KRYQËZIMI I JEZU
KRISHTIT SIPAS NIKO KACALIDHËS
Nga Timo Mërkuri
Në poezinë "Krishti u
kryqëzua në Leshnicë," Niko Kacalidha e vendos aktin e shenjtë të
kryqëzimit të Krishtit në fshatin e tij të lindjes, duke i dhënë një dimension
të ri dhe personal kësaj ngjarjeje të madhe biblike. Përmes një ndërthurjeje të
fuqishme midis tokës dhe qiellit, realitetit dhe mitit, poeti krijon një botë
poetike ku sakrifica hyjnore nuk ndodh vetëm në një vend të largët dhe të
shenjtë, por në një hapësirë të njohur, të afërt dhe të përjetuar. Poezia nuk
është vetëm një reflektim mbi vuajtjen dhe sakrificën, por edhe një meditim mbi
përjetësinë, ndërlidhjen midis botës së dukshme dhe asaj të padukshme, dhe
rolin e kujtesës kolektive dhe familjare në formësimin e identitetit
shpirtëror. Përmes metaforave të ndërlikuara dhe një përdorimi të rafinuar të
figurave artistike, poeti arrin të ndërtojë një poezi që është njëkohësisht e
thellë dhe ndriçuese, duke sjellë në qendër të saj ndjenjën e shenjtërisë që
depërton në jetën e përditshme.
I- Në leximin e parë, poezia
fillon me një pohim të fuqishëm: "Krishti u kryqëzua në Leshnicë,"
duke e zhvendosur aktin historik dhe shpirtëror të kryqëzimit nga Golgota në
një fshat të vogël tw minoritetit etnik grek. Kjo zhvendosje tregon se, për
poetin, ngjarja e kryqëzimit ka një rëndësi të thellë personale dhe universale,
duke simbolizuar vuajtjen edhe sakrificën që ndodhin në komunitetin e tij.
Leshnica në poezinë e sipërpërmendur mbart një simbolikë të pasur dhe
shumëdimensionale. Ky fshat i vogël minoritar, vendlindja e poetit, bëhet
hapësirë simbolike ku bashkohen e ndërthuren historia, përvoja personale dhe
universale, dhe shpirtërorja si dhe personazhet poetike dalin nga kuadri
familjar dhe marrin përmasa të gjera, duke përfaqësuar më shumë sesa individë
të veçantë; ata shndërrohen në simbole të vuajtjes dhe sakrificës së brezave. Stërgjyshi
dhe gjyshja e poetit, për shembull, kapërcejnë rolin e tyre si anëtarë të
familjes dhe pjestarë të komunitetit dhe bëhen figura të shenjta, mbartës të
barrës së rëndë të kryqëzimit dhe të dhimbjes së përjetshme. Në këtë mënyrë,
poezia ngre në piedestal vuajtjen e përbashkët njerëzore, duke e shndërruar atë
në një akt sakrifikimi që ndodh jo vetëm në Leshnicë, por kudo ku ndodhin vuajtje
dhe sakrifica.
1. Leshnica shfaqet në poezi si
Golgota personale, pse poeti zhvendos aktin e kryqëzimit nga Golgota në
Leshnicë, duke e shndruar atë në një Golgotë personale. Ky veprim e bën
ngjarjen biblike të prekshme dhe të afërt, duke treguar se vuajtja dhe
sakrifica, nuk janë vetëm fenomene të largëta dhe mitike, por ndodhin dhe në
realitetin e përditshëm të komunitetit ku jetojmë. Leshnica, kështu, bëhet një
simbol i përvojës së përbashkët njerëzore, ku çdonjëri përjeton sakrificën dhe
vuajtjen e tij.
2. Poeti e paraqet Leshnicën si
vendi i shenjtërisë së përditshme, jo aq për faktin se aty egzistonin 18 kisha
e dy manastire (nga të cilat 3 kisha janë prishur),gjë që mbulon me një tis të
hollë poetik një kritikë ateizmit të shtetit monist, por se duke zgjedhur atë fshat
si vendin e kryqëzimit, poeti sugjeron se shenjtëria
nuk është e kufizuar në vende të largëta, por ekziston në çdo vend.
Leshnica simbolizon shenjtërinë në komunitetet e vogla dhe të thjeshta ku mund
të ndodhin ngjarje të mëdha shpirtërore.
3. Leshnica shfaqet si simbol i kujtesës dhe trashëgimisë
pasi përfaqëson kujtesën kolektive dhe trashëgiminë shpirtërore të familjes dhe
komunitetit. Për poetin, ky fshat është vendi ku janë ruajtur dhe transmetuar
vlerat shpirtërore e morale nga brezat e kaluar. Përmendja e gjyshes dhe
stërgjyshit, që kanë përjetuar dhe mbartur barrën e jetës dhe të fesë e bën
Leshnicën një vend të lidhur ngushtë me identitetin shpirtëror dhe historik të
poetit.
4. Edhe si simbol i vuajtjes dhe
shpresës e shfaq poeti Leshnicën, sepse këtu vuajtja dhe sakrifica kanë përjetuar
forma konkrete të shumta, por njëherësh është
vendi ku shpresa për ringjallje dhe shpëtim ka qenë e pranishme dhe në periudhën e ateizmit
shtetëror. Kjo simbolikë shprehet në vargjet ku elementet tokësore dhe qiellore
ndërthuren, duke sugjeruar se Leshnica është hapësira ku vuajtja dhe shpresa
bashkëje-tojnë.
Në thelb, Leshnica në këtë poezi
është më shumë se një vend gjeografik; ajo është një simbol kompleks që
përfaqëson vuajtjen, sakrificën, shenjtërinë e përditshme, kujtesën kolektive
dhe shpresën. Përmes kësaj simbolike, Kacalidha e bën përvojën universale të
kryqëzimit të prekshme dhe të afërt për lexuesin sshqiptar, duke e zhvendosur
nga një hapësirë mitike në një realitet të të prekshëm e të përditshëm.E
paraqitur në këtë mënyrë Leshnica bëhet e dashur dhe e dëshirueshme dhe për
lexuesin që nuk e ka parë ndonjëherë këtë fshat.
II- Figura e stërgjyshit, i cili
mban "kryqin" mbi shpinë,
është një simbol i fuqishëm në poezinë e Kacalidhës, pse përfaqëson brezat që
trashëguan peshën e rëndë të fatit. Në vargun "Kryqin ia dhanë stërgjyshit tim dhe e mbante mbi shpinë me një peshë të
tmerrshme të fatit" kryqi nuk është thjesht një simbol religjioz, por
përfaqëson vuajtjet, sakrificat që brezat e mëparshëm i kanë bartur. Kjo peshë
e madhe, që i zbardhi flokët brenda një
nate, është sa e rrëndë aq dhe e tmershme. Kjo metaforë reflekton mbi vështirësitë
e jetesës dhe tmeret e luftërave, ku brezat e mëparshëm kanë përjetuar
sakrifica të mëdha për të siguruar egzistencën dhe një të ardhme më të mirë për
pasardhësit e tyre. Kryqi mbi shpinë tregon gjithashtu ndjenjën e
pashmangshmërisë së fatit e detyrës që çdo brez mbartur pjesën e tij të barrës,
historisë e trashëgimisë. Në këtë mënyrë, stërgjyshi përfaqëson një lidhje të
fortë me të kaluarën dhe me sakrificat që e kanë formësuar identitetin e tij
dhe të pasardhësve të tij.
III. Në poezinë e Kacalidhës figura
e gjyshes merr një rëndësi qëndrore dhe simbolike shumëdimensionale, që thellon
kuptimin dhe ndjeshmërinë e vargjeve pasi është një element kyç në këtë poezi.
Ajo paraqitet si figurë shenjtërore, që mban brenda vetes historinë e Krishtit
dhe e ndan atë me poetin përmes "Ungjillit" të saj personal, shënim
qysh në titullin e poezisë, i cili e barazon gjyshen me Apostujt që kanë
shkruar Ungjijtë dhe u kanë vënë emrin e tyre (psh Ungjilli sipas Gjonit). Kjo
do të thotë gjithashtu se poeti e ka pare dhe shprehur këtë Kryqëzim sipas
shikimit të gjyshes së tij. Kacalidha e rikrijon ngjarjen e kryqëzimit nga e
para dhe e shpjegon me fjalët e gjyshes si psh: “gozhdët i kërkuan hua nga yjet e Kashtës së Kumtrit../ qirinjtë i
kërkuan hua për ringjalljen /nga yjet e Asterisit” një fjalor tipik
gjysheje plot ngrohtësi e figuracion që e përcjell ngrohtësinë te melodiciteti poetik.
Te vargu metaforik: "Gjyshja ime ishte vetë Shën Mëria e
borzilokut dhe e dhembjes së përgjakur" gjyshja nuk është fjalë për fjalë
Shën Mëria, por përfaqëson simbolikisht figurën e saj. Kjo metaforë shpreh
devotshmërinë fetare dhe dhimbjen e përjetuar nga gjyshja, të cilat ngjasojnë
me vuajtjet e Shën Mërisë gjatë kryqëzimit të Krishtit. Për më tepër,bashkimi i
Shën Mërisë me "borzilokun dhe
dhembjen e përgjakur" thekson lidhjen e saj (gjyshes) me sakrificën
dhe dhimbjen e shenjtë, duke i dhënë një dimension të veçantë shpirtëror dhe
emocional figurës (së gjyshes) që nuk është vetëm një personazh familjar, por
përfaqëson një lidhje shpirtërore dhe historike që e mbërthen poezinë në
rrënjët e trashëgimisë e të përvojës së përbashkët. Duhet të dijë lexuesi se
ortodoksët e Jugut dhe sidomos ata të etnitetit grek janë të lidhur pazgjidhshmërisht
me traditën ortodokse të krishtërimit dhe nënat e gjyshet minoritare kanë një
ndjenjë dhimshurie e dashurie që natyrshëm
shfaqen si Shën Mëria.
1.Të emocionojnë vargjet "Gjyshja ime ishte vetë Shën Mëria e
borzilokut dhe e dhembjes së përgjakur," me të cilat Kacalidha e
shenjtëron figurën e gjyshes. Borziloku, bimë aromatike, që në traditën
ortodokse simbolizon pastërtinë dhe shenjtërinë, shton një dimension tjetër në
këtë simbolikë, duke e përforcuar lidhjen e gjyshes me një devocion të thellë
shpirtëror dhe sakrificë.
2. Gjyshja (jo vetëm e poetit)
mban brenda vetes kujtesën dhe historinë e Krishtit, dhe e ndan me poetin përmes "Ungjillit të saj
personal." Ky ungjill, i cili është në fakt përvoja dhe përçimi i vlerave
fetare nga një brez në tjetrin, përfaqëson trashëgiminë shpirtërore që gjyshja
ka mbartur dhe transmetuar. Ajo është jo vetëm ruajtëse e fesë dhe traditave ,
por edhe një trasmentuese e tyre përmes të cilës brezat e ardhshëm marrin dijen
dhe urtësinë e së kaluarës
3. Vargjet: "që vuri kujën në shpellat e mia të shpirtit
dhe u bë ikonë e shtëpive tona" përmbajnë një simbolikë të fuqishme
pasi ndërthur figurën e gjyshes me elemente të dhimbjes dhe shenjtërisë
familjare, duke e shndërruar atë në një figurë të përjetshme dhe të shenjtë
brenda kontekstit të poezisë.
a.Vargu:"Vuri kujën në shpellat e mia të shpirtit":
ku, "kuja" simbolizon vajtimin
me zë të lartë e plot dhimbje, që gjyshja e ka bërë të pranishme në thellësinë
e shpirtit të poetit. Termi "shpellat
e shpirtit" përfaqëson ato vende të fshehura dhe të thella brenda
qenies së poetit ku grumbullohen përjetimet dhe kujtimet. Gjyshja, me vajtimin
e saj, ka ngulitur një ndjesi dhimbjeje në këto hapësira shpirtërore, duke
krijuar një lidhje të pandashme midis dhimbjes së saj dhe përvojës shpirtërore
të poetit.
b.Ndërsa vargu:"U bë ikonë e shtëpive tona" e ngre
gjyshen në një figurë të shenjtë dhe të përjetshme në familjen e poetit. Ajo
shndërrohet në një ikonë, një simbol i shenjtë dhe i respektuar, që e ndriçon
shtëpinë dhe kujtimet familjare. Kjo ikonë përfaqëson jo vetëm praninë fizike
të saj dhe adhurimin e pjestarëve të familjes, por edhe vlerat, traditat, dhe
kujtimet që ajo ka lënë pas për brezat e ardhshëm, sepse ikonat janë të përjetëshme.
Në këtë mënyrë, gjyshja bëhet një simbol i përhershëm i shpirtit dhe moralit të
familjes.
4. Në vargun "dhe ajo erë e marrë që fryu mbrëmë ishte
erini e saj e kujës," poeti e lidh gjyshen me Erinitë, hyjneshat e
hakmarrjes dhe drejtësisë në mitologjinë greke, duke e bërë atë një figurë të
fuqishme dhe aktive në mbrojtjen e drejtësisë dhe vlerave morale. Ky imazh
shpreh fuqinë dhe ndikimin e gjyshes përtej jetës tokësore, duke e shndruar atë
në simbol të drejtësisë dhe qëndresës shpirtërore që trasmetohet nga brezi në
brez. Në poezi Kacalidha përdor figurën e Erinive, për të shprehur ndjenjën e drejtësisë
dhe përgjegjësisë morale që ndien gjyshja për kryqëzimin e Krishtit.
a.Erinitë, si hyjnesha të
hakmarrjes, përfaqësojnë ndjekjen e pandërprerë të drejtësisë ndaj atyre që
kanë kryer krime e mëkate. Në kontekstin e poezisë, përdorimi i kësaj figure
mitologjike sugjeron se gjyshja e poetit, simbolikisht, kërkon të "hakmerret" për padrejtësinë e bërë ndaj Krishtit, por duhet të shpjegojmë
se kjo hakmarrje nuk është kurrsesi një veprim fizik, por është së pari një
përgjegjësi morale për të mbajtur gjallë kujtimin dhe vuajtjen e Krishtit, për
t'u siguruar që sakrifica e tij të mos harrohet kurrë. b.Gjyshja përfaqëson një
brez që e ka ndjerë e përjetuar dhembjen dhe sakrificën e Krishtit, dhe kjo
dhimbje e shndërron në një "erini".
c.Kjo hakmarrje mund të kuptohet si një kërkesë për drejtësi dhe rilindje
morale të shoqërisë. Kryqëzimi i Krishtit është një akt padrejtësie universale,
dhe Erinitë (gjyshja) sugjerojnë se bota ka nevojë ta korigjojë këtë padrejtësi
përmes akteve të përkushtimit, drejtësisë dhe dashurisë për njëri-tjetrin.
Kështu, gjyshja bëhet mbrojtësja e një kujtimi të shenjtë dhe të një ndjenje të
drejtësisë që duhet të vazhdojë të ekzistojë në çdo gjeneratë.
Pra, duke thënë "Ajo erë që fryu mbrëmë ishte erini e saj e kujës,"
poeti përdor Erinitë si një simbol të fuqishëm për të përçuar ndjenjën e thellë
të përgjegjësisë dhe të drejtësisë morale. Kështu gjyshja shfaqet si figurë që
mbron e mban gjallë të vërtetën shpirtërore, duke u përpjekur që vuajtjet e
Krishtit të mos shkojnë kot dhe që
ndjenja e drejtësisë të triumfojë. Duke qenë se gjyshja në këtë poezi është më
shumë se një figurë familjare, përmes saj, Kacalidha krijon një poezi që është
himn për fuqinë e shpirtit dhe përkushtimit familjar, duke e bërë atë një vepër
të fuqishme dhe të prekshme.
IV. Janë interesante vargjet:
“Krishti u kryqëzua në Leshnicë
dhe gozhdët i
kërkuan hua nga yjet e Kashtës
së Kumtrit që
na rri mbi krye
dhe pikoi
gjaku mbi shegët e egra.
Dhe qirinjtë
i kërkuan hua për ringjalljen,
nga yjet e
Asterisit.
Dhe ciklaminet për kurorë nga agullimi ynë”
pse krijojnë një imazh të
fuqishëm simbolik, ku elementet e natyrës dhe kozmosit ndërthuren me aktin e
kryqëzimit dhe ringjalljes së Krishtit, duke reflektuar një përvojë universale
dhe të lidhur ngushtë me jetën dhe ambientin e poetit.
1. Duke kërkuar "hua gozhdët nga yjet e Kashtës së Kumtrit,"
poeti thekson një lidhje mistike dhe të thellë midis aktit të kryqëzimit dhe
përmasave universale, duke treguar se sakrifica e Krishtit ka një rëndësi që
shtrihet përtej kufijve të tokës dhe prek të gjithë universin. Kështu, Kashta e
Kumtrit (Rruga e qumështit) bëhet një simbol i shenjtërisë dhe i madhështisë
kozmike që e rrethon këtë ngjarje të shenjtë. pse gozhdët që shpojnë trupin e
Krishtit nuk janë tokësore, ato janë marrë nga një burim i përjetshëm qiellor,
duke krijuar kështu një lidhje midis qiellit dhe tokës, midis një ngjarjeje
njerëzore dhe një dimensioni kozmik.
2. Gjaku që pikoi mbi shegët në
vargun "dhe pikoi gjaku mbi shegët e
egra" përfaqëson një figurë simbolike. Shega, me ngjyrën e saj të kuqe
dhe formën e saj të mbushur me fara, është një simbol i pjellorisë dhe jetës,
por në këtë kontekst ajo mbushet me kuptimin e sakrificës dhe dhembjes. Gjaku i
Krishtit që pikon mbi shegët e egra sjell një kontrast të fuqishëm midis të
shenjtës dhe të egrës, mes dhimbjes dhe vazhdimësisë së jetës. Kur shkruhet se
gjaku i Krishtit pikon mbi këto fruta, krijohet një metaforë e bashkimit të
vuajtjes dhe sakrificës me jetën dhe vazhdimësinë. Pra, ky imazh sugjeron se
nga sakrifica e Krishtit rrjedh jeta dhe rigjenerimi shpirtëror.
3.Yjet e Asterisit janë yje të
lidhura me shpresën dhe ringjalljen. Në këtë poezi qirinjtë simbolizojnë dritën
dhe shpresën që ndriçojnë rrugën e ringjalljes. Figura artistike në këtë varg është
personifikimi, pse qirinjtë janë përshkruar si të gjallë, të aftë për të
kërkuar "hua" nga yjet për ringjalljen. Kjo jep idenë se elementët
natyrorë dhe objekte të pajetë, si qirinjtë dhe yjet, marrin cilësi njerëzore
dhe hyjnore, duke krijuar një ndërveprim simbolik midis dritës, shpresës, dhe
ringjalljes. Kjo figurë forcon konceptin se akti i ringjalljes është një
fenomen universal që përfshin jo vetëm qeniet njerëzore, por edhe natyrën dhe
kozmosin.
4. Në vargun "Dhe ciklaminet për kurorë nga agullimi ynë,”
kemi dy figura artistike kryesore: a.Metafora: "Ciklaminet për kurorë" përdoret për të simbolizuar një kurorë
të bërë nga lule ciklamini e cila është simbol i dritësisë, ringjalljes dhe
nderit, duke evokuar një imazh të bukur dhe të shenjtë.b.Metonimia: "Agullimi ynë" nënkupton mëngjesin
apo agimin tonë, që simbolizon fillimin e një dite të re ose një shpresë të re.
Këtu, agullimi përdoret si një simbol për rilindjen dhe shpresën. Shtojmë se ciklaminet
janë lule që simbolizojnë pastërtinë dhe rilindjen, dhe duke marrë ciklaminet
për kurorën nga agullimi, poeti sugjeron se ringjallja dhe rilindja janë proces
natyrale që ndodhin në fillimin e çdo dite të re. Kjo lidhje mes natyrës dhe
ringjalljes përforcon idenë se aktet e shenjta nuk janë të izoluara, por janë
pjesë e ciklit të përhershëm të natyrës dhe jetës.
Pra, këto vargje shfaqin një
qasje artistike ku poeti ndërthur elementet kozmike, natyrore dhe shpirtërore
për të krijuar një vizion të kryqëzimit dhe ringjalljes që është njëkohësisht
personal dhe universal. Kacalidha e vendos aktin e kryqëzimit të Krishtit
brenda një konteksti të vendlindjes së tij, Leshnicës, por në të njëjtën kohë e
lidh atë me një dimension më të madh kozmik dhe natyror. Duke përdorur simbole
të tilla si yjet, shegat, qirinjtë dhe ciklaminet, poeti e shndërron kryqëzimin
dhe ringjalljen në akte të përjetshme dhe të lidhura ngushtë me natyrën dhe
universin, duke i dhënë poezisë një ndjenjë të thellë të shpresës dhe dritës.
V- Vendosja e aktit të kryqëzimit
të Krishtit në një vend konkret tokësor si Leshnica, ndërkohë që veprimet e
tjera zhvillohen në qiell, është një zgjedhje artistike e thellë dhe e
qëllimshme nga ana e Kacalidhës pasi krijon
një tension poetik dhe kontrast që rrit ndjeshëm cilësinë dhe thellësinë e
poezisë.
1. Vendosja e kryqëzimit në
Leshnicë, siç e thamë, i jep një përmasë të shenjtë një vendi të zakonshëm,
duke e bërë përvojën e sakrificës dhe të vuajtjes (së Krishtit) universale,
duke i dhënë asaj një kuptim të thellë që mund të preket dhe të ndiehet nga të
gjithë, pavarësisht se ku ndodhen.
2.Ndërveprimet që ndodhin në
qiell, si marrja e gozhdëve nga yjet e Kashtës së Kumtrit apo qirinjtë për
ringjalljen nga yjet e Asterisit, krijojnë ndjesi të përmasave kozmike e
hyjnore të ngjarjeve të kryqëzimit e ringjalljes. Ky kontrasti mes vendndodhjes
tokësore dhe dimensionit qiellor nënvizon një ndarje dhe lidhje të ndërsjellë
midis të përditshmes dhe të shenjtës, mes njerëzores dhe hyjnores.
3.Duke vendosur kryqëzimin në
tokë dhe duke lejuar elementet hyjnore të ndërveprojnë nga qielli, poeti
simbolizon bashkimin e dy botëv, botës tokësore dhe botës shpirtërore. Kjo
reflekton besimin se veprimet hyjnore kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën
dhe fatin e njerëzve, por dhe se çdo akt njerëzor ka një rezonancë kozmike. Kjo
ndihmon në thellimin e mesazhit poetik dhe shton një dimension të ri spiritual
dhe filozofik në poezi.
4.Duke përdorur këtë ndarje e
ndërthurje midis tokës dhe qiellit, poeti krijon një përvojë shumëdimensionale
për lexuesin. Ajo i fton lexuesit të reflektojnë mbi lidhjen midis asaj që
është e shenjtë dhe të zakonshmes, madje dhe mbi mënyrën se si ngjarjet hyjnore
dhe njerëzore ndërthuren në jetën e përditshme.
5.Vendosja e aktit të kryqëzimit
në një vend tokësor, ndërsa ndërveprimet ndodhin në qiell, poeti universalizon
përvojën e kryqëzimit, duke e bërë të rëndësishme jo vetëm për një vend apo
kohë të caktuar, por për gjithë njerëzimin, duke e bërë poezinë të fuqishme dhe
të qëndrueshme në kujtesën e lexuesit.
Pra, kjo zgjedhje artistike e
Kacalidhës nuk është vetëm një teknikë stilistike, por një mjet i fuqishëm për
të përçuar thellësinë e përvojës njerëzore dhe shenjtërinë e jetës së
përditshme. Ajo i jep poezisë një cilësi të veçantë që i shton kompleksitet dhe
fuqi emocionale.
VI- Kërkon vemëndje fakti që në
poezinë "Krishti u kryqëzua në Leshnicë," Kacalidha arrin të krijojë
një ndjenjë hapësire, ajri, dhe drite, pavarësisht se tema e kryqëzimit në
vetvete krijon ndjenjë vuajtjeje dhe errësire. Kjo qasje ndaj hapësirës dhe
dritës e bën poezinë të ndjehet e lehtë dhe kontemplative, duke sjellë një
ekuilibër midis dhimbjes dhe shpresës.
1.Poeti përdor figura dhe simbole
nga natyra dhe kozmosi, siç janë lulekambanat, yjet e Kashtës së Kumtrit dhe
Asterisit, ciklaminet, dhe agullimi. Këto elemente jo vetëm që sjellin një
ndjenjë hapësire dhe pafundësie, por gjithashtu ndriçojnë poezinë me një dritësim
të butë e shpirtërore. Kjo lidhje e poezisë me elementet natyrore dhe kozmike
krijon një atmosferë të hapur, ku vuajtja e kryqëzimit nuk është një ngjarje e
mbyllur dhe e errët, por një përvojë që ndodh në dritën e natyrës dhe të
universit.
2.Ritmi dhe kadenca e qetë e
poezisë kontribuojnë në krijimin e një ndjenje plot ajër dhe hapësirë. Poezia
nuk ka ton dramatik ose të rëndë, por një ton të qetë, që reflekton mbi
ngjarjet pa e ngarkuar lexuesin me peshën e dhimbjes. Kjo qetësi krijon një
hapësirë të brendshme, ku lexuesi mund të reflektojë dhe të marrë frymë
lirshëm, duke perceptuar një ndjenjë lirie dhe drite nëpërmjet poezisë.
3.Simbolizmi i përdorur nga
Kacalidha, si Shën Mëria e përfaqësuar nga gjyshja dhe kryqi i mbajtur nga
stërgjyshi, shfaqen në një mënyrë jo të dhimbëshme apo dëshpëruese, por nën një
dritë shpirtërore. Për shembull, gjyshja përshkruhet si “Shën Mëria e borzilokut” një figurë që mbart dhembje, por që
gjithashtu është e mbushur me një aromë të lehtë, freski e shpresë, dhe krijon
një kontrast mes dhimbjes dhe dritës që ajo sjell.
4.Referencat ndaj ringjalljes e
përforcojnë idenë se kryqëzimi nuk është fundi, por një fazë drejt ringjalljes
dhe shpresës. Kjo perspektivë i jep poezisë një ndjesi drite në fund të tunelit, ku ndjehet se
vuajtja është e përkohshme dhe egziston një qëllim shpirtëror më i madh që
kulmon me ringjalljen.
Në thelb, kjo ndjenjë e
hapësirës, ajrit dhe dritës që Kacalidha krijon në poezinë e tij reflekton një
botëkuptim shpirtëror, ku vuajtja dhe dhimbja janë të pranishme, por nuk janë
të mbyllura në vetvete. Ato janë pjesë e një përvoje të jetës dhe besimit, ku
natyra, universi dhe shpresa e ringjalljes sjellin dritë dhe qetësi. Është kjo
qasje poetike që e bën kryqëzimin një
akt që ndodh në një univers të hapur dhe të ndriçuar, ku ajri dhe drita janë
simbole të pranisë së shpresës dhe të hyjnores, por gjithashtu ndikojnë te
melodiciteti i poezisë.
VII- Poezia "Krishti u
kryqëzua në Leshnicë" është një shembull i poezisë moderne që lidhet me rrymën
e modernizmit surrealist, i cili është i pranishëm në mënyrën se si autori
kombinon elemente nga jeta reale (si Leshnica) me simbole fetare e mitologjike,
të cilat, të vendosura jashtë kontekstit të tyre të zakonshëm, krijojnë një
efekt surreal. Ja disa vargje që ilustrojnë këtë qasje:
1. Te vargjet: "Krishti u kryqëzua në Leshnicë dhe gjithë e
përpjeta gjer në buzë të muzgjeve të nxirrte në Golgotën time"
kryqëzimi i Krishtit është zhvendosur nga konteksti historik në një fshat
minoritar, Leshnica, dhe është bërë një ngjarje personale për autorin. Kjo
zhvendosje e ngjarjes dhe lokalizimi i saj në një kontekst të ri është një
teknikë tipike surrealiste që sfidon pritshmëritë dhe krijon një realitet të
ri.
2. Në vargun: "Gjyshja ime ishte vetë Shën Mëria e
borzilokut dhe e dhembjes së përgjakur" figura e gjyshes shndërrohet në një simbol
fetar, e lidhur me Shën Mërinë dhe dhembjen e përjetuar prej saj. Ky amalgamim
i të shenjtës me të zakonshmen është element që e lidh poezinë me surrealizmin,
duke krijuar një ndjesi të çuditshme dhe të mistershme.
3. Imazhi surrealist: "Krishti u kryqëzua në Leshnicë dhe gozhdët i
kërkuan hua nga yjet e Kashtës së Kumtrit që na rri mbi krye" përfshin një element të natyrës (yjet e
Kashtës së Kumtrit) në një akt të dhunshëm si kryqëzimi, një lidhje e pazakontë
që krijon një vizion të ri dhe të pasur për lexuesin. Këto elemente të
surrealizmit ndihmojnë në krijimin e një poezie që jo vetëm komunikon një
përvojë të veçantë dhe personale, por që sfidon dhe kufijtë midis realitetit
dhe imagjinatës, një karakteristikë
kryesore të modernizmit surrealist.
VIII-Megjithatë poezia
"Krishti u kryqëzua në Leshnicë" ka elemente që ofrojnë qasje edhe me rryma të tjera
moderniste, si simbolizmi dhe ekspresionizmin.
1. Simbolizmi është i pranishëm në përdorimin
e simboleve fetare dhe natyrore që shprehin kuptime shpirtërore dhe emocionale.
Simbolet e shumta të përdorura në këtë poezi si: “Leshnica”, “Kashta e Kumtrit”,”Gjyshja”, “Gozhdët”, “Gjaku mbi shegët e
egra”,”Qirinjtë”,” Ciklaminet për kurorë”, “Agullimi”, “Kryqi”, “Shpella e
shpirtit”, ”Ikona” etj janë zotëruese e kushtëzuese në poezi. Simbolistët
shpesh përdorin imazhe të ngarkuara me kuptim të fshehur dhe të shumëfishtë,
dhe kjo qasje është e dukshme në poezinë e Kacalidhës. Te vargu: “Krishti u kryqëzua në Leshnicë dhe gozhdët i
kërkuan hua nga yjet e Kashtës së Kumtrit" yjet e Kashtës së Kumtrit nuk janë thjesht
elemente të natyrës, por përfaqësojnë një lidhje midis tokësoreve e
hyjnores.Gozhdët e huazuara nga yjet përfaqësojnë vuajtjen e sakrificën hyjnore
dhe shërbejnë si një simbol i mundimit dhe kryqëzimit të Krishtit. Po ashtu te
vargu:”Gjyshja ime ishte vetë Shën Mëria
e borzilokut" figura e gjyshes është simboli i dhembjes dhe
sakrificës, duke u ngjitur në statusin e shenjtë. Kjo i jep një dimension të
thellë shpirtëror dhe emocional lidhjes së familjes dhe besimit, një
karakteristikë tipike e simbolizmit.
2. Ekspresionizmi në këtë poezi
karakterizohet nga përpjekja për të shprehur ndjenja të fuqishme dhe përvoja
subjektive përmes imazheve të fuqishme dhe të shqetësuara. Në poezi, ka një
ndjesi të fortë të dramës dhe dhembjes që e lidh me këtë rrymë. Kështu, te
vargu: "Kryqin ia dhanë stërgjyshit
tim dhe e mbante mbi shpinë me një peshë të tmerrshme të fatit dhe u zbardh
brenda një nate." Ky përshkrim
është jashtëzakonisht ekspresive dhe dramatik. Pesha e kryqit që stërgjyshi
mban nuk është vetëm ngarkesë fizike, por është një simbol i barrës së fateve
dhe vuajtjeve njerëzore. Ky përshkrim përmban një intensitet emocional dhe një
ndjenjë të zymtësisë që është karakteristike për ekspresionizmin. Po ashtu
vargu: "Dhe qirinjtë i kërkuan hua
për ringjalljen, nga yjet e Asterisit." ka një linjë të ngarkuar
emocionale të përpjekjes njerëzore për shpresë e ringjallje , një
ndjenjë që përforcohet nga tensioni ndërmjet dhimbjes së kryqëzimit dhe
dëshirës për një të ardhme më të mirë.
Sarandë, më gusht 2023
TRADICIONALITETI DHE
NDIKIMI I TIJ NË POEZINË MODERNISTE
“Krishti u kryqëzua në
Lëshnicë” e Niko Kacalidhës
I- Në poezinë "Krishti u
kryqëzua në Leshnicë,"elementët tradicionalë janë të pranishëm dhe luajnë
një rol të rëndësishëm si sfond poetik, duke i dhënë poezisë një dimension të
veçantë që ndërthuret me teknikat moderniste. Elementet tradicionale shfaqin
lidhjen me kulturën, besimet dhe identitetin kombëtar, duke krijuar një
kontrast dhe dialog mes traditës dhe modernizmit.
1. Në këtë poezi, figura e
gjyshes dhe stërgjyshit përfaqësojnë një lidhje me traditën familjare e
shpirtërore. Ata janë bartësit e traditës dhe kujtimeve, duke e mbajtur gjallë
kujtesën e të kaluarës në përballje me ngjarjet moderne. Vargjet"Gjyshja ime ishte vetë Shën Mëria e
borzilokut dhe e dhembjes së përgjakur" dhe “Kryqin
ia dhanë stërgjyshit tim dhe e mbante mbi shpinë me një peshë të tmerrshme të
fatit" janë vargje me element
tradicionalë, por që janë shkruar në një formë që i qasen rrymës së simbolizmit
modernist pse shfaqin sa simbolizmin aq dhe ndërthurjen e së shenjtës me
tokësoren, përdorin personifikimin dhe metaforën për të krijuar lidhje të forta
mes njerëzve dhe simboleve fetare dhe se eksplorojnë lidhjet midis përvojës
personale dhe asaj kolektive, duke përdorur simbole që përfaqësojnë diçka më të
madhe se vetë individi.
2.Tradita fetare është një komponent thelbësor
i poezisë, që krijon një sfond të thellë dhe të fuqishëm tradicional për temat
e kryqëzimit dhe ringjalljes. Vargu: "Krishti u kryqëzua në Leshnicë"
i jep poezisë një dimension të veçantë, ku ngjarjet biblike përzihen me
përvojat lokale e tradicionale duke krijuar një lidhje midis të shenjtës dhe të
zakonshmes, duke e bërë poezinë të prekshme dhe të lidhur me kulturën
shqiptare. Po kështu vargu: "lulekambana
të rëna nga shëtitja e epitafit"
ku lulekambanat dhe epitafi janë simbole tradicionale të festave fetare
të Pashkëve, janë përdorur për të sjellë në pah sakrificën dhe ringjalljen,
qëndruar të përjetshme në shpirtin e popullit. Vargu "lulekambana të rëna nga shëtitja e epitafit" ka një qasje
moderniste për disa arsye: a. lulekambanat dhe epitafi lidhen në një mënyrë që
krijon një imazh të veçantë dhe simbolik, që është karakteristikë e poezisë
moderniste, b. Ndërlidhen elementet e
përditshme me ato të shenjta ose solemne, duke krijuar një efekt estetik dhe
emocional që është karakteristik për modernizmin, c. Shprehja "të rëna nga shëtitja e epitafit"
krijon një kthesë që e bën vargun të duket më abstrakt dhe meditativ. Poezia
moderniste shpesh përdor fraza dhe struktura që sfidojnë pritshmëritë e
lexuesit, duke shtuar thellësi dhe kompleksitet në interpretim.
3. Në poezinë shqiptare
tradicionale, natyra shpesh përdoret për të përfaqësuar gjendje shpirtërore dhe
përvoja njerëzore, dhe kjo është e pranishme edhe në këtë poezi të Niko
Kacalidhës. Psh elementët e vargut:"Kashta
e Kumtrit" dhe "yjet e
Asterisit" janë elementë
natyrorë që në traditën popullore shqiptare kanë kuptime të thella simbolike,
të cilat sjellin në këtë poezi një ndjenjë mistike dhe të përjetshme që lidhet
me fatin dhe jetën e përtejme, madje dhe duke u shfaqur në rrymen e
modernizimit simbolik.
II-Tradicionaliteti në poezinë
"Krishti u kryqëzua në Leshnicë" luan një rol të rëndësishëm në
krijimin dhe orientimin e melodicitetit të saj, duke i dhënë poezisë një ndjesi
të përbashkët e të rrjedhshme, që buron nga rrënjët e traditës dhe Bibla.
Ndjesia e traditës ndikon në ritmin, strukturën, dritësimin dhe harmoninë e
vargjeve, duke e bërë poezinë të tingëllojë si një këngë apo elegji e vjetër.
Kjo për arsye se:
1. Poezia përmban elemente dhe
figura tradicionale, të cilat krijojnë një ndjesi të njohur dhe të qetë për
lexuesin, duke kontribuar kështu në melodicitetin e saj. Këto motive të lidhura
me traditën e bëjnë poezinë të tingëllojë si
pjesë e përjetshme e një historie të gjatë të trashëguar.Psh, te vargu:”Gjyshja ime ishte vetë Shën Mëria e
borzilokut dhe e dhembjes së përgjakur, që vuri kujën në shpellat e mia të
shpirtit dhe u bë ikonë e shtëpive tona" referenca ndaj Shën Mërisë,
borzilokut dhe dhembjes së përgjakur lidhen ngushtë me simbolizmin tradicional
dhe kulturor shqiptar, i japin poezisë një tonalitet të veçantë që rrjedh nga
përdorimi i motiveve fetare dhe popullore, të cilat përmbajnë një ritëm dhe
kadencë që kujtojnë këngët tradicionale, elegjitë dhe vajet popullore.
2. Tradicionaliteti ndikon në
ritmin e poezisë, duke e bërë atë të rrjedhë natyrshëm, pa ndërprerje të
papritura apo zëvendësime të ritmeve, duke krijuar një ndjenjë qetësie e
stabiliteti në melodinë e vargjeve.Te vargjet:"Krishti u kryqëzua në Leshnicë dhe gozhdët i kërkuan hua nga yjet e
Kashtës së Kumtrit që na rri mbi krye dhe pikoi gjaku mbi shegët e egra." ritmi i tyre është i qetë dhe i vazhdueshëm
dhe ndjek një linjë të rrjedhshme të mendimit që lidhet me ritmet tradicionale
të poezive shqiptare. Përdorimi i frazave të gjata, të cilat mbajnë një kadencë
të butë, e rrit melodicitetin dhe e bën poezinë të ndihet si një rrëfim i gjatë
dhe i qetë.
3.Gjithashtu tradicionaliteti në
poezinë shqipe shpesh lidhet me përdorimin e asonancës dhe aliteracionit, të
cilat krijojnë një efekt melodik dhe e bëjnë poezinë të tingëllojë më afër
këngës popullore.Te kjo poezi, te vargu: “Dhe
ciklaminet për kurorë nga agullimi ynë." përdorimi i tingujve "e" dhe
"i" krijon një harmoni të brendshme që është tipar karakteristik për
poezinë tradicionale, ku tingujt përsëriten për të krijuar një ritëm melodik
dhe të këndshëm për dëgjuesin.
Në thelb, tradicionaliteti në
poezinë "Krishti u kryqëzua në Leshnicë" jo vetëm që shërben si sfond
poetik por ndikon fuqishëm dhe në melodicitetin e saj, duke sjellë në poezi
elemente të kulturës dhe folklorit shqiptar, që e bëjnë atë të tingëllojë si
një pjesë e pandarë e një historie të gjatë kulturore. Këto elemente
tradicionale krijojnë një ndjenjë
rrjedhshmërie, harmonie dhe qetësie, që i japin poezisë një tonalitet
melodik dhe të këndshëm.
III- Melodiciteti i poezisë
"Krishti u kryqëzua në Leshnicë" është një aspekt që e bën atë të
veçantë dhe të fuqishme në ndikimin e saj te lexuesi. Melodiciteti krijohet
përmes një kombinimi të harmonisë së tingujve, ritmit të vargjeve e përdorimit
të rimës. Gjithashtu ndikon fakti që kjo poezi mbart një tonalitet të butë dhe
të rrjedhshëm që ndikon emocionalisht në lexuesin.
1. Ritmi në këtë poezi është i
lirë dhe i natyrshëm, duke ndjekur një rrjedhë të qetë dhe reflektive, që është
në përputhje me natyrën meditative dhe shpirtërore të temës. Vargjet: "Krishti u kryqëzua në Leshnicë dhe
gjithë e përpjeta gjer në buzë të muzgjeve" kanë një ritëm të qetë e të ngadaltë, të
ngjashëm me ritmin e një elegjie. Përdorimi i frazave të gjata dhe të
ndërlikuara i jep poezisë një ndjesi rrjedhshmërie që është e përshtatshme për
natyrën kontemplative të saj.
2. Rima është jo e rregullt në
këtë poezi, por ka një prani të shpeshtë të asonancave dhe aliteracioneve që e
forcojnë melodicitetin e saj. Te
vargu:"Gjyshja ime ishte vetë Shën
Mëria e borzilokut dhe e dhembjes së përgjakur" , përsëritja e tingujve “e” dhe “i” krijon
një ritëm të butë dhe të harmonishëm, që ndihmon në krijimin e një efekti
melodik. Asonanca ndihmon në ndërtimin e një muzikaliteti të brendshëm që nuk
kërkon rima të rregullta për të qenë efektiv.
3. Zanoret luajnë një rol të
rëndësishëm në melodicitetin e poezisë, duke krijuar një efekt harmonik dhe
duke ndihmuar në rrjedhshmërinë e tingullit të vargjeve. Te vargu: "Krishti u kryqëzua në Leshnicë dhe gozhdët i
kërkuan hua nga yjet e Kashtës së Kumtrit që na rri mbi krye" përdorimi i zanoreve të hapura “a” dhe “e”
krijon një tonalitet të ëmbël e të butë që përshtatet me natyrën elegjiake të
poezisë. Këto zanore ndihmojnë në zbutjen e tingullit dhe krijimin e një
muzikaliteti natyror. Te vargu:"Dhe
qirinjtë i kërkuan hua për ringjalljen, nga yjet e Asterisit" zanoret “i” dhe “e” janë të përsëritura në
mënyrë të tillë që krijojnë një efekt melodik të këndshëm, duke i dhënë poezisë
një ndjenjë të qetësisë dhe kontemplimit.
4. Përsëritja e vargjeve "Krishti u kryqëzua në Leshnicë" dhe
fraza ”i kërkuan hua” ndikon ndjeshëm
në melodicitetin e poezisë, duke krijuar një ritëm të veçantë dhe një strukturë
që ngjason me një refren. Këto vargje veprojnë si qendër gravitacionale, rreth
së cilës ndërtohen të tjerat, duke i dhënë poezisë një ndjenjë qetësie dhe meditimi.
Ritmi i përsëritur i këtij vargu krijon një melodi të brendshme që ndihmon në
thellimin e mesazhit të poezisë, duke e bërë atë më të fortë dhe më të ndjeshëm
për lexuesin. Melodia që krijohet nga kjo përsëritje ndihmon gjithashtu në
shprehjen e një ndjenje të vazhdimësisë dhe të pashmangshmërisë së kryqëzimit,
duke theksuar ndjenjat e tragjizmit dhe sakrificës që përshkojnë poezinë. Në
këtë mënyrë, përsëritja e vargut "Krishti
u kryqëzua në Leshnicë" dhe “i
kërkuan hua” jo vetëm që pasuron strukturën ritmike të poezisë, por edhe i
jep asaj një dimension melodik që rezonon me ndjenjat e thella të përshkruara
në tekst.
Pra konkludojmë se melodiciteti i
poezisë "Krishti u kryqëzua në Leshnicë" është një rezultat i
harmonisë së ritmit të lirë, përdorimit të asonancave dhe aliteracioneve të
buta, si dhe përdorimit të kujdesshëm të zanoreve. Këto elemente krijojnë një
poezi që është njëkohësisht e fuqishme dhe e qetë, duke përcjellë thellësinë
emocionale dhe shpirtërore që është qendra e saj. Kjo i jep poezisë një
dimension muzikor që ndikon thellësisht te lexuesi.
IV- Arsyeja pse poezia
"Krishti u kryqëzua në Leshnicë"me temë kryqëzimi ka melodicitet jo
të trishtueshëm, madje optimist, shpjegohet me disa arsye që lidhen me
simbolikën dhe mesazhin që autori dëshiron të përcjellë, ku përmendim:
1.Një nga arsyet kryesore përse
kjo poezi, ka një tonalitet optimist, është se ajo përqendrohet te shpresa dhe
ringjallja. Kryqëzimi në vetvete është një akt i dhimbshëm, por ai është
gjithashtu preludi i ringjalljes, që është simboli më i fuqishëm i shpresës dhe
i triumfit të jetës mbi vdekjen. Kjo duket te vargjet: ”Krishti u kryqëzua në Leshnicë. Dhe në Leshnicë do të ringjallet së
vdekuri, sipas Ungjillit të gjyshes."
që përçojnë idenë se vdekja dhe
vuajtja nuk janë fundi, por prelud për ringjalljen dhe jetën e re. Shpresa e
ringjalljes i jep një tonalitet optimist poezisë, duke i dhënë lexuesit një
ndjenjë të ngushëllimit dhe besimit në të ardhmen.
2. Poeti e lokalizon ngjarjen në
Leshnicë, duke e bërë atë një ngjarje personale, familjare dhe të prekshme për
lexuesin shqiptar. Ky personalizim e sjell kryqëzimin më afër, duke e kthyer
atë në një ngjarje që prek drejtpërdrejt jetën dhe historinë e komunitetit.Te
vargjet: ”Gjyshja ime ishte vetë Shën
Mëria e borzilokut dhe e dhembjes së përgjakur, që vuri kujën në shpellat e mia
të shpirtit dhe u bë ikonë e shtëpive tona." tregohet se si dhembja
dhe sakrifica bëhen pjesë e përvojës së përbashkët të komunitetit ortodoks.
Përmes kësaj, poezia kapërcen trishtimin individual dhe e kthen në një akt të
përbashkët që bashkon njerëzit në një shpresë dhe besim të përbashkët në
krishtërim.
3. Autori përdor elemente
natyrorë dhe kozmikë, të cilët shpesh përfaqësojnë ciklet e natyrës e të jetës,
duke përçuar idenë e një vazhdimësie dhe rregullsie të përjetshme që e kapërcen
dhimbjen momentale.Te vargu: “Gozhdët i
kërkuan hua nga yjet e Kashtës së Kumtrit që na rri mbi krye" yjet dhe
elementët natyrorë sugjerojnë diçka të përjetshme që shkon përtej vuajtjeve të
përkohshme të tokës. Ky koncept jep një ndjenjë optimizmi, duke sugjeruar se,
ashtu si yjet që ndriçojnë gjithmonë, edhe shpresa dhe jeta do të vazhdojnë
pavarësisht dhimbjeve të momentit. Kjo qasje e bën poezinë të ngrohtë,
reflektuese dhe, optimiste, duke ofruar një mesazh ngushëllimi e shprese për
lexuesin.
V-Në poezinë "Krishti u
kryqëzua në Leshnicë" Kacalidha krijon një sërë imazhesh poetike të cilat,
megjithëse me rrënjë në tradicionalizëm, marrin një funksion të ri dhe
shërbejnë si urë për kalimin në rrymat moderniste si surrealizmi, simbolizmi
dhe ekspresionizmi. Këto imazhe mbajnë brenda tyre vlerat e traditës, por janë
të transform-ara në një mënyrë që rezonon me ndjeshmëritë moderne dhe
universale.Le ta shohim më konkretisht këtë dukuri te kjo poezi:
1. Një nga mënyrat se si
Kacalidha arrin të përdorë surrealizmin duke u bazuar në elementët tradicionalë
është përmes krijimit të imazheve që janë të pazakonta dhe të papritura, por që
burimin e tyre e kanë në traditën dhe besimin popullor. Psh te imazhi "Krishti u kryqëzua në Leshnicë dhe gozhdët i
kërkuan hua nga yjet e Kashtës së Kumtrit që na rri mbi krye"yjet e
Kashtës së Kumtrit, një element i kulturës tradicionale shqiptare bëhet burimi
surreal i gozhdëve të kryqëzimit. Ky imazh është një kombinim i një realiteti
të njohur dhe të paprekshëm me një akt konkret dhe të dhimbshëm, duke krijuar
një ndjesi të fuqishme të të çuditshmes që karakterizon surrealizmin.
2.Simbolizmi i përdorur nga
Kacalidha ndërtohet mbi simbolet tradicionale që i jep atyre një domethënie të
re dhe të zgjeruar duke i dhënë poezisë
një dimension të pasur dhe shumëkuptimor.Psh te vargu: "Qirinjtë i kërkuan hua për ringjalljen, nga
yjet e Asterisit", qirinjtë, që
janë një simbol tradicional i dritës dhe shpirtit në kulturën shqiptare, janë
transformuar në një simbol të ringjalljes. Ata marrin një kuptim më të thellë
përmes lidhjes së tyre me yjet e Asterisit,. Kjo ndërlidhje midis simboleve të
njohura tradicionale dhe ato moderne krijon një efekt të fuqishëm simbolik.
3. Ekspresionizmi në poezinë e
Kacalidhës shfaqet përmes përdorimit të imazheve që janë të forta emocionalisht
dhe shpesh të deformuara, për të shprehur ndjenjat e brendshme të personazheve.
Këto imazhe bazohen në elementë tradicionalë, por janë të shprehur në një
mënyrë që thekson intensitetin e emocioneve. Psh te vargu:"Pikoi gjaku mbi shegët e egra" gjakut që pikon mbi shegët e egra është një
imazh i thellë ekspresionist, ku gjaku, simbol i jetës dhe sakrificës, përzihet
me simbolin tradicional të frutit të shegës së egër, që është shpesh një shenjë
e natyrës së paprekëshme dhe të egër. Ky imazh i kombinon elementët
tradicionalë për të shprehur një ndjenjë të fuqishme dhimbjeje dhe sakrifice,
duke thelluar intensitetin emocional të poezisë. Po kështu te vargu: "Gjyshja ime ishte vetë Shën Mëria e
borzilokut dhe e dhembjes së përgjakur." përshkruhet gjyshja e poetit
si një figurë tradicionale, por e sjell atë në kontekstin modernist përmes një
lidhjeje të fuqishme emocionale dhe shpirtërore, duke e shndruar atë në një përfaqësim të dhembjes dhe sakrificës
tradicionale, por poeti e shfaq atë në një mënyrë që është intensivisht
ekspresioniste, duke shfaqur ndjenjat e tij më të thella dhe të fuqishme.
Pra, imazhet e krijuara nga Niko
Kacalidha në poezinë "Krishti u kryqëzua në Leshnicë" janë një dëshmi
e fuqisë së tij për të ndërthurur tradicionalizmin me rrymat moderniste. Përmes
përdorimit të elementeve të njohura dhe të rrënjosura në kulturën shqiptare, ai
arrin të krijojë një poezi që është e mbushur me simbolizëm, surrealizëm dhe
ekspresio-nizëm.
Në përfundim të analizës së
poezisë "Krishti u kryqëzua në Leshnicë," duhet të vihet në pah
aftësia e jashtëzakonshme e Kacalidhës për të krijuar një univers poetik të
thellë dhe të ndërlikuar, duke përdorur dy burime të mëdha të njerëzimit:
Eposin homerik dhe Biblen. Ai ndërthur mjeshtërisht në mënyrën më origjinale historinë
dhe mitin me përvojën personale dhe kolektive, duke krijuar një poezi që është
njëkohësisht intime dhe universale. Përdorimi i elementeve biblike si kryqëzimi
i Krishtit dhe figurat e shenjta, të ndërthurura me simbolikën e mjedisit
shqiptar, i jep poezisë një dimension të shenjtë dhe të thellë shpirtëror.
Kjo poezi tregon qartë se Niko
Kacalidha është një poet i veçantë dhe i fuqishëm, i cili arrin të përdorë
trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të njerëzimit për të reflektuar mbi
jetën dhe vdekjen, mbi sakrificën dhe shpresën, në një mënyrë që rezonon
thellësisht me lexuesin. Aftësia e tij për të ndërthurur traditën dhe
modernitetin, mitin dhe realitetin, e vendos atë në një vend të veçantë në
letërsinë bashkëkohore shqiptare.
Sarandë, më gusht 2024
Krishti u kryqëzua në Leshnicë
Sipas Ungjillit të gjyshes sime
viti 1990 pas Krishtit
Krishti u kryqëzua në Leshnicë
dhe gjithë e përpjeta gjer në buzë të muzgjeve
të nxirrte në Golgotën time,
me lulekambana të rëna nga shëtitja e epitafit.
Kryqin ia dhanë stërgjyshit tim dhe e mbante
mbi shpinë me një peshë të tmerrshme të fatit
dhe u zbardh brenda një nate.
Gjyshja ime ishte vetë Shën Mëria e borzilokut
dhe e dhembjes së përgjakur,
që vuri kujën në shpellat e mia të shpirtit
dhe u bë ikonë e shtëpive tona,
dhe ajo erë e marrë që fryu mbrëmë ishte erini
e saj e kujës.
Krishti u kryqëzua në Leshnicë
dhe gozhdët i kërkuan hua nga yjet e Kashtës
së Kumtrit që na rri mbi krye
dhe pikoi gjaku mbi shegët e
egra.
Dhe qirinjtë i kërkuan hua për ringjalljen, nga
yjet e Asterisit.
Dhe ciklaminet për kurorë nga agullimi ynë.
Krishti u kryqëzua në Leshnicë.
Dhe në Leshnicë do të ringjallet së vdekuri,
sipas Ungjillit të gjyshes.
f.186,
No comments:
Post a Comment