F L I J I M I I B R I R Ë V E
Nga
Timo Mërkuri
Poezia
"Bariu i mirë" e Sadik Bejkos është një krijim modernist, që trajton
një temë të veçantë, të cilën nuk e hasim në poezinë shqipe, pafuqinë e prijësve për të përmbushur misionin
dhe sakrificën e tyre të pashmangshme. Poeti përmes simboleve të botës
blegtorale si dashi, bariu dhe kopeja, shpreh shqetësime universale mbi
udhëheqjen, përgjegjësinë dhe sakrificën, duke përdorur një qasje ekzistencialiste
dhe filozofike. Ky tekst ndërthur elemente tradicionale me qasje moderniste, ku
nëpërmjet simboleve të jetës blegtorale shtjellon probleme filozofike dhe
sociale. Përmes një gjuhe simbolike dhe metaforike, poeti ndërton një rrëfim me
ngjyrime tragjike, ku tradita bëhet mjet për të shqyrtuar krizën e modernitetit
dhe udhëheqjes në shoqërinë njerëzore.
I- Le
ta strukturojmë analizën ideo-artistike të saj në nivelet e: simbolika, toni, dhe mesazhi
filozofik.
1. Në
poezinë "Bariu i mirë" të Bejkos, dashi merr rolin e narratorit dhe
përfaqëson një figurë simbolike që i kalon kufijtë e botës blegtorale. Ai nuk
është thjesht një kafshë, por një lider, prijës apo kryefamiljar, që reflekton
mbi rolin dhe përgjegjësinë e tij. Përmes rrëfimit në vetën e parë, dashi
shpreh dhimbjen, vuajtjen dhe pafuqinë e tij për të mbrojtur kopenë nga
rreziqet, duke u bërë kështu një zë filozofik që përfaqëson krizën e
lidershipit dhe sakrificën.Poezia nis me një kujtim nga e kaluara, ku subjekti
lirik shprehet se: “Mendoj se dash kam qenë, dikur /leshtor, pamjebutë e
brifortë/Kështu them dhe besoj se/disi ndryshe prapë do të jem në botë” por
tani është plakur dhe përballet me fatin e tij , ide që lidhet me konceptet e
reinkarnimit, arketipeve mitike ose projeksioneve simbolike të vetes. Nga një
perspektivë psikoanalitike, kjo shihet si një manifestim i dëshirës për të
rifituar forcën dhe kontrollin, ose si metaforë për faza të ndryshme të jetës
së njeriut, ku "dashi i fortë" përfaqëson një fazë të rinisë ose të
fuqisë. Në letërsi, kjo interpretohet si një lidhje me arketipin e heroit
luftëtar, që i referohet koncepteve mitike të fuqisë fizike dhe shpirtërore, ku
heroi e sheh të kaluarën e tij në formë të idealizuar. Përmes figures së dashit,
poeti pasqyron një përvojë të hidhur ku dashi ka drejtuar për një kohë të gjatë
nën barinj të këqij,(profetë të rremë) të cilët kanë shpënë tufën në humnera
dhe rreziqe. Kjo simbolikë mbart kuptime të thella të lidhura me sakrificën,
përballjen me vështirësitë dhe autoritetin që bie mbi supet e një lideri.
Ndërsa dashi është figurë e njohur në jetën blegtorale, në këtë poezi ai
simbolizon një prijës që shpreson për ardhjen e një bariu të mirë, një figurë
shpëtimtare që do ta çlirojë nga vuajtjet dhe përgjegjësitë e pafundme.
b.Në poezinë e Bejkos, ku dashi simbolizon
kryefamiljarin, prijësin apo pushtetarin,figura e bariut ka një kuptim të thellë:
ajo përfaqëson një forcë të lartë, shpirtërore ose morale, që udhëzon dhe
shpëton. Bariu në këtë poezi mund të përfaqësojë disa role të mundshme: përfaqëson
Zotin ose një fuqi hyjnore. Në traditën kristiane, Zoti përshkruhet si një bari,
që kujdeset dhe udhëheq popullin e tij. Në Psaltin 23:1 thuhet: "Zoti
është bariu im; nuk do të kem mungesë.", dhe tre 23.2 vijon: “Ai më shtrin
në lëndina të blerta, më çon pranë ujrave të qeta” duke shprehur idenë se Zoti,
si bari i mirë, siguron mbrojtje dhe kujdes për besimtarin. Në poezinë e Bejkos
“bariu i mire” mund të jetë simbol i shpresës për shpëtim, figurë që vjen për
të çliruar “dashin” nga vuajtjet e tij, ku djegia e brirëve në zjarrin e
shenjtë mund të shihet si një rit shenjtërimi ose pastrimi shpirtëror. Ndaj
them se ariu mund të përfaqësojë edhe një “udhëheqës shpirtëror”, një figurë
morale ose drejtues që është më i lartë se prijësi.
c.Kopeja
dhe qengjat përfaqësojnë masat e gjera, familjarët, pasuesit, që ndjekin
prijësin të bindur në drejtësinë dhe aftësinë e tij ose populli. Kjo është një
qasje klasike e botës blegtorale, ku qengjat, si dhe dhentë ndjekin njëri-tjetrin pa vetëdije dhe dashi ka
për “detyrë” tu prijë në shtigje të sigurta, ndërsa bariu ka detyrë t'i mbrojë dhe drejtojë në mënyrë të
përgjegjshme.
II-
Këto figura nga bota blegtorale kanë një simbolikë në poezi të cilën Bejko e
përdor për të krijuar një paralele midis botës rurale dhe shoqërisë njerëzore
të njeriut. Në këtë rast, bota blegtorale bëhet metaforë për marrëdhëniet
shoqërore, ku kryefamiljarët, udhëheqësit, prijësit dhe të udhëhequrit prej
tyre lidhen në një cikël të përpjekjesh dhe sakrificash për mbijetesë apo përparim.
1.
Në këtë kontekst, veprimet si “sakrifikimi i qengjave” janë pjesë e jetës
blegtorale, por në poezi marrin një kuptim më të thellë moral dhe shpirtëror.
Për shembull, sakrifikimi i qengjave për Pashkë tregon për përpjekjet që prijësit
bëjnë për të mbrojtur pasuesit e tyre dhe për procesin e “pastrimit dhe
transformimit shpirtëror” që ata kalojnë.
2.Në
poezi Bejko përdor botën blegtorale për
të krijuar “një urë midis jetës tokësore dhe sferave shpirtërore”.Nëpërmjet
figurave blegtorale, ai eksploron tema universale të drejtësisë, sakrificës dhe
shpëtimit shpirtëror. Jeta blegtorale bëhet metaforë për çështje të mëdha të
pushtetit, udhëheqjes, drejtimit dhe përgjegjësisë, duke e lartësuar përvojën e
përditshme në nivel poetik dhe filozofik.
III-Sigurisht
që lind pyetja: pse Sadik Bejko u mor me temën e prijësit dhe përgjegjësisë,
një temë e që ska tërhequr vemëndjen e poetëve më parë? Gjatë analizës së poezisë na lindi mendimi se poeti
u muarr me këtë temë për të shtjelluar një problematikë komplekse dhe
universale, që ka të bëjë me rolin e liderit dhe sakrificën e tij për të mirën
e të tjerëve, sepse poeti gjithmon duhet të thotë diçka të re ose në një formë
të re. Bejko në poezi I plotëson të dy këto kritere,ai sjell një përmbajtje të re në peizazhin e
poezisë shqipe, ku fokusohet në një figurë simbolike (dashi, prijësi), si dhe përdor elemente tradicionale të jetës
blegtorale për të trajtuar tema filozofike dhe ekzistencialiste.
Fakti
që Bejko sjell diçka të re në poezi duket për disa arsye: 1.Duke vendosur në
qendër të poezisë një prijës (dashi) që reflekton mbi rolin dhe sakrificat e
tij, Bejko prek çështje si pafuqia, fati, vuajtja dhe përgjegjësia, duke e
lidhur poezinë me filozofinë ekzistenciale. Kjo e bën poezinë të thellë dhe
reflektuese, hap dialog mbi sfidat e liderit dhe absurditetin e detyrës së tij
përballë botës. 2. Bejko merr figura tradicionale të jetës rurale ,dashi,
bariu, kopeja dhe i përdor ato për të shtjelluar probleme bashkëkohore. Ai i përçon
këto simbole në kontekst të gjerë, duke krijuar lidhje midis traditës dhe
modernitetit Kjo përzierje e temave tradicionale me ekzistencializmin modern i
jep poezisë një veçantësi. 3.Në poezinë shqipe, qasja në rolin e prijësit
gjithmon ka qenë heroike. Bejko, nga ana e tij, shfaq prijësin si një figurë që
ndjen pafuqinë e tij për të ndaluar fatin tragjik të ndjekësve. Kjo përmbysje e
pritshmërive heroike sjell veç një forme të re edhe një ton kritik dhe
reflektues, që ndihmon në zgjerimin e perspektivave poetike
IV-Në
poezinë e Bejkos, mesazhi poetik ndërlidhet me kritikën sociale dhe filozofinë
e udhëheqjes, pse trajtuar temën e sakrificës, bindjen e ndjekësve dhe
përgjegjësisë së liderëve, tema që janë
shprehur përmes simbolikës së dashit, bariut dhe kopesë.
Mesazhi
kryesor qëndron në vuajtjen e prijësit (dashit) dhe sakrificën e tij për kopenë
(popullin), duke nënvizuar pamundësinë e tij për të mbrojtur ndjekësit e tij
nga dështimet e rreziqet që vijnë prej udhëheqjes së keqe apo verbërisë
kolektive. Dashi (prijësi) përjeton
dhimbjen për fatin e kopesë, ndërkohë që ajo ndjek rrugën drejt sakrifikimit.
Vargje si: "Ç’t’i bësh? Qengjat vit
për vit / m’i çonin drejt e në thikë." shfaqin ciklin e përhershëm të
sakrificës të të pafajshmëve dhe pamundësinë e drejtuesit (kryefamiljari, prijësi)
për ti shpëtuar. Nga ana tjetër vargjet: "Do vijë bariu im i mirë /do t’i
ndezë, do t’i djegë brirët e mi / në zjarr të lashtë e të shenjtë."
shprehin idejnë e një shëlbimi shpirtëror, ku bariu i mirë (figura e shpëtimtarit)
do çlirojë prijësin nga barra e rëndë e udhëheqjes së pa-frytshme dhe do ti
sjellë atij një përtejësi parajsore,
sigurisht krahas shpëtimit të kopesë.
V-Ndjenja
që zotëron në poezinë e Bejkos është vuajtja dhe pafuqia, e shoqëruar në fund me
shpresën për shpëtim nga “bariu i mirë” (Zoti apo rilindje shpirtërore). Kjo
ndjenjë e përzier mes dhimbjes e shpresës përcillet përmes simbolikës së dashit
dhe bariut të mirë, duke u thelluar në imazhe të sakrificës dhe shfrytëzimit,
por që më vonë marrin një kuptim të shenjtë e të ngushëllueshëm.
1.Në
pjesën e parë të poezisë, ndjenja e pafuqisë dominon. Heroi lirik përshkruan
dhimbjen e tij (si dash), duke përdorur imazhe të forta që tregojnë vuajtje të
thellë. Kjo duket në vargjet:"Ç’të bëja? Kopenë ma shpinin/drejt në gryka
ujku a buzë humnere", ku dashi shpall “dorëzimin e tij të plotë” përballë
fatit. Ai është i detyruar ti udhëheqë delet nëpër rrezik, por është i
pafuqishëm për të ndryshuar këtë rrugë të rrezikëshme që të çon në katastrofë.
2.Befas,
ndjenja e shpresës fillon të shpërfaqet përmes figurës së “bariut të mire”, i
cili sjell çlirim dhe rilindje. Kjo shpresë është e lidhur me një ndërhyrje të
jashtme,madhore, që do të ndreqë padrejtësitë dhe do e çlirojë dashin nga
dhimbja e tij:“Por do të vijë bariu im,/
në
faltore të madhe brirët e mi /do t’i varë
lart, lart tek i latuari mur". Këto
vargje shprehin një ngritje shpirtërore dhe një shpresë për një të ardhme më të
mirë, ku ai do shpërbl;ehet nëpërmjet shënjtërimit të brirëve.
VI-Duke
qenë poezi me elemente blegtorale, themi se dhe përdorimi i figurave nga bota blegtorale në poezinë e Bejkos është
dukuri që pasqyron tradicionalitetin si bazë themelore për krijimin e një
poezie me qasje moderniste, është një ndërthurje midis traditës dhe modernizmit,
tipar themelor i poezisë moderniste. Këtu duhet të specifikojmë se elementët
tradicionalë në poezinë e Bejkos janë elemente themelorë, elemente bazë mbi të
cilët ngrihet poezia moderniste, ndryshe nga shumë poetë, që elementët
tradicionalë i përdorin si sfond poetik në poezinë moderniste.
1.Poezia bazohet në figura nga bota
blegtorale,si dashi, bariu, qengjat dhe kopeja, që janë thelbësore për jetën
rurale dhe tradicionale shqiptare.Këto elemente me rrënjë në kulturën
popullore, i japin poezisë ndjesi të
fortë autenticiteti dhe zakonshmërie. Kështu:
a.Figura
tradicionale që lidhet me forcën, lidershipin dhe sakrificën në poezi
është dashi, por dashi është element blegtoral i njohur në
shoqërinë tradicionale, madje është element aktiv edhe në këngët popullore,
rrëfimet, vajtimet e përrallat.
b.Bariu
është figurë arketipale në jetën
blegtorale dhe përfaqëson pronarin, kujdestarin, rruajtjësin, udhëheqësin. Në
poezi ai transformohet në simbol të lartë shpirtëror, hyjnor duke ruajtur ndërkohë
lidhjen me mjeshtërinë e jetës dhe traditës blegtorale.
2. Duke
përdorur këtë strukturë tradicionale, Bejko krijon një poezi që ndërlidh
traditën me ide të reja moderniste, element i modernizmit: shfrytëzimi i
traditës si pikë nisjeje për krijimin e diçkaje të re dhe për të trajtuar
dilema dhe probleme universale.
a.Ndërsa
figurat janë të rrënjosura në kontekst tradicional, veprimet dhe simbolikat e
tyre shkojnë më tutje jetës rurale. Dashi dhe bariu nuk janë më vetëm figura
blegtorale; ata bëhen “simbole të mëdha” të sakrificës, shpëtimit dhe
transformimit shpirtëror. Kjo është karakteristike për poezinë moderniste, që
përdor elemente të njohura për të eksploruar “kuptime të reja dhe abstrakte”.
b.Poezia
sjell tension midis botës tradicionale dhe botës moderne, ku poetët përballen
me ndryshime sociale dhe identiteti. Në këtë poezi, traditat e blegtorisë dhe
udhëheqjes së tufës përzihen me kërkimin për “shpëtim moral dhe shpirtëror”, duke
i dhënë një kuptim të ri modern botës tradicionale.
3.
Poezia moderniste shpesh i referohet traditave për të krijuar një kontrast me realitetet e reja. Tek
"Bariu i mirë," përdorimi i figurave blegtorale krijon një diskurs
midis botës rurale dhe marrëdhënieve shoqërore e shpirtërore që shkojnë përtej
saj. Përmes këtij kontrasti, poeti
përdor strukturën e njohur të
traditës për të ndriçuar problemet e thella të moderni-tetit, si: a.Lufta për
drejtësi dhe udhëheqje të përgjegjshme, b.Sakrificat e kryefamiljarëve dhe prijësve,c.Përpjekja
për shpëtim shpirtëror. Në këtë mënyrë, poezia ndërthur jetën rurale me
simbolikën moderniste, duke krijuar dialog midis të kaluarës dhe të tashmes,
traditës dhe modernitetit.
VII-U
shprehëm se elementet tradicionale në poezinë e Bejkos përdoren për të krijuar
poezi moderniste, duke mbartur simbolika dhe kuptime të thella. Thamë
gjithashtu se figurat si dashi, bariu, dhe kopeja nuk janë thjesht përshkrime
të botës rurale, por kanë një funksion simbolik dhe stilistik, shërbejnë për të
ndërtuar kuptimin modernist të poezisë. Këto elemente mund të kategorizohen si:
1.Simbole
poetike: pse figurativisht, dashi, bariu, dhe kopeja simbolizojnë ide më të
gjera si udhëheqja, sakrifica, dhe ndjekja verbale e masave. Ata janë më shumë
se elemente konkrete të blegtorisë; ato janë mjete për të krijuar domethënie
universal. Psh te vargjet: “Mendoj se dash kam qenë, dikur / leshtor, pamjebutë
e brifortë" dashi nuk është thjeshtë një kafshë, por përfaqëson prijësin,
individin që drejton, mban përgjegjësinë dhe vuan për masën, apo te vargjet:” "Do vijë bariu im i
mirë, /do t’i ndezë, do t’i djegë brirët
e mi.", ku bariu, në kuptimin e tij, përfaqëson udhëheqësin shpirtëror,
duke pasur ngjashmëri me figura hyjnore apo shpirtërore (ndërlidhur me konceptin
biblik të bariut si kujdestar i popullit).
2.
Elementet blegtorale përdoren për të krijuar metafora që shkojnë përtej botës
tokësore, duke thelluar e zgjeruar kuptimin e poezisë. Psh te vargjet:
"Qengjat vit për vit /m’i çonin drejt e në thikë" qengjat simbolizojnë
popullin që vuan, që sakrifikohet pa e kuptuar se pse. Po ashtu te vargjet: “me
viza gjaku rrëzë brirëve, /shkumuar
buzët, ka rënë" brirët dhe gjaku
shërbejnë si metafora për sakrificën, ndërsa plagët janë simbolika të dhimbjes e
sfidave që përballon.
3.Këta
elemente (blegtorale) përdoren si figura letrare, përmes të cilave poeti
zhvillon imazhe poetike, që krijojnë atmosferë tradicionale, por njëkohësisht
evokojnë kuptime që lidhen me jetën sociale dhe ndërgjegjen shpirtërore. Psh:
te vargjet: "Kopenë ma shpinin, /drejt në gryka ujku a buzë humnere" kopeja
është personifikuar si grup që ndjek verbërisht dikë, duke i dhënë kuptim
njerëzor e përfaqësuar popullin që ndjek liderët pa e kuptuar rrezikun(është e
njohur shprehja : populli është kope delesh). Ose te vargjet: "ma kanë
qethur bashkën me gjithë lëkurë / e drejt mishit tim ndërsenin qentë." hiperbola
e vuajtjes dhe sakrificës zmadhohet qëllimisht për të theksuar abuzimin ndaj
individit (dashi) dhe për të shprehur ndjenjat e poetit për padrejtësinë dhe
shfrytëzimin.
Pra,
në thelb, shihet se simbolet poetike, metaforat e figurat letrare me origjinë
botën blegtorale shfrytëzohen nga Bejko për të ndërtuar poezi moderniste, ku
tradita shërben si bazë për të eksploruar problemet dhe dilemat shpirtërore, udhëheqjen,
dhe sakrificën në shoqërinë njerëzore. Dhe duhet të pranojmë se Bejko është
mjeshtër i shfrytëzimit të elementeve blegtoralë për krijimin e poezisë
moderne, gjë që e kemi parë në disa raste.
VIII-Poezia
"Bariu i mirë" e Sadik Bejkos përmban elemente universale që lidhen me përvojat e
përjetshme të njerëzimit, duke tejkaluar kontekstin specifik blegtoral. Këto
elemente të përbashkëta përfshijnë:
1.Tema
e vuajtjes dhe sakrificës është një përvojë universale. Në poezi, subjekti
lirik (dashi) paraqet ciklin e vuajtjes, ku është i detyruar të sakrifikohet vetë
dhe të shohë sakrifikimin e qengjave. Kjo përvojë padrejtësie dhe shfrytëzimi lidhet me përvojat njerëzore në të
gjitha kulturat dhe epokat, ku njerëzit ndihen të pafuqishëm përballë vuajtjeve
që jeta sjell. Vargu: “Qengjat vit për vit m’i çonin drejt e në thikë" simbolizon
padrejtësinë dhe pafuqinë për të ndryshuar fatin, një ndjenjë që ka prekur
individët përgjatë historisë njerëzore.
2.Elementi
i shpresës për shpëtim dhe transformimit shpirtëror është koncept universal. Në
poezi, ardhja e bariut, si “ardhja e Krishtit” për të krishterët simbolizon
çlirimin nga dhimbja dhe vuajtja, një akt që shpreh dëshirën njerëzore për
ndërhyrje hyjnore për t’i çliruar nga vuajtjet dhe të sjellë drejtësi. Kjo
duket te vargu: "Do vijë bariu im i mire/ do t’i ndezë, do t’i djegë
brirët e mi/ në zjarr të lashtë e të shenjtë." Ku akti i djegies në zjarr
të shenjtë përfaqëson “katarsisin”, një akt universal i pastrimit shpirtëror që
njihet në shumë tradita kulturore dhe fetare.
3.
Një tjetër element universal është: “cikli i padrejtësive” (që duket i
pashmangshëm), dhe kërkimi për drejtësi. Poezia shfaq një situatë ku dashi dhe
delet përsëritin të njëjtin fat vit pas viti, duke u sakrifikuar në një cikël
të pamëshirshëm. Por, dashi pret për një moment çlirimi, gjë që shprehet te
vargjet: "Të mos më verbohem kurrë më kopetë/ të mos m’i presin më qengjat
e dhentë", varg që përmbledh shpresën universale për t'u çliruar nga
ciklet e dhimbjes dhe padrejtësisë, që kanë prekur njerëzit në çdo kohë.
4.Figura
e “bariut të mire” është universale, pse përfaqëson një figurë shpëtimtare,
qoftë ajo hyjnore (Krishti), morale apo udhëheqëse. Në shumë kultura e tradita
fetare, ekziston gjithmon një figurë që shfaqet për të ndihmuar ata që janë në
vështirësi e për të sjellë çlirim. Bariu i mirë simbolizon drejtësinë e
ardhshme, që do të vendoset për të ndrequr padrejtësitë e së kaluarës.
IX-Pas
një udhëtimi analizues arijmë në përfundimin se poezi “Bariu i mirë” i Bejkos
ka tipare të forta filozofike dhe ekzistencialiste, pasi trajton çështje që
lidhen me qenien, përgjegjësinë, sakrificën dhe vuajtjen, që janë tema që
qëndrojnë në thelbin e filozofisë
ekzistencialiste, e cila fokusohet te vetmia, përballja me absurditetin e jetës
dhe përgjegjë-sia e individit për fatin e vet dhe të të tjerëve.Në vargun:"Mendoj
se dash kam qenë, dikur," dashi, si subjekt që reflekton mbi të kaluarën e
vet, shpreh një vetëdije ekzistenciale për qenien e tij, duke u përballur me
“kuptimin e ekzistencës” dhe pozicionin e tij në raport me të tjerët (kopetë).
Këtu fillon të shihet elementi filozofik i “vetëreflektimit. Vargjet e
mëvonshme:"Po ç’të bëja? Kopenë ma
shpinin, /drejt në gryka ujku a buzë humnere/..." shfaqin një situatë të
pashmangshme, ku prijësi është i pafuqishëm për të ndaluar fatin tragjik të
pasuesve. Këtu reflektohet koncepti ekzistencialist i absurditetit, ku
pavarësisht përpjekjeve, njeriu shpesh është i zhytur në situata të pa
kontrollueshme prej tij. Kjo shpallje e pafuqisë është një temë qendrore në
filozofinë ekzistenciale. Ndërsa te vargjet: "Do vijë bariu im i mirë,/.. "shpreh dëshirën për shpëtim
përmes shenjtërimit, një element që përfshin një përpjekje për të kapërcyer
absurditetin e ekzistencës përmes sakrificës dhe pastrimit, e cila i afrohet
idesë ekzistencialiste të kërkimit të kuptimit të jetës permes vetë
sakrifikimit. Kjo i jep poezisë ngjyrim filozofik ekzistencialist, ku
ballafaqohet ndjenja e absurdit me dëshirën për transcendence. Kjo jo vetëm në
teori, historia është plot shembuj abdikimi, vetëdorzimi, dorëheqje etj. madje pa
pretenduar shenjtërim a shpërblim, vetëm që të shpëtohen pasuesit e
pasardhësit.
X-Melodiciteti
i poezisë së Bejkos është i ndërtuar me
kombinim elementësh si rima, ritmi , përdorimi i zanoreve dhe ndërtimi i
vargut, që kontribuojnë në krijimin e një fluksi të veçantë melodik të poezisë.
Sigurisht që ky melodicitet, ndërsa ndikohet nga elementet blegtoralë, ndryshon
në varësi të intensitetit emocional të poezisë, duke krijuar një efekt ritmik
dhe tingullor që pasqyron gjendjen e subjektit lirik.
1.Rima
në këtë poezi është jo e rregullt dhe ndonjëherë e lirë, por aty ku ajo
shfaqet, krijon një lidhje tingëllore mes vargjeve, që ndihmon lexuesin të
ndjekë strukturën dhe të ndjejë ritmin e
brendshëm të poezisë. Poezia nuk ndjek një strukturë me rima të rregullta, gjë
që është e zakonshme në poezinë moderniste, që synon të jetë e lirshme dhe e
natyrshme në rrjedhën e vargjeve. Në disa vargje, rima, mund të themi se
përshtatet lirshëm, duke ndihmuar që lexuesi të fokusohet më shumë te
përmbajtja emocionale sesa te struktura teknike. Psh. frazat:“...brifortë” dhe “...në
botë”,“...buzë humnere” dhe “... njëra-tjetre”. Të kuptojmë se ndërsa ritmi i
poezisë është i lirë, është njëkohësisht i ndërtuar në bazë të një ritmi të
brendshëm, i cili ndjek emocionet e subjektit lirik. Strofa e parë ka një ritëm
më të ngadaltë e të qetë, që përçon ndjenjën e reflektimit dhe kujtesës, ndërsa
strofat e mëpasme bëhen të tensionuara
dhe të vrullshme, për të pasqyruar vuajtjen dhe sakrificën.
2.Zanoret
sigurisht që kanë një ndikim të madh në
krijimin e melodicitetit të poezisë, ku përdorimi i zanoreve të hapura dhe të
mbyllura krijon kontraste tingëllore që ndikojnë në emocionet e vargjeve. Psh.: në vargjet: “leshtor, pamjebutë e brifortë”, përdorimi
i zanoreve të plota “e” dhe “o” krijon një tingull të fortë dhe të rrumbullakët,
që përçon ndjesinë e qetësisë dhe qëndrueshmërisë. Në vargun: “shkumuar buzët,
ka rënë mbi lëkurën e vet”, tingujt më të zbutur të “u” dhe “ë” ndihmojnë në
krijimin e një ndjesie melankolike. Në strofat që pasojnë, përdorimi i zanoreve
të hapura, si “a” dhe “o”, krijon ndjenjë tensionimi dhe pafuqie, gjë që duket
te vargu: “Qengjat vit për vit m’i çonin drejt e në thikë”, ku zanorja “a”
përsëritet, duke krijuar një ndjenjë të hidhur që reflekton dhimbjen e
sakrificës.
3.Melodiciteti
ndryshon nga strofa në strofë në bazë të emocioneve që transmetohen. Strofa e parë
është e qetë dhe reflektuese, pse përdor fraza të shkurtra dhe një ritëm të
ngadaltë për të shprehur përvojën e kaluar. Ky qetësim melodik pasqyron një
ndjenjë të largët dhe disi të vagëlluar të të kaluarës.
Në
strofat e mesme, intensiteti melodik rritet dhe ritmi bëhet i ndërprerë dhe
tensionuar, pse reflekton vuajtjen dhe krizën ekzistenciale të subjektit lirik.
Psh, strofa e tretë dhe e katërt kanë ritëm më të vrullshëm, të krijuar përmes
frazave të gjata që ndalohen befas, duke përçuar ndjenjën e shfrenimit
emocional: “Ç’të bëja? Kopenë ma shpinin, drejt në gryka ujku a buzë humnere” këtu
frazat e ndara dhe ndërprerjet rritin tensionin melodik, duke reflektuar një
ndjenjë pafuqie dhe dëshpërimi.
Në
strofat e fundit, melodiciteti kthehet në ton të qetë, por më solemn, si të shenjtë,
duke pasqyruar shpresën dhe shpëtimin. Përdorimi i vargjeve të gjata dhe i
frazave të lirëshme përçojnë një
ndjenjën rilindjeje dhe transcendence:” Do vijë bariu im i mirë, do t’i ndezë,
do t’i djegë brirët e mi në zjarr të lashtë e të shenjtë”, këtu frazat janë më
të plota dhe rrjedhin pa ndërprerje, duke krijuar një melodicitet të butë dhe
të lartë që reflekton pritjen për shpëtim.
Në
përfundim themi se poezia "Bariu i mirë" e Sadik Bejkos shquhet për
ndjeshmërinë dhe thellësinë me të cilën trajton tema të rëndësishme njerëzore.
Ajo veçohet për përdorimin mjeshtëror të simboleve dhe figurave që e ngrenë
poezinë mbi nivelin e thjeshtë rrëfimtar, duke i dhënë asaj një dimension
universal. Kjo poezi reflekton aftësinë e Bejkos për të gërshetuar traditën me
modernitetin, duke krijuar një vepër me vlera të qëndrueshme artistike. Bejko
mbetet një poet që, përmes gjuhës së tij të pasur dhe të stilizuar, arrin të
preki aspekte të thella të ekzistencës njerëzore dhe shpirtërore, duke e bërë
poezinë e tij të veçantë në letrat shqipe.
Sarandë, më shtator
2024
BARIU I MIRE
Mendoj se
dash kam qenë, dikur,
leshtor,
pamjebutë e brifortë.
Kështu them
dhe besoj se
disi ndryshe
prapë do të jem në botë.
Dash, që kur
i hanin brirët,
u binte
kodrave me kokë,
tundte dhe
lëkundte dhenë
dhe me viza
gjaku rrëzë brirëve,
shkumuar
buzët, ka rënë
mbi lëkurën
e vet, i plasaritur thellë.
Po ç’të
bëja? Kopenë ma shpinin,
drejt në
gryka ujku a buzë humnere
e delet në
verbëri… litar binin
në bisht të
njëra-tjetre.
Ç’t’i
bësh? Qengjat vit për vit
m’i çonin
drejt e në thikë.
Për turp, dy
- tri herë,
pasi m’i
kanë çarë dhentë,
ma kanë
qethur bashkën me gjithë lëkurë
e drejt
mishit tim ndërsenin qentë.
Por do të
vijë bariu im,
në faltore
të madhe brirët e mi
do t’i varë
lart, lart tek i latuari mur
e do t’i
përul, do t’i përfal para erës së pyjeve,
para hënave,
ujvarave si dikur.
Do vijë
bariu im i mirë,
do t’i
ndezë, do t’i djegë brirët e mi
në zjarr të
lashtë e të shenjtë:
të mos më
verbohem kurrë më kopetë,
të mos m’i
presin më qengjat e dhentë.
Nga libri
"Psalm për atin"
No comments:
Post a Comment