Wednesday 18 September 2024

 

VEZULLIMI I SHPIRTIT

 

Nga Timo Mërkuri

Në poezinë "Më vezullo" të Natasha Lakos, ndriçimi  dhe transformimi shpirtëror janë në qendër të përjetimit lirik. Vargjet bartin një kërkesë për ndriçim dhe përmirësim, që nuk kufizohet vetëm në një akt fizik, por prek shpirtin dhe qenien e heroit. Poezia ndërthur motive të dashurisë, natyrës dhe frymëzimit, duke përdorur mjeshtërisht metafora për të komunikuar ndjenjën e transformimit shpirtëror, ku drita bëhet simboli kryesor i këtij procesi.

"Më vezullo" është një poezi moderne e rrymës së simbolizmit që mbështetet më tepër në ndjenjë sesa në mendim, madje krijon një atmosferë shpirtërore dhe kërkim për një formë ndriçimi shpirtëror që vjen përmes dashurisë dhe ndjeshmërisë . Me fjalë e figura që reflektojnë ndriçimin shpirtëror, Lako na fton të përjetojmë një proces  transformimi emocional, pse në poezi, vezullimi nuk është një dritë fizike, por një dritësim i shpirtit, që i ndrin individit rrugën drejt përsosjes shpirtërore dhe lumtu -risë njerëzore.

I-Vargu "Më vezullo" mund të kuptohet si kërkesë për dritësim, ndriçim ose frymëzim , ku fjala "vezullim" lidhet me diçka, që ndriçon me një shkëlqim të veçantë. Në këtë kontekst, personazhi lirik kërkon ndriçimin, në formën e  transformimit shpirtëror, të qetësisë apo të një energjie të re që do t’i japë heroinës mundësinë të bëhet më e mirë. Ky ndriçim simbolik mund të përfaqësojë dashurinë, dritën shpirtërore, një kujtim ose udhërrëfim drejt një qëllimi më të lartë në jetë. E parë në këtë aspekt, fjala "vezullim" ka një nuancë më të ngrohtë dhe më intime se fjala "ndriçim," e cila nënkupton diçka të jashtme. "Vezullim" është një ndriçim i butë, i ëmbël dhe i përkohshëm, pse vjen nga brenda shpirtit.

1.Duhet të kemi parasysh se në vargun "Më vezullo," poetja i drejtohet një entiteti të papërcaktuar, një “tjetri”, që interpretohet në varësi të kontekstit dhe simbolikës së poezisë. Ky entitet, “tjetri”mund të jetë një figurë dashurie, një force jashtëtokësore si drita apo hyjnia, natyra apo një forcë trasformuese ku vlerësojmë: dashurinë, forcën e natyrës, fuqiinë shpirtërore, kohën dhe përvojën njerëzore.

a.Parafjala "Më" bart një domethënie thelbësore, pasi shpreh egzistencën e një marrëdhënie të drejtpërdrejtë midis heroinës dhe entitetit të cilit i drejtohet. Duke përdorur këtë parafjalë, poetja nuk kërkon një  ndriçim të thjeshtë nga jashtë, por një ndërveprim të thellë dhe të përbashkët. Ajo mund të kërkojë të vezullohet me dritën që emeton, apo përcjell ky tjetri, duke nënkuptuar psh një bashkëjetesë në rastin e të dashurit, ose një bashkësi shpirtërore dhe emocionale.

b.Në këtë kontekst, parafjala "Më" shërben për të theksuar nevojën e një ndriçimi që nuk është thjesht i jashtëm, por që rrjedh përmes një lidhjeje të shpirtërore dhe intime. Poetja kërkon që ky ndriçim të jetë një proces bashkëveprimi, ku drita që vjen nga tjetri e mbush atë me një forcë të brendshme transformuese. Parafjala "Më" sugjeron një lidhje, një përfshirje aktive ku të dy palët: heroina dhe "tjetri" janë të ndërlidhur në këtë proces të vezullimit dhe ndriçimit.

c. Është e rëndësishme të kuptohet dhe ndjehet se sipas kësaj poezie, "vezullimi" nuk duket të jetë vetëm pasojë e dashurisë. Ndërsa dashuria luan rol të rëndësishëm si forcë e fuqishme dhe e paqëndrueshme ("dashurisë si detit i merren këmbët dhe bie") "vezullimi" është shprehur më shumë si formë e ndriçimit shpirtëror. Përveç dashurisë, poezia sugjeron se "vezullimi" vjen nga një kombinim i forcave natyrore dhe shpirtërore, si dallgët e detit, drita e diellit dhe hapësirat e brendshme të njeriut: Psh."Më vezullo, si dallgët e mbushura me erën,", ku vezullimi vjen nga energjia dhe dinamizmi i natyrës. "Më vezullo, me dritën e diellit që kapërdihet", ku drita e diellit shfaqet si burim  ndriçimi, duke simbolizuar një transformim të brendshëm apo ndërhyrjen e një force mbinjerëzore, etj.

II-Poezia "Më vezullo" ka  thellësi shpirtërore, që pasqyrohet në kërkimin e një impulsi për ndriçim të shpirtëror, pra në dëshirën për një rilindje shpirtërore, por ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se kjo kërkesë shfaqet e ilustrohet nëpërmjet imazheve shumëngjyrëshe që krijojnë përshtypjen se po sheh një aurorë boreale shumëngjyrëshe,madje dhe në lëvizje e krijim formash të ndryshme. Që në vargun e parë, subjekti lirik shfaq dëshirën për të qenë "më e mirë," shprehje që lidhet me ndriçimin shpirtëror:"Më vezullo/ Të bëhem më e mirë." Këtu, kërkesa për vezullim i drejtohet të dashurit  dhe kërkon që ai të ndriçojë jetën e saj dhe ta përmirësojë, ta trasformojë atë. Këtu ka diçka reale, vajzave të dashuruara u shkëlqejnë sytë dhe gjithë qenia e saj, janë tepër të lumtura, të qeshura dhe shprehin pozivitet në çdo rast. Kemi thënë që Natasha Lako flet me imazhe, por mqse në këtë poezi imazhet janë shumëngjyrëshe si aurorat boreale, ne le të bëjmë një lexim sipas ngjyrave dhe figurave artistike që bashveprojnë në krijimin e tyre.

1.Te vargu: "Sepse dashurisë si detit i merren këmbët dhe bie"  shohim një krahasim metaforik midis dashurisë e detit, që shfaq lidhjen me ndjenjën për  brishtësinë dhe lëkundshmërinë e këtyre dy elementeve.

a.Imazhi ku: "Dashurisë si detit i merren këmbët" ku dashuria personifikohet, krijon një paralelizëm ndërmjet dashurisë dhe detit si metaforë, duke sugjeruar se, ashtu si deti që humbet balancën kur goditet nga stuhitë, dhe dashuria dikur e humbet ekuilibrin. Në këtë kontekst, dashuria përshfaqet si diçka e madhe, e fuqishme si deti, por që shpesh here tronditet , destabilizohet, pra personifikohen  si diçka që lodhen dhe "i merren këmbët" duke e humbur qëndrueshmërinë e saj “dhe bie”, një tjetër personifikim.

b.Metafora e detit si simbol i dashurisë forcon ndjenjën e një pasioni të fuqishëm, të pakontrollueshëm, por  njëkohësisht të pambrojtur nga forcat e jashtme, ashtu si deti nga erërat dhe dallgët. Pra në thelb imazhi i mësipërm është krijuar nga ndërve-primi i figurave që cituam, ku secila  figurë ofron ngjyrën e saj në imazh, duke krijuar aurorën poetike.

2. Në poezinë "Më vezullo," fjala "vezullo" përsëritet në mënyrë ritmike, duke krijuar një harmoni të brendshme dhe thirrje për ndriçim shpirtëror. Kjo kërkesë është si një puls i vazhdueshëm që kërkon të sjellë qetësi, ngrohtësi dhe ndriçim. Me vargun "Më vezullo/ si dallgët e mbushura me erën" Lakoi i drejtohet natyrës dhe kërkon nga ajo ti japë energji dhe ndriçim nga dallgët dhe era. Vargu krijon një imazh të fuqishëm ku natyra dhe ndjenjat ndërthuren në një simbolikë të gjallë.

a. Kërkesa për vezullim, krahasohet me dallgët, që janë gjithmonë në lëvizje, duke u “mbushur” me forcën e erës, pra u jep dallgëve veti njerëzore, sikur marrin energji nga era. Mirpo dallgët dhe era shfaqen si metafora që simbolizojnë emocionet që përplasen dhe lëvizin pa pushim, ku era simbolizon forcat e jashtme. Pra  vezullimi është po aq i fuqishëm sa ky proces natyror, një ndriçim që kërkon të shpërthejë përmes çdo ndjenje dhe lëvizjeje.

b.Ashtu si dallgët, që janë të fuqishme, të gjalla e në ndryshim, dhe dashuria përjeto-het me të njëjtën forcë dhe dinamikë. Dashuria është ajo që bën vajzën të vezullojë, duke i sjellë një dritë të brendshme që buron nga përjetimi i thellë emocional. Dallgët e mbushura me erën reflektojnë këtë transformim të brendshëm. Ky vezullim është gjithnjë në lëvizje, dhe krijon një gjendje ndryshimi dhe ndriçimi.

c. Dallgët dhe era krijojnë  imazhin e forcës së natyrës, simbol për diçka që sjell ndryshim dhe energji, ndoshta për një rigjenerim shpirtëror ose për një rilindje të brendshme. Pra, edhe pse vargjet kanë një ngarkesë emocionale, ato shfaqen si  kërkesë për ndriçim nga natyra ose një fuqi abstrakte.

3. Te vargu shumëfigurësh “më gjej përrallën e lëshuar lëndinave,/ ku djalli nuk ka telefon,” poetja duket se i drejtohet një fuqie shpërtërore dhe shpreh dëshirën për t’u larguar nga negativiteti dhe nga bota e zhurmshme e modernitetit, duke kërkuar një kthim në hapësira të qeta, si lëndinat e fëmijërisë. Ky varg është i ngarkuar me imazhe simbolike të shumëkuptimshme, dhe shumëngjyrëshe duke lënë hapësirë për disa interpretime.

a.Përralla, e cila lidhet me pafajësinë, idealizmin dhe ëndrrat e fëmijërisë, është simbol i një bote ku imagjinata mund të lëvizë lirshëm. Në këtë kontekst, përralla është një imazh simbolik ,që nuk duhet kuptuar fjalë për fjalë, por si ide që përcjell kuptimin e thjeshtësisë dhe ëndrrave të pastërta, larg nga ndikimet negative të botës modern,pra është shprehje metaforike, ndërsa “përralla e lëshuar lëndinave” personi -fikohet me cilësi njerëzore.

b."Djalli" përfaqëson elementin negativ, ndërsa"telefoni" simbolizon mjetet moderne të komunikimit, që janë mbartëse të tensioneve, stresit dhe ndikimeve të jashtme që  prodhon shoqëria bashkëkohore.Vargu shpreh një kritikë të fshehur ndaj teknologjisë dhe ndërhyrjes së saj në jetën e private, duke nënkuptuar humbjen e një bote të thjeshtë, të qetë dhe të bukur shpirtërisht.

c.Në thelb, poetja shpreh një dëshirë për liri shpirtërore dhe emocionale, një kthim në natyrën e pastër, të pandikuar nga presionet e përditshme, një botë romantike që i ngjan fëmijërisë apo adoleshencës, ku njeriu mund të jetë i lirë nga kontrolli dhe shqetësimet e jetës moderne.

4.Me vargun "Më vezullo, me dritën e diellit që kapërdihet" heroina shpreh kërkesë për ndriçim nga një burim hyjnor, dhe shfaq një imazh vizual që, jo vetëm fton lexue-sin të krijojë një pamje të gjallë në mendje, por dhe ndërton një lidhje midis natyrës e ndjenjave shpirtërore të subjektit. Imazhi i dritës së diellit që "kapërdihet" krijon një skenë dinamike plot jetë, ku dielli dhe drita marrin rol të ndërgjegjshëm, si etnitet që vepron me ndërgjegje, pra personifikohen. Ky imazh krijon një ndërveprim të pasur midis botës së jashtme natyrore dhe procesit shpirtëror të heroinës.

a.Në këtë varg, drita e diellit vizualizohet në një proces natyror të shfaqur në mënyrë të pazakontë, por me nuancë transformuese që ndikon fuqishëm mbi heroinën. Imazhi i “kapërdirjes” së dritës simbolizon  përthithje të plotë të ndriçimit shpirtëror, duke reflektuar procesin e përjetimit të dritës. Në këtë kuptim, fuqia e mbinatyrshme që përfaqëson dritën e diellit bëhet burim i i energjisë dhe jetës, duke bërë të qartë se "tjetri" të cilit i drejtohet poetja nuk është një qenie e zakonshme, por një fuqi më e lartë, mbinjerëzore.

b.Përdorimi i këtij imazhi është rezultat i ndërveprimit të figurave artistike. Metafora e "dritës së diellit" është simboli që përfaqëson vitalitetin dhe energjinë shpirtërore, ndërsa personifikimi i dritës që "kapërdihet" e transformon këtë energji natyrore në veprim që ndodh brenda qenies së heroinës. Alegoria e kapërdirjes sugjeron procesin e ushqyerjes dhe ndriçimit shpirtëror. Ky ndërveprim i figurave artistike krijon  imazhin e pasur, shumëdimensional e shumëngjyrësh, duke pasuruar strukturën poetike dhe thelluar përjetimin emocional të lexuesit.

c.Në këtë varg heroina i drejtohet natyrës, pse kërkuon prej saj një ndriçim përtej mundësive njerëzore. Heroina dëshiron që kjo fuqi t’i sjellë ndriçimin e nevojshëm për ta mbushur e transformuar shpirtin e saj në mënyrë të plotë. Kërkesa për ndriçim shpirtëror dhe transformim shpreh dëshirën e subjektit për të arritur një paqe të brendshme, një ndriçim të thellë që nuk mund të vijë nga bota e dukshme, por nga forca të padukshme e transcenduale.

5. Vargjet "Më vezullo, / Me tjetër frymë të mbushet hapësira / Të niset të marrë një dritë të re/ nga një vend diku që ne, ende nuk e dimë," shprehin një kërkesë adresuar forcave transformuese për rigjenerim shpirtëror.Është pikërisht kërkesa për “frymë të re që  që vjen nga një burim i panjohur” që tregon nevojën për trasformim shpirtë-ror, e cila shtrihet përtej asaj që është  fizike apo natyrore.

a.Te vargu "Me tjetër frymë të mbushet hapësira" fryma përdoret si një metaforë për energji, frymëzim apo përsosje shpirtërore që do mbushë hapësirën e brendëshme, gjë që sugjeron një rilindje apo rigjenerim. Kjo kërkesë shkon përtej një procesi të thjeshtë fizik; ajo kërkon ndërhyrjen e një force trasformuese. Drita e re-metaforë për një përvojë të re, ndriçim ose shpresë të re, që vjen nga një burim i panjohur, "nga një vend diku që ne, ende nuk e dimë," simbolizon  shpresën për një përvojë që mund të ndriçojë shpirtin dhe t’i japë kuptim të lartë ekzistencës së tij.

6.Po të shohim me vëmëndje vargjet vijuese: "Të kthehet dhe të kthejë atë dritë kaloshine,/të gruas që e vetmuar ,/nëpër  natë kthehet në shtëpi" ku ndjehet se heroina i drejtohet një force të jashtmë, ndoshta natyrës, një fuqie mbinjerëzore që ka aftësinë të drejtojë dhe udhëheqë heroinën përmes natës dhe vetmisë, ndjejmë se kemi një farë “konkretizimi” të poezisë, një zbritje të saj në tokë.

a. Vargu:”Të kthehet dhe të kthejë atë dritë kaloshine” është një imazh që sugjeron rikthimin e  dritës që ka humbur, qoftë dhe përkohësisht. Metafora:“Drita kaloshine” simbolizon një dritë të zbehtë, si të karrocave, që gjithsesi ka aftësinë të ndriçojë  lehtas rrugën, ku kalon “një grua e vetmuar”.

b.Vargu imazhist: “të gruas që e vetmuar/nëpër  natë kthehet në shtëpi” “konkreti-zon” ndjesinë e vetmisë dhe nevojën e kërkimit të dritës me figurën e “gruas”. Nata simbolizon errësirën, pasigurinë në kontrast me shtëpinë që përfaqson një vend të ngrohtë, të sigurtë. Pra, gruaja e vetmuar është në kërkim të dritë që ta “vezullojë”, pse ajo përpiqet të rikthehet te vetvetja.  Gruaja që ecën vetëm nëpër natë, çuditërisht parafytyrohet me roba të errëta, përfaqëson vetminë dhe trishtimin e përvojës njerëzore, ndërsa kthimi në shtëpi simbolizon përfundimin e këtij udhëtimi të trishtë (shpirtëror), duke e çuar heroinën drejt një ndjenje paqeje e sigurie.

7.Në vargjet "E pas pak do të mbyllë derën, / jashtë kësaj romance të vjetër që poshtë dallgëve zbret," veprimi tingëllon si një simfoni ku çdo element është  notë në një kompozim të ndërlikuar emocional. Mbyllja e derës, romanca e vjetër dhe dallgët që zbresin krijojnë lëvizje të qetë e të pasur me tension. Mbyllja e derës metaforizon përfundimin e një periudhe emocionale,  shpëtimin shpirtëror, ndarjen simbolike nga e kaluara dhe hyrjen në fazë të re të jetës së gruas. Fjala (romancë) “e vjetër” shpreh idenë e një mardhënieje që tashmë është braktisur përfundimisht. Ndërkohë imazhi “që poshtë dallgëve zbret” sugjerojnë “mbytjen” e kësaj romance dhe hapjen e  një kapitulli të ri në jetën e shpirtin e gruas.  Duke lexuar këto vargje në sytë e lexuesit vizualizohet lëvizshmëria e gruas.  Sa shumë do dëshironim që: shumë gra dhe vajza, që të vetmuara nëpër natë kthehen në shtëpi, tu mbyllin dyert romancave të vjetra dhe të vezullohen e të bëhen më të mira. Kemi shumë nevojë ta besojmë këtë magji të vezullimit, kemi shumë dëshirë ta shpresojmë se do shumë shpejt do ndodhë. E them këtë se qysh te leximi i vargut për dritën e zbehtë të kaloshinës, ndjejmë një dritësim në të ardhmen e “gruas së vetmuar” e cila ndërsa ndriçon rrugën e saj, ndjejmë se po ndrin një agim më i mirë. E ndjejmë dhe te fakti se dhe vetë poezia merr një dritë më të çelur, më të ëmbël, sikur vezullohet edhe vargu poetik.

III-Përmendëm më sipër se poezia “Më vezullo” e Natasha Lakos mund të shikohet si një kombinim ngjyrash të lëvizshme, si aurora boreale dhe kjo pse ajo ka një ndjeshmëri të veçantë dhe është e ndërtuar me figura poetike që ndryshojnë dhe ndërveprojnë në mënyrë dinamike edhe me ngjyrat e tyre. Ashtu si aurora boreale, vargjet e saj lëvizin mes ndriçimit dhe hijes, mes shpresës e reflektimit të brendshëm.

1.Po ta shohish me këtë sy poezinë, vërren se kombinimi i metaforave të ndriçimit, frymës së re dhe dritës së kapërdirë krijojnë një spektër ngjyrash emocionale e shpirtërore që transformohen vazhdimisht, duke krijuar një përvojë poetike të larmishme. Duhet të theksojmë se ngjyrat e poezisë së Lakos përfaqësojnë të gjitha nuancat e ndjenjave njerëzore: nga drita e re dhe ndriçimi i shpresës, te errësira e natës dhe transformimit të dhimbjes.

2.Ajo që ka më shumë rëndësi në këtë këndvështrim të poezisë së Lakos është fakti se ndriçimi i brendshëm mund të krahasohet me një lojë të shumëfishtë ngjyrash aurore boreale që lëviz në qiellin shpirtëror të heroinës dhe se ky kombinim dritash e ngjyrash lidhet me transformimin emocional e shpirtëror që përjeton ajo. Kështu, ndryshimi në ngjyrë dhe intensitet i dritës përfaqëson faza të ndryshme të përvojës së saj shpirtërore duke krijuar efekte shumëdimensionale të përjetimeve njerëzore. Në poezi ndriçimi dhe drita shumëngjyrëshe luajnë një rol kyç në përfaqësimin e këtij udhëtimi të pasur emocional.

a.Drita shumëngjyrëshe në poezi nuk është statike, ajo lëviz dhe transformohet, si emocionet dhe mendimet e heroinës. Në çdo çast të përvojës së saj, ndriçimi ndryshon ngjyrë, duke përfaqësuar përzierjen e ndjenjave si shpresë, dëshirë, nosta-lgji, humbje apo rigjenerim. Këto ngjyra nuk janë të ndara, ato ndërthuren duke krijuar një efekt të plotë të ndriçimit të saj të brendshëm. Psh te vargjet: "Më vezullo, / Me tjetër frymë të mbushet hapësira" sugjeronë një përzierje të ndjenjave, ku secila "ngjyrë" e dritës reflekton një aspekt të ndryshëm emocional, nga shpresa dhe qetësia, deri te tensioni dhe trishtimi.

b.Në poezi, drita përfaqëson shpresën dhe fuqinë rigjeneruese që udhëton përmes errësirës. Drita e diellit, psh, simbolizon ndriçimin e jetës dhe energjinë që lind nga çdo mëngjes i ri. Kur heroina kërkon që hapësira të mbushet me një "frymë të re" dhe të marrë një "dritë të re," ajo kërkon një rilindje shpirtërore që vjen përmes një drite shumëngjyrëshe që nuk është thjesht një burim i jashtëm, por një burim që ndikon thellësisht brenda saj.Psh. vargjet: "Të niset të marrë një dritë të re" tregojnë dëshirën për rigjenerim shpirtëror përmes një dritë të re.

c. Në vargjet "Më vezullo, / Me tjetër frymë të mbushet hapësira / Të niset të marrë një dritë të re," drita merr  rol aktiv, duke reflektuar nevojën për  udhëtim shpirtëror dhe transformim. Heroina kërkon jo një ndriçim të jashtëm, por një dritë të re që ka fuqinë të ndryshojë botën e saj shpirtërore, e cila më pas dritëson dhe pamjen e jashtmë. Kjo dritë nuk është thjesht e bardhë, por një përzierje ngjyrash që reflekton kompleksitetin e emocioneve dhe ndjenjave të saj. Drita shumëngjyrëshe reflekton dhe procesin e ndriçimit shpirtëror. Ndryshe nga një dritë e vetme statike, ndriçimi shumëngjyrësh tregon një transformim gradual të shpirtit, që kalon përmes hijeve, kontrasteve, dhe ngjyrave të ndryshme për të arritur në një ndjenjë të plotë paqeje dhe qetësie. Ndriçimi shumëngjyrësh sjell  kuptimin se ky udhëtim shpirtëror nuk është linear, por një proces i vazhdueshëm që ka kthesa, ndryshime dhe rritje.

d.Përjetimi i dritave shumëngjyrëshe në poezinë e Lakos ngjason me aurorën boreale, në  lëvizje të vazhdueshme, duke krijuar forma dhe ngjyra që ndryshojnë vazhdimisht. Ky efekt vizual përkon me përvojën shpirtërore të heroinës që përjeton emocione të fuqishme. Aurora boreale nuk është një pamje e zakonshme, por një fenomen i rrallë e mahnitës, që të lë pa fjalë, duke i dhënë ndriçimit (shpirtëror) një dimension të mistik. (E çka më mistike se dashuria në jetën e njeriut?) Te vargjet: “Diku që ne, ende nuk e dimë", poezia sjell ndjenjën e të panjohurës, një ndriçim i cili ende nuk është kuptuar plotësisht. Ashtu si aurora boreale që lëviz dhe ndryshon në mënyrë të paparashikueshme, edhe përvoja e saj shpirtërore është e mbushur me elementë të së panjohurës

e.Shumëngjyrshmëria e ndriçimit është një urë mes botës së brendshme dhe asaj të jashtme. Teksa heroina kërkon ndriçimin e diellit dhe një frymë të re për të mbushur hapësirën( e saj shpirtërore), kjo dritë bëhet një element që ndërthur botën tokësore me një dimension të lartë shpirtëror. Ndriçimi shumëngjyrësh i sjell ndjesi të unitetit dhe harmonisë mes këtyre dy botëve, duke përfaqësuar jo vetëm një transformim  shpirtëror, por dhe një lidhje me forcat e universit. Psh te vargjet: "Jashtë kësaj romance të vjetër që poshtë dallgëve zbret" ku dallgët dhe drita ndërthuren si simbol i lidhjes mes tokës dhe qiellit.

IV-Kemi dëgjuar të thuhet shpesh se poezia e Lakos është një poezi e mendimit, filozofike, etj, por ky është interpretim i gabuar, si pasojë e mosgjetjes nga ana e lexuesit të  gjurmës së shkëndijës të frymëzimit poetik, që shpesh herë qëndron te një frazë, madje dhe te një fjalë, si në rastin e kësaj poezie që shkëndijon te fjala " vezullomë" dhe rrjedh në shtegun e saj, përkundrejt një qasjeje filozofike apo analitike. Në poezin e saj, ndjenja dhe përjetimi janë më të rëndësishme se analiza e ftohtë dhe mendimi intelektual. Kjo duket në disa aspekte:

1.Poezia e Lakos është e ndriçuar nga një sens frymëzimi dhe ndjeshmërie. Vargjet e saj shfaqin ndjenja dhe emocione të ngrohta që  krijojnë  lidhje të drejtpërdrejtë me lexuesin, qasje kjo që fokusohet më shumë në përjetimin shpirtëror sesa në një analizë filozofike. Psh te vargjet "Më vezullo, / Të bëhem më e mirë", poezia shpreh një kërkesë që është  ndjenjë dhe dëshirë shpirtërore dhe jo analizë filozofike e ndriçimit. Po ashtu te vargjet "Me dritën e diellit që kapërdihet" kemi një tjetër shembuj  përdorimi të metaforave dhe imazheve për të shprehur ndjenja dhe përvoja të brendshme, larg filozofimeve.

2. Edhe pse poezia e Lakos shfaqë elemente të mendimit dhe reflektimit, thelbi i saj është në përjetimin emocional që ajo sjell. Kjo do të thotë se ndjeshmëria dhe frymëzimi janë përparësitë kryesore,  filozofimi ndodh në  mënyrë më të nënkuptuar. Psh te poezia “Më vezullo”, figura e vezullimit merr rol udhërrëfyes qysh në vargun e parë, duke e udhëhequr subjektin drejt një gjendjeje më të lartë shpirtërore: "Më vezullo, / Të bëhem më e mirë".

3. Natasha Lako në poezinë e saj përmes metaforave dhe imazheve të pasura, shpesh shpreh ndjenja dhe ndjesi shpirtërore që nuk janë të lehta për t'u analizuar në terma filozofikë. Në vend të kësaj, ato krijojnë një atmosferë që i lejon lexuesit të ndihen dhe të përjetojnë ndjenjat që poezia ofron.Psh vargu: "dashurisë si detit i merren këmbët / dhe bie" ku poetja shprehet përmes metaforave:"i merren këmbët", “dashurisë si deti”, "dhe bie"madje në këtë varg, kombinohen disa metafora për të shprehur ndjesitë dhe proceset emocionale, ku përdorimi i detit si simbol i dashurisë dhe i marrjes së këmbëve si një akt i rënies krijon një imazh të pasur dhe kompleks të përvojës shpirtërore dhe emocionuese.

Në thelb, poezia"Më vezullo"e Natasha Lakos është krijim me  strukturë të ndërlikuar , ku përmes një gjuhe të fuqishme dhe figurave të gjalla artistike ndërton një botë shpirtërore. Poezia lëviz përmes imazheve të natyrës dhe forcave shpirtërore, ku ndriçimi i shpirtëror dhe dashuria janë thelbi i saj. Në vend që të ofrojë përgjigje të drejtpërdrejta filozofike, ajo i përcjell ndjenjat dhe mendimet përmes një rrjedhe imazhesh, të cilat lexuesi i përjeton më shumë në nivel intuitive .

Natasha Lako, si gjithmonë, përdor një gjuhë që krijon  dialog të ndjeshëm midis botës së jashtme dhe të brendshme, ku ndriçimi bëhet sinonim i një transformimi të thellë. Poetja flet për dritën si një energji shpirtërore, që jo vetëm ndriçon, por dhe ndryshon e shëron. Kjo poezi, me pasurinë e saj të imazheve dhe forcën emocionale, është një përvojë artistike e rrallë që përshkon nivele të shumta të ndjenjave njerëzore dhe shpirtërore.

 

Sarandë, më shtator 2024

 

 

Natasha Lako                                                             

Më vezullo

Më vezullo,

Të bëhem më e mirë,

Sepse dashurisë si detit i merren këmbët   dhe bie.

Më vezullo,

si  dallgët  e mbushura me erën ,

më gjej përrallën e lëshuar lëndinave,

 ku djalli nuk ka telefon,

Më vezullo,

Me dritën e diellit që kapërdihet ,.

Më vezullo,

Me tjetër frymë të mbushet hapësira

Të niset të marrë një dritë  të re,

Diku që ne, ende nuk e dimë,

Të kthehet dhe të kthejë   atë dritë kaloshine,

të gruas që e vetmuar ,

nëpër  natë kthehet në shtëpi.

E  pas pak do të mbyllë derën,

 jashtë kësaj romance  të vjetër që poshtë dallgëve zbret.

 

No comments:

Post a Comment