TEJKALIMI I MODERNIZMIT TE POEZIA NË PROZË
Nga Timo Mërkuri
Poezia "Ato që thuhen tani"
nga Natasha Lako është një poezi në
prozë, që realisht ndjek formatin e një poezie lirike, por me një stil të afërt
me prozën për shkak të përdorimit të gjuhës së rrjedhshme e të paprerë nga
struktura klasike e vargjeve. Elementët poetikë si figurat stilistike, simbolet
dhe imazhet i japin tekstit ngarkesë emocionale, pa u kufizuar nga rima apo
ritmi tradicional i poezisë. Në vend të kësaj, poezia zhvillohet si një rrëfim
i brendshëm, ku zëri lirik krijon lidhje
të ngushtë mes lexuesit dhe përjetimeve të tij, duke alternuar mes pyetjeve dhe
përgjigjeve, që krijojnë një atmosferë meditimi. Në këtë rast, ajo përdor stilin
e prozës për të prurë rrjedhshmëri të
lartë dhe eksploruar ide të mëdha dhe abstrakte, si përballja me botën moderne,
identitetin, dashurinë dhe brishtësinë e njeriut. Pikërisht kjo e bën atë poezi
në prozë, ku: ndërsa forma është e lirshme, ndjenja poetike është e pranishme
dhe zotëruese. Poezia në prozë kombinon elementet poetike me formatin e prozës,
rruan intensitetin emocional dhe estetik të poezisë, por tejkalon, kapërcen
kufizimet strukturore të vargjeve, madje dhe vargjet e lira, pse përqendrohet
në përdorimin e gjuhës figurative, simboleve, ritmit të brendshëm dhe imazheve
poetike për të krijuar efektin estetik.
Kam folur për poezinë në prozë te
libri im “Blatimet poetike të Niko Kacalidhës”, ndaj këtu skicoj informacionin se: Së pari poezia në
prozë është lëvruar në Francë (Bodler , Rembo, Valeri) etj, më pas në vendet e
tjera europiane: Rainer Maria Rilke, Arthur Rimbaud, dhe Fyodor Tyutchev, në
SHBA: Ëilliam Carlos Ëilliams dhe T.S. Eliot, në Amerikën Latine: Octavio Paz
dhe Jorge Luis Borges, në Greqi Elitis, Engolopulos, Ricos, Empirikos etj. Në
poezinë shqipe e ka lëvruar së pari Koliqi, pastaj Martin Camaj, ndërsa pas
viteve ‘90 e kanë lëvruar suksesshëm Kacalidha, Lleshanaku dhe sigurisht edhe
Natasha Lako.
I-Poezia e Natasha Lakos "Ato
që thuhen tani" mund të shihet si një përballje e vazhdueshme, ku lexuesi
vihet para një sërë kontrastesh, edhe pse fjala "përballje" nuk
përmendet në tekstin poetik, por haset si fenomen në shumë nivele, duke filluar
nga realiteti i jetës moderne e deri te konceptet abstrakte të ekzistencës dhe
artit. Në të,një tension i brendshëm zhvillohet mes së shkuarës e së tashmes,
mes traditës dhe inovacionit , mes përvojës personale dhe kolektive, mes artit modernist e tejkalimit të tij. Në poezi përballja
e koncepteve shprehet përmes figurave e imazheve që shfaqin realitete të
ndryshme. Edhe pse fjala “përballje” nuk përmendet drejtpërdrejt në poezi, ajo
shfaqet përmes situatave të tensionit e kontrastit midis personazheve, ideve
dhe botës së tyre shpirtërore.
Një nga përballjet kyçe në poezi është ajo midis individit dhe shoqërisë
bashkëko-hore të industrializuar. Personazhi i "unë" dhe
"ti" qëndrojnë përballë kësaj bote, e cila shfaqet përmes imazheve: ”
gjithë ato eko të thella godinash metali, gjithë ato tabela faqendritura/gjithë
ato lajme kacavjerëse, gjithë ato aksidente të papritura" të cilat janë simbole të jetës së
industrializuar, që krijojnë një boshllëk shpirtëror. Kjo përballje reflekton
krizën e individit që nuk gjen vendin e tij në botën moderne, dhe kërkon
tejkalimin e saj.
Referencat mitologjike si Tezeu
dhe amazonat krijojnë një tjetër përballje, këtë herë midis së kaluarës mitike
heroike dhe realitetit modern. Thelbi I vargut: "Shigjeta e parë është e
mundur, amazona nuk është më, dhe Tezeu ka harruar betejën e tij" shpreh
humbjen e idealit heroik e mitik përballë një bote të industerializuar, ritmet
e së cilës s’kanë nevojë për mite e legjenda. Mirëpo, pikërisht referencat
mitologjike, (amazona dhe Tezeu) janë elementët që shfaqin tejkalimin e modernizmit,
i cili I kishte këta heronj mitikë si simbole të tij .
Një tjetër përballje ndodh në
nivel emocional, midis ndjenjave të sinqerta, dhe atyre sipërfaqësore e të paqëndrueshme.
Vargu" fjalën të dua të kthyer në kope, për të mbetur gjithnjë nomade"
tregon për një dashuri të zhvlerësuar, të sipërfaqëshsme ku vetë shprehja më
shpirtërore e saj : ”të dua” është kthyer në një frazë formale, pa ndjeshmëri e
vërtetësi. Te ky varg përballja është midis dashurisë së sinqertë të dikurshme
dhe asaj sipërfaqësore në botën moderne. Nga ana tjetër pikërisht kjo përballje,
tregon edhe se moderniteti poetik tejkalohet, duke vendosur në qendër një botë
ku ndjenjat e shprehura nuk janë të sinqerta dhe të qendrueshme. Vlen të themi
se: në vargjet ku përmenden "pulëbardhat që fluturojnë" te ky imazh i
lirisë dhe natyrës ndeshim një përpjekje për të shpëtuar nga realiteti modern,
por pavarë-sisht tij, mendojmë se kjo më shumë se shpëtim i dashurisë, është
shfaqje e ndjenjave të poetes, e cila karakterizohet nga optimizmi, që nuk “harron” ta shfaqë në
poezitë e saj.
Në poezi, ekziston edhe përballja e trupit të
individit me normat shoqërore. Vargu: “së bashku me pudrën në faqe dhe, qelizat
e tua të vdekura, të miat nënkupto, në bashkësinë e trupit me diellin” shfaqin
përpjekjet për të ruajtur “për sytë e botës” një pamje artifice, që nuk ka jetë,
çka dëshmon se trupi i njeriut është shndruar në objekt i dukjes së jashtme ku
shoqëria imponon format dhe mënyrën e veshjes dhe të paraqitjes së jashtme,
duke shfaqur kështu përballjen midis identitetit të individit dhe imponimit të
shoqërisë moderne. Këtu përballja është mes identitetit të individit dhe
presioneve të “bukurisë” sipërfaqsore moderne, mirëpo ky varg tregon dhe sesi
estetika e jashtme është kthyer në një maskë, që mbulon (fytyrën) jetën e
vërtetë, duke i dhënë përparësi dukjes përpara thelbit. Tejkalimi i
modernitetit ndodh përmes kritikës së normave shoqërore që i kushtojnë rëndësi
dukjes së jashtme, duke e bërë trupin, sidomos fytyrën të humbasë
origjinalitetin e tij.
Sigurisht që përballja jo vetëm
që shfaqet, por është dhe artistike. Poezia e Lakos largon kufijtë e vendosur
nga format e tradicionalitetit modern e klasik dhe kërkon një shprehje më të
hapur, e cila pasqyron sfidat e kohës së sotme, gjë që shprehet te vargu: "Çliruar
nga frymëzimi që përballoi mijëra vjet" ku përballja është midis
frymëzimit të së kaluarës dhe nevojës për një mënyrë të re të të shprehurit në
botën moderne. Në këtë mënyrë vargu tregon një largim nga traditat poetike të
kaluarës, duke shfaqur kërkim të ri frymëzimi që është më i lidhur me përvojat
bashkëkohore. Lako, si poete me përvojë e talent refuzon të kufizohet nga
formatet e së kaluarës, pra dhe të modernizmit, dhe përpiqet të gjejë një formë
të re të shprehjes poetike. Ky formulim
i vargut është një lëvizje e mirëmenduar e Lakos drejt një forme të re arti, ku
ajo kërkon të tejkalojë modernizmin.
II-Natasha Lako, është një poete
moderne e kuotës së lartë europiane dhe në poezinë e saj "Ato që thuhen
tani" tejkalon rrymat moderniste përmes një stili të ndërlikuar në
simbolikë dhe imazhe. Poezia e saj në prozë shfaq tejkalimin e modernizmit, duke përdor një gjuhë që sfidon
lexuesin me thellësinë e saj dhe thyerjen konvencioneve tradicionale moderne e
klasike të poezisë.
Risia e gjuhës poetike që Lako
përdor në këtë poezi në prozë karakterizohet nga thyerja e konvencioneve
poetike, të cilën e realizon përmes vargjeve të pasura me simbole e metafora të
pazakonta, që i japin poezisë një shumëkuptimësi, e cila kërkon shumësi interpretimesh. Vargu "fjalën të
dua të kthyer në kope, për të mbetur gjithnjë nomade" sfidon hapur
konceptet e qarta të modernizmit, duke para-qitur një botë poetike komplekse, përtej kuptimit sipërfaqësor.
Gjithashtu thyerja e strukturave moderniste
është e dukshme në këtë poezi. Vargu nuk ndjek rregullsinë strofore apo
metrike, por lëviz lirshëm midis vargjeve të gjata e të shkurtra, dhe kjo jo
rastësisht. Poetja Lako e lëviz vargun duke reflektuar shpirtin e trazuar të
botës moderne. Vargje si “gjithë ato lajme kacavjerëse, gjithë ato aksidente të
papritura” shprehin në fakt (dhe në paraqitje) një realitet bashkëkohor të
fragmentuar, larg strukturës së disiplinuar të poezisë moderne e klasike.
Tejkalimi i modernizmit në
poezinë e Lakos është i dukshëm në mënyrën se si ajo përdor rrjedhën e lirë të
mendimit e ndjenjave, pa ndjekur një narrativë të qartë apo linjë logjike. Psh,
në vargun "Si do të përballosh ti, nënkupto unë," ku ndjenja dhe
përvoja personale “kapërcejnë” tejë kufijve të individualizmit tipik modernist,
duke krijuar një zë që ndërthuret me atë të tjerëve në mënyrë dialoguese.
Dialogizimi i brendshëm është
tjetër teknikë që tejkalon modernizmin, ku Lako ndërthur zërat "unë"
dhe "ti," madje përfshin edhe një "ne" kolektiv, siç shihet
në vargjet "Tradhëti të jetës sime, tëndes nënkupto, ju dua si pulëbardhat
që nisen në fluturim." Ky shumëdimensionalitet e largon poezinë nga qasja
individualiste e modernizmit dhe e fut në një hapësirë kolektive ku zërat
ndërthuren dhe reflektojnë bashkërisht mbi gjëndjen njerëzore.
Prandaj themi se poezia "Ato
që thuhen tani" e Lakos, përmes këtyre (dhe të tjerë) elementëve poetikë
dhe stilistikë, përfaqëson një tejkalim të modernizmit, dhe krijon një qasje të
re ndaj lirizmit dhe fragmentimit, qasje që reflekton një botë komplekse dhe të fragmentuar.
III-Tejkalimi i modernizmit në
poezinë në prozë të Lakos e dëshmojnë edhe figurat artistike që ajo përdor si simbole,
metafora, imazhe dhe personifikime, të cilat e shfaqin tejkalimin, si përmes
kompleksitetit të tyre, ashtu edhe përmes ndërthurjes me ndjeshmëri të
ndryshme. Kjo është e kuptueshme, Natasha Lako është një mjeshtre e vargut
poetik modern, kështu edhe figurat artistike që ajo krijon në shërbim të idesë
së saj poetike janë të tilla që dhe lexuesi duhet të ngrihet në një nivel intelektual
që ti ndjejë dhe përjetojë. Siç edhe pritej, figurat e saj nuk janë të
kufizuara në një kuptim të vetëm, por mbartin shtresa shumkuptimore që shkojnë përtej modernizmit,
dhe ofrojnë një ndjesi universal e
subjektive njëkohësisht. Madje Lako, siç
e cikëm më lart, krijon një dialog të
brendshëm midis tyre, duke lënë hapësira interpretimi, pse nuk kufizohen në një rregull llogjik apo
strukturë lineare, duke tejkaluar kështu traditën e modernizmit përmes
rrjedhjes së lirë të mendimit dhe imazhit. Le të shprehemi më qartë duke e parë
me disa shembuj:
Te vargu:"yzengjia e artë e
hënës që kërkon këmbë të bukura"ku hëna personifikohet dhe simbolizon
diçka të perfeksionuar(këmbë). Kjo metaforë tejkalon modernizmin sepse nuk ka
vetëm një kuptim të thjeshtë, por ka një dualitet ku hëna, si object qiellor,
lidhet me kërkesa njerëzore, gjë që shpie në një sfidë eksistenciale.
Personifikim: "çiltërsinë që
me pafajësinë bie në dashuri" ku, çiltërsia e pafajësia bëhen subjekte që
"bien në dashuri", krijon një imazh abstrakt dhe emocional, duke i
dhënë cilësive njerëzore veprime që thellojnë kuptimin dhe tejkalojnë thjeshtësinë moderniste.
Metafora komplekse: "fjalën “të
dua” të kthyer në kope, për të mbetur gjithnjë nomade" tejkalon narrativat
e thjeshta. “Të dua”-ja, një fjalë e zakonshme dashurie, është kthyer në një
kope që endet nomade, e lëvizshme, jo
serioze, e përkohshme. Një ndërlikim i tillë metaforik e distancon poezinë nga
modernizmi i thjeshtuar.
"gruaja e pashfaqur ende që
vazhdon të heqë vetullën prapa një rrufeje" simbol i një femre (të
pashfaqur) që rri prapa një rrufeje, (që ndoshta përfaqëson një forcë të
brendshme, një shpërthim emocional) shpreh nj personifikim dhe imazh poetik, që
zhvendos lexuesin në një botë tjetër, përtej thjeshtësisë moderniste.
Simboli i heroit mitik
"tezeu, fitimtari i parë i botës që ty, nënkupto mua, na e kanë
grabitur" përdoret për një humbje të madhe historike dhe personale.
Ndjeshmëria personale e ndërlidhur me
mitologjinë ,shpreh ndjenjën e një humbjeje ekzistenciale dhe të përjetshme,
duke krijuar një lidhje të ndërlikuar me të kaluarën dhe fatin njerëzor.
Imazhi: "zembreku i
zemrës" te vargu: " çfarë të mbetet ty, nënkupto mua, në zemrën e
zemrekut të zemrës më thuaj” krijon lidhje mekanike me ndjenjat njerëzo-re,
duke e shndruar zemrën në një mekanizëm që mund të ndalet a prishet në çdo
moment. Kjo përmbys konceptin e zakonshëm të zemrës si burim ndjenjash dhe e
shtyn lexuesin të mendojë për një lloj tensioni të vazhdueshëm dhe të
komplikuar, që përfaqëson tejkalimin e modernizmit në këtë poezi.
Po kështu,imazhi:"pudra në
faqe dhe qelizat e tua të vdekura" kontraston delikatesën e jashtme me
brishtësinë e përkohshmërinë e jetës, duke krijuar ndjesi dualizmi të ekzistencës njerëzore. Ndërthurja
e këtyre imazheve jep një perspektivë që shkon përtej modernizmit, duke u
fokusuar në dualitetin dhe pasigurinë e jetës.
Kështu pra, në thelb, këto figura
dhe imazhe janë ndërtuar nga Lako në mënyrë të ndërgjegjshme mbi kompleksitetin
e ndjesive dhe botës shpirtërore të individit, dhe i kërkojnë lexuesit të hyjë
në interpretimin e tyre, të mos kufizohet vetëm me kuptimin sipërfaqësor, pasi
ato kanë tejkaluar “kufijtë” e poezisë moderne, që bazohet në qartësinë e
imazheve apo simboleve.
IV-Vlen të themi se poezia në prozë "Ato që thuhen tani"
e Lakos, megjithëse nuk ndjek strukturat e poezisë klasike dhe moderniste,
shfaq vlera artistike në recitimin para një auditori që e njeh
poezinë dhe ndien fuqinë e saj. Ajo vërtet nuk përmban rimë apo ritme të
rregullta, por mbështetet te ritmi i brendshëm, që buron nga rrjedhshmëria e
mendimeve dhe ndjeshmëria e fjalëve. Recitimi i kësaj poezie mbart melodiozitet të veçantë, që i drejtohet më
shumë shpirtit sesa veshit, duke krijuar lidhje emocionale me dëgjuesin.
Pavarësisht se tejkalon traditat e modernizmit, poezia në prozë me lirizmin e
saj, i lejon recituesit të përcjellë emocionin me ndjeshmëri. Audienca që ka
njohje me poezinë moderne është më e aftë të përjetojë nuancat që poezia në
prozë mund të ofrojë.
Recitimi i poezisë në prozë, si
ajo e Natasha Lakos, ofron një mundësi unike për të përjetuar pasurinë e saj artistike.
Kjo formë poetike i jep lexuesit dhe dëgjuesit të vemëndshëm një hapësirë për
të reflektuar mbi temat që trajtohen. Ndryshe nga forma moderne dhe klasike e
poezisë, që kërkon ritëm dhe metrikë të saktë, poezia në prozë shpreh lirshmëri
dhe e bën recitimin të ngrohtë dhe të afërt,duke krijuar atmo sferë intime
midis recituesit dhe audiencës.
Në këtë kontekst, vargjet e
Lakos, plot me imazhe dhe metafora, i japin mundësi recituesit të shprehë
emocionet që barten me ato. Recitimi i kësaj poezie në prozë lejon dëgjuesit të
kalojnë përmes ndjesive shpirtërore, ku ata mund të preken nga pasazhet që
flasin për tradhtinë dhe zhgënjimit, si dhe për imazhet e lirisë që ofrojnë
shpresë. Potenciali emocional i recitimit të poezisë në prozë është i madh, ajo më shumë se çdo poezi mund të ndezë debat
e diskutim, duke i dhënë audiencës rastin për të eksploruar temat dhe sfidat e
jetës moderne. Kështu, recitimi bëhet një akt që transcendon fjalët e zgjedhura me kujdes nga Lako, duke
krijuar përvojë të paharru-eshme për ata
që e dëgjojnë.
V-Në poezinë "Ato që thuhen tani" të Lakos, aspekti
filozofik dhe ai psikologjik janë dy shtresa kuptimore që funksionojnë në
harmoni, por ruajnë distancën nga njëra-tjetra, duke krijuar një thellësi shumëdimensionale,
dhe ofruar lexuesit mundësinë për të interpretuar poezinë në disa nivele të
mendimit dhe përjetimit.
Aspekti filozofik përqendrohet në
pyetje që lidhen me ekzistencën, të vërtetën dhe marrëdhëniet e njeriut me
botën moderne dhe atë kozmike. Lako adreson dilemat e njeriut bashkëkohor, të
cilat lidhen me shkëputjen nga ndjenjat, përvojat e lidhjet me veten dhe
universin përreth. Këto shqetësime filozofike përshkojnë gjithë poezinë e saj:
Te vargu "Tezeun, fitimtarin e parë të botës që ty, nënkupto mua, na e kanë
grabitur" eksplorohet humbja (harresa) e heronjve të historisë dhe
mitologjisë, që përfaqësojnë triumfin dhe identitetin e njerëzimit, e cila mund
të shihet si reflektim mbi harrimin e vlerave që përbëjnë bazën e identitetit
njerëzor.
Te vargu: "Tradhëti të jetës
sime, tëndes nënkupto, ju dua si pulëbardhat, që nisen në fluturim."metafora
e fluturimit të pulëbardhave përfaqëson kërkimin për çlirim nga jeta e
përditshme. Njeriu filozofik kërkon të shkëputet nga tradhtia e përditshmërisë
dhe kaosi i jetës urbane për të rigjetur një ekzistencë të vërtetë e të
thjeshtë.
Nga ana tjetër, aspekti
psikologjik është më intim dhe emocional, ai përqendrohet te përvojat e
individit përballë sfidave të botës moderne. Këtu Lako shqyrton ndikimin që
materializmi dhe jeta urbane kanë mbi psikikën njerëzore:"Gjithë ato eko
të thella godinash metali, gjithë ato tabela faqendritura." Këto vargje shfaqin
ndjenjën e ndrydhjes nga industrializimi. Ndërtesat e mëdha prej metali dhe
dritat e forta përfaqësojnë një burim ankthi, duke krijuar një atmosferë
alienimi dhe distancimi nga ndjenjat autentike.
Te vargu:"Fjalën të dua të
kthyer në kope, për të mbetur gjithnjë nomade." ndjenjat personale
shpërbëhen, duke humbur kuptimin e tyre të vërtetë. Dashuria bëhet e lëvizshme,
e paqëndrueshme, duke krijuar pasiguri dhe ndarje shpirtërore tek individi.
Ndryshimi midis dy aspekteve është
I dukshëm: Aspekti filozofik i
poezisë eksploron pyetjet e ekzistencës dhe identitetit njerëzor, duke e
vendosur individin përballë dilemave të kohës moderne. Kjo është qasje më
racionale dhe abstrakte, ku njeriu përballet me humbjen e traditave. Ndërsa
aspekti psikologjik është më intim
dhe emocional, duke shprehur tensionet e brendshme të njeriut që përjeton ankth
dhe alienim nga bota që e rrethon. Këto dy aspekte krijojnë një kontrast të fuqishëm
në strukturën e poezisë.
Në përfundim themi se: Poezia në
prozë e Natasha Lakos mund të shihet si një tempull poetik, i ndërtuar në
nivelet më të larta të artit, ku edhe “besimtarët” e saj kanë vështirësi të
mgjitem për të kryer ceremonitë
shpirtërore. Krijimi i poesisë në prozë në këtë nivel artistik, dëshmon
për një talent të spikatur, për një përkushtim që shkon përtej të zakonshmes,
duke dëshmuar se, Lako tashmë është një
nga banoret më të shquara, një “priftëreshë” e kësaj poezie të ndërlikuar në
këtë tempull, që i jep zë përballjeve të individit me botën e re dhe krijon një
hapësirë ku ndjesitë dhe mendimet më të thella gjejnë strehë.
Sarandë, më shtator
2024.
ATO QË THUHEN TANI
Natasha Lako
Si do të
përballosh ti, nënkupto unë,
gjithë ato
eko të thella godinash metali, gjithë ato tabela faqendritura,
gjithë ato
lajme kacavjerëse, gjithë ato aksidente të papritura, gjithë ato kthina ku,
thuhet ‘qoftë larg!’ përditë, gjithë ato gama kalendarike për të cilat dikush
patjetër do të dalë të thotë janë, vetëm të miat, përfshi yzengjinë e artë të
hënës që kërkon këmbë të bukura, fjalën të dua të kthyer në kope, për të mbetur
gjithnjë nomade, gruan e pashfaqur ende që vazhdon të heqë vetullën prapa një
rrufeje, çiltërsinë që me pafajësinë bie në dashuri pa asnjë peshë tjetër
idiote, si do të përballosh ti, nënkupto unë, Tezeun, fitimtarin e parë të
botës që ty, nënkupto mua, na e kanë grabitur, së bashku me amazonat dhe gjirin
e tyre të prerë ku qëndron edhe shigjeta e parë e mundur.
Çfarë të mbetet ty, nënkupto mua, në zemrën e zembrekut të
zemrës më thuaj, nga ushtria e freskët e fjalëve që hyjnë në kompjutër, nga
furtuna, e vetmja e mbetur pa zot, dhe ylberi i vetmi i mbetur pa zot, në duart
me pluhurin dhe të puthurën, në poezitë që vriten të parat, e përfshirë ti,
nënkupto unë, në këtë masë kaq të pangopur, në atë materien totalitare që të
mundon e të thith, deri në kontrollin e trupit që rri në çdo kufi së bashku me
pudrën në faqe dhe, qelizat e tua të vdekura, të miat nënkupto, në bashkësinë e
trupit me diellin, në vazhdim të emisionit ’Trupi dhe Shëndeti’ i vetmi që
jeton në TV që nga koha e diktaturës, e lidhur me gjithë ato, medikamente që
zgjaten të kërkojnë edhe të nesërmen.
Tradhëti të
jetës sime, tëndes nënkupto, ju dua si pulëbardhat, që nisen në fluturim.
E çliruar
nga frymëzimi, që përballohet me mijëra vjet,
do të këtë mbetur vetja jote, imja nënkupto, e lehtë, vetëm
në këmishën tënde të pastër, që është edhe e imja, në shtegun që të çon në ca
flokë të gjatë.
N.Lako “Kundërpërfytyrimi”
Botim i dytëONUFRI , Tiranë 2023. f 106
No comments:
Post a Comment