Sunday, 16 February 2025

 

PROFECIA POETIKE E IBRAHIM KADRIUT

 

Nga Timo Mërkuri

Ibrahim Kadriu nuk e ka pasur detin pjesë të përditshmërisë së tij, siç e kanë poetët bregdetar. Ai u rrit në një mjedis larg detit, në Zhegër të Gjilanit, në Kosovën kontine-ntale, ku peizazhi i zakonshëm përbëhej nga malet, fushat dhe lumenjtë. Mungesa e kontaktit të drejtpërdrejtë bëri që ai ta perceptonte detin jo përmes përvojës së drejtpërdrejtë, por përmes imazheve të krijuara nga arti dhe përfytyrimi, si psh njohja e tij e parë me detin erdhi nga një ekran kinemaje në Gjilan më 1959, në një film me piratë,(i cili e paraqiti detin të egërsuar, të trazuar dhe të fuqishëm, një hapësirë plot mistere dhe rreziqe) dhe është e natyrëshme që në subkoshiencën e tij deti të formësohej si diçka e frikëshme, si një vend prej nga vinin balozët e zinj të legjendave. Ky perceptim u zbut pak gjatë vizitës së tij në Ulqin në vitet e shkollës së mesme, por vetëm në vitin 1979, në Durrës, ai e pa dhe e përjetoi drejtpërdrejt përballjen me madhështinë, forcën dhe trazimin e tij. Kjo përvojë e vonshme percipiton mbi poezinë "Përballë detit të trazuar" një reflektim jo mbi detin si realitet fizik, por si një simbol të fuqishëm të forcave të brendshme dhe shoqërore.

I-Mosnjohja e detit në përvojën e përditëshme, kryesisht të fëminisë, e bën poetin që të mos ta përshkruajë atë në mënyrë realiste apo romantike, ndaj në poezi nuk flet për bukurinë, butësinë, magjinë apo misterin e tij të brendhsëm, por e sheh detin përmes një prizmi metaforik, duke e bërë atë simbol të një force të madhe, të fuqisë së popullit, të protestave dhe lëvizjeve masive. Poezia u shkrua në vitin 1979 në qytetin e Durrësit kur autori ishte i ftuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë bashkë me një grup krijuesisht nga Kosova dhe sigurisht që në krijim zurri vend dhe pamja reale e një deti të trazuar të cilin Kadriu e shndroi në një simbol poetik.

1.Realisht në vargjet e poezisë Kadriu, ndonëse e nis me një peizazh idilik të tipit:

“Deti shtrëngon misteret në valët e tij

Me rërë të artë, që bregut andej haset-

Me gjuhën e dallgëve krijohet melodi”

ai fokusohet te një gjendje dinamike dhe sfiduese, pse pas vargut: “Deti merr të artën, me atë forcë magjie”vjen vargu tronditës:”Mynxyrat e jetës, gjithandej fluturojnë”. Këtu ndjejmë se ndërsa poeti ishte përballë detit në Durrës, shkruante për “detin” shpirtërorë në Kosovë dhe kupton se valët e trazimit shprehin një lëvizje të pandalshme.

2. Në këtë poezi, deti nuk është hapësirë natyrore, por simbol i një force kolektive që nuk ndalet. E parë në këtë aspektai mund të lexohet si metaforë e popullit të Kosovës, i cili gjatë historisë së tij ka qenë në lëvizje të vazhdueshme për liri dhe drejtësi.Vetëm e parë më këtë sy mund të ndjejmë se: Rrymat e lehta të brendshme simbolizojnë pakënaqësitë e fshehta dhe përgatitjet e heshtura të njerëzve, valët dhe dallgët përfaqësojnë protestat masive dhe lëvizjet popullore, të cilat nisin si paqësore, por me kohën bëhen më të fuqishme dhe dallgët goditëse janë simbole të revoltave të hapura të armatosura dhe përplasjes së drejtpërdrejtë me pushtetin.

Është pikërisht kjo strukturë ajo që i jep poezisë një dimension ekspresionist, pasi Kadriu nuk përshkruan thjesht realitetin, por e zgjeron atë në një tablo dramatike, ku deti shfaqet si një forcë me vullnet, ndwrgjegje dhe veprim.

3. Ibrahim Kadriu e ka parë detin artistikisht ndaj përdor shumë figura stilistike për të shprehur fuqinë simbolike të tij: a.Ai e personifikon detit, nuk e shfaq atë si një element natyror, por e shfaq si një qenie të gjallë që "shtrëngon misteret", "përplas valët" dhe "ulërin si një bishë e çmendur." Ky përshkrim shfaq atë si forcë aktive, që reagon, sulmon dhe flet. b. Poeti nuk mjaftohet vetëm me simbolin e detit, ai përdor metafora për të ndërtuar një imazh të trazuar të tij, duke e bërë atë një pasqyrë të revoltave dhe trazirave shoqërore.

"Era ulërin, si ndonjë bishë e çmendur,

Dhe re të zeza qiellit shkojnë vërdallë."

Lëhtësisht ndjejmë se këto vargje shfaqin jo thjeshtë një stuhi detare, por një klimë të tensionuar shpirtërore dhe politike, ku erërat dhe retë e zeza përfaqësojnë forcat që trazojnë shoqërinë. Duke rikujtuar se poezia është shkruar në vitin 1979 në Durrës, ndërsa në Prishtinë në më 11 mars dhe 1 e 2 Prill 1981 u zhvilluan demostratat e studentëve që tronditën themelet e pushtetit politik në Jugosllavi. Është pikërisht ky kontekst historik i poezisë që na përforcon simbolikën poetike të saj, popullin e Kosovës në lëvizje, forcën e tij të brendëshme të pandalshme, që nga rrymat, valët e gjer te dallgët e fuqishme të revoltës. Ka dhe diçka tjetër që vlen të shikohet në këtë rast, Ibrahim Kadriu qysh në vitin 1968 filloi punë te gazeta Rilindja, rolin e të cilës si farkë në kalitjen e ndjenjës kombëtare dhe shpirtin e revoltës së popullit të Kosovës në tërësi dhe të rinisë në veçanti e njohim të gjithë. Ibrahim Kadriu nuk e botoi këtë poezi, por e lexoi me grupe shokësh e individë të ndryshëm, madje me vetë kritikun dhe liderin Historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën e diskutoi veçanërisht. Këto, si dhe përmbajtja e saj na bindin se kjo poezi është një hymn madhështor i revoltës dhe qëndresës popullore, një thirrje shpirtërore ku deti bëhet zëri i popullit në lëvizje.

4. Kadriu nuk e ka botuar gjer kohët e fundit këtë poezi, por ndërkohë ai e ka rishikuar gjatë viteve, duke ndërhyrë në vargje dhe në mbështetjen metaforike, kryesisht sipas sugjerimeve të Ibrahim Rugovës. Kjo tregon një proces krijues të hapur, ku poeti nuk e sheh poezinë si vepër të përfunduar, por si një reflektim që evoluon bashkë me kohën. Është dhe ky një aspekt që e lidh poezinë me modernizmin, pasi ajo nuk ka një formë të mbyllur dhe të fiksuar, por përshtatet me rrjedhën e historisë dhe përjetimeve të autorit. Gjithashtu fakti që Rugova e lexoi dhe miratoi, tregon jo vetëm vlerën letrare të poezisë, por edhe faktin se ajo kishte një rezonancë të thellë me ndjeshmërinë dhe shpirtin e kohës. Koha tregoi se Ibrahim Rugova kishte një shikim tejë kohës kur jetoi, ai shihte të ardhmen.

II-Në analizën e kësaj poezie duhet të shohim dhe ndjejmë së pari:

1. Detin si simbol dhe shprehje metaforike, pse për Kadriun ai (deti) nuk është thjesht një hapësirë gjeografike, por një simbol që ai e shfaq metaforikisht. Në poezinë e tij ", Kadriu nuk e përshkruan atë me detaje realiste, por e shfaq si një forcë të mistershme dhe të pakontrollueshme, e cila përfaqëson diçka më të madhe se vvetja. Në vargjet e tij, deti bëhet një element që pasqyron trazimin e brendshëm, ankthin dhe sfidën:

"Në horizontin blu, ku qielli përplaset,

Deti shtrëngon misteret në valët e tij."

Këtu, përplasja e qiellit dhe detit nuk është vetëm një përshkrim vizual, por një metaforë e përplasjes së forcave të mëdha, ndoshta e përplasjes së fateve historike, të kohës dhe të njeriut me fatin e tij.

2.Poezia nuk është një reflektim mbi madhështinë e detit, por përsiatje mbi përkohshmë -rinë e njeriut në raport me të, duke shfaqur marrëdhëniet mes njeriut dhe forcave të natyrës. Shih se si Kadriu krijon kontrastin mes përjetësisë së detit dhe përkohshmërisë së qenies njerëzore:

"Ti je shpirt i botës së gjallë, siç thonë,

Me çdo valë që thyen, sjell një tregim."

ku vargjet sugjerojnë se deti nuk është vetëm peizazh, por edhe rrëfimtar i historisë, një arkiv i fateve njerëzore që përsëritet në çdo valë, duke e vendosur veten dhe njeriun në një pozitë të vogël përballë një force të përhershme, të pashtershme.

3. Siç thamë më sipër poezia është shkruar në vitin 1979, një periudhë që parapriu ngjarjet e mëdha historike në Kosovë, pse vetëm dy vjet më vonë, në 1981, shpërthyen demonstratat studentore dhe protestat e popullit shqiptar për barazi dhe të drejta kombëtare. Kadriu, si pjesë aktive e kësaj shoqërie dhe si një vëzhgues i ndjeshëm, ka përjetuar tensionin që po rritej çdo ditë që nga krijimi i poezisë gjer në shpërthimin e demostratave, e më pas në rezistencën e armatosur. Në këtë kontekst, "Përballë detit të trazuar" nuk mund të lexohet si një poezi mbi natyrën, por si një parashenjë e trazirave të mëdha që do të vinin. Shikoni vargjet e fundit të poezisë, përshkrimi i stuhisë mbi det merr një ton të fuqishëm dhe dramatik, të ngjashëm me Zgalemin gorkian:

"Era ulërin, si ndonjë bishë e çmendur,

Dhe re të zeza qiellit shkojnë vërdallë."

Dua të them se ky imazh nuk tingwllon si një përshkrim natyror, ai është një metaforë për erërat e ndryshimit që po frynin mbi Kosovën. Furtuna që Kadriu shfaq në vargje lehtas mund të shihet si një ndjesi e brendshme e poetit, një parandjenjë e tensioneve që do të shpërthenin së shpejti në realitetin politik. Kjo qasje e bën poezinë një reflektim jo vetëm mbi natyrën, por edhe mbi historinë dhe psikologjinë kolektive të një kombi.

III- Poezinë “Përballë detit të trazuar” të Ibrahim Kadriut duhet ta shohim si ndërthurje e ekspresionizmit me simbolizmin modernist, që e shndrrom peizazhin natyror në një pasqyrë të tensioneve të brendshme dhe historike. Përmes imazheve të fuqishme dhe një gjuhe dramatike, ekspresionizmi shpërfaq gjendjen e trazuar shpirtërore, ndërsa simbolizmi modernist e ngre këtë përjetim individual në një dimension më të gjerë, ku deti bëhet metaforë e fateve historike dhe ekzistenciale. Kjo qasje e bën poezinë jo vetëm një shpërthim emocional, por edhe një reflektim të thellë mbi realitetin e kohës..

1.Në këtë poezi ekspresionizmi shfaqet si një shpërthim i gjendjes shpirtërore të poetit, pse poezia e thamë që nuk është përshkrim objektiv i detit. Këtu Ibrahim Kadriu e shfaq detin si një forcë të zemëruar, pasqyrim ky i një realiteti të tensionuar dhe emocional. Përmes ekspresionizmit, ai e shtyn përjetimin deri në një intensitet të skajshëm:

"Era ulërin, si ndonjë bishë e çmendur,

Dhe re të zeza qiellit shkojnë vërdallë."

ku, era nuk është një dukuri natyrore, por një “bishë e tërbuar”, një forcë agresive dhe kërcënuese. Pikërisht ky personifikim e mbush peizazhin me tension, duke shtrembëru-ar realitetin përmes një ndjenje ankthi e shqetësimi të thellë.

Ekspresionizmi shfaqet dhe në vargje të tjera, ku deti nuk është hapësirë qetësie, por një fuqi e rënduar nga mistere të errëta:"Deti shtrëngon misteret në valët e tij."ku ky varg krijon një ndjesi fshehtësie dhe trysnie. Nuk kemi më një det të hapur dhe të lirë, por një forcë të pashpjegueshme, të rënduar nga peshat e historisë dhe të fatit njerëzor.

2.Simbolizmi modernist dhe deti si metaforë e historisë shfaqet dukshëm në këtë poezi. Duke përfaqësuar trazirat e popullit, valët e dallgët e tij bëhen metafora të revoltes dhe përplasjes me fatin.

"Në horizontin blu, ku qielli përplaset,

Deti shtrëngon misteret në valët e tij."

Sigurisht qielli dhe deti bëhen forca kundërshtuese, një simbol i përplasjes së fateve historike. Nëse qielli mund të përfaqësojë një hapësirë të lirë dhe shpresën, përplasja e tij me detin e trazuar krijon ndjenjën e një beteje të vazhdueshme. Është ky aspekti ku Kadriu ndjek parimet e simbolizmit modernist: ai nuk shfaq detin për bukurinë e tij, por e përdor si hapësirë ku përthyhen tensionet ekzistenciale dhe historike.

IV- Në poezinë "Përballë detit të trazuar", Kadriu flet nëpërmjet figurave artistike. Këtu deti është një metaforë e fuqishme e popullit të Kosovës në lëvizje i cili shpreh tensionin e akumuluar në vetëdijen kolektive të një kombi që kërkon ndryshim. Nga rrymat e brendshme të padukshme, tek valët e forta dhe në fund tek dallgët goditëse, Kadriu e ndërton imazhin e një force popullore në rritje, një revoltë, e cila nis e qetë, por përshkallëzohet në një shpërthim të fuqishëm. E parë në këtë aspekt mund të zbërthejme elementet e këtij shkallëzimi.

1.Fiillimisht, deti paraqitet me një lëvizje të brendshme të heshtur, që nuk shihet, por ndjehet. Kjo mund të lexohet si një simbol i pakënaqësisë popullore, e cila ende nuk ka marrë formën e një proteste të hapur, gjë qëë shfaqet te vargjet.

"Ti je shpirt i botës së gjallë, siç thonë,

Me çdo valë që thyen, sjell një tregim."

Ajo qw ka rwndwsi wshtw fakti se këtu, deti shfaqet si entitet i gjallë, një forcë që ka brenda vetes histori dhe mesazhe . Rrymat e tij të brendshme janë zëri i pashprehur i popullit, një ndjenjë kolektive që po përgatitet të shpërthejë në sipërfaqe. Ne mund ta lexojmë këtë edhe si periudha e vitit 1979, kur ende nuk kemi një lëvizje masive të dukëshme, por nisje të ndërgjegjësimit të popullit, dhe kryesisht të rinisë, veçse duhet të pranojmë se në atë periudhë shtypjeje serbe ishte trimëri edhe të mendoje për lirinë nëpërmjet kundërvënies dhunës serbe e jo më të shkruaje si Kadriu një poezi të tillë.

2.Ndërsa poezia ecën nëpër vargje, deti nuk qëndron i heshtur; ai fillon të lëvizë më fuqishëm. Kjo mund të lexohet si nisja e organizimit për demonstratat që priten të fillojnë kundër pushtetit dhe me lëvizjet masive të popullit që dalin në rrugë për të kërkuar të drejtat e tyre ekonomike, fillimisht. Ibrahim Kadriu e dinte që kishte nisur organizimi i protestave sepse si gazetar i Rilindjes ai ishte në dijeni, të mos themi se ishte në qendër të tyre

"Era ulërin, si ndonjë bishë e çmendur,

Dhe re të zeza qiellit shkojnë vërdallë."

Era, që përfaqëso presionin politik dhe represionin shtetëror, nis të trazojë detin: përgjimet, arestimet, por ai nuk e humb identitetin e tij, mbetet i bashkuar. Ndërkohë, valët fillojnë të forcohen, duke shfaqur rezistencën në rritje të popullit.

3. Te vargjet "Gjiri i hapur i valëve përplas/ Rërën e moçme mbi shkëmbin e vjetër." qartësohet leximi, pse interpretohet si momenti kritik ku lëvizja popullore përplaset me sistemin e shtypës, simbolizuar nga "shkëmbi i vjetër". Fakti që përplasja nuk shfaqet më si ndjenjë e brendshme, por si veprim i drejtpërdrejtë, sfidë ndaj rendit ekzistues, na dëshmon imazhin shpirtëror të ndjenjave të trazuara (edhe) të poetit.

4.Poezia arrin kulmin e saj në momentin kur deti nuk është më thjesht në lëvizje, por ai bëhet një forcë goditëse. Këto janë protestat e fuqishme, dalja masive e njerëzve në rrugë, përplasjet e hapura me pushtetin.

"Deti shtrëngon misteret në valët e tij,

Tani s’ka më kthim prapa."

Është momenti kur dallgët e zemërimit popullor nuk janë të kontrollueshme, protesta ka arritur një pikë ku nuk mund të ndalet më. Fjalët "tani s’ka më kthim prapa" tregojnë se populli ka marrë një rrugë pa kthim, se revolta ka arritur në një pikë ku tërheqja nuk është më një opsion.

Pra, në këtë poezi, Ibrahim Kadriu e përdor detin si një metaforë të popullit të Kosovës, duke ndërtuar poetikisht evolucionin e protestës nga një ndjenjë e heshtur tek një lëvizje e fuqishme dhe më pas në një shpërthim të pakthyeshëm. Përmes kombinimit të ekspresionizmit (që sjell fuqinë emocionale të revoltës) dhe simbolizmit modernist (që i jep poezisë një dimension të thellë shoqëror dhe historik), Kadriu e kthen detin në një imazh të fuqishëm të rezistencës popullore. Po ashtu, nëse lexojmë poezinë në kontekstin historik, e shkruar vetëm dy vite para protestave të vitit 1981, atëherë ajo shihet si një parandjenjë e fuqishme e një vale që po vinte. E rëndësishme është se Kadriu nuk e sheh popullin si një turmë pasive, por si një forcë e madhe, si detin që lëviz, valët që shtohen dhe dallgët që godasin me forcën e historisë.

6. Në qoftë se do kërkojmë figurat artistike që shoqërojnë këtë rritje tensioni poetik do nënvizonim së pari :

a.Simbolet:

Deti : simbolizon historinë e trazuar të Kosovës, betejat dhe përplasjet për liri.

Dallgët: përfaqësojnë lëvizjet dhe përpjekjet për ndryshim, si protestat dhe rezistenca popullore.

Era ulëritëse: shpreh kaosin dhe tensionet politike të kohës.

Re të zeza:paralajmërojnë rrezikun dhe trazirat shoqërore.

b.Metafora te vargu:"Deti shtrëngon misteret në valët e tij." deti nuk është një hapësirë ujore, por një forcë e fuqishme që fsheh të vërteta dhe histori të pashqiptuara.

Te vargu:"Historia e detit, përfundim nuk gjënë." Deti është një metaforë për historinë e Kosovës, e cila duket se nuk gjen qetësi apo përfundim.

c.Imazhi ekspresionist te vargu "Era ulërin, si ndonjë bishë e çmendur." Është një imazh i fuqishëm që që e shndërron erën në një krijesë të frikshme, duke i dhënë një ndjenjë ankthi dhe tensioni të mad, ndërsa te vargu "Dhe re të zeza qiellit shkojnë vërdallë." përshfaq një tablo dramatike që thekson atmosferën kërcënuese dhe të pasigurt në prag shpërthimi proteste.

ç.Personifikimet që shfaqen psh te vargjet:

"Ti je shpirt i botës së gjallë, siç thonë,

Me çdo valë që thyen, sjell një tregim."

Është “deti” i cili nuk është një element i natyrës, por trasformohet në një qenie të gjallë që "tregon" histori dhe përjeton ndjenja. Ndërkohë te vargu:"Nga bregu n’thellësi shtyhesh gjithmonë."deti duket sikur ka vullnet të vetin, dhe futet vazhdimisht në thellësi, ashtu si historia që përsëritet dhe vazhdon të lëvizë përpara. Sigurisht që poezia ka dhe figura të tjera por ne analizuam një tërësi figurash që janë ndërtuar kryesisht me elementin e detit, ose në ndërveprim me atë. E lexuar në këtë m,ënyrë shohim se poezia ndërton një botë ku natyra reflekton shpirtin e një kombi të trazuar, duke e bërë detin një metaforë të fuqishme të përpjekjeve historike të Kosovës.

Të kemi parasysh se poezia"Përballë detit të trazuar" përveç dimensionit artistik, mund të lexohet si poezi që flet për tensionin historik të Kosovës në periudhën para lëvizjeve të mëdha të viteve ‘80. Në këtë kuptim, poezia nuk është vetëm pasqyrim emocional i individit, por edhe një dokument artistik i një kohe të mbushur me tension, parashkruar përmes fuqisë së gjuhës poetike tw Kadriut. Stili ekspresionist i Kadriut e bën këtë poezi një manifest të shpirtit të trazuar të një kombi që ndien afërsinë e një stuhie historike. Përmes personifikimeve, metaforave dhe ndërtimit të një atmosfere të errët, Kadriu arrin të sjellë jo vetëm përshfaqjen e një skene natyrore, por një metaforë të fuqishme të përplasjes historike të një populli. Në këtë mënyrë, Kadriu na lë një poezi që jeton përtej vargjeve të saj, duke mbetur një kod simbolik i ekzistencës kolektive të një kombi.

V- Sigurisht që lexuesi do të dijë veçantitë e kësaj poezie në raport me poezinë shqipe të Kosovës në fundin e viteve ’70. Theksojmë qysh në krye se kjo poezi shfaq disa veçanti të rëndësishme në krahasim me poezinë shqipe të Kosovës të asaj periudhe. Në fund të viteve ’70, letërsia shqipe në Kosovë ishte në një moment zhvillimi, ku poetët modernistë përpiqeshin të çanin kufijtë e letërsisë së realizmit socialist, ndërsa censura dhe represioni politik ushtronin ndikim dhe presion të madh mbi krijimtarinë letrare. Megjithëatë kjo poezi ja doli të kapërcente kornizat kufizuese edhe në saj të disa veçantive që ajo mbartëte në vetvete.

1. Një veçanti thelbësore e kësaj poezie është se ajo ndjeu dhe parashikoi shpërthimin e protestave të vitit 1981, madje i shfaqi në vargjet imazhet e këtyre protestave. Kjo e dallon nga shumë poezi të kohës, të cilat ose ishin të detyruara të shmangnin temat politike, ose i trajtonin ato në mënyrë të kamufluar.

Në letërsinë shqipe të Kosovës të asaj kohe, temat patriotike dhe atdhetare trajtoheshin shpesh me gjuhë të koduar, për të shmangur represionin e pushtetit jugosllav. Kadriu, në këtë poezi, përmes simbolikës së detit të trazuar, arrin të shprehë ndjenjat e një populli që është në prag të përplasjes së madhe me shtypjen dhe padrejtësinë historike. Vargu "Rrymat e thella e mbajnë të fshehur fuqinë," mund të shihet si një referencë ndaj organizimit të heshtur të rezistencës dhe përgatitjes së popullit për lëvizjet e ardhshme.

2. Në fund të viteve ’70, poezia shqipe në Kosovë ishte në eksperimentimin e rrymave moderniste. Kadriu, me këtë poezi, realizon guximshëm jo një qasjeje, por ndërthurrje ekspresioniste dhe simboliste, ku e pasqyron realitetin (e pritshëm) përmes gjendjeve të brendshme dhe imazheve të fuqishme si: "Valët rriten, përplasen me brigjet e gurta," Kjo krijon një efekt emocional dhe metaforik, dhe e bën poezinë e tij të ndryshme nga format më të zakonshme të asaj periudhe.

3. Personifikimi i natyrës dhe fuqizimi i elementeve natyrore si simbole të popullit është një tjetër veçanti e kësaj poezie, madje e shndron atë në zëdhëndës të popullit. Në poezinë shqipe në Kosovë të atyre viteve, natyra shpesh shfaqej si element dekorativ ose si metaforë e bukurisë së atdheut. Krejt ndryshe tek Kadriu, ajo është një qenie e gjallë, një forcë që reagon dhe merr pjesë në betejën historike si te vargjet: "Era ulërin, si ndonjë bishë e çmendur," që shfaq një imazh ekspresionist, që e kthen natyrën në një forcë aktive, sikur vetë ajo të ishte një pjesë e popullit në revoltë.

4. Poezia tingëllon si thirrje e heshtur për rezistencë. Kadriu nuk e thotë drejtpërdrejt mesazhin e tij, por përmes simbolikës dhe figurave artistike, ai krijon një poezi që flet për lëvizjen popullore dhe forcën e saj pa qenë e nevojshme të përmendë emra apo data. Psh.vargu:"Dhe re të zeza qiellit shkojnë vërdallë." mund të interpretohet si një paralajmërim për errësirën e shtypjes, por edhe si sinjal për një stuhi që do të vijë, në këtë rast, për revoltat që do të shpërthenin dy vjet më vonë.

VI-Është interesantë fakti se poezia "Përballë detit të trazuar" e Ibrahim Kadriut mund të lexohet si një himn për shpirtin e popullit shqiptar në Kosovë, duke mishëruar qëndresën, dhimbjen dhe fuqinë shpirtërore të tij. Përtej përshfaqjes së natyrës, ajo reflekton një histori të mbushur me sakrifica e përballje me padrejtësinë, duke e shndërruar detin në metaforë të identitetit kombëtar dhe të forcës shpirtërore.

1. Poezia mund të lexohet me të drejtë si një himn i shpirtit të popullit shqiptar në Kosovë, pse ajo nuk është thjesht përshkrim i natyrës, por është së pari një pasqyrim i shpirtit të popullit. Elementet e saj krijojnë ndjenjë përkatësie e krenarie, të ndërthurur me dhimbjen dhe qëndresën historike. Në këtë aspekt edhe figurat artistike mund ti lexojmë si simbole të përjetësisë dhe qëndresës psh:

a.Deti mund të shihetsi një simbol i madhështisë dhe përjetësisë së popullit shqiptar shfaqur te vargjet:

"Ti je shpirt i botës së gjallë, siç thonë,

Me çdo valë që thyen, sjell një tregim."

ku, deti përfaqëson kujtesën historike dhe shpirtin e popullit, duke qenë një dëshmitar i vuajtjeve dhe i qëndresës së tij. Valët që thyhen në brigje janë histori që përsëriten, një metaforë për luftërat dhe sakrificat e shumta.

b.E parë më thellë, poezia e lidh valën e detit me zërin e popullit që nuk heshtt:

"Ndodh n’ horizont valët duke u endur,

Si thirrje e trishtë, më rrinë përballë."

Këtu valët shndrrohen në një thirrje që nuk shuhet, një zë që vazhdon të dëshmojë për padrejtësitë e përjetuara. E parë në këtë aspekt, kjo figurë mund të kuptohet si një thirrje për liri, për drejtësi, për një histori që duhet të dëgjohet. Në këtë kuptim, poezia funksionon si një himn për shpirtin shqiptar që nuk është nënshtruar asnjëherë.

c.Furitë e detit mund dhe duhet të shihen si kryengritje, revoltë shpirtërore pse pikërisht në momentin kur deti shfaqet si forcë e pashmangshme, ai bëhet një metaforë për kryengritjen e shqiptarëve të Kosovës kundër shtypjes dhe padrejtësisë:

"Furishëm valët rrahën në vazhdim,

Një betejë e madhe, një furi në trishtim."

Kjo strofë ka realisht një ngarkesë emocionale dhe historike. "Beteja e madhe" mund të lexohet si aludim për një formë veprimi tejë formës paqësore të protestës të shqiptarëve në Kosovë, ndërsa "furi në trishtim" është dhimbja e sakrificave të shumta.

VII. Poezia e Kadriut e parë si një hymn na sjell ndërmend të eksplorojmë në atë për muzikalitetin e poezisë. Duhet të kemi parasysh se elementët tradicionalë si forma strofore, rima, ritmi krijojnë një melodicitet që i përshtatet poezisë si një hymn shpirtëror dhe ofron një muzikalitet si reflektim i shpirtit kolektiv. Ky muzikalitet vjen si rezultat i disa elementeve kryesore:

1. Përsëritja e tingujve dhe aliteracioni krijojnë një ritëm të brendshëm që e bëjnë poezinë të tingëllojë si një këngë. Kështu në vargjet:

"Bregu dritëson, natyra zgjuar, nuk flenë,

Historia e detit, përfundim nuk gjënë."

kombinimi i tingujve "r", "n", dhe "t" krijon ritmin e brendshëm dhe e bën poezinë të tingëllojë si këngë. Aliteracioni (përsëritja e tingujve) ndihmon në krijimin e një ndjesie valëzuese, e cila e afron poezinë me një formë këndimi epik.

2. Po të shohim me vemëndje do ndjejmë se rima e brendshme dhe ritmi i balancuar e bëjnë poezinë të tingëllojë si një këngë që mund të recitohet (këndohet) me një melodi epike. Për shembull, në vargun: "Era ulërin, si ndonjë bishë e çmendur,"kombinimi i tingujve të theksuar dhe ndërtimi i frazës krijojnë një efekt zanor të fortë, duke i dhënë poezisë një cilësi pothuajse muzikore.

3. Struktura poetike e ndërtuar në mënyrë graduale duket si një kreshendo muzikore. Poezia nis me ton të qetë dhe të ngarkuar me mister te vargjet:

"Në horizontin blu, ku qielli përplaset,

Deti shtrëngon misteret në valët e tij."

Më pas, ajo krijon një tension të brendshëm dhe shton elementet dinamike, derisa arrin kulmin e saj me fuqinë e valëve dhe furinë e detit. Ky llopj ndërtim strukturor favorizon dhe ngjan me një kreshendo muzikore, ku tingujt dhe ritmi vijnë në rritje për të arritur në një shpërthim emocional.

4. Simbolika e detit, si një forcë e madhe kolektive shfaq popullin në lëvizje, tipar ky i këngëve masive dhe hymneve. Në poezi, deti përfaqëson shpirtin e trazuar të Kosovës, me rryma të lehta, valë dhe dallgët e mëdha.Te vargjet: "Deti vlon, fryma e tij s’ndalet, / në heshtje mbledh forcën e valëve." po të kemi parasysh këngët patriotike qasja ëshstë tepër e dukëshme.

5. Një veçori e këngëve të rezistencës dhe hymneve është aftësia për të krijuar ndjenjën e përkatësisë dhe mbledhur njerëzit rreth një ideali të përbashkët. Sigurisht që në këtë poezi, deti nuk është një individ, por një masë e madhe në lëvizje, që përfaqëson të gjithë popullin. Ky është element i rëndësishëm në krijimin e një himni, pasi ato synojnë të bashkojnë njerëzit në një zë të vetëm. Kadriu e shfaq hapur këtë synim te vargjet:

"Dallgët bashkohen në një forcë të vetme, / tërbohen, ngriten, përplasen së bashku." I cili përçon mesazhin e unitetit dhe fuqisë kolektive, një tipar thelbësor i një kënge rezistence dhe i një himni të një populli në lëvizje.

Kështu pra, poezia e Kadriut mund të shihet jo vetëm si një pasqyrim artistik i një kohe të trazuar, por edhe si një këngë (e pashfaqur) e një populli në betejë për lirinë e tij. Në qoftë se do kërkojmë llojin e muzikalitetit që i përshtatet më shumë këtij teksti themi se ai duhet të ketë një ton solemn, të fuqishëm dhe dramatik, duke pasqyruar lëvizjen e pandalshme të dallgëve dhe shpirtin e rezistencës popullore.

Sarandë, më shkurt 2025

Ibrahim Kadriu

Përballë detit të trazuar

Në horizontin blu, ku qielli përplaset,

Deti shtrëngon misteret në valët e tij

Me rërë të artë, që bregut andej haset-

Me gjuhën e dallgëve krijohet melodi.

 

Kur dielli perëndon, ngjyrat ndryshojnë,

Deti merr të artën, me atë forcë magjie,

Mynxyrat e jetës, gjithandej fluturojnë,

Nën yjet që shkëlqejnë, për ilaç vetmie.

 

Ti je shpirt i botës së gjallë, siç thonë,

Me çdo valë që thyen, sjell një tregim,

Nga bregu n’thellësi shtyhesh gjithmonë,

Dhe i bëhesh ëndërr këtij përjetimit tim.

 

Ndodh n’ horizont valët duke u endur,

Si thirrje e trishtë, më rrinë përballë,

Era ulërin, si ndonjë bishë e çmendur,

Dhe re të zeza qiellit shkojnë vërdallë.

 

Furishëm valët rrahën në vazhdim,

Bregu dritëson, natyra zgjuar, nuk flenë,

Një betejë e madhe, një furi n ‘trishtim,

Historia e detit, përfundim nuk gjënë..

1979.

 

KËNGA QË SFIDON HESHTJEN

 

Nga Timo Mërkuri

Këto vitet e fundit Fatmir Terziu gjithmon n aka befasuar me  gjetjet e tij poetike, por së fundi poezzia e tij "Nanurrisjet" ngjall një kuriozitet dhe interesim te lexuesit qysh në titullin e saj, por para se të flasim për atë, për efekte kuptimshmërie në rrjedhjen e poezisë  le të shohim fillimisht vetë poezinë.

I-Në poezi, gjykohet poeti për dashurinë e shfaqur, por duhet të kuptojmë se në poezi nuk është fjala për dashurinë si një ndjenjë personale, por për dashurinë, si një koncept që sfidon normat dhe autoritetin  e traditës zakonore, prej ku ndjejmë se shoqëria jonë ende nuk është çliruar nga pesha e tyre. Poeti nuk  gjykohet si person civil për një shkelje konkrete ligjore, por gjykohet si poet, si dikush që ka guxuar të flasë për dashurinë në një shoqëri ku ndoshta ajo nuk është qytetarisht e lirë, por është e kufizuar , e kontrolluar dhe e keqinterpretuar nga pushteti dhe masa. Sigurisht që shumë lexues e kanë përjetuar këtë kohë, që më të rinjtë e kanë dëgjuar nga prindërit e tyre. Por le të kthehemi te gjyqi poetik, pse gjykohet poeti?

Arsyeja e gjykimit është e shumëfishtë:

1. Gjykohet për arsye se dashuria shihet si akt subversiv. Në vargun e parë, thuhet qartë: "Kur këndoi për dashurinë – gjyqi u mbyll/dhe gjykatësi ngriti sytë nga Kodi Penal." Sigurisht gjykatësi pezulloi gjyqin për t'a parë kodin penal sepse ndoshta ju kujtua që diku kushte lexuar se në Verona dikur ( në mesjetë) ishte bërë një gjyq kundër një femre, faji i të cilës ishte pse ishte dashuruar me një fisnik, dhe ku të gjithë fisnikët e Veronës u ngritën në mbrojtje të asaj femre. Po skishte nevojë shumë për Veronën dhe historitë e saj, sepse vargjet folën më së shumti shqip:

 dhe ja ku ishte

në gjyqin e poetëve të shënuar me germa të kuqe

për shkak të vdekjes së tyre të detyruar

dhuratë e duartrokitjeve të një turme”

Ky lloj gjyqi ku vendimi i dënimit pritej me duartrokitje është tipik shqiptar i një kohe jo shumë të largët, ku djem të rinj dënoheshin me punë të detyruar në miniera, rrëzohe-shin si trumcakët nga dega, goditur nga skuadra e pushkatimit apo tundeshin në litar si lulekëmbana. Krimi i vetëm i poetëve është se dashuronin dhe dashuri do të thotë liri.

Në poezi momenti i gjyqi trajtohet me ironi dhe tregon se dashuria këtu shihet si një vepër e rrezikshme, ndërgjegjshëm sepse përfaqëson një liri që bie ndesh me rregullat e vendosura, qysh në mesjetë, apo se liria është e shumëfishtë, e gjerë dhe përfshin shumë hapësira. Në këtë kontekst, poeti nuk është thjesht një njeri që dashuron, por është dikush që shpall dashurinë si vlerë universale, e cila bie ndesh me normat dhe formatin  e pushtetit dhe të shoqërisë shqiptare. Po të mendoheni pak, jam i bindur se do gjeni raste konkrete të gjykimit të dashurisë dhe lirisë, që nga “gjyqet” familjare e gjer në gjyqet politike.

Shikoni pak, poeti nuk thotë : “Kur foli" ( në gjyq) por shprehet "Kur këndoi" në kontrast të dukshëm me realitetin poetik dhe jo më kot. Duke përdorur shprehjen "kur këndoi për dashurinë", poeti e afron poezinë me këngën, duke e paraqitur si akt të natyrshëm, emocional, si këngë, pse kënga simbolizon lirinë e shprehjes dhe shpirtin e pastër, pavarësisht se në këtë poezi, ajo bëhet arsye për dënim. Poetët në gjithë botën dhe në gjithë kohërat për këngën e tyre janë dënuar, jo për politikë. Kjo e lidh poezinë me traditën orale dhe poetët që janë parë si këngëtarë të së vërtetës, ndërsa tregon paradoksin: një shoqëri që ndëshkon bukurinë dhe ndjenjën.

2.Gjykimi  bëhet nga turmat dhe trupi gjykues  bashkë, çka të kujton gjyqet në mesjetë apo në gjyqet moniste ku vendimet ( dhe ato me vdekje) priteshin me duartrokitje. Vuiktimë e një gjyqi të tillë mesjetar është poeti:

"në gjyqin e poetëve të shënuar me germa të kuqe

për shkak të vdekjes së tyre të detyruar

dhuratë e duartrokitjeve të një turme

(sepse kishte harruar për të dashuruar!)."

Kjo sugjeron një shoqëri ku poetët dhe njerëzit e artit janë të dënuar nga shteti dhe të braktisur e të linçuar nga masa, e cila pranon dënimin e tyre si diçka normale.

3.Këtu shfaqet dukuria e varfërisë së fjalës dhe mendimit të lire, qoftë nga masa, qoftë dhe nga trupi gjykues , pse kur poeti flet për dashurinë, salla e gjyqit  shuhet” dhe muret mbushen me “korda vokale”, duke shfaqur se fjala poetike ka një fuqi të madhe, por gjithashtu përbën rrezik për pushtetin. Në këtë kuptim, poeti gjykohet jo si individ, por si një simbol i lirisë dhe mendimit të pavarur. Poeti mjeshtërisht identifikon dashurinë me lirinë, sepse vetë dashuria është një formë e lirisë.

4.Absurdi i gjyqit dhe gjykimit  të një poeti në fakt është përjetuar ndryshe  nga shtresa të popullatës, pse ka patur shtresa që e kanë dashur poetin dhe fjalën këngë të tij. Shih linearitetin e poezisë: Në një moment, poeti hesht dhe bota “ngrsyet”, duke sugjeruar se pa zërin e tij, ekzistenca humbet kuptimin. Pavarësisht kësaj, heshtja nuk është shpëtim, sepse edhe ajo përkthehet në një pranim ( në heshtje) të çmendurisë:

"edhe për të qenë i çmendur duhet t’i bindesh heshtjes

duhet të kthehesh në hiç."

Pra, nuk ka rrugë shpëtimi: të flasësh është krim, të heshtësh është çmenduri.

5.Së fundi poeti gjykohet si një figurë artistike që sfidon rendin, jo thjesht si njeri që dashuron. Dënimi i tij simbolizon përplasjen mes artit dhe pushtetit, ku fjala e lirë është kërcënim dhe dashuria, e zhveshur nga ndjenja e saj e pastër, bëhet një koncept i manipuluar nga autoritetet dhe turmat. Ju lutem kujtoni të dënuarit e plenumit të IV famëkeq, të pushkatuarit e Librazhdit, të barutin e Kukësit, të burgosurit dhe internuarit e gjithë Shqipërisë.

II- Nga sa thamë më sipër shihet se titulli “Nanurrisjet” krijon një kontrast me përmba-jtjen e poezisë. “Nanurrisja” është  një melodi e butë dhe qetësuese që përdoret për të vënë dikë në gjumë, zakonisht lidhet me fëmijërinë dhe dashurinë. Mirëpo, në këtë poezi, ajo merr një kuptim ironik dhe të hidhur.Në kontekstin e vargjeve të poezisë nanurrisjet mund të simbolizojnë:

1. Shoqëria dhe pushteti kërkojnë të "nanurrisin" individin, ta vënë në një gjendje gjumi, pasiviteti dhe nënshtrimi, duke i imponuar heshtjen dhe harresën.

2. Në fund të poezisë, nanurrisjet lidhen me dorëzimin dhe shuarjen e zërit të poetit, që për t’i mbijetuar gjyqit dhe shtypjes, pranon të heshtë dhe të zhduket:

"Nanurrisjet iu kyçën vetvetes…

edhe për të qenë i çmendur duhet t’i bindesh heshtjes,

duhet të kthehesh në hiç."

Le të mos përmendim raste, por shumë zëra poetësh heshtën pas furtunës pleniumiste të katërt.

3. Nëse nanurrisja zakonisht është një gjest dashurie e dhimshurie, këtu ajo shndrohet në një mekanizëm shoqëror  nënshtrimi, duke e kthyer dashurinë në një krim dhe poezinë në diçka të ndaluar.

Pra, titulli përmban një paradoxks të fortë: në vend që të ofrojë qetësi, këtu nanurrisjet janë mënyrë për të heshtur të vërtetën dhe për ta bërë njeriun të pranojë gjendjen e tij si një nul. Ndoshta mund të kujtojmë emra poetësh që heshtën së kënduari ose nisën të këndojnë ndryshe gjatë dhe pas dënimit të shokëve.

III-Poezia “Nanurrisjet” e Fatmir Terziut i afrohet më shumë postmodernizmit sesa modernizmit klasik. Ajo shfaq tipare të qarta të postmodernizmit, si ironia, ndërhyrjet metafiktive, përzierja e realitetit me absurdin dhe një sfidim të autoritetit dhe institucioneve të njohura.

1.Në poezi vihet re një raport i tensionuar mes artit, dashurisë dhe fuqisë së shtetit (përfaqësuar nga gjyqtari dhe turma e indoktrinuar). Një poet gjykohet për dashurinë, por jo si ndjenjë personale, por si koncept që sfidon normat dhe kufizimet e imponuara nga shoqëria. Ky është një element postmodernist, pasi poezi të tilla sfidojnë të vërtetat e pranuara dhe ekspozojnë absurditetin e strukturave shoqërore.

Ndër karakteristikat postmoderniste shfaqen:

a.Ironia dhe absurdi  në vargjet:“Kur këndoi për dashurinë – gjyqi u mbyll

dhe gjykatësi ngriti sytë nga Kodi Penal.”

b.Figura e gjyqtarit dhe turma që dënon poezinë është një kritikë ndaj sistemit që i jep më shumë rëndësi normave e kodeve zakonore sesa ndjenjave njerëzore. Kjo është e dukshme në vargun:

në atë sallë nuk kishte më fjalë

sytë i kishin ngrirë lart,

vetëm dritarja hapej e mbyllej pa mbarim,

e ata e quajtën mëkat,

e Gjykatësi e cilësoi pallim.”

 

3.Poezia përzien dimensionet kohore dhe ideologjike, madje këtë e bën në formën e një loje aktorësh pse realiteti ngjan si një skenë teatrale ku gjithçka vjen në cikle:

“Kur u zgjua për dashurinë – qielli u skuq

toka ishte kthyer një kalendar me një datë më 14 shkurt.”

Ku referenca ndaj 14 shkurtit (Ditës së të Dashuruarve) ironizon mënyrën sesi dashuria institucionalizohet  në një datë të vetme, nga shteti ndërkohë që ajo është e shtypur.

IV-Poezia “Nanurrisjet” e Terziut sjell disa risi në poezinë shqipe, kryesisht në nivelin konceptual, stilistik dhe kritik.

1.Në letërsinë shqipe, sidomos në periudhën post-komuniste, kemi parë shumë poezi që trajtojnë censurën, por “Nanurrisjet” është një poezi e veçantë pse e shfaq këtë temë përmes një simbolike të re: dashuria, një ndjenjë universalisht e pranuar që shndërro-het në shkak për t’u gjykuar. Pra në vend që poeti të përndiqet psh për ideologji, ai dënohet për diçka esencialisht njerëzore, duke krijuar një absurd të fuqishëm:

"Kur këndoi për dashurinë – gjyqi u mbyll

dhe gjykatësi ngriti sytë nga Kodi Penal."

Është një gjetje sa e bukur aq dhe e fortë e poetit pasi kjo  qasje e bën poezinë një akt kritik ndaj mënyrës sesi autoritetet ndërhyjnë dhe në sferat më intime të jetës njerëzo-re. Kjo ndodh sepse dashuria ka dimension universal në të gjithë elementet e saj, jo vetëm si dashuri për një vajzë, por së pari është e rrezikëshme pse është dashuri për lirinë. Çdo lloj dashurie zë fill te liria, madje dhe një dashuri e thjeshtë çifti është bota ku lindin të gjithë liritë..

2. Kjo poezi shquhet për përdorim të thellë e të bukur të ironisë dhe absurdit, gjë që nuk është shumë e pranishme në poezinë shqipe, sidomos në këtë formë. Elementet groteske, si gjykimi i dashurisë dhe arkitektët që matin një sallë gjyqi sikur të ishte një projekt ndërtimi, krijojnë një atmosferë që i afrohet surrealizmit postmodern:

"Projektuesi i godinës hyri me një preventiv

shihte ndryshesën me shije të lëbyrtë

nga libri i evolucionit dilte një tjetër Darvin."

Ky pasazh shfaq një botë ku çdo gjë është e manipuluar, edhe shkenca dhe arkitektura, duke ironizuar mënyrën sesi realiteti krijohet nga pushteti.

3.Poezia shqipe ka një histori të gjatë të përdorimit në letërsi të gjyqit dhe padrejtësisë (Gjergj Fishta, Migjeni, Lasgush Poradeci, Petro Marko, Visar Zhiti etj), por “Nanurrisjet” i qaset këtij motivi në një mënyrë absolutisht të re: ajo, poezia e Terziut nuk i shfaq gjyqet si procese tragjike, por si akte groteske, ku poetët e dënuar nuk janë heronj të drejtpërdrejtë, por viktima të një absurdi shtetëror, duke shtuar në këtë mënyrë dhimbjen për dënimin e tyre.

4. Një nga risitë e veçantë e dukshme e kësaj poezie është mënyra sesi ajo luan me kohën. Përmes një strukture ciklike, poezia krijon një ndjesi pafundësie ku e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja janë të ndërthurura mes tyre. Psh, në fund:

"Kur u zgjua për dashurinë – qielli u skuq

toka ishte kthyer një kalendar me një datë më 14 shkurt."

Shikoni pak me vemëndje, dashuria, e cila më parë ishte e ndaluar, e dënueshme me ligj penal, duke kapërcyer shndrimin e saj në një festë rinie, kthehet në një simbol të banalizuar dhe komercial, duke theksuar ciklin e shtypjes dhe manipulimit shoqëror.

5.  Risi më vete është fakti se struktura  e vargjeve  është e ndërtuar në mënyrë, jo vetëm të lirë, por që nuk ndjek një linjë lineare apo një linearitet  të qartë të mendimit. Çdo pjesë e poezisë funksionon si tablo më vete, me elemente që përsëriten dhe ndryshojnë kontekst, duke shfaqur një ndjesi të fragmentarizuar, të ngjashme me “rrjedhën e ndërgjegjes” në letërsinë moderniste, por me një ton më të hidhur, më ironik  e kritik.

6.Risi më vete është fakti se kjo poezi nuk kërkon vetëm të shprehë ndjenja, por dhe të sfidojë mënyrën sesi shoqëria dhe pushteti ndërhyjnë në to, duke i dhënë poezisë një dimension të fortë filozofik dhe politik.

Poezia “Nanurrisjet” e Fatmir Terziut  shënon një arritje të veçantë në krijimtarinë e tij dhe në poezinë shqipe. Ajo sjell një qasje novatore në trajtimin e censurës, pse e zhvendos fokusin nga ndalimi ideologjik te ndëshkimi i, dashurisë. Përmes një ndërtimi ironik dhe një përdorimi të absurdit, poeti e shndërron gjyqin ndaj fjalës në spektakël grotesk, ku logjika shtrembërohet dhe realiteti kthehet në farsë.

Arritje e madhe e kësaj poezie është mënyra sesi ajo ndërthur simbolikën dhe kritikën sociale brenda një strukture që sfidon linearitetin e rrëfimit poetik. Figura e poetit që këndon, hesht dhe zgjohet për dashurinë nuk është thjesht një imazh i vuajtjes, por një dëshmi e fuqisë së artit për të mbijetuar edhe në heshtje. Titulli “Nanurrisjet” shton një dimension të ri, duke krijuar kontrastin mes butësisë së këngës dhe dhunës së shtypjes, mes ëndrrës dhe detyrimit për të heshtur.

Me këtë poezi, Fatmir Terziu jo vetëm që i jep formë të re debatit mbi raportin mes artit dhe pushtetit, por e vendos poezinë në një hapësirë ku mendimi dhe ndjenja nuk mund të ndahen. Përmes vargjeve të tij, ai arrin të krijojë një poezi që nuk lexohet vetëm me mendje, por edhe ndihet thellësisht, duke e bërë “Nanurrisjet” një nga krijimet  e tij më të fuqishme dhe më sfiduese.

 

Sarandë, më shkurt 2025

 

Nanurisjet

Nga Fatmir Terziu

Kur këndoi për dashurinë – gjyqi u mbyll

dhe gjykatësi ngriti sytë nga Kodi Penal.

Dritarja e mbyllur u çel si një trëndafil

kapi rastësisht buzët një petale e gjallë

dhe ja ku ishte

në gjyqin e poetëve të shënuar me germa të kuqe

për shkak të vdekjes së tyre të detyruar

dhuratë e duartrokitjeve të një turme

(sepse kishte harruar për të dashuruar!).

 

Kur foli për dashurinë – salla u shua

dhe muret u mbushën me korda vokale.

 

Projektuesi i godinës hyri me një preventiv

shihte ndryshesën me shije të lëbyrtë

nga libri i evolucionit dilte një tjetër Darvin

në atë sallë nuk kishte më fjalë

sytë i kishin ngrirë lart,

vetëm dritarja hapej e mbyllej pa mbarim,

e ata e quajtën mëkat,

e Gjykatësi e cilësoi pallim.

 

Kur heshti për dashurinë – bota u ngrys

dhe vargu u kthye në një çmendinë.

 

Pastaj u ndez një qiri në murin e heshtjes

e heshtja u lut pambarim,

dashuria të lartësohet edhe përtej vdekjes

në këtë godinë është e pamundur të jesh ligj

e që nga ai moment nanurisjet iu kyçën vetvetes

pranuan matufepsjen e shpallur me ofiq

edhe për të qenë i çmendur duhet ti bindesh heshtjes

duhet të kthehesh në hiç.

Kur u zgjua për dashurinë – qielli u skuq

toka ishte kthyer një kalendar me një datë më 14 shkurt.

Friday, 7 February 2025

 

NJË VETMI E BUKUR

Nga Timo Mërkuri

I-Të shkruash për vetminë në kohën e sotme është gjeja më e zakonëshme edhe për arsyen se tashmë ajo është bërë një karakteristikë e jetës, shkaktuar nga prishja e strukturës sociale të jetesës në vend si pasojë e emigracionit masiv. Këndohet për vetminë e prindwrve pleq, tw mbetur vetwm në fshat e qytet, për vetminë e nuseve të reja me burrat në emigrim, vetminë e vajzave të pamartuara duke shfaqur jo vetëm statusin social-shoqwror por edhe dhimbjen karakteristike. Mirëpo kjo poezi e Alma Brajës ka një veçori (moderne) sepse vetmia nuk i atribuohet një individi me identitet të qartë gjinor. Kjo mungesë e specifikimit gjinor evidenton karakteristikën universal të poezisë, ajo nënkupton se vetmia nuk është e kufizuar nga përkatësia individuale, por është një gjendje ekzistenciale që mund të përjetohet nga kushdo. Në vend që të fokusohet te një subjekt i caktuar,prind,vajzë,djalë, poezia përqendro-het në përmasën shpirtërore të vetmisë, duke e kthyer atë në një përvojë universale njerëzore.

 Gjithashtu kjo munges e statusit gjinor e bën poezinë më abstrakte dhe më të hapur për interpretime të shumta, pse vetmia këtu nuk është thjeshtë një ndjenjë e lidhur me përvojën e një gruaje apo një burri, por një dimension i qenies që e përfshin çdo individ në mënyrë të barabartë.

II- Tipike është se poezia "Kështu vetmi" e Alma Brajës e trajton vetminë si përvojë të brendshme, që nuk përkufizohet nga një izolim i jashtëm, nga një mbetje e vetmuar e heroinës psh, por nga një zhytje në territoret e errëta të vetvetes. Nuk është një vetmi pasive, por ndryshe nga përvojat e para nëpër ambientet rurale, kjo është një vetmi dinamike, një lëvizje e heshtur përmes hapësirave të brendshme të heroinës. Përmes një ndërtimi poetik të imazheve të errësirës, dritës që verbon dhe pasqyrave të padukshme, poezia jep një qasje të veçantë mbi mënyrën se si vetmia transformon përjetimin e realitetit.

1.Vetmia nuk përjetohet si një ndarje nga bota, por si një proces i brendshëm ,si një depërtim në ekzistencë gjë që duket te vargu:"Kështu u fute netëve heshtur në vena / I hape si hapen dyert e një korridori të errët..." ku shohim vetminë si një hyrje në një errësirë jo të jashtme, por brenda qenies njerëzore, brenda botës shpirtërore të heroinës. Akti i "hyrjes në vena" sugjeron se vetmia depërton në thelbin e individit, duke u bërë pjesë e tij.

2. Zakonisht, drita simbolizon ndriçimin dhe njohjen, por këtu ajo ka një funksion të kundërt, ajo nuk ndriçon, por verbon:"... e drita nga jashtë të verbon." pse në vend që të ndihmojë subjektin të shohë më qartë, drita bëhet një pengesë. Këtë dukuri e kemi ndjerë shpesh herë, psh gjatë qëndrimit në një ambient të mbyllur dhe befas dalim në dritën e diellit, e cila na vërbon sytë dhe detyrohemi ti pulitim qepallat ose ti mbyllim fare sa të normalizohet shikimi. Kjo dukuri ndodh edhe në botën e brendëshme shpirtërore pse ndonjëherë, edhe kur ndriçimi i jashtëm ekziston, ai nuk arrin të largojë errësirën e brendshme. Përkundrazi, mund ta bëjë atë errësirë edhe më të fortë, duke e theksuar humbjen e orientimit. A e kini venë re, një njeri i palexuar dhe i paditur ndjehet akoma më i paditur në një ambient të diturish.

3.Ndonëse subjekti ndjehet i burgosur në vetminë e tij, ai përjetohet si një qenie që lëviz në mënyrë të pakuptueshme: "Lëvizje përbrenda e lidhur me frymën që hynte e dilte / dhe jepje përshtypjen e fluturimit.", pra vetmia nuk është vetëm statike, por ka edhe një dinamikë të brendshme. Megjithatë, kjo lëvizje nuk është e vërtetë, reale ajo është thjeshtë një perceptim, një "përshtypje e fluturimit," duke e thelluar kështu ndjesinë e iluzionit dhe mungesës së përmbushjes.

4.A e kenui venë re, në vetmi, njeriu përjeton një pasqyrim të deformuar të vetes, një identitet që nuk mund të kapet plotësisht, ndjehet mw i pa aftw, i pazoti etj, dukuri të cilin poetja e paraqet me elegancë: "Si të shihje veten pasqyrave thuaj të padukshme të territ / Dhe shëmbëlltyra kaq e pamjaftueshme." ku pasqyrat e padukshme simbolizojnë përpjekjen për vetënjohje, por kjo rezulton si një përpjekje e destinuar për të dështuar. Vetmia asnjëherë nuk e ndihmon subjektin të njohë më mirë veten, por përkundrazi, i lë atij ndjesinë e pamjaftueshmërisë dhe të zbrazëtisë. Vetmia është shumë e rrezikëshme, ajo mund të çojë njeriun në lëndime ekstreme të vetes.

5.Poezia përmbyllet me një varg të vetëm:"Kështu vetmi..." e cila e shndron poezinë në një dialog të heroinës me vetminë, pavarësisht se flet vetëm heroina. Këtë dialog e dëshmon pikërisht ky varg i cili ka formën e një pyetjeje, të cilës jo rastësisht poetja nuk i ka vënë pikpyetje në fund me qëllim që të zgjerojë gamën e interpretimit. Psh kjo thjeshtësi e shprehjes mund të hamendësojë një një pranim të heshtur të vetmisë si realitet të pashmangshëm. Nuk ka asnjë përpjekje për ta luftuar apo kapërcyer atë; vetmia thjesht ekziston dhe vazhdon të jetë pjesë e qenies, ku vetmia nuk është thjesht boshllëk, por një hapësirë e mbushur me perceptime të dyshimta dhe të paplota.

Sinqerisht është një vetmi e bukur poetikisht që ja vlen ta lexosh me vëmëndje dhe nuk i reziston dot dëshirës për ta komentuar.

Sarandë, më 05.02.2025

 

 

 

 

 

VETMI

Kështu u fute netëve heshtur në vena

I hape si hapen dyert

e një korridori të errët

e drita nga jashtë të verbon.

Nuk kishe krahë ëndrre.

Lëvizje përbrenda

e lidhur me frymën që hynte e dilte

dhe jepje përshtypjen e fluturimit.

Kështu u fute netëve heshtur...

Si të shihje veten

pasqyrave thuaj të padukshme të territ

Dhe shëmbëlltyra kaq e pamjaftueshme.

Kështu u fute netëve

Në shëmbëlltyrë të pamjaftueshme.

Kështu vetmi...

Tuesday, 21 January 2025

 

 

RRUGA DREJT HESHTJES POETIKE

 

Nga Timo Mërkuri

Poezia “Orët e mbrëmjes” e Ilirian Zhupës shtjellon ndjenjën e ndarjes mes dy individëve dikur të lidhur në marrëdhënie emocionale, duke ruajtur një hije misteri mbi arsyet e ndarjes. Heroi lirik shfaqet në një gjendje të trazuar shpirtë  -rore, ndërsa përjeton vetminë dhe mallin në mënyrë të heshtur e introspe-ktive. Përsëritja e pyetjes së tij “po ç’kohë është atje?” pasqyron përpjekjen për të ringritur ura lidhjeje shpirtërore përmes reflektimit dhe kujtesës, duke ruajtur gjallë dashurinë dhe mallëngjimin në botën e tij të brendshme. Simbolet e mbrëmjes, natës dhe heshtjes shërbejnë si metafora të ndjenjave të thella dhe komplekse, duke krijuar një atmosferë ku melankolia dhe reflektimi ndërthuren me ndjeshmërinë poetike.

Forma e jashtme e poezisë të jep përshtypjen e një bashkëbisedimi të heshtur, dhe çdo varg duket si një plagë që dhemb. Ngrohtësia dhe përmallimi që derdhen në vargje krijojnë ndjesinë se ky dialog zhvillohet “ndërmjet” dy të dashuruarve, të ndarë, por të lidhur ende në nivel shpirtëror. Megjithatë, mungesa e dialogu të mirëfilltë tregon se kjo është një bisedë intime e heroit me veten, një rrëfim i brendshëm ku personi i dashuri është prani e pashlye-shme në botën shpirtërore të ij, dhe zë vend të rëndësishëm si kujtim apo reflektim mbi një lidhje të pazgjidhshme. Poezia përcjell fuqinë e ndjenjave që triumfojnë mbi kohën dhe distancën, duke lënë të kuptohet se një dashuri e tillë mbijeton në kujtime, në harmoni të përhershme të ndjenjës.

I- Pyetja e parë që mund të “bëhet” është: pse poeti ka ruajtur anonimatin e heroit të tij në aspektin gjinor dhe ja le lexuesit ta interpretojë?  Poeti  ka ruajtur anonimatin e heroit së pari: për të ruajtur universalitetin e poezisë dhe së dyti: për t’i dhënë hapësirë lexuesit në interpretime të shumta.

Anonimizimi gjinor i heroit krijon një efekt abstrakt: lidhja emocionale, mallë-ngjimi dhe intimiteti nuk kufizohen nga identitete specifike gjinore, por perce-ptohen si përvoja universale njerëzore. Kështu anonimizim i heroit shërben që fokusi të mos jetë te individi, por te ndjenja dhe përjetimi, duke e ngritur poezinë në nivel simbolik dhe duke i dhënë rezonancë më të gjerë shpirtërore. Sigurisht që i jep mundësi lexuesit për të zotëruar hapësirën, për ta bërë poezinë më personale, pasi mund ta lexojë nga këndvështrimi i vet, duke ndjerë se ajo flet drejtpërdrejt për të ose për ndonjë marrëdhënie të tij.

E parë në këtë këndvështrim, nuk është gabim interpretimi (ynë) që heroi të jetë poeti, pra një djalë, por njëkohësisht nuk përjashtohet e drejta e dikujt tjetër për ta parë heroin si një vajzë. Pikërisht kjo hapësirë interpretimi është në vetvete një nga vlerat artistike të poezisë, pse nuk kufizohet në një identitet, por fton lexuesin të ndërtojë përvojën e vet të leximit. Është pikërisht kjo hapje e mundësive interpretatative që përforcon universalitetin e ndjenjave të shfaqura, duke e bërë poeziznë të prekshme për këdo që përjeton dashuri, mall, apo nevojën për lidhje shpirtërore. Heroi apo heroina mund të jetë çdokush që përjeton këtë ndarje dhe kërkon një pikë lidhjeje përtej distancës fizike dhe kohore.

II- Në këtë poezi, ekziston mundësia që heroi të mos bashkëbisedojë drejtpë-rdrejt me një person të dashur, qoftë dhe nëpërmjet distancës, por të jetë në bisedim me ndjenjat e tij të brendshme, ku ai ruan kujtimin e personit, me të cilin është ndarë. Kjo qasje përforcon dimensionin introspektiv të poezisë, duke e bërë atë një reflektim mbi dashurinë dhe vetëdijen.

Në këtë kontekst vargjet "Dy-tri fjalë më tutje, dy-tri ëndrra më tej" mund të lexohen si dialog i brendshëm i heroit, ku fjalët dhe ëndrrat janë përfytyrime që mbajnë gjallë lidhjen me personin e dashur, të ndarë fizikisht, apo juridikisht për jo shpirtërisht. Ky bashkëbisedim i brendshëm e bën atë të pranishëm në mënyrë simbolike, dhe e shndrron në pjesë të botës së tij shpirtë rore. Atëherë dhe përsëritja e pyetjes "po ç’kohë është atje" interpretohet si përpjekje e heroit për të ndier dhe krijuar afërsi me ndjenjat e tij, duke kërkuar një lidhje me atë që ka humbur. Kjo pyetje, e cila tingëllon si thirrje e heshtur, reflekton ankthin dhe dëshirën e tij për të mbajtur të gjallë kujtimin e një dashurie të kaluar. Dhe vargu "Këtu po bie heshtja, po ç’kohë është atje" tregon një moment meditativ, ku heshtja përfaqëson më tepër vetminë e heroit se sa  ndalimin e komunikimit, dhe i jep hapësirë dialogut të brendshëm. Kjo heshtje mbart peshën e  kujtimeve, dhe e lidh heron me një dimension emocional të përjetshëm. Përmes këtij interpretimi, poezia merr kuptim tjetër: nuk është vetëm dialog me një të dashur të larguar fizikisht, por edhe një reflektim mbi dashurinë që jeton brenda shpirtit të heroit, pavarësisht rrethanave të jashtme. Pikërisht kjo ndjenjë e brendshme e bën poezinë universale.

III-Në poezi bashkbisedimi bëhet  në mbrëmje dhe natën kohë kur njeriu nis e mediton, bisedon me veten e tij, me botën e tij të brendëshme. Kjo është një pikë e rëndësishme që thekson dimensionin introspektiv të poezisë. Mbrëmja është një kohë e natyrshme për meditim dhe reflektim, dhe zgjedhja e saj si momenti kur heroi bisedon me veten shërben të theksojë  thellësisë shpirtëro -re. Mbrëmjeve dhe netëve (të gjata të dimrit) ndodhin shpesh përballjet e brendshme me mendimet dhe ndjenjat që janë të fshehura gjatë ditës, kur njeriu është më i angazhuar me aktivitetet e jashtme.

Në këtë kuptim, poezia e Zhupës fiton një natyrë introspektive. Poeti përdor mbrëmjen si kohë simbolike që i mundëson të përballet me vetveten dhe të bëjë pyetje ekzistenciale që kanë të bëjnë me koherencën e jetës dhe vdekjes. Kjo ndihmon në krijimin e një atmosfere të brendshme, ku pyetjet dhe pasigu-ria që shoqërojnë jetën bëhen më të dukshme dhe më të qarta. Në vargjet e poezisë:"Këtu po bie mbrëmja, po ç'kohë është atje" dhe"Këtu po bie nata, po ç’kohë është atje"poeti bisedon me vetveten, përballë një kohë të brendshme, ku ai përpiqet të kuptojë ku ndodhen realitetet e tij shpirtërore dhe ekziste-nciale, dhe ku ka hapësirë për meditime dhe analize. Mbrëmja dhe nata si kohë simbolizojnë një periudhë që është pa aktivitet në botën e jashtme, duke i dhënë mundësinë poetit të reflektojë mbi atë që është "atje": koha që është kaluar, ajo që është e humbur dhe ajo që mbetet ende pa u kuptuar. Ky bashkë -bisedim me veten është i rëndësishëm sepse e shndron poezinë në akt refle-ktimi dhe shprehje të brendshme që shkon përtej thjeshtësisë së jashtme, dhe hap një dimension filozofik dhe emocional.

IV-Duke marrë shkas nga hamendësimi i mësipërm po shtojmë pyetjen tjetër se: si do ishte situate poetike nqse personi i dashur, të cilit i drejtohet heroi, të jetë një person i vdekur? Në kulturën shqiptare është i njohur rituali i bashkbi-sedimit me të vdekurin, kryesisht në vizita në varreza,psh: “Ku ke rënë moj trëndelinë/Pse s’kujton mua të zinë/Të kujtoj e qajme lot/Po jam thellë e nuk dal dot”. Kushdo që ka  në varreza gruan, burin, të dashurën apo fëmijën e njeh dhe e ka përjetuar këtë formë bashkbisedimi, e di peshën e madhe shpirtërore që të ul në gjunjë pranë varrit për të nisur bisedën, e njeh lehtësimin shpirtëror që përfiton pas tij. Ajo që dua të them është se një poet që ndërton një poezi me temë dhe përsosmëri artistike të tillë, ai ka përjetuar dhimbje të mëdha, të cilat i ka shndruar në art poetik të nivelit të epërm. Në mos gaboj ju kam folur për origjinën e Zhupës nga treva e Bregdetit ku doket zakonore rruhen edhe nëpërmjet këngëve dhe ku ritet mortore e ligjërimet vajtimore janë një pasuri rrezëllitëse poetike, dhe që ne, bijtë e kësaj  treve i kemi pjesë të zakonëshme të fjalorit të përditshëm. Sigurisht që kjo trashëgimi i shton dhe një dimension tjetër poetikës së Zhupës.

Por le të kthehemi te një vizitë në varreza, fjalët e poezisë: “Këtu po bie heshtja, po ç’kohë është atje/ Dy-tri jetë më tutje, dy-tri vdekje më tej” janë mot a mo fjalë bashkbisedimi që bëjnë, kryesisht gjyshet dhe prindërit me bijtë e nipërit e tyre të ndjerë gjatë  vizitave në varreza, prandaj na duken të njohura e të dëgjuara. Referenca e poezisë ndaj “jetëve” dhe “vdekjeve”, ”tutje”,  “tej” nënkupton se heroi përpiqet të komunikojë me një të dashur që nuk është e pranishme fizikisht në këtë jetë, por që vazhdon të ekzistojë në një dimension shpirtëror.  Në këtë rast, poezia merr përmasa më të thella dhe më universale, duke trajtuar lidhjen shpirtërore në tejkalim të kufijve të jetës dhe vdekjes. Ky interpretim shton dimensionin metafizik në poezi, duke e bërë atë një reflektim mbi përjetësinë e dashurisë. Janë vargjet “Dy-tri jetë më tutje, dy-tri vdekje më tej” ato që krijojnë një aludim të qartë për një lidhje në hapë-sirën  midis jetës dhe vdekjes.

Duke vijuar mendimin e shprehur më sipër, themi se përsëritja e pyetjes “po ç’kohë është atje” merr një tjetër kuptim në këtë kontekst. Kjo pyetje mund të shihet si një përpjekje për të kuptuar dimensionin e përtejë jetës ku ndodhet personi i dashur. Pyetja nuk është thjesht për hapësirën fizike, por për gjendjen e një bote të padukshme dhe misterioze. Vargu “Këtu po bie heshtja, po ç’kohë është atje” simbolizon ndjenjën e vetmisë dhe mungesës së përgjigjes nga ana e personit të dashur, e cila është heshtje absolute. Duhet të themi se në këtë rast, heshtja nuk shkatërron lidhjen, por e bën atë më intime, një dialog të brendshëm që ndodh në botën shpirtërore të heroit. Nëse personi i dashur është i vdekur, poezia kalon nga thjeshtësi e mallëngjimit në poezi meditimi mbi ekzistencën, dashurinë dhe përjetësinë. Si tekst vargu është i ngjashëm me fjalët që nënat dhe gjyshet pëshpërisin apo vajtojnë mbi varrin ku prehet biri apo nipi, në formën ligjërimore: “A të dhembin plagët biro, a ke ftohtë aty, a të lag shiu. Dil pak se do rrijë nëna aty për ty” etj. 

Ky aspekt gjen mbështetje dhe te tonaliteti i ulët i poezisë dhe melodiciteti i dhimbshëm i saj, por më shumë vlen të themi se kjo përmasë i jep poezisë rezonancë më të gjerë, duke i lejuar lexuesit të përjetojnë ndjenjën e humbjes në mënyrë personale dhe emocionale, përmes fjalëve të thjeshta, por të ngarkuara simbolikisht. Sigurisht që dëshirojmë që ky hamendësim i yni të jetë i gabuar, por dhimbja e madhe që përmban poezia nuk na le ta përjashtojmë si mundësi, ndonëse do vijojmë analizën në interpretimin e idilit në distancë të heroit poetik dhe të dashurës së tij të larguar.

V- Kjo poezi introspektive e Ilirian Zhupës ka një strukturë tepër interesante që nuk haset në poezinë shqipe, si dhe ndihmon në forcimin e mesazhit që poeti dëshiron të përcjellë. Poezia ka një ndërtim të qartë e të përsëritur sikur këmbngul në idenë e pritjes së përgjigjeje, duke krijuar një atmosferë meditimi dhe introspektive. Le të shohim disa aspekte të ndërtimit të vargut dhe strukturës së poezisë:

Poezia ka tre strofa dhe çdo strofë ka një strukturë të përsëritur trevargore, ku vargu i parë dhe i tretë janë të njëjtët, dhe përsëritja krijon një ritëm të fortë dhe  lidhje me kohën e hapësirën, që është tema kryesore e poezisë. Përsëritja vargjeve shërben për të theksuar idenë e kohës që është atje, ku ndodhet e dashura që mungon, pra në një realitet të paqartë dhe të largët: "Këtu po bie mbrëmja, po ç’kohë është atje". Ky varg, i përsëritur nënkupton një dyshim apo merak që ka heroi për situatën ku ndodhet personi tjetër, duke  sjellur ndjesinë e padurimit dhe meraku të madh. Vargu i dytë i secilës strofë është struktura-lisht i njëjtë, por me një ndryshim në një ose dy fjalë:, psh: "Dy-tri rrugë më tutje, dy-tri sheshe më tej" te strofa e parë, "Dy-tri fjalë më tutje, dy-tri ëndrra më tej" te strofa e dytë dhe “Dy-tri jetë më tutje, dy-tri vdekje më tej” te strofa e tretë. Kjo mënyrë shërben jo vetëm për të ruajtur një ritëm dhe harmoni ndërmjet vargjeve, por edhe për të theksuar ndryshimin që ndodh në çdo moment të poezisë. Kështu, poeti krijon përputhje të strukturës ndërkohë që sjell variacione në përmbajtjen, pse u jep vargjeve efekt të përsëritur, të freskët dhe me kuptime të ndryshme madje dhe me vlerën e një njësie matjeje, kur shprehet: “Dy-tri rrugë më tutje, dy-tri sheshe më tej".

VI-Pyetja:"Po ç'kohë është atje?" është pikë e rëndësishme që thekson dimensi-onin filozofik dhe emocional të  poezisë. Ky pyetje nuk është e lidhur me motin apo kohën në sensin e zakonshëm, por ka kuptim më të thellë e më të brendë-shëm, pasqyron përpjekjen e heroit poetik për të kuptuar kohën shpirtërore dhe distancën emocionuese nga personi i dashur. Gjithashtu duhet të themi në lidhje me këtë pyetje se: për heroin, poezia flet për një kohë që nuk matet me orë apo minuta, pse është kohë shpirtërore e lidhur me përjetimet personale, dhe distancën shpirtërore. Poeti po përpiqet të kuptojë se si të përjetojë kohën që ndan atë nga e dashura, duke u fokusuar në atë se çfarë ndodh atje, dhe si ndryshon jeta dhe shpirtërimi i saj në mungesën e tij, e shprehur më thjeshtë ai do të dijë si funksionon bota “atje tej”.

Te vargjet:"Këtu po bie nata, po ç’kohë është atje,/Dy-tri fjalë më tutje, dy-tri ëndrra më tej."poeti kryen një reflektim të brendshëm mbi kohezionin shpirtë-ror me të dashurën, ku ëndrrat dhe fjalët ndodhen po ashtu në një distancë të paqartë. Përsëritja e pyetjes "po ç'kohë është atje?" na ndihmon të kuptojmë që kjo kohë është ndjesi. E rëndësishme është të ndjehet se pyetja “po ç’kohë është atje?” nuk kërkon përgjigje për kohën natyrore, por është  shprehje e pasigurisë shpirtërore, një kërkim për të kuptuar se si është ndërtuar koha pa praninë e tij te e dashura. Në kuptimin literal kjo pyetje  ka qasje me një varg vajtimor të viseve të mia që thotë:  “Qysh do ma kalosh beharë/Pa motër e vëlla pranë/ Xhan o shpirt e shpirt o djalë”.

Sigurisht që mund të hamendësojmë se pyetja ka të bëjë psh. me konceptin “kohë vdekjesh” psh nga epidemia, nga lufta, apo kohë dasmash, kohë lindjesh etj. Ky  mund të jetë interpretim i mundshëm dhe shumë i vlefshëm i pyetjes “po ç’kohë është atje?”. Në këtë kuadër, poezia mund të bëjë një ndarje të dy kohrave të ndryshme, kohë të jetës dhe  kohë të vdekjes. Në vend që të kërko-jë një informacion të zakonshëm mbi kohën e një vendi të caktuar, poeti mund të jetë duke pyetur për një kohë të ndryshuar nga ndodhitë historike, shoqëro-re apo ekzistenciale si lufta, epidemitë, ose periudhat e gëzimit si dasmat dhe lindjet etj.. Janë pikërisht vargjet: "Dy-tri jetë më tutje, dy-tri vdekje më tej" në të cilat poeti sjell në kujtesë dy dimensione të kohës: njëra që është e lidhur me jetën, siç janë momente të bukura si dasmat dhe lindjet, dhe tjetra që përmban vdekjet, të shkaktuara nga luftërat, epidemitë ose tragjeditë shoqë-rore. Kjo ndarje mes dy kohrave (jeta dhe vdekja) tregon një kontrast mes periudhave të jetës dhe periudhave të krizave ekzistenciale, ku jetët dhe vdekjet nuk janë thjesht ngjarje të natyrshme, por janë të lidhura me një kohë që ka ndryshuar për shkak të ngjarjeve të rënda. Në këtë kontekst, poeti, duke e bërë këtë pyetje, mund të shprehë frikën, dyshimin dhe shqetësimin për çfarë ka mbetur nga koha e tij pas përjetimit të tragjedive..

VII-Është interesante fakti se poezia “Orëve të mbrëmjes” e Zhupës shfaq me një thjeshtësi madhështore relativitetin e kohës dhe largësitë që ekzistojnë mes individëve njerëzorë. Në vargjet e saj të përsëritura, poeti ngre pyetjen universale mbi mënyrën se si koha përjetohet ndryshe nga heroi dhe e dashura e tij, të cilët, ndonëse fizikisht (mund të jenë) pranë, ndodhen në hapësira të largëta shpirtërore. Koha këtu nuk është njësi e matshme, por një enigmë që merr formë nga ndjenja dhe vetmia.

a. Në poezi, autori sugjeron se koha perceptohet ndryshe nga dy individët, që fizikisht mund të ndodhen afër (“dy-tri rrugë më tutje”), por realisht janë shumë larg në përjetime dhe ndjeshmëri. Pyetja e përsëritur “Po ç’kohë është atje?” shfaq dyshimin mbi egzistencën e një kohe të përbashkët. Në këtë aspekt shpaloset ideja se koha është përvojë personale, që ndriçon ose errëson shpirtin në mënyrë të pavarur nga realiteti fizik. Në një kontekst filozofik, kjo ide përputhet me relativitetin kohor të Einsteinit, ku koha nuk është absolute, por varet nga pozicioni dhe përvoja e vëzhguesit. Në përrallat dhe mitet tona (“Një ditë atje tejë ishte sa një vit këtu te ne”), koha zgjerohet apo tkurret në varësi të hapësirës e përjetimit individual, duke krijuar një metaforë për vetminë dhe lidhjet mes njerëzve.

b. Tri momentet kryesore të poezisë: “mbrëmja”, “nata” dhe “heshtja”, nuk janë thjesht ndarje të ditës, por stade emocionale e ekzistenciale që shfaqin largësinë njerëzore. Në këtë aspekt,mbrëmja simbolizon fillimin e një ndarje. Ndërsa bie mbi heroin, ajo paralajmëron heshtjen që do pasojë dhe ngritjen e distancave të padukshme. “Nata” është një hapësirë e fshehur midis ëndrrës dhe realitetit, ku koha përthyhet e tkurret. Për atë që është “dy-tri fjalë më tej,” nata mund të jetë një harrim. Dhe “heshtja”, që mbyll ciklin, është kulmi i ndarjes ekzistenciale. Kjo heshtje nuk është thjeshstë mungesë zëri, por e mundësisë për të ndarë një botë të përbashkët. Në të, edhe jeta dhe vdekja duken si dy rrugë të paarsyeshme që ndodhin paralelisht, por nuk bashkohen kurrë.

c. Në poezi Zhupa e trajton kohën jo si kronologji të ngurtë, por si përvojë rela-tive, ku hapësirat dhe ndjenjat e shndërrojnë atë në diçka të ndryshme për çdo qenie. Pyetja “Po ç’kohë është atje?” ngre një dyshimin filozofik mbi mundësinë e një kohe universale: nëse për heroin është mbrëmje, për tjetrin mund të jetë mëngjes, apo edhe një vit i largët në të shkuarën a të ardhmen. Kjo përplasje kujton relativitetin filozofik të përrallave, ku një ditë në një botë tjetër përjeto-het si një vit në tonën, një botë e tërhequr midis realitetit dhe iluzionit.

ç. Dukuria e kohës si përvojë subjektive lidhet me ndarjen që ekziston mes dy individëve: njëri përjeton mbrëmjen, ndërsa tjetri ndodhet jashtë këtij rrethimi kohor. Kjo ide përmban një melankoli të thellë dhe një kritikë ekzistenciale ndaj paaftësisë së njerëzve për të ndarë përvojën e njëjtë. Relativiteti i përjetimit kohor shërben si metaforë për ndarjet e mëdha që ekzistojnë midis njerëzve: ndarje emocionale, shpirtërore, apo kulturore. Dy-tre rrugë, fjalë, ëndrra apo jetë nuk janë thjesht masa të vogla largësie,ato  janë simbole të kësaj distance të pakapshme. Poezia na thotë se afërsia fizike nuk tregon përbashkësinë shpirtërore.

E lexuar në këtë kontekst ndjejmë se poezia “Orëve të mbrëmjes” është një poezi e heshtur në fjalë, por e zhurmshme në filozofinë e saj. Relativiteti i kohës shndërrohet në metaforë për vetminë dhe ndarjen , duke na kujtuar se koha dhe hapësira nuk janë njësi matëse, por dimensione ndjenjash të thella. Në këtë aspekt ndjejmë se Zhupa na lë me pyetjen e pakapshme: a mundet koha e dy qenieve të bashkohet ndonjëherë, apo secili prej nesh mbetet në mbrëmjen e vet të pashpallur?

VIII-Në krijimin "Orët e mbrëmjes" të Zhupës, tensioni poetik rritet në mënyrë graduale nga strofa në strofë,si pasojë e përdorimit të përsëritjeve, ritmit dhe zgjerimit të kuptimit  vargor. Për pasojë ky progres rrit intensitetin emocional e filozofik të poezisë, duke çuar lexuesin nga një përjetim i përditshëm drejt reflektimit të thellë mbi kohën dhe ekzistencën. Le ti shohim konkretisht sipas strofave:

a.Në strofën e parë, vargjet shfaqin një situatë të zakonshme, momentin e rënies së  mbrëmjes, një fenomen i zakonshëm natyror. Përsëritja e vargut "Këtu po bie mbrëmja, po ç’kohë është atje" krijon një ritëm të qetë, por shfaq dhe një dyshim fillestar mbi ndryshueshmërinë e kohës dhe hapësirës. Pyetja "ç’kohë është atje"  të ndez një ndjenjë distance dhe misteri më shumë se një kurozitet. Formulimi i pyetjes u ngjan shumë pyetjeve të prindërve që i kanë fëmijët psh mnë një eskursion në një qytet tjetër, interesimi i tyre nuk ka të bëjë literalisht më kohën shi apo diell, por me situatën që përjetojnë fëmijët aty dmth kanë ftohtë, janë lagur apo jo.

b.Në strofën e dytë, intensiteti poetik rritet me kalimin nga "mbrëmja" në "nata." Termi “mbrëmja” lidhet shpesh me diçka të bukur, një shëtitje në bulevradin e qytetit në mbrëmje etj, por termi “nata” ka tjetër konotacion, ai lidhet me diçka të errët dhe me rreziqe të mundëshme etj.Vargu"Dy-tri fjalë më tutje, dy-tri ëndrra më tej" shton një shtresë emocionale dhe simbolike. "Fjalët" dhe "ëndrrat" përfaqësojnë intimitet, dëshira dhe komunikim të paplo-të,  rrit ndjesinë e mungesës dhe të ndarjes, (nata është koha e gjumit jo e bisedave). Përsëritja e vargut pyetës thellon shqetësimin mbi atë që ndodh "atje" duke e shfaqur dukshëm pasigurinë dhe dyshimin.

c. Poezia arrin kulmin në strofën e tretë, ku "heshtja" dhe "nata" marrin kupti-me ekzistenciale, tyë cilat nuk na qetësojnë. Vargu: "Dy-tri jetë më tutje, dy-tri vdekje më tej"  zgjeron kuptimin e poezisë drejt reflektimit mbi jetën dhe vdekjen, dhe e vendos lexuesin përballë pyetjeve të ekzistencës. Është heshtja ajo që shndrohet në simbol i përfundimit të bashkbisedimit dhe i mungesës absolute dhe përsëritja e pyetjes tashmë nuk është vetëm një kuriozitet, por shndrohet në një thirrje për të kuptuar kohën dhe përtej saj.

Pra, në thelb përmes përsëritjeve dhe përshkallëzimit nga “mbrëmja”, në “natë” dhe më pas në “heshtje”, Zhupa krijon një tension mbi kontrastin mes të njohurës dhe të panjohurës, mes afërsisë dhe largësisë. Është një strukturë poetike që rrit jo vetëm ritmin emocional të poezisë, por edhe reflektimin filozofik, duke e bërë lexuesin të ndiejë peshën e kohës dhe misterin e saj në çdo strofë.

IX- Në poezinë e Zhupës, figurat artistike janë të pakta në numër, por të janë nga ato figura që u ngjajnë gurëve të themelit në fillimin e një ndërtese, këtu për ndërtimin e strukturës poetike dhe shprehjen e thellësive emocionale e filozofike. Le ti analizojmë figurat artistike dhe ndikimin e tyre në efektin poetik.

1. Në poezinë e Zhupës, “koha” dhe “heshtja” janë dy simbole që lidhen me realitetin shpirtëror dhe ekzistencial të poetit. Mbrëmja dhe nata janë jo vetëm kohë ditore, por kryesisht janë simbole të reflektimit, të meditimit dhe kalimit të kohës. Kjo kohë natyrore i jep mundësinë poetit të meditojë për jetën dhe vdekjen sit e vargjet"Këtu po bie mbrëmja, po ç’kohë është atje". "Këtu po bie nata, po ç’kohë është atje" “Mbrëmja” dhe “nata” simbolizojnë një kohë të brendshme, një periudhë introspektive, ku koha nuk matet me orë dhe minuta, por me pasiguri dhe meditime. Koha "atje" bëhet një simbol i misterit dhe distancës shpirtërore që poetët shpesh e eksplorojnë.

2.Metaforat përdoren në poezi për të ndërlidhur konceptet e jetës dhe vde-kjes , gjithashtu për të shfaqur pasigurinë dhe ndjeshmërinë shpirtërore të poetit si te vargu:"Dy-tri jetë më tutje, dy-tri vdekje më tej." ku , "jetë" dhe "vdekje" janë përdorur si metafora që përfaqësojnë të kundërta ekzistenciale: kalimi nga një jetë plot bukuri dhe shpresë në një vdekje që përfaqëson fundin e mundësive dhe sfidave. Ky përdorim i jetës dhe vdekjes si njësi krahasuese bën që lexuesi të reflektojë për kalimin e kohës dhe ndikimin e saj në qenien njerëzore.

3. Një tjetër figurë e dukshme janë imazhet që krijohen përmes përdorimit të fjalëve që e zbulojnë gjendjen shpirtërore të poetit. Fjalët "dy-tri" përdoren për të përshkruar distancat shpirtërore e fizike që ndodhen mes poetit e personit të dashur."Dy-tri rrugë më tutje, dy-tri sheshe më tej." Ky është një imazh shumë i fuqishëm dhe estetik, na tregon se: edhe pse ka një distancë fizike, ajo nuk është pengesë. Poezia luan me ndjeshmërinë, përfytyrimin dhe përdorimin e numrave që nuk janë absolutë, por përçojnë një ide të distancës shpirtërore.

4. Personifikimi i kohës  është një tjetër figurë interesante. Në poezi, koha ka një veprim të qartë dhe natyrë që është shumë më tepër se thjesht një kalim orësh. Ajo shndrohet në një entitet që poeti mund ta ndiejë dhe me të cilin mund të bisedojë. "Po ç’kohë është atje?" Këtu ky personifikim e bën kohën të duket si  person i gjallë që mund të kuptohet dhe që ka një formë për të komu-nikuar me poetin. Pyetja "po ç’kohë është atje" është një mënyrë që poeti përdor për të dhënë peshë dhe agjencë një koncepti të përditshëm, siç është koha.

X-Nuk mund të rrija pa përmendur faktin se kjo poezi shquhet për minima-lizmin e fjalëve, dukuri që shfaqet si mjet i fuqishëm artistik për të përqendru-ar thelbin emocional e filozofik të vargjeve. Struktura e thjeshtë dhe përsëritja e pyetjes "po ç’kohë është atje?" krijojnë një ritëm të qëndrueshëm, duke e kthyer poezinë në një reflektim të ngjeshur mbi ndarjen, kohën dhe lidhjen njerëzore. Poezia nuk përdor përshkrime të gjata apo të detajuara, ajo mbë-shtetet në simbolika të përmbledhura si “mbrëmja”, “nata” dhe “heshtja”, qësi një urë e ngritur mbi tri këmbë. Këto elemente të thjeshta përçojnë një gamë ndjenjash,shmangin teprinë e fjalëve, dhe lënë hapësirë interpretimi subjektiv të lexuesit.

Minimalizmi vihet re dhe me përdorimin e një gjuhe të thjeshtë e të drejtpër-drejtë, ku çdo fjalë ka peshë dhe qëllim. Kjo thjeshtësi shërben për të theksuar ndjenjat e heroit lirik, duke mos e mbingarkuar mesazhin me detaje të panevo-jshme, por duke e mbajtur të pastër dhe emocionalisht të fuqishëm. Në këtë mënyrë, Zhupa arrin të krijojë një poezi që është njëkohësisht e thjeshtë në formë dhe e pasur në përmbajtje.

Në thelb, poezia "Orët e mbrëmjes" shquhet për ndërtimin e saj të thjeshtë në formë,me një përdorim minimalist të fjalëve, duke krijuar dialog mes kohës, hapësirës dhe ekzistencës.Me gurë të thjeshtë ai ka ndërtuar një kështjellë poetike sa të bukur aq dhe të fortë. Mjeshtërisht përmes përsëritjeve ritmike të pyetjeve që nuk (presin) marrin përgjigje dhe zhvillimit gradual të tensionit poetik, Zhupa na fton të reflektojmë mbi relativitetin e përjetimit dhe misterit njerëzor që qëndron përtej së njohurës. Kjo poezia me thjeshtësinë e saj  kapërcen përditshmërinë dhe shndrrohet në meditim filozofik dhe ekzistencial. Vlera e kësaj poezie qëndron në universalitetin e saj, ndërsa vetë Zhupa shfaqet si një poet i aftë të shpreh përjetime të thella me finesë artistike që e bën poezinë e tij të paharrueshme dhe konkuruese në poezinë europiane..

 

Sarandë, më Janar 2025

 

ORËVE TË MBREMJES

Këtu po bie mbrëmja, po ç’kohë është atje,

Dy-tri rrugë më tutje, dy-tri sheshe më tej.

Këtu po bie mbrëmja, po ç’kohë është atje?

 

Këtu po bie nata, po ç’kohë është atje,

Dy-tri fjalë më tutje, dy-tri ëndrra më tej.

Këtu po bie nata, po ç’kohë është atje?

 

Këtu po bie heshtja, po ç’kohë është atje,

Dy-tri jetë më tutje, dy-tri vdekje më tej.

Këtu po bie heshtja, po ç’kohë është atje

f.16

Monday, 13 January 2025

 

DIALOGU I FUNDIT

Nga Timo Mërkuri

E kam lexuar dikur poezinë "Të kujtohet? e  Luan Ramës, e cila më ka lënë një trazim në ndërgjegje, por pa e ditur se pse e qysh. Poezitë që më ngacmojnë kështu unë i rilexoj detyrimisht, por s'di pse si rrallëherë këtë e kalova në harresë gjersa sot në prag mesnatë kujtesa e fb ma ripruri si  për vit të ri. E lexova me nge përsëri poezinë  e cila në thelbin e saj përçon një ndjenjë  introspeksioni dhe melankolie përmes një detaji, një momenti të ndjeshëm midis dy bashkëshortëve të moshuar. Ajo shfaq një natë të qetë vere ku dialogu i tyre nxjerr në pah një plagë të së kaluarës, tradhëtinë e (mundëshme të) bashkëshortit një natë, ndoshta në rini apo në fillim të jetës së përbashkët.

1. Në thelbin e saj, poezia trajton kujtesën për të vërtetat e pathëna, të fshehura , si plagë të turpshme dhe dhimbjet e tyre, mbetur pezull. Gruaja, e shtyrë nga një kujtim, i tregon burrit ankthin që ka përjetuar dikur, duke e kërkuar atë nëpër qytet, në shi dhe në erë, me një lutje të pazakontë: "lusja Zotin të ishe me një grua tjetër, të ishe gjallë." lutje që përvijon frikën njerëzore për humbjen e njeriut të dashur, ku edhe tradhtia bashkshortore shfaqet (lejohet, justifikohet)si shpëtim. E vërteta e burrit, e thënë me thjeshtësi prej tij: "Po… isha me një grua," shfaq një tjetër dimension të konfliktit, ku ndjenja e fajit zbehet përballë kohës (dhe rrezikut të mundshëm) të vdekjes. Çuditërisht qysh në leximin e parë më pati lindur mendimi se burri diku tjetër, në një rrezik të mundshëm real ka qenë, por pranon fajin e tradhëtisë, (të pakryer)për mos t'a ringjallur ankthin e gruas për rrezikun që ka përballuar. Të vërtetën nuk do t'a marrim vesh, por çfarë rëndësi ka sot ajo e vërtetë, ata jetuan dhe janë ende bashkë në këto momente të praggjumit të pambarimtë.

2. Mjeshtërisht poeti ndërthur simbolika të fuqishme për të krijuar një atmosferë ku ndërthuren jeta dhe vdekja tepër natyrshëm. "Pragu i natës së gjatë" shpreh afrimin e fundit të jetës, që çifti duket se e pranon pa rezistencë. Me siguri ata e kanë jetuar jetën e tyre dhe tashmë e ndjejnë se është koha të ikin, sado e trishtueshme të jetë kjo, por ja që gruas nuk i ikën meraku i asaj nate, ndodhur ndoshta në një jetë tjetër të largme, por ama e ndodhur, e cila i ka mbetur si një gozhdë në shpirt, nga ato gozhda që shpesh marangozët i harrojnë ti heqin, kaq të pavlefshme janë dhe as që duken fare në objekt, pavarësisht se aty janë. Pse janë aty dhembin herë pas herë, siç dhemb në kohë me shi plumbi i mbetur në trup. Ndaj quhen plagë që dhembin ende dhe dhëmbin në shpirt më shumë se në trup. Turtulleshat " që do marrin rrugët e qiellit" të krijojnë një ndjesi  përjetësie, përballë përkohshmërisë së jetës së tyre tokësore.

3. Poezia ka një gjuhë të thjeshtë dhe emocionale, e cila krijon një tension (të heshtur). Dialogu është i përmbajtur, si mësim nga jeta, por shkëmbimi i fjalëve është një dritare  prej nga shihet një botë ( e brendshme) me plagë. Vargjet si "Heshtja rëndonte plumb" apo "zemrat një mbi një, me plagët që rridhnin ende" krijojnë një ritëm të ngadaltë që pasqyron gjendjen emocionale të personazheve. Shtojmë se pikërisht kjo ngadalësi është një mjet i fuqishëm artistik, që i jep lexuesit kohë për të përjetuar dhe reflektuar mbi dramën.

Në thelb poezia "Të kujtohet? shfaq dashurinë si  përvojë që përtej kohës dhe hapësirës, ku plagët e së kaluarës dhe e vërteta e pathënë bëhen pjesë e një ballafaqimi të fundit. "Dhe ata iu ngjitën njëri-tjetrit, / sytë përballë, / krahët mpleksur, / zemrat një mbi një," një skenë që mbyll me qetësi një jetë me dashuri, vuajtje e pajtim. Në këtë akt të fundit të intimitetit, ata ndajnë heshtjen si  formë më të lartë të dialogimit, duke pritur agun që "s’donte të zbardhte më." Të lind dëshira t'u afrohesh dhe t'u bësh qoftë dhe një shërbim të thjeshtë, t'u ngresh batanijen psh apo t'u rregullosh jastëkun dhe të dëshirosh që kështu të të gjejë gjumi që nuk mbaron.

II- Që kjo poezi është e veçantë, këtë askush nuk e ve në dyshim, por pyetja është: Ku qëndrojnë veçantitë e saj? Së pari veçantitë e saj qëndrojnë në ndërthurjen unike të një stili minimalist në një poezi me shtrat poeme, dhe emocionalisht tepër të ngarkuar si dhe në fokusin e saj mbi dimensionet njerëzore dhe ekzistenciale të jetës. Krahasuar me poezi të tjera, ky krijim dallon për disa aspekte të spikatura:

1. Narrativa dramatike e poezisë zhvillohet përmes dialogut. Ndryshe nga shumë poezi që përdorin përshkrime ose introspeksion të drejtpërdrejtë, Luan Rama zgjedh dialogun si mjetin kryesor të zhvillimit të fabulës. Biseda midis burrit dhe gruas shfaq një histori të tërë brenda disa fjalive të thjeshta, duke krijuar një poezi që lexohet e përjetohet si dramë intime. Kjo qasje është e pazakonshme në poezinë tradicionale dhe moderniste shqiptare, e cila shpesh fokusohet te rrëfimi lirik.

2. Rama përdor një gjuhë të kursyer, një stil minimalist, ku çdo fjali dhe figurë bart një ngarkesë të madhe emocionale e simbolike. Ky minimalizëm stilistik i shërben intensitetit emocional dhe i lë hapësirë lexuesit të interpretojë dhe të përjetojë (vetë ai) ngjarjen dhe emocionet e saj. Ndryshe nga poezi të mbushura me figura stilistike dhe ndërlikime apo fragmentime stilistikore, kjo poezi zgjedh të jetë e qartë, intime dhe e prekshme.

3. Poezia vendos ngjarjet në një moment përfundimtar të jetës, thua se është llogaria e fundit që duhet të lahet. Interesant është se Rama e trajton me një qetësi filozofike, por ne ndjejmë peshën e madhe të saj që ka rënduar për gjithë jetën në shpirtin e gruas. Tradhëtia, edhe si mendim mbetet tradhëti dhe në mos vret, plagos të tradhëtuarin. Veç të tjerave, kjo temë në letërsinë shqipe trajtohet më shumë në prozë, se sa në poezi, arsyet mund te jenë të shumta , por nuk janë ato objekt i këtij shkrimi. Ajo çka duam të themi është se kjo shton te kjo poezi elementin e të veçantës në letërsinë shqipe.

4. Poezia jo vetëm që përdor përdor natën si sfond, (e parafytyrojmë dialogun në krevatin bashkëshortor)dhe e vendos ngjarjen në  kohën kur qetësia dhe errësira simbolizojnë  afrimin e fundit. Heshtja, që "rëndonte plumb," është mjet i fuqishëm poetik për të shprehur tensionin dhe ndjenjat që nuk thuhen me fjalë. Në poezitë tradicionale, simbolika e natës shpesh përdoret për dashuri romantike (Bie të fle, e s'më zë/ më bënte në ëndërrën/ një si xhinde femërë/ sikur loz e qesh me të.) ose dhimbje personale, (Atje poshtë te ato gjerdhe/ të prita mike pse s'erdhe/të zi gjumi a më gënjeve) ndërsa këtu natyra ekzistenciale e saj është më afër modernizmit dhe postmodernizmit.

III. Sigurisht që lind pyetja: Pse përdor këtë stil Rama? Luan Rama është poet i detajeve të jetësuara dhe jo i shpalosjes së panoramave dhe jetësimi i detajeve kërkon një stil minimalist .

1. Së pari ky stil dialogjik dhe minimalist është më i përshtatshëm për të shfaqur intimitetin dhe natyrën e brishtë të bisedës midis dy bashkëshortëve të moshuar që kanë kaluar një jetë së bashku. Poeti nuk përdor stil të stërholluar, pasi forca e ndjenjave shfaqet përmes thjeshtësisë.

2. Është pikërisht ky stili i Ramës ai që reflekton prirjet e tij moderniste dhe filozofike, e zhvendos (apo e zhvesh)poezinë nga rrëfimet tradicionale drejt një meditime mbi jetën,  dashurinë dhe vdekjen.

3. Poeti shprehet më shumë me heshtje dhe aluzione sesa me fjalë apo rrëfime të drejtpërdrejta. Kjo i lejon lexuesit të eksplorojë apo interpretojë vetë dimensionet e pashprehura të ngjarjes dhe të ndjejë thellësinë emocionale të çastit.

4.Çuditërisht poezia e Ramës, pavarësisht temës dhe karakterit shqiptar, shmang patetizmin dhe sentimentalizmin e zakonshëm, dhe i jep përparësi një qasjeje të qetë. Kjo bën që lexuesi të fokusohet në ndjenjat e pastra dhe dashuri të sinqertë të personazheve dhe jo në momente. Ai sheh rrugën e përshkruar jo gurët që kanë rënë nga skarparet e bregut mbi këtë rrugë, që gjithsesi nuk e kanë penguar ecjen e jetës.

Duhet të pranojmë se në këtë poezi, Luan Rama sjell një përvojë unike dhe universale, ku jeta, dashuria dhe vdekja shfaqen në formën e tyre më të thjeshtë dhe më të thellë: "Dhe ata iu ngjitën njëri-tjetrit, / sytë përballë, / krahët mpleksur, / zemrat një mbi një.".

A nuk është një mbyllje e bukur?Le të heshtim pra para bukurisë. Le t'a përjetojmë atë, jo t'a komentojmë.

 

Sarandë, më Janar 2025

Të kujtohet?

 

Ishte një natë e ngrohtë vere,

kishte kaluar mesnata,

dhe në shtrat,

ajo grua në moshë zgjati dorën

mbi gjoksin e burrit të saj:

- Po fle?

- Po!

- U kujtova, si në ëndërr…

- Çfarë?

- M’u shfaq ajo natë kur të kërkoja ngado në qytet,

nëpër shi, nëpër erë,

të kërkoja si e çmendur dhe lusja Zotin

të ishe me një grua tjetër,

të ishe gjallë…

thuamë, ku ishe?

Ai u kthye nga ajo dhe i preku buzët e rreshkur.

Ishte ftohtë.

- Fol! Heshtja rëndonte plumb.

- Po… isha me një grua,

gjithë jetën kam dashur të ta them,

e ç’rëndësi ka tani?

Ne së shpejti do shkojmë,

të lëmë diellin dhe kapërcejmë pragun e natës së gjatë…

Ai e puthi dhe ajo qau.

- Fli tani, është vonë,

dhe pak do këndojnë zogjtë,

turtulleshat do marrin rrugët e qiellit.

- Kisha frikë për ty!...

tani kam shumë kohë për të fjetur.

Dhe ata iu ngjitën njëri-tjetrit,

sytë përballë,

krahët mpleksur,

zemrat një mbi një,

me plagët që rridhnin ende,

që rrihnin ngadalë, në kohën pa kohë,

me në agun që s’donte të zbardhte më…

Wednesday, 8 January 2025

 

“Ekzotikat” si rebelim emocional dhe kërkimi i lirisë

Shënime çasti për poezinë“Ekzotikat” e Odise Kotes

 

Nga Timo Mërkuri

Para se të flasim për poezinë “Ekzotikar” të Odise Kotes duhet të sqarojmë cilat janë dhe pse poeti i quan "Ekzotika" dhe ca më tepër pse sot realizoi këtë krijim poetik, që me të drejtë mund ta quajmë “ekzotike”. Në thelb poeti quan “ ekzotika” dukuri, dhe veprime jashtë formatit qytetar të jetës së përditëshme, nga ato që quhen avagardë madje jo rrallë dhe 'rrugaçëri" nga një staf veteranësh, psh siç quheshin dikur muzika e lehtë moderniste apo  letërsia e piktura jashtë formatit të soc.realizmit, veshjet me stil perëndimor (kauboj etj). Në thelb, poeti i quan Ekzotika sepse ato mishërojnë një botë të pazakontë, të ndritshme e shpërthyese, që qëndron jashtë përvojave dhe formateve rutinore. Realisht fjala "ekzotike" zakonisht lidhet me diçka të të huaj, të magjishme apo të jashtëzakonshme,që ka lidhje me botën latino amerikane apo Afrikën por në këtë poezi, ajo përdoret si një metaforë për individ ë, veprime apo momente që shpërthejnë energji dhe rebelim, shpërthim të kornizave të formateve tradicionale të jetesës, kulturës apo edukatës qytetare..

 1.Në poezinë "Ekzotikat," Odise Kote i shfaq ekzotikat si figura artistike apo qenie që mishërojnë pasionin, lirinë dhe energjinë shpërthyese, duke u distancuar nga normat dhe rutinat e zakonshme, duke tejkaluar formatin e rëndomtë të jetësës dhe të të kuptuarit e përjetuarit .Realisht ato janë simbol i ndjenjave të gjalla dhe  thirrje për rigjetjen e emocioneve të lëna pas dore apo të ngurtësuara në të “kaluarën e ndaluar”. Disa pasazhe vargjesh që i përkufizojnë dhe ilustrojnë ekzotikat janë:

a. Ekzotikat  shfaqen si mishërim i shpirtit të lirë dhe kohës së humbur: "Ekzotikat shkulën flokët për kohën e humbur,/le të ndërrojmë rolet." vargje që i shfaqin ekzotikat si figura që luftojnë me të kaluarën dhe kohën e humbur, shpërdoruar, duke shprehur dëshirë për ndryshim dhe përmbysje të roleve të zakonshme. Sigurisht që poeti këtu i personifikon si njerëz, kryesisht si gr ate ky varg.

b.Poeti i shfaq ekzotikat si zëra që kërkojnë rilindje emocionale shfaqen te vargjet:"A mund të ndezim një zjarr në rrugë,/për të ngrohur ndjenjën e lënë në harresë?" duke i personifikuar ati në rolin e tyre si bartëse të një revolte shpirtërore, që kërkojnë të ringjallin ndjenjat e fjetura dhe të rikthejnë ngrohtësinë në një botë të ftohtë dhe indiferente. Sigurisht ndezja e një zjarri në mes të rrugës cilësohet si një veprim “hipish” pa lodhur mendjen për domethënien e këtyre veprimeve.

c.Ato shfaqen si simbol i pasionit dhe energjisë shpërthyese psh. te vargjet:"Ndihej shumë mirë kur thyheshin qelqet,/pa u shqetësuar nëse ky quhej rebelim." Duke I personifikuar ato si figura të guximshme, që veprojnë jashtë kufijve normal pa u shqetësuar për mendimin apo gjykimin e të tjerëve

Pra, në thelb, “Ekzotikat”, në këtë poezi, përfaqësojnë shpirtin njerëzor që lufton për t’u çliruar nga kufizimet dhe formatimit standarte  emocionale. Ato janë simbol i guximit për të ndryshuar, për të rigjetur ndjesinë e humbur dhe për të rikrijuar një jetë të pasionuar.

2.Cilat janë karakteristikat e këtyre “Ekzotikave” të shprehura në poezinë e Kotës. Me një densitet të jashtëzakonshëm dhe art poetik, në poezi ato shfaqin:

a. Ndjesinë e jashtëzakonshme dhe kontrasti me rutinën, psh te vargjet:"Qyteti ekzotikave po shndrin këtë natë,/s'ka shndritur kurrë kaq fort." ku, ekzotikat simbolizojnë një gjendje unike që ka ndryshuar monotoninë e zakonshme, duke sjellë jetë dhe dritë.

b. Ekzotikat nuk ndjekin normat apo formatin qytetar, por përfaqësojnë shpërthimin emocional dhe thyerjen e këtij formati të ngurtë, siç shihet tek vargjet:"Ndihej shumë mirë kur thyheshin qelqet,/pa u shqetësuar nëse ky quhej rebelim." A nuk ju ka lindur ndonjëherë dëshira të thyeni diçka, të opërplasni një portë apo një enë? Kështu janë ekzotikat, forca që nuk u binden konvencioneve, duke krijuar një ndjesi të freskët dhe shpirtërore.

c. Ato përfaqsojnë nevojën për të rigjallëruar emocionet e shtypura apo të lëna pas dore, të braktisura nën tezën e “kulturalizmit” apo “qytetarizmit”:"A mund të ndezim një zjarr në rrugë,/për të ngrohur ndjenjën e lënë në harresë?", pra  ekzotikat janë figura të fuqishme që kërkojnë të ngrohin ndjenjat dhe shpirtin në një botë të ftohtë.

ç. Poeti i quan ekzotika, sepse ato mishërojnë një energji të pastër dhe një dëshirë për të kapërcyer kohën e humbur:"Ekzotikat shkulën flokët për kohën e humbur,/le të ndërrojmë rolet."ku  akti simbolik i shkuljes së flokëve tregon rebelimin kundër të kaluarës dhe dëshirën për një jetë të re dhe të gjallë.

3. Le të bëjmë  një  analizë të shkurtër të  poezisë,  ku të veçojmë  disa elemente dhe vlera kryesore:

a. Atmosfera ekzotike dhe dinamizmi emocional në të cilën shfaqet qyteti, e ndriçuar fuqishëm dhe përfshirë nga një heshtje misterioze, të krijon përshtypjen se pret një shpërthim sepse atmosfera është e tillë që të krijon një ndjesi pritshmërie dhe tensioni, madje duke theksuar dualitetin midis qetësisë së jashtme dhe zhurmës shpirtërore. Kote përdor imazhe si "pret vështrimin në sytë e dikujt, për të ndezur qiejt," I cili të krijon përshtypjen e një kryqëzimi vetëtimash.

b. Ritmit i poezisë luan një rol thelbësor në poezi, si forcë që çon emocionet "në qiell." Thyerja e qelqeve dhe paqartësia nëse ky veprim është rebelim apo jo, simbolizon një shkëputje nga normat dhee formati i zakonshëm qytetar dhe shfaq  një kërkim për liri. Ky moment krijon ndjenjën e guximit dhe shpërthimit emocional që sfidon strukturat dhe dogmat  e shoqërisë.

c.Ekzotikat përfaqësojnë një figurë të gjallë e dinamike, mishërim të ndjenjave të shtypura dhe kohës së humbur. Veprimi i  "shkuljes së flokëve" dhe dëshira për të ndezur një zjarr në rrugë për të ngrohur ndjenjat sugjerojnë një nevojë për rilindje shpirtërore ( siç e quan Robert Martiko). Këtu, zjarri i ndezur në rrugë sado që duket si një akt jo qytetarie, bëhet simbol i pasionit shpërthyes.

ç. Figura femërore shfaqet si një figurë që kap dhe përjeton ndjesinë me një ecje të shkujdesur, duke e çliruar veten nga dramat e zakonshme. Ky portret përcjell një ndjenjë force shpirtërore dhe aftësi për të krijuar një jetë vetiake, larg dramave të "budallenjve të plakur." Realisht dudhet të pranojmë se femrat janë ato që e ndjejnë më shumë ardhjen e kohës së “pranverës” së ekzotikave dhe shpesh nxitin edhe djemtë e rinj për veprime konkrete. Një situatë të tillë e kemi përjettuar në vitet 70

4. Kjo poezi e Kotes shfaqet me disa veçanti stilistike, që tërheqin vëmëndjen e lexxuesit dhe konkretisht:

a. Poezia ndërtohet mbi një sërë imazhesh të gjalla e metaforash, si “të ndezim qiejt,” “të thyhen qelqet,” dhe “të ndezim një zjarr në rrugë.” duke krijuar një ndjesi dinamike dhe të gjallë.

b.Fragmentimi në fraza të shkurtra si "Ai...", "Zjarr...", "Ajo..." krijojnë një ritëm të fragmentuar, I cili shton dramacitetin poetik,  gati si ritmike, por pa e arritur këtë të fundit, jo pse s'mund por pse nuk e synon t'a realizojë.

c. Zjarri, ndriçimi dhe ritmi simbolizojnë shpirtin e rebelimit dhe nevojën për të rigjetur emocionet apo dhe kohën e humbur.

ç.Poezia nuk është një përshkrim i një nate ekzotike; ajo ka një mesazh universal të  nevojës për të rigjetur vetveten, për të thyer normat dhe për të rilindur ndjenjat e humbura. "Ekzotikat" përfaqësojnë jo vetëm individë, por edhe ide të reja, që sfidojnë kohën dhe ngurtësinë e jetës moderne te të ashtuquajturat "etika qytetare".

Në thelb duhet të pranojmë se: si shumë krijime të kohëve të fundit, por dhe veçanërisht poezia "Ekzotikat" e Odise Kote- s është një krijim që, dudke ju qasur modernizmit nëpërmjet rrymave të ekspresionizmit, surrealizmit dhe ekzistencializmit krijon një atmosferë të bollëshme artistike dhe filozofike  , duke sjellë një atmosferë të zjarrtë e dinamike, ndërthurur me një reflektim emocional mbi kohën, ndjesitë dhe rebelimin.

 

Sarandë, më 08.01.2025

 

EKZOTIKAT

Qyteti ekzotikave po shndrin këtë natë,

s'ka shndritur kurrë kaq fort.

Ka shumë heshtje të tij që nuk i tregon.

Pret vështrimin në sytë e dikujt,

për të ndezur qiejt.

Ai...

Nuk e dinte nëse ishte ritmi i duhur,

diçka kishte ndodhur.

Kërcyen dhe e çuan ritmin në qiell.

Ndihej shumë mirë kur thyheshin qelqet,

pa u shqetësuar nëse ky

quhej rrebelim.

Zjarr ...

Ekzotikat shkulën flokët për kohën e humbur,

le të ndërrojmë rolet.

A mund të ndezim një zjarr në rrugë,

për të ngrohur ndjenjën

e lënë në harresë?

Ajo ...

Ajo kishte kapur një ndjesi,

hodhi hapin e shkujdesur.

Sekretet fshehin shumë çmenduri,

s'do ta harronte asnjëherë flakën.

Dramat janë për budallenjtë e plakur ...