Kopertina e librit "Vesa mbi këngë"
VESA MBI KËNGË
Një moment meditimi,nga kujtesa ime,si nga
një kaçube fluturoi një melodi
si një zog
i trembur.Ndërsa po vrisja
mëndjen për tekstin e
këngës,befas mu kujtua se këtë këngë e kam
kënduar në fëmijëri.Në shtëpinë tonë ku shumë gjëra mungonin,vetëm kënga s’ka munguar ndonjëherë.Nëna na
mblidhte të gjithë ne fëmijëve dhe
të zënë dorë për dore në formë rethi,duke vallzuar këndonim
këngë të ndryshme.Në formë rethi jo se vinim rotull tavolinës. E ku
kishim tavolinë ne në shtëpinë tonë ku dhe
sofra qe luksi më i madh,se sa për karike as që bëhej fjalë.Bile unë,vetëm kur shkova në shkollë e mësova ç’do të thotë fjala ‘’karike’’ e cila sipas
fjalorit tim përkufizohej ,‘’karikja është ajo gjëja prej dërrase
ku ulet zusha kur shikon
regjistrin për të më çuar mua
në dërasë të zezë ,pikërisht në ditët që nuk kam
mësuar’’.Eh sa
shumë që i urreja
kariket.Me siguri
ato ma kishin fajin sidomos ditët e hëna,pas lojës së të dielës dhe
ditët e
shtuna para së
dielës së pushimit.
Por nejse,ne e kishim fjalën
te forma rethore e valles së kënduar që kërcenim e këndonim në shtëpinë tonë.Dhoma e vogël dhe numëri i
madh i fëmijëve,të cilët veç të tjerave,
të gjithë donin të dilnin në krye të valles, sa më pranë nënës,e pra kjo
dhomë dhe ky numër i madh fëmijësh plot
teka s’mund të jipte zgjidhje tjetër veç rethit ku secili kujtonte se ishte i
pari në valle e në këngë.Buka e pakët në
sofër sikur shtohej para e pas këngëve e valleve.Unë nuk e di në se këtë metodë të shtimit të bukës e ka shpikur e para nëna
ime,por di se na shijonte së tepërmi përsheshi
me dhallë i cili nuk e ndryshonte ngjyrën
as nga uji i tepërt që i hidhnim.A e kini dëgjuar këngën : O moj dhallë,dhall’ e bardh’/Un’
hedh uj’ , ti prap e bardhë.Kjo
qe lutja jonë e drekës,vetëm se i mungonte ai ‘’amin-i’’ në fund.
Por
e kishim fjalën të këngët.Atëherë e kam kënduar këngën ‘’Në mes të Labovës
–o,labovite’’ndonëse edhe tani s’kam shkuar ndonjëherë në Labovë.Por ama e dija
se te cila fjalë hidhej këmba para e te cila fjalë hidhej këmba prapa,ku çohej zëri e kur tundej
shamia.Atëherë i kam kënduar edhe këngët
‘’Moj leshverdha trëndelinë’’,’’Moj unaza gurjeshile’’,’’Bëje dru në përcëllimë’’,’’Hodha
një lule në verë’’,’’Kur dalin plakat në lëmë’’ etj etj
Nuk
e di,por mendoj se po të vazhdoja shumë vite kështu unë mund të isha bërë ndonjë
këngëtar apo valltar i njohur.Por fati e deshi ndryshe jetën tonë.Një ditë
dhjetori,kur qemë ende fëmijë,në shtëpinë tonë nuk u dëgjua më zëri i nënës por
gjëmuan vajet për të.Që atëherë s’bëhet më fjalë për këngë e valle në shtëpinë
tonë.Dhe kur kemi bërë dasma,ende
ndjehej mungesa e madhe dhe e pa
zvëndësueshme e zërit të saj. Por ama
ato këngë dhe valle që kam kënduar e vallzuar në fëmijëri,ende si kam haruar dhe s’besoj se
do ti haroj ndonjëherë.Çdo këngë e valle
që lidhet me nënën, për mua është tejet
e shtrënjtë.Prandaj më tronditi tani kënga
që më fluturoi si një zog i trëmbur nga kujtesa ‘’ Më zu vesa në lëndinë’’.Po pra,ky është teksti i kësaj melodie.
Bile më kujtohet si tani që një herë kur këndonim këtë këngë, pas nënës,vinte vëllai
më i vogël,pastaj motra më e madhe se vëllai por më e vogël se unë dhe pastaj
vija unë e më tej të tjerët.Gjithnjë në formë rethi.
Tani më kujtohet teksti i plotë i saj;
Më zu’ vesa në lëndinë
Më lagu fustanin-o
Tek po mblidhja trëndelinë
T’ja çoja bandillit-o
Korba qyqja ç’u vonova
Ç’do ti them un’ nënës-o
Ishalla ta gjej në gjumë
Ta genjej te nesmen-o
Bandilli më tha një fjalë
Shpejt do kemi dasëm-o
T’a gënjej të nesmen-o
Ja të prëmte ja të shtunë
Të dielën’ me domosdo.
E
mbaj mënd si tani që e hidhja hapin pak
‘’kapardisur’’ dhe kokën e mbaja lart si një kapedan,ndonëse pantallonat i
kisha me tre a katër arna dhe në gjunjë
dhe nga mbrapa.Ama kjo këngë më bënte të më fluturonte fantazia tej e përtejë
dhe sa herë që shihja lule,vrisja mëndjen se cila vajzë do shkonte ti këpuste,t’i
bënte tufë të bukur e të mi sillte mua,domethënë ‘’bandillit’’.Tani dilte
problemi se vajzat e qytetit ku banonim, nuk para e njihnin mirë trëndelinën dhe mund të më sillnin ndonjë
trëndafil a karafil,por ‘’tolerant’’ siç isha do t’ua bëja kabull edhe ndonjë
zambak a lule bore.Mor po edhe lule mëllage
të qe prapë s’kisha pretendime unë.Vetëm të mi sillnin.
Që atëherë i shikoja
ndryshe lulet.Ja këtë trëndafil do e këputë Sofika e do ma sjellë në agim në
cep të murit rethues të shkollës,këtë tulipan do e këputë Bajamia e cila do ma
sjellë te cepi i rrugës, se është pak e turpëshme ajo,etj etj. Çdo lule e
kishte një vajzë që do e këpuste për mua.Problemi qe kur do ma sillte. Mund të
ndodhte që të qenë një tufë vajzash ato që do vraponin të më sillnin lulet.Lulet
do ti pranoja domosdo,por dilte problem se si do ja bëja për dasmën të shtunën
a të dielën . Se qenë shumë ore.Pastaj edhe
radhë s’u mbaja dot.Problem më vete kjo punë që unë se zgjidhja dot hë për
hë.Pastaj si do ja bëja unë,dhëndër me pantallona të shkurtëra as qe parë e as
qe dëgjuar ndonjëherë nga anët tona.Tjetër gjë se qenë edhe të arnuara para e
prapa.Po nejse,tjetër pune kjo.Problemi qe se si tja bëja tufës së vajzave që
do vraponte drejt meje me lule në duar.Të pyesja babain,aha,s’ma mbante,të
pyesja gjyshen,ajo qe gjithnjë e zënë me konizmat dhe ikonat.Nejse,të vinin
lulet një herë pa do mendonim më pas për
të tjerat.
Dhe çuditërisht, një
ditë,kur pothuaj i kisha humbur fare shpresat, pashë që po vinte drejt meje në rrugën e asfaltuar një
vajzë e klasave më të larta me një trëndafil në dorë.Ecte dhe qeshte me vete.Lumturia
i rezëllinte në çdo qelizë të trupit.Për hir të së vërtetës duhet të pranoj se
kjo vajzë s’bënte pjesë në ‘’listën ‘’ time të famëshme të luleprurëseve,por
nejse.Hajt të mos ja prishim.Gjynah e shkreta. Dhe me këtë mendim në kokë dhe me pamjen e një njeriu që e bën
‘’kabull’’ diçka të paplanifikuar dhe jo fortë të pëlqyeshme, dhe pse jo e jo,
dhe pakëz të besdisëshme i dola përpara dhe me një vetëbesim i thashë pak a
shumë;-Hë,erdhe ë,Nejse dhe trëndafili që
më prure i mirë është.
Ajo hapi sytë(vërtet i
kishte të bukur , por pakëz të mëdhenj për shijen time të atëherëshme),më pa
nga koka në këmbë,(e çdo mbulonin pantallonat e shkurtëra te gjunjët e vrarë në
lojën e futbollit te fusha e qymyrit) dhe siç duket e mori vesh nënkuptimin tim
dhe duke qeshur me të madhe më tha;-Shko more dhe vish pantallona të gjata njëherë,pastaj lëpij
ndonjë akullore andej nga klasa e pestë dhe boll e ke.Do dhe Muçua kafe!
Këtë punën e Muços që kërkonte kafe dhe atë
të akulloreve që duhej të lëpija në klasën time, vetëm kur shkova në gjimnaz i
mora vesh.
Po
kjo ngjarje më bëri ti ureja lulet.
Dhe kaqë shumë m’u
fiksua kjo puna e luleve ,sa që sa herë kaloja para lulishteve të qytetit tim,më
dukej se lulet më përqeshnin.Disa herë me inat edhe i kam shkelur me këmbë.Por
sa para bën.Ato,vajzat pra, me fustanin e lagur nga vesa e mëngjesit s’erdhen që
s’erdhen te unë,gjersa një ditë,mote më von, këputa vetë një lule të bukur dhe
ja dhurova dikujt.
Po pa dale pak të kuptohemi njëherë.Kjo këngë
nuk është’’ këngë e fitoreve të socializmit dhe të Partisë’’.Kjo është një këngë
shekullore.Një vajzë mbledh një tufë lule në një lëndinë dhe këto lule do ja çojë
bandillit që ajo do.Nuk është djali ai që mbledh lule dhe ja çon vajzës ( si te
filmi me Zorron që aqë shumë e pëlqeja).Këtu çdo gjë është krejt ndryshe.Është
vajza ajo që mbledh lule trëndelinë dhe
që deklaron publikisht se do ja çojë djalit dhe do bëhet gati për martesë ‘’ja
të prëmte ja të shtunë,të dielën me domosdo’’.
Kjo vajzë nuk është e epokës ‘’së njeriut të ri’’.Po kjo nuk zbret nga
auditorët e universiteteve europiane ku ka mësuar art e shkencë e civilizim.Kjo
është thjeshtë një vajzë fshati,ndoshta një bareshë e vogël,që teksa i laget
fustani i gjatë gjer në thëmra nga vesa e mëngjesit ,ajo mbledh lulet e i bën
tufë për bandillin e saj.Ajo ska ndrojtje ta deklamojë faktin që i mbledh lulet
t’ja çojë bandillit bile këtë fakt ajo e këndon edhe në mes të fshatit kur këndon e kërcen me
shoqet ditën e Pashkës së Madhe a ndonjë ditë tjetër feste.Dhe kjo këngë është
vërtet shumë e bukur.Kur më ndezi fantazinë mua fëmijë me pantallona të shkurtëra,mendo
se si i ka përvëluar djemtë e ritur që e
kanë dëgjuar këngën.
Unë nuk mund t’i vë datë
lindjeje kësaj kënge,por që është shumë e herëshmë për këtë s’kam asnjë
dyshim.Teknika e të kënduarit në valle vajzash dëshmon për vjetërsinë e
saj.Ndoshta është krijuar shumë më
shpejt se Tatjana e ndrojtur t’i
shkruante Eugjen Onjeginit:
Po mar guximin që t’ju shkruaj
Ç’do deshët më veç shpirtit tim
E di që ësht’ e drejta juaj
Që të
më zbrapsni me përçmim
Por ju që shihni si po vuaj
Me pak mëshirë ,sado pak
Nuk do më zbrapsni zemërak etj etj
Mjafton të lexosh këtë
roman në vargje që të njohësh madhështinë e Pushkinit.Por për Tatianën unë
qysh në leximin e parë e kam frenuar
entusiazmin.
Se si
na duket kjo Tatjanë e famëshme e kënduar,e vallzuar e filmuar nëpër skenat e
famëshme Europiane para vajzës së vogël
shqiptare, që me krenari i shpall botës dashurinë e saj dhe nuk tutet të
mbledhe lule për bandillin e tja çoje atij aty ku është, në stan a në arrë. Sa e trëmbur që është kjo
Tatjanë,sa e ndrojtur që është.Thua se kemi të bëjmë me një skllave të përulur
që se di ku është liria e saj,që e lyp
si lëmoshë dashurinë.
Po kjo ditka dhe
shkrim e këndim more.Po të kishte lexuar gjëkundi këtë këngë të vajzave
shqiptare më ndryshe do kishte vepruar, me siguri.Do kishte vajtur ta mbërthente
atë Onjeginin nga leshrat e kokës a të
mustaqeve dhe do i thoshte pak a shumë;-Ti i bëke naze zemrës sime, more pizeveng.Po pse ç’e di veten ti.Mos ke zënë
qiellin me dorë.Ke pesë para e ç’ë pastaj.Po Tatjanë ke ti .Jo.E pra ja ku jam
unë Tatjana.O eja o të erdha.Dhe mos u fsheh e mos më mundo shumë se i ziu ti
pastaj.Kështu do sillej Tatjana me domosdo,po të kishte ardhur e të rinte për
verim nja një muaj psh në fshatin tim ,
në Pilur të Himarës.Pa, a do ikte , a do e lënin të ikte djemtë e Pilurit,s’jam
dhe shumë i sigurtë.Po që do bëhej kapedane vajzë,për këtë ju siguroj unë.Po
nejse,të vazhdojmë ku e lamë muhabetin.
Por ndërsa Tatjana qante heshturazi në qoshe
të shtëpisë duke shkruar e rishkruar
letra dashurie( artistikisht të famëshme) vajzat e Pilurit (dhe të
gjithë Shqipërisë) i shpallnin botës në korr dashurinë e tyre
Bëj të flë gjumi s’më zë
Cula bie ëmbëlë
………………………
Në mëngjes pa gdhirë mirë
Do takonem me barinë
Sa për letra dashurie s’ja thonë shumë vajzat e fshatit tim.E ç’u
duhen ato kur ja thonë me këngë;
Peshk me hala un do bëhem
Lumin do kaloj
Dhe me ty do vij
Dhe me ty do shkoj.
Se letrat të prishin punë
nganjëherë.Ja, ti gjeti babai apo nëna,hajde jepu sqarime pastaj.Ndërsa për
këngë, mirë se ta dëgjojnë.Bile edhe të përgëzojnë nganjëherë kur këndon bukur.Tjetër
muhabet se vajza këndon për tjetrin.Sa ta marin vesh prindërit,është bërë paja
gati.
Duke dëgjuar këtë
këngën të vajzës së vogël fustanlagur në lëndinë vetvetiu mendon:Sa
shumë civilizim ka patur në jetën shqiptare në epokën para turke,sepse kjo këngë me siguri e kësaj
epoke është.E pra kaqë shumë civilizim dhe emacipim as tani nuk e kemi aritur. Për
këtë jam dëshmitar vetë; mua nuk më sollën akoma lule xhanëm,ndonëse prita e
prita te bordurat e lulishtes.
Do thuash ti;hë mo se
mos ja çoi vërtet lulet vajza bandillit.Kjo thjeshtë duhet marë si një ëndër
vajzash.
E pranojmë edhe këtë
variant.Pra vajzat ëndërojnë t’u çojnë lule djemve.Pak a shumë siç ëndërojnë
edhe djemtë t’u çojnë lule vajzavë.Por këto ëndëra s’janë shumë larg
realitetit.Dikë ka parë kjo vajzë dhe ëndëron që tani ta bëjë edhe vetë këtë
hap të guximshëm.Por le ta marrim edhe
si një ëndër të guximëshme.
.Ëndra të guximëshme
shikojnë vetëm njerzit e guximshëm.Hajdutët shohin ëndra me të ikur me
vrap,trimat ëndërojnë trimëri.Vajzat ëndërojnë barazi në dashuri (në një kohë që
Tatjana lutej e përgjërohej për pakëz vëmëndje nga Onjegini).Dhe këtë barazi e
ka vetëm një botë e civilizuar dhe e
emacipuar shpirtërisht në radhë të pare.
Por në realitet,vërtet vajzat u çojnë lule djemve( dhe kur ata janë ushtarë
ua palosin edhe nëpër letra dashurie).
Rastet i kemi të shumta e s’na del koha ti rendisim si
dëshmi.
Por ju, shënojeni edhe këtë këngë të kënduar nëpër shekuj si një dëshmi e këtij konstatimi.
I ziu Shaqo Bolenë . . .
Gjithmon kam qënë i
bindur se këngët e suksesëshme janë produkt i dhimbjeve të mëdha shpirtërore. Këngët entusiazte, këngët e frymëzuara
apo të porositura për të lartësuar
figura apo epoka, parti apo shoqata, fitore apo realizime planesh pesëvjeçare, gjithmon kanë qënë jetëshkurtëra dhe
gjithmon të ngatëroheshin në mendje në
daç teksti a në daç melodia
Një tronditje, një rëmujë dhe ato iknin nga
kujtesa, në një kohë që këngë të ‘’urdhëruara për tu ndaluar’’, apo të
komanduara për të ‘’vdekur’’ jetojnë edhe sot e kësaj dite dhe s’ka burrë të
t’i shkulë nga kujtesa popullore.
Se kush më tha njëherë një
histori të Shaqo Bolenës dhe po jua them edhe juve që të kuptoni se si kërrehen
këngët e mira e të mbara.
Ky Shaqua, nga Bolena
duhej të kishte qënë, përderisa mori për mbiemër emrin e fshatit. Këtë mbiemër
mbase e kanë marë shumë veta, por hakçe hakçe vetën këtij i shkon për shtat. Po nejse,të mos i
biem monopatit, po të ecim xhadesë shtruar e shtruar.
Shaqua i la në vathë
ato pak cangadhe që kish
doli malit kundra një mbretërie të tërë, asaj të ‘’taljanit’’ dhe më pas kundër
‘’jermanit’’ dhe u vuri drunë. Do thuash ti që dhe ai mori tri plumba në trup. Dakort xhanëm, por po të llogaritësh
se sa shokë ju vranë, hesapi s’del dhe aqë keq për Shaqon. Mendo vetë, vetëm
nga Bolena mbenë në luftë mbi pesëdhjetë djem e vajza
Por ja që një hesap s’e kishte bërë mirë
Shaqua kur vendosi të zbriste në ‘’qitet’’.Se që të themi të drejtën
‘’qitetin’’ s’e ruanin dot ‘’qitetarët’’.Ja,
bën hesap vetë, erdhi ‘’taljani’’ i parë,’’qitetarët’’ se mbrojtën dot. Më t’u
lëshua çobanëria me Selam Musanë e Salarisë me guna mbi tela dhe e çliroi.Ua lane prapë ‘’qitetarëve’’
‘’qitetin’’, po ata se mbajtën që se
mbajtën dot kur erdhi prapë ‘’taljani’’ i ‘’ditë’’.U ngre prapë fshatarësia me
dyfek në dorë mal më ma e breg më breg dhe e mundi ‘’taljanin e ditë’’.Tek u
nisëm të iknin në fshat, ja behu ‘’jermani’. Bam e bum Shaqo ziu e ‘’shaqëria’’.U prenë e u grinë se
qe dhe i sertë ‘’ki dreq jermani’’, po prapë, bënë si bënë dhe e
shpëtuan ‘’qitetin’’.Tek do iknin prapë tek cangadhet i ranë mëndjes; -Po sikur të vijë prapë ‘’taljani ‘ tretë apo jermani i
ditë’’ , prapë do zbresim na. Allë na pret koha mahere. Po
na ja tek jemi këtu,.le të rimë. Po ‘’ertinë’’
prapë ’’jermanët e taljanët’’ këtu na kanë.
Kështu vendosi
Shaqua të qëndrojë në ‘’qitet’’.
Por siç thamë, hesapin s’e kish bërë mirë. Se ‘’qiteti’’ ka halle ore. S’ka aty t’u bërtasësh
dhënve a dhive të varen ‘’përposh’.’’Qiteti’’ do laps e penë e jo llafe grash në
përua kur shpëlajnë lëveret e fëmijëve. Po Shaqo ziu vetëm kërrabën e dyfekun dinte në këtë botë. Ku të
mësontë mavria laps e penë.
Ndajë vate dhe i
qau hallin ‘’kumandarit’’ të tij ‘’kështu
e kështu e si do ma bëç , se u’ vetëm për
difek jam e dua të ri në qitet, se mos vijnë dhe na e marinë prapë e s’pret
puna mahere sa të zbres na fshati u’ e të tjerët, se këta qitetarët vetëm për sullaco e varavingo pazarit janë, që
na Sheshi i Flamurit e njëra më Skelë, më tutje s’dinë fare’’.
‘’Kumanari’’ qesh e
bot e qafë më qafë me Shaqon dhe i tha ;-Ti Shaqo mer difekun e do rishë roje
te Komiteti dhe shiko mirë ore se mos na hin bërna ndonjë armik e na bën gjëmën
. Partia ka besim te ti Shaqo ndajë të na nderoç.
