji
në çajnik / Ena zien, zien. Fishkëllimë...” ku, imazhet janë si tinguj të fortë
që ngrenë tensionin në orkestër, sikur ka një pause, që përgatit lexuesin të
dashuruarit për një përballje të brendshme. Lexuesi, si përjetues i tretë,
ndjen tensionin në mënyrë delikate, pasi fëshfërima dhe fishkëllima shprehin
një ndjenjë të padukshme por të pranishme.Këtu ai (lexuesi) kupton se momentet
e tensionit shfaqen si pauza muzikore. Përgjithësisht me melodicitet të dukshëm
e tingëllues janë krijimet poetike tradicionale të dashurisë, mirpo këtë aftësi
e ka dhe poezia moderne, në rastet e teksteve të goditura. Përvoja në leximin e
pozive të Bejkos na ka bindur se ai ka aftësi për të krijuar poezi moderne,
madje postmoderniste me melodicitet tingëllues.
3.Pjesa finale ndryshon tonin
melodik dhe imazhet përcjellin një ndjesi humbjeje dhe zbraztie. Psh, në
vargjet:“E gjejmë prap të huajën, trupin / e femrës që në arrati të vetes / jep
të qeshurën, gushën…?”imazhi i femrës që bëhet i huaj është sinjal i përmbysjes
së melodisë, ku muzika e dashurisë zbehet dhe shndërrohet në një simfoni të
zymtë. Lexuesi është ende i pranishëm, ndjek me vëmendje këtë ndërrim, dëgjon
heshtjen që mbush hapësirën mes të dashuruarve, e cila përcjell një zhgënjim të
thellë.
4.Poezia përfundon me një ndjenjë
përmbajtjeje dhe pranimi të fatit:“Oh, një lojë, një lojë kjo... asgjë më
tepër.” Kjo është nota finale e kësaj simfonie intime, që, ndonëse e hidhur dhe
plot dhimbje, përçon me finesë poetike ndjenjën e përfundimit. Lexuesi, si dëgjuesi i
tretë, merr pjesë te kjo notë e fundit, duke ndjerë se melodia që dy të
dashuruarit ndanin tani ka përfunduar, duke e lënë me një heshtje të thellë,
por të pasur me përjetim.
Në këtë mënyrë, poezia është
shndruar në një orkestër të ndjenjave dhe imazheve, ku lexuesi bëhet dëshmitar
i një melodie dashurie që jeton mes dy të dashuruarve dhe vazhdon të dëgjohet
në shpirtin e tyre, edhe kur fjalët janë shuar.
V-Sadik Bejko me poezinë e tij
moderne "Fundi i lojës" krijon një melodicitet dhe muzikalitet që
ngrihet mbi teknika të ndryshme nga ato të poezisë tradicionale, por që ruan
disa lidhje të fshehta me të. Ndërsa poezia tradicionale shqiptare është e
ndërtuar mbi rimë dhe ritëm të rregullt, gjë që lehtëson krijimin e një
melodiciteti uniform në gjithë poezinë dhe e bën atë lehtësisht të muzikueshme,
kjo poezi moderne sjell një qasje të ndërlikuar dhe të nuancuar ndaj tingujve
dhe rrjedhës muzikore. Megjithatë muzikaliteti te poezia tradicionale me temë të
dashurisë dhe kjo poezi modern kanë disa afërsi dhe dallime që ju ftoj ti
shohim bashkë.
1.Afërsitë
a. Si poezia tradicionale, edhe
kjo poezi moderne e Bejkos ruan një ndjeshmëri ndaj tingujve të fjalëve dhe
ndërlidhjes së tyre në vargje. Pavarësisht se rima nuk është e theksuar,
kombinimi i zanoreve dhe tingujve të ngrohtë krijon një lloj harmonie që është
karakteristike edhe për poezinë tradicionale pasi është efekt i melodicitetit të
gjuhës, psh te vargjet: "Një puthim me prekje buze, sysh / si mbi pëlhurë
qëndisja", ku përdorimi i tingujve të butë e të rrjedhshëm të
"u"( e shoqëruar me bashkëtingëlloren e përbërë “th” që të jep
ndjesinë e bashkimit të dy buzëve pikërisht në një puthje) dhe "e"
përcjellin një qetësi e harmoni, duke kujtuar melodinë natyrale të këngëve
popullore.
b.Ashtu si poezia tradicionale,
dhe kjo poezi moderne përqendrohet në përjetimin emocional të personazheve e
lexuesit. Dashuria dhe ndarja, që janë tema të përjetshme, përcillen përmes
figurave delikate dhe imazheve të ndjeshme që evokojnë muzikën e shpirtit.
2.Dallimet
a.Poezia jonë tradicionale ndjek
metrikë dhe ritëm të rregullt, duke u bazuar në skema të njohura rimash.Poezia
e Bejkos, ndonëse ruan elemente muzikale, nuk ndjek rregullat e përcaktuara të
rimës dhe metrikës. Struktura e lirë e poezisë së tij i lejon lexuesit të
përjetojë muzikalitetin në mënyrë më fluide dhe spontane. Psh: vargjet:"E
gjejmë prap të huajën, trupin / e femrës që në arrati të vetes / jep të
qeshurën, gushën…?"rrjedhin lirshëm, pa kufizime nga rimat, duke i dhënë
poezisë një melodicitet të brendshëm, të cilin lexuesi duhet ta
"dëgjojë" përmes ndjenjave dhe imagjinatës.
b. Poezia moderne e Bejkos përdor
imazhe dhe metafora të ndërlikuara, shpeshherë të ndërlidhura me abstraksione
ose ndjesi të brendshme, ndërsa poezia
tradicionale përdor figura konkrete dhe
të thjeshta për t’u shndruar në melodi. Psh, imazhi i tensionit të brendshëm
dhe frikës te vargjet:"Ena zien, zien. Fishkëllimë... do plasë, a zjarri
krejt duhet shuar?"është abstrakt dhe metaforik, ndërsa në poezinë
tradicionale, figurat janë më drejtpërdrejta dhe lehtësisht të perceptueshme si
"lulet", "drurët", apo "shpirti".
VI-Të shprehurit metaforik ka
ndihmuar dukshëm melodicitetin (dhe muzikalitetin) në poezinë "Fundi i
lojës" të Bejkos. Përmes figurave letrare si metafora, poezia krijon një
rrjedhë të butë, një tingull të brendshëm që rezonon me ndjenjat e imazhet që
krijohen. Te kjo poezi, metaforat jo vetëm që zbukurojnë gjuhën, por krijojnë
një efekt melodik që shoqëron përvojën e leximit. Rastet kur metafora ndihmon
melodicitetin dhe muzikalite-tin në poezi, I shohim te pasazzhet e mëposhtme:
1. Metafora e "zjarrit"
dhe "enës që zien" në vargjet: "Ena zien, zien. Fishkëllimë...
do plasë, a zjarri krejt duhet shuar?" krijon ndjesi tensioni, tension i
cili bëhet një muzikë e brendshme. Përshkrimi i fishkëllimës dhe tingullit të
enës që zien krijon melodicitet në mendjen e lexuesit. Ky tension, i mbështetur
nga metafora, funksionon si një kreshendo muzikore që i shton një dimension
tjetër melodicitetit të poezisë.
2. Metafora e "lojes"
dhe "pëlhurës qëndisja" te vargjet "Një puthim me prekje buze,
sysh / si mbi pëlhurë qëndisja." për dashurinë dhe kontaktin delikat e bën
gjuhën e poezisë të rrjedhë me ndjenjë
harmonie. Fjalët evokojnë kujdesin dhe finesën e një procesi të ngadaltë e të
ndjeshëm, duke krijuar një efekt melodik që ngjason me tinguj të butë, si ato
të një muzike klasike.Këtu hyn metafora,
e cila i jep vargut një elegancë tingëlluese që ndihmon në krijimin e një
ndjesie muzikale
3. Metafora e "lojës"
dhe "mbytjes së varkës" te vargu:"Në lojë fati / Varka që kish,
na i mbytej në lumë." krijon ndjesi
tragjedie dhe humbjeje, por gjithashtu ka një rezonancë muzikore. Ndërsa varka
mbytet, lexuesi përjeton "zbritje" tingullore, një notë e
ulët që përafrohet me humbjen e lidhjes së dashnorëve. Muzikaliteti i metaforës
së "mbytjes së varkës" krijon kontrast me melodinë e mëparshme të butë, duke
përçuar një tonalitet më të errët, të ngjashëm me uljen e zërit në një pjesë
muzikore.
VII-Ndjesia e këngëzimit që vjen
nga dashuria, është përjetim i brendshëm ku ndjenjat shprehen përmes një
melodie të fshehur në shpirt. Kjo dukuri është e dukshme edhe në poezinë e
Sadik Bejkos “Fundi i lojës,” ku melodia dhe muzikaliteti nuk janë të dukshëm
në mënyrë të drejtpërdrejtë, por ndjehen përmes vargjeve, duke përforcuar
përvojën intime të dashurisë.
1.Në poezinë e Bejkos, dashuria
përjetohet në formë jo vetëm fizike,por dhe shpirtërore , ku marrëdhënia midis
dy të dashuruarve shndërrohet në një melodi që e dëgjojnë vetëm ata. Kjo melodi
është një përvojë intime, e përjetuar përtej fjalëve dhe kontaktit fizik. Ja si
kjo dukuri reflektohet në vargjet:“Flirt? Mbase, por më shumë ëndërr.” Ky varg
sugjeron se ndjesitë e dashurisë ngjasojnë me ëndrrën, një përvojë që përfshin
shpirtin dhe mendjen në një melodinë të brendshme. Ëndrra, si dhe dashuria, ka
një natyrë melodike, që mund të ndjehet por jo domosdoshmërisht të shprehet me
fjalë.
2. Imazhi:“Një puthim me prekje
buze, sysh / si mbi pëlhurë qëndisja.” me përdorimin e metaforës së butë dhe
delikate, përfaqëson një këngëzim të heshtur, një ndjesi të brendshme që i
ngjan një melodie të njohur, të cilën të dashuruarit e krijojnë përmes
përvojave të tyre. Prekja e buzëve dhe syve bëhet si një partiturë muzikore e
qëndisur mbi pëlhurë, duke shtuar intensitetin e ndjenjave të brendshme dhe
duke i dhënë jetë një melodi që nuk dëgjohet me veshë, por ndjehet në shpirt.
3.Te vargjet:“Trok e gulç në
brinjë.” ndjenja e këngëzimit mund të vërehet edhe te përshkrimi i dhimbjes
fizike që ndodh në brinjë, e cila simbolizon atë drithërimën e brendshme të
dashurisë, që mund të përjetohet si një puls melodik. Kjo krijon një lidhje të
fuqishme midis emocionit dhe trupit, një ndjenjë e përjetuar thellësisht që
bëhet pothuajse muzikore për të dashuruarit.
Në këtë poezi, dashuria, dhe ndjesia
e saj e lumturisë, shndërrohet në një melodi të brendshme që e përjetojnë vetëm
ata që janë të zhytur në të. Ky melodicitet është i qetë, por i fuqishëm dhe
nuk mund të dëgjohet nga jashtë, por ekziston brenda shpirtit dhe rron edhe
pasi mbaron dashuria, si një kujtim i vazhdueshëm, duke mbajtur në jetë
ndjenjat edhe kur lidhja fizike përfundon.Kur je i dashuruar dhe i lumtur dhe
kur shkruan poezi dashurie me frymëzim të prek në shpirt një ndjesi këngëzimi,
madje të duket se e njeh melodinë që ndjen. Madje kjo ndjesi të prek edhe kur
lexon poezi moderne dashurie, si kjo e Sadik Bejkos.
Sarandë, më shtator 2024
Fundi i lojës
Sadik Bejko
E ndiente,
duhet të hiqte dorë. Muzg,
E gjitha kaq
qe. Për të do të mbetej
Gjëja më e
bukur, më intime.
Dy vjet
ishin takuar, prekur
Zhytur në
epsh ajror, shuar lart
Si në gjethnajë,
në pak ledhatime.
Kshte qenë e
epshme si një bukë
E ngrohtë,
për t’u afruar, për t’u
Gëzuar, për
të qenë e hutuar
nën sytë e
tij. Mbase luante,
por e luante
bukur atë shkartisje
nga vetja,
për pak, pak tjetërsi.
Qenë si në flur, të prajtur
Duke
rrëshqitur pak e pafajshëm
Në
rrënqethje, në elektrizim rastësor.
Shtërngim i
lehtë beli. Një çaj..
Një gotë
verë... mbi bar sup më sup,
Nën drurë
dorë për dorë.
Flirt?
Mbase, por më shumë ëndërr.
Shmangej
njëri, tjetri e kërkonte
Shkitën mbi
të përditshmen vrazhdësi.
Ish dhe
miqësi. Dhe urtësi. Të rritur
Që herë-herë
nxjerrin sipër
Veten
tjetër, të qenit fëmijë.
Trill? Po.
Lajkatim? Dhe kështu.
Një puhim me
prekje buze, sysh
si mbi
pëlhurë qëndisja,
si pemës
bulimi me sythe
Dhe secili
në punën e vet. Dhe ndarjet
Që të zënë
fytin si një përmbytje.
Vetëm kaq?
Trok e gulç në brinjë.
Dhuratë e
bruztë fati a rastësie
Mbi gurët e
rrugës një cipës sado
e hollë, një
gjethërim ëmbëlsie.
Por tash diç
tjetër… alarm, frikë
Një si
fëshfërimë e hollë uji në çajnik
Ena zien,
zien. Fishkëllimë...
do plasë, a
zjarri krejt duhet shuar?
Qe e gjitha
një gënjeshtër yjesh
e dritash e
pikëzuar? Qe krejt një
hiç asgjë?
Jo. Me shpatulla, me gjithë
rropulli
ishte gati të bërtiste pa zë.
Po e prekte
zbraztira. Ndaj nën zë
Këndonte me
vete me tërë gjoksin
(qante a
këndonte në ditën e gjatë) ?
Mbi gjithë
ç’pati, po vihej sipër një rrul.
Përreth
mbyllej me mur. Në lojë fati
Varka që
kish, na i mbytej në lumë.
E gjejmë
prap të huajën, trupin
e femrës që
në arrati të vetes
jep të qeshurën, gushën…?
I sëmbonte
thikë kjo vogëlimë:
Ç’ish “imja”
në çast po i bëhej tjetër,
Loja ku nga
pak, nga pak jemi të vegjël –
Oh, një
lojë, një lojë kjo... asgjë më tepër.
2005
No comments:
Post a Comment